Arkiv

Archive for the ‘Gjuha osmane’ Category

Shemsettin Sami (Frashëri), ky mjeshtër i gjuhës

28/05/2013 Lini një koment

Avni OZGUREL*

 

SHEMSETTIN SAMI (FRASHËRI), KY MJESHTËR I GJUHËS

Sami Frashëri

Sami Frashëri

Meqë ky vit kaloi plot me përkujtimoret për Nazim Hikmetin, më lindi shpresa se mund të kujtojmë edhe emrat dhe veprat e gjuhëtarëve dhe shkrimtarëve të tjerë të mëdhenj, dhe tu fshijmë pluhurin nga këto vepra dhe nga gurët e varreve. E kam fjalën për një mjeshtër të gjuhës që tashmë i është harruar edhe guri i varrit. Shemsettin* Samiun (Frashëri). Ai, është autori që nxorri në dritë enciklopedinë Kamus-u Alam dhe Kamus-u Turki, dy bazat e gjuhës së sotme turke. Ai është një nga ata që nën udhëheqjen e Ahmet Mit’hat Efendiut, përpunoi fjalinë e gjuhës së sotme turke gjatë periudhës së Tanzimatit, është përkthyesi që i dhuroi turqishtes dy përkthimet e para të një romani dhe një pjese teatrale perëndimore, është ai që mbronte me forcë se alfabeti latin ishte më i përshtatshëm për gjuhën turke dhe i pari që përgatiti një alfabet të tillë.

“Jo osmanllisht, por turqisht…!”

Shemsettin Samiu me origjinë ishte shqiptar. Lindi më 1850 në Jania (Janinë) dhe u mbart në Stamboll më 1871. Interesi për të shkruarin e shtyu atë të nxirrte një gazetë me emrin “Sabah” (Mëngjesi) dhe më pas të botonte revistën “Hafta”(Java). Shemsettin Samiu i cili së bashku me gjuhën shqipe pra gjuhën mëmë, zotëronte në mënyrë perfekte 8 gjuhë të huaja, për shkak të mendimeve përparimtare u syrgjynos dhe pothuaj një jetë të tërë u mbajt nën vëzhgim në shtëpinë e tij. Vepra e tij e parë ishte fjalori frëngjisht-turqisht që u botua më 1885, i cili më pas u ndoq nga fjalori më i madh i gjuhës turk Kamu-s Turki. Ai shprehej se turqishja nuk është osmanishte, se fjala “osmanlli”, ishte vetëm emërtimi i një shteti, dhe ai ishte pena e parë që guxoi të shprehej se nuk ishte përulëse të thuash se jam turk dhe të flasësh turqisht, bile përkundrazi ai (ndonëse vetë nuk ishte turk) u tregoi turqve se duhet të jenë krenarë që janë të tillë.Për këtë arsye emri i tij mund të radhitet pa hezitim mes turkologëve më të mëdhenj që kemi, Ahmet Vefik Pasha, Sulejman Pasha dhe Ali Suavi.

Një jetë e mbushur me vetmi

Padyshim Shemsettin Samiu, jetoi një jetë të thjeshtë e të mbushur me vetmi në konakun e tij në Erenkoj, (lagje e Stambollit). Ai ishte një njeri që nuk i pëlqente të merrte pjesë në ahengjet dhe mbledhjet e kokave të gjuhës dhe letërsisë turke. Mendja e tij e ndritur ishte përherë në kërkim të projekteve të reja në fushën gjuhësore. Ai ishte i pari që duke u mbështetur në punën e turkologut të madh evropian Radolff përktheu në turqishten e sotme Shkrimet e Orhunit (dokumenti i parë i gjuhës turken në histori), dhe duke u mbështetur te gjuhëtari dhe turkologu anglez Vembley, pasuroi turqishten me një nga dokumentet më të vjetra të saj, Kutadgu Bilig (amaneti i një perandori të vjetër turk për të birin). Mësojmë nga burimet historike se netëve llampa e tij me vaj nuk shuhej deri afër mëngjesit dhe se ai punonte me penat dhe bojën që i prodhonte vetë, dhe rreth 14-15 orë në ditë ai i kalonte nën shoqërinë e gërvishtjes që linte pena i tij mbi letër. Me mjekrën e dredhur e të bardhë si borë, më tepër se një gjuhëtar ai i ngjante një dijetari enigmatik të Mesjetës. Shkrimtari dhe gjuhëtari (turk) Ismail Habib Savuk do shprehej; Nganjëherë atë që nuk e bëjnë dot akademitë që përbëhen nga 40-50 vetë, ngrihet dikush si Shemsettin Samiu dhe e bën me sukses…Nëse dikush do të mësojë se ç’është mrekullia, duhet të eksplorojë Samiun dhe veprat e tij…”

Poli i jetës së tij, Zonja Emine

Shemsettin Samiu u martua më 1884 me zonjën Emine, bijën e Kazasker Sadettin Efendiut, njeri me prejardhje nga paria e Stambollit, dhe nga kjo martesë u lindën katër fëmijë. Emri i njërit prej djemve, Ali Sami Jen-i, përmendet dhe sot e kësaj dite si themeluesi i klubit sportiv të Gallatasarajit, (dhe njëri nga stadiumet e Stambollit mban pikërisht emrin e tij). Dimë gjithashtu edhe afërsinë e tij me vajzën e vogël Samije (që e kishte pagëzuar me emrin e tij), e cila zotëronte në një farë mënyrë aftësitë e të atit, dhe Samiu mbas punës së gjatë dhe të lodhshme, me qëllim për tu qetësuar, bënte biseda dhe diskutime të gjata më Samijen në lidhje me gjuhën dhe letërsinë. Samiu kishte mbetur i kënaqur nga jehona dhe mirëpritja që iu bë përkthimit që i bëri “Të mjerëve “ të Viktor Hygoit. Këtë e kuptojmë nga fakti se ai megjithëse jetonte një jetë në përgjithësi brenda mureve të shtëpisë së tij, në atë kohë mori pjesë në një sërë diskutimesh dhe shkroi gjerësisht në shtypin e kohës në lidhje me Hygonin dhe veprën e tij. E megjithatë ai ishte i brengosur për arsyen se veprat e tij akademike në lidhje me turkologjinë nuk gjetën mbështetje, dhe shtegëtoi nga kjo botë pa dëgjuar fjalët e historianit të madh Abdurrhman Sheref, i cili ne veprën e tij “Fletët e Historisë” shprehet : “Artikujt e tij në gazetën “Sabah” dhe punimet e tij në fushën e gjuhës, janë një e vertëtë dhe një mësim për gjithë popullin turk”. Ai dashuroi vetëm një herë, dhe atë dashuri e jetoi deri ditën e fundit të jetës. Gjer ditën kur mbylli sytë, kujtimi i vetëm që mbante përditë para syve në tryezën e punës, ishte fotografia e dashurisë së tij të vetme, zonjës Emine (e cila kishte vdekur prej kohesh duke i dhënë Samiut një goditje tjetër në jetë) . Ai nuk e fshihte se e kishte kthyer në një ritual që çdo ditë t’i merrte pluhurin kësaj fotoje mbyllur në kornizë. Poshtë fotos, brenda kësaj kornize ishin shkruar edhe disa vargje nga poeti i madh mistik Fuzuli, dhe në krah të saj qëndronte një tufë flokësh, nga flokët e zonjës Emine, kujtim të cilin Samiu do ta merrte me vete në varr. Dimë gjithashtu se sa herë që mbidhej me shokët dhe miqtë e ngushtë, bënte si bënte dhe e kthente fjalën te zonja Emine, duke kujtuar bujarinë dhe mirësinë e saj me sytë që i mbusheshin.

“Shpirti në varr, malli në pazar”

Megjithëse Shemsettin Samiu nuk i pëlqente takimet e gjata (të cilat e pengonin të punonte), nuk i kthente kurrë nga dera e shtëpisë mysafirët që i vinin. Shpesh rreth tij mbidheshin gjuhëtarë të huaj, priftërinj, hoxhallarë apo edhe hahame hebrenj. Por mosinteresimi dhe shumëzimi më zëro që iu bë punës së tij, bëri që ky njëri i paqes dhe i shkencës ti dorëzohëj vdekjes në moshën 54 vjeçare. Për arsye se të tetë vëllezrit dhe motrat e tij kishin vdekur ditën e shtunë, ai kishte një frikë ndaj kësaj dite. Por më në fund edhe vetë ai, si për ironi të fatit, shtegëtoi nga kjo botë pikërisht një të shtunë; më 18 qershor 1904. Dhe si për të vërtetuar fjalën e vjetër turke, “shpirti në varr, malli në pazar”, që në kohën kur trupi i tij pa jetë po dilte nga dera e shtëpisë, gruaja e tij e dytë e shiti këtë shtëpi për tu mbartur tek të vëllezrit. Dhe të gjitha mallrat u shitën brenda një jave me një ankand të vogël në oborrin e shtëpisë. Sikur të mos mjaftonin gjithë këto, biblioteka e tij që përbëhej prej 10 mijë librave, shumë prej të cilëve libra origjinalë të shkruar më dorë, u shitën për pesë kurushë te mbledhësit e letrave të vjetra dhe u mbartën në një shtypshkronjë të klasit të fundit në Stamboll për të humbur përgjithmonë. Mbas gjithë kësaj nga i madhi Shemsettin Sami, na mbetën vetëm disa dosje me dorëshkrime të tij, një album i familjes, dhe fotoja në kornizë e zonjës Emine, të ruajtura këto nga bija e vogël e Samiut, zonja Samije. Ky njeri i madh ka qenë burimi i turkologëve të mëvonshëm si Nexhip Asim dhe Velid Çelebi, dhe uroj që Instituti i Gjuhës Turke, ta kujtojë Shemsettin Samiun ashtu siç e meriton në përvjetorin e 100-të të vdekjes, pikërisht mbas dy vitesh. Nuk po e përmend këtu ministrinë (turke) të Kulturës pasi e di që ata jetojnë “ditërisht”, si puna e vezës dhe se patjetër mendojnë “ku i dihet ç’bëhet deri më 2004…!”.

*Shemsettin, ky është titulli që i është vënë Sami Frashërit në Turqi. Përkthehet, “I ndritur si diell”.

Veçori gjuhësore-dialektore në gjuhën e autorëve shqiptarë të Kosovës që kanë shkruar me alfabetin arabo-osman

15/05/2013 Lini një koment

Hasan KELMENDI (Instituti Albanologjik – Prishtinë)

 

VEÇORI GJUHËSORE-DIALEKTORE NË GJUHËN E AUTORËVE SHQIPTARË TË KOSOVËS QË KANË SHKRUAR ME ALFABETIN ARABO-OSMAN

frakullaHYRJE

Për dialektologjinë e gjuhës shqipe dhe veçmas për dialektologjinë historike të saj, të një rëndësie të madhe janë pa dyshim shkrimet e vjetra që shënojnë faza të hershme përdorimi të gjuhës shqipe; në këtë aspekt krahas rëndësisë së madhe që kanë veprat e shkrimtarëve të vjetër shqiptarë të Veriut (si veprat e Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit dhe Kazazit), janë të rëndësishme gjithashtu edhe shkrimet ose veprat e disa autorëve shqiptarë të Kosovës që shkruan me alfabet arabo-osman, sidomos për studimin diakronik të të folmeve shqipe të gegërishtes verilindore, ku bëjnë pjesë të folmet shqipe të Kosovës. Është fjala për disa autorë dhe disa vepra të tyre, për të cilat më parë e deri më sot nuk dihej ose dihej fare pak. Ato janë kryesisht dorëshkrime me një vlerë të padyshimtë historiko-letrare; është ky një prodhim letrar që dëshmon se gjuha dhe letërsia shqipe në Kosovë, megjithatë lëvroheshin, ndonëse në kushte të vështira, të paktën që  nga gjysma e dytë e shek. XVIII e deri në kohën e Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj. Hulumtimi shkencor lidhur me këtë problematikë ndër ne ka filluar në vitet pesëdhjetë të shek. XX. Mirëpo, derisa për disa vepra si për VEHBIJEN e T. E. Boshnjakut, DIVANIN e Sh. Maliqit dhe për ndonjë tjetër u shkruan disa punime, madje dhe monografi; për një numër të madh veprash e autorësh, pothuajse deri më  sot nuk u shkrua fare. Me këtë problematikë ndër ne në  Kosovë u morën: M. Krasniqi, H. Kaleshi, I. Ajeti, G. Elezoviqi, J. Rexhepagiqi, H. Agani, A. Zajmi, Sh. Mehmeti, V. Shita, F. Mehdiu etj. Në kohë të fundit në sajë të punës së palodhur të M. Pirrakut, dolën në dritë  dhe iu bënë të njohura publikut shkencor edhe disa shkrime të tjera të transliteruara me alfabetin e gjuhës së  sotme shqipe, dhe këto i botoi në studimin monografik, me titull: Gjurmë të veprimtarisë letrare shqipe me alfabet arab në Kosovë117. Në këtë studim autori analizon anë të ndryshme historiko-letrare që janë të ndërlidhura me veprimtarinë e autorëve (shkrimtarëve), siç janë: Dervish Hasani (Krusha e Vogël) shek. XVIII; Mulla Beqiri (Drenicë) mesi i shek. XVIII; Mulla Dervishi (Pejë) pjesa e dytë e shek. XVIII; T. E. Boshnjaku (Gjakovë) fillimi i shek. XIX dhe Dervish Salihu (Hasi i Thatë) pjesa e dytë e shek. XIX. Këta autorë analizohen në pjesën e parë të studimit; ndërsa, në pjesën e dytë të studimit në fjalë trajtohet veprimtaria e autorëve: Azem Efendi Olluri, Hasan Hoti, Shejh Emini i Sadive (1798-1918), Shejh Januz-Sabriu (1848-1809), Tahir Efendi Lluka dhe Tahir Efendi Popova, Shejh Hyseni i Halvetive (1873-1926), Hilmi Abdyl Maliq Efendija (1865-1928) etj. Siç shihet, kemi të bëjmë me një numër jo të vogël autorësh dhe tekstesh që për herë të parë u bënë objekt i një shqyrtimi të gjerë shkencor; por, megjithatë për ne me rëndësi janë veçmas disa veçori gjuhësore, që duket se janë mjaft me interes për dialektologjinë e të folmeve shqipe të Kosovës. Qëllimi ynë në këtë kumtesë, pra, është që në bazë të teksteve të transliteruara me alfabetin e gjuhës së sotme shqipe nga ana e M. Pirrakut, të nxjerrim në dritë disa veçori gjuhësore dialektore të teksteve në fjalë, duke u ndalur vetëm në ato fonetike dhe morfologjike.

I. VEÇORI FONETIKE

I. – 1. Zanoret

Si në të folmet e tjera të gegërishtes, dhe të  gegërishtes verilindore në veçanti; në gjuhën e autorëve shqiptarë të Kosovës qe shkruar me alfabet arabo-osman, ndeshim 7 zanore (ndërsa zanorja ë është reduktuar pothuajse në tërësi, dhe rënia e saj ka shkaktuar gjatësinë e zanores paraprijëse, ose ka shkaktuar, siç do të shohim më poshtë, edhe ndërrimin e zanores në fjalë me zanoret e tjera (e ose i).

Në gjuhën e autorëve tanë, vërejmë si edhe në  të gjitha të folmet e gegërishtes, gjatësinë dhe hundorësinë e zanoreve, veçori këto kryesore të dialektit të gegërishtes që e dallojnë atë nga toskërishtja118. Në këtë mënyrë te këta autorë, përkatësisht në tekstet e tyre, përsa i takon sistemit zanor, në pozicion të patheksuar ndeshim 7 zanore: a, e, i, o, u, y dhe ë (këtë të fundit vetëm në ndonjë rast) dhe në anën tjetër në 6 fonema të gjata në pozicione të theksuara: a:, e:, o:, u:, y:, që formojnë opozicion fonologjik me zanoret e shkurtra; si dhe një radhë prej 6 fonemash që formojnë opozicione fonologjike me zanoret hundore. Kështu sistemi i zanoreve në gjuhën e autorëve tanë, që shkruan me alfabet arabo-osman përbëhet nga:

zanore gojore: a, e, i, o, u, y, e

zanore të gjata: a:, e:, ï:, o:, u:, y:

zanore hundore: ã, ẽ, ĩ, [õ], ũ, ỹ

I.- 1. – A. Gjatësia e zanoreve. – Përveç asaj që u tha më sipër, duhet shtuar edhe se kundërvënia e zanoreve sipas tiparit të gjatësisë përbën një nga veçoritë karakteristike të gegërishtes, e për pasojë edhe të gegërishtes verilindore, dhe po kjo mund të thuhet edhe për gjuhën e autorëve, përkatësisht të teksteve të tyre në shqiptim. Duke mbetur gjithnjë në vazhdën e këtij shqyrtimi, d.m.th. duke shqyrtuar gjatësinë e zanoreve, nuk do të kalojmë pa i vënë re edhe këto fakte:

a) Zanoret e gjata ndeshen në fjalë që reflektojnë  gjatësi origjinare, si mĩ:, thĩ:, de:t, ku:t etj.

b) Është i njohur fakti se zanorja që gjendet në  rrokje fundore të hapur, të theksuar, është e gjatë: shpí:, kojshí:, kusí:, dhé: etj. Dhe po këtë e vërejmë  te autorët, si Dervish Salihu: … Perení:, maná:, rixhá:, dynjá:, mevlá:, sefá: (Dituria, f. 121); Shejh Emini i Sadive: tezerá:, arashialá:, Kerbelá: (GJA – IX, f. 207); Shej Jonuzi – Sabriu: fukará:, ezelí:, dajmá:, grefá: (Po aty, f. 217); Rexhep Voka: vëllá:, …na pá:, Shkriprí:, perendí:, bir e bí: (Po aty, f. 224) etj.

c) Gjithashtu ndeshet dendur edhe gjatësia e zanoreve, që është  shkaktuar nga monoftongimi i diftongjeve apo i togjeve të zanoreve: ue, ie, ye, në u:, i: dhey:, të cilat përfshijnë shumë kategori gramatikore. Zanorja është e gjatë në të tilla raste, qoftë në pozicion fundor, qoftë në mes të mes të fjalës: dy:r, lu:jn, (i) shkru:m, ka vnú:, t’shkru:n, kujtu:m etj. (Të kihet parasysh poezia e Dervish Salihut: Eni vllazen ta bâjm ni dert). Shembuj nga kjo poezi do të sjellim më poshtë, atëherë kur do të ndalemi në shqyrtimin e diftongjeve apo togjeve të zanoreve.

Zanorja a. – Kjo zanore kur është nazale, siç do të vërehet edhe më poshtë, jo rrallë e ndeshim të tjetërsuar në o. Dhe ky fakt përkon pa dyshim me gjendjen aktuale të të folmeve shqipe të gegërishtes verilindore, përkatësisht me të folmet shqipe të Kosovës. Ky tipar i vokalizmit vërehet në disa të folme të Kosovës, sidomos në disa të folme të qytetit si në atë të Vuçitërnës (Vushtrrisë), të Gjakovës etj. dhe në disa të të folme të tjera ku përzierja e popullsisë shqiptare me popullsitë serbo-malazeze, turke e muslimane-boshnjake, ishte e dendur. Në këtë mënyrë, duke u nisur pikërisht nga një situatë e tillë gjuhësore, linguistja A. V. Desnickaja me të drejtë konstaton se rëndësi esenciale e të folmes shqipe të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit ka dukuria që është e lidhur me shqiptimin e përgjithshëm të artikulimit të zanoreve që është të tërhequrit dukshëm prapa dhe që qëndron në të forcuarit përkatës të elementit të velarizimit gjatë shqiptimit të një vargu të zanoreve. Sipas linguistes që e cituam më sipër, me këtë veçori është e lidhur edhe përshtypja e përgjithshme që krijohet në të folmet dialektore të verilindjes.

Në lëmin e vokalizmit, sipas K. Taliavinit121, kjo gjendje e përditshme e shqiptimit shprehet më tepër në të tërhequrit prapa të zanores a të gjatë (a), që ndiqet nga një labializim. Në radhë të parë, kjo i takon zanores së nazalizuar që gjithashtu gjendet në afërsi direkte me konsonantin nazal. Prandaj, lidhur ne do të japim më poshtë, disa nga shembujt që kemi mundur t’i nxjerrim nga tekstet, si p.sh.: Ai mi çeli katër dyrt: // osht e dyta tarikat…// Tarikat e kam gjet, / osht esrari Muhamet…// (D. Hasani, Ah unë i mjeri kesh tu fjetë…, Dituria, f. 91); … mijell ia boni; me lon; s’ju bo; allah-allah me thon (Shejh Jonuzi, GJA – IX, f. 214); … dallg po bon, /mend po t’lon, / s’un po gjon; gjithë bojm dua… // (Sh. Mala, GJA – IX, f. 230) etj.

Zanorja ë. – Siç dëshmohet nga ana e studiuesve K. Taljavini, E. Çabeji, A. Dodi, I. Ajeti, L. Mulaku etj., reduktimi i plotë i kësaj foneme në gegërishte ka marrë hov këta 3-4 shekujt e fundit. Në shkrimet e autorëve të vjetër të Veriut zanorja ë përdorej edhe në pozicion të theksuar deri kah fundi i shek. XVIII.

Në shkrimet e autorëve shqiptarë të Kosovës me alfabet arabo-osman, gjithashtu ë-ja e theksuar as që mund të bëhet fjalë. Mirëpo, siç do të shohim më poshtë, kjo zanore (zanorja ë) është ruajtur ndonjëherë te autorët tanë në pozicion të patheksuar.

Ë-ja te autorët që shkruan me alfabet arabo-osman, me sa kemi mundur të konstatojmë, ka rënë:

në rrokje paratheksore: … kçyri voret, / hej i ngrat // ti alim bonu ksi dore… // etj.

ka rënë në rrokje fundore (pastheksore) ka kaluar në e p.sh. tek emrat e gjinisë femërore në trajtën e shquar dhe të pashquar: dreken (… se fal dreken për ni tfurk sân); bimes (… i ra bryma bimes heret …); udhen (… Kur e hup udhen ai qi prin … etj.) etj.

Zanorja ë ka rënë në sistemin foljor si në kohën e tashme veta e parë numër shumës, dhe këtë e vërejmë në shembujt:

… Ani me bohur do t’na timojn

Me uj tvokt do t’na pastrojn

Ani me sapun do t’na shkumojn

Me pamuk syt na qorojn

Ani me qefin do t’na pshtjellojn

Me tri dizga na shtrengojn

Ani kater vet do t’na trazojn

Shum xhemat permas shkojn

(Hafiz I. Shemsi, Ani kur t’vjen shpirti

me na dal, Gjur. alb. IX, f. 219).

Mirëpo, mund të duket ndoshta e pabesueshme që në  këtë kohë, një autor si Shejh Junuzi-Sabriu (1848-1909) të ketë shënuar zanoren ë, ashtu siç e gjejmë te shkrimtarët e vjetër shqiptarë. Duke folur për këtë autor, studiuesi dhe mbledhësi i pasionuar i teksteve me alfabet arabo-osman, M. Pirraku, shkruan: “… nuk hoq dorë nga ë-ja për gjuhën shqipe. E cilësoi me një gjysmë esreje – vizë me një kënd prej 300 të vënë nën bashkëtingëllore pas së cilës do të vinte ë-ja. Duket se këtë gjysmë esreje e përdori edhe në vend të apostrofit midis dy bashkëtingëlloreve në fillim të fjalës. Kjo zanore sot ka mundësi të mos lexohet pa e prishur vlerën e tekstit të transliteruar”. Megjithëkëtë, Shejh Jonuzi përdori një ë edhe atëherë kur ajo nuk mund të përligjet etimologjikisht dhe as nga ortografia (drejtshkrimi), p. sh.:

… Çou ti përej gafleti,

Çare lyp ti për vetveti

ose:

nëgjeti çare na mos ta lypim

eja lypim prej vetveti…

ose më poshtë:

Se këjo deka ni sherbet osht,

nuk o çare pa u kërkue.

(Gjur. alb. – IX, f. 211)

I-1.B. Nazalizimi i zanoreve. – Një ndër veçoritë kryesore të gegërishtes dhe të të folmeve të saj është pa dyshim nazalizmi ose hundorësia e zanoreve. Dhe pokështu, meqë gjuha e autorëve tanë s’është tjetër përveçse gegërishtja (geg. verilindore) me të gjitha tiparet e saj, edhe në këtë pikë gjuha e autorëve në shqyrtim nuk largohet nga tiparet e këtij dialekti (të dialek. të geg.) kryesor apo kryedialekti të shqipes, kundruall dialektit apo kryedialektit të toskërishtes.

Kur jemi te ky tipar i gegërishtes, d.m.th. nazalizimi i zanoreve (toskërishtja këtë fenomen gjuhësor nuk e njeh), atëherë  duhet të vihet në pah se autorët, përkatësisht shkrimtarët si Dervish Hasani, Mulla Beqiri, Mulla Dervishi, Tahir E. Boshnjaku, Dervish Salihu, Shejh Jonuzi, Tahir E. Popova, Tahir E. Lluka, Shejh Hyseni i Halvetive, Hilmi Abdyl Maliq Efendija, Shejh Maliqi etj.; edhe pse zanoret hundore nuk i shënuan grafikisht si zanore nazale, ato duket se shqiptoheshin si të tilla në kohën kur shkruan autorët në fjalë, dhe si të tilla (zanoret me timbër hundor) shqiptohen edhe sot. Duke folur për gjuhën e VEHBISË  të Tahir E. Boshnjakut, I. Ajeti kishte konstatuar zanoren nazale ã, sa herë kjo fonemë ndodhej para një bashkëtingëlloreje nazale (hundore). Ndërsa sa i përket Shejh Maliqit nga Rahoveci, siç thotë prapë I. Ajeti, ai për shënimin ã-së nazale (hundore) kishte shtënë në punë edhe një grafemë të veçantë. “Lidhur me këtë pikë mund të thuhet që çdo a gojore shprehej me një grafemë që nuk linte kurrëfarë dyshimi për riprodhimin e saj…”.

Një çështje tjetër, siç është labializimi i a>o (ose ao) e kemi shqyrtuar më sipër; mirëpo nuk është e tepërt këtu të theksojmë se në gjuhën e shkrimtarëve që shkruan me alfabet arabo-osman të Kosovës, përveç a-së së labializuar ose gjysëm të labializuar, hasim edhe në një a thjesht nazale, sa herë ajo ndodhet para bashkëtingëlloreve m, n, j<nj. P. sh.:

… Ej i besun bãne emrin,

Mos ia zin shejtãnit vẽnin,

… Çka ja bãn ni pun veti,

Mos ja bãn kerkuj ngjeti,

Kshtu ka thãn Muhameti.

I.-1.-C. DIFTONGJE OSE TOGJE ZANORESH

Në këtë punim do të trajtojmë këto diftongje ose grupe zanoresh: ue, ie (je) dhe ye.

Nga diftongjet që i vumë re më sipër, vetëm diftongu ié (je) në tekstet e transliteruara me alfabetin e sotëm të gjuhës shqipe e ruan mirë natyrën e vet të diftongut. Për këtë na dëshmojnë shembujt: Zoti na i hiek keta bela, / Niher turku drit me pa…// (Sh. Maliqi, DIVANI…). Ndërsa togjet e zanoreve ue dhe ye i ndeshim me ndonjë përjashtim të monoftonguara gati te të gjithë autorët shqiptarë që shkruan me alfabet arabo-osman. Kjo dukuri nuk duhet të jetë aq e vonë, meqë këto diftongje apo togje zanoresh, të monoftonguara ose të reduktuara në elementin e parë të tyre, i ndeshim që në VEHBINË (1835) e Tahir E. Boshnjakut dhe në DIVANIN e Shejh Maliqit; kështu duke folur lidhur me këtë dukuri, I. Ajeti shkruan: “Gjuha e DIVANIT, e krahasuar me gjendjen e sotme të të folmeve të Kosovës, me disa tipare del mjaft arkaike, por në punën e diftongjeve, ligjërimi i këtyre, mund të themi me plot gojë, nuk ngërthen në vete kurrfarë veçorish të shënueshme që nuk do të ishin njëkohësisht veti dialektore e të folmeve të tjera të truallit gjuhësor të Kosovës. Shkurt, diftongjet dhe bashkëlidhjet zanore të gjuhës së DIVANIT i gjejmë të mbledhura në monoftongje”.

Në këtë mënyrë, përveç pak shembujve, shembujt e tjerë që solli Ajeti në studimin për gjuhën e Divanit të Shejh Maliqit, i dalin të monoftonguara në  elementin e parë të tyre dhe duke u tjetërsuar në  zanore të thjeshta.

Edhe pse diftongjet ue, ye janë ruajtur në ndonjë të folme, prapëseprapë mund të thuhet pa mëdyshje se procesi i monoftongimit të tyre në të folmet shqipe të Kosovës, të paktën që nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, është një proces mbizotërues ndaj procesit të ruajtjes, d.m.th. ndaj gjendjes së vjetër. Këtë fakt do ta përligjim me shembujt e sjellë më poshtë.

ue>u

O forcu zenbra nuk po ndin

nasihati qi asht për din…

(M. Beqiri, Shka asht kshtu qi

je habit, Dituria, f. 95.

Ç’kanë qerpikt qi po t’lujnë,

Si kalemi huruft kur i shkrunë.

Huna jote mi ket alem,

E sret arshi ka vnu kalem…

Tridhet e dy huruft jan t’shkrum,

Me sevda ti qi naj ki urri…

(D. Salihu, Eni vllazen ta bajm ni dert,

Dituria, f. 117)

Amon vllazen mos bani fjalë,

Qysh kujtum nuk do me dalë.

(Po aty, f. 117).

ye>y

Ai mi çel katër dyr

njonda osht a(h) sheriat…

(D. Hasani, Ah, un i mjeri

kesh tu fjet, Dituria, f. 99).

Përkundër monoftongimit të diftongjeve në elementin e parë të tyre, e cila gjë u theksua dhe u dëshmua më lart, vërejmë ndonjëherë edhe ruajtjen e tyre, si p. sh.:

Mall evladin e kish dhan

me pshtue ti, hej i ngrat…

(M. Beqiri, Shka osht kishtu

qi je habit, Dituria, f. 95).

… nuk o çare pa e kërkue,

Padishah e fukara,

pëlak e ri hem thëmi e gërue…

(Sh. Jonuzi, Çou i nëgrati ti përtej

gafleti, GJ – IX, f. 211).

II.-1.-Ç. BASHKËTINGËLLORET

Bashkëtingëlloret q, gj, ç, xh. – Okluzivet q, gj krahas ruajtjes, në pjesën më të madhe të teksteve të autorëve shqiptarë të Kosovës që shkruan me alfabet arabo-osman i ndeshim të tjetërsuara në okluzive prepalatale (paragjuhore) në ç, xh. Është kjo një veçori e përgjithshme e gegërishtes verilindore, e cila si e tillë u shfaq dikund në gjysmën e dytë të shek. XIX. Për këtë na dëshmon, VEHBIJA e T. E. BOSHNJAKUT, në të cilën këto bashkëtingëllore ruheshin mirë, dhe po kështu këto i ndeshim t’i ketë shënuar edhe V. Karaxhiqi në disa këngë popullore që i mblodhi nga një informues, që ishte nga Gjurakovci afër Pejës. Këto bashkëtingëllore q, gj) të patjetërsuara në afrikatet përkatëse (ç, xh) i ndeshim edhe në DIVANIN e Shejh Maliqit. Edhe për këtë veçori gjuhësore, gjithnjë për të arsyetuar atë që theksuam më parë, do të sjellim shembuj që i nxorëm nga tekstet e autorëve si Mulla Beqiri, Dervish Salihu, Shejh Maliqi etj.

Shka osht kishtu qi je habit

………………………………………

Kujto dynjaja se jet gjithmon

kqyri voret ti hej i ngrat.

(M. Beqiri, Shka osht kishtu

qi je habit, Dituria, f. 95).

Ç’kan qerpikt qi po t’lujn

…………………………………..

Gjithkush harfin s’un ta nxirrë

Amon vllazen mos bani fjalë

Qysh kujtum nuk do me dalë:

Qysh nasip kur jemi marrë,

Jemi t’dekun s’jemi t’gjallë.

(D. Salihu, Eni vllazen ta

bâjm ni dert, Dituria, f. 117).

… Aslin e vet pe don

Gjith kah drita po flitron

Qiri keshet po kujton…

(Shejh Maliqi, Halli i flutres, GJA – IX, f. 230).

I.-1.-D. GRUPET E BASHKËTINGËLLOREVE

Grupet e bashkëtingëlloreve nd dhe mb si të tilla u ruajtën gjerësisht të patjetërsuara në n dhe në m; mirëpo, vërejmë gjithashtu dhe kalimin në elementin e parë të tyre. Ky proces, d.m.th. procesi i tjetërsimit të grupeve të bashkëtingëlloreve në fjalë, në bashkëtingëllore të thjeshta, siç mund të vërehet me shembuj nga gjuha e autorëve tanë nuk është aq i hershëm: fillon si duket me të madhe në të folmet shqipe të Kosovës, dikund aty nga gjysma e dytë e shek. XIX, për të ardhur deri në ditët tona. Por, kjo është një çështje më e gjerë dhe më e thellë, që del jashtë caqeve të kësaj kumtese; e që me këtë rast, do ta vështrojmë, siç theksuam, së pari ruajtjen e grupeve të bashkëtingëlloreve në fjalë, që paraqitet kësisoj, p. sh. te Mulla Beqiri: … po ndin; nuk o’send; e kqyr vendin etj. (Dituria, f. 95). Dervish Efendiu: … n’qeter kurrkund edhe ma rond; lutfiu tond (Dituria, f. 99). Dervish Salihu: … me dyqind e nandhet e katër (Dituria, f. 114). Shejh Junuzi: … gjithsa send etj. (GJA – IX, f. 215).

Ndërsa ndryshimin, tjetërsimin e këtyre grupeve të bashkëtingëlloreve e kemi vënë re edhe te ndonjë autor, që në  të njëjtën kohë i kishte ruajtur mirë grupet e bashkëtingëlloreve në fjalë në pjesën më të madhe të përdorimit të gjuhës në veprat e tij, siç është, bie fjala, Dervish Salihu a ndonjë tjetër. Sidoqoftë, procesi i ndryshimit të grupeve të bashkëtingëlloreve nd, mb në të folmet shqipe të kësaj ane, siç kemi theksuar edhe më sipër, kishte filluar më herët, dhe se tashmë si duket ishte bërë një proces i pandalshëm. Kjo gjë vërehet edhe në gjuhën e autorëve tanë, si p. sh. kalimi i nd-së në n, dhe i mb-së në m: … hyqymetet e Perenisë; bâft perenija; po knohet n’Kura’n; kërkuj s’i met; me hyp n’kumëll (D. Salihu, Dituria, f. 119); … a po knon; pa ja da (Sh. Maliqi, GJ – IX, f. 229-231).

Kur jemi te shqyrtimi i grupeve të bashkëtingëlloreve, duhet vënë në dukje patjetër edhe një fakt: grupet e vjetra kl, gl, nuk i ndeshim si të tilla në gjuhën e autorëve që shkruan me alfabet arabo-osman; ato duket moti kishin kaluar në elementin e parë të tyre, d.m.th. në k dhe g. Është me interes të theksohet po kështu se në poezinë e Sh. Jonuzit haset edhe grupi i vjetër nt, në trajtat e numrit shumës dhent(ë), qent(ë), që tash për tash nuk mund të themi se kjo veçori gjuhësore është e vendlindjes së tij (ai ishte nga Suhodolli i Mitrovicës), apo është një trajtë që ai e ndërtoi nën ndikimin e literaturës shqipe të kohës, që nuk ishte e panjohur për këtë autor, apo mos është ky një ndryshim që e sollën kopjuesit e poezive të këtij autori?

II. VEÇORI MORFOLOGJIKE

II.-1. EMRI

II.-1.-A. Trajta e pashquar e emrit. – Trajtën e pashquar shumë emra me origjinë turko-arabe, që hasen në gjuhën e autorëve tanë, formojnë këtë trajtë me një a të theksuar, e që në disa të folme shqipe të Kosovës, këtë e kanë tjetërsuar në e të theksuar. P. sh. kështu hasim: maná, rixhá, mevlá, fukará, dynjá etj. (D. Salihu, Dituria, f. 121). Këta emra, siç mund të vërehet, kur të shquhen para nyjës – mbaresës –in marrin një –j- antihiatizuese, dhe ky fakt është i përgjithshëm në të gjitha ato të folme të Kosovës ku dukuria në fjalë është e pranishme.

II.-1.-B. Trajta e shquar e emrave.- Trajtën e shquar me një –j- para nyjës –a, e marrin të gjithë ata emra me origjinë turko-arabe, që mbarojnë me i të theksuar si perenija, turqnija, shejtnija, evlija, Hilmija (Sh. Maliqi, GJA – IX, f. 231). Emrat e gjinisë mashkullore që në trajtën e pashquar mbarojnë me bashkëtingëlloret k, g, në trajtën e shquar, siç i ndeshim në gjuhën e teksteve të autorëve tanë, janë shquar me nyjën –i dhe jo me –u, si p. sh.: haki, hallki, mynafiki etj. Këtë nyjë si të tillë e ndeshim edhe gjatë lakimit të tyre nëpër rasat përkatëse. Por, edhe në këtë pikë mund të vërehet ndonjë përjashtim siç është, bie fjala te Shejh Maliqi: … Kjo te haku pa ja da… (GJA – IX, f. 121).

Emrat me origjinë turko-arabe, që trajtën e pashquar e mbarojnë me bashkëtingëlloren –n, në trajtën e shquar të rasës kallëzore marrin nyjë – mbaresën –in: insanin, dermanin, imanin, shejtanin (D. Efendiu, Dituria, f. 99); zamanin, dushmanin, Hasanin (D. Salihu, Dituria, f. 116).

Përsa u takon rasave gjinore, dhanore dhe rrjedhore, nuk vërehet ndonjë ndryshim nga përdorimi i sotëm i tyre në të  folmet shqipe të këtyre anëve. Në këtë mes, vetëm një ndryshim, që e kemi cekur edhe më sipër (në  I-1.-Ç) është ai që vërehet në poezinë  e Shejh Jonuzit, në të cilën poezi ndeshet forma e rasës rrjedhore të shquar me – vet (… përej dhenvet), e që  më shumë ka gjasa të jetë një ndryshim, një përmirësim që e kanë bërë kopjuesit e kësaj poezie, se sa të jetë trajtë e vetë autorit.

II.-2. NYJAT

Për disa nga nyjat, sidomos ato të prapmet, të cilat tash kanë zënë të quhen mbaresa, u fol më sipër gjatë shqyrtimit të trajtave të emrit. Ndërsa për nyjat e përparme mund të themi se ato i ndeshim në gjuhën e teksteve që autorët i shkruan me alfabet arabo-osman, dhe këtë  si a) nyja të gjinores: ashik i hakit, hyqumetit e Perenisë  (D. Salihu); b) si pjesë e mbiemrit: i ngrat (M. Beqiri); i vogel, i lig (D. Efendiu); c) si pjesë të një numërori rrjeshtor: e dyta (D. Hasani) etj.

II.-3. PËREMRI

II.-3.-A. Përemri vetor. – Ky përemër përdoret pa ndonjë dallim nga përdorimi i tij në të folmet e sotme shqipe; kështu përemrat unë, ti, ai (njëjës) dhe ne (na), ju dhe ata (ato) në shumës, ndeshen si të tilla në tekstet e autorëve apo shkrimtarëve tanë, dhe këtë po e ilustrojmë me shembujt: ai qi ka gjet; mos na le neve… (D. Hasani); ti alim bonu kso dore…; ti shko kujtou; po kujton ti hej i ngrat (M. Beqiri); u dogja un me dert; Zoti për ne nuk â miftaç (D. Salihu) etj.

II.-4. FOLJA

II.-4.-1. Kohët e foljes të mënyrës dëftore. – Derisa koha e tashme në të tri vetat e numrit njëjës dhe shumës nuk shënon ndonjë veçori dalluese nga ato të të folmeve shqipe të Kosovës; kësisoj koha e kryer e disa foljeve që tregojnë lëvizje, te autorët tanë është formuar disa herë me formën jam + pjesore (si jam përpjek…; jam taptis – D. Efendiu), është një veçori dialektore e truallit gjuhësor të shqipes dhe e të folmeve shqipe të Kosovës në veçanti.

Koha e ardhme. – Nga vështrimi më i hollësishëm i mënyrës dëftore, që është mënyra kryesore (ka 8 kohë) e foljes në gjuhën shqipe; në gjuhën e teksteve të autorëve tanë, që u zunë në gojë sa e sa herë këtu; vërehet se koha e ardhme del me formën, siç është quajtur nga Sh. Demiraj, perifrastike, dhe e cila është formuar me ndihmën e foljes kam + pjesorja si p. sh.: … kame dal ni Zylfikar (D. Salihu); por në të njëjtën kohë hasim edhe formën tjetër të kohës së ardhme do + pjesorja e foljes, si p.sh.: Qysh kujtum nuk do me dal (D. Salihu, Dituria, f. 117).

II.-4.-2. MËNYRA HABITORE. – Kur është fjala për përdorimin e mënyrave të tjera të foljeve nga ana e shkrimtarëve tanë, gjuhën e të cilëve e kemi bërë objekt hulumtimi në këtë punim, do theksuar se vetën e tretë të kësaj mënyre (të mënyrës habitore) e kemi ndeshur me trajtën, që mbaron me mbaresën –nke(në vend të –ke), e cila haset pikërisht në poezinë e Shejhut rahovecas, Sh. Maliqit, dhe kjo veçori tregon gjithashtu se autori pasqyron në këtë mënyrë gjuhën e vendlindjes dhe të vendqëndrimit të tij, pra, të Rahovecit me rrethinë.

II.-4.-3. MËNYRA URDHËRORE. – Karakteristikë për format e kësaj mënyre në kohën e saj të tashme, siç na del nga një tekst (poezi) i Mulla Beqirit, dhe të ndonjë autori tjetër, është përdorimi i formës së kësaj kohe në vetën e dytë njëjës ndonjëherë pa trajtën e shskurtër të përemrit vetor të vetës së tretë e, si merr (për merre), kujto (për kujtoje), kqyr (për kqyre) etj.

II.-4.-4. MËNYRAT E PASHTJELLUARA TË FOLJES

PJESORJA. – Format e pashtjelluara të pjesores te foljet që mbarojnë me bashkëtingëllore dalin pa mbaresë, qoftë kur janë përdorur si pjesë përbërëse e mbiemrave, qoftë kur ato janë përdorur si pjesë e formave të kohës së kryer; ose kur kanë shërbyer për të formuar format e mënyrës paskajore. P. sh.: … tu fjet; jom përpjek; m’le me fjet; e kom gjet (D. Hasani); me i brit; qysh ta marr (M. Beqiri) etj.

PËRCJELLORJA. – Format e pashtjelluara të përcjellores, që gramatika tradicionale, e mbajti për një nga mënyrat e veçanta të foljes në gjuhën shqipe, ndeshet me formën tue + pjesorja e foljes, që si e tillë është e mbarë gegërishte (në vend të kësaj, siç dihet toskërishtja e ka formën duke + pjesorja e foljes = duke punuar). Kjo formë ndeshet edhe në tekstin e poezisë së Dervish Hasanit: … un i mjeri kesh tu fjet (Dituria, f. 99); si dhe në një tekst tjetër të poezisë së Sh. Maliqit: Perdet tu u hjek, Me ashik tu u pjek… (GJA – IX, f. 235).

PASKAJORJA. – Tipi më i shpeshtë i kësaj forme të pashtjelluar të foljes në dialektin e gegërishtes është pa dyshim forma foljore me + pjesorja e foljes, që haset dendur në gjuhën e shkrimtarëve që shkruan me alfabet arabo-osman; kështu në këtë mënyrë kemi ndeshur në shembujt si vijojnë: me i brit; me mar (M. Beqiri); me dek, me niçar (D. Efendiu); me ba karar; do m’u da; me lyp rrush (D. Salihu); me mar ibret; me pështu përej qenve; me i bo hizmet; me fol ajet (Sh. Junuzi) etj.

Një formë tjetër të paskajores, që haset edhe sot e gjithë ditën në të folmet shqipe të  Kosovës, është forma për+me+pjesorja e foljes, e të cilin tip të paskajores e kemi ndeshur në një shembull të  vetëm në poezinë e Mulla Beqirit: … per me mar (Shih: Dituria, f. 95).

Burimi: Revista “Studime Orientale”, Prishtinë.

/Orientalizmi Shqiptar/

 

Fermani i njohur i Sulltan Sulejman Kanunit

20/04/2013 Lini një koment

Prof. Dr. Mustafa ARMAGA

 

FERMANI I NJOHUR I SULLTAN SULEJMAN KANUNIT

Kanun Sulltan SulejmaniSulltan Sulejman Kanuni e mbron veten dhe thotë: “Unë jam ky”. Apo ” Unë nuk jam ai njeri që paraqitet në serial”.

Jemi dëshmitarë të asaj që diskutohet kohët e fundit rreth Sulltan Sulejman Kanunit, po, këto diskutime janë vetëm epshore. Nuk skruajnë skenare të saktë, nuk mund të bëjnë kërkime të vërteta. Me këtë veprim tregojnë injorancën e tyre, sillen e mbeshtillen rreth raporteve intime, për t’u kapur rreth çështjes së haremit. E kanë futur Sulltan Sulejmanin në një kallëp që nuk mund të njihet fare. As që shqetesohen se femijët e njohin këtë, sikur ai nuk paska pasur asnjë qëllim e as punë përveq grave dhe epshit. Ata nuk mund ta kenë këtë shqetësim, kurse ne po… Ejani e të bëjmë diqka më tjetër sot, të shohim nga vetë letra origjinale e Sulejmanit se kush ishte ai vërtet. Thënë ndryshe, seriali që përshkruan këtë periudhë, nuk ka të bëjë me realitetin.

Sulltan Sulejman Kanuni

Ka lindur në qytetin Trabzon të Turqisë më 27 prill 1495. Ishte i biri i Javuz Sulltan Selimit. U shkollua në Stamboll. Kur i vdiq i ati, kaloi në krye të Shtetit Osman, më 30 shtator 1520 kur ishte në moshën 25 vjeç. Me një sukses të madh qeverisi Shtetin Osman dhe ndërroi jetë derisa ndiqte rrethimin e Zigetvarit, më 7 shtator 1566, në moshën 71 vjeç. Ndryshe njihet si “Kanuni”, jo pse ky ka vendosur ndonjë ligj a kanun të ri, por sepse ligjet i zbatonte me një përpikëri të madhe. Periudha kur ai ishte në krye të Shtetit Osman, ishte një kohë kur shteti ishte më i pasuri nder të gjitha kohërat. Thënë ndryshe, ky padishah kaq i madh ishte njëkohesisht edhe bujar dhe i devotshëm në zbatimin e fesë islame.

Bali Beu

Gazi Bali Beu ishte nga komandantët. Ai i përkiste familjes së njohur Malkoç. Kishte lindur me 1495, pra ishte moshatar i Sulltan Sylejmanit. Ishte si udhëheqës bejlerbe ne Bosnje dhe Rumeli. Kishte bashkëshorte të bijën e Sulltan Bejazitit II, Ajnishah Sulltanin.
Njihet edhe si Koxha Bali Pasha. Me 1521 kishte marre pjese ne çlirimin e Beogradit, sa ishte ende i ri. Më vonë, më 30 gusht 1521, pas çlirimit të Beogradit, ishte caktuar si përgjegjës për mbrojtjen dhe kontrollimin e kështjellave.
Ka bërë shumë vepra me vlera të posaçme: medrese, shkolla, xhami e shumë e shumë gjera të tjera në shërbim të popullit. Më 1543 ishte caktuar përgjegjës i Budinit (Budapest). Pas shumë sukseseve që kishte korrur, përmes një shkrese, Sulltan Sylejmanit i kishte paraqitur një kërkesë. Si përgjigje të asaj kërkese, Sulltan Sylejmani i kishte shkruar këtë letër me këto këshilla të arta. Ndërroi jetë në vitin 1458. Këtë letër, në botën e shkencës së pari e ka paraqitur Yusuf Këllëç, që e kishte botuar në vitin 1989.
Më pas, letrën e ka paraqitur në një simpozium mbajtur nga CII-PO (Ankara, 1994). Një kopje të kësaj e kishte Toms Uluçay, i biri i Qagtay Uluçay-t; mendonim që origjinali gjendej në Depon e Budimit. Në veprën “Telhisu’l-Bejan” të Hezzarfen Husejn Efendiut, gjendet edhe një letër tjetër, për nga kuptimi e ngjashme, që çuditërisht i ishte shkruar nga Muradi I Evrenos Beut. Metoda i takon shekullit të 16. Kjo do të thotë qe Padishahët Osmanë u dërgonin bejlerëve nga një tekst që lexohej – “paralajmërim”. Kjo gjë nuk tregon se kjo letër nuk i përket Sylejmanit, po tregon se ne jemi para një forme që kishte përdorur ai”.
Kur të lexohet ajo, do të shihet se si Sulltan Sylejmani i kishte dhënë një rëndësi të madhe filozofisë shtetërore, moralit të punës, kuptimit të administrimit, reales dhe drejtësisë, dhe mbi të gjitha, se si ai paraqet pikën kryesore që kishte arritur saktësia e Islamit. Për shembull, në një ekspeditë, Bali Beu kishte çliruar disa kala dhe nuk kishte lejuar që ushtarët të shijonin prenë e luftës. Për këtë gjë Sulltan Sylejmani i kishte tërhequr vërejtjen menjëherë duke i thënë: “Praktikoje atë që kërkon Islami, unë nuk dua të hyjë në depon time asnjë grosh pa të drejtë”.
Sulltan Sylejman Kanuni e mbron veten dhe thotë: ‘Unë jam ky’. Apo ” Unë nuk jam ai njëri që paraqitet në serial”. Kjo letër, kaq e rëndësishme, është punuar nga ne, dhe ja, po e paraqesim:

Teksti i Fermanit për Bali Beun

Falënderimet qofshin për Allahun, ne morëm 18 kala dhe 30.000 rrëshqitëse i keni dërguar ne Tersane-i Amire. Keni dhënë lajmin se keni hequr kokat e 60 mijë qafirëve. Ji fatbardhë dhe qofsh faqebardhë në dynja e Ahiret, të qoftë hallall buka. Por, si shpërblim për këto shërbime, keni kërkuar një post. O Gazi Bali Bej, posti nuk jepet për shkak të nderit. Nëse ti na zë për të madhe këtë shërbim dhe këtë mirësi, ne të kemi bërë tri mirësi para kësaj, dhe po i themi: E para: Të kemi quajtur “Emir – udhëheqës i besimtareve”;
E dyta: Si shpërblim i të arriturave, të kemi dërguar “Hil’at-i Fahire” (Një pallto që u vishej padishahëve si lloj shpërblimi për diçka);
E treta: Të kemi dhënë brigadën e plotë për të arritur fitime e çlirime sikurse ajo e Pejgamberit s.a.w.s.. Ne të kemi shpërblyer me këto tri gjëra dhe të kemi ngritur. Nuk ka begati më të madhe se këto. E tani ti, do të falënderosh këto të mira dhe falënderimin e çon në vend.
Dhe, ta dinë mire këtë gjë: Zotëria i ngjan një peshoje me dy shkallë. Njëra prej tyre është Xheneti-parajsa, e tjetra është Xhehenemi-ferri. Shërbimi prej një ore me drejtësi në këtë bote kalimtare, është më i vlefshëm sesa ibadeti nafile prej 70 vjetësh. Na mundësoftë që Krijuesi ynë i Madhërishëm, të na ringjallë me të drejtët atë ditë. E të mos e nxirrni nga kujtesa atë ditë përfundimtare. Të jeni në një shqetësim se ashtu sikur zjarri i djeg drutë e thata, të mos i djegë edhe ajo ditë veprat tona. Nëse ne nënçmohemi dhe zhvlerësohemi në ditën e llogarisë për shkak të padrejtësive në ato vende ku fjala jonë dhe urdhri ynë ka ndikim për ministrinë e mbrojtjes dhe bejllëkun, do të kapemi për ty e ti atë ditë nuk do të shpëtosh aq lehtë nga dora ime. Jini shumë të kujdesshëm, mos u mburrni për arritjet tuaja dhe të mos thoni unë çlirova me shpatë një vend, me forcën time.
Shteti – vendi, është së pari dhe i përket Krijuesit Bujar, e më pastaj i është gostitur halifes – udhëheqësit të muslimanëve. Te gjitha punët t’i dini se janë nga Allahu.
Dhe kam dëgjuar që: Pasurinë dhe prenë e kështjellave që keni çliruar, e keni ndarë për bejtu’lmal (arkën shtetërore) dhe atë nuk ua keni ndarë ushtareve. Një të pestën e saj ndajeni për arkën shtetërore, kurse pjesën tjetër shpërndajuni ushtarëve islamë. Sepse ajo pre-pasuri lufte është e ushtarëve të Islamit. Të moshuarit nga ushtarët t’i konsiderosh si prindër, me të mëdhenjtë se ti konsideroji vëllezër dhe ata më të vegjël – si fëmijët e tu. Qëndro i denjë ndaj prindit dhe gostite atë, kujdesu për vëllezërit e tu dhe respektoji, ndërsa fëmijët ledhatoji e mëshiroji. Të mos u shkaktosh vështirësi ushtarëve të Islamit, të mos e mbash larg tyre pasurinë dhe begatinë që e ke në pronë, t’ua shpërndash atyre. E nëse nuk të mjafton pasuria për ushtarët dhe ke vështirësi, informoje anën tanë. Me ndihmën e Allahut të Lartësuar, unë nuk jam i ngratë të mos i dërgoj një mije-dy mijë qese pasuri.
Dhe të mos i obligosh klasën punëtore fshatare me ndonjë tarifë tatimesh, që nuk mundë ta përballojnë. Duhet të qëndrosh larg kësaj gjëje, në mënyrë që atëherë, kur kjo klasë jona të jetë e qetë në këtë drejtim dhe kur klasa punëtorë fshatare jomuslimane ta vërejë këtë, – të anojnë nga ne dhe të bëhen fqinjë tanë. Të hulumtosh dhe të shikosh në ato vende, kasaba, e qytete, nëse ka ndonjë të varfër musliman nga Ymeti Muhammed, dhe është i nevojshëm për sadaka-lëmoshë, t’u japësh (atyre) ushqime nga arka shtetërore. Ngase të varfrit janë robërit e pranuar të Allahut të Madhëruar, kurse depoja dhe arka shtetërore (bejtu’l-mal) është e drejtë e robërve të Allahut.
Dhe, nëse nga ajo zonë ka anëtarë me prejardhje nga fëmijët e Pejgamberit tonë të dashur, t’i caktosh nga një flori në ditë çdonjërit nga depoja dhe pasuria shtetërore, kështu që ata të mos i lini kurrsesi në vështirësi. Kryeavokatin dhe gjykatësin, njëherësh margaritari i begative dhe shprehjes Mevlana Mustafanë (Allahu ia shtoftë begatinë e tij), e kemi caktuar dhe dërguar si gjykatës tek ushtria jonë. Mos bën ndonjë kusur dhe mos shprehni ndonjë të metë në pritjen dhe përshëndetjen e tij të paskajshme, kur të arrijë atje. Veproni sipas hadithi sherifit, duke mos treguar paaftësi ndaj tij, sa kohë që thuhet: “Dijetarët janë trashëgimtarët e Pejgambereve”. Mos gabo t’ia besosh gjendjen e mëhershme të dikujt, nëse dëshiron ta futësh në një shërbim. Ka plot nga njerëzit që duken se janë futur në rrugët e devotshmërisë dhe largimit nga dëshirat, kjo, ngaqë nuk u ka rënë në dorë ndonjë mundësi. Por, kur u krijohet ndonjë rast, ata tejkalojnë Faraonin dhe Nemrudin. Të tillët mos i merr në shërbim pa i parë përvojat e tyre në punë herë pas here. Atë merre në punë, nëse gjendja e tij më përpara është e njëjtë me gjendjen e mëvonshme.
Dhe ka prej disave që ditën e kalojnë me agjërim, kurse natën me namaz, por ata janë të tillë qe anojnë dhe e lakmojnë shumë dynjanë. Të ikni dhe largohuni shumë prej njerëzish të tillë. E as ti mos e lidh shpirtin për një gjë që është kalimtare. Kishe vendosur t’i lësh vakëf disa fshatra dhe vende. Betohem në Allahun e Lartësuar që, nëse do, lëri vakëf të gjitha vilajetet që ke çliruar, dhe kjo për mua është e pranuar. Dhe, nëse zbehin hatrin e fëmijëve dhe gjirit tënd familjar padishahët që vijnë pas meje, atëherë mallkimi i Allahut, melaikeve dhe i gjithë besimtareve i kaploftë ata. Por, edhe do të dëshmoj dhe do t’i akuzoj ata edhe në Ditën e mahsherit – ringjalljes.
Tani: O Gazi Bali Bej! Edhe ti je një kalorës, ke një shpatë të mprehur, të njeh dhe kupton mirë trimëritë dhe bashkëpunimit. Dhe kudo që të ecësh, ecja jote të jetë prej kalorësi, e shpata e mprehur, që dëshira dhe gjëja për të cilën anon, të jetë e hapur, që Allahu i Vërtetë të të ndihmojë në punët e dobishme të Fesë Islame, të jetë përkrahësi yt dhe mbrojtësi ynë në çdo hap. Amin, për hak te Sejjidu’l-murselinit – Zotërisë tonë Muhamed Mustafasë.

Përktheu nga gjuha turke: Mr. Zymer Ramadani
Burimi i tekstit: http://www.zaman.com.tr

Poeti Mesih Prishtina

26/03/2013 Lini një koment

Prof. Dr. Irfan MORINA

 

POETI MESIH PRISHTINA

Dr. Irfan Morina

Dr. Irfan Morina

Nuk është i vogël numri i poetëve tanë të cilët linden, rininë e tyre e kaluan në Rumeli, por për të  ndjekur shkollimin shkuan në Stamboll dhe atje u dalluan në  lëmin e letërsisë. Njëri prej tyre është edhe poeti i njohur i shekullit XV, Prishtineli Mesihi (Mesihi i Prishtinës). Në  disa burime thuhet se është quajtur Isa1. Për këtë edhe kishte përdorur pseudonimin Mesihi. Në të gjitha tezkiret është regjistruar se Mesihi ishte nga Prishtina. Poeti qysh si ri është ndarë nga vendlindja dhe kishte shkuar ne Stamboll për t’i vazhduar studimet5. Derisa ishte i ri u dha pas kaligrafisë dhe për një kohë të shkurtër hyri në mesin e kaligrafëve më të njohur të asaj kohe. Një kohë e kaloi në ushtri. Nuk ka ndonjë të dhënë të saktë për kryerjen e shkollimit të tij. Është e mundur që shkollimi i Mesihit të ketë qenë për një kohë të shkurtër, por nuk ka dyshim në faktin se poeti kishte arritur arsimim të përsosour. Nga vepra e tijë shihet qartë se ai kishte njohuri nga gjuha arabe, e sidomos nga ajo persiane, ashtu që kishte arritur të shkruaj punime letrare në këto dy gjuhë. Një kohë të shkurtër, në vitet e rinisë. Mesihi ishte edhe sipahi2. Suksesi në kaligrafi dhe dashuria e tij në këtë art, poetit i ndihmoi të fitoj popullaritet dhe u bë i afërt tek Ali pasha, i cili u bë mbrojtësi i vetëmi i tij, dhe Mesihin e emroi sekretar (qatip) të divanit. Gjithashtu Ashik Çelebiu shton se Mesihi ishte shoqëruar me Ali Pashën. Por, për fat të keq poeti ishte i pakujdesshmëm dhe i dhanë pas epsheve dhe ia kishte ëndja alkoolin, gratë dhe zbavitjen. Edhe pse Pashait këto gjëra nuk i pëlqenin fare, ai nga respekti që kishte për të bëhej sikur nuk i shihte këto gjëra. Thuhet se kur pashës i duhej të shkruante diçka, poetin nuk e gjente në krye të detyrës dhe thonte: “Gjejeni djalin e këtij qyteti?” Portirët atë e gjenin në Tahtakale3 ose në kabare duke u zbavitur me femera. Një ditë Mesihi për t’i shikuar bukuroshet e krishtera bashkë më Shemin4 kishin shkuare në një kishë në Gallatë. Njëri nga poetët elegantë të asaj kohe i cili kishte këta dy në atë vend, në një katren, thotë:

“Mesihi kishte shkuar në kishë në Gallatë

bile me atë kishte qenë edhe Shemi,

ata që dëgjuan, mohuan duke thënë,

Mesihi kishte ndezë një qiri në  kishë

Mesihi kishte kontakte edhe me poet të tjerë të  asajë kohe, dhe kështu mes tij dhe Zatit kishte ndodhur një  zënkë. Po në atë kohë vdiq edhe Hadim Ali Pasha në betejë kundër kryengritjes “Shah Kullu” në  vitin 1511 m. Kështu që Homeri, Hadim Ali Pashën e përshkruan si njeri të dobët-të pafuqishëm fizikisht, por besnik e dashamir i shkencës (diturisë), për të cilin ishin thurrur shumë poezi në mesin e të cilave bënë pjesë  edhe elegjia e Mesihit5. Rasti i vdekjës së H. A. Pashës ishte një pikë kthimi dhe një grusht i rëndë që e detyroi poetin të jetojë në të varfëri.

Hadim Ali Pasha dhe Mesih Prishtina

Hadim Ali Pasha ishte sadriazam (kryeministër) i sulltan Bajazidit II, dhe i takonte një familjeje aristokrate në Babussade. Me marrjen e sundimit të sulltan Bajazidit, Ali Pasha u emërua kryetar i sanxhakbejlerëve (guvernator) të Karamanit. Duke qenë  kryetarë i sanxhakbejlerëve të Rumëlisë, në vit 1485 me dëshirë për të pushtuar Akermanin e Vojvodës Bogdane ndërmerr një ekpseditë në në Eflak. Ekspeditë të cilën historianët e  kohës e përshkrujnë  si një udhëtim ushtarak të shkëlqyeshëm. Ali Pasha në  vitin 1486 u emërua vezir. Në këtë periudhë në  pranverën e vitit 1487, në betejat në mes egjiptianëve dhe torosve, ushtria osmane pësoi disfatë, dhe Ali Pasha bashkë  më ushtrinë nga Rumelia iu bashkua Daut Pashës. Gjithashtu bëri renovimin e kullave të Adanes së Tursusit dhe i siguroi ato. Kullën e Pajasit dhe Sisit i mori nën komandën e vet. Në  këtë kohë, në mesin e ushtarëve u paraqit një sëmundje dhe u muarr një vendim që disa oficerë të ktheheshin prapa, por Hadim Ali Pasha ishte kundër këtij vendimi dhe u detyrua të përleshet me ushtrinë egjiptiane. Me plaçkitjen e mallrave dhe ushqimit nga ana e egjiptianëve dhe posaçërisht sëmundja për shkak të ndërrimit të klimës së ushtarëve u detyrua të përleshej me ushtrinë egjiptiane. Plaçkitja e mallrave dhe e ushqimit nga ana e çetave egjiptiane, nga sëmundja që i kishte kapluar ushtarët e Rumelisë për shkak të  ndërrimit të klimës dhe lodhja e madhe, u bënë të  padurueshme. Afër lëndinës së drunjve plasi një  luftë e ashpër më pjesën më të madhe të  ushtrisë. Kjo përfundoi me ikjen e egjiptianëve dhe Ali pasha nuk pati fuqi t’i ndjekë, prandaj me gjithë ushtrinë e vetë u tërhoq në Karaman.

Ali pasha ngadhnjeu edhe ndaj Shehzade Selim Çorlu, i cili ishte ngritur të marrë sundimin nga i ati i tij. Pastaj në Anadoll me largimin  nga detyra e të birit Çapkën Karabijikit, i ashtuquajturi “Shah Kullu”, Shehzade Ahmeti bashkë me Ali Pashën duke u kthyer nga Amasya në vendin e quajtur Kizilkaja iu bashkua sadrazamit. Ali Pasha komandën e ushtrisë e la në  duar të Shehzadës dhe me një ushtri prej dy mijë vetave u drejtua kah “Shah Kullu”. Përleshja ndodhi në Gokçaj në mes të Sivasit dhe Kajserit. Edhe pse Sadriazami i sulmoi furishëm çapkënët, këta iu kthyen me shpata dhe i mbytën ata.

Pas vdekjes së Hadim Ali Pashës

Me betejën në “Shah Kullu” në vitin 1551, në rrjedhat jetësore të Prishtinali Mesihit u paraqitën shumë ndryshime. Pas kësaj ngjarjeje tragjike, Mesihi filloi të qojë një jetë boemi e në varfëri. I mbyllur në vete për t’i shprehur brengat e mbrendshme, shkroi një elegji shumë të bukur. Në një varg ai thotë:

“Nuk dij ta përshkruaj

këtë ngjarje të madhe

derisa bota iu kishte nënshtruar atij

atë,  Ali pashën e mori Erdebili”

Poeti në këtë elegji jo vetëm që vajton Ali Pashën, por edhe me të gjitha hollësit e përshkruan betejën Shah Kullu. Siç vërehët edhe në poezi, poeti zhurmën e pjestarit të grupit muzikor brenda ushtrisë dhe daullën e gërnetën i krahason me murmurimën dhe vetëtimën, kurse kokat e prera dhe të  coptuara me kullojsen (filterin), kazanin e luftës e krahason me detin  Hun .Duke na përshkrua të gjitha këto në një vend të elegjisë shprehet  kështu:

Hë ku mbeti Sadri Azami (Ali Pasha)

Ku mbeti grupi i daullave, tufa e kuajve

Mesihi, Hadim Ali Pashës ia kushton elegjinë më të  bukur e më të prekshme dhe më në fund të  kësaj poezie  ka nevojë për një mecen të ri, kështu që elegjinë e tij duke ia paraqitur Junus Pashës, e përfondon me këtë dy vargësh:

”Edhe nëse njeriu i mbyllë sytë në këtë dynja

Junus Pasha, ti rrofsh deri në Kiamet”

Mesihi e pa se nuk ka përfitim nga Junus Pasha dhe u drejtua te Nishanxhi Taxh Zade Xhefe Çelebiu. Shumicën e kasideve më të mira ia kushtoi atij. Meqë Mesihin nuk e kënaqën të ardhurat e Mecenit të tij, u detyrua që të punojë në  një pemtari në Bosnjë dhe me disa akçe që fitonte në vit, jetonte. Derisa jetoi në Bosnjë, shkroi disa poezi në të cilat reflektoheshin veçoritë tradicionale të popullatës, mënyra e jetesës, veshjet e pastërta dhe bukuritë  e Bosnjës. Ai shprehet:

“Eja sonte të bëjmë sefa në Saraj

kush e din nesër, kujt do ti buzëqesh fati për të pirë

I thash:Pse e gjuajte zogun e shpirti e zemrës

Më tha: këtu është Bosnjë  ndonjëherë frikacaku bëhët trim”

Mesihi, ndër të tjera, i shkroi poezi edhe sulltan Javuz Selimit. Meqë sulltan Selimi në  atë kohe kishte qenë  shumë i zënë, nuk ishte marr me poetin. Mesihi i dëshpruar në varfëri, kaloi në botën tjetër ditën e premte në  mbrëmje më 30 qereshor 1512. Poeti në një poezi dy vargëshe porosit që kur të vdese ky të mos brengoset kush dhe askush të mos vishet në të zeza:

“Këshillë, në qoftëse vdes Mesihi,të mos  veshet kush në të zeza

fytyrat e të dy botave qëndrojnë  të bardha se qefin”.

Koha kur jetoi poeti

Është e pamundur të caktohet saktësisht se ku jetoi Mesihi. Nuk dihet as sa vjeçe ishte kur u largua nga Prishtina, por sipas gojëdhënave, rinin e kishte kaluar në Prishtinë. Jeta e tij ne Stanbol i përketë viteve të sulltan Bajazidit II. Po në këtë qytet kishte  kaluar edhe tre muaj të sundimit të sulltan Javuz Selimit. Në poezitë e Mesihit nuk përshkruhen ngjarje historike të saj periudhe. Poezitë e tij nuk përmbajnë elemente historike e as ekspedita ushtarake, lindje e vdekje. Përshkruan vetëm betejën e kryengritësit Karamanoglu Kasim Beut me Hadim Ali Pashën, në të cilën betejë Ali pasha bjerë dëshmor.

Vlerësohet se elegjia përmban një vlerë të madhe artistike. Thuhet se kjo elegji është poezia më e shkëlqyeshme e tij6.

Krijimtaria e Mesih Prishtinës

Mesihi është një poet original në radhet e poetëve të poezisë së divanit. Fantazia, origjinaliteti i zbulimeve dhe thellësia e mendimeve ia mundësuan poetit që të  krijojë një stilt ë veçantë, stil që mund të kuptohet vetëm nga njerëzit e shkolluar. Për këtë  fakt, Ashik Pasha kur fletë për Mesihin, thotë se Isai (Mesihi) është ai që duke i fryrë poezisë i jep shpirt asaj. Kurse Ahmed Pasha thotë se Mesihi ëhstë  themelues i “folesë së poezisë së Rumelisë  dhe shtylla e parë e kësaj fështë Nexhati, pastaj Mesihi. Gjithashtu Ahmed Pasha thekson se Mesihi është liriku dhe poeti nga më të veçuarit. Ai është i treti me radhë, pas Nexhatiut dhe para Bakiut.

Poeti ka tri vepra kryesore:

a. Divani

b. Shehrengiz

c. Gul-i sadberk

Divani i tij përmban 1 munaxhat (lutje), 21 kaside (ilahi), 1 mersije (elegji), 1 shehrengiz, 290 gazele (lirika), 13 kita’ (pjesë), 5 matlla dhe 3 mufrede, gjithësej përmban rreth 1.800 dyvargjëshe (bejte)

Shehrengizi; është një zhanër letrar të cilin për herë të parë e ka shkruar Mesihi. Shkencëtarët e huaj dhe sidomos Gibb i kushtojnë një rëndësi të veçantë shehrengizit. Origjinaliteti i kësaj vepre është pika e cila i kishte e tërhequr vëmëndjen Gibbit. Këtë zhanër të cilin e nisi dhe e kultivoi Mesihi, nuk kishte mostër as në letërsinë persiane. Kjo vepër e poetit është një gërshëtim i humorit artistik; një përshkrim i jetës shoqërore dhe bashkë me atë një parafytyrim i të dashurës, ashtu si në letërsinë klasike. Edhe pse nuk ka ndonjë risi nga ana e formës dhe metrit, tema e kësaj vepre është krejtësishtë e re. Përbëhët nga tri pjesë:

a. Hyrja

b. Përmbajtja

b. Përfundimi

Hyrja ndahet në pese pjesëza. Në dy pjesët e para poeti kërkon mëshirë prej Zotit për t’ia falur mëkatet. Kurse në fund të pjesës së dytë nga Zoti dëshiron që shehrengizin ta bëjë të njohur në qytet:

”O Zot mëshiroje fjalën time

Jipi popullaritet këtij shrengizi në këtë  qytet

Me këtë dyvargësh kuptohet se poeti këtë poemë  e quan “shehrengiz” dhe me thënien “shehr icre”sigurisht ka për qëllim qytetin e Edrenes ku është shkruar kjo poemë. Në pjesën e tretë një natë dhe në pjesë  ne katër fillon ta lavdrojë qytetin. Më pastaj kalon në  esencën e temës ku përshkruan djemtë të cilët lahen në lumin Tunxha.

Katër pjesët e para të shehrengizit nuk kishin lidhje me përmbatjen e poemës. Zakonisht fillimet e poezive të tij janë përkujtime. Në shehrengiz përmenden 46 emra të djemve.

Secili prej tyre i kushtoi nga dy vargje. Dy të rinjë  i ka dalluar dhe njërit prej tyre i kishte kushtuar tre e tjetrit katër vargje. Në vargjet e përmendura nuk janë portretet e sakta të personave. Për karakteristikat e tyre disa herë mjaftojnë  vetëm nga dy fjalë. Thuaj se e gjithë poema përbëhet nga një  aludim humoristik me emrat, profesionet dhe me punët tregtare të  baballarëve të të rinjve.

Shumica e të rinjëve i takon shtresës së ulët të  atij vendi. Nga stili i veprës, shihet qartë se është  një vepër krejtësishtë e re. Mesihi në krijimtarinë  e tij plotësisht ishte nën ndikimin e letersisë klasike persiane. Shehrengiz ishte shkruar me një shprehje të thjeshtë, janë  përdorur fjalë turke nga thesari popullor.

Gul Sadberk (Trëndafili me njëqind gjethe) është vepra tjetër e Mesihit, e shkruar në prozë. Aty ka rreth 100 letra, që ishin shkruar për shkaqe të ndryshme. Është përdorur një gjuhë e thjeshtë dhe e pastër.  Përmban veçori artistike e elemente nga proza klasike turke.

Në divanin e tij shembulli karakteristikë e krijimtarisë  së tij është poezia e quajtur “Baharije”. Këtë ode ia kishte kushtuar Xhafer Çelebiut. Kjo poezi tek ne reflekton ndjenjat pesonale dhe ideologjinë e Mesihut. Zatën poeti para se gjithash dëshirën më të madhe e kishte të shëtiste jashtë sarajit nëpër kopshte, të kalojë kohën nëpër kabare dhe të takohet me femra. Më poshtë do të shohim poezin “Baharije” me të gjitha karakteristikat e saj. Më 1774, orientalisti anglez, Sir Viliams Johns, botoi veprën “Antologjia e poezis Anadollijane”, ku ai shprehet se në lëtersinë turke vetëm Mesihi është ai që kishte thurrur poezi për pranverën. Në këtë antologji V. Johnsi prezantoi poezinë “Baharije” në origjinal dhe me përkthim në gjuhën latine. Më vonë poezia ishte pëkrkthyer në gjuhën italiane, frënge, ruse, gjermane, angleze dhe serbokroate. Përkthimi më i sukseshëm i kësaj poezie u bë në Beograd nga themeluesi i degës së orientalistikës prof. dr, Fehim Bajraktaroviq. Me të drejtë Ismail Ereni thotë se Bajrakatreviqi gjatë përkthimit të kësaj poezie kishte pasur kujdes të madhë për të mos iu shmangur origjinalitetit dhe i kishte kushtuar rëndësi të madhe ruajtjes së metrit dhe rimes. Edhe prof. H. Kaleshi thekson se kjo poezi mund të përkthehet edhe më mirë në gjuhën shqipe.

Mesihi në pjësën e dytë të shekullit XV bënte pjesë ne mesin e artistëve të dalluar, siç ishin Ahmed Pasha dhe Nexhatiu. Edhe pse kishte shumë vepra të  shkruara ai vetëm me divanin e shehrengazinin arriti të popullarizohet, por u popullarizua sa e meritonte. Në krijimtarin e Mesihit vërehen edhe provincializimat e Ballakanit si një poet i lindur e rritur në Prishtinë, siç ishte Mesihi. Në një poezi të tij hasim edhe fjalën serbe “shumar“- pyllëtar. Krahasuar me bashkëkohësit e tij, gjuha e Mesihit ishte e thjeshtë dhe e pastër.

Burimi: http://www.studimeorientale.com/portal/2012/07/19/poeti-mesih-prishtina/

Mungesa e osmanologëve pezullon hulumtimet

15/12/2012 Lini një koment

MUNGESA E OSMANOLOGËVE PEZULLON HULUMTIMET

Arkivi OsmanNuk janë vetëm shkencat ekzakte të padëshiruara për studim nga ana e të rinjve kosovarë. Ndonëse zhvillimi ekonomik, e sidomos ai industrial bazohet në këto kuadro, e që vazhdojnë të jenë deficitare në vend, interesimi për studim në këto drejtime ka nisur të rritet, por shifrat nuk sjellin ende konkurrencë. Ngjashëm është ballafaquar tash e sa vjet edhe Departamenti i orientalistikës në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës (UP).

I hapur që nga themelimi i UP-së, ky departament nuk ka zgjuar shumë interesim për studim. Studimi i dokumenteve që lidhen me shqiptarët ka mbetur më së shumti peng i mungesës së osmanologëve shqiptarë, shkruan gazeta “Zëri”.

Si i vetmi departament në universitetet shqiptare, në këtë departament nuk funksionon niveli master i studimeve. Numri për të funksionuar një degë prej 20 studentësh që parashihet me statut ka ndikuar shpesh në pezullimin e këtyre studimeve, veçanërisht në nivelin master.

Për herë të parë ky departament ka aplikuar për program studimesh në këtë nivel në Agjencinë për Akreditim të Kosovës (AAK), duke u bazuar në një rritje të interesimit të studentëve për të studiuar në këtë fushë, vërejtur sidomos viteve të fundit, që udhëheqës të këtij departamenti në UP e lidhin me investimet që bën shteti turk në Kosovë, kontaktet dhe marrëveshjet që ka bërë Turqia me Kosovën dhe Shqipërinë.

Tani numri i studentëve në këtë degë ka arritur në 30 studentë të regjistruar në vitin e parë akademik 2012-2013.

Për këtë, Isa Memishi shef i departamentit të orientalistikës në UP shprehet i kënaqur, pavarësisht se pranon që mungesa e osmanologëve shqiptarë ka ndikuar që e kaluara shqiptare të mbetet e paeksploruar kënaqshëm në arkivat e shtetit turk.

Memishi ka thënë për “Zërin” se e kaluara shqiptare për të gjitha trojet etnike gjendet në arkivat turke me mijëra dokumente, pa përjashtuar mundësinë se ato mund të arrijnë në 1 milion copa.

Dega e orientalistikës në UP është e vetmja që funksionon me gjuhën arabe, turke dhe osmane (gjuhësia dhe letërsia), ndërsa sipas Memishit nuk ekziston në universitetet tjera shqiptare, kurse së fundi është hapur në Universitetin e Tetovës, por duhet kohë për të krijuar traditën që e ka, sipas tij, Fakulteti i Filologjisë në UP.

Në Departamentin e orientalistikës në UP për çdo vit, sipas Memishit, po rritet interesimi për orientin, dhe ai mendon se ndikohet edhe nga investimet turke, gjithashtu edhe për shkak të krijimit të marrëdhënieve me shtetet arabe duke vlerësuar se pasi të kryhet “Pranvera arabe” duhet të vendosen marrëdhënie dhe me këto shtete.

Memishi thekson se Kosova ka 3-4 osmanologë dhe se ky departament është duke bërë përpjekje që të nxjerrë sa më shumë kuadro të profesionalizuara në gjuhët orientale. Ai përmend se aktualisht ka disa studentë që po vazhdojnë këto studime në universitetet turke në fushën e osmanishtes.

Ai tha se do të dërgohen studentë atje që të krijohen kuadro për këtë fushë dhe të merren me përkthimin e rreth një milion dokumenteve që duhet të përkthehen nga osmanishtja, e të cilat iu dedikohen trojeve shqiptare nëpër arkivat e Turqisë.

“Dita-ditës dëgjojmë që nuk ka studime të periudhës osmane pa hulumtimin e arkivave të Turqisë. Si të bëhen ato hulumtime kur ne nuk kemi osmanologë”.

Sivjet për herë të parë kjo degë ka konkurruar për akreditim edhe me një program që është hyrje në studimet e gjuhës dhe letërsisë perse. “Gjuha perse është e nevojshme të studiohet për arsye se pa osmanishten, turqishten, arabishten dhe persishten është e pamundur të hulumtohen dokumentet dhe faktet mbi historinë e shqiptarëve”, thotë ai.

Me akreditimin e gjuhës perse, Memishi i quan të kompletuara studimet e orientalistikës. Ndonëse thekson se tash për tash në Kosovë janë tre osmanologë që merren në mënyrë aktive me osmanishten, Memishi e sheh të nevojshme që edhe institutet qoftë ai i Historisë, Albanologjisë dhe arkiva e shtetit, ato komunale që të tregojnë interesim më të madh për të angazhuar të diplomuarit në orientalistikë.

“Asnjë institut nuk ka orientalist të diplomuar. Kuadrot janë, por tani për tani ne nuk kemi një historian që e njeh osmanishten, me përjashtim të kuadrove të kësaj dege që janë orientuar në histori”, ka thënë ai për gazetën./Indeksonline/

Marrë nga faqja: http://www.indeksonline.net/?FaqeID=2&LajmID=37937

Vështrim në letërsinë turke qysh në fillimet e saj

09/12/2012 Lini një koment

Kopi KYÇYKU

 

VËSHTRIM NË LETËRSINË TURKE QYSH NË FILLIMET E SAJ

Kopi Kyçyku

Kopi Kyçyku

Shumëkush çapat e para të letërsisë turke i kërkon në periudhën e sundimit osman. Në të vërtetë agimet e saj zbardhin qysh në shekullin VIII të erës sonë.

Gjatë historisë së tyre mijëravjeçare turqit sunduan vende me qytetërim të lashtë, si Persia, Egjipti, Mesopotamia, Anadolli, Evropa Lindore etj dhe qytete të famshëm, si Buharaja, Ispahani, Delhi, Samarkanda, Tabrizi, Bagdadi, Jerusalemi, Moska, Konstandinopoja, Athina, Damasku, Budapesti etj.

Në kulturën shpirtërore të popullit turk dallohen tri periudha: paraislamike, islamike dhe moderne. Sidomos në periudhën e parë, për shkak të kontakteve të gjera me qytetërime të ndryshëm, letërsia turke gati-gati njësohet me përkthimin e veprave të krijuesve më në zë indianë, kinezë e persë.

Studiuesi i njohur turk, Fuat Këpryly, ka mundur të nxjerrë në pah raportin midis traditës, qoftë kombëtare apo e huaj dhe krijimtarisë individuale artistike dhe estetike. Burimet e shkruara flasin për legjenda etnike të turqve të lashtë, që të bëjnë të mendosh për vetëqënien e një letërsie, e cila ka pasqyruar trashëgiminë e miteve e të jetës endacake, me luftrat, gostitë, gjahun, ritet etj.

Letërsia turke islamike u shtri në një hapësirë të gjerë: nga Turkestani Lindor në Azinë e Vogël, në Evropën Lindore, në Ballkan e në Indi. Ajo mori fill me letërsinë didaktike e fetare, mjaft e thjeshtë e popullore.

Më pas, aty nga fundi i viteve ‘300, pason një finesë kulturore, gjithnjë sipas modelit persian; lulëzon poezia e artit oborrtar, ajo erotike e mistike, për të shënuar kulmet e veta qysh në vitet ‘400-‘500. Është koha kur vrrullon historiografia, e cila merret me himnizimin e arritjeve turke në lëmin ushtarak. Kjo njihet nën emrin periudha klasike. Letërsia vazhdon të ndikohet përherë e më dukshëm nga simotra persiane, e cila, njëherazi me pjekurinë në rrafsh stilistik-artistik, vazhdoi të mbetet pre e abstraktes.

Shekujt pasardhës, krahas zbehjes së trajtave klasike, sollën frymëzime më pranë temave të kapshme të jetës.

Arabishtja, gjuha e kuranit dhe e kulturës mbarëislamike, u përdor nga turqit në shkrimet teo;ogjike, filozofike, filologjike, juridike dhe shkencore. Letërsia neopersiane, që pat nisur të lëvrohej gjatë shekujve IX-X, për t’u ngjitur në maja në shekullin XI me Firdusin, vazhdoi ta ushqejë krijimtarinë letrare turke, sidomos përmes veprave të Omar Khajamit dhe Attarit (shekulli XII), Xhelahudinit dhe Saadiut (shekulli XIII), Hafizit (shekulli XIV) e Xhamiut (shekulli XV). Nga ana e vet, letërsia persiane i detyrohet jo pak asaj arabe. Prozodia arabo-persiane mbështetej në sasinë e zanoreve dhe kishte njësi matëse distikun, që përbëhej nga dy vargje, të cilët rimonin njëri me tjetrin. Turqit morën skemat tipike të kompozimit arabo-persian, ndër të cilat më të përmendura ishin gazeli, që zakonisht ndërtohet nga pesë deri dhjetë distikë; kasidi, një lloj ode, si rregull më e gjatë se gazeli dhe rubaitë apo katrenet. Kasidët, gazelët dhe krijime të tjera më të vogla, përmblidhen në të ashtuquajturit divane. Në përgjithësi, në fillim zinin vend kasidët, pastaj gazelët, që përbënin trungun e vëllimit e radhiteshin sipas gërmës fundore të rimës me renditje alfabetike, pra gjini strofike, katrene, fragmente, vargje të shkëputur.

Lirika e divaneve turke ishte kryesisht fetare, kasidët kishin karakter lavdërues, ndërsa në gazelët binte në sy përmbajtja erotiko-mistike. Disa divane përmbanin edhe disa poezi përqeshëse e satirike.

Proza nuk u përpunua në një shkallë me poezinë. Pjesën dërrmuese e rrokte historiografia. Këtu duhen shtuar shkrimet hagjiografike, anekdotike, novelistike, didaskalike, sidhe epistolarët, dokumentet zyrtare, shënimet e udhëtimit etj.

Persët dhe turqit idetë estetike i huazuan prej arabëve, të cilët i përmbaheshin formalizmit në art. Kjo i çoi në zhvillimin e teorisë së zbukurimit e në përputhjen e shkrirjen e poetikës me retorikën. Kësisoj u përftua “gjuha e lulëzuar”, qënkuptonte me “lule” zbukurimet artificiale të stilit të hijshëm. Kjo gjuhë abstrakte mishërohej, në pajtim me konceptin gjuhësor formal të shprehjes, në manualet e retorikës, të shkencës së ligjërimit. E ndarë në tri pjesë, e para shtjellonte përdorimin e gjuhës në kuptimin e mirëfilltë, ndërsa e dyta dhe e treta i përkushtoheshin “gjuhës së lulëzuar”, njëra gjuhës metaforike (përfshi sinekdokën e metoniminë), tjetra figurave të ndryshme retorike, të klasifikuara nga arabët, njëherazi me dyndjen e retorikës greke.

Turqit otomanë e çuan në ekstrem “sermo poeticus”, duke e vënë theksin në sajimet intelektualiste.

Njohja e “luleve” stilistike në veprat artistike është e domosdoshme për të përvehtësuar strukturën e letërsisë turke.

Në lidhje të ngushtë me mekanizmin e gjuhës së lulëzuar, është një anë tjetër e artit turk, në poezi e në prozë, pra prirja drejt tingëllimës. Metaforat, epitetet, figurat retorike, loja e fjalëve, shpesh të gërshetuara, përdoreshin tej mase. Në përsëritjen automatike fjalët e figurshme zbrazeshin nga çdo domethënie, për të jetuar vetëm nën veshjen e tyre “muzikore”.

Në shekullin XIV merr fill një lulëzim i vërtetë shkrimesh natyrash të ndryshme, të gjitha në gjuhën amtare. Rëndësi të posaçme, si qendra të kulturës e të letrave turke, morën qytetet Bursë dhe Edirne (Adrianopoja). Përkthimet nga persishtja dhe nga arabishtja vazhduan të kishin përparësi. Përmendim, ndër të tjera, “Librin e Kalilës e të Dimnës”, “Një mijë e një netët”, Historinë e Sinbad filozofit, e cila në redaktimin turk ka titullin “Historia e dyzet vezirëve”, “Marzuban-name”, sidhe vepra të plota të Attarit, Xhelahudinit, Rumiut e Saadiut. Përkthimet, me të cilat u morën edhe poetë të shquar, synonin njohjen e përvehtësimin e formave artistike më të larta.

Me marrjen e Konstandinopojës (1453), shteti osman shtiu në dorë prestigjin e historisë mijravjeçare të Bizantit të lashtë. Biografi grek Kritobuli, që shkruan sipas stilit të Tuqididit, ngre lart pasionin e turqve për njohjen e thellë të së kaluarës (ta panta palaion evidenai kalos). Megjithatë, qytetërimi i turqve osmanë mbeti islamik. Këta, nga lidhjet me Perëndimin mësuan shumë në kulturën materiale, në artin ushtarak e detar, në gjeografi, por ruajtën të paprekur fizionominë shpirtërore. Kryeqytet i një shteti të tejqendërzuar, Konstandinopoja u bë zemra e perandorisë otomane. Aty zunë vend vatrat e dijes e të letrave, institucionet kryesore akademike. Mjaft të themi se të katër sulltanët e asaj periudhe ishin poetë. Princa, vezirë të mëdhenj e funksionarë të lartë, ndoqën shembullin e tyre.

Klasicizmi otoman e shfaqi veten kryesisht në lirikën erotiko-mistike dhe në historiografi. Për këto janë shkruar dy vepra themelore: “History of Ottoman Poetry” (1904-1912) e Gibb-it dhe “ Geschichtsschreiber der Osmanen und ihre Werke” (1937) e Babinger-it, në bazë të të cilave mund të përvijohet një panoramë gjithëpërfshirëse e veprimtarisë historiko-letrare. Këtu nuk janë mënjanë as shkrimet didaskalike, moralizuese, hokatare, apo letërsia rrëfimtare, të përkthyera nga arabishtja ose persishtja. Për lirizmin e për prozën e përpunuar e të rimuar, u shqua me “Tazarru’at” Sinan Pashat (vdiq më 1486).

Me interes për marrëdhëniet me kulturën perëndimore është një përmbledhje me fabula të Ezopit dhe të disa autorëve italianë- Abstemius, Rinuccio d’Arezzo, Poggio Bracciolini, përkthyer nga Dekurdemanshi qysh më 1758 dhe botuar më 1892.

Lirika, në pjesën dërrmuese e pabotuar, njohu përfaqësues të shquar në penat e Ahmed Pashait, Nexhatit, Zatit, Qajalit e Bakiut. Në atë periudhë ishte në modë largimi nga gjuha letrare e ngritur dhe afrimi me gjuhën e folur; mënjanimi i ndërtimeve dhe i fjalëve të zgjedhura arabe e persiane dhe përdorimi i leksikut popullor.

Këprulu, në një monografi të posaçme, e quan këtë dukuri si shënjë domethënëse drejt kultivimit të kombëtares në fushë të gjuhës.

Tipar tjetër dallues ishte vënia në punë, nga disa autorë, në kazidët e në gazelët, e termave detare italiane e greke. Më fort, – por pa mundur të shënojë nivele artistike e shprehëse të lakmueshme, – kjo dukuri pasqyrohet në himnet luftarake, krijime të poetëve të mirëfilltë më shpesh, por edhe të autorëve popullorë.

Një faqe e re e kulturës otomane dhe e letërsisë në veçanti, u hap në fillimet e viteve ‘700. Poezia ruajti karakterin persianegjant dhe intonacionet erotiko-mistike. Vazhdoi të thellohej prirja për t’u marrë me jetën e përditshme: krijime autobiografike, përshkrime mjedisesh me nota humoristike, parapëlqim për shprehjet idiomatike turke e për vepra me thekse të spikatur popullorë. Kur në shekullin XIX shkolla e vjetër poetike “u mpi” dhe u mënjanua nga shpërthimi i formave evropiane, poezia otomane pat fituar një farë konkretësie në krahasim me akademizmin abstrakt të periudhës klasike dhe një fizionomi të theksuar lokale. Megjithatë nuk mund të thuhet se ajo ishte pjekur për një përtëritje “ab intus”. Për nga niveli artistik i ulët dhe tematika e rëndomtë e vulgare, nuk ia vlen të ndalemi në poezinë fetare “gjysmëintelektuale” e në atë dashurore të të ashtuquajturve “saz şairleri” (poetë të sazeve), që i interpretonin vargjete tyre të muzikuar në mjedise pijetoresh.

Në formën artistike më të lartë, romanin alegorik e hasim në pentologjinë e Nergisit (vdiq më 1635), shkruar sipas shëmbullit të stilit barok evropian.

Për qëllime thjesht argëtuese, përmbledhjet e gjera novelistike e anekdotike arabe e persiane sjellin gjithnjë lëndë të pashtershme. Veçanërisht interesante, në fund të shekullit XVIII, janë novelat e Aziz Efendiut, të përmbledhura nën titullin “ Mukhayyalat-i ledun-y ilahi” (fantazi të afrimit yjnor). Ndër veprat me kujtime, vlen të përmendet “Seyahatname” (Libri i udhëtimeve) i kronikanit Evlija Çelebi, që përshkruan, ndër të tjera, edhe bëmat e shqiptarëve në luftrat antiosmane.

Në periudhëne reformave të Tanzimatit (1939-1876), ndikimi i ideve të revolucionit francez u ndje më fort në mendimin politik e në përgjithësi në kulturë, por edhe në fushën e letërsisë. Fillimisht u shtua vëllimi i përkthimeve. Munif Pashai, më 1859, botoi me gërma të alfabetit armen, dialogje të nxjerra nga veprat e Fontënelit, të Fenelonit e të Volterit. Më 1862 pa dritën i pari libër i përkthyer i plotë, “Aventurat e Telemakut” i autorit Fenelon. Nga viti 1862 filloi përkthimi pjesë-pjesë i “Të mjerëve” i Viktor Hygoit. Dy vjet më vonë u përkthye nga arabishtja “Robinson Kruzoi”. Në vitet ’70 të shekullit të kaluar botimet u shtuan me shpejtësi. Ndër të tjera, panë dritën “Mikromegas” i Volterit, “Poli dhe Virgjinia” i Bernardin de Sën Pjerr, “Atala” i Shatobrianit, “Graciela” i Lamartinit, “Konti i Montekristos” dhe “Paulina” të A. Dyma (atit), “Burgjete mia” i Pelikos. Duhen përmendur veçmas përshtatjet e komedive të Molierit nga Ahmet Vevfik Pashai (1823-1891). Sa për poezinë, afro dhjetë vjet pas studimeve për këtë gjini nga Shinasiu (1826-1871), që u botuan më 1859, lexuesi turk mori në dorë lirikat e Viktor Hygoit dhe “Liqenin” e Lamartinit. Përkthyesit, përkatësisht Ethem Pertef Pashai dhe Sadullah Pashai, përdorën një sistem rimash të tipit evropian, të ndryshëm nga rimat e puthura të distikut arab-persian.

Me vitin 1870 vijmë në prag të një periudhe letrare turke të mirëfilltë: përkthimet vazhdojnë të shtohen, por dalin në plan të dytë. Në shkrimet origjinale, pionierë të një shkolle të re letrare bëhen Shinasiu dhe Zija Pashai (1825-1880). Ibrahim Shinasiu njihet si themeluesi i gazetave të para letrare turke, në të cilat shkruante artikuj në përkrahje të përparimit e të qytetërimit. Ai është i pari përkthyes i poetëve francezë. Në një përmbledhje të litografuar, ai përfshiu (më 1859) njëqind vjersha të Rasinit, Lamartinit, Zhilberit e La Fontenit. Njëkohësisht, ai njihet si sjellësi i parë i elementeve novatore përmes krijimeve të shumta origjinale.

Në poezitë e tij, por ca më shumë në prozën e llojeve të ndryshme, Zija Pashai ve në shënjën e kritikës stilin e vjetër të lulëzuar, sidhe stilin e rëndë e burokratik të kohës së vet. Shumë pasazhe të veprave të tij mbajnë vulën e proverbave e të maksimave të gurrës popullore. Ironia e sarkazma e hollë e therrëse ndaj padrejtësive, përbëjnë tipare dallues e domethënës të prozës së shkurtër të Zija Pashait, ku, përfshihen, në radhë të parë, dy pamflete politike, ku vërsulet me art kundër padrejtësive e prapambetjes. Ai përktheu me mjeshtëri e në një gjuhë të pasur e të kuptueshme veprat e Zhan Zhak Rusoit.

Romantizmi turk, si rrymë letrare moderne, zuri fill një dhjetëvjetsh më vonë se në Evropë. Në koniukturën politike të atëkohshme, ndikim ushtruan anët shoqërore të letërsisë romantike, e cila, veçanërisht përmes veprës së V. Hygoit (vdiq më 1885), gëzonte popullaritet dhe emër të mirë në rrethet e intelektualëve turq.

Romantizmi turk, sentimental e atdhetar, ndoqi, padyshim, parimet e romantizmit frëng. Vetëkuptohet se polemika kundër klasicizmit u mishërua në revoltën ndaj letërsisë tradicionale orientale. Qysh më 1866, Namik Qemali, “poeti i atdheut”, vendos piketat e para në këtë udhë të re. Ai e fajësonte klasicizmin për tepri zbukurimesh formale, për mungesë natyrshmërie. Në të vërtetë, në praktikën letrare as vetë Namik Qemali nuk u largua nga klasicizmi.

Romantikët turq ngrinin lart idealet e lirisë e të atdheut. Përveç qëndrimeve të drejta, herë-herë “në sordinë”, ndjehej një farë krenarie e tepruar për “kombin sundues”.

Ideja romantike e poezisë që buronte nga folklori, nxiste vlerësimin pozitiv të poezisë popullore. Zija Pashai ishte për një poezi “të natyrshme” dhe “kombëtare”, kundër asaj artificiale, imituese të krijimeve persiane.

Vëmendja u përqëndrua sidomos në metrin “rrokësor” të poezisë popullore, krejt i ndryshëm nga ai sasior arabo-persian (‘aruz) dhe ra në sy se ai, jo vetëm që ishte më i përshtatshmi për turqishten, por edhe i afrohej më shumë vargëzimit francez. U bënë sprova, por të dështuara, poetike edhe me “’aruz”.

Gjatë një procesi gjysmëshekullor, gjuha osmane ishte shndrruar në një përzjerje trigjuhëshe me trung krejt të ndryshëm: turqishtja, nga familja e gjuhëve ugrofine dhe uraloalltaike; persishtja indoevropiane dhe arabishtja semite. Quhej diçka i pranueshëm huazimi i drejtpërdrejtë nga leksikët e këtyre dy gjuhëve të fundit. Elementët morfologjike e sintaksore, jo vetëm ato leksikore, në disa krijime letrare arritën deri në nëntëdhjetë për qind të fondit të fjalëve të vëna në përdorim. Nevojat shprehëse të botës moderne i patën ndërlikuar punët. Për neologjizmat u kalua në huazime të reja nga persishtja; në përtëritje dhe ndryshime të kuptimeve të para; në kthimin e fytyrës nga fjalë të tjera të huaja, sidomos italiane e frënge: të parat, me kalimin e kohës, u zëvendësuan nga të dytat. Për shembull: raporo u bë rapor, vulcano- vulcan, politico-politique (më pas kjo e fundit u bë siyaset nga arabishtja, ndërsa fjala italiane mbajti kuptimin pejorativ intrigë) etj.

Qysh në shekujt e mëparshëm pati reagime ndaj teprisë së persizmave dhe prirje drejt një gjuhe të thjeshtë e të natyrshme. Ibrahim Shinasiu vjershëronte në një “turqishte të thjeshtë” dhe “sipas gjuhës së popullit”. Doradorës u kalua shpesh e më shpesh në rivlerësimin e trashëgimisë gjuhësore të mirëfilltë turke.

Romantikët turq, në radhë të parë lëvruan gjinitë e reja letrare të novelës, romanit e dramës. Dy të parat u futën prej tyre duke zëvendësuar rrëfimin e hershëm dhe përkthimet nga frëngjishtja. Ndërkaq, dramat romantike u paraprinë e më pas e “ndanë parcelën” me komeditë, që ndoqën udhën e çelur prej Shinasiut. Përsa i përket lirikës romantike, ajo e ndjeu veten ngushtë për shkak se format tradicionale të vargëzimit, me autoritetin e madh që gëzonin, i bëheshin në çdo hap fre e pengesë.

Romanticizmi turk jetoi rreth njëzet vjet duke e shfaqur veten në një prodhimtari të gjerë. Përfaqësuesit e tij më të shquar ishin Namik Qemali (1840-1888) dhe Abdulhaki Hamid Tarkhan (1851-1937): i mbyllur brenda caqeve të shkollës romantike i pari, i shtyrë nga probleme vetjake i dyti. Të tjerë, që meritojnë të përmenden, ishin Ebuzija Tevfiku (1849-1913), autor përkthimesh e dramash origjinale dhe sidomos i një antologjie (1882), – një të tretën e së cilës e zinin krijimet e Namik Qemalit, – e cila u kthye në një manual formimi letrar dhe për afirmimin e romanticizmit në radhët e poetëve turq; Shemsedin Samiu ynë (Sami Frashëri) (1850-1904), merita e të cilit qëndron, jo vetëm në veprimtarinë e gjerë letrare (drama e romane, përkthime të sakta e të përkryera, ndër të cilat “Të mjerët” më 1880), por edhe në hartimin me kritere shkencore moderne të dy fjalorëve (Kamus-u turki e Kamus-u fransevi), të cilët janë në përdorim edhe sot e kësaj dite.

Figurë tërheqëse për dëshirën e zjarrtë të edukimit të lexuesve, ishte edhe poeti Ahmed Midhad (1844-1913), autor tepër prodhimtar në gjini nga më të ndryshmet. Ai ka qënë i pari që shkroi (rreth vitit 1870) novela të nivelit evropian – ndodhi patetike e plot të papritura. U pagëzua “baba” i romanit turk ngaqë dha ndihmesë në afirmimin e kësaj gjinie nëpërmjet veprash të shumta, që patën jehonë edhe përtej kufive të Turqisë etnike. Nga romanet me aventura, Ahmed Mithati kaloi drejt një realizmi të lidhur me skemën e romanit social moralist, për t’u ndalur në pragun e natyralizmit të tipit zolian.

Shkolla e re pati edhe kundërshtarë. Një prej tyre ishte Omer Naxhiu (1850-1893). Sidoqoftë ai nuk mbeti larg letërsisë evropiane: përktheu nga frëngjishtja dhe shkroi poezi me frymë moderne. Veçanërisht në kujtimet e fëmijërisë e në shënimet e udhëtimit, si në prozë, ashtu edhe në poezi, përdori një stil të thjeshtë e të qartë, të përshkuar tejendanë nga një emocion i vetvetishëm.

Letërsia moderne turke ze fill në një kohë me veprën e Namik Qemalit, i pari që lëvroi me sukses gjinitë e huazuara nga Evropa: dramën e romanin. Më 1873 u vu në skenë e para nga të gjashtë dramat e tij, “Vatan yakhud Silistre” (Atdheu apo Silistra), që ndërtohet mbi një akt të lartë trimërie e ndershmërie të një oficeri me prejardhje shqiptare, Islamit, gjatë rrethimit të Silistrës (1854).

Gjatë kohës që jetoi në Famagustë të Qipros, Namik Qemali shkroi një dramë me nota sentimentale, që menjëherë shkaktoi emocione dhe u imitua. “Zavali çocuk” (Vogëlushja e brengosur), – ky është titulli i saj, – merret me jetën e një vajze, e cila vdes nga ankthi që pranoi të martohej me mjë pasha, vetëm e vetëm që t’i nxirrte të afërmit e saj nga varfëria.

Po aq patetik, por me analizë psikologjike më të hollë, është romani i parë i Namik Qemalit “Intibah” (Zgjimi), me stil proliks në përshkrime dhe me tepri metaforash: një çiftim i stilit të fryrë otoman antik me atë të prozës madhore të Viktor Hygoit.

Poezia e Namik Qemalit, në një periudhë të parë i bën jehonë poezisë së epigonëve të shkollës së lashtë, pastaj lirikës atdhetare. Ajo përshkohet nga krenaria për qëllimet e larta, dashurinë për lirinë, atdheun e kombin.

Namik Qemali u mor edhe me prozën politike polemizuese. Veprat e tij, për nga përmbajtja dhe niveli artistik, dhanë ndihmesë vendimtare në ngadhnjimin e së resë mbi të vjetrën. Mendimi politiko-shoqëror i Namik Qemalit mbart forcën e zhvillimit shpirtëror turk; shkrimet e tij përbëjnë ushqimin atdhetar për një brez të tërë të shtypur nga despotizmi i sulltan Abdyl Hamitit. Namik Qemali përktheu edhe veprat e Rusoit e të Monteskjësë.

Shkrimtari i dytë i madh romantik turk është Abdylhak Hamid Tarkhan. Veprat e tij të para janë drama patetike, që pasqyrojnë plotësisht klimën e romanticizmit turk. Drama “Liria”, e shkruar më 1887 me njëmbëdhjetërrokësh, është alegori kundër tiranisë, prandaj edhe nuk e pa dot dritën e botimit. Personazhet e saj janë të gjithë terma frënge: Liberté, Despote, Nation. Në dy tragjedi me vendngjarje përkatësisht Afganistanin e Kashmirin e me protagonist Aleksandrin e Madh, Abdylhak Hamidi, duke u frymëzuar nga Kornej, merret me zbërthimin e kontrasteve dashuri-detyrë dhe dashuri-ambicje. Përmbledhja poetike “Bunlar o-dur” (Këta janë ajo), për gjuhën e thjeshtë e të figurshme e për ndjeshmërinë e lartë, me të cilën i këndoi dashurisë së pafat, e bëri të njohur.

Në Londër, Hamidi zbuloi Shekspirin, nga i cili u frymëzua në shkrimin e tragjedisë “Finten”. Në këtë vepër me larmi motivesh e me botë psikologjike komplekse të personazheve, autori ve në lojë zbrazëtinë shpirtërore të qarqeve aristokratike angleze. Hamidi është krijues edhe i disa veprave të tjera me theks të ngritur atdhetar, sidhe me temë nga jeta familjare. Në to spikatin ngrohtësia e shpirtbutësia e autorit. Gjuha e Hamidit, në shumicën e rasteve është “e mbytur” nga fjalë arabe e persiane, shkak ky që, sot në Turqi, në vazhdim të procesit të evolucionit të gjuhës, leximin e veprave të tij e bën praktikisht të pamundur për ata që nuk kanë parapërgatitjen e nevojshme.

Rexhaizade Eqremi (1847-1914) është poeti i parë turk, që u ndal në problemet e estetikës. I ndikuar nga idetë përparimtare të kohës, që po çanin udhë sidomos pas revolucionit borgjez frëng, ai e shquante të bukurën sipas cilësive themelore të shpirtit: ndjenja, fantazia, mendimi. Shprehja e bukur, në të tre rastet përftohet në një gjendje hiri e ngazëllimi në sajë të shijës, që i ndan fjalët e nxitura nga e folmja.

Vepra artistike e arrirë është, sipas Eqremit, ajo që të shtyn të mendosh, ama një e menduar tërheqëse: “si në rastin kur ndahesh nga një lule e freskët dhe e brishtë e pakëputur, ose e këputur e më pas e braktisur”. Sikurse e thotë vetë titulli i një përmbledhjeje të Eqremit, “Tefekkur” (Meditime, 1888), poezi e prozë poetike, kjo e fundit gjini e palëvruar deri atëhere, Eqremi mediton mbi aq sende të vegjël: një lule e fishkur në faqet e një libri, një bareshë, një femër që lexon në shtrat… Këto përbënin liri e risi kërkimesh, të panjohuara deri atëkohë.

Një shkollë e vërtetë dhe e mirëfilltë letrare u ngjiz, fill, nën kujdesin e Eqremit, rreth revistës “Servet-i Funun” (Trashëgimia e shkencave), e konceptuar në mënyrë origjinale me një program shkencor popullarizues. Për gjashtë vjet radhazi aty bashkëpunuan penat më të shquara, derisa më 1901 një artikull “i pakujdesshëm” i dha cenzurës shkak ta pezullonte revistën, që rifilloi të botohej pas pak muajsh, por jo si më parë.

Bashkëpuntorët e “Servet-i Funun” i lidhnin tipare të përbashkëta, në radhë të parë gjasmimi i autorëve francezë, veçanërisht i parnasianëve dhe i simbolistëve në poezi dhe i natyralistëve në prozë. Veç kësaj mbijetoi një sentimentalizëm romantik, i trashëguar prej brezit paraardhës: pesimizëm e melankoli, ca nga fryma evropiane e “fin de siecle” e ca nga atmosfera e trishtme poetike.

Elementi i përbashkët , që bie në sy më fort, është gjuha. Kulti i tepruar i bukurisë formale çoi në mospërfilljen me qëllim të gjuhës së gjallë (përveç ndonjë përjashtimi) dhe në gërmimin e etshëm të leksikut arab e persian, për të gjetur fjalë të afta për të zhvilluar përvojat e reja letrare. U sajua kësisoj një gjuhë artificiale e libreske, që pjesërisht mbeti pa vlerë dhe pjesërisht u përdor për të pasuruar gjuhën letrare moderne. Ky proces vazhdoi gati njëzet vjet duke çuar në një lartësim të vetëdijes artistike. Poetë kryesorë të kësaj shkolle ishin Tevfik Fiqreti (1867-1915) dhe Xhenab Shihabeddini (1870-1934). I pari konsiderohet themeluesi i poezisë moderne turke. Shpirt i ndjeshëm e meditues, me temperament artistik, ai përfitoi mjaft nga përvoja e brezit të poetëve francezë që pasuan brezin e romantikëve. Nxënës i Eqremit e i Naxhiut, pasues i tyre dhe i Hamid Tarkhanit, pas vitit 1894 Tevfik Fiqreti ndoqi modelet e Bodëlerit e të Prudomit. Fatkeqët, lypsit – një fëmijë i rreckosur që dridhet në shi, një pijanec i uritur, një familje peshkatarësh e fshikulluar nga varfëria – janë dhënë me gjuhë të thjeshtë, me teknikën e “poezisë së folur”, ku janë të pranishme mënyrat e komunikimit të përditshëm. Prudomin e ka imituar në disa poezi atdhetare, të shkruara me rastin e luftës turko-greke të vitit 1897. Ndërkaq kishin lindur tek Fiqreti ndjenjat e kundërshtimit ndaj regjimit despotik të sulltanit. Më parë poeti pat shprehur dëshpërim e pesimizëm me thekse të huazuar nga Bodëleri, ndërsa tani, në poezi, me tone të hidhur shpërthen mosdurimi i barrës së tiranisë. Ndjenja të tilla ai i ndante si bukën e përditshme me një rreth shokësh e miqsh, dashamirë të poezisë e të lirisë, të cilët ushqenin ëndrrën për t’i kthyer krahët atmosferës frymëmbytëse otomane e për t’u strehuar në tokat e virgjra të Zelandës së Re, “për të kaluar një jetë të pastër e të lirë, nën hijen e pishave”. E këtyre viteve, – që vazhduan deri në revolucionin e Turqve të Rinj të vitit 1908, – është poezia qytetare e Fiqretit. Vargjet klandestinë të tij, për nga vrrulli shpërthyes, u bënë “bibla” e rinisë, pikërisht ashtu si krijimet e Namik Qemalit shërbyen për brezin pasardhës. Në poezi të tjera Fiqreti e ve theksin në aspiratat njerzore, në emër të të cilave dënon traditën imperialiste otomane dhe vetë fenë islame, që predikonte luftën e shenjtë. Madje ai, në një moment pashprese ngre krye edhe kundër Allahut.

Fiqreti i këndoi me patos revolucionit të 1908-ës, por shumë shpejt pësoi zhgënjim. Satira e tij therrëse do të fshikullonte tanimë pa mëshirë karrieristët xhonturq. Të Fiqretit janë edhe fjalët: “Aq sa me armë, rinia duhet të luftojë për zgjimin e atdheut, me besimin në idealet e reja”. Përmbledhja e fundit poetike e Fiqretit bën thirrje për punë, për të përqafuar artin e vërtetë, për të përçmuar bestytnitë, për të respektuar njerëzit e thjeshtë, për t’u futur në udhën e shkencës e të progresit, për solidaritetin mbarënjerëzor.

Fiqreti e pasuroi poezinë turke me mjete të reja shprehëse. Ai ishte i pari që zgjidhi në mënyrë të kënaqshme çështjen e përshtatjes së vargëzimit turk ndaj gjuhës poetike moderne, edhe pse mbeti brenda caqeve të metrikës sasiore. Ai hoqi dorë nga masat e lashta në të cilat ndihej tepria e ritmit apo, më mirë të themi, një ritëm tepër monoton dhe i rënduar, për të zgjedhur skema të reja origjinale, me synim që t’u jepte vargjeve “rrjedhshmërinë e prozës”. Me Fiqretin poezia turke bën të vetat teknikën e stilin e poezisë evropiane dhe lirshmërinë e të shprehurit.

Xhenab Shihabeddini imitoi poetikën e dekadentëve francezë, bëri mjaft idhtarë, por edhe mori mbi vete kritika për disa shprehje, si “orë ngjyrë jasemini” (sa’at-i semenfam apo “dëborë e artë” (berf-zerrin). Pas vitit 1908 Xhenabi iu përkushtua me përparësi prozës me ese, fantazi, kujtime udhëtimi etj, që korrën sukses për stilin e pastër e për humorin e hijshëm.

Në rast se Fiqreti mund të quhet poeti i parë modern turk, e njëjta mund të thuhet për Khalid Zija Ushakllëëllin (1866-1945) si prozator. Poezi e proza letrare, novela e romane, përkthime nga frëngjishtja ( vepra të autorëve Balzak, Stendhal, Flober, Zola, Dode, Gonkur), shkrime enciklopedike, ese (“poezi në prozë”, gjini e re asikohe, e cekur, siç e pamë, nga Eqremi) – ja hapësira krijuese e Khalid Zijait. Prirja më e spikatur e tij anonte nga rrëfimi. Romanet e para të tij kanë një shije të fortë romantike. Në “Ferdi ve shyrekasi” (Ferdiu me shokë) feksin notat e para realiste, të frymëzuara nga puna për prodhimin e qilimave. “Mavi ve siyah” (E kaltra dhe e zeza) pasqyron entuziazmin e një letrari, që ëndërron lavdinë dhe, ashtu si rinia turke e asaj kohe, ishte i shtënë me mish e me shpirt pas artit dhe pas autorëve francezë.

Khalid Zijai arrin pjekurinë me romanin “Aşki memnu” (Dashuri e ndaluar), ku, falë shkathtësisë së përshkrimit, njësohet analiza psikologjike me hollësitë e sensualizmit, aq i zhvilluar në atë periudhë. Gjithsesi, paraqitjes së imtë të mjediseve e të gjendjeve shpirtërore, nuk i përgjigjet një zhbirim i vërtetë i rrethanave. Më pas, në disa novela, Khalid Zijai çlirohet nga gjuha e stërholluar dhe e panatyrshme, që pat përdorur tok me bashkëpuntorët e tjerë të “Servet-i Funun”, por nuk do të mundë të shqitet dot asnjëherë nga një lloj manierizmi e nga një sentimentalizëm romantik, duke rënë ndesh me trajtimet realiste.

Nën regjimin e Abdyl Hamitit nuk mungoi drita e një ideali, e nacionalizmit turk. I pari që u çapit në këtë drejtim ishte Mehmed Emini (1869-1944). Fama e tij si poet kombëtar e ka zanafillën në kohën e periudhës së shkurtër të luftës turko-greke të vitit 1897, kur botoi nëntë tregime të përmbledhur nën titullin “Turkçe şiirler” (Poezi në turqisht). Poeti, ndryshe nga prirjet më të përhapura të kohës, në vend të fjalëve arabe e persiane, është për të shkruar e për të folur në një gjuhë “turke”, të kuptueshme, në radhë të parë nga njerëzit e thjeshtë të të gjitha moshave e niveleve: “Poezia që ne lakmojmë, duhet të jetë e atillë, që etërit, tek shkojnë në punë në ara,vajzat që korrin, nënat që presin dru, me të na e dëgjuar zërin e zemrës, të fshijnë lotët”.

Thirrja drejtuar popullit “të çiltër” turk, gjuha e thjeshtë, spontane, e gjallëruar nga entuziazmi rinor, u shkrinë natyrshëm në poezinë atdhetare, që erdhi duke u pjekur dora-dorës. Autori fitoi shumë shpejt simpatinë e përgjithshme. Shkrimtarë të famshëm, si Hamid Takhrami dhe Eqremi, i drejtuan letra përgëzuese. Vepra e tij tërhoqi vëmendjen edhe të orientalistëve evropianë. Mehmed Emini përkrahu ngrohtësisht revolucionin qemalist, të udhëhequr nga Ataturku, dhe i kushtoi një vepër të frymëzuar.

Revolucioni i mëparshëm i kryer nga Komiteti Bashkim e Përparim, më 1908, pat shpallur bashkëjetesën e “të gjithë osmanëve, pa dallim race e feje”, duke nënvizuar kësisoj idenë e nacionalizmit turk. Megjithatë, në të vërtetë, kjo maskë nuk mundi të mbulonte qëllimet e mbrapshta të Turqve të Rinj për mbajtjen nën zgjedhë të popujve të perandorisë, mundësisht duke zgjeruar edhe më kufijtë ekzistues të saj. Në këtë kohë, në skenën e letrave turke shfaqet figura e Zija Gëk Allpit (1875-1924), që ngre në lartësinë e merituar idealin e vërtetë kombëtar. Sipas tij, kombi është “një bashkësi njerëzish të lidhur me gjuhë, fe, ndjenja morale dhe estetike”, pra “me kulturë”. Përmes kësaj të fundit, kombi ndërgjegjësohet dhe fiton “personalitet”. Gëk Allpi, pra, përpiqet me gjithë shpirt të qëmtojë e të përcaktojë lidhjet e kulturës turke në gji të vet, duke zhbiruar në traditën e në shpirtin e popullit. Përsa i përket qytetërimit apo tërësisë së dijeve filozofike, shkencore e teknike, qytetërimi mysliman, sipas Gëk Allpit, duhej dhe mund të zëvendësohej nga qytetërimi evropian, pa cënuar, madje duke forcuar entitetin e traditat kombëtare. Këto ide përgatitën terrenin për reformat e ardhshme qemaliste.

Gëk Allpi i shprehu mendimet e veta në mënyrë të qartë e bindëse, në libra e artikuj të shumtë. Gjithkund në to janë të pranishme poezia dhe gjuha e thjeshtë, që u fliste zemrës e fantazisë. Ndër veprat e tij më të dëgjuara, përmendim “KIzIl elma” (Molla e kuqe), “Alaca geyik” (Kaprolli në shënjestër), “AltIn destan” (Balada e artë), “Yeni hayat” (Jeta e re) etj. Krijimtaria e tij, që pati jehonë e u përkrah gjerësisht nga më të rinjtë, u ndikua thellësisht prej ideve nacionaliste.

Kalimi i menjëhershëm nga tirania në liri, – sidoqë edhe kjo e cunguar, – u duk si fillimi i një epoke të re, që solli me vete kërkesën për një letërsi, gjithashtu të re. Njëzet djelmosha, të zhgënjyer nga ngathtësia e mësuesve të tyre të “Servet-i Funun”, u mblodhën më 1909 në një rreth, që e quajtën “Feg’r-i ati” (Agimi i së ardhmes). Manifesti që qarkulluan me ngut, shprehte besimin e shpresën se shkolla e sapokrijuar prej tyre do të bëhej “një çadër smeraldi në shkretëtirën e shkencës e të letërsisë”. Edhe pse, nën shtysën e kohës, panë te letërsia një zëdhënës të opinionit shoqëror dhe e vunë theksin në problemet shoqërore, të rinjtë e “Feg’r-i ati”, në ballë të të cilëve ishin figura të dorës së dytë të “Servet-i Funun”, nuk u shkëputën nga një vazhdimësi e zbehtë e prirjeve të mëparshme parnasiane dhe simboliste. Për shkak të revistës së tyre “Genç kalemler” (Penat e reja), që nisi të botohej në Selanik, të gjithë shkrimtarët e rinj morën të njëjtin emër. Krahas Ahmed Hashimit, Jakup Kadriut e Fuat Këpryly, në këtë organ vazhdoi të bashkëpunonte edhe Zija Gëk Allpi, sidomos me artikuj e studime mbi rolin e gjuhës . “Genç kalemler” u bënë mbrojtës të përdorimit të gjuhës së gjallë, të heqjes dorë nga fjalët bajate, të rëndomta e joshprehëse, për një frymëzim të kapshëm e konkret, në truallin e realitetit kombëtar, larg traditave libreske e të huazuara vend e pa vend. Ky program shënoi arritje të dukshme, veçanërisht me veprën e novelistit të shquar, Ymer Sejfedinit.

Ekzaltimi i trimërisë turke, edukimi moral e qytetar i popullit, polemika politike, zenë shumë vend në krijimtarinë letrare të Ymer Sejfedinit.(1884-1920). Kryevepër e tij cilësohet novela “Bomba” (Bomba), ku trajton me vërtetësi e plot të papritura, të motivuara më pas, jetën e vështirë të komitëve. Por jo gjithmonë novelat kanë ngjyra epike kaq të forta. Madje ato i tejçon shpesh herë humori. Gati-gati përherë, subjektet i binden një skeme të paravendosur: një fakt i beftë, paradoksal e i papëlqyeshëm vjen të ndëshkojë ndonjë dobësi njerëzore. Një satirë e mprehtë është “Garib bir tecavuz” (Një teprim i çuditshëm), ku flitet për një guvernator, që ia del mbanë të çpopullojë një fshat të tërë duke lëshuar nëpër rrugët e tij kope derrash të uritur. Me ëndje lexohet edhe novela tjetër “Eleimsama” (Ylberi), e ngritur mbi një motiv popullor. Aisheja e re, duke mos duruar gjendjen poshtëruese, në të cilën e ka vënë shoqëria, vendos të kaptojë ylberin, që të bëhet djalë. Autori di të krijojë situata komike, në të cilat personazhet, në të shumtën e herëve pasanikë ose njerëz me pozitë, bëhen gazi i botës.

Ymer Sejfedini, tepër i shkathët në përvijimin e vizatimeve karikaturorë, nuk ishte i prerë për gjini të mëdha. I provoi, por pa sukses, forcat në romane e drama. Prodhimtaria e tij në novela është jashtëzakonisht e madhe dhe tematika tepër e larmishme: nga kujtimet vetjake, në motivet popullore; nga subjektet historike, në kulturën e kombeve të tjerë. Gjuha e tij është tepër “personale”: koncize, me nerv, plot gjallëri, shprehëse e pa paragjykime. Ai mundohet të lerë mënjanë çdo mënyrë të komunikuari të përdorur para tij, prandaj është cilësuar Kristofor Kolomb, zbulues i prozës moderne. Dhe, në të vërtetë, siç ka vënë në dukje kritika, me të ze fill proza moderne turke. Ymer Sejfedini u bë shpejt shumë popullor dhe veprat e tij figurojnë në ndër më tërheqëset në letërsinë moderne turke.

Fitorja e Luftës Nacionalçlirimtare Antiimperialiste e popullit turk, nën udhëheqjen e Mustafa Qemal Ataturkut, që u kurorëzua me shpalljen e Republikës (1923) e u pasua nga një sërë reformash në sferën ekonomike e shoqërore, ndër të tjera edhe në lëmin e gjuhës, duke adoptuar alfabetin latin dhe duke e pastruar leksikun nga fjalët e huaja, kryesisht arabe e persiane, hapi rrugën për pasurimin e botës shpirtërore të popullit turk, autorit të vërtetë të Revolucionit Nacionaldemokratik. Shkrimtarët e mëdhenj i përqafuan pangurrim zhvillimet e reja dhe vunë të gjitha forcat për të pasqyruar me nivel të lartë artistik shndrrimet revolucionare, në përputhje me parimin nacionalist e të respektit ndaj traditës përparimtare. Ahmed Hashimi (1885-1933) i shkollës “Fag’r-i ati”, autor i vëllimeve “Göl saatleri” (Orët e liqenit, 1921), “Piyale” (Gota, 1926), “Ay şiirleri” (Poezitë e hënës), këmbëngul në magjinë e muzikës përmes distilimit të tingujve, të ritmit, të timbrit e të larmisë ritmike. Ai përkryen dhe zgjeron përdorimin e vargut të lirë, të cilit i pat dhënë jetë Fiqreti, duke vënë në punë dymbëdhjetë metra të ndryshëm. Në një numur artikujsh e studimesh në gazeta e revista letrare, A. Hashimi, – këta i përmblodhi në vëllimet “Streha e lejlekëve” (1928) dhe “Sipas nesh” (1928), – jep elemente të jetës së re e të koncepteve të reja mbi botën, që po ngulitte në mendjet e njerëzve revolucioni qemalist.

Poeti më i madh pas shpalljes së Republikës Turke mbahet Jahja Qemal Bejatliu. Në “lentën” e tij fokusohen me mjeshtëri kujtime, përjetime të fuqishme ngjarjesh, vëzhgime të mprehta, për të himnizuar vlerat morale e shpirtërore të kombit turk dhe të mendimit të pavarur e të lirë; për të nxjerrë në dritë rëndësinë e miteve e përgjithësisht të traditave të begata, si burim e bazënisje për ecjen e pandalshme përpara të mbarë shoqërisë së re turke. Ndjenjat e tij të pastra gjejnë shprehje në ritmin e shumë baladave romantike, apo të poezive, që të kujtojnë sonetet e Heredias. Jahja Qemali u formua në shkollën e simbolistëve francezë; nga Malarmeja bëri të vetën idenë e poezisë si muzikë që shndrrohet në fjalë, por kjo muzikë për të është ritmi që vibron në poezinë e popullit, prodhim i një arti të hollë, i cili, nga ana e vet, u përpunua prej turqve dhe nuk mund të shkëputej prej trashëgimisë kulturore të tyre. Ai përdor me funksione moderne skemat e metrikës sasiore, duke u dhënë rezonanca të reja, ndërsa gjuhës konvencionale të lënë pasdore prej kohësh, i fal gjallërinë.

Ndryshe nga Hashimi, bashkimi i antikes orientale me modernen evropiane tek Jahja Qemali nuk shihet vetëm në formë, po përbën një përvojë sintetike origjinale, e cila mund të përkufizohet si neoklasicizëm përderisa frymëzimin e merr prej botës klasike osmane.

Energjia shpirtërore që shpërthen nga heronjtë, gjuha dinamike, e njomur me anekdota, elipse, përsëritje të figurshme e mjete të tjera të stilistikës gjuhësore, – fjala është për grupromanet “Kandan” (Nga gjaku, 1936), – e bëjnë autoren e tyre Halide Edip një personalitet letrar të fuqishëm. Veprat e lartpërmendura dhe shumë novela, pasqyrojnë ngjarjet e luftës popullore për liri e pavarësi kombëtare fill pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, dëshmitare vepruese e së cilës ishte edhe vetë shkrimtarja. Në romanet “Kandan”, në plan të parë del motivi historik: kriza e regjimit despotik të sulltanëve, përndjekjet e fundit, vuajtjet e të rinjve intelektualë, shpirti i heshtur kundërvënës i popullit. “Ateş gomlegi’ (Këmisha prej zjarri) mbart realitetin në një rrafsh ideal e fantastik duke ngritur në pjedestal bëmat heroike të një kombi të tërë kundër ndërhyrësve të huaj dhe veglave të tyre brenda vendit. Vitet e fundit vëmendja e autores u përqendrua në romanin satirik. Mjeshtëria teknike, intuita psikologjike, kthjelltësia e besueshmëria në paraqitjen e situatave, e bënë Halide Edipin ndër krijuesit turq më të njohur e më të përkthyer në Evropë.

Primatin e prozës turke pas Luftës së Parë Botërore, me Halide Edipin e ndan Jakup Kadri Karaosmanollu. Autor i një përmbledhjeje me novela dhe proza të tjera, ai e paraqiti veten stilist të dorës së parë, sidomos në meditimet filozofike, të dhëna me gjuhë tepër muzikale. Veprat më të njohura të Jakup Kadriut janë romanet “Nur Baba” (1922) dhe “Mustafa qejfliu” (1944), sidhe vëllimet me tregime “Bir kIş gecesi” (Një natë dimri, 1923) dhe “Çingene kavgasI” (Zënkë jevge, 1925). Të tjerë autorë të vlerësuar brenda e jashtë Turqisë janë Orhan Sejfi Orhan (1890-1972) me romanin “Çocuk adam” (Fëmija, 1941) dhe vëllimin me tregime “Dugun gecesi” (Nata e dasmës, 1957); Reshat Nuri Gyltekin (1889-1956) me romanet “Gençlik ve guzellik” (Rinia dhe bukuria,1917), “Gizli el” (Dora e fshehtë, 1920), “Yeşil gece” (Nata e gjelbër, 1928) etj; Sait Faik Abasëjanëk (1906-1954) me romanin “KayIp aranIyor” (Kërkon humbjen, 1953) dhe vëllimet me tregime “Mahkeme kapIsI” (Dera e gjyqit, 1956) e “Kuşlar” (Zogjtë, 1954) etj.; Nazim Hikmet (1902-1963) me një numër të madh vëllimesh poetike, kryesisht me temë revolucionare: Sabahattin Ali (1907-1948) me përmbledhjet me tregime “Degirmen” (Mulliri, 1935), “Yeni dunya” (Bota e re, 1943), romanet “Içindeki şeytan” (Djalli brenda nesh, 1940) e “Kurk mantolu madona” (Zonja me qyrk, 1943) dhe “Daglar ve ruzgyar” (Male dhe erë, 1934); Orhan Qemal (1914-1970) me përmbledhjet me tregime “Ekmek kavgasi” (Grindja për bukë, 1949), “Kuçukler ve buyukler” (Të vegjël e të mëdhenj, 1971), “Işsiz” (I papuni, 1966) etj; Aziz Nesin (1915-1993) me një mori veprash satirike, ndër të cilat vëllimet me tregime e skica “Geriye kalan” (I prapambeturi, 1948), “It kuyrugu” (Bishti i qenit, 1955), “Ah, biz eşekler” (Ah, ne gomerët, 1960), “YaşasIn memleket” (Rroftë mëmëdheu, 1969), “Buyuk grev” (Greva e madhe, 1978) etj; Shevqet Bullut (1936) me përmbledhjet në prozë “SarI arabalar” (Qerret e verdha, 1974), “Kefensiz oluler” (Të vdekur pa qefin, 1984); Rasim Ëzdenëren (1940) me vëllimet me ese e novela “Hastalar ve Işiklar” (Të sëmurët dhe dritat, 1967), “Denize açIlan kapI” (Dera e hapur drejt detit, 1983): Sevinç Çokum (1943) me përmbledhjet në prozë “Eyik agaçlar” (Pemët e pjerrura, 1972), “Yeniden dogmak” (Të lindem sërish, 1984) etj; Osman Çeviksoj (1951) me librat me tregime “Beyaz yuruyuş“ (Çapitja e bardhë, 1982), “Agalamak yasak” (Ndalohet e qara, 1984) etj.

Ndër krijuesit më në zë të ditëve tona, padyshim bëjnë pjesë Jashar Qemali me romanet “Direk” (Shtylla) dhe “Ince Memet (Mehmet imcaku), sidhe Tasim Saraç e Qemal Bajram, përkatësisht me ciklet poetike “Güneş cengi“ (Lufta për diellin) dhe “Erken öten horoz”(Këndezi që këndon herët).

Në veprën e prozatorëve dhe të poetëve turq të ditëve tona kanë gjetur pasqyrim dashuria, miqësia, lufta për një jetë më të mirë, forca e pashtershme e virtyteve të kombit etj, të gjitha të shprehura me gjuhë të thjeshtë e të figurshme, me patos, lakonizëm e zhdërvjelltësi. Këto cilësi janë dëshmi e faktit që zhvillimi i letrave turke ka gjetur truall dhe mbështetet fort në traditën e gjallë e të pasur shumëshekullore, siç do të pohonte diku Hysny Daallarxha, një nga poetët më të mëdhenj turq të sotëm, por edhe të të gjitha kohërave.

Mbi funksionet e persishtes në administratën dhe kulturën osmane

01/12/2012 Lini një koment

Dr. Dritan EGRO

 

MBI FUNKSIONET E PERSISHTES NË ADMINISTRATËN DHE KULTURËN OSMANE*

Dr. Dritan Egro

Dr. Dritan Egro

Irani dhe Turqia, edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë dy komponentë kryesorë të botës islame. Prej më se 1000 vjetësh janë fqinjë me njëri-tjetrin dhe, çka është më e rëndësishmja, kanë afro 300 vjet (qysh prej viteve 30 të shek. XVIII) që nuk kanë luftuar kundër njëri-tjetrit; për rrjedhojë edhe kufijtë e tyre janë më se historikë dhe nuk kanë ndryshuar qysh prej kësaj kohe.

Ndikimet, marrjet dhe dhëniet mes Iranit dhe Turqisë osmane janë sa historike aq dhe të ndërsjella, ndërkohë që përdorimi i gjuhës perse në Perandorinë Osmane, siç do të përpiqemi ta shtjellojmë edhe më poshtë, është i lidhur me dimensionin kulturor dhe me atë administrativ. Përdorimi i gjerë i persishtes dhe i arabishtes përbënin një element të fuqishëm për konsiderimin e Perandorisë Osmane një shtet oriental/islamik. Me fjalë të tjera, Shteti Osman ishte turk në thelb, pasi dinastia drejtuese ishte me origjinë turke dhe gjuha zyrtare ishte turqishtja osmane, por shkalla e lartë e përdorimit të dy gjuhëve të mëdha të fesë dhe të kulturës islame i dhanë asaj një karakter të fortë oriental.

Në këtë shkrim do të ndalem vetëm në dy aspekte kryesore: së pari, në faktin se si Shahname-ja shërbeu si model për historishkrimin e shekujve të parë të historisë osmane dhe së dyti, se si persishtja së bashku me arabishten ishin pjesë përbërëse e formimit teknik dhe kulturor-letrar të nëpunësve të lartë të Shtetit Osman.

Pushtimi osman i Konstantinopojës në vitin 1453 shënoi hapin vendimtar në shndërrimin e Shtetit Osman në një formacion politik me interesa botërore. E padyshim një shteti që rritej dhe zgjerohej vazhdimisht do t’i duhej që edhe ta legjitimonte veten e tij me vepra të shkruara ku të himnizohej historia e dinastisë osmane. Gjatë viteve të sundimit të sulltan Mehmetit II në viset osmane lulëzoi ai zhanër i letërsisë i cili njihet me emrin Shahname. Në këtë kontekst historiko-letrar, aty nga viti 1456, një poet pers i quajtur Kashifi shkroi një vepër që e titulloi Gazavatname-i Rum (Lufta dhe heroizmi në viset ish-bizantine), një vepër persisht në vargje sipas modelit të Shahname-së, e cila glorifikonte sukseset ushtarake të sulltan Mehmetit II.[1]

Po gjatë viteve të sundimit të këtij sulltani, Stambolli u invadua nga një numër i konsiderueshëm poetësh persë, të cilët kryeqytetin e ri osman e shihnin si vendin më të përshtatshëm për të nxjerrë në pah dhuntitë e tyre letrare. Konkurrenca u shfaq jo vetëm mes poetëve persë dhe poetëve osmanë, por edhe mes vetë poetëve persianë me ambicien se cili prej tyre do të tërhiqte më shumë vëmendjen dhe interesimin e sulltan Mehmetit II. Kashifi, Hamidi, Muali dhe Shehdi janë vetëm disa prej tyre.

Falë kontributit të tyre sot mund të thuhet pa ndrojtje që modeli i Shahname-së si një formë e hershme e historiografisë osmane të oborrit u instalua aty nga mesi i shek. XV.[2]

Por persishtja dhe stili i Shahname-së janë të pranishme edhe në dokumente të tjera të rëndësishme osmane, siç janë fetihname-. Dokumentet që i lajmëronin botës islame rënien e Selanikut në vitin 1430 dhe atë të Krujës në vitin 1478 u përpiluan po në gjuhën perse.[3]

Të njëjtin interesim, pra që mbretërimi i dinastisë osmane të vihej mbi baza të forta historike, e vazhdoi sulltan Bajaziti II. Madje, ai shkoi edhe më tej, kur urdhëroi dy prej burokratëve dhe dijetarëve më të mëdhenj të kohës, respektivisht Idrisi Bitlisi dhe Kemal Pashazade, që të shkruanin nga një histori të dinastisë osmane, respektivisht në persisht dhe në turqishten osmane.

Idrisi Bitlisi shkroi atë vepër e cila sot është e mirënjohur në qarqet osmanistike me emrin Hesht Bihist. Kjo vepër përfaqëson modelin më të sofistikuar të historishkrimit pers. Këtë e dëshmon edhe vetë autori kur shkruan se në atë kohë, pra në gjysmën e dytë të shek. XV, kishte disa vepra të shkruara turqisht për dinastinë osmane, por atyre u mungonte eleganca në stilin e të shkruarit.[4]

Si për të plotësuar këtë mangësi të literaturës historiko-letrare, që shkruhej sipas modelit pers, në shek. XVI në strukturat e Shtetit Osman u krijua një zyrë e veçantë: zyra e şahnamexhi-ut. Ky pozicion në strukturat e Shtetit Osman u krijua nga sulltan Sulejmani i Madh në mes të viteve 1550. Detyra e tij ishte të kompozonte vepra legjendaro-historike në stilin e Shahname-së. Progresi i vërejtur në kompozimin letrar të këtij zhanri, sidomos nga poeti osman Arif, bëri që Sulejmani i Madh të ndërmerrte hapin konkret për institucionalizimin e zyrës së shahnamexhiut dhe ta emëronte atë në këtë pozicion.[5]

Vetëm se duke iu drejtuar fundit të shek. XVI, ndonëse kjo zyrë mbante të njëjtin emër, gradualisht vendin e persishtes filloi ta zërë turqishtja osmane, pasi vendin e përshkrimeve të fitoreve triumfatore osmane, tashmë e zunë përshkrimet e personaliteteve historike të kohës, zakonet dhe traditat. Një fenomen i tillë u shoqërua edhe me zëvendësimin e vargëzimit me shkrimin në prozë. Megjithatë, këtu duhet theksuar se merita e traditës letrare perse në poezisë epike ishte fondamentale edhe për letërsinë turke të këtij zhanri (Hüsrev ve Şirin), pasi turqishtja e shek. XV nuk gëzonte elegancën dhe shkallën e sofistikimit që kërkonte gjuha letrare e një shteti që po korrte fitore “epike”. Madje edhe huazimi i lidhjes gramatikore gjinore nga persishtja në turqishten osmane është një tregues i qartë i realitetit që shprehëm më sipër.

Si në Lindje ashtu edhe në Perëndim kur bëhet fjalë për formacione shtetërore jetëgjata, menjëherë mendja të shkon te roli dhe pesha që kanë mbajtur burokratët dhe dijetarët në zgjatjen e jetës së tyre. Në Perandorinë Osmane një figurë e rëndësishme ishte katibi. Ai përgatitej si i tillë pasi kalonte në një proces të gjatë që fillonte, së pari, me studimin e Kuranit dhe të haditheve të Profetit Muhamet dhe, së dyti, me mësimin e gjuhës arabe dhe perse, dhe mundësisht me përdorimin e tyre për qëllime ligjërimi. Këto dije plotësoheshin me njohuri nga historia islame dhe letërsia perse e arabe.

Katibët kishin edhe gjasat më të mëdha, që për shkak të shkallës së lakmueshme të dijes që zotëronin, të ishin edhe burokratët-teknicienë të cilët mbanin korrespondencën zyrtare të Shtetit Osman. Këta zyrtarë, që njiheshin me emrin mynshi (münşi), ishin përpiluesit e të gjitha tipeve të dokumenteve zyrtare, njohës të përkryer të elementeve përbërëse diplomatike të tyre, ku veçanërisht duhej të njihnin formulat standarde që përdoreshin për titujt. Për të arritur në këto nivele mynshitë osmanë shfrytëzuan materialet metodike në arabisht, persisht, në gjuhën urdu, si dhe modelet selçuke të kësaj fushe.

Në mes katipit dhe mynshiut ekzistonte një lidhje e fortë, e cila bazën e kishte te dija islame dhe praktikat burokratike në administrimin e shtetit. Këtu nuk duhet të kalojmë pa vënë në dukje kontributin fondamental të Perandorisë Sasanide, e cila në momentin kur ra në duart e ushtrisë myslimane arabe konsiderohej si vendi i katibëve/mynshi dhe i kaligrafëve.[6] Këtë avantazh Irani i kësaj kohe e gëzonte për faktin se kjo Perandori përbënte një model të avancuar për kohën në nivel shtetformues e burokratik.

Tashmë është një fakt i njohur historik që kryeministri selçuk Fahreddin Ali përdorte persishten në vend të arabishtes si gjuhë të shkrimit të dokumentacionit zyrtar të shtetit. Pra, burokratët ishin mjeshtrit e artit të kompozimit të dokumentacionit shtetëror osman. Ka shumë gjasë që praktika e kompozimit të dokumenteve dhe hartimi i formulave diplomatike perse nëpërmjet selçukëve të kenë kaluar edhe tek osmanët.

Nga ky kontingjent nëpunësish të lartë teknicienë dhe të mirarsimuar dolën edhe figura të njohura të administratës së lartë osmane, si nishanxhi(nişancı) dhe reisylkyttap (reisülküttab), të cilët shpalosën aftësitë e tyre jo vetëm në kompozimin e dokumenteve zyrtare, por edhe në shkrimin e divaneve dhe në lëvrimin e zhanreve të ndryshme të letërsisë orientale të kohës.

Prej kontingjentit të katibëve/mynshi dolën edhe ata që njiheshin me emrin tahrir katibi, (regjistrues kadastral), të cilët kishin për detyrë që në çdo qendër të banuar të një sanxhaku të kryenin regjistrimin e kryefamiljarëve dhe të pronave. Praktika kadastrale osmane i detyrohet shumë praktikave perse dhe një fakt i tillë dëshmohet lehtë edhe nga terminologjia e përdorur nga osmanët gjatë këtij procesi, për shembull termat hane (shtëpi), bive (e ve), mürde (i vdekur).

Është shumë interesant fakti që qysh te defterët më të hershëm osmanë, që kanë mundur të mbërrijnë deri në ditët tona, në ata të gjysmës II të shek. XV, hasim fjali-kompozita në persisht të cilat në trajtën e tyre klishe janë shoqëruar me kompozita turqisht.[7] Madje, në shek. XVI gjuha e defterëve kadastralë osmanë, merr trajta të mirëfillta të një gjuhe finance me kodin e saj të shprehjes. Këtu fjala është për një gjuhë mikse mes persishtes dhe turqishtes osmane, por që sot është lehtësisht e kuptueshme për specialistët osmanistë, pasi mbizotërojnë klishetë dhe falë këtij realiteti sot nga studiuesit e fushës kjo gjuhë njihet me emrin specifik gjuha osmane e financës.

Në përfundim do të thoshim se gjatë periudhës osmane marrjet dhe dhëniet mes Perandorisë Osmane dhe Iranit kanë qenë intensive, porse stili i poezisë epike perse u konsiderua nga osmanët një model i cili i shkonte mjaft mirë ambicieve të tyre botërore.


* Ky shkrim është botuar në revistën kulturore-shkencore “PERLA”, Viti IX, 2009, Nr. 1.
[1] H. Inalcik, “The Rise of Ottoman Historiography”, From Empire to Republic (Essays on Ottoman and Turkish Social History), The Isis Press, 1995, f. 11.
[2] Ibid.
[3] Lufta shqiptaro-turke në shekullin XV – burime osmane, përgatitur nga Selami Pulaha, Universiteti Shtetëror i Tiranës – Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, Tiranë 1968.
[4] H. Inalcik, “The Rise of Ottoman Historiography”, f. 14.
[5] Ch. Woodhead, “From Scribe to Litterateur: the Career of a 16th century Ottoman Katib”, Bulletin (British Society for Middle Eastern Studies), vol. 9, no. 1 (1982), p. 64.
[6] Ibid., p. 67.
[7] Suret-i Defter-i Vilayet-i Gorice ve Premedi ve Konice, Arkivi i Kryeministrisë – Stamboll, (“Maliyye’den Müdevver” collection), nr. 231; H. Inalcik, Hicri 835 tarihli Suret-i Defter-i Sancak-i Arvanid, TTK, Ankara 1954.
Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 69 ndjekësve të tjerë

Këtë e pëlqejnë %d blogues: