Arkiv

Archive for the ‘Gjuha shqipe’ Category

Turqizmat në shqip, pse nuk u zhdukën

16/10/2014 1 koment

Ardian VEHBIU

 

TURQIZMAT NË SHQIP, PSE NUK U ZHDUKËN

Pjesëmarrësit në Kongresin e Manastirit

Pjesëmarrësit në Kongresin e Manastirit

Në diskutimet rreth zëvendësimit të toponimisë “së huaj” në Shqipëri, sillet ndonjëherë, si kundërargument, trajtimi i suksesshëm i turqizmave nga kultura shqiptare, që nga Rilindja e këtej.

Kundërargumenti mund të formulohet kështu: nëse ne arritëm të pastrojmë turqizmat nga shqipja, duke i zëvendësuar me fjalë tonat, pse qenka e pamundur të ndërrojmë tani toponimet e huaja?

Në fakt, arsyetimi nuk qëndron.

Në kulturën shqiptare ka pasur vërtet një lëvizje për t’i pastruar turqizmat, por ajo lëvizje në thelb puriste nuk pati sukses.

Le të kthehemi për një çast në periudhën e Rilindjes, kur një grusht patriotësh po kërkonin të gjenin rrugë për t’i shkëputur shqiptarët nga Perandoria Osmane. Një nga këto rrugë, ishte edhe arsimi dhe kultura, të cilat parakuptonin dhe kërkonin që gjuha shqipe të shkruhej dhe të mësohej në shkolla.

Po si do të shkruhej gjuha shqipe? Dhe më tej akoma, si do të mësohej në shkolla?

Për Rilindësit rol kryesor në këtë lëvizje kulturore do të luante letërsia.

Tani, deri në atë kohë, letërsia shqipe pothuajse nuk ekzistonte, me përjashtim të letërsisë së bejtexhinjve, e cila lëvrohej nga disa poetë.

Për një poet madhor të Rilindjes, si Naim Frashëri, poemat e kushërinjve të tij bejtexhinj Dalip dhe Shahin Frashëri ishin pikë referimi kryesore dhe përfaqësonin të vetmen traditë të poezisë shqipe.

Kujtoj këtu se për Naimin Hasan Zyko Kamberi, një bejtexhi edhe ky, ishte më i madhi poet i gjuhës shqipe.

Letërsia e bejtexhinjve i përkiste një kulture të cilën Rilindja po gatitej ta mohonte: në përmbajtje dhe në formë. Nuk po zgjatem në çështje të përmbajtjes, por po kujtoj vetëm se forma poetike e bejtexhinjve ishte në thelb e tëra e huazuar nga modele orientale, përfshi këtu edhe fjalorin poetik.

Naimin e kanë quajtur ndonjëherë “bejtexhi pa bejte”, dhe me të drejtë: ai e mori traditën e bejtexhinjve dhe e çoi përpara, por duke e pastruar nga orientalizmat (ose “turqizmat”, siç i quajmë ne sot, dhe siç do t’i quaj unë tash e tutje në këtë shkrim; termi orientalizëm është më i saktë, sepse shumë nga këtu të ashtuquajtura “turqizma” janë në fakt fjalë arabe dhe persiane që përdorte osmanishtja e kohës, por le ta bëjmë një kompromis për hir të qartësisë).

Nëse përpiqemi sot të lexojmë një tekst të një poeti bejtexhi, nuk do të arrijmë dot; për shkak të turqizmave që gjenden aty. Nuk është e sigurt, për filologun e sotëm, nëse këto fjalë që përdorin bejtexhinjtë kanë qenë përdorur edhe në shqipen jashtë modeleve poetike apo jo. Tahir Dizdari i ka futur në fjalorin e vet të orientalizmave, por ai fjalor i përmbledh të gjitha instancat e orientalizmave, pavarësisht nga statusi i tyre.

Gjithsesi, Naimi ishte poeti që e ndërmori hapin kritik dhe shkroi një poezi e cila i shkëputi lidhjet leksikore dhe stilistike me rrymën e bejtexhinjve, pikërisht duke mënjanuar fjalët orientale nga leksiku poetik.

Kjo që bëri Naimi me të tjerë, ishte pastrim vërtet – por jo i gjuhës shqipe, sesa i një regjistri specifik të kësaj gjuhe, atij poetikut.

Përndryshe, statusi i turqizmave në shqipe ka qenë gjithnjë problematik.

Dihet se ndikimi i osmanishtes në shqipen ka qenë kryesisht urban, ose ka depërtuar fillimisht në qendrat urbane dhe vetëm shumë më vonë është përhapur edhe në zonat rurale. Për këtë arsye, të folmet e qyteteve kanë pasur shumë më tepër turqizma sesa ato të fshatrave.

Turqizmat në shqipe hynë së bashku me kulturën osmane: kulturën materiale (jetesa e përditshme, mallra konsumi, zeje, veshje), kulturën shpirtërore (leksiku fetar), kulturën ekonomike dhe juridike, dhe kulturën shtetërore-administrative.

Bëjmë mirë t’i këqyrim si pasqyrim të periudhës osmane në gjuhën shqipe.

Me shkëputjen e Shqipërisë prej sferës kulturore osmane, numri i turqizmave në përdorim do të vinte duke u ulur natyrshëm. Teksa qeveritë shqiptare i kthenin sytë nga Perëndimi, një numër i madh fjalësh që lidheshin me botën osmane do të dilnin vetvetiu nga përdorimi. Kush kishte më nevojë për bimbash, sadrazem, kadi, vali, vezir, mytesarif dhe qatip, në rrethanat kur këto figura profesionale u zhdukën nga qarkullimi?

Veç kësaj, një numër i madh turqizmash kishin hyrë në shqipe pa nevojë; meqë shqipja i kishte fjalët përkatëse. Për shembull, kishin hyrë dhe përdoreshin fjalë si zaman dhe sene, edhe pse shqipja i kishte fjalë si kohë dhe vit. Gjuha zakonisht nuk i duron dot sinonime të tilla absolute; dhe kur letërsia shqipe që po lëvrohej rishtas nisi të hedhë në qarkullim fjalë thjesht shqipe, atëherë barasvlerat e tyre në turqisht nisën të dalin nga përdorimi.

Në masë të madhe, një ligjërim shqip i mbytur nga turqizmat po kthehej në shenjë dalluese të shtresës së mesme qytetare të kultivuar nga Perandoria Osmane, e cila përçonte, nga qendra drejt periferive, vetë pushtetin osman. Jo rastësisht, kjo shtresë e mesme qytetare do të konsumonte jo vetëm marrëdhëniet ekonomike, tregtare, juridike, fetare dhe politike të kohës, por edhe disa aspekte kulturore tipike të periudhës, siç ishte letërsia shqipe me alfabet arab, ose e bejtexhinjve.

Përhapja sociale e turqizmave në shqipe nuk ndikohej aq nga ndarja në myslimanë e të krishterë, sesa nga ndarja qytet/fshat; mjaft të lexojmë disa poetë katolikë shkodranë të fillimit të shekullit XIX (Leonard De Martino, Pjetër Zarishi), për të parë se deri në ç’masë kishin depërtuar këto turqizma në shqipen “e kultivuar”. Përkundrazi, fshati shqiptar kishte mbetur relativisht i paprekur prej tyre, sidomos sa i përket leksikut abstrakt dhe të kulturës.

Sa më shumë që punëtorët e gjuhës dhe të shkollës shqipe, të shumtë dhe të përkushtuar gjatë Rilindjes, nisën të vënë në dispozicion të folësve fjalë shqipe të mirëfillta, aq më problematik do të bëhej statusi i turqizmave në shqipe, në fillim të folur, pastaj të shkruar.

Këtu duhet pasur parasysh edhe se turqizmat kishin hyrë relativisht vonë në shqipe dhe nuk ishin integruar dot mirë në sistem; p.sh. nuk ishin bërë produktive, duke u ofruar si tema për fjalë të tjera, por kishin mbetur relativisht si mish i huaj, leksikisht të izoluara. Veç kësaj, pjesa më e madhe e tyre ishin emra, ndërsa foljet ishin fare të pakta; çka e kufizonte edhe më aftësinë e tyre për të ndërvepruar në gjuhë – po të kihet parasysh se nga foljet mund të kalohet lehtë në emra prejfoljorë abstraktë të veprimit dhe në gjithfarë mbiemrash prejpjesorë, etj. Të krahasohet, bie fjala, defter me fletore dhe të vihen re lidhjet horizontale të së dytës me fletë, shfletoj, etj.

Fati i turqizmave të shqipes u vendos nga një konvergjencë: vullneti i Rilindësve për ta pastruar gjuhën nga turqizmat konvergoi me vjetërimin e vetvetishëm të turqizmave, për arsye historike (shkëputja e Shqipërisë nga bota osmane).

Praktikisht të gjithë shqiptarët mësuan të shkruajnë shqip me tekste të ndërtuara sipas parimeve gjuhësore të Rilindjes. Turqizmat që mbijetuan gjatë gjysmës së parë të shek. XX, mbijetuan në ligjërimin e folur, të shtresës kryesisht analfabete të popullatës.

Ndërkohë, falë mendësisë së Rilindjes dhe një zgjimi të përgjithshëm të krenarisë kombëtare, por edhe kthimi të vështrimit kulturor drejt Perëndimit, elitat në Tiranë, në Shkodër, në Korçë, në Elbasan dhe në Gjirokastër do t’i konsideronin turqizmat e shqipes si shenja të një mendësie orientale, anadollake, turkoshake, nga e cila do të distancoheshin me përkufizim, për të merituar statusin e tyre të ri si elita kombëtare të Shqipërisë. Brenda një shekulli, statusi i turqizmave në ligjërimin joletrar u përmbys: nga mishërim i mendësisë urbane perandorake, në mishërim të mendësisë së prapambetur, fshatarake, provinciale të shqiptarit të vjetër, që i kishte mbetur ora “në kohën e turkut.”

Ndërkohë, purizmi – që është gjithnjë i gabuar – kishte filluar të jepte efekte anësore të padëshiruara, duke e varfëruar shqipen letrare. Noli, që ishte ndoshta i pari shkrimtar shqiptar që ia pa shqipes së re mangësitë e mëdha, kur e ballafaqoi me gjuhë dhe shkrimtarë madhorë në punën e vet si shqipërues, u detyrua… t’i kthejë disa turqizma në shqipen e vet poetike; dhe këtu s’e kam fjalën për poezi satirike, si Kënga e Salep Sulltanit, por edhe për poezi të stilit të lartë, si ato për Bajram Currin dhe Luigj Gurakuqin.

Me Nolin ndodhi kështu një tjetër ndërrim paradigmatik; që nga ajo kohë, turqizmat nuk është se u dëbuan nga gjuha në mënyrë të padiskriminuar, por vetëm u rivlerësuan nga pikëpamja stilistike ose e përdorimit. Kjo do të kërkonte, gjithsesi, shumë kohë për t’u realizuar.

Një koleg, në një koment të lënë në temën tjetër, shkruante – po parafrazoj – se pse qenka kaq e vështirë të ndërrohen toponimet e huaja, kur janë ndërruar “fjalët tenxhere dhe penxhere.” Në fakt, komenti është tipik për të ilustruar pështjellimin në mendjen e njerëzve, kur vjen puna për turqizmat e shqipes. Tenxhere dhe penxhere nuk janë ndërruar – të gjithë i dimë dhe i përdorim. Çfarë ka ndryshuar, është statusi i tyre – veçanërisht për penxhere, e cila është zëvendësuar, në tekste neutrale (p.sh. një manual i arkitekturës), nga dritare, që është neologjizëm (fjalë e krijuar në tavolinë). Penxhere, ndërkohë, është kufizuar disi në përdorim, duke fituar edhe ngjyrim stilistik.

Kjo u ka ndodhur tashmë shumë turqizmave: nuk janë larguar krejt nga gjuha, por vetëm janë “shënjuar” stilistikisht, nëpërmjet një procesi në thelb letrar, që e ka pasuruar gjuhën. Të krahasohet, p.sh. fjala dynja me fjalën botë; unë besoj se shqipja vetëm ka fituar, duke i mbajtur të dyja fjalët, sepse dynja jep disa nuanca specifike, të cilat botë nuk i jep dot.

Mund të thuhet, pa e tepruar, se sot turqizmat janë një pasuri e rrallë e shqipes, e cila gjen shprehje në regjistra të caktuar gjuhësorë, sidomos në letërsinë satirike, në teatër, dhe në përgjithësi në ligjërimin bisedor. Madje ligjërimi bisedor, si sistem i pavarur nga dialektet – ose diferencimi gjeografik i shqipes – nuk do të krijohej dot pa rehabilitimin stilistik të turqizmave.

Rilindësit vërtet u nisën të “pastrojnë” shqipen, sepse e tillë ishte koha. Njëlloj si shqipja ishte pastruar më parë greqishtja (nga turqizmat) dhe rumanishtja (nga sllavizmat); më pas, të njëjtat “turqizma” (në fakt, orientalizma) që u dëbuan prej shqipes do të dëboheshin edhe prej turqishtes moderne, krahas me ndërrimin e alfabetit në atë gjuhë.

Megjithatë, pastrimi nuk është asnjëherë politikë gjuhësore e mirë. Një nga kritikat që i kanë bërë Naimit, sidomos nga Shkodra, ka qenë se gjuha e tij tingëllon e sheshtë, për të mos thënë e varfër; dhe gjithsesi monotone. Në fakt, po të nxirret nga konteksti historik dhe letrar i kohës, gjuha e Naimit ashtu është: artificiale, e varfër në mjete leksikore, e sheshtë. Mirëpo kritika vetë është anakronike, sepse harron të marrë parasysh sa eksperimental ishte Naimi; dhe sa e re do të ketë tingëlluar shqipja e tij, në veshët e shqiptarëve të kohës.

Gjithsesi, kjo është çështje tjetër. Çfarë dua të theksoj, është se purizmi, si politikë gjuhësore, nuk funksionoi – dhe nuk mund të funksiononte, me gjithë zellin me të cilin u zbatua ndonjëherë. Ndoshta shërbeu në fillim, kur duhej vendosmëri dhe sakrificë, për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane dhe përqafimi i saj politik, ekonomik dhe kulturor; por kjo nuk ishte arsye për ta sanksionuar si politikë zyrtare në pavarësi nga rrethanat.

Përkundrazi, politikë e drejtë me turqizmat e shqipes do të rezultonte disiplinimi i tyre – i cili u arrit shkallë-shkallë, krahas me lëvrimin e shqipes si gjuhë polifunksionale, veçanërisht në sferat e letërsisë, të teatrit, të filmit, të televizionit. Sa më i artikuluar bëhej ligjërimi shqip, aq më shumë kishte nevojë për diferenca – të cilat do t’i përmbushte, ndër të tjera, edhe duke shfrytëzuar thesarin leksikor të turqizmave, të cilin më kot ish përpjekur ta groposte krahu më radikal i Rilindjes.

Prandaj sot fjalë si tenxhere dhe penxhere janë pasuri e paçmuar e shqipes, me kusht që të përdoren nga një publik me arsimin dhe kulturën e duhur gjuhësore.

Dialektet e shqipes, në një studim të rrallë të Princit Lui Bonapart

30/07/2014 Lini një koment

Myzejen MYFTARI

 

DIALEKTET E SHQIPES, NË NJË STUDIM TË RRALLË TË PRINCIT LUI BONAPART

Gjuha shqipe

Editori Bejtullah Destani ka sjellë për publikun anglofon librin studimor “Albanian Dialects” të Prince Louis-Lucien Bonaparte, një qasje studimore e jashtëzakonshme nga Princ Bonaparti, i cili në vitet 1882-1890, studimet për dialektet e Evropës i publikoi për një revistë akademike në Londër.

Libri “Albanian Dialects” është publikuar nga The Centre for Albanian Studies, në Londër, në Mars 2014 dhe ka për editor një nga emrat më të shquar të kërkimeve dhe studimeve historike shqiptare, Bejtullah Destanin. Libri përmban studime filologjike të karakterit të dialektologjisë krahasuese të gjuhës shqipe, të përgatitura nga Prince Louis-Lucien Bonaparte dhe të botuara, në anglisht, gjatë periudhës 1882-1890 në revistën akademike “Transactions of the Philological Society”, në Londër.

Prince Loius-Lucien Bonaparte ka lindur në Angli më 4 Janar 1813. Louis Bonaparte është djali i Lucien Bonapartes, vëllait të Napoleonit të I-rë, Perandorittë Francës.
Louis Bonaparte, një filolog dhe politikan, e kaloi rininë e tij në Itali dhe nuk ka shkuar në Francëderi më 1848, kohë kur i përfshirë në politikë, shërbeu dy mandatë të shkurtëra në Kuvendin Francez, si përfaqësues i Korsikës më 1848 (mandat i cili u anulua) dhe si përfaqësues i Departamentit të Seine-s më 1849.
Pas shpalljes së Perandorit të Dytë, ai u emërua senator në vitin 1852 ndërkohë që kushëriri i tij, Louis-Napoleon, e lejoi të përdorë titujt “Princ”dhe “Madhëria e Tij”. Megjithatë, interesi i tij në detyrat publike ishte mjaft i kufizuar. Më1850 u shpërngul në Londër, ku kaloi kohën më të madhe të pjesës së mbetur nga jeta.Në Londër ai grumbulloi një bibliotekë mjaft të pasur, me një numër të madh librash mbi studimet e gjuhëve të ndryshme të botës, ndërmjet tyre dhe gati pesëdhjetë tituj që lidheshin drejtpërdrejt me gjuhën shqipe dhe që editori Destani është kujdesur ti sjellë në këtë libër.Ai ishte aktiv në disa shoqëri akademike duke përfshirë këtu edhe Shoqatën Filologjike dhe njëkohësisht ishte kontribues i shpeshtë aktiv në botimet e tyre. Bonaparte u zgjodh anëtar i shoqatës Athenaeum më 1866. Gjatë punës dhe karierës së tij Bonaparte pati lidhje ndërmjet të tjerëve edhe me Alexander J. Ellis, fonologjist dhe kampion i reformës së drejtshkrimit dhe James Murray, redaktor i Oxford English Dictionary. Ky i fundit, standardet e të cilit ishin tejet të rreptë, shpesh ishte kritik i metodave të hulumtimit të dialektologjisë nga Louis-Lucien.
Bonaparte studioi për mineralogji dhe kimi në Kolegjin e Jezuitëve në Urbino-Itali dhe veprat e tij të hershme në fushën e shkencës u botuan në Itali.
Krahas shkencave ekzakte, Bonaparte shfaqi interes të veçantë në filologji e veçanërisht në gjuhësinë dhe dialektologjinë krahasuese. Në të vërtetë, studimi i gjuhëve të vjetra dhe modernishte mjaft i njohur në programet mësimore universitare në mesin e shekullit të XI-të. Punimi i tij i parë në gjuhësi Evropiane ishte “Specimen Lexici Comparativi”, punim i cili u botua në Florence më 1847.
Ndërmarrjet gjuhësore tëBonaparte-s ndahen në dy kategori. Së pari, janë veprat e tij, pjesa më e madhe e të cilave përfshin studimet në filologji krahasuese ose në dialektologji. Së dyti, ai kishte sponsorizuar botimin e veprave të të tjerëve, ndër të cilat më të rëndësishmet janë versionet e përkthimeve të teksteve biblike të botuara në gjuhë të shumta evropiane dhe dialekte të ndryshme gjuhësore. Këto përkthime ndihmuan edhe kërkimet e tij filologjike, si dhe ruajtën të dhënat e atyre gjuhëve që ishin të panjohura për publikun deri në atë kohë ose ishin zhdukur. Ai vetë mund të fliste dhe shkruante rrjedhshëm në italisht, frëngjisht, spanjisht, anglisht dhe gjuhën Baske edhe pse Julien Vinson, dijetar Basque francez, vuri në dukje se ai fliste frëngjisht me theks anglez. Ashtu si shumë gjuhëtarë të kohës së tij, ai gjithashtu mund të lexonte në shumë gjuhë të tjera.
Interes të veçantë Bonaparte i kushtoi gjuhëve të minoriteteve, veçanërisht gjuhës baske, ku dhe kreu studimet më të mëdha dhe të folmes rajonale të Italisë dhe Anglisë. Studimet dialektologjike të Bonaparte-s bazohen në rezultatet e punës së tij hulumtuese në terren dhe konsultimin e drejtpërdrejtë të materialit me persona që gjuhën apo dialektin e marrë në studim e kishin gjuhë amëtare.
Kontaktet e Bonparte-s me gjuhën shqipe dhe dialektet e saj kanë qenë në Itali, me të folmen e arbëreshëve dhe në Londër. Bonaparte u përqendrua jo vetëm në studimin gjuhësor, por edhe në ndryshimet dialektore brenda të folmes së arbëreshëve. Studimet e tij, të paraqitura nga editori Destani në librin “Albanian Dialects” (Dialektet Shqiptare) përfshijnë harta të detajuar të zonave të banuara nga arbëreshët në Itali, duke specifikuar se cili dialekt përdoret në zona të caktuara. Nga ky këndvështrim studimi ka vlera të mëdha demografike dhe etnografike për përqendrimeve dhe shtrirjen e arbëreshëve në Itali.
Në studimin e tij “Albanian in Terra D’Otranto” (Shqiptarët në Tokën e Otrantos), 1882-84, Princ Bonaparte sjell një material të detajuar me emrat e fshatrave ku shqipja arbëreshe flitej akoma në fund shekullin e 19-të. Veç kësaj ai jep një pasqyrë përmbledhëse të tingujve të përdorura në dialektin geg dhe tosk dhe nëndialektet që rrjedhin prej tyre, duke përfshirë edhe përdorimin e këtyre tingujve në të folmen e Shkodrës, atë greke (moderne), të Kalabrisë dhe të Siçilisë.
Kjo tabelë e tingujve të shqipesh, sipas autorit, është e para e llojit të saj. Një punë të ngjashme, por jo kaq të detajuar ka bërë para tij edhe albanologu i famshëm gjerman Hahn, literaturën e të cilit Bonaparte e ka konsultuar, ashtu siç ka konsultuar ndërmjet të tjerash edhe literaturën e Kristoforidhit si dhe të Dhimitër Kamardës, me të cilin duket se ka qenë i afërt, pasi e ka patur mysafir të tij në Londër, për disa muaj.
Po në këtë studim Bonaparte jep shembuj të disa fjalëve të izoluara shqipe në dialektet geg dhe tosk, të shqiptarëve të Greqisë, Kalabrisë, Sicilisë dhe atyre të Shkodrës, si dhe disa fraza të shkurtra, të përdorura në gjuhën e përditshme nga arbëreshët. Kjo pjesë e studimit, edhe pse jo voluminoze është shumë e rëndësishme për studimin e leksikologjisë së shqipes së fund shekullit të 19-të. Përdorimin e tingujve të ndryshëm në të njëjtën fjalë, paraqet interes për fjalëformimin e shqipes së vjetër. Edhe pse studimi i përket shekullit të 19-të ai është i vlefshëm për të studiuar shqipen e vjetër të mbartur nga arbëreshët në Itali gjatë shpërnguljeve të tyre kryesisht në mesjetë nga vitet 1400 e në vazhdim, e të trashëguar brez pas brezi deri tek arbëreshët e fundit të viteve 1800.
Kështu fjalën “shtëpi” sipas Bonapartes e gjejmë në këto forma: (stipía; štәpí (tosk, shqiptarët e Greqisë); štәpî (tosk, geg); špî (shqiptarët e Kalabrisë, shkodran); špí (shqiptarët e Sicilisë); štpî, štpîe (shkodran).
Studimi i dytë i botuar nga Prince Bonaparte në revistën akademike “Transactions of the Philological Society” më 1888-1890, jep një listë të gjuhëve që huaja që janë folur në 69 provincat e Italisë, si dhe të vendeve ku këto gjuhë janë folur. Në këtë edicion të dytë, Bonaparte paraqet një studim më të zgjeruar dhe të korrektuar të studimeve të tij në edicionin e parë. Po në këtë studim gjejmë edhe një tabelë të simboleve fonetike shqiptare, një minifjalor, i shoqëruar nga sqarimi për mënyrën e formimit të gjinisë femërore dhe mashkullore, në gjuhën shqipe. Po kështu gjejmë edhe disa fraza të njëjta biblike të paraqitura në të gjitha dialektet e marra në studim në këtë punim, gjithsej nëntë shembuj të ndryshëm që paraqesin nëntë dialektet që fliten ndër arbëreshët e Italisë.
Louis-Lucien vdiq në Itali, në Fano pranë Urbinos, më 3 nëntor 1891. Trupi i tij u kthye në Angli dhe është varrosur në varrezat e kishës katolike romake, Shën Maria në Kensal Green në veri-perëndim të Londrës.
Së fundi, ky studim, nuk është veçse një shkëndijë, që hedh dritë mbi punën e paçmuar albanologjike të Prince Bonaparte-s. I mbetet studiuesve të albanologjisë të thellohen në punën dhe veprën e Bonapartes, për të nxjerrë në pah vlerat dhe arritjet e këtij filologu të palodhur.

 

Burimi: http://gazeta55.al/dialektet-e-shqipes-ne-nje-studim-te-rralle-te-princit-lui-bonapart

Nezim Berati, mendimtar dhe poet mistik

18/08/2013 Lini një koment

NEZIM BERATI, MENDIMTAR DHE POET MISTIK

134f737Themi se Nezimi është poet-mendimtar mistik, gjykuar nga vepra e tij dhe nga gjykimet që kanë dhënë mendimtarët bashkëkohor për të. Nezimi, mesa dimë, nuk ka lënë ndonjë vepër të mirëfilltë mistike, të karakterit studimor, siç kanë lënë të tjerë. Por, po t’i hedhim një vështrim veprës së tij, do të shohim se ajo rrezaton kudo botën e tij mistike. Pas vdekjes tragjikisht të Nezimit, në një nga burgjet e Stambollit, për të u shkruan shumë poezi kushtuar jetës dhe veprës së tij, por ajo që na e jep më të plotë portretin e tij, është poezia e shkruar nga miku i tij poet beratas, Fejziu, bashkëkohës me të. Ja, ç’thotë ai, i prekur thellë dhe i zemëruar, kur e qan mikun-poet duke treguar edhe fundin e tij të dhimbshëm: “Perëndia e shenjtëroftë misterin e tij! I parë ndër shumë dijetarë, krye ndër faltarë…, i zoti në fushën e diturisë, njohës i hollë i kuptimeve dhe dijetar i lartë. Fati e burgosi pa faj në dhe të huaj, i torturuar vdiq dëshmor dhe u nis në parajsë. Mirësia e Zotit e gëzoftë atë dijetar të kohës me të parët e fytyrës së tij dhe me hyritë e caktuara për strehën e tij. Fejziu qau dhe dha datën e vdekjes: “Prej burgut të kësaj jete Nezimi u bë banor i parasjsës.” Poezia u perhaps shumë dhe bëri përshtypje për guximin me të cilën u shkrua. Fejziu tregohet mjeshtër në dhënien e portretit të poetit-martir, duke nënvizuar meritat e tij. Nga ky portret mund të zbulojmë disa veçori të poetit: Nezimi ishte me kulturë të gjerë, i parë ndër shumë dijetarë. Ai ishte një besimtar i devotshëm islam, krye ndër faltarë. Njohës i hollë i kuptimeve, pra, një mistik i thellë, dijetar i lartë, me kulturë që nxiti smirën e karrieristëve të paaftë që e detyruan të shkonte në internmim dhe të përfundonte në burg ku gjeti edhe vdekjen. Fejziu i del në mbrojtje poetit, e quan të pafajshëm, që vdiq i torturuar, që u largua nga burgu i kësaj jete për t’u bërë banor i parajsës. E shohim kështu Nezimin të veçuar në tri fusha: si dijetar, si besimtar dhe si mistik. Por, para se të njihemi me mistaken e poetit, le t’i hedhim një sy jetës së tij plot tallaze. Lindi dhe u rrit në mjedisin  e Beratit të shekullit XVII-XVIII, që ishte kthyer në një qendër të rëndësishme ekonomike, kulturore dhe administrative, ku lulëzonte arsimi, dhe ku kishte filluar të lulëzonte poezia shqipe e shkruar me alfabet turko-arab. Kjo letërsi në Berat, dhe jo vetëm në Berat, pati dy drejtime kryesore. Drejtimi i parë e mbajti krijimtarnë poetike afër kulturës poetike të Lindjes. Përfaqësuesi kryesor i këtij drejtimi është Nezim Berati. Të kësaj kohe janë edhe poetët Muçi Zade,  Sulejman Naibi, Mulla Aliu, Mehmet Ashkiu, Fejziu dhe të tjerë më pak të njohur. Këta poetë e dijetarë mblidheshin në vendshplo-dhjet buzë Osumit, në mjediset e pazareve dhe në sallat e bibliotekave dhe, bashkë me diskutimet për probleme të diturisë, komkuronin dhe vinin në diskutim edhe krijimtarinë e tyre poetike, që shumë shpejt i kapërceu   kufijtë e qytetit të tyre, Beratit, dhe me ndikimin e fuqishëm që pati, krijoi kushtet e lëvrimit të kësaj poezie në rrafsh kombëtar. Kjo letërsi u ndikua nga modelet letrare turke, persiane dhe arabe. U lëvruan marabeja (vjershë e gjatë lavdëruese), ilahija (himn fetar), kronogrami dhe epigrami. Përmbledhjet poetike të kësaj letërsie u quajtën divane. Nezimi është më i madhi ndër poetët e letërsisë shqipe të shekullit XVIII. Është autor i shumë poezive dhe i disa divaneve në gjuhën shqipe, persiane, turke e arabe, me vlera të dukshme artistike. Divani shqip i vitit 1735, kopjuar nga Sali Durdia, u botuas pjesërisht nga beratasi Abdullah Ferhati në vitin 1938 në reviastën “Zani i naltë”. Siç e thotë vetë “vatani i tij është Berati.” Emrin e fshatit Frakull nuk e gjejmë të përmendet në asnjë nga divanet e tij. Familja e tij ka banuar gjithmonë në Berat, në lagjen “Murat Çelepi”. Mendohet se ka patur shtëpi edhe në Velabisht. Ka qenë në traditën e bejlerëve beratas që të kishin, veç shtëpisë në qytet, ku kalonin kohën më të madhe të vitit, që, sipas rasteve, varej edhe nga detyrat e ndryshme që mbanin në administratën shtetërore, të kishin shtëpi të dytë edhe në pronat e tyre, ku banonin, zakonisht, për verim ose në periudhën e mbledhjes së prodhimeve bujqësore. Nga kjo traditë nuk ka si të ketë bërë përjashtim familja e Nezimit. Megjithë këtë vendlindja e tij  ka qenë Berati. Më kot nuk e kanë quajtur dhe e quajnë studiuesit edhe sot  Nezim Berati. Ndonjë studiues nënvizon se Nezimi mësimet e para i mori në Frakull. Kjo s’ka si të jetë e vërtetë. Në Frakullën e veçuar, nëse e marrim për vendlindje këtë fshat (edhe pse autori nuk e thotë), në atë kohë, nuk bëhej fjalë për ndonjë shkollë. E  pakta, atje mund të ketë patur ndonjë hoxhë. Vitet e shkollës i pati në Berat. Studimet e larta, sipas traditës, i kreu në vendet e Lindjes. Në këto vite përvetësoi gjuhët klasike dhe fitoi një kulturë të gjerë. Në vitin 1731 kthehet në qytetin e tij dhe i kushtohet poezisë. Në jetë pati shumë shqetësime. Mërgimi, kritikat, smira, ia rrëmbyen qetësinë. Hyri në debate letrare me poetët beratas të kohës. E dëgjuar mbeti polemika me Mulla Aliun. Jeta e tij ishte e një rebeli. Nuk pranoi të poshtërohej dhe as të nënshtrohej. Në poezitë e tij në shqip dhe turqisht përdori një gjuhë që fanatikëve u  dukej e papranueshme. Hani, studiues gjerman, nënvizon se fanatikët e Beratit, për shkak të poezisë që përmbante vargjet: “Mihrab’ i Qabesë ejvallah, vetullat e tua janë…”, u zemëruan keq me të, se e morën si shkelje të moralit fetar. Mundet që në raportimin te sulltani, të kenë ndikuar edhe këta fanatikë në ndëshkimin e poetit. Në këto kushte duhet gjykuar dhe vlerësuar edhe debate që pati me Mulla Aliun. Ky debat vazhdoi me vite dhe tërhoqi pas përkrahësit e poetëve. Shehu prej të cilit Mulla Aliu kishte marrë dorë, mbajti anën e Nezimit. Për këtë debat, në Divanin e tij, poeti shkruan: “Ç’faj ju paçë, o Mulla Ali, pse ju mburra me nasihat, a ujdis t’i bëhesh asi shehut që ke marrë bejat?” Thelbi i këti debate nuk duhet të ketë qenë thjesht për probleme arti, por të botëkuptimit. Kjo vihet re edhe nga qëndrimi që ka mbajtur shehu ndaj Mulla Aliut duke iu gjetur krah Nezimit. Nezimi ishte i thellë në mistikë dhe kishte bërë për vete shumë pasues, sa t’i bënte ballë edhe një personaliteti fetar siç ishte Mulla Aliu, myfti i Beratit. Ndonjë kundërshtar, që nuk u bë i ditur, këtë debat ia bën të njohur Shej-ul-islamit në Stamboll si një rast që kishte sjellë pështjellim në popull. Pa hetime dhe pa kërkuar sqarime nga kadiu i Beratit, në korrik të vitit 1739, urdhërohet shkarkimi i Mulla Aliut. Për dyshimet që pati ndaj Nezimit, poeti i përgjigjet: “Vetë ju thotë fakiri: në ju paça faj, më mviri… O zemra ime, mos qaj, se Nezimi nuk ka faj”. Nezimi mërgoi në Besarabi dhe Stamboll. Bëri jetë të lirë. Nga ky internim i detyruar, u zemërua. Zuri të fliste edhe kundër sulltanit. U burgos dhe u dënua si fajtor politik. Vdes në burg nga torturat.  Miqtë e tij në Berat u dëshpëruan. Ata qenë poetë dhe e bënë emrin e Nezimit të paharruar. Sipas traditës, u shkruan shumë kronograme. Mehmet Ashkiu shkroi katër poezi të tilla. Por kronogrami më i arrirë u shkrua nga miku i tij poet, Fejziu. Për vitin e lindjes dhe të vdekjes ka mendime të ndryshme. Në botimet kryesore, së fundmi, jepen si vit i lindjes 1685 dhe i vdekjes 1760. Nga krijimtaria e tij njihen një divan shqip dhe poezi të shkëputura, dy divane turqisht, njëri gjetur në bibliotekën e Sali Vrionit, një divan persisht, gjetur në bibliotekën e Faik Vrionit, dhe një divan arbabisht. Divani shqip i plotë nuk njihet. Njihen vetëm tri kopje të tij: një kopje e  Elbasanit me 55 poezi, me gjuhë të prishur, kthyer në të folmen e këtij qyteti; një kopje e Tepelenës me 78 poezi dhe një kopje e Beratit me 16 poezi.  Divani shqip duhet të ketë qenë me 200 faqe dhe 110 poezi. Nezimi lëvroi poezinë lirike dhe fetare. I këndoi bukurisë së njeriut, natyrës dhe Zotit. U thuri lavde sundimtarëve të Beratit, Ismail Pashës dhe Bajram Pashës. Trajtoi tema shoqërore. Shprehu pakënaqësinë ndaj sunduesit të huaj. Kritikoi paragjykimet e kohës. Lartësoi punën e zanatet. Trajtoi edhe temën e krijimtarisë poetike. Me Divanin që krijoi, i vuri vulën e personalitetit të tij gjithë një periudhe në historinë e letërsisë shqipe. Një pjesë të poezive i muzikoi. Duke zënë, kështu, vend edhe si kompozitori i parë beratas. Janë ruajtur deri në ditët tona këngët: “Behari u lulëzua”, “Një zog në sabah, more, ç’më thirri”… Hani e vlerësoi si “Anakreont të Shqipërisë”. * Nazimi si poet mistik e shikonte botën të krijuar nga Allahu në shumëllojshmërinë e shfaqjes së saj si burim të frymëzimit të tij. Në këtë mënyrë mendimi poetik i tij lëviz nga e dukshmja tek e padukshmja. Kjo krijimtari tregon lidhjen e ngushtë të poetit me tarikatin dhe mistikën islame. Në poezinë “Behari”, këtë stinë të bukur dhe të begatë, ai e sheh si krijim të Allahut, prandaj i drejtohet atij: “Bismil-lah thirra, Allah, zura nijazë; o behar, el-hamdylil-lah, fole avazë. Narqizeja me zymbylë myzhde na dhanë; erdhi behari për bilbilë, mendtë na vane. Nëpër bahçetë bilbilëtë zun’ e këndojnë; çelënë trëndafilëtë, jetën gëzojnë. Kënga jote s’harronetë, ka shumë lezet; o shpirt, do të këndonetë gjer në kiamet.” Nezimi, nëpërmjet këtyre vargjeve, i drejtohet me lutje Allahut dhe e falënderon atë që solli stinën e përtëritjes së natyrës, që u lajmërua me çeljen e luleve dhe me këngën e bilbilit, këngë, që nuk do të harrohet dhe ka për t’u kënduar deri në kiamet. I dehur nga kjo bukuri, vepër dhe dhuratë e Allahut, në një poezi tjetër, ai i thërret frymëzimit të tij se tani ka ardhur koha që t’i derdhë vargjet si inxhi, që t’i shohin poetët e tjerë: “Nashti ti kasavet mos ki, zëre xhamn’ e ashkut e pi; bejtet derdhi siinxhi, t’i shohënë shuheraja.” Edhe figuracionin, fjalorin poetik, poeti e zgjedh nga bota e tij mistike. Le të përmendim me këtë rast këto vargje: “Zogjtë sot heqin tespih e këndojnë; o syr’ i insanit, a s’e shih se ç’punojnë! Manushaqeja Shej-ul-islam rri e jep fetfa; nëpër jetë ka dhënë nam, i bëjnë dua.” Edhe kur merr rrugët e kurbetit, ai mbështetet në besimin tek Allahu. Edhe miqësinë dhe detyrat e saj i sheh si një nga shtyllat e moralit islam. Këtë e ndeshim fare qartë në vargjet e mëposhtme: “Jemi nisur në gyrbet, ai Zot na bëftë derman e na nxirrtë në selamet, të mirë mbeç, o gjylistan! Miqëve ju kemi rixha, të na bënjënë merhamet këtu-këtje me një dua, ashtu qofshin në devlet! Muradnë jua mbaroftë ai Zot q’është një Rrahim! Edhe për ty u dëgjoftë, këjo fjal’, i mjeri Nezim!” Edhe dashurinë, edhe kalimin nga kjo botë e sheh nën dritën e besimit të tij islam, si mistik. Midis të tjerave ai thotë: “… Sevdanë ti ma ke dhënë, unë s’e kërkova vetë; do të heq si ta kem thënë, dersa të vete m’atë jetë. Veç ty të jam bërë teslim, ti m’i di hallet e mia, në çdo punë ti më je alim, robt’ e tu ashikërija! Ymri ynë posi vesë, mjerët ne të mjerët! Kush ka ymër që të jesë, tek s’e bënë pejgamberët?” Miqësinë e vlerëson si një nga shtyllat e moralit islam: “Mik atij i them në xhihan e dua, i bëhem kurban, kur të të shohë në zëndan, me ty të jetë në figan. Jokse posi janë ca miq për të ngrënë oshaf me fiq, ej, Nezim, prej syresh u hiq, sevdan’ e tyre mos e ndiq…” Edhe karrieristin e vë në giditje të vargjevetë tij: “Gallat punën e mendove, si dolle sipër, ç’fitove? Sorrë, as u turpërove! Meqan’e biblilit ç’t’u desh?” Nezimi godet edhe krenarinë e të pasurve. U kujton atyre se pasuria e vënë pa mund e djersë dhe që harxhohet pa mend, një ditë mund të shpjerë në mjerim dhe ti ke për ta parë veten në fund, në varfëri: “Pse ke mall në këtë dynja, mos pandeh se je vakti hosh, akibet bie në bela kush vë kësulën në qosh. Kush nuk i ka mendtë tamam, veçë ta rrahsh bëhet izlam, atë pemë që është ham, shkopi në e shtyftë përposh.” * Në fund të këtyre shënimeve do të nënvizojmë edhe një fakt, që shpreh të qenit e poetit një besimtar i bindur: Nezimi e nisi punën për krijimin e Divanit të tij në shqip, me bismil-lah: “Bismil-lah nisa divanë me sevdatë fale, ja Mevla, për Muhamed Mustafanë zemra vete, ja Mevla!”

Burimi: http://bashkiaberat.gov.al/?p=1916

Mevludi, poema më e recituar në botë

20/06/2013 Lini një koment

MEVLUDI, POEMA MË E RECITUAR NË BOTË

mevludi-sherifCila mendoni se është poema më e recituar në botë? A ka ndonjë poemë që recitohet përpara një audience të madhe pothuajse çdo ditë?

Një kryevepër e letërsisë Turke shkruar në 1409, Mevludi është një poemë e gjatë e cila është përgjigjja e saktë e pyetjes së mësipërme. Bashkë me të qenit një poemë e gjallë që reflekton dashurinë e popullit për Profetin (a.s.), kjo vepër 800 vargëshe është kthyer në një lutje me vlerë. Kjo është aq e vërtetë, saqë mund të themi se pothuajse në të gjitha vaktet e faljeve mund të bëhemi dëshmitarë të mbajtjes së një ceremonie Mevludi dhe dëgjojmë recitimin e kësaj poeme plot ndjenja dashurie për Profetin (a.s.). Është një praktikë e zakonshme e njerëzve të mbajnë Mevlud në raste lindjesh, diplomimesh, vdekjesh, përvjetorësh dhe shumë të tjera. Në këtë kontekst, Mevludi ka një vlerë që nuk mund të krahasohet kurrë me asnjë poemë tjetër në botë. Greku Homer, francezët La Fonten, Bodelar apo Rimbaud, anglezët Shekspir dhe Milton, gjermani Gëte, rusi Pushkin, apo Edgar Alen Po ose Emily Dikinson i amerikanëve; asnjë nga veprat e këtyre poetëve nuk është recituar kaq shumë sa ajo e Sulejman Çelebiut. Imagjinoni sikur veprat e këtyre poetëve të mëdhenj të recitoheshin rregullisht dhe të dëgjoheshin nga grupe të mëdha njerëzish në kohë të caktuara të ditës; kjo është ajo çka në mënyrë të natyrshme ndodh me Mevludin e Sulejman Çelebiut.

Duke filluar që nga shekulli X janë shkruar me qindra poema në gjuhë të ndryshme dedikuar kujtimit të bekuar të Profetit (a.s.), mesazhit dhe mrekullive të tij. Fakti që të gjitha këto poema patën të njëjtat tema çuan drejt një stili. Padyshim Mevludi i Sulejman Çelebiut fillimisht vjen në këtë perspektivë. Ky punim influencoi në vepra të ndryshme të të njëjtit lloj në arabisht dhe në gjuhë të tjera, gjithashtu ekziston edhe një përkthim i drejtpërdrejtë në arabisht.

Ekzistojnë përkthime të mevludeve në shumë gjuhë, si p.sh., në arabisht, persisht, boshnjakisht, shqip etj.

Mevludet e para në gjuhën shqipe gjejnë fill me Mevludin e parë të Hasan Zyko Kamberit e vazhdojnë deri në ditët tona. Mevludet e para në gjuhën shqipe kanë qenë të shkruara me alfabetin turko-arab e më vonë në alfabetin shqip. Këto mevlude kanë qenë përkthime, përshtatje dhe origjinale, dhe kanë përfshirë të gjitha zonat e Shqipërisë, trojet shqiptare dhe diasporën. Në gjuhën shqipe sot mund të numërojmë më shumë se njëzet Mevlude të botuara në kohë të ndryshme.

Mevludet në gjuhën shqipe kanë pasur përhapjen e tyre në zona të ndryshme, disa prej tyre janë ribotuar disa herë dhe kanë patur një shtrirje më të gjerë.

Nga Mevludet më të njohura të autorëve shqiptarë mund të veçojmë Mevludet e Hafiz Ali Ulqinakut, Hafiz Ali Korçës, Farudin Osmanit, Hafiz Zemblakut dhe Tahir Popovës.

Mevludi është një vepër e cila i prezantoi botës poemën më të recituar në botë, është e rëndësishme sepse pasqyron në mënyrë objektive ndjenjat fetare të shoqërisë. Shpresojmë që vepra të tilla të rrënjosura në kulturën e popullit do të ndihmojnë ata që duan të dinë rreth Islamit, të kuptojnë botën e brendshme të myslimanëve, dashurinë që ata ushqejnë për Profetin dhe lidhjet shpirtërorë midis tyre dhe atij në mënyrë korrekte.

Disa vargje nga vepra:

Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Për nder të Muhamedit mos kurse rahmetin

Na dhuro neve o Zot bukurinë e xhenetit.

Sado faje të kemi, shpresën nuk e presim

Zot i madh prej Teje shumë mëshirë presim.

Madhështia Jote na jep shumë shpresë

Mëshira që ke, nuk na lë pa pjesë.

Nëse na i fal gabimet tregona bukurinë

Nëse na përzë, prapë tek Ti ne vijmë.

Me zemër të djegur Allah të thërresim

Me Allah në gojë Zot! edhe kur të vdesim!

(nga Mevludi i H. Ali Korçës)

Referencat

Mevludet në gjuhën shqipe, Faik Luli-Islam Dizdari, Sh.B. Camaj-Pipa, Shkodër 2002

Burimi: http://www.dritaislame.al/mevludi-sherif-poema-me-e-recituar-ne-bote/

Veçori gjuhësore-dialektore në gjuhën e autorëve shqiptarë të Kosovës që kanë shkruar me alfabetin arabo-osman

15/05/2013 Lini një koment

Hasan KELMENDI (Instituti Albanologjik – Prishtinë)

 

VEÇORI GJUHËSORE-DIALEKTORE NË GJUHËN E AUTORËVE SHQIPTARË TË KOSOVËS QË KANË SHKRUAR ME ALFABETIN ARABO-OSMAN

frakullaHYRJE

Për dialektologjinë e gjuhës shqipe dhe veçmas për dialektologjinë historike të saj, të një rëndësie të madhe janë pa dyshim shkrimet e vjetra që shënojnë faza të hershme përdorimi të gjuhës shqipe; në këtë aspekt krahas rëndësisë së madhe që kanë veprat e shkrimtarëve të vjetër shqiptarë të Veriut (si veprat e Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit dhe Kazazit), janë të rëndësishme gjithashtu edhe shkrimet ose veprat e disa autorëve shqiptarë të Kosovës që shkruan me alfabet arabo-osman, sidomos për studimin diakronik të të folmeve shqipe të gegërishtes verilindore, ku bëjnë pjesë të folmet shqipe të Kosovës. Është fjala për disa autorë dhe disa vepra të tyre, për të cilat më parë e deri më sot nuk dihej ose dihej fare pak. Ato janë kryesisht dorëshkrime me një vlerë të padyshimtë historiko-letrare; është ky një prodhim letrar që dëshmon se gjuha dhe letërsia shqipe në Kosovë, megjithatë lëvroheshin, ndonëse në kushte të vështira, të paktën që  nga gjysma e dytë e shek. XVIII e deri në kohën e Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj. Hulumtimi shkencor lidhur me këtë problematikë ndër ne ka filluar në vitet pesëdhjetë të shek. XX. Mirëpo, derisa për disa vepra si për VEHBIJEN e T. E. Boshnjakut, DIVANIN e Sh. Maliqit dhe për ndonjë tjetër u shkruan disa punime, madje dhe monografi; për një numër të madh veprash e autorësh, pothuajse deri më  sot nuk u shkrua fare. Me këtë problematikë ndër ne në  Kosovë u morën: M. Krasniqi, H. Kaleshi, I. Ajeti, G. Elezoviqi, J. Rexhepagiqi, H. Agani, A. Zajmi, Sh. Mehmeti, V. Shita, F. Mehdiu etj. Në kohë të fundit në sajë të punës së palodhur të M. Pirrakut, dolën në dritë  dhe iu bënë të njohura publikut shkencor edhe disa shkrime të tjera të transliteruara me alfabetin e gjuhës së  sotme shqipe, dhe këto i botoi në studimin monografik, me titull: Gjurmë të veprimtarisë letrare shqipe me alfabet arab në Kosovë117. Në këtë studim autori analizon anë të ndryshme historiko-letrare që janë të ndërlidhura me veprimtarinë e autorëve (shkrimtarëve), siç janë: Dervish Hasani (Krusha e Vogël) shek. XVIII; Mulla Beqiri (Drenicë) mesi i shek. XVIII; Mulla Dervishi (Pejë) pjesa e dytë e shek. XVIII; T. E. Boshnjaku (Gjakovë) fillimi i shek. XIX dhe Dervish Salihu (Hasi i Thatë) pjesa e dytë e shek. XIX. Këta autorë analizohen në pjesën e parë të studimit; ndërsa, në pjesën e dytë të studimit në fjalë trajtohet veprimtaria e autorëve: Azem Efendi Olluri, Hasan Hoti, Shejh Emini i Sadive (1798-1918), Shejh Januz-Sabriu (1848-1809), Tahir Efendi Lluka dhe Tahir Efendi Popova, Shejh Hyseni i Halvetive (1873-1926), Hilmi Abdyl Maliq Efendija (1865-1928) etj. Siç shihet, kemi të bëjmë me një numër jo të vogël autorësh dhe tekstesh që për herë të parë u bënë objekt i një shqyrtimi të gjerë shkencor; por, megjithatë për ne me rëndësi janë veçmas disa veçori gjuhësore, që duket se janë mjaft me interes për dialektologjinë e të folmeve shqipe të Kosovës. Qëllimi ynë në këtë kumtesë, pra, është që në bazë të teksteve të transliteruara me alfabetin e gjuhës së sotme shqipe nga ana e M. Pirrakut, të nxjerrim në dritë disa veçori gjuhësore dialektore të teksteve në fjalë, duke u ndalur vetëm në ato fonetike dhe morfologjike.

I. VEÇORI FONETIKE

I. – 1. Zanoret

Si në të folmet e tjera të gegërishtes, dhe të  gegërishtes verilindore në veçanti; në gjuhën e autorëve shqiptarë të Kosovës qe shkruar me alfabet arabo-osman, ndeshim 7 zanore (ndërsa zanorja ë është reduktuar pothuajse në tërësi, dhe rënia e saj ka shkaktuar gjatësinë e zanores paraprijëse, ose ka shkaktuar, siç do të shohim më poshtë, edhe ndërrimin e zanores në fjalë me zanoret e tjera (e ose i).

Në gjuhën e autorëve tanë, vërejmë si edhe në  të gjitha të folmet e gegërishtes, gjatësinë dhe hundorësinë e zanoreve, veçori këto kryesore të dialektit të gegërishtes që e dallojnë atë nga toskërishtja118. Në këtë mënyrë te këta autorë, përkatësisht në tekstet e tyre, përsa i takon sistemit zanor, në pozicion të patheksuar ndeshim 7 zanore: a, e, i, o, u, y dhe ë (këtë të fundit vetëm në ndonjë rast) dhe në anën tjetër në 6 fonema të gjata në pozicione të theksuara: a:, e:, o:, u:, y:, që formojnë opozicion fonologjik me zanoret e shkurtra; si dhe një radhë prej 6 fonemash që formojnë opozicione fonologjike me zanoret hundore. Kështu sistemi i zanoreve në gjuhën e autorëve tanë, që shkruan me alfabet arabo-osman përbëhet nga:

zanore gojore: a, e, i, o, u, y, e

zanore të gjata: a:, e:, ï:, o:, u:, y:

zanore hundore: ã, ẽ, ĩ, [õ], ũ, ỹ

I.- 1. – A. Gjatësia e zanoreve. – Përveç asaj që u tha më sipër, duhet shtuar edhe se kundërvënia e zanoreve sipas tiparit të gjatësisë përbën një nga veçoritë karakteristike të gegërishtes, e për pasojë edhe të gegërishtes verilindore, dhe po kjo mund të thuhet edhe për gjuhën e autorëve, përkatësisht të teksteve të tyre në shqiptim. Duke mbetur gjithnjë në vazhdën e këtij shqyrtimi, d.m.th. duke shqyrtuar gjatësinë e zanoreve, nuk do të kalojmë pa i vënë re edhe këto fakte:

a) Zanoret e gjata ndeshen në fjalë që reflektojnë  gjatësi origjinare, si mĩ:, thĩ:, de:t, ku:t etj.

b) Është i njohur fakti se zanorja që gjendet në  rrokje fundore të hapur, të theksuar, është e gjatë: shpí:, kojshí:, kusí:, dhé: etj. Dhe po këtë e vërejmë  te autorët, si Dervish Salihu: … Perení:, maná:, rixhá:, dynjá:, mevlá:, sefá: (Dituria, f. 121); Shejh Emini i Sadive: tezerá:, arashialá:, Kerbelá: (GJA – IX, f. 207); Shej Jonuzi – Sabriu: fukará:, ezelí:, dajmá:, grefá: (Po aty, f. 217); Rexhep Voka: vëllá:, …na pá:, Shkriprí:, perendí:, bir e bí: (Po aty, f. 224) etj.

c) Gjithashtu ndeshet dendur edhe gjatësia e zanoreve, që është  shkaktuar nga monoftongimi i diftongjeve apo i togjeve të zanoreve: ue, ie, ye, në u:, i: dhey:, të cilat përfshijnë shumë kategori gramatikore. Zanorja është e gjatë në të tilla raste, qoftë në pozicion fundor, qoftë në mes të mes të fjalës: dy:r, lu:jn, (i) shkru:m, ka vnú:, t’shkru:n, kujtu:m etj. (Të kihet parasysh poezia e Dervish Salihut: Eni vllazen ta bâjm ni dert). Shembuj nga kjo poezi do të sjellim më poshtë, atëherë kur do të ndalemi në shqyrtimin e diftongjeve apo togjeve të zanoreve.

Zanorja a. – Kjo zanore kur është nazale, siç do të vërehet edhe më poshtë, jo rrallë e ndeshim të tjetërsuar në o. Dhe ky fakt përkon pa dyshim me gjendjen aktuale të të folmeve shqipe të gegërishtes verilindore, përkatësisht me të folmet shqipe të Kosovës. Ky tipar i vokalizmit vërehet në disa të folme të Kosovës, sidomos në disa të folme të qytetit si në atë të Vuçitërnës (Vushtrrisë), të Gjakovës etj. dhe në disa të të folme të tjera ku përzierja e popullsisë shqiptare me popullsitë serbo-malazeze, turke e muslimane-boshnjake, ishte e dendur. Në këtë mënyrë, duke u nisur pikërisht nga një situatë e tillë gjuhësore, linguistja A. V. Desnickaja me të drejtë konstaton se rëndësi esenciale e të folmes shqipe të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit ka dukuria që është e lidhur me shqiptimin e përgjithshëm të artikulimit të zanoreve që është të tërhequrit dukshëm prapa dhe që qëndron në të forcuarit përkatës të elementit të velarizimit gjatë shqiptimit të një vargu të zanoreve. Sipas linguistes që e cituam më sipër, me këtë veçori është e lidhur edhe përshtypja e përgjithshme që krijohet në të folmet dialektore të verilindjes.

Në lëmin e vokalizmit, sipas K. Taliavinit121, kjo gjendje e përditshme e shqiptimit shprehet më tepër në të tërhequrit prapa të zanores a të gjatë (a), që ndiqet nga një labializim. Në radhë të parë, kjo i takon zanores së nazalizuar që gjithashtu gjendet në afërsi direkte me konsonantin nazal. Prandaj, lidhur ne do të japim më poshtë, disa nga shembujt që kemi mundur t’i nxjerrim nga tekstet, si p.sh.: Ai mi çeli katër dyrt: // osht e dyta tarikat…// Tarikat e kam gjet, / osht esrari Muhamet…// (D. Hasani, Ah unë i mjeri kesh tu fjetë…, Dituria, f. 91); … mijell ia boni; me lon; s’ju bo; allah-allah me thon (Shejh Jonuzi, GJA – IX, f. 214); … dallg po bon, /mend po t’lon, / s’un po gjon; gjithë bojm dua… // (Sh. Mala, GJA – IX, f. 230) etj.

Zanorja ë. – Siç dëshmohet nga ana e studiuesve K. Taljavini, E. Çabeji, A. Dodi, I. Ajeti, L. Mulaku etj., reduktimi i plotë i kësaj foneme në gegërishte ka marrë hov këta 3-4 shekujt e fundit. Në shkrimet e autorëve të vjetër të Veriut zanorja ë përdorej edhe në pozicion të theksuar deri kah fundi i shek. XVIII.

Në shkrimet e autorëve shqiptarë të Kosovës me alfabet arabo-osman, gjithashtu ë-ja e theksuar as që mund të bëhet fjalë. Mirëpo, siç do të shohim më poshtë, kjo zanore (zanorja ë) është ruajtur ndonjëherë te autorët tanë në pozicion të patheksuar.

Ë-ja te autorët që shkruan me alfabet arabo-osman, me sa kemi mundur të konstatojmë, ka rënë:

në rrokje paratheksore: … kçyri voret, / hej i ngrat // ti alim bonu ksi dore… // etj.

ka rënë në rrokje fundore (pastheksore) ka kaluar në e p.sh. tek emrat e gjinisë femërore në trajtën e shquar dhe të pashquar: dreken (… se fal dreken për ni tfurk sân); bimes (… i ra bryma bimes heret …); udhen (… Kur e hup udhen ai qi prin … etj.) etj.

Zanorja ë ka rënë në sistemin foljor si në kohën e tashme veta e parë numër shumës, dhe këtë e vërejmë në shembujt:

… Ani me bohur do t’na timojn

Me uj tvokt do t’na pastrojn

Ani me sapun do t’na shkumojn

Me pamuk syt na qorojn

Ani me qefin do t’na pshtjellojn

Me tri dizga na shtrengojn

Ani kater vet do t’na trazojn

Shum xhemat permas shkojn

(Hafiz I. Shemsi, Ani kur t’vjen shpirti

me na dal, Gjur. alb. IX, f. 219).

Mirëpo, mund të duket ndoshta e pabesueshme që në  këtë kohë, një autor si Shejh Junuzi-Sabriu (1848-1909) të ketë shënuar zanoren ë, ashtu siç e gjejmë te shkrimtarët e vjetër shqiptarë. Duke folur për këtë autor, studiuesi dhe mbledhësi i pasionuar i teksteve me alfabet arabo-osman, M. Pirraku, shkruan: “… nuk hoq dorë nga ë-ja për gjuhën shqipe. E cilësoi me një gjysmë esreje – vizë me një kënd prej 300 të vënë nën bashkëtingëllore pas së cilës do të vinte ë-ja. Duket se këtë gjysmë esreje e përdori edhe në vend të apostrofit midis dy bashkëtingëlloreve në fillim të fjalës. Kjo zanore sot ka mundësi të mos lexohet pa e prishur vlerën e tekstit të transliteruar”. Megjithëkëtë, Shejh Jonuzi përdori një ë edhe atëherë kur ajo nuk mund të përligjet etimologjikisht dhe as nga ortografia (drejtshkrimi), p. sh.:

… Çou ti përej gafleti,

Çare lyp ti për vetveti

ose:

nëgjeti çare na mos ta lypim

eja lypim prej vetveti…

ose më poshtë:

Se këjo deka ni sherbet osht,

nuk o çare pa u kërkue.

(Gjur. alb. – IX, f. 211)

I-1.B. Nazalizimi i zanoreve. – Një ndër veçoritë kryesore të gegërishtes dhe të të folmeve të saj është pa dyshim nazalizmi ose hundorësia e zanoreve. Dhe pokështu, meqë gjuha e autorëve tanë s’është tjetër përveçse gegërishtja (geg. verilindore) me të gjitha tiparet e saj, edhe në këtë pikë gjuha e autorëve në shqyrtim nuk largohet nga tiparet e këtij dialekti (të dialek. të geg.) kryesor apo kryedialekti të shqipes, kundruall dialektit apo kryedialektit të toskërishtes.

Kur jemi te ky tipar i gegërishtes, d.m.th. nazalizimi i zanoreve (toskërishtja këtë fenomen gjuhësor nuk e njeh), atëherë  duhet të vihet në pah se autorët, përkatësisht shkrimtarët si Dervish Hasani, Mulla Beqiri, Mulla Dervishi, Tahir E. Boshnjaku, Dervish Salihu, Shejh Jonuzi, Tahir E. Popova, Tahir E. Lluka, Shejh Hyseni i Halvetive, Hilmi Abdyl Maliq Efendija, Shejh Maliqi etj.; edhe pse zanoret hundore nuk i shënuan grafikisht si zanore nazale, ato duket se shqiptoheshin si të tilla në kohën kur shkruan autorët në fjalë, dhe si të tilla (zanoret me timbër hundor) shqiptohen edhe sot. Duke folur për gjuhën e VEHBISË  të Tahir E. Boshnjakut, I. Ajeti kishte konstatuar zanoren nazale ã, sa herë kjo fonemë ndodhej para një bashkëtingëlloreje nazale (hundore). Ndërsa sa i përket Shejh Maliqit nga Rahoveci, siç thotë prapë I. Ajeti, ai për shënimin ã-së nazale (hundore) kishte shtënë në punë edhe një grafemë të veçantë. “Lidhur me këtë pikë mund të thuhet që çdo a gojore shprehej me një grafemë që nuk linte kurrëfarë dyshimi për riprodhimin e saj…”.

Një çështje tjetër, siç është labializimi i a>o (ose ao) e kemi shqyrtuar më sipër; mirëpo nuk është e tepërt këtu të theksojmë se në gjuhën e shkrimtarëve që shkruan me alfabet arabo-osman të Kosovës, përveç a-së së labializuar ose gjysëm të labializuar, hasim edhe në një a thjesht nazale, sa herë ajo ndodhet para bashkëtingëlloreve m, n, j<nj. P. sh.:

… Ej i besun bãne emrin,

Mos ia zin shejtãnit vẽnin,

… Çka ja bãn ni pun veti,

Mos ja bãn kerkuj ngjeti,

Kshtu ka thãn Muhameti.

I.-1.-C. DIFTONGJE OSE TOGJE ZANORESH

Në këtë punim do të trajtojmë këto diftongje ose grupe zanoresh: ue, ie (je) dhe ye.

Nga diftongjet që i vumë re më sipër, vetëm diftongu ié (je) në tekstet e transliteruara me alfabetin e sotëm të gjuhës shqipe e ruan mirë natyrën e vet të diftongut. Për këtë na dëshmojnë shembujt: Zoti na i hiek keta bela, / Niher turku drit me pa…// (Sh. Maliqi, DIVANI…). Ndërsa togjet e zanoreve ue dhe ye i ndeshim me ndonjë përjashtim të monoftonguara gati te të gjithë autorët shqiptarë që shkruan me alfabet arabo-osman. Kjo dukuri nuk duhet të jetë aq e vonë, meqë këto diftongje apo togje zanoresh, të monoftonguara ose të reduktuara në elementin e parë të tyre, i ndeshim që në VEHBINË (1835) e Tahir E. Boshnjakut dhe në DIVANIN e Shejh Maliqit; kështu duke folur lidhur me këtë dukuri, I. Ajeti shkruan: “Gjuha e DIVANIT, e krahasuar me gjendjen e sotme të të folmeve të Kosovës, me disa tipare del mjaft arkaike, por në punën e diftongjeve, ligjërimi i këtyre, mund të themi me plot gojë, nuk ngërthen në vete kurrfarë veçorish të shënueshme që nuk do të ishin njëkohësisht veti dialektore e të folmeve të tjera të truallit gjuhësor të Kosovës. Shkurt, diftongjet dhe bashkëlidhjet zanore të gjuhës së DIVANIT i gjejmë të mbledhura në monoftongje”.

Në këtë mënyrë, përveç pak shembujve, shembujt e tjerë që solli Ajeti në studimin për gjuhën e Divanit të Shejh Maliqit, i dalin të monoftonguara në  elementin e parë të tyre dhe duke u tjetërsuar në  zanore të thjeshta.

Edhe pse diftongjet ue, ye janë ruajtur në ndonjë të folme, prapëseprapë mund të thuhet pa mëdyshje se procesi i monoftongimit të tyre në të folmet shqipe të Kosovës, të paktën që nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, është një proces mbizotërues ndaj procesit të ruajtjes, d.m.th. ndaj gjendjes së vjetër. Këtë fakt do ta përligjim me shembujt e sjellë më poshtë.

ue>u

O forcu zenbra nuk po ndin

nasihati qi asht për din…

(M. Beqiri, Shka asht kshtu qi

je habit, Dituria, f. 95.

Ç’kanë qerpikt qi po t’lujnë,

Si kalemi huruft kur i shkrunë.

Huna jote mi ket alem,

E sret arshi ka vnu kalem…

Tridhet e dy huruft jan t’shkrum,

Me sevda ti qi naj ki urri…

(D. Salihu, Eni vllazen ta bajm ni dert,

Dituria, f. 117)

Amon vllazen mos bani fjalë,

Qysh kujtum nuk do me dalë.

(Po aty, f. 117).

ye>y

Ai mi çel katër dyr

njonda osht a(h) sheriat…

(D. Hasani, Ah, un i mjeri

kesh tu fjet, Dituria, f. 99).

Përkundër monoftongimit të diftongjeve në elementin e parë të tyre, e cila gjë u theksua dhe u dëshmua më lart, vërejmë ndonjëherë edhe ruajtjen e tyre, si p. sh.:

Mall evladin e kish dhan

me pshtue ti, hej i ngrat…

(M. Beqiri, Shka osht kishtu

qi je habit, Dituria, f. 95).

… nuk o çare pa e kërkue,

Padishah e fukara,

pëlak e ri hem thëmi e gërue…

(Sh. Jonuzi, Çou i nëgrati ti përtej

gafleti, GJ – IX, f. 211).

II.-1.-Ç. BASHKËTINGËLLORET

Bashkëtingëlloret q, gj, ç, xh. – Okluzivet q, gj krahas ruajtjes, në pjesën më të madhe të teksteve të autorëve shqiptarë të Kosovës që shkruan me alfabet arabo-osman i ndeshim të tjetërsuara në okluzive prepalatale (paragjuhore) në ç, xh. Është kjo një veçori e përgjithshme e gegërishtes verilindore, e cila si e tillë u shfaq dikund në gjysmën e dytë të shek. XIX. Për këtë na dëshmon, VEHBIJA e T. E. BOSHNJAKUT, në të cilën këto bashkëtingëllore ruheshin mirë, dhe po kështu këto i ndeshim t’i ketë shënuar edhe V. Karaxhiqi në disa këngë popullore që i mblodhi nga një informues, që ishte nga Gjurakovci afër Pejës. Këto bashkëtingëllore q, gj) të patjetërsuara në afrikatet përkatëse (ç, xh) i ndeshim edhe në DIVANIN e Shejh Maliqit. Edhe për këtë veçori gjuhësore, gjithnjë për të arsyetuar atë që theksuam më parë, do të sjellim shembuj që i nxorëm nga tekstet e autorëve si Mulla Beqiri, Dervish Salihu, Shejh Maliqi etj.

Shka osht kishtu qi je habit

………………………………………

Kujto dynjaja se jet gjithmon

kqyri voret ti hej i ngrat.

(M. Beqiri, Shka osht kishtu

qi je habit, Dituria, f. 95).

Ç’kan qerpikt qi po t’lujn

…………………………………..

Gjithkush harfin s’un ta nxirrë

Amon vllazen mos bani fjalë

Qysh kujtum nuk do me dalë:

Qysh nasip kur jemi marrë,

Jemi t’dekun s’jemi t’gjallë.

(D. Salihu, Eni vllazen ta

bâjm ni dert, Dituria, f. 117).

… Aslin e vet pe don

Gjith kah drita po flitron

Qiri keshet po kujton…

(Shejh Maliqi, Halli i flutres, GJA – IX, f. 230).

I.-1.-D. GRUPET E BASHKËTINGËLLOREVE

Grupet e bashkëtingëlloreve nd dhe mb si të tilla u ruajtën gjerësisht të patjetërsuara në n dhe në m; mirëpo, vërejmë gjithashtu dhe kalimin në elementin e parë të tyre. Ky proces, d.m.th. procesi i tjetërsimit të grupeve të bashkëtingëlloreve në fjalë, në bashkëtingëllore të thjeshta, siç mund të vërehet me shembuj nga gjuha e autorëve tanë nuk është aq i hershëm: fillon si duket me të madhe në të folmet shqipe të Kosovës, dikund aty nga gjysma e dytë e shek. XIX, për të ardhur deri në ditët tona. Por, kjo është një çështje më e gjerë dhe më e thellë, që del jashtë caqeve të kësaj kumtese; e që me këtë rast, do ta vështrojmë, siç theksuam, së pari ruajtjen e grupeve të bashkëtingëlloreve në fjalë, që paraqitet kësisoj, p. sh. te Mulla Beqiri: … po ndin; nuk o’send; e kqyr vendin etj. (Dituria, f. 95). Dervish Efendiu: … n’qeter kurrkund edhe ma rond; lutfiu tond (Dituria, f. 99). Dervish Salihu: … me dyqind e nandhet e katër (Dituria, f. 114). Shejh Junuzi: … gjithsa send etj. (GJA – IX, f. 215).

Ndërsa ndryshimin, tjetërsimin e këtyre grupeve të bashkëtingëlloreve e kemi vënë re edhe te ndonjë autor, që në  të njëjtën kohë i kishte ruajtur mirë grupet e bashkëtingëlloreve në fjalë në pjesën më të madhe të përdorimit të gjuhës në veprat e tij, siç është, bie fjala, Dervish Salihu a ndonjë tjetër. Sidoqoftë, procesi i ndryshimit të grupeve të bashkëtingëlloreve nd, mb në të folmet shqipe të kësaj ane, siç kemi theksuar edhe më sipër, kishte filluar më herët, dhe se tashmë si duket ishte bërë një proces i pandalshëm. Kjo gjë vërehet edhe në gjuhën e autorëve tanë, si p. sh. kalimi i nd-së në n, dhe i mb-së në m: … hyqymetet e Perenisë; bâft perenija; po knohet n’Kura’n; kërkuj s’i met; me hyp n’kumëll (D. Salihu, Dituria, f. 119); … a po knon; pa ja da (Sh. Maliqi, GJ – IX, f. 229-231).

Kur jemi te shqyrtimi i grupeve të bashkëtingëlloreve, duhet vënë në dukje patjetër edhe një fakt: grupet e vjetra kl, gl, nuk i ndeshim si të tilla në gjuhën e autorëve që shkruan me alfabet arabo-osman; ato duket moti kishin kaluar në elementin e parë të tyre, d.m.th. në k dhe g. Është me interes të theksohet po kështu se në poezinë e Sh. Jonuzit haset edhe grupi i vjetër nt, në trajtat e numrit shumës dhent(ë), qent(ë), që tash për tash nuk mund të themi se kjo veçori gjuhësore është e vendlindjes së tij (ai ishte nga Suhodolli i Mitrovicës), apo është një trajtë që ai e ndërtoi nën ndikimin e literaturës shqipe të kohës, që nuk ishte e panjohur për këtë autor, apo mos është ky një ndryshim që e sollën kopjuesit e poezive të këtij autori?

II. VEÇORI MORFOLOGJIKE

II.-1. EMRI

II.-1.-A. Trajta e pashquar e emrit. – Trajtën e pashquar shumë emra me origjinë turko-arabe, që hasen në gjuhën e autorëve tanë, formojnë këtë trajtë me një a të theksuar, e që në disa të folme shqipe të Kosovës, këtë e kanë tjetërsuar në e të theksuar. P. sh. kështu hasim: maná, rixhá, mevlá, fukará, dynjá etj. (D. Salihu, Dituria, f. 121). Këta emra, siç mund të vërehet, kur të shquhen para nyjës – mbaresës –in marrin një –j- antihiatizuese, dhe ky fakt është i përgjithshëm në të gjitha ato të folme të Kosovës ku dukuria në fjalë është e pranishme.

II.-1.-B. Trajta e shquar e emrave.- Trajtën e shquar me një –j- para nyjës –a, e marrin të gjithë ata emra me origjinë turko-arabe, që mbarojnë me i të theksuar si perenija, turqnija, shejtnija, evlija, Hilmija (Sh. Maliqi, GJA – IX, f. 231). Emrat e gjinisë mashkullore që në trajtën e pashquar mbarojnë me bashkëtingëlloret k, g, në trajtën e shquar, siç i ndeshim në gjuhën e teksteve të autorëve tanë, janë shquar me nyjën –i dhe jo me –u, si p. sh.: haki, hallki, mynafiki etj. Këtë nyjë si të tillë e ndeshim edhe gjatë lakimit të tyre nëpër rasat përkatëse. Por, edhe në këtë pikë mund të vërehet ndonjë përjashtim siç është, bie fjala te Shejh Maliqi: … Kjo te haku pa ja da… (GJA – IX, f. 121).

Emrat me origjinë turko-arabe, që trajtën e pashquar e mbarojnë me bashkëtingëlloren –n, në trajtën e shquar të rasës kallëzore marrin nyjë – mbaresën –in: insanin, dermanin, imanin, shejtanin (D. Efendiu, Dituria, f. 99); zamanin, dushmanin, Hasanin (D. Salihu, Dituria, f. 116).

Përsa u takon rasave gjinore, dhanore dhe rrjedhore, nuk vërehet ndonjë ndryshim nga përdorimi i sotëm i tyre në të  folmet shqipe të këtyre anëve. Në këtë mes, vetëm një ndryshim, që e kemi cekur edhe më sipër (në  I-1.-Ç) është ai që vërehet në poezinë  e Shejh Jonuzit, në të cilën poezi ndeshet forma e rasës rrjedhore të shquar me – vet (… përej dhenvet), e që  më shumë ka gjasa të jetë një ndryshim, një përmirësim që e kanë bërë kopjuesit e kësaj poezie, se sa të jetë trajtë e vetë autorit.

II.-2. NYJAT

Për disa nga nyjat, sidomos ato të prapmet, të cilat tash kanë zënë të quhen mbaresa, u fol më sipër gjatë shqyrtimit të trajtave të emrit. Ndërsa për nyjat e përparme mund të themi se ato i ndeshim në gjuhën e teksteve që autorët i shkruan me alfabet arabo-osman, dhe këtë  si a) nyja të gjinores: ashik i hakit, hyqumetit e Perenisë  (D. Salihu); b) si pjesë e mbiemrit: i ngrat (M. Beqiri); i vogel, i lig (D. Efendiu); c) si pjesë të një numërori rrjeshtor: e dyta (D. Hasani) etj.

II.-3. PËREMRI

II.-3.-A. Përemri vetor. – Ky përemër përdoret pa ndonjë dallim nga përdorimi i tij në të folmet e sotme shqipe; kështu përemrat unë, ti, ai (njëjës) dhe ne (na), ju dhe ata (ato) në shumës, ndeshen si të tilla në tekstet e autorëve apo shkrimtarëve tanë, dhe këtë po e ilustrojmë me shembujt: ai qi ka gjet; mos na le neve… (D. Hasani); ti alim bonu kso dore…; ti shko kujtou; po kujton ti hej i ngrat (M. Beqiri); u dogja un me dert; Zoti për ne nuk â miftaç (D. Salihu) etj.

II.-4. FOLJA

II.-4.-1. Kohët e foljes të mënyrës dëftore. – Derisa koha e tashme në të tri vetat e numrit njëjës dhe shumës nuk shënon ndonjë veçori dalluese nga ato të të folmeve shqipe të Kosovës; kësisoj koha e kryer e disa foljeve që tregojnë lëvizje, te autorët tanë është formuar disa herë me formën jam + pjesore (si jam përpjek…; jam taptis – D. Efendiu), është një veçori dialektore e truallit gjuhësor të shqipes dhe e të folmeve shqipe të Kosovës në veçanti.

Koha e ardhme. – Nga vështrimi më i hollësishëm i mënyrës dëftore, që është mënyra kryesore (ka 8 kohë) e foljes në gjuhën shqipe; në gjuhën e teksteve të autorëve tanë, që u zunë në gojë sa e sa herë këtu; vërehet se koha e ardhme del me formën, siç është quajtur nga Sh. Demiraj, perifrastike, dhe e cila është formuar me ndihmën e foljes kam + pjesorja si p. sh.: … kame dal ni Zylfikar (D. Salihu); por në të njëjtën kohë hasim edhe formën tjetër të kohës së ardhme do + pjesorja e foljes, si p.sh.: Qysh kujtum nuk do me dal (D. Salihu, Dituria, f. 117).

II.-4.-2. MËNYRA HABITORE. – Kur është fjala për përdorimin e mënyrave të tjera të foljeve nga ana e shkrimtarëve tanë, gjuhën e të cilëve e kemi bërë objekt hulumtimi në këtë punim, do theksuar se vetën e tretë të kësaj mënyre (të mënyrës habitore) e kemi ndeshur me trajtën, që mbaron me mbaresën –nke(në vend të –ke), e cila haset pikërisht në poezinë e Shejhut rahovecas, Sh. Maliqit, dhe kjo veçori tregon gjithashtu se autori pasqyron në këtë mënyrë gjuhën e vendlindjes dhe të vendqëndrimit të tij, pra, të Rahovecit me rrethinë.

II.-4.-3. MËNYRA URDHËRORE. – Karakteristikë për format e kësaj mënyre në kohën e saj të tashme, siç na del nga një tekst (poezi) i Mulla Beqirit, dhe të ndonjë autori tjetër, është përdorimi i formës së kësaj kohe në vetën e dytë njëjës ndonjëherë pa trajtën e shskurtër të përemrit vetor të vetës së tretë e, si merr (për merre), kujto (për kujtoje), kqyr (për kqyre) etj.

II.-4.-4. MËNYRAT E PASHTJELLUARA TË FOLJES

PJESORJA. – Format e pashtjelluara të pjesores te foljet që mbarojnë me bashkëtingëllore dalin pa mbaresë, qoftë kur janë përdorur si pjesë përbërëse e mbiemrave, qoftë kur ato janë përdorur si pjesë e formave të kohës së kryer; ose kur kanë shërbyer për të formuar format e mënyrës paskajore. P. sh.: … tu fjet; jom përpjek; m’le me fjet; e kom gjet (D. Hasani); me i brit; qysh ta marr (M. Beqiri) etj.

PËRCJELLORJA. – Format e pashtjelluara të përcjellores, që gramatika tradicionale, e mbajti për një nga mënyrat e veçanta të foljes në gjuhën shqipe, ndeshet me formën tue + pjesorja e foljes, që si e tillë është e mbarë gegërishte (në vend të kësaj, siç dihet toskërishtja e ka formën duke + pjesorja e foljes = duke punuar). Kjo formë ndeshet edhe në tekstin e poezisë së Dervish Hasanit: … un i mjeri kesh tu fjet (Dituria, f. 99); si dhe në një tekst tjetër të poezisë së Sh. Maliqit: Perdet tu u hjek, Me ashik tu u pjek… (GJA – IX, f. 235).

PASKAJORJA. – Tipi më i shpeshtë i kësaj forme të pashtjelluar të foljes në dialektin e gegërishtes është pa dyshim forma foljore me + pjesorja e foljes, që haset dendur në gjuhën e shkrimtarëve që shkruan me alfabet arabo-osman; kështu në këtë mënyrë kemi ndeshur në shembujt si vijojnë: me i brit; me mar (M. Beqiri); me dek, me niçar (D. Efendiu); me ba karar; do m’u da; me lyp rrush (D. Salihu); me mar ibret; me pështu përej qenve; me i bo hizmet; me fol ajet (Sh. Junuzi) etj.

Një formë tjetër të paskajores, që haset edhe sot e gjithë ditën në të folmet shqipe të  Kosovës, është forma për+me+pjesorja e foljes, e të cilin tip të paskajores e kemi ndeshur në një shembull të  vetëm në poezinë e Mulla Beqirit: … per me mar (Shih: Dituria, f. 95).

Burimi: Revista “Studime Orientale”, Prishtinë.

/Orientalizmi Shqiptar/

 

Shiu (poezi turke)

23/04/2013 Lini një koment

Nurullah GENÇ

 

SHIU

391489

Në emër të Krijuesit i zbriti dritë njerëzimit

E ndriti natën si pasqyrë nga mal i Sibirit

Një shi faqen e dheut lau nga ndyrësia

Ngadhnjim i bekuar prej buzëve të ebabilit

Nga luginat e mëshirës u derdh jeta e dashuria

Me barrën më të bukur ish mbarsur gjithësia

Shekuj të tërë gëlltita qelbësirë e ujë e të ndejtë

Me hidhërim prej pelikani ngopa grykën në batak e kënetë

Ah, shi, të isha edhe unë një gur i thatë që ty të pret!

Malli yt një çast si flakë e zjarr mbi mua ra

M’u shkatërruan ëndrra bote, syve rrënimi më ra

M’u zbukurua zemra me lule e petale amëshimi

Në shpirtin e shkatërruar një kohë e botë e re më ra

Nga rrobë e bardhë, e vjetër, i rrjedh profetit gjak.

Kupë e qiellit flatron krahë të mëndafshtë

Tek ëndërron të prekë dritëhënën e të dashurit, të mirit

Tronditet Ebu Kubejsi nën thirrjet e të përzënit

E nëna e shtëpive, më e shenjta shtëpi ngre flamur të gjelbër

Kish mbetur toka e braktisur, e vetmuar, e thatë

M’u konsumua koha hap pas hapi këmbëve

M’u thur si rrjetë e netët m’i robëroi ëndërr e keqe.

Ah, të isha edhe unë një zog në shkretëtirë, djegur nga malli yt!

Shi, pa ty e mbuluan hithrat çdo shend e gëzim

Në vatër vend zu hasmëria, u bënë të huaja miqësitë

U thurën humbjet hap pas hapi historisë

E ranë në çdo faqe të saj me mijëra kurbanë fatzinj

Një letër e zgjedhur që prej përtej epokash

Mbërrin mëngjesin e argjendtë të pritjes

U përhap më i madhi sihariq, pas të hënës

Preku bardhësia terrin e natës

Shpirtrat, buzëçarë gjer tash e tharë etjes

Gëzimthellë si në përshtpirtje mbetën, dashururar pas heshtjes

Ditët e vetmisë ia numërova një kalendari të pashpresë

Një poshtërim përjetova të paparë kurrë, për besë

Ah, të isha edhe unë një copëz rrobë prekur nga ti!

Pa ty sa e sa shpirtëra të bukur rrugëve u rrëzuan

Nga kraharorët e plagosur një nga një shpresat, pa shpirt, u rrëzuan

Shi, e humbëm më të madhin, më të vyerin thesar

Së fundi nga duartë tona u rrëzuan perla, margaritarë

Engjëjt rradhë rradhë buzëqeshin lartësisë

Zogj me enë të argjendta në sqepa të smeraldtë

Dëgjojnë nga Hiraja meloditë e lumturisë

Në një aromë kryengritjeje lëkunden tatëpjetat

Një foshnjë zgjat drejt sexhdes duartë

Copë copë, zjarre ëndrrat e tiranit, shahut mizor

Ah, të të kisha qëndruar pranë sa një hije!

Të ta sodisja dritën e syve, buzëqeshjen në përjetësi!

Ah, të isha edhe unë një vështrim i mbërthyer tek ti!

U zverdh gjethe e gjelbër, u këput dega e fidani ra

Sarajet i mbetën qyqes, bilbilit zëndani i ra

Shaminë e motrës e shpuan mushkonjat vrastare

Mbeti varur pavarësia, mbuloi dhenë padituria

Të kisha rrjedhur unë damarëve të Saveut

Ia bëja tabllonë e çdo kulle në rrënim

Rrugëve të mistershme për në dashuri të pafund

Si një shkëndi prej teje, pishtar ndezur flakë

Ta krihja cullufen e djerësirë

Pasi, me gaz, anë e kënd ta shpërndaja hirin dhjetëshekullor!

Nganjëherë pas vetes dashururar jam, i çmendur si furtunë

Si gjethe e tharë, e zverdhur mbetem nganjëherë përballë furtunës

Por, ah, të isha edhe unë një kokë e prerë për ty!

Në tërmet të mungesës tënde vdiq hanxhiu e hani ra

Të shtypurit kasolle, syrgjyn; mizorit botë e tërë i ra

Atyre me ty dashuruar, atyre me zemër tek ti

Në një terr vuajtjesh një provë e rëndë e tmerr u ra

T’i merrja erë në shkretëtirë gjurmës tënde

E era, tek uturon mbi rërë, të ma thurte qefinin

Ta laja me ty korridorin e dhimbjeve

Fatit s’do t’i isha qarë e veten s’do ta kisha vrarë

Një shkëmb, mbi të cilin si kristal ke pikuar

Një farëz hurme do ta doja më shumë se botën mbarë

Në heshtje m’u shndërrua thirrja ime rrugëve

Ma gërreu pavendosmëria krenarinë pak nga pak

Ah, të isha edhe unë një lot i rënë nga sytë e Bahirasë!

Në më të bardhën pikë të hartës gjaku ra

U thye shpatë e drejtësisë, mburoja ra

Të shtypurit po dënohen, mizorët po gjykojnë tashmë

Themelve të drejtësisë llahtar e llavë e vullkantë ra

Nga ndarja jote po digjen në shkretëtirë grimcat e rërës

Mes gazelash dashuria jote zjarr

Mbushi mirësia e bereqeti yt shtëpi e vatra

Pa ty jeta në kurriz të tokës si kanser

Nën çadrën e reve ecën

Pa ty helm kish qenë pesha e më të ëmblit fllad

T’i pyesja mirazhet për misterin e deveve

Do t’më shkriheshin në kokë të ngrirat mendime

Ah, të isha edhe unë një pëlhurë e përkëdhelur nga ti!

Nga degët ku pa ty u mbajtëm gjarpëri ra

Në fillim udhët u errën, më pas shkiti dheu e si ortek ra

Edhe malet më të sigurtë i mbuloi bora një nga një

Në vendin e mungesës tënde gënjeshtra me bisht, mashtrimi ra

Shi, ta kisha ndjerë zërin tënd nga qiejtë e shpirtit tim

Ti bije pikë pikë; edhe gurët gjelbërohen nga filizat

Rrufetë e çajnë, e bëjnë copë kraharorin e ndyrsësisë

Vala shkon; qërohet e pastrohet batak i poshtërsisë

Shi, ah, të shpëtoj një ditë prej pelenash shekullore

E ta marr pavdekësinë nga e kristalta, buza jote

Në dëshira të metalta u përhumba vështrimit

Të trëndafilave të vyshkur në një tabllo të mykur

Ah, të isha edhe unë një ëndërr e parë për ty!

I pushtoi qytetet tmerri, fshatrat i mbuloi tymi e zia

A thua gjithçka u përmbys; qiejtë ranë

Një barkë e thyer na mbeti në duar; ëndërr

E paçmuar; për t’i ikur halleve oqeanet ranë

Mungesa jote është si një plagë që çdo ditë më rritet në kraharor

Zemra që ty nuk të ndjen bëhet si një qeli, si burg pa portë

Pa ty e drejta e lakuar bëhet, e bardha në të terrtë shndërrohet

Ata që zërin s’ta dëgjojnë humbasin, mbyten në vorbullën tënde

Në mitër të nënës vdes nga mungesa jote një embrion

E sytë e të verbërit hapen një ditë, mbushur me habi, emocion

Orë pas ore gjithmonë vetveten kërkova

Më ngecën gishtërinjtë në një zinxhir mërzie

Ah, të isha edhe unë në faqe të dheut një që të pa ty!

Pa ty në horizonte një agim mashtrues ra

Pa ty atdheu i shtrirë ndër kontinente ra

Kur zemra u dënua me shpirt prej skllavi

Sovrani, që prej shekujsh në djep priste, ra

Ti je si hënë; diej shkëlqejnë në sytë e tu

Me dashurinë tënde si Mexhnuni bredhin diell e hënë

Çdo pikë zbukuron një yll në qiej

Sumejranë kërkon në çdo pikë një saraj

Farërat e klimat janë tuat; stina është jotja

Piktura që s’e zbehu penel i kohës është jotja

Shi, ta gjeja një ditë dorën time në duartë e tua

Të më qeshte në fytyrë më e madhja bukuri

Ah, të kisha qeshur edhe unë hareshëm në përqafim me ty!

Të zhveshur mbetën muret; dashurisë tënde tavani i ra

N’aktualitet të shoqërisë një rrebelim i thellë ra

Nga lindja e perëndimi mbërritën tmerr e ulërima

Nga ekuilibër i prishur prej ikjes tënde humbja, mizoria ra

Njomështinë e lotëve, psherëtimat e dhimbjes i kam për ty

Në thellësi më përflaken me mallin tënd vaje, këngë e melodi

Nga ti i kam xhevahiret e mendimeve të së përjetëshmes rini

Vështrimi yt si shigjetë shpon tej për tej në terr

Ky mulli me ty rrotullohet; jotja është harmoni e tij

Yti është gur i provës që ngjyrat ndan në ylber

Në një vend hidhërimi, m’u varros e më humbi emri

Më përplasen në fytyrë dyertë e sapoçela

Ah, të isha edhe unë një kurejsh që arratinë merr e emigron tek ti!

Shi, numërimit të ditëve e ëndrrave me ty i gjeta derman

Në qendër të trurit m’u skalit i pavdekshmi ferman

U fshi nga ëndrra ime e gjithë hareja e jetës

Në një çast kthese në mendje më erdhi i Larti, i Lëvduari Rrahman

Me shpirtin tënd të reja ornamente do të stisen

Fytyrat me tjetër gaz e hare do të stolisen

Me nurin tënd qelitë në diell e dritë do të shkëlqejnë

Nënat veç me ty foshnjat do t’i ushqejnë

Shi, me ty i vjen fundi etjes së gjithësisë

Ty të beson qielli, për ty ka nevojë ky dhé

Damar damar me ty, gjithmonë me ty të isha!

Të isha shpata që ti zhveshe për të rrënuar të kotën!

Ah, një dirhem argjend në qesen tënde edhe unë të isha!

Mes vëllezërish, ah, dyshimi e pabesia ra

Humbi ndërgjegja, mirëbesimi u verbua, ra

Pas këngës me të cilën vit pas viti përjetuam pranverën

Në kopështin e njerëzimit vjeshta ra

Shi, të isha edhe unë një gur i thatë që ty të pret!

Të isha edhe unë një zog në shkretëtirë, djegur nga malli yt!

Të isha edhe unë një copëz rrobë prekur nga ti!

Të isha edhe unë një vështrim i mbërthyer tek ti!

Të isha edhe unë një kokë e prerë për ty!

Të isha edhe unë një lot i rënë nga sytë e Bahirasë!

Të isha edhe unë një pëlhurë e përkëdhelur nga ti!

Të isha edhe unë një ëndërr e parë për ty!

Të isha edhe unë në faqe të dheut një që të pa ty!

Të kisha qeshur edhe unë hareshëm në përqafim me ty!

Të isha edhe unë një kurejsh që arratinë merr e emigron tek ti!

Damar damar me ty, gjithmonë me ty të isha!

Të isha shpata që ti zhveshe për të rrënuar të kotën!

Ah, një dirhem argjend në qesen tënde edhe unë të isha!

Përktheu nga gjuha turke: Edvin CAMI

Intervistë me Dr. Feti Mehdiu: “25 vjet pas përkthimit të parë të plotë të Kur’anit në gjuhën shqipe” (1985-2010)

18/04/2013 Lini një koment

INTERVISTË ME DR. FETI MEHDIU*

“25 VJET PAS PËRKTHIMIT TË PARË TË PLOTË TË KUR’ANIT NË GJUHËN SHQIPE”**

(1985-2010)

Kurani dhe hija e tij shqip - Feti Mehdiu

Tema: Jeta e bashkëbiseduesit, veprimtaria politike e shkencore etj.

25 vjetori i përkthimit të Kur’anit,

Si nisi përkthimi?,

Orientalistika shqiptare sot etj.

Jeta dhe vepra e Dr. Feti Mehdiut

Feti L. Mehdiu u lind më 20 janar 1944 në fshatin Zajaz të Kërçovës. Aty kreu katër klasë të shkollës fillore, kurse tetëvjeçaren dhe medresenë e ulët i kreu në Prishtinë, në vitin 1962. Vazhdoi medresenë e mesme Alauddin dhe kreu maturën në vitin 1967. Studimet i ka kryer në Fakultetin e Filologjisë, në Beograd, Degën e Filologjisë Orientale, në vitin 1971, ku merr titullin profesor i filologjisë orientale (për gjuhën arabe dhe gjuhën turke). Këtu ka vazhduar edhe studimet pasuniversitare – dega e gjuhësisë dhe në vitin 1977 mbrojti punimin e magjistraturës me temën: Srpskohrvatski prevodi Kur’ana (Përkthimet e Kur’anit në gjuhën serbo-kroate), kurse doktoratën e ka mbrojtur në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, në vitin 1990, me temën: Përkthimet e letërsisë arabe në gjuhën shqipe, 1922-1982. Në vitin shkolor 1975-76 ka specializuar gjuhën arabe në Universitetin e Kairos në Egjipt.

Punën e filloi në Institutin e Historisë, më 1 mars 1973, në Prishtinë, kurse nga tetori i vitit 1974 punon në Degën e Orientalistikës – Fakulteti i Filologjisë, në Prishtinë, si asistent, ligjërues, docent, profesor inordinar dhe tani profesor ordinar për gjuhën arabe, fonetikë-morfologji. Në fillim të vitit 1995 ka mbajtur ligjërata të gjuhës arabe në Universitetin e Tetovës, kurse në vitin 2002-2004 ka ligjëruar lëndën Orientalistika dhe orientalistët, në Fakultetin e Shkencave islame në Shkup.

Ka marrë pjesë në më shumë se tridhjetë simpoziume shkencore brenda dhe jashtë vendit si në: Prishtinë, Sarajevë, Zagreb, Shkup, Tetovë, Tiranë, Stamboll, Amman, Teheran, Lahorë, Ankara etj.

Ka botuar si vijon:

Poezi arabe, 1983, Shkup, Shtëpia Botuese “Flaka”,

S. Frashëri, Vepra 7, 1984, Prishtinë, Shtëpia Botuese “Rilindja”,

Kur’an-i, 1985, Prishtinë, B.I.K. (Bashkësia Islame e Kosovës),

Kur’ani, mrekullia më e përsosur, Shkup, B.I.M. (Bashkësia Islame e Maqedonisë),

Flasim arabisht, 1987, Prishtinë, Enti i TMM të Kosovës,

Rexhep Vokë Tetova, MENDIME, 1991, Tetovë, KBI,

Gjuhë arabe: fonetikë – morfologji, 1991, Prishtinë, Enti i TMM të Kosovës,

Salih Gjuka, Shkrolaria e shqypes, 1991, Prishtinë, BIK,

Jasin-i me 20 sure të tjera shqip, 1992, Prishtinë,

Kur’ani kryevepër, 1992, Prishtinë,

Hafiz Ali Korça, MEVLUDI, 1992, Prishtinë,

Nga tematika e Kur’anit, 1993, Shkup, Logos-A,

Sahihu-l-Buhari në gjuhën shqipe, libri 3, 1994, Prishtinë,

Sahihu-l-Buhari në gjuhën shqipe, libri 4, 1995, Prishtinë,

Nga Kërçova për Kërçovën, 1995, Kërçovë,

Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe, 1996, Shkup, Logos-A,

Xhuz’i 30 (Amme), 1997, Prishtinë,

Nedimu-l-Xhisr, Besimi në All-llahun në dritën e Kur’anit, 1997, Prishtinë,

Kur’ani dhe hija e tij shqip, 1999, Shkup-Stamboll, Logos-A – IHH,

Sahihu-l-Buhari në gjuhën shqipe, libri 6, 2000, Prishtinë,

Kur’ani mrekullia më e përsosur, 2001, (bot. i dytë), Prishtinë,

Hafiz Ali Korça, Bolshevizmi është shkatërrim i njerëzimit, 2001, Prishtinë,

Hyrje në filologjinë orientale, 2004, Prishtinë, SHORK,

Për letërsinë arabe, 2005, Prishtinë, SHORK,

Maturantët e parë të medresesë Alauddin, Prishtinë, 2007,

Sulejman Mashoviç, Pikëpamje islame, Prishtinë, 2007,

Sahihu-l-Buhari në gjuhën shqipe, libri 9, Prishtinë, 2008,

Përkthimet e letërsisë arabe në gjuhën shqipe, Prishtinë, 2008,

Kërçovarët për Kërçovën, Shkup, 2009.

Anëtar: 1964 – Organizata ilegale LRBSH; 1969 – anëtar i redaksisë “El-Emel”, Beograd; anëtar i grupit letrar “Përpjekja” në Beograd; anëtar i Kuvendit Suprem të B.I. të Jugosllavisë, Sarajevë; anëtar i K.B.I., Prishtinë; anëtar i redaksisë “Dituria Islame”, Prishtinë; anëtar i redaksisë “Bashkimi Paqësor” (redaktor i rubrikës islame), Prishtinë; anëtar i redaksisë “Filologji”, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë; anëtar i redaksisë “Përmbledhje punimesh të F.Sh.I., Shkup; anëtar i Akademisë Arabe të Shkencave, Damask; anëtar i Shoqatës për Hulumtime të Kur’anit dhe Hadithit, Kairo; anëtar i Kryesisë së shoqatës kulturore-humanitare “Urtësia”, Prishtinë.

Sekretar: i Shoqatës së studentëve “Përpjekja”, Beograd, 1970-1971; sekretar i Degës së Orientalistikës, Prishtinë; zëvendës-dekan i Fakultetit të Filologjisë, 1997-99, Prishtinë.

Kryetar: i shoqatës së nxënësve të Medresesë “Alauddin” 1965-67; Këshilli nismëtar për ndihma pranë B.I.K., 1990-91; kryetar i Degës së Orientalistikës; kryetar i Shoqatës së Orientalistëve të Kosovës.

Pyetjet

Ju vendosët të shkolloheni në medrese. Shkuat që të bëheni hoxhë, apo për shkak të traditës tuaj fetare familjare?

Për të shkuar në medrese, vendimtare ishte vullneti për dije, veçanërisht për dije islame, e cila në atë kohë shikohej me nënçmim nga sistemi dhe një pjesë e shoqërisë. Kjo atmosferë mua më nxiste edhe më shumë që t’i përkushtohem kësaj fushe. Jo me qëllim që të shërbej në profesionin e imamit, por në shërbim të mbarë opinionit, do të thotë që dëshiroja të bëhem më tepër sesa një hoxhë, si thoni ju, përkatësisht më shumë se një imam i një xhamie. Dhe kjo dëshirë më është plotësuar. Edhe tradita fetare në familje luante rolin e vet, edhe pse para brezit të dhjetë nuk e kemi të qartë përkatësinë fetare.

Përse vendosët të studioni Orientalistikën në Beograd? Çfarë mund të na thoni për atë kohë?

Kryerja e medresesë siguronte kualifikimin vetëm për hoxhë, që sipas konceptit tonë, do të thotë imam i një xhemati. Pasi unë dëshiroja më shumë se aq në këtë fushë, atëherë duhet të thelloja studimet në gjuhë arabe. E vetmja mundësi ishte Orientalistika, sepse për shkak të moshës nuk mund të dilja jashtë shtetit pa e kryer shërbimin ushtarak, dhe nuk mund të merrja pasaportë. Dega e Orientalistikës ishte edhe në Sarajevë, por atje nuk njihej medreseja si shkollë e mesme dhe nuk kisha mundësi të regjistrohesha. Në Beograd nuk e kishim këtë pengesë dhe unë këtu i fillova studimet e gjuhës arabe, pastaj u zgjerova edhe për gjuhën turke, saqë në vitin 1971 u diplomova në filologjinë orientale, që do të thotë kualifikim i barabartë për gjuhën arabe dhe gjuhën turke me letërsitë e tyre, si edhe për letërsi perse.

Orientalistika në Beograd ka një traditë shumë të gjatë, ka filluar nga viti 1926 dhe ajo përvojë ka qenë e dobishme për studentët e kësaj fushe. U regjistruam shumë kolegë që kishim kryer medresenë në Prishtinë, por mbeta i vetëm pasi  kolegët e mi, më të rinj, mundën të merrnin pasaportat dhe shkuan në Bagdad, Irak.

Kushtet për të studiuar në Beograd kanë qenë shumë të mira, kur kemi parasysh se në çfarë kushtesh e kishim kryer maturën. Orientalistika kishte bibliotekën e vet me literaturë profesionale, por ne mund të shfrytëzonim edhe bibliotekat e tjera: bibliotekën e qytetit, bibliotekën Svetozar Markoviç, bibliotekën popullore, madje edhe bibliotekën e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve.

Këtë vit mbushen plot 25 vjet nga përkthimi i parë komplet i Kur’anit në gjuhën shqipe. Kur e filluat konkretisht përkthimin e Kur’anit në gjuhën tonë dhe a ishit i vetëdijshëm për peshën e rëndë që merrnit mbi vete? Të përkthesh një libër siç është Kur’ani është një privilegj i madh, por edhe një përgjegjësi e madhe?

Përkthimin e Kur’anit të Madhërishëm, praktikisht e kam filluar në vitin 1977, pasi mbrojta temën e magjistraturës, e cila si objekt studimi kishte përkthimet e Kur’anit në gjuhën serbo-kroate. Në vitin 1981 botova përkthimin e sures Shu’ara, në revistën Edukata Islame, në Prishtinë, kurse në vitin 1983 dhe 1984 edhe disa sure të tjera në revistën Glasnik VIS, në Sarajevë. Në vitin 1984 e kam kryer përkthimin në tërësi. Kjo do të thotë se gjithsej më kanë shkuar shtatë vjet. Në qershor të vitit 1985 lexuesi shqiptar e merr për herë të parë në duar Kur’anin e përkthyer komplet në gjuhën shqipe.

Kam qenë plotësisht i vetëdijshëm për peshën, përgjegjësinë dhe privilegjin. Të futesh në një pyll kaq të dendur kërkon guxim, sidomos në atë kohë, por duke pasur parasysh faktin se me këtë përkthim pasurimi i kulturës shqiptare islame do ta arsyetojë rrezikun, nuk u hamenda fare. Vetëm All-llahu është i pagabueshëm, e Ai në Kur’an kërkon nga ne që të mos e fshehim atë çfarë u thuhet njerëzve në Kur’an (Sure el-Bekare, ajeti 159), dhe unë vendosa të marr mbi vete edhe përgjegjësinë që më takon.

Kur nisi përkthimi i Kur’anit nuk ishit vetëm ju, por ishin një grup që do duhej ta përkthente librin e shenjtë. Çfarë ndodhi? Pse u ndatë? Do të na e sqaroni këtë për hir të korrektësisë historike, për lexuesit dhe studiuesit shqiptarë?

Kur unë nisa të përkthej Kur’ani Kerimin nuk kishte asnjë grup përkthyesish. Ka pasur vetëm fjalë, që i kam përshkruar në veprën “Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe”. Lidhur me këtë ka nevojë, ndoshta, për sqarime. Në vitin 1981 Shoqata e Ulemave në Prishtinë, në krye me H. Abdullah Zhegrovën ka formuar grupin punues, që ka filluar të punojë për përkthimin e Kur’anit në muajin shkurt të atij viti. Kryetari i grupit punues ka qenë H. Sherif ef. Ahmeti, kurse në grupin punues kam qenë edhe unë, bashkë me kolegët Bajrush Ahmeti, Ismal Ahmedi, Qazim Qazimi, Resul Rexhepi, Ruzhdi Shabani dhe Emin Behrami. Më vonë iu bashkuan edhe Hajrullah Hoxha dhe Avni Aliu. Unë kam qenë deri në vitin 1983 kur dhashë dorëheqje për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes së arritur në ditën e formimit të këtij grupi punues. U tërhoqa për shkak të mospërfilljes së parimeve themelore që duhen zbatuar në projekte siç ishte ky. U tërhoqa që të vazhdoja punën që e kisha nisur vite më parë, punë e cila përkundër marrëveshjes kur unë panova të hyj në këtë grup punues, nuk gjeti mirëkuptim në formacionin e këtij grupi. Grupi punues e vazhdoi punën edhe pas largimit tim. Mirëpo tre vjet pasi u botua përkthimi im, brenda grupit punues dolën në shesh disa parregullsi, madje edhe ndërmjet botuesit dhe kryesuesit të këtij projekti. Puna e atij grupi shkoi edhe në gjygj, për të cilën bëhet fjalë në monografinë “Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe”, Shkup 1996, në revistën “Dituria Islame”, nr. 37/1992, Prishtinë, etj.

Përkthimi juaj pati edhe një botim të dytë që u titullua “Kur’ani dhe hija e tij shqip”. Pse vendosët ta emërtoni kështu përkthimin e dytë? A mendoni se Kur’ani nuk mund të përkthehet në asnjë gjuhë, por përkthehet kuptimi i tij, apo ende i qëndroni mendimit se Kur’ani duhet të përkthehet ashtu si është në origjinal?

Ribotimi i përkthimit tim, Shkup-Stamboll 1999, për dallim nga botimi i parë në vitin 1985, e përmban edhe Kur’anin, sepse ai i pari kishte vetëm hijen, ishte vetëm përkthimi. Përkthimi nuk është Kur’an, është hije e Kur’anit, prandaj me këtë rast është emërtuar ashtu si duhet dhe ashtu si është botuar: Teksti i Kur’anit dhe i hijes së tij janë në proporcion të barabartë. Ky botim nuk e ka tekstin e Kur’anit për dekor por për ta lexuar ai që di të lexojë në origjinal. Po e përsëris se Kur’ani mund të përkthehet, por gjithashtu e përsëris, sepse e kam thënë edhe më parë, se asnjë përkthim nuk është Kur’an. Kur’ani vetëm në origjinal është Kur’an. Ndërkaq për shprehjen “…përkthehet kuptimi i tij” dëshiroj të theksoj se kjo shprehje është formuar gabimisht. Dihet se melodia nuk përkthehet, bukuria e veprës nuk përkthehet, piktura dhe skulptura nuk përkthehen. Këto vetëm sa mund të përjetohen dhe të interpretohen. Arti i shprehur me fjalë edhe përkthehet edhe interpretohet, por edhe përjetohet. Prandaj është e tepërt dhe jokorrekte të thuhet se përkthehet kuptimi, apo siç shprehen disa “kuptimet e Kur’anit”. Kjo shprehje e importuar në gjuhën shqipe është e palogjikshme. Kuptimet, apo domethëniet vetëm mund të komentohen dhe atëherë bëhet fjalë për komentim – tefsir, jo më për përkthim. Përkthimi dhe komentimi janë dy veprime të ndryshme dhe unë kam bërë përkthim të Kur’ani Kerimit, siç kanë bërë shumë të tjerë në gjuhët e tyre. Nuk qëndron konstatimi se Kur’ani nuk mund të përkthehet – vetëm mund të interpretohet. Unë qëndroj fortë në konstatimin se Kur’ani i përkhyer nuk mund të ruajë në tërësi vlerat që i ka në origjinal, prandaj e quaj hije të Kur’anit, por që mund të përkthehet nuk ka diskutim fare. Dhe ky veprim është shumë më korrekt sesa interpretimi i Kur’anit, ku mbizotërojnë mendimet e shprehjet individuale të krijesës njeri dhe që, me pahir, mund të largohet krejtësisht nga origjinali. Tekefundit, përkthimi është edhe interpretim – kushtimisht, kurse interpretimi mbetet gjithnjë vetëm interpretim.

Sot para publikut shqiptar ka disa përkthime të Kur’anit. Si i vlerësoni ato dhe a mendoni se do të bëhet përkthimi i Kur’anit nga një grup shkencëtarësh shqiptarë ekspertë të fushave të ndryshme, pasi që Kur’ani përbëhet nga shumë fusha shkencore?

Është një pasuri e kulturës islame-shqiptare. Secili përthim ka vlerat e veta dhe përmban në vete vulën e shkallës së angazhimit individual dhe kolektiv, por edhe të kohës kur ka ndodhur. Është fakt se Kur’ani ngërthen në vete një mal disiplinash të dijes e të përvojës njerëzore, por sa i përket çështjes së përkthimit prej ndonjë grupi shkencëtarësh shqiptarë, mendoj se është një investim irracional dhe i padobishëm. Nëse është fjala për komentim, atëherë kjo duhet bërë, në radhë të parë, nga ekspertë të fushave të ndryshme në nivel gjithislam dhe gjithëbotëror, jo vetëm te shqiptarët. Kjo në përgjithësi mungon. Pavarësisht se disa manovrojnë me shprehjen tefsirë shkencorë, ata tefsirë janë nga individë të specializuar njëanshëm. Nuk mundet një individ, as dy e tre që të thellohen në tërë disiplinat që ngërthen Kur’ani Kerimi. Unë mendoj se është koha dhe mundësitë që bota islame të mendojë për një projekt të tillë, sepse ka nevojë dhe është e realizueshme, pa i anashkaluar tefsirët aktualë. Kjo do të ishte një punë e dobishme dhe që i bën nder shpalljes hyjnore dhe shkencës.

Sami Frashëri nisi përkthimin e parë të Kur’anit ndër shqiptarët në gjuhën turke. Çfarë u bë me këtë përkthim? A gjendet ai në arkivat e Stambollit? Çfarë mund të bëjnë orientalistët shqiptarë për këtë përkthim, për t’i dalë hakut Sami Frashërit që ishte një njohës i mirë edhe i fushave islame?

Është një çështje me interes shkencor e kulturor, por akoma në fazë të hulumtimit dhe të konfirmimit se çfarë është e vërteta këtu. Janë thënë mendime të ndryshme, njëri prej të cilëve është se pushteti aktual i kohës e ka asgjësuar, e ka djegur, këtë kontribut të Samiut. Nëse është ashtu, mbesin pak gjasa për t’u gjetur nëpër arkiva. Por megjithatë mendoj se edhe shkenca shqiptare, para së gjithash orientalistika shqiptare, nuk duhet të ndalen së hulumtuari përmes kanaleve zyrtare dhe private për të hedhur dritë lidhur me këtë kontribut të Samiut. Kjo do të ishte diçka e jashtëzakonshme, kur dihet se shqiptarët vetëm në shekullin 20 i lënë gjurmët e para në përkthimin e Kur’ani Kerimit në gjuhën amtare.

Publiku shqiptar nuk ka njohuri shumë për Orientalizmin dhe Orientalistikën Shqiptare. Na thoni shkurtimisht, çfarë është Orientalizmi dhe ku dallon Orientalistika Shqiptare nga Orientalizmi?

Në thelb nuk ndryshojnë aspak. Nga fjala latine oriri – të lindësh, orient – lindje, formimi me mbaresat: izam dhe istik ka të bëjë me natyrën e gjuhës ku formohet, prandaj kemi fjalët: oriental; arientalismus, orientalism,  orintalische, orientalistikë, etj., dhe në gjuhën shqipe Orientalistika shpreh disiplinën e cila merret me studimin, njohjen e botës së orientit: Lindjen e Afërt dhe të Mesme. Kryesisht, atë që përfshinë fenë dhe kulturën islame, apo thënë ndryshe, hapësirën e gjuhëve arabe, persiane dhe turke. Kurse me orientalizëm shënohet derivati gjuhësor i ngulitur në gjuhën shqipe, ashtu që elementet gjuhësore arabe, turke dhe perse, që janë bërë pjesë e inventarit të gjuhës shqipe i quajmë orientalizma, për të mos thënë: fjalët arabe, fjalët turke dhe fjalët persane, në të njëjtën kohë. Kjo i takon themelimit të kësaj disipline si disiplinë shkencore në nivel botëror dhe shqiptar. Mirëpo, kohët e fundit, nën ndikimin e koncepteve politike edhe në qarqet kulturore e politike shqiptare ka lëshuar degët e veta termi orientalizëm me domethënie tendencioze për të emërtuar frymën anti-islame. Edhe emërtimin orientalist e përdorin për anti-islamistin, formime këto të dhunshme dhe të pambështetura në themele shkencore dhe përvojën historike të kulturës dhe shkencës botërore. Sa i përket dallimit të termave orientalistikë dhe orientalizëm shqiptar, do të bëja fillimisht dallimin nga orientalistika botërore me orientalistikën shqiptare. Përderisa orientalistika botërore kishte si qëllim të studiojë dhe të njohë kulturën dhe historinë e popujve të Lindjes – orientalistika shqiptare ka si qëllim që të njohë kulturën dhe historinë e vet nëpërmjet historisë dhe kulturës së orientit. Ky është dallimi thelbësor që duhet pasur parasysh. Sipas bindjes dhe përvojës sime orientalizëm shqiptar, siç e përdorin disa në qarqet kulturore shqiptare sot, nuk ka fare. Nuk është mirë që terminologjia fisnike shkencore të përdoret për të shprehur misionarizmin anti-islam.

Ku është orientalistika shqiptare sot?

Orientalistika shqiptare sot qëndron në themele të shëndosha e mbështetur mbi një kapital shumë të fortë profesionalisht të realizuar deri tash, dhe krenare për çfarë ka bërë për këto tri dekada, e pak më shumë. Por ajo sot, për fat të keq nuk është duke përparuar, nuk ka bibliotekë, siç e meriton një fushë studimesh si kjo, nuk ka furnizime me literaturë të nevojshme dhe mjete adekuate teknologjike për të mësuar gjuhën arabe dhe turke – këtu mësohen të dyja gjuhët – sipas standardeve bashkëkohore. Përkundër kësaj, me një mirëkuptim modest nga institucionet kompetente të Republikës së Kosovës, orientalistika vazhdon ta mbajë hapin për ngritje dhe përgatitje të kuadrit të ri shkencor për historinë dhe kulturën e Kosovës dhe atë shqiptare në përgjithësi. Ajo sot numëron të arritura inkurajuese, me disa doktorë shkencash, me një varg të gjatë veprash shkencore e kulturore nga kjo fushë, me një potencial të lakmueshëm hulumtues, por që është në pritje të një përkrahje më të madhe konkrete nga institucionet kompetente me qëllim që të japë kontribut edhe më të madh.

Përse gjithë ky hezitim i institucioneve tona për të bashkëpunuar me Orientin?

Mbase përgjegjësia mund t’i lihet fazës në tranzicion që po kalon Kosova, por kjo zgjati shumë. Është e pashpjegueshme për mua, por edhe e paarsyeshme. Edhe 10 vjet pas çlirimit dhe dy vjet pas shpalljes së pavarësisë, akoma vazhdohet me nivelin e OJQ-ve, madje të reduktuara. Edhe me ato shtete që e kaë pranuar shtetin e Kosovës, akoma nuk kemi lëvizur me asgjë nga aspekti kulturor e shkencor.

Në një punim, kohë më parë lidhur me sektet keni kritikuar edhe institucionet fetare për neglizhencën e tyre. Çfarë mendoni për to dhe si mendoni se duhet të sillemi me to?

Është e vërtetë, i jam qasur kësaj teme – jo aq e lidhur ngushtë me filologjinë orientale, së cilës i përkas unë – me qëllim që të kontribuoj në zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare, kur keqpërdoret edhe faktori gjuhë, i cili shërben për të emërtuar drejtë dukuritë dhe fenomenet shoqërore dhe për t’i trajtuar me seriozitet ato dukuri dhe ato zhvillime. Kam dëshiruar që t’ia tërheq vërejtjen, kjo i takon secilit studiues, të gjithë subjektëve me përgjegjësi në shoqëri, e për temën konkrete duhet në rend të parë që të kyçen institucionet fetare – por jo vetëm këta, duhet që bashkërisht me instrumentet që ka një shoqëri e organizuar, se diçka po ndodh në këtë drejtim dhe ajo çfarë po ndodh mund të jetë rrezik për shoqërinë tonë. Krahas kësaj që kam thënë, do ta them përsëri se këto zhvillime kërkojnë qasje më serioze dhe duhet të sillemi me korrektësi, pa iluzione, me fakte të dorës së parë që mbështeten në burime të pakontestueshme dhe me korrektësi reale.

A mendoni se pas tolerancës së tepërt ndërfetare fshihet ndonjë intolerancë?

Toleranca, edhe ajo ndërfetare, nënkupton një raport të ndërsjellë në marrëdhëniet ndërnjerëzore. Nëse nuk veprohet kështu, atëherë mund të bëhet shkaktar për të inkurajuar, ushqyer dhe kultivuar intolerancën. “Gjella me kripë – kripa me karar!” – thotë populli.

Jeni ndër themeluesit e Partisë së Drejtësisë. Pse u futët në politikë dhe si po ecën partia?

E vërtetë. Kam kontribuar në themelimin e Partisë së Drejtësisë, në vitin 1999, sepse kishte një koncept ndryshe nga partitë e tjera politike që veprojnë në Kosovë, me qëllim që popullit të Kosovës t’i afrojmë një alternativë për të mbrojtur vlerat e  traditës fetare dhe kombëtare. Qëndrova anash për një kohë, por më në fund duhej të aktivizohesha me këmbënguljen e ish-studentit tim Sulejman Çerkezit. Momenti kur u riaktivizova, në vitin 2007, ka të bëjë me tendencat e politikës kosovare që përmes një pragu prej 5% të eliminojë nga skena politike subjektet e vogla politike, ku bënte pjesë edhe Partia e Drejtësisë që asokohe ishte Parti Parlamentare. Megjithëse nuk e kaloi pragun, mbase kam kontribuar edhe unë që PD-ja të ecë përpara. Fakti se ajo tani radhitet në vendin e gjashtë të subjekteve politike në Kosovë dhe fakti se në secilën fazë zgjedhore shënon vetëm ngritje, dëshmon se është një subjekt politik serioz dhe stabil. Pa premtime kuturu dhe me oferta reale ajo kërkon një angazhim të përbashkët për të dalë nga kjo situatë e mjegullt dhe udhëheqje e padrejtë dhe mashtruese. Rrugëtimi i mëtejshëm do të jetë edhe më i suksesshëm ngase dita-ditës populli i Kosovës po vetëdijesohet për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare dhe fetare, program të cilin e gjen në platformën e PD-së.

Keni botuar një varg veprash të ndryshme. Çfarë presin në të ardhmen e afërt lexuesit nga ju profesor?

Shpresoj që së shpejti të shohë dritën leksikoni i hafizëve, në të cilin janë përfshirë rreth 1000 hafizë nga hapësira shqiptare duke filluar nga shekulli 17 e deri më sot. Pastaj janë edhe disa kontribute të tjera, si: ribotimi i teksteve për studentë dhe të interesuar të tjerë për të mësuar gjuhën arabe, bazat e gjuhës arabe, arabishtja pa mësues, për të cilat akoma nuk kemi gjetur ndonjë donator për shtypin, e pastaj shpresojmë edhe për botimin e fjalorit shqip-arabisht dhe ca botime të tjera në fushën e filologjisë, islamistikës dhe historisë shqiptare. Të gjitha këto shumë shpejt mund të bëhet gati dhe të vazhdojnë procedurën e shtypit.

Faleminderit shumë për intervistën.

Intervistoi: Liridon KADRIU

08.01.2010

Prishtinë

/Orientalizmi Shqiptar/


* Akademik Feti Mehdiu është profesor në Fakultetin e Filologjisë – Dega e Orientalistikës, Prishtinë.

** Kjo intervistë është botuar në revistën “URA”, nr. 4, Pranverë-Verë, Tiranë 2010, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com, numër ekskluziv për përkthimin e parë të plotë të Kur’anit në gjuhën shqipe nga Dr. Feti Mehdiu.

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 69 ndjekësve të tjerë

Këtë e pëlqejnë %d bloguesa: