Home > Edukim > Në Universitetin e Tiranës doktoroi studiuesi nga Prishtina Sadik Mehmeti

Në Universitetin e Tiranës doktoroi studiuesi nga Prishtina Sadik Mehmeti

Ramadan SHKODRA

 

NË UNIVERSITETIN E TIRANËS DOKTOROI STUDIUESI NGA PRISHTINA SADIK MEHMETI

Sadik Mehmeti gjatë prezantimit të doktoraturës

Dr. Sadik Mehmeti gjatë prezantimit të doktoraturës

Zhvillimi i shkollave dhe i arsimit në Kosovë duke filluar nga dekada e katërt e shekullit XIX e deri më largimin e Perandorisë Osmane nga këto anë, më 1912, përkatësisht gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare, është tema bosht e punimit të doktoraturës, me titull “Arsimi në Kosovë gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare (1830-1912)”, të cilën ditën e mërkurë më 25 shkurt 2015, në Universitetin e Tiranës, Departamenti Histori dhe Filologji, Dega Histori, para komisionit në përbërje: Prof. dr. Ferid Duka-mentor, Prof. dr. Ajet Shahu-kryetar, Akademik Marenglen Verli, Prof.dr. Fatmir Rama, Prof.dr. Jani Sota dhe Prof.dr. Ledia Dushku – anëtarë, studiuesi Sadik Mehmeti mbrojti me sukses dhe mori gradën Doktor i shkencave historike.

Në studimin e tij, Sadik Mehmeti synon të hedh dritë mbi zhvillimin dhe dinamikën konkrete të arsimit në Kosovë gjatë këtij harku kohor. Objekt trajtimi dhe analizash janë bërë çështjet themelore të zhvillimit të arsimit në Kosovë, veçoritë specifike, figura të shquara të arsimit në këtë trevë, arritjet dhe mangësitë, si dhe ndikimi i arsimit në jetën publike dhe shoqërore në Kosovë dhe më gjerë. Në Hyrje, janë trajtuar Rrethanat politike-shoqërore në Kosovë (1830-1912)”.

Në kreun e parë janë trajtuar shkollat osmane në Kosovë, ku u konstatua se në Kosovë, krahas shkollave fillore klasike (sibjān meketebeve) dhe medreseve, që kishin një vazhdimësi që nga shekujt e kaluar dhe që ishin shkolla me karakter ekskluzivisht fetar islam, – nga fillimi i gjysmës së dytë të shek. XIX filluan të hapen në Kosovë edhe shkollat publike, siç ishin shkollat fillore moderne (mektebet iptidāije), shkollat e mesme të ulëta (rushdije), shkollat e mesme të larta (idādije) dhe shkollat normale (dārulmuallimīn), të cilat ishin me karakter laik.

Kurse në kreun e dytë janë trajtuar shkollat e larta islame medresetë, të cilat në Kosovë kanë një traditë të hershme që para vitit 1573 me medresenë e Mehmet Pashës në Prizren. Pas kësaj medrese u hapen edhe në qytete të tjera, kurse shek. XIX dhe në fillimi të shek. XX në Kosovë ekzistonin 14 medrese; katër në Prizren, dy në Gjakovë, dy në Pejë, dy në Vushtrri, një Mitrovicë, një në Gjilan, një në Opojë dhe një në Dobërçan, të cilat i vijonin një numër i madh i nxënësve nga treva të ndryshme, madje edhe jashtë Kosovës.

Në këto institucione arsimore zuri fill dhe u intensifikua përpjekja për futjen e gjuhës shqipe në shërbime të fesë islame në xhami dhe jashtë saj. Në këtë drejtim dallohen pedagogët: Tahir Gjakova, Sheh Mala nga Rahoveci, Selim Drejta nga Vushtrria, Mehmet Sezai nga Prishtina, Vejsel Xhelaludin Guta nga Ferizajt, Hysen Statovci nga Prishtina, Mehmet Salihu.

Në kreun e tretë janë pasqyruar të dokumentuara shkollat katolike në Kosovë, ku studiuesi ka nxjerrë përfundimet se duke përfituar nga të drejtat e reja politike dhe administrative të jomyslimanëve në kuadër të Perandorisë Osmane.

Kreu i katërt i punimit  trajton shkollat serbe në Kosovë. Përveç shqiptarëve myslimanë dhe katolikë, – që ishin pjesa dërrmuese e popullatës, – në Kosovë jetonte edhe komuniteti i serbëve ortodoks, të cilët deri në gjysmën e dytë të shek. XIX, pothuajse gjithë jetën e tyre fetare dhe kulturore e zhvillonin rreth manastireve.

Si përfundim u tha se se pavarësisht nga organizimi dhe veçoritë e shkollave dhe arsimit në Kosovë dhe me gjithë vështirësitë me të cilat janë ballafaquar ato në periudhën midis viteve 1830-1912, kontributi i tyre në procesin e zhvillimit dhe të emancipimit të shoqërisë në Kosovë, nuk mund të mohohet.

Punimi i vlerësua lartë nga anëtarët e Kosmisionit dhe u tha se është një kontribut i ri, me të dhëna të reja, i mbështetur mbi dokumente të panjohura ose më pakë të njohura deri më sot, për se edhe u vlerësua me pikët maksimale.

Dr. Sadik Mehmeti ka lindur në fshatin Kuk të Opojës. Aktualisht është punonjës shkencor në Arkivin e Kosovës dhe ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë. Është autor i dhjetëra librave e punimeve shkencore si dhe pjesëmarrës në shumë konferenca shkencore në vend, rajon e më gjerë.

  1. No comments yet.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.