Arkiv

Archive for Janar, 2012

Shqiptarët në Perandorinë Osmane

31/01/2012 Lini një koment

Hajro LIMAJ

 

SHQIPTARËT NË PERANDORINË OSMANE

Hajro Limaj

Hajro Limaj

Në dhjetorin e vitit 1994, kur u akreditova atashe Ushtarak ne Republikën e Turqisë dhe fillova takimet zyrtare me ministrin e Mbrojtjes, Shefin e Shtatmadhorisë e shume personalitete te tjera shtetërore dhe politike te vendit gjeta një mikpritje dhe përzemërsi qe nuk e kisha hasur ne shume vende te tjera te Evropës qe kisha qene me pare. Ketë përzemërsi e ndieja edhe me qytetaret e thjeshte te Turqisë ne Ankara, Stamboll, Bursa, Izmir, e kudo qe unë ndodhesha me detyre. Sapo mësonin qe isha atashe ushtarak i Arnavutlluk-ut (Shqipërisë), ata shprehnin një respekt dhe një mirësjellje te veçantë. E gjithë kjo lidhej me autoritetin, dinjitetin, trimëritë, besnikëritë dhe humanizmin qe kishin treguar shqiptaret nga periudha Osmane e deri ne ditët e sotme. Kur trajtonim marrëdhëniet e dy vendeve tona te gjithë autoritetet i referoheshin menjëherë historisë se largët, te mesme dhe te sotme te shqiptareve, vlerave te tyre ne periudhën Osmane dhe ne periudhën e shtetit moderne te Turqisë. “Shqiptaret kane drejtuar perandorinë Osmane dhe shtetin turk. Edhe tani, ne vendet kryesore te Turqisë jane shqiptaret, nipërit dhe mbesat e tyre”, shpreheshin ata me kënaqësi. Dhe ky realitet mua me shoqëroi ne çdo ministri, ne çdo prefekture, bashki e komande ushtarake. Por, ne këtë shkrim do te ndalem me shume per rolin e shqiptareve ne Perandorinë Osmane.

Perandoria Osmane jetoi 560 vjet, deri ne vitet 1922 ne tre kontinente: Azi, Evropë dhe Afrike. Te gjithë historianet e huaj dhe turq, te cilët kane studiuar historinë e Perandorise Osmane, pohojnë se: “…Kryeministrat (kryeveziret ose sadrazamet), ministrat (veziret) dhe pashallarët (gjeneralët) e komandantet ushtarake me te vlefshëm kane qene me origjine shqiptare”. Dhe këtë përfundim e vërteton numri shume i madh i kryevezireve shqiptare ose me rrënjë shqiptare qe administruan perandorinë Osmane deri ne vitet 1922. Kështu, Koxha Sinan Pasha ne periudhën 1580-1596 ka qene pese here Kryeministër: 1580-1582, 1586-1591, 1593-1595, 4 muaj me 1595 dhe 4 muaj ne vitin 1596. Nen drejtimin e tij u pushtua Jemeni.

Ahmet Pashë Dukagjini ka qene Kryeministër per 2 muaj e 17 dite ne vitin 1517. Rridhte nga një familje shqiptare e Leke Dukagjinit.
Ajaz Ahmet Pasha lindur ne Vlore, me origjine jeniçeri dhe ka qene Kryeministër ne vitet 1536-1539.
Lutfi Pasha nga Vlora, martuar me motrën e Sulltan Kanun Sylejmanit kreu detyrën e Kryeministrit per 1 vit e 9 muaj ne vitet 1539-1541.
Kara Ahmet Pasha, Kryeministër 1 vit, 11 muaj e 23 dite ne vitet 1553-1555.
Semiz Ahmet Pasha, dy here Kryeministër ne vitet 1579-1580.
Ferhat Pasha, dy here Kryeministër; ne vitet 1591-1592 dhe 4 muaj e 19 dite ne vitin 1595.
Merre Husein Pasha ishte Kryeministër per 2 vjet 2 muaj dhe 13 dite ne vitet 1601-1603. Ai ka shërbyer edhe si prefekt, vali ne Egjipt.
Tabani Jasse Mehmet Pasha ishte Kryeministër ne vitet 1632-1637.
Kujuxhu Murat Pasha ka qenë 4 vjet, 7 muaj e 25 dite Kryeministër ne periudhën 1606-1611. Pastaj vazhduan Nusuh Pasha ne vitet 1611-1614, Ohrili Hysein Pasha ne vitin 1621, Xixhan-Kapuxhubashi Sulltanazde Mehmet Pasha ne vitin 1602-1646, Kara Mustafa Pasha dy here ne vitet 1649-1650 dhe ne vitin 1655, Torhonxhu Mustafa Pasha ne vitet 1652-1653, i cili u dënua me varje ne litar, rridhte nga një familje matjane, Zurnazen Mustafa Pasha shërbeu si Kryeministër vetëm 4 ore ne vitin 1656, Qypryly Mehmet Pasha 5 vjet Kryeministër në periudhën 1578-1661. Ishte me origjine nga Roshniku i Beratit, Qypryly Ahmet Mustafa Pasha, djali i madh i Mehmet Pashes ishte 15 vjet Kryeministër. Ne vitin 1659 u gradua vezir dhe marshall, Qypryly Fazell Mustafa Pasha shërbeu 2 vjet e 3 muaj Kryeministër. Biri i dyte i Mehmet Pashës dhe vëllai i Ahmet Mustafa Pashes, Arabaxhi Ali Pasha ne vitet 1691-1692, Amxhazade Husein Pasha, nga familja e Mehmet Pashe Qyprylyse qëndroi 4 vjet e 11 muaj ne periudhën 1797-1802, Dalltaban Mustafa Pasha, lindur ne Manastir Kryeministër ne vitet 1702-1703, Qypryly Numan Pasha 2 muaj e 2 dite ne vitin ne 1710, Haxhi Halil Pasha lindur ne Elbasan një vit ne voton 1716, Ivaz-zade Halil Pasha ne vitin 1770, Memish Pasha 1 muaj e 9 dite ne vitin 1808-1809, Gjiritli Mustafa Nail Pasha nga Policani Kosturit te Korçës ka qenë tre here Kryeministër ne vitin 1853, 184 dhe 1857, Mehmet Ferit Pashe Vlora shërbeu si Kryeministër gjate viteve 1902-1908, besnik i Sulltan Abdylhamitit te Dyte. Mehmet Ferit Pashe Vlora ka lindur ne Janine ne vitin 1852, ishte biri i Mustafa Pashe Vlorës Ferit Pashe Vlora nga babi ishte stërnipi i admiralit Sinana Pashes dhe nga nena vinte prej familjes se Ali Pashë Tepelenës, Misairli Sait Halim Pasha, nipi i Mehmet Ali Pashe Kavalles shërbeu ne vitet 1913-1917, Ahmet Izet Pasha shërbeu si sadrazam-Kryeministër 25 dite ne vitin 1918, Damat Ferit Pasha, Kryeministri i fundit i perandorisë Osmane, tradhtoi luftën çlirimtare te Ataturkut. Meliki Mansur-Hain Ahmet Pasha, ushtarak i zoti, punoi si Kryeministër ne vitet 1523-1524, Gjedik Ahmet Pasha ne vitin 1475 u emërua Kryeministër per 4 vjet, Rystem Pasha ne vitin 1554 u emërua Kryeministër per 14 vjet derisa vdiq, Ibrahim Pasha shërbeu 13 vjet Kryeministër.

Kryeministrat e familjes “Qypryly” qe sunduan afro 100 vjet ne shekullin e XVII, perandorinë Osmane e shpëtuan nga një rrëzim total, shtetit i dhanë gjak. Pushteti i Qyprylynjve ka qene me i forte dhe me efikas nga autoriteti i sulltanëve te asaj kohe. Pashallarët, gjeneralët e besës fisnike shqiptare shpëtuan edhe “kryet e sulltanëve”.

Eshte interesant te përmendet se shqiptaret qe kishin marre një kulture humanitare islame ne shtetin Osman, nuk ishin egoiste. Sami Frashëri per këtë shkruan: “Shqiptaret kane shërbyer me shume per boten e jo per veten e tyre”. Perandori i Francës Napoleon Bonoparti ne vitin 1798 u nis te pushtonte edhe Egjiptin. Osmanllinjtë dërguan një ushtri te përberë prej ushtareve te zgjedhur shqiptare. Këtë ushtri e komandonin shqiptarët Tahir Pasha dhe Mehmet Aliu. Pasi theu Bonopartin, kapiteni Mehmet Ali u vendos ne Egjipt. Ne vitin 1801 u gradua pasha, gjeneral dhe ne 1805 mori ne dore pushtetin lokal te Egjiptit. Mehmet Alia Pasha u shtri deri ne Sudan. Me pas nënshtroi edhe feudalet e Arabisë qe përbenin një problem per Perandorinë Osmane. Me dinastinë e Mehmet Ali Pashës, krahas arabishtes dhe turqishtes, flitej shqipja. Ne Aleksandri atij i eshte ngritur statuja prej bronzi. Dinastia e kësaj familjeje ne Egjipt vazhdoi deri ne vitet 1956. Per rolin dhe vlerat e shqiptareve shefi Shtatmadhorisë Turke, marshalli Fevzi Cakmak shkruante: “Me qindra burra shteti shqiptare jane dalluar ne historinë Osmane. Shume nga ata kishin zënë edhe pozita te larta, te rëndësishme si kryeministra (sadrazame). Turqit dhe shqiptaret, ne betejat qe kane fituar bashkërisht kane pajtuar interesat e tyre te përbashkëta, jane bere vëllezër te vërtetë”. Ndërsa studiuesi gjerman prof. dr. Herman Gros ne librin “Ekonomia Ballkanike” shkruan se “Shqiptaret gjate pese shekujve qe kane bashkëjetuar me turqit osmanlinjë, ne saje te aftësisë se adaptimit dhe te talenteve te tyre si nëpunës, kishin zënë shkallet me te larta ne Qeverinë e Stambollit dhe kishin role te rëndësishme per perandorinë. Mirëpo nga ana tjetër, fiset shqiptare jetonin te lira e te pa varura ne male te Shqipërisë”. Shume shqiptare duke mos e njohur gjuhen turke pyesin me dyshim se, perse turqit shqiptaret i quajnë “arnavut” dhe Shqipërinë Arnavutlluk. Fjala arnaut vjen nga persishtja e vjetër, arna-vut, qe do te thotë “trim, i cili nuk di te kthehet mbrapa”. Osmanllinjtë ne lufte me persët, batalionet (taborët) e skalionit te pare te i zgjidhnin jeniçer trima, qe edhe pse shikonin rrezikun e vdekjes, mësynin vetëm përpara. Ata kryesisht zgjidheshin shqiptare dhe per këtë arsye shqiptareve u vendosen emërtimin “arnavut” dhe Shqipërisë Arnavutluk. Trimërinë e shqiptareve e shpreh edhe historiani Mehmet Tefik, i cili shkruan: “Bashkësinë Otomane e kane siguruar dy krahë: turqit ne Lindje (Anadoll) dhe shqiptaret ne Perëndim (Ballkan)..”.

Por shqiptaret, ne perandorinë Osmane krahas personaliteteve qeveritare dhe ushtarake, kane bere emër edhe ne administrate, drejtësi, arsim, kulture, arkitekture, arte etj. Ne radhët e para te këtyre personaliteteve jane shume figura te rëndësishme te Rilindjes tone Kombëtare, veprimtaria e te cilëve, sidomos e Hasan Tahsinit, rektori i pare i universitetit te Stambollit, Sami Frashërit etj, ishin me rrezatim te theksuar per kulturën e tere Perandorisë Osmane, përfshire edhe Shqipërinë e asaj kohe. Sami Frashëri hartoi fjalorët dhe enciklopeditë monumentale si: Fjalori Frëngjisht-Turqisht, Fjalori Turqisht, Enciklopedi Historike-Gjeografike ne 6 vëllime etj, duke i shërbyer arsimit, edukimit dhe kulturës turke-osmane shume me tepër se sa një intelektual turk. Abdyl Frashëri, 10 vjet deputet ne Parlamentin e pare perandorak, 1877-1878, Abedin Dino një nga valinjtë e shquar, Ismail Qemali sekretar i përgjithshëm i Ministrisë se Jashtme, vali ne Siri, deputet ne Parlamentin osman ne vitet 1908-1912, Vaso Pash Shkodrani, vali i përgjithshmen i Libanit. Himni Kombëtar i Turqisë se sotme autor ka shqiptarin Mehmet Akif. Shume personalitete te Turqisë moderne te formuar nga Mustafa Qemal Ataturku me 23 prill 1920 jane me origjine shqiptare. Marrëdhëniet e reja miqësore turke-shqiptare, ne mënyrë te veçante, hodhën themele te forta me 1920, kur lindi Turqia e re dhe qeveria e Tiranes e dale nga Kongresi i Lushnjës ne 28-31 janar 1920 akordoi marrëdhënie miqësore, ushtarake e kulturore me qeverinë e Ankarasë. Per këtë riafrim te Turqisë deputetet greke te Evropës shtruan pyetjen: “Ç’kërkon Mustafa Qemal Ataturku ne Shqipëri? Apo mos ka qellim te krijoje një Turqi te vogël ne perëndim te Ballkanit”?

Ndërsa Presidenti dhe Mareshali Turqisë Ataturk më 1 mars 1921 ne Asamblenë Kombëtare te Turqisë sqaroi se “Me popullin shqiptar kemi bashkëjetuar si vëllezër disa shekuj. Prandaj këtë shtet e komb vëlla do ta ndihmojmë sa te mundim dhe sa te ketë nevoje”. Dhe kjo filozofi bashkëpunimi u rigjallërua me kalimin e Shqipërisë ne sistemin Demokratik te viteve 1991, e cila mund te trajtohet ne një shkrim tjetër.

* Ish-atashe ushtarak në Republikën e Turqisë

Marrë nga faqja: http://www.gazetametropol.com/tekst.php?idt=57433

Demokraci despotësh

30/01/2012 Lini një koment

Abdullah REXHEPI

DEMOKRACI DESPOTËSH

Abdullah Rexhepi

Bota arabe po përjeton ditë të vështira por të rëndësishme për fatin e saj në të ardhmen. Që nga koha e ngadhënjimit të mendësisë deterministe (ash’arite) bota arabe dhe ajo islame filloi të përjetojë një dekadencë të thellë për të cilën intelektualët dhe akademikët e dekadave të fundit të botës islame kanë bërë studime serioze. Padyshim se një mentalitet dhe mendësi e tillë pati efekte edhe në shoqëri dhe në bazë të saj populli i nënshtrohej çdo tirani, sepse ai ishte edhe ‘përfaqësues i Zotit mbi tokë’. Edhe pse në Lindjen islame kur flitet për dekadencën dhe prapambeturin menjëherë akuzat drejtohen kah Anglia dhe perëndimi, ashtu sikur disa intelektualë shqiptarë që perandorinë osmane e paraqesin si bosht të të gjitha të këqijave te ne. Nuk do mend që Anglia dhe disa shtete tjera të perëndimit për vite me radhë kanë mbajtur të kolonizuara shtetet islame dhe kanë grabitur pasuritë e tyre, por sikur muslimanët të kishin qenë të fuqishëm në aspektin intelektual dhe material, asnjëherë nuk do të kishte ndodhur diçka e tillë.

Viteve të fundit te muslimanët është parë një lëvizje drejt vetëdijesimit dhe ndriçimit, për të cilën një kontribut të madh e kanë dhënë dijetarët reformatorë duke filluar nga Sejid Xhemaludin Afgani e deri te këta të fundit si Muhamed Arkun, Nasr Abu Zajd, Muhamed Abid Al Xhabiri (që të tre ndërruan jetë në vitin 2010), Hasan Hanefi e shumë të tjerë. Këta intelektualë dhe akademikë tërë kapacitetet e tyre i fokusuan në krijimin e një mendësie të lirë dhe mendjen arabe e nxorën nga historia deterministe. Përpjekjet dhe aktivitetet e këtyre intelektualëve hasin në sulme dhe diskreditime jo profesionale dhe amorale, por megjithatë kanë një influencë të dukshme te të rinjtë arabë. Për shembull Universiteti Az’har i Egjiptit Nasr Abu Zajdin e kishte shpallur të pafe (qafir) dhe ai deri në vdekje qe i detyruar të jetonte në Holandë.

Shkollimi dhe vetëdijesimi i rinisë arabe bëri që ajo të kuptojë se është duke u sunduar nga individë të korruptuar dhe despotë të cilët ishin pasuruar me kafshatën e popullit të tyre dhe më nuk mund të gënjenin popullin se janë të zgjedhur nga Zoti për të sunduar ‘ummetin’. Në këtë mënyrë filloi e ashtuquajtura ‘Pranvera Arabe’ dhe popujt e Tunizisë dhe Egjiptit në format më qytetëruese dhe revolucionare rrëzuan regjimet diktatoriale, kurse libianët u detyruan të marrin ndihmën e NATO-s për të larguar diktatorin. Nuk duhet lënë pa përmendur se shtetet perëndimore duke harruar normat e demokracisë dhe të drejtave të njeriut përballë lëvizjeve demokratike të popujve arabë po ndjekin politika të dyfishta brenda interesave materiale. Këto vende në Libinë e pasur me naftë u rreshtuan krahë popullit dhe ndihmuan atë të shporrnin diktatorin, por një gjë të tillë nuk e bënë me popullin e Jemenit. Për mendimin tim ‘Pranvera Arabe’ ndaloi në Jemen dhe shtetet si Arabia Saudite të mbështetura nga Amerika e heshtën revolucionin popullor për liri dhe demokraci. Në Jemen edhe pse Ali Abdullah Saleh u detyrua të tërhiqet nga pushteti, por elementë të regjimit të tij mbetën në qeveri dhe ai iku pa u gjykuar për krimet e bëra. Kështu dhe ndaj popullit jemenas u bë një padrejtësi shumë e madhe nga se ai nuk arriti të shijojë revolucionin dhe shporrjen e diktatorit si popujt tjerë arabë.

Ndërsa problemi më i madh tani është me Sirinë e Bashar Asadit. Revolucioni popullor në Siri po përballet me probleme komplekse në të cilin po përleshen fuqi rajonale madje dhe botërore. Që në fillim duhet theksuar se regjimi sirian është jo legjitim dhe despot i cili vendin e sundon pa përkrahjen e popullit. Edhe pse disa individe demonstratat pro Asad në Siri i paraqesin si legjitimuese të pushtetit, por në zgjedhjet e fundit para disa viteve Asad fitoi 97% të votave dhe kjo dëshmon se në çfarë forme ai udhëheq vendin. Por më e hidhura, në Siri janë kryqëzuar interesat e fuqive rajonale dhe ndërkombëtare dhe aty shihet një konflikt mes Iranit, Arabisë Saudite dhe Turqisë në një anë dhe midis Amerikës dhe Rusisë në anën tjetër. Çdo njëri nga ta synon t’i ruajë interesat e tij dhe nuk mërzitet fare për gjakderdhjen dhe të ardhmen e popullit sirian. Irani dëshiron të ruajë regjimin e Asadit për arsye se nëpërmjet tij do t’i bëjë ballë Izraelit, Turqia dëshiron largimin e Asadit si aleat i Iranit dhe të instalojë një qeveri aleate e cila do të ndihmonte që Turqia të bëhet lider në rajon, Arabia Saudite kërkon përmbysjen e Asadit me qëllim që ta thyejë ‘Gjysmë Hënën Shi’ite’ dhe për këtë është e gatshme t’i përdorë të gjitha alternativat diplomatike, strategjike dhe ushtarake, Amerika gjithashtu do që nëpërmjet rrëzimit të Asadit të dobësojë Hizbullahun dhe Hamasin dhe në këtë mënyrë të ruajë sigurinë e Izraelit dhe duke patur parasysh se Siria gjithmonë ka qenë aleat i ngushtë i Rusisë kjo e fundit nuk dëshiron që ta humbë aleatin e saj besnik.

Pra sipas këtyre premisave shihet se asnjëra nga këto fuqi nuk ka parasysh popullin sirian dhe demokracinë, por secila sheh interesat e ngushta. Kurse karta më e rrezikshme që është duke u luajtur në Siri është lufta sektare, duke patur parasysh se Siria është një vend ku jetojnë sekte dhe pakica të shumta dhe aktualisht vendet si Arabia Saudite dhe Katari janë duke i fryrë një lufte mes sunitëve dhe alevitëve. Të kemi parasysh luftërat sektare që kanë ndodhur në Siri në të kaluarën, ku si pasojë në xhaminë Al Amavi në Damask u vendosën katër mihrabe për katër sektet e Ehli Sunetit. Gjykoj se ky vend ka një kapacitet të madh për një luftë sektare mes alevitve dhe sunitve për arsye se sunitët sirianë janë të indinjuar ndaj pushtetit alavit të Bashar Asadit, por pa harruar se në ushtrinë dhe qeverinë e këtij vendi ekzistojnë edhe funksionar sunit dhe regjimi i këtij vendi është laik dhe aspak nuk ka të bëj me ndonjë sekt apo fe të caktuar.

Më neveritësja është se shtetet që tani flasin për demokraci dhe të drejtat e njeriut në Siri dhe që akuzojnë regjimin sirian për mos respektimin e tyre janë Arabia Saudite, Jordania dhe Katari. Padyshim se demokraci në Siri me të drejtë kërkon edhe Turqia, por për fat të keq ajo një gjë të tillë nuk e kërkon edhe për popujt e Arabisë Saudite, Jordanisë, Bahrejnit dhe për gjithë popujt e rajonit që jetojnë nën sundimin e regjimeve totalitare. Diktatorët e Arabisë Saudite dhe Jordanisë dhe të shteteve të rajonit e akuzojnë Bashar Asadin për shkelje të të drejtave të njeriut dhe shtypjen e lirisë së shprehjes. Për mua kjo është një demokraci diktatorësh.

Për çfarë diktatorët e duan demokracinë?

Demokracia e diktatorëve është se ata atë e duan për vendet të cilat sundohen nga njerëz që nuk përfillin politikat e tyre dhe duke akuzuar ata për shkelje të lirisë së fjalës dhe demokracisë, përpiqen të instalojnë një regjim tjetër diktatorial, por kësaj radhe që u nënshtrohet direktivave te tyre te errëta. Askush nuk duhet të mashtrohet se Arabia Saudite, Katari dhe Jordania duan sistem demokratik në Siri, sepse krerët e këtyre vendeve nuk i besojnë një gjëje të këtillë dhe janë armiqtë më të mëdhenj të këtyre vlerave. Kjo për mua është fyerja dhe nënçmimi më i madh që këta diktatorë u bënë popujve të tyre. Kjo është dyfytyrësia më e madhe që këta sundimtarë jo legjitim kanë ndaj këtyre vlerave. I jap të drejtë As’ad Abu Khalil, akademikut libanez i cili duke iu drejtuar udhëheqësve sauditë, shkruan: “Mbreti Fajsal na mashtronte me dëshirat për tu falur në xhaminë Al Aksa, kurse vet blinte armët e Izraelit dhe me to luftonte ushtrinë egjiptiane në Jemen”. (http://al-akhbar.com/node/26984). Këtu shihet amoraliteti më i madh i krerëve të shteteve arabe. Këta despotë kanë angazhuar të gjitha makineritë e tyre për të shuar lëvizjen madhështore të ‘Pranverës Arabe’ sepse e dinë se edhe ata do të përfundojnë si Ben Ali, Mubarak ndoshta edhe si Gadafi dhe për t’i ikur një fundi tragjikë po bëjnë propagandën e një lufte ndërsektare.

Udhëheqësit e Arabisë Saudite dhe Katarit me mediat e tyre po përhapin luftë sektare e cila do të ketë pasoja shumë të rënda jo vetëm në rajon por edhe në botë. Këto vende gjithashtu po përdorin të gjitha alternativat, madje edhe gjakderdhjen e njerëzve, për te eliminuar rivalët e tyre në rajon. Të paafta për të zhvilluar një rivalitet diplomatik, zhvillimor dhe strategjik për të qenë fuqi rajonale, këto shtete kanë mobilizuar dhe i kanë thirr në ndihmë aleatët perëndimorë që ta ndëshkojnë Iranin rival. Një rivalitet i tillë është jashtë çdo norme dhe etike të fesë që i përkasin vendet e rajonit.

Me shpresë që një ditë të përmbysen të gjitha këto regjime despotike që janë njollë e zezë për botën e qytetëruar islame!

Pse quhemi Shqiptarë?

29/01/2012 Lini një koment

Bukurosh Z. DYLGJERI

 

PSE QUHEMI SHQIPTARË?

Shkas i këtij shkrimi u bë im bir, nxënës në një shkollë 9-vjeçare i cili një pasdite teksa ishte duke mësuar tekstin e historisë së popullit tonë, krejt papritur më pyeti: – Babi, pse quhemi shqiptarë ne? U ndjeva ngushtë, nuk po dija si të përgjigjegja, diç mërmërita me gjysmë zëri dhe i thashë se do të përgjigjem më saktë ndonjë ditë tjetër. Në fakt, kemi mësuar në shkollë dhe më pas se në lashtësi vendasit që banonin me shumicë në gadishullin Ballkanik, pasardhës të të cilëve jemi ne shqiptarët e sotëm, quheshin ilirë (mendohet se e kemi zanafillën nga formacionet etnike të lashta ose pellazgjike! ), ndërsa vendi ynë thirrej Iliri. Hapësira ilirike shtrihej nga Istria në perëndim e deri në lumin Tuna (Danubi) në lindje, si dhe vazhdonte poshtë në jug deri në malet e Pindit (Greqi) e kthehej në perëndim në Gjiun e Ambrakisë në detin Jon. Këtë dëshmi e japin shumë dijetarë dhe udhëpërshkues të huaj, antikë dhe të mëvonshëm (Ptolemeu, Plini, Polibi, Livi, Hierakli, Straboni, Halkokondili, Prokopi i Çezaresë, Anonimi i Ravenës, Itinerari i Antonit, Itinerari i Burdigales, Kristobuli, Hoxha Saddedin Efendi, Idris Tbilis, Haxhi Kallfa, Çelebi, Hahn, Durham etj.). Po kështu, qytetet e Ilirisë (Apollonia etj.) përmenden edhe në Bibël, kur bëhet fjalë për apostullin Pal i cili gjatë rrugëtimit të tij nëpër Europë për të predikuar krishtërimin, kaloi edhe nëpër vendin tonë (Veprat e Apostujve, 17:1). Hapësira ilirike u rrudh më pas nga dyndjet sllave në shekujt VI-VII e.s. dhe popullsia veriore e këtyre trevave u përzie dhe u asimilua me ta prej nga u krijuan kombi kroat, boshnjak, slloven, maqedon e pjesërisht edhe ai serb. “…Ilirët do të përmenden për herë të fundit në historinë kishtare në Euagrit në lidhje me luftën e Bizantit kundër avarëve në vitin 584…” (S.Anamali).
Në vazhdimësi sot ne vetënjihemi me emrin shqiptarë dhe vendin tonë e quajmë Shqipni-Shqipë ri, ndërkohë që të huajt atdheun tonë e cilësuan Albanoi (Plini), apo Arbanon, Arbëri dhe ne na quajtën: arbanë, arbnesh, arbanas, albanë (ndoshta për shkak të emrit që mbanin fiset që banonin nga Durrësi deri në Dibër, ose nën Shkodër). Ndërkohë që të tjerë të huaj përdorin shprehje derivate të këtij termi si albanci, albanezi, alvanikos, arnautë etj.. Sipas dokumenteve kishtare të vjetra del se popullsia albanofone emërtohej etnikisht sipas fesë dhe në varësi të pushtetit politiko-fetar të sundimtarëve të kohës, pra latin për katolikun, grek për ortodoksin, bullgarë për ata që ishin nën sundimin bullgar, apo dhe vlleh(!) për ata që ishin blegtorë. Në periudha të caktuara të kësaj kohe nga të huajt u përdorën për këtë popullsi edhe termat ilirë, romaios, makedonë, epirotë etj. Kjo ishte gjendja deri para pushtimit osman i cili siç do të rezultojë, do ta ndërpresë sllavizimin dhe greqizimin e mëtejshëm të arbërve.
Por pse gjithë këto emra, kur ka ndodhur kalimi nga një term i caktuar etnogjeografik tek një tjetër, për çfarë shkaqesh… janë pyetje që kërkojnë me u ndal gjatë. Siç shihet edhe më lart, kalimi i emrit nga ilirë në arbën, arbër mendohet se u bë në Mesjetën e herëshme. Të dyja trajtat: arbnesh apo alban për popullsinë albanofone fillimisht janë dokumentuar nga autorët bizantinë Mihal Ataliati dhe Ana Komnena në shek.XI. (Hist.Shqipë risë , Vol.I, 1967,fq.153) .
Në këtë periudhë të Mesjetës vihet re se shumë bujarë arbër të kësaj kohe kishin lidhje të shumta martesore me familjet ortodokse sllave dhe bizantine të të njëjtin rang dhe mbiemrit të tyre origjinal këta fisnikë i shtonin edhe mbiemrat e krushqive që bënin. Kështu p.sh. Aranitët mbanin mbiemrin Golem-Komnen- Topia, familja e Kastriotëve kishte lidhje martesore me një familje bujare sllave nga Pollogu afër Tetovës, Balsha II kishte grua Helenën që ishte e bija e car Lazarit të Serbisë, mungesa e alfabetit shqip, si dhe nën presionin e pushteteve politikë të huaj njerëzit e thjeshtë krahas emrave origjinalë arbër mbanin edhe emra e mbiemra me sufiksë sllavë ose krejt sllavë, apo grekë etj. Pra, mendoj se lidhja e martesave të këtij lloji, përdorimi i antroponimeve sllavë, latinë apo bizantinë nga arbërit, besimi fetar kristian i përciptë dhe lënia e tyre jashtë prej historiografisë bizantine të jepte përshtypjen e një populli pa identitet. Një kronist bizantin i fundshekullit XIV, jo pa qëllim, për të përcaktuar përkatësinë etnike të një fisniku arbër, përdori termin e përçudnuar “servo-arvanito- vullgaro- vllah”! Për mendimin tim, tre ishin shkaqet e kësaj tollovije të etnosit albanofon në këtë periudhë të mugët të Mesjetës: mungesa e onomastikës tonë unitare kombëtare, mungesa e klasës së formuar feudale dhe mungesa e kishës tonë kombëtare, siç i kishin fqinjët përreth.
Por, qëllimi i këtij shkrimi është që të përqendrohemi shkurtimisht vetëm te rasti i fundit, ai i kalimit nga arbën, arbër në shqiptarë, fakt të cilin tekstet tona të historisë dhe të gjuhësisë historike e anashkalojnë dhe nuk japin fare asnjë të dhënë. Ja sa thuhet për këtë çështje në “Shqiptarët dhe trojet e tyre”, botim i Akademisë së Shkencave të R.P.S. të Shqipë risë, autor Rrok Zojzi, fq..507. “…Formimi i kombit shqiptar u shpreh edhe me emrin e përbashkët “shqiptar” për popullin e “Shqipni” për vendin, që shkoi duke mbuluar emrat e krahinave të veçanta. Nuk dihet se kur filloi të përdoret për herë të parë emri shqiptar për gjithë popullin shqiptar; në literaturë ndeshet për të parën herë në vitin 1766 tek Zmajçeviçi në veri dhe më 1774 te Thunmani në jug. Emrat e rinj u përgjithësuan që në fillim të shek. XIX dhe janë shprehje e zhvillimit kombëtar të popullit tonë…”. Asgjë më shumë.
Parë sa më sipër, rezulton se ky emërtim i ri pra, shqip për gjuhën, shqiptarë për popullin dhe Shqipni-Shqipë ri për vendin, duhet të ketë ndodhur aty kah messhekulli i XVII deri në shekullin e XVIII. Në veprën studimore Antologji Historike, (botim i “SEIKO”, 2001, fq.120) autori Mustafa Kruja jep një fakt interesant duke na rrëfyer se i fundmi komunitet arbërish që janë larguar nga trungu amë (krahina e Krajës, sot në Malin e Zi) në vitin 1726 e që përdor ende fjalën arbnesh për identifikim etnik, janë shqiptarët e vendosur në Borgo Erizzo pranë Zarës në Kroaci. Pra, para 283 vjetësh. Më tutje, fjala arbnesh, arbëresh ndër banorët e të 4 Vilajeteve shqiptare është shuar, nuk përdoret më dhe është zëvendsuar me fjalën: shqiptar. Sipas autorit, shkaqet që çuan në këtë ndryshim termi ishin të thella dhe kishin të bënin me ruajtjen e vetëdijes kombëtare dhe kompaktësinë territoriale nën një realitet të ri, që do të thotë se është koha kur arbërit masivisht filluan me ndërrue fenë. Nëse çështja trajtohet në kontekstin etimologjik dhe kronologjik, ky ndryshim emri përputhet vërtetë me kohën kur duke iu referuar regjistrave osmanë për popullsinë (tahrir defterleri), arbërit me shumicë filluan të konvertohen valë-valë nga të krishterë në myslimanë (ndonëse paria feudale dhe popullsia e qyteteve kishin nisur më herët islamizimin).
Sipas autorit të mësipërm M.Kruja, ky përdorim i ri i termit përcaktues etnogjeografik u bë për të shmangur dasitë e reja fetare dhe lindjen e konflikteve të mundshme. Pra, lindi emri i ri: shqip, shqiptarë dhe Shqipni-Shqipë ri. Por, nuk jepen shpjegime bindëse. Megjithatë, kemi përpara një gjë tepër interesante, dallohet qartë se me konvertimin konfesional, populli ynë filloi të përdorë emrat: shqip, shqiptarë dhe Shqipni-Shqipë ri. Mirëpo, ky korrelacion i ndërrimit të fesë dhe ndërrimit të emrit kombëtar njëkohësisht nuk ishte krejt rastësor.
Me të drejtë lindin pyetjet, pse u kthyen arbërit nga të krishterë në myslimanë gati 300 vjet pasi kishte përfunduar pushtimi osman; pse ky kthim nuk u krye që në fillim të pushtimit, pse kthimi nuk qe i përgjithshëm dhe i menjëhershëm ashtu siç vepruan bogumilët e Bosnjës? (e quajtur lëvizje heretike antifeudale, antikatolike- hungareze dhe antiorthodokse- sllave njëkohësisht). Pse nuk e ndërruan fenë edhe grekët, serbët, bullgarët, polakët, hungarezët, armenët etj. të cilët ishin nën të njëjtat kushte si edhe ne? A mundet që dhuna ushtarako-ekonomike osmane ishte më e madhe tek ne dhe më e vogël te fqinjët; si shpjegohet që grupe të mëdha të popullsisë në brendësi të vendit e ruajtën fenë e parë (Himara, Myzeqeja, Shpati, Mirdita, Malësia e Veriut etj.); çfarë mënxyre parandjenë arbërit saqë u shtrënguan me “tradhtue” besimin e parë; nga kush kërcënoheshin; dhe a u tjetërsua geni arbër me kthimin në fenë e re, gjuha, psikika, tradita, toponimia, ritet e lashta, mënyra e jetesës, kultura shpirtërore në përgjithësi?
Le t’i gjykojmë gjërat me radhë. Bash në këtë kohë zhvillimet politiko-ushtarake përreth hapësirave me popullsi autoktone albanofone në Ballkanin Jug-Perëndimor, po lëviznin me shpejtësi dhe kahje jo të favorshme për ta. Kjo situatë duhet të ketë pasur pa dyshim ndikim absolut në vetëpagëzimin me emrin: shqiptar. Kështu, pas humbjes në Luftën e Krimesë me rusët, Perandoria Osmane u detyrua të firmosë më datë 21 korrik 1774 dokumentin më fatzi të historisë së saj, Traktatin e Kyçyk Kajnarxhasë në të cilin Sulltan Mustafai III (mbretëroi 1757-1774) u bëri lëshime të shumta rusëve. (Hist.Perandorisë Osmane….., botim i ” Jehona Study Center “, 2006, autor S.J.Shaw, fq.301). Me anë të kësaj marrëveshje perandoresha Ekaterina e Rusisë përveç përfitimeve territoriale në kurriz të osmanëve mori edhe rolin e mbrojtjes së ortodoksëve në Ballkan në të cilin bënin pjesë edhe shumica e arbërve, që më herët kishin qenë pjesë e Bizantit për afro 6 shekuj. Në të njëjtën kohë dhe në po atë linjë fanariotët grekë shpallën se të gjithë ortodoksët që jetojnë nën sulltanin “duhet të jenë grekë”(!), kurse serbët e paraqitën Kosovën si me qenë “djepi i trashëgimisë së tyre historike”(!). Ata shkuan edhe më tej duke përpunuar programe politike antishqiptare siç ishin Naçertanja serbe dhe Megaliidhea greke. Haptas synohej gllabërimi i trojeve me popullsi albanofone që atbotë banonte në pellgun adriatiko-ballkanik prej Tivarit deri në Prevezë në një sipërfaqe afro 100.000 km kuadrat. Referuar kohës dhe hapsirës kur zhvilloheshin këto ngjarje, arbërit pra, ishin të përfshirë pa dashje në këtë qerthull kobzi për ta. E në këto kushte, mendohet se të trembur nga ky ekspansion pansllav në tërësi, nga presioni asimilues e kontinuitiv i fqinjëve sllavo-ortodoksë për fat të keq me të njëjtin besim fetar e që e rrethonin në tre anë të horizontit në veçanti, si dhe mungesa e aleatëve të fuqishëm bëri që instikti i vetëmbrojtjes ta shtyjë shumicën e arbërve të përqafojnë vullnetarisht fenë e pushtuesit osman, fenë Islame. Ishin pikërisht banorët e rajoneve kufitare më të ekspozuarit e për pasojë më të rrezikuarit ndaj rrezikut sllavo-bizantin, që u konvertuan të parët në myslimanë dhe krijuan si të thuash një “kordon sanitar”. Këtë të vërtetë e pranon edhe studiuesi ynë Aleks Buda i cili konstaton: “Proceseve të serbizimit dhe greqizimit iu kundërvu deri diku islamizimi i një pjese të popullsisë shqiptare, ndërsa vazhduan deri vonë për pjesën tjetër të mbetur e krishterë” (Shqiptarët dhe trojet e tyre”, botim i Akademisë së Shkencave të R.P.S. të Shqipë risë, fq.38). Këtë ide e përforcon edhe tradita jonë gojore dhe veçanërisht Eposi Shqiptar i Kreshnikëve i cili është tërësisht antisllav dhe aspak antiosman.
Dhuna dhe metodat barbare që kishin nisur me kohë serbo-sllavët për zbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre ishin të përbindshme. Kjo dëshmohet edhe në Kanunin e perandorit serb Stefan Dushan i cili që në kohën e mbretërimit të tij (mbret 1331-1342 dhe perandor 1345-1355) shpalli sllavizimin e orthodoksizimin e të gjithë besimtarëve të besimeve të tjera. Në Nenin Nr.10 të këtij Kanuni famëkeq thuhet: “Dhe në qoftë se ndodh që ndonjë heretik (joorthodoks) të jetojë mes pravosllavëve, të damkoset me hekur të skuqur në fytyrë dhe të përzihet, e nëqoftëse gjendet dikush që i jep strehim, edhe ai të damkoset”. – (Zakonik Stefana Dušana, autor Stojan Novaković).
Për fat të keq, koha-kjo aleate besnike e drejtësisë vërtetoi pse arbërit patën të drejtë që u ndjenë të friguem. Meqenëse asimilimi “paqësor” i tyre që kish filluar kah motit tash me kthimin në fenë Islame u ndal, ahere në skenë u thirrën ushtritë sllavo-orthodokse të bekuara nga kishat e tyre shoviniste, të cilat ndërmorën fushata masive vrasjesh, djegie të banesave, shkatërrim të pronave dhe shpërnguljen me forcë të shqiptarëve drejt Turqisë duke i paraqitur këta sikur të ishin myslimanë turq. Sipas historianit amerikan Justin McCarthy, pansllavistët rusë, serbë, bullgarë, grekë, malazezë dhe armenë brenda një shekulli (1821-1922) vranë, masakruan si dhe dëbuan prej shtëpive mbi 10 milion myslimanë (shqiptarë, turq, boshnjakë, çerkezë, kurdë etj). nga ky genocid u vranë 5.060.000 burra, gra e fëmijë, ndërsa 5.381.000 të tjerë u dëbuan nga shtëpitë. (“Death and exile- the ethnic cleansing of Ottoman Muslims, 1821-1922″.-The Darwin Press, New Jersy 1995″, evidentuar nga historiani Skënder Riza në botimin “Kosova në shekujt…”).
Me kthimin në fenë e re Islame, shqiptarët u distancuan përfundimisht nga fqinjët e tyre agresivë orthodoksë dhe me vetëpagëzimin e ri, shqip për gjuhën, shqiptarë për veten dhe Shqipni-Shqipë ri për vendin, ata u distancuan njëkohësisht edhe nga popujt e Lindjes që më së shumti e përbënin perandorinë Osmane.
Kjo ishte si një mrekulli hyjnore. U njësua kështu nën të njëjtin emër kompaktësia etnike dhe gjeografike shqiptare. Megjithatë, ndonëse shumica dërrmuese e shqiptarëve u kthyen në myslimanë ndjenja nacionale ishte aq e fortë tek ata sa që këtë të vërtetë e kanë dalluar me habi edhe shumë udhëtarë apo konsuj europianë të kohës që kalonin nëpër Rumeli. Kur këta të huaj pyetnin banorët e rajoneve të ndryshme se çfarë jeni, përgjigja ishte sipas përkatësisë fetare dhe vetëm shqiptarët, pavarësisht nga besimi fetar, përgjigjeshin sipas përkatësisë kombëtare. Po kështu, midis shqiptarëve, tash e tutje me besime të ndryshme nuk ndodhi dhe nuk ka për të ndodhur kurrë as edhe një e vetme Natë Shën Bartolome.
Nën këtë emër të ri gjithëpërfshirës, pjesë të veçanta të trojeve nga trungu albanofon që njiheshin më herët me toponimet antikë e mesjetarë si Dardania, Maqedonia, Arbëria dhe Epiri, tash do të vihen në heshtje paqësisht.
Ndërkohë, dihet se fise të tëra arbërish që banonin në veri dhe pikërisht në territoret ku sot janë Mali i Zi, Serbia dhe F.Y.R.O.M. (Maqedonia) e që nuk u konvertuan në myslimanë, u sllavizuan përfundimisht.
Është i njohur koncepti mesjetar osman, por edhe europian i kohës sipas të cilit: e kujt ishte kisha, e atij ishte edhe kombësia që ndiqte atë fe. Fatkeqsisht kjo ndodhi edhe me popullsinë shqiptare të Çamërisë në fund të Luftës II Botërore, ku çamët myslimanë u masakruan dhe u deportuan dhunshëm drejt Shqipërisë ndërsa vëllezërit e tyre me besim orthodoks u mbajtën në Greqi, por u greqizuan dhe pothuajse nuk njihen më si shqiptarë.
Por, le të kthehemi te qëllimi i këtij shkrimi dhe të shohim, kush e vendosi emrin e ri shqiptar, ç’përfaqson ky emër, nga e ka prejardhjen…?
Natyrisht ky term nuk u shpik, nuk u planifikua dhe aq më pak nuk u “importua” nga jashtë prej ndonjë propagande proshqiptare. Meritë e këtij termi universal, etno-kulturor- gjeografik të kombit tonë është vetë mendja e gjeniut shqiptar.
Sipas studiuesit M. Pirraku (Përmbledhje studimesh, botim i “Genelek”, 2003, fq.80) thuhet se vallja e emrit të ri për gjuhën, popullin dhe vendin, nisi nga vendet e Dardanisë-Peonisë antike dhe pikërisht nga trevat albanofone midis Nishit-Limit- Malet e Sharrit-Matit- Dibrës-Strugës-Shtipit e Kumanovës, me epiqendër në viset e qytetit të Shkupit, që në shkencën gjuhësore konsiderohen si djepi i gjuhës shqipe, fazë moderne e ilirishtes dhe e popullit shqiptar historik pasilirian. Në vazhdim ky autor shkruan se emri i ri për popullin, emri kombëtar, duhej të ishte emër i një popullsie dardano-ilire i periudhës parakrishtere dhe pikërisht emri i popullsisë që jeton midis Qafës së Prushit dhe poshtë nën qytetin e Shkupit, banorët e të cilës Plini i lashtësisë i shënoi si skirtarë, kurse aleksandrini Ptoleme i quajti skyrtonë. Emri i ri mund të ishte edhe shumësi i banorëve të Shkupit: shkuptarë, shkyptarë, shqyptarë, shqiptarë; lidhje më e thellë me emrin e shpendit totem ose Orë dardano-ilire; shqype, shqipe. Në këtë përfundim arrin edhe studiuesi ynë E.Çabej i cili shkruan: “Brenda kësaj treve, ndër të tjera Naissus-Nish, Scupi-Shkup e Astibos-Shtip dëshmojnë që Dardania bashkë me viset kufitare të Maqedonisë e të Peonisë bëjnë pjesë në territorin e formimit të shqipes”.
Dhe nuk është çudi, pasi edhe albanologu i shquar austriak Norbert Jokl mbas studimesh të shumta albanologjike arrin në përfundimin se: djepi i lashtë i shqiptarëve në Ballkan ka qenë Dardania. (Shqiptarët dhe trojet e tyre”, botim i Akademisë së Shkencave të R.P.S. të Shqipë risë, fq.43, nga E. Çabej referuar Eberts Reallexikon der Vorgeschichte I,1924).
Çuditërisht, edhe turqit osmanë e quajtën qytetin e Shkupit: Ysqyp, që kur artikulohet është shumë i ngjashëm me hipotezën e mësipërme, ku baza ose rrënja e kësaj fjale është sqyp, shqyp, shqip.
Në përfundim, mendoj se ky shkrim do të ndihmojë sado pak në shtjellimin dhe përcaktimin e saktë të prejardhjes së fjalëve: shqip, shqiptar dhe Shqipni-Shqipë ri.. Është e drejta e gjuhëtarëve dhe historianëve tanë që të merren me këtë çështje dhe të vendosin të vërtetën përfundimisht në tekstet e historisë tonë, veçanërisht sot kur që prej 19 vjetëve nuk ka më diktat dhe mungesë të lirive intelektuale.

Hasan Kaleshi – Një prej personaliteteve më të njohura të kulturës islame

28/01/2012 Lini një koment

HASAN KALESHI – NJË PREJ PERSONALITETEVE MË TË NJOHUR TË KULTURËS ISLAME

Hasan-KaleshiMë 19 korrik të vitit 1976, u nda nga jeta një personalitet tepër i njohur i shkencës, me kombësi shqiptare, vepra e të cilit përbën një kontribut të pallogaritshëm në fushën e studimeve islamike dhe orientalistike. Ky ishte doktor Hasan Kaleshi, një figurë realisht dinjitoze, e cila la gjurmë të ndritshme në fushën e studimeve orientale, por që, me ndarjen e tij nga jeta, krijoi një boshllëk të pazëvendësueshëm për të gjithë. Zakonisht, kur bëhet fjalë për Orientalistikën, bota arabe kthen vështrimin e saj menjëherë drejt orientalistëve më në zë të perëndimit, edhe pse vlen të përmendet fakti që përherë e ka shoqëruar një ndjenjë e theksuar dyshimi ndaj tyre. Ndërkohë, kur bëhet fjalë për burime të studimeve orientale në shtetet e Evropës Lindore ku, padyshim, një rol themelor e pozitiv në këtë drejtim luajti feja islame, ndodh e kundërta, pasi rrallëherë është evidentuar një interesim serioz nga bota arabe ndaj këtyre vende.

Dr. Hasan Kaleshi, si një orientalist i kulluar, kurrë nuk e ngatërroi jetën e tij me ambicie politike dhe mbeti njëkohësisht besnik i fakteve shkencore dhe studiues i mirëfilltë. Faktor tjetër i rëndësishëm në jetën e tij dhe që, përbënte një veçori në fushën e studimeve, ku u bë i njohur ky personalitet shqiptar, ishte identiteti fetar, i cili qe urë lidhëse midis këtyre vendeve ballkanike, prej nga ishte vetë dr. Kaleshi, dhe botës arabe. Nisur nga kjo përvojë jetësore, ai u gjend në krah të Lëvizjes Orientalistike apo studimeve arabo-islamike, duke ofruar thesare të reja, me produktin e tij në fushat respektive që, për nga vlerat që përfaqëson, meriton një përkujdesje dhe interesim të veçantë. Me veprën dhe kontributin e tij në fushën e Orientalistikës, ai u vlerësua si një nga emblemat e shquara të saj.

Dr. Hasan Kaleshi
Biografia e Dr. Hasan Kaleshit

Dr. Hasan Kaleshi lindi në fshatin Serbetinë në Maqedoninë perëndimore, në gjirin e një familjeje me origjinë shqiptare, shumë tradicionale për nga aspekti i ruajtjes së vlerave dhe identitetit kombëtar. Gjyshi i tij quhej Ali Kaleshi dhe ishte një prej emrave më të njohur të dijetarëve të fesë islame në zonë, pasi kishte përfunduar studimet teologjike në Stamboll. Po kështu dhe i ati i tij, duke ndjekur vijën e gjyshit në përvetësimin e kulturës islame, përfundoi studimet teologjike në Medresenë e Fatihut në Stamboll. Pra, në mes të një ambienti kulture dhe vlerash islame, u rrit ky fëmijë, nën përkujdesjen e vazhdueshme të të atit, që e nxiste të mësonte Kur’anin Famëlartë dhe gjuhën arabe qysh në moshë fare të njomë, atë gjashtëvjeçare. Me gjithë këtë përkujdesje, përsëri i ati e regjistroi në shkollën publike në vendlindjen e tij. Shkollimin para të mesëm dhe të mesëm e kreu në Shkup, pasi familja e tij u transferua në këtë qytet. Shkolla, ku studionte djaloshi Hasan Kaleshi, u mbyll pas shpërthimit të Luftës II Botërore, kështu që u detyrua të përfundonte shkollimin në qytetin e Prishtinës – Kosovë. Më pas, u thirr në vendlindje, në fshatin Serbetinë, për të punuar si përkthyes në administratën e vendit.

Pas përfundimit të Luftës dhe formimit të shtetit jugosllav, në vitin 1943, ai u regjistrua në Universitetin e Beogradit për të ndjekur studimet e larta në degën e orientalistikës, ku dhe u diplomua në vitin 1952. Për rezultatet e tij të shkëlqyera, u caktua asistent-profesor në Universitet, por në kushtet e një trysnie të vazhdueshme që vazhdonte ndaj popullsive me përkatësi islame në Jugosllavi, u detyrua të emigrojë në Turqi me gjithë familjen e tij. Pavarësisht kësaj, titujt “Master” dhe “Doktor” iu akorduan nga Universiteti i Beogradit, ku dhe mbrojti disertacionin e titulluar “Dokumentet më të hershme të vakëfeve në gjuhën arabe, për zonën e Maqedonisë”. Më vonë, megjithë përpjekjet e tij për t’u emëruar profesor asistent në Universitetin ku kishte studiuar vetë, nuk pati sukses, për shkak të origjinës së tij shqiptare, e cila, në këndvështrimin e shtetit të atëhershëm jugosllav, përbënte një pengesë serioze, pasi trajtohej në fokusin e mosmarrëveshjeve ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë, që asokohe kishin arritur kulmin e tyre. Përveç kësaj, ai ishte mysliman, në një periudhë kur e gjithë Jugosllavia ndiqte një politikë nacionaliste nën motivin “e serbizimit të saj”. Nuk u vlerësua as fakti që vetë dr. Kaleshi ishte martuar me një grua serbe. Megjithë situatën e vështirë që mbizotëronte, ai zgjodhi një drejtim shkencor që faktikisht ishte shumë larg politikës, e cila nuk përbënte për të kurrfarë interesi. Megjithatë, edhe në këto kushte të vështira, ai ia doli mbanë: afirmoi veten fuqishëm si studiues dhe hulumtues i mirëfilltë, që ia vlente për t’u marrë shembull, për kulturën dhe njohuritë e tij të thella në shkencat arabo-islamike.

Bazuar mbi të kaluarën dhe përvojën e shkollimit të tij, dr. Kaleshi arriti të zotëronte mjaft mirë disa gjuhë të huaja, si: shqip, maqedonisht, turqisht, serbisht, arabisht, gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht etj., të cilat i mundësuan të publikonte studimet e veta në shumë gjuhë. Por kjo larmi gjuhësh të zotëruara, nga njëra anë ndikuan drejtpërdrejt në çpërqëndrimin e energjive të tij, pasi veçse për pak nga këto studime në gjuhë të huaj, u mundësua përkthimi i tyre në gjuhën amtare të autorit. Nga ana tjetër, këto gjuhë të huaja ishin një faktor i rëndësishëm ndihmës, ato i dhanë autorit një famë të admirueshme në nivel ndërkombëtar, duke e promovuar atë si një orientalist tepër të aftë, që përfaqësonte shembullin e unifikimit të Orientalistikës Perëndimore dhe veçorive të saj me Orientalistikën Lindore, me metodat dhe parimet e saj tradicionale. Njohuritë e gjera që mbartte mbi supe, kultura dhe niveli intelektual i mundësuan dr. Hasan Kaleshit zgjerimin e vazhdueshëm të horizonteve të tij, po ashtu një optikë më të thellë në rrafshin studimor si dhe e dalluan atë për nga mënyra e qasjes së studimeve të tij të gjithanshme. Këto afirmuan, pa mëdyshje, figurën e këtij akademiku, duke merituar plotësisht notat vlerësuese më pozitive.

Në vitin 1965 kthehet në Jugosllavi dhe punon në Institutin e Studimeve Albanologjike në Prishtinë. Vazhdoi aty deri në vitin 1973, vit në të cilin zgjidhet Shef i Departamentit të Orientalistikës në Universitetin e Kosovës. Ndërron jetë pas tre vjetësh, në 1976.

Dr. Hasan Kaleshi ishte pedagog i gjuhës dhe literaturës arabe. Ka publikuar një sërë studimesh të tij në revista, që trajtojnë çështje të Orientalistikës e gjithashtu çështje të vendit dhe të huaja. Ka marrë pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare për Orientalistikën. Në Egjipt ai pati fatin të takojë shumë nga shkrimtarët, të cilëve u kishte shërbyer, duke përkthyer pjesë nga veprat e tyre, si: Mahmud Tejmur, Teufik Al-Hakim etj. Ai, gjithashtu, zhvilloi biseda të drejtpërdrejta të fokusuara në lëmin e profilit të tij si orientalist.

Vepra letrare

Gjatë periudhës 1949-1976 dr. Kaleshi shkroi dhe publikoi shumë studime dhe kërkime të rëndësishme në gjuhë të ndryshme. Një pjesë të madhe prej tyre nuk mundi t’i përkthejë prej gjuhëve në të cilat u publikuan. Ndërkohë që disa prej tyre kanë humbur, pjesa tjetër është grupuar në një seri vëllimesh. Numri i studimeve dhe kërkimeve të realizuara i kalon 350, pa përfshirë këtu librat e botuar. Këto studime përfaqësojnë më së miri interesimin intelektual dhe përkujdesjen e dr. Hasan Kaleshit në fushën studimore të kulturës orientale, të cilën mund ta ndajmë në tri kategori:
1. Trashëgimia kulturore shqiptare – Gjuha dhe literatura shqipe.
2. Trashëgimia kulturore arabo-islamike.
3. Trashëgimia kulturore osmano-turke.

Gjuha dhe literatura shqipe

Gjatë viteve ‘50 të shekullit të shkuar, menjëherë pas diplomimit, dr. Hasan Kaleshi shfaqi një interesim të veçantë për gjuhën shqipe. Studimin e tij të parë në gjuhën shqipe e publikoi në vitin 1949. Ai titullohej “Vërejtje rreth gjuhës së përdorur në gazetarinë tonë”. Më 1952 publikon studim-artikullin me temë: “Letërsia bashkëkohore shqipe në Jugosllavi”, me synimin për t’ua ekspozuar letërsinë shqipe sa më shumë popujve të tjerë jugosllavë. Në vitin 1957 botoi artikullin me temë “Letërsia e shkruar shqipe me shkrim arab”. Lëvroi në masë letërsinë popullore shqipe; ndërmori një studim krahasues mbi figurën e famshme të Nastradinit, mbi pjesë të rralla të shkrimtarit të madh shqiptar Sami Frashërit, si dhe mbi rrëfenjat popullore shqipe. Punoi një sërë artikujsh për figura të shquara shqiptare, që kanë spikatur gjatë historisë së Perandorisë Osmane; është marrë me korrigjimin e shumë fakteve të lidhura me historinë osmane-shqiptare, si dhe ka publikuar dokumente historike që flasin rreth kryengritjeve kombëtare shqiptare të periudhës 1909-1912.

Trashëgimia kulturore arabo-islame

Përveç përgjegjësisë së mësimdhënies së gjuhës arabe dhe funksioneve në të cilat punoi, dr. Hasan Kaleshi pati ndikim të fuqishëm në promovimin e literaturës arabe nëpërmjet përkthimit të shumë kryeveprave të letërsisë bashkëkohore dhe klasike arabe. Gjithashtu, ai punoi shumë studime dhe analiza të vyeshme rreth kësaj letërsie. Ka përkthyer në gjuhë të ndryshme të rajonit një mori letrarësh arabë, si: Ibni Rumi, Xhubran Khalil Xhubran, Bulend El-Hajderi, Nizar Kabbani, Sulejman Al-Isa etj. Ka publikuar studime të veçanta në kuadër të letërsisë arabe, si: “Letërsia bashkëkohore egjiptiane” 1956, “Risitë në poezinë moderne arabe” 1965. Ka përkthyer një seri tregimesh të shkrimtarit të njohur arab Mahmud Tejmur, si dhe ka përgatitur një tekst universitar që trajton Historinë e Letërsisë Arabe, të cilin ia propozoi Rektoratit të Universitetit të Kosovës, por që, për ironi të fatit, ky dorëshkrim nuk u publikua.

Interesimi i dr. Kaleshit në studimet gjuhësore dhe të leksikut del në pah shumë qartë në studimin prej tij të gjuhëve serbe, shqipe dhe turke, e, gjithashtu, në pasqyrimin që u bëri veprave të shkrimtarit dhe studiuesit enciklopedik shqiptar, Sami Frashëri. Në kryeveprat e realizuara nga dr. Hasan Kaleshi, bën pjesë dhe “Fjalori serbokroatisht-arabisht”, të cilin e përfundoi me sukses në bashkëpunim me studiuesin e njohur Kamil El-Buhi, një ndër personalitetet më të njohura të fushës së Orientalistikës gjatë viteve ‘50. Fjalori doli nga shtypi pas ndarjes nga jeta të të dy autorëve. Ai përfshin rreth 50 mijë fjalë e idioma në të dyja gjuhët dhe pati ndikim të jashtëzakonshëm në brezat që erdhën më pas në përhapjen dhe lehtësimin e mësimit të gjuhës arabe nga popujt serbo-kroatishtfolës.

Një prej sektorëve ku u shqua orientalisti Hasan Kaleshi, ishte verifikimi dhe publikimi i dokumenteve të vakëfeve, pasi kjo përfshihej në specialitetin e tij shkencor. Në mënyrë të veçantë, ai mbuloi sektorin e vakëfeve të regjistruara në gjuhën arabe, i mblodhi dhe i botoi ato në një libër të veçantë, i cili doli nga shtypi në vitin 1972 me titull “Dokumentacion në arabisht i vakëfeve në Republikën Federative Jugosllave”. Ky libër njohu një shpërndarje të gjerë në mjediset e bibliotekave private dhe shkollore, si dhe nëpër xhami dhe institucione të ndryshme fetare.

Trashëgimia kulturore osmano-turke

Orientalisti Hasan Kaleshi, midis larmisë së gjuhëve që zotëronte, mësoi edhe gjuhën turke gjatë qëndrimit të tij në Shkup, Beograd dhe Stamboll. Në fushën e studimeve osmano-turke bashkëpunoi dhe përfitoi nga përvoja e studiuesve më të njohur. Publikoi një sërë artikujsh e studimesh në serbisht, arabisht dhe shqip, me të cilat synonte të bënte të njohur literaturën e vjetër dhe të re turke, e, njëkohësisht, përktheu vepra të shkrimtarëve më të shquar osmanë. Arritja më e madhe në këtë fushë për dr. Hasan Kaleshi ishte vlerësimi i tij, nëpërmjet pasqyrimit të jetës dhe veprës së një prej figurave më të mëdha, siç ishte ajo e dr. Ibrahim Temo, themelues i “Organizatës për Unitet dhe Zhvillim”, e cila luajti rol të rëndësishëm politik në sistemin e pushtetit osman, si dhe në marrjen e këtij të fundit nga Qemal Ataturku. Studimi me titull “Faqja tjetër e unitetit dhe zhvillimit” u publikua në disa gjuhë, si në gjermanisht, serbokroatisht dhe arabisht. Autori, me analizën e tij, i ndriçon të dyja frontet e “Lëvizjes për Unitet e Zhvillim”, njëra prej të cilave ishte fronti Turani, që përfaqësonte një lëvizje tradicionale me tipare të theksuara nacionaliste turke. Fronti tjetër, që përfaqësohej me vetë themeluesin e Lëvizjes për Unitet e Zhvillim, dr. Ibrahim Temo, ishte për bashkimin e gjithë popujve që përfshiheshin në administrimin perandorak, nën flamurin e pushtetit osman në drejtimin e një shteti federal, duke i dhënë gjithsecilit të drejta kombëtare, përfshi këtu një formë të vetëqeverisjes administrative, të drejtën për mësimin e gjuhës amtare të secilit në kuadër të shtetit osman, ku përfshiheshin shtetet e Ballkanit dhe disa shtete arabe. Ndoshta ne, në ditët e sotme, nuk dimë shumë për këtë aspekt tjetër të fronteve të “Lëvizjes për Unitet e Zhvillim” të themeluar në sajë të përpjekjeve në atë periudhë të dr. Temos, një mjek okulist në Shqipëri, i cili ishte ndikuar nga veprat e liberalizmit perëndimor, që bënin thirrje për liri të mendimit dhe nxitje të hapave të zhvillimit e të progresit tek ideologët dhe intelektualët turq, si p.sh., intelektuali Namik Kemal. Vlen të përmendet se organizata “Lëvizja për Unitet dhe Zhvillim” u themelua thuajse në një mënyrë identike me atë të organizatës ilegale “Karbonara” të Italisë, si dhe në ndikimin e Masonerisë dhe organizimeve të tyre të fshehta.

Përktheu nga gjuha arabe:
Eris KOLIQI

Marrë nga revista “Haxhi dhe Umreja”, Nr 11, Viti i 61 i botimit
(Dhul Ka’de 1427 – Mbretëria e Arabisë Saudite)

Shndërrimi i Hapësirës Urbane në Tiranë

27/01/2012 1 koment

Roald A. HYSA

 

SHNDËRRIMI I HAPËSIRËS URBANE TË TIRANËS* (1925-1965)
(Shndërrimi i Tiranës nga një qytet mesjetar musliman në kryeqytetin e Shqipërisë moderne)[1]

Roald Hysa

Në kohën e shpalljes së Tiranës kryeqytet provizor nga Kongresi i Lushnjës, Tirana asokohe ishte një qytet i vogël me 11.000 banorë. Megjithatë përfundimisht Tirana vendoset si kryeqytet nga parlamenti shqiptar në dhjetor të vitit 1925. Kështu dy janë periudhat kryesore të shndërrimit të hapësirës urbane të Tiranës dhe këto janë të lidhura me zhvillimet historiko-politike të saj. Shndërrimet urbanistike të Tiranës mund t’i ndajmë në dy faza kohore, të dallueshme historikisht dhe politikisht. Periudha e parë i përket ngritjes dhe stabilizimit të monarkisë së Ahmet Zogut dhe viteve të Luftës së Dytë Botërore, nga viti 1925 e deri më 1945, ndërsa periudha e dytë i përket pasluftës në vitet 1945 e më tej, kur ndryshon përsëri pamjen qendra e Tiranës. Tirana i përket një qyteti ku jeta kryesore ekonomike zhvillohej në Pazarin e Vjetër dhe lagjet ruajnë disa dallime ku paraqesin një farë pavarësie relative brenda zonës së banuar. Kjo e fundit shprehej në ekzistencën thuajse në çdo lagje të xhamisë, pranë të cilave një shesh i vogël është një shfaqje e zakonshme, ku edhe Tirana nuk bën dallim nga qytetet e tjera[2]. Pra, kemi lindjen e qytetit të bazuar mbi bërthamën kryesore historike: Kompleksin e Sulejman Pashës, me të cilin daton edhe themelimi i qytetit dhe kalimin e qytetit të Tiranës në fazën e modernizimit të saj, e cila fillon pas shpalljes së Tiranës, kryeqytet i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, gjë e cila solli zhvendosjen e qendrës nga kompleksi i Sulejman Pashës tek kompleksi i Et’hem Beut, për shkak të vlerave të tij, që u vunë re nga arkitektët italianë, të cilët gjithashtu krijuan ansamblin qendror qeveritar të Sheshit Skënderbej, siç njihet edhe sot. Tirana është tashmë një qytet unicentrik, ku administrata e Monarkisë më pas do të përpiqej të ndërtonte një qendër të denjë për kryeqytetin dhe ndërtesa madhështore për ministritë përkatëse, me një ansambël të dallueshëm arkitekturor.

Faza e parë (1925-1945)

Janë disa arsyet, të cilat çuan në zhvillimin e Tiranës nga bërthama kryesore e saj e deri në atë çka njohim nga Tirana e vitit 1917, kohë kur austro-hungarezët kanë lënë një hartë të qytetit. Shtysat kryesore për zhvillimin dhe zgjerimin e një qyteti janë ato të pozicionit gjeografik, zhvillimi i komunikacionit dhe ato ekonomike.
Vetë kjo fazë mund të ndahet shumë mirë në dy pjesë kohe të dallueshme cilësisht nga njëra-tjetra. Ngritja e shtetit shqiptar dhe periudha e monarkisë, të cilat patën shumë elemente të përbashkëta për nga zhvillimet politiko-historike. Më pas kemi një pauzë të ndërmjetme 6-vjeçare, prill 1939 – nëntor 1944, kohë gjatë së cilës ndodhën ndryshime të mëdha dhe del në skenë Partia Komuniste e Shqipërisë me udhëheqësin e saj, diktatorin Enver Hoxha. Këto arritën ta mbizotërojnë skenën politiko-historike shqiptare deri në vitin 1990, kur merr fund regjimi monist. Nga pikëpamja kohore kjo fazë fillon menjëherë pas shpalljes së Tiranës si kryeqytet provizor më 9 shkurt të vitit 1920 nga Kongresi i Lushnjës, si dhe i nevojës për t’u shndërruar në një qytet modern siç i takonte të ishte tashmë e në vijim kryeqytetit të vendit. Ideja e shpalljes së Tiranës kryeqytet është më e hershme se kaq. Kjo pikëpamje është shfaqur nga Abdyl Bej Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni, të cilët ishin delegatët e Komitetit Shqiptar në takimin që patën në Janinë, në gusht 1877 me diplomatin grek Mavromatis, përfaqësues i qeverisë së Athinës, ku “…deklaruan pikëpamjen e tyre për të caktuar Tiranën si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm”. Rilindësit, të cilët patën një ndikim të madh në të ardhmen e vendit e shihnin të arsyeshme që kryeqyteti i ardhshëm i Shqipërisë të ishte në mesin gjeografik të saj, mendim i cili ndikoi shumë në zgjedhjen e Tiranës si kryeqytet edhe për shkak të pozicionit të saj gjeografik të favorshëm. Këto ndryshime nuk qenë të shpejta për shkak të mungesës së stabilitetit politik në vend. Tirana shpallet përfundimisht kryeqytet më 31 dhjetor 1925 nga parlamenti shqiptar, plot pesë vjet më pas.
U deshën më tepër se tetë vjet që Shteti i ri Shqiptar të gjente qetësi dhe të fillonte konsolidimi i tij, çka solli më pas edhe ndryshimin e Tiranës në një kryeqytet modern. Shpallja e Shqipërisë monarki më 1 shtator 1928, të Ahmet Zogut si mbret i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, si dhe të një Kushtetute të re me baza evropiane, bënë të detyrueshme edhe ndryshimet e hapësirës urbane që pasuan. Ndërkaq vetë mbreti Zog së bashku me stafin e vet drejtues ishte i vendosur që t’i jepte një fytyrë të re evropiane jo vetëm kryeqytetit, por të gjithë Shqipërisë dhe të gjithë jetës shoqërore të vendit. Qendra e Tiranës, e cila asokohe ishte e parregulluar filloi nga ndërtimi dhe rregullimi aty nga viti 1929. Kështu tashmë kanë ndryshuar kushtet dhe rrethanat. Rregullimi i Tiranës fillon nga qendra, e cila krijon kontaktin e parë me vizitorin dhe u besohet profesionistëve. Ky rregullim realizohet nga arkitektë-urbanistë, pra, i projektuar me kujdes dhe në bazë të zhvillimeve më të fundit urbanistike, ku parimet udhëheqëse janë ato të krijimit të një fytyre të re për kryeqytetin. Studimi e hartimi i planeve rregulluese të Tiranës e me mjaft gjasë edhe të Durrësit iu besua Armando Brazinit, arkitekt i njohur për disa ndërtime në Itali, në koloni e jashtë vendit të tij[3]. Është e ditur se në këtë periudhë regjimi i Fashove i ngritur në Itali, i kishte konsoliduar vizionet e veta futuriste për një perandori të re romake. Këto vizione ndjehen edhe në fytyrën e re urbanistike që u munduan t’i japin më pas qendrës së Tiranës, urbanistët italianë pasi Italia e pushtoi Shqipërinë. Gjatë periudhës 1929-31 ngrihen 6 pallate të ministrive në qendër të qytetit[4] dhe në marrëveshje me familjen e Karapicëve prishet xhamia me të njëjtin emër, për t’i hapur vend ndërtimit të ndërtesës së re të Bashkisë, e cila edhe kjo vetë më pas do të prishej për t’i hapur vend ndërtimit të godinës së Muzeut Historik Kombëtar. Më 1931 ndërtohet godina e re e medresesë dhe një mulli bloje. Hapja e rrugës së re Mbretnore (sot Barrikadave) solli prishjen e godinës së Medresesë së vjetër dhe të varrezave të Xhamisë së Sulejman Pashës, po ashtu edhe hapja e bulevardit të madh, i cili sot njihet me emrin “Zog I”, në anën veriore solli prishjen e xhamisë së Haxhi Jasës[5]. Kjo xhami përfshinte një truall prej 5 dynymësh aty ku gjendet spitali obstetri-gjinekologjisë “Mbretëresha Geraldinë”, që u ndërtua gjatë kësaj kohe.
Gjatë kësaj periudhe shtohet ndjeshëm rindërtimi dhe zgjerimi i rrugëve ekzistuese në të gjithë Tiranën dhe kjo mund të vërtetohet lehtësisht nga burimet dokumentare. Përpjekja për t’i mbledhur varrezat e ndryshme që ndodheshin rreth xhamive, në një varrezë kryesore ndihmoi në gjetjen e hapësirave të reja, të cilat sollën zgjerimin e rrugëve dhe të shesheve në Tiranë. Kështu kemi rastin e hapjes së bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ku u hoqën varrezat tek Et’hem Beu; prishjen e Medresesë së Vjetër dhe varreve te Xhamia e Sulejman Pashës dhe zgjerimin e rrugës Mbretnore (Barrikadave); prishjen e varreve tek xhamia e Kokonozit dhe ngritjen e Pazarit të Ri etj. Pas pushtimit italian të vitit 1939 fillon ndërtimi i bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe i godinave të tjera qeveritare që gjenden përgjatë këtij bulevardi. Fundi i këtij bulevardi mbaronte me godinën e Luogotenencës (Mëkëmbësisë), e cila në planin urbanistik do të përfaqësonte fundin e sëpatës së liktorit.

Tirana e viteve 1945-1965

Ndërrimet e forta historike-politike sollën edhe parime të reja udhëheqëse në planet urbanizuese të Tiranës. Regjimi i ri komunist futi një frymë të re me tendencë shkëputjen e kujtesës kolektive nga e kaluara. Me prishjen e Pazarit të Vjetër dhe fillimin e punimeve për ndërtimin e Pallatit të madh të Kulturës në vitin 1960, u shembën dy objekte kulti, xhamia e Stërmasit dhe teqeja e Ali Pazarit. Me zgjerimin e rrugës 28 nëntori në harkun e lidhjes së saj me rrugën e Barrikadave (Mbretnore), mjaft troje vakëf u bënë ndërtime njëkatëshe, të cilat shërbyen deri vonë si dyqane artizanati[6]. Kështu xhami që mbanin mbi vete copëza të rëndësishme historie të lagjeve dhe të vetë Tiranës u shkatërruan sistematikisht, për të shkëputur lidhjet me të kaluarën dhe t’i përgjigjeshin kushteve dhe rrethanave të reja, të krijuara nga ideologjia komuniste, parimet e së cilës udhëhiqnin shtetin shqiptar. Ishin këto parime që i drejtuan urbanistët të shkatërronin edhe Pazarin e Vjetër, po ashtu edhe godinën e Bashkisë, për t’i lënë vend objekteve të reja me vulë komuniste dhe kështu të zëvendësonin kujtesën kolektive, duke shkatërruar të vjetrën. Ndërkaq Tirana jo vetëm që ishte kthyer prej kohësh në qendrën administrative e politike të vendit, por regjimi filloi edhe industrializimin e saj. U ndërtuan fabrika e kombinate, të cilat më pas do të shërbenin edhe si bërthama për lagjet e reja, duke krijuar më pas edhe qendrat përkatëse administrative të varura nga komiteti ekzekutiv (përndryshe bashkia) i Tiranës. Në 1954 fillon nga puna Kombinati i Tekstilit “Stalin” dhe rreth tij ndërtohet lagjja e re me emrin Kombinati, ku fillesën e ka me Pallatin e Beqarëve dhe më pas ndërtohen një seri godinash 2-katëshe me planimetri sovjetike dhe me një lulishte të madhe e rrugë të gjera, të cilat e bëjnë të dallueshme qendrën e kësaj lagje të re. Këtyre viteve i përket uzina “Enver” me parkun automobilistik të mallrave dhe të udhëtarëve. Qyteti i Nxënësve me Kombinatin Ushqimor “Ali Kelmendi”, Kombinatin e përpunimit të drurit “Misto Mame” e komplekset studimore ku gjendeshin shkolla e ndërtimit e rezervave, ku merrje njohuritë bazë që kishin të bënin me mekanikën, dhe më vonë shkolla e mjeshtërisë sportive, e cila sot njihet me emrin “Loro Boriçi”. Në lagjen e re të Laprakës pranë saj ndërtohet Kombinati i përpunimit të inerteve “Josif Pashko”. Në pjesën veriperëndimore të Tiranës ndërtohen dy uzina mekanike: “Dinamo” dhe “Dajti” si dhe ndërmarrja kimike e prodhimit të detergjenteve, pranë asaj që njihej si zona e Medresesë. Në pjesën juglindore të sheshit Skënderbej, pas pallateve të Shallvareve, filloi ndërtimi i lagjes që njihet me emrin “Tirana e Re”, ku në qendër të saj u vu kompleksi i futbollit “Dinamo”, sot “Selman Stërmasi”. Në lindje të rrugës “Qemal Stafa” kanë ekzistuar “Varrezat e Bamit” dhe në hyrje xhamia e teqeje e tyre. I gjithë trualli i tyre, përfshirë varrezat, u shndërrua në shesh ndërtimi për banesa. Qytetarëve iu dha mundësia për të shpërngulur eshtrat e të afërmve të tyre, por një pjesë mbeti në themelet e pallateve që u ndërtuan. Pak më sipër u ndërtua edhe fabrika e prodhimit të llullave dhe e porcelanit, të cilat pas viteve 1970 u urbanizuan më tej. Sipas dëshmive të ndryshme Tirana do të merrte formën e një ylli pesëcepësh me rreze, dhe në fund të viteve 1970 pak a shumë kjo formë u bë e dukshme nga lart, por që nuk arriti të realizohej.
Ndërkaq i gjithë ky industrializim kërkonte edhe fuqi të re punëtore, të cilën nuk mund ta garantonte vetëm popullsia e kryeqytetit. Për këtë shkak u sollën nga rrethe të ndryshme të vendit forcë e re punëtore që do të përballonte nevojat e punësimit, por e gjitha kjo u krye në mënyrë të kontrolluar nga pushteti qendror e lokal njëkohësisht, në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Një karakteristikë e veçantë e kësaj kohe është edhe ndërtimi i tregjeve të fruta perimeve në çdo qendër lagjeje, si dhe i mapove industriale e ushqimore. Kështu kemi mapon e madhe në qendër të Tiranës, si dhe në Laprakë e Kombinat. Pra, kemi kështu urbanizimin e zonave të tëra krejtësisht të reja dhe njëkohësisht atyre ekzistuese, si p.sh., mapoja ushqimore në Pazarin e Ri, e cila iu bashkëngjit tregut fshatar të ndërtuar gjatë kohës së monarkisë.
Le të themi dy fjalë rreth organizimit administrativ të Tiranës. Pas vitit 1945 emërtimi Bashki u hoq nga fjalori administrativ prej pushtetit qendror dhe bashkitë u emërtuan si Komitete Ekzekutive. Tirana ishte e ndarë në katër rajone, ku tre prej tyre mbulonin qytetin dhe i katërti fshatin. E gjithë Tirana më pas ndahej në 10 lagje, të cilat kishin kryetarin e tyre dhe në zona më të vogla ku secila kishte kryeplakun e vet. Çdo lagje kishte godinën e vet administrative, ku secila kishte zyrën e punësimit, të gjendjes civile, të strehimit dhe të arsimit. Teorikisht pushteti ushtrohej nga lart poshtë dhe urdhrat administrative zbatoheshin me rigorozitet, duke marrë në konsideratë ankesat e popullit. Praktikisht u zbatua vetëm rruga e urdhrave administrative që vinin sipas hierarkisë shtetërore nga lart poshtë.
Nga sa përshkruam më sipër dallohet një zhvillim thelbësor në shndërrimet e hapësirës urbanistike të Tiranës, kemi kalimin nga një qytet unicentrik në një qytet policentrik me qendra të dallueshme, por jo të pavarura krejtësisht, për vetë faktin se në politikat e tyre ishin krejtësisht të varura në nivelin administrativ lokal.

 

/Orientalizmi Shqiptar/

 

*Ky artikull është botuar në revistën “URA”, nr. 2, Pranverë-Verë, Tiranë 2009, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com

[1] (Kjo kumtesë është mbajtur në Konferencën Ndërkombëtare të IUAES – Commission on Urban Anthropology “Urban Identity, Power and Space: The case of Trans-European Corridors – Tirana, 27-31 August”, organizuar në Tiranë nga Instituti i Kulturës Popullore dhe Universiteti Katolik i Tiranës.)
[2] Riza, Emin; Qyteti dhe banesa shqiptare e Mesjetës së vonë, ASHSH, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Tiranë 1990, f. 25.
[3] Miho, Koço; Trajta të profilit urbanistik të qytetit të Tiranës, 8 Nëntori, Tiranë 1987, f. 120.
[4] Po aty, f. 125.
[5] Tirana kryeqytet, ndryshimet urbane dhe objektet e kultit musliman, prof. dr. Myzafer Kazazi, Drita Islame, nr. 15, shtator 1999, f. 4.
[6] Kazazi, prof. dr. Myzafer, shkrimi i cituar.

 

Ju tregoj si i përktheva Firdeusin dhe Saadiun

25/01/2012 Lini një koment

Një “intervistë” e cila botohet pas 33 vjetësh me Vexhi Buharanë poetin, përkthyesin e shquar, orientalistin e njohur, studiuesin dhe të burgosurin politik

Si ia la në mes përkthimin e Shah-Name-së në vitin 1966 ndërmarrja e botimeve. Pak fjalë dhe për letërsinë orientale

Vexhi Buharaja

Vexhi Buharaja

Pavarësisht se për Vexhi Buharanë (1920-1987) është shkruar jo pak, prapë dalin në dritë pamje të reja shikimi të profilit të tij të spikatur si poet, orientalist, studiues, shqipërues i dorës së parë, i mirënjohur sidomos për përkthimet nga letërsia perse, si: “Gjylistani dhe Bostani” të Saadiut, “Shah-Name-ja” të Firdeusiut, apo edhe mjaft vepra të tjera. Vexhi Buharaja ka qenë një poliglot i vërtetë: njihte gjuhët anglisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, latinisht, rusisht, persisht, turqisht dhe arabisht. Buharaja gjendet edhe “i shpërndarë” në formë letërkëmbimesh jo të thjeshta, ku gjithkujt që kishte interesa kulturorë, ai i ofronte dijet, kulturën dhe mendimin e tij, qofshin këto interesime të fushës letrare, apo të asaj shkencore historike. Midis tyre është dhe një “intervistë” e marrë V.Buharasë 33 vjet më parë nga publicisti Simon Vrusho, por që në ato vite nuk gjeti dot dritën e botimit. Vrusho do të pohonte: “Në shtator të vitit 1975, ndërsa punoja si mësues në fshatin e largët të Beratit, Velçan, i porsadiplomuar për gjuhë-letërsi në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës, duke përfituar nga rasti se në fshatin fqinj, akoma më të largët, në skajin jugor të rrethit të Beratit, në Osmënzezë, punonte si mësuese Muzina,(tani drejtoreshë në shkollën e mesme artistike “A.Xhindole” Berat), e bija e eruditit V.Buharaja (poet, përkthyes i shquar, orientalist i njohur, studiues; i burgosur, i dënuar e i denigruar nga sistemi komunist, aq sa në kulmin e talentit të tij krijues e degdisën në një zgëq berberhanesh të priste bileta për të rruar e për të qethur), i dërgova atij, nëpërmjet asaj, disa pyetje për autorë të letërsisë orientale, përgjigjet e të cilave përbëjnë një vlerësim që mendoj se paraqet interes për këndvështrimin e V. Buharasë për vlerat e asaj letërsie, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë te poeti i madh iranian, Firdeusiu dhe kryevepra e tij, “Shah-Name-ja”. Më duket më shumë se një “letërkëmbim”, është një “intervistë” që ia vlen të botohet, pas 33 vjetësh.“-thotë publicisti i njohur Simon Vrusho, tani kryeinspektor në Drejtorinë Arsimore Rajonale Berat. Në arkivin e publicistit Simon Vrusho gjenden edhe shënime të tjera nga kontaktet e tij me figurën e mirënjohur të Vexhi Buharasë. Këtu mund të përmendim vështrimin sintetik për bibliotekat e qytetit të Beratit, midis të cilave vlerësohet veçanërisht biblioteka pranë teqesë së helvetinjve në vitet ’80-ë të shek të 18-të, ku shumë prej librave të fondit të saj ishin në dorëshkrime, disa prej të cilave të shkruara në pergamenë me një kaligrafi shumë të bukur dhe të stolisura me ornamente. Mjerisht, kjo bibliotekë u dogj në vitin 1914. ndërkohë pas 33 vjetësh do të “ringjallim” Buharanë në një intervsitë e cila nuk e pa kurrë dritën e botimit në sistemin monist..

1-Pse nuk është përkthyer në shqip dhe nuk është botuar “Shahnameja”?

Ç’është e vërteta disa pjesë nga Shahnameja janë përkthyer (6500 vargje). Këto u dorëzuan në fund të vitit 1963, brenda afatit të kontraktuar. Përkthyesi (V.Buharaja –S.V.) u vlerësua në maksimalen. Andrea Varfi, që qe ngarkuar me redaktimin e këtyre pjesëve dhe që e kishte lexuar të gjithë Shahnamenë nëpërmjet përkthimit italisht, tha se nuk ishte mirë që një poet aq i madh të përfaqësohej në shqip vetëm me 6500 vargje. Prandaj, Ndërmarrja e botimeve më 1966 bëri një kontratë të re me përkthyesin për 4500-5000 vargje të tjera. Mirëpo, mu në këtë kohë Ndërmarrjes iu njoftuan kritere të reja lidhur me botimet. Me këto kritere bëhej një përmbysje në raportin midis autorëve të huaj dhe shqiptarë në favor të këtyre të dytëve. Me një fjalë, do të botoheshin shumë pak autorë të huaj, edhe këta duhej të ishin sa më aktualë. Për fatin e atyre 6500 vargjeve nuk di gjë. Dhe as u interesova më, mbasi mendimi që pata shfaqur mbi vlerat e mëdha artistike-ideore të Shahnamesë, edhe pse nuk qe hedhur poshtë, nuk qe miratuar.

2-Për përkthimet e Shahnamesë në gjuhë të tjera?

Pjesë të zgjedhura nga Shahnameja janë përkthyer kohë mbas kohe (duke filluar nga mesi i shekullit të kaluar) në anglisht, gjermanisht, frëngjisht (në prozë, siç e kanë francezët) dhe në rusisht. Sidomos në rusisht ka disa botime të Shahnamesë. Në kohët e fundit filloi botimi në rusisht i gjithë veprës së përkthyer në rusisht. Përkthimi iu besua një kolegjiumi prej 5-6 vetash. Gjer në vitin 1961 qenë botuar dy vëllime. (Që të dy këta ndodhen pranë bibliotekës shkencore të Universitetit Shtetëror të Tiranës). Po në këtë kohë fillon edhe botimi i tekstit integral kritik të origjinalit të Shahnamesë. Me sa di unë, botimi ka marrë fund, në gjithsej 10 vëllime. Një përkthim integral të Shahnamesë është ai i Italo Pizzit në italisht (ndodhet në Bibliotekën Kombëtare). S’e kam parë, por Andrea Varfi që e ka lexuar të gjithë (kjo punë i pat marrë 3 vjet) më ka thënë se është përkthyer mjaft mirë.

3-Diçka më gjerë për vitet e fundit të jetës së Firdeusiut?

Firdeusiu natyrisht kaloi në vetmi vitet e fundit të jetës së tij (gjithsej nja 6-7 vjet). Gjatë kësaj kohe ai shkroi veprën tjetër madhe “Jusufi dhe Zelihaja” ku trajtohet dashuria e Josefit legjendar biblik me Zolejkën e bukur. Kjo temë u rimuarr më vonë nga një varg poetësh të vendeve të Lindjes, por asnjëri nga këta nuk e arriti dot nivelin e poemës së Firdeusiut. Vetëm duhet pasur parasysh edhe kjo se kritika dhe shkenca e sotme e kanë vënë në dyshim autorësinë e Firdeusiut mbi poemën “Jusufi e Zelihaja”(disa orientalistë rusë dhe gjermanë).

4-Cilat janë figurat kryesore të Shahnamesë?

Në Shahname kemi një galeri të tërë figurash letrare, secila me individualitetin e vet. Mbi të gjithë është kryekreshniku Rustem, i cili është “sivëllai” tipologjik i Prometeut. Figurë thellësisht njerëzore. Interesante janë edhe figurat femërore (Rudabeja, Sijabeja, Tanimeja, Bizheni). Mund të thuhet se Rustemi është një nga arritjet më të larta artistike në të gjithë letërsinë botërore. Tek ai është gdhendur me mjeshtëri të rrallë artistike figura e heroit që lufton kundër forcave të këqija njerëzore (pushtuesit dhe agresorët) dhe jonjerëzve (divat).

5-Ç’ndryshim ka në trajtimin e figurës së mbretërve midis Firdeusiut dhe Shekspirit?

Tjetër është funksioni i mbretërve te Shekspiri dhe tjetër te Firdeisiu. Titani anglez i trajton në plan psikologjik, kurse titani iranian në planin moral. Misioni historik i mbretërve në Shahname është vendosja e drejtësisë dhe sigurimi i lumturisë dhe i begatisë së popullit. Pra, Firdeusiu kërkon “mbretin-filozof” të Platonit. Duhet pasur parasysh edhe një gjë: megjithëse kryevepra firdeusiane mban titullin “Shahname”, që do të thotë: “Poema mbi mbretërit” (pra, përkthimi “Libri i mbretërve”, që është bërë zakon të përdoret gjithandej s’është i saktë); roli i mbretërve në Shahname është shumë i kufizuar. Ata futen në poemë më tepër si hallka lidhëse të tregimit, si elementë arkitektonikë të poemës. Rolin më të madh e kanë heronjtë, kreshnikët (bahadirët) të afërt me bogatirët e legjendave ruse. (Edhe fjala ruse bogatir duhet të jetë një shtrajtim i fjalës persiane bahadir). Idenë qendrore të poemës e përbën lufta e njerëzve kundër pushtuesve dhe për drejtësi. Kjo luftë trajtohet në Shahname si luftë midis forcave të këqija, që përfaqësohen nga Ahrimani (perëndia e errësirës dhe e së ligës) dhe forcave pozitive, që përfaqësohen nga Ormuzdi (perëndia e dritës dhe e së mirës). Më në fund është drita ajo që fiton mbi errësirën. Këtu qëndron edhe përmbajtja optimiste e morale e Shahnamesë. Pra, Shahnameja është ndërtuar mbi dualizmin antagonist: e mirë- e keqe, dritë-errësirë, drejtësi-dhunë, liri-robëri.

6-Ku mbështetet Firdeusiu për këtë poemë?

Në hartimin e Shahnamesë, Firdeusiu u mbështet edhe në traditën letrare të shkruar (kronikat mbi mbretërit, gjithsej nja katër kësosh), edhe në folklor. Vetëm se mbajti qëndrim kritik ndaj materialit burimor dhe i bëri atij një përpunim rrënjësor artistik në përputhje me planin e krijimtarisë së vet dhe me synimet e tija ideore.

7-Në ç’lloj vargu është shkruar Shahnameja dhe ç’forcë vargu ka?

Shahnameja (që ngërthen rreth 120 mijë vargje) është e shkruar e gjitha në distikë. Çdo distik formon një njësi kuptimore të veçantë. Si varg është përdorur dymbëdhjetërrokëshi me theksa tonikë që bien në rrokjen e dytë, të pestë, të tetë dhe të njëmbëdhjetë. Ja, psh: një distik nga një monolog i Rustemit, i cili në një rast ankohet kundër fatit për mjerimet që po i sjell vijimisht kryekreshnikut: Sot ndeshem me t’ujit demonë-skëterrë.

8-Dhe nesër për vdekje me t’egrën panterë.

Ja edhe një distik tjetër: Rustemi ka arritur tanimë në moshë që të bëhet kreshnik. Atij i duhet një kalë, që do të jetë i vetmi kalë i denjë për kryekreshnikun. Prandaj Rustemi, gjer atëhere i panjohur, del në kërkim të tij. Një ditë në një fushë të madhe sheh disa qindra kuajsh të racës, të cilët kullosin nën mbikëqyrjen e një bariu plak. Të gjithë kuajt kanë në kofshë nga një damkë që tregon prejardhjen e tyre të vjetër. Vetëm një mëz është pa damkë: një mëz sa i bukur, aq i egër dhe i panënshtrueshëm. Rustemi i vë synë këtij mëzi dhe provon t’i hedhë lakun që ta kapë, por mëzi harbohet. Bariu i thërret nga larg, po Rustemi vazhdon të hedhë lakun e gjatë ( lëvaren ). Afrohet bariu, i cili domosdo nuk e njeh Rustemin, por ia ka dëgjuar emrin. Kur mëson qëllimin e kreshnikut, e këshillon këtë që që zgjedhë e të blejë një kalë tjetër, se “nuk ka ç’i duhet përbindëshi”. Bariu vazhdon: ne këtij mëzi i thërrasim “Rrakshi i Rustemit” (Vetëtima zharritëse e Rustemit), por, kush është Rustemi, asnjëri nuk e di. Ndërkaq Rustemi e ka kapur “Rrakshin”, i cili në fillim bën kijametin, turfullon e shkumbëzon, por dalëngadalë, nga takti që përdori Rustemi, fillon të zbutet e të nënshtrohet. Kur kreshniku u bind se Rrakshi ishte “miqësuar” me kreshnikun, i kërceu menjëherë sipër dhe që nga maja e kalit, i cili tanimë ishte nënshtruar plotësisht, e pyet bariun se sa duhej të paguante për kalin që po blinte. Dëgjoni si përgjigjet bariu: Kur qenke Rustemi, nuk dua asgjë, Mjafton që Iranin të mbrosh ti mbi të.

Unë mendoj se vetëm një poet i madh mund të japë me dy vargje njëherësh edhe zgjuarsinë (e kuptoi që ishte Rustemi), edhe patriotizmin, (mjafton të mbrojë Iranin), e një njeriu të thjeshtë, siç ishte ruajtësi plak i kuajve në rastin e dhënë.

9-Ç’përmban Elegjia e Saadiut për Bagdadin dhe pse nuk e keni përfshirë te botimi i “Gjylistani dhe Bostani-t” në shqip?

Elegjia e Saadiut për Bagdadin e rrënuar gjer në themel nga mongolët e Hulag-khanit (poeti ishte gjallë atëherë) dhe poezia vajtuese e poetit Hakani (shek. i 12-të ), që poeti shkroi kur pa gërmadhat e Ktesifanit dikur të madh e të lulëzuar, janë më të mirat e llojit të tyre në të gjithë poezinë orientale. Saadiu, i cili nuk mungon të japë edhe me këtë rast mendimin e tij mbi jetën, e mbyll elegjinë me dy vargje në të cilët qielli sipër dhe toka poshtë krahasohen me dy mokrrat e mullirit, kurse njerëzit me kokrrat e misrit që shtypen e bluhen nga mokrrat.

Mjerisht elegjia na ra në dorë vonë dhe nuk pati mundësi të përkthehej dhe të hynte në atë përmbledhje të vogël shqip të veprave të Saadiut, që u botua më 1960. Them “përmbledhje e vogël” sepse, sipas kërkesave dhe planit të botimeve të Ndërmarrjes, u zgjodhën vetëm disa pjesë nga “Gjylistani” e “Bostani”, që janë të dyja të vëllimshme dhe disa nga gazelet e shumta të poetit.

10-Ç’trajtohet në lirikat e Hafiz Shiraziut?

Në lirikat e Hafizit (Hafiz Shiraziut), tek i cili gazelet (oda lirike) arrin kulmin e përsosmërisë, si formë e si përmbajtje, i këndohet dashurisë, verës (si nxitës moral), gëzimit të jetës tokësore, personalitetit të lirë të njeriut. Demaskohet hipokrizia dhe paradizohen morali fetar, ngushtësia dogmatike dhe asketizmi. Me të drejtë kritikët dhe orientalistët kanë mundur të vënë re me mprehtësi se nëpërmjet tronditjes së brendshme të lirikut të madh iranian, jepen tronditjet e epokës në të cilën ai jetoi dhe krijoi. Të njëjtën gjë vë re kritiku letrar dhe shkencëtari iranian Bahar edhe në gazelet e Saadiut. Sipas këtij, te Saadiu dhe te Shiraziu motivet erotike-bakike-epikuriane të gazeleve mbulojnë dhe fshehin përmajtjen politike të tyren. Këtë e pranon edhe orientalisti i shquar çek Jan Ripka, i cili ka shkruar një histori të letërsisë persiane, që për vlerën e saj të madhe shkencore, është përkthyer edhe në rusisht.

Shtator 1975

Biografi e shkurtër

Kush është Vexhi Buharaja?

Vexhi Buharaja i lindur në 12 maj të vitit 1920 në qytetin e Beratit, ka qenë një ndër figurat e njohura në historiografinë e kulturës kombëtare si poet, orientalist e përkthyes, ka merita të shquara për veprat që ka lënë në fushën letrare dhe shkencore historike, veçanërisht në fushën e krijimeve poetike origjinale të tij, të studimeve dhe përkthimeve nga osmanishtja. Ai shquhet si njohës i dhjetë gjuhëve të huaja nëpërmjet të cilëve zgjeroi horizontin e dijes së tij si personalitet i nivelit të lartë në dobi të kombit. Si njohës i botës orientale dhe i kulturës së këtyre popujve, i çmuar edhe nga orientalistët të huaj, ai dha një kontribut të veçantë në përkthimin e transkriptimin e shumë dokumenteve turko-arabe me vlera të mëdha studimi për ndriçimin e ngjarjeve të periudhës mesjetare në vendin tonë. Si shqipërues i veprave poetike madhore, kontributi i tij i veçantë ka qenë në fushën e shqipërimeve nga letërsia orientuese persiane, arabe dhe ajo turke, ku ndër të tjera mund të përmenden shqipërimi i veprës poetike të Saadiut “Gjylistani e Bostani” botuar më 1960 dhe ribotuar në 1988, shqipërimi i kryeveprës së letërsisë persiane “Shahnameja”, shqipërimi i përmbledhjes poetike “Tahayyulat” (Ëndërrimet) si dhe “Katër Stinët” të poetit Naim Frashëri, drama “Besa” e Sami Frashërit etj.

Studiuesit

Dy fjalë për veprën e Vehxhi Buaharasë

Dr. Shaban Sinani në parathënien e botimit të një nga perlat e letërsisë persiane “Shah-Name-ja”, të poetit të madh iranian Firdusiu që u përkthye nga orientalisti Vehxhi Buharaja, thotë se ky i fundit i solli lexuesit shqiptar perlën e vërtet persiane. Në këtë parathënie dr. Sinani pohon se “kam pasur fatin që nëpërmjet mikut tim beratas Avdyl Pilafi të më bjerë në dorë një kopje në makinë shkrimi të tekstit të shqipëruar të “Shah-Name-së” së Firdeusiut, një prej përmendoreve të kulturës botërore që bashkërenditet për nga fuqia shprehëse me eposin homerik helenik “Iliada”, dhe “Odiseja”, me “Vedat” sanskrite, me “Ramajana-n” dhe “Mahaba-harata-n” hindue, me “Gilgameshin” e shumesrve dhe “Qedash-in” e egjiptianëve të vjetër, me “Torah-n armaike dhe “Eneida-n romake, përkthimi i orientalistit të njohur Vehxhi Buharaja, mu duk diçka gati e pabesueshme”. Ndaj sapo u njoha me ekzistencën e përkthimit shqip “Shah-Name-së” prej orientalistit të famshëm beratas, Buharas dhe me lejen prej të birit Ibrahim Buharaja. Fillova të shfletoja për të bërë përzgjedhjen që në fakt ishte një “machine-scriptum”. Për më tepër shtypshkrimi i cili ishte bërë në letër të zezë që qarkullonte në vitet 80-të në Shqipëri dhe në makinë shkrimi. Teksti që mundet të shërbente si dorëshkrim për botuesin është ndarë nga vetë përkthyesi në dy pjesë në pjesën e parë shqipëruesi ka shënuar në krye “pjesë të zgjedhura”, që janë 164 faqe dhe që përkthyesi ua ka gjetur vetë vendin njëra pas tjetrës. Duke pasur parasysh se “Shah-Nahme-ja” ka në origjinal rreth 30 mijë distihë, përkthyesi ka zgjedhur 4.5 mijë dhe ka pajisur pjesën më të madh të tekstit me shënimet shqipëruese, ka përfunduar Dr. Shaban Sinani.

Marrë nga faqja: http://www.gazetametropol.com/print.php?idt=54386

Pazar dhe çarshi, traditat ballkanike në Shqipëri

24/01/2012 Lini një koment

Elsa DEMO

 

PAZAR DHE ÇARSHI, TRADITAT BALLKANIKE NË SHQIPËRI

Tiranë - Çarshia e Vjetër

Tiranë – Çarshia e Vjetër

Pazar dhe çarshi, një hapësirë e hapur, një tjetër e mbuluar, që prej fillimit të erës otomane kur modeli erdhi nga Lindja e Mesme në Ballkan dhe u ngrit një traditë. Sot disa qytete të mëdha e kanë transformuar, në të tjera, i ngjajnë nga ndërhyrjet pa kriter, kaut balash. Një studim mbi antropologjinë urbane nga Armanda Kodra. Zhdukja e një hapësire mashkullore

Kur u pranua në Institutin e Kulturës Popullore në vitin 2000, Armanda Kodrës iu caktua si fushë studimi zejtaria tradicionale. Për të kaluar tek etnologjia, për të kuptuar më mirë se çfarë është kjo fushë që nuk studiohet në shkollat shqiptare, bashkë me antropologjinë (për paradoks kemi së fundi një transplant emërtimesh: Instituti i Kulturës Popullore bëhet Instituti i Antropologjisë Popullore) zejtaria i shërbeu si portë hyrëse për tek pazaret.
Armanda e quan një pikënisje a priori, për të bërë një studim antropologjik të çarshive, pazareve në Shqipëri, si qendra të shkëmbimit ekonomik, shoqëror dhe kulturor. Me këtë monografi ajo mbron tezën e doktoraturës. Janë të gjitha arsyet për të qenë entuziastë për disa të rinj që pa i mbushur xhepat me mastera perëndimorë dhe opinionin publik me llafe, gjejnë formën për të kapërcyer kushtet primitive të terrenit arsimor dhe shkencor në Shqipëri. Armanda duket një nga ata.
Studimi i saj, i perifrazuar në këtë intervistë, na çon nga modeli otoman i një hapësire publike si çarshia, në Shqipëri dhe në Rajon (çarshitë e famshme të Sarajevës, Mostarit, Shkupit, Manastirit) tek të tjerat që janë transformuar shumë, si çarshia e Ohrit, dhe çarshitë shqiptare parë në raport me modelin fillestar dhe krahasur mes tyre, çarshia e Tiranës me të Shkodrës, e Krujës me të Korçës.
Dhe së fundi e quan çarshinë një hapësirë mashkullore, ku janë reflektuar dukshën statusi social dhe etika gjinore. Ajo na sjell ndër mend këngën e famshme popullore për dy të dashuruar në çarshi. Kënga thotë:
Hej, Hej…
dil moj vashë njiher n’çarshi
dil n’çarshi moj bukuri
hej, hej,
o mor djalë o djalë i ri
a je kon nojher n’çarshi
a ke pa molla me sy
Unë mollat i kam pa
faqet tuja m’asht përga
çova dorën me i përla
mollaxhia nuk më la
e n’hall’o kam ra
Kjo hapësirë publike na shfaqet si një kundërshti: nga një vend i hapur në një vend të ndaluar që nxit imagjinatën.

Armanda, me dy fjalë ç’është kjo monografi që po shkruan për çarshinë.

Pazaret e vjetra ose çarshiat kanë qenë qendrat ekonomike, shoqërore edhe kulturore të qyteteve nëpër Ballkan, por përgjithësisht nëpër Lindje, në botën arabe, në Indi, Indonezi… Të gjitha njihen me termin Pazar- bazar, nga i cili edhe në Perëndim përdoret sot bazaar-shopping.
Është gjithmonë një vend ku jo vetëm tregtohen mallërat duke filluar që nga gazetat, revistat -prodhimi intelektual – dhe duke mbaruar tek frutat, perimet, gjithçka që konsumon. Pra gjithë gama e prodhimit kulturor njerëzor, po të flasim sipas termave të antropologjisë. Pazari është tregu i shkëmbimit, i transaksioneve ekonomike dhe i shpërndarjes, informacionit.
Në qytetet ballkanike është përdorur më shumë termi çarshi, ardhur nga turqishtja. Ajo nënkupton tregun jo vetëm me sheshet e tregtimit, po dhe me dyqanet përkatëse, të ndara sipas profesioneve dhe ky është shembulli tipik i pazareve shqiptare.

Kur shfaqet ky model urban tek ne?

Që në momentin kur Ballkani u përfshi në perandorinë osmane dhe qyteti, qendrat urbane, filluan t’i përshtaten elitës përkatëse e cila mori drejtimin osman. Kështu që dhe modeli i qytetit do ndryshonte sipas këtij modeli, pra me ndërtimin e një xhamie, hamami, hani edhe i një qendre tregtare.
Para perandorisë osmane dyqanet nuk kanë qenë të grumbulluara në një pikë. Organizimi me gilde i zejtarëve ka pasë ekzistuar, në perandorinë osmaneqë u quajtën esnafë. Sipas esnafit u bë organizimi i pazarit: terzinjtë të gjithë në një rrugë, lëkurëpunuesit në një vend, qeleshepunuesit të gjithë në një rrugë, dhe kështu u quajtën edhe rrugët e çarshive në përgjithësi.
Nuk mund të themi se cila çarshi u ngrit e para. Kur u ndërtua xhamia e Iljaz bej Mirahorit në Korçë, iu bashkangjit edhe çarshia. Kur u themelua Tirana më 1614, paralel u ngrit xhamia e Sulejman Pashës dhe çarshia. Pra çarshitë janë qendra themeluese të qyeteteve, kurse në qytete ekzistuese siç ka qenë Berati apo Vlora, ato do t’i datojmë në momentin kur ndërtohet xhamia më e vjetër e qytetit.

Përse shihet e binjakëzuar me xhaminë?

Sepse ato kanë qenë institucionet e kohës. Sot xhamia përfaqëson vetëm një vend lutjeje. Kurse për kohën objektet e kultit kanë qenë vendet publike që kanë shërbyer për organizimin e njerëzve, për kuvende. Kështu kanë shërbyer dhe kishat, edhe si institucione kulturore dhe shoqërore.

Po terreni çfarë përgjigje i dha kërkimit shkencor?

Terren në Tiranë nuk ka. Antroplogu i kulturës e ka metodë kryesore punën me terrenin. Terren fizik në kryeqytet, hapësirë urbane me emrin Pazar, ka qenë në vendin ku sot është pallati i kulturës. Është shembur më 1959-’60, kanë mbetur kujtimet e një brezi të vjetër.

Është folur që mund t’i kthehet një Pazar pranë urës së Tabakëve. A e pranon kjo Tiranë që kemi sot, një kthim të tillë të detyruar tek tradita, duke e imituar atë?

Ajo është një rishpikje e traditës. Kjo bëhet dhe personalisht mendoj se nuk ka gjë të keqe. Pazari ka humbur shumë fizikisht, por në kujtesën e një brezi të mesëm të Tiranës jeton ende. Tiranës i janë lënë shumë, shumë pak nga historia e saj për ta identifikuar si një qytet 400-vjeçar. Objekti më i vjetër është xhamia e Et’hem Beut që realisht, përfundimi i takon vitit 1830, pra dy shekuj më vonë.

Sa çarshi ekzitojnë në Shqipëri dhe sa janë zhdukur për nevoja të modernizimit?

Kanë mbetur shumë pak. Nuk ka pasur qytet pa çarshi sepse nuk mund të mendohej pa të. Çarshia e Shkodrës pa dyshim duhet veçuar. Bashkë me çarshinë e Shkupit kanë qenë dy më të mëdha e Ballkanit. Në fillim të shekullit të XX-të, ajo kaloi më e madhja në Ballkan si sasi dyqanesh dhe më e rëndësishmja jo vetëm si pikë e këtyre shkëmbimeve që thashë, po edhe financiare.
Firmat e mëdha tregëtare shkodrane që kishin marrëdhënie të hershme me Venedikun, me qytetet italiane, me Austro-Hungarinë – ne i njohim si tregtarët kompradorë – krijuan depozitat e para që janë premisat për bankë dhe që e kishin vendin në bezistenin e çarshisë së Shkodrës. Në Bunë kishte një pikë doganore. Ajo është shembur dhe s’ka asnjë gjurmë. Sot aty njerëzitshesin krapin që zënë në Bunë.
Është ruajtur pazari i vjetër i Krujës që është ruajtur në formë muzeale, në Elbasan i ka ngelur vetëm emri, te bezisteni (qendra me dyqanet e luksit). Sot ka mbetur ideja e rrugës së çarshisë, e ngjashme me modelin e Krujës. Por Gjirokastra duke ecur me ritmin e kohës, nuk e ka ruajtur çarshinë.
Korçës nuk i është shkatërruar komplet pazari. Aty vazhdohet akoma të bëhet Pazar dhe ka një projekt për rikthimin e çarshisë.

A ke një vështrim krahasues për këtë element urban të traditave?

Patjetër, sepse kjo hapësirë ka një rol të rëndësishëm, ka të bëjë me mënyrën e organizimit të qyteteve, u ka dhënë rrënjë dhe histori dhe për pasojë identitet, një identitet që shumë studiues apo udhëpërshkrues të shekullit XIX-XX e kanë quajtur osman, oriental, qytet oriental, për shkak të modelit që u mor nga perandoria osmane.
Por në këtë pikë vjen edhe kundërshtia. Në gjithë Ballkanin, me shkëputjen nga perandoria osmane ndodh procesi i deosmanizimit dhe i modernizimit të pamjes së qyteteve. Sepse për të njëjtën arsye pse u ndërtua modeli osman i qytetit, për të njëjtën arsye do ndërtohej edhe modeli evropian i qytetit, pra do t’i përshtatej elitës politike dhe ekonomike të kohës dhe nuk ka gjë më të dukshme se sa të ndërmarrëshreforma në fushën e urbanistikës dhe të arkitekturës.
Kështu ka ndodhur shkatërrimi ose margjinalizimi ose transformimi i çarshisë, në shumë vende. Për elitën e re, çarshia ishte përfaqësim i mentalitetit të vjetër osman. Aty ku nuk u shemb, u anashkalua. Në Shqipëri u shembën në emër të ideve socialiste. Ata që e kanë parë e mbajnë mend, unë që s’e kam parë, nuk e di as ku ka qenë, shumë nuk është shkruar. Dalëngadalë ikën imazhi, ikën kujtesa dhe në njëfarë mënyre kjo i shërben modernizimit.
Nga ana tjetër, u pa jo vetëm në Shqipëri po edhe në vende të Ballkanit që çarshia në nivelin popullor mbeti si pikë kryesore. Ndoshta elitat mund të mos e kishin qejf, mund ta quanin diçka anakronike, të dalë mode, porse ai qytetari që ka qenë i lidhur historikisht me esnafin, me zejtarët, ishte lidhur edhe me moralin që ka ekzistuar në çarshi, me atë kafen e mëngjesit që e ka pirë në çarshi, me atë duhanin ballkanik që është pirë vazhdimisht me kafe në çarshi. U pa tashmë edhe nga perëndimorët që kërkojnë gjithmonë ekzotiken, si një gjë atraktive. Qeveritë ballkanike e kuptuan që si gjë e vjetër, kjo është tërheqëse, ndjell turistë.
Nga ana tjetër, njerëzit e duan dhe e quajnë pjesë të vetes, atë që është pjesë e trashëgimisë kulturore monumentale ku diku nuk lejohet vënia dorë, diku lejohet.

Nga ky përshkrim pazari konceptohet një hapësirë krejt e hapur, përkundër mentalitetit të mbyllur që imponte vendi dhe koha. A kishte gjë që ndalohej “të mos nxirej në Pazar”?

Pazari ka dy momente, 6 ditët e javës dhe ditën e shtatë. 6 ditët janë ditët e zejtarëve dhe të qytetarëve përreth, nuk ka lëvizje shumë, bëhen porositë, punohet për ditën e pazarit. Kjo është “dita e rrëmujës”, e kaosit në dukje, por e shkëmimbit të marrëdhënive sociale, tregtare.
Në Tiranë, për shembull, dilnin edhe shkruesit që ndryshe quheshin jazexhitë. Shkresat publike, kërkesat etj, që çdo njeriu i duhej për ndonjë gjë në gjykatë për një problem, për një lutje drejtuar Sulltanit – njerëzit nuk dinin të shkruanin e të lexonin -për këtë ishin shkruesit, sidomos ditën e pazarit.

Ishte edhe vendi i shfaqjes së bukurisë, siç sugjerojnë këngët apo rrëfenjat. Si paraqitet figura e gruas shqiptare në këtë hapësirë?

Duhet thënë diçka për çarshinë: ajo është a man’s space – hapësirë mashkullore. I takon përgjithësisht hapësirës mashkullore, jo vetëm pse është model osman. Edhe në zonat ortodokse që kanë pasur çarshi, si në Serbi, Maqedoni, mbetet një hapësirë burrash, sepse ka të bëjë me atë degë të ekonomisë ku gruaja nuk para merr pjesë.
Gruaja merr pjesë në zejtari, por në shtëpi, me avlëmendën, me qëndisjen dhe këto i nxjerr në Pazar vetëm një ditë të javës në një vend të caktuar. Ka qenë pazari i grave në Tiranë, ndodhej përpara xhamisë së Et’hem Beut. Ato vinin nga të gjithë fshatrat e Tiranës. Kurse gratë e qytetit nuk dilnin në Pazar të shisnin.
Etika dhe morali luajnë shumë rol në biznes. Në biznesin ballkanik i rëndësishëm është parimi i tregut që të blesh sa më lirë, të shesësh sa më shtrenjtë dhe të kesh sa më shumë fitim, po jo pa moral dhe jo pa etikë. Që gruaja të dilte të shiste, do të thoshte se burri nuk ishte në gjendje që ta mbante. Leku i gruas konsiderohet i gruas dhe jo i shtëpisë.
Atëherë komenti do të ishte ky: shih ku ka arritur situata ekonomie e kësaj shtëpie, saqë burri s’ka burrninë me e mbajtë. Pra asnjë familje qytetare që kishte respekt për veten nuk do ta nxirrte dot gruan në Pazar. Nuk është çështje fanatizmi, por çështje sociale, e statusit shoqëror.
Pse fshataret po? Sepse fshati gjithsesi është më i hapur. Punën në arë e bën burri, punën në oborr e bën gruaja. Është ajo që del dhe i çon bukën burrit në arë. Ajo ka një hapësirë publike ku del dhe nuk është aq e lidhur me shtëpinë sa gruaja e qytetit, kështu që detyrimisht mund të dalë edhe në treg që të shesë prodhimet e veta.

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 67 ndjekësve të tjerë

%d bloggers like this: