Arkiv

Archive for 24/07/2012

Trashëgimia otomane dhe komunitetet muslimane të Ballkanit sot

24/07/2012 Lini një koment

TRASHËGIMIA OTOMANE DHE KOMUNITETET MUSLIMANE TË BALLKANIT SOT

FJALIMI I AHMET DAVUTOGLU

Ahmet Davutoglu

Ahmet Davutoglu

Në ceremoninë e hapjes së konferencës “Trashëgimia Otomane dhe Komunitetet Muslimane të Ballkanit sot“ në Sarajevë (E Premte, 16 Tetor 2009)

Pozicioni gjeografik dhe lidhjet e tij historike me këtë gjeografi janë një karakteristikë dalluese e Ballkanit. Mund te identifikojmë tre karakteristika të Ballkanit. E para është se rajoni i Ballkanit është një zonë e ndërmjetme në kuptimin gjeopolitik. Zakonisht shihet si një zonë e ndërmjetme tranziti nga Europa në Azi, nga Azia në Europë, nga Balltiku në Mesdhe, madje dhe në Afrike, nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim është një zonë e ndërmjetme gjeopolitike. Do e shpjegoj çfarë kuptimi ka, pse është kaq e rëndësishme dhe pse kjo karakteristikë ka patur ndikim në historinë e Ballkanit.

Karakterisitka e dytë është ajo gjeo-ekonomike. Ballkani ka qenë një rajon transaksioni në kuptimin gjeo-ekonomik. Që prej kohës së qytetërimit Grek, kohët e lashta e deri në ditët e sotme, Ballkani ka qenë rajon i transaksionit ekonomik nga deti në tokë, në korridoret e tokës së Europës Lindore, nga Lindja në Perëndim. Ka qenë dhe mbetet sot një transaksion në fushën gjeo-ekonomike.
Karakteristika e tretë është se Ballkani është një rajon i ndërveprimit gjeo-kulturor. Në këtë mënyrë, kultura të ndryshme kanë ndërvepruar në Ballkan. Valët e migrimit, shumë popullsi erdhën dhe u përzien me njëri-tjetrin. Një rajon me këto tre karakteristika, një zonë e ndërmjetme gjeo-politike, me ndërveprim gjeo-kulturor dhe transaksion gjeo-ekonomik, ka dy fate alternative në histori.
Njëri fat është që bëhesh qendra e politikës botërore, ose bëhesh viktima e konkurrencës botërore, që do të thotë se duhet të bëhesh periferia e një pushteti tjetër. Prandaj historia e Ballkanit është ose histori suksesi ose histori dështimesh dhe viktimizim i konkurrencës. Sot, për shembull, kur ne flasim për Ballkanin, zakonisht mendojmë që Ballkani është periferia e Europës, jo qendra e Europës, por periferia e Europës. Është kështu? Është vërtet periferi rajoni i Ballkanit?Jo. Në fakt, Ballkani është një nga qendrat strategjike të Afro-Euro-Azisë. Pse është kthyer kështu? Pse e kemi këtë perceptim të periferisë? Nëse ju pyesni për shembull Mehmed-pasha Sokoloviç, ai nuk do të thoshte se Sarajeva apo Selaniku është një periferi e shtetit Otoman ose një periferi e Europës. Ai do të mendonte që kjo do të ishte pikërisht qendra e gjithçkaje,si historia e Nastradin Hoxhës. Por ishte e vërtetë.
Ndaj le ti hedhim një sy historisë. Shteti i parë i madh, shteti perandorak që u shfaq në Ballkan ishte Perandoria e Aleksandrisë. Lindi nga Ballkani edhe pse qendra e Perandorisë së Aleksandrisë nuk ishte Ballkani. Nuk kishte polici të Aleksandrisë në Ballkan. Të gjitha qytetet e mëdha të Perandorisë së Aleksandrisë ishin në Anadoll, në Egjipt, në Iran, në Afganistan. Ajo Perandori lindi në Ballkan por qendra e asaj Perandorie nuk ishte Ballkani. Në Perandorinë Romake, si në atë Lindore dhe në atë Perëndimore, Ballkani ishte periferi. Perandorët Romakë e zinin në gojë Ballkanin vetëm kur vendosnin të përgatiteshin ushtarakisht në drejtim të Azisë. Kështu, ata nuk e shihnin Ballkanin si qendër. i vetmi përjashtim përgjatë historisë, një përjashtim pozitiv, është Shteti Otoman. Gjatë Shtetit Otoman, Ballkani u bë qendra e politikës botërore në shekullin e 16-të. Kjo është koha e artë e Ballkanit. Nuk e them këtë sepse ne mbartëm trashëgiminë otomane, por se ky është një fakt historik. Kush e drejtoi politikën botërore në shekullin e 16-të? –Paraardhësit tuaj. Ata nuk ishin të gjithë Turq, disa ishin me origjinë Sllave, disa me origjinë Shqiptare, disa madje ishin dhe të konvertuar në origjinë Greke, por ata drejtuan politikën botërore. Kështu, Mehmed-pasha Sokolovic është një shembull i mirë. Nëse nuk do të kishte Shtet Otoman, Mehmed pasha do të ishte një serb i varfër i cili jetonte sa për të patur një fermë të vogël, apo çfarëdo kishte. Por në sajë të Shtetit Otoman, ai u shndërrua në një lider të politikës botërore. Ndaj historia Otomane është një histori e Ballkanit, një histori e karakterit qendror të Ballkanit në politikën botërore. Asokohe, të gjitha rrugët kryesore të tregtisë ishin në Ballkan. Selaniku u bë qendra e aktivitetit ekonomik. Më pare, Selaniku ishte veç një qytet i vogël. Po gjatë periudhës Otomane, Selaniku u kthye në qendrën kryesore të tregtisë ekonomike. E tërë tregtia e Mesdheut bëhej përmes Selanikut.
Nëse ndiqni migrimin e Hebrenjve, mund te kuptoni lëvizjen e parasë. Përse u bë Selaniku komuniteti më i madh i Hebrenjve prej shekulli të 16-të deri në shekullin e 19, madje dhe përgjatë shekullit të 19? Një pjesë e madhe e popullsisë së Selanikut ishin Hebrenj. Çfarë bënin ata aty? Ata monitoronin dhe bënin të gjithë tregtinë nga Selaniku drejt Veriut, drejt Euro-Azisë. Ekonomia e Mesdheut drejt Euro-Azisë, administrohej nëpërmjet Selanikut dhe Stambollit. Krahasimisht, Beogradi ishte një fshat, ose një qytezë në shekullin e 14-të. Gjatë shtetit Ottoman, Beogradi u bë një qytet qendror, një qytet kyç i Danubit dhe i Europës Qendrore, si në pikëvështrimin ekonomik dhe atë kulturor. Kishte me qindra kisha e xhamia. Sarajeva është një mrekulli, si një miniaturë e kësaj trashëgimie. Nëse mund të kuptosh Sarajevën, mund të kuptosh gjithë historinë Otomane. Sepse është, sic thotë shprehja, nëse kupton një njeri mund të kuptosh atë shekull. Si Hegeli, nëse kupton Hegelin, ke kuptuar mentalitetin Gjerman të shekullit të 19. Është prototipi i atij mentaliteti. Ngjashmërisht, Sarajeva është prototipi i civilizimit Otoman. Sarajeva është prototipi i shkëlqimit të Ballkanit.
Po ashtu në shekullin e 19-të ishte Mehmet Ali Pasha. Ai ishte një Shqiptar, por ai u bë jo vetëm një figurë udhëheqëse e shtetit Otoman, por dhe themeluesi i Egjiptit modern. Po të mos kishte pasur një traditë Ottomane, Egjiptianët nuk do kishin parë asnjë Shqiptar në gjithë jetën e tyre. Mehmet Ali Pasha, do kish qenë shumë-shumë Mehmet Ali Bej, një njeri i zgjuar që jetonte diku në Ballkan. Pra, figurat udhëheqëse janë prototipet e një qytetërimi. Ç’mund të mësojmë prej kësaj? Rajoni i Ballkanit ka një fat si rrjedhojë e karakteristikave gjeo-politike, gjeo-kulturore dhe gjeo-ekonomike. Rajoni i Ballkanit, ose do të jetë qendra e gjithçkaje, ose do të jetë viktima e gjithçkaje.
Pse ka qenë Ballkani i ndarë që prej shekullit të 19-të e deri në ditët e sotme? Sa herë që ne flasim për Ballkanin, flasim për ndarje, përplasje, përplasje etnike, jo civilizim. Mungesa e ndërveprimit gjeo-kulturor do të thotë përplasje kulturore. Mungesa e transaksionit gjeo-ekonomik do të thotë stanjacion ekonomik. Mungesa e autoritetit politik do të thotë shndërrim në një zonë të ndërmjetme e të gjitha konflikteve. Tashmë është koha ti vëmë bashkë të gjitha këto. Dhe pastaj do të zbulojmë shpirtin e Ballkanit.
Ç’lloj politike duhet zbatuar për të rritur këtë? Së pari, në mënyrë që të parandalohet një karakter i “tamponit gjeopolitik” për Ballkanin, çka e bën Ballkanin viktimë të konflikteve, na duhet të krijojmë një kuptim të ri uniteti në rajon. Na duhet të forcojmë ndjesinë e përkatësisë në rajon dhe të nxisim një kuptim të përbashkët. Nëse shohim historinë, ne jemi qenie njerëzore dhe nuk jetojmë në parajsë. Qeniet njerëzore janë gri sikurse historia, apo historia është gri ashtu si qeniet njerëzore. Ne nuk jemi engjëj por nuk jemi as kafshë. Na takon ne të vendosim të bëjmë diçka. Në mënyrë të ngjashme, historia paraqitet gri. Varet se cilën pjesë të historisë po përzgjidhni për ta komentuar sot. Historia e Ballkanit nuk është vetëm një histori konfliktesh. Përgjatë shekujve, nga i 15-i te i 19-i, historia e Ballkani ka qenë një histori suksesi. Ne mund ta rikrijojmë këtë sukses. Mund ta rivendosim atë përmes krijimit të një sensi origjinal të përkatësisë, duke krijuar një bashkekzistencë të re shumëkulturëshe dhe duke përcaktuar një zonë të re ekonomike.
Bashkekzistenca shumëkulturëshe është shumë e rëndësishme sepse zhvillimi i një civilizimi mundet vetëm të kuptohet duke analizuar strukturat e qyteteve dhe jetën kulturore në këto qytete. Nëse një qytet është uniform, do të thotë se civilizimi nuk është i shumëllojshëm. Është një lloj këndvështrimi i përmbysur ndaj shoqërisë. Fillimisht, qyteti i Romës banohej vetëm nga romakë. Por, më pas, me krijimin e Perandorisë Romake, qyteti i Romës u bë një qytet kozmopolitan. Në mënyrë të ngjashme me Romën, më vonë edhe qytete si Stambolli dhe të tjera qytete ballkanike ishin shumëkulturore. Ne jetonim bashkë dhe si rrjedhojë e kësaj pasurie të fortë kulturore pati një rritje të bashkëveprimit. Prapambetja lidhet me spastrimet, siç ndodhi gjatë viteve ’90. Ata që organizuan masakrat në Srebrenicë, në Bosnjën Lindore, janë njerëz barbarë të cilët nuk donin të toleronin dallimet kulturore. Shpirti i Sarajevës është shpirti i bashkekzistencës, shpirti i të jetuarit bashkë. Dhe si paraqitet roli i Turqisë në Ballkan? Ne duam të kemi një rajon të ri të Ballkanit, të bazuar mbi dialogun politik, mbi ndërvarësinë dhe bashkëpunimin ekonomik, mbi integrimin dhe harmoninë kulturore dhe tolerancën.
Ky ishte Ballkani Otoman. Ne do ta rindërtojmë atë Ballkan. Njerëzit më quajnë neo-otoman, ndaj unë nuk dua t’i referohem shtetit otoman si një çështje e politikës së jashtme. Çka po nënvizoj është trashëgimia otomane. Shekujt otomanë në Ballkan ishin histori suksesi. Tani na duhet ta rikrijojmë këtë. Përse erdha në Bosnjë në më pak se 24 orë? Sepse Bosnja është në një fazë shumë të rëndësishme transformimi këto ditë. Dua të tregoj solidaritet me Bosnjë-Hercegovinën (BiH). Dua të tregoj se jemi këtu. Ne jemi me boshnjakët dhe do të vazhdojmë të jemi me boshnjakët. Përse është i rëndësishëm ky tranzicion? Sepse integriteti territorial dhe uniteti politik i BiH duhet mbrojtur me qëllim që të ketë siguri në rajon. Nëse BiH nuk është e sigurt dhe e qëndrueshme nuk mund të kemi siguri dhe stabilitet në Ballkan. Perspektiva turke në rajon është të ndërtojë një Ballkan të ri i cili mbështetet në këtë kuptim të dialogut politik, të intensifikimit të marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëjetesës kulturore dhe harmonisë.
Gjatë viteve ’90 u përballëm me vështirësi të shumta në BiH, Kosovë dhe Maqedoni. Kur këto vështirësi ndodhën, nga i kthyen sytë boshnjakët, shqiptarët, turqit, Maqedonia dhe Kosova? Nga Turqia. Është një marrëdhënie historike. Më lejoni t’ju jap një shembull për ta bërë analogjinë që nga fillimi. Kjo zonë gjeopolitike me karakter zbutësi të ndërmjetëm, bashkëveprimi kulturor dhe transaksionet ekonomike, janë të njëjtat karakteristika të Irakut dhe Afganistanit. Përse kemi probleme në Jugosllavi, BiH, në Irak dhe Afganistan? Sepse këto shtete janë modele në miniaturë të rajoneve përkatëse. Bosnja është një Ballkan i vogël. Kemi muslimanë, katolikë, ortodoksë, serbë dhe kroatë që jetojnë bashkë si një miniaturë e Ballkanit. Në mënyrë të ngjashme, Iraku është një Lindje e Mesme e vogël: arabë, kurdë, turq, shiitë dhe suni. Afganistani është një subkontinent i vogël në Azinë Qendrore me taxhikë, pashtunë dhe hazaras. Kështu që këto vende janë vende kritike. Nëse i menaxhon ato siç duhet, mund të menaxhosh rajonet. Nëse nuk mundesh t’i menaxhosh këto vende siç duhet, do të kesh një krizë rajonale. Ç’është Turqia? Turqia është një Ballkan i vogël, një Lindje e Mesme e vogël, një kaukaz i vogël. Më shumë boshnjakë jetojnë në Turqi sesa në Bosnjë. Më shumë shqiptarë jetojnë në Turqi sesa në Shqipëri, më shumë çeçenë sesa në Çeçeni, më shumë abkazë se në Abkazi. Dhe kemi kurdë, arabë dhe turq bashkë. Pse është e gjitha kjo? Për arsye të trashëgimisë otomane. Për të gjitha këto kombësi myslimane në këto rajone, Turqia është një parajsë e sigurt. Dhe në fakt, ju jeni më se të mirëpritur sepse Turqia ju përket edhe juve vëllezër dhe motra boshnjake, ashtu si Sarajeva është e jona. Por a është më mirë të vini në Turqi për të qenë të sigurt apo ta bëni Bosnjën të sigurt? Ndaj na duhet të kujdesemi për situatën. Ç’ndodh në BiH është përgjegjësia ynë. Në një takim me një diplomat, emrin e të cilit nuk po e them këtu, unë theksova rëndësinë që ka angazhimi në Bosnjë. Kur takova Hillari Klintonin mbi çështjen armene në Zyrih, ngrita sërish çështjen e Bosnjës dhe diskutuam më shumë mbi Bosnjën sesa mbi Armeninë.
Kur Presidenti Haris Silajdžić erdhi në Ankara javën e shkuar, ai mori pjesë në një sërë aktivitetesh. Unë ndryshova axhendën time. Vendosa të vija në Sarajevë dhe më pas do të shkoj në Armeni.
Një diplomat perëndimor pyeti se përse unë papritur po e hidhja këtë çështje si me parashutë. Përgjigja ime ishte: “Ne nuk shkuam në Bosnjë me parashutë. Shkuam në kalë dhe qëndruam atje me boshnjakët duke ndarë të njëjtin fat!”
Po, çfarëdo ndodh në Ballkan, në Kaukaz, në Lindje të Mesme, është çështje e jona. Një ditë do të jem në Irak, një ditë tjetër në Azerbajxhan, një tjetër në Bosnjë si ministër i Punëve të Jashtme. Çfarëdo që ndodh është në axhendën tonë të politikës së jashtme. Sërish me sekretaren Klinton patëm një ndodhi në Qershor. Vizatova një rreth prej 1000 kilometrash rreth zyrës sime në Ankara. Bëhet fjalë për 23 vende. Të gjithë ata janë të afërmit tanë dhe presin diçka prej nesh. Më pas vizatova një rreth tjetër prej 3000 kilometrash, ku përfshiheshin 72 vende dhe çdo ditë në ministrinë tonë vijnë lajme prej këtyre vendeve që na ndryshojnë axhendën e punës. Ky është borxhi ynë historik. Ndaj kur unë flas për borxh strategjik, i referohem në fakt, këtij borxhi historik.
Po në qershor, shkova në Afganistan në zonat e Mazari-Sharif, Balkh dhe Jouzjan. Vizituam gjashtë qytete dhe zakonisht diplomatët e huaj vizitojnë Kabulin dhe marrin avionin mbrapsht për t’u kthyer nga kanë ardhur. Vetëm ministrat turq mund të vizitojnë gjashtë qytete afgane pa kurrfarë vështirësie. Unë nuk ndihem i huaj në Afganistan. Kur ishim në Mazari-Sharif, guvernatori i Balehut u ul pranë meje dhe më tha: “Z. Ministër, na duhet një shkollë, një spital dhe një park”. Thirra koordinatorin e TIKA-s dhe i thashë të merrte shënim. Gazetarët tanë u çuditën dhe më thanë: “Ai po e bënte kërkesën sikur ju të ishit ministër i Afganistanit”. Po, në fakt ai ishte shumë i qetë. Ai mendonte se unë e kisha për detyrë diçka të tillë. Për atë, Turqia është madhështore dhe një ministër turk ka kapacitete të pakufizuara dhe duhet t’i përmbushë nevojat që i parashtrohen. Është një falje historike.
Dy javë më pas shkova në Sandzak në Novi Pazar me një delegacion. Atje ndodhi e njëjta histori. Njerëzit po thonin na duhen shkolla, një spital etj. etj. Ata mendojnë që po, turqit kanë përgjegjësinë për t’i bërë të gjitha këto. Të shkretët turq! Unë nuk di se çfarë mund të bëjmë, por na duhet ta bëjmë ama. Ata kanë të drejtë. Në sytë e tyre, Turqia është qendra. Për ta Turqia është një vend ku mund të shkojnë për të gjetur strehim. Janë turqit ata që duhet të gjejnë një zgjidhje. Sipas këndvështrimit të tyre, ne nuk mund të kemi ndonjë dobësi. Ndaj, politika jonë e jashtme, duhet të jetë proaktive. Nuk mund të injorojmë çfarë ndodh. Njerëz nga vende të ndryshme, janë shumë larg gjeografikisht nga njëri-tjetri, por në Turqi ata jetojnë në të njëjtën shtëpi si rrjedhojë e kësaj lidhjeje historike.
Ndaj dhe politika jonë e jashtme synon të vendosë rregull në të gjitha rajonet që na rrethojnë, në Ballkan, në Kaukaz dhe në Lindjen e Mesme. Sepse nëse nuk ka rregull, ne do të paguajmë një çmim. Për një perëndimor apo diplomat nga ndonjë pjesë tjetër e botës, çështja boshnjake është një çështje teknike me të cilën duhet të merremi, në nivel të një procesi teknik diplomatik. Për ne është një çështje për jetë a vdekje. Është tejet e rëndësishme.
Integriteti territorial i BiH është për ne po aq i rëndësishëm sa integriteti territorial i Turqisë. Siguria dhe prosperiteti i Sarajevës janë po aq të rëndësishme sa siguria dhe prosperiteti i Stambollit. Kjo nuk është thjesht vetëm ndjesia apo përgjegjësia e një burri shteti. Kjo është ndjenja apo emocioni që ndan çdo turk kudo në Turqi. Dhe sot po u tregoja udhëheqësve tanë këtu se kishte pasur dy demonstrata të mëdha spontane në Turqi. Njëra më kujtohet që ishte në 1993, kur në radio u njoftua se serbët kishin përdorur armë kimike në Gorazhde. Për dy orë, jo mijëra por qindra mijë njerëz u mblodhën në mënyrë spontane. Nëse do u ishte thënë të niseshin për në Bosnjë atë natë, ata nuk do mendonin të ktheheshin në shtëpi. Do fillonin të ecnin drejt Bosnjës. Kjo është se si ne jemi lidhur me njëri-tjetrin. E thënë shkurt, historia jonë është e njëjta, fati ynë është i njëjti dhe e ardhmja jonë do të jetë e njëjta. Ashtu si në shekullin XVI, ku ndodhi ngritja e Ballkanit Otoman në qendrën e politikës botërore, ne do ta bëjmë Ballkanin, Kaukazin dhe Lindjen e Mesme bashkë me Turqinë, qendrën e politikës botërore në të ardhmen. Ky është objektivi i politikës së jashtme turke dhe ne do ta realizojmë këtë. Ne do të riintegrojmë rajonin e Ballkanit, Lindjes së Mesme dhe Kaukazit, mbi parimin e paqes rajonale dhe botërore në të ardhmen. Jo për ne të gjithë, po për të gjithë njerëzimin.
Shumë faleminderit që më ftuat dhe Allahimanet!
Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 68 ndjekësve të tjerë

Këtë e pëlqejnë %d bloguesa: