Arkiv

Archive for the ‘Histori orientale’ Category

Në Roshnik, në gjurmë të Qyprilinjve

04/02/2013 Lini një koment

Fatos BAXHAKU

 

NË ROSHNIK, NË GJURMË TË QYPRILINJVE

Fatos Baxhaku

Fatos Baxhaku

Nuk kemi se ç’të bëjmë babuç, rruga është ca e keqe, po do bëjmë si do bëjmë. Deri në Roshnik është vetëm 12 kilometra”. Fitim Mimani, 65-vjeçar, e di thuajse përmendësh rrugën që po bëjmë. Tre-katër herë në ditë bën të njëjtin itinerar: Berat-Roshnik dhe kthim. Ai ka lindur në këtë vend, në “Nahijen e Beratit”, një zonë e gjerë e shtrirë në këmbë të Tomorit madhështor. Eshtë pasardhës i Qyprilinjve të famshëm, familje nga e cila dolën tre vezirë të mëdhenj që qeverisën Perandorinë Osmane në shekullin e ngatërruar XVII. Eshtë i pasionuar pas dy gjërave të vetme, pas fshatit dhe pas historisë së familjes së tij. Eshtë ndër të paktët që është rikthyer në fshat. Ka hapur një iniciativë të vetën majë një kodre të mbushur me vreshta, ullinj dhe fruta. “A s’është gjynah të ikësh që këtu”, bën me shenjë nga arat e mbjella dhe ullinjtë e mbajtur mirë.

Rruga për në Roshnik nis në periferi të Beratit, pak pa vajtur në Uznovë. Një fabrikë e braktisur baterish dhe disa godina, që duken se i kanë takuar ushtrisë, janë ngrehinat e para që lemë pas. Një gjuetar dhe zagari i tij po kthehen nga kodrat. Që të dy nuk duken aq entuziastë. Zagari i lodhur nga udha e gjatë e ndjek pas të zotin që mban mbi shpinë një trastë të zbrazët. Pastaj hasim vetëm furgona që venë e vinë në Berat.

Nga Ura e Bardhë e tutje

Rrugës kemi kohë të flasim me Fitimin mbi historinë e familjes së tij. “Unë e kam ditur gjithnjë lidhjen tonë me Qyprilinjtë. Që i ri dëgjoja copa bisedash të pleqve për këtë punë – nis të flasë Fitimi me sytë e mbërthyer mbi xhadenë që ka nisur të bëhet ca e përpjetë – babai im, Ali Fetah bej Mimani ishte nip te Frashërlinjtë. Ka qenë njeri shumë i dhënë pas vendit të vet. Ishte pjesëmarrës në kryengritjen e 1924, më pas në Kryengritjen e Fierit, ndihmoi sa mundi LANÇL, por në 1946 e futën në burg. Që nga ajo kohë nuk na panë me sy të mirë.

Mbaj mend një herë kur bëhej një aktivitet në fshat kishin ardhur paria e rrethit.

Në radhë të parë ishte edhe babai, si një nga njerëzit e nderuar të fshatit që ishte.

Një nga drejtuesit e atëhershëm dha urdhër ta largonin:

Ç’ma mbani atë këtu, nga ajo derë kanë dalë pesë pashallarë.

Vonë, nga vitet e fundit të jetës, babai më tregoi lidhjen tonë me trungun e Qyprilinjve të Turqisë. Ma ka lënë amanet që kurrë të mos e harroj këtë histori dhe të bëj ç’është e mundur që ta dinë edhe brezat e rinj. Kështu është puna”.

Pastaj Fitimi nis të na tregojë se si ka shkuar një udhëtim i tij në Turqi ku ka parë varret e kushërinjve të famshëm dhe veprat që ata kanë lënë pas për bamirësi, shkolla, biblioteka, vende të shenjta.

Në anë të një përroi Fitimi e ndalon makinën. “Ja këtu ka qenë një urë shumë e vjetër. Ura e Bardhë i thoshin, sepse ishte ndërtuar me gurë të bardhë. Kjo ishte e kohës së Mehmet Pashë Qypriliut. Ky pati bërë shumë për vendlindjen e tij. E prishën kot këtë urë. Vetëm për t’i marrë gurët”. Fitimi mundohet më kot të gjejë ndonjë pjesë të shpëtuar nga ura e vjetër.

Duhanasi është fshati i parë që hasim rrugës. Një avull i lehtë që ngrihet nga arat e porsapunuara kush e di se përse na kujton atë aromën e mirë që mban buka e porsapjekur e fshatit. Në qendër disa të rinj presin me padurim që të vijë furgoni i Beratit. Një kafe në “kasaba” nuk është njësoj si një kafe në fshat. Përballë tashmë kemi Tomorrin e bardhë nga dëbora e porsarënë. Më shumë se një mal na duket si një rojtar i thinjur që e ka mendjen poshtë, atje ku njerëzia mbase bën ndonjë zullum që ai nuk e di.

“Plaku” i lartë nuk do të na ndahet gjatë të gjithë udhëtimit tonë.

“Suzuki” i vogël i Fitimit shmanget ca nga rruga kryesore. “Tani do t’ju tregoj punën time – thotë Fitimi pa e fshehur kënaqësinë – kjo maja e kodrës që shihni është puna ime e fundit. Ka ardhur një ditë edhe Ismail Kadareja. Ka mbjellë një ulli”. Mbërrijmë në majë të një kodre të lartë dhe para nesh shfaqet një panoramë e mrekullueshme. Tomorri i veshur me dëborë, ca më tej Vojniku, një fshat që mban një emër ushtarak (vojnik në sllavisht do të thotë ushtar) dhe ca më tej Roshniku vetë i vendosur në një faqe kodre të butë. Fitimi nis të na tregojë fshatrat e “Nahijes” me radhë: “Gjithë problemi është te rruga.

Po të kishte një rrugë për të qenë kjo zonë do të ishte një thesar i vërtetë. Ja – bën me dorë ai – atje tej është Sazhdani, nga 35 familje dikur tani janë vetëm dy.

Pastaj është Perisnaka, kjo ka pasur 50 familje, tani vetëm dy, në Ferrth kanë mbetur vetëm dy familje, në Kostren po ashtu dy. Ç’t’ju them unë më parë juve? Njerëzia ikën, ikën vetëm nga mungesa e rrugëve”. Fitimi i hedh sytë me trishtim nga vendlindja e tij, pastaj kujtohet:

“Kam një kërkesë, nuk e di se si i keni rregullat tuaja, por unë kam shkruar një poezi atë ditën e tragjedisë së Gërdecit. A mund të ma botoni?”. Nuk kemi se si t’ia prishim kushëririt të Vezirëve të Mëdhenj. Ja poezia e shkruar nga Fitim Mimani, në majën e kodrës përballë Roshnikut:

Mali i Tomorrit përse rënkon/ Lumi i Osumit përse vajton/

Bilbili i kalasë 2400-vjeçare përse nuk këndon/Hallet e popullit po vajton/

Nuk vajton vetëm Tomorri/ Por të gjithë malet me radhë/ Për hallet që ka

Shqipëria vajton gjithë populli shqiptar/ Shqipëri moj nëna ime përse ke

ngelur jetime/Shqipëri moj hallemadhe dhe politikanët me ne përse tallen/

O ju zotërinj politikanë/Qofshi të majtë a të djathtë/ Hiqni dorë nga korrupsioni/

Larg nga hajdutëria se koha ecën përpara?

Kjo është pak a shumë poezia, e cila vazhdon edhe më, për të cilën ndonjë mësues letërsie apo kritik mund të ketë ndonjë mendim të vetin edhe më profesional, por gjithsesi.

Nga shkolla te xhamia

Roshniku është qendra e komunës.

Eshtë një fshat i madh dhe me shtëpi të mbajtura mirë. Fiqtë dhe ullinjtë duket se janë specialiteti i banorëve të këtushëm.

Fitimi na tregon një fik të stërmadh.

“Ky duhet të jetë më shumë se 300-vjeçar – na thotë – këtë lloj varieteti e patën sjellë të parët tanë nga Izmiri. Ku se kanë provuar që ta shtojnë, në Vlorë, në Shkodër, në Tiranë. Në asnjë vend nuk ka zënë vend. Kush e di sepse ky lloj fiku, që jeton shumë gjatë, rritet vetëm këtu te ne”. Ndërsa shohim fikun e lashtë na vijnë ndërmend vitet kur etiketa “Fiq Roshniku” ishte kthyer në një simbol të festimit të Vitit të Ri. Në librat e historisë dhe ndër dokumente Roshniku citohet shpesh me emrin sllav të vjetër “Rudnik”.

Ky term ka dy kuptime: më i mirëfillti është miniera, apo gërmimi dhe kuptimi i dytë do të thotë brinjë mali. Neve na duket më bindës ky kuptimi i dytë.

Fshati është i vendosur mes dy përrenjve në këmbë të Tomorrit, njësoj si një brinjë e vërtetë mali.

“Këtu kanë qenë sarajet e të parëve të mi. U prishën gjatë komunizmit. Tani këtu është shkolla e bashkuar që mban emrin Mehmet Pashë Qypriliu Roshniku”, bashkë me mikun tonë tani jemi në mes të zhurmës karakteristike të një oborri shkolle duke bërë muhabet për histori të vjetra. “Vëllai i gjyshit tim Beqiri, ishte adjutant i Sulltan Abdyl- Hamitit. Ishte nga ajo racë e Qyprilinjve që vazhdonte traditën e të parëve. E ekzekutuan në kohën e Qemal Ataturkut.

Beqiri kishte vetëm dy çupa, Fairenë dhe Merushen e meqë ishte kështu adoptoi një nipin e tij, Luton. Ky u kthye në vendin e origjinës dhe jetoi më pas derisa vdiq këtu. Këta mund të quhen pasardhësit më direktë të Qyprilinjve të parë dhe pas tyre neve. Por fisi është shpërndarë kudo në Berat, Vlorë, Tiranë.

Gjithsej duhet të jemi 45 familje a më shumë”. Drejtori i shkollës, Arif Qato, na pret me përzemërsi. Në një klasë, nxënësit çohen në këmbë kur shohin të hyjë drejtori me ca miq të tjerë. Duket sheshit se nxënësit kanë ftohtë. “Këtu ç’bie jashtë hyn brenda – thotë drejtor Arifi – shkolla u rikonstruktua në 2004, por shikoni se si është. I kam bërë kërkesa komunës e të gjitha instancave të tjera, por askush nuk kujtohet. Tani mësues e nxënës e bëjnë mësimin në shi”.

Nxënësit e mbledhur nga të ftohtët për disa momente na kanë bërë që të harrojmë ato historitë e vjetra me vezirë e pashallarë.

Një tjetër kujtim i kohëve të vjetra është një shtëpi e madhe që të paktën mbahet ende në këmbë. Fitimi na shpjegon se kjo është ndërtuar në shekullin XVIII nga Servet bej Brahimi. Shtëpia, monument kulture dhe dikur muzeu i fshatit tani është një haur i madh. Një gomar i trishtuar, që është lagur ca nga shiu, dhe një dele që zgjat turirin në gardh janë të vetmet qenie të gjalla që takojmë në shtëpinë e vjetër. “Këtu ka qenë çezma e ndërtuar nga Qyprilinjtë, kjo ura mbi përrua është ndërtuar po nga ata. Ja ku kanë mbetur edhe disa gjurmë të kalldrëmit të vjetër. Ky guri i mullirit të vajit, që e kanë futur në mur duhet të jetë i po asaj koha”, Fitimi nuk rresht së kërkuari gjurmë të shkëlqimit të të parëve derisa më në fund kemi arritur para një gërmadhe të rëndë. Eshtë, a më mirë me thënë ishte, xhamia e ndërtuar nga Mehmet Pashë Qypriliu që në 1660-ën. Rrënoja e zgaflluar duket si një objekt fare i harruar në mes të shtëpive të reja. “A e mban mend o Fitim se si i hidhnim hoxhës farë urofi që të shkiste shkallëve?”, xha Beqo Fiska, një shok i fëmijërisë së Fitimit, mjeshtër i vreshtarisë dhe i verës, i është bashkuar grupit. “Si nuk u kujtua njeri xhanëm që ta rindërtonte këtë xhami – psherëtin xha Beqoja – ka lloj-lloj fondacionesh, apo ku ta di unë, dhe askush nuk u kujtua. Nuk e kam se jam besimtar i madh, por ama kjo ndërtesë është pjesë e historisë, jo vetëm e asaj të Roshnikut, por të tërë Shqipërisë”.

Vonë, në të ngrysur marrim rrugën e kthimit në këmbë të Tomorrit.

Mbase jemi duke bërë të njëjtën udhë, që bënte 4 shekuj më parë, një djalë i këtij fshati me mendjen top se do bëhej Kryeministri i fuqisë më të madhe të kohës.

Nga kuzhina në majë të pushtetit

Ai që më vonë do të quhej Mehmet Pashë Qypriliu lindi në Roshnik dikur andej nga fundi i shekullit XVI. Ishte ndër djemtë e krishterë të fundit që rekrutoheshin si jeniçerë sipas sistemit të devshirmesë. Karrierën e nisi si një kuzhinier i thjeshtë oborri. Një boshnjak, Husrev Pasha, çambellan i oborrit të sulltanit, e ndihmoi shqiptarin e ri që të bënte karrierë. Pas një zënke në oborr, Mehmeti i Roshnikut shkon e vendoset në Qypri, një qytet në Anadoll. Këtu martohet me të bijën e sanxhakbeut. Që prej asaj kohe ai do të quhej Mehmet Qypriliu. Kur mbështetësi i tij Husrev Pasha u bë kryevezir, Mehmet Qypriliu u bë për disa kohë aga i jeniçerëve, një post me pushtet të frikshëm.

Para se të bëhej Vezir i Madh, Mehmet Qypriliu ka shërbyer në disa detyra të tjera: kryepolic i tregut (ihtisap aga), mbikëqyrës i depove perandorake të armatimit (tophane naziri), komandant i spahinjve, komandant i rojeve të oborrit të sulltanit, shefi i stallave sulltanore.

Ishte për disa kohë ministër pa portofol. Mori pjesë në rrethimin e Bagdadit dhe për disa kohë shërbeu edhe në Siri si kryetaksambledhës.

Ishte shumë i shtyrë në moshë, kur miqtë e tij, kryeshkruesi i oborrit dhe kryearkitekti (mimar bashi), ky i fundit një shqiptar i njohur me emrin Arkitekt Kasemi, ia mbushën mendjen sulltanit dhe nënës Mbretëreshë se pikërisht Mehmeti nga Roshniku duhej të ishte Veziri i Madh në vitet e ardhshme. Ishte viti 1656, ai ishte në prag të të tetëdhjetave. Ishte nga të paktët njerëz që mund t’i vinte kushte Sulltanit. Vetëm nëse Sulltani nuk do të ndërhynte në emërimet dhe shkarkimet e tij dhe vetëm nëse ai nuk i dëgjonte gojët e liga, që do të nisnin të flisnin keq për të, vetëm atëherë plaku nga Roshniku do të pranonte postin. Sulltani ra dakord. Hapi i parë që hodhi Mehmet Pashai ishte ekzekutimi apo dëbimi i kundërshtarëve të tij politikë. Spahinjtë e Stambollit që guxuan të kundërshtonin u përballën menjëherë me jeniçerët e tmerrshëm. Shumë prej tyre u masakruan. Një ish-kryevezir, Sijavush Pasha, u ekzekutua, sepse nuk kishte pranuar të transferohej në Damask. Udha e pushteti ishte hapur. Tani Mehmeti duhej t’i hidhte sytë jashtë perandorisë, andej nga po mblidheshin re të zeza.

Mehmet Pasha urdhëroi vetë ekzekutimin e admiralit të flotës, një njeriu i tij i afërt, vetëm sepse ky nuk po arrinte që të hiqte bllokadën venedikase nga Dardanelet. Një flotë e re u krijua me njerëz të ardhur nga Afrika. Më 1657, ngushtica e rëndësishme u bë krejtësisht osmane.

Në Transilvani, një vit më vonë, Mehmet Pasha i udhëhoqi vetë tartarët që masakruan me mijëra njerëz në shtypjen e kryengritjes së Gjergj Rakocit. Thuajse në të njëjtën kohë në Anadoll shpërtheu kryengritja e Abaz Hasanit. Me të u bashkuan të gjithë të pakënaqurit nga politika e dorës së fortë të shqiptarit. Trupat kryengritëse arritën deri në portat e Stambollit. Mehmet Pashë Qypriliu u kthye nga Transilvania dhe në fillim u dha gjashtë muaj rrogë ushtarëve. Pas shumë betejash, Kryeveziri e thirri në një “drekë paqeje” Abaz Hasanin, armikun e tij të betuar. Ky dhe shtabi i tij i ngushtë u masakruan pa mëshirë.

Në fund të jetës Mehmet Pasha ishte bërë paranoiak.

Shihte kudo armiq dhe nuk hezitonte të urdhëronte vrasjen e kujtdo, qoftë ky edhe njeriu i tij afërt. Ditën që ai vdiq, më 3 tetor 1661, erdhi nga Damasku ku ishte guvernator, i biri, Fazëll Ahmet Pasha. Ky do të ishte Kryeministri i ri i perandorisë më të fuqishme të kohës.

Fazëll Ahmet Pashë Qypriliu do ta mbajë postin e tij për 15 vjet, deri në 1676. Ndryshe nga i ati, ky ishte i shkolluar. Ai synoi që vendin ta qeveriste me mjete politike duke iu larguar dhunës dhe terrorit që kishte ushtruar i ati, Mehmet Pasha. Ku austriakët ndërhynë në Transilvani Fazëll Ahmet Pasha bëri gati ushtrinë kolosale. Ai vetë ishte kryekomandant i saj. Një betejë e përgjakshme u zhvillua në Shën Gotard. Me sa duket nuk kishte as fitimtarë dhe as humbës. Në gusht 1664 u nënshkrua paqja me Austrinë. Pesë vjet më vonë trupat osmane pushtuan Kretën. Në këmbim të pozicionit të saj neutral Fazëll Ahmeti i njohu Francës të drejtën e kombit më të favorizuar në tregti në trojet e Perandorisë Osmane. Në vitet 1672-1677, Fazëll Qypriliu u angazhua në drejtimin e luftës kundër Polonisë për pushtimin e disa territoreve të Ukrainës.

Më 3 nëntor 1676, Fazëll Ahmet Qypriliu vdiq papritur. Ishte një vdekje e pazakontë.

Trupi i tij ishte stërmbushur me ujë. Vendin e tij e zuri i vëllai nga nëna, Kara Mustafa Pashë Qypriliu. Ky është i njohur në historinë e Perandorisë Osmane sepse drejtoi fushatën kundër Rusisë, e cila u mbyll me paqen e Bahçserajit në janarin e 1681. Kara Mustafait iu desh të udhëhiqte rrethimin e Vjenës në korrikun e 1683. Me gjithë plaçkën e luftës kolosale të grumbulluar, kjo fushatë ishte një dështim. Sulltani e shkarkoi Mustafa Pashë Qypriliun. Pak ditë më vonë në Beograd atij iu pre koka.

Historia e Qyprilinjve nuk është më aq e lavdishme sa më parë derisa në fillim të shekullit XX, një tjetër pinjoll i tyre, Fuad Qypriliu, njeri i letrave dhe politikan, bëhet zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i Turqisë. Thuhet se pikërisht ky ishte iniciatori i qëndrimit proshqiptar të Turqisë në anëtarësimin e Shqipërisë në OKB.

Marrë nga linku: http://www.gazeta-shqip.com/reportazh/7d081dead1cc0be38a05ac0306497a56.html

Historia katërshekullore e zemrës së Gjakovës

12/11/2012 Lini një koment

Gazmend DOLI

HISTORIA KATËRSHEKULLORE E ZEMRËS SË GJAKOVËS

Ecja nëpër kohë e Çarshisë së Madhe

Ezani i myezinit  kumbon.  Është vakti i namazit të xhumasë,  e besimtarët  thirren në xhaminë e Hadumit për të kryer obligimin fetar.

Që kur Bizeban Sulejman Efendia, i njohur si Hadum Aga, e ndërtoj këtë objekt  fetar islam, ndërmjet viteve 1594/95, kjo zonë në perëndim të Kosovës ka ndryshuar.

Deri atëherë vendi kishte shumë pak shtëpi dhe njihej si një fshat dhe qendër pazari. Xhamia e Hadumit  është objekti i parë dhe  më i rëndësishëm në këtë kompleks edhe sot e kësaj dite. Nuk ka asnjë i huaj që nuk ndalet në këtë vend. Aty është qendra e Çarshisë së Gjakovës.

Me ndërtimin e këtij objekti fetar, nisën njëra pas tjetrës  të ndërtohen edhe objekte të tjera fetare, hane, shtëpi banimi, dyqane, për t’u përthekuar si një kompleks, i cili më vonë do të marrë emrin Çarshia e Madhe. Sot njashtu si dikur ajo identifikon qytetin e Gjakovës.

Xhamia e Hadumit – Gjakovë

Ky kompleks do të bëhej një qendër e rëndësishme pazari, zanatit, por edhe një kompleks më i madh kulturoro-historik në mbarë vendin. Ajo  po mbijeton edhe sot, edhe pse ka kaluar dhe po kalon nëpër sfida të ndryshme të kohës. Ajo disa herë është djegur, duke përfshirë edhe luftën e fundit.

Sfida e fundit: projekti i komunës së Gjakovës për revitalizimin e saj, i cili bëri bujë fillimisht tek ata që “jetojnë” me këtë kompleks dhe më pas tek ata që kërkojnë të mos preket autenticiteti i saj. Pa e pyetur fare Ministrinë e Kulturës që e ka në mbrojtje edhe këtë kompleks-komuna kishte nisur zëvëndësimin e kalldremit me pllaka mermeri. Punimet janë ndërprerë, por Çarshia me shekuj fsheh mijëra histori.

Gjakova e shekullit XVI

Çarshia  e Madhe është vendi  ku janë zhvilluar shumë ngjarje të rëndësishme në periudha të ndryshme kohore, ndërsa brenda  saj kanë vepruar shumë personalitete të njohura. Objekte të rëndësishme që lidhën me fenë, historinë, zanatin dhe kulturën e vendit gjenden në këtë kompleks, prej disa hektarësh në qendër të Gjakovës.

Sipas historianit Masar Rizvanolli  kjo çarshi paraqet një thesar të vërtet kulturoro-historik. “Në kontestin e përgjithshëm, sipas ekspertëve të huaj, kjo pjesë paraqet një begati kulturore që e kanë pak popuj”, thotë  Rizvanolli. Në llojin e saj, sipas tij,  ajo paraqet një ansambël kulturo-historik unikat me dimensione të rralla”, shton më pas profesor Rizvanolli.

Para disa viteve Rizvanolli  ka bërë një studim për këtë kompleks i cili nis nga Ura e Islam Begut dhe përfundun në lagjën Mulla Jusuf.

“Çarshia  ka lindur me paraqitjën e zejtarëve të parë. Lindi atëherë kur Gjakova fitoj statusin e kasabasë, kur më 1594-95 Sulejman Hadim Aga vakëfoi disa objekte publike që i ndërtoj vet, si xhaminë e Hadumit, një mejtep, një  bibliotekë, një hamam, një han dhe disa dyqane”, tregon Rizvanolli për fillet  e Çarshisë.

Por të dhënat e para për këtë vend  nuk janë përshkruar nga vendasit, por  nga kronisti turk  Evlia Çelebiu,  që ka vizituar  Gjakovën më 1662.  Në bazë të përshkrimit të tij, “Gjakova i ka dy mijë shtëpi të stolisura që ndodhen mbi një fushë të gjërë. Ka dy xhami të bukura, mesxhide (xhami të vogla), hane të mbuluara me plumb. Ka një hamam të bukur që të kënaqë zemrën dhe nja treqind dyqane të ndryshme, të mbushura me mallra e me njëmijë lloj mjeshtrish. Meqë e ka klimën e këndshme, banorët janë të bukur dhe të dashur”.

Çarshia e Madhe e Gjakovës

Çarshia e Madhe sot  pas disa shekujve është  një kompleks e cila numron mbi 500 dyqane,  shumë objekte të tjera, kulturore, fetare e  të zanatit. Më sakt në këtë zonë prej disa hektarësh, gjenden objektet më të rëndësishme,  historike e fetare të Gjakovës.

Përveç xhamisë së Hadumit, ndër më të mëdhat në vend, në këtë zonë gjenden edhe Teqeja e Madhe, ajo e shejh Eminit, Teqeja (Gjyshata) e Bektashinjëve, Medreseja e Madhe, por edhe objekte të tjera të rëndësishme,  që për disa shekuj kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e gjakovarëve dhe rrethinës, si  në edukimin  dhe mirëqenien e tyre.

Mexhid Yvejsi një studius i feve, thotë se prezenca e objekteve fetare në këtë zonë – përveç prehjes shpirtërore, qytetarët e çdo moshe, gjinije, që i frekuentojnë, zhvillohen, lartësohen nga ana morale, shoqërore, edukative, kulturore, këto objekte fetare-kulturore i kanë sjell edhe të mira materiale për qytetin e Gjakovës. “Sepse gati çdo javë,  mos me thënë çdo ditë, vizitohen edhe nga vizitorë, përveç Kosovës, edhe nga vend të tjera. Disa herë personalisht kam qenë shoqërues e përkthyes i delegacioneve, turistëve nga Italia, Gjermania, Franca, Anglia, Turqia, Amerika, Izraeli etj., Pa një drekë, pa një darkë, pa ndonjë dhuratë, suvenire, petka kombëtare apo fetare, pa ndonjë buejtje nëpër hotele, asnjë nuk është larguar”, tregon Yvejsi.

Historiani Rizvanolli thotë se, meqë teqetë më interesante dhe xhamia e Hadumit përfshihen në kuadër të Çarshisë, atëherë ne duhet të sigurojmë një qasje sa më tërheqëse në të për turistët e huaj dhe të vendit”.

Çarshia e Madhe-muze i gjallë

Por Çarshia e Madhe e Gjakovës, sipas Mexhid Yvejsit,  përveç këtyre monumenteve, kishte e  ka edhe  shtëpi e dyqane karakteristike, është një muze i gjallë, që me arkitekturën e vaçantë, ku shprehej një fuqi krijuese e mjeshtërve vendas, mahniste kronistët e kohës, mahniste vizitorët e ndryshëm dhe frymëzonte ekspertë të lëmive të ndryshme”.

“Çarshia e Madhe e Gjakovës me Xhaminë e Hadumit, bibliotekën, mejtepin, me qindra shtëpi e dyqane, me Medresën e Madhe e Teqen Bektashiane, ishte jo vetëm qendër kulturore, fetare, historike, shoqërore, arsimore, edukative e politike, por ishte edhe qendra kryesore, më e fuqishmja, ekonomike e qytetit”, shton më pas ai.

Hani i Haraçisë, është një prej objekteve më të bukura të këtij kompleksi që ekziston edhe sot e kësaj dite.

Ai është një nga objektet më të vjetra. “Hani është simbol i qytetit tonë i cili përfaqëson denjësisht të gjitha karakteristikat e qytetit të Gjakovës, thotë Ali Haraçia trashëgimtar i këtij objekti të vjetër i cili gjendet shumë afër xhamisë së Hadumit. Sipas Haraçisë kronistët e huaj kur kanë vizituar janë shprehur se Hani është kryevepra e Çarshisë së Madhe. Në bazë të gojëdhënave thuhet se shumë karavane  kanë kaluar nëpër këtë Han, pasi Gjakova ka qenë një rrugë tranzite për në Shqipëri. Por ky objekt i cili është renovuar  tërsisht më 2004, më shumë luan rolin e një restoranti i cili ofron ushqim autokton tradicional.

Por në Çarshinë e Madhe të Gjakovës, që prej themelimit, ushtroheshin dhjetëra zeje të ndryshme, duke filluar nga armëtarët, argjendarët, kazangjinjtë, lëkurëpunuesit, rrobaqepësit, zhgunaxhinjt, qëndistarët, zdrukthëtarët, kazazët, qeleshepunuesit, gërçakxhinjtë, saraçët, opingaxhinjtë, cergaxhinjtë, çibukxhinjtë. Shumica prej tyre tashmë kanë pushuar aktivitet.

Pjesë e objekteve që kanë shërbyer në të kaluarën nuk ekzistojnë, por disa  të tjera janë rikthyer. Ta zëmë në këtë kompleks jo sikur në të kaluarën, nuk ekziston hamami. Por  me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, në vitet e fundit tri objekte brenda këtij kompleksi janë ndërtuar dhe renovuar, sikur ta zëmë Sahat Kulla, Mejtepi Ruzhdie, objekti i shkollës së parë shqipe, apo objekti i  tabakëve. Ky i fundit që prej ndërtimit më shumë po shërben si kafehane.

Por Çarshisë po i mungon prej viteve mungesa e bizneseve. Çdo ditë e më shumë  dyqanet e saj karakeristike  të punuara  nga druri po mbyllen. Në  vitet e fundit janë shuar edhe shumë zeje. Kjo situatë ka ardhur sidomos pas luftës së fundit.

Gëzim Kika, një rrobaqepës, i cili në këtë kompleks  por punon  që në moshë të re, mendon se kjo pjesë akoma është e rëndësishme edhe përkundër që  atraktiviteti i zonës nuk është më sikur dikur. Ai thotë se nuk e ka ndërmend të largohet, duke pritur ditë më të mira në bisnesin e tij. Ai bënë krahasimin në mes viteve  si i ri dhe tash si një mesoburrë. “Sot as për së afërmi kjo zonë nuk e ka namin që e kishte dikur”, thotë Kika. Çdo zejtar ka punuar  para disa viteve nuk ka pasur nevojë të bënte një punë tjetër. Por jo sot”, shton ai.

Botuar në gazetën ”KOHA Ditore” , faqe 26, Prishtinë, 10 Nëntor  2012

Në fotografi: XHAMIA E HADUMIT NË GJAKOVË, THEMELUAR ME 1594 DHE ÇARSHIA E MADHE E GJAKOVËS

Shqiptarët që dikur sundonin Irakun

03/08/2012 Lini një koment

Fatos BAXHAKU

SHQIPTARËT QË DIKUR SUNDONIN IRAKUN

Fatos Baxhaku

Guvernatorë, ushtarakë, klerikë, madje edhe histori dashurie ndriçojnë një lidhje të vjetër me zonën e trazuar.

Iraku, vendi i Babilonisë së lashtë dhe vendi i përplasjes së madhe mes dy pjesëve të mëdha të muslimanëve: mes sunitëve dhe shiitëve. Të parët, politikisht kanë pasur gjithnjë në krah Perandorinë Osmane, të dytët mbretërit e Iranit. Nga ky konflikt sikurse edhe tani kanë gjalluar konflikte të ashpra, gjakderdhje, mërira e luftëra. Që në kohë të herëshme shqiptarët kanë qenë protagonistë në këtë lojë të ashpër, me të cilën i lidhte vetëm një gjë: dëshira për t’i shërbyer ushtarakisht një fuqie të madhe. Aty nga 1508, Shahu i Persisë, mbrojtës i madh i shiitëve, Ismail-al-Safavi pat shtënë në dorë një pjesë të mirë të Irakut Verior, gjë që e pat shtyrë Sulltanin e atëhershëm, Selimi I të drejtonte një ekspeditë të madhe ushtarake për të rivendosur pushtetin e tij. Një nga komandantët më të suksesshëm të fushatës është një i quajtur AHMET PASHË DUKAGJINI. Letërsia arabe përshkruan gjërë e gjatë se si Dukagjini, i bërë mosleman, i drejtoi trupat osmane drejt fitores në Çalldiran në 1514. Fitorja ishte e rëndësishme. Aventura e shqiptarëve në troje të Irakut kishte nisur mirë.

Nga 1544 deri në 1548 në krye të Irakut ishte shqiptari AJAZ PASHA. Sikurse ndodh shpesh për gjithë të mëdhenjtë pavarësisht nga koha, Ajaz Pashës i janë kushtuar shumë poezi, ku sigurisht ai rrëfehet si njeri tejet bujar.

Vite më vonë, Porta e Lartë dërgoi në Bagdad një tjetër shqiptar, NASUH PASHËN. Njësoj si në historinë e Skënderbeut, valiu i ri shqiptar i Bagdatit, mësoi se qyteti i kishte rënë në dorë një vendasi falë një fermani të falsifikuar. Nasuhu nuk pati edhe aq fat në një betejë që u bë mes dy rivalëve në afërsi të Bagdadit. Iku i plagosur rëndë për në Stamboll, porse i ndihu fati dhe u bë, si shumë shqiptarë të tjerë, Vezir i Madh, pra Kryeministër, pasi qe martuar më parë me njërën prej vajzave të shumta të Sulltanit.

Historianët arabë ende i përmendin bëmat e disa komandantëve shqiptarë në vitet që pasuan. Në 1626 Tikriti, vendi i origjinës së Sadam Hyseinit, ishte ende në duart e persëve, të cilët e kishin pushtuar disa vjet më parë. Një shqiptar, OMER PASHA, luftoi në krye të një grushti njerëzish me një ushtri shumë herë më të madhe. Omer Pasha, komandanti, ishte i vetmi që shpëtoi nga masakra që pasoi. Legjenda thotë se e shpëtoi kali i tij i shpejtë. Ca vjet më vonë historia përsëritet. Tashmë është Ahmet KUÇUK PASHA, edhe ky shqiptar në shërbim të Sulltanit, që komandon trupat turke në betejat rreth Tikritit. Si e pa që nuk kishte shpëtim atëherë u ul dhe nisi t’i falej Allahut. Sigurisht që njëri nga ushtarët persë ia preu kokën dhe e dërgoi në Teheran. Shahu në shenjë respekti lejoi që koka e prerë e Ahmet Kuçuk Pashës të varrosej në një teqe në Damask, në Siri. Pashai plak e kishte menduar edhe këtë. Vite më parë kishte ndërtuar një vend të shenjtë për vete.

Nga fundi i shekullit XVII presioni i ushtrive iraniane gati sa se bllokoi ekonominë në Bagdad. Porta e Lartë u alarmua. Bllokimi i ekonomisë në këto anë donte të thoshte trazira edhe në vendet arabe fqinje. Sërish na shfaqet një shqiptar. Ai është ABDURRAHMAN PASHA, i cili u caktua vali i qytetit.
Abdurrahmani ishte njeri i drejtë. Ai nuk lejoi që nënpunësit të vidhnin në kurriz të popullit, liroi njerëzit nga taksat abuzive dhe arriti të sjellë normalizimin e tregut. Në historinë e Irakut shqiptari me emrin Abdurrahman mbahet mend edhe për dashamirësinë e tij ndaj poetëve dhe artistëve të tjerë, ndonëse nën zë thuhet se ai e kishte një çikë qef verën. Një xhami e ndërtuar prej tij ka qenë në këmbë deri vonë në Bagdad. Ajo quhej Maruf-al-Karhi.

Shqiptarët e kishin fort për zemër Irakun, madje aq për zemër saqë të arrijnë të themelojmë një dinasti shqiptare në krye të Bagdadit. I pari i kësaj dinastie shqiptare në zemër të Arabisë ishte dibrani HASAN PASHA, i cili nisi punë në këto anë në 1704. Hasani e nisi punën duke emëruarar djemtë e tij ndër provinca, duke kërkuar kështu bashkimin e njësive të coptuara irakene në një vilajet të vetëm. Më pas, duke u mbështetur në një ushtri të re krejt të reformuar, Hasan Pasha nga qëndrimi në mbrojtje ndaj iranianëve, i hyri detyrës së vështrië që të sulmonte. Nuk arriti ndonjë sukses të madh, megjithëqë kishte arritur të depërtonte në Iran. U varros me nderime të mëdha në Bagdad në vitin 1724. Thonë se në kryeqytetin iraken emrin e tij e mbajnë xhami e emra lagjesh.

Vendin e Hasan Pashës e trashëgoi i biri, AHMET PASHA, një i ri ambicioz, i cili e kishte ndarë mendjen të vazhdonte udhën e të atit. Ahmeti vazhdoi të sundonte deri aty afër fundit të shekullit XVIII. Pas kësaj dinastia shqiptare në Bagdad u përfshi nga një stuhi rëre, gjatë së cilës emrat e sundimtarëve vazhduan të zëvendësohen me ritme të shpejta.

Duhej të kalonin disa vite të trazuara derisa shqiptarët të shfaqeshin perseri në krye të Irakut. SYRI PASHA, vali nga 1899 – 1890, ka hyrë në historinë e Irakut si ndërtuesi i një dige të rëndësishme dhe si mbrojtës i madh i poetëve. Sipas historianëve vendas Syriu futi në veprim edhe një ide tjetër, atë të ndihmës shoqerore per të varfërit dhe vejushat. Syriu u dha udhë një veprimtarie me tradita në lëmin e poezisë.

I fundmi i dinastisë shqiptare në Bagdad ka qenë ABDULVEHAB PASHA, që qëndroi në rolin e valiut vetëm një vit. Për të dihen pak gjëra, nëse përjashtojmë ndonjë poezi oborri që servilat e kanë shkruar me zell për të.
Era e re kishte nisur të frynte gjithandej. Nuk kishte më nevojë për njerëz të luftës, a më mirë me thënë kishte nevojë për një luftë ndryshe.

Një tjetër shqiptar i shquar i ka njohur mirë këto anë. EQEREM BEJ VLORA, pinjoll i Vlorajve të famshëm, një nga mendjet më të mprehta shqiptare të dy shekujve të fundit, e ka rrëfyer në mënyrë brilante përshtypjet e tij në Irak e rrethinë. Në 1904, Eqerem Beu ishte një nënpunës i ri i Ministrisë së Jashtme të Stambollit. Bashkë me diplomatë të tjerë inspektonte asokohe hekurudhën e Hexhazit, atë që quhej një lloj paraleleje e Kanalit të Suezit, një arritje e madhe për kohën, njësoj si koridoret tona të sotme. Sytë e lodhur nga peisazhi, i mbuluar nga rëra e verdhëllemtë, i kanë shndëritur të riut shqiptar kur ka parë të kalëronte mbi një mëzat të zi arab një vajzë të re elegante. Diku andej nga Siria, në kufi me Irakun, zë fill kjo histori nostalgjie më shumë se sa dashurie. I riu shqiptar desh la mëndtë kur pa atë vajzë të re arabe që bashkë me të tjerët i bënte respektet e duhura sipas rregullave të shkretëtirës. Mësoi sakaq se perria e shkretëtirës ishte vajza e njërit prej krerëve lokalë, në çadrën e të cilit kishte bujtur. Dhe atëherë beu i Vlorës përmbahet, porse nuk mund të heqë dorë nga simpatia e tij. Nxjerr nga brezi pistoletën e tij, një Mauzer, i cili në atë kohë vlente sa qimet e kokës, dhe ia zgjat vajzës së re. Vetë Eqerem Beu rrëfen se u çudit pa masë kur pa se në këmbim vajza i kishte dhuruar mëzatin e saj të racës së pastër të kulluar arabe. Ndonëse të dy të rinjtë fati i përplasi në cepa të ndryshëm të Botës, mes tyre u lidh një letërkëmbim që do të vazhdonte gjatë.

Marrë nga Gazeta Panorama, 8 Tetor 2003.

Mehmet (Muhamed) Ali Pasha themelues i Egjiptit modern

14/07/2012 Lini një koment

Prof. dr. Beqir ISMAILI

 

MEHMET (MUHAMED) ALI PASHA THEMELUES I EGJIPTIT MODERN

Prof. dr. Beqir Ismaili

Prof. dr. Beqir Ismaili

Me rastin e 200 vjetorit të ardhjes së Mehmet Ali Pashës në Egjipt, më 12 Maj të 2005, në ambjentet e agjensisë së informacionit “Alba Press” në Kairo, u mbajt një tryezë historike me temë “Mehmet Ali Pasha, themeluesi i Egjiptit modern”. Përveç të tjerëve, në këtë tryezë ishin të pranishëm dhe personalitete të historisë dhe kulturës egjiptiane si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Kairo. Me këtë rast, Prof. Dr. Beqir Ismaili bëri një rezyme të shkurtër të jetës dhe veprës së Mehmet Ali Pashës, duke vënë theksin në madhështinë e kësaj figure të ndritur të historisë shqiptare.

Mehmet Ali Pasha, ky pinjoll i trojeve shqiptare, i njohur me emrin Muhamed Ali Pasha, është një nga bijtë më të shquar që ka nxjerrë toka shqiptare në historinë e saj.

Mehmet Aliu ka lindur me 1769, në një familje shqiptare. Pasi u mor për një farë kohe me tregëti nëpër Çamëri, vendosi të bashkohet me ushtrinë shtetërore Osmane.

Mehmet Aliu nuk e kishte arsimim e duhur ushtarak. Ai mësoi shkrim dhe lexim, me shumë vështirësi, në të dyzetat e tij, por ai shquhej për aftësinë e tij në planifikim dhe mprehtësi mendimi në zgjerimin e kulturës dhe ardhmërisë së vendit që ai udhëhiqte. Mehmet Aliu ishte një njeri i mençur dhe largpamës, gjë që i mundësoi atij të bëjë karrierë në ditët e mëpasme të jetës.

Me ardhjen e forcave pushtuese franceze në Egjipt në 1798, Perandoria Osmane, në krye të së cilës ishte Sulltan Selim Khan, djali i vëllait  të ish Sulltan Abdul Hamidit, që ndërroi jetë më 1796, filloi të përgatisë kundërsulmin për dëbimin përfundimtar të francezëve nga Egjipti. Për këtë qëllim u thirrën ushtarë vullnetarë nga e gjithë Perandoria. Nga viset shqiptare u grumbulluan disa mijëra vullnetarë ku vetëm nga zona e Kavallës u paraqitën treqind ushtarë vullnetarë shqiptarë, të stërvitur dhe të paisur me armatime dhe të gatshëm ti përgjigjeshin thirrjes për luftë, në çdo moment.

Njësia ushtarake shqiptare, e cila udhëhiqej nga Ali Aga, filloi të lëvizë nga trojet shqiptare në drejtim të njërës prej bazave ushtarake detare në Detin Egje. Në këtë port, ishin në pritje anije të shumta ushtarake dhe disa anije të tjera, të ardhura nga anë të ndryshme të Perandorisë, të mbushura me materiale të nevojshme për këtë ndërmarrje ushtarake.

Pak para mbërritjes së forcave osmane në Egjipt, Ali Aga e pa të pamundur të vazhdonte të drejtonte formacionin shqiptar dhe për këtë arsye ia dorëzoi komandën Mehmet Aliut.

Pas përpjekjeve të shumta luftarake me francezët, ushtria osmane më në fund arriti t’a çlirojë Egjiptin nga zgjedha Bonopartiste. Formacioni shqiptar i udhëhequr nga Mehmet Aliu luajti një rrol shumë të madh në këtë luftë.  Falë strategjisë së përdorur nga komandanti shqiptar, francezët u shpartalluan dhe u larguan përfundimisht nga vendi.

Pas mposhtjes së francezëve, forca të shumta të cilat kishin qëllime kontradiktore, u orvatën të merrnin në dorë sundimin e këtij vendi. Këto forca i shpallën luftë njëra – tjetrës duke luftuar secila për llogari të vet.

Fuqia më e madhe ishte Shteti Osman, i cili e udhëhiqte Egjiptin që prej tre shekujsh dhe dëshironte që ky vend të mbetej në duart e tij.

Një tjetër fuqi me synime ndaj Egjiptit ishin anglezët, të cilët gjithmonë kishin qenë të gatshëm të ishin prezentë në këtë vend. Për këtë arsye anglezët po bënin të gjitha përgatitjet për t’a okupuar Egjiptin, për tia arritur kështu qëllimit që nuk nuk mundën t’a arrinin gjatë kryqëzatave. Britania kishte për qëllim që me pushtimin e Egjiptit t’i hapte rrugë vetes në Detin e Kuq dhe në Detin Mesdhe e të siguronte kështu mbizotërimin e saj në vijën kryesore bregdetare e prej këtu të lidhej me Indinë.

Pretendues për sundimin e Egjiptit ishin dhe mamlukët (feudalët vendas), të cilët në realitet vepronin sipas pëlqimit të osmanllinjëve.

Pas çlirimit të Egjyptit dhe mosmarëveshjeve të ndryshme civile, më në fund në vitin 1805, Muhamed Aliu me propozimin e Sheikhut të Al-Az’harit- udhëheqësi më i lartë fetar në vend, njëkohësisht dhe Rektor i Universitetit më të madh dhe një nga më universitetet më të vjetër të botës, mori fermanin nga Sulltani për t’u bërë Guvernator i Egjiptit dhe njëkohësisht iu dha titulli “Pasha”. Në 1805, zë fill dinastia shqiptare e zotërimit të Egjiptit. Mehmet Ali Pasha, shqiptari reformator, iu përvesh punës për modernizimin e vendit të Nilit. Krejt i pavarur, në luftë me të gjithë, madje edhe me sulltanët, Muhamed Aliu arriti deri në portat e Stambollit.

Koha e Mehmet Alit u shqua si kohë e fitimit të betejave të shumta, ushtarake dhe ekonomike. Mehmet Ali Pasha, me zgjuarsi dhe strategji të rrallë arriti të shuajë shumë mosmarrëveshje mes mamlukëve dhe osmanlinjve.

Këto arritje të Muhamed Aliut nuk i shkuan për shtat atyre që donin të ishin  dominues të Egjiptit, anglezëve, të cilët të penduar për tërheqien e tyre nga Egjipti vendosën në 1807 të riktheheshin përsëri. Duke përdorur politikat e tyre dhe duke shfrytëzuar tradhëtinë e disa udhëheqësve mamlukë që, nuk posedonin aspak atdhedashuri dhe kulturë dhe që interesat e tyre personale i kishin më të shtrenjta se vendi dhe populli i tyre, anglezët provokuan një kryengritje të cilës i printe admirali Frizer. Ofensiva nuk vazhdoi shumë, por u zmbraps me dy sulme në Aleksandri dhe Reshidë. Duke mos pasur rrugëdalje tjetër, Frizeri u largua nga deti.

Mehmet Aliu e priti me keqardhje të madhe tradhtinë e mamlukëve. Për të vënë në vend nderin e nëpërkëmbur të Egjiptit, në Mars të 1811-ës ai i thirri prinjësit tradhëtarë “të penduar” mamlukë, në një darkë në kështjellën e tij. Qëllimi i  tij i vërtetë ishte, të lante hesapet një herë e mirë me mamlukët. Dhe është pikërisht kjo darkë që shënon fundin e mamlukëve në Egjipt. Ai e shpartalloi përfundimisht udhëheqjen e mamlukëve dhe bëri ankeksimin e forcave mamluke në rradhët e ushtrisë së tij, duke hapur me këtë veprim një faqe të re në historinë e  Egjiptit.

Mehmet Aliu ishte largpamës dhe ambicioz. Ai ëndërronte të themelonte një perandori të gjerë. Që në momentin e marrjes në dorëzim të fronit ai e kuptoi se që Egjipti të shkonte përpara, duhej të bashkohej. Kështu ai punoi e luftoi gjithë kohën për t’ia arritur këtij qëllimi. Ndërkohë ai i zgjeroi kufinjtë e pushtetit të tij deri në Kerdefan dhe Nubeh dhe në 1821-1823 themeloi Hartumin, kryeqytetin e Sudanit të sotëm.

Pas zgjerimit të kufinjve filloi të ashpërsojë qëndrimin e tij ndaj Portës së Lartë në Stamboll dhe filloi të distancohet nga osmanët. Djemtë e tij ishin përkrahësit e tij kryesorë. I biri, Ibrahim Pasha, që në shpejtësi të madhe kishte pushtuar Sirinë dhe kodrat e Turusit, nuk u mjaftua me kaq por depërtoi në Azinë e vogël drejt Stambollit. Në të njejtën kohë Muhamed Aliu kërkoi të rriste epërsinë e tij të mëtjeshme të kufijve depërtues në Siri në mes dy lumenjve, e me këtë rast dëshironte të depërtonte deri në Bagdad në mënyrë që të hapte rrugët e tregëtisë me Indinë.

Në 1824, Sulltan Mahmudi i II-të, i cili nuk mundi të shtypte kryengritjet e grekëve, thirri në ndihmë Mehmet Aliun. Ky i fundit, caktoi djalin e tij Ibrahim Pashën, në krye të ekspeditës kundër grekëve, i cili arriti t’i shuaje dhe t’i shtypë revoltat në Greqi. Si shpërblim të kësaj fitoreje, Sulltani e emëroi Mehmet Aliun Guvernator të Kretës.

Triumfi dhe epërsia e ushtrisë së Mehmet Aliut nuk i shkoi për shtat Shtetit Osman dhe fuqive Europiane, të cilëve u cënoheshin kështu interesat e tyre në rajon e më gjerë. Për këtë arsye, në Korrik të vitit 1840, u grumbulluan në Londër kundër Mehmet Aliut. Ato vendosën që Egjipti të rikthehet në kufijtë e vjetër, të jetë pjesë e Shtetit Osman dhe t’i paguaj haraç vjetor Sulltanit, ushtria të mos numërojë më shumë se 18.000 trupa si dhe të mos prodhojë shpata apo armë luftarake.

Për të qetësuar Mehmet Aliun dhe për ti dalë përpara mundësisë së reagimit nga ana e tij, ato e shpallën Mehmet Aliut zëvendës mbret të Egjiptit dhe të drejtën e trashëgimisë së fronit mbretëror, ia kaluan pjestarëve meshkuj të familjes së tij.

Arritjet e Mehmet Aliut janë të shumta dhe i përkasin fushave të ndryshme. Përveç suksesit në strategjinë ushtarake, ai konsiderohet i pari moderator i botës Islame. Ai ishte i pari që ndërtoi sisteme moderne shtetërore për vendet që udhëhoqi, futi në përdorim shtypshkronjën, ndërtoi fabrika, projektoi dhe realizoi furnizimin me ujë të Aleksandrisë nga krahina Mahmudie, etj. Krijimi i Egjyptit si shtet, modernizimi, ndërtimi i qyteteve, qendrave tregtare, industriale etj, bëri që në Egjipt të fillojë epoka e lulëzimit, lirisë dhe pavarësisë. Kjo i dha mundësi Egjiptit  të fitojë krenarinë dhe madhështinë shpirtërore dhe materiale. Vlen të theksohet këtu se Egjipti u bë qendra e diasporës shqiptare, opozitare e Portës së Lartë.

Krijimi i shtetit të Sudanit, emancipimi i shoqërisë sudaneze dhe dhënies, kësaj shoqërie, nje fizionomie qytetare ndryshe nga fizionomia fshatare që Sudani kishte para ardhjes së Mehmet Aliut, konsiderohen si arritjet titanike të këtij strategu të madh. Emancipimi i shoqërisë Egjyptiane, që sot është zemra e botës arabe, nëpërmjet aktivizmit të vendaseve endacake-fshatarë në jetën shoqërore qytetare, e bënë Mehmet Aliun arkitektin e intelektualizmit dhe iluminizmit arab, të sistemit të ri, të krijimit për herë të pare, në botën arabe, të një ushtrie me të vërtetë profesioniste dhe shumë më të avancuar se ushtria osmane.

Suksesi i ushtrisë së Mehmet Aliut, i tregoi sultan Muratit se sistemi osman ishte vjetëruar. Kjo bëri që Sulltani të formulojë një strategji të re ushtarake, sipas modelit të Mehmet Pashës, por që asnjëherë nuk arriti suksesin e tij.

Vlerat e Mehmet Aliut, për zemrën e sotshme të botës Arabo – Islame janë të panumërta.

Në ditët e fundit të jetës së tij Mehmet (Muhamed) Ali Pasha shprehet: “Nuk kisha menduar se do të arrijmë në këto suksese në të cilën jemi sot. Shpresat e mia sot janë forcuar dhe po të vihej në pikëpyetje ndërtimi dhe përparimi i Egjiptit, po të lindte nevoja, do të flijoja dikë nga familja ime, vetën e vetëm që të ecte përpara ky vend dhe ky popull.”

Me sëmundjen e Mehmet Aliut, në vitin 1848, mëkëmbës i Egjiptit u shpall i  biri Ibrahim Pasha. Mehmet Ali Pasha vdiq më 1849, por dinastia e krijuar prej tij vazhdoi të udhëheqë Egjiptin deri në vitin 1952.

Vendasit dhe të huajt sot shohin një Egjipt të konsoliduar, qendër të zhvillimit dhe civilizimit, djep i kulturës arabe dhe islame, por asnjëherë dhe përasnjë çast nuk harrojnë se në themel të gjithë këtij zhvillimi qëndron figura e atij që është cilësuar si “Bonaparti i Botës Arabe”, e projektuesit dhe arkitektit të përparimit të këtij Egjipti modern, shqiptarit Mehmet Ali Pasha.

Xhamia “Sulltan Mehmed – Fatih” (Xhamia e Madhe) (1460/61) në Prishtinë – Vepër madhështore e trashëgimisë islame në Ballkan

06/07/2012 Lini një koment

Ramadan SHKODRA

 

XHAMIA “SULLTAN MEHMED – FATIH” (XHAMIA E MADHE) (1460/61) NË PRISHTINË

- VEPËR MADHËSHTORE E TRASHËGIMISË ISLAME NË BALLKAN -

(punim i botuar tek revista “Edukata Islame” nr. 82, Prishtinë 2007, f. 171-186)

Ramadan Shkodra

Ramadan Shkodra

I

Kosova paraqet një thesar të pasur të monumenteve kulturo-historike të periudhave të ndryshme, të cilat shquhen për llojllojshmërinë, cilësinë, dhe rëndësinë historike të tyre. Në përbërjen e këtij thesari kulturo-historik bëjnë pjesë edhe ndërtimet pesëshekullore të periudhës osmane në këto territore.

Kultura materiale islame në Kosovë, po edhe në të gjitha trojet shqiptare, është shfaqur që nga depërtimit i Perandorisë Osmane në këto troje në shekullin XV, asokohe si bartëse kryesore e fesë, kulturës dhe qytetërimit islam. Krahas përhapjes së fesë e të kulturës islame në këto troje, paraqitet nevoja edhe për objektet ku do të kryheshin ritet dhe obligimet e fesë islame, prandaj në shumë vende-lokalitete u ndërtuan objekte përkatëse për qëllime të ndryshme:

1. Objekte për kryerjen e obligimeve dhe riteve fetare: xhami, mesxhide, tyrbe, teqe etj;.

2. Objekte për nevojat arsimore: medrese, mektebe, biblioteka (kutubhane);

3. Objekte të karakterit publik e social: hamame, ura guri, kroje publike, shtëpi banimi, kulla të sahatit, shatërvane, hane, imarete, kala (kështjella);

4. Objekte që shprehin qytetërimin islam: nishane mbi varrezat e myslimanëve, çarshi, bezistane, objekte banimi; dhe me kalimin e kohës dhe me shtimin e ndikimit të kulturës islame në viset tona, u përhapën edhe ndërtime e vendbanime të tëra në stilin oriental.

II

XHAMITË – janë faltore kryesore islame dhe objektet me monumentale dhe për nga numri janë monumentet me te shumta te ruajtura nga përmendoret e kulturës islame në Kosove. Ndër ne ndërtimi i tyre ka filluar menjëherë pas depërtimit osman.

Sipas të dhënave historike, ndërtimi i xhamive filloi menjëherë pas Betejës se Kosovës më 1389 (Xhamia e Çarshisë në Prishtinë). Ky aktivitet u zgjerua sidomos gjatë shek. XVI dhe në gjysmën e parë të shek. XVII, kur gradualisht mbisundon popullata islame sidomos në qytete.

Xhamitë janë te ndërtuara me gurë a tulla. Kryesisht janë të mbuluara me kube plumbi, te mbështetura mbi pandantive a trompe, por edhe me çati druri e me qeramidhe. Karakteristike arkitektonike të shumicës së xhamive, sidomos të atyre më të mëdhave, janë kubetë monumentale dhe minaret e holla e te larta.

Gjithashtu karakteristikë e këtyre xhamive është se brendia e mureve është pikturuar me arabeska, që kryesisht janë me vija gjeometrike dhe me motive bimore të gërshetuara e të stilizuara.

Në qendra të ndryshme të Kosovës kemi disa xhami që i takojnë mesjetës, që paraqesin vlerat arkitektonike të këtyre lloje të xhamive, siç janë p.sh.: në Prishtinë: Xhamia “Sulltan Murat” (Xhamia e Çarshisë) -(1444); Xhamia “Sulltan Mehmet – Fatih (Xhamia e Madhe) (1461); Xhamia “Ramadanije” (Xhamia e Llapit) (1470); në  Gjakovë xhamia “Hadumë Agës” (1595); në Pejë “Bajrakli Xhamia” (1471); në Prizren Xhamia “Sinan Pasha” (1616)

Një ndër xhamitë më të rëndësishme jo vetëm për nga stili, por edhe për nga vlera s’ka dyshim se është xhamia “Sulltan Mehmed- Fatih” në Prishtinë që nga populli njihet edhe si Xhamia e Madhe.

Estetika, madhësia, bukuria e kësaj xhamie është aq tërheqëse, saqë, më të drejtë, është quajtur “Xhami Sulltanore” ose “Xhamia e sulltanit” dhe paraqet një ndër veprat më të bukura të artit Osman-Islam, jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë.

Xhamia Sulltan Mehmed – Fatih

III

Xhamia-Sulltan-Mehmet-Fatih

Xhami “Sulltan Mehmet Fatih” është në rrugën “Nazim Gafurri” ,oborri i saj është në formë trekëndëshi dhe kufizohet me tri rrugë, dy rrugët anësorë qojnë drejt tregut të gjelbër, ndërsa rruga në anën e kiblës në  anë djathit shkon (qonë) drejt qendrës së tashmë të qytetit, ndërsa në anën e majtë drejt parkut “Gërmia”.

Objeke të rëndësishme afër xhamisë:

Në pjesën lindore të xhamisë përtej rruge gjenden  “Sahat Kulla”, gjimnazi “Sami Frashëri”, Teqeja e Kadirive dhe ndërtesa e AShAK, kurse ne jug të xhamisë është Hamami i Sulltan Mehmet Fatihut. Në oborrin e xhamisë është shatërvani nga mermeri. Shatërvani është i mbuluar me çati me qeremide dhe ka 16 çezme që shërbejnë për marrjen e abdesit.

Historiku i xhamisë

Xhamia e SuI/tan Mehmedit II (Fatihut) në Prishtinë, që njihet edhe si xhamia e madhe e Prishtinës, është ndërtuar me urdhër të Sulltan Mehmedit II në vitin 865 hixhri (1460/61), 8 vjet pas çlirimit të Stambollit.

Mbishkrimi i xhamisë gjendet mbi derën e xhamisë, mbi një copë të bukur mermeri me ngjyrë të zezë e përbërë prej katër rreshtave, në të cilin thuhet:

Mbishkrimi origjinal

Me shpërblimin e Zotit le të jetojë gjatë sulltan Mehmedi

Sulltan Mehmed Fatihu baba i pushtimeve

Gjatë kohës së sundimit të vet ndërtoi xhaminë dhe zhvilloi kulturën në Perandori

Besimtarëve iu dha qetësia shpirtëror, duke u ndërtuar kopshti i Xhennetit.

Këtë ai e kishte quajtur si më të mirën vepër të tij, duke e thënë datën e ndërtimit me këto fjalë: “Ixhmai nehari” (mbledhja ditore) viti 865 hixhri”.

Nga mbishkrimi shihet se sulltan Mehmet Fatihu e ka ndërtuar këtë xhami në vitin 865 sipas hixhrit, që i përgjigjet vitit 1461 të erës sonë

Ne rea1izirnin e këtij objekti sakral si material ndërtimor konstruktiv është përdorur guri i latuar. Ndërkaq faqet e brendshme te mureve janë me tulla dhe të suvatuara. Sa u përket dekorimeve plastike, kjo është mjaft modeste, sado që ajo në një masë re vogël prezantohet në forme relievi të imët në minare si stalaktite në mihrab dhe në kapitole e shtylla te hajatit.

Xhamai është e ndërtuar sipas shkollës arkitektonike të Brusës. Xhamia është godine një hapësinore me kubenë me dimensione prej 14 m. Është ndërtuar me tulla nga brenda e me gurë të gdhendur nga jashtë.

Xhamia “Sulltan Mehmet Fatih” (xhamia e madhe) është e ndërtuar në stilin e “Ullu Xhamisë” që gjendet në Bursa, është e stolisur shumë bukur, dhe është ndër projektet me bukuri të rrallë të kohës kur është ndërtuar.

Xhamia është e ndërtuar me gurë të mëdhenj katrorë. Në mes ka kupolën kryesore në madhësi prej 13,50 m, kurse nga të katër anët gjinden kupolat me tre kënde.

Kupola kryesore dhe kupolat tjera mbulojnë këtë projekt madhështorë. Minarja e lartë, e hollë dhe e bukur është e ndërtuar gjithashtu prej gurëve. Kapaku i minares, kupola kryesore dhe tre kupolat e vegjël përpara janë të mbuluara me plumb.

Sikurse xhamia po ashtu edhe minarja nuk janë të suvatuar. Maja e minares është e mbuluar me bronz. Kur shikohet minarja mund të vërehet se ballkoni dhe pjesa e epërme e minares është e rinovuar.

Në xhami gjate viteve 1961 e 1962 u zhvilluan punimet në konservimin e tremes, ndërsa gjate viteve 1964 deri 1967 punime mjaft te ndërlikuara në sanimin e minares, kur u rrënua dhe u rimuros minarja mbi lartësinë prej 17 metrash.

Brendia e xhamisë

Xhamia e Madhe përbëhet nga këto pjesë: salla e lutjeve (faljeve), hajati (portiku) dhe minarja.

Brendia e xhamisë

1. Brendia e xhamisë (Salla për namaz)

Brendia e xhamisë (Salla për namaz) ka vëllim unik dhe është e mbuluar me kube. Kjo salle ka planimetrin katrore me përmasa 14 m. dhe në të hyhet nga porta, që është e mbuluar me arkitrah. Salla me vëllimin e saj unik është e mbuluar me kube të konstruktuar drejtpërdrejt mbi te nëpërmjet pandantivave në qoshe.

Xhami është e shtruar me tepi bashkëkohore.

Dimensionet e xhamisë në matjen e jashtme janë 17.55 x 18.00 m. pa llogaritur hajatin i cili ka 5.90 m. ndërsa brendia e sallës së xhamisë 14.00 x 14.00 m.

Madhësia e xhamisë mesatarisht thuhet se është 900 metra katrorë. Xhamia ka vend për 800 njerëz.

Mafili

Mafili:

Mbi derën e hyrjes gjendet mahfili nga druri i cili është pak i thellë në lartësi prej 3.50 m. nga toka që mbahet nga 6 shtylla të drurit. Gjerësia e Mafilit është 2.55 m.

Në mahfil hyhet nga dritarja e djathtë më anë të shkallëve. Shkallët janë brenda murit.

Mihrabi

Mihrabi:

Mihrabi i xhamisë është nga mermeri dhe është mjaft e zbukuruar. Mihrabi është ne vend të lartë dhe në harmoni me stolitë e xhamisë.

Minberi

Minberi:

Edhe minderi i xhamisë është një monumentale, është i ndërtuar sipas traditës dhe stilit osman.  Minberi i xhamisë është i ndërtuar nga mermeri është mjaft i bukur. Tre qoshet e tij, bukuria e vendosje së tyre dëshmon për mjeshtërinë e ndërtimit.

Hyrja e minberit është e stolisur me një kurorë të bukur. Në minber është  i vendosur një dritare e vogël por mjaft e bukur. Tre qoshet janë të punuara me nga një rozetë. Minberi është i bojatisur me ngjyrë jeshile, por ka edhe disa ornomente të bukura që përshtaten me harmonin e xhamisë, këtu duhet veçuar ornamentin që gjenden në dy anët e minberit. Minberi ka 10 shkallë ndërsa gjerësia e tij është 1.10.

Dritarja – pamja nga jashtë

Dritaret:

Xhamia ka 37 dritare në madhësi të ndryshme. Dritaret janë të vendosura në katër nivele.

Dritaret, e nivelit të parë të pos që janë më të mëdha brenda kanë kapakun e bukur nga druri. Në të katër anët xhamia ka nga dy dritare të tilla që do të thotë 8 sish.

Ndërsa në dritaret e nivelit të dyte janë më të vogla dhe në tri anë ka nga tri dritare, ndërsa ana e hyrjes kryesore nuk ka këso dritare.

Dritaret e niveli të tretë janë më të vogla dhe në të katër anët ka nga 2 dritare, me të vetmin përjashtim që dritaret nga hyrja qendrore kanë formën e rrumbullakët.

Punimet e kapakëve te dritareve të kibles janë shumë të bukura. Kurse kapakët e dritareve tjera edhe pse janë ndërruar janë të bukura.

Dritaret e niveli të katër janë ato të bazës së kupolës ku janë 12 dritare, që do të thotë se kubja qendrore e xhamisë është në bazën 12 këndesh.

Dera hyrëse

Dera hyrëse:

Dera e xhamisë është ndërtuar me pllaka të cilat në pjesën e epërme kanë formë të yllit 12 këndor. Sot dera e xhamisë është e ngjyrosur me ngjyrë jeshile. Dera e xhamisë hapet në dy anët.

Kupola qendrore

2. Kupola qendrore

Kupola kryesore mbahet nga qoshet trekëndëshe  dhe nuk është shumë e lartë. Gurët të cilët e rrethojnë kupolën i japin një bukuri tjetër xhamisë. Kupolat e pjesës së fundit të vendit të xhematit përbëhen nga pesë pjesë dhe janë tetëkëndësh.

Hajati

3. Hajati

Hajati (portiku) i xhamisë ka një zgjidhje tradicionale të këtyre ambienteve. Hajati mbulohet me tri kube të vogla ë njëjta. Kubet e hajatit janë në nivel më të ulët se kubeja kryesore dhe me dinamiken e me kontrastet e tyre ndikojnë në vlerën estetike të objektit. Kubetë janë të mbuluara me mbulese të plumbit.

Minareja

4. Minarja

Si pjesë e pandarë dhe me rëndësi është edhe minarja, e cila zakonisht është në vend të djathtë re sallës se lutjeve. Minarja si pjesë konstruktive-arkitektonike dhe funksionale veçohet për poligonalitetin dhe elegancën e saj. Si element i minares është edhe sherifja e cila shërben për kryerjen e ceremonive të caktuara fetare: thirrja e ezanit.

Minarja shumë këndshe shpreh tendencën e hollësisë maksimale.

Hyrja për në minaret është jashtë xhamisë, Minarja e xhamie është e lartë 120 shkallë, kurse në lartësi është shtathollë.

Maja e minares është e mbuluar me bronz.

Vlerat artistike të xhamisë

Arti në kupolë

Brendia është e dekoruar me omamentikë bimorë. Duke marre parasysh dimensionet (14,14 14.14 m.), konstruksionin, realizimin dhe elementet dekorative së bashku me kohën e ndërtimit, kjo xhami është një ndër objektet më të rëndësishme dhe më të vlefshme të periudhës osmane ndër ne.

Në këtë objekt monumental na prezantohen edhe dekorimet pikturave të realizuara në seko teknikë. Këto rea1izime të pikturave murale dekorojnë sallën e lutjeve me kube si dhe hajatin e xhamisë. Këtu, pos luleve të stilizuara, prezantohen edhe figura gjeometrike, motive arkitektonike, selvi dhe motivi i rrushit. Piktura është përqendruar kryesisht në dritare të sallës së lutjeve, në harqe dhe në padantive në kurore ku nga sistemi konstruktiv pandantiv kalohet në kube. Dekorime kemi edhe n vetë  kubenë e objektit. Në piktura murale të xhamisë dominon ngjyra e kaltër me nuanca të saj dhe e përhimëta. Rozeta si nje tërësi kompozicionale është realizuar me ngjyre të kuqe (qeramidhe) me të gjelbër, të përhimet dhe të zeze. E zeza kryesisht i konturon motivet florale dhe gjeometrike të rozetës.

Në mes të kupolës gjendet një rozetë. Pjesa e epërme e kupolës është e punuar me motive trëndafili dhe gjethe të bimëve. Figurat janë të punuara më një art mallëngjyes, figurat janë me ngjyrë të kaltër, të gjelbër dhe të kuqe dhe shtrihen deri te dritaret e poshtme.

Ilustrimet në kupolat e hajatit

Brendësia e dritareve në pjesën jugore është e zbukuruar me shkrime të bukura. Në pjesën jugore dritaret e epërme janë në formë gjysmë harku dhe xhamat i kanë ne forme trëndafili.

Në sajë të elementeve konstruktive, formës arkitektonike, proporcioneve dhe vlerës estetike të objektit, kjo xhami bënë pjesë në rendin e ndërtimeve me të vjetra të realizimeve arkitektonike të konfesionit islam jo vetëm në Prishtinë e në Kosovë, por edhe më gjerë.

Gjendja e xhamisë sot

Me gjithë që xhamia “Sulltan Mehmet-Fatih” është një ndër monumentet e rralla të trashëgimisë islame jo vetëm në venin tonë por edhe më gjerë, si për kah aseptik historik, ashtu edhe nga ana arkitektonike dhe artistike, edhe pse xhamia  prej kohësh është shpaluar si objekt monumental i mbrojtur Instituti Kombëtar për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, xhami sot gjendet në një situatë shumë të rëndë, e për këtë kanë ndikuar shumë faktorë:

  1. qasja jo adekuate ndaj objekteve të trashëgimisë islame
  2. mostrajtimi adekuat me masa restauruese dhe konzevuese siç e kërkon një objekt i mesjetës
  3. moskujdesi i duhur nga institucionet kompetente
  4. dëmtimet nga koha
  5. atakimi nga ndërtimit për rreth madje edhe në vet oborrin e xhamisë
  6. atakimi nga rruga përball xhamisë sidomos kur lëvizin mjetet me tonazh të madh
  7. atakimi nga të reshurat atmosferike

Dëmtimi i xhamisë

Të gjithë këta faktorë kanë ndikuar që xhamia sot është në një gjende të vështirë madje shtyllat që mbajnë kupolat e hajatit kanë lëvizur për disa centimetra dhe rrezikojnë që në një të ardhme të afet të bijë, ndërsa në kupolën qendrore në disa vende depërtojnë të reshurat atmosferike gjë që rrezikojnë stabilitetin e saj. Në gjendje të vështirë është edhe pjesa e poshtme e minares ngase pjesa e epërme është restaurua në vitet e 60 të shekullit të shkuar. Në gjendej hiq më të mirë nuk është as ana e jashtme e kbiles se xhamisë e cila i nënshtrohet një atakimi të rëndë nga rruga-trotuari që kalon rreth xhamisë. Këtu xhamia atakohet nga të reshurat atmosferike që bien në trotuarin e çimentuar dhe nga mjeteve me tonazh të madhe të cilat atakojnë sidomos murin rreth tokës kjo mund të vret shumë qartë.

Edhe brendia e xhamisë lenë shumë për të dëshiruar, është bërë elektrifikimi jo adekuat me harminë e xhamisë, për çudi janë hequr kandilat dhe janë zëvendësuar me një të ashtuquajtur llambander postmodern, ndërsa tash së fundi megjithëqë objekt i mesjetë dhe objekt monumental në dy anët e xhamisë janë vendosur klimatizues modern.

Duhet thënë edhe këtë se edhe anës artistike të xhamisë nuk i është kushtuar kujdes meritor në shumë raste është dëmtuar duke vendosur në murin e xhamisë levha dhe gjëra të ndryshme. Ajo që bie në sy për të keq është se brenda xhamisë me të hyrë në anën e majtë tash e sa kohë është improvizuar një dhomë me material druri, kjo dhe veprime që përmendem më lartë mendoj se nuk duhet toleruar në një objekt monument.

Por në përfundim duhet thënë se disa veprime që janë bërë në xhami janë të riparueshëm por duhet shtuar kujdesi institucional që xhamia sa më parë të restaurohet dhe të trajtohen sipas norma adekuate si objekt i rëndësi së veçantë, si objekt kulture që në vete ngërthen vlera të çmuara nga e kaluar jonë.

Literatura:

-Husref Redzic: Pet Osmanlijski Spomenika na Kosovi i Metohiji, Starine Kosova i Metoheija, knjiga I, Pristina 1961, st. 97;

-Raif Virmiça: Fatih Sulltan Mehemd Han Camii (Camii Kebir) 865/1460-1461),  Kosova’da Osmanli mimarleri, Ankara 1999, sayfa 210-215

-Mr. Tefik Morina: Monumentet e Kulturës Islame në Kosovë dhe mbrojtja e tyre gjatë periudhës 1945-1992; Feja Kultura dhe Tradita Islame ndër shqiptar, Prishtinë 1995, fq. 518-527

-Mr. Fejaz Drançolli: Disa ndërtime arkitektonike islame në shek. XIX dhe në fillim të shek. XX; Feja kultura dhe tradita islame ndër shqiptar, Prishtinë 1995, fq. 167-174.

-Nail Halimi: Xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut në Prishtinë, sipas përshkrimeve të Hajrullah ef. Zaimit më 1956, Dituria Islame nr. 154, fq. 52-53

Rrugëtimi i Islamit në Shqipëri (1912-1967)

15/06/2012 Lini një koment

Olsi JAZEXHI

RRUGËTIMI I ISLAMIT NË SHQIPËRI (1912-1967)

Olsi Jazexhi

Në historinë e njerëzimit ka ndodhur shpesh që libra me rëndësi madhore, të mos lexohen apo të injorohen nga publiku i gjerë. Kjo gjë ka ndodhur në ditët e fundit edhe në Shqipëri me librin “Rrugëtimi i Islamit në Shqipëri (1912-1967)” me autor Ali Musa Bashën. Libri në fjalë pati një promovim të pazëshëm nga Komuniteti Musliman i Shqipërisë dhe shoqata Ardhmëria në datën 22 shtator 2011, në sallën e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë. Nga fjalimet që unë kam lexuar në internet që i janë bërë promovimit të librit, të lihet shumë për të dëshiruar. Megjithatë, përveç promovimit në rrethet e ngushta muslimane të Tiranës, jashtë tyre, libri i Ali Bashës ka kaluar pa u vënë re.

Në Shqipëri, ashtu si në të gjithë botën, lexueshmëria dhe fama që një libër përfiton, në shumicën e rasteve nuk varet nga përmbajtja e tij, por nga promovimi që mediat dhe grupet e interesit i bëjnë apo ndonjëherë edhe nga emri i autorit. Te ne në Shqipëri psh. në vitin 2008 libri racist dhe fyes i fondamentalistit ortodoks Ben Blushi, “Të jetosh në ishull”, pati shitje të madhe edhe pse ky libër nuk kishte as art, as gjuhësi për të gëzuar promovimin e shitjet që pati. Mediat pro-socialiste të Tiranës dhe rrjeti i Sorosit që komandohet nga Piro Misha dhe Fatmir Toçi i bën gjithë atë reklamë, pasi libri i Benit ishte në njëfarë mënyre një formë e sofistikuar kaurësh për të fyer muslimanët. Piro Misha jo vetëm që përdori mediat e Tiranës dhe klanet ortodokse-socialiste për të promovuar këtë libër, por shkroi deri në Greqi në gazetën “To Vima” ku i mburrte kaurëve të Greqisë këtë roman fyes dhe racist kundër Islamit dhe muslimanëve shqiptarë. Ndërsa në Shqipërinë tonë që ndjen dhe kupton pak, publiku, e sidomos muslimanët që janë shumica e popullit, në vend që të protestonte kundër fyerjeve që Beni i Kiços i bënte shumicës së shqiptarëve, e bleu librin në masë. Magjia e propagandës mediatike i kishte bërë të besojnë se libri ishte i mirë, dhe mileti e blinte librin tamam si mbreti i asaj përrallës së Hans K. Andersenit, të cilin rrobaqepësit e marrosën duke e bindur se ishte i veshur me një kostum të artë, dhe kështu e nxorën cullak jashtë shtëpisë.

Por, libri i Ali Bashës nuk është paçavure si romanet që boton Piro Misha dhe Fatmir Toçi. Nuk është as demagogji si librat që prodhojnë “intelektualët” e Tiranës. “Rrugëtimi i Islamit në Shqipëri (1912-1967)” është një nga librat më të mirë që janë botuar në Shqipërinë e paskomunizmit, jo pse ky libër flet për “ne”, pra “shumicën” muslimane. Rëndësia e këtij libri lidhet me faktin se ai tregon në mënyrë të detajuar, duke u mbështetur në dokumenta arkivorë dhe origjinalë historinë e Shqipërisë nga vitet 1912, kur Shqipëria u shpik nga Fuqitë e Mëdha të Evropës e deri në 1967 kur komunistët finalizuan vendosjen e pushtetit të tyre absolut në vend dhe ndaluan fetë me ligj. Ndryshe nga libra të tjerë historik që kemi lexuar deri më sot për Shqipërinë, fjala bie si me librin “Historia e Shtetit Shqiptar 1912-2005” nga Kastriot Dervishi apo serialet e “Historisë së Popullit Shqiptar” që botohen nga Akademia e Shkencave në Tiranë apo librat fyes që nacional-komunistë si Kristo Frashëri botojnë kundër muslimanëve të Tiranës, të cilët rrëfejnë historinë dhe trimëritë e pushtetarëve kombëtaristë, apo sajojnë mite e përralla shqiptarësh që janë ilirë e arbnorë e përleshen me turqit, libri i Ali Bashës sjell një realitet tjetër.

Për ata që dinë të lexojnë dokumentat origjinalë që autori sjell, ky libër tregon historikun e ndërrimit mendor dhe identitar në Shqipëri – nga islamizmi dhe osmanizmi për në nacionalizëm dhe shqiptarizëm. Pra ky libër u tregon shqiptarëve seç ndodhi me ata, apo më saktë me pjesën muslimane të tyre që nga koha kur Shqipëria u shpik si shtet e deri në kohën kur “shqiptaria” laike arriti kulmin me shtetin ateist të Enver Hoxhës. Ky libër mund ti japë përgjigje edhe atyre studiuesish që habiten kur shohin që Tirana e vitit 1936 i ngjante aq shumë Teheranit, ndërsa në vitin 1967 i ngjante Moskës dhe Bukureshtit. (E kam fjalën këtu për veshjen e njerëzve dhe mentalitetin e tyre, pse nga infrastruktura, rrugët dhe mënyra sesi njerëzit i japin makinave, Tirana i ngjan më shumë Kampalës).

Ali Musa Basha, autori i këtij libri është djali i Hafiz Musa Bashës dhe nipi i Haxhi Ali Elbasanit (rahmet pastë). Hafiz Musa Basha ka qënë një prej drejtuesëve të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar të Shqipërisë në kohën e pushtimit nazist, një nga themeluesit e Komunitetit Musliman në vitin 1923, kryetar bashkie i Elbasanit dhe nga viti 1945 deri në 1954 ka qenë kryetar i Komunitetit Musliman. Ndërsa Haxhi Ali Elbasani ka qenë kryetari i klubit osmanist të Aksarajit në Stamboll, deputet i Elbasanit në parlamentin osman dhe një nga ulematë më të mëdhenj të Shqipërisë Osmane. Ndërsa vetë Ali Basha ka qenë kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Musliman dhe shkrues i disa librave për Islamin në Shqipëri. Pra nga biografia më lart, kuptohet që autori nuk vjen nga një familje e rëndomtë, por nga një familje hoxhallarësh me pushtet të cilët kanë patur influencë dhe dije të madhe mbi punët e fesë në Shqipëri. Haxhi Ali Elbasani psh. të cilin e tall kauri Andon Zako Çajupi në komedinë “Pas Vdekjes” sëbashku me doktor Adhamudhin, ka qenë personi më me influencë në Shqipërinë Osmane. Shqiptaristët e Tiranës kërkuan aprovimin e tij përpara se të çonin flamurin kuq e zi në Tiranë në 1912. Ai ka qenë një nga krerët ideologjikë të lëvizjes së Ehlil Kijamit, të njohur ndryshe me termin përbuzës që i ka dhënë historiografia nacionaliste, si rebelizmi i Haxhi Qamilit. Ndërsa Musa Basha ka qenë një nga hoxhallarët më me influencë në Shqipërinë e pas-çlirimit.

Kjo kronologji historike e familjes Basha, ka qenë ndoshta një nga faktorët më me rëndësi që kanë shtyrë Ali Bashën të shkruaj këtë libër, i cili, mesa di unë, i ka marrë rreth dhjetë vite punë arkivore. Në prezantimin e librit në Tiranë, Aliu tregoi se një nga arsyet që e shtynë të bëj këtë libër ishte edhe se kishte hasur shumë pasaktësi në librat e tjerë që janë shkruar për Islamin në Shqipëri. E për të korigjuar këtë mangësi i ishte futur punës kërkuese në Arkivin e Shtetit. Edhe pse me shëndet të dobët, pa mbështetje financiare nga ndonjë institucion, Aliun e kam parë me sytë e mi sesi rrëmonte arkivat e Tiranës. Duke kopjuar me dorë dhe me fotokopje dokumente origjinale ai ka bërë një punim dhe xhihad të atillë intelektual, për të cilin, ndërsa katolikofili Bamir Topi nuk do ta shpallte nder të kombit – siç ka bërë me Kristo Frashërin – unë sugjeroj që Universiteti Bedër i Komunitetit Musliman ti japi titullin doktor i shkencave dhe muslimanët e Shqipërisë ti luten Allahut që ta çoj në xhenet.

Po për çfarë flet libri “Rrugëtimi i Islamit në Shqipëri (1912-1967)”? Libri nis rrëfimin e tij që nga viti 1912, kur Fuqitë e Mëdha të Evropës vendosën të bashkojnë disa kaza dhe nahije të vilajeteve osmane të Janinës dhe të Shkodrës dhe ti bëjnë ato shtet. Autori, i cili ndryshe nga Haxhi Aliu – vetë duket se mbron nacionalistët – tregon sesi nisi historia e shqiptarisë dhe “Islamit shqiptar”. Ai tregon me dokumenta sesi një grup hoxhallarësh me në krye Vehbi Dibrën i kthyen shpinën osmanëve dhe u bënë me nacionalistët, Ismail Qemalin, Vidin, austriakët, Kongresin e Lushnjes dhe më pas me cubin e Matit që u bë mbret, Zogun. Në anën tjetër libri tregon rezistencës e muslimanëve osmanistë të cilët nuk donin të pranojnë simbolet kristIane që Fuqitë e Mëdha i imponuan shqiptarëve, si shqiponjën ortodokse me dy krerë, gërmat latine, idenë e Shqipërisë laike, shqiptarinë e pafe etj. Autori tregon rëndësinë që patën austro-hungarezët në krijimin e një “Islami shqiptar” i cili nënkuptonte ndarjen e muslimanëve nga institucioni i shenjtë i Kalifatit. Kapitulli i dytë tregon periudhën 1920-1925, kur pas Kongresit të Lushnjes, Shqipëria arriti të formohet si shtet. Në këtë periudhë kur u hodhën themelet e laicizimit (apo fetarisht ta themi qafirizimit) të Shqipërisë autori tregon sesi vendit iu imponua feja e Evropës – laicizmi.

Më pas tregohet si u formua Komuniteti Musliman nga Zogu dhe sesa jo-legjitim dhe anti-Islamik ishte bidati që bënte risia e kësaj organizate. Edhe pse autori është mbështetës i Komunitetit Musliman, nëpërmjet dokumenteve që ai sjell, lë të lexohet rezistencën që pati krijimi i këtij institucioni në mesin e besimtarëve dhe ulemave shkodran dhe në vende të tjera. Kapitulli 3 deri në 9 tregon reformat që ndërmori pushteti zogist në Shqipëri për “të prishur” Islamin apo siç vegla e Zogut në KMSH, Salih Vuçiterni quante “reformim të Islamit”. Për ata që dinë të lexojnë dokumentat që autori sjell (pasi në shumicën e rasteve ai nuk bën komente) kapitujt në fjalë tregojnë sesi Komuniteti Musliman i cili u prit me entuziazëm nga hoxhallarët nacionalistë të cilët menduan se me KMSH-në dhe Be Zogun në krye, do e bënin Islamin të lulëzonte, në fund të sundimit të Zogut, KMSH-ja përfundoi në një institucion të dërrmuar financiarisht që jo nuk mundi të mbronte Islamin, por nuk kishte para as të mbante stafin e saj me bukë pasi vakëfet iu konfiskuan nga shteti dhe nga vetë mbreti që ndërtonte vila në toka vakëf. Në këto kapituj, tregohet edhe ardhja në Shqipëri e ideve laiciste, komuniste dhe sulmet që qeveritarë kuislingë si Mustafa Kruja i bënin Islamit në favor të fesë së Italisë, Katoliçizmit.

Dokumentet që autori sjell tregojnë konfliktet brenda muslimanëve, debatet në KMSH dhe jashtë saj, botimet e muslimanëve me gërma latine, përdorimin e fesë nga regjimet politike zogiste, fashiste, naziste, dhe me pas komuniste, dhe mënyra sesi këto regjimet e përdorën dhe manipuluan fenë Islame për qëllimet e tyre. Libri na ndihmon të kuptojmë edhe sesi shumë hoxhallarë, të etur për para dhe pushtet u çuan kundër ligjeve të Islamit – siç ndodhi në vitin 1927 dhe 1928 – kur heqja nga ana e Zogut e sheriatit dhe zëvendësimi i tij me “sheriatin laik” – kodin civil – u prit me përshëndetje nga hoxhallarët që u bënë oportunistë dhe vegla të Zogut.

Faza finale e librit tregon rrjedhën e Islamit në Shqipëri pas vendosjes së regjimit komunist, nënshtrimin që Enver Hoxha, ashtu si edhe Zogu më parë i bëri Islamit dhe kthimin e Komunitetit Musliman në një vegël të tij dhe Partisë së Punës.

Libri “Rrugëtimi i Islamit në Shqipëri” është një libër që na ndihmon të kuptojmë jo vetëm arsyen pse Tirana sot nuk duket si Teherani, apo pse Bamir Topi i deklaron delegatëve të Papës se është janë më Papën dhe jo më Babën (sulltanin), por në të njëjtën kohë ai rrëfen përleshjen e nacional-laicizmit me Islamin në Shqipëri. Një gjë të mirë që ka ky libër, është, se autori, jep rrallë mendimet e tij dhe më shumë citon. Ky fakt na ndihmon që të lexojmë dokumente parësore të cilat na shpjegojnë proçesin e modernizimit shqiptar, i cili, siç pak nga ne e dinë, ishte i dhimbshëm dhe i dhunshëm. Ai, siç po bëhet edhe sot në Kosovë, u ndërtua në luftë kundër osmanizmit dhe Islamit, duke favorizuar Perëndimin dhe në njëfarë mënyre Katoliçizmin.

Në Tiranë, nacional-laicistët shqiptarë jo vetëm që ndaluan sheriatin, ndanë muslimanët nga “Papa” i Stambollit, hoqën ferexhetë, mbyllën xhami dhe medrese, u hoqën çallmat dhe xhybet hoxhallarëve, zëvendësuan fesin me kapelen e republikës dhe ndryshuan orën, kohën, vitin, shkollat, kandarët, xhadetë e veshtjet nga alla-turka në alla-franga, por ndryshuan edhe mendjet e njerëzve. Nëse në shtetin osman, Islami, pra besimi në Allah, në Pejgamber dhe në kalif ishin shtyllat e besimit qytetar, tani, me krijimin e komb-shtetit laik, kombi zëvendësoi Zotin dhe “zoti suprem” i kombit u bë mbreti, presidenti, ducja e udhëheqësi legjendar. Zogu e krijoi KMSH-në në emër të kombit, edhe pse e përdori atë për qëllimet e tija. Të njëjtën gjë bën fashistët dhe më pas komunistët. Sllogani “feja e shqiptarit është shqiptaria” të cilën pati si devizë Rilindja kombëtare, ishte arsyeja pse Islami u zhduk në Shqipëri, pse u ndërtua KMSH-ja dhe pse në vend u ndërmorrën reformat ekstreme që kulminuan në vitin 1967 kur shqiptarët u bënë si jexhuxh-maxhuxhët që përmend Allahu në Kuran dhe i shpallën luftë Zotit.

Libri i Ali Bashës (duke mënjanuar ndonjëherë komentet e tij) na ndihmon për të kuptuar pse ne shqiptarët jemi kështu si jemi sot dhe pse xhahilë si Piro Misha, Ismail Kadareja, Veton Surroi dhe Arbën Xhaferri lavdërojnë Zogun dhe duan që shteti ynë (apo edhe ai në Kosovë) t’u rrijë me kërbaç në dorë muslimanëve e tu heqi ferexhetë, dhe pse kur SHIK-u merr në pyetje hoxhallarët tanë me mjekra i pyet: Kë doni më shumë, kombin apo fenë. Libri “Rrugëtimi i Islamit në Shqipëri (1912-1967)” është një libër tragjik. Ai mundet të na shpjegojë edhe përse hanëmet e Shqipërisë, sot, janë shndërruar në çupka si ato të Big Brotherit dhe kanë për mite të tyre jo hazreti Fatimenë, por Karla Brunin. Libri në fjalë duhet lexuar, pasi ndihmon për të kuptuar transformimet qytetërimore më të cilat u përball Shqipëria dhe shqiptarët në shekullin e prapë të XX.

Donkishotët zbulojnë Andaluzinë

10/06/2012 Lini një koment

Zekerija IBRAHIMI

DONKISHOTËT ZBULOJNË ANDALUZINË

Zekerija Ibrahimi

“Buenos dias”, na përshëndetin në hyrje. Alhambra është pallat pa fund. Kopshtet, përroskat, shatërvanët, muret e punuara krejt në dorë me thirrjen e njohur ushtarake maure “Ve la galibe il-laallah” dhe liqenet e vogla të pallatit të Nasrit, si dhe fortesa përreth, të kthejnë pas në shekullin XII, kur është ngritur kjo mrekulli që emrin e ka marrë nga arabishtja “El-Hamër – e kuqe”.

Derisa avioni fluturonte mbi alpet e mbuluara me borë, unë ende s’mund të bindesha se njëmend ëndrra për ta vizituar Spanjën më në fund po realizohej. Gjithmonë kisha pasur përshtypje se ai është një vend i largët që nuk kapet dot. Gjithmonë kisha ëndërruar për Andaluzinë (rajon juglindor i Spanjës) si për një vend që vështirë arrihet. Leximet e mia për Spanjën, e cila pas kontaktit për 8 shekuj të plotë të mesjetës me arabët dhe qytetërimin islamik kishte prodhuar renesancën evropiane, më kishin krijuar imagjinatën se ajo ishte një El-Dorado që s’arrihej me sy. Dhe, kisha pasur të drejtë: kush dëshiron ta vizitojë Spanjën, duhet enkas ta marrë atë rrugë dhe mos të pendohet. Ia vlen.
Aeroporti i ftohtë Cyrihut dhe pritja e ngrohtë e mikut tonë që na priste atje, bashkë me rrëmujën e madhe të shqiptarëve që prisnin dikë aty, na këndelli pas aterimit në tokën e simetrisë – në Zvicër. E, derisa pastaj ecnim rrugës, dy gjëra më bënin shumë përshtypje – simetria e përkryer zvicerane, sidomos parqet e bukura edhe në këtë stinë nëntori, që e bëjnë xheloz secilin njeri simetrik, siç më konsiderojnë edhe mua, dhe afishet e shumta që bënin thirrje për referendumin kundër minareve. Çudi! Ndoshta Zvicrës simetrike edhe minaret ia prishnin simetrinë!
E nesërmja ende pa lindur dielli na gjeti në rrugë. Bashkë me miqtë e mi të jetës, poetin e pazbuluar mistik, Taxhudinin, dhe piktorin e fotografin e lirë, Rromirin, tamam si Don Kishoti që kërkonte kohë tjetër në kohë tjetër, u nisëm ta kërkojmë Endelusin në Spanjë. Kaluam pranë liqenit të bukur të Lozanës dhe qytetit të rregullt të Gjenevës, për të hyrë në Francën jugore. As këtu kufi nuk ka. Evropë se jo lojë. Një herë të kërkojnë pasaportën në aeroport dhe pastaj kah të dojë zemra ec, se nuk sheh më kufitar. Mua m’u kujtua kufiri i Bllacës, kur edhe për të shkruar për Bajram te miqtë në Han të Elezit, duhet të presësh nga disa orë. Mbase për atë jemi aq larg Evropës. Duke ecur nëpër Francën jugore, kalojmë pranë disa qyteteve, mes të cilëve edhe pranë Monpeliesë dhe Nimit, ku dikur kishte luajtur futboll Fadil Vokrri. Moti ka qenë ajo.
Dhe, derisa merresh me këto gjëra, dreka ka kaluar, ndërsa ne jemi afruar kufirit të Spanjës. As aty nuk sheh kufitar e doganier. Autostradat e mrekullueshme me nga katër shirita në një anë dhe GPS-i që nuk të lë të humbësh në asnjë çast rrugës, të kthjellin – je në Evropë. Por, Spanja s’ka fund – mbase 1500 km gjatësi. Prej Pirinejeve me borë e deri në Gjibraltarin ku nuk ka dimër.
Destinacioni jonë i parë është Barcelona. Tashmë i kemi bërë 10-12 orë rrugë. Ndonëse emrin e këtij qyteti e dëgjojmë çdo javë në temën e futbollit botëror, ai është e pamundur të perceptohet me sy. Rrëmujë e madhe, rrokaqiej pa fund dhe vërshime makinash. Para se të vendosemi në hotel, ia bëjmë një tavaf stadiumit “Kamp Nou”, i cili për fatin tonë të keq gjithkund është i mbyllur. Ishte vonë më. Të lodhur nga gjithë ajo rrugë e qëndrim në makinë, mezi e gjejmë një vend parkimi për veturën tonë dhe shpejt vendosemi në hotel. Pas një pushimi të shkurtër, ia bëjmë një qark Barcelonës. Dhe, kur të shkosh në Barcelonë, të gjithë të thonë që dy gjëra të mos i lësh pa i pa: stadiumin e qytetit dhe katedralen “Sagrada familia”. Një katedrale që tashmë një shekull ndërtohet dhe ende s’ka përfunduar. E lartë sa të merrej mendja për ta kapur të tërën. Krejt e punuar në gurë. Një mrekulli e vërtetë arkitektonike. Edhe pse ishte mbrëmje, turistët s’kishin të ndalur. Po bëhej vonë. Ne duhej të pushonim se nesër na priste rrugë e gjatë.

Në xhaminë/katedralen “Mesquita” në Kordobë

Edhe mëngjesi spanjoll njësoj si ai zviceran – para se të lind dielli ne jemi në makinë. Dallimi është se këtu fillojmë ta ndjejmë klimën e butë mesdhetare të bregdetit. Ndërsa në makinën tonë jehon kënga e Loreena McKenitt për Natën në Alhambra. Pushojmë një çikë në qytezën e bukur bregdetare Benikasim (një toponim arab) dhe përsëri vazhdojmë bregut të Detit Mesdhe, duke kaluar Valensinë e duke marrë në të djathtë për Kordobë. Atje mbërrijmë pak para mbrëmjes. Vendosemi në një hotel mu pranë xhamisë/katedrales Mesquita dhe, pasi pushojmë pak, i biem një qark të shkurtër qytetit, duke kaluar nëpër Urën Romake, e duke u kënaqur me kalldrëmin e bukur të pjesës së vjetër të Kordobës. E, derisa pimë çaj në minderet orientale, me hartën e qytetit në dorë e bëjmë planin e vizitave të nesërme. Kemi mjaft për të ecur.
Mëngjesi me “leçe” (qumësht) kalon pa u vënë re. Po futemi në Mesquita. Kjo është xhamia që, pas ardhjes së arabëve në Spanjë në vitin 711, me zbarkimin e Tarik ibn Zijadit (me emrin e të cilit u emërtua edhe ngushtica “Gjibraltar” nga Xhebelu Tarik – Kodra e Tarikut), filloi të ndërtohet në Kordobë në vitin 785, gjatë kohës së Abdurrahmanit I dhe përfundoi në vitin 987. Është një objekt grandioz. Pos qindra shtyllave që të bëjnë të humbësh brenda objektit që përfshin një sipërfaqe prej 214 për së gjeri dhe 150 për së gjati, të mahnit edhe simetria e harqeve, që sikur të mos e dish se në shekullin e 8-të nuk kishte kompjuter do të shkonte mendja se dikush i ka bërë krejt me copy-paste. Megjithatë historiku i kësaj xhamie është i dhimbshëm. Në vitin 1236, kur Kordoba merret përsëri nga inkuizitorët e krishterë, ajo kthehet në katedrale, duke vazhduar kështu edhe në ditët tona. Pranë mihrabit me mbishkrim arab nga Kurani janë skulpturat e shenjtorëve dhe altari i katedrales. Ndërkaq minarja e gjatë tashmë nuk ka asnjë shenjë se dikur ka qenë minare. Aty janë të varura kambanat, që i ftojnë besimtarët në meshë. Pikërisht në xhaminë e bukur të Kordobës, që ende e ruan edhe emrin Mesquita (nga latinishtja – xhami).
Megjithatë detyra jonë në Kordobë nuk përfundon këtu. Janë dhjetëra objekte të tjera, shumica “iglesia” (kisha), të cilat ne i vizitojmë, është kalaja rrethojë e qytetit, përmendorja e filozofit me famë botërore, që ka lindur në Kordobë, Ibën Rushd (i njohur në Evropë si Averros), si dhe kopshti parajsor i pallatit po aq grandioz “Alkazar”, që po ashtu është ngritur gjatë kohës së maurëve (arabëve). Perëndimi i diellit na zë në malin 8 km larg qytetit, ku është vendosur saraji Medina al-Zahra, i ngritur nga kalifi Abdurrahmani III, mes viteve 936 dhe 940. Bukuria e tij, që ende lexohet në rrënojat dhe porta e sarajit, si dhe pamja e mrekullueshme e qytetit që ofron ky vend, ta mbush mendjen se ata që e kanë zgjedhur këtë pikë për rezidencë kanë qenë njerëz të mëdhenj.
Ndonëse harta jonë na thotë se edhe shumë vende më të vogla na kanë mbetur pa i parë, megjithatë koha jonë e ngushtë na detyron që nesër të planifikojmë rrugë tjetër. E derisa rrimë e pimë kafe në një kafene orientale të Kordobës me shatërvan në mes e me shumë lule gjithandej, vendosim që rrugën tonë ta ndryshojmë. Vizitën në Seviljë do ta zëvendësojmë me “Rrugën e kalifatit”

Shqiptarët në Rrugën e kalifatit

Meqë kah të silleshe të vërshonin fletushkat e materiali propagandistik, në hyrje të hotelit na ra në dorë një fletushkë që e përshkruante Rrugën e kalifatit. Ajo thuhej të ketë qenë rrugë e kalifëve prej Kordobe në Granadë. Ishin aty disa qytete me objekte që ishin me interes për vizitën tonë. Mëngjesi i ditës sonë të dytë në Andaluzi na zë rrugës për Espejo, një fshat kodrinor me kështjellë dhe kishë në majë të kodrës – stacioni jonë i parë në “Routo del kalifato”. Pastaj vijnë qyteza Baena me kështjellën e vet, fshatrat Luque e Zuheros me kështjellat majë kepi mbi fushat e gjera me ullinj, Alcaudete me kështjellën e shekullit të 8-të dhe Alcala al-Real me kështjellën grandioze, ku secili kishte lënë historinë e tij, që nga romakët, maurët e deri te Napoleon Bonaparta. Një cicerone fjalëmbël e ardhur aty nga Jokshiri i largët në shoqëroi gjatë gjithë kësaj vizite njëorëshe duke na kaluar prej periudhe në periudhë. Ndërsa era që frynte në atë majë kepi dhe 6 kështjellat më të vogla në kodrat përreth ishin për ne shembulli më i mirë sa ëmbël është bartur jehona e zërit të tellallëve në kohën kur nuk kishte celular.
Dhe, derisa po bie muzgu, në rrugën tonë na shfaqet Granada. Mezi presim që të na e zë syri diku pallatin Alhambra, ngase nga video-incizimet e këngëve të Loreena McKenitt, duket se ajo është e vendosur në një kodër. Por, errësira e natës, rrëmuja e makinave në qytet, rrugët njëkahëshe dhe GPS-i ynë që s’pushon duke na sugjeruar për rrugën e vërtetë, na e shmangin vëmendjen. Arrijmë në hotel, vendosemi sa për të thënë dhe, si të uritur, dalim në kërkim të Alhambrës. Kur ne arrijmë para dyerve të pallatit, aty s’lëviz gjë e gjallë. Është bërë vonë. E presim autobusin e fundit që dërgon në qytet, ngjitemi në të dhe shkojmë të pushojmë. Se nesër na pret saraji Alhambra.

Alhambra – bukuroshja e Andaluzisë

Të nesërmen një “kafe kon leçe” (kafe me qumësht) para hyrjes dhe prerja e biletave janë riti jonë i fundit. “Buenos dias” (Mirëdita), na përshëndetin në hyrje. Alhambra është pallat pa fund. Kopshtet, përroskat, shatërvanët, muret e punuara krejt në dorë me thirrjen e njohur ushtarake maure “Ve la galibe il-laallah” (S’ka ngadhënjimtar tjetër, pos Allahut) dhe liqenet e vogla të pallatit të Nasrit, si dhe fortesa përreth, të kthejnë pas në shekullin XII, kur është ngritur kjo mrekulli që emrin e ka marrë nga arabishtja “El Hamër – E Kuqe”. Këtu ishte kulmi i qytetërimit arab. Derisa osmanët e ngrinin sarajin Topkapi, arabët flladiteshin në Alhambrën e tyre në Garnatë. Ndërkaq në kodrën përballë e kishin krijuar një lagje tjetër tipike orientale të quajtur Albasin. Kalimi i diellit në perëndim na zuri në kopshtet e Alhambrës.
Kënaqësia e qëndrimit në Alhambra, mahnitja me realizimet arkitektonike dhe dekorimet e mrekullueshme e shënonin fundin e vizitës sonë në Andaluzi. Një “kafe se leçe” (kafe pa qumësht) në Albasin, sa për t’i bërë edhe ca foto të Alhambrës prej matanë, disa shëtitje nëpër çarshinë e Albasinit, vizita në një faltore myslimanësh emigrantë nga Afrika, që ende s’e kishin zbuluar drejtimin e Qabesë e faleshin secili në kiblen e tij, ishin krejt ajo që na mbeti kujtim nga Granada.
Të nesërmen herët po niseshim për Zvicër. Me shumë kujtime dhe me shumë keqardhje që shumë gjëra na mbeten për t’i parë. Sa për të lënë një shkak që përsëri të vijmë këndej. E derisa udhëtonim përsëri në veri, më kujtohej ajo ngjarja që e kanë regjistruar gjithë historianët kur sunduesi i fundit arab i Granadës, Muhamed XII, i njohur si Boabdil, që sundoi kah fundi i shekullit XV, e dorëzoi qytetin pa luftë dhe, duke thënë “Zoti është më i madhi”, filloi të qajë. Ndërsa nëna e tij me qortim ia ktheu: “Mos qaj si grua për atë që e humbe si burrë”. Por, ne nuk arritën ta gjejmë shkëmbin e quajtur “El ultimo sospiro del Moro” (Psherëtima e fundit e maurit), aty ku kishte qarë ky maur i fundit, i cili u largua nga Andaluzia më 1492. Na mbeti për vizitën tonë të ardhshme.
E sa e mërzitshme ishte pastaj rruga e gjatë për në Zvicër! E sidomos fluturimi për në Shkup. Këtu ku në një mënyrë përsëritet mesjeta spanjolle e inkuizicionit.
Hasta la vista, Andalucia!

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 67 ndjekësve të tjerë

Këtë e pëlqejnë %d bloguesa: