Vlerat historike dhe filologjike të mbishkrimeve me alfabet arab në Shqipëri

VLERAT HISTORIKE DHE FILOLOGJIKE TË MBISHKRIMEVE ME ALFABET ARAB NË SHQIPËRI

ArabicSi trashëgimi e kulturës së periudhës osmane në Shqipëri vijnë rreth 430 mbishkrime me shkrim arab të cilat janë mbledhur me kujdes, transliteruar dhe përkthyer nga orientalisti i mirënjohur shqiptar, Vexhi Buharaja. Këto mbishkrime janë gjetur në rrethet Berat, Durrës, Kavajë, Peqin, Tiranë, Elbasan, Gjirokastër, Libohovë, Tepelenë, Përmet, Vlorë, Krujë, Lezhë dhe Shkodër.

Në përgjithësi ajo janë kronograme, epitafe të shkruara në objektet e kultit islam, si xhami, teqe, në pllaka varresh, si edhe epigrame në kështjella, kulla sahatesh, godina banimi, vepra urbanistike, çezma, kroje dhe mure rrethues. Të shkruar në pllaka gurësh gëlqerorë, në pllaka apo kolona mermeri, në pjesë të suvatuara, në material drusor apo lëkure. Mbishkrimet rrokin një hark të gjerë kohor, gati pesëshekullor, duke filluar nga viti 1446 dhe përfundojnë në vitin 1942.

Mbishkrimet hedhin dritë në disa momente të rëndësishme të historiografisë shqiptare.

Në këtë kuadër përmendim tre mbishkrime të ndodhura në fortesën e Elbasanit, që i korrespondojnë vitit 1466 dhe dëshmojnë për rindërtimin e kësaj kalaje në prani të vetë Sulltan Mehmet Khanit (Fatihut).

Vargjet: Këtë kështjellë shumë të bukur të quajtur Ijl-basan, e rindërtoi sulltani i sulltanëve të kësaj kohe (Mehmeti II), kuptohet mbas dështimit në pranverë të vitit 1466 në rrethimin e dytë të Krujës. Sulltan Mehmeti II e rindërtoi kështjellën e El-Basanit dhe la në të një pjesë të ushtrisë së tij me komandant Ballaban pashën, për ta pasur kështjellën si avampost të ushtrisë turke në inkursionet e mëvonshme kundër Krujës.

Me interes janë dy mbishkrime të vendosura njëri mbi tjetrin të skalitur në një rrasë guri me përmasa 1.20 x 0.40, që janë gjetur në murin e sipërm të kroit në krahun e majtë të rrugës që të çon në fortesën e Krujës.

Në pjesën e mbishkrimit shkruhet:

Viti i rindërtimit të murit

Mirëbërësi

Veziri i Madh, Gazi Evrenozi

Viti 850

——–

1446-1447

Mbishkrimi i poshtëm dëshmon për praninë e këtij funksionari të lartë të ushtrisë turke në rrethinat e Krujës para rrethimit të parë të saj.

Një tjetër mbishkrim i ndodhur në Lezhë dëshmon për një tjetër ngjarje historike:

Ky mbishkrim prej dy radhësh e gjysmë lidhet me restaurimin e kalasë së Lezhës. Teksti është shkruar në shkronja elegante arabe. Tipi i kaligrafisë është ai që hasim rregullisht në mbishkrimet më të hershme në vendin tonë.

Disa prej mbishkrimeve të ndodhura në Shqipëri kanë vlera historike sepse bëjnë fjalë për ngjarje të shënuara e të rëndësishme në historiografinë shqiptare.

Disa prej mbishkrimeve janë gjetur në kulla sahatesh, nëpërmjet të cilave gjykojmë saktësisht mbi kohën e ndërtimit të tyre. Kështu, mësojmë se kulla e sahatit të Kavajës është ndërtuar në vitin 1817, e Prezës në vitin 1858, e Beratit në vitin 1882, e Elbasanit në vitin 1899.

Hamamet e nxehta në Shkodër, kushtuar themeluesit të Urdhrit Nakshibendi në Shkodër, Behauddin Nakshibenduet janë ndërtuar në vitet 1627-28; banjat e ndërtuara në Tiranë nga mytesarifi i Durrësit Hasan Muharrem beu janë ndërtuar në vitin 1740. Muri në krojin e malit të Sari Salltëkut, Krujë, është ndërtuar në vitin 1780, ura në lagjen Palorto, Gjirokastër është ndërtuar në vitet 1851-52; ura në Mirakë të Librazhdit është ndërtuar në vitin 1715. Pa ekzistencën e këtyre mbishkrimeve vështirë do të ishte, për të mos thënë e pamundur, përcaktimi i viteve të ndërtimit të këtyre monumenteve të kulturës që i përkasin periudhës osmane. Nëpërmjet mbishkrimeve të vendosura në muret mbajtëse në disa kroje të Shqipërisë mësojmë për ngjarje të ndodhura apo personalitete me funksione të caktuara. Një dy-varg i gdhendur mbi një rrasë mermeri në një krua publik në qytetin e Vlorës dhe që i përket vitit 1528, na bën të njohur emrin e Iliaz pashës, i përmendur në historikun e këtij qyteti.

Ky vështrim na mundëson të ndriçojmë, të shkruajmë me vërtetësi e saktësi shumë çështje të rëndësishme të historisë së përhapjes së besimit islam në trojet shqiptare. Është hedhur mendimi se objektet e kultit islam ndër këto troje kanë ekzistuar që para ardhjes së turqve. Ky mendim mbështetet në ekzistencën e disa xhamive, si p.sh. Xhamia e Kuqe në kalanë e Beratit, e përcaktuar si e kohës së Bajazidit I (1389-1402). Por e dokumentuar ekzistenca e xhamive në Shqipëri zë fill që nga koha e sulltan Mehmetit II dhe Bajazidit II, që i përkasin kryesisht gjysmës së dytë të shekullit XV. Kësaj periudhe i përkasin disa xhami në vendin tonë, si xhamia e vjetër e Përmetit e vitit 1402, e djegur gjatë Luftës II Botërore – Xhamia e Kalasë dhe e Drishtitt në Shkodër e viteve 1479-80, Xhaminë Mbret në Berat, Elbasan (xhamia në fshatin Shtëpanj të Elbasanit në derën e së cilës është vendosur ky mbishkrim: Mirëbërësi (që ka ngritur) këtë xhami të shenjtë në katundin Shtëpanj. Fatih sulltan Mehmeti, viti 884 (1479-1480). Në Luftën Ballkanike qe djegur nga Serbia, pastaj u ndërtua nga populli i fshatit), Përmet e Kaninë të viteve 1492-95.

Gjatë shekullit XVI përhapja e besimit islam në trojet shqiptare eci me hapa të ngadaltë sepse në atë kohë mund të themi se ende shqiptarët nuk ishin ndërgjegjësuar për të përqafuar këtë besim. Kështu që gjatë këtij shekulli numri i objekteve të kultit islam mbetet i kufizuar kryesisht në disa qytete kryesore të Shqipërisë apo qendra të rëndësishme të banuara. Këtij shekulli i përkasin xhamitë e ndërtuara në kala: Ndroq, Ishëm, Kaninë, Lezhë në vitet 1521-27, Xhamia e Plumbit në Berat në vitin 1553-54, Xhamia Muradie në Vlorë e vitit 1560-66, Xhamia e Allajsë në Dibër e vitit 1588, Xhamia e Nazareshës në Elbasan – para viteve 1590.

Gjatë shekullit XVII ritmet e përhapjes së besimit islam në Shqipëri përshpejtohen. Në fund të këtij shekulli islami ishte shtrirë në qytetet kryesore të Shqipërisë: Shkodra 100%, Elbasani 79%, Kruja 63%, Berati 60%, Skrapari 87%, Korça 21%, Kavaja, Delvina dhe Lezha 2-4%. Ky fluks i besimit islam shoqërohet me ndërtimin e më shumë xhamive mbi të cilat janë lënë mbishkrime.

Udhëtari turk Evlija Çelebiu kur vizitoi Shqipërinë në vitet 1670-72, shënon në Sajjahatname se në qytetin e Elbasanit gjeti 46 xhami, në Shkodër e Berat nga 30 xhami, në Gjirokastër 8 xhami dhe më pak xhami në qytetet e tjera.

Shekulli XVIII e gjeti Shqipërinë me më shumë xhami dhe me përmasa më të mëdha. Çka do të thotë se gjatë këtij shekulli popullsia muslimane shkon në rritje, me shtrirje më të gjerë territoriale dhe me xhemat më të shumtë. Emrat e disa dijetarëve dhe mësuesve në kronogramet e disa prej xhamive dëshmon se në këtë kohë, këto objekte shërbenin edhe si shkolla të mësim-besimit. Në vitet 1722-23 ndërtohet Xhamia Ndocaj në Shkodër me kontributet e vetë banorëve të lagjes Rus. Në vitet 1727-28 në fshatin Velabisht ndërtohet një xhami dhe një shkollë nga Mahmut Pasha i Beratit. Ndër xhamitë kryesore të kësaj periudhe është ndërtuar në vitet 1773-74 Xhamia e Plumbit në Shkodër prej Mehmet pashë Bushatlliut. Gjatë kësaj periudhe të tjera xhami u ndërtuan në Vlorë, Libohovë, Gjirokastër etj.

Gjatë shekullit XIX-XX vazhdon ndërtimi i xhamive në qytetet më kryesore të Shqipërisë, si në Tiranë, Shkodër, Berat, Gjirokastër, Elbasan etj., që dëshmon për intensitet të jetës fetare në këto qytete. Më kryesoret e kësaj periudhe prezantohen: Xhamia e Beqarëve apo e Sulejman Pashës në Berat, e ndërtuar në vitet 1827-28, Xhamia Agalli e viteve 1815-16 dhe Xhamia Dunovat e vitit 1886 në Gjirokastër, e Gjin Aleksit e vitit 1880 në Delvinë, e Xhamisë Karaisaj Bimbas dhe Luguçezme në Shkodër.

Në shekullin XIX dhe në fillimet e shekullit XX ndërtimeve të reja të objekteve të kultit islam shtrihen më tepër në Shqipërinë e Jugut, kryesisht në zonën kufitare dhe në ekstremin veriperëndimor, çka vërteton drejtësinë e tezës së hedhur nga studiuesi Tomas Arnold dhe Moroko della Roka se Islami ishte besim që rrethoi si unazë refraktare trojet shqiptare dhe i mbrojti nga rreziqet dhe kërcënimet e përthithjes prej shteteve më të mëdhenj të Ballkanit.

Përveç vlerave të tyre si objekte kulti dhe monumente kulture, ato kanë qenë qendrat më të rëndësishme të atyre kohëve, sepse pranë tyre funksiononin shkolla e libroteka. Njëkohësisht, nëpërmjet njohjes së historikut të këtyre objekteve gjykohet për zhvillimet urbanistike të shumë qyteteve të Shqipërisë. Këto objekte janë bërthama dhe zanafilla e lagjeve të vjetra, shumica e të cilave mbanin emrat e këtyre objekteve kulti.

Mbishkrimet turko-osmane të qëmtuara me kujdes nga orientalisti Vexhi Buharaja na shërbejnë sot për të ndërtuar peisazhin e qytetërimit islam dhe për deduksione historike të sakta rreth përhapjes së besimit islam në Shqipëri.

Ndër këta personalitete përfshihen udhëheqës të shtetit osman, si sulltanë, sadrazemë e ushtarakë të niveleve të ndryshme që janë aktorë të ngjarjeve të mëdha. Midis tyre përmendet kështu Sulltan Mehmeti II, i cili urdhëroi rindërtimin e Kalasë së Elbasanit në vitin 1466 mbas rrethimit të dytë të Krujës. Një pllakë guri e vendosur në murin e rrugës në afërsi të Krujës dhe që mban datën 1446-47, mban emrin e komandantit turk Gazi Evrenozi, i ngarkuar për të kryer veprime ushtarake para rrethimit të parë të Krujës në vitin 1450. Po kështu, edhe mbishkrimi i gjetur në mafilin e Xhamisë Mbret në Berat dëshmon për praninë në këto qytete të sadrazemit turk Mehmet Reshit Pasha.

Disa prej mbishkrimeve na njohin me jetë pashallarësh dhe protagonistë ngjarjesh të rëndësishme. Në muzeun e qytetit të Beratit ndodhet sahani i Ali Pashë Tepelenës në të cilin shënohet data që dëshmon për rënien e pashallëkut të Beratit në vitin 1808 nën sundimin e pashait të Janinës. Ndërsa në Xhaminë Hoxharë të Libohovës gjendet një tjetër mbishkrim që i thur lavdi veprave të pashait të Janinës.

Shumë mbishkrime të ndodhura ende në teqen e halvetive në Berat dhe të shkruara në pllaka mermeri e guri si edhe në pjesët drusore të interierit të kësaj teqeje na njohin me jetën dhe veprën e Kurt pashait që sundoi pashallëkun e Beratit nga viti 1760-1785. Kurt pasha cilësohet në këto mbishkrime si urdhëruesi i veprave të mira, midis të cilave ura e Goricës, teqja halveti, etj. Ai përmendet edhe për fitoren e vitit 1775 kundër Karamahmud Pashë Shkodranit (Bushatllinjtë).

Një mbishkrim i ndodhur në xhaminë e fshatit Velanisht në Berat na bën të ditur vitin  1727-28 si vit i vdekjes së Mahmut Pashës, themelues i pashallëkut të Beratit. Një mbishkrim i ndodhur në lagjen Agalli të qytetit të Libohovës i përket Abas Agait, oficer i lartë i ushtrisë perandorake, rënë dëshmor në vitin 1897.

Mbishkrimi i ndodhur në Xhaminë e Beqarëve në Berat, që i përket viteve 1852 dhe i shkruar nga poeti turk Arif Hikmet na bën të ditur vdekjen e Sulejman Pashës, i biri i Ibrahim Pashë Vlorës dhe nipi i Kurt pashës. Mbas vdekjes së Ali pashait në vitin 1821, Sulejmani u rehabilitua nga sulltani dhe u emërua Mytesarif i Beratit në vitet 1822-1830. Mbas viteve 1830 Sulejmanin e shohim në pozicionin e bejlerbeut të Rumelisë.

Disa prej mbishkrimeve u përkasin funksionarëve të lartë të fesë islame. Nga një mbishkrim i gjetur në Xhaminë Mbret, Berat, mësojmë se në vitin 1833, myfti i Beratit ka qenë Nuh efendiu, i cili në këtë xhami ka përgatitur shumë kuadro fetarë për të gjithë Shqipërinë e Jugut dhe veprën e tij e vazhdoi myfti Ahmet Efendi në vitet 1866-1878. Në Xhaminë e Vakëfit në Berat, që i përket vitit 1925 bën fjalë për vdekjen e hoxhës Selman Hoxha, ndërsa nga mbishkrimi i ndodhur në derën e xhamisë së Et’hem beut mësojmë për themeluesin e këtij objekti nga Mulla beu në vitin 1793.

Në disa prej mbishkrimeve vërehen përpjekje për paraqitjen e përmbajtjes në formë poezish në vargje, kryesisht në formë distikësh, si p.sh. kronogrami i shkruar nga myftiu i Shkodrës, Myrteza efendiu, që ka jetuar në gjysmën e dytë të shekullit XVIII dhe që është autor i disa poezive dhe ilahive në gjuhën shqipe me alfabet arab. Krijimtaria e këtij autori dallon për nivelin e lartë artistik dhe mesazhet që përcjell.

Në mbishkrimet e gjetura në teqenë Radë të Durrësit (1851), dhe në xhaminë Çamorrat në Gjirokastër gjejmë vargje të poetit Xhelaludin Rumiu.

Në teqenë e Radës në Durrës gjejmë këtë hadith të profetit Muhamed (a.s.):

“Fito dituri nga djepi deri në varr.”

Në Xhaminë e Agait në Elbasan gjejmë një poezi prej tetë vargjesh, që mund të konsiderohet nga më të arrirat dhe ku respektohen rregullat e stilistikës dhe të metrikës.

Siç shihet në këto mbishkrime vërehen përpjekje për lëvrimin e prozës dhe poezisë. Në to gjenden shumëllojshmëri rimash.

Stilet kryesore të kaligrafisë së mbishkrimeve turko-arabe në Shqipëri zhvillohen nën ndikimin e artit arab në dekorin e modelin “Kufi” si stil formal me karakter të hollë.

Shkrimi kufi më tepër është përdorur nga dijetarët dhe hoxhallarët e niveleve të larta. Shkrimi ka përmasa të veçanta proporcionale si dhe forma këndore, katrore të theksuara, ka vija horizontale të zgjatura, ka përmasa më të theksuara në gjerësi sesa në lartësi. Këtë stil shkrimi e ndeshim më shumë në mbishkrimet e fortesës së Elbasanit si dhe të Lezhës.

Modelin e shkrimit Ta’lik (i varur) e ndeshim më dendur në mbishkrimet me alfabet arab në Shqipëri.

Stilin Ta’lik e gjejmë të përdorur si një shkrim monumental, në poezi dhe në vepra letrare.

Modelin e shkrimit “Thuluth” e gjejmë në mbishkrimet: Xhamitë Mbret në Berat, Durrës, Përmet, Kubelije në Kavajë, Kryeurë në Shkodër, në xhaminë e Ali Pashë Tepelenës, në teqetë e Krujës, në xhamitë e Lezhës dhe të Gjirokastrës.

Ky lloj shkrimi tipizohet nga shkronja të harkuara, të zbukuruara me xhufka. Shkronjat lidhen bukur e madje ndonjëherë ngërthehen duke krijuar kështu një rrjedhë kursive të përpjestimeve të plota dhe shumë herë komplekse.

Në odeonin e kulturës shqiptare qëndrojnë plejada alhamiadistësh të shquar, të cilët me alfabetin arab që prej shekullit XVII i dhanë letërsisë shqipe shumë vepra.

Mbishkrimet përbëjnë një lloj zhanri në letërsinë shqipe që pa dyshim kërkonin dije, kulturë dhe aftësi; kërkonin zotërues të mirë të gjuhëve të huaja, njohuri të kompozimit të përmbajtjes dhe të vargjeve, aftësi për të shprehur bukur e qartë idetë. Disa prej këtyre autorëve të kronogrameve, ilahive, elegjive, janë skalitur në këto mbishkrime.

Nga hulumtimi në përmbajtjen dhe në formën e mbishkrimeve konkludohet se autorët e tyre kanë njohur me themel të tri gjuhët e kulturës islame dhe kanë zotëruar shprehitë e vargëzimit. Këta autorë kanë shkruar kronograme të shkathëta e të bukura të paktën në formë e disa prej tyre edhe me pretendime etike. Sfondi i mbishkrimeve përgjithësisht paraqitet i thjeshtë, por nuk mungojnë edhe përpjekjet artistike. Në disa prej tyre janë bërë vizatime të thjeshta, si lule, gjethe, zogj, kuaj, simbole fetare, dekoracione, vija të drejta, paralele, të thyera, rrathë, zbukurime me forma gjeometrike. Në këtë vështrim, mbishkrimet na mundësojnë të hedhim dritë mbi zhvillimet e artit figurativ islam në Shqipëri. Nëpërmjet krahasimit të mbishkrimeve në kohë gjykohet për një përsosje drejt një kaligrafie me vlera artistike.

Konkluzione

1. Si pjesë e trashëgimisë kulturore materiale, mbishkrimet me alfabet arab dëshmojnë për momente e ngjarje madhore në historiografinë shqiptare.

2. Hedhin dritë mbi jetën dhe veprën e personaliteteve që lanë gjurmë në historinë shqiptare përgjatë periudhës osmane. Na lejojnë të ndjekim për së afërmi që në fillesat e pushtetit osman formimin e një shtrese feudalësh dhe personalitetesh vendës në kuadrin e klasës sunduese turke.

3. Saktësojnë datat e ndërtimeve të shumë monumenteve të kulturës shqiptare si objekte të kultit islam, fortesa, kulla sahatesh, ura, çezma të ndërtuara në një hapësirë pesëshekullore historike.

4. Mbishkrimet përbëjnë fushë pjellore studimi për gjuhëtarët dhe leksikologët e gjuhës shqipe. Përmbajnë material të pasur për njohjen e të folmes së kohës si dhe fushën e toponamistikës dhe antroponimisë.

5. Pavarësisht nga tematika e tyre e kufizuar ato na japin materiale plotësuese që konfirmojnë të dhënat prej burimeve të tjera në fusha të caktuara studimesh historike dhe filologjike dhe përforcojnë e mbështesin disa prej hipotezave të ngritura.

6. Alfabeti arab u shërbeu shqiptarëve për t’u shkolluar e për të krijuar e ruajtur kulturën e tyre duke u përcjellë brezave, arritjet e larta të kulturës, shkencës dhe artit që vinin nga lindja islame dhe që si dritë feneri përshkonin errësirën mesjetare.

7. Me alfabetin arab 70% e shqiptarëve mësuan të lexonin librin e Kur’anit, hadithet e profetit Muhamed (a.s.) dhe të përvetësonin bazat dhe parimet e besimit islam.

 

/Orientalizmi Shqiptar/

 

About these ads
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 69 ndjekësve të tjerë

Këtë e pëlqejnë %d blogues: