Arkiv

Arkiv për Kategorinë ‘Dorëshkrime’

Veçori gjuhësore-dialektore në gjuhën e autorëve shqiptarë të Kosovës që kanë shkruar me alfabetin arabo-osman

15/05/2013 Lini një koment

Hasan KELMENDI (Instituti Albanologjik – Prishtinë)

 

VEÇORI GJUHËSORE-DIALEKTORE NË GJUHËN E AUTORËVE SHQIPTARË TË KOSOVËS QË KANË SHKRUAR ME ALFABETIN ARABO-OSMAN

frakullaHYRJE

Për dialektologjinë e gjuhës shqipe dhe veçmas për dialektologjinë historike të saj, të një rëndësie të madhe janë pa dyshim shkrimet e vjetra që shënojnë faza të hershme përdorimi të gjuhës shqipe; në këtë aspekt krahas rëndësisë së madhe që kanë veprat e shkrimtarëve të vjetër shqiptarë të Veriut (si veprat e Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit dhe Kazazit), janë të rëndësishme gjithashtu edhe shkrimet ose veprat e disa autorëve shqiptarë të Kosovës që shkruan me alfabet arabo-osman, sidomos për studimin diakronik të të folmeve shqipe të gegërishtes verilindore, ku bëjnë pjesë të folmet shqipe të Kosovës. Është fjala për disa autorë dhe disa vepra të tyre, për të cilat më parë e deri më sot nuk dihej ose dihej fare pak. Ato janë kryesisht dorëshkrime me një vlerë të padyshimtë historiko-letrare; është ky një prodhim letrar që dëshmon se gjuha dhe letërsia shqipe në Kosovë, megjithatë lëvroheshin, ndonëse në kushte të vështira, të paktën që  nga gjysma e dytë e shek. XVIII e deri në kohën e Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj. Hulumtimi shkencor lidhur me këtë problematikë ndër ne ka filluar në vitet pesëdhjetë të shek. XX. Mirëpo, derisa për disa vepra si për VEHBIJEN e T. E. Boshnjakut, DIVANIN e Sh. Maliqit dhe për ndonjë tjetër u shkruan disa punime, madje dhe monografi; për një numër të madh veprash e autorësh, pothuajse deri më  sot nuk u shkrua fare. Me këtë problematikë ndër ne në  Kosovë u morën: M. Krasniqi, H. Kaleshi, I. Ajeti, G. Elezoviqi, J. Rexhepagiqi, H. Agani, A. Zajmi, Sh. Mehmeti, V. Shita, F. Mehdiu etj. Në kohë të fundit në sajë të punës së palodhur të M. Pirrakut, dolën në dritë  dhe iu bënë të njohura publikut shkencor edhe disa shkrime të tjera të transliteruara me alfabetin e gjuhës së  sotme shqipe, dhe këto i botoi në studimin monografik, me titull: Gjurmë të veprimtarisë letrare shqipe me alfabet arab në Kosovë117. Në këtë studim autori analizon anë të ndryshme historiko-letrare që janë të ndërlidhura me veprimtarinë e autorëve (shkrimtarëve), siç janë: Dervish Hasani (Krusha e Vogël) shek. XVIII; Mulla Beqiri (Drenicë) mesi i shek. XVIII; Mulla Dervishi (Pejë) pjesa e dytë e shek. XVIII; T. E. Boshnjaku (Gjakovë) fillimi i shek. XIX dhe Dervish Salihu (Hasi i Thatë) pjesa e dytë e shek. XIX. Këta autorë analizohen në pjesën e parë të studimit; ndërsa, në pjesën e dytë të studimit në fjalë trajtohet veprimtaria e autorëve: Azem Efendi Olluri, Hasan Hoti, Shejh Emini i Sadive (1798-1918), Shejh Januz-Sabriu (1848-1809), Tahir Efendi Lluka dhe Tahir Efendi Popova, Shejh Hyseni i Halvetive (1873-1926), Hilmi Abdyl Maliq Efendija (1865-1928) etj. Siç shihet, kemi të bëjmë me një numër jo të vogël autorësh dhe tekstesh që për herë të parë u bënë objekt i një shqyrtimi të gjerë shkencor; por, megjithatë për ne me rëndësi janë veçmas disa veçori gjuhësore, që duket se janë mjaft me interes për dialektologjinë e të folmeve shqipe të Kosovës. Qëllimi ynë në këtë kumtesë, pra, është që në bazë të teksteve të transliteruara me alfabetin e gjuhës së sotme shqipe nga ana e M. Pirrakut, të nxjerrim në dritë disa veçori gjuhësore dialektore të teksteve në fjalë, duke u ndalur vetëm në ato fonetike dhe morfologjike.

I. VEÇORI FONETIKE

I. – 1. Zanoret

Si në të folmet e tjera të gegërishtes, dhe të  gegërishtes verilindore në veçanti; në gjuhën e autorëve shqiptarë të Kosovës qe shkruar me alfabet arabo-osman, ndeshim 7 zanore (ndërsa zanorja ë është reduktuar pothuajse në tërësi, dhe rënia e saj ka shkaktuar gjatësinë e zanores paraprijëse, ose ka shkaktuar, siç do të shohim më poshtë, edhe ndërrimin e zanores në fjalë me zanoret e tjera (e ose i).

Në gjuhën e autorëve tanë, vërejmë si edhe në  të gjitha të folmet e gegërishtes, gjatësinë dhe hundorësinë e zanoreve, veçori këto kryesore të dialektit të gegërishtes që e dallojnë atë nga toskërishtja118. Në këtë mënyrë te këta autorë, përkatësisht në tekstet e tyre, përsa i takon sistemit zanor, në pozicion të patheksuar ndeshim 7 zanore: a, e, i, o, u, y dhe ë (këtë të fundit vetëm në ndonjë rast) dhe në anën tjetër në 6 fonema të gjata në pozicione të theksuara: a:, e:, o:, u:, y:, që formojnë opozicion fonologjik me zanoret e shkurtra; si dhe një radhë prej 6 fonemash që formojnë opozicione fonologjike me zanoret hundore. Kështu sistemi i zanoreve në gjuhën e autorëve tanë, që shkruan me alfabet arabo-osman përbëhet nga:

zanore gojore: a, e, i, o, u, y, e

zanore të gjata: a:, e:, ï:, o:, u:, y:

zanore hundore: ã, ẽ, ĩ, [õ], ũ, ỹ

I.- 1. – A. Gjatësia e zanoreve. – Përveç asaj që u tha më sipër, duhet shtuar edhe se kundërvënia e zanoreve sipas tiparit të gjatësisë përbën një nga veçoritë karakteristike të gegërishtes, e për pasojë edhe të gegërishtes verilindore, dhe po kjo mund të thuhet edhe për gjuhën e autorëve, përkatësisht të teksteve të tyre në shqiptim. Duke mbetur gjithnjë në vazhdën e këtij shqyrtimi, d.m.th. duke shqyrtuar gjatësinë e zanoreve, nuk do të kalojmë pa i vënë re edhe këto fakte:

a) Zanoret e gjata ndeshen në fjalë që reflektojnë  gjatësi origjinare, si mĩ:, thĩ:, de:t, ku:t etj.

b) Është i njohur fakti se zanorja që gjendet në  rrokje fundore të hapur, të theksuar, është e gjatë: shpí:, kojshí:, kusí:, dhé: etj. Dhe po këtë e vërejmë  te autorët, si Dervish Salihu: … Perení:, maná:, rixhá:, dynjá:, mevlá:, sefá: (Dituria, f. 121); Shejh Emini i Sadive: tezerá:, arashialá:, Kerbelá: (GJA – IX, f. 207); Shej Jonuzi – Sabriu: fukará:, ezelí:, dajmá:, grefá: (Po aty, f. 217); Rexhep Voka: vëllá:, …na pá:, Shkriprí:, perendí:, bir e bí: (Po aty, f. 224) etj.

c) Gjithashtu ndeshet dendur edhe gjatësia e zanoreve, që është  shkaktuar nga monoftongimi i diftongjeve apo i togjeve të zanoreve: ue, ie, ye, në u:, i: dhey:, të cilat përfshijnë shumë kategori gramatikore. Zanorja është e gjatë në të tilla raste, qoftë në pozicion fundor, qoftë në mes të mes të fjalës: dy:r, lu:jn, (i) shkru:m, ka vnú:, t’shkru:n, kujtu:m etj. (Të kihet parasysh poezia e Dervish Salihut: Eni vllazen ta bâjm ni dert). Shembuj nga kjo poezi do të sjellim më poshtë, atëherë kur do të ndalemi në shqyrtimin e diftongjeve apo togjeve të zanoreve.

Zanorja a. – Kjo zanore kur është nazale, siç do të vërehet edhe më poshtë, jo rrallë e ndeshim të tjetërsuar në o. Dhe ky fakt përkon pa dyshim me gjendjen aktuale të të folmeve shqipe të gegërishtes verilindore, përkatësisht me të folmet shqipe të Kosovës. Ky tipar i vokalizmit vërehet në disa të folme të Kosovës, sidomos në disa të folme të qytetit si në atë të Vuçitërnës (Vushtrrisë), të Gjakovës etj. dhe në disa të të folme të tjera ku përzierja e popullsisë shqiptare me popullsitë serbo-malazeze, turke e muslimane-boshnjake, ishte e dendur. Në këtë mënyrë, duke u nisur pikërisht nga një situatë e tillë gjuhësore, linguistja A. V. Desnickaja me të drejtë konstaton se rëndësi esenciale e të folmes shqipe të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit ka dukuria që është e lidhur me shqiptimin e përgjithshëm të artikulimit të zanoreve që është të tërhequrit dukshëm prapa dhe që qëndron në të forcuarit përkatës të elementit të velarizimit gjatë shqiptimit të një vargu të zanoreve. Sipas linguistes që e cituam më sipër, me këtë veçori është e lidhur edhe përshtypja e përgjithshme që krijohet në të folmet dialektore të verilindjes.

Në lëmin e vokalizmit, sipas K. Taliavinit121, kjo gjendje e përditshme e shqiptimit shprehet më tepër në të tërhequrit prapa të zanores a të gjatë (a), që ndiqet nga një labializim. Në radhë të parë, kjo i takon zanores së nazalizuar që gjithashtu gjendet në afërsi direkte me konsonantin nazal. Prandaj, lidhur ne do të japim më poshtë, disa nga shembujt që kemi mundur t’i nxjerrim nga tekstet, si p.sh.: Ai mi çeli katër dyrt: // osht e dyta tarikat…// Tarikat e kam gjet, / osht esrari Muhamet…// (D. Hasani, Ah unë i mjeri kesh tu fjetë…, Dituria, f. 91); … mijell ia boni; me lon; s’ju bo; allah-allah me thon (Shejh Jonuzi, GJA – IX, f. 214); … dallg po bon, /mend po t’lon, / s’un po gjon; gjithë bojm dua… // (Sh. Mala, GJA – IX, f. 230) etj.

Zanorja ë. – Siç dëshmohet nga ana e studiuesve K. Taljavini, E. Çabeji, A. Dodi, I. Ajeti, L. Mulaku etj., reduktimi i plotë i kësaj foneme në gegërishte ka marrë hov këta 3-4 shekujt e fundit. Në shkrimet e autorëve të vjetër të Veriut zanorja ë përdorej edhe në pozicion të theksuar deri kah fundi i shek. XVIII.

Në shkrimet e autorëve shqiptarë të Kosovës me alfabet arabo-osman, gjithashtu ë-ja e theksuar as që mund të bëhet fjalë. Mirëpo, siç do të shohim më poshtë, kjo zanore (zanorja ë) është ruajtur ndonjëherë te autorët tanë në pozicion të patheksuar.

Ë-ja te autorët që shkruan me alfabet arabo-osman, me sa kemi mundur të konstatojmë, ka rënë:

në rrokje paratheksore: … kçyri voret, / hej i ngrat // ti alim bonu ksi dore… // etj.

ka rënë në rrokje fundore (pastheksore) ka kaluar në e p.sh. tek emrat e gjinisë femërore në trajtën e shquar dhe të pashquar: dreken (… se fal dreken për ni tfurk sân); bimes (… i ra bryma bimes heret …); udhen (… Kur e hup udhen ai qi prin … etj.) etj.

Zanorja ë ka rënë në sistemin foljor si në kohën e tashme veta e parë numër shumës, dhe këtë e vërejmë në shembujt:

… Ani me bohur do t’na timojn

Me uj tvokt do t’na pastrojn

Ani me sapun do t’na shkumojn

Me pamuk syt na qorojn

Ani me qefin do t’na pshtjellojn

Me tri dizga na shtrengojn

Ani kater vet do t’na trazojn

Shum xhemat permas shkojn

(Hafiz I. Shemsi, Ani kur t’vjen shpirti

me na dal, Gjur. alb. IX, f. 219).

Mirëpo, mund të duket ndoshta e pabesueshme që në  këtë kohë, një autor si Shejh Junuzi-Sabriu (1848-1909) të ketë shënuar zanoren ë, ashtu siç e gjejmë te shkrimtarët e vjetër shqiptarë. Duke folur për këtë autor, studiuesi dhe mbledhësi i pasionuar i teksteve me alfabet arabo-osman, M. Pirraku, shkruan: “… nuk hoq dorë nga ë-ja për gjuhën shqipe. E cilësoi me një gjysmë esreje – vizë me një kënd prej 300 të vënë nën bashkëtingëllore pas së cilës do të vinte ë-ja. Duket se këtë gjysmë esreje e përdori edhe në vend të apostrofit midis dy bashkëtingëlloreve në fillim të fjalës. Kjo zanore sot ka mundësi të mos lexohet pa e prishur vlerën e tekstit të transliteruar”. Megjithëkëtë, Shejh Jonuzi përdori një ë edhe atëherë kur ajo nuk mund të përligjet etimologjikisht dhe as nga ortografia (drejtshkrimi), p. sh.:

… Çou ti përej gafleti,

Çare lyp ti për vetveti

ose:

nëgjeti çare na mos ta lypim

eja lypim prej vetveti…

ose më poshtë:

Se këjo deka ni sherbet osht,

nuk o çare pa u kërkue.

(Gjur. alb. – IX, f. 211)

I-1.B. Nazalizimi i zanoreve. – Një ndër veçoritë kryesore të gegërishtes dhe të të folmeve të saj është pa dyshim nazalizmi ose hundorësia e zanoreve. Dhe pokështu, meqë gjuha e autorëve tanë s’është tjetër përveçse gegërishtja (geg. verilindore) me të gjitha tiparet e saj, edhe në këtë pikë gjuha e autorëve në shqyrtim nuk largohet nga tiparet e këtij dialekti (të dialek. të geg.) kryesor apo kryedialekti të shqipes, kundruall dialektit apo kryedialektit të toskërishtes.

Kur jemi te ky tipar i gegërishtes, d.m.th. nazalizimi i zanoreve (toskërishtja këtë fenomen gjuhësor nuk e njeh), atëherë  duhet të vihet në pah se autorët, përkatësisht shkrimtarët si Dervish Hasani, Mulla Beqiri, Mulla Dervishi, Tahir E. Boshnjaku, Dervish Salihu, Shejh Jonuzi, Tahir E. Popova, Tahir E. Lluka, Shejh Hyseni i Halvetive, Hilmi Abdyl Maliq Efendija, Shejh Maliqi etj.; edhe pse zanoret hundore nuk i shënuan grafikisht si zanore nazale, ato duket se shqiptoheshin si të tilla në kohën kur shkruan autorët në fjalë, dhe si të tilla (zanoret me timbër hundor) shqiptohen edhe sot. Duke folur për gjuhën e VEHBISË  të Tahir E. Boshnjakut, I. Ajeti kishte konstatuar zanoren nazale ã, sa herë kjo fonemë ndodhej para një bashkëtingëlloreje nazale (hundore). Ndërsa sa i përket Shejh Maliqit nga Rahoveci, siç thotë prapë I. Ajeti, ai për shënimin ã-së nazale (hundore) kishte shtënë në punë edhe një grafemë të veçantë. “Lidhur me këtë pikë mund të thuhet që çdo a gojore shprehej me një grafemë që nuk linte kurrëfarë dyshimi për riprodhimin e saj…”.

Një çështje tjetër, siç është labializimi i a>o (ose ao) e kemi shqyrtuar më sipër; mirëpo nuk është e tepërt këtu të theksojmë se në gjuhën e shkrimtarëve që shkruan me alfabet arabo-osman të Kosovës, përveç a-së së labializuar ose gjysëm të labializuar, hasim edhe në një a thjesht nazale, sa herë ajo ndodhet para bashkëtingëlloreve m, n, j<nj. P. sh.:

… Ej i besun bãne emrin,

Mos ia zin shejtãnit vẽnin,

… Çka ja bãn ni pun veti,

Mos ja bãn kerkuj ngjeti,

Kshtu ka thãn Muhameti.

I.-1.-C. DIFTONGJE OSE TOGJE ZANORESH

Në këtë punim do të trajtojmë këto diftongje ose grupe zanoresh: ue, ie (je) dhe ye.

Nga diftongjet që i vumë re më sipër, vetëm diftongu ié (je) në tekstet e transliteruara me alfabetin e sotëm të gjuhës shqipe e ruan mirë natyrën e vet të diftongut. Për këtë na dëshmojnë shembujt: Zoti na i hiek keta bela, / Niher turku drit me pa…// (Sh. Maliqi, DIVANI…). Ndërsa togjet e zanoreve ue dhe ye i ndeshim me ndonjë përjashtim të monoftonguara gati te të gjithë autorët shqiptarë që shkruan me alfabet arabo-osman. Kjo dukuri nuk duhet të jetë aq e vonë, meqë këto diftongje apo togje zanoresh, të monoftonguara ose të reduktuara në elementin e parë të tyre, i ndeshim që në VEHBINË (1835) e Tahir E. Boshnjakut dhe në DIVANIN e Shejh Maliqit; kështu duke folur lidhur me këtë dukuri, I. Ajeti shkruan: “Gjuha e DIVANIT, e krahasuar me gjendjen e sotme të të folmeve të Kosovës, me disa tipare del mjaft arkaike, por në punën e diftongjeve, ligjërimi i këtyre, mund të themi me plot gojë, nuk ngërthen në vete kurrfarë veçorish të shënueshme që nuk do të ishin njëkohësisht veti dialektore e të folmeve të tjera të truallit gjuhësor të Kosovës. Shkurt, diftongjet dhe bashkëlidhjet zanore të gjuhës së DIVANIT i gjejmë të mbledhura në monoftongje”.

Në këtë mënyrë, përveç pak shembujve, shembujt e tjerë që solli Ajeti në studimin për gjuhën e Divanit të Shejh Maliqit, i dalin të monoftonguara në  elementin e parë të tyre dhe duke u tjetërsuar në  zanore të thjeshta.

Edhe pse diftongjet ue, ye janë ruajtur në ndonjë të folme, prapëseprapë mund të thuhet pa mëdyshje se procesi i monoftongimit të tyre në të folmet shqipe të Kosovës, të paktën që nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, është një proces mbizotërues ndaj procesit të ruajtjes, d.m.th. ndaj gjendjes së vjetër. Këtë fakt do ta përligjim me shembujt e sjellë më poshtë.

ue>u

O forcu zenbra nuk po ndin

nasihati qi asht për din…

(M. Beqiri, Shka asht kshtu qi

je habit, Dituria, f. 95.

Ç’kanë qerpikt qi po t’lujnë,

Si kalemi huruft kur i shkrunë.

Huna jote mi ket alem,

E sret arshi ka vnu kalem…

Tridhet e dy huruft jan t’shkrum,

Me sevda ti qi naj ki urri…

(D. Salihu, Eni vllazen ta bajm ni dert,

Dituria, f. 117)

Amon vllazen mos bani fjalë,

Qysh kujtum nuk do me dalë.

(Po aty, f. 117).

ye>y

Ai mi çel katër dyr

njonda osht a(h) sheriat…

(D. Hasani, Ah, un i mjeri

kesh tu fjet, Dituria, f. 99).

Përkundër monoftongimit të diftongjeve në elementin e parë të tyre, e cila gjë u theksua dhe u dëshmua më lart, vërejmë ndonjëherë edhe ruajtjen e tyre, si p. sh.:

Mall evladin e kish dhan

me pshtue ti, hej i ngrat…

(M. Beqiri, Shka osht kishtu

qi je habit, Dituria, f. 95).

… nuk o çare pa e kërkue,

Padishah e fukara,

pëlak e ri hem thëmi e gërue…

(Sh. Jonuzi, Çou i nëgrati ti përtej

gafleti, GJ – IX, f. 211).

II.-1.-Ç. BASHKËTINGËLLORET

Bashkëtingëlloret q, gj, ç, xh. – Okluzivet q, gj krahas ruajtjes, në pjesën më të madhe të teksteve të autorëve shqiptarë të Kosovës që shkruan me alfabet arabo-osman i ndeshim të tjetërsuara në okluzive prepalatale (paragjuhore) në ç, xh. Është kjo një veçori e përgjithshme e gegërishtes verilindore, e cila si e tillë u shfaq dikund në gjysmën e dytë të shek. XIX. Për këtë na dëshmon, VEHBIJA e T. E. BOSHNJAKUT, në të cilën këto bashkëtingëllore ruheshin mirë, dhe po kështu këto i ndeshim t’i ketë shënuar edhe V. Karaxhiqi në disa këngë popullore që i mblodhi nga një informues, që ishte nga Gjurakovci afër Pejës. Këto bashkëtingëllore q, gj) të patjetërsuara në afrikatet përkatëse (ç, xh) i ndeshim edhe në DIVANIN e Shejh Maliqit. Edhe për këtë veçori gjuhësore, gjithnjë për të arsyetuar atë që theksuam më parë, do të sjellim shembuj që i nxorëm nga tekstet e autorëve si Mulla Beqiri, Dervish Salihu, Shejh Maliqi etj.

Shka osht kishtu qi je habit

………………………………………

Kujto dynjaja se jet gjithmon

kqyri voret ti hej i ngrat.

(M. Beqiri, Shka osht kishtu

qi je habit, Dituria, f. 95).

Ç’kan qerpikt qi po t’lujn

…………………………………..

Gjithkush harfin s’un ta nxirrë

Amon vllazen mos bani fjalë

Qysh kujtum nuk do me dalë:

Qysh nasip kur jemi marrë,

Jemi t’dekun s’jemi t’gjallë.

(D. Salihu, Eni vllazen ta

bâjm ni dert, Dituria, f. 117).

… Aslin e vet pe don

Gjith kah drita po flitron

Qiri keshet po kujton…

(Shejh Maliqi, Halli i flutres, GJA – IX, f. 230).

I.-1.-D. GRUPET E BASHKËTINGËLLOREVE

Grupet e bashkëtingëlloreve nd dhe mb si të tilla u ruajtën gjerësisht të patjetërsuara në n dhe në m; mirëpo, vërejmë gjithashtu dhe kalimin në elementin e parë të tyre. Ky proces, d.m.th. procesi i tjetërsimit të grupeve të bashkëtingëlloreve në fjalë, në bashkëtingëllore të thjeshta, siç mund të vërehet me shembuj nga gjuha e autorëve tanë nuk është aq i hershëm: fillon si duket me të madhe në të folmet shqipe të Kosovës, dikund aty nga gjysma e dytë e shek. XIX, për të ardhur deri në ditët tona. Por, kjo është një çështje më e gjerë dhe më e thellë, që del jashtë caqeve të kësaj kumtese; e që me këtë rast, do ta vështrojmë, siç theksuam, së pari ruajtjen e grupeve të bashkëtingëlloreve në fjalë, që paraqitet kësisoj, p. sh. te Mulla Beqiri: … po ndin; nuk o’send; e kqyr vendin etj. (Dituria, f. 95). Dervish Efendiu: … n’qeter kurrkund edhe ma rond; lutfiu tond (Dituria, f. 99). Dervish Salihu: … me dyqind e nandhet e katër (Dituria, f. 114). Shejh Junuzi: … gjithsa send etj. (GJA – IX, f. 215).

Ndërsa ndryshimin, tjetërsimin e këtyre grupeve të bashkëtingëlloreve e kemi vënë re edhe te ndonjë autor, që në  të njëjtën kohë i kishte ruajtur mirë grupet e bashkëtingëlloreve në fjalë në pjesën më të madhe të përdorimit të gjuhës në veprat e tij, siç është, bie fjala, Dervish Salihu a ndonjë tjetër. Sidoqoftë, procesi i ndryshimit të grupeve të bashkëtingëlloreve nd, mb në të folmet shqipe të kësaj ane, siç kemi theksuar edhe më sipër, kishte filluar më herët, dhe se tashmë si duket ishte bërë një proces i pandalshëm. Kjo gjë vërehet edhe në gjuhën e autorëve tanë, si p. sh. kalimi i nd-së në n, dhe i mb-së në m: … hyqymetet e Perenisë; bâft perenija; po knohet n’Kura’n; kërkuj s’i met; me hyp n’kumëll (D. Salihu, Dituria, f. 119); … a po knon; pa ja da (Sh. Maliqi, GJ – IX, f. 229-231).

Kur jemi te shqyrtimi i grupeve të bashkëtingëlloreve, duhet vënë në dukje patjetër edhe një fakt: grupet e vjetra kl, gl, nuk i ndeshim si të tilla në gjuhën e autorëve që shkruan me alfabet arabo-osman; ato duket moti kishin kaluar në elementin e parë të tyre, d.m.th. në k dhe g. Është me interes të theksohet po kështu se në poezinë e Sh. Jonuzit haset edhe grupi i vjetër nt, në trajtat e numrit shumës dhent(ë), qent(ë), që tash për tash nuk mund të themi se kjo veçori gjuhësore është e vendlindjes së tij (ai ishte nga Suhodolli i Mitrovicës), apo është një trajtë që ai e ndërtoi nën ndikimin e literaturës shqipe të kohës, që nuk ishte e panjohur për këtë autor, apo mos është ky një ndryshim që e sollën kopjuesit e poezive të këtij autori?

II. VEÇORI MORFOLOGJIKE

II.-1. EMRI

II.-1.-A. Trajta e pashquar e emrit. – Trajtën e pashquar shumë emra me origjinë turko-arabe, që hasen në gjuhën e autorëve tanë, formojnë këtë trajtë me një a të theksuar, e që në disa të folme shqipe të Kosovës, këtë e kanë tjetërsuar në e të theksuar. P. sh. kështu hasim: maná, rixhá, mevlá, fukará, dynjá etj. (D. Salihu, Dituria, f. 121). Këta emra, siç mund të vërehet, kur të shquhen para nyjës – mbaresës –in marrin një –j- antihiatizuese, dhe ky fakt është i përgjithshëm në të gjitha ato të folme të Kosovës ku dukuria në fjalë është e pranishme.

II.-1.-B. Trajta e shquar e emrave.- Trajtën e shquar me një –j- para nyjës –a, e marrin të gjithë ata emra me origjinë turko-arabe, që mbarojnë me i të theksuar si perenija, turqnija, shejtnija, evlija, Hilmija (Sh. Maliqi, GJA – IX, f. 231). Emrat e gjinisë mashkullore që në trajtën e pashquar mbarojnë me bashkëtingëlloret k, g, në trajtën e shquar, siç i ndeshim në gjuhën e teksteve të autorëve tanë, janë shquar me nyjën –i dhe jo me –u, si p. sh.: haki, hallki, mynafiki etj. Këtë nyjë si të tillë e ndeshim edhe gjatë lakimit të tyre nëpër rasat përkatëse. Por, edhe në këtë pikë mund të vërehet ndonjë përjashtim siç është, bie fjala te Shejh Maliqi: … Kjo te haku pa ja da… (GJA – IX, f. 121).

Emrat me origjinë turko-arabe, që trajtën e pashquar e mbarojnë me bashkëtingëlloren –n, në trajtën e shquar të rasës kallëzore marrin nyjë – mbaresën –in: insanin, dermanin, imanin, shejtanin (D. Efendiu, Dituria, f. 99); zamanin, dushmanin, Hasanin (D. Salihu, Dituria, f. 116).

Përsa u takon rasave gjinore, dhanore dhe rrjedhore, nuk vërehet ndonjë ndryshim nga përdorimi i sotëm i tyre në të  folmet shqipe të këtyre anëve. Në këtë mes, vetëm një ndryshim, që e kemi cekur edhe më sipër (në  I-1.-Ç) është ai që vërehet në poezinë  e Shejh Jonuzit, në të cilën poezi ndeshet forma e rasës rrjedhore të shquar me – vet (… përej dhenvet), e që  më shumë ka gjasa të jetë një ndryshim, një përmirësim që e kanë bërë kopjuesit e kësaj poezie, se sa të jetë trajtë e vetë autorit.

II.-2. NYJAT

Për disa nga nyjat, sidomos ato të prapmet, të cilat tash kanë zënë të quhen mbaresa, u fol më sipër gjatë shqyrtimit të trajtave të emrit. Ndërsa për nyjat e përparme mund të themi se ato i ndeshim në gjuhën e teksteve që autorët i shkruan me alfabet arabo-osman, dhe këtë  si a) nyja të gjinores: ashik i hakit, hyqumetit e Perenisë  (D. Salihu); b) si pjesë e mbiemrit: i ngrat (M. Beqiri); i vogel, i lig (D. Efendiu); c) si pjesë të një numërori rrjeshtor: e dyta (D. Hasani) etj.

II.-3. PËREMRI

II.-3.-A. Përemri vetor. – Ky përemër përdoret pa ndonjë dallim nga përdorimi i tij në të folmet e sotme shqipe; kështu përemrat unë, ti, ai (njëjës) dhe ne (na), ju dhe ata (ato) në shumës, ndeshen si të tilla në tekstet e autorëve apo shkrimtarëve tanë, dhe këtë po e ilustrojmë me shembujt: ai qi ka gjet; mos na le neve… (D. Hasani); ti alim bonu kso dore…; ti shko kujtou; po kujton ti hej i ngrat (M. Beqiri); u dogja un me dert; Zoti për ne nuk â miftaç (D. Salihu) etj.

II.-4. FOLJA

II.-4.-1. Kohët e foljes të mënyrës dëftore. – Derisa koha e tashme në të tri vetat e numrit njëjës dhe shumës nuk shënon ndonjë veçori dalluese nga ato të të folmeve shqipe të Kosovës; kësisoj koha e kryer e disa foljeve që tregojnë lëvizje, te autorët tanë është formuar disa herë me formën jam + pjesore (si jam përpjek…; jam taptis – D. Efendiu), është një veçori dialektore e truallit gjuhësor të shqipes dhe e të folmeve shqipe të Kosovës në veçanti.

Koha e ardhme. – Nga vështrimi më i hollësishëm i mënyrës dëftore, që është mënyra kryesore (ka 8 kohë) e foljes në gjuhën shqipe; në gjuhën e teksteve të autorëve tanë, që u zunë në gojë sa e sa herë këtu; vërehet se koha e ardhme del me formën, siç është quajtur nga Sh. Demiraj, perifrastike, dhe e cila është formuar me ndihmën e foljes kam + pjesorja si p. sh.: … kame dal ni Zylfikar (D. Salihu); por në të njëjtën kohë hasim edhe formën tjetër të kohës së ardhme do + pjesorja e foljes, si p.sh.: Qysh kujtum nuk do me dal (D. Salihu, Dituria, f. 117).

II.-4.-2. MËNYRA HABITORE. – Kur është fjala për përdorimin e mënyrave të tjera të foljeve nga ana e shkrimtarëve tanë, gjuhën e të cilëve e kemi bërë objekt hulumtimi në këtë punim, do theksuar se vetën e tretë të kësaj mënyre (të mënyrës habitore) e kemi ndeshur me trajtën, që mbaron me mbaresën –nke(në vend të –ke), e cila haset pikërisht në poezinë e Shejhut rahovecas, Sh. Maliqit, dhe kjo veçori tregon gjithashtu se autori pasqyron në këtë mënyrë gjuhën e vendlindjes dhe të vendqëndrimit të tij, pra, të Rahovecit me rrethinë.

II.-4.-3. MËNYRA URDHËRORE. – Karakteristikë për format e kësaj mënyre në kohën e saj të tashme, siç na del nga një tekst (poezi) i Mulla Beqirit, dhe të ndonjë autori tjetër, është përdorimi i formës së kësaj kohe në vetën e dytë njëjës ndonjëherë pa trajtën e shskurtër të përemrit vetor të vetës së tretë e, si merr (për merre), kujto (për kujtoje), kqyr (për kqyre) etj.

II.-4.-4. MËNYRAT E PASHTJELLUARA TË FOLJES

PJESORJA. – Format e pashtjelluara të pjesores te foljet që mbarojnë me bashkëtingëllore dalin pa mbaresë, qoftë kur janë përdorur si pjesë përbërëse e mbiemrave, qoftë kur ato janë përdorur si pjesë e formave të kohës së kryer; ose kur kanë shërbyer për të formuar format e mënyrës paskajore. P. sh.: … tu fjet; jom përpjek; m’le me fjet; e kom gjet (D. Hasani); me i brit; qysh ta marr (M. Beqiri) etj.

PËRCJELLORJA. – Format e pashtjelluara të përcjellores, që gramatika tradicionale, e mbajti për një nga mënyrat e veçanta të foljes në gjuhën shqipe, ndeshet me formën tue + pjesorja e foljes, që si e tillë është e mbarë gegërishte (në vend të kësaj, siç dihet toskërishtja e ka formën duke + pjesorja e foljes = duke punuar). Kjo formë ndeshet edhe në tekstin e poezisë së Dervish Hasanit: … un i mjeri kesh tu fjet (Dituria, f. 99); si dhe në një tekst tjetër të poezisë së Sh. Maliqit: Perdet tu u hjek, Me ashik tu u pjek… (GJA – IX, f. 235).

PASKAJORJA. – Tipi më i shpeshtë i kësaj forme të pashtjelluar të foljes në dialektin e gegërishtes është pa dyshim forma foljore me + pjesorja e foljes, që haset dendur në gjuhën e shkrimtarëve që shkruan me alfabet arabo-osman; kështu në këtë mënyrë kemi ndeshur në shembujt si vijojnë: me i brit; me mar (M. Beqiri); me dek, me niçar (D. Efendiu); me ba karar; do m’u da; me lyp rrush (D. Salihu); me mar ibret; me pështu përej qenve; me i bo hizmet; me fol ajet (Sh. Junuzi) etj.

Një formë tjetër të paskajores, që haset edhe sot e gjithë ditën në të folmet shqipe të  Kosovës, është forma për+me+pjesorja e foljes, e të cilin tip të paskajores e kemi ndeshur në një shembull të  vetëm në poezinë e Mulla Beqirit: … per me mar (Shih: Dituria, f. 95).

Burimi: Revista “Studime Orientale”, Prishtinë.

/Orientalizmi Shqiptar/

 

Përkthimet në gjuhën latine të kryeveprave shkencore arabe në shekullin XII

25/04/2013 Lini një koment

PËRKTHIMET NË GJUHËN LATINE TË KRYEVEPRAVE SHKENCORE ARABE NË SHEKULLIN XII

latin-books

Përkthimet në gjuhën latine të shekullit XII u nxitën nga kërkimet e mëdha për mësimin e të rejave nga ana e studiuesve evropianë në Evropën e krishterë atë kohë. Kërkimet e tyre i çuan ata në zonat e Evropës Jugore, sidomos në Spanjë dhe Siçilinë qendrore, e cila nuk kishte shumë që kishte hyrë nën sundimin e krishterë, pas ripushtimit të tyre në fund të shekullit XI. Këto hapësira kanë qenë nën rregullin mysliman për një kohë të konsiderueshme dhe ende ekzistonte një popullsi e konsiderueshme arabishtfolëse, mbi të cilët do të mbështetnin kërkimet e tyre.

Kombinimi i njohurive myslimane të akumuluara, një numër i konsiderueshëm i dijetarëve arabisht-folës dhe sunduesit e rinj të krishterë i bënë këto zona intelektualisht tërheqëse, si dhe të depërtueshme kulturalisht dhe politikisht për skolaristët latinë. Një histori tipike është ajo e Gerardit të Kremones ( c. 1114-1187), i cili thuhet se ka bërë rrugë për në Toledo edhe pas ripushtimit të saj nga të krishterët në 1085, sepse ai arriti të njohë çdo pjesë të filozofisë sipas studimit latin, por për shkak të dashurisë së tij për Almagest-in, të cilën ai nuk e gjeti në radhët e latinëve, shkoi në Toledo, ku pa një bollëk librash në gjuhën arabe në lidhje me çdo subjekt, ndërsa varfëria që kishte përjetuar në mesin e latinëve në lidhje me këto subjekte, bëri që nga dëshira për të përkthyer, ai të mësonte gjuhën arabe.

Ndryshe nga interesi i treguar gjatë Rilindjes për literaturën dhe historinë e antikitetit klasik, përkthyesit e shekullit XII kërkonin të reja shkencore, filozofike dhe në një masë më të vogël, tekste fetare. Shqetësimi i fundit u reflektua në një interes të rinovuar me përkthimet e etërve të kishës greke në latinisht, një shqetësim me përkthimin e mësimeve çifute nga hebraishtja dhe një interesim për Kuranin dhe tekstet e tjera fetare islame. Përveç kësaj edhe ca nga letërsia arabe u përkthye në gjuhën latine. Përkthyesit në Itali Pak para shpërthimit të përkthimeve në shekullin XII, Konstandin afrikani, një i krishterë nga Kartagjena, që kishte studiuar mjekësi në Egjipt dhe në fund u bë murg në manastirin e Monte Cassino në Itali, përktheu punimet mjekësore nga arabishtja.

Përkthimet e Konstandinit përfshinin enciklopedinë mjekësore të Ali ibn Abas al-Mexhusit, libri i plotë i artit të mjekësisë (Liber pantegni), antike të Hipokratit dhe Galenit, përshtatur nga mjekët arabë, dhe Isagoge ad Tegni Galeni nga Hunejn ibn Ishak (Johannitius) dhe nipi i tij Hubajsh ibn Hasan. Veprat e tjera mjekësore që ai përktheu përfshijnë edhe Liber febribus të Isak Israeli ben Solomon, Liber de dietis universalibus et particularibus dhe Liber de urinis; veprën mbi psikologjinë të Ishak ibn Imran el-Makale fil-Malihukiya si De melancolia; veprat e Ibn el-Xhezer De Gradibus, Viaticum, Liber de stomacho, De elephantiasi, De coitu dhe De oblivione. Siçilia ka qenë pjesë e Perandorisë Bizantine deri në 878, ishte nën kontrollin mysliman në vitet 878-1060 dhe u vu nën kontrollin Norman mes viteve 1060 dhe 1090. Si pasojë Mbretëria Normane e Siçilisë mbante një burokraci që fliste tri gjuhë, duke e bërë atë një vend ideal për përkthime. Siçilia ruajti marrëdhënie edhe me Lindjen greke, e cila lejonte shkëmbimin e ideve dhe të dorëshkrime. Edhe pse në përgjithësi siçilianët përkthyen direkt nga greqishtja, kur tekstet greke nuk ishin në dispozicion, ata i përkthenin nga arabishtja.

Admirali Eugene nga Siçilia, përktheu veprën Optika të Ptolemeut në latinisht, duke u bazuar në njohuritë e tij në tri gjuhë. Përkthimet e Pistoja përfshinin veprat e Galenit dhe Hunejn ibn Ishak. Gerard de Sabloneta përktheu Kanuni i mjekësi i Avicenës dhe Al Mansor të Raziut. Fibonaçi prezantoi sistemin e parë të plotë numëror evropian nga burime indo-arabe në Liber Abaci e tij. Vepra Aphorismi nga Misavejh (Mesue) u përkthye nga një përkthyes anonim në Itali në fund të shekullit XI ose në fillim të shekullit XII. James e Venedikut, i cili ndoshta kaloi disa vite në Konstandinopojë, përktheu Analytics posterior Aristotelit nga greqishtja në latinisht, në mesin e shekullit të 12-të, [15] duke e bërë kështu korpusit të plotë aristoteliane logjike, Organon, në dispozicion në latinisht për herë të parë. Në Padovën e shekullit XIII, Bonacosa përktheu punimet mjekësore të Averroes, Kitab Kulliyyat si Colliget, ndërsa Xhohni nga Kapua përktheu Kitab el-Tajsir të Ibn Zuhr (Avenzoar) si Theisir.

Në Sicilin e shekullit të XIII, Ferexh ben Salem përktheu ‘el-Havi të Rhazes si Continens si Tacuinum sanitatis me autor Ibn Butlan. Gjithashtu në Italinë e shekullit XIII, Simoni nga Gjenova dhe Abraham Tortuensis përkthyen ‘Al-Tasrif të Abulcasis si Liber servitoris, Alcoati Congregatio sive Liber de oculis, dhe Liber de simplicibus medicinis nga një pseudo-Serapion. Përkthyesit në kufirin spanjoll Të paktën që në fund të shekullit X, dijetarët evropianë udhëtuan për në Spanjë për të studiuar. Më i njohuri ndër ta ishte Gerberti prej Aurillac (më vonë Papa Silvester II), i cili studioi matematikë në rajonin rreth Barcelonës. Përkthimet, megjithatë, nuk kanë filluar në Spanjë deri në vitin 1085, kur Toledo u rimuar nga të krishterët.

Përkthyesit në fillim në Spanjë u përqendruan kryesisht në veprat shkencore, sidomos matematikë dhe astronomi, duke përfshirë Kuranin dhe tekste të tjera islamike në një fushë të dytë interesi. Koleksionet spanjolle përfshinin më shumë vepra shkencore të shkruara në arabisht, prandaj përkthyesit kanë punuar pothuajse ekskluzivisht nga arabishtja, dhe jo nga tekstet greke, shpeshherë në bashkëpunim me një folës vendas së gjuhës arabe.

Një nga projektet më të rëndësishme të përkthimit u sponsorizua nga Peter I Nderuari, abati i Cluny. Në 1142 ai u bëri thirrje Robertit të Kettonit dhe Hermanit nga Carinthia, Piterit të Poitiers dhe një myslimani të njohur vetëm si “Muhamedi” për të prodhuar përkthimin e parë latin të Kuranit (Lex Mahumet pseudoprophete). Përkthimet janë prodhuar në të gjithë Spanjën dhe Provence. Plato nga Tivoli punoi në Katalonia, Herman nga Carinthia në Spanjën veriore dhe gjithë Pyrenees në Languedoc, Hugh nga Santalla në Aragon, Roberti nga Ketton në Navarre dhe Roberti nga Chester në Segovia.

Qendra më e rëndësishme e përkthimit ishte biblioteka e madhe e Katedrales së Toledos. Plato nga Tivoli përktheu në latinisht punimet astronomike dhe trigonometrike të Batanit, De Motu stellarum, Liber embadorum të Abraham bar Hiyya, Spherica të Teodosit nga Bithynia dhe Matja e një rrethi nga Arkimedi. Përkthimet e Robertit nga Chester në latinisht përfshijnë Algebra dhe tabelave astronomike (gjithashtu përmbajnë tabelat trigonometrike) të Havarizmit. Përkthimet e Abrahamit nga Tortosa përfshijnë De Simplicibus të Ibn Sarabi (Serapion Junior) dhe al-Tasrif të Abulcasis si Liber Servitoris. Përveç literaturës filozofike dhe shkencore, shkrimtari hebre Petrus Alphonsi përktheu një koleksion me 33 tregime nga letërsia arabe në latinisht. Disa nga tregimet që ai mori, ishin nga Panchatantra dhe Netët Arabe, të tilla si historia e “Sinbad Detarit”. Shkolla e përkthyesve në Toledo Me një popullsi të madhe të të krishterëve që flisnin arabisht (Mozarabs) Toledo kishte qenë një qendër e rëndësishme e arsimimit që në fund të shekullit X, kur dijetarët evropianë udhëtonin për në Spanjë për të studiuar fusha që nuk ishin në dispozicion në pjesën tjetër të Evropës .

Ndër përkthyesit e parë në Toledo, ishte Avendauth (që disa e kanë identifikuar me Ibrahimin ibn Daud), i cili përktheu enciklopedinë e Avicenës, Kitab al-Shifa (Libri i Shërimit), në bashkëpunim me Domingo Gundisalvo, Archdeacon prej Cuellar. Megjithatë, përpjekjet për përkthimin e duhur nuk ishin të organizuara deri në momentin që Toledo u rimor nga forcat e krishtera, në 1085. Raymond nga Toledo, filloi përpjekjet e para në bibliotekën e Katedrales së Toledos, ku udhëhoqi një ekip përkthyesish që ishin mozarabë të Toledos, dijetarë çifutë, mësues medreseje dhe murgj nga urdhri i Cluny. Ata punuan në përkthimin e shumë veprave nga arabishtja në gjuhën kastiliane, nga gjuha kastiliane në latinisht apo direkt nga arabishtja në latinisht apo greqisht, duke vënë gjithashtu në dispozicion tekste të rëndësishme të filozofëve nga arabishtja dhe hebraishtja, të cilat kryepeshkopi i konsideronte të rëndësishme për të kuptuar Aristotelin. Si rezultat i aktiviteteve të tyre, katedralja u bë një qendër përkthimesh e njohur si Escuela de Traductores de Toledo (Shkolla e Përkthyesve në Toledo), e cila ishte në një shkallë që nuk kishte të krahasuar në historinë e kulturës perëndimore. Përkthyesi më i frytshëm i Toledos në atë kohë ishte Gerardi i Kremones, që përktheu 87 libra. Në fund të shekullit XII dhe fillim të shekullit XIII, Marku nga Toledo përktheu Kuranin dhe vepra të ndryshme mjekësore. Ai gjithashtu, përktheu punimin mjekësor të Hunejn ibn Ishak Liber isagogarum.

Nën sundimin e mbretit Alfonso X i Kastiles, rëndësia e Toledos si një qendër përkthimi u rrit edhe më shumë. Duke insistuar që prodhimi i përkthimit duhej të ishte “llanos de entender” (“Lehtë për tu kuptuar”), ata arritën të krijonin një audiencë shumë më të gjerë, si në Spanjë, ashtu edhe në vendet e tjera evropiane, aq sa shumë studiues nga vende si Italia, Gjermania, Anglia apo Hollanda, të cilët kishin shkuar në Toledo për të përkthyer tekste mjekësore, fetare, klasike dhe filozofike, morën me vete njohuritë e fituara në vendet e tyre. Të tjerët përzgjidheshin dhe punësoheshin me paga shumë të larta nga mbreti në shumë vende të Spanjës, si Sevilje, Kordova apo vende të huaja si Gascony apo Paris. Michael Skot (c. 1175-1232) përktheu në 1217 veprat e Betrugit (Alpetragius), të famshmën Mbi mocionet e qiejve, dhe komentet me ndikim të Averroes në lidhje me veprat shkencore të Aristotelit.

Fermani i njohur i Sulltan Sulejman Kanunit

20/04/2013 Lini një koment

Prof. Dr. Mustafa ARMAGA

 

FERMANI I NJOHUR I SULLTAN SULEJMAN KANUNIT

Kanun Sulltan SulejmaniSulltan Sulejman Kanuni e mbron veten dhe thotë: “Unë jam ky”. Apo ” Unë nuk jam ai njeri që paraqitet në serial”.

Jemi dëshmitarë të asaj që diskutohet kohët e fundit rreth Sulltan Sulejman Kanunit, po, këto diskutime janë vetëm epshore. Nuk skruajnë skenare të saktë, nuk mund të bëjnë kërkime të vërteta. Me këtë veprim tregojnë injorancën e tyre, sillen e mbeshtillen rreth raporteve intime, për t’u kapur rreth çështjes së haremit. E kanë futur Sulltan Sulejmanin në një kallëp që nuk mund të njihet fare. As që shqetesohen se femijët e njohin këtë, sikur ai nuk paska pasur asnjë qëllim e as punë përveq grave dhe epshit. Ata nuk mund ta kenë këtë shqetësim, kurse ne po… Ejani e të bëjmë diqka më tjetër sot, të shohim nga vetë letra origjinale e Sulejmanit se kush ishte ai vërtet. Thënë ndryshe, seriali që përshkruan këtë periudhë, nuk ka të bëjë me realitetin.

Sulltan Sulejman Kanuni

Ka lindur në qytetin Trabzon të Turqisë më 27 prill 1495. Ishte i biri i Javuz Sulltan Selimit. U shkollua në Stamboll. Kur i vdiq i ati, kaloi në krye të Shtetit Osman, më 30 shtator 1520 kur ishte në moshën 25 vjeç. Me një sukses të madh qeverisi Shtetin Osman dhe ndërroi jetë derisa ndiqte rrethimin e Zigetvarit, më 7 shtator 1566, në moshën 71 vjeç. Ndryshe njihet si “Kanuni”, jo pse ky ka vendosur ndonjë ligj a kanun të ri, por sepse ligjet i zbatonte me një përpikëri të madhe. Periudha kur ai ishte në krye të Shtetit Osman, ishte një kohë kur shteti ishte më i pasuri nder të gjitha kohërat. Thënë ndryshe, ky padishah kaq i madh ishte njëkohesisht edhe bujar dhe i devotshëm në zbatimin e fesë islame.

Bali Beu

Gazi Bali Beu ishte nga komandantët. Ai i përkiste familjes së njohur Malkoç. Kishte lindur me 1495, pra ishte moshatar i Sulltan Sylejmanit. Ishte si udhëheqës bejlerbe ne Bosnje dhe Rumeli. Kishte bashkëshorte të bijën e Sulltan Bejazitit II, Ajnishah Sulltanin.
Njihet edhe si Koxha Bali Pasha. Me 1521 kishte marre pjese ne çlirimin e Beogradit, sa ishte ende i ri. Më vonë, më 30 gusht 1521, pas çlirimit të Beogradit, ishte caktuar si përgjegjës për mbrojtjen dhe kontrollimin e kështjellave.
Ka bërë shumë vepra me vlera të posaçme: medrese, shkolla, xhami e shumë e shumë gjera të tjera në shërbim të popullit. Më 1543 ishte caktuar përgjegjës i Budinit (Budapest). Pas shumë sukseseve që kishte korrur, përmes një shkrese, Sulltan Sylejmanit i kishte paraqitur një kërkesë. Si përgjigje të asaj kërkese, Sulltan Sylejmani i kishte shkruar këtë letër me këto këshilla të arta. Ndërroi jetë në vitin 1458. Këtë letër, në botën e shkencës së pari e ka paraqitur Yusuf Këllëç, që e kishte botuar në vitin 1989.
Më pas, letrën e ka paraqitur në një simpozium mbajtur nga CII-PO (Ankara, 1994). Një kopje të kësaj e kishte Toms Uluçay, i biri i Qagtay Uluçay-t; mendonim që origjinali gjendej në Depon e Budimit. Në veprën “Telhisu’l-Bejan” të Hezzarfen Husejn Efendiut, gjendet edhe një letër tjetër, për nga kuptimi e ngjashme, që çuditërisht i ishte shkruar nga Muradi I Evrenos Beut. Metoda i takon shekullit të 16. Kjo do të thotë qe Padishahët Osmanë u dërgonin bejlerëve nga një tekst që lexohej – “paralajmërim”. Kjo gjë nuk tregon se kjo letër nuk i përket Sylejmanit, po tregon se ne jemi para një forme që kishte përdorur ai”.
Kur të lexohet ajo, do të shihet se si Sulltan Sylejmani i kishte dhënë një rëndësi të madhe filozofisë shtetërore, moralit të punës, kuptimit të administrimit, reales dhe drejtësisë, dhe mbi të gjitha, se si ai paraqet pikën kryesore që kishte arritur saktësia e Islamit. Për shembull, në një ekspeditë, Bali Beu kishte çliruar disa kala dhe nuk kishte lejuar që ushtarët të shijonin prenë e luftës. Për këtë gjë Sulltan Sylejmani i kishte tërhequr vërejtjen menjëherë duke i thënë: “Praktikoje atë që kërkon Islami, unë nuk dua të hyjë në depon time asnjë grosh pa të drejtë”.
Sulltan Sylejman Kanuni e mbron veten dhe thotë: ‘Unë jam ky’. Apo ” Unë nuk jam ai njëri që paraqitet në serial”. Kjo letër, kaq e rëndësishme, është punuar nga ne, dhe ja, po e paraqesim:

Teksti i Fermanit për Bali Beun

Falënderimet qofshin për Allahun, ne morëm 18 kala dhe 30.000 rrëshqitëse i keni dërguar ne Tersane-i Amire. Keni dhënë lajmin se keni hequr kokat e 60 mijë qafirëve. Ji fatbardhë dhe qofsh faqebardhë në dynja e Ahiret, të qoftë hallall buka. Por, si shpërblim për këto shërbime, keni kërkuar një post. O Gazi Bali Bej, posti nuk jepet për shkak të nderit. Nëse ti na zë për të madhe këtë shërbim dhe këtë mirësi, ne të kemi bërë tri mirësi para kësaj, dhe po i themi: E para: Të kemi quajtur “Emir – udhëheqës i besimtareve”;
E dyta: Si shpërblim i të arriturave, të kemi dërguar “Hil’at-i Fahire” (Një pallto që u vishej padishahëve si lloj shpërblimi për diçka);
E treta: Të kemi dhënë brigadën e plotë për të arritur fitime e çlirime sikurse ajo e Pejgamberit s.a.w.s.. Ne të kemi shpërblyer me këto tri gjëra dhe të kemi ngritur. Nuk ka begati më të madhe se këto. E tani ti, do të falënderosh këto të mira dhe falënderimin e çon në vend.
Dhe, ta dinë mire këtë gjë: Zotëria i ngjan një peshoje me dy shkallë. Njëra prej tyre është Xheneti-parajsa, e tjetra është Xhehenemi-ferri. Shërbimi prej një ore me drejtësi në këtë bote kalimtare, është më i vlefshëm sesa ibadeti nafile prej 70 vjetësh. Na mundësoftë që Krijuesi ynë i Madhërishëm, të na ringjallë me të drejtët atë ditë. E të mos e nxirrni nga kujtesa atë ditë përfundimtare. Të jeni në një shqetësim se ashtu sikur zjarri i djeg drutë e thata, të mos i djegë edhe ajo ditë veprat tona. Nëse ne nënçmohemi dhe zhvlerësohemi në ditën e llogarisë për shkak të padrejtësive në ato vende ku fjala jonë dhe urdhri ynë ka ndikim për ministrinë e mbrojtjes dhe bejllëkun, do të kapemi për ty e ti atë ditë nuk do të shpëtosh aq lehtë nga dora ime. Jini shumë të kujdesshëm, mos u mburrni për arritjet tuaja dhe të mos thoni unë çlirova me shpatë një vend, me forcën time.
Shteti – vendi, është së pari dhe i përket Krijuesit Bujar, e më pastaj i është gostitur halifes – udhëheqësit të muslimanëve. Te gjitha punët t’i dini se janë nga Allahu.
Dhe kam dëgjuar që: Pasurinë dhe prenë e kështjellave që keni çliruar, e keni ndarë për bejtu’lmal (arkën shtetërore) dhe atë nuk ua keni ndarë ushtareve. Një të pestën e saj ndajeni për arkën shtetërore, kurse pjesën tjetër shpërndajuni ushtarëve islamë. Sepse ajo pre-pasuri lufte është e ushtarëve të Islamit. Të moshuarit nga ushtarët t’i konsiderosh si prindër, me të mëdhenjtë se ti konsideroji vëllezër dhe ata më të vegjël – si fëmijët e tu. Qëndro i denjë ndaj prindit dhe gostite atë, kujdesu për vëllezërit e tu dhe respektoji, ndërsa fëmijët ledhatoji e mëshiroji. Të mos u shkaktosh vështirësi ushtarëve të Islamit, të mos e mbash larg tyre pasurinë dhe begatinë që e ke në pronë, t’ua shpërndash atyre. E nëse nuk të mjafton pasuria për ushtarët dhe ke vështirësi, informoje anën tanë. Me ndihmën e Allahut të Lartësuar, unë nuk jam i ngratë të mos i dërgoj një mije-dy mijë qese pasuri.
Dhe të mos i obligosh klasën punëtore fshatare me ndonjë tarifë tatimesh, që nuk mundë ta përballojnë. Duhet të qëndrosh larg kësaj gjëje, në mënyrë që atëherë, kur kjo klasë jona të jetë e qetë në këtë drejtim dhe kur klasa punëtorë fshatare jomuslimane ta vërejë këtë, – të anojnë nga ne dhe të bëhen fqinjë tanë. Të hulumtosh dhe të shikosh në ato vende, kasaba, e qytete, nëse ka ndonjë të varfër musliman nga Ymeti Muhammed, dhe është i nevojshëm për sadaka-lëmoshë, t’u japësh (atyre) ushqime nga arka shtetërore. Ngase të varfrit janë robërit e pranuar të Allahut të Madhëruar, kurse depoja dhe arka shtetërore (bejtu’l-mal) është e drejtë e robërve të Allahut.
Dhe, nëse nga ajo zonë ka anëtarë me prejardhje nga fëmijët e Pejgamberit tonë të dashur, t’i caktosh nga një flori në ditë çdonjërit nga depoja dhe pasuria shtetërore, kështu që ata të mos i lini kurrsesi në vështirësi. Kryeavokatin dhe gjykatësin, njëherësh margaritari i begative dhe shprehjes Mevlana Mustafanë (Allahu ia shtoftë begatinë e tij), e kemi caktuar dhe dërguar si gjykatës tek ushtria jonë. Mos bën ndonjë kusur dhe mos shprehni ndonjë të metë në pritjen dhe përshëndetjen e tij të paskajshme, kur të arrijë atje. Veproni sipas hadithi sherifit, duke mos treguar paaftësi ndaj tij, sa kohë që thuhet: “Dijetarët janë trashëgimtarët e Pejgambereve”. Mos gabo t’ia besosh gjendjen e mëhershme të dikujt, nëse dëshiron ta futësh në një shërbim. Ka plot nga njerëzit që duken se janë futur në rrugët e devotshmërisë dhe largimit nga dëshirat, kjo, ngaqë nuk u ka rënë në dorë ndonjë mundësi. Por, kur u krijohet ndonjë rast, ata tejkalojnë Faraonin dhe Nemrudin. Të tillët mos i merr në shërbim pa i parë përvojat e tyre në punë herë pas here. Atë merre në punë, nëse gjendja e tij më përpara është e njëjtë me gjendjen e mëvonshme.
Dhe ka prej disave që ditën e kalojnë me agjërim, kurse natën me namaz, por ata janë të tillë qe anojnë dhe e lakmojnë shumë dynjanë. Të ikni dhe largohuni shumë prej njerëzish të tillë. E as ti mos e lidh shpirtin për një gjë që është kalimtare. Kishe vendosur t’i lësh vakëf disa fshatra dhe vende. Betohem në Allahun e Lartësuar që, nëse do, lëri vakëf të gjitha vilajetet që ke çliruar, dhe kjo për mua është e pranuar. Dhe, nëse zbehin hatrin e fëmijëve dhe gjirit tënd familjar padishahët që vijnë pas meje, atëherë mallkimi i Allahut, melaikeve dhe i gjithë besimtareve i kaploftë ata. Por, edhe do të dëshmoj dhe do t’i akuzoj ata edhe në Ditën e mahsherit – ringjalljes.
Tani: O Gazi Bali Bej! Edhe ti je një kalorës, ke një shpatë të mprehur, të njeh dhe kupton mirë trimëritë dhe bashkëpunimit. Dhe kudo që të ecësh, ecja jote të jetë prej kalorësi, e shpata e mprehur, që dëshira dhe gjëja për të cilën anon, të jetë e hapur, që Allahu i Vërtetë të të ndihmojë në punët e dobishme të Fesë Islame, të jetë përkrahësi yt dhe mbrojtësi ynë në çdo hap. Amin, për hak te Sejjidu’l-murselinit – Zotërisë tonë Muhamed Mustafasë.

Përktheu nga gjuha turke: Mr. Zymer Ramadani
Burimi i tekstit: http://www.zaman.com.tr

“Zhduken” dorëshkrimet e bejtexhinjve

11/04/2013 Lini një koment

Jorgo BULO

“ZHDUKEN” DORËSHKRIMET E BEJTEXHINJVE

Jorgo Bulo

Jorgo Bulo

Qindra faqe dorëshkrime nga fondi i bejtexhinjve, prej një viti e gjysëm janë “zhdukur” nga arkivi i Institutit të Gjuhësisë. Studiuesja Genciana Abazi, e cila është njëkohësisht edhe punonjëse në këtë Institut, i ka marrë materialet nga fondi i arkivit dhe i ka nxjerrë jashtë institucionit. I ka marrë në shtëpi dhe pas denoncimit të bërë nga drejtuesit e institutit, i ka dorëzuar në Arkivin e Shtetit në ruajtje. Në këtë status dorëzimi, tashmë vetëm Genciana, mbesa e studiuesit të mirënjohur Osman Myderizi, i cili i ka transkriptuar të gjithë tekstet e bejtexhinjve, ka të drejtë t’i shohë e t’i tërheqë nga Arkivi u Shtetit. Askush tjetër veç saj nuk mundet t’i marrë ato dokumente dhe t’i studiojë.

Genciana ka pretendimet e saj. Shumë studiues dhe trashëgimtarë si ajo i japin Gencianës të drejtë morale për këtë veprim. Prej 17 vitesh, humbje të mëdha dhe të pariparueshme po ndodhin me arkivat shqiptare. Dokumente pafund të zhdukura, të cilave sot nuk u gjendet asnjë gjurmë. Për të mos përmendur momentin delikat ku gjenden sot të gjitha institutet shkencore, pas krizës që po kalon Akademia e Shkencave. Kryetari i Akademisë, Ylli Popa u shpreh me keqardhje para pak ditësh, se rreziku më i madh në këtë rast u kanoset arkivave të gjithë institucioneve që ishin deri më dje nën varësinë e Akademisë së Shkencave. Dhe sot, arkivat, që janë themeli i të gjithë këtyre institucioneve shkencore, janë në rrezik. Qindra herë kemi dëgjuar për ndërrim ambientesh nga një godinë në një tjetër, për rikonstruksione të ndryshme e lëvizje të tjera, që përbëjnë një rrezik të vazhdueshëm për arkivat e tyre. Vetëm një raft sikur të ndërrohet, rrezikon të humbasë rendi i vendosjes, e për pasojë një dorëshkrim, a qoftë edhe një dokument i vetëm të mos gjendet për vite të tëra…

Genciana trishtohet për faktin se gjithë ajo punë dhe mund i gjyshit të saj mund të rrezikojë të humbasë përgjithmonë. E pak më tej, njerëz pa skrupuj kanë zgjatur duart dhe kanë përvetësuar punën e Myderizit, pa e cituar se e kujt është kjo pronë intelektuale. Por këto janë çështje që nga ana insitucionale nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Jorgo Bulo, drejtori i Institutit të Gjuhësisë, është shqetësuar pasi ka marrë sinjalizimet për zhdukjen nga arkivi të këtij thesari. Si drejtues i këtij institucioni, ai e ka denoncuar këtë rast dhe tashmë çështja është në Gjykatë. Genciana nuk pranon t’i kthejë dorëshkrimet aty ku i ka marrë. Ka gjetur një rrugë private për t’i mbrojtur, e bindur se ajo ka të drejtë të veprojë ashtu. Ndërkohë, prej disa muajsh e mbase dhe për shumë kohë të tjera, derisa të kthehen, nëse gjykata vendos të kthehen në arkiv, asnjë studiues nuk ka të drejtë t’i shohë ato dokumente. Askush nuk mund të studiojë mbi bejtexhinjtë… Si nisi kjo çështje që tashmë po synohet të zgjidhet me gjyq?

Bëhet fjalë për një nga punonjëset tona këtu në Institut, e cila punonte për një temë të caktuar rreth të cilës ne kemi një koleksion dokumentesh. Si punonjëse e Institutit, ajo ka të drejtën si kushdo studiues tjetër, t’i shfrytëzojë. Por në bazë të rregullave që ka arkivi dhe sipas këtyre rregullave, ajo mund t’i shfrytëzojë materialet në mjediset e institucionit. Por ajo ka shfrytëzuar besimin dhe i ka marrë në shtëpi materialet. Kur drejtoria është informuar se ajo i ka marrë materialet në shtëpi, ndërhymë menjëherë dhe kërkuam që t’i kthejë e të punojë me to sipas rregullave që kanë të gjithë arkivat. Ajo nuk pranoi t’i kthejë. I kemi bërë disa herë kërkesë me shkrim dhe me gojë, por sërish nuk i ktheu. Atëherë ne u detyruam që ta denoncojmë në organet e drejtësisë. Nuk kërkojmë asgjë tjetër, veç t’i kthejë materialet që ka marrë në Arkivin Shkencor të Institutit, sepse ato janë pronë intelektuale e Institutit.

Për çfarë dokumentesh bëhet fjalë?

Këto janë një koleksion mjaft i rrallë dorëshkrimesh që lidhet me krijimtarinë poetike të bejtexhinjve. Janë tekste të shkrimtarëve bejtexhi, duke filluar nga tekstet e frashërllinjve, Dalip e Shahin Frashëri, e deri te Nezim Frakulla, Sulejman Naibin, Hasan Zyko Kamberi, etj. Janë tekstet origjinale, dhe ato të transkriptuara. Me ç’argumente e mbron punonjësja juaj këtë veprim?

Një nga pretendimet e saj është se ajo ka lidhje farefisnore me Osman Myderizin, i cili e ka bërë këtë punë, pra transkriptimin e teksteve. Ai ka qenë punonjës i Institutit. Ne, për shkak të kësaj lidhjeje, jemi treguar të gatshëm që nëse ajo do që t’i ketë këto materiale, t’i japim një kopje falas. Nga ana tjetër, ajo ngre pretendimin absurd se ka raste që janë shfrytëzuar këto materiale nga dikush dhe nuk është cituar autori. Por kjo nuk është çështje e arkivit dhe e institucionit. Kjo është një çështje e të drejtës së autorit. Nëse dikush i shfrytëzon materialet dhe nuk i citon, është përgjegjësi e tij dhe mund ta hedhësh në gjyq. Ne nuk mund të pengojmë askënd që të vijë e të shfrytëzojë materiale në bazë të rregullave të arkivit, nën mbikëqyrjen e punonjësit të arkivit. Natyrisht, edhe të mbajë shënime nëse ka nevojë, apo të marrë fotokopje të teksteve të caktuara nëse i duhen. Të gjithë këto janë të sanksionuara në ligj. Nuk ia pengojmë askujt këtë. I quani të pabaza pretendimet e saj?

Të gjithë argumentat që mund të paraqesë ajo zhvleftësohen, sepse bien në kundërshtim me ligjin. Sipas ligjit mbi arkivat, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, materialet që hyjnë në arkiv janë të pakthyeshëm, pavarësisht nga koha apo mënyra se si kanë hyrë në arkiv. Nga ana tjetër, materialet e Arkivit shfrytëzohen vetëm në mjediset e arkivit. Nuk mund të dalin jashtë, përveç rasteve të jashtëzakonshme, kur prokuroria, fjala vjen ka nevojë të bëjë një ekspertizë. Por edhe në këto raste do t’i marrë i shoqëruar nga një punonjës i Arkivit, të shkojë të bëjë ekspertizën dhe brenda ditës t’i kthejë. Keni informacion se ku gjendet sot ky koleksion dokumentesh? Po. Pasi ne e denoncuam rastin në organet e drejtësisë, ajo i ka çuar dokumentat në Arkivin e Shtetit. I ka çuar atje, por jo në statusin t’i dorëzojë në Arkivin e Shtetit, por në ruajtje. Çdo të thotë “në ruajtje”?

Është e njëjta situatë si me një kasafortë në bankë. Nëse unë kam ca para dhe s’dua t’i mbaj në shtëpi, i çoj në bankë. Ajo i ka çuar në arkiv dhe tani ka të drejtë t’i tërheqë sërish kur të dojë. Por nuk janë të shfrytëzueshme nga të tjetër. Askush tani nuk mund t’i marrë ato materiale për t’i studiuar. Ky është problemi. Është e thjeshtë, ne nuk kërkojmë as më shumë e as më pak, por të kthehen ato materiale që janë pronë intelektuale e Institutit. Sa pjesë e fondit të bejtexhinjve i mungon sot arkivit tuaj?

Janë një pjesë e mirë e këtij fondi që i mungojnë tashmë. Janë disa qindra faqe. Dhe ajo që përbën vërtet problem në këtë rast, është fakti se ato janë kopja e vetme. Ato materiale nuk ekzistojnë askund tjetër. Dhe që nga ai moment, asnjë studiues nuk mund të bjerë më në kontakt me to. Është një rast i rrallë. Nuk ka ndodhur kurrë, por është një dëm i madh për arkivin tonë. Prej sa kohësh i mungojnë arkivit tuaj këto dokumente? Ky problem ka kohë që ka lindur. Janë bërë thuajse katër muaj që ne jemi në gjyq për këtë çështje. Që në qershor ndoshta, e kemi denoncuar.

Ajo është ende punonjëse këtu në Institut?

Po, këtu punon. Por ne nuk kemi dashur që të merret masë ndaj saj. Vetëm të kthejë materialet. Materialet aktualisht janë në Arkivin e Shtetit? Tani ndodhen në Arkivin e Shtetit. Megjithëse ende nuk e dimë ekzaktësisht se çfarë ka çuar atje në ruajtje, por unë besoj se i ka dorëzuar të gjitha. Dhe sipas logjikës së statusit të dorëzimit në ruajtje, ajo tashmë është pasuri e saj. Mund të ndodhë që një pjesë e një fondi nga një arkiv për arsye të ndryshme, nëse është më i shfrytëzueshëm diku tjetër, mund të transferohet, siç është rasti i Arkivit të Shtetit. Por kjo bëhet midis institucioneve. Nuk mund të bëhet në mënyrë private.

Poeti Mesih Prishtina

26/03/2013 Lini një koment

Prof. Dr. Irfan MORINA

 

POETI MESIH PRISHTINA

Dr. Irfan Morina

Dr. Irfan Morina

Nuk është i vogël numri i poetëve tanë të cilët linden, rininë e tyre e kaluan në Rumeli, por për të  ndjekur shkollimin shkuan në Stamboll dhe atje u dalluan në  lëmin e letërsisë. Njëri prej tyre është edhe poeti i njohur i shekullit XV, Prishtineli Mesihi (Mesihi i Prishtinës). Në  disa burime thuhet se është quajtur Isa1. Për këtë edhe kishte përdorur pseudonimin Mesihi. Në të gjitha tezkiret është regjistruar se Mesihi ishte nga Prishtina. Poeti qysh si ri është ndarë nga vendlindja dhe kishte shkuar ne Stamboll për t’i vazhduar studimet5. Derisa ishte i ri u dha pas kaligrafisë dhe për një kohë të shkurtër hyri në mesin e kaligrafëve më të njohur të asaj kohe. Një kohë e kaloi në ushtri. Nuk ka ndonjë të dhënë të saktë për kryerjen e shkollimit të tij. Është e mundur që shkollimi i Mesihit të ketë qenë për një kohë të shkurtër, por nuk ka dyshim në faktin se poeti kishte arritur arsimim të përsosour. Nga vepra e tijë shihet qartë se ai kishte njohuri nga gjuha arabe, e sidomos nga ajo persiane, ashtu që kishte arritur të shkruaj punime letrare në këto dy gjuhë. Një kohë të shkurtër, në vitet e rinisë. Mesihi ishte edhe sipahi2. Suksesi në kaligrafi dhe dashuria e tij në këtë art, poetit i ndihmoi të fitoj popullaritet dhe u bë i afërt tek Ali pasha, i cili u bë mbrojtësi i vetëmi i tij, dhe Mesihin e emroi sekretar (qatip) të divanit. Gjithashtu Ashik Çelebiu shton se Mesihi ishte shoqëruar me Ali Pashën. Por, për fat të keq poeti ishte i pakujdesshmëm dhe i dhanë pas epsheve dhe ia kishte ëndja alkoolin, gratë dhe zbavitjen. Edhe pse Pashait këto gjëra nuk i pëlqenin fare, ai nga respekti që kishte për të bëhej sikur nuk i shihte këto gjëra. Thuhet se kur pashës i duhej të shkruante diçka, poetin nuk e gjente në krye të detyrës dhe thonte: “Gjejeni djalin e këtij qyteti?” Portirët atë e gjenin në Tahtakale3 ose në kabare duke u zbavitur me femera. Një ditë Mesihi për t’i shikuar bukuroshet e krishtera bashkë më Shemin4 kishin shkuare në një kishë në Gallatë. Njëri nga poetët elegantë të asaj kohe i cili kishte këta dy në atë vend, në një katren, thotë:

“Mesihi kishte shkuar në kishë në Gallatë

bile me atë kishte qenë edhe Shemi,

ata që dëgjuan, mohuan duke thënë,

Mesihi kishte ndezë një qiri në  kishë

Mesihi kishte kontakte edhe me poet të tjerë të  asajë kohe, dhe kështu mes tij dhe Zatit kishte ndodhur një  zënkë. Po në atë kohë vdiq edhe Hadim Ali Pasha në betejë kundër kryengritjes “Shah Kullu” në  vitin 1511 m. Kështu që Homeri, Hadim Ali Pashën e përshkruan si njeri të dobët-të pafuqishëm fizikisht, por besnik e dashamir i shkencës (diturisë), për të cilin ishin thurrur shumë poezi në mesin e të cilave bënë pjesë  edhe elegjia e Mesihit5. Rasti i vdekjës së H. A. Pashës ishte një pikë kthimi dhe një grusht i rëndë që e detyroi poetin të jetojë në të varfëri.

Hadim Ali Pasha dhe Mesih Prishtina

Hadim Ali Pasha ishte sadriazam (kryeministër) i sulltan Bajazidit II, dhe i takonte një familjeje aristokrate në Babussade. Me marrjen e sundimit të sulltan Bajazidit, Ali Pasha u emërua kryetar i sanxhakbejlerëve (guvernator) të Karamanit. Duke qenë  kryetarë i sanxhakbejlerëve të Rumëlisë, në vit 1485 me dëshirë për të pushtuar Akermanin e Vojvodës Bogdane ndërmerr një ekpseditë në në Eflak. Ekspeditë të cilën historianët e  kohës e përshkrujnë  si një udhëtim ushtarak të shkëlqyeshëm. Ali Pasha në  vitin 1486 u emërua vezir. Në këtë periudhë në  pranverën e vitit 1487, në betejat në mes egjiptianëve dhe torosve, ushtria osmane pësoi disfatë, dhe Ali Pasha bashkë  më ushtrinë nga Rumelia iu bashkua Daut Pashës. Gjithashtu bëri renovimin e kullave të Adanes së Tursusit dhe i siguroi ato. Kullën e Pajasit dhe Sisit i mori nën komandën e vet. Në  këtë kohë, në mesin e ushtarëve u paraqit një sëmundje dhe u muarr një vendim që disa oficerë të ktheheshin prapa, por Hadim Ali Pasha ishte kundër këtij vendimi dhe u detyrua të përleshet me ushtrinë egjiptiane. Me plaçkitjen e mallrave dhe ushqimit nga ana e egjiptianëve dhe posaçërisht sëmundja për shkak të ndërrimit të klimës së ushtarëve u detyrua të përleshej me ushtrinë egjiptiane. Plaçkitja e mallrave dhe e ushqimit nga ana e çetave egjiptiane, nga sëmundja që i kishte kapluar ushtarët e Rumelisë për shkak të  ndërrimit të klimës dhe lodhja e madhe, u bënë të  padurueshme. Afër lëndinës së drunjve plasi një  luftë e ashpër më pjesën më të madhe të  ushtrisë. Kjo përfundoi me ikjen e egjiptianëve dhe Ali pasha nuk pati fuqi t’i ndjekë, prandaj me gjithë ushtrinë e vetë u tërhoq në Karaman.

Ali pasha ngadhnjeu edhe ndaj Shehzade Selim Çorlu, i cili ishte ngritur të marrë sundimin nga i ati i tij. Pastaj në Anadoll me largimin  nga detyra e të birit Çapkën Karabijikit, i ashtuquajturi “Shah Kullu”, Shehzade Ahmeti bashkë me Ali Pashën duke u kthyer nga Amasya në vendin e quajtur Kizilkaja iu bashkua sadrazamit. Ali Pasha komandën e ushtrisë e la në  duar të Shehzadës dhe me një ushtri prej dy mijë vetave u drejtua kah “Shah Kullu”. Përleshja ndodhi në Gokçaj në mes të Sivasit dhe Kajserit. Edhe pse Sadriazami i sulmoi furishëm çapkënët, këta iu kthyen me shpata dhe i mbytën ata.

Pas vdekjes së Hadim Ali Pashës

Me betejën në “Shah Kullu” në vitin 1551, në rrjedhat jetësore të Prishtinali Mesihit u paraqitën shumë ndryshime. Pas kësaj ngjarjeje tragjike, Mesihi filloi të qojë një jetë boemi e në varfëri. I mbyllur në vete për t’i shprehur brengat e mbrendshme, shkroi një elegji shumë të bukur. Në një varg ai thotë:

“Nuk dij ta përshkruaj

këtë ngjarje të madhe

derisa bota iu kishte nënshtruar atij

atë,  Ali pashën e mori Erdebili”

Poeti në këtë elegji jo vetëm që vajton Ali Pashën, por edhe me të gjitha hollësit e përshkruan betejën Shah Kullu. Siç vërehët edhe në poezi, poeti zhurmën e pjestarit të grupit muzikor brenda ushtrisë dhe daullën e gërnetën i krahason me murmurimën dhe vetëtimën, kurse kokat e prera dhe të  coptuara me kullojsen (filterin), kazanin e luftës e krahason me detin  Hun .Duke na përshkrua të gjitha këto në një vend të elegjisë shprehet  kështu:

Hë ku mbeti Sadri Azami (Ali Pasha)

Ku mbeti grupi i daullave, tufa e kuajve

Mesihi, Hadim Ali Pashës ia kushton elegjinë më të  bukur e më të prekshme dhe më në fund të  kësaj poezie  ka nevojë për një mecen të ri, kështu që elegjinë e tij duke ia paraqitur Junus Pashës, e përfondon me këtë dy vargësh:

”Edhe nëse njeriu i mbyllë sytë në këtë dynja

Junus Pasha, ti rrofsh deri në Kiamet”

Mesihi e pa se nuk ka përfitim nga Junus Pasha dhe u drejtua te Nishanxhi Taxh Zade Xhefe Çelebiu. Shumicën e kasideve më të mira ia kushtoi atij. Meqë Mesihin nuk e kënaqën të ardhurat e Mecenit të tij, u detyrua që të punojë në  një pemtari në Bosnjë dhe me disa akçe që fitonte në vit, jetonte. Derisa jetoi në Bosnjë, shkroi disa poezi në të cilat reflektoheshin veçoritë tradicionale të popullatës, mënyra e jetesës, veshjet e pastërta dhe bukuritë  e Bosnjës. Ai shprehet:

“Eja sonte të bëjmë sefa në Saraj

kush e din nesër, kujt do ti buzëqesh fati për të pirë

I thash:Pse e gjuajte zogun e shpirti e zemrës

Më tha: këtu është Bosnjë  ndonjëherë frikacaku bëhët trim”

Mesihi, ndër të tjera, i shkroi poezi edhe sulltan Javuz Selimit. Meqë sulltan Selimi në  atë kohe kishte qenë  shumë i zënë, nuk ishte marr me poetin. Mesihi i dëshpruar në varfëri, kaloi në botën tjetër ditën e premte në  mbrëmje më 30 qereshor 1512. Poeti në një poezi dy vargëshe porosit që kur të vdese ky të mos brengoset kush dhe askush të mos vishet në të zeza:

“Këshillë, në qoftëse vdes Mesihi,të mos  veshet kush në të zeza

fytyrat e të dy botave qëndrojnë  të bardha se qefin”.

Koha kur jetoi poeti

Është e pamundur të caktohet saktësisht se ku jetoi Mesihi. Nuk dihet as sa vjeçe ishte kur u largua nga Prishtina, por sipas gojëdhënave, rinin e kishte kaluar në Prishtinë. Jeta e tij ne Stanbol i përketë viteve të sulltan Bajazidit II. Po në këtë qytet kishte  kaluar edhe tre muaj të sundimit të sulltan Javuz Selimit. Në poezitë e Mesihit nuk përshkruhen ngjarje historike të saj periudhe. Poezitë e tij nuk përmbajnë elemente historike e as ekspedita ushtarake, lindje e vdekje. Përshkruan vetëm betejën e kryengritësit Karamanoglu Kasim Beut me Hadim Ali Pashën, në të cilën betejë Ali pasha bjerë dëshmor.

Vlerësohet se elegjia përmban një vlerë të madhe artistike. Thuhet se kjo elegji është poezia më e shkëlqyeshme e tij6.

Krijimtaria e Mesih Prishtinës

Mesihi është një poet original në radhet e poetëve të poezisë së divanit. Fantazia, origjinaliteti i zbulimeve dhe thellësia e mendimeve ia mundësuan poetit që të  krijojë një stilt ë veçantë, stil që mund të kuptohet vetëm nga njerëzit e shkolluar. Për këtë  fakt, Ashik Pasha kur fletë për Mesihin, thotë se Isai (Mesihi) është ai që duke i fryrë poezisë i jep shpirt asaj. Kurse Ahmed Pasha thotë se Mesihi ëhstë  themelues i “folesë së poezisë së Rumelisë  dhe shtylla e parë e kësaj fështë Nexhati, pastaj Mesihi. Gjithashtu Ahmed Pasha thekson se Mesihi është liriku dhe poeti nga më të veçuarit. Ai është i treti me radhë, pas Nexhatiut dhe para Bakiut.

Poeti ka tri vepra kryesore:

a. Divani

b. Shehrengiz

c. Gul-i sadberk

Divani i tij përmban 1 munaxhat (lutje), 21 kaside (ilahi), 1 mersije (elegji), 1 shehrengiz, 290 gazele (lirika), 13 kita’ (pjesë), 5 matlla dhe 3 mufrede, gjithësej përmban rreth 1.800 dyvargjëshe (bejte)

Shehrengizi; është një zhanër letrar të cilin për herë të parë e ka shkruar Mesihi. Shkencëtarët e huaj dhe sidomos Gibb i kushtojnë një rëndësi të veçantë shehrengizit. Origjinaliteti i kësaj vepre është pika e cila i kishte e tërhequr vëmëndjen Gibbit. Këtë zhanër të cilin e nisi dhe e kultivoi Mesihi, nuk kishte mostër as në letërsinë persiane. Kjo vepër e poetit është një gërshëtim i humorit artistik; një përshkrim i jetës shoqërore dhe bashkë me atë një parafytyrim i të dashurës, ashtu si në letërsinë klasike. Edhe pse nuk ka ndonjë risi nga ana e formës dhe metrit, tema e kësaj vepre është krejtësishtë e re. Përbëhët nga tri pjesë:

a. Hyrja

b. Përmbajtja

b. Përfundimi

Hyrja ndahet në pese pjesëza. Në dy pjesët e para poeti kërkon mëshirë prej Zotit për t’ia falur mëkatet. Kurse në fund të pjesës së dytë nga Zoti dëshiron që shehrengizin ta bëjë të njohur në qytet:

”O Zot mëshiroje fjalën time

Jipi popullaritet këtij shrengizi në këtë  qytet

Me këtë dyvargësh kuptohet se poeti këtë poemë  e quan “shehrengiz” dhe me thënien “shehr icre”sigurisht ka për qëllim qytetin e Edrenes ku është shkruar kjo poemë. Në pjesën e tretë një natë dhe në pjesë  ne katër fillon ta lavdrojë qytetin. Më pastaj kalon në  esencën e temës ku përshkruan djemtë të cilët lahen në lumin Tunxha.

Katër pjesët e para të shehrengizit nuk kishin lidhje me përmbatjen e poemës. Zakonisht fillimet e poezive të tij janë përkujtime. Në shehrengiz përmenden 46 emra të djemve.

Secili prej tyre i kushtoi nga dy vargje. Dy të rinjë  i ka dalluar dhe njërit prej tyre i kishte kushtuar tre e tjetrit katër vargje. Në vargjet e përmendura nuk janë portretet e sakta të personave. Për karakteristikat e tyre disa herë mjaftojnë  vetëm nga dy fjalë. Thuaj se e gjithë poema përbëhet nga një  aludim humoristik me emrat, profesionet dhe me punët tregtare të  baballarëve të të rinjve.

Shumica e të rinjëve i takon shtresës së ulët të  atij vendi. Nga stili i veprës, shihet qartë se është  një vepër krejtësishtë e re. Mesihi në krijimtarinë  e tij plotësisht ishte nën ndikimin e letersisë klasike persiane. Shehrengiz ishte shkruar me një shprehje të thjeshtë, janë  përdorur fjalë turke nga thesari popullor.

Gul Sadberk (Trëndafili me njëqind gjethe) është vepra tjetër e Mesihit, e shkruar në prozë. Aty ka rreth 100 letra, që ishin shkruar për shkaqe të ndryshme. Është përdorur një gjuhë e thjeshtë dhe e pastër.  Përmban veçori artistike e elemente nga proza klasike turke.

Në divanin e tij shembulli karakteristikë e krijimtarisë  së tij është poezia e quajtur “Baharije”. Këtë ode ia kishte kushtuar Xhafer Çelebiut. Kjo poezi tek ne reflekton ndjenjat pesonale dhe ideologjinë e Mesihut. Zatën poeti para se gjithash dëshirën më të madhe e kishte të shëtiste jashtë sarajit nëpër kopshte, të kalojë kohën nëpër kabare dhe të takohet me femra. Më poshtë do të shohim poezin “Baharije” me të gjitha karakteristikat e saj. Më 1774, orientalisti anglez, Sir Viliams Johns, botoi veprën “Antologjia e poezis Anadollijane”, ku ai shprehet se në lëtersinë turke vetëm Mesihi është ai që kishte thurrur poezi për pranverën. Në këtë antologji V. Johnsi prezantoi poezinë “Baharije” në origjinal dhe me përkthim në gjuhën latine. Më vonë poezia ishte pëkrkthyer në gjuhën italiane, frënge, ruse, gjermane, angleze dhe serbokroate. Përkthimi më i sukseshëm i kësaj poezie u bë në Beograd nga themeluesi i degës së orientalistikës prof. dr, Fehim Bajraktaroviq. Me të drejtë Ismail Ereni thotë se Bajrakatreviqi gjatë përkthimit të kësaj poezie kishte pasur kujdes të madhë për të mos iu shmangur origjinalitetit dhe i kishte kushtuar rëndësi të madhe ruajtjes së metrit dhe rimes. Edhe prof. H. Kaleshi thekson se kjo poezi mund të përkthehet edhe më mirë në gjuhën shqipe.

Mesihi në pjësën e dytë të shekullit XV bënte pjesë ne mesin e artistëve të dalluar, siç ishin Ahmed Pasha dhe Nexhatiu. Edhe pse kishte shumë vepra të  shkruara ai vetëm me divanin e shehrengazinin arriti të popullarizohet, por u popullarizua sa e meritonte. Në krijimtarin e Mesihit vërehen edhe provincializimat e Ballakanit si një poet i lindur e rritur në Prishtinë, siç ishte Mesihi. Në një poezi të tij hasim edhe fjalën serbe “shumar“- pyllëtar. Krahasuar me bashkëkohësit e tij, gjuha e Mesihit ishte e thjeshtë dhe e pastër.

Burimi: http://www.studimeorientale.com/portal/2012/07/19/poeti-mesih-prishtina/

Berati mes dokumentesh të Arkivit Osman

22/03/2013 Lini një koment

Dilaver XHELILI

BERATI MES DOKUMENTESH TË ARKIVIT OSMAN

Katalogu i dokumenteve të ekspozuara

Katalogu i dokumenteve të ekspozuara

Që nga numërimi i popullsisë, te mjeshtërit e kalldrëmeve, pronat, tërmeti, ndërrimet e krerëve fetarë…  Të gjitha në një ekspozitë me dokumente të rralla, që vijnë prej mesjetës në ditët tona. Në pallatin e kulturës “Margarita Tutulani” në Berat është hapur ekspozita “Berati në dokumentet e arkivit osman”, përgatitur nën titullin simbolik “Ura e kulturës që lidh Bagxhëllarin me Beratin”, për nder të organizatorëve të kësaj ekspozite. Në një ditë feste pagane, në Ditën e Verës, e cila në të vërtetë vetëm me stinën plot diell nuk ngjante, u hap një ekspozitë e veçantë, me rëndësi sa historike, aq edhe artistike. Kjo ekspozitë, rezultat i një bashkëpunimi mes Bashkisë së Beratit dhe Bashkisë turke Bagxhëllarin- Stamboll, përbëhet nga 30 dokumente që ruhen në Arkivin Osman të Kryeministrisë së Turqisë në Stamboll. Në hapjen e kësaj ekspozite morën pjesë përfaqësues të bashkisë vendëse, kryebashkiaku Fadil Nasufi,  dhe përfaqësues të Bashkisë turke të Bagxhëllarit dhe të Ambasadës Turke në Tiranë. Sipas përfaqësuesit turk, “turqit dhe shqiptarët janë dy popuj të afërt me njëri-tjetrin, të cilët kanë ditur të zhvillojnë kulturën dhe bashkëjetesën mes tyre, që nga koha kur historia i prezantoi me njëri–tjetrin në Ballkan”. Më tej u shpreh se këta dy popuj që kanë kaluar një kohë të gjatë së bashku nën sundimin e Perandorisë Osmane, kanë arritur të jetojnë në paqe me njëri- tjetrin në pjesën më të madhe të historisë, duke përjashtuar këtu rastet e ngjarjeve të padëshiruara që mund të kenë ngjarë hera-herës. Gjatë ceremonisë u fol sigurisht për qytetin e Beratit, i cili ka qenë një qendër e rëndësishme tregtare gjatë Perandorisë Osmane.

Dokumentet
Dokumentet e prezantuara në ekspozitën “Berati në dokumentet e arkivit osman” janë përzgjedhur nga një periudhë e gjatë kohore mes viteve 1530 dhe 1912. Pjesa më e madhe e tyre kanë të bëjnë me kazatë dhe nahijet e Beratit dhe me vetë qytetin e Beratit gjatë sundimit osman. Të gjitha këto dokumente ishin të përfshira edhe në një album, ku ashtu si dhe në ekspozitë prezantohen edhe 3 fermanë, që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me Beratin, por me zona përreth tij, si Vlora, Delvina dhe Shkodra. Sipas organizatorëve të ekspozitës, këto dokumente janë përfshirë në këtë ekspozitë, pasi gjenden në fondin e Fermaneve të Stolisur, në të cilin përmblidhen kopjet më të rralla dhe më të bukura të fermaneve nga aspekti estetik, pamor dhe artistik. Gjatë përzgjedhjes së këtij numri të kufizuar dokumentesh, historianët turq janë munduar të përzgjedhin ato, që përcjellin një mesazh sa më të gjerë tematik. Prandaj në libër gjenden dokumente që kanë të bëjnë me numërimin e popullsisë për arsye financiare të banorëve të qytetit të Beratit në organizimin administrativ osman, emërimet në administratën osmane të dizdarëve, myezinëve etj., ndërrimi i metropolitit nga i cili varet edhe Berati, mytevelitë e vakëfeve, mbledhja e taksave, dërgimi i mjeshtërve të kalldrëmeve nga Berati për në Stamboll, tërmeti në Berat, pronat e sulltanit në Berat, kërkesa e autonomisë së Shqipërisë, veprimtaritë botore, ndihma me zahire si ushqim për nevojtarët etj. Gjithashtu në libër janë përfshirë në formë të gjerë një përmbledhje e informacioneve në lidhje me Beratin, të cilat gjenden në veprën “Sejahatname” të Evlija Çelebisë. Po ashtu janë përfshirë, në një gjuhë të thjeshtuar, edhe faqe të vjetarit të vilajetit të Janinës, në të cilat flitet rreth Beratit.

Burimi: http://www.panorama.com.al/2013/03/15/berati-mes-dokumentesh-te-arkivit-osman/#ixzz2NjLGNc4x

Titulatura në letërsinë e bejtexhinjve: Rasti i Nezim Beratit

13/03/2013 Lini një koment

TITULATURA NË LETËRSINË E BEJTEXHINJVE: RASTI I NEZIM BERATIT

Divani shqip

Divani shqip

Në divanin shqip të Nezim Beratit një ndër elementet që të bie në sy është titulatura e përdorur për sundimtarët e kohës së tij, veçanërisht për pjesëtaret e familjes Velabishti, të cilët ishin në krye të sanxhakut të Vlorës me qendër Beratin. Kjo titulaturë është e ndryshme nga titulatura që këto sundimtarë përdorin për veten e tyre, dhe nga kjo ndryshueshmëri lind edhe interesi për studimin e saj.

Titulatura sikurse dihet është një titull honorifik i përdorur për një sundimtar ose për një personalitet të caktuar. Me këtë titull sundimtari kërkon të transmetojë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek të tjerët pushtetin që ai gëzon si dhe pozicionin që ka në marrëdhënie si me njerëzit ashtu edhe me mjedisin dhe botën në përgjithësi.1 Po kaq e rëndësishme është edhe mënyra se si të tjerët i drejtohen atij, dhe kjo mënyrë adresimi ka të bëjë jo më me pushtetin që gëzon sundimtari, por me marrëdhëniet që individi ka me të. Kështu që ky adresim jo gjithmonë domosdoshmërish është i njëjtë me atë që sundimtari përdor për veten e tij.

Në letërsi është e kuptueshme që kemi të bëjmë më shumë me mënyrën se si shkrimtarët dhe veçanërisht poetët i drejtohen sundimtarëve. Kjo është një marrëdhënie asimetrike, prandaj dhe titulatura nuk pritet që të jetë e rigoroze dhe të respektojë rregullat protokollare. Në letërsinë e divaneve këtë dimension e gjejmë të shprehur më qartë se në çdo lloj letërsie tjetër. Kjo ndodh për faktin se jo vetëm letërsia e divaneve është një letërsi elitare oborri (ose saraji po të përdorim termin osman), por edhe sepse ajo është krijuar në një sistem autokratik patrimonial. Në një sistem të tillë autokratik statusi, nderi social dhe shkalla hierarkike përcaktohej nga sundimtari. Përkrahja që jepte ai ishte e domosdoshme për poetin, sepse vetëm në sajë të kësaj përkrahjeje ai mund të siguronte jetesën, zhvillimin e artit në kushte normale, madje ajo ndikonte drejtpërdrejtë në futjen e artistit në shtresën elitare të shoqërisë. Kjo kulturë patronazhi, përcaktuese për zhvillimin e jetës kulturore e sociale në Perandorinë Osmane i kishte rrënjët në traditat e Iranit mesjetar dhe të shteteve autokratike të Azisë qendrore.2

Në këtë kuadër poeti në Divanin e tij ishte i detyruar që krahas poezive panegjerike kushtuar perëndisë dhe profetit të shkruante dhe kaside lavdërimore për sundimtarët e kohës ose për klerikët e lartë prej të cilëve priste favore të ndryshme. Madje edhe emërtimi kaside i këtyre poezive dëshmon qartë misionin që ato përmbushnin. Pasi siç dihet fjala kaside e cila e ka origjinën nga fjala kast ”qëllim, synim” do të thotë t’i drejtohesh dikujt me një qëllim të caktuar. Me fjalë të tjera kaside do të thotë të shkruash poezi sipas një sistemi të caktuar metrik e përmbajtësor për t’i thurur lavde e himne një individi të rëndësishëm.

Në këtë kuadër merr kuptim edhe titulatura e përdorur në letërsinë shqipe të Divaneve, dhe veçanërisht në Divanin shqip të Nezim Beratit. Jam ndalur në këtë Divan sepse është divani më i plotë i shkruar në gjuhën shqipe, por edhe sepse Nezimi është i pari që mendohet se ka filluar traditën shqip të divanit dhe ka pasur ndikim edhe mbi autorët e tjerë.

Nezimi në Divanin shqip, që e njohim në sajë të kopjeve që na kanë mbërritur deri më sot, ka shkruar 6 poezi për sundimtarët lokalë të sanxhakut të Vlorës, me qendër Beratin, dhe të gjashta këto poezi i ka për pjesëtarët e familjes Velabishti, e cila sikurse dihet në shekullin XVIII ka qenë dinastia lokale e cila ka sunduar qytetin e Beratit.

Konkretisht Nezimi ka shkruar poezi për Mahmud Pashë Velabishtin, për dy djemtë e tij, respektivisht Ismail Pashën dhe Bajram Pashën. Në divanin e tij shqip, Nezim Berati i është drejtuar Mahmud Pashë Velabishtit duke përdorur titujt devletlü e cila në shqip përkthehet i gjithëpushtetshëm si dhe veliyy-ün-niam ”bamirësit”. Si pjesë të titulaturës ai përfshin urimin/lutje dame ikbaluhu “fati dhe suksesi qoftë me të”, dhe përcaktuesit yeganei devran akil-ül-zaman miri celil-üş-şan hazretleri të cilëtliteralisht përkthehen “shkëlqesisë së tij, i pashoq në botë, mendje e kohës, komandant famëmadh”.

Kurse për djemtë e Mahmud Pashës, respektivisht Ismail Pashën dhe Bajram Pashën, ai përdor titulaturën devletlü inayetlü (gjithëpushtetshmin dhe bujarin) dhe lutjet për të parin etal-Allahu ömrehu (Zoti i zgjastë jetën), dhe për të dytin dame devletuhu (i përjetshëm qoftë pushteti i tij). Ndërkohë që për të dy jep përcaktimin Mahmud Pashazade do me thënë të bijtë e Mahmud Pashës.

Devletlü është një titulaturë zyrtare e cila në Perandorinë Osmane përdorej për vezirët, komandantët ushtarakë, krerët e dijetarëve islamë, administratorët e vendeve të shenjta myslimane (Mekë dhe Medinë) si dhe për ofiqarët e lartë të sarajit perandorak.3 Kurse veliyy-ün-niam është një titulaturë e përdorur për krerët e dijetarëve islamë dhe lidhet me natyrën humane të tyre, mirësinë dhe bamirësinë që u falin njerëzve.4 Duhet vënë në dukje se Mahmud Pasha, së bashku me të bijtë kanë pasur titullin vezir, të cilin sulltani në shekullin XVII dhe sidomos në shekullin XVIII ia ka akorduar edhe autoriteteve të larta lokale, për të vënë në dukje peshën që ato kishin në sytë e Stambollit. Kështu që ky titull honorifik mund të justifikojë edhe përdorimin e titulaturës formale, të përshtatshme për postin e vezirit.

Kurse cilësimi inayetlu ”bujar, bamirës”, që e gjejmë si pjesë të titulaturës së përdorur për Ismail Pashë dhe Bajram Pashë Velabishtin nuk haset në titulaturën zyrtare të kohës. Kështu që sipas të gjitha gjasave është një shtesë që poeti ka bërë në kërkim dhe pritje të bujarisë dhe bamirësisë së sundimtarit. Kjo pritje bamirësie te Mahmud Pasha është vënë në dukje me përdorimin e titulaturës formale veliyy-yn-niam ”bamirësi”, titull që i adresohet klerikëve të lartë.

Nga ana tjetër, pjesën e lutjes në titulaturat e gjata, në poezinë e parë drejtuar Mahmud Pashës, poeti e ka zëvendësuar me një sërë përcaktimesh që kanë të bëjnë me individualitetin e këtij sundimtari; Nezimi e shquan si një komandant të madh, dijetar të shquar dhe një personalitet të rrallë të kohës së tij. Këto cilësime që i gjejmë të adresuara vetëm ndaj këtij sundimtari lidhen me impresionin dhe impaktin që ka pasur te Nezimi ky personalitet të cilin poeti e ka hasur në rininë e tij.

Edhe në titulaturën adresuar Ismail Pashë dhe Bajram Pashë Velabishtit vihen re disa ndryshime të vogla që hedhin dritë edhe mbi natyrën e marrëdhënieve dhe të konsideratave të poetit për këto dy personalitete. Pjesa e lutjes që ai përdor për të dy këta sundimtarë nuk gjendet në trajtat e përdorura tradicionalisht dhe zyrtarisht.Të parit, do me thënë Ismail Pashës, i uron jetë të gjatë kurse për Bajram Pashën urimi është për vazhdimësinë dhe përjetësinë e pushtetit të tijSikurse ka vënë në dukje Osman Myderrizi, Nezimi kishte një konsideratë të veçantë për Bajram Pashën dhe e respektonte atë në një mënyrë të sinqertë. Ky pasha, sipas Myderrizit, është kujdesur dhe ka ndihmuar Nezimin në mënyrë të posaçme.

Kështu siç vihet re Nezimi nuk ka qenë korrekt në përdorimin e titulaturës. Në të gjithë rastet ai ka përdorur një titulaturë e cila lartëson pozitën politike e sociale të sundimtarit, dhe i ka vënë theksin faktit që sundimtari është bujar dhe bamirës. Kjo pritje ka ndikuar edhe në adresimin e përdorur dhe në zgjedhjen e titulaturave të cilat më shumë se realitete historike janë elozhe që poeti i drejton sundimtarëve.

Diferencat në titulaturë shprehin dhe natyrën e raporteve që poeti ka me këto sundimtarë të cilët kanë sunduar në periudha të ndryshme të jetës së tij.

Ky shkrim është botuar në revistën shkencore-kulturore “PERLA”, 2009, Nr. 1.

Qëmtime për jetën dhe veprat pedagogjike-arsimore të fesë islame dhe veprimtarët e saj në Ulqin, Hafiz Ali Riza Ulqinaku

28/02/2013 Lini një koment

Dr. Maksut XH. HAXHIBRAHIMI (Mali i Zi)

QËMTIME PËR JETËN DHE VEPRAT PEDAGOGJIKE-ARSIMORE TË FESË ISLAME DHE VEPRIMTARËT E SAJ NË ULQIN

HAFIZ ALI RIZA ULQINAKU

(1855-1913)

Maksut Haxhibrahimi

Maksut Haxhibrahimi

Rëndësinë më të madhe të tij e kanë fjalorët e tij turqisht-shqip e shqip-turqisht, sepse janë fjalorët më vëllimorë të hartuar me grafi arabe, ndonëse të punuara pa kritere të mirëfillta të leksikografisë shkencore dhe në një të folme shqipe krahinore. Përmbledhja e këtyre fjalorëve fillon me parathënien katërfaqëshe në gjuhën arabe, nga e cila ka mbetur vetëm një kënd i faqes së fundit, tri të tjerat mungojnë fare.

Në fund të fjalorit, Hafiz Ali Riza Ulqinaku ka vendosuur vjershën e titulluar “Sebebi nazmi kitab” (Shkaku  vargënimit të librit), siç mund të kuptohet nga titulli shpjegon shkaqet që e kanë shtyrë ta hartojë këtë fjalor në vargje.

Në këtë vjershë mësojmë se më 1314 në Lezhë paska shkuar për të inspektuar shkollat një nëpunës i Drejtorisë së Arsimit të Shkodrës dhe se për shkak se Shkodrën e paskan përmbytur ujërat qenka detyruar të rrijë aty dy-tri ditë. Ky nëpunës paska parë te Hafiz Ali Riza Ulqinaku Mevludin shqip dhe përkthimet e tjera të tij. Kur mëson se këto janë përkthyer nga Hafiz Ali Riza Ulqinaku, ai nëpunës meqë e sheh se ky shkruan shqip me alfabet arab dhe se njeh mirë turqishten, i ka thënë se po të bënte një fjalor turqisht-shqip do të ishte i dobishëm për nxënësit. Pas insistimit të sërishëm të nëpunësit, Hafiz Ali Riza Ulqinaku paska pranuar dhe thotë: “Me ndihmë të Zotit iu përkushtova dhe e përfundova” (këtë datë Osman Myderrizi e shkruan 1310 (1894), që kur shikojmë vargun turqisht: “Bin ucuz on dort tarihindedir”, shihet se kemi të bëjmë me vitin 1314 (1896). Shih: O. Myderrizi, Fjalori shqip-turqisht i Hafiz Ali Riza Ulqinakut, buletini i universitetit shtetëror të Tiranës, ser. shk. shoq., 1961, nr. 3, f. 139).

Fjalorët turqisht-shqip e shqip-turqisht sipas alfabetit, natyrisht atij arab, nuk dihet se kur i filloi e kur i mbaroi, sepse nuk kanë parathënie. Hafiz Ali Riza Ulqinaku nuk shënon datën e saktë se kur ka filluar hartimin e këtyre fjalorëve. Mund të supozojmë se këta fjalorë i ka shkruar në vitin 1897, sepse siç e pamë fjalorin në vargje e kishte përfunduar në dhjetor të vitit 1896.

Fjalori turqisht-shqip i titulluar “Axhibu-l-mandhar” ka 915 faqe, ku janë dy shtylla, e një shtyllë ka dy kolona – njëra turqisht e tjetra shqip.

Fjalori i tretë i Hafiz Ali Riza Ulqinakut, që për ne është më i rëndësishmi, është ai shqip-turqisht i cili fillon në faqen 1167 e përfundon në faqen 1334. Ka gjithsej vetëm 168 faqe dhe në faqe janë vetëm dy kolona, jo katër, si në atë turqisht-shqip.

Lëndën për hartimin e fjalorëve të tij Hafiz Ali Riza Ulqinaku e ka marrë nga vendlindja e tij, pra nga e folmja e Ulqinit. Në kohën kur Hafiz Ali Riza Ulqinaku i harton fjalorët, ishte tendenca e shkrimtarëve tanë të Rilindjes që të përdornin vetëm fjalë shqipe duke kuptuar në këtë purizëm përjashtimin nga gjuha të fjalëve të huaja, sidomos të atyre orientale.

Këta fjalorë të pabotuar, me kopjen e vetme të dorëshkrimit, të shkruar me alfabetin arab mbeten si një vlerë e çmueshme filologjike e lënë mënjanë që u hynte në punë për studime vetëm atyre që, veç shqipes dinin edhe turqishten, por gjithsesi turqishten e vjetër (osmanishten), e që për ata për fat të keq nuk i kishin shfrytëzuar sa duhet.

Punën më të madhe rreth fjalorëve të Hafiz Ali Riza Ulqinakut gjithsesi e ka bërë gjuhëtari dhe orientalisti i shquar Osman Myderrizi, i cili më 1961 në BUSHT boton një punim me titull: “Fjalori shqip-turqisht i Hafiz Ali Riza Ulqinakut”, ku shkruan për jetën dhe veprat e Hafiz Ali Riza Ulqinakut duke i krahasuar me të folmen e Ulqinit (O. Myderrizi, Fjalori shqip-turqisht i Hafiz Ali Ulqinakut, në BUSHT, ser. shk. shoq., 1961, nr. 3).

Osman Myderrizi duke e parë vlerën e rëndësinë e madhe që kanë fjalorët e Hafiz Aliut për studimin e shqipes, sidomos për dialektologjinë shqipe e transkriptoi fjalorin shqip-turqisht dhe e botoi në dy vazhdime në “Studime Filologjike”, duke bërë shpjegimin e disa fjalëve të panjohura, dhe kështu mundësoi që ky fjalor të përdorej nga një qark më i gjerë njerëzish për njohjen e studimit të atij fjalori (O. Myderrizi, Fjalori shqip-turqisht i Hafiz Ali Ulqinakut, Studime Filologjike, nr. 3 dhe 4, Tiranë, 1965).

Në vitin 1970, në Podgoricë (Titograd) u botua “Mevludi shqip”, në gjuhën shqipe, hartuar prej Hafiz Ali Riza Ulqinakut, ribotuar me vendimin e Kryesisë së Fesë Islame në Republikën e Malit të Zi. Në parathënien e “Mevludi Sherif”, theksohet se përveç “Mevludit”, Hafiz Ali Riza Ulqinaku shkroi dhe jetën e profetit Muhamed alejhi selam, ka shkruar edhe jetën e Ahiretit dhe “Bazat fetare të Islamit” (Maksut Xh. Haxhibrahimi, Prva albanska knjiga, Monitor, Crnogorski nezavisni nedjeljnik, godina II, nr. 16 (08.02.1991), Titograd, 1961, f. 3).

Medrese zyrtare në Ulqin ka pasur deri në vitin 1878, të cilën e kreu ndërmjet të tjerëve edhe Hafiz Ali Riza Ulqinaku. Në “Mevludin shqip” të Hafiz Ali Riza Ulqinakuut, shtesë “Mevludi Sherif”, të përgatitur prej Hafiz Salih Gasheviqit, të botuar në Podgoricë (Titograd), më 1972, f. 29, theksohet në parathënien e botimit të parë se Hafiz Ali Riza Ulqinaku lindi në Ulqin në vitin 1840, ku e kreu medresenë me ibtidaijen.

Në parathënien e librit “Mevludi shqip”, shtesa “Mevludi Sherit”, më gjatë theksohet se Hafiz Ali Riza Ulqinaku, që në kohën kur ishte nxënës i medresesë filloi të shkruajë nga fusha e fesë islame në gjuhën e vet amëtare (shqipe). Vepra kryesore e Hafiz Ali Riza Ulqinakut është përkthimi i “Mevludit” nga turqishtja në gjuhën shqipe, të cilin e ka shkruar shkrimtari i njohur turk, udhëpërshkruesi Evlija Çelebiu. Ai përpos përkthimit të “Mevludit”, shkruan edhe “Shtesë mevludi”, në gjuhën shqipe. Botimi i parë në gjuhën shqipe shfaqet në Stamboll në vitin 1879 (Hafiz Salih Gasheviq, Mevludi Serif, Hafiz Ali Riza Ulqinaku, Dodatak Mevludi-Serifu, Starjesinstvo Islamske Zajednice u Crnoj Gori, Titograd, 1972, f. 19).

/Orientalizmi Shqiptar/

Stilet e prozës persiane

21/02/2013 Lini një koment

STILET E PROZËS PERSIANE

Shahnameh

  1. Stili i prozës persiane në periudhën e parë (300/912 -450/1058): Proza e thjeshtë dhe proza e lulëzuar.

Periudha e parë e prozës persiane ndahet në dy grupe:

  1. Fillimi i shkrimit të prozës deri në fund të gjysmës së shek. 5/11.
  2. Fundi i gjysmës së shek. 5/11 deri fillim të shek. 6/121.

Për pjesën e dytë të këtij klasifikimi do të flasim në periudhën e dytë të stilit të prozës persiane. Veprat më të vjetra, që janë shkruar në gjuhën persiane, më tepër përmbajnë tema fetare, teologjike, epike, historike, shkencore, filozofike dhe mistike. Po përmendim disa nga këto vepra: Resale-i der Akajidi Hanefijan, e autorit Hakim Ebul Kasem Semerkandi (v. 343/954),Mukaddeme-i Shahname Ebu Mensuri, e përgatitur nga një grup transmetuesish të epikës kombëtare të Iranit dhe ky libër ka mbetur vetëm hyrja e saj, Tarihi Bel’ami, që është një përkthim i Tarihi Er Rusul ve El Muluk të autorit Taberi, Terxhume-i Tefsiri Taberi, Resale-i Istihraxh ve Resale-i Shish Fasl të autorit Muhamed Bin Ehub Taberi, Hududul Alem, Axhajibi El Beldan ngaEbu Muejjid Belhi, El Ebnije an Hakajikul Edvije nga Ebu Mensur Mufak Bin Ali Herevi, veprat, të shkruara në persisht, të Ibni Sinasë, si: Daneshname-i Alaji dhe Resale-i Reg Shenasi, Et Tefhim nga Biruni, Tarihi Sistan, Zejn El Ehbari Gerdizi, veprat e Naser Hosros dhe Kshful Mahxhub nga Ebu Ja’kub Segezi2.

Stili i veprave të lartpërmendura është i thjeshtë dhe i lulëzuar.  Veçoritë gjuhësore të këtij stili janë: përdorimi i tepërt i fjalëve persiane përballë fjalëve të gjuhëve të tjera, sidomos të gjuhës arabe, më të dukshme janë sidomos në veprën Mukaddeme-i Shahname Ebu Mensuri, ku vërehen 1 ose 2 % fjalë arabe3. Edhe proza e Shahnames e cila është një nga shembujt e rrallë të letërsisë epike qëndron larg nga fjalët e gjuhëve të huaja, e sidomos arabe. Ndërsa librat e përkthyera nga gjuha arabe siç është Tefsiri Taberi kanë shumë fjalë arabe.

Sidoqoftë karakteristikat gjuhësore të stilit të lulëzuar mund t’i numërojmë si më poshtë:  është i pastër nga fjalët arabe, përveçse në raste të caktuara për fjalët fetare, të cilat nuk kanë ekzistuar në persishte; nuk ka pasur teknika retorike dhe spirituale; nuk janë përdorur ajete dhe hadithe për të stolisur fjalinë; ndikim të vogël të stilit të fjalive të gjuhës arabe në përkthimet e veprave; ka përdorim të vogël të poezive në gjuhën persiane dhe arabe, fjalitë kanë qenë të shkurtra; ka përsëritje të foljeve në fjali; përdoren terma shkencore në gjuhën persiane përballë gjuhës arabe, shfrytëzimi i disa strukturave morfologjike dhe sintaksore që i përkasin vetëm kësaj periudhe, si p.sh.: parafjalët e veçanta në folje, harmonizimi i emrit dhe mbiemrit dhe po ashtu përdorimi i shumësit të një fjale arabe në shumësin e persishtes, etj.4.

Edhe veprat me tematikë mistike, në këtë periudhë, kanë një gjuhë të thjeshtë dhe në to janë përdorur shumë fjalë të gjuhës persiane, të cilat më vonë u harruan si në veprën Keshful Mahxhub të Huxhviriut. Megjithatë, veprat që përfaqësojnë stilin e thjeshtë dhe në lulëzim të prozës persiane janë Tarihi Bel’ami dhe Hududul Alem.

  1. Stili i prozës persiane në periudhën e dytë (450/1058 – 550/1155): Periudha e gaznevitëve dhe selxhukëve të parë

Në këtë periudhë dalëngadalë stili i prozës persiane fillon të anojë kah stili teknik dhe rrënjët e këtij ndryshimi duhet t’i kërkojmë në elemente të ndryshme politiko-sociale. Në këtë periudhë ndodh evoluimi i natyrshëm i prozës, nga e thjeshtë ajo bëhet e ndërlikuar, ka ndikim prej poezisë. Natyrisht që proza në këtë periudhë ka një stil të ndërmjetëm, por animi i saj kah stili teknik është më i dukshëm. Edhe veprat e kësaj periudhe më tepër janë fetare, filozofike, historike dhe moralizuese, ndërsa proza mistike gjen një shtrirje të jashtëzakonshme. Monstrat, që përfaqësojnë karakteristikat e këtij stili janë shkrimet e Bu Nasr Moshkanit dhe të nxënësit të tij Ebul Fazl Bejhakiut. Bejhakiu është autor i veprës së madhe për historinë e gaznevitëve dhe në stilin e tij prozaik, sipas Beharit, ka imituar Bu Nasr Moshkanin5. Por kjo nuk ishte një imitim në aspektin morfologjik, por fuqia e tij krijuese bëri që vepra e tij nga imitimi të ecë në drejtim të një stili të përsosur të prozës së atëhershme persiane.

Proza persiane në këtë periudhë, në dallim nga periudha e mëparshme, fillon të stërzgjatet, zotëron kombinime fjalësh dhe fjalish më të gjata dhe ky fenomen vërehet shumë qartë në shkrimet e Bu Nasrit dhe të Bejhakiut. Kjo stërzgjatje bëhet me qëllim që të zgjojë interesim të madh për përshkrimet dhe pa hezitim mund të themi se proza e Bejhakiut është prozë përshkruese. Behari shkruan: “Stili i Bu Nasrit dhe Bejhakiut është stili më real i prozës”6. Në prozën e kësaj periudhe alegoria në ajetet dhe hadithet ka një shtrirje të dukshme, por gjithashtu është ruajtur njëfarë balance dhe nuk është ashtu si në prozën e mëvonshme. Proza persiane në këtë periudhë, është ndikuar në tri dimensione nga proza arabe:

  • Depërtimi i fjalëve të reja arabe, që nuk ishin përdorur në kohën e samanidëve,
  • shfrytëzimi i fjalëve arabe me tenvin, dhe
  • përdorimi i fjalive arabe në hyrje të veprës, pa ndonjë qëllim të caktuar letrar7.

Këto veçori hasen shumë qartë në veprën e Bejhakiut, ndërsa më vonë patën një shtrirje shumë më të madhe.

Nga veprat e tjera të kësaj periudhe mund të përmendim edhe Sijasetnamen ose Sejrul Muluk të autorit Haxhe Nizamul Mulk. Lloji i prozës së kësaj vepre duket që është didaktik dhe moralizues, por në të janë sjellë edhe shumë tregime historike. Kjo vepër ka dy karakteristika stilistike: Struktura morfologjike dhe sintaksore e saj është sikurse proza e Bel’amiut dhe në dukje është e thjeshtë, ndërsa për nga struktura letrare dhe subjektive zotëron disa koncepte te reja dhe ka pak ngjashmëri me stilin e Bejhakiut. Fjalët arabe në të janë rreth 10 %8. Gjatë studimit të kësaj vepre vërejmë se autori në përdorimin e gjuhës ka pasur parasysh edhe pozitën e lexuesit. Stili i veprës Kabusname është si i Sijasetnames, por autori i Kabusanemes ka sjellë edhe vargje poetike dhe kjo dëshmon se ai ka qenë edhe poet. Për nga lloji letrar, Kabusname i përket letërsisë didaktike dhe në të është përdorur metoda e teozofisë teorike. Edhe veprat e Naser Hosros kanë një rëndësi të madhe për këtë periudhë.Sefername-ja e Hosros i takon letërsisë realiste, ndërsa Zadul Musafirin është shkruar në stilin e prozës së periudhës së parë. Ai në librin Zadul Musafirin ka sjellë shprehje të shumta dhe fjalët e kësaj vepre më shumë shprehin botëkuptime filozofike, fetare dhe teologjike. Sefername-ja e tij ka më pak fjalë arabe dhe zotëron fjalë më të vjetra në krahasim me veprat që janë shkruar në kohën e tij. Por fuqia përshkruese e Naser Hosros është e lartë dhe realiste dhe një gjë të këtillë mund ta hasim edhe në veprën Tarihi Bejhaki.
Ndër veprat e misticizmit të kësaj periudhe mund të përmendim Kimjaji Saadet të Imam Muhamed Gazaliut. Ai këtë vepër e ka shkruar në stilin e prozës së sufijve dhe si duket ka qenë nën ndikimin e Keshful Mahxhub të Huxhviriut, dhe po kjo është bërë shkak që proza e kësaj vepre të jetë e thjeshtë dhe në lulëzim. Imam Muhamed Gazaliu në këtë libër ka respektuar lexuesin; veprën e ka shkruar në fund të viteve të jetës së tij me kërkesë të popullit të Horosanit. Shkrimi i veprave mistike në prozë filloi me Keshful Mahxhub të Huxhviriut (v. 464/1072). Stili i kësaj vepre është i afërt me stilin e veprave të periudhës samanide, por përsa i përket strukturës muzikore ajo është më e fortë. Edhe veprat Esrarul Tevhid dhe Tezkiretul Evlija  janë më afër stilit të periudhës samanide sesa me stilin e prozës së periudhës kur janë shkruar. Në Tezkiretul Evlija të Atarit në mënyrë të dukshme është imituar Keshful Mahxhub dhe ngjashmëria e tyre shihet edhe në strukturën letrare dhe në atë retorike9.  Në po këtë shekull, Haxhe Abdullah Ensari (v. 481/1088) në letërsinë persiane sjell prozën e rimuar. Veprat më kryesore të tij, janë: Zadul Arifin, Kenzul Salikin, Munaxhatname dhe Sed Mejdan. Stili i prozës së Haxhe Abdullahut nuk u mirëprit në shek. 5/11, por në shekujt e mëvonshëm.

  1. Stili i prozës persiane në periudhën e tretë. Periudha e selçukëve dhe harezmshahëve të parë (550/1155-600/1203)

Edhe shkrimtarët e kësaj periudhe ashtu sikurse edhe poetët me tepër ishin të prirur që në krijimtarinë e tyre të shfrytëzonin strukturat muzikore dhe stereotipet gjuhësore. Në veprat e tyre hasim shumë arabizma. Në aspektin subjektiv shohim sinonime me kuptime të përbashkëta, me anë të së cilave një koncept e shpjegonin në mënyra të ndryshme. Ajetet dhe hadithet në prozën e kësaj periudhe kanë përdorim argumentues dhe në përgjithësi proza e kësaj periudhe ka qenë e ndikuar më shumë nga proza arabe. Në rrafshin kuptimor shohim një ndërlikim, që buron nga përdorimi i figurave letrare dhe prej teknikave poetike, andaj dhe kjo është arsyeja se pse Behari  prozën e kësaj periudhe e quan “proza teknike”10.

Vepra që përfaqëson këtë stil është Kelile ve Dimne, e përkthyer nga Ebul Meali Nasrullah Menshi. Në këtë vepër hasim veçori të shumta stilistike, por në të gjithashtu janë përdorur edhe fjalë e shprehje të reja që nuk ishin përdorur në periudhat e mëparshme11. Në Kelile ve Dimne janë përdorur edhe kombinime të fjalëve arabe me fjalët persiane dhe në krahasim me veprat e shek. 5/11, në të janë shfrytëzuar më shumë fjalë arabe. Nga figurat e balancuara, proza e rimuar është përdorur më shumë me qëllim të krijimit të konceptit muzikor, ndërsa në rrafshin e interpretimit janë shfrytëzuar gjithashtu figurat poetike si krahasimi, metafora, etj.. Në interpretimin e tregimeve është shfrytëzuar metoda nga tregimi në tregim ose Labirent. Tregimet e kësaj vepre janë alegorike dhe didaktike, kështu që këto tregime më tepër janë përdorur për të bindur lexuesin. P.sh. në hyrje të kreut të tetë thuhet: “Raji tha… tani… më thuaj prapë se dushmani ka ikur, kjo nuk do të ndodhë përsëri …”12. Por narracioni është ajo që Kelile ve Dimnen e bënë të bukur dhe artistike duke i dhënë një përmasë të re letrare. Interpretimi i veprave dhe i sjelljeve të heronjve me anë të gjuhës së shtazëve dhe roli i tyre gjatë tërë tregimeve, ka krijuar një gjini letrare të veçantë, e cila në letërsinë evropiane quhet Fabul. Këto shtazë, në këto tregime, identifikohen me njerëzit e asaj kohe. Për atë dhe Kelile ve Dimne quhet se solli një lloj të letërsisë alegorike.

Një libër tjetër e kësaj periudhe ishte edhe Çehar Makale e Nizami Aruziut. Kjo vepër, në krahasim me veprat tjera të kësaj kohe, ishte shkruar me një gjuhë më të vjetër dhe ngjan me veprat e shek. 5/11, ndërsa stili i saj është shumë afër me atë të Kabusnames dhe të Sijasetnames. Çdo njëri nga këta katër artikuj të kësaj vepre (Çehear Makale ka kuptimin e katër artikujve, shën. i përkth.) ka gjuhën e tij të veçantë sepse tematika e artikujve është rreth mjekësisë, rreth poezisë, rreth astronomisë dhe rreth menaxhimit. Gjithashtu autori i saj është munduar që edhe në tregime historike të ruajë gjuhën realiste të tij. Megjithatë mund të themi se vepra Çehar Makale qëndron diku rreth stilit të prozës të ndërmjetme ose të stilit të lulëzuar dhe të stilit të prozës teknike.

Në prozën e shek. 6/12 u përhap kultura e shkrimit të mekameve. Mekami ose Mekamat quhen fjalë që folësit i kanë thënë për të këshilluar, udhëzuar dhe predikuar të tjerët, por që janë me kuptim të thellë dhe shprehja e “Fjalimit në Mexhlis” rrjedh nga kjo fjalë. Këto janë gjithashtu edhe transmetime dhe legjenda që janë tubuar nga një person dhe shpjegohen në formën e prozës së rimuar13. Mekamet në gjuhën persiane janë imitime të mekameve të gjuhës arabe, kështu që sipas Haririut, në hyrje të veprës së tij Makamat, ndër arabët i pari që ka krijuar në këtë stil të prozës ka qenë Bediuzzaman Hamedani. Kurse disa studiues të tjerë janë të mendimit se autori i parë i mekamateve në gjuhën arabe ka qenë Ahmed Bin Farsi (v. 395/1004)14. Në gjuhën persiane ngjashmëri të mekameve shohim në veprat e Haxhe Abdullah Ensariut, por mjeshtërit kryesorë të mekameve janë Kazi Hamiduddin Ebu Bekr Belhi (v. 559/1163) në shek. e 6/12 dhe Shejh Muslihuddin Saadi në shek. 7/13. Stili i mekamateve të Kazi Hamiduddinit ose të Mekamati Hamidit janë imitim i pastër i mekamateve të Harirut dhe Hamedanit në gjuhën arabe. Natyrisht që në mekamet e Hamidiut shfaqen tipare të dukshme që kësaj vepre i falin një pamje të veçantë. Në një shumicë që përbëhet prej 24 mekameve, stili që mbizotëron është stili letrar, d.m.th. autori ka shfrytëzuar strukturën letrare dhe gjuhësore. Mekamet që janë shkruar rreth xhinëve, rreth rregullave të udhëtimit dhe rreth tesavufit kanë një stil mistik dhe filozofik. Gjithashtu në këto mekamate janë përdorur edhe ajete dhe hadithe, janë sjellë shumë fjalë arabe dhe anekdota e poezi në gjuhën arabe.

Tarihi Bejhaki është vepra tjetër e shek. 6/12 që ka stil të veçantë. Data e shkrimit të saj është rreth vitit 563/1167. Proza historike e kësaj vepre ka një gjuhë të përzier me stilin e shek. 5/11 dhe 6/12. Si duket është më afër veprës Çehar Mekale. Por gjithashtu në këtë vepër hasim edhe poezi në gjuhën arabe. Figurat stilistike në të janë përdorur me një mjeshtri të jashtëzakonshme. Veprat e tjera të shkruara në prozë në shek. 6/12 janë Atabat El Kutbe, Resaili Behauddin Bagdadi, El Tevessul Ila Et Tersul dheTarihi Jemeni. Këto vepra më shumë janë shkruar nën ndikimin e Kelile ve Dimnes. Në këtë shekull janë shkruar edhe vepra shkencore si Tefsiri Rovzetul Xhenan, nga autori Ebul Futuh Razi, e cila është më afër stilit të prozës së shek. 5/11 dhe më afër stilit të ndërmjetëm dhe veprat e Habish Bin Ibrahim Teflisiut, Imam Fahr Raziut dhe Reshiduddin Vetvatit në shkencën e retorikës; këto quhen Hadaikus Seher fi Dakajikush Shir.

  1. Stili i prozës persiane në periudhën e katërt (600/1203 – 1200/1785) Stili irakian dhe proza artificiale

Në këtë periudhë sundonin mongolët dhe për shkak të interesimit të tyre për shkrimin e historisë, filloi të zgjerohet kultura e të shkruarit në prozë historike. Për pasojë   u shkruan shumë vepra me tematikë historike. Vepra më e rëndësishme historike në shek. 7/13 është Tarihi Xhihan Goshaj e Xhuvejniut, e hartuar në vitin 658/1259. Nga historitë e tjera të kësaj periudhe mund të përmendim Xhamiu Tevarih (shkruar në vitin 710/1310) e autorit Reshiduddin Fazlullah, Texhzijetul Emsar ve Texhzijetul Easare njohur edhe si Tarhi Vesaf (sh. 738/1337) nga Abdullah Bin Fazl Shirazi, Tarihi Gozidei (sh. 730/1329) nga Hamdullah Mostafavi dhe Nizamul Tevarih (sh. 674/1275) nga autori Kazi Bejzavi. Stili i këtyre veprave, përveç Tarihi Xhihan Goshaj dhe Tarihi Vesaf, është i thjeshtë dhe i lulëzuar dhe ka ngjashmëri të madhe me veprat e shekujve të mëparshëm. Në këtë shekull ndër shkrimtarët që imitonin stilet e shekujve të mëparshëm janë: Muhammed Nesevi, autori i veprave Nefethetul Mesdur dheSire-i Xhelaleddin, veprat e të cilit ndjekin stilin e Kelile ve Dimnes dhe Seadeddin Veravini përkthyes i Merzbanames, gjatë përkthimit të së cilës ka shfrytëzuar plotësisht veprën Kelile ve DimneMirsadul Ibad, vepra e autorit Nexhmuddin Raziut është shkruar nën ndikimin e Kelile ve Dimnes, por është më e rrejshme se ajo. Nga veprat shkencore të kësaj periudhe mund të përmendim: El Muaxhem Fi Meajiri Eshari Axhem nga Shems Kejs Razi dhe veprat e Mahmud Avfi, të quajtura Lebabul Elbabdhe veprën e tij letrare Xhevamiul Hikajat. Vepër që shquhet për stil artificial, e këtij shekulli, është Tarihi Xhihan Goshaj e Xhovejniut e cila në vetvete përmban të gjitha veçoritë e stilit artificial. Xhuvejniu në veprën e tij gjithashtu ka sjellë edhe poezi nga gjuha persiane prej Shahnames së Ferdsiut dhe atë e ka harmonizuar me temën për të cilën ka folur. Vlera kryesore e kësaj vepre qëndron në antropologji dhe në sociologji, ngase në të përshkruhen fiset e mongolëve si dhe traditat e zakonet e tyre, prandaj dhe shumë studiues këtë vepër e shfrytëzojnë edhe si referencë shkencore për kohën që është shkruar. Ky është autori i vetëm që ka vizituar edhe Mongolinë dhe krahinat e Azisë Lindore dhe gjithçka që ka parë i ka përshkruar në këtë vepër.

Proza persiane në shek. 7/13, me ardhjen e Saadiut arriti në kulmin e saj. Saadiu në veprat e tij prozaike ka përdorur tri stile të veçanta:

  1. Stilin e Kelile ve Dimnes, Merzbannames dhe të Tarihi Xhihan Goshaj,
  2. stilin e Mekamatit të Haxhe Abdullah Ensariut, dhe
  3. stilin e veçantë të Saadiut.

Përveç Golestanit, (Gjylistanit) veprat e tjera të tij i kanë të tri llojet e këtyre stileve. Saadiu në veprën Mexhalis ve Resalat për nga subjekti shfrytëzon stilin mistik, ndërsa në rrafshin gjuhësor ka qenë i ndikuar nga Haxhe Abdullah Ensariu, i cili ka krijuar prozë të rimuar dhe kjo vërehet gjatë gjithë veprës së Saadiut. Natyrisht, në përgjithësi në veprat e shkruara në prozë nga Saadiu, vërehet edhe stili i humorit në formën e Samarkandit dhe lirisht mund të themi se ky stil i takon vetëm atij. Stili i veprës Golestanështë në formën e mekameve dhe si duket Saadiu ka qenë nën ndikimin e Haxhe Abdullah Ensariut dhe këtë mund ta quajmë edhe një mekame të mrekullueshme. Në Golestan, autori gjuhën e ka shfrytëzuar deri në fund dhe po ashtu ka respektuar pozitën dhe nivelin e lexuesit. Saadiu në këtë vepër, gjithashtu, në një masë të duhur ka shfrytëzuar edhe figurat poetike. Në Golestan edhe pse mund t’i hasim gati të gjitha figurat letrare dhe gjuhësore, më së shumti të bie në sy personifikimi. Zgjedhja e temave nga ana e autorit, botëkuptimet e stilit i bënë më të larmishëm. Tetë krerët e Golestanit kanë tematikë të ndryshme me njëri -tjetrin. Në kreun e parë flitet për biografinë e mbretërve dhe në të është shfrytëzuar me tepër fjalori politik. Në kreun e pestë fjalët janë më tepër erotike dhe të gazelit, kurse tematika e këtij kreu është dashuria dhe rinia. Ndërsa në kreun e shtatë flitet për ndikimin e edukatës dhe të moralit. Këtu ne përballemi me fjalë dhe shprehje psikologjike, si: arsimi, edukata, i mençuri, i marri, këshilla, arti, edukatori, mësuesi, shkenca, etj, të cilat janë përdorur me një mjeshtri të madhe. Por në kreun e tetë, në të cilin flitet me rregullat e bisedës, të fjalimit, ne shohim kulmin e artit të Saadiut në shfrytëzimin e strukturës morfologjike dhe kuptimore të gjuhës si dhe rolin e përdorimit të saj. Fjalitë e shkurtra dhe fjalët dërstilare janë disa nga veçoritë e këtij kreu dhe kjo harmoni dhe koordinim nuk mund të shihet në asnjë vepër të letërsisë persiane. Stili i Saadiut në kohën e tij mbahet si risi në prozën persiane; ai mund të quhet edhe si “Stili i prozës së rimuar ose prozës poetike”. Stili i Golestanit ka pasur ndikim jashtëzakonisht të madh në letërsinë persiane dhe shumë shkrimtarë e kanë imituar këtë stil, por asnjëri nga ta nuk arriti ta kalojë Saadiun. Shkrimtarët që krijuan nën këtë stil janë Xhovvejni në veprën Nigeristan, Xhami në veprën Beharistan dhe Ka’ani në veprën Perishan.

Në shek. 8/14 shohim një rënie të prozës persiane dhe vërejmë hapat e parë të shkatërrimit të prozës së saj15. Madje në këtë shekull edhe veprat historike humbën ndikimin e tyre dhe nuk kishte interesim për vepra të tilla. Kjo rrjedhë vazhdoi edhe në shek. 9/15 dhe e vetmja vepër që u shkrua në këtë shekull është Tezkiretush Shuara, e Devletshah Semarkandit, e cila ka gabime të shumta dhe ofron informacione të gabuara. Kjo quhet edhe si kronologjia më e njohur e poezisë dhe poetëve persianë. Në këtë shekull, shkrimtarët e tjerë jo edhe aq të rëndësishëm janë: Sherefuddin Ali Jezdi, autor i veprës Zafername-i Timuri, ku imiton Tarihi Xhihan Goshaj, por sipas Beharit, proza e këtij shekulli qëndron diku në mes të periudhës së ndërmjetme, të stilit të thjeshtë dhe teknik. Në shek. 8/14 në veprat e Abid Zekanit hasim humor dhe sarkazëm, të cilat autori i përdor për të shprehur pikëpamjet e tij për shoqërinë e kohës. Ahlakul Eshraf dhe Resale-i Delgosha janë ndër veprat e rëndësishme të kësaj periudhe.

Proza persiane në kohën e sundimit të Safevitëve njihet si prozë e angazhuar dhe teknike dhe po ashtu është e ndërlikuar dhe e mbushur me figura të panevojshme poetike. Duket sikur  shkrimtari, në këtë periudhë, më tepër ka dashur t’i thurë lavde vetes sesa të shprehë fuqinë e tij krijuese dhe artistike. Kemi edhe vepra të shkruara me një stil të thjeshtë siç janë: Alemi Arai Shah Ismail dhe Eskendername16. Veprat e Shejh Behaji dhe Al’lame Mexhlisiut kanë tematikë shkencore dhe fetare. Shumica e veprave të kësaj periudhe janë artificiale dhe të angazhuara. Zakonisht këto vepra i ngjajnë kasideve të Azerbajxhanit që u krijuan në shek. 6/12. Shkrimtari në fillim sjell një hyrje në detaje ose një ligjëratë artificiale, ku hasim disa ndërlikime poetike. VepraNevab Giti, mund të jetë shembull i kësaj proze.

  1. Proza persiane në periudhën e pestë: Periudha e kthimit letrar

(1200/1785 – 1300/1883) Pas shpërbërjes së safevitëve, në gjysmën e parë të shek. 12/18, jemi dëshmitar të tri lloj prozave:

  1. Proza e thjeshtë siç është vepra Tezkire-i Hazejn e Azer Bigdeliut,
  2. proza artificiale dhe e angazhuar siç janë veprat e Mirza Mehdi Hanit, sekretari i mbretit Nadir, Dorre-i Nadire dhe Xhihan Goshaji Nadiri, si dhe veprat e Mirza Sadek Namiut, dhe
  3. proza mesatare, ku bëjnë pjesë veprat e Ebul Hasan Golistane si Mexhmel Et Tevarih.

Gjatë studimeve të stilistikës së kësaj periudhe arrijmë në përfundim se shkrimtarët e kësaj kohe nuk ndjekin ndonjë stil të caktuar. Në veprat e tyre vërehen mangësi stilistike. Gjithashtu në këtë periudhë hasim edhe shumë gabime në drejtshkrimin gjuhësor. Shkrimtarët si Abdurrezak Denbeli dhe Abdulvehab Neshat shkruan në stilin artificial të shekujve 12/18 dhe 13/19.

  1. Stili i prozës persiane në periudhën e gjashtë: Periudha moderne (Nga 1300/1883 e më pas)

Proza persiane në periudhën e sundimit të Kaxharëve përjetoi ndryshime, kështu që, përhapja e gazetave dhe e revistave u bë shkak që proza persiane të thjeshtëzohet, me qëllim që lexuesit të kenë mundësi më lehtë të kuptojnë këto gazeta. Në këto shkrime më tepër vihej në dukje qëllimi dhe thjeshtësia e shkrimit, ndërsa shkrimet tradicionale, të shkruara me gjuhë të vështirë, filluan të quheshin si shkrime të kota dhe të pa ndikim  te masa e gjerë. Në kohën e Kaxharëve, stili i prozës ishte artificial, por Kaim Mekami ishte personi i parë që filloi të shkruajë me një gjuhë të thjeshtë dhe përhapi këtë kulturë të shkrimit. Ai shkruante edhe nën ndikimin e Saadiut edhe pse stili i tij ishte imitues, por ai solli mjaft risi në shkrimin e prozës. Megjithatë përhapjen e shkrimit të thjeshtë duhet ta kërkojmë në zhvillimin e publicistikës, në industrinë e botimit, në arsimimin e gjerë të popullit, në lidhjet me Evropën, te hapja e shkollave të larta dhe te përhapja e kulturës së përkthimit. Në stilin e thjeshtë shkruan Fet’h Ali Ahundzade dhe Mirza Agahan Kermani dhe pas tyre kjo metodë e shkrimit vazhdohet në veprat si Haxhi Baba Isfehani, përkthyer nga Mirza Ibrahim Beg, Mesalikul Muhsinejn, nga Abdurrahim Tebrizi Talibof, Sejahatname Mirza Ibrahim Beg nga Haxhi Zejnul Abidin Moragasi. Shtrirja e tregimit dhe e romanit ndihmoi rrjedhën e shkrimit të thjeshtë dhe kjo mënyrë e të shkruari kulmin e arriti në veprat e Hedajetit, Dehhodas, Xhemalzades dhe Çubekut. Kjo thjeshtësi vazhdonte të ruhej me anë të përdorimit të gjuhës popullore në prozë dhe nga përhapja e prozave të veprave të përkthyera. Ali Ekber Dehhoda në përmbledhjen e tij Çeren ve Perend, që është një vepër humoristike, Xhemelazade në romanin e tij Jeki Bud Jeki Nebud dhe Sadik Hidajeti në shumicën e romaneve të tij përdorën gjuhën e popullit. Stili erotik ose i gazelit vërehet në veprat e Muhammed Hixhaziut, si Ziba, Periçehr dhe Homa.

Ky shkrim është botuar në revistën shkencore-kulturore “PERLA”, 2010, Nr. 1.

Veprimtaria publicistike e Hafiz Ibrahim Dalliut

10/02/2013 Lini një koment

Bedri ALIMEHMETI

VEPRIMTARIA PUBLICISTIKE E HAFIZ IBRAHIM DALLIUT*

Bedri Alimehmeti

Bedri Alimehmeti

Para se t’ju njoh me atë çka kam përgatitur në referatin tim lidhur me veprimtarinë publicistike të Hafiz Ibrahim Dalliut, desha të thoja dy fjalë me anën e të cilave dua të falënderoj nënkryetarin e shoqatës “Hafiz Ibrahim Dalliu”, z. Xhemal Balla, i cili prej vitesh i është përkushtuar me një zell vërtet për t’u marrë shembull, figurës dhe veprimtarisë së Hafiz Ibrahim Dalliut. Librat e njëpasnjëshëm që ka botuar kushtuar pikërisht kësaj figure të ndritur jo vetëm të trevës së Tiranës, por të mbarë kombit, dëshmojnë më së miri këtë gjë, pa harruar që edhe ky tubim i sotëm është fryt i kontributit të tij.

Po kështu një falëndërim të veçantë dua të bëj në adresë të shoqatës “ALSAR”, me drejtues z. Mehdi Gurra, falë kujdesit të të cilit u mundësua organizimi i kësaj veprimtarie, e cila sot më datë 22 nëntor 2012 përkon mjaft bukur me një datë shumë të rëndësishme për historinë e kombit tonë. 104 vite më parë, më 22 nëntor të vitit 1908 në Manastir u dha fund punimeve Kongresi, i cili kishte nisur më 14 nëntor, ku u vendos përfundimisht Alfabeti i gjuhës shqipe. Ai alfabet pra, me të cilin shkruajmë e lexojmë sot. E pra në atë Kongres pjesëmarrës ka qenë edhe Hafizi ynë, i madhi Ibrahim Dalliu. Madje, ai bashkë me klerikët e tjerë muslimanë pjesëmarrës në atë Kongres ishin mbështetësit kryesorë për vendosjen e alfabetit të përgatitur nga shoqëria “Bashkimi”, që drejtohej nga At Gjergj Fishta. Fakt ky që dëshmon se sa largpamës ishin ata për interesat e kombit.

Por, nuk mbaron këtu. Ishte po Hafiz Ibrahimi me gjithë këta hoxhallarë të nderuar muslimanë, absolutisht vetëm me këta hoxhallarë, që financuan gjatë ditëve të punimeve të kongresit për blerjen dhe vënien në punë të një shtypshkronje elektrike, moderne për kohën, ku u shtypën numrat e parë të gazetës “Bashkimi i Kombit”, e cila i bëri jehonë vendimeve historike të Kongresit. I përmenda këto fakte, sepse në këtë aspekt historiografia shqiptare, është për të ardhur keq, thuajse ka heshtur. Ndaj them se, në kuadër të këtyre kremtimeve me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë ia vlen të evidentohen edhe këto kontribute padyshim dinjitozë.

Gjithsesi tani të përqendrohemi në analizën e veprimtarisë publicistike të Dalliut.

Figura e ndritur e Hafiz Ibrahim Dalliut padyshim që është numri një i frymëzimit, imitimit e përkushtimit për çdo tiranas të vërtetë. Dëshiroja ta thoja këtë që në krye të asaj çka do të përpiqem të them pak më poshtë për krijimtarinë e tij të gjerë e të pamatë publicistike e letrare. Them kështu sepse vepra e Hafiz Ibrahim Dalliut është ajo e një atdhetari të flaktë të orëve të para, e një mësuesi të shquar, që si askush bëri aq shumë për përhapjen e gjuhës shqipe, e një publicisti të gjithanshëm e të rrallë për kohën, që diti të depërtojë edhe nëpër skutat më të errëta të prapaskenave të asaj kohe për të nxjerrë në dritë të diellit të vërtetën, e një shkrimtari e poeti që ndonëse shkroi vetëm pak vepra letrare, na ka lënë aq shumë, sa që edhe sot pasi po bëhet një shekull nga botimi i tyre, tiranasit ende i mbajnë nëpër gojë dhe vargje prej tyre shpesh i recitojnë me njëri tjetrin. Ndodh kështu sepse gjithçka, Hafiz Dalliu ia kushtoi popullit e kombit. Dhe ndonëse ishte një teolog i shkolluar në një universitet oriental, aspironte dhe luftonte me të gjitha forcat që vendi i tij të kishte një qeverisje perëndimore, me qëllimin e madh aq evident edhe në ditët e sotme të të gjithë shqiptarëve, që atdheu i tij Shqipëria të bënte pjesë në Europën perëndimore.

Publicistika e Dalliut e ka zanafillën e saj që në krye të shekullit të kaluar, natyrisht shumë më shpejt se sa veprat e tij letrare. Ndaj edhe fillimisht ne do të përpiqemi të marrim në analizë pikërisht krijimtarinë e tij publicistike, ndonëse jemi të përgjegjshëm, që sado të jemi përpjekur për ta analizuar sa më thellë, prapëseprapë do të mbeten ende hapësira të pashkelura, në ato ç’ka hedhur në faqet e shtypit të shekullit të kaluar një nga mendjet më të ndritura të këtij kombi, Hafiz Ibrahim Dalliu.

Së pari, firma e Hafiz Dalliut u duk në faqet e periodikëve “Bashkimi”, “Dita e re” dhe “Zani i ri”, kjo e fundit ishte gazeta e parë tiranase, që drejtohej nga miku i tij i ngushtë, personaliteti dhe orientalisti më i shquar shqiptar Osman Myderrizi, por veçanërisht penda e Dalliut spikati në faqet e gazetës “Xhoka”, përpos që ajo nuk mungoi edhe në organet e klerit musliman si “Udha e së vërtetës” dhe “Zani i naltë”, ku ai padyshim kishte obligimet e petkut fetar që mbante. Por shkëlqimin e vërtetë, dinjitoz ende vezullues edhe në ditët e sotme, penda potente e Dalliut do ta shfaqë në faqet e gazetës “Dajti”, të cilën e ideoi, e krijoi dhe drejtoi vetë për tre vite me radhë në 130 numra të rregullta, që arriti të botonte gjatë kësaj kohe.

Publicistika e tij në faqet e “Dajtit” dëshmon më së miri për rolin që kishte marrë përsipër të luante dhe misionin e detyrat që i kishte vënë vetes, ku parësore ishte ndihmesa e madhe, madje e pandalshme, që duhej dhënë për ta çuar vendin përpara në rrugën e zhvillimit e të qytetërimit. Dhe këtë mision fisnik, që ka marrë përsipër ta bëjë nëpërmjet publicistikës, fare lehtë mund ta konstatojë cilido që do të ulet e të shfletojë koleksionin e plotë të kësaj gazete. Dhe në këtë mision Dalliu ka parasysh të informojë saktë, shkurt e thjeshtë lexuesit me ngjarjet e brendshme e të jashtme, të karakterit politik e shoqëror me kusht për t’u pasqyruar ashtu siç ndodhin në të vërtetë. Së dyti, t’i analizojë, gjykojë e komentojë ato në frymën e interesave kombëtare, me synimin për ta drejtuar kombin e tij në hullinë e mirësisë, përparimit e qytetërimit europian. Së treti, të luajë rolin e një kritikuesi të rreptë për çdo hap të gabuar të qeverisë, teksa të godasë e qortojë pa hezitim të gjithë zyrtarët, që do të veprojnë në kundërshtim me ligjet e shtetit. “Dajti” do t’i tregojë gjithë Shqipërisë kiblen, udhën e drejtë. “Nuk do e bëjmë pleshtin bullë” – thekson ai në editorialin e kësaj gazete më 15 janar të vitit 1924 – “tue zmadhue një send të vogël, për me shfry mllefet dhe nuk do vocrrojmë ndonjë ngjarje të madhe për hatër e frykë të kërkujt. Do ju shkrujm paansisht dhe do gjykojmë me gjak të ftohët…” Për çka citova më lart mendoj se nuk ia vlen fare komenti im, ndonëse ndihem shumë mirë si tiranas që Dalliu ynë gati një shekull më parë i ka njohur e përdorur aq mirë parimet bazë të etikës së gazetarit.

Por veçmas kësaj, Dalliu e ndjente më shumë se kushdo domosdoshmërinë e bashkimit, njësisë e unitetit kombëtar duke e parë këtë si faktor të rëndësishëm jo vetëm për përballimin e rrezikut, që mund t’i kanosej vendit nga jashtë por edhe si kusht për zhvillimin, përparimin e demokratizimin e vendit, për ta shëndoshur shoqërinë shqiptare, që lëngonte nga problemet. Dhe ishte kjo e vetmja mënyrë për t’iu bërë ballë tendencave përçarëse krahinore, fisnore e fetare. Ndaj pikërisht për këto probleme ai shkruan në kryeartikullin e “Dajtit” më datë 1 janar 1925 me titull: “Ndryshimi dhe shpresë e jonë”. Kurse në artikullin “Qytetnimi” në faqet e brendshme të këtij numri ndër të tjera shkruan: “…qytetnimi asht pasunia e asaj njerëzie që mendon e punon”. Një temë kjo të cilën ai e shtjellon mjeshtërisht edhe në artikujt e tjerë, si “Atdhetarë e tradhëtarë”, në artikujt “Ku jemi”, “Qysh jemi e si duhet të jemi”, të cilët për nga ajo çka ka marrë përsipër të trajtojë, mendojmë që në shumë drejtime i shërbejnë ende kohës që jetojmë.

Dalliu në faqen e parë të “Dajtit” nuk abuzon asnjëherë me tituj bombastikë të kronikës së zezë, ndonëse rastet i ka pasur të shumta për ta bërë këtë gjë, siç kanë vepruar rëndom kolegët e tij nëpër gazeta të tjera. Vetëm një herë në kushtet e dhimbjes së madhe, për humbjen e ish-nxënësit të tij në Normalen e Elbasanit, Avni Rustemit, është i detyruar për ta bërë këtë gjë. Sepse prej kohësh atë e kishte mik e bashkëluftëtar të idealit kombëtar ndaj nuk ngurron ta quajë “Hero i kombit”, dhe “Zëri i nacionalizmës së vendit” (gazetar “Dajti”, 25 prill 1925).

Duke qenë një mjeshtër i vërtetë i publicistikës ai e ka përsosur vazhdimisht “Dajtin” e tij, me rubrika nga më të ndryshmet duke e bërë atë tejet të larmishme e tepër të kërkuar në treg nga lexuesit, e sidomos nga ata tiranas. Çka e dëshmon këtë është fakti që edhe sot nëpër shumë familje tiranas gjenden koleksione të plota të kësaj gazete, mundësuar nëpërmjet abonimit të rregullt, që kanë pas bërë që në atë kohë. Kështu lexuesit e “Dajtit” në faqet e tij gjenin jo vetëm lajmin politik e ekonomik, por edhe atë të problematikës, të kronikës së zezë, faqen letrare e atë të humorit. Kështu shumë të dashura ishin bërë për lexuesin e asaj kohe rubrikat: “Fjalë pa doganë”, “Letër e hapur” dhe sidomos “Dajti në gaz”, jehona e së cilës edhe pse kanë kaluar dekada vitesh gjithsesi ende nuk është shuar. Ibrahim Dalliu ishte ndër ata atdhetarë demokratë, i cili donte ta shihte Shqipërinë duke ecur në një udhë të re nën shembullin e demokracive europiano-perëndimore. Ndaj në majën e goditjes së humorit të tij të hollë, por edhe në sa e sa artikuj do të jetë gjithnjë administrata e shtetit dhe nëpunësit e saj anadollakë. “Populli lipset ta dijë mirë – shkruan ai në një artikull më 13 gusht 1924 – se ai asht zot i vetes e i pasunis së vet, e nuk asht rob i urdhnave të qeverisë, kur ata urdhna janë kundra ligjit, si në kohën e sundimit turk ose të sunduesve të tjerë. Edhe qeveritarët lipset ta mbajnë gjithmonë parasysh se ato s’janë gjë tjetër veçse shërbëtorë të popullit me rroga të veçanta”. Por më fort se kurrë qeverinë dhe administratën Dalliu do t’i godasë në radhët e rubrikës “Dajti në gaz”. Për ironi të fatit tek e lexon edhe këtë rubrikë historike dhe njëkohësisht fantastike do ta quaja unë për nga ajo që çfarë është trajtuar e shigjetuar nëpër ato radhë përsosmërie humori e sarkazme të pashoq, shumë nga anët negative të kryeqytetit të atëhershëm, që godiste i madhi Dalliu si baltën, pluhurin, ndotjen, kanalet, rrugët, mejhanet e zhurmshme, nëpunësit e korruptuar etj., janë imediate edhe sot për Tiranën tonë.

Gjithsesi zhvillimin e përparimin e Shqipërisë Hafiz Ibrahim Dalliu e shikon te arsimi dhe vetëm te arsimi. “Që arsimi i rregullt – shkruan ai në një kryeartikull të gazetës “Dajti” me titull “Vetëm arsimi” – do të zhdukë injorancën dhe do të syprimojë një jetë të lumnueshme për mbarë kombin…” “Nuk ka sepse – vijon Dalliu në një artikull tjetër më 11 korrik 1924 po në “Dajti” – arsimi të shihet nga qeveria si e mbramja brimë e kavallit” dhe po aty thekson “se pa shkolla të mira e pa mësues të zotë, nuk do të kemi qytetarë të vlefshëm, për vete e për shoqninë, prandaj të hapen sa më shumë shkolla të mesme të mira, me mësues të mirë me vegla e mjete mësimore të mira.” Dhe pikërisht për problemin e arsimimit të popullatës Dalliu, për të pasur një efektshmëri sa më të madhe nç qeverinë e asaj kohe në faqet e gazetës së tij angazhon për të shkruajtur penda të tilla kalibri si Lumo Skëndo, Haxhi Isuf Banka, Ferit Vokopola, Mehdi Frashëri etj.

Publicistika e Hafiz Ibrahim Dalliut, e cila sikurse thamë është shumë e gjerë dhe e shpërndarë nëpër faqet e periodikëve të ndryshëm, gjithsesi me atë ç’ka marrë përsipër të trajtojë nëpërmjet saj mendja dhe penda e tij, mendoj se do të ishte vërtet një punë me vlerë nëse një ditë, faqet më të ndritura të kësaj krijimtarie të begatë të përmblidheshin në një vëllim më vete, i cili mendoj se padyshim do të shërbente jo pak edhe në ditët tona. Sepse Dalliu ynë edhe pse ishte klerik musliman i mirëfilltë posedonte një shkallë të lartë emancipimi ekonomiko-shoqëror të stilit europiano-perëndimor, vërtet për t’u pasur zili nga kushdo.

Dhe së fundi, në mbyllje të këtyre që thashë, kisha dëshirë t’ju lexoja një poezi timen kushtuar Hafiz Ibrahim Dalliut.

PËRPARA MONUMENTIT TË HAFIZ IBRAHIM DALLIUT

(Shkruar për inat të Maks Velos)*

Çallma e bardhë
si bora e Dajtit
xhybja lehtë
të derdhet shtatit

Dritë në shpirt
flori në mendim
djalë i Tironës
hafizi ynë Ibrahim

Për gjuhn’e shqipes
për Islam e Muhamed
për Shqipninë e shenjtë
jeta jote shkoj krejt

Nuk t’u ndal fryma
penda nuk të reshti
nuk iu tute hasmit
stuhisë e rrebeshit

Herë me pushkë
e herë me penë
nuk e ndale luftën
për mëmëdhenë

Se ty ndaj të thonë
Hafiz Ibrahim Dalliu
që për Shqipninë
krejt jetën e shkriu

Dhe kurrë s’u tut
e asnjëherë s’u dha
vigan i pamposhtur
n’doresh ja Resul Allah![1]

Se je bir i Tironës
“zonjës barkmbarë
që gjithnjë ka nxjerrë
shumë shqiptarë”[2]

/Orientalizmi Shqiptar/


* Kumtesë e mbajtur në seminarin kushtuar Hafiz Ibrahim Dalliut, organizuar nga shoqata “Hafiz Ibrahim Dalliu”, më datë 22 nëntor 2012, në sallën e Akademisë së Shkencave, Tiranë.

* Në një artikull botuar para disa kohësh në gazetën “Shekulli” (26 janar 2004) Maks Velo u përpoq të denigrojë figurën madhore të atdhetarit, luftëtarit e mësuesit të gjuhës shqipe, poetit, shkrimtarit e publicistit të shquar tiranas Hafiz Ibrahim Dalliu “Mësues i popullit” dhe “Martir i Demokracisë”. Në atë artikull famëkeq Maks Velo përpiqet të baltosë edhe monumentin e Hafiz Ibrahim Dalliut vendosur nga populli i Tiranës në sheshin përpara Medresesë, që tashmë mban emrin “Hafiz Ibrahim Dalliu”. Si ish i burgosur politik, Maks Velo duhej të kishte shumë më tepër respekt për të madhin Hafiz Ibrahim Dalliu, që burgun e diktaturës komuniste e provoi shumë më përpara se ai, që në vitin 1945.

[1] Shprehje fetare: “Në dorën tënde o i dërguari i Allahut”.

[2] Shprehje krahasuese, të cilën ai e përdorte shpesh për Tiranën. Me termin shqiptarë, Ibrahim Dalliu identifikon gjithmonë atdhetarët.

Zbulohet Deklarata e panjohur e Pavarësisë

31/12/2012 Lini një koment

Fatmira NIKOLLI

ZBULOHET DEKLARATA E PANJOHUR E PAVARËSISË

Deklarata e panjohur e Pavarësisë (osmanisht)TIRANË - Një zbulim epokal! Kështu e konsideron Prof.Dr.Eqerem Zenelaj dokumentin e gjetur në arkivin e Vjenës, që mban emrin “Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë”. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, sqaron se ajo është në gjuhën osmane, ka pak rreshta dhe në fund janë edhe firmat e delegatëve. Së bashku me të, në arkivat vjeneze Zenelaj ka siguruar edhe një kopje gazete të kohës, që lajmëron se Pavarësia e Shqipërisë u shpall në Durrës nga Ismail Qemali, si edhe një telegram që konsulli austriak dërgon nga Vlora në Vjenë, ku thotë: “Sot ishte te unë Ismail Kemal Bej Vlora, i cili më njoftoi për Deklaratën e Pavarësisë në Durrës dhe se ai me mbi 20 delegatë ka udhëtuar më datë 26 nëntor, natën nëpër Fier për në Vlorë”. Për Zenelajn, rëndësia e këtij zbulimi është shumë e madhe. Madje në telefonatën tonë të parë me të, ai e cilëson zbulim epokal. Ditë më parë, ai u paraqit në zyrën e Kryeministrit Sali Berisha për t’i dhuruar një kopje të Deklaratës. Qe nga ky takim që u nxit kërshëria jonë për të mësuar më shumë mbi këtë dokument të panjohur. Profesor Zenelaj iu përgjigj pozitivisht interesimit tonë për një intervistë dhe na vuri në dispozicion faksimilen e dokumentit të Deklaratës, që botohet sot. Prof. Eqrem Zenelaj hedh dritë mbi Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë, firmosur në Durrës më 26-27 nëntor 1912! Çfarë është kjo deklaratë, ku dhe nga kush u firmos, pse në Durrës, pse nuk është folur më parë për të, cili është teksti i saj dhe pse ka përfunduar në Vjenë? Zenelaj u përgjigjet pyetjeve tona.

Profesor, ju takuat kryeministrin Berisha dhe i dhuruat atij një deklaratë pavarësie. A mund të na shpjegoni se çfarë është kjo deklaratë dhe si ratë në gjurmët e saj?

Është “Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë”, shpallur në Durrës më 1912-ën. Rastësisht, në muajin gusht 2012, ndërsa isha duke hulumtuar në Arkivin e Bibliotekës Kombëtare Austriake në Arkivin “Albertina”, aty ku janë gazetat që ruhen në mikrofilma të arkivuara, papritmas pashë një gazetë me emrin “Wiener Bilder” domethënë “Portrete (Foto) Vjeneze”. Në të pashë disa shkrime të datës 8 dhjetor 1912, ditë e diel, për konfliktet në Ballkan dhe në po atë faqe tri foto: dy ushtarakë austriakë dhe në mes tyre fotoja e Ismail Bej Vlorës. Nën foto lexova diçka të pazakontë që më intrigoi dhe që shkruante: “Der albanische Führer Ismail Kemal Bey, der an der Spitze einer Versammlung von Notabeln in Durazzo die Unabhängigkeitsdeklaration proklamiert hat”. E përkthyer në shqip do të thotë: “Udhëheqësi shqiptar Ismail Kemal Bej, i cili në krye të një asambleje nga paria në Durrës e shpalli Pavarësinë e Shqipërisë”.

Por, Pavarësia është shpallur në Vlorë. Çfarë menduat?

T’ju them të vërtetën u befasova, se nuk e prisja që një dokument të tillë do e zbuloja pas 100 vitesh, edhe atë pothuaj pa e ditur e pa pasur ndonjë ide. E gjeta krejt rastësisht, ndërsa bëja kërkime mbi veprimtarinë diplomatike të Ismail Bej Vlorës për hir të 100-vjetorit.

Ku kërkuat për të gjetur dokumentin?

Më pas shkova në arkivin e Vjenës dhe mora tre austriakë, të cilët i pagova për të hulumtuar mbi 416 kartonë, ku secili përmbante mbi 500 dokumente etj. Mua më ra kartoni me numër 417, dhe nga mesi i dokumenteve gjeta njërin ku shkruhej: “Unabhängigkeitsdeklaration Albaniens” që e përkthyer në shqip do të thotë: “Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë”.
Veç këtij shkrimi gjermanisht, ishte një letër e shkruar në osmanishte dhe kishte pak rreshta. Në fakt unë kam filluar të mësoj edhe osmanishte, por dokumentin e skanova në CD dhe fillimisht e dërgova te dy studentë arabë. Më pas iu drejtova një profesori vjenez që njeh osmanishten. Edhe ai ma përktheu po ashtu sikurse arabët. Pas kësaj, kur erdha në Kosovë, iu drejtova Prof.Dr.Nehat Krasniqit që është osmanolog i shkëlqyer, përkthimi i të cilit ishte njësoj me dy përkthimet e para në Vjenë.

Si e përktheu profesor Krasniqi?

Prof.Krasniqi (osmanolog) pas një jave më solli tekstin e përkthyer, ku shkruan po ashtu sikurse në gjermanisht, se është Deklarata e Pavarësisë së bërë në Durrës, e datës 26/27 nëntor 1912. Unë kisha lexuar se Ismail Bej Vlora ka udhëtuar nga Durrësi për në Vlorë më datë 23 nëntor 1912, por në deklaratë del se ai është i nënshkruar 2 herë e pranë tij edhe djali i tij, Musa Qazimi. Gjeta edhe telegramin tjetër nga Vlora që i dërgohet Vjenës, ku Konsulli i Austro-Hungarisë në Vlorë, po ashtu thotë se “sot ishte te unë Ismail Kemal Bej Vlora, i cili më njoftoi për Deklaratën e Pavarësisë në Durrës dhe se ai me mbi 20 delegatë ka udhëtuar më datë 26 nëntor, natën, nëpër Fier për në Vlorë”. Pra, kjo është Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë e shpallur në Durrës. Po atë natë, sipas Konsullit të Austrisë, pas orës 12:00, dy pari shqiptare ia kanë dhënë menjëherë Konsullit për ta përcjellë për në Vjenë.

Ku ruhej ajo deri tani?

Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë në Durrës gjendet në Arkivin e Monarkisë së Austro-Hungarisë, që quhet së bashku me Arkivin e Shtetit: HHStA.Wien.P.A.Türkei, Liasse 45.Kartoni Nr.417/Fol 9/10.

A mund të na thoni se cila është përmbajtja e saj?

Unë nuk dua të them as më tepër as më pak pos përmbajtjes së vërtetë, që është mësuar nga përkthyesit osmanologë e në mënyrë të veçantë nga Prof. Dr. Nehat Krasniqi. Në osmanishte, përmbajtja e saj është kjo: (TRANSKRIPTIMI)
Avusturya ve Macaristan Devleti fahriyesinin Draç Konsulatuna
Ilân
Hiç bir devlete tâbi olmayarak simdi Istiklal edildi. Hukûki Serbiye-i müstekilemizi ayaklar altina alinmasi içün lütfen muhâfazamizi istidâ- ü istirhâm ediriz ol bâbde. Fi 13/14 tesrin-i sânî, sene 1328.
Draç ahâlisi vekili:
Draç müderrisi – Yusuf, ulemâdan – Hüsejn, ulemâdan – Ali, müderris – Yusuf, ulemâdan – (Muhamed bin Receb), muteberandan – Murteza, muteberandan – (?)
muteberandan – Ismail Kemal, muteberandan – Mahmud Sevki, muteberandan – (?), muteberandan – Mehmed, muteberandan – Musa Kazim, muteberandan – Ismail Kemal, muteberandan – Hüseyn Hakki, Katolik cemiyeti muhari – Filip Sereki, muteberandan – Abdulah, muteberandan – (?), muteberandan – Mehmed Akif, muteberandan – Hasan Bitik, muteberandan – Hüseyn Bala, muteberandan – Bahtiyar Dervi?
Ndërsa nga përkthimi në shqip lexojmë: “Konsullatës së Shtetit të ndershëm të Austro-Hungarisë në Durrës.
Shpallje
Duke mos iu nënshtruar asnjë shteti, tani u bë Pavarësia. Andaj në këtë cilësi ju lutemi me përgjërim që ta mbroni sovranitetin tonë që të mos nëpërkëmbet nga qeveria e Serbisë.
Më 26/27 nëntor të vitit 1912.
Përfaqësues të popullsisë së Durrësit (pasojnë nënshkrimet):
Myderrizi i Durrësit – Jusufi, nga ulema – Hysejn (Tartari), nga ulema – Aliu, myderriz – Jusufi, nga ulema (Muhamed Rexhepi), nga pushtetarët e çmuar – Myrteza (?), nga pushtetarët e çmuar – (?), nga pushtetarët e çmuar – Ismail Qemali, nga pushtetarët e çmuar – (Mahmud) Shefkiu, nga pushtetarët e çmuar – (?), nga pushtetarët e çmuar – Muhamedi, nga pushtetarët e çmuar – Musa Qazimi, nga pushtetarët e çmuar – Ismail Qemali, nga pushtetarët e çmuar – Hysejn Hakiu, Kryeplaku i komunitetit katolik – Filip Sereqi, nga pushtetarët e çmuar – Abdullahu, nga pushtetarët e çmuar – (?), nga pushtetarët e çmuar – Mehmed Akifi, nga pushtetarët e çmuar – Hasan (Bytyqi ose Bikiqi ?), nga pushtetarët e çmuar – Hysejn Balla, nga pushtetarët e çmuar – Bahtijar Dervishi.”

Cilët ishin delegatët që e kanë firmosur?

Deklarata është firmosur në Durrës dhe aty janë të nënshkruar 21 delegatë. I keni më sipër të gjithë emrat, disa janë të palexueshëm. Nëse i krahasojmë emrat e Lef Nosit në librin e tij që e kam në Vjenë, nuk përputhen me emrat nënshkrues të Deklaratës së gjetur. Lef Nosi nuk ka qenë në Durrës, me gjasë e ka shkruar sipas të dëgjuarit dhe mbi 20 vjet pas kësaj date e viti.

Kush e ka marrë nismën për ta firmosur atë dhe pse?

Për këtë nuk di asgjë. Unë jam hulumtues arkivor, jo analist e as politikan. Ja dokumenti, ja të dhënat! Jam shumë krenar që e kam zbuluar unë këtë pas 100 vjetësh, sikurse do isha krenar ta kishte zbuluar çdo shqiptar, – kjo nuk ka rëndësi, dhe po ashtu që është zbuluar në këtë vit jubilar, – dhe aq më tepër jam krenar që po ashtu babai i Pavarësisë, Ismail Bej Vlora, është aty dhe i njëjti është në Vlorë më 28. Pra rëndësi ka që është dokument arkivor, është i yni dhe që e kemi zbuluar ne shqiptarët, e jo të tjerët dhe sidomos që tani ne e kemi në duart tona.

Ku ndryshon ajo me Deklaratën e Pavarësisë së Vlorës?

Ndryshimi është se këtu quhet SHPALLJE. Unë nuk e kam parë asnjëherë Deklaratën e Pavarësisë së Vlorës. Nuk e di se a ka pasur apo nuk ka pasur, edhe nëse ka pasur, siç shkruhet aty ndryshon, sepse në atë që dimë ne thuhet se: Të gjithë delegatët, pasi dëgjuan fjalimin e Ismail Bej Vlorës… të gjithë venduan që Shqipëria të jetë e lirë dhe e mosvarme” kështu shkruan te libri Lef Nosi.
Pra pa paragjykime, aty nuk shkruhet SHPALLJE dhe aty nuk shkruhet që “shpallet” por “venduan”, d.m.th. “vendosën”. Tjetër dokument është edhe një telegram që ia dërgon Ismail Bej Vlora Fuqive të Europës. Ky telegram mban numrin Nr.7198.RefI e aty shkruhet se Asambleja Kombëtare e përbërë nga delegatët e të gjitha viseve shqiptare pa dallim feje etj. sot në Vlorë shpalli (nuk thuhet Pavarësinë por Qeverinë Provizore. Në vend të Pavarësisë janë 20 pika. Në fund të këtij telegrami shkruhet në gjermanisht si fusnotë: “Verstümmelt” që në shqip domethënë pjesë e gjymtuar, e shkëputur, e hequr nga autori i telegramit. Pse është kështu, unë nuk e di, e as që e paragjykoj. Ja si shkruhet decidivisht në Tel.Nr. 7198 të Ismail Bej Vlorës më datë 28 nëntor 1912:
“L’assamblée nationale composée des délégués de toutes les contrées albanaises sans distinction de religion réunis aujourdhui dans la ville de Valona vient de proclamer… Gouvernement proviso ire etj”. Pra, aty ku duhet të ishte ‘shpallje e Pavarësisë’ është vetëm ‘shpallje’, e pastaj janë 9 pika e pas tyre shkruan qeveria e përkohshme. Pra, mjaft interesante.

Si mund të bindet opinioni publik për vërtetësinë e saj?

Ky është dokument i saktë dhe kushdo që dëshiron ta shohë origjinalin, të shkojë në Arkivin e Vjenës në Ballhausplatz. Ai ndodhet në të njëjtën ndërtesë me qeverinë, vetëm se hyrja e Arkivit është në anën tjetër, afër Metros U3. E kërkon në këtë shifër: HHStA. Wien. P. A.Türkei, Liasse 45. Kartoni Nr. 417/Fol 9/10.
Pra, aty në këtë arkiv të shtetit mik, të atij shteti që e sponsorizoi Pavarësinë e 1912-ës, atij shteti që e mbështeti Ismail Bej Vlorën. Me Austrinë ne kemi lidhje tradicionale që nga Traktati i Karllovcit 1699, që në nenin 13, i jep të drejtën e kultprotektoratit Austrisë e më pas me Traktatin e Sistovës, Beogradit dhe deri më 1913-ën, apo edhe më 1918-ën, por edhe sot një shtet mik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në këtë arkiv është ruajtur që 100 vjet dhe aty do qëndrojë, ndërsa 100 metra afër tij kemi edhe armët e Gjergj Kastriotit siç është helmeta dhe shpata me këllëfin e tij. Për fat, falë angazhimit të Ambasadorit Dr.Villi Minaroli, kryeministrit, ministrit të Punëve të Jashtme dhe qeverisë së Austrisë, këto do jenë në Tiranë për 100-vjetorin dhe do i shohin njerëzit në origjinal dhe nga afër.

Përse ekzistenca e këtij dokumenti mësohet vetëm pas 100 vitesh?

Tani është zbuluar dhe shqiptarët nuk janë fajtorë për këtë. Ju e dini se hulumtimi në arkiv është shumë i vështirë, ka shumë barriera ka shumë mundim e sakrificë. Unë as nuk jam më i mençur e as më i dijshëm, por jam munduar të hulumtoj dhe për fat tani në gusht krejt rastësisht e zbulova pa e ditur fare që është aty, sepse unë jam shkolluar në Vjenë, Niza dhe Passau, në Vjenë jam prej 18 vitesh. Nuk e dija se ekzistonte, se po ta dija do e zbuloja që në fillim.

Si ka mbërritur ai në Austri? E dini ju historinë e udhëtimit të dokumentit nga Durrësi në Vjenë?

Në Austri është thënë, në një telegram të Konsullit të Vjenës në Durrës, ku shkruhet: “Mbrëmë pak pas mesnatës dy pari shqiptare më dërguan një dokument në dorë. Është Shpallja e suksesshme e Pavarësisë së Shqipërisë”. Pra, mu për këtë, Konsulli i Austrisë e dërgon në Vjenë dhe aty arkivohet. Nga ana tjetër ata ia kanë dhënë Austrisë sepse Austria ishte sponsorizuese e Pavarësisë dhe po me vaporin e Austrisë, Ismail Bej Vlora ka ardhur nga Treshta për në Durrës.

A është përfolur ekzistenca e saj më parë? Nuk e kemi hasur as në kohën e Zogut as në atë të komunizmit, madje në Shqipëri asnjë historian nuk ka informacion për të…

Të themi të vërtetën unë kam dëgjuar aty-këtu se data e Shpalljes së Pavarësisë është 28, 26 apo 27. Por në Vjenë gjeta librin e Lef Nosit, i cili quhet “Dokumente Historike për t’i shërbye çështjes kombëtare” (përafërsisht kështu). Aty Lef Nosi shkruan për Deklaratën e Durrësit, por janë krejt emra të tjerë nga ata që janë të nënshkruar në Deklaratën e Durrësit. Dua të them se ne kemi një histori shumë të begatshme, shumë të ndritur dhe disi të pazbuluar nga ne shqiptarët deri më sot. Kemi pasur pengesa nga regjimet, si në Jugosllavi, ku shqiptarët nuk guxonin të mësonin historinë e vërtetë të tyre. Madje, në kohën e Rankoviqit, po të kishe një abetare dënoheshe. Shqiptarët dënoheshin njësoj, si për një libër, si për armëmbajtje pa leje. E si mund të mësohej e vërteta jonë nën regjimin okupues jugosllav?!
Nga ana tjetër, në shtetin amë, Shqipërinë e shtrenjtë, diktatura komuniste ka vrarë shumë figura kombëtare e intelektualë të shkolluar ose të ardhur nga jashtë, d.m.th nuk ka pasur qasje në arkiva të huaja. Aty-këtu, kemi pasur edhe Eqerem Çabejn, Ekrem Bej Vlorën, Selami Pulahën, Aleks Budën, por ja që kanë qenë shumë të pakët edhe nuk iu është mundësuar.
Një mik nga Vjena më tha: Profesor Zenelaj, një popull që nuk e shkruan historinë e tij vetë, ia shkruajnë armiqtë. Pra, neve na e kanë shkruar historinë shpesh armiqtë dhe na e kanë mësuar mbrapsht. Ose kemi pasur të dhëna të retushuara, ose të falsifikuara ose të pavërteta.

Marrë nga faqja: http://www.balkanweb.com/intervista/2688/zbulohet-deklarata-e-panjohur-e-pavaresise-shpallur-ne-durres-me-1912-te-108747.html

Mungesa e osmanologëve pezullon hulumtimet

15/12/2012 Lini një koment

MUNGESA E OSMANOLOGËVE PEZULLON HULUMTIMET

Arkivi OsmanNuk janë vetëm shkencat ekzakte të padëshiruara për studim nga ana e të rinjve kosovarë. Ndonëse zhvillimi ekonomik, e sidomos ai industrial bazohet në këto kuadro, e që vazhdojnë të jenë deficitare në vend, interesimi për studim në këto drejtime ka nisur të rritet, por shifrat nuk sjellin ende konkurrencë. Ngjashëm është ballafaquar tash e sa vjet edhe Departamenti i orientalistikës në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës (UP).

I hapur që nga themelimi i UP-së, ky departament nuk ka zgjuar shumë interesim për studim. Studimi i dokumenteve që lidhen me shqiptarët ka mbetur më së shumti peng i mungesës së osmanologëve shqiptarë, shkruan gazeta “Zëri”.

Si i vetmi departament në universitetet shqiptare, në këtë departament nuk funksionon niveli master i studimeve. Numri për të funksionuar një degë prej 20 studentësh që parashihet me statut ka ndikuar shpesh në pezullimin e këtyre studimeve, veçanërisht në nivelin master.

Për herë të parë ky departament ka aplikuar për program studimesh në këtë nivel në Agjencinë për Akreditim të Kosovës (AAK), duke u bazuar në një rritje të interesimit të studentëve për të studiuar në këtë fushë, vërejtur sidomos viteve të fundit, që udhëheqës të këtij departamenti në UP e lidhin me investimet që bën shteti turk në Kosovë, kontaktet dhe marrëveshjet që ka bërë Turqia me Kosovën dhe Shqipërinë.

Tani numri i studentëve në këtë degë ka arritur në 30 studentë të regjistruar në vitin e parë akademik 2012-2013.

Për këtë, Isa Memishi shef i departamentit të orientalistikës në UP shprehet i kënaqur, pavarësisht se pranon që mungesa e osmanologëve shqiptarë ka ndikuar që e kaluara shqiptare të mbetet e paeksploruar kënaqshëm në arkivat e shtetit turk.

Memishi ka thënë për “Zërin” se e kaluara shqiptare për të gjitha trojet etnike gjendet në arkivat turke me mijëra dokumente, pa përjashtuar mundësinë se ato mund të arrijnë në 1 milion copa.

Dega e orientalistikës në UP është e vetmja që funksionon me gjuhën arabe, turke dhe osmane (gjuhësia dhe letërsia), ndërsa sipas Memishit nuk ekziston në universitetet tjera shqiptare, kurse së fundi është hapur në Universitetin e Tetovës, por duhet kohë për të krijuar traditën që e ka, sipas tij, Fakulteti i Filologjisë në UP.

Në Departamentin e orientalistikës në UP për çdo vit, sipas Memishit, po rritet interesimi për orientin, dhe ai mendon se ndikohet edhe nga investimet turke, gjithashtu edhe për shkak të krijimit të marrëdhënieve me shtetet arabe duke vlerësuar se pasi të kryhet “Pranvera arabe” duhet të vendosen marrëdhënie dhe me këto shtete.

Memishi thekson se Kosova ka 3-4 osmanologë dhe se ky departament është duke bërë përpjekje që të nxjerrë sa më shumë kuadro të profesionalizuara në gjuhët orientale. Ai përmend se aktualisht ka disa studentë që po vazhdojnë këto studime në universitetet turke në fushën e osmanishtes.

Ai tha se do të dërgohen studentë atje që të krijohen kuadro për këtë fushë dhe të merren me përkthimin e rreth një milion dokumenteve që duhet të përkthehen nga osmanishtja, e të cilat iu dedikohen trojeve shqiptare nëpër arkivat e Turqisë.

“Dita-ditës dëgjojmë që nuk ka studime të periudhës osmane pa hulumtimin e arkivave të Turqisë. Si të bëhen ato hulumtime kur ne nuk kemi osmanologë”.

Sivjet për herë të parë kjo degë ka konkurruar për akreditim edhe me një program që është hyrje në studimet e gjuhës dhe letërsisë perse. “Gjuha perse është e nevojshme të studiohet për arsye se pa osmanishten, turqishten, arabishten dhe persishten është e pamundur të hulumtohen dokumentet dhe faktet mbi historinë e shqiptarëve”, thotë ai.

Me akreditimin e gjuhës perse, Memishi i quan të kompletuara studimet e orientalistikës. Ndonëse thekson se tash për tash në Kosovë janë tre osmanologë që merren në mënyrë aktive me osmanishten, Memishi e sheh të nevojshme që edhe institutet qoftë ai i Historisë, Albanologjisë dhe arkiva e shtetit, ato komunale që të tregojnë interesim më të madh për të angazhuar të diplomuarit në orientalistikë.

“Asnjë institut nuk ka orientalist të diplomuar. Kuadrot janë, por tani për tani ne nuk kemi një historian që e njeh osmanishten, me përjashtim të kuadrove të kësaj dege që janë orientuar në histori”, ka thënë ai për gazetën./Indeksonline/

Marrë nga faqja: http://www.indeksonline.net/?FaqeID=2&LajmID=37937

Mbi funksionet e persishtes në administratën dhe kulturën osmane

01/12/2012 Lini një koment

Dr. Dritan EGRO

 

MBI FUNKSIONET E PERSISHTES NË ADMINISTRATËN DHE KULTURËN OSMANE*

Dr. Dritan Egro

Dr. Dritan Egro

Irani dhe Turqia, edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë dy komponentë kryesorë të botës islame. Prej më se 1000 vjetësh janë fqinjë me njëri-tjetrin dhe, çka është më e rëndësishmja, kanë afro 300 vjet (qysh prej viteve 30 të shek. XVIII) që nuk kanë luftuar kundër njëri-tjetrit; për rrjedhojë edhe kufijtë e tyre janë më se historikë dhe nuk kanë ndryshuar qysh prej kësaj kohe.

Ndikimet, marrjet dhe dhëniet mes Iranit dhe Turqisë osmane janë sa historike aq dhe të ndërsjella, ndërkohë që përdorimi i gjuhës perse në Perandorinë Osmane, siç do të përpiqemi ta shtjellojmë edhe më poshtë, është i lidhur me dimensionin kulturor dhe me atë administrativ. Përdorimi i gjerë i persishtes dhe i arabishtes përbënin një element të fuqishëm për konsiderimin e Perandorisë Osmane një shtet oriental/islamik. Me fjalë të tjera, Shteti Osman ishte turk në thelb, pasi dinastia drejtuese ishte me origjinë turke dhe gjuha zyrtare ishte turqishtja osmane, por shkalla e lartë e përdorimit të dy gjuhëve të mëdha të fesë dhe të kulturës islame i dhanë asaj një karakter të fortë oriental.

Në këtë shkrim do të ndalem vetëm në dy aspekte kryesore: së pari, në faktin se si Shahname-ja shërbeu si model për historishkrimin e shekujve të parë të historisë osmane dhe së dyti, se si persishtja së bashku me arabishten ishin pjesë përbërëse e formimit teknik dhe kulturor-letrar të nëpunësve të lartë të Shtetit Osman.

Pushtimi osman i Konstantinopojës në vitin 1453 shënoi hapin vendimtar në shndërrimin e Shtetit Osman në një formacion politik me interesa botërore. E padyshim një shteti që rritej dhe zgjerohej vazhdimisht do t’i duhej që edhe ta legjitimonte veten e tij me vepra të shkruara ku të himnizohej historia e dinastisë osmane. Gjatë viteve të sundimit të sulltan Mehmetit II në viset osmane lulëzoi ai zhanër i letërsisë i cili njihet me emrin Shahname. Në këtë kontekst historiko-letrar, aty nga viti 1456, një poet pers i quajtur Kashifi shkroi një vepër që e titulloi Gazavatname-i Rum (Lufta dhe heroizmi në viset ish-bizantine), një vepër persisht në vargje sipas modelit të Shahname-së, e cila glorifikonte sukseset ushtarake të sulltan Mehmetit II.[1]

Po gjatë viteve të sundimit të këtij sulltani, Stambolli u invadua nga një numër i konsiderueshëm poetësh persë, të cilët kryeqytetin e ri osman e shihnin si vendin më të përshtatshëm për të nxjerrë në pah dhuntitë e tyre letrare. Konkurrenca u shfaq jo vetëm mes poetëve persë dhe poetëve osmanë, por edhe mes vetë poetëve persianë me ambicien se cili prej tyre do të tërhiqte më shumë vëmendjen dhe interesimin e sulltan Mehmetit II. Kashifi, Hamidi, Muali dhe Shehdi janë vetëm disa prej tyre.

Falë kontributit të tyre sot mund të thuhet pa ndrojtje që modeli i Shahname-së si një formë e hershme e historiografisë osmane të oborrit u instalua aty nga mesi i shek. XV.[2]

Por persishtja dhe stili i Shahname-së janë të pranishme edhe në dokumente të tjera të rëndësishme osmane, siç janë fetihname-. Dokumentet që i lajmëronin botës islame rënien e Selanikut në vitin 1430 dhe atë të Krujës në vitin 1478 u përpiluan po në gjuhën perse.[3]

Të njëjtin interesim, pra që mbretërimi i dinastisë osmane të vihej mbi baza të forta historike, e vazhdoi sulltan Bajaziti II. Madje, ai shkoi edhe më tej, kur urdhëroi dy prej burokratëve dhe dijetarëve më të mëdhenj të kohës, respektivisht Idrisi Bitlisi dhe Kemal Pashazade, që të shkruanin nga një histori të dinastisë osmane, respektivisht në persisht dhe në turqishten osmane.

Idrisi Bitlisi shkroi atë vepër e cila sot është e mirënjohur në qarqet osmanistike me emrin Hesht Bihist. Kjo vepër përfaqëson modelin më të sofistikuar të historishkrimit pers. Këtë e dëshmon edhe vetë autori kur shkruan se në atë kohë, pra në gjysmën e dytë të shek. XV, kishte disa vepra të shkruara turqisht për dinastinë osmane, por atyre u mungonte eleganca në stilin e të shkruarit.[4]

Si për të plotësuar këtë mangësi të literaturës historiko-letrare, që shkruhej sipas modelit pers, në shek. XVI në strukturat e Shtetit Osman u krijua një zyrë e veçantë: zyra e şahnamexhi-ut. Ky pozicion në strukturat e Shtetit Osman u krijua nga sulltan Sulejmani i Madh në mes të viteve 1550. Detyra e tij ishte të kompozonte vepra legjendaro-historike në stilin e Shahname-së. Progresi i vërejtur në kompozimin letrar të këtij zhanri, sidomos nga poeti osman Arif, bëri që Sulejmani i Madh të ndërmerrte hapin konkret për institucionalizimin e zyrës së shahnamexhiut dhe ta emëronte atë në këtë pozicion.[5]

Vetëm se duke iu drejtuar fundit të shek. XVI, ndonëse kjo zyrë mbante të njëjtin emër, gradualisht vendin e persishtes filloi ta zërë turqishtja osmane, pasi vendin e përshkrimeve të fitoreve triumfatore osmane, tashmë e zunë përshkrimet e personaliteteve historike të kohës, zakonet dhe traditat. Një fenomen i tillë u shoqërua edhe me zëvendësimin e vargëzimit me shkrimin në prozë. Megjithatë, këtu duhet theksuar se merita e traditës letrare perse në poezisë epike ishte fondamentale edhe për letërsinë turke të këtij zhanri (Hüsrev ve Şirin), pasi turqishtja e shek. XV nuk gëzonte elegancën dhe shkallën e sofistikimit që kërkonte gjuha letrare e një shteti që po korrte fitore “epike”. Madje edhe huazimi i lidhjes gramatikore gjinore nga persishtja në turqishten osmane është një tregues i qartë i realitetit që shprehëm më sipër.

Si në Lindje ashtu edhe në Perëndim kur bëhet fjalë për formacione shtetërore jetëgjata, menjëherë mendja të shkon te roli dhe pesha që kanë mbajtur burokratët dhe dijetarët në zgjatjen e jetës së tyre. Në Perandorinë Osmane një figurë e rëndësishme ishte katibi. Ai përgatitej si i tillë pasi kalonte në një proces të gjatë që fillonte, së pari, me studimin e Kuranit dhe të haditheve të Profetit Muhamet dhe, së dyti, me mësimin e gjuhës arabe dhe perse, dhe mundësisht me përdorimin e tyre për qëllime ligjërimi. Këto dije plotësoheshin me njohuri nga historia islame dhe letërsia perse e arabe.

Katibët kishin edhe gjasat më të mëdha, që për shkak të shkallës së lakmueshme të dijes që zotëronin, të ishin edhe burokratët-teknicienë të cilët mbanin korrespondencën zyrtare të Shtetit Osman. Këta zyrtarë, që njiheshin me emrin mynshi (münşi), ishin përpiluesit e të gjitha tipeve të dokumenteve zyrtare, njohës të përkryer të elementeve përbërëse diplomatike të tyre, ku veçanërisht duhej të njihnin formulat standarde që përdoreshin për titujt. Për të arritur në këto nivele mynshitë osmanë shfrytëzuan materialet metodike në arabisht, persisht, në gjuhën urdu, si dhe modelet selçuke të kësaj fushe.

Në mes katipit dhe mynshiut ekzistonte një lidhje e fortë, e cila bazën e kishte te dija islame dhe praktikat burokratike në administrimin e shtetit. Këtu nuk duhet të kalojmë pa vënë në dukje kontributin fondamental të Perandorisë Sasanide, e cila në momentin kur ra në duart e ushtrisë myslimane arabe konsiderohej si vendi i katibëve/mynshi dhe i kaligrafëve.[6] Këtë avantazh Irani i kësaj kohe e gëzonte për faktin se kjo Perandori përbënte një model të avancuar për kohën në nivel shtetformues e burokratik.

Tashmë është një fakt i njohur historik që kryeministri selçuk Fahreddin Ali përdorte persishten në vend të arabishtes si gjuhë të shkrimit të dokumentacionit zyrtar të shtetit. Pra, burokratët ishin mjeshtrit e artit të kompozimit të dokumentacionit shtetëror osman. Ka shumë gjasë që praktika e kompozimit të dokumenteve dhe hartimi i formulave diplomatike perse nëpërmjet selçukëve të kenë kaluar edhe tek osmanët.

Nga ky kontingjent nëpunësish të lartë teknicienë dhe të mirarsimuar dolën edhe figura të njohura të administratës së lartë osmane, si nishanxhi(nişancı) dhe reisylkyttap (reisülküttab), të cilët shpalosën aftësitë e tyre jo vetëm në kompozimin e dokumenteve zyrtare, por edhe në shkrimin e divaneve dhe në lëvrimin e zhanreve të ndryshme të letërsisë orientale të kohës.

Prej kontingjentit të katibëve/mynshi dolën edhe ata që njiheshin me emrin tahrir katibi, (regjistrues kadastral), të cilët kishin për detyrë që në çdo qendër të banuar të një sanxhaku të kryenin regjistrimin e kryefamiljarëve dhe të pronave. Praktika kadastrale osmane i detyrohet shumë praktikave perse dhe një fakt i tillë dëshmohet lehtë edhe nga terminologjia e përdorur nga osmanët gjatë këtij procesi, për shembull termat hane (shtëpi), bive (e ve), mürde (i vdekur).

Është shumë interesant fakti që qysh te defterët më të hershëm osmanë, që kanë mundur të mbërrijnë deri në ditët tona, në ata të gjysmës II të shek. XV, hasim fjali-kompozita në persisht të cilat në trajtën e tyre klishe janë shoqëruar me kompozita turqisht.[7] Madje, në shek. XVI gjuha e defterëve kadastralë osmanë, merr trajta të mirëfillta të një gjuhe finance me kodin e saj të shprehjes. Këtu fjala është për një gjuhë mikse mes persishtes dhe turqishtes osmane, por që sot është lehtësisht e kuptueshme për specialistët osmanistë, pasi mbizotërojnë klishetë dhe falë këtij realiteti sot nga studiuesit e fushës kjo gjuhë njihet me emrin specifik gjuha osmane e financës.

Në përfundim do të thoshim se gjatë periudhës osmane marrjet dhe dhëniet mes Perandorisë Osmane dhe Iranit kanë qenë intensive, porse stili i poezisë epike perse u konsiderua nga osmanët një model i cili i shkonte mjaft mirë ambicieve të tyre botërore.


* Ky shkrim është botuar në revistën kulturore-shkencore “PERLA”, Viti IX, 2009, Nr. 1.
[1] H. Inalcik, “The Rise of Ottoman Historiography”, From Empire to Republic (Essays on Ottoman and Turkish Social History), The Isis Press, 1995, f. 11.
[2] Ibid.
[3] Lufta shqiptaro-turke në shekullin XV – burime osmane, përgatitur nga Selami Pulaha, Universiteti Shtetëror i Tiranës – Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, Tiranë 1968.
[4] H. Inalcik, “The Rise of Ottoman Historiography”, f. 14.
[5] Ch. Woodhead, “From Scribe to Litterateur: the Career of a 16th century Ottoman Katib”, Bulletin (British Society for Middle Eastern Studies), vol. 9, no. 1 (1982), p. 64.
[6] Ibid., p. 67.
[7] Suret-i Defter-i Vilayet-i Gorice ve Premedi ve Konice, Arkivi i Kryeministrisë – Stamboll, (“Maliyye’den Müdevver” collection), nr. 231; H. Inalcik, Hicri 835 tarihli Suret-i Defter-i Sancak-i Arvanid, TTK, Ankara 1954.

Intervistë me Hajrullah ef. Hoxhën, veteran i publicistikës islame në Kosovë

26/11/2012 Lini një koment

INTERVISTË ME HAJRULLAH EF. HOXHËN, VETERAN I PUBLICISTIKËS ISLAME NË KOSOVË

“Edukata Islame” me sukses i ka përmbushur e tejkaluar objektivat dhe pritjet e themeluesve dhe botuesve të saj

Hajrullah efendi Hoxha, është njëri ndër veteranët e publicistikës islame në gjuhën shqipe në Kosovë, që së bashku me H. Sherif ef. Ahmetin, janë nismëtarët dhe bartësit kryesorë të fillimit të botimeve të literaturës dhe periodikut me tematikë islame në gjuhën shqipe.

Për numrin e 100-të të “Edukatës Islame” me Hajrullah efendi Hoxhën biseduam ekskluzivisht për rrugën, sukseset, vështirësitë e sfidat që ka njohur “Edukata Islame” për këto 4 dekada, në këta 100 numra, me të cilët ka bërë historinë e fjalës së shkruar islame te ne.

Hajrullah efendi Hoxha

Pak biografi për Hajrullah Hoxhën
Hajrullah ef. Hoxha

Hajrullah Hoxha u lind në vitin 1939 në fshatin Korroticë të Epërme, komuna e Drenasit. Shkollën fillore katërvjeçare e kreu në Korroticë të Ulët, ndërsa gjimnazin e ulët në Komoran. Medresenë e ulët e kreu në Prishtinë, kurse të mesmen dhe kualifikimin e lartë profesional në Sarajevë. Në vitin 1964 u punësua imam në Deçan, kurse në vitin 1969 u transferua për imam dhe referent fetaro-arsimor në Mitrovicë. Në vitin 1979 u emërua administrator në Kryesinë e Shoqatës së Ylemave në Prishtinë, ku punoi deri në vitin 1998, pastaj ai kaloi në Kryesinë e Bashkësisë Islame dhe u emërua sekretar i Redaksisë për Botime islame. Këtë detyrë ai e kreu deri në vitin 2005, kur edhe u pensionua. Hajrullah Hoxha është autor i “Takvimit” dhe bashkëpunëtor i rregullt i revistës “Edukata Islame”, në të cilën, që nga themelimi i saj e deri më sot, kontribuoi me më së 60 punime. Diku 40 prej tyre janë nga fusha e historisë islame, përkatësisht vazhdime të punimit me titull: “Muhamedi a.s. dhe përhapja e fesë islame”. Ndërsa, të tjerat janë përkthime me përmbajtje të ndryshme nga gjuha boshnjake dhe arabe. Ai disa kohë ka qenë korrektues i “Edukatës Islame”, një mandat katërvjeçar kryeredaktor i saj, ndërsa nga numri 55/1992 e deri 100/2012 sekretar i Redaksisë, përveç në “Edukatën Islame”, ai ka të botuar artikuj të shumtë në “Takvim” dhe në revistën “Dituria Islame”. Jeton dhe vepron në Prishtinë.

Edukata Islame: Hoxhë efendi, ju jeni ndër të paktë themeluesit e publicistikës islame te ne, a na thoni në çfarë rrethanash është vendosur për themelimin dhe botimin e revistës “Edukata Islame”, kur dihet që atë kohë në pushtet ishin komunistët?

Hajrullah efendi Hoxha: Në skenën politike të Jugosllavisë, pas rënies së regjimit famëkeq të Rankoviçit, i cili që nga koha e Luftës e Dytë Botërore, duke ushtruar dhunë sistematike mbi popullatën shqiptare pengoi zhvillimin dhe përparimin normal të tyre në aspektin kombëtar dhe fetar, ndodhën ndryshime të mëdha. Në këto rrethana të krijuara në prag të viteve të 70-ta të shekullit të kaluar, populli shqiptar në Kosovë dhe në viset tjera, përherë të parë filloi ta ndjejë veten të lirë dhe të ketë të drejtë për t’u ankuar publikisht në tubime zyrtare për të gjitha padrejtësitë që i ishin bërë dhe t’i gjykojë bartësit e tyre me emër dhe mbiemër. Këto ndryshime pozitive u kurorëzuan me përmirësimin e marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare të ndërprera për dy dekada. Andaj, si rezultat i ndryshimeve të përmendura pozitive padyshim ka qenë edhe vendimi për botimin e “Edukatës Islame”.

Vendimi për botimin e revistës “Edukata Islame” mund të themi se nuk ka qenë vetëm kërkesë e kohës, por edhe imperativ i saj, sepse nevojat dhe kërkesat e popullatës shqiptare të besimit Islam për ta njohur fenë e tyre përmes literaturës të botuar në gjuhën shqipe për çdo ditë ishin më të mëdha. Popullata shqiptare e pas Luftës së Dytë Botërore, e cila ishte 98% analfabetë ajo tani ishte arsimuar në masë të madhe, duke filluar nga ata që e kishin vetëmësuar shkrim – lexim shqip e deri, tek ata që kishin doktoruar në shkenca të ndryshme.

Nga ana tjetër, botimi i kësaj reviste do t’u shërbente atyre si armë mbrojtëse nga akuzat e pabaza të propagandës antifetare, e cila ishte e pranishme sidomos në arsim dhe në mjetet e informimit. Pas përmirësimit të marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare, propaganda në fjalë kishte marrë përmasa edhe më të mëdha nga ndikimi i frymës ateiste që mbretëronte në këtë të fundit, ku feja ishte e ndaluar me ligj.

Kjo propagandë përbëhej nga kombinimi ekstrem i ideologjisë komuniste, staliniste dhe të asaj nacionaliste kurse parulla kryesore të saj ishin: Feja është opiumFeja e shqiptarit është Shqiptaria, dhe fenë katolike na e kanë imponuar me dhunë romakët, fenë ortodokse bizantinët, ndërsa fenë islame turqit, dhe si të tilla të gjitha janë të huaja për ne. Ata, me këtë rast nuk dinin ose nuk donin ta dinin se, si parullën e parë Marksi, ashtu Pashko Vasa të dytën, i kanë thënë në rrethana të caktuara historike nga shkaqet dhe qëllimet e caktuara, andaj si të tilla ato nuk i përgjigjeshin as kohës as vendit as realitetit. Ndërkaq, sa i takon parullës së fundit ata totalisht harronin se edhe komunizmi si ideologji dhe sistem të cilin e respektonin dhe adhuronin shqiptarët si këndej ashtu edhe andej kufirit nuk ishte prodhim shqiptar por imponim nga sllavizmi serbo-rus. Andaj, kushti në fjalë është dashur të vlejë edhe për këtë të fundit ose për asnjërën. Në shtypin ditor gjithashtu bërja synet e fëmijëve u quajt akt barbar që lë pasoja psikike te fëmijët gjatë tërë jetës se tyre. Ndërkaq, në qendrat spitalore të Perëndimit shumë njerëz në atë kohë i bënin synet fëmijët e tyre edhe pse nuk i takonin fesë islame, këtë e bënin në emër të higjienës dhe preventivës nga sëmundjet venerike.

Viktimat e një propagande të tillë tendencioze ishin sidomos gjeneratat e reja, të cilat duke mos pasur mundësinë për t’u njohur me mësimet e vërteta të fesë islame, shumica e tyre formonin botëkuptime të gabuara për të. Andaj, marrja e vendimit nga Shoqata e Ylemave për botimin e revistës “Edukata Islame” në rrethanat e lartpërmendura ishte një akt sa i rëndësishëm po aq i guximshëm dhe jo vetëm i nevojshëm por edhe i domosdoshëm. Ky vendim u realizua falë angazhimit vetëmohues të, H. Sherif Ahmetit, kryetar i Shoqatës së Ylemave, dhe të disa bashkëpunëtorëve të rinj, të cilët kishim diplomuar në Medresenë e Sarajevës ose të Prishtinës, dhe tashmë ishim punësuar në Bashkësinë Islame.

Do theksuar se në vitin 1971 ndodhën dy ngjarje me rëndësi të madhe fetare dhe kombëtare: vendimi për botimin e “Edukatës Islame”, që u bë gurthemel i publicistikës islame në gjuhen shqipe, dhe vendimi për hapjen e Universitetit të Prishtinës, i cili u bë vatër e shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare.

Edukata Islame: Hoxhë efendi, a na thoni tash e kujt ishte nisma për botimin e saj?

Hajrullah efendi Hoxha: Iniciatori kryesor i nismës për botimin e revistës “Edukata Islame” ka qenë kryetari i shoqatës së Ylemave, H. Sherif. ef. Ahmeti, natyrisht në marrëveshje paraprake me kryetarin e Kryesisë së Bashkësisë Islame, Hfz. Ismail ef. Hakiun, Zoti i mëshiroftë të dy.

Nga ardhja e tij në krye të shoqatës më 1969, ky ishte hapi i dytë i tij në këtë drejtim, pas botimit të Takvimit për herë të parë në gjuhën shqipe për vitin 1970.

Edukata Islame: Paraprakisht a është debatuar në forumet e Shoqatës së Ylemave për botimin e ndonjë reviste apo të literaturës në përgjithësi?

Hajrullah efendi Hoxha: Shoqata e Ylemave që nga viti 1962 e shtypte Buletinin Informativ në dy gjuhë serbokroatisht dhe shqip për nevojat e saj interne. Ky Buletin kishte karakter informativ për aktivitetet dhe veprimtaritë administrative si të Shoqatës së Ylemave ashtu edhe të Bashkësisë Islame. Si i tillë ai më nuk i përgjigjej kohës as nuk i plotësonte nevojat e anëtarësisë së shoqatës se lëre më kërkesat e të interesuarve për literaturë fetare, numri i të cilëve shtohej çdo ditë e më tepër. Duke u bazuar në faktet e lartpërmendura dhe pas një diskutimi të gjithanshëm, Këshilli Ekzekutiv i Shoqatës Ilmije (i cili më vonë u quajt: Kryesia e Shoqatës së Ylemave), në mbledhjen e mbajtur më 2 shkurt 1971, mori vendimin për botimin e një reviste fetare, e cila me përmbajtjen e saj do t’i plotësonte si nevojat e anëtarësisë së vet ashtu të lexuesve të tjerë të interesuar. Në bazë të propozimit të kryetarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame, H. Ismail Hakiut, revista u emërtua “Edukata Islame”.

Edukata Islame: Pasi që Shoqata e Ylemave ka qenë themeluese dhe botuese e “Edukatës Islame”, mundësisht, na i thoni disa fjalë për veprimtarinë e saj?

Hajrullah efendi Hoxha: Shoqata e Ylemave është themeluar dhe ka vepruar në kuadër të Bashkësisë Islame. Anëtarë të shoqatës kanë qenë imamët, punëtorët administrativë të organeve të Bashkësisë Islame dhe të Medresesë, imamët e ramazanit dhe muezinët.

Shoqata i ka pasuar organet e veta prej këshillave në terren e deri te kuvendi. Edhe pse i ka pasur organet e ndara me Bashkësinë Islame, kanë bashkëpunuar ngusht mes vete në organizimin dhe zhvilli­min e jetës fetare ndër pjesëtarët e besimit islam. Shoqata e Ylemave më tepër është marrë me çështjen e shtypit fetar, për arsye, se ndër detyrat kryesore të saj, sipas statutit, ka qenë kujdesi për botimin e revistës së saj, të Takvimit dhe të edicioneve tjera me përmbajtje islame për nevojat e veta dhe të Bashkësisë Islame.

Edukata Islame: Me çfarë vështirësish është përballur redaksia e revistës në fillim të punës së saj?

Hajrullah efendi Hoxha: Qysh në fillim të punës së saj, redaksia e revistës u ballafaqua me vështirësi të natyrave të ndryshme, në mesin e të cilave më e theksuara ka qenë mungesa e bashkëpunëtorëve. Kjo ndodhte për arsye se shumica dërrmuese e gjeneratave të mëparshme të ylemave edhe pse ishin ixhazetli – të diplomuar dhe posedonin aftësi të mëdha profesionale, për shkak të mosnjohjes së rregullave të gjuhës dhe metodave të shkrimit, nuk ishin në gjendje të shkruanin qoftë edhe një artikull në gjuhën shqipe.

Ata kishin mësuar dhe ishin diplomuar nëpër medrese të ndryshme, gjatë sundimit të Jugosllavisë monarkiste, e cila ua kishte ndaluar me ligj popullatës shqiptare si shkollimin ashtu shtypin në gjuhën amtare. Në anën tjetër edhe ne gjeneratat e reja, të cilat ishim shkolluar, në medresetë me plan-program të reformuar, ku mësoheshin përveç lëndëve fetare edhe ato shkencore të shkollave të mesme laike, për shkak të papërvojës dhe mosekzistimit të literaturës fetare të mëhershme në gjuhën shqipe, të cilën do të mund ta shfrytëzonim, ose ta merrnim si model sesi duhet shkruar, kishim probleme të caktuara në këtë drejtim.

Burim kryesor i literaturës me të cilën kishim mundësi të shërbeheshim ka qenë në gjuhën arabe ose boshnjake, të cilat disa prej nesh nuk i njihnin mirë. Pavarësisht nga kjo që u tha më lart, mendoj se të shkruarit është një mjeshtri në vete, e cila kërkon talent, prirje, njohje dhe aftësi, vullnet dhe durim. Sipas përvojës sime shumëvjeçare, do të thosha se vula e suksesit në këtë çështje janë këto dy të fundit. Prandaj, falë vullnetit të pathyer dhe punës vetëmohuese të një grupit të vogël bashkëpunëtorësh të rregullt në krye me h. Sherif Ahmetin, “Edukata Islame” nuk e ndërpreu rrugëtimin e saj, ndërsa me arritjen e kuadrove të afta të shkolluara në qendra të ndryshme universitare të botës islame, problemi i bashkëpunëtorëve, gradualisht vinte duke u eliminuar.

Edukata Islame: Hoxhë efendi, kush ishin atëkohë bashkëpunëtorë të revistës?

Hajrullah efendi Hoxha: Bashkëpunëtorët e parë më kryesorë të revistës “Edukata Islame” në vitet e para të botimit të saj kanë qenë, H. Sherif Ahmeti, hfz. Muharrem Adili, h. Rashit Osmani, m. Bajruh Ahmeti, H. Jashar Jashari, H. Jetish Bajrami, Hfz. Avni Aliu, T. Nelaj (Feti Mehdiu), Ibrahim Spahia dhe unë. Kryeredaktor i revistës ka qenë h. Sherif Ahmeti, ai ishte shtylla kryesore për përgatitjen e saj, i cili me aftësitë e tij të larta profesionale e redaktoi dhe e pasuroi me tema bashkëkohore për një periudhë të gjatë afro shtatëmbëdhjetëvjeçare. Shpeshherë për shkak të mungesës së materialit të nevojshëm, në fillim ai detyrohej të merrte pjesë me dy ose tre artikuj në një numër.

Edukata Islame: Si e priten besimtarët dhe masa e gjerë botimin e revistës “Edukata Islame”

Hajrullah efendi Hoxha: Gjatë sundimit të sistemit komunist jugosllav, edhe pse feja ishte formalisht e lirë, si në Kosovë ashtu edhe në viset tjera shqiptare rrethanat politiko-shoqërore dhe mungesa e kushteve të nevojshme, kanë qenë shkaktare kryesore për mosbotimin e literaturës islame në gjuhën shqipe për një kohë të gjatë. Mirëpo, dëshirat, nevojat dhe kërkesat e besimtarëve, qofshin ata të moshuar apo të rinj, autodidaktë apo të shkolluar çdo ditë e më tepër vinin duke u shtuar. Shpeshherë këto kërkesa ata i drejtonin në Bashkësinë Isla­me ose në Shoqatën e Ylemave, duke i kritikuar për mosangazhim të nevojshëm.

Një numër i konsiderueshëm i tyre, pasi që dinin gjuhën serbokroate, ngase ishin të detyruar ta mësonin në shkolla dhe në ushtri, mungesën e shtypit islam në gjuhën shqipe e plotësonin me marrjen e shtypit që botohej në Sarajevë. Në rrethana të tilla dalja nga shtypi e revistës “Edukata Islame” u mirëprit te shumëkush me gëzim dhe kënaqësi të papërshkruar. Një gëzim i tillë kishte karakter të dyfishtë: fetar dhe kombëtar.

Pas daljes nga shtypi të kësaj reviste, falënderimet dhe urimet me dëshira të sinqerta për sukses dërguar redaksisë së saj përmes telefonit ose letrave me postë kanë qenë të shumta. Me këtë rast do të theksoja përmbajtjen e një letre të tillë nga një lexues dhe bashkëpunëtor i “Edukatës Islame”.

“Unë, si lexues i pasionuar dhe njëkohësisht deri diku edhe bashkëpunëtor i faqeve të kësaj reviste të ndritshme, jam gëzuar që kjo revistë është duke depërtuar pa pengesa ndër lexues, ndoshta me ndonjë vonesë nganjëherë por edhe kjo e ka arsyen e vet. Masa myslimane shqiptare duhet të jetë krenare që në historinë e saj po përjeton daljen e kësaj reviste në gjuhën amtare, në të cilën janë duke u shqyrtuar tema autoriale për mbarë masën myslimane e sidomos atë rinore, e cila shumë pak di për islamizmin dhe principet e tij. Pra revistës në fjalë i dëshirojmë suksese po ashtu edhe bashkëpunëtorëve të saj dëshiroj përparim dhe hapje të horizonteve të ndritshme islamike. Me përshëndetje të përzemërta Eselamu Alejkum, Ibrahim Spahija.(shih: Edukta Islame, nr. 8).

Gjithashtu, urimet e tilla të shprehura gojarisht as me rastin e ta­kimit me lexuesit e kësaj reviste nuk mungonin. Me një rast në bisedë e sipër një xhematli nga Llapi më pati thënë: “Unë, prej fillimit kur ka dalë “Edukata Islame” rregullisht e kam marrë dhe e kam lexuar me kënaqësi të madhe sidomos shkrimet e mulla Sherifit dhe shkrimet tua. Keni bërë punë të madhe, Zoti ju shpërbleftë me të mirat e Tij. Sikur të kishit mundësi për t’i tubuar ato shkrime në një libër do të ishte edhe më mirë, sepse do ta merrnin jo vetëm ata që nuk i kanë lexuar por edhe ne që i kemi lexuar”.

Pasi që nga Lufta e Dytë Botërore, “Edukata Islame” ishte revista e parë dhe e vetmja fetare në gjuhën shqipe në të gjitha trevat shqiptare, dalja e saj u mirëprit edhe ndër shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi dhe diasporë. Interesimi për marrjen e saj, i cili realizohej përmes organeve të Bashkësisë Islame të vendeve të lartpërmendura dhe përmes parapagimit në redaksinë e saj, ishte i madh. Këtë mund ta vërtetojë mesë miri edhe ky rast. Gjatë luftës kur ishim refugjatë në Maqedoni, imami i xhamisë kryesore të Reçicës së Madhe-afër Tetovës, mulla Taxhudini, më vendosi për strehim në familjen e tij. Kur më prezantoi në familje se kush jam me emër e mbiemër dhe ku punoi, babai i tij tha: “Ky emër po më duket si i njohur, a mos je ti një Hajrullah Hoxha, që me mulla Sherif Ahmetin e keni qitur “Edukatën Islame”? Pasi që iu përgjigja pozitivisht i thashë: “Po kah të ka rënë në dorë ty “Edukata Islame”? Ai më tha: ” Në atë kohë Taxhudini ka qenë në Siri, duke studiuar. Në fillim unë i kam marrë disa numra të saj në Bashkësinë Islame në Tetovë, të cilat ende i kam dhe nga njëherë ose i marrë dhe i lexoj vetë ose ua jap fëmijëve për t’i lexuar”. Unë me këtë rast mbeta i habitur për faktin se edhe pse kishte kaluar një kohë e gjatë nga ajo kohë, përjetimet dhe kujtimet për të ende i kujtonte me mall e respekt.

Për daljen e revistës “Edukata Iislame” qe gëzuar shumë edhe veprimtari i çështjes fetare dhe kombëtare imam Vehbi Ismaili, emigrant i Shqipërisë në SHBA, Zoti e mëshiroftë. Ai me rastin e vizitës së tij në Shoqatën e Ylemave, ku u prit nga H. Sherif Ahmeti, H. Ismail Hakiu e shumë të tjerë, atë gëzim dhe kënaqësinë e tij e shprehu përmes urimeve dhe dëshirave të sinqerta për punë të mbarë dhe të suksesshme. Duke pasur parasysh se në Shqipëri jo vetëm shtypi por edhe feja tërësisht ishte e ndaluar, dhe se askund tjetër nuk botohej literaturë islame në gjuhën shqipe përveçse në Prishtinë, si njeri vizionar dhe largpamës, na tha: “Pasi që keni të drejtë për të botuar revista dhe libra fetare në gjuhën shqipe, për çka ndiej kënaqësi të madhe, do t’u sugjeroja që ato t’i botoni me tirazh sa më të madh, sepse mund të ndryshojë situata politike në Shqipëri dhe të lirohet çështja e fesë, kështu që ato do t’u hyjnë në shërbim vëllezërve tanë shqiptarë-myslimanë atje”

Nga kjo kuptohet sesa ai e çmonte lart fjalën e shkruar fetare në gjuhën shqipe dhe se sa e madhe ishte shpresa e tij për ta parë Shqipërinë të lirë nga diktatura komuniste. Më në fund kjo parandnjenjë dhe dëshirë e tij u realizua ngase i dha Zoti ymër për ta parë Shqipërinë e lirë, ndërsa ne e përmbushëm dëshirën e tij ngase në vitet 90, kur u shkatërrua komunizmi, ku jo vetëm numra të ndryshëm të “Edukatës Islame” që i kemi pasur tepricë në depo, por tërë literatura e botuar nga Shoqata e Ylemave dhe Bashkësia Islame që e posedonim ua dërguam falas në Shqipëri.

Edukata Islame: Atë kohë në çfarë rrethanash ka punuar redaksia e një reviste fetare, gjithnjë duke pasur parasysh se keni vepruar në sistemin komunist?

Hajrullah efendi Hoxha: Në sistemin komunist jugosllav, besimi, manifestimi dhe predikimi i fesë, kanë qenë të lejuara dhe garantuara me ligj. Megjithatë, propaganda antifetare dhe pengesat e natyrave të ndryshme ndaj institucioneve fetare, sidomos në Kosovë, kundër islamit, asnjëherë nuk kanë pushuar.

Edhe pse në rrethana të tilla kontradiktore dhe në kushte jo të mira, redaksia e “Edukatës Islame” e zhvilloi punën e saj me sukses duke mos rënë në kundërshtim me rregullat ligjore të parapara për shtyp.

Në fillim, edhe çështja e shtypjes së “Edukatës Islame” ishte problem. Drejtorët e shtypshkronjave, si komunistë të përbetuar, refuzonin shtypjen e saj vetëm pse kishte karakter fetar, me përjashtim të atij të shtypshkronjës “Progres” në Mitrovicë. Në atë kohë unë isha imam në Mitrovicë dhe kisha raporte të mira me drejtorin e shtypshkronjës në fjalë, i cili ishte një njeri dinjitoz dhe intelektual i mirëfilltë.

Pas një bisede të shkurtër pa kurrfarë ngurrimi ai e pranoi ofertën tonë për shtypjen e “Edukatës Islame”. Pra, duke iu falënderuar guximit qytetërues të z. Burhan Gashit, Zoti e mëshiroftë, respektit të tij ndaj fesë islame dhe fjalës së saj të shkruar në gjuhën shqipe, si Takvimi një vit më parë, ashtu “Edukata Islame” e panë dritën e botimit. Në këtë shtypshkronjë të dy botimet e përmendura u shtypën rregullisht për afro 20 vjet.

Gjatë kohës së sundimit komunist çdo vepër para se të dilte nga shtypi duhej censuruar (redaktuar) rreptësishtë nga prokurori publik. Andaj, me rastin e përgatitjes së materialit për botim për çdo numër është dashur t’i kushtohej kujdes i veçantë që të mos ketë në të elemente antiligjore ose politike. Më kujtohet si sot kur me një rast lidhur me këtë h. Sherif Ahmeti më pati thënë: “ Hajrullah, besoj se ti në pikëpamje fetare nuk gabon, por ki kujdes në pikëpamje politike, sepse shumë lehtë ajo mund të shkaktojë ndërprerjen e mëtejshme të “Edukatës Islame”.

Për shkak të rrethanave të ndërlikuara politiko-shoqërore në prag të viteve 90-ta, redaksia e “Edukatës Islame” u përball me vështirësi të natyrës së ndryshme, madje edhe të natyrës politike. Me një rast, papritmas, me erdhën në zyrë dy njerëz të pushtetit (Këshilli Koordinues Krahinor i LSPP), një serb e një shqiptar. Ky i fundit ishte Sherefedin Sylejmani, komunist i hershëm, ndërsa atë të parin nuk e njoha as që i kam lodhur mentë për t’ia mbajtur emrin në mend. Si kryeredaktor (i zorit) i “Edukatës Islame” që isha në atë kohë, kërkuan prej meje me këmbëngulje botimin e saj në dy gjuhët serbokroate dhe shqipe, për nevojat e anëtarësisë dhe të myslimanëve nga territori i Sanxhakut, pasi që ajo ishte organ i shoqatës që vepron në nivel të Republikës të Serbisë. Një kërkesë të tillë kurrë njëherë nuk e kishin bërë, as gojarisht as me shkrim imamët e Sanxhakut.

Sikur ta kishin bërë, sigurisht do t’ua kishim pranuar me kusht që atë ta botonin ndaras njësoj siç patëm vepruar me Kalendarin e murit. Mirëpo, kërkesa e tyre dukej qartë kishte karakter tendencioz dhe me prapavijë politike. Duke pasuar parasysh të gjitha këto, u mundova t’u përgjigjem në mënyrë sa më të shkurtër dhe sa më racionale duke thënë, Imamët dhe myslimanët e Sanxhakut kanë literaturë të mjaftueshme në gjuhën e tyre amtare që botohet në Sarajevë, ndërsa sa i përket botimit të “Edukatës Islame” në gjuhën serbokroate, pasi është organ i Shoqatës që vepron në nivel të Republikës së Serbisë, nuk kemi mjete financiare. Pas kësaj Sherefedini, më tha: “Mjetet financiare ua sigurojmë ne”, ndërsa shoku i tij shtoi, “Së paku temat kryesore të përkthen serbokroatisht”.

Atëherë unë u thashë: “Temat më kryesore të “Edukatës” janë marrë e përkthyer nga Gllasnku i Sarajevës, të cilat ata i kanë lexuar shumë herët, sepse Edukata del 3-4 herë në vit”.

Në realitet ashtu edhe ishte, sepse gati çdo numër të “Edukatës Islame” ka pasuar nga një temë të përkthyer nga Husein Xhozo ose Sinanudin Sokolloviqi. Me kaq mori fund biseda rreth kësaj çështjeje por ata shkuan të pakënaqur, ngase nuk hasëm në mirëkuptim për realizimin e qëllimeve të tyre.

Edukata Islame: Si bëhej shpërndarja e “Edukatës Islame”?

Hajrullah efendi Hoxha: Shpërndarjen e “Edukatës Islame”, Shoqata e Ylemave, si botues i saj, e bënte përmes këshillave të saj në terren, ndërsa këto të fundit përmes anëtarëve të tyre – imamëve dhe myezinëve , i shpërndanin në xhamia. Përveç territorit të Kosovës, në bazë të kërkesave kemi dërguar edhe në këshillat e Bashkësisë Islame: Bujanoc, Preshevë, Kumanovë, Shkup, Tetovë, Gostivar, Dibër, Strugë, Beograd, Titograd dhe Ulqin. Transportimi i saj në kë­shillat brenda Kosovës zakonisht bë­hej me veturë të Shoqatës, ndërsa jashtë Kosovës, me anë të postës. Përveç dërgesave me shumicë, në redaksi kanë qenë të parapaguar një numër i konsiderueshëm i lexuesve nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Diaspora, të cilëve “Edukatën Islame” rregullisht ua dërgonim me anë të postës.

Si shpërndarjen e “Edukatës Islame” ashtu edhe të literaturës tjetër rregullisht e kemi bërë me H. Abdullah Zhegrovën – Zoti e mëshiroftë! Ai në atë kohë një mandat ishte kryetar i Shoqatës së Ylemave, kurse pas vdekjes së H. Jakup Hoxhës, u emërua si sekretar i saj. Pas daljes së çdo botimi nga shtypi, pavarësisht nga kushtet atmosferike të kohës me shi apo borë, të ftohtë apo të nxehtë, ne sa më parë e kemi shpërndarë atë në terren. Shpeshherë kemi udhëtuar natën, madje edhe kur nuk ishte gjendja e mirë e sigurisë, ngase deri në drekë punonim në zyrë. Me gjithë gjendjen shumë të rëndë politike në vitet e 90’ta, demonstratat e shumta dhe kontrollimet e rrepta policore, ne nuk ndaleshim së qarkulluari, sa që njëherë ka ndodhur që ora policore na ka zënë në qytetin e Suharekës. Shpeshherë kemi qenë të ndaluar dhe kontrolluar nga policia serbe. Kështu vepruam me vite të tëra deri më 28.12.1992, kur ai ndërroi jetë në udhëtim e sipër. Atë ditë duke u kthyer nga Prizreni, ku morëm nga shtypshkronja “Takvimin” për vitin 1993, unë u ndala në Komoran për të vazhduar rrugën për Prishtinë, ndërsa ai shkoi për të shpërndarë Takvimin në Drenas, Skenderaj, Mitrovicë dhe në Vushtrri, ku edhe banonte. Në hyrje të Mitrovicës, pas ndërrimit të një gome të veturës, me të hyrë brenda ai kishte ndërruar jetë.

Nuk ishte lehtë të ndahemi nga një shok i dashur e i ngushtë, me të cilin ishim shoqëruar gjatë shkollimit për 8 vjet, katër vjet në Prishtinë dhe katër tjera në Sarajevë. Me të kishim punuar më se 13 vjet në një zyrë, ishim shoqëruar çdoherë kur dilnim në terren deri në ditën kur ndërroi jetë. Zoti i madhërishëm e shpërbleftë dhe na bashkoftë me të në Xhennet!

Me një rast, derisa ishim duke e shpërndarë “Takvimin” për vitit 1993, me Salih Jasharin, policia na kontrolloi, dhe vetëm pse e panë xhamin e “Hysrev Begut” në ballinën e tij, na kërcënuan: “Çfarë po ju duhet juve xhamia e Sarajevës? A mos keni lidhje ju me myslimanët e Bosnjës, të cilët po luftojnë kundër nesh?

Gjithashtu edhe çështja e shitjes së literaturës islame fetare ka qenë tejet e kufizuar me ligj. Ajo ka pasur të drejtë të behët vetëm në zyrat e Bashkësisë Islame dhe të Shoqatës së Ylemave, nëse kjo e fundit ka pasur të veçanta, në xhamia dhe oborret e tyre, ndërsa në vendet publike ose në treg ka qenë e ndaluar. Kjo është dëshmuar praktikisht në disa raste, ku milicia ua ka konfiskuar ose i ka marrë në pyetje shitësit e saj dhe ua ka tërhequr vërejtjen duke i kërcënuar, nëse prapë vazhdojnë.

Edukata Islame: Hoxhë efendi, Edukata tani po përgatit të botojë numrin e saj të 100-të, si e përshkruani rriten e saj?

Hajrullah efendi Hoxha: “Edukata Islame” gjatë veprimtarisë së vet dyzetenjëvjeçare u përball me vështirësi dhe probleme të natyrës së ndryshme duke filluar nga ato me karakter profesional e deri tek ato me karakter politik. Mirëpo, falë angazhimit vetëmohues të botue­sit të saj, kryeredaktorëve, bashkëpunëtorëve dhe stafit teknik ajo arriti që të mbijetojë dhe ta kryejë me sukses misionin e saj për të cilin ishte themeluar. Kohën e veprimtarisë së “Edukatës Islame” mund ta ndajmë në tri periudha: Periudha e parë fillon në vitin e daljes së saj 1971 dhe vazhdoi deri në prag të viteve të 90-ta. Periudha e dyte fillon në vitet e 90-ta dhe vazhdoi deri pas luftës, ndërsa periudha e tretë filloi në vitin 2001 dhe vazhdon deri më sot kur po e botojmë numrin 100-të jubilar të saj.

Fillimin e periudhës së parë e karakterizonte numri i kufizuar i bashkëpunëtorëve dhe tirazhi i vogël prej 1000 ekzemplarëve, mirëpo kohë pas kohe si numri i bashkëpunëtorëve ashtu dhe tirazhi erdhën duke u shtuar. Të gjithë bashkëpunëtorët gjatë kësaj periudhe ishin vetëm nga kuadrat e Bashkësisë Islame, për shkak të sistemit komu­nist, me përjashtim të z. Ibrahim Spahisë dhe Ferid Berishës, të cilët ishin punëtorë të arsimit, si ish-nxënës të medresesë (i pari i medresesë “Isa beg” të Shkupit, ndërsa i dyti i asaj “Atik” të Gjilanit, dhe Mehmet Zhinipotokut, me punë të përkohshme në Francë. Kryeredaktor i saj gjatë kësaj periudhe ishte H. Sherif Ahmeti, i cili me aftësinë profesionale dhe punën e tij të palodhshme bëri që “Edukata Islame” të vazhdojë daljen e saj me rregull. Ndërsa falë kërkesave gjithnjë më të mëdha nga lexuesit tirazhi i saj arriti deri në 5000 copë.

Periudhën e dytë e karakterizojnë siç dihet vështirësitë e ndryshme, gjendja e rëndë politike, dhuna shtetërore dhe lufta. Të gjitha këto shkaktuan daljen me shumë vështirësi të revistës “Edukata Islame” saqë e herë- herë edhe me pauza të gjata.

Edhe pse numri i bashkëpunëtorëve nga radhët e intelektualëve ishte në shtim e sipër, cilësia e përmbajtjes ishte përmirësuar dhe numri i faqeve ishte shtuar, tirazhi i saj, shkaku i gjendjes së vështirë, gradualisht vinte duke u zvogëluar deri sa zbriti në 1000 copë. Në fillim të kësaj periudhe unë isha kryeredaktor, ndërsa nga viti 1992 e deri 2001 ishte H. Resul Rexhepi.

Për shkak të ndryshimeve organizative në Bashkësinë Islame dhe ndërprerjes së veprimtarisë së Shoqatës, Bashkësia Islame më 2001, mori mbi vete botimin e mëtejmë të “Edukatës Islame”.

Periudhën e tretë të “Edukatës Islame”, e cila fillon në vitin 2001 dhe vazhdon deri më sot e karakterizon ajo që është më e vlefshmja në botë – liria, e cila u arrit falë Zotit të madhërishëm, e pastaj atyre që sakrifikuan jetën ose pasurinë e tyre si dhe falë ndihmës ushtarake së Aleancës Veri-Atlantike me në krye SHBA-të.

Duke filluar nga botimi i parë i saj pas luftës, në “Edukatën Islame”, shihen ndryshime të mëdha si në formën ashtu edhe në përmbajtjen e saj. Këto ndryshime pozitive më së miri vërehen në përbërjen e Redaksisë, të drejtuar nga publicisti i njohur, z. Qemajl Morina, anëtarë të cilës ishin si p.sh. akad. Jashar Rexhepagiqi , akad. Pajazit Nushi, Dr. Ejup Sahiti etj. Numri i intelektualëve të tillë është i madh edhe në mesin e bashkëpunëtorëve të “Edukatës Islame”. Andaj, falë punës së palodhshme të kryeredaktorit të saj, z. Qemajl Morinës dhe bashkëpunëtorëve të tij, “Edukata Islame” për nga përmbajtja gjatë kësaj periudhe është shumë më e pasur me tema të zgjedhura dhe aktuale, ndërsa madhësia e saj ka arritur deri në 350 faqe. Për kundër tërë kësaj, tirazhi i “Edukatës Islame” prej 1000 copë është tepër i vogël dhe i pajustifikueshëm, duke marrë parasysh se numri i imamëve në Kosove arrin përafërsisht shifrën e njëjtë.

Nga numri i parë deri në numrin 100 jubilar të saj, në “Edukatën Islame”, janë botuar artikuj dhe punime të ndryshme me karakter fetar, shkencor, kulturor dhe kombëtar. Në të janë shtjelluar tema nga Akaidi- besimi, Fikhu- jurisprudenca islame, Ahlaku- morali dhe etika, Tefsiri- komentimi i Kur’anit, Hadithi- thëniet dhe veprimet e Muhamedit a.s., Historia Islame, si dhe tema tjera shkencore, filozofike, pedagogjike sociale dhe kulturore. Në këto tema dominon metoda e interpretimit bashkëkohor të mendimit islam për njeriun, fenë dhe botën.

Edukata Islame: A i ka përmbushur “Edukata” objektivat dhe pritjet e themelueseve të saj?

Hajrullah efendi Hoxha: Edhe pse u themelua dhe veproi një kohë të gjatë në sistemimin komunist – antifetar, “Edukata Islame” arriti të prezantojë me sukses dhe në mënyrë të drejtë parimet, mësimet dhe vlerat e mirëfillta të fesë islame. Në faqet e saj u trajtuan dhe u shqyrtuan me përkushtim ide dhe tema të rëndësishme fetare, etike, kulturore, filozofike, sociale dhe shkencore. Si e tillë, ajo gjatë veprimtarisë së saj 41-vjeçare ka dhënë një kontribut të çmuar fetar e kombëtar.

“Edukata Islame”, sipas mendimit tim, në këtë mënyrë jo vetëm që e arsyetoi themelimin dhe ekzistimin e saj por me sukses i ka përmbushur madje edhe i ka tejkaluar objektivat dhe pritjet e themeluesve dhe botuesve të saj.

Edukata Islame: Si e shihni çështjen e publicistikës islame në gjuhën shqipe?

Hajrullah efendi Hoxha: Publicistika islame në gjuhën shqipe, nga themelimi i saj e deri më sot, është zhvilluar në mënyrë institucionale në kuadër të Shoqatës së Ylemave dhe Bashkësisë Islame, mirëpo, me fillimin e proceseve demokratike në vitet 90-ta, ajo mori karakter edhe privat. Kur i shoh sot libraritë private të stërmbushura me literaturë islame në gjuhën shqipe, e cila numëron sigurisht me mijëra tituj, duke filluar nga Ilmihali e deri te komentimet voluminoze të Kuranit, dhe e krahasoj me kohën kur e kemi pasur të shtypur në gjuhën shqipe vetëm Ilmihalin e vogël (1957), zemra më kënaqet dhe sytë me mbushen me lot nga gëzimi. Mirëpo, kur mendoj nganjëherë pa emocione dhe i analizoj autorët dhe titujt e kësaj literature, për­mbajtjen dhe kohën e shkruar të saj, si dhe përzgjedhjen e titujve për botim pa kritere të mirëfillta, filloj të them me vete:

“Nga kush po financohet botimi paushall i kësaj literature islame në gjuhën shqipe?! Nëse investitorët e saj janë myslimanë të sinqertë dhe dashamirë të islamit dhe të myslimanëve, atëherë pse këtë punë nuk ua kanë besuar zyrtarisht organeve të Bashkësisë Islame, të cilat janë kompetente për çështjet fetare dhe kanë kuadro për përzgjedhjen e titujve sa më të nevojshëm për vendin tonë, si dhe për kontrollimin e përkthimit të tyre që të jetë sa më i përpiktë dhe më i rrjedhshëm? Pse këtë punë ua kanë besuar personave të caktuar madje edhe laikë, të cilët në mënyrë private i përkthejnë titujt e caktuar, i botojnë dhe i shesin sikur të ishte mall i kontrabanduar? Çfarë kanë nevojë lexuesit e rëndomtë për një literaturë të tillë voluminoze, në të cilën përfshihen edhe shumë vepra të shkruara para më së një mijë vjetëve, në kohën e dekadencës së myslimanëve, në të cilat janë shqyrtuar çështje dhe probleme të atëhershme, e që sot nuk janë fare aktuale? Kujt i duhet një literaturë e tillë, e cila e orienton vëmendjen e lexuesit më tepër kah problemet e së kaluarës sesa kah problemet aktuale dhe perspektiva e së ardhmes? Të gjitha këto, e shumë dilema të tjera, më bëjnë të brengosem dhe të dyshoj: Vallë a mos një veprimtari e tillë i ka shkaqet dhe qëllimet e caktuara, në mesin e të cilave është edhe mbjellja e farës së përçarjes së myslimanëve në bazat e medhhebeve dhe sekteve të ndryshme, pasojat e së cilës tashmë kanë filluar të jenë të pranishme thuajse në çdo mjedis.

Botimi i tillë i literaturës pa plan dhe pa kontrollim të saj, dhe shpërndarja e saj masive, në hapësirat shqiptare, sidomos pas luftës në Kosovë, sipas mendimit tim u përngjan vërshimeve të përroskave ose lumenjve që nuk e kanë shtratin e rregulluar pas shirave të mëdha. Me ç’rast ato më tepër u sjellin dëme sipërfaqeve të tokave të vërshuar sesa dobi.

Me qëllim që të mos ndodhë diçka e tillë edhe në Bashkësitë Islame në trojet shqiptare, do t’i sugjeroja që të formojnë nga një organ-institut të veçantë botues, me ekspertë të zgjedhur në lëmi të ndryshme, i cili do të drejtonte dhe kontrollonte tërë veprimtarinë botuese të saj, qofshin ato revistat apo botime tjera të veçanta.

Edukata Islame: Në Edukatën Islame jeni i pranishëm me punimin “Muhamedi a.s. dhe përhapja e fesë Islame” nga numri 1 deri në atë 60, në 38 vazhdime, si keni pasur durim të shkruani për 25 vjet rreth në një temë?

Hajrullah efendi Hoxha: Në “Edukatën Islame” nr. 1, është botuar vazhdimi i tretë i punimit në fjalë, ndërsa dy pjesët e para kanë qenë të botuara në dy numrat e fundit të “Buletinit Informativ”. Ndërsa, sa i përket çështjes së durimit, ai ka qenë i bazuar në vullnet të pathyeshëm dhe në dëshirë të madhe, të cilat së bashku më kanë shoqëruar vazhdimisht dhe i kam kuptuar dhe vlerësuar si dhurata tepër të çmueshme nga Allahu i madhërishëm. Megjithatë, dëshira, vullneti dhe durimi në fjalë kanë qenë të bazuara: Në ndjenjën e dashurisë ndaj Allahut xh.sh, të Dërguarit të tij dhe Fesë Islame;

Në ndenjën e përgjegjësisë morale për shfrytëzimin dhe përhapjen e diturisë së poseduar. Në dëshirën e madhe për t’ua bërë të mundur popullatës shqiptare të besimit islam për ta njohur biografinë e Muhamedit a.s. dhe të fesë islame në mënyrë të drejtë përmes fjalës së shkuar në gjuhën amtare. Në shpresën e madhe për shpërblimin e be­gatshëm të Allahut xh.sh., për mundin dhe kontributin e dhënë në udhëzimin e njerëzve në rrugën e drejtë të Tij.

Duke u mbështetur në fjalët e Muhamedit a.s. thënë shokut të tij: “O, Muaz, nëse Allahu e drejton një njeri përmes teje në rrugë të drejtë, më e dobishme është për ty se e tërë bota dhe çka ka në të”.

Edukata Islame: Pasi që punimi në fjalë është i një rëndësie të veçantë për faktin se për herë të parë është shkruar te ne për jetën e Muhamedit a.s., a mendoni për ta tubuar e botuar atë në një vëllim?

Hajrullah efendi Hoxha: Lidhur me ketë çështje kam pasuar sugjerime dhe propozime edhe më herët nga disa dashamirë të mi, mirëpo vetëm kohëve të fundit kam vendosur që t’i rikthehem ta korrigjoj tërë atë material dhe ta përgatis për botim. Por, edhe kjo ka punë dhe do kohë.

Nëse kam ymër dhe më punon shëndeti, shpresoj se kjo punë me ndihmën e Zotit do të kryhet me sukses, mirëpo nëse ndodh e kundërta, jam i bindur që do ta përfundoni ju.

Edukata Islame: Hoxhë efendi, cila është porosia juaj për lexuesit dhe bashkëpunëtorët e “Edukatës…”?

Hajrullah efendi Hoxha: Kushtet për punë, mundësitë dhe rrethanat tani, krahasuar me atë kohë kur kemi punuar ne janë të pakrahasueshme në çdo aspekt: politik, ekonomik, profesional, teknologjik, informativ etj., me fjalë të tjera ato sot janë ideale, andaj vetëm kërkohet shfrytëzimi i tyre në mënyrë maksimale. Në kontekst të kësaj për lexuesit e “Edukatës Islame”, bashkëpunëtorët dhe anëtarët e redaksisë me këtë rast porosia ime është:

Të punojnë edhe me më përkushtim, në përhapjen e mendimit dhe mësimeve islame, përmes fjalës së shkuar në gjuhën shqipe duke llogaritur këtë si një obligim të domosdoshëm fetar me përgjegjësi të madhe morale. Të gjithë i përshëndes përzemërsisht me selam dhe iu dëshiroj suksese në punë.

Gjithashtu, edhe revistës “Edukata Islame”, me rastin e botimit të numrit jubilar i dëshiroj shtegtim të pandalshëm në rrugën e saj të trasuar që katër dekada, si dhe suksese të reja.

Edukata Islame: Hajrullah efendi, ju faleminderit shumë për këtë intervistë të dhënë, gjatë së cilës ndiem kënaqësi të veçantë. Ne ju dëshirojmë shëndet dhe suksese në punën tuaj?

Hajrullah efendi Hoxha: Në fund e falënderoj Allahun e madhërishëm që më ka bërë të munduar që edhe unë të jem prej atyre që kanë kontribuar me shkrime për të mirën e islamit dhe të myslimanëve shqiptarë. Ndërsa juve që e keni paraparë këtë intervistë me mua si një dëshmitar i gjallë i rrjedhave në redaksinë e “Edukatës Islame” dhe si një bashkudhëtar i saj i pandashëm, ju falënderoj përzemërsisht dhe ju dëshiroj sukses.

Intervistoi: Ramadan Shkodra

Harta e vendeve të fshehta

09/11/2012 Lini një koment

Ejyp MIKULLOVCI

 

HARTA E VENDEVE TË FSHEHTA

Piri Reis world map

Skuadra Teknike e Zbulimit 8
Forcat Ajrore te Shteteve te Bashkuara te Amerikes
Westover Airforce Base
Massachusetts
6 Korrik 1960

Subjekti: Harta e Botes se Admiralit Piri Reis
Për: Profesor Charles H. Hapgood
Keene College,
Keene, New Hampshire.

I dashur Profesor Hapgood!

Kerkesa juaj per te analizuar disa te dhena te pazakonta ne Harten e Botes se Piri Reis te vitit 1513 eshte marre parasysh nga organizata jone.
Deklarata se pjesa e poshtme e hartes paraqet Brigjet e Princes Martha te Queen Maud Land ne Antarktike dhe Gadishullin Palmer, jane te arsyeshme. Ne mendojme se ky eshte
shpjegimi me llogjik dhe mbase me i sakti i hartes. Detajet gjeografike te treguara ne pjesen e poshtme te hartes perputhen ne menyre te habitshme me rezultatet e profilit sizmik te kryera perreth majes se kupoles se akullit nga ekspedita Anglo-Suedeze e vitit 1949 ne Antarktike. Kjo tregon se vija bregdetare eshte hedhur ne harte perpara se te mbulohej nga shtresa e akullit. Shtresa e akullit ne kete zone tani eshte e trashe rreth 1 milje.
Nuk kemi asnje ide sesi eshte e mundur qe te dhenat e kesaj harte te perputhen ne njohurine gjeografike te vitit 1513.

Harold Z. Ohlmeyer

NenKolonel ne Komanden e USAF

Pavaresisht nga gjuha e qete, letra e Ohlmeyer eshte nje bombe e vertete. Nese Queen Maud Land ishte hedhur ne harte perpara se te mbulohej nga akulli, kartografia origjinale duhet ta kete realizuar kete gje jashtezakonisht shume kohe me pare.
Por saktesisht sa kohe me pare?
Shkenca konvencionale na meson se shtresa e akullit ne Antarktike ne shtrirjen dhe gjendjen aktuale eshte me miliona vjet e vjeter. Mbas nje studimi te kujdesshem ky nocion pesoi nje krisje serioze, aq serioze sa skemi nevoje te supozojme se harta e vizatuar nga Admirali Piri Reis paraqet Queen Maud Land sic ka qene me miliona vjet me pare. Evidenca me e fundit sugjeron se Queen Maud Land dhe zonat e tjera ne afersi qe dallohen ne harte kane kaluar nje periudhe te gjate kohe pa akull gje qe mund te mos kete perfunduar deri 6 mije vjet me pare. Kjo evidence na heq barren e te shpjeguarit se kush (ose cfare) kishte teknologjine per te ndermarre nje rilevim te kujdesshem gjeografik te Antarktikes, te themi 2 milion vjet me pare, shume kohe perpara se te ekzistonte njeriu. Duke ndjekur te njejten llogjike meqe kartografia eshte nje kompleks dhe aktivitet i civilizuar na detyron te shpjegojme sesi ka mundesi qe edhe 6 mije vjet me pare te ishte krijuar nje harte e tille, shume kohe perpara se te zhvillohej civilizimi i pare i njohur nga historianet.

BURIME ANTIKE

Ne perpjekje per te shpjeguar kete fakt ja vlen qe te kujtojme veten tone mbi disa fakte gjeologjike dhe historike:
1. Harta e Piri Reis qe eshte nje dokument autentik dhe jo nje falsifikim eshte bere ne Konstandinopoje ne vitin 1513 te Eres Sone.
2. Ajo perqendrohet ne brigjet perendimore te Afrikes, brigjet lindore te Amerikes se Jugut dhe brigjet veriore te Antarktikes.
3. Eshte e pamundur qe Piri Reis ta kete marre kete informacion ne lidhje me rajonin e fundit nga eksploratore bashkekohes me te pasi Antarktika u zbulua ne vitin 1818, pra me shume se 300 vjet me pas nga koha kur ai vizatoi harten.
4. Brigjet e cliruara nga akulli te Queen Maud Land sic tregohen ne harte jane nje mister kolosal pasi evidencat gjeologjike konfirmojne faktin qe data me e fundit kur kjo toke mund te jete vezhguar dhe si rrjedhoje hedhur ne harte mund te jete vetem viti 4000 Para Eres Sone.
5. Eshte e pamundur te percaktohet datimi me i hershem per kryerjen e kesaj harte por mesa duket Queen Maud Land ka mbetur e paprekur nga akulli per te pakten 9000 vjet perpara se te perpihej komplet.
6. Nuk ka asnje civilizim te njohur nga historia qe mund te kete patur aftesine ose nevojen per te kryer rilevim (ose vezhgim) te brigjeve ne nje periudhe qe lidhet midis 13.000 p.e.s. dhe 4000 p.e.s.

Me fjale te tjera, enigma e vertete e hartes se 1513-es nuk eshte dhe aq perfshirja e nje kontinenti qe u zbulua vetem ne 1818-en por paraqitja e nje pjese te bregdetit te ketij kontinenti pa pranine e akullit i cili ka ne kete toke te pakten qe 6.000 vjet me pare dhe nuk eshte shkrire qe nga ajo kohe.
Si mund te shpjegohet kjo gje? Piri Reis me bujari na ka dhene disa pergjigje ne nje sere doreshkrimesh te kryera prej tij mbi vete harten. Ai na thote se nuk eshte pergjegjes per rilevimin origjinal dhe per kartografine. Ne te kunderten, ai pranon se rroli i tij ka qene thjesht ai i i vizatuesit dhe kopjuesit dhe se harta ishte si rrjedhoje e nje numri te madh hartash dhe burimesh te tjera informacioni. Disa prej tyre ishin vizatuar nga eksploratore bashkekohes ose pothuaj bashkekohes (perfshi ketu dhe Kristofor Kolombin) i cili nderkohe kishte mberritur ne Ameriken e Jugut dhe ne Karaibe ndersa dokumentat e tjera datonin shekullin e katert p.e.s. ose dhe me heret.

Piri Reis nuk ka tentuar asnje shpjegim mbi identitetin e kartografit qe e kishte prodhuar harten e hershme. Sidoqofte ne vitin 1963 Profesor Hapgood paraqiti nje zgjidhje provokuese te problemit. Ai debatoi mbi faktin qe disa nga burimet e hershme te cilat ishin perdorur nga admirali turk, ne vecanti ato qe i perkisnin shekullit te katert p.e.s. ne vetvehte ishin bazuar ne burime akoma dhe me te hershme dhe si rrjedhoje ato vete ishin bazuar ne burime te cilat e kishin origjinen ne nje kohe edhe me te hershme. Hapgood argumenton se ka patur evidenca te pakundershtueshme qe toka eshte hedhur ne harte perpara vitit 4000 p.e.s. nga civilizime te panjohura dhe te pazbuluara ende te cilet kishin arritur nje nivel te larte dhe te avancuar teknologjik.
Duke ju referuar rivizatimit te Hapgood, nga Aleksandria kopjet e ketyre si dhe disa nga hartat origjinale ishin transferuar ne qendra te tjera te dijes ku njera prej tyre ishte Konstandinopoja. Si perfundim kur Konstandinopoja ra ne duar e Venedikasve gjate Kryqezates se Katert ne vitin 1204, hartat filluan te bien ne duart e lundertareve dhe aventuriereve Europiane:

Shumica e ketyre hartave ishin te Mesdheut dhe te Detit te Zi. Por edhe harta te zonave te tjera mbijetuan. Ketu perfshihen dhe hartat e Amerikes dhe hartat e oqeanit Arktik dhe atij Antarktik. Nga kjo behet e qarte qe udhetaret e lashte kane shkuar nga poli ne pol. Sado e pabesueshme te tingelloje, evidencat tregojne se disa njerez te lashte kane eksploruar Antarktiken kur brigjet e kesaj kane qene te pa mbuluara nga akulli. Po ashtu eshte e qarte se ata kane patur aparatura lundrimi per te percaktuar me saktesi gjatesite gjeografike, gje qe ka qene shume me teper superiore nga sa ishin te pajisur njerezit e koheve te lashta, atyre mesjetare dhe koheve moderne deri ne pjesen e dyte te shkekullit te tetembedhjete.
Kjo evidence per nje teknologji te humbur do mbeshtesi dhe do i japi besueshmeri dhe shume hipotezave te tjera te cilat kane ardhur ne ditet tona nga nje civilizim i humbur ne nje kohe te larget ne te kaluaren. Studiuesit i kane zhvleftesuar shume nga keto evidenca duke i konsideruar si mite por ja ku e kemi nje evidence te cilen ata se kundershtojne dot. Kjo evidence kerkon me force qe cdo evidence tjeter qe eshte anashkaluar duhet rianalizuar nga e para dhe me nje mendje te hapur.

Ndonese mbeshtetja e Albert Einstein dhe pohimi i mepasshem i John Wright, presidenti i American Geographical Society qe u shprehen se Hapgood ka paraqitur “nje hipoteze qe meriton me plot gojen te studiohet me vemendje”, asnje studim shkencor nuk eshte kryer mbi anomalite e ketyre hartave te vjetra. Por ndodhi e kunderta, ne vend qe te duartrokitej dhe te pershendetej per kontributin serioz ne debatin e vjetersise se civilizimit njerezor Hapgood deri sa vdiq, ju kthyhen krahet nga pjesa me e madhe e shokeve te tij te profesionit te cilet shprehen mendimet ne nje menyre te tille qe eshte konsideruar si “nje sarkazem e trashe dhe e papritur duke zgjedhur, gjera pa rendesi dhe faktore qe nuk ishin subjekt verifikimi, si baze per te denuar punen e tij, duke kerkuar ne kete menyre te shmangnin ceshtjet thelbesore”.

PIRI REIS DHE BURIMET E TIJ

Ne kohen e tij Piri Reis ka qene nje figure mjaft e njohur; identiteti i tij historik eshte mese i konfirmuar. Nje admiral i flotes Otomane Turke, ai ka qene shpesh i perfshire ne anen e fituesit ne beteja te shumta detare gjate mesit te shekullit te gjashtembedhjete. Reis konsiderohej si nje ekspert i tokave te Mesdheut dhe ishte autor i librit te famshem mbi lundrimin Kitabi Bahriye i cili paraqiste pershkrime te detajuara te brigjeve, gjireve, rrymave, cektinave, vendeve te ankorimit, ngushticave dhe kanaleve te deteve Egje dhe Mesdhe. Por ndonese kishte nje karriere te shkelqyeshme ai ra viktime e atyre te cileve ju sherbente dhe ju pre koka ne vitin 1554 ose 1555 te eres sone.
Te dhenat e hartave te cilat Piri Reis perdori per te vizatuar harten e tij ne vitin 1513 ka shume mundesi qe te kene qene te ruajtura ne Bibloteken Perandorake te Konstandinopojes per te cilat admirali njihet ne histori qe ka patur privilegjin e aksesit dhe studimit. Ato burime (te cilat mund te jene trasheguar dhe kaluar brez pas brezi ose kopjuar nga qendra te diturise akoma dhe me te lashta) nuk ekzistojne me ose te pakten nuk jane gjetur me. Por sidoqofte Harta e Piri Reis e vizatuar ne nje lekure gazele dhe e mbeshjtelle tub u rizbulua ne vitin 1929 ne nje raft te pluhrosur ne biblotekn e Pallatit Perandorak te Konstantinopojes.

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 63 ndjekësve të tjerë

%d bloggers like this: