Arkiv
Interesimi i vëllezërve Frashëri për Çamërinë ka qenë i jashtëzakonshëm
Dr. Laurant BICA
INTERESIMI I VËLLEZËRVE FRASHËRI PËR ÇAMËRINË KA QENË I JASHTËZAKONSHËM

Vëllezërit Frashëri
Naim Frashëri kaloi mbi 15 vjet në Çamëri
Naim Frashëri bashkë me rilindësit e tjerë kur nxori revistën “Drita”, “Dituria” më 1884 në Stamboll në gjuhën shqipe, një nga shkrimet e para të tij do të ishte për Epirin – Çamërinë. Kjo, veç të tjerash, fliste për atë se ai, sikurse vëllezërit e tjerë të tij, i vinte një rëndësi të veçantë Çështjes së Çamërisë. Për këtë problem madhor të kombit tonë, se si ishte ai në optikën e Frashërllinjve të mëdhenj veç e veç dhe të gjithëve bashkë, po ashtu dhe dy rilindësve të tjerë, bijë të saj, si Hasan Tahsini dhe Abedin Dino do të flasim në këtë bisedë. Ndërkohë s’mund të anashkalojmë Ismail Qemalin, rilindas dhe ky, shok e mik i tyre, artizani dhe simboli më pas i Pavarësisë kombëtare. Njëkohësisht do t’i shohim në raportet që kanë me njëri tjetrin. Pra janë pesë shtylla mbi të cilat ngrihet sythi i parë i trajtimit tonë. Frashërllinjtë, Çamëria, Hasan Tahsini, Abedin Dino e Ismail Qemali.
Ju në një kumtesë për vëllezërit Frashëri dhe Çamëria e shtruat këtë lidhje në katër plane. Cilat janë ato?
Plani i parë është ai kronologjik dhe përfshin periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, periudhën e pavarësisë, të pasluftës së parë botërore, të pasluftës së dytë botërore, të pas 1990, duke ardhur deri në ditët tona. Nuk është thjesht problemi i luftës për pavarësi apo i shpalljes së saj, po është dhe problemi akoma më i vështirë i ruajtjes së saj, i mbrojtjes së saj, i ripohimit të saj dhe i konsolidimit dhe forcimit të saj deri në ditët tona. Kjo bile ka qenë shqetësimi i vazhdueshëm i rilindasëve tanë, i pasardhësve të tyre, me breza deri në momentet aktuale. Në këtë 100 vjetësh të rrugëtimit të shtetit shqiptar, Pavarësia e Shqipërisë dhe pavarësimi i trojeve etnike jashtë Shqipërisë, kanë qenë problemet kardinale që kanë preokupuar, kanë dashur apo s’kanë dashur, çdo qeveri të çdo kohe që ka qenë në krye të shtetit të brishtë shqiptar. Një plan tjetër apo këndvështrim në lidhje me temën në fjalë është problemi i paraardhësve dhe pasardhësve të rilindësve që përmendëm më lart, i cili flet në të mirë apo është plotësim i figurës së Frashërllinjve, të Hasan Tahsinit, Abedin Dinos e Ismail Qemalit e të ndonjë rilindësi tjetër që është në themelet e Rilindjes sonë kombëtare.
Natyrisht problemi do të ishte i mangët në shqyrtimin e tij në qoftë se nuk do ta shihnim në një plan tjetër në të tre aspektet përkatëse: para krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, gjatë ekzistencës së saj dhe pas shtypjes së saj. Dhe së fundi një plan që do ta kompletonte shtjellimin tonë do të ishte ai që do ta shihte në të tre momentet e tij: Para shpalljes së Pavarësisë, gjatë ekzistencës së shkurtër të shtetit të ri shqiptar me në krye Ismail Qemalin dhe pas shpalljes së saj, pra ngritjes së flamurit në Vlorë e në dekadat që e pasuan. Në epiqendër të këtij trajtimi mbeten rilindësit tanë të Frashërit dhe bashkëluftëtarët e tyre si: Hoxhë Tahsini, Abedin Dino dhe Ismail Qemali. Natyrisht shtjellimi i detajuar do të kalonte caqet e një bisede si kjo, ndofta mund të shkruhej dhe një libër, sepse interesimi i Vëllezërve Frashëri për Çamërinë ka qenë i jashtëzakonshëm, i vazhdueshëm, jetik për ta e çështjen kombëtare. Dhe jo thjesht vetëm për ta, por ai u përcoll si një amanet i patjetërsueshëm dhe i përhershëm tek bijtë e nipërit, stërnipërit e krejt pasardhësit e tyre deri në ditët tona.
Po le t’i marrim gjërat me radhë. Cili ka qenë interesimi dhe ndihmesa e poetit tonë dhe veprimtarit tonë kombëtar Naim Frashëri për Çamërinë?
Naimi kaloi mbi 15 vjet në Çamëri si student në Janinë, si drejtor i doganës në Sarandë, nja dy vjet për klimë në fshatrat e Çamërisë, dhe disa vjet në kryeqendrën e vilajetit tonë të jugut, në Janinë. Çamët dhe Çamëria kishin hyrë thellë në shpirtin e Naimit, ishin pikë e dobët e tij. Naimi e dinte me themel nëndialektin e Çamërisë. Tek “Bagëti e Bujqësia” kur i drejtohet dallëndyshës “Eni vjen prej Çamërie” “me milëra fjalë e me gluhë perëndie” ai vetëm sa ngreh siparin. Për gati dy dekada ai i ra kryq e tërthor Çamërisë dhe ky është nëndialekti që dëshmon, më shumë se çdo gjë tjetër, lashtësinë e gjuhës shqipe e sa kishte hyrë thellë tek Naimi.
Për llogari të albanologut francez Ogyst Dozon, Naimi do të mbledhë fjalë të urta përfshi dhe proverba çame. Naimi do të punonte sheshit e me dëshirë të zjarrtë nga Janina, kryeqendra e Vilajetit të Jugut në dobi të kauzës shqiptare, të pavarësisë shqiptare, na bëjnë me dije konsujt e huaj të akredituar aty. Naimi do të ketë si mësues në Stamboll bashkë me të vëllanë Samiun, çamin Hoxha Tahsin, rilindësin tonë të njohur. Në Stamboll ai do të ishte në kontakt edhe me mikun tjetër të Frashërllinjve dhe të Hasan Tahsinit e Abedin Dinos, Ismail Qemal vlonjatin.
Po Sami Frashëri?
Sami Frashëri vëllai i Naimit do të kalonte 6-7 vjet në Janinë dhe në kohën kur ndodhi agresioni për marrjen e Çamërisë me zbarkimin e fshatin Lëkurës të Sarandës në fillim të 1978 Samiu u ndodh në krah të Abedin Dinos dhe bashkë me Hoxha Tahsinin e të tjerë i bënë ballë ndërhyrjes greke. Sami Frashëri përreth një vit qe sekretar i Komisionit të rekrutimit pranë Abedin Dinos. Është po ky Sami që në enciklopedinë e vet 6 vëllimshe flet gjerë e gjatë për çamët e Çamërinë, për Thesprotinë e lashtë, për Epirin, për Suljotët, për Vilajetin e Janinës, duke na dhënë një informacion të begatë për vendet e personalitetet e trevës tonë më jugore.
Në zërin për Shqiptarët në enciklopedi, ai përmend dy dijetarë, një çam, Hoxha Tahsinin dhe një kosovar, Ali Efendi Jakova si më përfaqësuesit e shqiptarëve. Ta nuhaste tragjedinë që do të ndodhte më vonë…krahinave? Të jetë kjo thjesht një rastësi? Zatën kurbani i krahinave shqiptare kish filluar që në të gjallët e tyre: sanxhaku i Nishit si pjesë e vilajetit të Kosovës dhe sanxhaku i Thesalisë, bashkë me qytetin e Artës, u morën me dhunë e me diplomaci nga fqinjët grabitqarë të veriut e jugut. Samiu me Naimin qenë nxënës të Hoxha Tahsinit dhe miq të ngushtë me Abedin Dinon dhe Ismail Qemalin. Faktet që i provojnë këto janë të panumërta dhe njeriu s’di ç’do verë më parë në një kumtesë si kjo.
Abdyl Frashëri
Abdyl Frashëri, vëllai i madh mbodhi farën e atdhetarizmit, të lirisë gjithandej në trojet shqiptare. Ai shkoi në kabinetet e Evropës për të mbrojtur çështjen shqiptare, sidomos të Epirit, bashkë me Mehmet Ali Vrionin, e duke pasur mbështetje të fortë birin e Çamërisë, Abedin Pashë Dinon. Në udhëtimet e tij në Evropë për të mbrojtur Çamërinë, ai shkriu 7 barrë flori, kurse kryetari i Lidhjes Shqiptare për Jugun e Shqipërisë, Abedin Dino, shiti 2000 hektarë tokë dhe parët e nxjerra i përdori për nevojat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Rilindësit tanë dikur prishën pasurinë për të bërë Shqipërinë, shtetin shqiptar të pavarur dhe s’pyetën për çifligjet e tyre, kurse sot, me ndonjë që e gjeti Shqipërinë të hazërtë nga gjaku i derdhur e sakrificat e panumërta të bëra, po na ndodh e kundërta, për të mbushur xhepat e tyre. Abdyli ishte ai që me ndihmën e Abedin Dinos firmosi letrat e përfaqësimit në Çamëri dhe në krye të një delegacioni prej levendesh, të dalë nga kuvendi i Dibrës, u ngarkua për t’i paraqitur sulltanit kërkesën për një autonomi territoriale administrative të Shqipërisë.
Nuk ka memorandum, sidomos në Jug, në mbrojtje të Çamërisë, që të mos jetë në krye firma e Abdyl Frashërit. Ishte po ky Abdyl që bashkë me Abedin Dinon ju kundërvunë në Mbledhjen e Prevezës të 1879, bënë të dështojnë grekët me pretendimet e tyre shoviniste për të grabitur Çamërinë. Në saje të tij, të Abedin Dinos, të Hasan Tahsinit Çamëria dhe Janina edhe për 35 vjet të tjera arritën të ishin në duart e shqiptarëve. Meritat e Abdylit për Çështjen Çame janë të pakontestueshme. Abdyli ka qenë në bashkëpunim të ngushtë me Hoxha Tahsinin jo vetëm më 1878 në Komitetin e Stambollit, por edhe në përpjekjet për krijimin e Shqipërisë Diturake të Stambollit. Ndërsa me Ismail Qemalin ka qenë në bashkëpunim në vitet 1876-1877 kur ishte deputet në parlamentin osman, në komitetin e Stambollit e në një varg veprimtarish të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Po të flasim për patriotët çamë Hasan Tahsinin e Abedin Dinon, për lidhjet e tyre me Frashërllinjtë?
Ndërsa po të flasim për Hasan Tahsinin e Abedin Dinon, për lidhjet e tyre me Frashërllinjtë dhe Ismail Qemalin do të duhej të mbusheshin libra të tërë për çka kanë bërë për Çamërinë. Ata vetë ishin bijë të Çamërisë. Hasan Tahsini i ra kryq e tërthor qyteteve e fshatrave të Çamërisë e të Shqipërisë. Ai ka qenë mik i peshkopit ortodoks nga Paramithia Anthim Cacos, i cili në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit përktheu në shqip sikurse Martin Luteri Ungjillin, Biblen. Qëllimi atdhetar pse u bë pikërisht në vitet e stuhishme të Lidhje Shqiptare duket sheshit. Interesant, të dy edhe klerikë të feve të ndryshme por edhe dijetarë e diturakë të mëdhenj. Për ta Shqipëria ishte mbi të gjitha! Kori rilindës në Stamboll kish në krye në këtë kohë një Hasan Tahsin, Frashërllinjtë, një Abedin Dino, një Ismail Qemal, një Pashko Vasë e shumë e shumë të tjerë. Po, këta ishin maja e Rilindjes, por po të përdorim shprehjen e Mit’hat Frashërit, njerëz të mëdhenj, udhëheqës dhe shembull, që lanë gjurmët dhe vazhdën mbi karakterin dhe fatin e vendit, që u bënë mëndja dhe shpirti i kombit.
Po kush ishin këta rilindës të shquar që influencuan dhe frymëzuan kombin drejt pavarësisë kombëtare, drejt shtetit të pavarur shqiptar? Cilët janë paraardhësit dhe pasardhësit e tyre?
Duke i parë në këtë suazë do të kuptojmë më mirë vendin që zënë në Rilindje dhe rolin që luajtën në të. Frashërllinjtë ishin bijtë e Halit Frashërit, i cili së bashku me Iliaz Pashë Dibrën në krye të forcave vullnetare shqiptare, luftuan për mbrojtjen e Çamërisë dhe Thesalisë për t’i bërë ballë invazionit të bandave të andartëve grekë, të armatosur, të organizuar në territorin e Greqisë dhe që u futën fshehurazi në Epir e Thesali nën komandën e gjeneralit grek Grivas në vitin 1854. Hasan Tahsini ishte i biri i Osman Efendi Hoxhës, i cili shërbeu në të dy pashallëqet shqiptare të Bushatllinjve dhe të Ali Pashë Tepelenës dhe si atdhetar u përpoq për afrimin e tyre. Ai ishte dijetar, mësues, jurist dhe një intelektual nga më të shquarit e kohës me standarde shumë të larta.
Abedin Dino ishte djali i Ahmet Dinos, një nga figurat më eminente atdhetare në Çamëri që mori pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit, u internua në Anadoll, në Konja, ku edhe vdiq. I ati i Ismail Qemal Vlorës, Mahmud Vlora, siç del edhe nga Kujtimet e tij, ishte një nga njerëzit më të kulturuar të kohës, jo thjesht në Shqipëri, por më tej, iluminist me pikëpamje liberale për kohën, me miq të shumtë të shquar të familjeve fisnike brenda e jashtë Perandorisë Osmane, në Evropë. Ishte pinjoll i një familjeje fisnike të Vlorës, që i kish rrënjët disa shekullore. Ndonjë burim i nxjerr si vazhdues të Arianitëve të kohës së Skënderbeut. Gjyshi i Ismail Qemalit, me të njëjtin emër, Ismail Bej Vlora, u vra në Janinë dhe ishte një nga atdhetarët më në zë të kohës sikurse dhe i ati. Dardha nën dardhë bie! Le të vazhdojmë më tej. Linja është e njëjtë dhe tepër e kjartë. Patriotizmi nuk vdes kurrë tek këto familje të rrënjës. Po le të ndjekim pasardhësit e tyre, sepse me përjashtim të Ismail Qemalit, të gjithë të tjerët nuk arritën të shohin ditën e bukur të Pavarësisë të Shqipërisë, të cilën e ëndërruan tërë jetën, u përpoqën për të, u bënë terror për të dhe me të në mendje e në zemër mbyllën sytë!
Djali i Abdyl Frashërit, Mit’hati, mori pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë dhe ishte firmëtar i aktit të Pavarësisë. Dhëndri i Naimit, që kish marrë për grua bijën e tij të adoptuar, Asije Frashëri, Murat Toptani, ishte në Kuvendin e Vlorës në krah të Ismail Qemalit bashkë me kushëririn e vet të parë Abdi Toptanin. I ati i Muratit, Seit Toptani, ishte mik për kokë dhe si vëlla i vëllezërve Frashëri në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mit’hati ishte njëkohësisht dhe djalë i adoptuar i Sami Frashërit. Pra në një mënyrë ose tjetër të tre Frashërllinjtë e Mëdhenj ishin në festën e madhe të Pavarësisë, të përfaqësuar denjësisht në Vlorë 100 vjet përpara. Ç’të flas për Dinejtë, Dinot e Çamërisë, të Prevezës? Rasih Dino, i biri i Abedinit, qe krahu i djathtë i Ismail Qemalit në Londër, në mbrojtje të pavarësisë së tërësisë tokësore të Shqipërisë.
Dy, tre memorandume të shkruara prej tij në mbrojtje të viseve shqiptare janë dëshmia më e mirë e patriotizmit të tij të kulluar dhe e fjalës së zjarrtë dhe penës së tij të mprehtë! Zëri i tij gjëmoi me forcë në Londër në mbrojtje të kufijve të Shqipërisë etnike. Hasan Tahsini nuk pati fëmijë, por pati nipër të mbarë që ecën në gjurmët e tij dhe lanë gjurmë atdhetarie deri në Pavarësi e pas saj, madje deri në ditët tona. Bilal Hoxha, Usni Hoxha janë dy nipër me emër të madh patriotik. Ky i dyti përmendet edhe si udhëheqës i një kryengritjeje të bërë në Filat të Çamërisë në fillim të viteve 1900. Një nip tjetër i tij, i diplomuar në Stamboll në shkollën Mylkije për jurisprudencë, i përmendur si prokuror i shkëlqyer në Gjirokastër, Ismail Mudea, djali i motrës së Hoxha Tahsinit, mori pjesë si delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e madh të Vlorës më 1912. Burimet e kohës e përmendin si intelektual të rrallë dhe shqiptar të klakët.
Pra tërë rilindësit e sipërpërmendur, përfshi Vëllezërit Frashëri, ishin në pavarësi, shpirtrat e tyre ishin n’atë sallë, ku u firmua akti solemn i shpalljes së Shqipërisë së mosvarme, 100 vjet më parë. Duart e tyre ndonëse dridheshin, ishin të shkrira me dorën e plakut Vlonjat, shokut, mikut, vëllait të tyre, rilindësit Ismail Qemali, ishin aty me duart e bijve dhe nipërve të tyre. Ndonëse s’qenë fizikisht, ata ishin firmëtarët e vërtetë të pavarësisë. Të gjithë ata, me në krye Naimin, u shkrinë si qiriri, për atë pavarësi të bekuar!
Por s’ishte e thënë që shqiptarët ta gëzonin pavarësinë e tyre?
Luftërat ballkanike, lufta e parë botërore, lufta greko-turke, lufta e dytë botërore e ngjarje të tjera që erdhën më pas nuk i lanë shqiptarët asnjë minutë rehat. U desh që ajo pavarësi e fituar me lumenj gjaku e me përpjekje mbinjerëzore me pushkë e me penë, të ruhej, të mbrohej e të ripohohej përsëri e përsëri gjatë një shekulli po në të njëjtën mënyrë. Haraç të madh gjaku ka paguar populli ynë për të siguruar pavarësinë e cunguar të Shqipërisë këto 100 vjet. Mbi gjysma e territoreve shqiptare u bë kurban në favor të fqinjëve të pangopur shovinistë. Kosova e Çamëria dhe Kosova Lindore mbetën nën zgjedhën e huaj këto 100 vjet dhe ende një pjesë e tyre e vuajnë këtë robërim.
Ç’u bë me Çamërinë pas shpalljes së Pavarësisë?
Ç’u bë me Çamërinë pas shpalljes së pavarësisë kjo dihet. Por ajo që dihet dhe nuk dihet mirë, është se Frashërllinjtë, dinastia Dino me dy degët e saj të Prevezës e të Paramithisë, pasardhësit e profesor doktor Hasan Tahsinit dhe të plakut të Vlorës nuk e ulen flamurin e shqiptarizmit dhe ashtu me zjarr siç mbrojtën tërë Shqipërinë, mbrojtën edhe Çamërinë, ngritën zërin në kupë të qiellit për të drejtat e nëpërkëmbura të saj nën robërinë e grekut. Çamëria, krahina më jugore shqiptare, bashkë me kryeqendrën e saj tradicionale, Janinën, ka qenë e lidhur ngushtë me Labërinë. Kanë qenë në shekuj bashkë që nga lashtësia, si ata binjakët siamezë. Kur teshtinte njeri, teshtinte edhe tjetri. I kanë dalë zot bashkërisht në stuhitë e kohërave njëra tjetrës e mbarë vatanit. Kur kish nevojë Çamëria, turrej Labëria në mbrojtje të saj e anasjelltas. Poeti popullor ka kënduar:
Gjithë djemtë e Shqipërisë!
Ndërsa nga koha e Ali Pashë Tepelenës na vjen si jehonë e thellë kjo strofë:
Luftuan me Ali Pashanë
Ata vunë kryet poshtë
Me kordhë në dorë u vranë!
Më duhet të sqaroj se ata gegë kanë qenë mirditorët në shërbim me rrogë të pashait tepelenas, kurse tre mijë toskët, kanë qenë lebërit, çamët dhe suljotët që bënë dhe qëndresën e fundit të Luanit të Janinës dhe u vranë si burrat me armë në dorë.
Ç’bëri Ismail Qemali në 1912 për ngritjen e minishtetit shqiptar?
Tërë vëmendja e tij u përqendrua tek Vilajeti i Janinës, te Janina e Çamëria. Rezistencën çame e labe e organizoi për aq sa mundi dora e Plakut të Vlorës. Ai bëri të pamundurën dhe çamët e lebërit luftuan si burrat e ranë në fushën e nderit në betejat e “Pesë puseve” dhe të Bezhanit etj.. Heroizmi e rezistenca e tyre s’kanë të përshkruar. Mjafton të lexosh në arkivin e Institutit të Kulturës Popullore, atë të Antropologjisë dhe do të gjesh thesare në lidhje me luftën e bërë për të mos rënë Janina në duart e grekut. Plaku i Vlorës bëri të pamundurën siç e bëri edhe popullata e Çamërisë, Janinës e Labërisë. Janina ra më së fundi, ndofta me tradhti, por epopeja çamo-labe dhe e plakut të Vlorës hyri e mbeti në histori. E thërriste gjaku i të parëve, gjaku i shqiptarit, geni, instinkti i mbrojtjes së Çamërisë i ngulitur në shekuj në Labëri, aq më tepër tek fisnikët si Ismail Qemali. Përpjekjet e Ismail Qemalit s’pushuan asnjëherë, por as edhe të Dinove. Rasih Dino me familjen u zhvendos në Zvicër, siç u zhvendos dhe Mih’tat Frashëri. Frashërllinjtë, Dinot, Vlorajt s’lanë gur mbi gur edhe në Konferencën e Versajës për të shpëtuar Shqipërinë e Çamërinë. Siç tregon në kujtimet e veta Abedin Dino (i Riu), piktori, “shtabin” e vetë të luftës pasardhësit e rilindësve e ngritën në Zvicër.
Familja e Dinove shihte që Rasihu me vajzën e madhe Lejlanë që e kish si sekretare, përkthyese, ndihmëse, ‘zhdukej” me muaj të tërë në Paris, pa ditur se ç’bëhej. Familja s’merrte vesh gjë. Dihej që punohej për Shqipërinë e Çamërinë e vetëm kaq. Më tej asgjë s’pipëtinte. Mitati do të shkruante nga Gjeneva me dhjetëra artikuj studimorë për çështjen e Shqipërisë e të Çamërisë e të Kosovës në frëngjisht, për të sensibilizuar opinionin botëror e ndikuar mbi konferencën e Versajës në Paris. Të nxitur, përkrahur e mbështetur financiarisht nga Partia Politike Kombëtare që e krijuan kryesisht çamët e Amerikës do të gjejmë në Paris delegacionin e kryesuar nga Ismail Qemali e Parashqevi Qirjazi. Një Frashërlli tjetër në krye të Qeverisë së Durrësit, kushëri i parë i rilindësve tanë Abdyl, Naim e Sami, Turhan Pasha Përmeti do të kryesonte dërgatën që vinte nga Shqipëria për të mbrojtur çështjen shqiptare, kufijtë e Shqipërisë. Në krye të partisë çame ishin figura të tilla si: Beqo Izet Kushi dhe Asaf Ajdonati, pasardhës të Hoxha Tahsinit në mos në gjak, kishte dhe të tillë në role e mendime.
Pra të katër Frashërllinjtë, Dinot, Vlorajt dhe pasardhësit e Hoxhë Tahsinit ishin dhe atje ku u shfaq rreziku më i madh për shqiptarët e Çamërinë, në Versajë. Më 1924, pas nënshkrimit të Traktatit të Lozanës, si pasojë e të cilit u shkëmbyen popullatat greko – turke, 30 000 çamë dhe 35 000 shqiptarë nga Maqedonia (Kostur Follorinë) u degdisen në stepat e Anadollit. Prapë Frashërllinjtë dhe Dinot do të ngrinin zërin. Mih’tat Frashëri, si ambasador i yni në Greqi dhe Ali Dino, djali i madh i Rasih Dinos, si deputet i Prevezës, Epirit, do të ngrinte zërin në parlamentin grek për Çështjen e Çamëve dhe të Çamërisë.
Në lidhje me Dinot kanë funksionuar në mbrojtje të Çamërisë të dy degët si e Prevezës ashtu dhe ajo e Paramithisë…
Nga dera e Dinove të Prevezës kanë dalë 4 vëllezër, Abedini e Veseli e dy të tjerë që pothuajse s’përmenden. Padër Zef Pëllumbi na bën me dije se ata të katër në vitet e Lidhjes së Prizrenit kanë vepruar në sinkron. Një rinte në Prevezë, një në Stamboll, një ish në lëvizje ku e donte koha, një në një kryeqytet të Evropës Perëndimore si Parisi etj., ku vendosej fati i shqiptarëve. Në Shoqërinë e Stambollit morën pjesë dhe firmuan edhe i vëllai i Abedin Dinos, Vejsel Dino, dega e Prevezës dhe Ibrahim Dino etj., i degës së Paramithisë. Nuk ka studime, por kontributi i tyre është i vazhdueshëm, i pandërprerë. Në luftën e dytë botërore funksionuan të dy degët. Dinot e Paramithisë, Masar e Nuri Dino, vepruan për ruajtjen e popullatës myslimane të Çamërisë e për kthimin e saj si krahinë në gjirin e shtetit tonë.
Pavarësisht etiketimeve, në themelet e tyre ishte e mbeti patriotizmi shqiptar, shqiptarizma. Është interesant se në këtë kohë dy familje të mëdha, pasardhësit e Frashërllinjve dhe Dinot e Prevezës që jetonin në Stamboll, do të internoheshin në Anadoll, në Adana. Askush s’e mori vesh arsyen, por nipi i Sami Frashërit, Emin Ereni tregon se, “qysh nga ajo kohë m’u ngjall krenaria për rrënjët e mija shqiptare dhe për gjyshin tim, Sami Frashëri dhe vëllezërit e tij zulm mëdhenj si Abdyli e Naimi që bënë aq shumë për vendin e tyre, Shqipërinë. Dukej sikur një dorë e padukshme ishte në unison në goditjen e familjeve të mëdha fisnike të rrënjës të kombit shqiptar, brenda e jashtë Shqipërisë. Komunistët në Shqipëri, me goditjen që u bënë pjesëtarëve të familjeve të mëdha që bënë aq shumë për Shqipërinë e Çamërinë pas luftës së dytë botërore, indirekt u bënë përkrahës të armiqve të Çamërisë.
Kam parasysh edhe Frashërllinjtë në Shqipëri, pasardhësit e Mehmet Frashërit, vëllait më të vogël të Frashërllinjve, që u ndoqën e u persekutuan. Nga Vlorajt, Qamil Vlorën, më të voglin e familjes së Ismail Qemalit, por ndoshta më të zotin midis fëmijëve të tij, intelektual i rrallë kalibri, që zotëronte 12 gjuhë, dhe që ka qenë krahu i djathtë i Ismail Qemalit para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, gjatë saj e pas saj sa qe gjallë i ati. Më pas ai vazhdoi i paepur në rrugën e tij kombëtare, pa e njollosur kurrë emrin e familjes së tij të madhe. Përfundoi në vetmi, në Strugë të Maqedonisë, ku edhe vdiq. Mitat Frashëri dhe kushëriri i tij, Mehdi Frashëri, në vitet e turbullta të Luftës së Dytë Botërore bënë sa mundën e si mundën për të ruajtur shtetin shqiptar, që të mos zhdukej nën trysnin e pushtuesve e të kohës noprane.
Pas luftës Mitati organizoi Lidhjen Kosovare e Lidhjen Çame në Amerikë. Ideali i tij ishte e mbeti deri sa vdiq – Shqipëria etnike. Pas luftës, nga vitet 60 deri në vitet 80 të shekullit të 20të, një pinjoll, stërnip i Hoxha Tahsinit, Bilal Xhaferin, e shohim të mbrojë çështjen e Çamërisë që nga Amerika e të krijojë një revistë “Krahu i Shqiponjës’. Pra të katër familjet e mëdha me gjithë zigzaget e kohërave, kanë një fill të kuq – mbrojtjen e Çamërisë. Patriotizmi nuk u zbeh kurrë prej tyre. Si në Shqipëri e në emigracion, pavarësisht nga ndjekjet, etiketimet, ata mbeten ashtu siç kishin qenë në shekuj, patriotë të mëdhenj, besnikë ndaj kombit shqiptar në ditë të mira e të këqija. Asnjëherë s’e ulën flamurin e kombit nga duart Frashërllinjtë, të cilët po i nderojmë në këtë tubim atdhetar e që bashkë me Çamërinë përbëjnë një binom të pandarë. Sa më shumë kalon koha, aq më tepër shkëlqen puna, vepra e veprimtaria e tyre në favor të shqiptarëve etnikë çamë e të Çamërisë. Le të jetë dhe kjo kumtesë një homazh për veprën e tyre të pamort edhe ndaj Çamërisë!
Bisedoi: Albert ZHOLI
Veçori gjuhësore-dialektore në gjuhën e autorëve shqiptarë të Kosovës që kanë shkruar me alfabetin arabo-osman
Hasan KELMENDI (Instituti Albanologjik – Prishtinë)
VEÇORI GJUHËSORE-DIALEKTORE NË GJUHËN E AUTORËVE SHQIPTARË TË KOSOVËS QË KANË SHKRUAR ME ALFABETIN ARABO-OSMAN
HYRJE
Për dialektologjinë e gjuhës shqipe dhe veçmas për dialektologjinë historike të saj, të një rëndësie të madhe janë pa dyshim shkrimet e vjetra që shënojnë faza të hershme përdorimi të gjuhës shqipe; në këtë aspekt krahas rëndësisë së madhe që kanë veprat e shkrimtarëve të vjetër shqiptarë të Veriut (si veprat e Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit dhe Kazazit), janë të rëndësishme gjithashtu edhe shkrimet ose veprat e disa autorëve shqiptarë të Kosovës që shkruan me alfabet arabo-osman, sidomos për studimin diakronik të të folmeve shqipe të gegërishtes verilindore, ku bëjnë pjesë të folmet shqipe të Kosovës. Është fjala për disa autorë dhe disa vepra të tyre, për të cilat më parë e deri më sot nuk dihej ose dihej fare pak. Ato janë kryesisht dorëshkrime me një vlerë të padyshimtë historiko-letrare; është ky një prodhim letrar që dëshmon se gjuha dhe letërsia shqipe në Kosovë, megjithatë lëvroheshin, ndonëse në kushte të vështira, të paktën që nga gjysma e dytë e shek. XVIII e deri në kohën e Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj. Hulumtimi shkencor lidhur me këtë problematikë ndër ne ka filluar në vitet pesëdhjetë të shek. XX. Mirëpo, derisa për disa vepra si për VEHBIJEN e T. E. Boshnjakut, DIVANIN e Sh. Maliqit dhe për ndonjë tjetër u shkruan disa punime, madje dhe monografi; për një numër të madh veprash e autorësh, pothuajse deri më sot nuk u shkrua fare. Me këtë problematikë ndër ne në Kosovë u morën: M. Krasniqi, H. Kaleshi, I. Ajeti, G. Elezoviqi, J. Rexhepagiqi, H. Agani, A. Zajmi, Sh. Mehmeti, V. Shita, F. Mehdiu etj. Në kohë të fundit në sajë të punës së palodhur të M. Pirrakut, dolën në dritë dhe iu bënë të njohura publikut shkencor edhe disa shkrime të tjera të transliteruara me alfabetin e gjuhës së sotme shqipe, dhe këto i botoi në studimin monografik, me titull: Gjurmë të veprimtarisë letrare shqipe me alfabet arab në Kosovë117. Në këtë studim autori analizon anë të ndryshme historiko-letrare që janë të ndërlidhura me veprimtarinë e autorëve (shkrimtarëve), siç janë: Dervish Hasani (Krusha e Vogël) shek. XVIII; Mulla Beqiri (Drenicë) mesi i shek. XVIII; Mulla Dervishi (Pejë) pjesa e dytë e shek. XVIII; T. E. Boshnjaku (Gjakovë) fillimi i shek. XIX dhe Dervish Salihu (Hasi i Thatë) pjesa e dytë e shek. XIX. Këta autorë analizohen në pjesën e parë të studimit; ndërsa, në pjesën e dytë të studimit në fjalë trajtohet veprimtaria e autorëve: Azem Efendi Olluri, Hasan Hoti, Shejh Emini i Sadive (1798-1918), Shejh Januz-Sabriu (1848-1809), Tahir Efendi Lluka dhe Tahir Efendi Popova, Shejh Hyseni i Halvetive (1873-1926), Hilmi Abdyl Maliq Efendija (1865-1928) etj. Siç shihet, kemi të bëjmë me një numër jo të vogël autorësh dhe tekstesh që për herë të parë u bënë objekt i një shqyrtimi të gjerë shkencor; por, megjithatë për ne me rëndësi janë veçmas disa veçori gjuhësore, që duket se janë mjaft me interes për dialektologjinë e të folmeve shqipe të Kosovës. Qëllimi ynë në këtë kumtesë, pra, është që në bazë të teksteve të transliteruara me alfabetin e gjuhës së sotme shqipe nga ana e M. Pirrakut, të nxjerrim në dritë disa veçori gjuhësore dialektore të teksteve në fjalë, duke u ndalur vetëm në ato fonetike dhe morfologjike.
I. VEÇORI FONETIKE
I. – 1. Zanoret
Si në të folmet e tjera të gegërishtes, dhe të gegërishtes verilindore në veçanti; në gjuhën e autorëve shqiptarë të Kosovës qe shkruar me alfabet arabo-osman, ndeshim 7 zanore (ndërsa zanorja ë është reduktuar pothuajse në tërësi, dhe rënia e saj ka shkaktuar gjatësinë e zanores paraprijëse, ose ka shkaktuar, siç do të shohim më poshtë, edhe ndërrimin e zanores në fjalë me zanoret e tjera (e ose i).
Në gjuhën e autorëve tanë, vërejmë si edhe në të gjitha të folmet e gegërishtes, gjatësinë dhe hundorësinë e zanoreve, veçori këto kryesore të dialektit të gegërishtes që e dallojnë atë nga toskërishtja118. Në këtë mënyrë te këta autorë, përkatësisht në tekstet e tyre, përsa i takon sistemit zanor, në pozicion të patheksuar ndeshim 7 zanore: a, e, i, o, u, y dhe ë (këtë të fundit vetëm në ndonjë rast) dhe në anën tjetër në 6 fonema të gjata në pozicione të theksuara: a:, e:, o:, u:, y:, që formojnë opozicion fonologjik me zanoret e shkurtra; si dhe një radhë prej 6 fonemash që formojnë opozicione fonologjike me zanoret hundore. Kështu sistemi i zanoreve në gjuhën e autorëve tanë, që shkruan me alfabet arabo-osman përbëhet nga:
zanore gojore: a, e, i, o, u, y, e
zanore të gjata: a:, e:, ï:, o:, u:, y:
zanore hundore: ã, ẽ, ĩ, [õ], ũ, ỹ
I.- 1. – A. Gjatësia e zanoreve. – Përveç asaj që u tha më sipër, duhet shtuar edhe se kundërvënia e zanoreve sipas tiparit të gjatësisë përbën një nga veçoritë karakteristike të gegërishtes, e për pasojë edhe të gegërishtes verilindore, dhe po kjo mund të thuhet edhe për gjuhën e autorëve, përkatësisht të teksteve të tyre në shqiptim. Duke mbetur gjithnjë në vazhdën e këtij shqyrtimi, d.m.th. duke shqyrtuar gjatësinë e zanoreve, nuk do të kalojmë pa i vënë re edhe këto fakte:
a) Zanoret e gjata ndeshen në fjalë që reflektojnë gjatësi origjinare, si mĩ:, thĩ:, de:t, ku:t etj.
b) Është i njohur fakti se zanorja që gjendet në rrokje fundore të hapur, të theksuar, është e gjatë: shpí:, kojshí:, kusí:, dhé: etj. Dhe po këtë e vërejmë te autorët, si Dervish Salihu: … Perení:, maná:, rixhá:, dynjá:, mevlá:, sefá: (Dituria, f. 121); Shejh Emini i Sadive: tezerá:, arashialá:, Kerbelá: (GJA – IX, f. 207); Shej Jonuzi – Sabriu: fukará:, ezelí:, dajmá:, grefá: (Po aty, f. 217); Rexhep Voka: vëllá:, …na pá:, Shkriprí:, perendí:, bir e bí: (Po aty, f. 224) etj.
c) Gjithashtu ndeshet dendur edhe gjatësia e zanoreve, që është shkaktuar nga monoftongimi i diftongjeve apo i togjeve të zanoreve: ue, ie, ye, në u:, i: dhey:, të cilat përfshijnë shumë kategori gramatikore. Zanorja është e gjatë në të tilla raste, qoftë në pozicion fundor, qoftë në mes të mes të fjalës: dy:r, lu:jn, (i) shkru:m, ka vnú:, t’shkru:n, kujtu:m etj. (Të kihet parasysh poezia e Dervish Salihut: Eni vllazen ta bâjm ni dert). Shembuj nga kjo poezi do të sjellim më poshtë, atëherë kur do të ndalemi në shqyrtimin e diftongjeve apo togjeve të zanoreve.
Zanorja a. – Kjo zanore kur është nazale, siç do të vërehet edhe më poshtë, jo rrallë e ndeshim të tjetërsuar në o. Dhe ky fakt përkon pa dyshim me gjendjen aktuale të të folmeve shqipe të gegërishtes verilindore, përkatësisht me të folmet shqipe të Kosovës. Ky tipar i vokalizmit vërehet në disa të folme të Kosovës, sidomos në disa të folme të qytetit si në atë të Vuçitërnës (Vushtrrisë), të Gjakovës etj. dhe në disa të të folme të tjera ku përzierja e popullsisë shqiptare me popullsitë serbo-malazeze, turke e muslimane-boshnjake, ishte e dendur. Në këtë mënyrë, duke u nisur pikërisht nga një situatë e tillë gjuhësore, linguistja A. V. Desnickaja me të drejtë konstaton se rëndësi esenciale e të folmes shqipe të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit ka dukuria që është e lidhur me shqiptimin e përgjithshëm të artikulimit të zanoreve që është të tërhequrit dukshëm prapa dhe që qëndron në të forcuarit përkatës të elementit të velarizimit gjatë shqiptimit të një vargu të zanoreve. Sipas linguistes që e cituam më sipër, me këtë veçori është e lidhur edhe përshtypja e përgjithshme që krijohet në të folmet dialektore të verilindjes.
Në lëmin e vokalizmit, sipas K. Taliavinit121, kjo gjendje e përditshme e shqiptimit shprehet më tepër në të tërhequrit prapa të zanores a të gjatë (a), që ndiqet nga një labializim. Në radhë të parë, kjo i takon zanores së nazalizuar që gjithashtu gjendet në afërsi direkte me konsonantin nazal. Prandaj, lidhur ne do të japim më poshtë, disa nga shembujt që kemi mundur t’i nxjerrim nga tekstet, si p.sh.: Ai mi çeli katër dyrt: // osht e dyta tarikat…// Tarikat e kam gjet, / osht esrari Muhamet…// (D. Hasani, Ah unë i mjeri kesh tu fjetë…, Dituria, f. 91); … mijell ia boni; me lon; s’ju bo; allah-allah me thon (Shejh Jonuzi, GJA – IX, f. 214); … dallg po bon, /mend po t’lon, / s’un po gjon; gjithë bojm dua… // (Sh. Mala, GJA – IX, f. 230) etj.
Zanorja ë. – Siç dëshmohet nga ana e studiuesve K. Taljavini, E. Çabeji, A. Dodi, I. Ajeti, L. Mulaku etj., reduktimi i plotë i kësaj foneme në gegërishte ka marrë hov këta 3-4 shekujt e fundit. Në shkrimet e autorëve të vjetër të Veriut zanorja ë përdorej edhe në pozicion të theksuar deri kah fundi i shek. XVIII.
Në shkrimet e autorëve shqiptarë të Kosovës me alfabet arabo-osman, gjithashtu ë-ja e theksuar as që mund të bëhet fjalë. Mirëpo, siç do të shohim më poshtë, kjo zanore (zanorja ë) është ruajtur ndonjëherë te autorët tanë në pozicion të patheksuar.
Ë-ja te autorët që shkruan me alfabet arabo-osman, me sa kemi mundur të konstatojmë, ka rënë:
në rrokje paratheksore: … kçyri voret, / hej i ngrat // ti alim bonu ksi dore… // etj.
ka rënë në rrokje fundore (pastheksore) ka kaluar në e p.sh. tek emrat e gjinisë femërore në trajtën e shquar dhe të pashquar: dreken (… se fal dreken për ni tfurk sân); bimes (… i ra bryma bimes heret …); udhen (… Kur e hup udhen ai qi prin … etj.) etj.
Zanorja ë ka rënë në sistemin foljor si në kohën e tashme veta e parë numër shumës, dhe këtë e vërejmë në shembujt:
… Ani me bohur do t’na timojn
Me uj tvokt do t’na pastrojn
Ani me sapun do t’na shkumojn
Me pamuk syt na qorojn
Ani me qefin do t’na pshtjellojn
Me tri dizga na shtrengojn
Ani kater vet do t’na trazojn
Shum xhemat permas shkojn
(Hafiz I. Shemsi, Ani kur t’vjen shpirti
me na dal, Gjur. alb. IX, f. 219).
Mirëpo, mund të duket ndoshta e pabesueshme që në këtë kohë, një autor si Shejh Junuzi-Sabriu (1848-1909) të ketë shënuar zanoren ë, ashtu siç e gjejmë te shkrimtarët e vjetër shqiptarë. Duke folur për këtë autor, studiuesi dhe mbledhësi i pasionuar i teksteve me alfabet arabo-osman, M. Pirraku, shkruan: “… nuk hoq dorë nga ë-ja për gjuhën shqipe. E cilësoi me një gjysmë esreje – vizë me një kënd prej 300 të vënë nën bashkëtingëllore pas së cilës do të vinte ë-ja. Duket se këtë gjysmë esreje e përdori edhe në vend të apostrofit midis dy bashkëtingëlloreve në fillim të fjalës. Kjo zanore sot ka mundësi të mos lexohet pa e prishur vlerën e tekstit të transliteruar”. Megjithëkëtë, Shejh Jonuzi përdori një ë edhe atëherë kur ajo nuk mund të përligjet etimologjikisht dhe as nga ortografia (drejtshkrimi), p. sh.:
… Çou ti përej gafleti,
Çare lyp ti për vetveti
ose:
nëgjeti çare na mos ta lypim
eja lypim prej vetveti…
ose më poshtë:
Se këjo deka ni sherbet osht,
nuk o çare pa u kërkue.
(Gjur. alb. – IX, f. 211)
I-1.B. Nazalizimi i zanoreve. – Një ndër veçoritë kryesore të gegërishtes dhe të të folmeve të saj është pa dyshim nazalizmi ose hundorësia e zanoreve. Dhe pokështu, meqë gjuha e autorëve tanë s’është tjetër përveçse gegërishtja (geg. verilindore) me të gjitha tiparet e saj, edhe në këtë pikë gjuha e autorëve në shqyrtim nuk largohet nga tiparet e këtij dialekti (të dialek. të geg.) kryesor apo kryedialekti të shqipes, kundruall dialektit apo kryedialektit të toskërishtes.
Kur jemi te ky tipar i gegërishtes, d.m.th. nazalizimi i zanoreve (toskërishtja këtë fenomen gjuhësor nuk e njeh), atëherë duhet të vihet në pah se autorët, përkatësisht shkrimtarët si Dervish Hasani, Mulla Beqiri, Mulla Dervishi, Tahir E. Boshnjaku, Dervish Salihu, Shejh Jonuzi, Tahir E. Popova, Tahir E. Lluka, Shejh Hyseni i Halvetive, Hilmi Abdyl Maliq Efendija, Shejh Maliqi etj.; edhe pse zanoret hundore nuk i shënuan grafikisht si zanore nazale, ato duket se shqiptoheshin si të tilla në kohën kur shkruan autorët në fjalë, dhe si të tilla (zanoret me timbër hundor) shqiptohen edhe sot. Duke folur për gjuhën e VEHBISË të Tahir E. Boshnjakut, I. Ajeti kishte konstatuar zanoren nazale ã, sa herë kjo fonemë ndodhej para një bashkëtingëlloreje nazale (hundore). Ndërsa sa i përket Shejh Maliqit nga Rahoveci, siç thotë prapë I. Ajeti, ai për shënimin ã-së nazale (hundore) kishte shtënë në punë edhe një grafemë të veçantë. “Lidhur me këtë pikë mund të thuhet që çdo a gojore shprehej me një grafemë që nuk linte kurrëfarë dyshimi për riprodhimin e saj…”.
Një çështje tjetër, siç është labializimi i a>o (ose ao) e kemi shqyrtuar më sipër; mirëpo nuk është e tepërt këtu të theksojmë se në gjuhën e shkrimtarëve që shkruan me alfabet arabo-osman të Kosovës, përveç a-së së labializuar ose gjysëm të labializuar, hasim edhe në një a thjesht nazale, sa herë ajo ndodhet para bashkëtingëlloreve m, n, j<nj. P. sh.:
… Ej i besun bãne emrin,
Mos ia zin shejtãnit vẽnin,
… Çka ja bãn ni pun veti,
Mos ja bãn kerkuj ngjeti,
Kshtu ka thãn Muhameti.
I.-1.-C. DIFTONGJE OSE TOGJE ZANORESH
Në këtë punim do të trajtojmë këto diftongje ose grupe zanoresh: ue, ie (je) dhe ye.
Nga diftongjet që i vumë re më sipër, vetëm diftongu ié (je) në tekstet e transliteruara me alfabetin e sotëm të gjuhës shqipe e ruan mirë natyrën e vet të diftongut. Për këtë na dëshmojnë shembujt: Zoti na i hiek keta bela, / Niher turku drit me pa…// (Sh. Maliqi, DIVANI…). Ndërsa togjet e zanoreve ue dhe ye i ndeshim me ndonjë përjashtim të monoftonguara gati te të gjithë autorët shqiptarë që shkruan me alfabet arabo-osman. Kjo dukuri nuk duhet të jetë aq e vonë, meqë këto diftongje apo togje zanoresh, të monoftonguara ose të reduktuara në elementin e parë të tyre, i ndeshim që në VEHBINË (1835) e Tahir E. Boshnjakut dhe në DIVANIN e Shejh Maliqit; kështu duke folur lidhur me këtë dukuri, I. Ajeti shkruan: “Gjuha e DIVANIT, e krahasuar me gjendjen e sotme të të folmeve të Kosovës, me disa tipare del mjaft arkaike, por në punën e diftongjeve, ligjërimi i këtyre, mund të themi me plot gojë, nuk ngërthen në vete kurrfarë veçorish të shënueshme që nuk do të ishin njëkohësisht veti dialektore e të folmeve të tjera të truallit gjuhësor të Kosovës. Shkurt, diftongjet dhe bashkëlidhjet zanore të gjuhës së DIVANIT i gjejmë të mbledhura në monoftongje”.
Në këtë mënyrë, përveç pak shembujve, shembujt e tjerë që solli Ajeti në studimin për gjuhën e Divanit të Shejh Maliqit, i dalin të monoftonguara në elementin e parë të tyre dhe duke u tjetërsuar në zanore të thjeshta.
Edhe pse diftongjet ue, ye janë ruajtur në ndonjë të folme, prapëseprapë mund të thuhet pa mëdyshje se procesi i monoftongimit të tyre në të folmet shqipe të Kosovës, të paktën që nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, është një proces mbizotërues ndaj procesit të ruajtjes, d.m.th. ndaj gjendjes së vjetër. Këtë fakt do ta përligjim me shembujt e sjellë më poshtë.
ue>u
O forcu zenbra nuk po ndin
nasihati qi asht për din…
(M. Beqiri, Shka asht kshtu qi
je habit, Dituria, f. 95.
Ç’kanë qerpikt qi po t’lujnë,
Si kalemi huruft kur i shkrunë.
…
Huna jote mi ket alem,
E sret arshi ka vnu kalem…
…
Tridhet e dy huruft jan t’shkrum,
Me sevda ti qi naj ki urri…
(D. Salihu, Eni vllazen ta bajm ni dert,
Dituria, f. 117)
Amon vllazen mos bani fjalë,
Qysh kujtum nuk do me dalë.
(Po aty, f. 117).
ye>y
Ai mi çel katër dyr
njonda osht a(h) sheriat…
(D. Hasani, Ah, un i mjeri
kesh tu fjet, Dituria, f. 99).
Përkundër monoftongimit të diftongjeve në elementin e parë të tyre, e cila gjë u theksua dhe u dëshmua më lart, vërejmë ndonjëherë edhe ruajtjen e tyre, si p. sh.:
Mall evladin e kish dhan
me pshtue ti, hej i ngrat…
(M. Beqiri, Shka osht kishtu
qi je habit, Dituria, f. 95).
… nuk o çare pa e kërkue,
Padishah e fukara,
pëlak e ri hem thëmi e gërue…
(Sh. Jonuzi, Çou i nëgrati ti përtej
gafleti, GJ – IX, f. 211).
II.-1.-Ç. BASHKËTINGËLLORET
Bashkëtingëlloret q, gj, ç, xh. – Okluzivet q, gj krahas ruajtjes, në pjesën më të madhe të teksteve të autorëve shqiptarë të Kosovës që shkruan me alfabet arabo-osman i ndeshim të tjetërsuara në okluzive prepalatale (paragjuhore) në ç, xh. Është kjo një veçori e përgjithshme e gegërishtes verilindore, e cila si e tillë u shfaq dikund në gjysmën e dytë të shek. XIX. Për këtë na dëshmon, VEHBIJA e T. E. BOSHNJAKUT, në të cilën këto bashkëtingëllore ruheshin mirë, dhe po kështu këto i ndeshim t’i ketë shënuar edhe V. Karaxhiqi në disa këngë popullore që i mblodhi nga një informues, që ishte nga Gjurakovci afër Pejës. Këto bashkëtingëllore q, gj) të patjetërsuara në afrikatet përkatëse (ç, xh) i ndeshim edhe në DIVANIN e Shejh Maliqit. Edhe për këtë veçori gjuhësore, gjithnjë për të arsyetuar atë që theksuam më parë, do të sjellim shembuj që i nxorëm nga tekstet e autorëve si Mulla Beqiri, Dervish Salihu, Shejh Maliqi etj.
Shka osht kishtu qi je habit
………………………………………
Kujto dynjaja se jet gjithmon
kqyri voret ti hej i ngrat.
(M. Beqiri, Shka osht kishtu
qi je habit, Dituria, f. 95).
Ç’kan qerpikt qi po t’lujn
…………………………………..
Gjithkush harfin s’un ta nxirrë
Amon vllazen mos bani fjalë
Qysh kujtum nuk do me dalë:
Qysh nasip kur jemi marrë,
Jemi t’dekun s’jemi t’gjallë.
(D. Salihu, Eni vllazen ta
bâjm ni dert, Dituria, f. 117).
… Aslin e vet pe don
Gjith kah drita po flitron
Qiri keshet po kujton…
(Shejh Maliqi, Halli i flutres, GJA – IX, f. 230).
I.-1.-D. GRUPET E BASHKËTINGËLLOREVE
Grupet e bashkëtingëlloreve nd dhe mb si të tilla u ruajtën gjerësisht të patjetërsuara në n dhe në m; mirëpo, vërejmë gjithashtu dhe kalimin në elementin e parë të tyre. Ky proces, d.m.th. procesi i tjetërsimit të grupeve të bashkëtingëlloreve në fjalë, në bashkëtingëllore të thjeshta, siç mund të vërehet me shembuj nga gjuha e autorëve tanë nuk është aq i hershëm: fillon si duket me të madhe në të folmet shqipe të Kosovës, dikund aty nga gjysma e dytë e shek. XIX, për të ardhur deri në ditët tona. Por, kjo është një çështje më e gjerë dhe më e thellë, që del jashtë caqeve të kësaj kumtese; e që me këtë rast, do ta vështrojmë, siç theksuam, së pari ruajtjen e grupeve të bashkëtingëlloreve në fjalë, që paraqitet kësisoj, p. sh. te Mulla Beqiri: … po ndin; nuk o’send; e kqyr vendin etj. (Dituria, f. 95). Dervish Efendiu: … n’qeter kurrkund edhe ma rond; lutfiu tond (Dituria, f. 99). Dervish Salihu: … me dyqind e nandhet e katër (Dituria, f. 114). Shejh Junuzi: … gjithsa send etj. (GJA – IX, f. 215).
Ndërsa ndryshimin, tjetërsimin e këtyre grupeve të bashkëtingëlloreve e kemi vënë re edhe te ndonjë autor, që në të njëjtën kohë i kishte ruajtur mirë grupet e bashkëtingëlloreve në fjalë në pjesën më të madhe të përdorimit të gjuhës në veprat e tij, siç është, bie fjala, Dervish Salihu a ndonjë tjetër. Sidoqoftë, procesi i ndryshimit të grupeve të bashkëtingëlloreve nd, mb në të folmet shqipe të kësaj ane, siç kemi theksuar edhe më sipër, kishte filluar më herët, dhe se tashmë si duket ishte bërë një proces i pandalshëm. Kjo gjë vërehet edhe në gjuhën e autorëve tanë, si p. sh. kalimi i nd-së në n, dhe i mb-së në m: … hyqymetet e Perenisë; bâft perenija; po knohet n’Kura’n; kërkuj s’i met; me hyp n’kumëll (D. Salihu, Dituria, f. 119); … a po knon; pa ja da (Sh. Maliqi, GJ – IX, f. 229-231).
Kur jemi te shqyrtimi i grupeve të bashkëtingëlloreve, duhet vënë në dukje patjetër edhe një fakt: grupet e vjetra kl, gl, nuk i ndeshim si të tilla në gjuhën e autorëve që shkruan me alfabet arabo-osman; ato duket moti kishin kaluar në elementin e parë të tyre, d.m.th. në k dhe g. Është me interes të theksohet po kështu se në poezinë e Sh. Jonuzit haset edhe grupi i vjetër nt, në trajtat e numrit shumës dhent(ë), qent(ë), që tash për tash nuk mund të themi se kjo veçori gjuhësore është e vendlindjes së tij (ai ishte nga Suhodolli i Mitrovicës), apo është një trajtë që ai e ndërtoi nën ndikimin e literaturës shqipe të kohës, që nuk ishte e panjohur për këtë autor, apo mos është ky një ndryshim që e sollën kopjuesit e poezive të këtij autori?
II. VEÇORI MORFOLOGJIKE
II.-1. EMRI
II.-1.-A. Trajta e pashquar e emrit. – Trajtën e pashquar shumë emra me origjinë turko-arabe, që hasen në gjuhën e autorëve tanë, formojnë këtë trajtë me një a të theksuar, e që në disa të folme shqipe të Kosovës, këtë e kanë tjetërsuar në e të theksuar. P. sh. kështu hasim: maná, rixhá, mevlá, fukará, dynjá etj. (D. Salihu, Dituria, f. 121). Këta emra, siç mund të vërehet, kur të shquhen para nyjës – mbaresës –in marrin një –j- antihiatizuese, dhe ky fakt është i përgjithshëm në të gjitha ato të folme të Kosovës ku dukuria në fjalë është e pranishme.
II.-1.-B. Trajta e shquar e emrave.- Trajtën e shquar me një –j- para nyjës –a, e marrin të gjithë ata emra me origjinë turko-arabe, që mbarojnë me i të theksuar si perenija, turqnija, shejtnija, evlija, Hilmija (Sh. Maliqi, GJA – IX, f. 231). Emrat e gjinisë mashkullore që në trajtën e pashquar mbarojnë me bashkëtingëlloret k, g, në trajtën e shquar, siç i ndeshim në gjuhën e teksteve të autorëve tanë, janë shquar me nyjën –i dhe jo me –u, si p. sh.: haki, hallki, mynafiki etj. Këtë nyjë si të tillë e ndeshim edhe gjatë lakimit të tyre nëpër rasat përkatëse. Por, edhe në këtë pikë mund të vërehet ndonjë përjashtim siç është, bie fjala te Shejh Maliqi: … Kjo te haku pa ja da… (GJA – IX, f. 121).
Emrat me origjinë turko-arabe, që trajtën e pashquar e mbarojnë me bashkëtingëlloren –n, në trajtën e shquar të rasës kallëzore marrin nyjë – mbaresën –in: insanin, dermanin, imanin, shejtanin (D. Efendiu, Dituria, f. 99); zamanin, dushmanin, Hasanin (D. Salihu, Dituria, f. 116).
Përsa u takon rasave gjinore, dhanore dhe rrjedhore, nuk vërehet ndonjë ndryshim nga përdorimi i sotëm i tyre në të folmet shqipe të këtyre anëve. Në këtë mes, vetëm një ndryshim, që e kemi cekur edhe më sipër (në I-1.-Ç) është ai që vërehet në poezinë e Shejh Jonuzit, në të cilën poezi ndeshet forma e rasës rrjedhore të shquar me – vet (… përej dhenvet), e që më shumë ka gjasa të jetë një ndryshim, një përmirësim që e kanë bërë kopjuesit e kësaj poezie, se sa të jetë trajtë e vetë autorit.
II.-2. NYJAT
Për disa nga nyjat, sidomos ato të prapmet, të cilat tash kanë zënë të quhen mbaresa, u fol më sipër gjatë shqyrtimit të trajtave të emrit. Ndërsa për nyjat e përparme mund të themi se ato i ndeshim në gjuhën e teksteve që autorët i shkruan me alfabet arabo-osman, dhe këtë si a) nyja të gjinores: ashik i hakit, hyqumetit e Perenisë (D. Salihu); b) si pjesë e mbiemrit: i ngrat (M. Beqiri); i vogel, i lig (D. Efendiu); c) si pjesë të një numërori rrjeshtor: e dyta (D. Hasani) etj.
II.-3. PËREMRI
II.-3.-A. Përemri vetor. – Ky përemër përdoret pa ndonjë dallim nga përdorimi i tij në të folmet e sotme shqipe; kështu përemrat unë, ti, ai (njëjës) dhe ne (na), ju dhe ata (ato) në shumës, ndeshen si të tilla në tekstet e autorëve apo shkrimtarëve tanë, dhe këtë po e ilustrojmë me shembujt: ai qi ka gjet; mos na le neve… (D. Hasani); ti alim bonu kso dore…; ti shko kujtou; po kujton ti hej i ngrat (M. Beqiri); u dogja un me dert; Zoti për ne nuk â miftaç (D. Salihu) etj.
II.-4. FOLJA
II.-4.-1. Kohët e foljes të mënyrës dëftore. – Derisa koha e tashme në të tri vetat e numrit njëjës dhe shumës nuk shënon ndonjë veçori dalluese nga ato të të folmeve shqipe të Kosovës; kësisoj koha e kryer e disa foljeve që tregojnë lëvizje, te autorët tanë është formuar disa herë me formën jam + pjesore (si jam përpjek…; jam taptis – D. Efendiu), është një veçori dialektore e truallit gjuhësor të shqipes dhe e të folmeve shqipe të Kosovës në veçanti.
Koha e ardhme. – Nga vështrimi më i hollësishëm i mënyrës dëftore, që është mënyra kryesore (ka 8 kohë) e foljes në gjuhën shqipe; në gjuhën e teksteve të autorëve tanë, që u zunë në gojë sa e sa herë këtu; vërehet se koha e ardhme del me formën, siç është quajtur nga Sh. Demiraj, perifrastike, dhe e cila është formuar me ndihmën e foljes kam + pjesorja si p. sh.: … kame dal ni Zylfikar (D. Salihu); por në të njëjtën kohë hasim edhe formën tjetër të kohës së ardhme do + pjesorja e foljes, si p.sh.: Qysh kujtum nuk do me dal (D. Salihu, Dituria, f. 117).
II.-4.-2. MËNYRA HABITORE. – Kur është fjala për përdorimin e mënyrave të tjera të foljeve nga ana e shkrimtarëve tanë, gjuhën e të cilëve e kemi bërë objekt hulumtimi në këtë punim, do theksuar se vetën e tretë të kësaj mënyre (të mënyrës habitore) e kemi ndeshur me trajtën, që mbaron me mbaresën –nke(në vend të –ke), e cila haset pikërisht në poezinë e Shejhut rahovecas, Sh. Maliqit, dhe kjo veçori tregon gjithashtu se autori pasqyron në këtë mënyrë gjuhën e vendlindjes dhe të vendqëndrimit të tij, pra, të Rahovecit me rrethinë.
II.-4.-3. MËNYRA URDHËRORE. – Karakteristikë për format e kësaj mënyre në kohën e saj të tashme, siç na del nga një tekst (poezi) i Mulla Beqirit, dhe të ndonjë autori tjetër, është përdorimi i formës së kësaj kohe në vetën e dytë njëjës ndonjëherë pa trajtën e shskurtër të përemrit vetor të vetës së tretë e, si merr (për merre), kujto (për kujtoje), kqyr (për kqyre) etj.
II.-4.-4. MËNYRAT E PASHTJELLUARA TË FOLJES
PJESORJA. – Format e pashtjelluara të pjesores te foljet që mbarojnë me bashkëtingëllore dalin pa mbaresë, qoftë kur janë përdorur si pjesë përbërëse e mbiemrave, qoftë kur ato janë përdorur si pjesë e formave të kohës së kryer; ose kur kanë shërbyer për të formuar format e mënyrës paskajore. P. sh.: … tu fjet; jom përpjek; m’le me fjet; e kom gjet (D. Hasani); me i brit; qysh ta marr (M. Beqiri) etj.
PËRCJELLORJA. – Format e pashtjelluara të përcjellores, që gramatika tradicionale, e mbajti për një nga mënyrat e veçanta të foljes në gjuhën shqipe, ndeshet me formën tue + pjesorja e foljes, që si e tillë është e mbarë gegërishte (në vend të kësaj, siç dihet toskërishtja e ka formën duke + pjesorja e foljes = duke punuar). Kjo formë ndeshet edhe në tekstin e poezisë së Dervish Hasanit: … un i mjeri kesh tu fjet (Dituria, f. 99); si dhe në një tekst tjetër të poezisë së Sh. Maliqit: Perdet tu u hjek, Me ashik tu u pjek… (GJA – IX, f. 235).
PASKAJORJA. – Tipi më i shpeshtë i kësaj forme të pashtjelluar të foljes në dialektin e gegërishtes është pa dyshim forma foljore me + pjesorja e foljes, që haset dendur në gjuhën e shkrimtarëve që shkruan me alfabet arabo-osman; kështu në këtë mënyrë kemi ndeshur në shembujt si vijojnë: me i brit; me mar (M. Beqiri); me dek, me niçar (D. Efendiu); me ba karar; do m’u da; me lyp rrush (D. Salihu); me mar ibret; me pështu përej qenve; me i bo hizmet; me fol ajet (Sh. Junuzi) etj.
Një formë tjetër të paskajores, që haset edhe sot e gjithë ditën në të folmet shqipe të Kosovës, është forma për+me+pjesorja e foljes, e të cilin tip të paskajores e kemi ndeshur në një shembull të vetëm në poezinë e Mulla Beqirit: … per me mar (Shih: Dituria, f. 95).
Burimi: Revista “Studime Orientale”, Prishtinë.
/Orientalizmi Shqiptar/
Studimi grek pranon genocidin kundrejt çamëve: 50 mijë çamë u vranë e u dëbuan
Ardit BIDO
STUDIMI GREK PRANON GENOCIDIN KUNDREJT ÇAMËVE: 50 MIJË ÇAMË U VRANË E U DËBUAN

Ardit Bido
Studimi, i cili solli të gjithë debatin në vendin fqinj, pranonte gjenocidin grek mbi popullsinë çame, duke thënë se 77 çamë të Paramithisë janë ekzekutuar nga forcat e EDHES-it, vetëm për shkak të kombësisë së tyre.
Për më tepër, në këtë studim thuhet se “50 mijë çamë të Epirit janë dëbuar ose vrarë nga Ushtria Revolucionare Çlirimtare Greke (EDHES, forcat e djathta të Greqisë për çlirim, krahas ELAS-it, që ishte komunist, në radhët e së cilës kanë luftuar edhe rreth 200 çamë, shën. red.) gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore”.
Studimi u paraqit në Universitetin Pandio të Greqisë, nga një grup profesorësh grekë të këtij universiteti, dhe është i pari që tregon për gjenocidin mbi çamët, nga një grup nëpunësish grekë. Numri i çamëve të dëbuar dhe të vrarë, që paraqitet në studimin grek, është më i madh edhe se numri që paraqet zyrtarisht Shoqata Politike Atdhetare Çamëria në historikun e saj.
Reagimi në sallë dhe mbrojtja e punës nga profesorët
Në sallën e Universitetit Pandio, të pranishmit, studentë grekë dhe pedagogë kundërshtuan studimin, duke thënë se “fashistët (duke iu referuar çamëve) atë meritonin, ndërsa Lambros Bulciotis, një prej hartuesve të studimit tha se “ky është thjesht një studim shkencor, që nuk tenton të futet në situata politike. Ne, thjesht paraqesim faktet, që ekzistojnë dhe asgjë më shumë”.
Të pranishmit filluan të bërtisnin më tej, kur studimi thoshte se “Vorio-epirotasit” bashkëpunuan me forcat naziste në Shqipërinë e Jugut dhe se tokat dhe pronat e shqiptarëve në Thesproti (Çamëri) iu dhanë mikrasiatëve (grekëve që shkuan në Greqi, nga Turqia, pas ndryshimit të popullsive mes dy vendeve, shën. red.). Gjithsesi, pedagogët nuk pranuan të ndryshonin asnjë presje në studimin e tyre. Konstandinos Ciceliqis, një ndër hartuesit tha se “nuk po flasim për çështje kombëtare por për çështje historike dhe për fakte të dokumentuara, të cilat sot po i paraqesim”.
Studimi i parë grek që pranon gjenocidin çam
Ndërkohë që ky është studimi i dytë grek, që pranon gjenocidin e çamëve. I pari është hartuar nga profesori grek i Universitetit të Jeillit (Yale) në Shtetet e Bashkuara, z. Stathis Kalivas, i cili në studimin e tij thotë ndër të tjera se “ky rast është padyshim një gjenocid. Pyetja që mbetet është nëse kemi të bëjmë me një (gjenocid) të parapërgatitur nga qendra (drejtuesit e ushtrisë), apo nëse erdhi nga veprime hakmarrjeje në nivel lokal. Mendoj se diferenca mes këtyre të dyjave është shumë e vogël. Megjithëse, EDHES-i ishte një organizatë e përqendruar ku, në ndryshim nga EAM (organizata politike e ELAS-it, shën. red.), drejtuesit qendrorë mund të kontrollonin lehtë ushtarakët lokalë, asnjë fakt nuk tregon se udhëheqësit kishin dëshirën më të vogël (apo reale) për t’i ndaluar (të kryenin gjenocidin). Rrethanat politike të shtatorit të vitit 1944 lejonin “zgjidhjen përfundimtare” të çështjes çame, dhe sipas mendimit tim, EDHES-i nuk u frenua për të përfituar nga rasti”.
Intervistë me Dr. Feti Mehdiu: “25 vjet pas përkthimit të parë të plotë të Kur’anit në gjuhën shqipe” (1985-2010)
INTERVISTË ME DR. FETI MEHDIU*
“25 VJET PAS PËRKTHIMIT TË PARË TË PLOTË TË KUR’ANIT NË GJUHËN SHQIPE”**
(1985-2010)

Tema: Jeta e bashkëbiseduesit, veprimtaria politike e shkencore etj.
25 vjetori i përkthimit të Kur’anit,
Si nisi përkthimi?,
Orientalistika shqiptare sot etj.
Jeta dhe vepra e Dr. Feti Mehdiut
Feti L. Mehdiu u lind më 20 janar 1944 në fshatin Zajaz të Kërçovës. Aty kreu katër klasë të shkollës fillore, kurse tetëvjeçaren dhe medresenë e ulët i kreu në Prishtinë, në vitin 1962. Vazhdoi medresenë e mesme Alauddin dhe kreu maturën në vitin 1967. Studimet i ka kryer në Fakultetin e Filologjisë, në Beograd, Degën e Filologjisë Orientale, në vitin 1971, ku merr titullin profesor i filologjisë orientale (për gjuhën arabe dhe gjuhën turke). Këtu ka vazhduar edhe studimet pasuniversitare – dega e gjuhësisë dhe në vitin 1977 mbrojti punimin e magjistraturës me temën: Srpskohrvatski prevodi Kur’ana (Përkthimet e Kur’anit në gjuhën serbo-kroate), kurse doktoratën e ka mbrojtur në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, në vitin 1990, me temën: Përkthimet e letërsisë arabe në gjuhën shqipe, 1922-1982. Në vitin shkolor 1975-76 ka specializuar gjuhën arabe në Universitetin e Kairos në Egjipt.
Punën e filloi në Institutin e Historisë, më 1 mars 1973, në Prishtinë, kurse nga tetori i vitit 1974 punon në Degën e Orientalistikës – Fakulteti i Filologjisë, në Prishtinë, si asistent, ligjërues, docent, profesor inordinar dhe tani profesor ordinar për gjuhën arabe, fonetikë-morfologji. Në fillim të vitit 1995 ka mbajtur ligjërata të gjuhës arabe në Universitetin e Tetovës, kurse në vitin 2002-2004 ka ligjëruar lëndën Orientalistika dhe orientalistët, në Fakultetin e Shkencave islame në Shkup.
Ka marrë pjesë në më shumë se tridhjetë simpoziume shkencore brenda dhe jashtë vendit si në: Prishtinë, Sarajevë, Zagreb, Shkup, Tetovë, Tiranë, Stamboll, Amman, Teheran, Lahorë, Ankara etj.
Ka botuar si vijon:
Poezi arabe, 1983, Shkup, Shtëpia Botuese “Flaka”,
S. Frashëri, Vepra 7, 1984, Prishtinë, Shtëpia Botuese “Rilindja”,
Kur’an-i, 1985, Prishtinë, B.I.K. (Bashkësia Islame e Kosovës),
Kur’ani, mrekullia më e përsosur, Shkup, B.I.M. (Bashkësia Islame e Maqedonisë),
Flasim arabisht, 1987, Prishtinë, Enti i TMM të Kosovës,
Rexhep Vokë Tetova, MENDIME, 1991, Tetovë, KBI,
Gjuhë arabe: fonetikë – morfologji, 1991, Prishtinë, Enti i TMM të Kosovës,
Salih Gjuka, Shkrolaria e shqypes, 1991, Prishtinë, BIK,
Jasin-i me 20 sure të tjera shqip, 1992, Prishtinë,
Kur’ani kryevepër, 1992, Prishtinë,
Hafiz Ali Korça, MEVLUDI, 1992, Prishtinë,
Nga tematika e Kur’anit, 1993, Shkup, Logos-A,
Sahihu-l-Buhari në gjuhën shqipe, libri 3, 1994, Prishtinë,
Sahihu-l-Buhari në gjuhën shqipe, libri 4, 1995, Prishtinë,
Nga Kërçova për Kërçovën, 1995, Kërçovë,
Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe, 1996, Shkup, Logos-A,
Xhuz’i 30 (Amme), 1997, Prishtinë,
Nedimu-l-Xhisr, Besimi në All-llahun në dritën e Kur’anit, 1997, Prishtinë,
Kur’ani dhe hija e tij shqip, 1999, Shkup-Stamboll, Logos-A – IHH,
Sahihu-l-Buhari në gjuhën shqipe, libri 6, 2000, Prishtinë,
Kur’ani mrekullia më e përsosur, 2001, (bot. i dytë), Prishtinë,
Hafiz Ali Korça, Bolshevizmi është shkatërrim i njerëzimit, 2001, Prishtinë,
Hyrje në filologjinë orientale, 2004, Prishtinë, SHORK,
Për letërsinë arabe, 2005, Prishtinë, SHORK,
Maturantët e parë të medresesë Alauddin, Prishtinë, 2007,
Sulejman Mashoviç, Pikëpamje islame, Prishtinë, 2007,
Sahihu-l-Buhari në gjuhën shqipe, libri 9, Prishtinë, 2008,
Përkthimet e letërsisë arabe në gjuhën shqipe, Prishtinë, 2008,
Kërçovarët për Kërçovën, Shkup, 2009.
Anëtar: 1964 – Organizata ilegale LRBSH; 1969 – anëtar i redaksisë “El-Emel”, Beograd; anëtar i grupit letrar “Përpjekja” në Beograd; anëtar i Kuvendit Suprem të B.I. të Jugosllavisë, Sarajevë; anëtar i K.B.I., Prishtinë; anëtar i redaksisë “Dituria Islame”, Prishtinë; anëtar i redaksisë “Bashkimi Paqësor” (redaktor i rubrikës islame), Prishtinë; anëtar i redaksisë “Filologji”, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë; anëtar i redaksisë “Përmbledhje punimesh të F.Sh.I., Shkup; anëtar i Akademisë Arabe të Shkencave, Damask; anëtar i Shoqatës për Hulumtime të Kur’anit dhe Hadithit, Kairo; anëtar i Kryesisë së shoqatës kulturore-humanitare “Urtësia”, Prishtinë.
Sekretar: i Shoqatës së studentëve “Përpjekja”, Beograd, 1970-1971; sekretar i Degës së Orientalistikës, Prishtinë; zëvendës-dekan i Fakultetit të Filologjisë, 1997-99, Prishtinë.
Kryetar: i shoqatës së nxënësve të Medresesë “Alauddin” 1965-67; Këshilli nismëtar për ndihma pranë B.I.K., 1990-91; kryetar i Degës së Orientalistikës; kryetar i Shoqatës së Orientalistëve të Kosovës.
Pyetjet
Ju vendosët të shkolloheni në medrese. Shkuat që të bëheni hoxhë, apo për shkak të traditës tuaj fetare familjare?
Për të shkuar në medrese, vendimtare ishte vullneti për dije, veçanërisht për dije islame, e cila në atë kohë shikohej me nënçmim nga sistemi dhe një pjesë e shoqërisë. Kjo atmosferë mua më nxiste edhe më shumë që t’i përkushtohem kësaj fushe. Jo me qëllim që të shërbej në profesionin e imamit, por në shërbim të mbarë opinionit, do të thotë që dëshiroja të bëhem më tepër sesa një hoxhë, si thoni ju, përkatësisht më shumë se një imam i një xhamie. Dhe kjo dëshirë më është plotësuar. Edhe tradita fetare në familje luante rolin e vet, edhe pse para brezit të dhjetë nuk e kemi të qartë përkatësinë fetare.
Përse vendosët të studioni Orientalistikën në Beograd? Çfarë mund të na thoni për atë kohë?
Kryerja e medresesë siguronte kualifikimin vetëm për hoxhë, që sipas konceptit tonë, do të thotë imam i një xhemati. Pasi unë dëshiroja më shumë se aq në këtë fushë, atëherë duhet të thelloja studimet në gjuhë arabe. E vetmja mundësi ishte Orientalistika, sepse për shkak të moshës nuk mund të dilja jashtë shtetit pa e kryer shërbimin ushtarak, dhe nuk mund të merrja pasaportë. Dega e Orientalistikës ishte edhe në Sarajevë, por atje nuk njihej medreseja si shkollë e mesme dhe nuk kisha mundësi të regjistrohesha. Në Beograd nuk e kishim këtë pengesë dhe unë këtu i fillova studimet e gjuhës arabe, pastaj u zgjerova edhe për gjuhën turke, saqë në vitin 1971 u diplomova në filologjinë orientale, që do të thotë kualifikim i barabartë për gjuhën arabe dhe gjuhën turke me letërsitë e tyre, si edhe për letërsi perse.
Orientalistika në Beograd ka një traditë shumë të gjatë, ka filluar nga viti 1926 dhe ajo përvojë ka qenë e dobishme për studentët e kësaj fushe. U regjistruam shumë kolegë që kishim kryer medresenë në Prishtinë, por mbeta i vetëm pasi kolegët e mi, më të rinj, mundën të merrnin pasaportat dhe shkuan në Bagdad, Irak.
Kushtet për të studiuar në Beograd kanë qenë shumë të mira, kur kemi parasysh se në çfarë kushtesh e kishim kryer maturën. Orientalistika kishte bibliotekën e vet me literaturë profesionale, por ne mund të shfrytëzonim edhe bibliotekat e tjera: bibliotekën e qytetit, bibliotekën Svetozar Markoviç, bibliotekën popullore, madje edhe bibliotekën e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve.
Këtë vit mbushen plot 25 vjet nga përkthimi i parë komplet i Kur’anit në gjuhën shqipe. Kur e filluat konkretisht përkthimin e Kur’anit në gjuhën tonë dhe a ishit i vetëdijshëm për peshën e rëndë që merrnit mbi vete? Të përkthesh një libër siç është Kur’ani është një privilegj i madh, por edhe një përgjegjësi e madhe?
Përkthimin e Kur’anit të Madhërishëm, praktikisht e kam filluar në vitin 1977, pasi mbrojta temën e magjistraturës, e cila si objekt studimi kishte përkthimet e Kur’anit në gjuhën serbo-kroate. Në vitin 1981 botova përkthimin e sures Shu’ara, në revistën Edukata Islame, në Prishtinë, kurse në vitin 1983 dhe 1984 edhe disa sure të tjera në revistën Glasnik VIS, në Sarajevë. Në vitin 1984 e kam kryer përkthimin në tërësi. Kjo do të thotë se gjithsej më kanë shkuar shtatë vjet. Në qershor të vitit 1985 lexuesi shqiptar e merr për herë të parë në duar Kur’anin e përkthyer komplet në gjuhën shqipe.
Kam qenë plotësisht i vetëdijshëm për peshën, përgjegjësinë dhe privilegjin. Të futesh në një pyll kaq të dendur kërkon guxim, sidomos në atë kohë, por duke pasur parasysh faktin se me këtë përkthim pasurimi i kulturës shqiptare islame do ta arsyetojë rrezikun, nuk u hamenda fare. Vetëm All-llahu është i pagabueshëm, e Ai në Kur’an kërkon nga ne që të mos e fshehim atë çfarë u thuhet njerëzve në Kur’an (Sure el-Bekare, ajeti 159), dhe unë vendosa të marr mbi vete edhe përgjegjësinë që më takon.
Kur nisi përkthimi i Kur’anit nuk ishit vetëm ju, por ishin një grup që do duhej ta përkthente librin e shenjtë. Çfarë ndodhi? Pse u ndatë? Do të na e sqaroni këtë për hir të korrektësisë historike, për lexuesit dhe studiuesit shqiptarë?
Kur unë nisa të përkthej Kur’ani Kerimin nuk kishte asnjë grup përkthyesish. Ka pasur vetëm fjalë, që i kam përshkruar në veprën “Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe”. Lidhur me këtë ka nevojë, ndoshta, për sqarime. Në vitin 1981 Shoqata e Ulemave në Prishtinë, në krye me H. Abdullah Zhegrovën ka formuar grupin punues, që ka filluar të punojë për përkthimin e Kur’anit në muajin shkurt të atij viti. Kryetari i grupit punues ka qenë H. Sherif ef. Ahmeti, kurse në grupin punues kam qenë edhe unë, bashkë me kolegët Bajrush Ahmeti, Ismal Ahmedi, Qazim Qazimi, Resul Rexhepi, Ruzhdi Shabani dhe Emin Behrami. Më vonë iu bashkuan edhe Hajrullah Hoxha dhe Avni Aliu. Unë kam qenë deri në vitin 1983 kur dhashë dorëheqje për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes së arritur në ditën e formimit të këtij grupi punues. U tërhoqa për shkak të mospërfilljes së parimeve themelore që duhen zbatuar në projekte siç ishte ky. U tërhoqa që të vazhdoja punën që e kisha nisur vite më parë, punë e cila përkundër marrëveshjes kur unë panova të hyj në këtë grup punues, nuk gjeti mirëkuptim në formacionin e këtij grupi. Grupi punues e vazhdoi punën edhe pas largimit tim. Mirëpo tre vjet pasi u botua përkthimi im, brenda grupit punues dolën në shesh disa parregullsi, madje edhe ndërmjet botuesit dhe kryesuesit të këtij projekti. Puna e atij grupi shkoi edhe në gjygj, për të cilën bëhet fjalë në monografinë “Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe”, Shkup 1996, në revistën “Dituria Islame”, nr. 37/1992, Prishtinë, etj.
Përkthimi juaj pati edhe një botim të dytë që u titullua “Kur’ani dhe hija e tij shqip”. Pse vendosët ta emërtoni kështu përkthimin e dytë? A mendoni se Kur’ani nuk mund të përkthehet në asnjë gjuhë, por përkthehet kuptimi i tij, apo ende i qëndroni mendimit se Kur’ani duhet të përkthehet ashtu si është në origjinal?
Ribotimi i përkthimit tim, Shkup-Stamboll 1999, për dallim nga botimi i parë në vitin 1985, e përmban edhe Kur’anin, sepse ai i pari kishte vetëm hijen, ishte vetëm përkthimi. Përkthimi nuk është Kur’an, është hije e Kur’anit, prandaj me këtë rast është emërtuar ashtu si duhet dhe ashtu si është botuar: Teksti i Kur’anit dhe i hijes së tij janë në proporcion të barabartë. Ky botim nuk e ka tekstin e Kur’anit për dekor por për ta lexuar ai që di të lexojë në origjinal. Po e përsëris se Kur’ani mund të përkthehet, por gjithashtu e përsëris, sepse e kam thënë edhe më parë, se asnjë përkthim nuk është Kur’an. Kur’ani vetëm në origjinal është Kur’an. Ndërkaq për shprehjen “…përkthehet kuptimi i tij” dëshiroj të theksoj se kjo shprehje është formuar gabimisht. Dihet se melodia nuk përkthehet, bukuria e veprës nuk përkthehet, piktura dhe skulptura nuk përkthehen. Këto vetëm sa mund të përjetohen dhe të interpretohen. Arti i shprehur me fjalë edhe përkthehet edhe interpretohet, por edhe përjetohet. Prandaj është e tepërt dhe jokorrekte të thuhet se përkthehet kuptimi, apo siç shprehen disa “kuptimet e Kur’anit”. Kjo shprehje e importuar në gjuhën shqipe është e palogjikshme. Kuptimet, apo domethëniet vetëm mund të komentohen dhe atëherë bëhet fjalë për komentim – tefsir, jo më për përkthim. Përkthimi dhe komentimi janë dy veprime të ndryshme dhe unë kam bërë përkthim të Kur’ani Kerimit, siç kanë bërë shumë të tjerë në gjuhët e tyre. Nuk qëndron konstatimi se Kur’ani nuk mund të përkthehet – vetëm mund të interpretohet. Unë qëndroj fortë në konstatimin se Kur’ani i përkhyer nuk mund të ruajë në tërësi vlerat që i ka në origjinal, prandaj e quaj hije të Kur’anit, por që mund të përkthehet nuk ka diskutim fare. Dhe ky veprim është shumë më korrekt sesa interpretimi i Kur’anit, ku mbizotërojnë mendimet e shprehjet individuale të krijesës njeri dhe që, me pahir, mund të largohet krejtësisht nga origjinali. Tekefundit, përkthimi është edhe interpretim – kushtimisht, kurse interpretimi mbetet gjithnjë vetëm interpretim.
Sot para publikut shqiptar ka disa përkthime të Kur’anit. Si i vlerësoni ato dhe a mendoni se do të bëhet përkthimi i Kur’anit nga një grup shkencëtarësh shqiptarë ekspertë të fushave të ndryshme, pasi që Kur’ani përbëhet nga shumë fusha shkencore?
Është një pasuri e kulturës islame-shqiptare. Secili përthim ka vlerat e veta dhe përmban në vete vulën e shkallës së angazhimit individual dhe kolektiv, por edhe të kohës kur ka ndodhur. Është fakt se Kur’ani ngërthen në vete një mal disiplinash të dijes e të përvojës njerëzore, por sa i përket çështjes së përkthimit prej ndonjë grupi shkencëtarësh shqiptarë, mendoj se është një investim irracional dhe i padobishëm. Nëse është fjala për komentim, atëherë kjo duhet bërë, në radhë të parë, nga ekspertë të fushave të ndryshme në nivel gjithislam dhe gjithëbotëror, jo vetëm te shqiptarët. Kjo në përgjithësi mungon. Pavarësisht se disa manovrojnë me shprehjen tefsirë shkencorë, ata tefsirë janë nga individë të specializuar njëanshëm. Nuk mundet një individ, as dy e tre që të thellohen në tërë disiplinat që ngërthen Kur’ani Kerimi. Unë mendoj se është koha dhe mundësitë që bota islame të mendojë për një projekt të tillë, sepse ka nevojë dhe është e realizueshme, pa i anashkaluar tefsirët aktualë. Kjo do të ishte një punë e dobishme dhe që i bën nder shpalljes hyjnore dhe shkencës.
Sami Frashëri nisi përkthimin e parë të Kur’anit ndër shqiptarët në gjuhën turke. Çfarë u bë me këtë përkthim? A gjendet ai në arkivat e Stambollit? Çfarë mund të bëjnë orientalistët shqiptarë për këtë përkthim, për t’i dalë hakut Sami Frashërit që ishte një njohës i mirë edhe i fushave islame?
Është një çështje me interes shkencor e kulturor, por akoma në fazë të hulumtimit dhe të konfirmimit se çfarë është e vërteta këtu. Janë thënë mendime të ndryshme, njëri prej të cilëve është se pushteti aktual i kohës e ka asgjësuar, e ka djegur, këtë kontribut të Samiut. Nëse është ashtu, mbesin pak gjasa për t’u gjetur nëpër arkiva. Por megjithatë mendoj se edhe shkenca shqiptare, para së gjithash orientalistika shqiptare, nuk duhet të ndalen së hulumtuari përmes kanaleve zyrtare dhe private për të hedhur dritë lidhur me këtë kontribut të Samiut. Kjo do të ishte diçka e jashtëzakonshme, kur dihet se shqiptarët vetëm në shekullin 20 i lënë gjurmët e para në përkthimin e Kur’ani Kerimit në gjuhën amtare.
Publiku shqiptar nuk ka njohuri shumë për Orientalizmin dhe Orientalistikën Shqiptare. Na thoni shkurtimisht, çfarë është Orientalizmi dhe ku dallon Orientalistika Shqiptare nga Orientalizmi?
Në thelb nuk ndryshojnë aspak. Nga fjala latine oriri – të lindësh, orient – lindje, formimi me mbaresat: izam dhe istik ka të bëjë me natyrën e gjuhës ku formohet, prandaj kemi fjalët: oriental; arientalismus, orientalism, orintalische, orientalistikë, etj., dhe në gjuhën shqipe Orientalistika shpreh disiplinën e cila merret me studimin, njohjen e botës së orientit: Lindjen e Afërt dhe të Mesme. Kryesisht, atë që përfshinë fenë dhe kulturën islame, apo thënë ndryshe, hapësirën e gjuhëve arabe, persiane dhe turke. Kurse me orientalizëm shënohet derivati gjuhësor i ngulitur në gjuhën shqipe, ashtu që elementet gjuhësore arabe, turke dhe perse, që janë bërë pjesë e inventarit të gjuhës shqipe i quajmë orientalizma, për të mos thënë: fjalët arabe, fjalët turke dhe fjalët persane, në të njëjtën kohë. Kjo i takon themelimit të kësaj disipline si disiplinë shkencore në nivel botëror dhe shqiptar. Mirëpo, kohët e fundit, nën ndikimin e koncepteve politike edhe në qarqet kulturore e politike shqiptare ka lëshuar degët e veta termi orientalizëm me domethënie tendencioze për të emërtuar frymën anti-islame. Edhe emërtimin orientalist e përdorin për anti-islamistin, formime këto të dhunshme dhe të pambështetura në themele shkencore dhe përvojën historike të kulturës dhe shkencës botërore. Sa i përket dallimit të termave orientalistikë dhe orientalizëm shqiptar, do të bëja fillimisht dallimin nga orientalistika botërore me orientalistikën shqiptare. Përderisa orientalistika botërore kishte si qëllim të studiojë dhe të njohë kulturën dhe historinë e popujve të Lindjes – orientalistika shqiptare ka si qëllim që të njohë kulturën dhe historinë e vet nëpërmjet historisë dhe kulturës së orientit. Ky është dallimi thelbësor që duhet pasur parasysh. Sipas bindjes dhe përvojës sime orientalizëm shqiptar, siç e përdorin disa në qarqet kulturore shqiptare sot, nuk ka fare. Nuk është mirë që terminologjia fisnike shkencore të përdoret për të shprehur misionarizmin anti-islam.
Ku është orientalistika shqiptare sot?
Orientalistika shqiptare sot qëndron në themele të shëndosha e mbështetur mbi një kapital shumë të fortë profesionalisht të realizuar deri tash, dhe krenare për çfarë ka bërë për këto tri dekada, e pak më shumë. Por ajo sot, për fat të keq nuk është duke përparuar, nuk ka bibliotekë, siç e meriton një fushë studimesh si kjo, nuk ka furnizime me literaturë të nevojshme dhe mjete adekuate teknologjike për të mësuar gjuhën arabe dhe turke – këtu mësohen të dyja gjuhët – sipas standardeve bashkëkohore. Përkundër kësaj, me një mirëkuptim modest nga institucionet kompetente të Republikës së Kosovës, orientalistika vazhdon ta mbajë hapin për ngritje dhe përgatitje të kuadrit të ri shkencor për historinë dhe kulturën e Kosovës dhe atë shqiptare në përgjithësi. Ajo sot numëron të arritura inkurajuese, me disa doktorë shkencash, me një varg të gjatë veprash shkencore e kulturore nga kjo fushë, me një potencial të lakmueshëm hulumtues, por që është në pritje të një përkrahje më të madhe konkrete nga institucionet kompetente me qëllim që të japë kontribut edhe më të madh.
Përse gjithë ky hezitim i institucioneve tona për të bashkëpunuar me Orientin?
Mbase përgjegjësia mund t’i lihet fazës në tranzicion që po kalon Kosova, por kjo zgjati shumë. Është e pashpjegueshme për mua, por edhe e paarsyeshme. Edhe 10 vjet pas çlirimit dhe dy vjet pas shpalljes së pavarësisë, akoma vazhdohet me nivelin e OJQ-ve, madje të reduktuara. Edhe me ato shtete që e kaë pranuar shtetin e Kosovës, akoma nuk kemi lëvizur me asgjë nga aspekti kulturor e shkencor.
Në një punim, kohë më parë lidhur me sektet keni kritikuar edhe institucionet fetare për neglizhencën e tyre. Çfarë mendoni për to dhe si mendoni se duhet të sillemi me to?
Është e vërtetë, i jam qasur kësaj teme – jo aq e lidhur ngushtë me filologjinë orientale, së cilës i përkas unë – me qëllim që të kontribuoj në zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare, kur keqpërdoret edhe faktori gjuhë, i cili shërben për të emërtuar drejtë dukuritë dhe fenomenet shoqërore dhe për t’i trajtuar me seriozitet ato dukuri dhe ato zhvillime. Kam dëshiruar që t’ia tërheq vërejtjen, kjo i takon secilit studiues, të gjithë subjektëve me përgjegjësi në shoqëri, e për temën konkrete duhet në rend të parë që të kyçen institucionet fetare – por jo vetëm këta, duhet që bashkërisht me instrumentet që ka një shoqëri e organizuar, se diçka po ndodh në këtë drejtim dhe ajo çfarë po ndodh mund të jetë rrezik për shoqërinë tonë. Krahas kësaj që kam thënë, do ta them përsëri se këto zhvillime kërkojnë qasje më serioze dhe duhet të sillemi me korrektësi, pa iluzione, me fakte të dorës së parë që mbështeten në burime të pakontestueshme dhe me korrektësi reale.
A mendoni se pas tolerancës së tepërt ndërfetare fshihet ndonjë intolerancë?
Toleranca, edhe ajo ndërfetare, nënkupton një raport të ndërsjellë në marrëdhëniet ndërnjerëzore. Nëse nuk veprohet kështu, atëherë mund të bëhet shkaktar për të inkurajuar, ushqyer dhe kultivuar intolerancën. “Gjella me kripë – kripa me karar!” – thotë populli.
Jeni ndër themeluesit e Partisë së Drejtësisë. Pse u futët në politikë dhe si po ecën partia?
E vërtetë. Kam kontribuar në themelimin e Partisë së Drejtësisë, në vitin 1999, sepse kishte një koncept ndryshe nga partitë e tjera politike që veprojnë në Kosovë, me qëllim që popullit të Kosovës t’i afrojmë një alternativë për të mbrojtur vlerat e traditës fetare dhe kombëtare. Qëndrova anash për një kohë, por më në fund duhej të aktivizohesha me këmbënguljen e ish-studentit tim Sulejman Çerkezit. Momenti kur u riaktivizova, në vitin 2007, ka të bëjë me tendencat e politikës kosovare që përmes një pragu prej 5% të eliminojë nga skena politike subjektet e vogla politike, ku bënte pjesë edhe Partia e Drejtësisë që asokohe ishte Parti Parlamentare. Megjithëse nuk e kaloi pragun, mbase kam kontribuar edhe unë që PD-ja të ecë përpara. Fakti se ajo tani radhitet në vendin e gjashtë të subjekteve politike në Kosovë dhe fakti se në secilën fazë zgjedhore shënon vetëm ngritje, dëshmon se është një subjekt politik serioz dhe stabil. Pa premtime kuturu dhe me oferta reale ajo kërkon një angazhim të përbashkët për të dalë nga kjo situatë e mjegullt dhe udhëheqje e padrejtë dhe mashtruese. Rrugëtimi i mëtejshëm do të jetë edhe më i suksesshëm ngase dita-ditës populli i Kosovës po vetëdijesohet për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare dhe fetare, program të cilin e gjen në platformën e PD-së.
Keni botuar një varg veprash të ndryshme. Çfarë presin në të ardhmen e afërt lexuesit nga ju profesor?
Shpresoj që së shpejti të shohë dritën leksikoni i hafizëve, në të cilin janë përfshirë rreth 1000 hafizë nga hapësira shqiptare duke filluar nga shekulli 17 e deri më sot. Pastaj janë edhe disa kontribute të tjera, si: ribotimi i teksteve për studentë dhe të interesuar të tjerë për të mësuar gjuhën arabe, bazat e gjuhës arabe, arabishtja pa mësues, për të cilat akoma nuk kemi gjetur ndonjë donator për shtypin, e pastaj shpresojmë edhe për botimin e fjalorit shqip-arabisht dhe ca botime të tjera në fushën e filologjisë, islamistikës dhe historisë shqiptare. Të gjitha këto shumë shpejt mund të bëhet gati dhe të vazhdojnë procedurën e shtypit.
Faleminderit shumë për intervistën.
Intervistoi: Liridon KADRIU
08.01.2010
Prishtinë
/Orientalizmi Shqiptar/
* Akademik Feti Mehdiu është profesor në Fakultetin e Filologjisë – Dega e Orientalistikës, Prishtinë.
** Kjo intervistë është botuar në revistën “URA”, nr. 4, Pranverë-Verë, Tiranë 2010, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com, numër ekskluziv për përkthimin e parë të plotë të Kur’anit në gjuhën shqipe nga Dr. Feti Mehdiu.
Ditari i papublikuar i Hajredin Cakranit. Detajet e ditëve të pavarësisë
Blerina GOCE
DITARI I PAPUBLIKUAR I HAJREDIN CAKRANIT. DETAJET E DITËVE TË PAVARËSISË
Zbulohen kujtimet e firmëtarit të deklaratës së Pavarësisë. Rrëfime për takimet në Parlamentin turk, takimet me atdhetarë e rilindës, marrëdhënia me Ismail Qemalin etj.
Deri para pak muajsh ndodheshin të dëmtuara e të mbyllura në një kasetë metalike, ku “dergjeshin” që prej viteve ’50 në një shtëpi në Cakran. Pasardhësit që i kishin trashëguar nuk e dinin se çfarë fshihej në dorëshkrimet e hapura për të parën herë në vitin 1992, duke besuar se ato ishin dokumente pronash.
Do të duhej një kontroll “i ri” që të mësohej se këto dokumente, tashmë të dëmtuar e ku balta dhe ndryshku kanë ngjitur fletët me njëra-tjetrën, ishin dokumente që rrëfenin së shumti për historinë e Shqipërisë.
Në to fshiheshin kujtime e letërkëmbime të vëllezërve Cakrani, dy prej firmëtarëve të deklaratës së Pavarësisë, të cilët kanë kontribuar së shumti në çështjen shqiptare.
Lufta e tyre për liri e pavarësi është tepër komplekse, e zë fill, së paku që në vitin 1908 kur ata shkuan në manastir për të takuar të gjithë rilindësit, përgjithësisht ata korçarë dhe i takuan të hapnin shkollën e tyre në Cakran vetëm disa muaj pas miratimit të alfabetit latin.
Këto rrëfime shfaqen në dokumentet e servirura nga Kujtim Cakrani, të cilat po përpunohen e sistemohen nga historiani Kastriot Bimo. Bimo është njohur me një dorëshkrim të Hajredin Cakranit që në dhjetor e tashmë po përgatit monografinë e tij.
“Balta dhe ndryshku i ka bërë të ngjiten fletët me njëra-tjetrën dhe në një punë prej mbi 6 muaj në një staf prej 5 vetësh në laborator po arrijmë në një punë jashtëzakonisht të vështirë fundin. Probleme shfaqin jo vetëm pjesët e dëmtuara e të palexueshme, të cilat janë korrigjuar me kuptim të përafërt, por edhe gjuha e asaj kohe duke qenë mjaft e ngarkuar me shprehi dhe elemente të gjuhës turke paraqet vështirësi në konvertimin e asaj zyrtare e letrare të kuptueshme të sotme”, shprehet Bimo, ndërsa shton se paralelisht për konvertimine këtyre dorëshkrimeve po punon edhe një pedagog i gjuhës shqipe.
Udhëtim në ngjarje që prej 1882-it
Materialet e studiuara i përkasin ngjarjeve nga viti 1882 e vazhdojnë në 1908, 1909, 1911, 1912 etj. Disa ngjarje që përshkruhen në këto shënime janë ato të takimit në Stamboll me Sami Frashërin ku Hajredin Cakrani i merr abetaren dhe libra të tjerë. Në to përfshihet edhe vajtja e tij së bashku me të vëllain Bektash Cakrani në Klubin e Manastirit ku hapin dhe shkollën e parë shqipe në Cakran, takimi në Stamboll i Bektash Cakranit, Dervish Himës, Mihal Gramenos me Nexhip Dragën e Hasan Prishtinën për fillimin e kryengritjes në Toskëri. Në këto shënime flitet edhe për kryengritjen e zhvilluar në Cakran nga Baki Gjirokastra, Namik Delvina, Idriz Guri, etj., sipas orientimeve të Ismail Qemalit, mbështetjen pa rezerva të kandidaturës së I.Qemalit për deputet. Flitet aty edhe për takimin me Ismail Qemalin e Luigj Gurakuqin në gusht 1912 në shtëpinë e tyre, ku dhe bujtin atë natë, kalimin nëpër Myzeqe duke e nxjerrë I.Qemalin nga rreziqet e përcjelljes në Vlorë si firmëtar. Por edhe për momentet kur ai është këshilltar i ministrit të Luftës M.pashë Drralla, apo kur i vëllai, Bektash Cakrani është drejtor thesari (sepse në mungesë të fondeve shumicën e aksioneve i jepnin të dy vëllezërit nga të ardhurat e çifligjeve të tyre), etj. Interesante është të shihen edhe momente të tjera, si: përplasja me Ismail Qemalin për arsye të koncesioneve të tij me bankën pa u bërë shteti në një promemorje të firmosur nga 67 krerë mes të cilëve: F.Konica, M.Frashëri, F.Toptani, M.Grameno, Th.Germenji, H.Prishtina, D.Hima, P.Cale, etj. dhe ku qeveria iu dërgon për raprezalje në Cakran bandën e Salih Vranishtit që ruante rendin në Vlorë, refuzimi i pjesëmarrjes në qarkun e Esat Pashës, lufta nën Princ Vidin, beteja në Lushnjë me fanatikët e Shqipërisë së Mesme në 1913, arratisja në Itali, bashkëpunimi me austriakët, apo takim- pajtimi i mundësuar prej tyre me I.Qemalin në 1918 në Vjenë. Ata janë ndër themeluesit e Kongresit të Lushnjës dhe Hajredin Cakrani është i pari që ngrihet dhe propozon Kabinetin e S.Delvinës, i cili bujt në shtëpi të tyre. Deputet i pavarur dhe në luftë në 1920 kundër italianëve në Vlorë, po si deputet i pavarur shkon përsëri në Vlorë në varrimin e Avni Rustemit. Me pikëpamje republikane, antizogist, themelues i lëvizjes së Fierit, dënohet me vdekje, por falë influencës i falet jeta etj. Shënimet e firmëtarit të deklaratës së pavarësisë janë në formë kujtimesh, por spikat aty një trajtë rrëfimtare herë-herë deri në detaje të ngjarjeve.
Më poshtë po sjellim një nga fletët e kujtimeve të shënuara prej tij, që flet për ditët e fundit para pavarësisë…
Transkipt
Më njëzet t’vjeshtës së tretë i përgjigjem telegramit për në Vlorë. Shirat nuk kishin pushuar dhe semani kishte dalë poshtë në çiflik. E panë një njeri me kalë drejt Petshanjit dhe i thanë se andej është çifliku i Hajredin Beut. Ai u fut tutje dhe kur m’a prunë në shtëpi e pieta nga vin. Kur e mori vesh q’ isha Hajredin Beu më fjalosi për një kartë q’e dërgon Bektash Beu nga Vlorë dhe gjall’a vdekur të t’a bija bej më tha. E këndova me një frymë e më shkruaj në gjuhë frënge të kem besim te njeriu i kartes. Pasi më sqaron fill e përpe thotë se Ismail Beu e Z.Luigj Gurakuqi me njerëz të tjerë do vinin nga Durresi në Vlorë ësht’ marrqë vesh e kish rrezik të përpiqen me ushtërinë e bëhet hataja. Duhet të bëja gati njerëzit t’u dilim ne Shkumbin e t’u prisim udhë e e t’i fusim në çiflik . Llafosa me njerinë t’im te besuar po ai tha se në këtë hata shi që po bie rruga as që duket. S’ke dëgjuar gjallë vdekur ti i bërtita. Si të urdhëroç Bej po j’a dolëm dot me buaj për ndryshe u mbymë. I bëni hazër buaj e qerre se s’mbytemi jo . Ku të ikim nata erdhi dhe andej s’luan dot. Me t’u gëdhirë po bënim hazër buajt kur erdhi paradite një tjetër njeri I bërë qull der’ ne pallce e pruri kartën e dytë. Hataja thuaj’ ish bërë se ushtërija kish muar urdhër t’a zir Ismail Bejnë me shokë se s’bën. Muarëm rrugën e sipërme të kënetës po as ajo s’dukej nga ujtë që kish dalë tejetej. Të dalë ku të dalë. Buajt ecin javash në llucë ne duhej të nxitonim po ku të linte ujtë e mjergulla që kish rënë vënde- vënde sikur kish dalë deti e qe ngjitur në rrëzë të kodrës.
Përshtatur
Më njëzet të nëntorit iu përgjigja telegramit për në Vlorë. Shirat nuk kishin pushuar dhe lumi i Semanit kishte dalë nga shtrati poshtë nga çifligjet. Kishin parë një njeri me kale që nxitonte drejt Petoshajt dhe i thanë se në atë drejtim ishte çifligu i Haredin bej Cakranit. Ai vazhdoi rrugën, që kështu e kapën dhe ma sollën mua në shtëpi, ku aty unë e pyeta se nga vinte. Kur u sigurua se unë isha Hajredin Cakrani vetë më tha për një letër që ma dërgonte im vëlla Bektash Cakrani nga Vlora dhe gjallë a vdekur të ta bija bej,- më tha. E lexova me një frymë ku më shkruante në frëngjisht që të kisha besim tek letërprurësi. Aty më sqaronte hollësisht se Ismail Qemal beu dhe zoti Luigj Gurakuqi së bashku me njerëz të tjerë do të vinë në Vlorë, por kjo gjë është marrë vesh dhe ka rrezik të përplasen me ushtrinë osmane dhe ndodh e keqja. Duhet të bëja gati njerëzit e t’u dilnim në Shkumbin , për t’u prerë rrugën e t’i fusnim pastaj nëpër çiflig për siguri. U mora vesh me një njeriun tim të besuar, por ai më tha se në këtë shi të tmerrshëm që po bie, rruga as që duket.- Ke dëgjuar gjallë-vdekur! I bërtita! Si të urdhrosh ti bej, por po ja dolëm dot me buaj se ndryshe do të mbytemi. I bëni gati buaj e qerre se nuk mbytemi, jo! Nuk kishim ku të shkonim se nata po vinte dhe në ato anë nuk lëviz dot në errësirë. Në të gëdhirë po i bënim gati buajt, kur paradite erdhi një njeri tjetër i lagur deri kë kockë, i cili solli letrën e dytë. E keqja pothuaj kish ndodhur se ushtria osmane kish marrë urdhër për të kapur Ismail Qemal beun me shokë me çdo kusht. Morëm rrugën e sipërme të kënetës, por ajo nuk dukej nga uji që kish dalë tej për tej.-Të dalë ku dalë! Buajt ecin ngadalë në baltë, ndërsa ne duhet të nxitonim, po ku të linte shiu e mjegulla që kishte rënë vënde-vënde e dukej sikur kish dalë deti e kish ardhur në rrëzë të kodrës…
Drejtori i thesarit në Qeverinë e Ismail Qemalit më 1912 Bektash Cakrani, e që ishte vënë aty për arsye se posedonte anën financiare ndihmëse të kësaj qeverie, i drejtoi një promemorje I.Qemalit, të firmosur nga 67 vetë (Faik Konica, Mit’hat Frasheri, Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji, Dervish Hima, Hasan Prishtina, Pandeli Cale, Azis pashë Vrioni), ku thoshte se “dhënia me koncesion e krijimit të një banke austro-italiane, nga një qeveri e përkohëshme lokale, pa u vendosur akoma kufijtë e shtetit, nuk duket si aventurë, por tradhti e mirëfilltë…”
Konti Leopold Berchtold, ministri më i ri i Punëve të Jashtme në historinë e Perandorisë Austro-Hungareze, pyetjes së Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit se a do të hyjë në luftë në anën tonë Austria, sqaroi se “konflikti është ballkanik, po ndërhymë si thoni ju, s’është më i tillë. Më logjike është një shtet i pavarur shqiptar në Bllkan, se zgjerimi i konfliktit”, gjë të cilën nuk e evitoi dot më vonë, kur po në Ballkan nisi Lufta I Botërore.
…famëkeqi Max Valentineri me nëndetësen e tij gjermane, siluroi dhe mbyti anijen amerikane “Lusitania”, me gjithë pasagjerët e saj, duke futur SHBA-në në luftë, ku doli i humbur. Themistokli Germenji, Sevasti Qiriazi, e të tjerë të krishterë korçarë u bënë protestantë në kundërshtim me grekët dhe vetë ortodoksinë e tyre, por Fuqitë e Mëdha i quajtën këto çeta me orientim progjerman, duke na klasifikuar në anën e të humburve në Luftën e Parë Botërore.
Thuhet se vetë Ismail beu Kemal ka bërë pjesë në rrethet e Masonerisë, me apo pa dashje pasqyruar në të vetmin film që është bërë për të, ku shenja në fjalë i përket “lozhës” së mendjendriturve, tipar ky që s’i bëri dot punë në Shqipëri, pasi për arsye që dihen, qeveria e tij ra shumë shpejt.
Burimi: http://www.gazetametropol.com/ditari-i-papublikuar-hajredin-cakranit-detajet-e-diteve-te-pavaresise/
Heroi si arketip në eposin shqiptar dhe Shah-name-në e Firdeusit
HEROI SI ARKETIP NË EPOSIN SHQIPTAR DHE SHAH-NAME-NË E FIRDEUSIT
Sipas Joseph Campbell, një nga studiuesit më të njohur bashkëkohorë të mitologjisë së krahasuar, të gjitha rrëfimet mitologjike janë të strukturuara mbi një bagazh të përbashkët imazhesh, simbolesh dhe ngjarjesh1.
Në teorinë e arketipeve të C. Jung-ut2 formulohet teza se disa nevoja psikologjike dhe instiktive të njeriut shpërfaqen përmes simbolesh dhe imazhesh, të cilat praktikisht janë të pranishme në të gjitha qytetërimet, të shkuara dhe të sotme. Në çastin kur këto elemente lindin nga e pandërgjegjshmja, dalin në pah arketipe të ndryshme që i kanë si tipare të qëndrueshme, karakteristike, personazhet e rrëfimeve mitike: princeshat, kalorësit, magjistarët, dragonjtë etj. Po kështu shfaqen simbologji të njëjta, sekuenca ngjarjesh dhe mjedisesh. Veprimet, marrëdhëniet, aventurat ku marrin pjesë heronjtë, vendet ku ata shkojnë, kështjellat e shkëlqyera dhe shpellat e errëta, janë të pranishme në rrëfime mitike që i përkasin qytetërimeve të ndryshme, sigurisht duke ruajtur disa karakteristika vetjake në secilin syresh. Sipas Jungut psikika individuale, e përcaktuar prej tij si pandërgjegje individuale mbështetet mbi një “shtresë më të thellë e cila nuk rrjedhon nga përvoja vetjake por është e lindur”. Kjo shtresë që përbëhet nga elemente universale, është ajo që quhet pandërgjegje kolektive. Koncepti i arketipit, tregon faktin që në psikikë ekzistojnë forma të përcaktuara që me sa duket janë të pranishme gjithnjë dhe ngado”. Koncepti i arketipit si “një sintetizues i një shumësie të dhënash në imazhe të forta dhe të ngulitura, si në historinë e njerëzimit, ashtu edhe në ndërgjegjen individuale”3, bëri që mendimi shkencor në fushën e antropologjisë kulturore ta zgjerojë këndin e shqyrtimit. Për pasojë analizat e sotme kanë dalë nga trajtimet izalocioniste, thjeshtuese dhe ndonjëherë nacionaliste, duke synuar spikatjen e elementeve përbashkuese të kulturave të ndryshme, e elementeve të qëndrueshme, të cilat mundësojnë edhe shqyrtimet krahasuese.
Në antropologjinë kulturore njëra prej figurave më të rëndësishme në botën mitike është figura e heroit. Studiues të ndryshëm kanë arritur të përcaktojnë njësitë konstante mbi të cilat sendërtohet kjo figurë, duke e konceptuar atë si një simbol të fshehur që qëndron brenda secilit prej nesh. Disa nga këto njësi të qëndrueshme janë:
- Thirrja për aventurë
- Kapërcimi i provave të trimërisë
- Prania e aleatëve dhe e armiqve
- Shkuarja në shpellën e fshehtë
- Sakrifica dhe tradhtitë
- Fitorja
- Rruga e kthimit
Po ta shohim krahasimisht figurën e heroit në eposin shqiptar dhe figurën e heroit në Shah-Name-në e Firdeusit, do të vëmë re se elementet e mësipërme janë të pranishme te të dy. E interpretojmë këtë përbashkim si prani të elementeve arketipale në të dy qytetërimet, për ne një dukuri krejt normale. Në aspekt teorik heronjtë janë më së shumti personazhe ose shumë të varfër, ose mbretër ose princër. Në eposin shqiptar Muji na shfaqet si një djalë jetim dhe i varfër:
Zana të malit atje jan’ra,
ndërmje’djepave Mujin e kan’gjetë.
- I kuj djal’ je, Mujs i kan’ thanë,
gjith’ kët’ nder ne si na kie ba?
Ka nis Muja e u ka thanë:
- Bab’ as nan’ në dynja nuk kam,
jetim rrugave unë jam rritë,4
Te Shah – Name-ja, Rustemi shfaqet i kundërt me Mujin, por gjithsesi brenda tipologjisë arketipale të heroit. Ai është nip mbretërish, pra një princ i pasur, i cili rritet në pallat, me përkujdesje të plotë.
Thirrja e heroi për aventurë është e pranishme si tek eposi ynë ashtu edhe te Shah – Name-ja. Në eposin shqiptar kjo është një temë e trajtuar gjerësisht, ndaj nuk po zgjatemi me shumë, por po specifikojmë faktin që grishja për luftë heroit i vjen edhe nga nëna, siç ndodh në këngën Krajli i Selnisë grabit Kunen e Mujit5, ku është pikërisht ajo që e lajmëron Halilin për ngjarjen, duke e prekur në sedër.
Në këngën Rustemi vret elefantin e bardhë është i ati i Rustemit, Zali, që i kërkon atij të niset për të pushtuar kështjellën në malin e Sependit:
Në zemër godite Sependin skëterrë,
shfarosi çka brenda ai me laperë .
Lavdi edhe zulmë ti ende nuk ke,
besoj se fitore do të korrësh atje!
Përgjigjet Rustemi: “Jam gati, o atë,
do të di të shpaguajë të zezën krajatë”.6
Në të dy korpuset heronjtë kalojë nëpër bëma të shumta trimërie, ku kanë aleatë dhe armiq. Më të shumtën e herëve është guximi dhe forca e tyre e jashtëzakonshme që u jep fitoren në betejë, por nuk mungon edhe dredhia. Kështu për shembull Arnaut Osmani shtiret si i vdekur për të shpëtuar shokët nga burgu i Krajlit7.
Edhe Rustemi përdor dredhinë që i mëson i ati për të pushtuar kështjellën e malit të Sependit:
Ti duhet të shtihesh se je karvanxhi,
ndaj ca gamile të bësh gati tani.
Me kripë ngarkojini të gjitha devetë,
veç emri patjetër të mbetet i fshehtë;8
Në eposin shqiptar Muji përfshin të gjitha cilësitë që trajtësojnë një hero mitik: fuqia e jashtëzakonshme, trimëria, misioni për të kryer bëma, marrëdhëniet me figurat e mbinatyrshme si orët dhe zanat, fisnikëria në betejë dhe vlerësimi i kundërshtarit etj.
Po kështu sendërtohet edhe figura heroike e Rustemit: që në lindje ai ka një shtat të jashtëzakonshëm, shtat fili thotë autori, ka një trimëri të pashoqe, kujtojmë këtu këngën “Rustemi vret elefantin e bardhë”, në të cilën tregohet se Rustemi, ndonëse ende në moshë të njomë, arrin të vrasë vetëm me një goditje të topuzit shtazën gjigante. Sikundër Muji që kryen provat e forcës edhe Rustemit i duhet kë kryejë një sërë bëmash trimërie, sepse e tillë është rruga e inicimit të tij si hero, duke na sjellë ndërmend bëmat e Herkliut në mitologjinë greke, ose të Herkulit në mitologjinë romane.
Nga kjo parashtresë e shkurtër duket se, qoftë në eposin shqiptar, qoftë te Shah-Name-ja, figura e heroit konstruktohet si një figurë arketipale, me të gjitha njësitë e qëndrueshme që kërkon konstruktimi mitik i një figure të tillë. Një konstruktim kësisoj është krejtësisht i vetëshpjegueshëm për eposin shqiptar, sepse gjendet brenda një teksti që i përket lëndës mitike legjendare. Për Shah – Name-në si një tekst autorial mund të themi se sendërtimi arketipal i heroit si figurë mitike, vjen si pasojë e huazimit prej letërsisë gojore. Një procedim i tillë, pra funksionimi i letërsisë gojore si paratekst burimor për letërsinë autoriale është një procedim normal.
Në përfundim mund të themi se shqyrtimet krahasuese ofrojnë të dhëna me rëndësi dhe ndihmojnë jo vetëm për gjetjen e përbashkësive ose të veçanësive, por krijojnë një përfytyrim më të saktë dhe më të plotë për objektin që analizohet, duke e nxjerrë nga izolimi dhe duke e kundruar si pjesë të një rrjeti më të gjerë universal.
Referencat e Artikullit
Bibliografi
- L’eroe dai mille volti, J. Campbell, Guanda, Parma 1958.
- Gli archetipi e l’inconscio collettivo, C.G. Jung, Boringhieri, Torino 1983.
- Eipka legjendare, II, Tiranë 1983.
- Firdeusiu, Shah-Name-ja, Fondacioni kulturor “Saadi Shirazi”, Tiranë 2001.
- 1 J. Campbell, L’eroe dai mille volti, Guanda, Parma 1958.
- 2 C.G. Jung, Gli archetipi e l’inconscio collettivo, Boringhieri, Torino 1983.
- 3 Po aty.
- 4 ”Fuqia e Mujit”, Eipka legjendare, II, Tiranë 1983, f.10.
- 5 Po aty, f. 21.
- 6 Firdeusiu, Shah-Name-ja, Fondacioni kulturor “Saadi Shirazi”, Tiranë 2001, f. 145.
- 7 Epika legjendare, vep. e cit., f. 284.
- 8 Shah-Name-ja, po aty.
Ky shkrim është botuar në revistën “Perla”, 2009, nr. 1.
Shqipja standarde dhe probleme të saj
Prof. Isa BAJÇINCA
SHQIPJA STANDARDE DHE PROBLEME TË SAJ

Prof. Isa Bajçinca
I. Gjuha shqipe dhe çështja e standardizimit
Gjuha letrare a standarde
Popuj të ndryshëm, në një shkallë të caktuar të zhvillimit të tyre historik, në kohën e ndërtimit të marrëdhënieve ekonomike e shoqërore, që karakterizojnë një shkallë të lartë të organizimit politik e kulturor, kanë ndier nevojën për të krijuar një formë të veçantë të gjuhës kombëtare, e cila të përdorej në shumë sfera të jetës si mjeti më i përhapur i komunikimit, dhe këtu nuk bëhet fjalë për një komunikim çfarëdo, po për një komunikim, do të thoshim të kulturuar – në fushën e letërsisë, të dijes përgjithësisht e në jetën politiko-shoqërore. Pikërisht kjo formë e gjuhës, e krijuar në mënyrë të ndërgjegjshme e mbi forma të tjera të gjuhës, të cilat gëzonin ndonjë respekt e epërsi të veçantë ndaj të tjerave forma, – ndër popuj të qytetëruar është emërtuar gjuhë letrare, po e njohur edhe me të tjera emërtime – gjuhë e kulturës, gjuhë e përgjithshme, gjuhë kombëtare etj. Kjo, sidomos nga gjysma e dytë e shekullit që shkoi, ka zënë të emërtohet gjuhë standarde.
Fillimisht do të jetë quajtur gjuhë letrare (dhe kështu vazhdon të quhet ende në ditët tona në shumë mjedise në kulturën tonë), pra fillimisht do të jetë quajtur kështu, sepse ajo lidhej ose pandehej të kishte një lidhje shumë të ngushtë me letërsinë … Le ta themi se nocioni letërsi më përpara përdorej për të shënuar gjithë krijimtarinë dhe jo vetëm atë letrare. Po emërtimi i kësaj forme të gjuhës del të duket edhe më shumë i lidhur me letërsinë sidomos në disa gjuhë evroperëndimore e sllave (krahaso: gjerm. – Literatursprache, rus. – Literaturnij jazek e të tjera), sa kohë që as në shqipen nocioni literaturë nuk është i panjohur…
Ndoshta duhet të theksojmë se Fjalori i shqipes së sotme (Tiranë 1984, f. 391) jep këtë përkufizim për gjuhën letrare: (Gjuha letrare është) “forma më e përpunuar e gjuhës së një populli, e cila ka norma të caktuara, të ngulitura në të shkruar e në të folur dhe arrin njësimin më të lartë në kohën e krijimit të kombeve e të shteteve kombëtare”.
Nuk ka asnjë dyshim se gjuha letrare fushën më të përshtatshme dhe mundësitë më të mëdha të pasurimit i gjen pikërisht në krijimtarinë letrare, dhe kjo për dy arsye që janë përgjithësisht të njohura: E para, shkrimtarët janë njohësit më të mirë të thesarit gjuhësor dhe përdoruesit mjeshtërorë të këtij thesari, madje duke mbajtur parasysh gjithë përdorimet, qoftë në krijimtarinë popullore dhe qoftë në krijimtarinë e shkrimtarëve paraardhës; E dyta, sepse pikërisht në letërsinë gjuha gjen realizimin e të gjitha potencialeve e të zhdërvjelltësisë deri në shkallën e përdorimit figurativ e të përmbysur të elementeve të veçanta gjuhësore e të lidhjeve nga më të pasurat të mundshme në njësi të ndryshme gjuhësore, sidomos në fushën e fjalëformimit dhe të ndërtimit të marrëdhënieve sintaksore …
Megjithëkëtë, në letërsi, pra në një vepër letrare, krahas elementeve të standardizuara, autori mund të përdorë, dhe zakonisht përdor, edhe fjalë e njësi frazeologjike të marra nga dialekte të ndryshme të gjuhës, ndonjëherë edhe fjalë e shprehje arkaike a të një periudhe të shkuar të historisë, të cilat kanë kaluar në klasën e barbarizmave, e të tjera, që shkrimtari do t’i përdorë për të karakterizuar personazhe të një konteksti të caktuar historik, politik e kulturor, ose edhe për të shënuar luftën dhe dallimet midis brezave a klasave shoqërore në një të kaluar të afërt a të largët. Ndoshta edhe ky do të jetë një nga shkaqet pse në vend të emërtimit gjuhë letrare, ka zënë të përdoret, sidomos në kulturën evroperëndimore, nocioni gjuhë standarde ose standard gjuhësor.
Nuk dua të zgjerohem më shumë lidhur me nocionin gjuhë standarde, sepse, sikur është e ditur, në të gjitha fushat e jetës moderne, ngado të sillesh, do të ndeshesh me standarde e me norma të ndryshme që duhen respektuar, shkelja e mosrespektimi i të cilave shkakton gjithmonë kokëçarje … Thënë shumë shkurt, është quajtur kjo – gjuhë standarde, sepse në të mund të përdoren dhe/ose lejohen të përdoren dhe/ose vlerësohen të drejta për t’u përdorur vetëm elemente gjuhësore të standardizuara, duke nisur që nga shqiptimi i fonemave e morfemave, përmes përdorimit të formave gramatikore e deri tek drejtshkrimi e përdorimi i njësive sintaksore në frymën e standardit gjuhësor të caktuar.
Disa nga tiparet e gjuhës standarde
Gjuha standarde, le ta quajmë edhe letrare (ne nuk do t’i dallojmë, megjithëqë ato edhe mund të dalloheshin për disa funksione ose edhe për ndonjë tipar të parëndësishëm), gjuha standarde pra, krahas shumë tipareve, sidomos gjuhësore, të përbashkëta me format e tjera të gjuhës, karakterizohet nga disa tipare, të cilat e bëjnë të funksionojë si një sistem më vete dhe si një formë e veçantë e gjuhës. (Do të theksoja këtu në parantezë arsyen pse e kam dalluar me shkronja të zeza shprehjen “karkaterizohet nga disa tipare” dhe pse po e vë në dukje edhe një herë: Këtë po e bëj, sepse në shqipen {ta quaj kushtimisht} standarde që përdoret këtu ndër ne – në Kosovë, pothuaj nga të gjithë, përdoret gabimisht – dhe nga ndikime të gjuhëve të tjera {mbase edhe nga sllavishtja!} shprehja “karakterizohet me disa tipare”!)
Tipari i parë i gjuhës standarde është se ajo formohet në mënyrë të ndërgjegjshme, që të shërbejë për komunikimin në rrafshin kombëtar ose në një rrafsh tjetër çfarëdo, të një komuniteti, në të cilin nuk mund t’i përmbushte kërkesat asnjë nga format e tjera (dialekti, e folmja, ndonjë trajtë më e hershme e shkruar, e dëshmuar historikisht) e të tjera. Natyrisht, për nga ky tipar, gjuha standarde pjesërisht përputhet me variantet standarde eventuale që mund të ketë pasur një gjuhë, dhe kjo sepse edhe variantet krijohen në mënyrë të ndërgjegjshme dhe po ashtu kryejnë funksione marrëdhëniesh të kulturuara, do të thoshim, për një bashkësi më të madhe sesa dialektet e të tjerat forma organike të gjuhës. Do të mjaftohem të theksoj se variantet e një gjuhe letrare janë shfaqje tipike në rastet kur dy e më shumë bashkësi etnike (popuj), edhe shtete, kanë një gjuhë të përbashkët standarde, sepse, për të dëshmuar një identitet tjetër – të vetin, të veçantë (historik, kombëtar, etnik …) nga një tjetër komunitet, ato krijojnë variante, dhe kjo bëhet në mënyrë të ndërgjegjshme e me synime të përcaktuara shumë qartë…
Sa kohë që standardi formohet në mënyrë të ndërgjegjshme, menjëherë mund të bënim fjalë për tiparin e dytë, që është ky: standardi është gjithnjë rezultat, përfundim i marrëveshjeve, i bashkimit të pikëpamjeve dhe i vendimeve që merren për elemente leksikore e fjalëformuese, për dukuri fonetike e morfologjike, për dukuri sintaksore e të tjera dhe për drejtshkrimin e drejtshqiptimin… Mbi këto pikëpamje e marrëveshje hartohen parimet themelore, të cilat më pastaj do të ndiqen në të gjitha nënsistemet e gjuhës, për se do të shkruhen rregulla të veçanta, të cilat do të bëhen të detyrueshme për të gjithë, sidomos në ligjërime të veçanta dhe në institucione të rëndësishme arsimore, kulturore, shkencore, në administratë dhe në krijimtarinë letrare e në medie të ndryshme.
Tipari i tretë është një shkallë shumë e lartë e përpunimit në të gjitha nënsistemet, që këtë formë të gjuhës e bën shumë më të zhdërvjellët dhe më të hapur për një pasurim të vazhdueshëm të saj, qoftë me fjalë e me njësi të tjera gjuhësore – marrë nga ish-variantet eventuale, nga dialektet a të folmet e gjuhës, ose edhe nga gjuha e shkrimtarëve a autorëve të tjerë të përparshëm (të vjetër), dhe qoftë me fjalë të huaja e me ndërtime sintaksore ose edhe të fjalëve të reja, duke ndjekur modele të gjuhëve të huaja, veçse kurdoherë duke mbajtur parasysh dy parime që nuk bën të shkelen asnjëherë: fjala e huaj ose ndërtimi i ri sintaksor – të mos kenë përgjegjëset e tyre në gjuhën (ta themi shqipe, sepse flasim për shqipen), ose të japin ngjyrime çfarëdo që ato të shqipes nuk i përmbushin; dhe, e dyta, fjala e huaj t’u shtrohet rregullave (jo gjithmonë) edhe të shqiptimit, po sidomos patjetër rregullave gramatikore të gjuhës marrëse, do të thotë të shqipes.
Vështruar në këtë kënd, nuk do të thoshim që të gjitha fjalët dhe ndërtimet gjuhësore të huaja a nga ndikime të gjuhëve të huaja, që përdoren sot në gjuhën shqipe – përmbushin këto dy kritere.
Tipari i katërt i gjuhës standarde është një shkallë e lartë e njësisë në të gjitha nënsistemet, dhe kjo vlen sidomos për drejtshkrimin dhe për rregulla të veçanta gramatikore. Këto gjëra edhe përcaktohen në një mënyrë shumë të qartë në botime të veçanta, siç janë fjalorë (drejtshkrimorë e normativë të gjuhës ose dygjuhësh), libra drejtshkrimi, gramatika të ndryshme normative, tekste shkollore e shkencore, revista me destinime të veçanta e të tjera botime, ku bëhet fjalë ose ku zbatohet në një shkallë të lartë standardi. (Në disa shtete, veprojnë edhe ligje të veçanta, të cilat mbrojnë standardin dhe gjuhën kombëtare përgjithësisht, sidomos nga fjalë e ndikime të huaja.)
Tipari i pestë është pasuria e saj (e gjuhës standarde) dhe pasurimi i vazhdueshëm, sidomos për funksione të veçanta në jetën publicistike, letrare e shkencore. Këtu një segment të veçantë e shumë të rëndësishëm përbën terminologjia e shumëllojshme dhe shumë e pasur që përdoret në të gjitha fushat e dijes. Pasurimi i standardit në këtë sferë është sidomos i nevojshëm për gjuhë standarde të ndodhura në një situatë kulturore dhe politike, siç është shqipja, qoftë për faktin se në procesin e ndërtimit të marrëdhënieve demokratike në të gjitha fushat e jetës, kanë dalë kërkesa për të tjera nocione, qoftë për shkak se në Kosovë është në ndërtim e sipër sistemi i ri i administratës, i politikës dhe i ekonomisë së një vendi të pavarur, dhe qoftë për shkak se shqipja në Kosovë ndodhet ballë për ballë me gjuhë e me kultura të mëdha, në radhë të parë me anglishten.
Ka edhe të tjera tipare për të cilat mund të bënim fjalë, po duket që edhe këto sa u thanë, japin një pasqyrë mjaft të qartë për tiparet e kësaj forme të rëndësishme të gjuhës në rrafshin kombëtar.
Fare shkurt – si u krijua standardi i shqipes
Nuk do të thosha asgjë të re, po të konstatoja se shqipja bën pjesë në grupin e gjuhëve që kanë marrë një zhvillim të hovshëm në fushë të shkrimit shumë vonë, prandaj edhe veprimtaria për themelimin ose standardizimin e shqipes ka nisur mjaft vonë. Arsyet dihen pothuaj nga të gjithë dhe janë pasojë e drejtpërdrejtë e pushtimit për një kohë të gjatë të viseve shqiptare nga të huajt, të cilët ndalonin gjithsesi përparimin kulturor të shqiptarëve, që do të thotë patjetër edhe zhvillimin e shkollës në gjuhën shqipe dhe shkrimin e saj.
Nuk do të përmend këtu përpjekjet e autorëve të vjetër të mesjetës së vonë, sepse zhvillimi i shkrimit shqip prej tyre, pati një ndërprerje për një periudhë të gjatë, pastaj as shkrimet me alfabetin arab dhe as shkrimet në arbërishten (nga shkrimtarë arbëreshë), të cilat nuk kishte si të luanin ndonjë rol të drejtpërdrejtë për shqipen, pavarësisht nga rëndësia e tyre, dhe as shkrimet e mëvonshme deri tek Kristoforidhi e shkrimtarët e gjysmës së dytë të shekullit XIX. Kjo sepse qenë këta të fundit që, me shkrimet e tyre, me shkallën e njohjes dhe të pasurimit të shqipes, si dhe me përpunimin e saj, – do të krijonin parakushtet për themelimin e shqipes letrare. Në këtë rrugë, nuk ka asnjë dyshim që, sidomos veprimtaria e shoqatave e klubeve shqiptare në atë periudhë (Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip e Stambollit, shoqëritë “Agimi” e “Bashkimi” të Shkodrës, klubi i Manastirit e ndonjë tjetër), në përpjekjet për themelimin e alfabetit të shqipes, do të shtronin edhe probleme të veçanta të shqipes letrare. Këto më pastaj do të vazhdonin me shkrimet për gjuhën shqipe nga intelektualë si Ndre Mjedja, Faik Konica, Aleksandër Xhuvani e të tjerë.
Megjithëkëtë, prova e parë për të standardizuar në njëfarë shkalle gjuhën shqipe, do të bëhej në vitet 1916/17 nga Komisija Letrare Shqipe e Shkodrës, e cila, afro dhjetë vjet pas themelimit të alfabetit të shqipes në Manastir, do të arrinte të hartonte Ortografinë e parë të shqipes. Ajo komisi shtronte për të parën herë çështjen e zgjedhjes së dialektit që do të shërbente si bazë, mbi të cilën do të krijohej shqipja standarde, e cila asokohe shkruhej në dy a tri variante: toskërishtja letrare, gegërishtja e ashtuquajtur e mesme letrare (me fare pak shkrime) dhe shkodranishtja letrare. Siç është e ditur, Ortografia e Komisisë Letrare të Shkodrës ishte ngritur mbi bazë të gegërishtes së mesme dhe, sado që kjo formë letrare nuk do të bëhej e vetmja, sepse do të vazhdonte përdorimi dhe lëvrimi i mëtejshëm i toskërishtes letrare, sidomos në fushë të letërsisë, dhe i shkodranishtes letrare (nga disa autorë), – do të vazhdonte të zhvillohej e të zbatohej në administratë, në tekste shkollore dhe nga disa shkrimtarë. Pas daljes nga Lufta e Dytë Botërore…, gjuha shqipe u ndodh në një situatë të re, shumë më të favorshme, qoftë falë zgjerimit të sistemit të arsimit dhe një hovi të ri që merrte letërsia dhe kultura përgjithësisht në Shqipëri, dhe qoftë falë njëfarë lirie për shkollën, arsimin e librin shqip në Kosovë e në viset e tjera shqiptare, që asokohe ndodheshin në ish-Jugosllavinë. Në Veri të Shqipërisë dhe në Kosovë e në viset e tjera jashtë Shqipërisë, vazhdoi të përdorej varianti i gegërishtes së mesme letrare, kurse në Jugun e Shqipërisë dhe në institucionet qendrore politike, ushtarake, ekonomike, arsimore e të tjera – përdorej kryesisht toskërishtja letrare. Në këtë fazë të zhvillimit të kulturës kombëtare, të arsimit e të letërsisë, u shtrua kërkesa për themelimin e një forme të vetme, që do të thotë e krijimit të shqipes , që në diskutimet asokohe quhej gjuhë, herë e unjisuar, herë e unifikuar dhe më vonë e njësuar letrare. Për këtë qëllim qenë organizuar dy sesione shkencore (1952 e 1953 në Tiranë) me rezultatin Ortografia e gjuhës shqipe e vitit 1956 dhe njësoj qe vepruar edhe në Prishtinë më 1957 e 1963, kur qenë hartuar edhe ortografi të gjuhës shqipe. Për shkallën e mbështetjes teorike e praktike të kodifikimit, dhe më pastaj të zbatimit për një periudhë, shquhej sidomos Ortografia e gjuhës shqipe (Prishtinë 1964). Kjo ishte gjendja e përdorimit të variantit të gegërishtes letrare, kurse në Shqipëri përdorej kryesisht varianti i toskërishtes letrare, krahas gegërishtes -kryesisht në letërsi nga autorë të Veriut.
Në vitin 1967 Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Tiranës, në përpjekjet për njësimin e shqipes letrare, botoi një projekt të Rregullave të Drejtshkrimit të Shqipes, ku për herë të parë nuk kishte forma të veçanta për toskërishten dhe të veçanta për gegërishten letrare (sikur veprohej më përpara) dhe ato rregulla u hodhën në diskutime të gjera publike – në institucione shkencore, arsimore e në qarqe letrare e të tjera, ku t’u bëheshin vërejtje ose të miratoheshin ashtu si ishin. Edhe në Prishtinë, në një mbledhje të gjerë shkencore, e cila njihet si Konferenca Gjuhësore e Prishtinës (1968) objekt diskutimi u bënë ato rregulla me temën qendrore: të njësohej shqipja apo të vazhdonte përdorimi i variantit të gegërishtes letrare. Pas shumë diskutimesh të mbështetura, konferenca dilte me konkluzat se “populli shqiptar është një, dhe gjuha letrare shqipe duhej të ishte një, e përbashkët”.
Pasojë e gjithë këtyre veprimeve kulturore qe organizimi i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, që u mbajt në Tiranë në nëntor 1972, ku merrnin pjesë një numër i madh delegatësh – studiues, shkrimtarë, punonjës kulture e profesorë (gjithsej 87 – 11 prej të cilëve nga viset shqiptare në ish-Jugosllavinë dhe dy-tre arbëreshë e të huaj). Pas një diskutimi të gjerë e të gjithanshëm të të gjitha çështjeve lidhur me shqipen letrare dhe sidomos me drejtshkrimin, aty nxirreshin konkluzat, mbi të cilat do të hartoheshin më vonë të gjitha botimet gjuhësore normative (fjalorë, gramatika e libra shkollorë) dhe kështu, do të thoshim, merrte fund procesi i themelimit ose, më drejt, i njësimit të shqipes standarde.
Cili variant përdorej asokohe në Kosovë dhe a mund të përdorej ndonjë tjetër variant letrar?
Sikur u theksua edhe më përpara, në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore qe përdorur varianti i gegërishtes letrare të mesme dhe jo varianti i shkodranishtes letrare, i cili në disa elemente ishte më i afërt me kosovarishten (apo dibrano-kosovarishten, sikur e quanin në disa qarqe politike menjëherë pas luftës), nëse mund ta quajmë kështu shqipen dialektore të viseve shqiptare në ish-Jugosllavinë. Zbatimi i variantit letrar që përmendëm, qe lehtësuar mjaft nga fakti se një numër i madh i mësuesve e profesorëve të ardhur nga Shqipëria pas luftës (disa kishin ardhur edhe gjatë luftës), e kishin bërë shkollën me atë gjuhë dhe e zotëronin shumë mirë. Disa nga intelektualët e ardhur nga Shqipëria punonin edhe në shtëpi botuese të librit e në gazetën e vetme (“Rilindja”), po edhe në ndonjë revistë ose në organe drejtuese të arsimit. Kjo përbënte një bazë të mirë për zotërimin e këtij varianti letrar, ndonëse, sidomos në gramatikë, në krahasim me shqipen e këtushme dialektore, kishte mjaft dallime. Dallime kishte edhe në shqiptim, sidomos për shkak të zanoreve hundore karakteristike për këto të folme.
Kjo situatë do të ndryshonte e do të rëndohej shumë nga fundi i vitit 1948, kur shumë nga mësuesit dhe intelektualët e tjerë (për shkak të mosmarrëveshjeve politike Shqipëri-Jugosllavi e atëhershme) qenë detyruar të ktheheshin në Shqipëri.
Në këtë gjendje, gjithë veprimtarinë arsimore, kulturore e botuese do ta merrnin forca intelektuale të këtyre viseve, të shkolluara fare pak në Shqipëri e më shumë në shkolla në gjuhën serbe; ata, ndonëse do të bënin përpjekje për të kryer si duhej, shumë nga detyrat që shtroheshin para tyre në fushë të kulturës, nuk mund të bënin shumë në kultivimin e shqipes. Natyrisht, edhe një numër i madh i mësuesve e mësimdhënësve të tjerë asokohe ishin pa kualifikime të mjaftueshme.
Do ta përfundoj këtë pjesë duke theksuar një fakt që duhet të mbahet gjithmonë parasysh: Në vitet ’50 e ’60 të shekullit të kaluar, në Kosovë do të ishin intelektualët gjysmë të arsimuar (gazetarë, përkthyes dhe ndonjë shkrimtar), që, krahas njëfarë kontributi për mësimin e shqipes, do t’i bënin një shërbim shumë të keq gjuhës shqipe: Ata do të fillonin të përdornin, sidomos në shkrim, një shqipe kryesisht të përkthyer nga serbishtja, me fjalët shqipe po me mënyrën e të menduarit dhe me krijime njësish sintaksore tepër shpesh në frymën e serbishtes (gjuhë e pushtetit dhe e prestigjit asokohe)! Pasojat e gjithë kësaj do të jenë shumë të mëdha. Disa sosh i zënë frymën shqipes standarde të përdorur në Kosovë edhe në kohën tonë, ndonëse brezat e rinj as që e dinë serbishten!
A duhej standardizuar shqipja patjetër dhe, nëse duhej, cila ishte arsyeja?
Lidhur me këtë çështje, e quaj të arsyeshme të vë në dukje dy gjëra që ndikuan me forcë në përshpejtimin e procesit të standardizimit e të njësimit të shqipes. E para, variantet e shqipes standarde në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar kishin arritur një shkallë të lartë të përpunimit, po edhe të njësimit në shumë segmente, sidomos në morfologji, në leksik e në fjalëformim. Kishin mbetur për t’u përballuar vetëm disa dallime në fushë të fonetikës dhe ndonjë dallim në fushë të sintaksës, shumë më pak në fushë të leksikut. Fjalën e kam për përdorimin e gjerë të formës së pashtjelluar të paskajores së tipit me ba, me ardhë, në variantin e gegërishtes letrare, natyrisht krahas trajtave të lidhores, tipike për toskërishten, po në shumë përdorime edhe për gegërishten e mesme letrare. E dyta, shqiptarët në Kosovë, në saje të disa ndryshimeve, për atë kohë pozitive politike, dhe të një hovi të ri që kishin marrë sidomos në disa sfera të jetës – patjetër në arsimin, në kulturën dhe në administratën shtetërore, – mund të bëheshin një faktor me ndikim në çështje të gjuhës, dhe kjo edhe për faktin se ndodheshim në prag të formimit të universitetit, krahas institucioneve të arsimit të lartë, si fakultetet e ndryshme, shkollat e larta pedagogjike, Instituti Albanologjik e të tjera, kështu që bashkimi kombëtar në rrafshin kulturor ishte bërë çështje muajsh a vitesh dhe një nga synimet e mëdha në rrafshin kombëtar…
Për sa i përket domosdoshmërisë së standardizimit të shqipes, duhen mbajtur parasysh dy momente shumë të rëndësishme: E para, popujt e qytetëruar, sidomos të Evropës, që të gjithë kanë krijuar gjuhët e tyre standarde të njësuara dhe, e dyta, shqiptarët si një popull me një gjuhë, me një histori, me një kulturë, me aspirata të përbashkëta për shumë dhjetçvjetçsha dhe me synimin për të ruajtur këto njësi, – gjithsesi duhej të njësonin edhe gjuhën e vet, e cila të shërbente si mjeti i vetëm i komunikimit në shkallë kombëtare për të gjithë, pavarësisht nga ndarjet, le të kenë qenë politike apo dhe dialektore.
Për të përmbyllur këtë çështje, do të thosha se kërkesa për themelimin e një gjuhe të përbashkët, ose, më drejt, kërkesa për njësimin e gjuhës letrare shqipe (sikur thuhej asokohe), ishte një veprim i drejtë e i dobishëm kulturor e politik i kohës në shkallë kombëtare, dhe kjo as që mund të vihej në dyshim. Megjithëkëtë, mënyra, rruga që do të ndiqej në procesin e këtij njësimi, përbën një çështje tjetër, e cila mund të shtrohet e të diskutohet edhe në kohën tonë. Veçse kjo nuk do të thotë të përmbyset ajo që është arritur, po, eventualisht, të studiohet mbështetësia gjuhësore, kulturore dhe politike e njësimit të shqipes dhe të rishikohen mundësitë për hapjen e standardit për të thithur pasurinë e tërë shqipes, – një kërkesë kjo edhe në Konkluzat e Kongresit të Drejtshkrimit.
Kongresi i Drejtshkrimit më 1972 – Si u shtrua dhe si u bë njësimi i shqipes?
Tashmë dihet nga të gjithë ata që do të kenë lexuar qoftë edhe fare pak shkrime që kanë të bëjnë me rrugën që ka ndjekur shqipja për standardizimin e saj, se, krahas Kongresit të Manastirit më 1908, kur u themelua alfabeti i shqipes, ngjarja tjetër, mbase më e madhja kulturore shqiptare, ka qenë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, mbajtur në nëntor 1972 në Tiranë.
Po të donim të jepnim një pasqyrë të shkurtër të veprimtarive kulturore që i paraprinë mbajtjes së këtij kongresi, kujtoj se do të mjaftoheshim të përmendeshin këto:
E para, krahas kërkesës për njësimin e shqipes, që po shtrohej gjithnjë e më zëshëm në qarqe kulturore, shkencore, politike e letrare, është një fakt i pamohueshëm se të ashtuquajturat variante letrare të shqipes standarde që përdoreshin, pothuaj barabarësisht në letërsi, po me një epërsi të theksuar të toskërishtes letrare në fusha të tjera të jetës kulturore – arsimore, shkencore e publicistike – në Shqipëri, dhe me një përdorim të përgjithësuar të variantit letrar të gegërishtes në Kosovë e në vise të tjera shqiptare në ish-Jugosllavinë, – sidomos në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar kishin arritur një shkallë mjaft të lartë afrimi, madje edhe njësimi të plotë në shumë nënsisteme, dhe kjo sidomos në gramatikë (veçanërisht në morfologji), në leksik e në fjalëformim. Në këto kushte, shtrohej nevoja të kapërceheshin disa dallime në sferën e fonetikës, ndonjë çështje morfologjike që lidhej me dallime fonetike, dhe përdorimi i formës së pashtjelluar të paskajores me ardhë, me ba në gegërishten letrare, sa kohë që ajo nuk përdorej në asnjë mënyrë në toskërishten letrare;
E dyta, në Kosovë dhe në të tjera vise shqiptare këtej kufirit shtetëror Shqipëri-ish-Jugosllavi, ishin krijuar kushte të volitshme dhe sikur mbretëronte ideja se kishte ardhur koha për të realizuar një nga aspiratat që për një kohë të gjatë kishte qenë nga synimet e figurave më të ndritura kombëtare – për të përfunduar procesin e gjatë të njësimit të shqipes letrare. Kjo gjendje do të përbënte një nga shtysat shumë të fuqishme për të marrë disa nga veprimet e domosdoshme në këtë drejtim, do të thotë për të vepruar drejt njësimit të shqipes;
E treta, u nxorën për diskutime të gjithanshme në qarqe shkencore, letrare e kulturore “Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe” (Projekt), hartuar nga një grup studiuesish të njohur të kohës, në Shqipëri në vitin 1967;
E katërta, forcat drejtuese shkencore e kulturore (po edhe politike pse jo) të Kosovës, disa muaj pas botimit të kësaj vepre, në prill 1968, do të organizonin një diskutim të gjerë në një veprimtari shkencore, që u bë e njohur në historikun e kulturës shqiptare si Konferenca Gjuhësore e Prishtinës. Në atë konferencë, organizuar nga Katedra e Gjuhës Shqipe e Fakultetit (atëherë Filozofik) të Prishtinës, dhe Instituti Albanologjik i Prishtinës, në të cilën merrnin pjesë studiues të shqipes, redaktorë botimesh, mësues të gjuhës e të letërsisë, gazetarë, punonjës kulture e të tjerë intelektualë shqiptarë të kohës (nga të gjitha qendrat kulturore, arsimore e shkencore shqiptare këndej kufirit / si thuhej atëherë). Aty, pas një diskutimi të gjithanshëm, u mor një nga vendimet me rëndësi të madhe në rrafshin e njësisë kulturore kombëtare – se gjuha letrare shqipe duhej njësuar dhe se edhe në këto vise do të përdorej si variant letrar në veprimtarinë arsimore, kulturore, shkencore, në gazetari e të tjera – forma që ishte bërë publike përmes “Rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe” (Projekt), sigurisht në mënyrë që, pasi të merreshin vendimet përfundimtare për standardizimin e shqipes, – ato të bëheshin të detyrueshme edhe për intelektualët e për punonjësit e kulturës ndër këto vise.
E pesta, si në Shqipëri, si në Kosovë, për afro pesë vjet, u organizuan shumë simpoziume, konferenca, debate shkencore, tryeza diskutimi e veprimtari të tjera, dhe gjithandej në revista e gazeta u botuan shumë artikuj shkencorë e praktikë për probleme të veçanta teorike e praktike të shqipes, të cilat synonin të sqaronin e të mbështetnin ose të shfaqnin të tjera qëndrime lidhur me çështje të veçanta, nga ato që parashikonte projekti që u përmend.
Këto qenë mbase parakushtet themelore që bënin të mundshme të organizohej Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe më 1972.
Si u shtrua çështja e gjuhës shqipe në këtë kongres dhe cilat qenë disa nga përfundimet e tij?
Vështruar qoftë edhe nga ana e jashtme, po sidomos vështruar mbi bazë të emrave të shkencëtarëve e studiuesve të shqipes që vinin nga të gjitha viset e qendrat më të mëdha të studimeve albanologjike jo vetëm në Shqipëri e në Kosovë, po edhe ndër arbëreshët e Italisë e nga qendra Jashtë, Kongresi i Drejtshkrimit krijonte përshtypjen e një ngjarjeje shumë të madhe shkencore e kulturore në shkallë kombëtare për shqiptarët dhe për gjuhën shqipe.
Ndonëse kongresi kishte epitetin “i drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, po të mbahen parasysh temat dhe problemet që u shtruan, u rrahën e u diskutuan aty, – ai në të vërtetë ishte një simpozium, një kongres i madh (mbase më i madhi gjatë historisë kulturore kombëtare) i gjuhës shqipe, sepse aty, krahas çështjeve të veçanta të drejtshkrimit, u diskutuan me një mbështetësi shkencore e mbi bazë të studimeve e gjurmimeve për një kohë të gjatë, – probleme të gjuhës shqipe gjithandej në dialektet e të folmet e shqipes, tek autorët e vjetër të shkrimit shqip, në fushë të letërsisë në periudha të ndryshme (dhe sidomos që nga Rilindja e këndej), në publicistikë e në të tjera sfera të përdorimit të shqipes së shkruar. Gjithë kjo me synimin e vetëm që, vendimet që do të merreshin, të dilnin sa më të mbështetura shkencërisht e më praktike, dhe të ngritura mbi traditën e shkrimit të shqipes e mbi prirjet që kishte shfaqur shqipja për zhvillimin e saj në të ardhmen.
Ndër të tjera, aty u diskutuan tema që kishin të bënin me rrugën që kishte ndjekur shqipja e shkruar në zhvillimin e saj (si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë); tema që merreshin me studime të rregullave të veçanta morfologjike (shumësi i emrit, trajtat e foljeve, klasifikimi i tyre, mbiemrat e shqipes, përemrat pronorë e të tjerë); tema në fushë të terminologjisë në të gjitha dijet, që kishin marrë hov zhvillimi atë kohë; tema për leksikun e për fjalëformimin në gjuhën shqipe; probleme të përdorimit të fjalëve me burim të huaj në gjuhën shqipe dhe të shkrimit të tyre; përdorimi i parafjalëve të ndryshme në shqipen e shumë të tjera çështje, që kapërcenin fushën e drejtshkrimit të shqipes.
Përfundimet që merreshin në kongres, u shtruan në një dokument që u quajt Rezoluta e Kongresit, në të cilën vihej në dukje se, “mbi bazë të të gjitha diskutimeve lidhur me shqipen letrare, qoftë para mbajtjes së kongresit dhe qoftë në mbështetje të diskutimeve e qëndrimeve mbizotëruese në punimet e kongresit, gjuha letrare shqipe po dilte e njësuar, dhe për më tutje zbatimi i saj merrte trajtën e detyrimit në jetën arsimore, kulturore e shkencore ndër të gjithë shqiptarët”. Gjithashtu, në saje të diskutimeve për probleme të veçanta, kjo rezolutë përmbante parimet themelore që duheshin ndjekur kur të botoheshin në formë libri rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe.
Rezoluta përmbante edhe disa qëndrime të tjera që kishin dalë nga punimet e kongresit, të ndryshme nga ato që ishin parashikuar në Projektin që ishte objekt diskutimi. Këto mund të hetohen lehtë, po të krahasohet ai projekt i drejtshkrimit me drejtshkrimin e gjuhës shqipe që dilte nga kongresi.
Krahas këtyre veprimeve, duhet theksuar se aty merreshin edhe vendime për botimin e librave normativë e të literaturës tjetër, që do të ndihmonin përhapjen dhe nxënien në një shkallë sa më të lartë të shqipes së njësuar, në mënyrë që zbatimi i saj të bëhej me një korrektësi sa më të madhe.
Këto do të ishin disa nga përfundimet kryesore të Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe.
Si u pritën vendimet e kongresit?
Si në Shqipëri, si në Kosovë, ndoshta edhe në mbarë Botën Shqiptare, nëse mund ta quaj kështu, sigurisht me përjashtim të individëve e ndonjë qendre kulturore, kryesisht në Botën e Jashtme, vendimet e kongresit u pritën si një arritje e madhe jo vetëm në fushë të kulturës kombëtare.
Publiku në Kosovë, mund të thuhet lirisht se kjo vlente jo vetëm për intelektualët e punonjësit që lidheshin drejtpërdrejt me përdorimin, me nxënien ose me zbatimin e shqipes së standardizuar, po edhe për punonjës e njerëz të tjerë që kishin në zemrën e tyre përparimin kulturor të shqiptarëve, – vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit, të cilat parakuptonin njësimin e gjuhës standarde, i priti me një entuziazëm të jashtëzakonshëm. Kjo konsiderohej me të drejtë jo vetëm si realizimi i një prej aspiratave të disa brezave të figurave më të ndritura kombëtare, disa prej të cilave ishin përndjekur e persekutuar pikërisht për shqipen letrare e për shkollën kombëtare, po edhe si një parakusht për bashkimin kulturor e shpirtëror të të gjithë shqiptarëve. Kjo mbase edhe mund të duket e tepërt për botëkuptimin e sotëm dhe për kohën që jetojmë, po në kushtet kur midis Shqipërisë e Kosovës kishte një kufi shumë vështirë të kalueshëm, dhe në të dy vendet kishte sisteme të qeverisjes që dallonin – njësimi në gjuhën përbënte një arritje tepër, tepër të madhe. Kësodore i hapej rruga njësisë së letërsisë, njësisë së shkencës shqiptare dhe njësisë kulturore të të gjithë shqiptarëve. Kjo arritje duhej të sillte edhe një dobi tjetër, e cila nuk është theksuar sa duhet nga askush: E kam fjalën për faktin se me njësimin e shqipes letrare, duhej të ndërpritej statusi i pabarabartë i shqipes standarde në Kosovë përballë serbishtes, që ishte gjuhë zyrtare e një bashkësie shumë të madhe dhe gëzonte prestigj ndaj shqipes. Gjithë kjo duhej pritur të ndikonte në zhvillimin e mëpastajmë të shqipes vetëm në një hulli, të një shqipeje me të vërtetë të njësuar në të gjitha nënsistemet e saj …Veçse, për fat të keq, duhet të themi menjëherë se njësimi i shqipes letrare nuk arriti dot të këpuste lidhjet e ndikimet e serbishtes (sidomos në fushë të sintaksës) mbi shqipen standarde të përdorur në Kosovë …
Pavarësisht nga kjo, përfundimet që nxori Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, dhe vendimet që u bënë të njohura me botimin e Rezolutës në përfundimin e punimeve të kongresit, ashtu sikur në të gjitha viset e tjera shqiptare, edhe në Kosovë u pritën me interesim të madh dhe me një entuziazëm, sidomos në qarqe të caktuara kulturore, letrare e shkencore. Për disa muaj pas kongresit, ndër diskutimet intelektuale të kohës, vendimet e tij zinin një pjesë shumë të madhe. Po kjo ndodhi edhe në gazetën e vetme të asaj kohe (bëhet fjalë për gazetën “Rilindja”), po edhe në disa revista, siç ishin “Zëri i rinisë” “Bota e re” (gazetë e studentëve të Universitetit të Prishtinës), “Jeta e re”, “Përparimi” e ndonjë tjetër.
Gjithashtu duhet theksuar se redaksitë e botimeve gjithfarëshe, dhe sidomos ato të botimit të teksteve shkollore e të letërsisë, iu vunë punës për të botuar ose ribotuar libra e tekste, që do të jepnin një kontribut jo të vogël për përhapjen e shqipes së normëzuar në atë kongres.
Në Universitet, dhe kjo vlen sidomos për degët e studimeve albanologjike dhe në shkollat e larta pedagogjike, zhvilloheshin debate e diskutime dhe ishte e qartë përpjekja për ta zotëruar sa më mirë drejtshkrimin që qe miratuar në kongres. Dua të theksoj që asokohe u krijua një bindje, do të thosha e gabuar, sidomos ndër të rinj, po edhe tek disa studiues, të cilët sikur zotërimin e drejtshkrimit e barazonin me zotërimin e shqipes standarde, do të thotë konsiderohej sikur kush e di drejtshkrimin, ai ishte njohës i mirë i shqipes!
II. Disa probleme aktuale të shqipes standarde sot
1. Shqipja standarde ka po ato probleme që kanë edhe gjuhë të tjera standarde, qofshin të kenë traditë të gjatë ose një jetë më të shkurtër si gjuhë kulture të një komuniteti çfarëdo. Të tilla janë po e zëmë:
Qëndrimi ndaj fjalëve të huaja, veçanërisht termave tekniko-shkencorë e të tjerë, masa e të cilave është shumë e madhe dhe trysnia shumë e fortë;
Nevoja për një zgjerim të vazhdueshëm të fjalësit dhe për pasurimin e gjithanshëm të gjuhës jo vetëm me elemente gjuhësore, po edhe me zgjerimin e të ashtuquajturave çerdhe fjalësh dhe me dallimin e qartë të regjistrave të fjalëve;
Një kërkesë e vazhdueshme për të zgjeruar potencialin në fushë të fjalëformimit, po edhe në fushë të krijimit të modeleve të togfjalëshave e të ndërtimit të marrëdhënieve sintaksore për të shprehur një botë gjithnjë më të pasur e më të ndërlikuar, në stile të ndryshme;
Trysnia e vazhdueshme nga gjuhë të mëdha, jo vetëm sepse ndikimi i tyre zgjerohet si rrathët e krijuar nga një gur i hedhur në ujë, po edhe sepse ato gjuhë (dhe sidomos anglishtja) sikur po bëhen gjuhë të dyta (në mos të para), për shkak të njëfarë “utilitarizmi” në fushë të informacioneve e të tjera, duke prekur deri edhe traditën e shkrimit e të shqiptimit të fjalëve të huaja, të cilat mund të kenë hyrë në gjuhët përkatëse nga frëngjishtja ose italishtja, po e zëmë, dhe të cilat, megjithëse me bazën tek latinishtja, tashti përmes anglishtes, vijnë e “çoroditen”, sidomos në shkrim po edhe në shqiptim;
Si të fundit në këtë grup problemesh, duhet përmendur njëfarë si nostalgjie, po edhe nevoja pse jo, sidomos në kultura me traditë të gjatë, për t’iu kthyer “burimit”, idiomave organike /të folmeve e dialekteve që janë tipike për krahina të veçanta ose edhe për periudha më të hershme të shkrimit të një gjuhe, e të tjera. Kjo e fundit, sigurisht si një përpjekje për t’iu kthyer “origjinares”, burimores, së natyrshmes, njësoj sikur është ikja nga viset urbane në mjedise të natyrës së virgjër ….
2.Shumë nga këto që përmenda këtu, mund të jenë probleme me të cilat ballafaqohet edhe shqipja standarde, për përballimin e të cilave ka qëndrime të ndryshme.
Shqipja standarde, si pak gjuhë të tjera, për disa dhjetëvjetësha është përdorur dhe vazhdon të përdoret si gjuhë zyrtare (me statuse të ndryshme) në disa njësi shtetërore, po me synimin që të bëhet i vetmi mjet komunikimi në rrafshin gjithëshqiptar. Nuk janë shqiptarët i vetmi popull me një gjendje të këtillë as politike dhe as gjuhësore (kulturore), po, megjithatë, ata të tjerët – nuk janë shqiptarë! Për mungesë tradite (po edhe disipline pse jo), në kushtet kur shqipja ishte (a është) një gjuhë zyrtare e dytë, dhe kur si burime informacionesh nga më të ndryshmet (politike, ekonomike, kulturore e të tjera) – shërbente një gjuhë tjetër (kryesisht një nga sllavishtet), ndodhi një dukuri shumë e dëmshme për shqipen: shqipja standarde, sidomos në fushë të sintaksës, erdhi e u shfytyrua shumë, për të përfunduar në shumë elemente, si një gjuhë e përkthyer.
Shtoji kësaj edhe njëfarë qëndrimi (që ndoshta nga larg mund të çojë tek njëfarë “marrizmi” i llojit të veçantë), sikur shqipja “qenkësh standardizuar” në kushtet e “sistemit më të egër” komunist, që do të thotë me dhunë, prandaj, si e tillë, ajo u dashka t’i shtrohet sërish procesit të standardizimit, tashti në erën e “demokratizimit” të shoqërisë shqiptare, – dhe pasoja do të jetë patjetër kjo që është: ka filluar njëfarë “rebelimi” ndaj standardit, sikur ai të ishte një gjuhë e huaj për ‘pjesën më të madhe të popullit shqiptar”! Arsyeja kryesore, për mendimin tim, është e paqenë: shqipja standarde, me bazën tek toskërishtja, na qenka e huaj për Gegërinë dhe për gegët, prandaj gegët nuk mundkan ta zotërojnë në asnjë mënyrë! Bile, ka edhe ndonjë qëndrim të shprehur publikisht, shumë absurd: “Gjuha është e mirë dhe ajo s’ka faj (pse nuk e zotërojnë si duhet gegët), prandaj, o burra, ta ndërrojmë popullin?!”. Nuk dua ta zbërthej më shumë këtë çështje, sepse këtë e kam shtjelluar në shumë artikuj botuar gjithandej, veçse, në frymën e qëndrimit të fundit, do të bëja një thirrje të ngjashme: “Matematikën nuk e zotërojmë kurrsesi sa duhet, prandaj, o burra, të ndërrojmë ose matematikën ose njerëzimin”! Dua ta mbyll me një thënie të një filozofi: “Për ato që nuk i njohim, nuk janë fajtore gjërat, po pamundësia jonë dhe kufizimi ynë për t’i njohur”!
3. Në përpjekjet për “krijimin” e standardeve të reja të gjuhës shqipe (madje edhe të gjuhëve të veçanta, si gegërishtja, sepse si e tillë konsiderohet nga disa “studiues”, – ose ndonjë standard tjetër, i cili mund të quhej, pse jo: dibranishtja, kosovarishtja, labërishtja etj.), – autorët e këtyre përpjekjeve shkojnë e gjurmojnë “teorira” nga më të çuditshmet që kanë zbuluar studiues të shkencave antropologjike, paçka se ato, eventualisht, mund të vlenin për gjuhë të ndaluara për shkaqe të ndryshme (gjuhë të fiseve indiane të Amerikës; gjuhë të popujve a të fiseve afrikane, në robëri për një kohë të gjatë; ndonjë gjuhë si norvegjishtja në ballafaqim me danishten si gjuhë zyrtare; gjuhë të ndryshme “të mbuluara” nga ndikime e trysni të mëdha të rusishtes e të tjera). Dhe të gjitha ato mësime, duan t’i zbatojnë tashti tek ndonjë “rrugë e re” që do të duhej ndjekur për ta ndryshuar shqipen standarde, ose për t’i krijuar asaj një standard të ri si rival. Po në këtë mes ka edhe ndonjë pikëpamje prej të çmendurish: të formohet një “kosovarishte standarde”, si një element, mendja e tyre, për krijimin e një identiteti të ri edhe gjuhësor, në përpjekjet për të ndërtuar shtetësinë e Kosovës!
4. A duhet të ketë varietete, ose më mirë, a lejohen varietetet në gjuhën standarde, pra edhe në shqipen standarde? Gjendja ideale, këtë e di gjithkush, do të ishte të mos kishte varietete në një standard, po gjendja reale është një pasqyrë tjetër: të gjitha standardet zbatohen me varietete, veçse edhe këtu ka kufizime, sepse shumë prej tyre nuk janë të lejueshme, dhe kjo sidomos në qoftë se ato janë pasojë e mosnjohjes së standardit dhe jo vetëm të tij, e përdorimit të modeleve të një gjuhe tjetër (me kusht që të mos përbëjnë asnjë pasurim për gjuhën). Këtu bëhet fjalë për shfytyrime të gjuhës, për zhveshjen e saj nga natyra tipike për të. Kjo përbën shkelje të pafalshme dhe këtë të drejtë nuk e gëzon askush, cilido qoftë, sepse gjuha standarde nuk është pronë private e askujt, ajo përbën një pasuri të përbashkët, krijuar nga shumë breza dhe jo vetëm nga brezi ynë, kjo do të thotë jo as nga brezi “i regjimit më të egër komunist” – në kohën kur qe standardizuar, ose, më drejt, kur qe njësuar shqipja – në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, në vitin 1972 në Tiranë.
III. Diskutime mbi shqipen standarde kohët e fundit
Me këto që do të them këtu, nuk pretendoj të shtjellohen në mënyrë shteruese të gjitha diskutimet që janë zhvilluar kohët e fundit (dhe vazhdojnë të zhvillohen edhe sot) në rrafshe të ndryshme lidhur me shqipen standarde, por më shumë synohet të vihen në dukje disa nga pikëpamjet që janë shfaqur për aspekte të ndryshme të standardit (as këto jo të gjitha), dhe kjo të përbënte dhe si një provokim mbase, për institucione dhe letërsinë tonë shkencore e pedagogjike, – që standardi të vështrohet brenda një konteksti kulturor të mirëfilltë, dhe jo kjo çështje kaq e ndjeshme (nuk bëhet fjalë më për aspektin kombëtar të çështjes dhe as për njëfarë si kërkese rreth parullës “Ta shpëtojmë shqipen standarde”!) – pra dhe jo kjo çështje të zbresë në nivelin e një si komunikimi “shkencor” – brenda faqeve të internetit, po sidomos jo brenda faqeve të njëfarë reviste a gazete “Java”, ku deri edhe studiues çfarëdo, a një Zot e di se cilët janë ata (bëhet fjalë edhe për të huaj), të na mbajnë “ders” se si duhet zgjidhur problemi i shqipes standarde …
Nuk do të them asgjë të re në qoftë se pohoj që kanë kaluar kohët kur, madje edhe në këtë fushë të gjuhësisë, që megjithatë duhet të jetë një brengë e shqetësim për studiuesit dhe për shkencën shqiptare, të ushtronin veprime ndikuese studiues të huaj, të cilët këto gjëra mund t’i shtronin dhe, eventualisht, mund t’i shtrojnë vetëm në rrafshin teorik të çështjes, po nuk e gëzojnë të drejtën (as morale) për të diskutuar çështjen e bazës dialektore të shqipes standarde…
Meqenëse tema është shumë e gjerë, do të bëj përpjekje të përmbledh disa nga çështjet brendapërbrenda disa pyetjeve e dilemave që janë shtruar e vazhdojnë të shtrohen lidhur me probleme të shqipes standarde.
E para: A u duhet shqiptarëve (po edhe kulturës shqiptare përgjithësisht) një standard gjuhësor?
* Besoj, nuk mund të jepte askush një përgjigje tjetër, përpos – PO!
E dyta: Çfarë duhet të jetë ky standard?
* Këtu thyhen heshtat, si thuhet, po megjithatë shumica absolute pajtohen që ky duhet të jetë një standard që t’i përmbushte kriteret themelore që shtrohen para një forme të tillë të gjuhës: të jetë i normëzuar në një shkallë të lartë; në të gjitha nënsistemet i përpunuar dhe me mundësitë për pasurimin duke thithur materiale nga shqipja e shkruar më përpara, nga të folme të ndryshme të shqipes dhe nga gjuhë të huaja, mundësisht me mekanizma për t’i shtruar të gjitha ato brenda sistemin fonologjik e gramatikor të standardit; të ketë rregulla shumë të sakta (ose sa më të sakta e me më pak përjashtime) në të gjitha nënsistemet, – dhe njëkohësisht ato të mos jenë kaq të ngurta e të mbyllura ndaj mundësisë për të depërtuar materiale nga të tjera idioma…; të ketë një drejtshkrim të mbështetur mbi kritere morfologjike ose fonologjike të qëndrueshme, me kërkesën që të ketë sa më pak përdorime të njëkohshme të fjalëve dytrajtëshe, po edhe sa më pak përjashtime nga rregullat e përcaktuara; të ruajë frymën e shqipes dhe të marrë modele nga gjuhë të tjera vetëm me kusht që ato të përbëjnë ndonjë pasurim çfarëdo për shqipen, le të jetë edhe në fushë të nocioneve tek shkenca filozofiko-sociologjike ose në kompjuteristikë e të tjera.
E treta: Si duhej bërë (ose edhe: Si duhet bërë) standardizimi, e kush duhej ta bënte (a duhet ta bëjë) atë?
* Po të bëhej një përpjekje për të përmbledhur qëndrimet e shumë prej diskutuesve, të cilët vazhdojnë ta vështrojnë këtë çështje me një sy kritik, brenda një fraze, ajo mbase mund të ishte përafërsisht disi sikur “Standardizimi do të duhej bërë me inkuadrimin e një numri më të madh tiparesh të gegërishtes” (bëhet fjalë për gegërishten letrare, besoj unë) dhe me kufizimin e ndonjë tipari të toskërishtes letrare. Këtu në radhë të parë mund të përmendeshin:
- shtrirja e ndërtimeve me paskajoren e tipit me ardhë (me ardhun, me ardhur?!);
- ruajtja e trajtave të parotacizuara të fjalëve të tipit: fëmijëni, dukuni, hapësinor (veçse
nuk dihet nëse këto do të jenë trajta paralele me standardin, apo trajta dysore “rivale”!);
- shtrirja e prapashtesës –J të shumësit tek emrat e tipit lumej, shkëmbij;
- kufizimi i përdorimit të Ë-së së patheksuar në shkrim (një çështje kjo tepër e ngatërruar
dhe që më shumë mund ta ndërlikonte sesa ta thjeshtësonte, sikur mendojnë disa, -
shkrimin e shqipes!), e ndonjë tjetër.
Nuk do të zgjerohesha më tepër lidhur me këto çështje, veçse dua të theksoj se inkuadrimi i paskajores gege, krahas disa vështirësive morfologjike që do të nxirrte (duhet me shkue, me shkuem, me shkuar apo? etj.), nuk e di a do të ishte i nevojshëm sa kohë që shqipja ka kaq shumë mundësi për ndërtimet me foljet modale dhe foljet aspektore (t’i quaj kështu). Kjo do të thotë që krahas ndërtimeve: duhet të punoj : duhet të punohet : duhet punuar – të shtoheshin edhe dy të tjera: duhet me punue : duhet me u punue …dhe më tutje: mund të shkoj, mundem me shkue; mund të shkohet, mundet me u shkue, dhe më tutje: vzhdoj të shkruaj : ka vazhduar të shkruhet; vazhdoj me shkrue : ka vazhdue me u shkrue (apo… shkruar!) e të tjera…
*Lidhur me çështjen se kush duhej ta bënte standardizimin, krahas një kërkese që me këtë punë duhej të merreshin jo vetëm gjuhëtarë e shkrimtarë, po edhe të tjerë, ose kryesisht të tjerë intelektualë – studiues të shkencave shoqërore, ekonomike, publicistë, gazetarë e të tjerë, shumë shpesh vihet në dukje edhe fakti që disa nga studiuesit e shkrimtarët e merituar, qoftë me kufizime për botimet e tyre ose me ndalime të tjera – si veprimtarë disidentë që konsideroheshin, – ishin penguar të jepnin kontributin e tyre për standardizimin (në vitet kur diskutohej kjo çështje), – nuk dua dhe nuk mund të mohoj në asnjë mënyrë ndonjë ndihmesë të tyre eventuale, e cila të ndriçonte e të shtjellonte probleme të veçanta të shqipes e të shkrimit shqip, po, për sa i përket ndonjë veprimi me ndikim vendimtar lidhur me ndryshimin e rrjedhës së procesit e të mënyrës së standardizimit, sidomos pas qëndrimeve të Konsultës Gjuhësore të Prishtinës (1968), besoj nuk mund të bëhej fjalë.
E katërta: A mund të krijohet standardi gjuhësor “në mënyrë demokratike”?
* Një vërejtje, serioze për mendimin e diskutuesve të shumtë, që mund t’i bëhej standardizimit të shqipes, është se ai “qenka krijuar në kushtet e një trysnie politike të një sistemi totalitar, pa liri veprimi“. Kjo do të thotë që duheshin pritur të tjera rrethana politike dhe kulturore, me një fjalë demokratizimi i shoqërisë shqiptare, në mënyrë që të zgjidhej çështja e shqipes standarde “në mënyrë demokratike”(!). Veçse shtrohet pyetja: Si do të bëhej standardizimi në kushte të tilla: me vota të fshehta a publikisht; të merrnin pjesë vetëm intelektualët e lartë apo edhe të tjerë; të merrnin pjesë në “votime” vetëm studiues e krijues – gjuhëtarë, kritikë letrarë, publicistë, shkrimtarë… apo dhe të tjerë; me koncensus partish, rrethesh, institucionesh a shtëpish të botimit?! E të tjera, e të tjera…
Këtu sikur harrohet një krahasim me rrugën dhe kushtet në të cilat janë standardizuar gjuhët e tjera. Sipas kësaj logjike, do të duheshin ristandardizuar shumë nga gjuhët e kulturave të mëdha botërore – anglishtja, gjermanishtja, arabishtja – sepse rruga e formimit të tyre nuk paskësh qenë “demokratike”(?!), sepse, fundi i fundit, ato do të jenë standardizuar për elita çfarëdo e në kushte të paimagjinueshme “demokratike” dhe jo për gjithë një hapësirë, qoftë edhe gjuhësore, e të tjera…
E pesta: A duhen krijuar standarde të tjera paralele?
* E para çështje që shtrohet këtu, kujtoj, duhet të jetë kjo: Cili është qëllimi i krijimit të ndonjë standardi paralel? – Do të jetë ai konkurrent i standardit ekzistues, apo do të shërbejë për shkrimin e një varianti tjetër në krijimtarinë letrare a në rrethe e lokalitete të caktuara, që i takojnë për nga dialekti atij standardi tjetër?
Dhe kjo mund të shtrohej edhe ndryshe: A mund të kërkojmë që në shkollë, krahas standardit (të cilin të paktën askush nuk e ka mohuar botërisht se ekziston dhe që ai duhet të përmbyset e të tjera…), të mësohen edhe standarde të tjera (po e zëmë i gegërishtes së përdorur në vitet gjashtëdhjetë në Kosovë; ose një standard i arbërishtes në Itali), sa kohë që nxënësit vijnë me një formë të lindur ose të mësuar e “të përpunuar” në mjedisin ku jetojnë … A nuk do të thotë kjo që sikur kërkohet nga nxënësi – të zotërojë së paku tri, në mos katër sisteme e kode përnjëherë (të gjuhës shqipe), të cilat, sigurisht, duhet t’i përdorë në nivele të ndryshme – një ose dy në shkollë, një ose dy në mjedisin ku jeton…?!
Një si nënpyetje në kuadër të kësaj: A mund të bëhet fjalë për krijimin e një standardi tjetër (bëhet fjalë për Kosovën), i cili të ishte shumë më afër me të folmen e Kosovës (ndoshta, mendja e atyre që kanë pjellë këtë ide, mund të lidhet edhe me nevojën për të krijuar një identitet tjetër gjuhësor – kosovar, në përpjekjet për “konvertime” identitetesh për shkak të rrethanave politike dhe të kontekstit historik?!). Dhe, më tutje, cili do të ishte standardi për hapësirat e tjera shqiptare – në Maqedoni, në Luginën e Preshevës, në Malin e Zi e të tjera? Kjo është kaq e çuditshme (befasuese – do të thoshin autorët e kësaj ideje!), sa kohë që një standard, i cili, gjithnjë fjala e tyre, sikur qenkësh krijuar nën trysninë e politikës e të diktaturës së egër, pra – thënë ndryshe, në kushte “të veçanta historiko-politike”, – u dashka flakur, dhe tashti – po për këso arsyesh e motivesh, – pra të politikave të tjera, të lirisë së shprehjes, të kthimit “tek e vjetra“, të “koncensusit“, të së drejtës më të madhe “të folësve shumicë“ … – u dashka ngritur një standard të ri, veçse i cili tashti, “meqenëse u bëka në erën e demokracisë” – do t’u bëka shumë më demokratik e do t’u marrka me vendimin – jo të gjuhëtarëve, po të intelektualëve të tjerë – filozofë, sociologë, gazetarë, themelues shkollash private e gazetash private, nismëtarë lëvizjesh të reja në fushë të kulturës, njerëz që më mirë zotërojnë një gjuhë të huaj sesa shqipen, studiues e mësues të huaj të shqipes që veprojnë Jashtë … e kush jo?!
Natyrisht, po të vështrosh shumicën e shkrimeve në internet dhe disa nga shkrimet e autorëve në gazetën “Java”, varianti a standardi që përdorin ata (kjo do të thotë që ata pikërisht ashtu do ta standardizonin shqipen!) dhe sidomos, fjala e botuesit të “Javës”, meqenëse ata nuk janë “gjuhëtarë pleq e komunistë” a të tjerë(!) , – pra standardi i tyre do të ishte jo më pak se një amalgamë e shqipes dialektore të bastarduar dhe një standard i shqipes – po ashtu i bastarduar, nga ndikime të gjuhës së rrugës, të një mënyre të foluri në përpjekjen e adoleshentëve (edhe intelektualisht) për të përdorur një tjetër kod, shpesh me shkurtime e me një shqiptim të ndikueshëm nga anglishtja e të tjera gjuhë, – gjithnjë pa u mbështetur në kurrfarë rregullash gramatikore, do të thotë një gjuhë shqipe pa gramatikë! Të përmend këtu disa nga “xhevahiret gjuhësore” të përdorura prej autorësh të këtij soji: “p’ej qasaj; ka mund me ardh…; du me nigu qato ***** ka me jep ni provim …” e të tjera.
Gjithë kjo për shkakun se nuk duan dhe nuk mund ta zotërojnë shqipen standarde, kaq e largët nga e folmja e tyre dhe “një gjuhë e sistemit totalitar”!
Zëra të tilla propozojnë të kthehemi tek përdorimi i shqipes në viset shqiptare në ish-Jugosllavinë, standardi i gegërishtes letrare, sipas Ortografisë së gjuhës shqipe të Prishtinës (1964). Harrojnë ata (ose, edhe më keq, nuk e dinë) që shqipja e përdorur sipas atij standardi, vuante të gjitha mundimet, veçse në një masë shumë më të madhe, që vuajnë sot intelektualët e Kosovës lidhur me përdorimin e shqipes standarde!… Le të shohin botime të asaj periudhe dhe, sidomos, le të shohin shqipen e përdorur në dokumentacionin shkollor, në administratë, në recensione e në shkrime të tjera kritike, në gazeta e në revista …., – gjithandej, të shumtën do të gjejnë një shqipe si të përkthyer nga sllavishtja! Dhe pikërisht këtë shqipe dashkan ta ringrenë – si një standard(!)…
** Një ligj për gjuhën ose jo?
Kohët e fundit shtrohen gjithnjë e më zëshëm kërkesa për nxjerrjen e një ligji për të mbrojtur gjuhën; kjo vlen edhe për Shqipërinë, edhe për Kosovën.
Ligji edhe mund të nxirrej, po kaq shumë probleme do të shkaktonte zbatimi i tij, saqë, para se të miratohej, duheshin diskutuar në mënyrë të shterueshme shumë probleme që do të duheshin kapërcyer.
Do të përmend shkurt vetëm disa:
-Kush do ta hartonte këtë ligj dhe ç’do të ngërthente ky, standardin në tërësi, edhe përdorimet e figurshme, edhe trajtat dysore, edhe elemente gjuhësore të traditës, edhe ….., apo ….(!)
-Kush do t’i formonte komisionet e ndjekjes dhe si do të ndiqeshin shpërdoruesit e gjuhës?
-Do të ishin në shkallë vendi, komune a inistitucioni ato komisione profesionistësh?
-Cilët do të ishin anëtarët dhe a do të ketë të tillë për një punë kaq të vëllimshme?
-Cilat do të ishin shkeljet e ndëshkueshme lidhur me gjuhën?
-Si do të bëheshin dënimet – me të holla, me largim nga detyra, me …
-Sa gjyqe do të duheshin ngritur për procese të tilla?
-A do të ndëshkohej e para ministria që do ta propozonte ligjin (po e zëmë: e Arsimit…, e Kulturës…, e Punëve Publike…) apo edhe Parlamenti që do ta miratonte atë (sa kohë që ato bëjnë shumë gabime gjuhësore), dhe më pastaj – institucionet e larta arsimore e shkencore.., botuesit e të tjera e të tjera – që të gjithë shpërdorues të shqipes në shkallë të ndryshme…
A kërkohen veprime të veçanta për ta zotëruar standardin intelektualët e Kosovës
Për mendimin tim, për ta zotëruar (dhe zbatuar, pse jo) intelektualët e Kosovës standardin, nuk kërkohen veprime të veçanta. Të veçanta janë vetëm kushtet e edukimit në sistemin e arsimit dhe mungesa e traditës për të zotëruar çfarëdo standardi. (Dua të theksoj në parantezë se edhe standardin para viti ’72, ka qenë fare i vogël numri i intelektualëve kosovarë – mësues, aktorë, folës në radio …, që kishin arritur ta zotëronin në një shkallë të mirë. Madje as në formën e shkruar … Këtë e di fare mirë, sepse një kohë kam punuar dhe vetë si korrektor dhe “lektor” librash. Eh, sikur të kishte mundësi t’i shihnin ato tekste dhe gazeta – në “fazën e përpunimit” autorët që e kërkojnë sot atë standard! Do të zhgënjeheshin fort, tepër fort!). Arsyeja e kësaj gjendjeje, kjo duhet thënë shkoqur dhe me gojën plot – nuk është Standardi ’72, çështja është shumë më e ndërlikuar… Megjithëkëtë, për mendimin tim, krahas masave që duhen marrë për të shtruar ndryshe mësimin e gjuhës, – mund të ndihmonin edhe këto veprime:
-Një qëndrim tjetër ndaj shqipes standarde, qëndrimi si ndaj një të mire kombëtare, të përbashkët, ndaj së cilës kushdo mban përgjegjësinë në një shkallë të caktuar ;
-Një luftë këmbëngulëse, e ngritur në shkallë institucionale, për të zotëruar frymën, natyrën e shqipes, dhe kjo, në radhë të parë, duke bërë deserbizimin e shqipes standarde, sepse shqipja standarde, pa asnjë dyshim, në Kosovë më së shumi lëngon nga modele njësish sintaksore si ndikime nga serbishtja në kohën kur ajo ishte gjuhë zyrtare dhe gjuhë prestigji në jetën shkencore, arsimore dhe kulturore në përgjithësi, në Kosovë. Kjo luftë bëhet më e vështirë për faktin se kemi të bëjmë me përdorimin e një standardi “të serbizuar” edhe nga brezi i të rinjve dhe i fëmijëve që nuk e dinë fare serbishten, prandaj modele të tilla i kanë nxënë sikur të ishin tipike për standardin. Kjo edhe për shkak se ato nuk i njeh shqipja dialektore, prandaj konsiderohen si “pasuri” e shqipes!….
-Shkolla, ligjërimi publik, televizioni, shtypi e forma e institucione të tjera të kulturës me ndikim shumë të madh për formimin gjuhësor të brezave të rinj, duhet të ngrihen detyrimisht në nivelin që kërkon koha e sotme .
Po problemet konkrete, të qena e të paqena…?
Për gjendjen e shqipes, për shkallën e pamjaftueshme të njohjes e të zbatimit të shqipes standarde (bëhet fjalë për gjithë hapësirën shqiptare në ish-Jugosllavinë, pra edhe për Kosovën), mund të vihen në dukje disa faktorë, të qenë e të paqenë, ndër të cilët do të përmendja këta:
-mungesa e traditës në këtë fushë të kulturës, edhe mungesa e kulturës së leximit;
-shkalla e ulët e përgatitjes, sidomos në fushë të kulturës së gjuhës, e -mësuesve të shkollave, dhe kjo vlen edhe për mësuesit e shqipes;
-përdorimi i një shqipeje standarde (nëse mund të quhej kështu) për një kohë të gjatë nën hijen e serbishtes, e mbytur nga ndikime sidomos në fushë të krijimit të fjalëve të reja e të përdorimit të fjalëve me burim të huaj (mbi trajtat në serbishten, deri edhe fjalë të tipit “biro” e “bife”, “pire” – pure, “apartman” etj…) dhe në fushë ndërtimit të njësive sintaksore (togfjalësha emërorë e foljorë: “tatimi në pronë”, “reagimi në shkrimin me titull…”; “zhgënjimi me vendimin e ministrisë”; “njoftohem me”, “lajmërohem në”, “disponoj me”, “mahnitem me”, “të falënderohem në pritjen” etj.), deri edhe përdorimi i shprehjeve të veçanta (“vjen në shprehje”; “është në pyetje”; “nuk vjen në konsiderim”, “vjen deri te aksidenti” e të tjera e të tjera….) – të cilat, që të gjitha, madje tashti të shtuara edhe nga interferenca me anglishten, sigurisht tek shqippërdoruesit e pashkathët e që nuk e kanë zotëruar sa duhet frymën e shqipes, – i gjejmë gjithandej…;
-shkalla e zbatimit të shqipes në libra shkollorë, sidomos në libra të shkencave të natyrës, të ekonomisë, të së drejtës, të filozofisë e të tjera…;
-njëfarë shkujdesjeje tej mase, sidomos e të rinjve, ndaj disiplinës gjuhësore, shpesh të yshtur edhe nga “studiues” të vetëquajtur, të cilët përpiqen me mish e me shpirt për mohimin e vlerave të shqipes standarde dhe për nevojën e hapjes së diskutimeve për të ngritur një standard tjetër të shqipes, i cili të ishte “më i përshtatshëm e më i lehtë” për folësit e gegërishtes, e cila, sipas disa prej të cilëve, përbëka një gjuhë tjetër dhe jo një dialekt ose një ish-variant letrar të shqipes …
Po të vështrojmë përdorimin publik të shqipes, qoftë në medie të shkruara dhe qoftë në ligjërimin e folur, hiq disa probleme që kanë të bëjnë me tipare të veçanta fonetike (mungesa e qiellzoreve Q,Gj; varietete të shqiptimit të Ë-së së theksuar; elemente të hundorësisë tek E-ja e theksuar dhe e lëvizjeve tek shqiptimi i zanores A e ndonjë tjetër), po jo edhe tek përdorimi i grupit të zanoreve UA, i fjalëve me rotacizëm, i përdorimit të Ë-së së theksuar në kushte të caktuara, – tipare këto të shqipes standarde, bazuar tek toskërishtja, në fushat e tjera – si në morfologji e në fjalëformim dhe në çështje kryesore të ndërtimit të fjalisë, – standardi i shqipes kryesisht është zotëruar në një shkallë të mirë nga intelektualët në Kosovë. Për mendimin tim, këto janë disa nga argumentet që dëshmojnë se nuk mund të fajësohet baza dialektore e standardit për shkallën e njohjes së pamjaftueshme në fusha të tjera të tij, dhe kjo sidomos lidhur me përdorimin e ndërtimeve me një folje modale ose të aspektit, të ndërtimeve parafjalore të tipit “përkundër kësaj e asaj, u zotuan që…”; “pranë këtyre pengesave, kanë lindur edhe…” e të tjera, – që, si modele të huaja që kanë hyrë në shqipen – pa asnjë nevojë, janë mësuar pothuaj nga të gjithë … dhe ato për përdoruesit e tyre, sikur janë “brenda normës”!
Pra, jo standardi, po zotërimi pikë për pikë i shmangieve të tilla ose mungesa e ndonjë fjale a trajte në shqipen dialektore, është një burim i paqenë për shmangie të veçanta, të cilat kanë arritur shkallën e neverisë, si:
– përdorimi i disa foljeve (shpie, bie, ngre – ngrihem);
- togfjalësha foljorë parafjalorë (njoftohem me dikë a diçka);
-valenca e foljeve të veçanta – (i) pengoj (dikujt);
- togfjalësha parafjalorë emërorë (me kuptim “lejor”) – sikur gjithçka ndodh, kryhet, arrihet – përkundër dikujt a diçkaje;
-shprehje të veçanta foljore– (është në pyetje, vjen në shprehje; vjen në konsiderim);
- folje të veçanta – (preferoj, paramendoj, thirrem në ligjin e…, pranoj – pagën, portieri pranon tre gola…;
- përdorimi i grupit foljor duhet + pjesore (Kudo duhet thënë të vërtetën; Kudo duhet thënë të vërtetat! Njeriu duhet thënë të vërtetën!);
-bashkëpërputhja e trajtave foljore me folje modale dhe aspektore (duhet, mund, filloj, nis, vazhdoj…. ), mbaroj, pushoj ;
-përdorimi i përemrave lidhorë (Fjala që u prekëm prej saj, erdhi nga drejtuesi i mbledhjes; Librin që e bleva në një dyqan, kishte disa dëmtime teknike…..).
Lista e shmangieve, nga të cilat “astenjana” (të përdor një shprehje tipike për Kosovën) nuk del të ketë ndonjë lidhje shkak-pasojë me standardin, – është vërtet shumë, shumë e gjatë …
Mund të shtrohej pyetja: Do ta ndihmonte vallë, luftën kundër këtyre “dukurive tipike”, një standard i ri, një “standard gegnisht”?
Cila shqipe të mësohet jashtë?
Për mendimin tim, për shkak se fëmijët dhe të tjerët që duan të marrin mësime për shqipen, vijnë nga anë të ndryshme (krahina të Shqipërisë e të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare), me një shqipe variantesh të ndryshme dialektore, – synim për brezat e rinj Jashtë – duhet të jetë zotërimi i shqipes standarde, një punë kjo që, s’do mend, kërkon përpjekje të mëdha edhe të mësuesve, edhe të prindërve, edhe të fëmijëve, veçse, po të shihet perspektiva e inkuadrimit të tyre në Botën Shqiptare, vetëm gjuha standarde mund të jetë mjeti i lidhjes së tyre të fuqishme rreth një identiteti kombëtar, që synon secili shtet dhe secili komb në botën moderne. Kjo edhe për një arsye tjetër, që është: të rinjtë janë në kontakt të përditshëm dhe i mësojnë me zell gjuhët e shteteve ku jetojnë, gjuhët që shquhen për një shkallë të lartë të standardizimit e të saktësisë së përdorimit e të tjera … dhe shqipja për ta duhet të jetë po si ato… E dyta, vetëm aftësimi i tyre për të hyrë në bashkëmarrëdhënie të kulturuara me bashkëkombësit, mund të sigurojë një shkallë të ruajtjes së identitetit të tyre kombëtar e kulturor, – këtë nuk mund ta ushtrojë asnjë dialekt i shqipes në botën e sotme … kjo vlen edhe për ardhës të rinj në shtete të zhvilluara, të rinj që nuk e kanë përfunduar formimin e tyre kulturor në shkallë të duhur, prandaj në forma të ndryshme duhet ta vazhdojnë – aty ku e kanë këputur, qoftë edhe në forma edukimi jashtë sistemit formal.
Megjithëkëtë, kjo është një çështje shumë e ndërlikuar dhe, kujtoj, duhet të bëhet objekt i një diskutimi mbi baza shkencore e mbi metoda e teori moderne, organizuar nga institucione shtetërore e shkencore në Shqipëri dhe në Kosovë, sepse, më në fund, po kështu veprojnë edhe shtete të tjera për të ruajtur substancën kombëtare e kulturore në një shkallë të dëshirueshme në shtetet gjithandej, nga mund të jenë vendosur (ndonjëherë edhe katandisur) pjesë të popujve të tyre – për arsye nga më të ndryshmet, qoftë edhe të jenë ato shkaqe, rezultat i inkuadrimit të dijes kombëtare në sisteme ndërkombëtare…
Ligjëratë e mbajtur me mësuesit e shqipes në shtetet skandinave, 11-12 maj 2006 Landskrona, Suedi.
“Zhduken” dorëshkrimet e bejtexhinjve
Jorgo BULO
“ZHDUKEN” DORËSHKRIMET E BEJTEXHINJVE

Jorgo Bulo
Qindra faqe dorëshkrime nga fondi i bejtexhinjve, prej një vitit e gjysëm janë “zhdukur” nga arkivi i Institutit të Gjuhësisë. Studiuesja Genciana Abazi, e cila është njëkohësisht edhe punonjëse në këtë Institut, i ka marrë materialet nga fondi i arkivit dhe i ka nxjerrë jashtë institucionit. I ka marrë në shtëpi dhe pas denoncimit të bërë nga drejtuesit e institutit, i ka dorëzuar në Arkivin e Shtetit në ruajtje. Në këtë status dorëzimi, tashmë vetëm Genciana, mbesa e studiuesit të mirënjohur Osman Myderizi, i cili i ka transkriptuar të gjithë tekstet e bejtexhinjve, ka të drejtë t’i shohë e t’i tërheqë nga Arkivi u Shtetit. Askush tjetër veç saj nuk mundet t’i marrë ato dokumente dhe t’i studiojë.
Genciana ka pretendimet e saj. Shumë studiues dhe trashëgimtarë si ajo i japin Gencianës të drejtë morale për këtë veprim. Prej 17 vitesh, humbje të mëdha dhe të pariparueshme po ndodhin me arkivat shqiptare. Dokumente pafund të zhdukura, të cilave sot nuk u gjendet asnjë gjurmë. Për të mos përmendur momentin delikat ku gjenden sot të gjitha institutet shkencore, pas krizës që po kalon Akademia e Shkencave. Kryetari i Akademisë, Ylli Popa u shpreh me keqardhje para pak ditësh, se rreziku më i madh në këtë rast u kanoset arkivave të gjithë institucioneve që ishin deri më dje nën varësinë e Akademisë së Shkencave. Dhe sot, arkivat, që janë themeli i të gjithë këtyre institucioneve shkencore, janë në rrezik. Qindra herë kemi dëgjuar për ndërrim ambientesh nga një godinë në një tjetër, për rikonstruksione të ndryshme e lëvizje të tjera, që përbëjnë një rrezik të vazhdueshëm për arkivat e tyre. Vetëm një raft sikur të ndërrohet, rrezikon të humbasë rendi i vendosjes, e për pasojë një dorëshkrim, a qoftë edhe një dokument i vetëm të mos gjendet për vite të tëra…
Genciana trishtohet për faktin se gjithë ajo punë dhe mund i gjyshit të saj mund të rrezikojë të humbasë përgjithmonë. E pak më tej, njerëz pa skrupuj kanë zgjatur duart dhe kanë përvetësuar punën e Myderizit, pa e cituar se e kujt është kjo pronë intelektuale. Por këto janë çështje që nga ana insitucionale nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Jorgo Bulo, drejtori i Institutit të Gjuhësisë, është shqetësuar pasi ka marrë sinjalizimet për zhdukjen nga arkivi të këtij thesari. Si drejtues i këtij institucioni, ai e ka denoncuar këtë rast dhe tashmë çështja është në Gjykatë. Genciana nuk pranon t’i kthejë dorëshkrimet aty ku i ka marrë. Ka gjetur një rrugë private për t’i mbrojtur, e bindur se ajo ka të drejtë të veprojë ashtu. Ndërkohë, prej disa muajsh e mbase dhe për shumë kohë të tjera, derisa të kthehen, nëse gjykata vendos të kthehen në arkiv, asnjë studiues nuk ka të drejtë t’i shohë ato dokumente. Askush nuk mund të studiojë mbi bejtexhinjtë… Si nisi kjo çështje që tashmë po synohet të zgjidhet me gjyq?
Bëhet fjalë për një nga punonjëset tona këtu në Institut, e cila punonte për një temë të caktuar rreth të cilës ne kemi një koleksion dokumentesh. Si punonjëse e Institutit, ajo ka të drejtën si kushdo studiues tjetër, t’i shfrytëzojë. Por në bazë të rregullave që ka arkivi dhe sipas këtyre rregullave, ajo mund t’i shfrytëzojë materialet në mjediset e institucionit. Por ajo ka shfrytëzuar besimin dhe i ka marrë në shtëpi materialet. Kur drejtoria është informuar se ajo i ka marrë materialet në shtëpi, ndërhymë menjëherë dhe kërkuam që t’i kthejë e të punojë me to sipas rregullave që kanë të gjithë arkivat. Ajo nuk pranoi t’i kthejë. I kemi bërë disa herë kërkesë me shkrim dhe me gojë, por sërish nuk i ktheu. Atëherë ne u detyruam që ta denoncojmë në organet e drejtësisë. Nuk kërkojmë asgjë tjetër, veç t’i kthejë materialet që ka marrë në Arkivin Shkencor të Institutit, sepse ato janë pronë intelektuale e Institutit.
Për çfarë dokumentesh bëhet fjalë?
Këto janë një koleksion mjaft i rrallë dorëshkrimesh që lidhet me krijimtarinë poetike të bejtexhinjve. Janë tekste të shkrimtarëve bejtexhi, duke filluar nga tekstet e frashërllinjve, Dalip e Shahin Frashëri, e deri te Nezim Frakulla, Sulejman Naibin, Hasan Zyko Kamberi, etj. Janë tekstet origjinale, dhe ato të transkriptuara. Me ç’argumente e mbron punonjësja juaj këtë veprim?
Një nga pretendimet e saj është se ajo ka lidhje farefisnore me Osman Myderizin, i cili e ka bërë këtë punë, pra transkriptimin e teksteve. Ai ka qenë punonjës i Institutit. Ne, për shkak të kësaj lidhjeje, jemi treguar të gatshëm që nëse ajo do që t’i ketë këto materiale, t’i japim një kopje falas. Nga ana tjetër, ajo ngre pretendimin absurd se ka raste që janë shfrytëzuar këto materiale nga dikush dhe nuk është cituar autori. Por kjo nuk është çështje e arkivit dhe e institucionit. Kjo është një çështje e të drejtës së autorit. Nëse dikush i shfrytëzon materialet dhe nuk i citon, është përgjegjësi e tij dhe mund ta hedhësh në gjyq. Ne nuk mund të pengojmë askënd që të vijë e të shfrytëzojë materiale në bazë të rregullave të arkivit, nën mbikëqyrjen e punonjësit të arkivit. Natyrisht, edhe të mbajë shënime nëse ka nevojë, apo të marrë fotokopje të teksteve të caktuara nëse i duhen. Të gjithë këto janë të sanksionuara në ligj. Nuk ia pengojmë askujt këtë. I quani të pabaza pretendimet e saj?
Të gjithë argumentat që mund të paraqesë ajo zhvleftësohen, sepse bien në kundërshtim me ligjin. Sipas ligjit mbi arkivat, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, materialet që hyjnë në arkiv janë të pakthyeshëm, pavarësisht nga koha apo mënyra se si kanë hyrë në arkiv. Nga ana tjetër, materialet e Arkivit shfrytëzohen vetëm në mjediset e arkivit. Nuk mund të dalin jashtë, përveç rasteve të jashtëzakonshme, kur prokuroria, fjala vjen ka nevojë të bëjë një ekspertizë. Por edhe në këto raste do t’i marrë i shoqëruar nga një punonjës i Arkivit, të shkojë të bëjë ekspertizën dhe brenda ditës t’i kthejë. Keni informacion se ku gjendet sot ky koleksion dokumentesh? Po. Pasi ne e denoncuam rastin në organet e drejtësisë, ajo i ka çuar dokumentat në Arkivin e Shtetit. I ka çuar atje, por jo në statusin t’i dorëzojë në Arkivin e Shtetit, por në ruajtje. Çdo të thotë “në ruajtje”?
Është e njëjta situatë si me një kasafortë në bankë. Nëse unë kam ca para dhe s’dua t’i mbaj në shtëpi, i çoj në bankë. Ajo i ka çuar në arkiv dhe tani ka të drejtë t’i tërheqë sërish kur të dojë. Por nuk janë të shfrytëzueshme nga të tjetër. Askush tani nuk mund t’i marrë ato materiale për t’i studiuar. Ky është problemi. Është e thjeshtë, ne nuk kërkojmë as më shumë e as më pak, por të kthehen ato materiale që janë pronë intelektuale e Institutit. Sa pjesë e fondit të bejtexhinjve i mungon sot arkivit tuaj?
Janë një pjesë e mirë e këtij fondi që i mungojnë tashmë. Janë disa qindra faqe. Dhe ajo që përbën vërtet problem në këtë rast, është fakti se ato janë kopja e vetme. Ato materiale nuk ekzistojnë askund tjetër. Dhe që nga ai moment, asnjë studiues nuk mund të bjerë më në kontakt me to. Është një rast i rrallë. Nuk ka ndodhur kurrë, por është një dëm i madh për arkivin tonë. Prej sa kohësh i mungojnë arkivit tuaj këto dokumente? Ky problem ka kohë që ka lindur. Janë bërë thuajse katër muaj që ne jemi në gjyq për këtë çështje. Që në qershor ndoshta, e kemi denoncuar.
Ajo është ende punonjëse këtu në Institut?
Po, këtu punon. Por ne nuk kemi dashur që të merret masë ndaj saj. Vetëm të kthejë materialet. Materialet aktualisht janë në Arkivin e Shtetit? Tani ndodhen në Arkivin e Shtetit. Megjithëse ende nuk e dimë ekzaktësisht se çfarë ka çuar atje në ruajtje, por unë besoj se i ka dorëzuar të gjitha. Dhe sipas logjikës së statusit të dorëzimit në ruajtje, ajo tashmë është pasuri e saj. Mund të ndodhë që një pjesë e një fondi nga një arkiv për arsye të ndryshme, nëse është më i shfrytëzueshëm diku tjetër, mund të transferohet, siç është rasti i Arkivit të Shtetit. Por kjo bëhet midis institucioneve. Nuk mund të bëhet në mënyrë private.
Intervistë e Dr. Feti Mehdiu dhënë revistës “Argumenti”
INTERVISTË E DR. FETI MEHDIU DHËNË REVISTËS “ARGUMENTI”
(MARS 2006, NR. 3 (48), PRISHTINË)*

Dr. Feti Mehdiu
1. Si ju lindi ideja për ta përkthyer komentin e Kur’anit?
Unë fillimisht duhet t’ju them se nuk kam përkthyer koment të Kur’anit. Ka dashur All-llahu a.xh., që unë të përkthej dhe të botoj përkthimin e Kur’anit, në tërësi, në gjuhën shqipe, në vitin 1985, në Prishtinë, që e konsideroj një begati prej All-llahut, për mua dhe për Prishtinën, sepse mendoj se ky është një shans historik. Përkthimi im është një përkthim interlinguistik, pa komentime.
Ideja për ta përkthyer Kur’ani Kerimin (Kur’anin e Madhëruar) në gjuhën shqipe më lindi qysh në bankat e Medresesë Alauddin, në vitet 1966-67. Në vitin 1967 në hapësirën shqiptare ka dalë një ligj fatkeq sa i përket fesë, rrjedhimisht edhe burimit themelor të fesë islame – Kur’anit. Pas vitit 1968, kjo ide merr formën konkrete, ashtu që përkthimin e kam filluar pas vitit 1977, pasi në atë kohë mbrojta punimin e magjistraturës. Për herë të parë Kur’ani në gjuhën shqipe është botuar në vitin 1985, në Prishtinë, dhe për herë të dytë më 1999, pas një ripunimi dhe pajisje me tekstin origjinal, në Shkup-Stamboll.
2. A keni pasur frikë për lëshime eventuale gjatë përkthimit kur kemi parasysh se Kur’ani është fjalë e Zotit dhe kjo është përgjegjësi e jashtëzakonshme?
Kam qenë plotësisht i vetëdijshëm se do të ketë lëshime, por duke pasur parasysh faktin se me këtë përkthim pasurimi i kulturës shqiptare islame është më i madh se lëshimet eventuale të mia, as që më ka shkuar mendja të frikësohem. Gabimet janë veti e njerëzve. Vetëm All-llahu është i pagabueshëm, e Ai në Kur’an kërkon prej njerëzve që të mos e fshehim atë çka u thuhet njerëzve në Kur’an. Unë kështu e kam kuptuar ajetin 159 të sures Bekare, prandaj kam marrë mbi vete edhe përgjegjësinë që më takon.
3. Na thoni diçka për gjuhën në të cilën është përkthyer Kur’ani Kerimi. Dëgjohen zëra se gjuha shqipe standarde, si rezultat i sistemit të regjimit komunist nuk i plotëson nevojat për të përkthyer Kur’anin?
Edhe ky fakt, që Kur’ani të përkthehet pas standardizimit të gjuhës shqipe, është një dhunti e All-llahut. Ka dashur Zoti xh.sh. që përkthimi i tërësishëm të realizohet në një gjuhë të standardizuar kombëtare, e kjo është pasuri e madhe për kulturën shqiptare kur librat e shenjtë i ka në gjuhë standarde. Gjuha shqipe ka aftësi leksikore edhe sintaksore, mbase më shumë se disa gjuhë të tjera të botës, që pa problem të transmetojë përmbajtjen e çdo libri qoftë, do të thotë edhe të Kur’anit.
Gjuha shqipe në të cilën është përkthyer Kur’ani Kerim, flas për përkthimin tim, nuk i ka qëndruar besnik verbërisht normave standarde të fjalorit të shqipes, i vetëdijshëm në elasticitetin e zhvillimit gjuhësor. Mund të them se kjo gjuhë është për këtë brez dhe për disa breza të ardhshëm. Nëse dëgjohen zëra të tjerë duhet të konkretizohen, nëse ka argumente konstruktive. Unë e kam përkthyer Kur’anin pa ideologjizim.
4. Si është puna e redaktimit gjuhësor të Kur’anit të Madhëruar dhe bashkëpunëtorëve të cilët i kanë takuar ideologjisë komuniste?
Së pari, lexuesit këtu duhet të dinë se redaktimin gjuhësor të përkthimit tim e kanë bërë profesorë të gjuhës shqipe, të cilët më parë kanë kryer Medresenë Alauddin e pastaj kanë studiuar gjuhën shqipe, ose që kanë lexuar përkthime të Kur’anit në ndonjë gjuhë tjetër dhe paraprakisht është pajtuar me mua që Kur’ani nuk është si librat e tjerë, prandaj për disa gjëra do të vendos përkthyesi e jo redaktori gjuhësor. Kjo do të thotë se këtu është respektuar gjuha shqipe e të gjitha kohëve, jo vetëm e sistemit komunist, por jo në dëm të përmbajtjes së Kur’anit Famëlartë.
Ata që i kanë takuar ideologjisë komuniste, asokohe nuk janë afruar fare që të bashkëpunojnë, por pasi që ka dalë nga shtypi, ata janë shprehur me admirim ndaj Kur’anit. Madje mund të thuhet se përkthimi i Kur’anit në gjuhën shqipe, në vitin 1985, ka luajt një rol të rëndësishëm në kthjellimin e vetëdijes fetare tek një masë e inteligjencës shqiptare.
5. Cilat janë përparësitë e përkthimit tuaj?
Këtë vlerësim mund ta japin më së miri lexuesit dhe studiuesit e kësaj fushe. Unë mund të përmend këto përparësi: Këtu lexuesi e ka përpara tekstin origjinal, në gjuhën arabe dhe përballë atij teksti ka përkthimin, me madhësi të barabartë, faqe për faqe. Këtu kam ruajtur faqosjen tradicionale të tekstit të Kur’anit, gjë që e preferojnë shumë institucione dhe studiues të Kur’anit. Përparësia tjetër besoj se është se në përkthimin tim nuk ka përfolje të kuptimit të ajetit brenda kllapave, në të njëjtin rresht. Unë jam përpjekur që t’i ofroj lexuesit që përmbajtjen dhe bukurinë e Kur’anit ta përjetojë vetë, pa ndërhyrjen time.
Ndonjë sqarim për disa ajete, për të cilët kam menduar se lexuesi duhet të thellohet në përmbajtjen e tij, unë i kam lënë në fund të përkthimit, të shënuar me numra arabë. Në botimet e tjera teksti origjinal ose është i zvogëluar ose vjen pas disa faqeve. Madje ndonjëherë ajeti në origjinal është i ndarë në mënyrë arbitrare.
/Orientalizmi Shqiptar/
Intervistoi: Fehmi MALOKU
* Kjo intervistë është botuar në revistën “URA”, nr. 4, Pranverë-Verë, Tiranë 2010, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com, numër ekskluziv për përkthimin e parë të plotë të Kur’anit në gjuhën shqipe nga Dr. Feti Mehdiu.
Recensë e Enis Sulstarova, Arratisje nga lindja: orientalizmi shqiptar nga Naimi te Kadareja
Besnik PULA
Departmenti i Sociologjisë
Universiteti i Miçiganit
RECENSË E ENIS SULSTAROVA, ARRATISJA NGA LINDJA: ORIENTALIZMI SHQIPTAR NGA NAIMI TE KADAREJA

Besnik Pula
Libri i Enis Sulstarovës është një nga përpjekjet e para dhe më sistematike për të përdorur kuadrin teorik të veprës Orientalism (Orientalizmi) të E.W.Said, për të analizuar nacionalizmin shqiptar, ashtu siç shfaqet në letërsi, historiografi dhe ligjërimin politik bashkëkohor. Ndërkaq, qëllimi i librit është arritur me shumë sukses. Sulstarova analizon shfaqjen e dikotomive orientaliste te autorët kryesorë shqiptarë të shek. XIX dhe evoluimin (ose ngulmimin) e tyre gjatë epokave kyçe të historisë shqiptare, në rolin e mekanizmave ligjërimore të përdorura për përcaktimin e identitetit modern shqiptar. Studimi zgjerohet tek përfshin shkrimet e intelektualëve bashkëkohorë shqiptarë, ku Sulstarova zbulon një rishfaqje në rritje të dikotomive të fuqishme orientaliste ndërsa intelektualët përpiqen të shpjegojnë problemet, vështirësitë dhe patologjitë e gjendjes postsocialiste të Shqipërisë, si edhe t’u japin përmasë historike marrëdhënieve të sapo vendosura të këtij vendi me kompleksin politiko-kulturor të quajtur “Evropë”. Analiza e orientalizmit bashkëkohor shqiptar nuk merr si objekt të vetin veprat e autorëve nacionalistë që punojnë në skajet e prodhimit kulturor, të cilët mund të kishin qenë një qitje e lehtë e kritikës ndaj orientalizmit, por veprat e autorëve dhe shkrimtarëve kryesorë, popullorë dhe që për sa u përket prirjeve kulturore dhe politike, zakonisht quhen “liberalë” dhe “proevropianë”. Sulstarova tregon bindshëm se orientalizmi – e ndonjëherë edhe racizmi dhe islamofobia e hapur– ka strukturuar thellësisht mendimin e këtyre autorëve, duke bërë atë që ai e ka emërtuar me vend “orientalizmi shqiptar”, të jetë shumë më tepër se sa një çështje e një mënyre mendimi që i ka kaluar koha.
Duke përcaktuar metodën e tij, Sulstarova ndjek Said, duke e kthyer “orientalizmin” nga një traditë shkencore (sot në pjesën më të madhe të varrosur) të Perëndimit të bazuar mbi studimin e “Orientit”, në një koncept analitik që ka për qëllim të zbulojë dhe shqyrtojë ngulmimin e dikotomive fundamentale epistemike që organizojnë traditën orientaliste të diturisë. Kjo lëvizje teorike synon të vendosë rolin historik që Orientalizmi ka luajtur si një mjet për ndërtimin e vetë-imazhit të Perëndimit dhe të modernitetit të tij, të pozicionuar kundër një “Orienti” të pandryshueshëm dhe jashtë historisë, që përfaqëson një konglomerat gjeo-historik dhe kulturor të paanë, por në dukje homogjen. Sigurisht që Sultarova nuk harron të përmendë se disiplina e orientalizmit mori trajtë gjatë epokës kulmore të kolonializmit perëndimor dhe se ajo ka qenë e lidhur ngushtë me strukturat koloniale të pushtetit dhe sundimit. Por, duke qenë se Shqipëria nuk ka qenë një fuqi kolonialiste dhe studimet orientale asnjëherë nuk morën trajtë si një traditë shkencore në Shqipëri, Sultarova orientalizmin e koncepton si “mënyrën e mendimit që merr si premisë ndarjen midis Perëndimit dhe Lindjes”, në të cilën Perëndimi shfaqet si një formacion social dhe kulturor i vetëm, i unifikuar dhe relativisht i qëndrueshëm, me një sërë veçorish superiore, kurse Orienti si e kundërta e tij (f. 25). Kështu për Sulstarovën kategoria analitike e orientalizmit përdoret për të kuptuar vetëndërtimin prej autorëve nacionalistë të identitetit kombëtar, bazuar mbi supozimet dhe themelet e traditës perëndimore të orientalizmit, dhe se si ligjërimet nacionaliste e përdorën orientalizmit në rrëfimet e identitetit historik të kombeve përkatëse, duke e pozicionuar veten dhe të tjerët brenda ontologjisë së orientalizmit.
Përveç hyrjes, libri i Sulstarovës përmban shtatë kapituj, i pari i të cilëve ofron kuadrin analitik dhe të tjerët i kushtohen analizës së orientalizmit ashtu siç shfaqet në periudha të veçanta të historisë së Shqipërisë. Kjo histori përfshin prej fillesave të nacionalizmit shqiptar në shek. XIX deri në vazhdimësinë orientaliste gjatë regjimeve politike shqiptare para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, e deri në debatet e tanishme mbi identitetin shqiptar dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me Perëndimin.
Analiza historike e librit përqendrohet rreth poetit dhe shkrimtarit me famë të shek. XIX, Naim Frashërit. Sulstarova tregon se si Frashëri dhe bashkëkohësit e tij mbështeteshin fuqishëm te dikotomitë orientaliste në përpjekjet e tyre për të larguar identitetin historik shqiptar prej Orientit, që në atë kohë mishërohej nga armiku kryesor i nacionalistëve shqiptarë, Perandoria Osmane. Vepra e Frashërit është fokusi kryesor i kapitullit, duke marrë parasysh ndikimin e jashtëzakonshëm të tij në nacionalizmin shqiptar dhe statusin e tij si poet i mirënjohur i periudhës së Rilindjes Kombëtare. Për shembull, Sulstarova vëzhgon se rëndësia që Frashëri dhe bashkëkohësit e tij i japin prejardhjes së lashtë pellazge dhe ilire të shqiptarëve është përdorur jo vetëm për të identifikuar rrënjët etnike, por edhe për të theksuar prejardhjen e veçantë evropiane të shqiptarëve, për t’i diferencuar plotësisht ata prej turqve “aziatikë”. Megjithatë, Sulstarova tregon se orientalizmi nuk përdorej vetëm për të ndërtuar ndryshimin prej tjetrit. Si një ligjërim kulturor, orientalizmi shkonte më thellë në strukturimin e narrativës historike të identitetit shqiptar, duke vepruar si një element kyç në disa drejtime. Sundimi osman mbi shqiptarët kështu përfaqëson jo vetëm mohimin e vetëqeverisjes, por edhe një përpjekje skandaloze pesëshekullore për të këputur lidhjet historike të Shqipërisë me Perëndimin. Me anë të analizës së njërës prej poemave më popullore të Frashërit, Istori’ e Skënderbeut, Sulstarova shqyrton përdorimin prej Frashërit të figurës mesjetare të Skënderbeut për të dhënë imazhin e një epoke në të cilën shqiptarët janë, pjesërisht edhe prej krishtërimit, pjesë e Perëndimit.
Sulstarova tregon se si përfytyrimet historike të Frashërit për Skënderbeun dhe epokën e tij janë ndikuar fuqishëm prej biografisë së studiuesit kishtar Marin Barleti në shek. XVI, i cili e portretizon “Turkun” si barbar të racës më të ulët, që synon të pushtojë dhe shkatërrojë gjithë Evropën e krishterë – një temë standarde kjo në narrativat historike orientaliste mbi ekspansionin osman në Evropë. Ky imazh rishfaqet në poemën e Frashërit, ku turku figuron si një shkatërrues i pamëshirshëm, një barbar i papërmbajtur dhe lakmitar, që kërkon të zhdukë qytetërimin perëndimor. Kështu, Skënderbeu del si mbrojtës i Evropës dhe Shqipëria si porta hyrëse për në Evropë. Për Frashërin, çasti i tanishëm është shansi historik për shqiptarët që të shkëputen prej Orientit dhe të kërkojnë vendin që u përket në qytetërim (perëndimor). Megjithatë, Perëndimi në poemën e Frashërit përfaqëson diçka të ndryshme prej atij të kohës së Skënderbeut. Për Frashërin, një mysliman bektashi, Perëndimi i kohës së tij është mishërimi i modernitetit dhe përparimit shekullar, për të cilat aspiron edhe Shqipëria.
Ndërsa analiza e teksteve kryesore të Naimit, ndikimet mbi veprën e tij dhe konteksti kulturor kur shkruante, janë përdorur si mjete për të shqyrtuar hyrjen e mendimit orientalist në ligjërimin nacionalist shqiptar qysh në fillimet e këtij të fundit, një numër më i madh autorësh është përdorur për të analizuar orientalizmin në polemikat e politikanëve dhe intelektualëve të drejtuar kah reformimi dhe modernizimi i Shqipërisë pas pavarësisë. Kapitulli i librit mbi orientalizmin shqiptar midis dy luftërave botërore titullohet saktë “Oksidentalizimi i Shqipërisë”. Sulstarova ilustron se si “oksidentalizimi” pjesërisht kishte kuptimin e “çorientalizimit”, që do të thoshte spastrimi i të gjitha mbetjeve kulturore dhe shoqërore të trashëguara prej kohës osmane – padyshim një çështje e ndërlikuar në një vend ku popullsia është në shumicë myslimane dhe ku pronarët e kohës osmane, bejlerët, vazhdonin të dominonin shoqërinë dhe politikën. Gjatë kësaj kohe, orientalizmi ofronte jo vetëm fushën e vizionit që përcaktonte se çfarë ishte “orientale” në Shqipëri dhe çfarë nuk ishte, por gjithashtu u kthye në një mjet që modernizuesit e rinj, të arsimuar me idetë perëndimore përdornin për të denoncuar armiqtë e tyre politikë. Për këtë grup modernizuesish, siç ishin ata të mbledhur rreth shkollës së neoshqiptarizmës së Branko Merxhanit, orientalizmi shërbente jo vetëm si një mjet polemik, por edhe për ta përcaktuar projektin historik të Shqipërisë pas pavarësisë si një “oksidentalizim” politik dhe kulturor.
Në një tjetër kapitull, Sulstarova ofron një shpjegim të shkëlqyeshëm të ndërtimit letrar që atyre që i quan “personazhe orientaliste”. Këta janë portrete fiktive të figurave (zakonisht të fuqishme), që sipas autorëve të tyre ilustrojnë tiparet e personalitetit të personave që përfaqësojnë shpirtin oriental (të trashë, epshorë dhe irracionalë). Orienti në këtë mënyrë gjendet jo vetëm si një formacion kulturor i ardhur prej së kaluarës, por si një shpirt që ndodhet thellë në trupin e karakterit oriental, një qenie që ka hyrë si një sëmundje në shoqërinë shqiptare. Veçoritë morale të këtij karakteri janë vërtet të neveritshme. Duke shqyrtuar personazhin fiktiv të Xheladiun Beut ashtu siç del në një tregim me shumë ndikim të botuar në vitin 1937, me të cilin autori synonte të përfaqësonte stereotipin e beut shqiptar, Sulstarova na thotë se personaliteti oriental portretizohet si esencialisht i pandryshueshëm, mizor, dinak, gjenetikisht i shthurur dhe lakmitar për perversione seksuale, si homoseksualiteti dhe pedofilia dhe në të njëjtën kohë me një dëshirë të pafrenuar për gra. Sulstarova ka gjetur një mënyrë të thjeshtë për të shqyrtuar figurën letrare të Xheladin Beut, me anë të krahasimit të diskutimit kritik e historik të K E.Fleming (1999) mbi përshkrimet orientaliste të shek. XIX për sundimtarin osman Ali Pashën. Në këtë analizë krahasuese, Xheladin Beu, më shumë se sa një personazh origjinal i shpikur nga një autor shqiptar, del si riprodhim i një portretizimi historik të “orientalëve” të pushtetshëm, siç jepen nga ligjërimi orientalist.
Ndoshta zbulimi më interesant i librit është lokalizimi i mendimit orientalist në qendër të veprave historike dhe letrare të epokës socialiste të Shqipërisë. Shqipëria socialiste kishte pushuar së kërkuari të bashkohej me Perëndimin ose të bëhej perëndimore – përkundrazi, Perëndimi kapitalist ishte për udhëheqjen komuniste shqiptare, armiku më i madh i Shqipërisë, dhe vlerat dominuese perëndimore, antinom i atyre të komunizmit. Por, paradoksialisht, pozicionimi politik i Shqipërisë si një armik i Perëndimit nuk detyronte një braktisje të orientalizmit në prodhimin kulturor apo ligjërimin politik, sikurse dëshmon Sulstarova. Ai tregon se si ligjërimi i epokës socialiste i zhvendosi koordinatat gjeo-historike të orientalizmit, meqenëse nuk ishte më Perëndimi që përfaqësonte subjektin e tij qendror historik përkundër Orientit ai tjetri i tij, por Shqipëria socialiste si fener i socializmit të vërtetë. Sikurse thotë Sulstarova, “Orientalizmi në socializmin socialist përdorej për përfaqësimin në vepra artistike të Turkut, të Perandorisë Osmane, të bejkerëve, agallarëve, kulakëve, hoxhallarëve, dervishëve, besimtarëve myslimanëve – d.m.th. të gjithë ata që shoqëroheshin me sundimin osman në Shqipëri, por edhe ata që përfaqësonin “klasat shfrytëzuese dhe bashkëpunëtorët e armikut” edhe pas periudhës osmane” (129-130). Në ligjërimin historik, orientalizmi gjen, sidomos në veprat letrare të autorit të mirënjohur Ismail Kadare, zbatimin e tij tradicional si një metodë për të formuar identitetin kombëtar vis-a-vis Perandorisë Osmane të prapambetur, të dhunshme, barbare dhe joevropiane. Duke marrë parasysh se disa prej romaneve të tij janë të vendosura në kontekstin historik osman, Kadareja në mënyrë të qëndrueshme mbështetet mbi dikotomitë orientaliste për të përkufizuar “turqit” islamikë dhe barbarë si kundërshti e shqiptarëve të krishterë “perëndimorë”. Për të, pushtimi osman sinjalizon jo vetëm fundin e pavarësisë politike të principatave mesjetare shqiptare, por edhe nxjerrjen e dhunshme të Shqipërisë prej Evropës dhe vendosjen e saj në Azi. Edhe më interesant është fakti që sipas Sulstarovës, temat e veprave të Kadaresë pasqyrojnë ndryshimet e mëdha politike në Shqipëri, ndërsa edhe subjekti i Orientit në veprat e Kadaresë ndryshon sipas tyre. Kjo duket pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik në vitet 1960. Është interesante se superfuqia e mëparshme në veprën e Kadaresë kthehet në subjekt që përfaqëson Orientin. Për shembull, në poemën e Kadaresë të botuar në këtë periudhë, “vitet gjashtëdhjetë” hasim vargjet: “Mbi flamurin sovjetik kosorja e draprit/ Befas si gjysmëhënë na ua duk”, pra duke hequr një paralele midis perandorive sovjetike dhe osmane. Sulstarova tregon me një sërë shembujsh, se si pas ndarjes të Shqipërisë me Kinën kjo e fundit bëhet “orientale” në veprën e Kadaresë. Në njërën prej romaneve të tij, udhëheqja komuniste kineze tregohet se kishte për qëllim ta përdorte Shqipërinë si një gur shahu për ta zbatuar një plan sekret për të dominuar gjithë Evropën. Shqipëria e vogël por heroike edhe një herë qëndron e vetme si ledh që e mbron Evropën prej sulmit të Orientit, me sovjetikët dhe kinezët që përfaqësojnë çfarë dikur ishin osmanët.
Pas paraqitjes se orientalizmit në prodhimin artistik të epokës së komunizmit, duket më pak i habitshëm, megjithëse më shqetësues, orientalizmi i hapur e zhurmëmadh, deri edhe te racizmi dhe islamofobia që Kadareja dhe bashkëkohësit e tij shfaqin në epokën pas-socialiste. Në këtë periudhë, nevoja e intelektualëve shqiptarë për ta pozicionuar identitetin politik dhe kulturor të Shqipërisë si esencialisht evropian, duket se ka arritur pikën e paranojës histerike. Një nga çështjet qendrore që nxit këto debate intelektuale është islami dhe marrëdhëniet e tij me identitetin modern shqiptar. Në fillimet e viteve 1990 Kadareja propozoi që shqiptarët në mënyrë kolektive të braktisin islamin dhe të përqafojnë katolicizmin, për t’u rikthyer te feja e paraardhësve të tyre. Islami vazhdimisht fajësohet prej këtyre intelektualëve, të cilët duket se janë të prirur për ta gjykuar atë me anë të stereotipeve dhe përshtypjeve sipërfaqësore, siç e provon Sulstarova në rastin e figurave publike me ndikim si Aurel Plasari, Piro Misha, dhe Mustafa Nano. Efikasiteti i këtyre “kritikave” të islamit bëhet i mundur me anë të ankorimit të tyre në orientalizmin historik, që lejon për t’i bërë thirrje stereotipeve dhe imazheve të shoqëruara me “Orientin”, ky i fundit duke u shfaqur si një njësi e veçantë dhe joproblematike. Kështu, argumentojnë këta autorë, një perëndimorizim i vërtetë i Shqipërisë bashkëkohore kërkon, nëse jo braktisjen me gjithsej të islamit, të paktën vendosjen e një distance prej kësaj feje. Meqë këta debate janë të ndikuara shumë prej politikës së ditës, çështja e islamit dhe rolit të tij në shoqërinë shqiptare ka ardhur duke u bërë urgjente pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 kundër Amerikës dhe fillimit të “luftës kundër terrorit” të udhëhequr nga Amerika. Sulstarova ka vënë re, për shembull, një përqafim të intelektualëve më të shquar shqiptarë të nocionit të Samuel Huntington (1996) bazuar mbi “përplasjen e qytetërimeve”, ku 11 shtatori sinjalizon fillimin e një konflikti të tillë. Aurel Plasari, për shembull, në 2002 shkruan se si 11 shtatori vërtetoi vizionin hantingtonian duke e “nxjerrë botën lakuriq”, domethënë së qytetërimet e përkufizuara të tilla në bazë të feve, janë njësitë e vetme reale që kërkojnë përkushtim në botën e ditëve të sotme. Ky vizion ideologjik, i rrënjosur thellë në ndarjet orientaliste të botës, mund të jetë shpjegimi i pjesshëm i fjalimit shumë të diskutueshëm prej presidentit shqiptar në 2005, i cili citohet prej autorit të librit. Në fjalimin e tij presidenti përpiqet ta distancojë Shqipërinë prej islamit duke thënë se është “një islam me fytyrë evropiane”, d.m.th. se është një “islam i cekët” (260). Orientalizmi gjithashtu thirret në ndihmë prej intelektualëve të ndryshëm për të shpjeguar një sërë çështjesh politike dhe shoqërore të Shqipërisë pas-socialiste, ndonjëherë edhe për të shpjeguar për brutalitetin e diktatorit komunist Enver Hoxha, si simptomatike për paaftësinë e Shqipërisë për të kapërcyer trashëgiminë e saj orientale. Rastet që Sulstarova dokumenton dhe diskuton mbi orientalizmin bashkëkohor shqiptar janë të shumta, dëshmi e faktit se orientalizmi nuk është vetëm një trajtë historike me anë të të cilit komunizmi shqiptar ndërton Tjetrin e tij, por një dukuri me pasoja të thella në ligjërimin politik pas-socialist dhe identitetin kulturor.
Libri i Sulstarovës është një arkeologji e shkëlqyer e dikotomive orientaliste në ligjërimin politik dhe kulturor shqiptar dhe është një lexim i domosdoshëm për të gjithë ata që janë të interesuar për politikën, historinë dhe kulturën shqiptare. Libri dokumenton sistematikisht dhe tregon për formimin dhe qëndrueshmërinë e orientalizmit shqiptar, prej shfaqjes së tij në nacionalizmin e shek. XIX deri në debatet e ditëve të sotme mbi identitetin shqiptar. Libri përbën një kritikë shkatërruese të orientalizmit në trajtën e tij të tanishme, i cili shfaqet jo vetëm si një mënyrë stigmatizimi e pjesës joperëndimore të botës, por edhe si një ligjërim gjithmonë e më shumë racist e islamofobik, që përshkon mendimin politik e kulturor në Shqipëri. Sulstarova përdor në mënyrë efikase analiza historike për të treguar dikotomitë e varrosura thellë – dhe ndoshta pjesërisht të pandërgjegjshme – që janë përdorur për të ndërtuar identitetin modern shqiptar, duke ekspozuar pjesë të bazës së tij në kategori mendimi që sipas kritereve të sotme do të dilnin diskriminuese dhe raciste. Pikërisht në këtë pikë Sulstarova identifikon paradoksin më të madh të orientalizmit shqiptar, në atë që ai përdor një mënyrë të të menduarit që kritikohet në Perëndim, për të ndërtuar identitetin e Shqipërisë perëndimore.
Në këtë kuptim, përpjekjet e Sulstarovës ndalin në nivelin e një kritike liberale, duke sugjeruar që orientalizmi të braktiset në emër të bashkimit me “Evropën” (dhe specifikisht me Bashkimin Evropian). Megjithatë, kritika e tij mund të radikalizohet më tutje. Duke qenë se frymëzimi kryesor për studimin e tij është vepra e Michel Foucault (1977; 1980), thellimi i metodës gjenealogjike të Foucault mund të tregojë vërtet se disa prej kategorive kyçe që përkufizojnë ligjërimin nacionalist shqiptar (dhe ligjërimin e nacionalizmit më në përgjithësi) mund të jenë të lidhura me traditat perëndimore të racizmit, darvinizmit social dhe diturisë kolonialiste, sikurse ato që historikisht kanë pjellë orientalizmin. Si një ligjërim vërtet (në kuptimin që i jep Foucault këtij termi), pse historia e mendimit nacionalist të jetë e ndryshme prej asaj të ligjërimeve të tjera të pushtetit që Foucault analizon në studimet e tij tashmë të mirënjohura? Me fjalë të tjera, nacionalizmi është një ligjërim mbi pushtetin në kuptimin më të thellë, por gjithashtu edhe një ligjërim që është historikisht i qëndrueshëm, por edhe i pamundur të ndahet prej rrënjëve të tij epistemike. Kjo sugjeron që orientalizmi shqiptar nuk është thjesht një patologji vendore e kulturës politike dhe intelektuale, por që ai mund të vështrohet nga një pikëvështrim vërtet paskolonial, pasi që orientalizmi shpesh ka vendosur bazën esenciale për shfaqjen e shumë, nëse jo të gjitha, ligjërimeve nacionaliste. (ii) Por këtu, supozoj, qëndron vlera më e madhe e analizës së Sulstarovës, sepse potencialisht të çon te diçka përtej vetes. Me anë të shumë pyetjeve që ngre libri i tij, mund të hapë rrugën drejt një mënyre që na mundëson jo vetëm ta “provincializojmë Evropën”, siç ka propozuar Chakrabarty (2000), por edhe të çprovincializojmë në mënyrë kritike mendimin nacionalist shqiptar, i cili, sikurse shumica e nacionalizmave, ka tendencën të trajtohet si një dukuri e izoluar që zhvillohet sipas një logjike imanente që është krejtësisht autonome. Përkundrazi, zbulimi se orientalizmi është një parim organizues i rëndësishëm – nëse jo qendror – i ligjërimit dominues të nacionalizmit shqiptar dhe se orientalizmi vazhdon të funksionojë si një supozim i heshtur i debateve intelektuale mbi identitetin shqiptar, sugjeron një panoramë krejt të ndryshme. Ai që dikur ishte vendi më i izoluar i Evropës nuk duket më të ketë qenë aq i larguar prej traditave historikisht evropiane të mendimit - qofshin ato edhe disa nga traditat më të këqija të historisë evropiane.
Ndoshta u takon të tjerëve të ndriçojnë më fuqishëm lidhjet e thella historike midis orientalizmit dhe ligjërimit nacionalist shqiptar, dhe të qëndrueshmërisë së epistemologjive orientaliste (e prej kësaj, edhe atyre kolonialiste) brenda tij, që do t’u japë mundësinë studiuesve të nacionalizmit të hapin fusha të reja teorike. Sjellja më pranë dritës e lidhjeve historike dhe epistemike midis orientalizmit dhe nacionalizmit do të na lejojë të ndërtojmë një rreth dialektik, në të cilin orientalizmi jo vetëm që shërben për të kritikuar nacionalizmin shqiptar (për të argumentuar se intelektualët shqiptare mbështeten në trajta mendimi që tashmë nuk janë të favorizuara në shumicën e institucioneve akademike perëndimore dhe në ligjërimet politike të qendrës, në këtë mënyrë kërkojnë një rishikim nga ana e tyre), por që kritika orientaliste e nacionalizmit shqiptar mund të shërbejë edhe për të ekspozuar po ato cektina perëndimore dhe moderne të diturisë që vazhdojnë të përshkojnë dhe strukturojnë vetë nacionalizmin. Në një kuptim, çfarë mund të përfaqësojë nacionalizmi, dhe nacionalizmi ballkanik në veçanti, përveç se një mbrojtje ndaj orientalizmit, duke përdorur armët teorike të vetë orientalizmit. Paradoksalisht, duket sikur nacionalizmi e arrin subjektivitetin e tij autonom me koston e përvetësimit në mënyrë aktive të mënyrës historike të diturisë që nuk e ka krijuar vetë. Prej kësaj perspektive, larg prej të përfaqësuarit një ligjërim “derivativ”, ligjërimi historik i nacionalizmit mund të shihet si një mishërim i një mënyre perëndimore të njohurisë par excellence. Cila, atëherë, do të ishte baza e vërtetë e përpjekjeve të vazhdueshme ideologjike e intelektualëve shqiptarë për ta “çuar Shqipërinë në Evropë”, kur përpjekjet e intelektualëve bashkëkohorë shqiptarë për ndërtimin e një identiteti dhe kulture kombëtar të esencializuar dhe të purifikuar, duke racializuar, stigmatizuar dhe përgojuar Tjetrin – një Tjetër që është bërë plotësisht transparent ndaj diturisë – janë strategji ligjërimore tepër moderne dhe tepër evropiane? Për qëllime që shkojnë përtej përfshirjes në debatet vendore intelektuale dhe politike në Shqipëri, shpresojmë se së shpejti do të kemi në duar një përkthim në anglisht të Arratisjes nga lindja.
Burimet:
Canefe, Nergis. 2004. “Foundational Paradoxes of Balkan Nationalisms – Authenticity, Modernity and Nationhood.” http://www.obiv.org.tr/2004/Balkanlar/005-NERGIS%20CANEFE.pdf (Last accessed: July 5, 2006).
Chakrabarty, Dipesh. 2000. Provincializing Europe: Postcolonial Thought and Historical Difference. Princeton, NJ: Princeton University Press.
Chatterjee, Partha. 1986. Nationalist Thought and the Colonial World: A Derivative Discourse. Minneapolis: University of Minnesota Press.
Fleming, K.E. 1999. The Muslim Bonaparte: Diplomacy and Orientalism in Ali Pasha’s Greece. Princeton, NJ: Princeton University Press.
Fleming, K.E. 2000. “Orientalism, the Balkans, and Balkan Historiography.” American Historical Review, Vol. 105, No. 4.
Foucault, Michel. 1977. Discipline and Punish: The Birth of the Prison. Trans. by Alan Sheridan. New York: Pantheon.
Foucault, Michel. 1980. The History of Sexuality, Vol. I. Trans. by Robert Hurley. New York: Vintage.
Huntington, Samuel. 1996. The Clash of Civilizations. New York: Simon & Schuster.
Kadare, Ismail. 2006. Identiteti evropian i shqiptarëve. Tirana: Onufri.
Said, Edward W. 1978. Orientalism. New York: Pantheon.
(i) Pak pas botimit të librit të Sulstarovës, Ismail Kadare botoi një ese të titulluar “Identiteti evropian i shqiptarëve” (Kadare 2006). Eseja ndërsa risillte qëndrimet standarde të Kadaresë mbi lidhjet e thella historike të Shqipërisë me Perëndimin, gjithashtu i siguronte shqiptarët për “evropianitetin” e tyre duke theksuar ngjyrën e lëkurës së tyre.
(ii)Partha Chatterjee, për shembull for instance, tregon se orientalizmi vepronte te nacionalizmi indian para pavarësisë (Chatterjee 1986). Të tjerë studiues kanë vërejtur se përdorimin e orientalizmit në Ballkanin bashkëkohor (për një përmbledhje shih Fleming, 2000).
(iii) Lidhur me këtë Nergis Canefe shënon se një çorientalizim i ngjashëm u pa i nevojshëm në nacionalizmin turk. Ai shkruan se “premisat themelore [të nacionalizmit turk] rrekeshin të provonin se turqit nuk ishin një “ngastër orientale” dhe se ata kishin një shoqëri me tipare të brendshme të përparimit politik dhe revolucionit kulturor. Në këtë aspekt, mohimi i trashëgimisë osmane u bë domosdoshmëri” (2004:108).
Ndikimi i sures kur’anore “Jusuf” në kulturën dhe qytetërimin islam në hapësirat shqiptare
Nexhat IBRAHIMI
NDIKIMI I SURES KUR’ANORE “JUSUF” NË KULTURËN DHE QYTETËRIMIN ISLAM NË HAPËSIRAT SHQIPTARE
Për Shqipërinë u përpoqa
Rezikova jetën t’ime
Nuk rëfehet se sa hoqa
Se shteti m’i njihte krime.
(H. A. Korça, “Shtat ëndrrat e Shqipërisë”, f. 30)

Nexhat Ibrahimi
I. Shqyrtimi hyrës
Populli shqiptar një periudhë të gjatë kohore të historisë së vet e ka të lidhur ngushtë me islamin dhe muslimanët, pra edhe me Perandorinë Osmane. Gjatë kësaj periudhe populli shqiptar ka krijuar një pasuri, trashëgimi shumë të pasur e të vlefshme në aspektin krijues kulturor, politik e fetar. Edhe pse gjatë kësaj kohe kishte mosmarrëveshje të kohëpaskohshme midis popullit shqiptar dhe Perandorisë Osmane, megjithatë këta dy faktorë kanë qenë të lidhur ngushtë mes vete. Këtë bashkëpunim e dëfton dhe dëshmon gjeniu krijues në fushën fetare, arsimore-edukative, kulturore-qytetëruese shqiptare, që paraqet një thesar të mirëfilltë.[1] Edhe pse u krijua në faza të ndryshme historike dhe në rrethana të vështira, e kaluara tregon një shpirt të pasur krijues.
Për fat të keq, krijimtaria shqiptare e proveniencës islame në fe, kulturë, histori, art, letërsi, etj., nuk pati trajtim dhe pranim të barabartë apo të përafërt me krijimtarinë e proveniencës kristiane, qoftë ortodokse qoftë katolike. Këtë e ka theksuar më herët edhe Hasan Kaleshi[2] por edhe Osman Myderrizi[3]. Thuajse institucionalisht por edhe individualisht përparësia ishte në anë të krijimtarisë kristiane dhe laike duke e lënë në harresë krijimtarinë e autorëve të proveniencës muslimane. Kjo gjendje është e pranishme edhe në fillim të shekullit XXI. Madje, disa prej tyre, si Ismail Kadare, kanë qëndrim mohues. Ai krijimtarinë shqiptare islame më tepër e përjeton si të huaj, incident kalimtar, si armiqësore sesa si krijimtari të popullit shqiptar brenda popullit shqiptar dhe për popullin shqiptar. Gëzon fakti se edhe autori Isak Ahmeti, shpesh me disponim antiislam, e kundërshton mendimin se islami është “incident kalimtar”, por shton se “Roli i Kur’anit, i fesë dhe kulturës islame ndër shqiptarët ka qenë i një rëndësie të veçantë dhe jo incident kalimtar…, se që nga përhapja institucionale e Islamit në trojet etnike shqiptare (fundi i shekullit XIV) e deri më sot, ai ka frymëzuar jetën shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve, ka frymëzuar bukur mirë edhe një pjesë të madhe të letërsisë sonë…”[4]
II. Jusufi dhe Zulejhaja te autorët botërorë
I tërë Kur’ani, por edhe sureja/kaptina “Jusuf” e Kur’anit dhe vetë mënyra e rrëfimit kur’anor, ka bërë një ndikim të madh te komentuesit e Kur’anit, si te Taberiu, Raziu, Zamahsheriu, Ibn Abbasi, Ibn Kethiri, Kutbi[5], por edhe te shumë sufi si Ibn Arebiu[6] dhe letrarë, historianë e krijues të tjerë, si Firdeusi, Xhamiu, Attari, Sadiu[7], Ibn Xhevziu, etj..[8] Këta emra tregojnë se me këtë problematikë janë marrë jo vetëm arabët, por edhe persianët, turqit, urdët, malajët. Por, me këtë temë janë marrë edhe në Europë: gjermanët, sikurse Gëte[9], italianët, sikurse Danteja, spanjollët, francezët[10], serbët etj. Nuk bëjnë përjashtim as boshnjakët e shqiptarët etj.
Është interesante se kohëve të fundit autorët kanë trajtuar edhe një segment të shpërfillur deri tash, atë ekonomik. Ndonëse të gjithë autorët flasin për aftësinë e Jusufit në fushën e administrimit ekonomik, disi kanë kaluar mbi këtë aspekt. Gëzon fakti që dikush edhe këtë aspekt e mbuloi, duke vënë bazat e një ekonomie islame.[11] Të shpresojmë se në të ardhmen do të trajtohen edhe aspektet e tjera të jetës dhe veprës së Jusufit a.s., politike, psikologjike, pedagogjike, etj.
III. Jusufi dhe Zulejhaja te disa autorë shqiptarë
Përkundër tendencave që krijimtaria shqiptare e proveniencës islame të shpërfillet dhe t’i mohohet identiteti dhe fizionomia, studimet e mirëfillta shkencore çdo ditë e më shumë dëshmojnë dhe tregojnë se ajo është mjaft e përparuar dhe me vlera artistike të larta e të pamohueshme, madje me një prapavijë krijuese, shoqërore dhe politike shumë të shëndoshë dhe autoktone. Disa të tjerë këtë krijimtari e radhisin ndër tri shtyllat e literaturës shqipe, krahas asaj orale, dhe shkrimit biblik.[12]
Kur’ani dhe sureja Jusuf kanë ndikuar në shumë pikëpamje te krijuesit shqiptarë. Kësaj teme i shkruan edhe shumë të tjerë në rrafshin gojor, si imamët, hatibët, vaizët, kënduesit e ilahive, nëpër xhami, tubime fetare apo takime të lira.
Krahas rrafshit fetar gojor ndikimi i Kur’anit dhe i sures Jusuf është evident edhe në rrafshin fetar të shkruar te imamët dhe vaizët, në rrafshin fetaro-letrar te poetët me ilahi e kaside, te historianët nëpërmjet librave të historisë islame mbi pejgamberët. Është interesante se pothuajse të gjithë autorët që janë preokupuar me Jusufin dhe Zulejhanë e kanë njohur gjuhën arabe në origjinal e jo nga përkthimet.
Tema e Jusufit, sikurse edhe tërë krijimtaria shqiptare islame, ka pasur një shtrirje gjithëshqiptare si në kohë ashtu edhe në hapësirë. Ajo nuk është karakteristikë e një zone gjeografike shqiptare, apo e një rryme ideore. Jusufi dhe Zulejhaja trajtohen njësoj te imamët në xhami apo të shejhët në teqe. Këtë e dëshmojnë emrat e ndryshëm dhe krijimet e ndryshme nëpër fazat e ndryshme historike.
Ndër autorët e hershëm shqiptarë që shkroi për Jusufin dhe Zulejhanë (në gjuhë turke) është Jahja bej Dukagjini (vdiq 1582), i cili shkroi poemën Jusufi dhe Zulejhaja[13], sipas tij nga origjinali e jo nga përkthimet persiane.[14]
Në mesin e atyre që krijuan në mënyrë origjinale e që shkrimet e tyre kanë arritur deri te ne janë edhe Muhamed Kuçuku-Çami (1782-1884)[15], Hafiz Ali Korça (1873-1956)[16], Çajupi[17], Haki Sharofi[18] e të tjerë, të cilët e trajtuan jo vetëm në aspektin letrar, por edhe historik, edukativ, filozofik, politik, ekonomik etj.
Duhet pranuar fakti se, në rastin konkret, tema e Jusufit dhe Zulejhasë në nënqiellin shqiptar më tepër ka provokuar shkrimet letrare e më pak ose fare pak rrafshet e tjera që përmendëm më sipër. Megjithatë, edhe këto shkrime dhe studime janë mjaft të arsyeshme dhe ndoshta çelësi hyrës për studime më të gjera e më të specializuara.[19]
Muhamed Çami shkroi poemën Jusufi dhe Zulejhaja. Sipas studiuesve, M. Çami realizimin e tij e bëri edhe në mbështetje të Kur’anit dhe traditës islame por edhe të autorëve botërorë si Firdeusi, Xhamiu e Attari. Këtë ia ka mundësuar M. Çamit njohja e shkëlqyeshme e Islamit dhe e trashëgimisë së tij por edhe njohja e gjuhëve orientale.[20]
Pa dyshim, poema Jusufi dhe Zulejhaja e Muhamed Çamit “me vlerat e larta strukturore që ka, me fenomenin kompozicional dhe dramatik, me pasurinë shpirtërore të personazheve, me gjuhën poetike që ka”[21], ka hapur rrugë të reja, ka trazuar shtigje shumëdimensionale dhe paraqet gurrë, burim por edhe sfidë për studime e vlerësime të drejta.
Me Jusufin e Zulejhanë u preokupua edhe Hafiz Ali Korça. Ai shkroi poemën origjinale Jusufi me Zelihanë a më e bukura e ngjarjeve (ahsen-ul-kasas)[22]. Normalisht, te Korça, sikurse edhe te Çami, kemi një përshkrim artistik të ndodhisë, por ky përshkrim është në frymën e burimeve islame, e jo trillim i kulluar i imagjinatës së poetit. Leximi i kujdesshëm i këtij krijimi, vlerësimet shkencore që i janë bërë deri tash kësaj poeme, tregojnë dhe udhëzojnë se Hafiz Ali Korça dëshmon ndikimin e fuqishëm të Kur’anit në këtë krijim. Me këtë por edhe me veprat e tjera, Korça i bëri vetes një vend të merituar në historinë shqiptare dhe veçanërisht në historinë e letërsisë moderne shqiptare.
Ndër ata që u preokupuan me Jusufin dhe Zulejhanë është edhe imami shumë i dalluar Vehbi Ismaili, i cili emigroi nga Shqipëria në SHBA dhe atje punoi shumë. Ky autor i vyeshëm shkroi veprën në dy vëllime me titull Historia e pejgamberëve, e një kaptinë ia kushtoi Jusufit a.s.[23] Imam Vehbiu shkroi edhe një vepër tjetër në formë drame me titull Jusufi i drejt, ndoshta vepra e parë e këtij lloji në gjuhën shqipe. Për habinë tonë, kjo vepër nuk ka gjetur preokupimin e autorëve shqiptarë deri sot.[24] Mbase kjo ka ndodhur edhe për shkak të informimit të dobët të SHBA-ve me trojet shqiptare.
Ekzistojnë edhe shkrime të tjera[25], por ne do të mjaftohemi duke përmendur vetëm disa shembuj me krijime origjinale të zhanreve të ndryshme.
Literatura:
Ali, Jusuf, The Holy Qur’an, Text, Translation and Commentary, Maryland, USA, 1983.
Çami, Muhamed, Jusufi dhe Zulehaja, përgatitur nga Ibrahim D. Hoxha, Tiranë, 1992.
El-Hulejsi, Nevvaf bin Salih, El-Menhexh’ul-iktisadi fi’t-tahtiti li nebijjil-lahi Jusuf alejhis-selam, Rijad, pa vit botimi.
Hafiz i Gete, përmbledhje punimesh, Beograd, 2003.
Hysa, Mahmud, Alamiada shqiptare, I-II, Shkup, 2000.
Ahmedi, Ismail, Hafiz Ali Korça – Jeta dhe vepra, Shkup, 1419-1999.
Ismaili, Adnan, Jusufi dhe Zelihaja në letërsinë shqipe, punim magjistrature, dorëshkrim, Prishtinë, 2003.
Ismaili, Imam Vehbi, Historia e pejgamberëve, II, botim’i parë, Michigan, USA, 1419-1998.
Ismaili, Imam Vehbi, Jusufi i drejt, botim’i parë, Michigan, USA, 1415-1994.
Kaleshi, Hasan, Kontributi i shqiptarëve në dituritë islame, Prizren, 1411/1991.
Korça, Hafiz Ali, Historija e shenjtë edhe të katër Halifetë, Tiranë, 1931.
Korça, Hafiz Ali, Jusufi me Zelihanë a më e bukura e ngjarjeve (ahsen-ul-kasas), Elbasan, 1342-1923.
Myderrizi, Osman, Tekstet e Vjetra Shqip me Alfabetin Arab, Tiranë, 1965.
Qazimi, Qazim, Jeta dhe vepra letrare e Muhamed Çamit, Prishtinë, 2002.
Saadiu, Gjulistani dhe Bostani, Tiranë, 2003.
Salihu, Hajdar, Poezia e bejtexhinjve, Prishtinë, 1987.
Schimmel, Annemarie, Odgonetanje Bozijih znakova – Fenomenoloski pristup islamu, Sarajevë, 2001.
Sharofi, Haki, Edukata fetare e morale, pjesa IV, Tiranë, 1939.
[1] Shih një pasqyrë të shkurtër të një pjese të krijimtarisë: Hasan Kaleshi, Kontributi i shqiptarëve në dituritë islame, Prizren, 1411/1991, 9-111; Mahmud Hysa, Alamiada shqiptare, I-II, Shkup, 2000 etj.
[2] Krijimet e proveniencës kristiane edhe pse thuajse të gjitha të shkruara me dirigjim nga Vatikani apo Patriarkana dhe ishin të angazhuara kundër pjesës shumicë d.m.th. kundër shqiptarëve muslimanë, krijimet e proveniencës shqiptare muslimane rezultonin nga shtresat e ulëta, të varfëra, shpesh të adresuara kundër të pasurve, bujarëve dhe feudalëve. Shih: Hasan Kaleshi, op. cit., fq. 9-11.
[3] “…për tekstet me alfabetin arab s’u bë asnjë kërkim…” Osman Myderrizi, Tekstet e Vjetra Shqip me Alfabetin Arab, Tiranë, 1965, fq. 288.
[4] Shih shkrimin: Isak Ahmeti, Kur’ani në letërsinë shqipe, në: http://www.seguraweb.nl/1a1/arspoetica_artikujt.php?id=196
[5] Një pasqyrë më të plotë për komentuesit e Kur’anit mund të marrim nga pjesa qendrore e këtij libri. Shih edhe: Jusuf Ali, The Holy Qur’an, Text, Translation and Commentary, Maryland, USA, 1983, fq. 548.
[6] Sufitë kishin prirje për temën e Jusufit dhe Zulejhasë. Shih: Annemarie Schimmel, Odgonetanje Bozijih znakova – Fenomenoloski pristup islamu, Sarajevë, 2001, fq. 198.
Edhe gjermanja e kohës sonë, A. Schimmel, ka treguar interesim të veçantë për Jusufin dhe Zulejhanë. Shih: Yusuf in Mawlana Rumi’s poetry, në: L. Lewisohn ed., 1991, The Legacy of Mediaeval Persian Sufism, fq. 45-60.
[7] Duke iu falënderuar Vehxhi Buharasë, në gjuhën shqipe kemi pjesë të zgjedhura të Saadiut. Ky shkrim dëshmon ndikimin e kaptinës Jusuf te Saadiu por edhe te autorët shqiptarë. Shih: Saadiu, Gjylistani dhe Bostani, Tiranë, 2003, fq. 31, 104.
[8] Shih gjerësisht për interesimet e të tjerëve për temën e Jusufit dhe Zulejhasë: Adnan Ismaili, Jusufi dhe Zelihaja në letërsinë shqipe, punim magjistrature, dorëshkrim, Prishtinë, 2003, fq. 41 e tutje.
[9] Për ndikimin e muslimanëve te Gëte, pra edhe të temës së Jusufit dhe Zulejhasë shih gjerësisht: Hafiz i Gete, përmbledhje punimesh nga grup autorësh, Beograd, 2003.
[10] Për ndikimet islame te europianët apo për disa aspekte letrare shih studimin: Milazim Krasniqi, Soneti në poezinë shqipe, Prishtinë, 2005, fq. 18 e tutje.
[11] Nevvaf bin Salih El-Hulejsi, El-Menhexh’ul-iktisadi fi’t-tahtiti li nebijjil-lahi Jusuf alejhis-selam, Rijad, 652. Libri paraqet tezë doktorature. Për këtë të dhënë falënderojmë zotëri mr. Adnan Ismaili.
[12] Shih gjerësisht: Isak Ahmeti, op. cit.
[13] Sipas Adnan Ismaili, op. cit. fq. 55-56.
[14] Hasan Kaleshi, Kontributi i shqiptarëve në dituritë islame, Prizren, 1411/ 1991, fq. 21.
[15] Muhamed Çami, Jusufi dhe Zulehaja, përgatitur nga Ibrahim D. Hoxha, Tiranë, 1992.
[16] Hafiz Ali Korça, Historija e shenjtë edhe të katër Halifetë, Tiranë, 1931.
[17] Për shkak se nuk është preokupimi ynë parësor në këtë shkrim, nuk jemi interesuar të gjejmë burimin, por e huazuam shënimin nga Hajdar Salihu, Poezia e bejtexhinjve, Prishtinë, 1987, f. 205.
[18] Haki Sharofi, Edukata fetare e morale, pjesa IV, Tiranë, 1939.
[19] Kohëve të fundit kemi disa sosh: Mahmud Hysa, Alamiada shqiptare, I-II, Shkup, 2000; Ismail Ahmedi, Hafiz Ali Korça – Jeta dhe vepra (temë doktorature), Shkup, 1419-1999; Qazim Qazimi, Jeta dhe vepra letrare e Muhamed Çamit (temë doktorature), Prishtinë, 2002; Adnan Ismaili, Jusufi dhe Zelihaja në letërsinë shqipe (punim magjistrature), Prishtinë, 2003 etj.
[20] Adnan Ismaili, op. cit., f. 77-79.
[21] Isak Ahmeti, op. cit..
[22] Hafiz Ali Korça, Jusufi me Zelihanë a më e bukura e ngjarjeve (ahsen-ul-kasas), Elbasan, 1342-1923, sipas Adnan Ismaili, op. cit., f. 86.
[23] Imam Vehbi Ismaili, Historia e pejgamberëve, II, botim’i parë, Michigan, USA, 1419-1998, f. 1-30.
[24] Imam Vehbi Ismaili, Jusufi i drejt, botim’i parë, Michigan, USA, 1415-1994, fq. 162.
[25] Ndër ta është edhe Zejnullah Rrahmani, Jusufi, Pejë, 2000.
Fondi i persizmave në shqipen e sotme dhe në zhvillimin historik të shqipes prej Mesjetës e këndej
FONDI I PERSIZMAVE NË SHQIPEN E SOTME DHE NË ZHVILLIMIN HISTORIK TË SHQIPES PREJ MESJETËS E KËNDEJ
Persishtja dhe shqipja janë gjuhë të një familjeje, të familjes indoeuropiane, ku bëjnë pjesë një numër gjuhësh nga më të rëndësishmet e më të përhapurat në botën e sotme moderne, si anglishtja, frëngjishtja, spanjishtja, gjermanishtja, rusishtja, portugalishtja e të tjera. Vetë termi familje, i huazuar nga shkencat biologjike, tregon për një burim të përbashkët të kryehershëm të këtyre dy gjuhëve. Në trungun e familjes indoeuropiane persishtja e ka vendin në degën e gjuhëve iraniane, bashkë me një varg gjuhësh të tjera që fliten në atë rajon, si në Afganistan, në Pakistan, në Taxhikistan, në Kurdistan, në Oseti e gjetkë. Këto janë ndërmjet tyre si gjuhë motra ose kushërira të para e të dyta. Shqipja jonë ka qëlluar degë e vetme në trungun indoevropian, pa motra e kushërira të afërta. Pas gjase ka pasur të tilla, s’dihet si, ku e kur ato gjuhë të afërta me shqipen janë tretur pa gjurmë. Në një lashtësi të thellë parashqipja dhe iranishtja e lashtë e përbashkët kanë qenë deri diku të afërta, sepse studiuesit i vendosin të dyja në grupin e gjuhëve lindore ose satem. Për disa zhvillime paralele dhe marrëdhënie të shqipes me iranishten në periudhën e lashtë kanë shkruar Sh. Demiraj dhe S. Mansaku.
Në kumtesën tonë do të vështrojmë marrëdhëniet ndërmjet këtyre gjuhëve në periudhën e re, kur me shtrirjen e Perandorisë Osmane në Ballkan, u shtri edhe kultura e gjuhët e popujve të Lindjes së Afërt. Fjalët që hynë me atë rast në gjuhët e Ballkanit, e në këtë mes edhe në gjuhën shqipe, quhen përgjithësisht orientalizma. Kemi fatin që këto orientalizma janë mbledhur dhe shpjeguar me kujdes nga një studiues aq i zellshëm e a i përgatitur në këtë fushë, siç ishte Tahir Dizdari. Emri i tij do të përmendet gjithnjë në studimet e në veprimtaritë shkencore të kësaj natyre.
Dihet mirëfilli se ndër orientalizmat e shqipes një pjesë e mirë janë fjalë që valët e historisë i morën nga hapësirat e Iranit dhe i sollën deri në brigjet e Adriatikut e të Jonit. Hyrja e orientalizmave në gjuhën shqipe dhe karakteri i përgjithshëm i tyre janë të lidhura ngushtë me mënyrën e organizimit të Perandorisë Osmane dhe të qeverisjes së tokave që u përfshinë në kufijtë e saj. Sunduesit këtë radhë vinin nga një kontinent tjetër dhe sillnin një tjetër kulturë e një tjetër fe. Pushteti osman nuk pati si qëllim kolonizimin e trevave të pushtuara me një popullsi të re (siç kishin bërë p.sh. dikur Romakët e më pas Sllavët), por sundimin politik të tyre dhe përhapjen e besimit të ri islam, me qëllim që t’i afronin popujt e perandorisë me pushtetin qendror, duke i kthyer në një fe të përbashkët. Siç është vënë re prej studiuesve, orientalizmat kanë rrokur më fort jetën e qyteteve, ku ishte përqendruar veprimtaria administrative, kulturore e fetare. Është e nevojshme të theksohet se kultura e qytetërimi persian, ashtu si edhe kultura e qytetërimi arab, kishin arritur një shkallë të lartë zhvillimi, kur këta popuj u ballafaquan me Turqit osmanë dhe hynë në marrëdhënie të dendura me ta. Me këtë epërsi kulturore shpjegohet edhe depërtimi i një numri të madhe fjalësh persiane e arabe në gjuhën turke. Orientalizmat filluan të depërtojnë në gjuhën shqipe që në shekullin XV. Ndoshta orientalizmi i parë i dokumentuar është fjala haraç, që del në marrëveshjen e Skënderbeut me mbretin e Napolit, Alfonsin e Aragonës në vitin 1451. Dëshmitë e dialekteve arbëreshe të Italisë e të shkrimtarëve arbëreshë dhe veprat e autorëve tanë të vjetër (Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardh, Pjetër Bogdani) na japin dorë të njohim cilat orientalizma hynë në gjuhën shqipe gjatë dy shekujve të parë të sundimit osman dhe të ndjekim dinamikën e tyre. Në këtë mes neve na interesojnë persizmat, d.m.th. ata orientalizma që kanë dalë nga persishtja dhe pastaj në kohë të ndryshme e me rrugë të ndryshme kanë arritur deri në gjuhën shqipe. Sipas studimeve historike për fjalorin e shqipes, persizmat më të vjetër janë: bori (Bogdani: kaa me raam boria; del dhe te Kuvendi i Arbënit e te J. De Rada), çarçaf (G. Meyeri e jep për arbërishten e Kalabrisë), çoban (Bardhi te opilio, pecoraio; pecorarius; pecuarius; upilio), çorape (te Arbëreshët e Italisë para vitit 1530), dervish (Bogdani : po vinte si një dervish), fil (Bogdani: fili kaqa i madh), gajtan (edhe te Arbëreshët e Kalabrisë që para vitit 1530; dëshmohet te J. De Rada, A. Santori), hambar (Bardhi te granarium, granaio), hoxhë (dëshmohet që në vitin 1614 ; Bogdani: hoxhëtë), jaran (te “Rapsoditë” e Zef Skiroit), manushaqe (te Arbëreshët e Sicilisë dhe të Kalabrisë), masur (G. Meyeri e jep edhe për arbërishten e Kalabrisë), pazar (del te Budi: venë trigjevet e pazarevet), saraj (Bogdani: kthei përsëri ndë sarajt; nji saraj të praruem), sejmen (te Bogdani me kuptimin “ushtar i thjeshtë”: u ba vojvoda i sejmenet; po me këtë kuptim e jep edhe G. Meyeri), selvi (Bogdani: druja e selviisë), terezi (Budi: me vuum … përmbii tereziit; Bogdani: dita e nata mbë terezi janë njëmendë mbë 25 ditë ndë mars), terzi-u (Bogdani: zanatin e terzivet), xhambaz (Bardhi: te scoenobates “ai që luan duke ecur” dhe te scurra, bufone), zinxhir (Bardhi: senxhir – catena), zymbyl (Bogdani: si zymbyli ndë prill). Janë pra 21 fjalë me burim nga persishtja që kanë hyrë si orientalizma në tre shekujt e parë (XV-XVII) të marrëdhënieve intensive të Shqiptarëve me kulturën, me gjuhët dhe me fenë e Perandorisë Osmane. Ky numër erdhi duke u shtuar me ritëm të shpejtë në shekujt XVIII e XIX. Tahir Dizdari ndër 4406 orientalizmat e fjalorit të tij, ka numëruar 505 fjalë të burimit persian . Por në këtë fjalor janë regjistruar një numër fjalësh që sot kanë dalë krejt jashtë përdorimit ose që kanë pasur përdorim të rrallë edhe në kohën e vet. Prandaj, për të gjykuar për persizmat e shqipes në kohën tonë, duhet marrë si bazë “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980). Nga vjelja e plotë e tij del se në të janë përfshirë rreth 270 fjalë me burim nga persishtja; po të shtojmë këtu edhe fjalët e prejardhura e të përbëra të formuara me temat e tyre (p.sh. farfuri: i farfurinjtë, farfurit, farfuritje, farfuritës; naze: nazeli,nazeqar, nazetor, nazemadh etj.), ky numër shkon në rreth 425.
Për historinë kulturore është me rëndësi përndarja e persizmave (dhe e orientalizmave në përgjithësi) në sferat e ndryshme të jetës dhe në fushat e veprimtarisë së njeriut. Orientalizmat (e në këtë mes edhe persizmat) përfshijnë anë të ndryshme të jetës shoqërore, shtetërore-administrative e shtëpiake, kulturën materiale e shpirtërore, terminologjinë fetare etj.
Vendin e parë me rreth 40 fjalë e zë fusha e kuzhinës dhe e gjellëtarisë d.m.th. emërtime gatesash, ëmbëlsirash, pijesh, lëndësh ushqimore e përdorësesh të kuzhinës. Të tilla janë: burani, jahni, meze, paçe, pilaf, qofte, rishte, samsa, trahana, turshi; paluze, pelte, reçel, revani, sheqerpare, zerde; bozë, narden, pekmez; maja, niseshte, sheqer; çini, farfuri, hanxhar, havan, kuze, qepshe, rende (që ka dhënë edhe rrjedhojat rendoj, rendim), tas, tavë; majhosh, taze. Shumica e këtyre fjalëve i përkasin leksikut aktiv, d.m.th. janë fjalë që përdoren gjerësisht, janë emërtime të vetme për sendet që shënojnë. Pra, fjalët me burim nga persishtja janë të pranishme më së shumti në fushën e kuzhinës e të gatesave. Pa dyshim kjo lidhet me shkallën e lartë që kishte arritur prej kohësh arti i kuzhinës në Iran.
Vendin e dytë (23 fjalë) e zënë emërtimet që lidhen me banesën dhe me pajisjet e saj, si avdeshanë, baxhë, çerçive, gjerdek, kafaz, qoshe, reze, bohçe, çarçaf, destemel, divan, legen, mutaf, paçavure, perde, peshqir, peshtemall, poste, postiqe, qilim. Ndryshe nga fjalët e sferës së kuzhinës, këtu një pjesë e madhe kanë përdorim të kufizuar ose po dalin nga përdorimi me modernizimin e jetës.
Emërtimet nga fusha e bimësisë (drurë frutorë e jofrutorë, perime, lule etj.) janë gjithashtu mbi 30: bajame, fëstëk, gonxhe, hurmë, idërshah, jargavan, jasemin, manushaqe, nerënxë, pambuk, panxhar, patëllxhan, razaki, sasë (krahin.), shebojë, shefteli, zerdeli, zymbyl. Shumica e tyre janë fjalë të leksikut aktiv, emërtime të vetme për drurët a bimët që shënojnë. Nga fusha e almiseve dhe përdorëseve të ndryshme kemi gjithashtu rreth 20 persizma: bel, çark, çengel, çirak (kandil), gjergjef, llullë, masur, nargjile, neshter, palldëm, perdah, pergjel, qase, qese, shishe, terezi, tezgjah, zemberek, zumpara. Edhe këto në pjesën më të madhe janë fjalë të leksikut aktiv.
Rreth 20 fjalë të tjera kanë të bëjnë me njeriun dhe me tiparet e tij fizike e morale; të tilla janë: ferishte, naze, nazik, neqez, nishan, paq, perçe, pishman, qel, qelan, qorr, sarhosh, serbes, shend, viran, xhadi, xhan, xhanan, xhymert, zor, zylyfe. Një pjesë e mirë e tyre kanë fituar ngjyrime stilistike.
Një fushë tjetër, përsëri me rreth 20 fjalë, është veshmbathja dhe lëndët që përdoren për të. Këtu hyjnë fjalë si: anteri, çember, çarap, humai, ibërshim, meshin, mitan, pambuk, papuçe, perçe, qelepoçe, qylah, qyrk, reshme, saftjan, shallvare, taç, tafta, tumane, zavë. Duke zbritur më tej sipas numrit të fjalëve, po përmendim emërtimet e mjeshtërive, si: belaxhi e beltar (nga pers. bel), çirak, çoban, dadë e dado, pazvan, pehlivan, tajë, terzi, tezgjahiste (nga pers. tezgjah), usta, xhambaz. Një pjesë e mirë e tyre kanë dalë nga përdorimi (belaxhi, beltar, pazvan) ose janë zëvendësuar (terzi me rrobaqepës). Nga fusha e tregtisë dhe e transportit kemi fjalët badihava, dyqan, paha, para, pazar, peshin, qar, reshper, sheqer, teste; araba, deng, karvan. Nga kozmetika dhe stolitë kemi fjalët gjerdan, lajle, lalë, mazi, myshk, perishane, reshme, sermajë, susme, zile. Disa prej tyre, si perishane, reshme, sermajë sot ndihen si etnografizma. Dihet se qyteti në disa vise shqiptare është quajtur me fjalën persiane sheher, aq sa për antonomazi qyteti i Dibrës quhej thjesht Sheher. Emërtime persiane kemi edhe për disa pjesë të qytetit e të ndërtimeve në të, si çarshi, çezmë, gjiriz, han, mejhane, pazar, saraj, shatërvan. Nga sfera e fesë kemi fjalët: avdes, dervish, gjynah, gjynahqar, hoxhë, kalander, kaur, namaz e nevruz. Edhe në leksikun ushtarak ka një dorë persizma: çadër e dylbi përdoren edhe sot, ndërsa hanxhar, havan, kumbara, shahi, shishane, xhephane janë historizma, që brezi i ri i mëson nga folklori ose nga letërsia. Disa emra veglash muzikore e kanë burimin te persishtja, si çapare-t, qemane, saze e zurna, po ashtu aheng. Nga pak persizma ka edhe në fusha të tilla si bujqësia: bahçe, bahçevan, bostan, hergjele, zarzavate; ndërtimi si: mahi, furde, pajandër, qemer, qereste; bota shtazore, si bilbil, çakall, fil, kumri, lejlek, panxhë.
Nga pikëpamja stilistike-ligjërimore persizmat nuk kanë ndonjë dallim nga orientalizmat e tjerë. Duhet pasur parasysh se pas vitit 1912 Shqipëria i preu lidhjet me Perandorinë Osmane dhe nisi të orientohet drejt vendeve të Perëndimit. Kjo solli si pasojë edhe diferencimin stilistik të orientalizmave, p.sh. orientalizmit farfuri (me burim nga persishtja), që ka hyrë dhe në gjuhët e tjera të Ballkanit e në rusishte, i doli si shemër fjala perëndimore porcelan, që u bë fjala zyrtare e emërtesës përkatëse në industri e në tregti. Sot rrallëkush thotë pjatë ose filxhan farfurie, por: artikuj (pjata, filxhanë) porcelani. Madje shumë mund të mos e dinë se farfuri e porcelan janë e njëjta gjë. Por orientalizmi farfuri ka mbetur në krahasimin e njohur: e ka gushën farfuri ose në frazeologjinë e bëj farfuri “e pastroj sa të shkëlqejë”.
Disa persizma kanë fituar kuptime të reja në gjuhën shqipe me mënyra të njohura të fjalëformimit semantik. Kështu p.sh. siç shpjegohet në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”, fjala dervish, në krye një term fetar, ka marrë edhe kuptime të tjera: 1) Dordolec; 2) Lloj kërpudhe me bisht të gjatë e me kësulë të bardhë; 3) Çafkëlore (një lloj zogu); 4) Lloj misri me shumë mustaqe në kalli . Përveç këtyre, emri dervish del edhe si emërtim sinonim ose i vetëm për disa bimë, si: 1) nenë e bardhë (Amaranthus albus L.), 2) kokëmadhe kallishkurtër, kokëmadhe, buf (Phalaris brachystachys Link), 3) shavar gjethengushtë, stikë, lesh livadhi, drog, plyzhgë, boçëkanari, preshxharpni, buka e kajushave, kamish, xhidë, rrogoz, tërskë (Typha domingensis Pers.), 4) shavar gjethegjerë (Typha latifolia L.) . Një hulumtim interesant për zhvillimet kuptimore të disa persizmave në gjuhën shqipe ka botuar orientalisti Feti Mediu . Në këtë mes është e nevojshme të ndiqet jeta e këtyre persizmave përgjatë rrugës që kanë bërë derisa kanë arritur në gjuhën shqipe, sepse disa zhvillime kuptimore të tyre kanë ndodhur më parë në turqishte e disa të tjera janë të përbashkëta për gjuhët ballkanike.
Prof. Eqrem Çabej ka tërhequr prej kohësh vëmendjen se orientalizmat e shqipes kanë rëndësi të studiohen jo vetëm përbrenda shqipes, po edhe nga orientalistët për historinë e vetë gjuhëve orientale dhe për lidhjet kulturore të gjuhëve të ndryshme . Mendoj ka ardhur koha për një bashkëpunim më të drejtpërdrejtë me kolegë iranianë për studime të përbashkëta në këtë fushë. Një fushë me interes si për albanologjinë, ashtu edhe për iranologjinë, do të ishte studimi i orientalizmave të shqipes me burim nga persishtja, duke ndjekur historinë e depërtimit të tyre, përhapjen brenda shqipes dhe në gjuhët ballkanike, si dhe zhvillimet kuptimore të tyre. Fondacioni “Saadi Shirazi”, që po bën një punë kaq me vlerë për gjallërimin e studimeve orientalistike në Shqipëri, siç e dëshmon dhe kjo konferencë, le ta ketë ndër projektet e tij të ardhshme bashkëpunimin ndërmjet studiuesve shqiptarë e iranianë në fusha me interes shkencor e kulturor të përbashkët.
Referencat e Artikullit
1. Boretzky, Norbert: Der t?rkische Einfluss auf das Albanische. Teil 1 Phonologie und Morphologie der albanischen Turzismen. 1975, 279 f.; Teil 2 Wörterbuch der albanischen Turzismen. 1976, 224 f. Otto Harrasowitz,. Wiesbaden.
2. Çabej, Eqrem: 1. Hyrje në historinë e gjuhës shqipe. 2. Fonetika historike e shqipes. Universiteti Shtetëror i Tiranës. Tiranë, 1960, 129 f.
3. Çabej, Eqrem: Për një shtresëzim kronologjik të huazimeve turke të shqipes. – Studime filologjike, 1975, nr. 4, 79-85.
4. Çabej, Eqrem: Studime etimologjike në fushë të shqipes. I-VII. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë, 1975-2006.
5. Demiraj, Shaban: Rreth huazimeve prej burimit turk, arab dhe persian në gjuhën shqipe. – Univers 2001, 1, 15-30.
6. Demiraj, Shaban: Rreth huazimeve të shqipes prej burimi persian. – Perla 11/2006, 1, 29-36.
7. Dizdari, Tahir N.: Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe (rreth 4500 fjalë me prejardhje nga gjuhët turke, arabe dhe perse). Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) – Organizata Islame për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (ISESCO). Tiranë 2005, XVII + 1202 f.
8. Dizdari, Tahir: Persizmat në gjuhën shqipe. – Perla 1/1996, 1, 4-11.
9. Kastrati, Jup: Një studiues i fjalëve iranishte (persishte) në gjuhën shqipe. – Perla 1/1996, 2, 3-15.
10. Kastrati, Jup: Për historinë e marrëdhënieve gjuhësore shqiptaro-persiane. – Perla 4/1999, 1, 24-31.
11. Kostallari, Androkli: Rreth depërtimit të turqizmave në gjuhën shqipe gjatë shekujve XVII-XVIII. Gjurmime albanologjike Seria e shkencave filologjike (Prishtinë), 7/1977, f. 39-50.
12. Krajni, Anton: Hymja e turqizmave në shqipen dhe përpjekjet për zëvendësimin e tyre. – Studime filologjike, 1965, nr. 1, 143-151.
13. Lafe, Emil: Persizmat në kuadrin e orientalizmave të shqipes. – Perla 4/1999, 1, 39-46.
14. Lafe, Emil: Persizmat në gjuhën shqipe. Trajtimi i tyre në veprën e Tahir N. Dizdarit “Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe”. – Perla 12/2007, 1, 162-169.
15. Mehdiu, Feti: Ngulitja e disa persizmave dhe evoluimi i tyre semantik në gjuhën shqipe. – Perla 4/1999, 1, 47-56.
16. Meyer, Gustav: Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache. Strasburg, 1991.
/Orientalizmi shqiptar/
Ky artikull është botuar në revistën “Perla”, 2009, Nr. 1.
Qarku i Tiranës, shkolla e parë shqipe në Shëngjergj, si i hapi dyert xhamia për nxënësit
Luan SHTËPANI
QARKU I TIRANËS, SHKOLLA E PARË SHQIPE NË SHËNGJERGJ, SI I HAPI DYERT XHAMIA PËR NXËNËSIT
Mësimi në shqip para shpalljes së Pavarësisë, kujtimet e mësuesve të parë dhe pasardhësve të tyre

Xhafer Shtëpani, nr. 2, foto e vitit 1915
Mësimi i gjuhës shqipe në Shëngjergj të Tiranës, ka filluar para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Këtë fakt e përforcojnë shumë dëshmi të cilat hedhin dritë mbi kohën ku filloi mësimi në gjuhën shqipe. Historia nis me normalistin e Elbasanit i cili në vitin 1910 largohet nga ky qytet për shkak të një incidenti. Me anë të ndërmjetësve ai shkon dhe strehohet në shtëpinë e Xhafer Shtëpanit në Shëngjergj, ku fillon t’u mësojë të rinjve dhe të moshuarve A, B, C. Ata që mësuan me këtë normalist, lanë kujtimet e tyre për këtë periudhë e cila mund të quhet si fillesa e mësimit në gjuhën shqipe në qarkun e Tiranës. Ndërsa shkolla e parë shqipe (ilegale) ka filluar në fund të vitit 1911 me ardhjen në Shëngjergj të mësuesit Ramiz Hatibi. Gjithçka ishte e përgatitur dhe studiuar mirë, që tek justifikimi tek autoritetet se ishte hoxhë dhe se do t’u mësonte fëmijëve të Shëngjergjit turqishten, dhe deri tek mësimi i shqipes në fshehtësi të plotë. Historiani i njohur Petraq Pepo në librin e tij ”Lufta për çlirimin kombëtar 1878-1912 në fq. 310 boton kujtimet e mësuesit të parë të shkollës ilegale.
Rrëfimi i mësuesit Ramiz Hatibi
“Lëvizja kombëtare në Shëngjergj si në shumë vise të tjera të Shqipërisë ka filluar me përpjekjet e para për hapjen e një shkolle në gjuhën amtare. Katundarët e Shëngjergjit në kohën e Turqisë kanë bërë pazarin ku në Elbasan ku në Tiranë. Pas shpalljes së Hyrietit, patriotët e këtyre qyteteve kishin ngritur klube e kishin çelur shkolla e hynë në lidhje në zona e në miqësi me katundarët. E kështu, Xhafer Shtëpani me nxitjen e këtyre patriotëve filloi përpjekjet për hapjen e një shkolle për djemtë e Shëngjergjit. Por ka pasë dhe katundarë, që të shtyrë nga fanatikët e qytetit, që mundoheshin të fusnin fitime e të pengonin mësimin e gjuhës shqipe. Por, Xhafer Shtëpani t’ui pasë përkrahjen e patriotëve dhe të disa familjeve që kishin miqësi më të, me anë të një miku të vet ( Shefqetit të Bashaçushit) hynë në marrëveshje me mua e këshu u bëra mësues në Shëngjergj me 800 groshë në muaj rrogë e ushqim dhe një dhomë dërrase të cilën e përshtata për mësim (paratë, ushqimi e dhoma nga Xhafer Shtëpani). Shëngjergji ka qenë një krahinë e prapambetur dhe ka pasë fanatikë që besonin se shkolla e prishte fenë, prandaj unë e filloja mësimin me shpjegimin e Kuranit. Pas Kuranit, plot qejf fillonim mësimin e gjuhës sonë amtare. Librat sidomos abetaret na i jepnin pa të holla patriotët e Tiranës. Shkollarët e mësuan shpejt e shpejt alfabetin dhe pa shkue shumë kohë mundoheshin me lexue copa të vogla. Këto copa leximi kanë qenë me përmbajtje diturake dhe morale, ka pasë gjithashtu pjesë nga historia jonë kombëtare, përshkrime gjeografike etj. Këto unë ua shpjegojsha me qejf nxënësve dhe ata ndigjonin me vëmendje të madhe se në shpirtat e tyre të njomë ndizej flaka e atdhedashurisë”.
Duke analizuar rrëfimin e mësuesit Ramiz Hatibi bindesh se Xhafer Shtëpani ishte iluminist. Ai dhe familja e tij kishin lidhje me familje me emër si Myrtesim Këlliçi, Sinan Kruetani, me familjen Toptani e në mënyrë të veçantë me Murat Toptanin. Ata vinin vazhdimisht në Shëngjergj. Murat Toptani shpeshherë në familjen Shtëpani ku dhe e nxiti Xhaferin që të hapte shkollën e parë shqipe.
Kujtimet e mësuesit Cen Bylyku
Mësuesi tjetër i cila ka dhënë mësim në Shëngjergj në ato vite në material prej dyfaqësh ndërmjet të tjera thotë: “Në Shëngjergj kam qenë dy herë, si mësues kam shkuar në vitin 1912 dhe në vitin 1917. Në fillim kur shkova në Shëngjergj, bëja mësim në shtëpinë e Musa Shokut e për të fjetur flija në shtëpinë e Islam Shtëpanit. Kur unë shkova në Shëngjergj për të mësuar nxënësit, konstatova se ato kishin njohuri për A,B.C-në e dinin shqip. d.m.th se atje qe mësuar shqip para vitit 1912 në mënyrë ilegale. Mësues para meja pra para 1912 ka qenë Ramiz Hatibi nga Dibra. Familja Shtëpani kishte lidhje të ngushta miqësore me Murat Toptanin e ai kishte nxitur dhe e kishte kurajuar mësimin e gjuhës shqipe në Shëngjergj të Tiranës nëpërmjet Xhafer Shtëpanit në fillim në shtëpinë e tij. Pas vitit 1913 unë u arrestova nga Esat Pashë Toptani, po ashtu u arrestua dhe Xhafer Shtëpani i cili dhe vdiq në Itali ndërsa unë si më i ri që isha më liruan në Durrës. Si libra për mësimin e gjuhës shqipe në Shëngjergj, përdorja Gramatikën e Naim Frashërit e më vonë libra të tjera të botuara në Vjenë që mesa më kujtohet kanë qenë shtypur nga Simon Shuteriqi. Këto libra mi pat dhënë Refik Beu përpara se atij t’i digjnin shtëpinë. Këto kanë qenë rreth viteve 1912-1913. Gjithsej 13-14 copë libra”.
Në kujtimet e tij mësuesi Cen Bylyku tregon se nxënësit kishin dëshirë të mësonin, po ashtu kishte shumë persona dhe familje që luftonin për të përhapur gjuhën shqipe. Mësuesi këmbëngul që mësimi i gjuhës shqipe në mënrë ilegale është bërë para vitit 1912 dhe se ai bëhej në familje dhe miq të besuar. Kështu bëhej në Shëngjergj dhe kudo ku kishin ardhur mendimet përparimtare për mësimin e gjuhës shqipe.
Ndërsa arsimtari i vjetër Sulejman Shota thotë se në Shëngjergj mbizotëronte feja ashtu si dhe në vende të tjera. Mësuesi i asaj kohes sipas vendit ishte dhe misionar i këshillave fetare. Por kishte dhe nga ato patriotë që kontribuonin për gjuhën shqipe. I tillë sipas mësuesit Shota ishte Ali Shtëpani i cili u dha urdhër njerëzve të tij që të fillonin merementimin e shkollës sa më shpejt me shpenzimet e veta pa bëra asnjë fushatë në katund. Pati dhe nga ata që nëse do t’u thoje se do t’u mësohej nxënësve dhe feja, nuk nguronin t’i regjistronin fëmijët e tyre në shkollë.
Mësimi në xhami dhe kontributi i imamit
Meqenëse dhoma e dhënë për shkollë dhe kushtet higjenike ishin të papërshtatshme, shumë persona me peshë në Shëngjergj po mendonin për të gjetur një lokal të përshtatshëm ku mund të bëhej mësim. Ndërsa nevoja për libra ishte e madhe, ku vlen të theksohet se një pjesë e tyre kopjoheshin nga arsimtarët e normales së Elbasanit të cilët i kishin të përkthyera dhe të adoptuara për nxënësit shqiptarë. Kishte pak tekste të botuara, gramatika e Aleksander Xhuvanit, një libër këndimi. Përdorej në atë kohë abetarja e Mati Logorecit. Sipas programit kishe dhe një orë besim fetar. Pavarësisht mangësive të sipërcituara, mbetej shqetësim për të gjithë banorët e zonës, ambienti ku bëhej mësim. Këtu vjen kontributi i Hoxhë Alush Dukës i cili hapi dyert e xhamisë për nxënësit e Shëngjergjit që ato të mësonin shqip. Kushti i vetëm ishte që të premten ku bëhej dhe falja të bëhej disa orë më pak mësim, që nënkuptohej, fëmijët të bënin mësimin jashtë si; gjimnastikë dhe këngë. Në xhami u vendos e gjithë baza materiale, dhe fotografi që ishin të ndaluara për disa hoxhallarë. Imami Alush Duka jo vetëm që nuk i hoqi fotografitë, përkundrazi me humor do të deklaronte se ia kishin zbukuruar xhaminë. Kontributi i tij do të shkonte dhe më tej teksa ai ra dakord së bashku me të tjerë, që në strehën e xhamisë të ndërtoheshin dy dhoma mësimi. Ky fetar dhe patriot i flaktë ka tashmë mirënjohjen dhe nderimin e popullit të Shëngjergjit.
Kërkesa e banorëve të Shëngjergjit për konvikt
Në një artikull të botuar në gazetën “Telegraf” të 11 korrikut 1928 thuhet se kryepleqësia e krahinës së Shëngjergjit i bëri një kërkesë ministrisë së Arsimit për hapjen e një konvikti në qendrën e Shëngjergjit. Në gazetë shkruhet se populli i Shëngjergjit po tregon një interes të madhe për arsimin dhe se djemtë i kanë dërguar në shkollën normale të Elbasanit dhe në shkolla të tjera. Meqenëse krahina e Shëngjergjit është në mes të Bastarit e Çermenikës, që kanë mbetur shumë pas në arsim, hapja e konviktit në Shëngjergj do të ishte shumë e rëndësishme. Fillimisht kërkesa u pranua nga ministria për vitin shkollor 1928-1929. Për konvikt u propozua përkohësisht që të merrej ndërtesa e Ali Shtëpanit ku ishte vendosur komuna dhe postkomanda e saj. Ali Shtëpani ishte dakord, por autoritetet lokale e refuzuan lirimin e këtij ambienti, kështu pra konvikti u transferua në Peshkopi.
Në kohën e okupacionit fashist është fakt se në shkollën e Shëngjergjit nuk u vendosën asnjëherë portretet e Viktor Emanuelit apo të Musolinit, nuk u lejua asnjëherë që nxënësit e shkollës të nderoni në mënyrë alla-fashiste apo të regjistroheshin “balilë” e të dërgoheshin ndoshta edhe në Iltali. Shkolla do të bëhej propaganduesja e LANÇ. Ndërsa në vitin 1942 paria e Shëngjergjit e përbërë nga 20 veta vendosën që të ndërtohen edhe 3 shkolla të reja me paratë e fshatit, konkretisht për çdo shkollë 600-700 napolona. Menjëherë pas çlirimit të vendit, shkolla do të bënte përpjekje të mëdha për zhdukjen e analfabetizmit në fshat duke ngritur kurse, ku prioritet iu dha të rinjve dhe të rejave. E kështu do të ecnin vitet dhe së bashku me to puna e lavdërueshme e mësuesve. Në këtë krahinë u hapën disa shkolla për të kulmuar në vitin 1975 me hapjen e shkollës së mesme bujqësore me shkëputje nga puna e dhe ajo e mbrëmjes.
Pikërisht në këtë vit, drejtori i shkollës Veli Dusha i cili njihet për reputacionin e shkëlqyer në Shëngjergj e më gjerë si drejtues i talentuar që kërkonte disiplinë dhe përsosmëri në mësimdhënie, do të nxitonte për të krijuar klasën e parë të shkollës së mesme, për të përmbushur kështu ëndrrën e paraardhësve të tij për të patur një nivel sa më të lartë të edukimit në Shëngjergj. Disa nxënës të cilët e kishin nisur vitin shkollor në Tiranë u rikthyen në vendlindje për të vazhduar studimet, sepse tashmë ishin krijuar të gjitha kushtet për të patur shkollën e mesme, ku duhet të përmendet, kontributi i vlerësuar dhe nga banorët e Shëngjergjit i drejtorit Veli Dusha. Ndonëse në pension, teksa bisedon me të, mëson shumë gjëra rreth veprimtarisë së tij dhe kolegëve falë dhe memories të fortë që ka. Përshëndetjet dhe respekti për të nuk mungojnë si në ambiente familjare e shoqërore dhe në rrugë. “Si je drejtor”, “ke qenë i rreptë por i drejtë”, “faleminderit që na ke edukuar që të jemi të rregullt, kërkues dhe të disiplinuar”, “mësues dhe drejtues si t’i janë të rrallë”. Kështu i drejtohen Veliut ish nxënësit e tij, kolegët dhe bashkëfshatarët. Ka edhe nga ata të cilët dëshirojnë që të kthehet edhe njëherë “koha e tij” që nënkupton vendosjen mbi baza rregullsie dhe disipline të një shkolle që aspiron të nxjerrë sa më shumë nxënës fitues dhe të përgatitur për t’i shërbyer sa më mirë vendit.
Eveniment për Shëngjergjin është dhe hapja e shkollës së mesme te përgjithshme. Përkushtimi i treguar në vite i mësimdhënësve në këtë krahinë ka qenë kaq i madh sa do të duheshin mijra radhë. Në Shëngjergjin arsimdashës kanë dhënë mësim vendas dhe jo, të cilët ndër vite kanë bërë maksimumin për të edukuar brezat.
Të jesh nga Shëngjergji ke privilegjin që në momentin e parë të prezantimit. “Ju jeni të zgjuar”- të thonë ku mësojnë se je nga Shëngjergji i Tiranës”. Ndërsa shëngjergjasit me krenari vazhdimisht deklarojnë se ky konstatim është i lidhur me shkollën e parë shqipe (ku është mësuar shqip edhe me shkrim edhe me gojë) në Qarkun e Tiranës e cila është hapur pikërisht në Shëngjergj të Tiranës.
Shkolla e Shëngjergjit meriton të vlerësohet shtetërisht, po ashtu dhe mësuesit që përgatitën kuadro të cilët shërbejnë me ndershmëri dhe profesionalizëm në të katër anët e Shqipërisë. Nder dhe respekt për të gjithë mësuesit dhe patriotët që sakrifikuan në ditë të vështira për gjuhën shqipe, për familjet që lanë shtëpitë e tyre për shkollë, dhe për fshatin që i mbajti këto shkolla gjithmonë të hapura.
Mbi përkthimin e Kur’anit në gjuhën shqipe
Prof. Isa BAJÇINCA
MBI PËRKTHIMIN E KUR’ANIT NË GJUHËN SHQIPE*

Prof. Isa Bajçinca
Përkthimi i Kur’anit është një ngjarje e rëndësishme për kulturën shqiptare. A duheshin bërë tre përkthime të Kur’anit? Kush do të duhej ta përkthente Kur’anin dhe kush do të duhej ta bënte redaktimin në gjuhën shqipe? Gabime të shumta gjuhësore në tre botimet e Kur’anit, sidomos në fushë të gramatikës e të drejtshkrimit. Ç’të bëhet tash kur janë shtuar shumëfish nevojat për Kur’anin në gjuhën shqipe?
Janë këto disa nga pyetjet që dalin njëra më parë se tjetra pas një leximi të vëmendshëm të tre botimeve të Kur’anit, që panë dritën njëri pas tjetrit brenda një kohe shumë të shkurtër. Në këtë vështrim do të përpiqem të shfaq disa mendime lidhur me të gjitha këto çështje që u ngritën më sipër pa pasur pretendimin se do të jetë kjo fjala e fundit që thuhet në këtë drejtim.
Përkthimi i veprave monumentale të kulturës gjithënjerëzore për secilin popull përfaqëson një ngjarje të rëndësishme kulturore, ndaj përbën një hap në drejtim të integrimit në kulturën e përbotshme e të dëshmisë se gjuha përkatëse ka arritur një shkallë të tillë zhvillimi e përpunimi, saqë të mund të hyjë në vallen e përbashkët të gjuhëve të popujve me një traditë të pasur në fushën e kulturës…
S’do mend, vetëm kështu dhe kurrsesi ndryshe nuk mund të vështrohet as nisma dhe as sendërtimi i përkthimit të Kur’anit, si një ndër veprat më madhore të njerëzimit dhe ndër veprat që është përkthyer në shumë gjuhë të botës, jo vetëm për shkaqe thjesht fetare, po edhe për shkaqe e për qëllime kulturore e studimore.
Po gjithashtu që në fillim është për t’u vënë në dukje edhe një fakt që duhet mbajtur gjithnjë parasysh, që është pikërisht ky: hartimi, përkthimi dhe botimi i veprave kapitale të kulturës kombëtare e gjithënjerëzore, siç janë fjalorët, enciklopeditë, librat e shenjtë e botime të ngjashme, parakuptojnë gjithmonë një shkallë shumë të lartë të përgjegjësisë, sepse këto vepra në të gjitha aspektet duhet të jenë rezultatet kulmore të arritjeve shkencore e kulturore të popullit përkatës dhe jo pasqyrë e ngritjes kulturore e shkencore të individëve e të grupeve të veçanta në një fushë të caktuar të studimeve e të dijes…
Ka edhe një arsye tjetër pse është e domosdoshme që botimet kapitale të dalin pa gabime, qofshin ato edhe të natyrës teknike: këto në kushtet e arritjeve të sotme teknologjike, është shumë më e lehtë dhe ekonomikisht më e leverdisshme të ribotohen me teknika të ndryshme të fotokopjimit sesa të rishtypen në shtypshkronjë!
Siç është e ditur, më përpara në gjuhën shqipe janë përkthyer vetëm pjesë të veçanta të Kur’anit dhe, s’ka asnjë dyshim që qysh më herët ndihej nevoja për përkthimin shqip të Kur’anit. Mirëpo, duke mbajtur parasysh kuadrot tona që merren me studime në këtë fushë, të cilat, dorën në zemër, nuk kanë ndonjë traditë të mirëfilltë, dhe, sidomos, përgatitjen teorike e gjuhësore të atyre që do të duhej t’i hynin kësaj pune shumë të vështirë, hëpërhë do të duhej bërë vetëm një përkthim i Kur’anit, i cili edhe mund të botohej në dy variante, varianti 1 – pa komente dhe varianti 2 – me komente e me shpjegime të studiuesve të ndryshëm lidhur me çështje të veçanta, që shtrohen në Kur’an. Me këtë kusht, përkthimin duhej ta bënte një grup studiuesish – filologë e njohës të gjuhës arabe e shqipe, ndërsa shpjegimet e komentet për variantin 2 – filologë e filozofë të fesë islame.
Për redaktimin gjuhësor (dhe jo – për lekturë, siç është bërë zakon të quhet veprimi i rregullimit gjuhësor të veprave para se të botohen këtu ndër ne!), duke qenë se përkthimet u bënë si u bënë, dorëshkrimet është dashur t’u jepeshin institucioneve tona kryesore të studimeve gjuhësore – Institutit Albanologjik dhe degës së Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filologjik të Prishtinës, që ato të formonin grupin e ekspertëve për të kryer këtë punë kaq me përgjegjësi, dhe jo individëve, siç është vepruar, madje pothuaj për të tre përkthimet – të njëjtëve ekspertë! Kjo për arsye se redaktimi gjuhësor i këtyre përkthimeve nuk ishte një çështje kaq e thjeshtë, ku duheshin bërë vetëm ndërhyrje për sa i përket drejtshkrimit…
Ç’është e drejta, një pjesë e gabimeve, që janë kaq shumë në të tre botimet e Kur’anit (për disa prej të cilave do të bëhet fjalë në këtë vështrim) janë të hetueshme aq lehtë, saqë do të duhej t’i korrigjonin edhe korrektorët në procesin e përgatitjes në shtypshkronjë. Po e themi këtë jo në mbështetje të emrave që ndeshim pothuaj rregullisht në fund të librave të ndryshëm, për shkallën e përgatitjes së të cilëve dimë fare pak, por në mbështetje të faktit se kemi një numër të mirë intelektualësh, që kanë mbaruar studimet e gjuhësisë e të letërsisë (dhe nuk gjejnë punë askund!), të cilët pa asnjë dyshim, do ta bënin shumë më mirë këtë punë jo aq të lehtë, e cila nuk është një çështje thjesht teknike…
Po të vështrohen me kujdes të tre botimet, s’do mend gjithnjë nga këndi i gjuhës së sotme letrare shqipe, sa për fillim mund të konstatohen këto lëshime: e para, gabimet, sidomos në fushë të morfologjisë e të sintaksës, janë kryesisht të një natyre (dikush mbase mund të thoshte që kemi të bëjmë këtu me ndikime nga gjuha e origjinalit – arabishtja?!); e dyta, me gjithë plotësimet e shpeshta (vënë brenda kllapash etj.) shumë herë fjalitë a ajetet e tëra dalin të papërfunduara, kështu që kuptimi i tyre sikur mbetet pezull; e treta, shenjat e pikësimit në fund të ajeteve më se një herë janë përdorur gabimisht dhe nuk sigurojnë lidhjen logjike të tyre; e katërta, për shkaqe që u theksuan më sipër, fjalia shumë herë nuk rrjedh e natyrshme dhe e lehtë e në frymë të shqipes, prandaj jo një herë detyrohesh të bësh krahasimin e tyre me ndonjë përkthim tjetër (p.sh. të Besim Korkutit, të bashkëpërkthyesve Çausheviç – Pangja etj.).
Pa u mbështetur mbi kritere të tjera dhe vetëm për shkak të rendit me të cilin i kemi studiuar gjuhësisht të tre botimet, për shkak se do të detyrohemi t’i përmendim shpesh, do t’i radhitim e do t’i quajmë kështu: Botimi 1 (përkthyes, Sherif Ahmeti), Botimi 2 (përkthyes, Prof. Hasan I. Nahi), Botimi 3 (përkthyes, Feti Mehdiu).
Ndër çështjet mjaft të ngatërruara për të vënë në vijë këtë çështje, që shtruam në fillim të vështrimit, na doli çështja e klasifikimit të gabimeve të ndryshme jo vetëm për shkak se shumë nga gabimet jo një herë mund të klasifikoheshin edhe gabime morfologjike, edhe gabime drejtshkrimore, po e zëmë, po edhe për shkak se brenda së njëjtës fjali (ndonjëherë madje edhe fjalë!) na ka rënë më se një herë të ndeshim nga dy e më shumë gabime; sidoqoftë, vendosëm që gabimet t’i klasifikojmë si vijon: 1. Gabime sintaksore; 2. Gabime morfologjike; 3. Gabime drejtshkrimi; 4. Gabime në fushë të termave e të fjalëformimit; 5. Ndërtime të gabuara e të pakuptueshme.
1. Gabime në fushë të sintaksës
S’do mend, gabimet më të dëmshme (nëse mund t’i quajmë kështu) në botimet shqip të Kur’anit janë pikërisht në fushë të sintaksës, për mendimin tonë, shumica e këtyre gabimeve vijnë nga tri arsye (të cilat janë gjithsesi, vështruar në rrafshin e përgjithshëm të shqipes letrare, të paqena): për arsye të përdorimit të ndërtimeve popullore, siç është po e zëmë, përdorimi i përemrit lidhor që (në vend të ndërtimeve parafjalore të përemrit i cili) etj., për arsye të ndërtimeve të shqipes dialektore, që vetëm mund të duken paralele me të shqipes letrare, po që në të vërtetë nuk janë ndërtime të zëvendësueshme, siç janë për shembull ndërtimet e kallëzuesit të përbërë foljor me foljet modale mund e duhet etj., dhe për arsye të përdorimit të ndërtimeve të kalkuara, të cilat duket sikur e kanë fituar “të drejtën qytetare” në fushë të zbatimit të shqipes letrare këtu ndër ne, ndërtime këto që, s’ka asnjë dyshim, nuk përbëjnë kurrfarë pasurimi të shqipes, por vetëm sa e zvetënojnë e i zënë frymën…
Të fillojmë pikërisht nga ndërtimet e gabuara të kallëzuesit të përbërë foljor me foljet modale mund e duhet:
(1) E kush mundet të jetë më mizor se ai… (2:114, Bot. 1); (2) …dhe se të gjitha të mirat duhet kërkuar vetëm prej Tij… (koment f. 250, Bot. 1); (3) Nëse nuk munden… (me i bë shembull Kura’nit) (2:24, Bot. 2); (4) O Musa – ne nuk mundemi të kënaqemi vetëm me një lloj ushqimi (2.61, Bot. 2); (5) Ti (o Muhammed!) nuk do të mundesh t’u gjesh rrugë atyre… (4.143, Bot. 2); (6) Lëmosha u takon vetëm të varfërve, të gjorëve… dhe atyre që duhet përfituar zemrat (në islam) (9.60, Bot. 2); (7) Si mundeni ta mohoni All-llahun…? (2.28, Bot. 3); (8) Ne sot nuk mundemi t’i dalim në krye… (2.249, Bot. 3); (9) Asnjë popull nuk mundet ta shpejtojë… përfundimin e vet (15:5, Bot. 3); (10) …duke e bindur se atë duhet adhuruar (Kom. f. 28, Bot. 1); (11) Si parim duhet marrë thënien…; …nuk duhet kuptuar çështjen e tij si… (Komenti, Kapt. 101, Bot. 1).
Siç mund të hetohet lehtë, në të gjitha ndërtimet me foljen modale mund është bërë i njëjti gabim: folja modale është dhënë me mbaresat vetore sa kohë që këtu rregulli është i prerë: folja modale mund në të gjitha këto raste del me mbaresë zero dhe me të njëjtën trajtë për të tri vetat e numrit njëjës e shumës, pra: E kush mund të jetë…; ne nuk mund të kënaqemi; …nuk do të mund t’u gjesh…; Si mund ta mohoni All-llahun e të tjera. Ndërkaq, në fjalinë (3) kemi të bëjmë me njëfarë “letrarizimi” të ndërtimit të gegërishtes: “nuk mundeni me i ba shembull”, që është gjithsesi një ndërtim i paqenë për shqipen letrare! Për sa u përket ndërtimeve të fjalive me foljen modale duhet, duhen theksuar këto dy gabime, të cilat, që të dyja i heqin rrënjët nga shqipja dialektore e trevës sonë dhe “ushqehen” vazhdimisht nga gjuhët sllave, me të cilat është në kontakt po shqipja letrare e trevave tona: E para, ndërtimi me strukturën “duhet + pjesore” në shqipen letrare (po edhe në shqipen popullore!) është pësor dhe jo vepror, pra është paralel me ndërtimin me strukturën “duhet + lidhore e trajtës joveprore”, (krahaso: duhet adhuruar = duhet të adhurohet), prandaj nuk mund të marrë kurrën e kurrës një emër a përemër të rasës kallëzore pa parafjalë, pa një kundrinë të drejtë, si në shembullin (10) atë duhet adhuruar, por vetëm një emër a përemër në emëroren, pra: ai duhet adhuruar (krahaso: Ai duhet të adhurohet nga…).
Dhe, e dyta, përderisa trajta e pjesores është një trajtë e pashtjelluar, mbaresat vetore do t’i marrë patjetër folja modale duhet (sigurisht vetëm të vetës së tretë njëjës e shumës), pra jo: …të gjitha të mirat duhet kërkuar vetëm prej Tij (2) (emri në shumës e folja në njëjës: të mirat/duhet), por: …dhe se të gjitha të mirat duhet kërkuar vetëm prej Tij (2) (pra, edhe emri – të mirat, edhe folja – duhen që të dyja në shumës!). Natyrisht në shembullin (6) …dhe atyre që duhet përfituar zemrat/në islam/, përpos ndërrimit të mbaresës vetore të foljes, duhet t’i bëjmë patjetër edhe një plotësim, d.m.th. përemrin e vetës së tretë shumës në rasën dhanore (atyre) duhet ta përsërisim patjetër (kështu e kërkon sintaksa e shqipes së sotme letrare e popullore!) me trajtën e shkurtër përkatëse (u), pra: Lëmosha u takon vetëm të varfërve, të gjorëve… dhe atyre që u duhet përfituar zemrat/në islam/. (Krahaso: …dhe atyre që duhet t’u përfitohen zemrat…).
Megjithëkëtë, gabimet më të shumta i ndeshim për sa i përket përdorimit të ndërtimeve me përemra dëftorë dhe, sidomos, me përemra lidhorë. Të marrim disa shembuj: (1) …dhe i nxorri ata nga ajo (e mirë) që ishin në të. (2.34, Bot. 1); (2) …edhe kur u (= ju) shpëtuam prej popullit të faraonit, që nga ai shijuat… (2.49, Bot. 1); (3) …për ata janë xhennetet e begatshme, që në to janë gjithmonë… (31.8/9, Bot. 1); (4) …Atë pjesë që ju (a) lejoi All-llahu (,) është shumë më mirë për ju nëse jeni besimtarë… (111.86, Bot. 1); (5) …a nuk dinë ata, se ai që i kundërshton Perëndisë…, i është përgatitur zjarri… (9.65, Bot. 2); (6) Godinën që ata e ndërtuan është… një dyshim në zemrat e tyre… (9.110, Bot. 2); (7) Atyre të cilëve u kemi dhënë Librin, e lexojnë ashtu si është (2.121, Bot. 3); (8) …ndërsa atë që e ka lënë All-llahu në mashtrim (!), ti kurrë nuk do t’i gjesh rrugë të drejtë (4:88, Bot. 3); (9) Ai që e bën këtë…, Ne do ta hedhim në zjarr (4:30, Bot. 3).
Në shembujt (1), (2) e (3) kemi të bëjmë me përdorimin e përemrit lidhor që ndjekur nga përemri dëftor me parafjalë, që është një ndërtim tipik për shqipen popullore, e cila nuk e ka në përdorim fare përemrin lidhor i cili që mund të shoqërohet edhe nga parafjalë të ndryshme, prandaj ndeshim lidhjet: ajo e mirë që ishin në të (1); …popullit të faraonit që nga ai shijuat… (2) dhe …janë xhennetet… që në to janë gjithmonë (3). Në të gjitha këto raste do të duheshin përdorur ndërtimet parafoljore të përemrit lidhor me trajtën i cili, pra: (1) …dhe i nxori ata nga ajo (e mirë), ku ishin (ose: në të cilën ishin); (2) …edhe kur ju shpëtuam prej popullit të Faraonit, nga i cili shijuat…; (3) …për ata janë xhennetet e begatshme, ku do të jenë (= në të cilat do të jenë) përgjithmonë…
Ndërkaq, në shembujt (4) deri (9) kemi të bëjmë me përdorimin e përemrave dëftorë (ose edhe të emrave) në një trajtë të gabuar rasore ose, më drejt, kemi të bëjmë me ndërtime të gabuara të periudhave me një fjali të varur përcaktore. Për këtë shkak që të gjitha lidhjet sintaksore ndërmjet gjymtyrës së përcaktuar (nga fjalia e varur!) dhe pjesës tjetër të fjalisë drejtuese janë jashtë rregullave të shqipes së sotme edhe letrare edhe popullore. Të rimarrim disa nga këto lidhje në shqyrtim: Atë pjesë… është shumë më mirë për ju… (4); …se ai…, i është përgatitur zjarri (5); …ndërsa atë…, ti kurrë nuk do t’i gjesh rrugë të drejtë… (8); Godinën… është një dyshim… (6) etj. E shkaku, cili është? Fare thjesht: Përemri e emri (këtu gjymtyrët e nënvizuara të fjalisë) janë vënë jo në trajtat rasore që kërkon folja e fjalisë së varur (siç nuk do të duhej, sepse në këto trajta vihen përemrat lidhorë, të cilët janë gjymtyrë të këtyre fjalive!). Që të mos i përsërisim të gjitha, le të mjaftohemi me dy-tre shembuj (që po i japim si duhet): (4) Ajo pjesë që jua lejoi All-llahu, është shumë më e mirë për ju nëse jeni besimtarë…; (5) …a nuk e dinë ata se atij që i kundërshton Perëndisë, i është përgatitur zjarri…; (7) Ata të cilëve (=që) u kemi dhënë Librin, e lexojnë ashtu si është…; (6) Godina që ndërtuan ata është… e kështu me radhë! Do të sjellim edhe pak shembuj të këtillë nga Botimi 1: (1) Ai i cili për ju e bëri tokën…, pra mos i përshkruani (shok)?! (2.22); (2) Atyre të cilëve u dhamë Librin dhe…, ata e besojnë atë (Kur’anin) (2.121); (3) Atyre që u kemi dhënë Librin, ata e njohin atë (Muhamedin)… (2.146).
2. Gabime morfologjike
Në këto përkthime ka shumë gabime morfologjike, por ne do të rrahim në shqyrtim vetëm dy çështje: përdorimin e trajtave të shkurtra të përemrave vetorë (ndonjëherë edhe të trajtave të plota!) dhe përdorimin e gabuar të trajtave të disa foljeve.
Mbi të gjitha, gabimet më të shpeshta në të tre botimet i ndeshim për sa i përket përdorimit të trajtave të shkurtra të përemrave vetorë; kjo vlen sidomos për ato të vetës së dytë e të tretë (më rrallë edhe të parë) shumës. Të sjellim disa shembuj:
Juve u kam dhënë (2.33); juve u rrëmbeu rrufeja (2.54); Juve iu ngjallëm (2.56); Zoti ynë, bëna neve dyve besimtarë! (2:128); Ai u falë (!) juve… dhe ua vazhdon jetën (71:4); Dhe Allahu u shpiku juve (71:17) – që të gjithë marrë nga Botimi 1.
Më tutje (1) Adhuroni Perëndinë, i cili u ka krijuar juve… (2.21) (2) (ata…) iu prisnin djemtë e juaj (!) e ua linin të gjalla (!) femrat… (2.49); (3) Ata Neve nuk na dëmtuan… (2.57); (4) …e do t’u lajmërojnë për atë që keni punuar… (9:94); (5) …, me të cilën u ka obliguar Ai juve (22.7?) – që të gjithë të Botimit 2.
Dhe në fund: (1) …i cili ju ka krijuar juve… (2.21); (2) Nga unë do t’u vijë (=juve – IB) një udhërrëfim… (2.38); (3) Neve zjarri nuk na prek… (2.80); (4) Ashtu siç u ka mësuar juve All-llahu! (5.4); (5) All-llahu don (!) t’ju falë juve… (4.27) – që të gjithë të Botimit 3.
Siç shihet në shembujt e sipërm, pothuaj rregullisht kemi të bëjmë me këto gabime; në vend të trajtës së shkurtër ju (për vetën e dytë shumës të kallëzores) përdoret kryesisht trajta e vetës së tretë u; në të gjitha këto raste janë përdorur gabimisht trajtat e plota të rasës kallëzore të përemrave ne e ju, sepse që të gjitha dalin me format neve (p.sh. Neve zjarri nuk na prek… 2.80) e juve (p.sh. Juve u rrëmbeu rrufeja – 2.54). Po mjaftohem këtu të theksojmë vetëm faktin që në të gjitha gramatikat (madje edhe në shkolloret) e gjuhës shqipe jo vetëm jepen trajtat e plota e të shkurtra të lakimit të këtyre përemrave të gjuhës shqipe, po edhe tërhiqet vërejtja se, sidomos në gjuhën e folur, ndeshim shpesh të përdoren këto trajta gabimisht. Ndërkaq, sa për trajtat e plota të rasës kallëzore ne e ju (e jo: neve, juve!) le të sjellim këtu një ndër rregullat gramatikore pa asnjë përjashtim të gjuhës shqipe: edhe emrat, edhe përemrat në trajtën e shumësit në gjuhën shqipe, që të gjitha dalin gjithmonë me një formë të vetme për rasat emërore e kallëzore!
Megjithëkëtë, do të japim këtu vetëm disa nga shembujt e sipërm me trajtat normative të përemrave e të trajtave të shkurtra: Juve ju kam thënë (2.33); Zoti ynë, na bëjë ne të dy besimtarë! (2.128); Ai ju fal ju… dhe jua vazhdon jetën (71.4); Nga unë do t’ju vijë një udhërrëfim… (2.38); All-llahu do t’ju falë ju… (4.27) e kështu me radhë.
Gabimet që kemi ndeshur në tre botimet për sa i përket përdorimit të foljeve, do të mund t’i klasifikonim përafërsisht në këto grupe: foljet e zgjedhimit të tretë bie, shtie, shpie (pothuaj në të gjitha trajtat!) dhe lë, vë e zë; trajta e vetës së dëftores të foljes them; trajtat e urdhërores së disa foljeve; forma e pashtjelluar e pjesores së foljeve me -ë e -ur; folja ngre (ngrita); folja vij e ndonjë tjetër.
Të sjellim disa shembuj:
(1) …ata vejnë gishtat në veshët e tyre… (2.19); (2) …me ata që bijnë… (2.43); (3) Ata e shpëtuam dhe e vëmë në… (21.75); (4) …kundërshtimi ndaj meje… (!) të mos u shpie (në mosbesim)… (11.89) – marrë nga Botimi 1.
Pastaj: (5) Ai do t’i lë një kohë të gjatë… (2.15); (6) Perëndia nuk do t’i falë ata dhe nuk do t’i shpie në rrugë… (4.137); (7) Dhe Ai mban qiellin që të mos bie në Tokë (22.65); … (8) …ai që themelet i vënë në rrugën e Perëndisë… (9.109); …dhe që (ai IB) t’ju lë juve (!) deri në afatin e caktuar. (14.10) – marrë nga Botimi 2.
Dhe në fund: (11) …por (ata) nuk vejnë re (do të duhej madje: nuk e hetojnë këtë! – IB; (2.12); (12) …mbi ata bjen mallkimi (2.161); (13) …do t’i shtijmë… në xhennet… dhe do t’i shpiejmë në hije… (4.57); (14) …dhe nuk ka për t’i shpjerë në rrugë të drejtë. (4.137); (15) …për atë që më ke shpie… (15.39) – marrë nga Botimi 3.
Siç shihet nga të gjithë shembujt që sollëm këtu, këto folje përkthyesit (dhe redaktorët gjuhësorë!) në të gjitha këto raste i zhvendosin nga grupi i foljeve të zgjedhimit të tretë (me mbaresë zero) dhe i shpien te foljet e zgjedhimit të parë të tipit fshij e ziej ose përdorin një trajtë për tjetrën. Ne do të mjaftohemi vetëm me tri konstatime: e para, te foljet bie, shpie, shtie nuk shfaqet asnjëherë në trajtat e zëna ngojë tingulli j (krahaso: mbi ata bie e jo: bjen; do t’i shtiem e jo shtijmë; do t’i shpiem e jo shpiejmë); e dyta, po kjo vlen edhe për foljet lë ë vë (krahaso: por nuk na vënë re e jo: vejnë; dhe e treta, në trajtat e vetës së tretë njëjës të mënyrës lidhore këto folje marrin mbaresën -rë, pra: Ai do t’i lërë e jo: do t’i lë; që të mos bjerë në Tokë e jo: të mos bie; të mos ju shpjerë në mosbesim e jo: të mos u shpie e kështu me radhë.
Te forma e pashjelluar e foljeve ndeshim ndërtime të gabuara herë duke iu shtuar prapashtesën -ur temave që nuk e marrin këtë, herë duke mos ua vënë po këtë prapashtesë temave që e kërkojnë dhe herë të tjera duke ngatërruar ndonjë mbaresë të ndonjë trajte tjetër të foljes me këtë prapashtesë. Ja disa shembuj: (1) Kur Dielli të jetë mbështjellur… (81.1); (2) …e kishte djegë (Komenti, f. 41) – Botimi 1; (3) Sa e sa vendbanime, të cilave u kam shtyer Unë dënimin… (22.48) – Botimi 2; (4) Profeti ua (!) ka sjellur të vërtetën… (4.170); (5) Keni për të dalur para Zotit tuaj! (13.2); (6) dhe nuk ka për t’i shpjerë në rrugë të drejtë (4.137); (7) …kanë mund grupet më të mëdha (2.249) – Botimi 3.
Nuk e di në është nevoja që të theksojmë edhe një herë (nuk e di e sata herë është kjo që të ngrihet kjo çështje ndër ne!) se foljet apofonike me -l, -ll, e -rr, në formën e pashtjelluar të pjesores marrin prapashtesën -ë dhe jo -ur, pra: Profeti jua ka sjellë (e jo: sjellur!) të vërtetën; Keni për të dalë (e jo: për të dalur!) etj.
Krahas gabimeve që vumë në spikamë pak më sipër lidhur me foljet bie, shpie, shtie, sa i përket përdorimit të trajtës se vetës së tretë njëjës të lidhores, në të tre botimet kemi ndeshur edhe folje të tjera që të dalin me trajta të gabuara po për vetën e tretë njëjës e të lidhores, që nga foljet e rregullta e deri te foljet që pësojnë ndërrime fonetike në zanoren e temës. Po sjellim disa ilustrime për gabime të këtilla:
(1) …do të lind një djalë (Komenti, f. 41); (2) Edhe atij që nuk besoi (=beson-IB), do t’ia mundësojë (unë!) – IB) shfrytëzimin e frutave… e pastaj do të shtyejë (prapë unë! – IB) në dënimin e zjarrit… (2.126) – Botimi 1;
(3) …që Perëndia do t’ju godet me dënim (=ndëshkim!)… (9.52); (4) Kur të merr fund puna… (14.22); (5) Le t’i shpërblen Perëndia… (9.121); (6) …pastaj kur t’ju thërret Ai… (30.25) – Botimi 2;
(7) “Kush nuk beson, do t’ia mundësojë (=unë!) – IB) …e pastaj do ta hudhë (prapë: unë! – IB) në dënim (!) me zjarr. (2.126); (8) …e pastaj ta godis (=ai!) atë rrëmujë me zjarr… (2.226) – Botimi 3 etj.
Duke përmendur vetëm shkarazi rregullin e gjithënjohur se në trajtën e vetës së parë të kësaj mënyrë foljet e shqipes dalin me mbaresë zero dhe me mbaresën -ë gjithmonë në vetën e tretë të njëjësit, do të shtojmë këtu se foljet e tipit godas (godet), thërras (thërret), që ndërrojnë zanoren a të temës (dukuria fonetike e umlautit e metafonisë!) në e (dhe më tutje), në të gjitha trajtat e së tashmes së lidhores e ruajnë këtë tingull, pra: e pastaj do ta godasë atë një rrëmujë (e jo: do ta godis); pastaj kur t’ju thërrasë Ai… (e jo: t’ju thërret!) etj.
Më tutje, më se një herë ndeshim në këto botime trajta të urdhërores së foljeve të përdorura gabimisht, si (1) Veni re (edhe Vëni re!) – kom. f. 33); (2) bëna neve dyve (!) (2.128); (3) Zoti im, mos na lë të vetmuar… (21.89) – Botimi 1; (4) …mbroje… e pastaj shpëne në vend të sigurt (9.6); (5) Mos u arsyetohuni (9.66) – Botimi 2; (6) …dhe veni (ata-IB) në kodra të ndryshme (2.260); (7) …Edhe me gratë… mos martoheni! (4.22); (8) kudo që të gjeni…, zëni rob… dhe vëni pritë… (9.5) – Botimi 3.
Siç është e ditur përgjithësisht, foljet e tipit bie, shpie, vë, lë në trajtën e vetës së dytë njëjës të urdhërores dalin me -r, pra: mos na lërë (e jo: lë!) të vetmuar; …e pastaj shpjerë (=e), shpjerë (=e, shpjer!) me një vend (e jo: shpënë!); zini rob… dhe vëruni pritë (ose vini pritë!) e kështu me radhë. (Krahaso lidhur me këto edhe: “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, paragr. 9, pika gj, f. 59-60, Tiranë, 1973.
Në qoftë se ngatërrimi i trajtave të foljes ngre (ngrita) me foljet e tipit, rris/rrit edhe mund të tolerohet në shqipen e folur këtu ndër ne (sepse këtë folje e folmja jonë s’e ka fare! Po, sigurisht në shqipen e shkruar as ky ngatërrim nuk lejohet!), megjithëkëtë të ngatërrosh foljen e parregullt vij-erdha me foljet e tipit bie, shpie, do të thotë vërtetë “të zbulosh” trajta të paqena foljesh! Të shohim ndonjë shembull: (1) E nëse ju vie juve fitorja nga Perëndia (4.141); (2) E vdekja u vie atyre… (14.17); (3) …për Ditën që atyre do t’u vie dënimi… (14.44); (4) Para se të vie Dita… (30.43) – Botimi 2, (5) ...pra mos kërkoni t’u vie më shpejtë (!) (21.37) – Botimi 1.
Dhe më tutje: (1) …e bart në Kuds dhe e ngrit në Miraxh (Kom. f. 897 – Bot. 1); (2) …dhe të ngrisim ashtu si të takon Ty (2.30); (3) Kur ata ngriten për namaz… (2.142); Çka zbret prej qiellit kur çka do të ngritet në të (34.2) – Bot. 2. Trajtat ngris/ngrit dhe joveprorja ngritem janë të paqena për mbarë shqipen, si të folurën, si të shkruarën, dhe përbëjnë një “shpikje” pa nevojë të shkrimeve publicistike ndër ne, që erdhi e u përhap e t’u shtri pastaj si një barojë deri edhe në shkrimet letrare, përballë trajtave normative e të vetme: ngre-ngremë, ngrihem etj. Kështu do të dilnin disa nga fjalitë e sipërme: e bart në Kuds dhe e ngre në Miraxh (më mirë: e barti… dhe e ngrit…); Kur ngrihen ata për namaz… etj. Dhe më tutje: E nëse ju vjen juve fitorja…; Para se të vijë Dita etj.
Një çështje më vete përbën përdorimi kaq i shpejtë i foljes frikësoj (më drejt: frikësohem!) sa kohë që sidomos në traditën e krishterë ndër ne është bërë pothuaj popullor përdorimi i foljes druaj. Kjo le të mbetet më shumë një çështje për njohësit e arabishtes dhe për filozofët e fesë islame, por përdorimet si këto: (1) Frikësohmëni (?!) Mua që t’ua (!) plotësojë dhuntinë… (2.150); …dhe frikësohuni All-llahut… (2.189, 2.194, 2.196, 2.203) dhe (3) Frikësohu All-llahut (2.206) – që të gjitha në Botimin 3 – vërtet nuk arsyetohen kurrsesi. Në shembullin (1) po të heqim trajtën e shkurtër më (mua), do të na mbetet fjala frikësohni, një fjalë e paqenë për shqipen, ndërsa në dy fjalitë e tjera nuk na del trajta e shkurtër e vetës së tretë të dhanores – e përsëritur – i (atij), një rregull ky ndër më të qëndrueshmit në gramatikën e shqipes. Në raste të këtilla ose duhet të zëvendësohet folja frikësohem nga folja druaj: Druani All-llahun!; Më druani!; ose duhet të përdoret shprehja foljore kam frikë: Kini frikë All-llahun!, ose edhe Frikësohuni nga All-llahu! (pra, një ndërtim parafoljor) e të tjera, dhe jo të bëhen shkelje kaq të rënda të gramatikës!
3. Gabime drejtshkrimi
Ka në përkthimet e Kur’anit edhe një numër të madh gabimesh drejtshkrimore (sado që jo gjithmonë është i qartë kufiri që i ndan këto gabime nga gabimet gramatikore-morfologjike), për të cilat do të bëjmë fjalë fare shkurt. Do të mjaftohemi vetëm me gabimet, që bëhen në dy fusha – sa i përket përdorimit të Ë-së së patheksuar dhe përdorimit të apostrofit. Të marrim disa shembuj përdorimi a mospërdorimi të Ë-së; emrin e shprehë (Kom. f. 27); shembulli i atij që ndezë (2.17); ngjyra që kënaqë shikuesin (!)… (2.69); Pasha natën kur shtrinë errësirën… (93.2); të mëparshmit (21.5); urdhëri…, urdhërit të Faraonit…, urdhërin e Zotit… (51.44) etj.; Ne jemi të gjithdijshëm (31.21); i Gjithëfuqishmi (Kom. f. 27); Ai është i Gjithëfuqishmi (31.9) – Botimi 1;
Me gishtrinjë (2.19); shumëkush, shumëkënd (2.26); për gjithmonë (9.22); e kështu (ai) humbë (22.11); me djegëje të tmerrshme (22.22); Perëndia e ngjallë tokën (57.17); është Zoti që falë (34.15); Perëndia e përsëritë (30.11) – Botimi 2;
Të gjithmëshirshmin, të Gjithmëshirshmit… (1.3 dhe gjithkund në përkthimin e Bismil-lahut!); edhe prapë ju ringjallë (2.28); nuk do të pikllohet (2.38); (ai) që ndanë të vërtetën (2.53); vërshimi bartë një shkumë (13.17); All-llahu fshinë çka të dojë… (19.39); u jap të afërmëve (2.177) – Botimi 3. Mjafton të hapet cilido fjalor a cilado gramatikë e të shihen trajtat e drejta të shkrimit të fjalëve me të zeza, prandaj me këtë rast vetëm do të përmendim se të shkruash: gjithëmonë dhe i gjithdijshëm (përballë: gjithmonë – i gjithëdijshëm!) do të thotë të paktën të mos tregosh asnjë kujdes ndaj shkrimit të gjuhës sate amtare!
Ja ku dolëm tek ai konstatimi ynë diku nga fillimi që edhe korrektori mban një pjesë të përgjegjësisë (ose më drejtë: ai a ata që caktojnë korrektorin), sepse gabimet që u përmendën sa i përket (mos) përdorimit të Ë-së dhe gabimet lidhur me (mos) përdorimin e apostrofit, për të cilat do të bëhet fjalë këtu, vërtet do të duhej t’i kishte korrigjuar secili korrektor! Të sjellim edhe disa shembuj për apostrofin: e të ju ndalojë nga e keqja (11.76); …që të ju mbrojnë (21.80); që juve të ju vijë (2.109); e të ju godasë (ë) (11.64); që të ju gjejë (11.89) – Botimi 1;
Dhe tu bëni mirë prindërve… dhe njerëzve tu flisni… (2.83); Më kujtoni ju Mua, të ju kujtoj edhe unë… (2.152) – Botimi 3.
4. Fjalë e fjalëformime të përdorura gabimisht
Në këtë vështrim nuk kemi ndër mend të thellohemi në çështje të termave të shumta që përdoren në të tre botimet duke filluar nga ata më të shpeshtët, si: pejgamber e i dërguar: Zot, All-llah, e Perëndi (sigurisht secili i përdorur qëllimisht!) e deri te fjalët e tipit zullum, mizori e e keqe, por vetëm të përmendim disa raste ku janë përdorur qoftë fjalë të huaja e të tjera që, s’ka asnjë dyshim, nuk do të duheshin përdorur në Librin e shenjtë, dhe qoftë fjalë të shqipes së përgjithshme a dialektore, të cilat nuk përbëjnë kurrfarë pasurimi të shqipes letrare në këtë drejtim.
Fjalët si: flagrant, i angazhuar, ekspozoj, prezantoj, kompensim e ndonjë tjetër, që do t’i japim në shembujt e mëposhtëm, sigurisht nuk është dashur të përdoreshin në këto përkthime, sepse, pa asnjë farë dyshimi, shqipja ka fjalë shumë më të përshtatshme se këto. Të shikojmë disa sosh brenda në kontekst: (1) Të varfërve, të cilët janë të angazhuar… (2.273); (2) …patën me e dhënë (!) për kompensim (13.18); (3) …e të bëni mëkat flagrant (4.20) edhe: Ai bëhet kundërshtar flagrant (36.36); (4) …ata do t’i ekspozojë në mundime të padurueshme (4.173) – që të gjitha nga Botimi 3. Nuk do t’i marrim fjalitë një nga një, por vetëm do t’i përflasim duke thënë se të varfërit mund të jenë të zënë (e jo: të angazhuar!); mëkati mund të jetë i madh (e jo: flagrant!); njeriu mund të bëhet kundërshtar i hapur a i madh (e jo: flagrant!); ata (All-llahu) do t’i hedhë (e jo: do t’i ekspozojë) në mundime e të tjera. Për sa i përket fjalës kompensim dhe foljes kompensohet (por vetëm me vështrimin “otkupljenje” në variantin boshnjak!), duhet shikuar me shumë vëmendje origjinali brenda kontekstit dhe të gjendet ndonjë fjalë e përshtatshme (ose edhe ndonjë shprehje), si p.sh. “falje mëkatesh”, “shlyerje mëkatesh”, “ndihmë nga dikush” e të tjera ose eventualisht të përdoret një fjalë që, me sa dimë ne, është e përshtatshme vetëm për filozofinë e krishterë “riblerje”! Sidoqoftë, kjo le të mbetet një çështje e hapur për t’u diskutuar.
Më tutje ndeshim disa fjalë neologjizma (po të mund t’i quajmë kështu), të panevojshme, si: sihariqoj (folje!), kryelartësoj, mendjemadhësohem, mendjemangët e ndonjë tjetër, si në rastet: (1) Sihariqoji mohuesit me dënim të dhembshëm (!) (9.3); …ata që janë kryelartësuar (14.21); Ata u mendjemadhësuan… (29.39); i Plotëpushtetshmi (krahas: i Gjithëpushtetshmi – fjalë me traditë në shqipen, 54, 42) – që të gjitha nga Botimi 2.
Më në fund ka raste kur fjalë të shqipes janë përdorur gabimisht, me vështrimin që nuk e kanë fare ose tjetër për tjetër, si: “…dhe hiqni orë nga mbeturina (sigurisht: mbetja, teprica – IB) e kamatës…” (2.278; “O pasardhës të Librit… (4.171) dhe: Unë disa pasardhës të mi i kam vendosur… (14.37), ku është fjala për ithtarët dhe jo për pasardhësit! – marrë nga Botimi 3. Në Botimin 1 kemi ndeshur edhe fjalën gurëzoj: “Ne do të (të) gurëzonim ty, ngase ti nuk je i çmuar ndër ne.” (11.91) me vështrimin “mbyt, vras me gurë”, një lloj ndëshkimi i njohur për Orientin, dhe jo me vështrimin që ka në gjuhën shqipe: “ngurtësoj”, “e bëj të fortë si gur” (Krahaso: “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”, f. 591, Prishtinë 1981).
Të përfundojmë këtë pjesë duke vënë në dukje edhe dy gabime që përsëriten shumë shpesh dhe që janë: 1. Përkujtoni, një fjalë që u drejtohet besimtarëve për të sjellë ndër mend ngjarje nga e kaluara (dhe në Kur’an jepet gjithmonë në kllapa!) – në Botimin 1, dhe 2. “A nuk e merrni me mend” (me variantin: A nuk po kujtoheni?) në ajetet 2.76, 2.85, 32.4 etj. – në Botimin 3. Pa e zgjatur fare, do të themi se në rastin e parë duheshin përdorur shprehjet rikujtoni (a të rikujtoni) ose sillni ndër mend… dhe në rastin e dytë: Mblidhni mendjen; mblidhni mendtë, A s’doni t’i mblidhni mendtë?, “A nuk jeni në vete?” e të tjera.
5. Ndërrime të gabuara e të pakuptueshme
Këtu do të shtrojmë çështjen e disa gabimeve që ndoshta edhe mund të diskutoheshin në kuadër të gabimeve sintaksore, sepse në radhë të parë janë të karakterit sintaksor, por, duke qenë se në shumë raste kemi të bëjmë me ndërtime të papërfunduara, të shkëputura, madje shpesh edhe të pakuptueshme, vendosëm t’i diskutojmë pikërisht kësodore; po këtu do të përmendim edhe një sërë njësish sintaksore që nuk marrin frymë shqip, por që bien erë ndikimesh nga gjuhët në kontakt me shqipen. Për sa u përket gabimeve, ose më drejt, kalkimeve që kemi ndeshur në të tre përkthimet, është fare larg mendsh që ato të merren si ndikime nga arabishtja! (një gjuhë me dallime të mëdha pothuaj në të gjitha nënsistemet përballë shqipes), po as ndikime të drejtpërdrejta nga përkthimet në variantin boshnjak (s’ka asnjë dyshim që në ndonjë rast përkthyesit të kenë konsultuar edhe botimet në këtë variant!), ndoshta është mirë të theksohet një fakt që, sado me zemër të plasur, duhet të pohojmë sheshazi: kalket e shumta sintaksore janë përhapur aq shumë dhe janë mishëruar në mënyrën e të menduarit ndër shumë prej intelektualëve tanë (madje edhe ndër albanologë?!), saqë edhe kur përkthejnë nga gjuhë të tjera (të huaja), madje shpesh edhe kur shkruajnë vetë, i përdorin në një shkallë e me një masë shqetësuese! Dhe jo vetëm kaq, po mëse një herë na rastis të gjejmë edhe të tilla fjali për të cilat vërtetë kërkohet një “shkathtësi” e pazakonshme për t’i ndërtuar aq mbapsht! Po, po!
Të japim këtu, në fillim, vetëm ndonjë nga “margaritarët” e këtillë (!): “Allahu ngjallë të vdekurit dhe ua sqaron argumentet…” (2.73, Bot. 1) Do të thotë: “të vdekurve ua sqaron argumentet?!; (2) Tregimet ndaj (!) pejgamberëve të përparshëm kanë qenë qëllim, t’i japin lehtësime Muhamedit në detyrën e tij… (Komenti, f. 303); (3) …e është caktuar për të (djallin) se ai që e bën mik atë (djallin), e shmangë (!) (nga rruga e drejtë) atë, e sjellë atë në dënimin e zjarrit. (22.4, Bot. 2); (4) Ashtu, mu si fjalët e tyre kanë folur edhe ata (=pabesimtarët, IB) përpara tyre (2.118, Bot. 3); (5) Por All-llahu dëshmon me atë që ta zbret ty, ta zbret atë që vetëm Ai e di, ndërsa engjujt (!)… (4.166, Bot. 3).
Raste të një rendi të çuditshëm gjymtyrësh të fjalive dhe të lidhjeve që këputin fijet logjike, ka shumë. Të marrim ndonjë shembull: (1) Kur pa se duart e tyre (të të dërguarve) nuk shtrihen kah ai, iu dukën të pazakonshme… (11.70, Bot. 1) Këtu na del sikur duart e të dërguarve (h. Ibrahimit) iu dukën të pazakonshme?! Këtu, s’ka asnjë dyshim, ose ata iu dukën të pazakonshëm (dhe jo: të pazakonshme!), ose “mosshtrirja” e duarve drejtë mishit të pjekur, iu duk e pazakonshme! (2) Sikur ajo të ishte një gjë e afërt dhe udhëtimi mesatar, ata do të (të) pasonin ty… (9.42, Bot. 2) Pas krahasimit me përkthimet në variantin boshnjak, shqip do të thuhej përafërsisht: Po të ishte preja (a përfitimi) afër dhe rruga (a marshimi) jo aq i gjatë, ata do të vinin pas teje…!
(3) Pasi që u erdhi Libri nga All-llahu, i cili e vërteton atë çka e kanë, por edhe më herët lypnin ndihmë kundër mosbesimtarëve, dhe kur u vjen ajo që është e njohur… (2.89, Bot. 3) Hiq ndërtimin dialektor atë çka e kanë, të vihet re bashkërenditja e fjalive kohore homogjene (Pasi që u erdhi Libri… dhe kur u vjen ajo…!) dhe rendi i përemrit lidhor i cili që ka të bëjë sigurisht me Librin (dhe jo me All-llahun, siç del në përkthim!)
(4) …e ai ty të vë atë (Kur’anin) në zemër, i cili i vërteton ata çka ishin përpara tij (2.97, Bot. 3). Këtu është e domosdoshme që lidhori (i cili) të vihet pranë paraprijësit (përemrit atë), pra: …e ty ta vë në zemër atë (Kur’anin), i cili… vërteton librat që ishin përpara tij (dhe jo: ata çka ishin përpara tij!).
Të marrim disa shembuj nga kalkimet e panevojshme e neveritëse, që kemi nxjerrë: (1) Më vonë i (=u) bëhet një vështrim… ndodhive…, të cilat lajmërohen. (Komenti, f. 30); (2) “O Adem, njoftojë (=njoftoji, i njofto!) ata me emrat…!” (2.33); (3) pra vjen në shprehje mëshira e Zotit… (Komenti, kapt. 101); (4) Dhe atij askush nuk i është i barabartë (112.4) – nga Botimi 1. Të theksojmë vetëm kaq: folja lajmëroj në gjuhën shqipe nuk na shfaqet kurrë me diatezën vetvetore (lajmërohem!), folja njoftoj shqip përdoret me vështrim tjetër dhe kurrë nuk ndiqet nga një emër me parafjalën me (e pse i duhet përkthyesit dhe redaktorit gjuhësor kjo fjali më “letrare” sesa, po e zëmë: Ua mëso emrat…! – këtë ne nuk e dimë) dhe në fjalinë (4) kemi një fjalë tipike për ndërtime sintaksore në gjuhën kroate a serbe, sepse shqip do të thuhej: Askush nuk është i barabartë me Të (ose eventualisht edhe më popullorçe: Askush s’mund të matet me Të!).
(1) Rënkojmë ne apo durojmë – njësoj na është neve… (=është fare njësoj për ne! – 14.21); (2) …nuk i kanë sytë e (=të) verbër, por u janë të verbra zemrat…; (3) …dhe adhuronie Atë dhe falenderohuni Atij (29.17) dhe: E përse nuk falënderoheni? (56.70); (4) M’i tregoni ata që ia pëshkruani për shok atij (=Perëndisë) (34.27) edhe: …dhe t’i përshkruajmë Atij shok (34.33). Për t’i shprehur mirënjohjen dikujt për një të mirë, në gjuhën shqipe përdoret folja falënderoj (dhe ndiqet nga një emër në trajtën e kallëzores pa parafjalë!) dhe jo falënderohem, sepse falënderohem do të thotë “më falënderon dikush mua për një të mirë…!” Foljen (i) përshkruaj e kemi ndeshur edhe në ndonjë rast si barazvlerëse me të përkthimit boshnjak “pripisivati”, që është gjithsesi gabim; shqipja në raste të tilla mund të përdorë disa nga shprehjet foljore, si “i bëj shok tjetër”, “i vë shok përballë”, e të tjera. (Këso shprehjesh, ndeshim në përkthimin e Kur’anit!).
(1) Dëshmitarët duhet të përgjigjen në çdo thirrje… (2.282 = t’i përgjigjen çdo thirrjeje!); (2) …kemi krijuar kafshë me të cilat disponojnë ata… (36.71); (3) …dhe lëshojmë shiun… dhe ju nuk dispononi me atë (15.22); (4) …pastaj (All-llahu) mbisundoi me gjithësinë! (13.2); (5) …derisa All-llahu nuk bjen (!) vendimin e vet… (2.109) – Botimi 3. Edhe këtu kemi të bëjmë me ndërtime parafjalore që janë të huaja edhe për shqipen letrare edhe për shqipen popullore, sepse foljet disponoj (një folje burimi të huaj dhe e panevojshme!) dhe mbisundoj (a zotëroj, më mirë) në shqipen marrin patjetër një emër në kallëzoren pa parafjalë (kundrinë të domosdoshme), pra: disponoj diçka, sundoj, mbisundoj, zotëroj diçka, prandaj: …pastaj All-llahu zotëroi gjithësinë (ose, edhe më mirë: u bë zot a sundues i gjithësisë etj.) Shqip vendimi nuk bihet (dhe as: sillet!), por merret ose, eventualisht, nxirret (kur bëhet me procedurë të caktuar) – këtë, besoj, e dinë të gjithë shqipfolësit!
Përfundim
Siç u vu në dukje edhe nga fillimi i këtij vështrimi, qëllimi ynë kryesor ishte që të vinim në dukje se shqipja letrare këtu ndër ne është në një shkallë më të lartë edhe për sa i përket zotërimit, edhe për sa i përket zbatimit të normës letrare kombëtare, sesa duket në të tre përkthimet e Kur’anit, të cilat u botuan vitet e fundit. Po, s’do mend, një shkrim të këtillë e pamë të domosdoshëm edhe për shkak të aktualitetit dhe kërkesave shumë të mëdha, që janë shtuar sidomos gjatë vitit të fundit e pas demokratizimit të jetës në të gjitha poret në Shqipëri, e në këtë kuadër edhe të veprimtarisë fetare. Me sa dimë, në shitje nuk ndodhet asnjë nga të tre botimet e Kur’anit prandaj do të jetë e domosdoshme që ose të ribotohet ndonjë prej tyre, ose, eventualisht, t’i hyhet një përkthimi të ri. Ne do të propozonim që nga të tre botimet (ose ndoshta pasi të shikohen edhe dy përkthimet e tjera të Kur’anit – i Vehbi Ismailit dhe i Muhammed Z. Kanit, të cilët nuk patëm rastin t’i kishim në dorë), një komision arabologësh dhe albanologësh të caktojë versionin që do të ribotohet – për këtë qëllim, natyrisht pas një redaktimi të thukët gjuhësor!
Jam i ndërgjegjshëm që përkthimit të Kur’anit do të duhej t’i bëheshin vështrime nga aspekte të tjera, në radhë të parë stilistike, sepse në këtë fushë mund të rraheshin mendimet më me interes dhe në këtë mënyrë do të ngrihej vërtet cilësia e tij në gjuhën shqipe por gabimet gjuhësore që u zunë në gojë (dhe shumë sosh që, sado i volëm, nuk i shtruam këtu) janë aq shumë, saqë me të vërtetë nuk të lënë as të marrësh frymë lirisht e jo më të bësh studime më të thelluara, të cilat, po e përsëris, janë të domosdoshme.
/Orientalizmi Shqiptar/
* Ky artikull është botuar në revistën “URA”, nr. 4, Pranverë-Verë, Tiranë 2010, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com, numër ekskluziv për përkthimin e parë të plotë të Kur’anit në gjuhën shqipe nga Dr. Feti Mehdiu.
Rubaira të Omar Khajamit në shqipërimin e Sejfulla Maleshovës
RUBAIRA TË OMAR KHAJAMIT NË SHQIPËRIMIN E SEJFULLA MALESHOVËS

Sejfulla Maleshova
Në mes të dorëshkrimeve që ka lënë poeti Sejfulla Maleshova gjendet dhe një tufë rubairash të përkthyera të Omar Khajamit. Janë gjithsej 31 sosh, nga të cilat 27 origjinale dhe 4 apokrife. Nga shënimet e tij marrim vesh se shqipërimi i tyre është bërë nga një variant rusisht, botuar në Taxhikistan më 1952 prej një orientalisti sovjetik. Dihet se gjuha dhe kultura taxhike ka afri nga shumë pikëpamje, bile janë të një familjeje me gjuhën dhe kulturën persiane. Ka të ngjarë që ky botim t’i ketë rënë në dorë poetit në kohën kur ishte punonjës shkencor në Institutin e Shkencave dhe ku qëndroi deri nga mesi i viteve 1950, ndërsa më vonë e larguan nga kryeqyteti dhe e dërguan në Fier, ku jetoi derisa mbylli sytë në vitin 1971. Pikërisht në këtë hark kohor, siç del dhe nga data e shënuar në dorëshkrim, ai i ka shqipëruar dhe rubairat. Janë vitet 1955-1970, pra plot 15 vjet që iu desh të merret me to. Nuk dimë se sa ka qenë numri i rubairave në botimin që shqipëruesi ka pasur në dorë. Vetëm në krye të dorëshkrimit është shkruar “Rubaijatet e fundit” (Omar Hajam).
Studiuesit, poetit të madh i numërojnë rreth 1000 rubaira që kanë arritur prej tij, por hulumtimet flasin dhe për të tjera që janë zbuluar herë pas here, një pjesë e të cilave cilësohen apokrife, si krijime që i janë veshur poetit.
Nga fondi i rubairave origjinale, në gjuhën shqipe janë përkthyer afro gjysma, prej të cilave Fan Noli ka shqipëruar 331 dhe po aq afërsisht dhe Hafiz Ali Korça, duke ripërkthyer pjesërisht të njëjtat rubai. I pari i ka përkthyer nga anglishtja, mbështetur te varianti i E. Fitzgeraldit, por i ndihmuar dhe nga përkthimet franceze dhe angleze dhe krahasuar dhe me origjinalin persisht, i dyti ka meritën t’i ketë përkthyer drejt nga persishtja. Dallimi në mes tyre është se Noli, si poet, ka arritur të na japë një përkthim artistik, kurse Korça një përkthim të saktë filologjik. Sejfulla Maleshova do të ndjekë rrugën e Fan Nolit.
Lind pyetja se përse Maleshova do të shqipëronte rubairat e Omar Khajamit? Dihet tanimë se poeti ka qenë dhe një shqipërues i suksesshëm, po të kemi parasysh shqipërimet e përfshira në vëllimin e tij “Vjersha” me poezi të Pushkinit, Gëtes ose Hajnes. Janë shumë të pakta në numër dhe të viteve 1930-1940, por që dëshmojnë qartazi sensin e hollë dhe mjeshtërinë e tij artistike. Me këto aftësi dhe përvojë të çmuar, ai do t’i kthehej në vitet 1950 kësaj dashurie të vjetër. Sigurisht në kushte të tjera, por gjithnjë me ato kritere dhe kërkesa serioze që kish ndaj vetes. Duke mbetur poet, ai do t’i rikthehej shqipërimit, fushë në të cilën do të ndante talentin jo me autorë dosido, por me një këngëtar të shquar siç ish poeti rus Nikollai Nekrasov, që i përgjigjej me sa duket natyrës dhe gjendjes së tij shpirtërore, me idetë dhe frymën liridashëse, me shpirtin dhe mentalitetin fshatar, me poetikën klasike. Po në kohët e vështira që kalonte do t’i gjendej pranë dhe një poet tjetër klasik, me të cilin do të krijonte një komunikim të drejtpërdrejtë shpirtëror, që në shumë pikëpamje do të bëhej dhe alteregoja e tij dhe ky do të qe Omar Khajami, i njohur si Orfeu i Lindjes, liriku magjepsës i vendit të trëndafilave. Ai kish ardhur në poezinë botërore nga “Përlindja persiane”, një epokë kjo e ndritur që u shtri në 8 shekuj (IX-XVI) dhe që i dha njerëzimit artistë e dijetarë të mëdhenj, ku ndër më të shquarit ishte dhe Omar Khajami, poet, astronom dhe matematikan, një personalitet poliedrik tek i cili bashkoheshin mrekullisht ndjeshmëria e lartë shpirtërore me racionalitetin e një mendjeje të ndritur. Ky bashkim fatlum do të vihej në shërbim të idealeve të lirisë e të progresit, të emancipimit të njeriut dhe të shoqërisë. Jeta e tij do të bëhej shembëlltyrë e luftëtarit intransigjent të mendimit të lirë, por dhe e martirit të kauzës të së vërtetës, të cilit do t’i duhej të krijonte nën një pushtet tiranik dhe nën një shoqëri obskurantiste.
Ngaherë kryelartë dhe dinjitoz ai nuk do të pajtohej me konformizmin dhe servilizmin, me fanatizmin e hipokrizinë politike, me frymën panegjirike. Khajami do të ndiqte tërë jetën vijën e mendimit konsekuent e të ndershëm, në luftë të përhershme me të këqijat njerëzore dhe shoqërore, duke përdorur armën e ironisë e të qesëndisë, të satirës e të sarkazmës, aq sa është quajtur Volter i Orientit.
Ishin këto arsyet që Sejfulla Maleshovën do ta tërhiqte e do ta bënte për vete Omar Khajami. S’është vështirë të ndjesh e të kuptosh që te ky poet, në pozitën që ishte, do të gjente në një mënyrë a në një tjetër vetveten aq sa herë do të identifikohej me të. Omar Khajami do të bëhej për të zot i kohërave të vështira. I kohërave, kur ai i qe nënshtruar përndjekjeve dhe izolimit, kur përjetonte vdekjen civile dhe do të qe poezia e Khajamit ajo, tek e cila ai do të gjente oazin e lirisë, një lirishte shpirtërore, ku mund të këndonte këngët e poetit të madh me zërin e tij, në gjuhën e vet.
Dhe këngët e Orfeut të Lindjes kishin lindur në trajtën e një strofe katër vargjesh, të pagëzuar me emrin rubai ose rubajat, që për vlerat e tyre Noli do t’i quante nga “veprat poetike më të bukura të botës”. Rubairat, marrë në tërësinë e tyre, do të përbënin një mozaik mendimesh dhe emocionesh, situatash shpirtërore, hovesh dhe shfrimesh, të shprehura me një gjuhë lakonike dhe figurative. Ato do të qenë pentagram, ku poeti do t’i këndonte lirisë dhe dashurisë, gëzimit dhe dhimbjes, mallit dhe ëndrrës, po ku do të shpërthente dhe zemërimi dhe urrejtja, përbuzja dhe mallkimi. Në to do të gjallonte shpirti i njeriut, aq kompleks dhe enigmatik, herë herkulian e herë hedonist, herë epikurian e herë stoik, herë mistik, herë eklektik. E pra, shpirti njerëzor, nëpër situatat e jetës dhe poeti që ndron maskat dhe identifikohet me të gjithë, për të mos qenë asnjë. Është kjo, natyra e njeriut ngaherë në lëvizje.
Me sa duket, në këtë botë të poetit të madh aspironte dhe tentonte të hynte dhe të integrohej shpirtërisht Sejfulla Maleshova. Dhe kjo ndodhte realisht, po të marrim parasysh natyrën e tij thellësisht artistike, temperamentin vullkanik, shpirtin human e liridashës, po nga ana tjetër dhe pozitën shoqërore, diskriminimin e izolimin, jetën vetmitare prej murgu ose eremiti. Një afinitet i brendshëm me poetin e madh, me disa aspekte themelore, por jo i gjithi. Në radhë të parë përputhje dhe lidhje me hapësirat e lirisë, të mendimit e të veprimit, që e bëjnë të denoncojë skllavërinë e tiraninë, dhunën e padrejtësinë. Kjo ishte njëra faqe e universit khajamjan, që e përafronte shpirtin e poetit tonë me të, po nuk ishin kështu plotësisht raportet e tij me faqen tjetër, ku shpërthente vullkani i dashurisë dhe i gëzimeve të jetës. Në gjendjen ku ndodhej, i pllakosur nga hallet dhe vetmia, nuk kish vend për të qenë anakreontian, epikurian ose hedonist. Dashuria dhe gëzimet e botës tokësore nuk do të ndjeheshin në vlagën e tyre. Tani ai s’kishte as kushte, as moshë, as sensin e ndjeshmërisë që t’i këndonte zemra vrullshëm.
Por gjithsesi, të gjitha këto rrethana nuk do ta pengonin poetin tonë të hynte në botën khajamjane dhe të zgjidhte motivet e parapëlqyera duke i ndarë në tri grupime tematike nën titujt: “Për dashurinë”, “Për lirinë e mendimit”, “Kundër tiranisë dhe shfrytëzimit”. Në ciklin e parë përfshihen rubairat kushtuar dashurisë dhe verës, të cilat ndonëse në tërësinë e tyre janë tematika zotëruese e Khajamit, në shqipërimet e S. Maleshovës paraqiten minoritet. Nga 27 rubaira të përkthyera ato përbëjnë vetëm një të katërtën, por të mjaftueshme për të shijuar magjinë e motivit të preferuar të Khajamit. Dashuria dhe vera, të dhëna si një binom i pandarë, të krahasuara me pushtetin, e bëjnë poetin të ndihet “mbret përmbi mbret”. Dashuria, sipas tij, nuk blihet me para, as fitohet me pahir, vetëm bashkimi i dy zemrave në një e bën njeriun perëndi. I tillë ndihet poeti me të dashurën për qafe, ndryshe nga sulltani shpirtbosh, që në haremin e tij hidhet nga një zogë në tjetrën. Për poetin dashuria nuk njeh moshë dhe sado që nuk e ngroh më dielli i dimrit, zemra i ka mbetur e re. E megjithatë, ai thotë një të vërtetë universale, kur këndon se njeriu vetëm në pleqëri e kupton se koha e artë e tij është rinia. Në pleqëri veç në ëndërr mund të shohë dashurinë. Ai u gëzohet ëndrrave kur sheh miken në gjumë dhe dëshiron të mos zgjohet kurrë. Por mbi të gjitha është shëndeti, pa të cilin nuk ka vlerë as pushteti, as pasuria, as dituria!
Në botën e dashurisë e të gëzimeve të jetës mendimi i Khajamit lëviz i lirë, ngrihet mbi dogmat fetare dhe paragjykimet, përfton hapësira që nuk njohin kufi kohor e social. Ai është universal dhe i përjetshëm.
Khajami është i vërtetë dhe njohës i thellë sa i zemrës aq’ edhe i mendjes njerëzore. E pasqyrojnë këtë rubairat kushtuar lirisë së mendimit. Pyet poeti: a mund të futet filozofia e Platonit në kokën e një njeriu me një gisht ballë? Dëshmi e kësaj të vërtete janë ata klerikë që përtypin Kuranin si gomari dhe këndojnë litani e psalme lajkatare. Khajami stigmatizon e tallet dhe me ata myslimanë dogmatikë, që librat e shenjtë i marrin si tabu dhe i ngjajnë kalit që shkon vetëm pas një avazi. Ai s’pajtohet dhe me predikimet që i kërkojnë zemrës të mos këndojë, mendjes të mos mendojë e aq më tepër shpirti të mos ngjitet “në majat e lirisë”. Mendimi i poetit tingëllon si një sentencë e fuqishme dhe e pakundërshtueshme se burgu dhe vargonjtë në qafë dhe në duar s’janë asgjë përpara vargonjve të mendjes e të shpirtit.
Nga gjithë ky cikël del qartë qëndrimi intransigjent i Khajamit në mbrojtje të mendimit të lirë, duke iu kundërvënë prerazi dogmatikëve dhe predikimeve boshe, pushtetarëve si armiq të lirisë, mediokritetit dhe vulgaritetit njerëzor të kohës së tij dhe të gjitha kohërave.
Një peshë të madhe kanë rubairat kundër tiranisë dhe shfrytëzimit të njeriut. Në këtë cikël, më i pasuri nga tufa që ka shqipëruar Maleshova trajtohen me guxim, me bukuri dhe me mjeshtri një varg problemesh kyçe të shoqërisë si raportet e njeriut shpirtlirë me pushtetin, e pushtetit me paranë, e fatit të poetit e të mendimit të lirë nën tirani, të raporteve të popullit me dhunën e shtetit etj. Kështu, poeti shpall me kurajë se vlerat njerëzore si dituria dhe virtytet nuk fitohen me pushtet dhe kamje. Ai nuk i kursen shigjetat e tij kundër korrupsionit të pushtetarëve dhe hipokrizisë së tyre. Stigmatizon praktikën e ligjëruar se paraja sjell pushtet dhe pyet se si e duron populli këtë padrejtësi. Mendimi i tij shkon më tej, kur pohon se froni dhe paraja mbahen e fryhen me gjakun e djersën e shtetasve. Bile nuk trembet kur thotë se froni lind e ngrihet mbi krimin dhe krimi shkon vargan kur je në pushtet! Për poetin perandorët dhe të pasurit janë gjakpirës, mizorë dhe dinakë. Bile janë skllevër, më skllevër se bujqit. I vetmi njeri i lirë është poeti. Dhe janë këta skllevër, që si bandë filistinësh ngrihen kundër tij. Por ai nuk do t’ia dijë dhe i jep zemër vetes kur i drejtohet me fjalët: qëndro burrë mos u tund, mbyte helmin me verë dhe kur atdheu ta shpërblen me mallkime. Khajami e lartëson figurën e poetit, i bindur se është ai, që e dëgjon gjithë Irani, ndërsa Teherani zyrtar gulçon edhe kur përqark harbojnë skllevërit, fanatikët, demagogët dhe dhuna. Ai ka besim se Persia e munduar nuk e harron Khajamin dhe me këtë rast vizaton autoportretin e tij shpirtëror, kur shkruan se kurrë as ka dashur e as ka menduar për ar’ e lavdi, por për popullin, që t’i japë liri dhe dritë. Ndaj sado që e luftojnë dhe e shpërfillin, ai është optimist se Persia anekënd po shkundet dhe njerëzit po zgjohen nga gjumi. Liria po mugëllon!
Edhe katër rubairat apokrife trajtojnë pak a shumë motivet e tij të preferuara liridashëse. Nga ari dhe fuqia, nga ari dhe froni lind lakmia rreth së cilës vërtitet e çmendur njerëzia dhe për të njerëzit vrasin njëri-tjetrin. Por mbetet gjallë kënga e poetit, dhe ndonëse zjarrin e tij e kanos kallkani, ai nuk shuhet. Është zjarri i dufit që shfryn shpirti i lirë i njeriut.
Nga gjithë këto mendime dhe emocione që përftohen nga situata psikologjike e sociale aq të përngjashme, nuk është vështirë të heqësh paralele në mes fatit të Omar Khajamit dhe shqipëruesit tonë poet. Aludimet janë aq të qarta sa nuk lënë asnjë shteg dyshimi. Edhe pse kohët janë të ndryshme, disa të vërteta janë të përbashkëta. Të përbashkëta kanë mbetur forca dhe dhuna e pushtetit, ndalimi i mendimit dhe i fjalës së lirë, përndjekja e lirisë, por dhe shpresa se e drejta dhe liria tek e fundit një ditë do të triumfojnë.
Në shqipërimin e rubairave, Maleshova ka ndjekur traditën e Nolit, rrugën e përkthimit artistik dhe jo filologjik, të një shqipërimi pak a shumë të lirë. Duke qenë poet me ndjeshmëri të lartë artistike, me zotërim të admirueshëm të gjuhës shqipe, me përvojë të pasur krijuese, rubairat e tij janë rikrijime. Rikrijime, në kuptimin që përkthyesi nuk mbetet skllav i fjalës, nuk kthen fjalën, por transmeton e përcjell thelbin e mendimit dhe emocionet e origjinalit, tharmin e tij, gjendjen shpirtërore dhe atmosferën e krijuar nga poeti. Kjo do të thotë se sjell jo vetëm frymën, por dhe tiparet formale, veçoritë e formës së rubairave, lakonizmin dhe goditjen në shenjë, aq karakteristike për Khajamin, ku fjala ndihet ngaherë dhe mendimi i lirë. Kjo ka bërë që shumë prej tyre të tingëllojnë herë si sentenca, herë si epigrame. Shqipëruesi do t’i përmbahet besnikërisht poetikës dhe stilit, skemës klasike të rubairave, ku rimojnë vargjet 1, 2, 4. Ngjyrimeve të origjinalit i kanë shërbyer edhe përdorimi me vend i orientalizmave, përngjasimet dhe pikëtakimet e disa prej mentaliteteve dhe koncepteve të përbashkëta të botës shqiptare me ato të Lindjes.
S’ka dyshim se shqipërimi i kësaj tufe rubairash nga Sejfulla Maleshova vjen dhe e pasuron traditën e hedhur nga Fan Noli dhe Hafiz Ali Korça. Ato janë një ndihmesë me vlera të padiskutueshme, një dëshmi, jo vetëm e talentit të tij të njohur tanimë, por dhe e faktit emocionues se në realizimin e tyre të suksesshëm kanë luajtur rol pozita dhe gjendja e rëndë që përjetonte, ato situata shpirtërore që krijonte mungesa e lirisë dhe e drejtësisë.
Rubajatet e fundit1)
I. Për dashurinë
Një do flori dhe tjetri do pushtet,
Thesare jep e grada ky dovlet.
Sa kam një kupë verë e një sorkadhe,
I lumtur jam dhe mbret përmi çdo mbret.
Nuk blihet dashuria me flori,
Pse me pahir nuk paska dashuri.
Gjaku me gjak, ylli me yll kur piqet
Shkrihen dy veta më një perëndi.2)
Nëpër harem sulltani mjekërosh
Zogë më zogë hidhet si kokosh.
Vetëm njëzë Hajami mban përqafe,
Po shpirtin si sulltani s’e ka bosh.
U plaka, mikja ime, moj meshollë;
Gjunjët më lanë dhe m’u qep një kollë
E di që nuk të ngroh, jo, diell’ i dimrit,
Po ç’t'i bëj zemrës sime si mënjollë.
U plaka, shokë: humba pasurinë
U plaka, shokë: humba mbretërinë
Ku ka thesar e mbret në këtë botë
Si koha e artë, të ritë, për njerinë?
Pashë në ëndërr miken te një gurrë
Dhe mi lëndinë aty bëhem për burrë
Në gjumë: s’qenkam plakur! – unë thoshja
Kështu njeriu të mos zgjohet kurrë.
Të ishnja mbret, e falnja mbretërinë
Të ishnja kamës, e falnja pasurinë
Për një çikë shëndet. Po jam Hajami
Dhe s’kam se ç’fal, s’fal dot as diturinë.
II. Për lirinë e mendimit
Shiko atë bandill me një gisht ballë:
A futet do Platoni aty vallë?3)
Filozofia kërkon tru me çika,
Në kokën e të tillit bëhet dhallë.
Hafëz’ e myezinë plot pazari,
Përtypet me Kuranin dhe gomari.
Nga mëndja e tyre s’dalin shkrepëtima,
Po litari e psalme bajraktari.4)
Bien daullet, vërshëllen zurnaja,
Rokullisen hadithet5) si rrungaja -
Imami flet e tunden minaretë,
Dhe zhurmëmadhe ngrihet berihaja.
Librat e shënjta si tabu i kanë
Syleshët e verbuar myslimanë;
Dhe ecin drejt, si kali me veshoke,
Atje ku bie vetëm një kambanë.
I thonë zemrës : hesht e mos këndo!
I thonë mendjes : rri e mos mendo!
I thonë shpirtit që kërkon të ngjitet
Në majat e lirisë: mos guxo!
Sa keq në burg me hekura rrethuar,
Vargonj në qafë dhe vargonj në duar
Po si vargonjt’ e mëndjes e të shpirtit
Nuk paska robëri më të shëmtuar!
III. Kundër tiranisë dhe shfytëzimit
A blihet dituria me flori?
Virtytet a fitohen me fuqi?
At’here pse kush ka pushtet e kamje
I ditur quhet, i lartë si njeri?
Atë, që ar lakmon dhe pushtet,
Skëterra me katran të zjarrtë e pret -
Kështu përdita flasin ylemaja,5)
Po vetë s’ngopen kurrë me ryshfet.
Dhuna flori dhe ari pjell pushtet,
Mbreti saraf, sarafi bëhet mbret -
Me lot e gjak e djersë s’ngopen kurrë;
Po si duron e s’ndihet ky milet?
Ah, gjak kullojnë froni e pasuria,
Me gjak e djersë fryhet mbretëria;
Po shahun, që shkëlqen me salltanete,
Si perëndi e mbajnë tevabia.6)
Po bëre krim, krimi shkon vargan,
Kur krimin ta mbuloj me profka dua.
Me krime lint, me krime mbahet fron
Prandaj dhe gjaku derdhet si përrua.
Dhelpra dinake, gjakpirës e mizorë
Janë kudo rreshper’ e perandorë;
Po s’ka mizor se sa tirani rishmas,7)
Zhytur në gjak me fron e me kurorë.
Skllevër kudo: sarafë dhe vezirë -
Më skllevër se sa bujku në errësirë;
Dhe rrallë gjen në gjith’ Iranin tonë,
Përveç Omar Hajamit, njerëz të lirë.
Skllevër që dalin me flamur lirie,
Fanatikë me klithme histerie,
Demagogë – kudo. E papërmbajtur
Dhuna harbon, fryt i zi lakmie.
IV.
Me banda filistinësh e sulmuan,
Me jargë zvarraniku e mbuluan,
Dhe, dorën duke ngritur, ylemaja,
Si apostat Hajamin e mallkuan.
I ndërsyer, çakallli fanatik,
Ta djegë do me zjarr si heretik.
Qëndro Hajam! Kupën bukuroshe
Zbraze dhe mbushe prapë me teftik.
Qëndro si burrë! Edhe pse atdheu
Të gjitha me mallkime t’i shpërbleu,
Ti mos u tunt! Me verë mbyte helmin,
Dhe tunde kupën sa të tundet dheu.
Nëpër gjumë e dëgjon Ispahani,
Shirazi me Gërmadhat8), Horosani
Me Nishapur – Sakiu9) i përgjumur
Marramënthi gulçon nga Teherani.
Jo, jo, Hajam! Persia e munduar
Kurrë Hajamin s’ka për ta harruar;
Pse ar, lavdi nuk deshi, po për popull
Dhe për liri e dritë ka punuar.
Jo, jo, Hajam! Ja po shkundet Persia
Ja ku shtriqen përgjumësh njerëzia;
Në Lindje e Perëndim, Veri e Jugë,
Kudo në botë, mugëllon liria.
——————-
1). Zbuluar më 1952 nga një orientalist sovietik në Taxhikistan.
2). Në kuptimin pagan të kësaj fjale.
3). Aluzion për ndonjë sufi neoplatonik.
4). Edhe këtu godit shumicën e sufinjve dhe syninjve, rryma teologjike të kohës.
5). Intelektualët e asaj kohe, që ishin dhe funksionarë të lartë.
6). Rrethi i mbretit, shtetasit.
7). Krahaso me “Prometheu i lidhur” të Eskilit: “Çdo mbret i ri në krye është i ashpër” (përkthim i Fan S. Nolit).
8). Gërmadhat e Persepolisit, qytetit të lashtë të Persisë.
9). Këtu personifikon shpirtin e popullit.
Shënimet janë të autorit. Edhe titujt e kapitujve janë të tijat.
Rubaitë e fundit
(Apokrife)
III, strofa 3
Që kur harbuan Ari dhe Fuqia,
Harboi e pangopur dhe lakmia.
Nga duf’ i saj, rrëmbyer si në vorbull
Vërtitet e shkalluar njerëzia.
Për ar e fron vëllai të vëllanë
Si bish’ e vret, i biri helmon t’anë,
Dhe vaj të nxehtë i kullon në vesh
Burrit në gjumë e shoqja për jaranë.
IV, strofa 1
Në grykë mbeti këng’ e pakënduar*)
Kallkani e ftohu zjarrin e pashuar;
Guxim e shpresë i flaku tej një vrundull,
Që nxin horizontin e qëruar.
Po jeta – oqean rrjeth pa pushuar
Dhe këng’ e tillë s’mbetet pa kënduar;
Dufin e tij me zjarr e shfryn njeriu,
Dhe zjarr i tillë kurrë s’ka të shuar.
——————-
*). Në fyt na mbeti këng’ e pakënduar (variant tjetër i përkthyesit).
Botuar në revistën kulturore-shkencore “Perla”, Tiranë, 2009, Nr. 1.
/Orientalizmi Shqiptar/

