Arkiv

Archive for the ‘Monumente kulturore’ Category

Çamëria, toka e ndaluar për shqiptarët

09/04/2013 Lini një koment

Fabjola BRAMO

ÇAMËRIA, TOKA E NDALUAR PËR SHQIPTARËT

Trevat shqiptare tanimë të pushtuara nga grekët 

I love ÇamëriaNë vitin 1944 rreth 28 mijë çamë u dëbuan nga shtëpitë e tyre në drejtim të Shqipërisë, ndërsa rreth 7 mijë drejt Turqisë. Militarët grekë vranë rreth 300 civilë të pafajshëm, që nuk pranuan të merrnin rrugën drejt Shqipërisë dhe të linin tokën e të parëve, dogjën dhjetëra fshatra e prona. Qindra familje u ndanë, mijëra pronarë u shpronësuan brenda natës. Asnjë çam nuk ka arritur t’i rifitojë pronat e humbura. Si të mos mjaftonin këto, policia greke nuk lejon hyrjen në Greqi të atyre që kanë në pasaportën vendlindjen në Çamëri. Sot, edhe pse kanë kaluar rreth 68 vjet, çështja çame ende mbetet e pazgjidhur.

Kur isha fëmijë, diku rreth moshës 6-7-vjeçare,  dëgjova për herë të parë fjalën “çam”. Në pallatin ku banoja kishte disa familje çame. E folmja e tyre ishte disi ndryshe me atë që përdornim ne. Në fillim mendova se çamët mund të ishin të ndonjë kombësie të huaj, por që banonin në Shqipëri. I shihja me habi, pasi në atë lloj izolimi që jetonim asokohe, më dukej jashtë mendsh që dikush të zgjidhte të jetonte si ne. Im atë më shpjegoi se çamët ishin shqiptarë si ne, si kosovarët, si shqiptarët e Malit të Zi, Maqedonisë etj., por historia ishte treguar shumë e padrejtë me ta. Vite më pas, kur u rrita mjaftueshëm sa për të kuptuar historinë, mësova se prapa dëbimit masiv të çamëve si etni, fshiheshin interesa të lidhura me përfitimin e tokave, pronave e pasurive të begata të Çamërisë.

Dëshirojmë që udhëtimin tonë të revistës “Shenja” nëpër trevat shqiptare për këtë vit, që posa ka trokitur, ta nisim me Çamërinë. Do të vizitojmë historinë e çamëve, pasuritë natyrore, folklorin, personazhet e gastronominë e veçantë të këtyre shqiptarëve. E zgjodhëm jo më kot këtë destinacion, pasi çështja çame është një nga pikat më nevralgjike të kombit shqiptar dhe se protestat e këtij komuniteti janë më të forta se asnjëherë tjetër.

Ku shtrihet Çamëria

Çamëria shtrihet në jugun e Shqipërisë, në veri të territoreve të sotme greke. Më së shumti emërtohet me këtë emër territori ndërmjet Thesprotisë dhe Prevezës, në brigjet joniane të Epirit. Emri Çamëri mendohet se ka lidhje me lumin Thyamis, i cili shqipërohet çam. Një hipotezë tjetër e ngritur lidhet me etimologjinë me emrin e Thesprotisë nën ndikimin osman. Zyrtarisht, territoret çame përfshinin trevat Thesprotia, duke u shtrirë në veri në Gjirin e Ambrakisë, dhe në lindje në malet e Pindit. Lumi Thyamis ishte kufiri verior i kësaj krahine. Mendohet se Çamëria është tkurrur në hartën e shtrirjes së vendbanimeve. Në ditët tona, territoret e dikurshme çame janë pjesë e Sarandës dhe Delvinës dhe kufizohen me Llogoranë dhe malet e Muzinës në veri dhe veri-lindje.

Në kohët moderne Çamëria u reduktua vetëm në territorin dialektologjik të tyre duke u ngushtuar mes lumit Acheron në jug, Butrintit në veri dhe maleve të Pindit në lindje. Aktualisht nën territorin administrative të Shqipërisë gjenden vetëm Konispoli dhe Markati. Të gjitha qytetet dhe fshatrat çame mbetën nën Greqinë. Qytetet më të rëndësishme ishin Janina, Filati, Follorina, Gumenica, Paramithia, Arta etj. Ato janë qytete të zhvilluara, më së shumti Janina dhe Gumenica. Kjo e fundit shërben si një nga portet më të rëndësishme në bregdetin jonian.

Pas vendosjes në Shqipëri, çamët morën nënshtetësinë shqiptare në vitin 1953 dhe u trajtuan si shqiptarë. Çamët më së shumti u vendosën në qytetet e Durrësit, Vlorës dhe Tiranës. Por, pati dhe një pjesë të këtij komuniteti që u vendos në Himarë, në bregdetin e Jonit, në fshatin Borsh dhe sidomos në zonën Sarandës dhe Delvinës.

Tokat dhe pronat e çamëve patën të njëjtin fat. Greqia ishte e interesuar të përvetësonte tokat e begata të etnisë që përzuri dhe të merrte pa të drejtë pronat e tyre. Një ligj i turpshëm i parlamentit grek në vitin 1953 i konsideroi këto toka si të braktisura nga banorët, të cilët ishin larguar nga Greqia pa leje dhe pasaportë. Në vitin 1956 tokat dhe pronat e tjera kaluan nën pronësinë e shtetit grek ndërsa në vitin 1956, zona u popullua me banorë grekë, të cilët përvetësuan gjithçka gjetën. Çështja e kthimit të pronave pronarëve të dikurshëm ka ngjallur prej vitesh mjaft debate. Një komision i krijuar në vitin 1997 mes palës greke dhe asaj shqiptare për të zgjidhur çështjen e pronave, mendohej se mund të bënte të mundur kompensimin e çamëve, por shpresat u vakën që në nisjen e punës, pasi komisioni nuk funksionoi asnjëherë.

Denigrimi për shkaqe fetare

Një arsye e rëndësishme e denigrimit të popullsisë çame nga Greqia është dhe fakti se shumica e tyre i përkasin fesë islame. Sipas burimeve të ndryshime, islamizimi i Çamërisë ka ndodhur në periudhën kur Perandoria Osmane ishte në kulmin e lulëzimit të saj. Në shekullin e 17-të, thuajse të gjitha qytetet dhe fshatrat adoptuan fenë islame. Veç këtij fakti, familjet dhe përfaqësuesit e tyre më elitarë luajtën një rol të rëndësishëm në islamizimin e Çamërisë. Pashallarët dhe bejlerët përhapën islamin në popull, ndërsa në jugun e vendin, në Acheron dhe Prevezë, popullsia qëndroi ortodokse, duke ndjekur ritet fetare të grekëve.

Përfundimi i Luftës Greko-Turke dhe nënshkrimi i Traktatit të Lozanës, vendosi që çamët muslimanë të dërgoheshin në Turqi dhe ortodoksët të silleshin në Greqi. Mijëra çamë u çatdhesuan dhe u dërguan në Stamboll. Ky denigrim u duk se u zbut në periudhën kur kryeministër i Greqisë ishte Teodor Pangalos-i, gjysmëshqiptar e gjysmëgrek, i cili shprehej krenar për origjinën e tij shqiptare. Popullsia muslimane qëndroi në trojet e veta për sa kohë që Pangalos-i qëndroi në pushtet. Periudha e regjimit të Janis Metaksas-it ishte më e vështira në historinë e Çamërisë. Jo vetëm që ata nuk lejoheshin të ushtronin veprimtari fetare, por u ndaluan madje të flisnin dhe gjuhën shqipe.

Aktualisht në trevat çame jeton një pjesë e popullsisë autoktone që kanë përqafuar besimin ortodoks. Ata janë folës të gjuhës shqipe dhe e përcjellin atë brez pas brezi. Thuhet se të vjetrit njohin vetëm gjuhën shqipe dhe nuk janë në gjendje të flasin greqisht. Praktikimi i fesë ortodokse u ka mundësuar atyre qëndrimin në Çamëri.

Kontributi çam në çështjen kombëtare

Patriotët çamë nuk munguan në asnjë rast në dhënien e kontributit të tyre për çështjen kombëtare. Lidhja e Prizrenit mbajtur në vitin 1878 kishte dhe delegatët e saj nga Çamëria, me në krye Abedin Dinon. Madje, me përpjekjet e tij ai arriti të ngrinte dhe një degë të Lidhjes në bregdetin jonian. Ai u vra kur shkonte të merrte pjesë në Lidhjen e Pejës.

Osman  Taka ishte një tjetër bashkohës i Dinos, i cili gjithashtu ishte pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit. Në Çamëri ai themeloi një degë funksionale në Prevezë. Ai u arrestua dhe ekzekutua në Konispol kur u shpërbë Lidhja e Prevezës.

Asambleja e Prevezës, mbajtur menjëherë pas vendimeve të Kongresit të Berlinit, është një tjetër pikë e rëndësishme e kontributit çam në ruajtjen e kufijve shqiptarë. Delegatët nga Labëria dhe Çamëria, numri i të cilëve arriti në 400 delegatë, synonte të pengonte dhënien e Epirit. Asambleja nuk arriti të përmbushte synimet e veta, pasi Artën dhe gadishullin me këtë emër e mori nën sundim Greqia, ndërsa pjesa tjetër e Çamërisë mbeti nën ndikimin osman, nën Vilajetin e Janinës. Në Kongresin e Vlorës, në vitin 1912, në ditën e Shpalljes së Pavarësisë, Çamëria kishte 6 delegatët e saj, të cilët u shprehën pro pavarësisë.

Muzika, vallja dhe veshja

Çamët janë mjaft të apasionuar pas muzikës, e cila në fakt është disi e ndryshme nga ajo shqiptare. Muzika popullore çame ndahet në kategorinë e polifonisë, isopolifonisë dhe baladave popullore. Ndikimi i përgjithshëm është ai toskë, me përfaqësuesit më të njohur labët. “Kënga e Çelo Mezanit” është më e njohura këngë çame dhe i dedikohet një revolucionari çam. Kjo këngë këndohet ende nga grupi i çamëve të Rrogozhinës, me solist Refat Sulejmani. Me të njëjtat motive shumë këngëtarë çamë këndojnë këngë patriotike, si Enkelejda e Hysni Alushi, të cilët janë përfaqësuesit më të denjë të këngës çame në Shqipëri.

Një valle çame me emrin “Osman Taka” është mjaft e njohur dhe popullore nga ky komunitet. Tematika e saj lidhet me emrin e patriotit Osman Taka. Ai ishte i arrestuar nga osmanët, por duke kërcyer këtë valle, arriti ta mrekullonte komandantin osman dhe në këtë mënyrë të arratisej nga burgu.  Në periudhën e totalitarizmit, një grup valltarësh shqiptarë morën pjesë në një konkurs ndërkombëtar vallesh ku merrte pjesë edhe Greqia. Përfaqësuesja greke tentoi të merrte pjesë në konkurs me “Vallen e Osman Takës”, ndonëse ai ishte një çam musliman që nuk kishte asnjë lidhje me Greqinë. Juria asnjanëse ia hoqi të drejtën Greqisë ta përvetësonte këtë valle të bukur dedikuar këtij patrioti.

Një valle tjetër e rëndësishme është edhe “Vallja e Zallongut”, e cila i referohet një ngjarjeje historike të fillimit të shekullit të 19-të në zonën e Sulit.

Lidhur me veshjen e çamëve, vërehet qartë se ka ndikimin e zonës së jugut të Shqipërisë. Veshja e burrave është fustanella, e qëndisur me fije argjendi, jeleku i shkurtër, këmisha e shkurtër me mëngë të gjera, fezi, opingat e lëkurës me xhufkë të kuqe dhe çorapet e bardha deri në gju. Një tjetër ornament është dhe mbajtësja e armës në gjoks, e qëndisur me argjend. Fustanella e çamëve ndryshon nga ajo e burrave të Toskërisë për nga gjatësia.

Gratë çame kanë veshje tipike tumanet. Kështu i quajnë çamet dimitë e gjera të mëndafshit oriental ose të pambukut. Në ditët e zakonshme ato vishnin tumane cope, ndërsa në ditë të veçanta ato të mëndafshta. Pjesa e sipërme e veshjes ishte një këmishë e qëndisur me fije ari ose argjendi dhe, shpesh, shoqërohej me një jelek të shkurtër. Në fund të shekullit të 19-të gratë qytetare çame nisën të vishnin funde ose fustane të gjata, të  ngjyrave vishnje dhe lejla të qëndisura me fije ari. Jeleku i zbërthyer dhe këmisha e mëndafshit me mëngë të gjera, ishin pjesë shoqëruese që qëndiseshin me finesë. Në raste të veçanta vishnin dhe një xhaketë treçerekëshe të qëndisur me motive floreale. Brezi i argjendtë ishte pjesa më e bukur e veshjes, por edhe shamia e mëndafshtë e kokës, vathët, unaza, byzylykë e gjerdanët, e plotësonin kuadrin e veshjes tipike të gruas çame.

Burimi: http://almakos.com/shenja/17984-cameria-toka-e-ndaluar-per-shqiptaret.html

Ura antike e Goricës, një monument drejt shkatërrimit

01/04/2013 Lini një koment

URA E GORICËS, NJË MONUMENT DREJT SHKATËRRIMIT

Ura e Goricës

Ura e Goricës

Rrethon lagjen e moçme, do të ndërhyhet për të mos lejuar shembjen

Specialistët: Dëmtime serioze në pjesën e bazamentit dhe të parmakëve

BERAT- Ura shekullore e Goricës në qytetin e Beratit po shkon drejt degradimit. Dëmtimet e shumta rëndohen edhe nga shkelja e rregullave për moskalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë. Drejtoria rajonale e Monumenteve të Kulturës në Berat, prej disa javësh ka kërkuar marrjen e masave urgjente për bllokimin e saj, por masat nuk respektoheshin. Për të gjetur një zgjidhje, pas takimit të drejtorit të degës se monumenteve, Lonik Çuedari, me kreun e Bashkisë së qytetit, Fadil Nasufi, u vendos që bashkia të ndërmarrë masat e duhura. Prej se mërkurës në të dyja anët e urës janë vendosur disa platforma hekuri që izolojnë hyrjen e mjeteve në këtë urë, duke lejuar vetëm kalimtarët. Pas inspektimit të urës, specialistët thonë se ka dëmtime serioze në pjesën e kalldrëmtë të bazamentit dhe të parmakëve. Në fakt, problemi më shqetësues vjen nga çarjet serioze që uji ka krijuar në tri pjesë të saj, duke depërtuar thellë nëpër muret kryesore të harqeve të saj. Ndërsa tubi kryesor i ujit të pijshëm, i cili përshkon këtë urë ka sjellë dëmtime tepër serioze në të gjitha shtyllat mbajtëse të harqeve të urës. Ky tub i montuar në vitet ‘60 ka shërbyer si një nga degët kryesore të furnizimit me ujë të pijshëm për lagjen muzeale të “Goricës”. Kjo urë, përveçse lidh lagjen “Goricë” me pjesën tjetër të qytetit, shërben edhe si rrugë kryesore për të lidhur fshatrat dhe komunat përreth me rrugën nacionale. Në të gjithë gjatësinë e saj, urës së Goricës i janë dëmtuar parmakët, i është shkatërruar krejtësisht kalldrëmi, ndërkohë që harqet janë dëmtuar në shumë vende. Ura e Goricës, e cila ndodhet në lagjen me të njëjtin emër, është një nga objektet më të rralla të këtij qyteti. Për vlerat arkitekturore është shpallur monument kulture i kategorisë së parë, por pavarësisht kësaj, fondet e vëna në dispozicion për restaurimin e saj gjatë këtyre viteve kanë qenë të papërfillshme. Kjo urë është njëkohësisht një nga objektet më të vizitueshme nga vendasit, por edhe turistët e huaj. “Duke qenë se ura është e vetmja që lidh dy pjesët më të rëndësishme të qytetit, mbi të qarkullojnë të gjitha llojet e mjeteve. Kjo ka bërë që ura të dëmtohet gjatë viteve të fundit. Por, gjithashtu mungesa e fondeve për restaurimin e saj ka bërë që ndërhyrjet nga ana jonë të kenë qenë të pakta. Bllokimi i kësaj ure do të bëjë që mjetet të shmangin lëvizjet mbi të dhe të drejtohen nga ura tjetër në rrugën hyrëse të qytetit. Gjithsesi, për evidentimin e shkallës së dëmtimit të saj do të thirren një grup ekspertësh specialistë të monumenteve nga Tirana, të cilët do të studiojnë dhe matin çdo parametër të dëmtimit të saj. Në bazë të provave të mbledhura do të bëhet dhe projekti, i cili do të paraqitet pranë Ministrisë se Turizmit, Kulturës dhe Sporteve për të akorduar fondet për meremetimin e saj”, pohon drejtori i Drejtorisë rajonale të Monumenteve, Lonik Çuedari. Ura e Goricës është ndërtuar fillimisht prej druri e më pas prej guri nga Kurt Pasha. Për shekuj me radhë kjo urë ka përballuar përmbytjet, luftërat apo vërshimet e lumit Osum.

http://www.gazetametropol.com/ura-antike-e-gorices-nje-monument-drejt-shkaterrimit/

Vlerat historike dhe filologjike të mbishkrimeve me alfabet arab në Shqipëri

13/02/2013 Lini një koment

VLERAT HISTORIKE DHE FILOLOGJIKE TË MBISHKRIMEVE ME ALFABET ARAB NË SHQIPËRI

ArabicSi trashëgimi e kulturës së periudhës osmane në Shqipëri vijnë rreth 430 mbishkrime me shkrim arab të cilat janë mbledhur me kujdes, transliteruar dhe përkthyer nga orientalisti i mirënjohur shqiptar, Vexhi Buharaja. Këto mbishkrime janë gjetur në rrethet Berat, Durrës, Kavajë, Peqin, Tiranë, Elbasan, Gjirokastër, Libohovë, Tepelenë, Përmet, Vlorë, Krujë, Lezhë dhe Shkodër.

Në përgjithësi ajo janë kronograme, epitafe të shkruara në objektet e kultit islam, si xhami, teqe, në pllaka varresh, si edhe epigrame në kështjella, kulla sahatesh, godina banimi, vepra urbanistike, çezma, kroje dhe mure rrethues. Të shkruar në pllaka gurësh gëlqerorë, në pllaka apo kolona mermeri, në pjesë të suvatuara, në material drusor apo lëkure. Mbishkrimet rrokin një hark të gjerë kohor, gati pesëshekullor, duke filluar nga viti 1446 dhe përfundojnë në vitin 1942.

Mbishkrimet hedhin dritë në disa momente të rëndësishme të historiografisë shqiptare.

Në këtë kuadër përmendim tre mbishkrime të ndodhura në fortesën e Elbasanit, që i korrespondojnë vitit 1466 dhe dëshmojnë për rindërtimin e kësaj kalaje në prani të vetë Sulltan Mehmet Khanit (Fatihut).

Vargjet: Këtë kështjellë shumë të bukur të quajtur Ijl-basan, e rindërtoi sulltani i sulltanëve të kësaj kohe (Mehmeti II), kuptohet mbas dështimit në pranverë të vitit 1466 në rrethimin e dytë të Krujës. Sulltan Mehmeti II e rindërtoi kështjellën e El-Basanit dhe la në të një pjesë të ushtrisë së tij me komandant Ballaban pashën, për ta pasur kështjellën si avampost të ushtrisë turke në inkursionet e mëvonshme kundër Krujës.

Me interes janë dy mbishkrime të vendosura njëri mbi tjetrin të skalitur në një rrasë guri me përmasa 1.20 x 0.40, që janë gjetur në murin e sipërm të kroit në krahun e majtë të rrugës që të çon në fortesën e Krujës.

Në pjesën e mbishkrimit shkruhet:

Viti i rindërtimit të murit

Mirëbërësi

Veziri i Madh, Gazi Evrenozi

Viti 850

——–

1446-1447

Mbishkrimi i poshtëm dëshmon për praninë e këtij funksionari të lartë të ushtrisë turke në rrethinat e Krujës para rrethimit të parë të saj.

Një tjetër mbishkrim i ndodhur në Lezhë dëshmon për një tjetër ngjarje historike:

Ky mbishkrim prej dy radhësh e gjysmë lidhet me restaurimin e kalasë së Lezhës. Teksti është shkruar në shkronja elegante arabe. Tipi i kaligrafisë është ai që hasim rregullisht në mbishkrimet më të hershme në vendin tonë.

Disa prej mbishkrimeve të ndodhura në Shqipëri kanë vlera historike sepse bëjnë fjalë për ngjarje të shënuara e të rëndësishme në historiografinë shqiptare.

Disa prej mbishkrimeve janë gjetur në kulla sahatesh, nëpërmjet të cilave gjykojmë saktësisht mbi kohën e ndërtimit të tyre. Kështu, mësojmë se kulla e sahatit të Kavajës është ndërtuar në vitin 1817, e Prezës në vitin 1858, e Beratit në vitin 1882, e Elbasanit në vitin 1899.

Hamamet e nxehta në Shkodër, kushtuar themeluesit të Urdhrit Nakshibendi në Shkodër, Behauddin Nakshibenduet janë ndërtuar në vitet 1627-28; banjat e ndërtuara në Tiranë nga mytesarifi i Durrësit Hasan Muharrem beu janë ndërtuar në vitin 1740. Muri në krojin e malit të Sari Salltëkut, Krujë, është ndërtuar në vitin 1780, ura në lagjen Palorto, Gjirokastër është ndërtuar në vitet 1851-52; ura në Mirakë të Librazhdit është ndërtuar në vitin 1715. Pa ekzistencën e këtyre mbishkrimeve vështirë do të ishte, për të mos thënë e pamundur, përcaktimi i viteve të ndërtimit të këtyre monumenteve të kulturës që i përkasin periudhës osmane. Nëpërmjet mbishkrimeve të vendosura në muret mbajtëse në disa kroje të Shqipërisë mësojmë për ngjarje të ndodhura apo personalitete me funksione të caktuara. Një dy-varg i gdhendur mbi një rrasë mermeri në një krua publik në qytetin e Vlorës dhe që i përket vitit 1528, na bën të njohur emrin e Iliaz pashës, i përmendur në historikun e këtij qyteti.

Ky vështrim na mundëson të ndriçojmë, të shkruajmë me vërtetësi e saktësi shumë çështje të rëndësishme të historisë së përhapjes së besimit islam në trojet shqiptare. Është hedhur mendimi se objektet e kultit islam ndër këto troje kanë ekzistuar që para ardhjes së turqve. Ky mendim mbështetet në ekzistencën e disa xhamive, si p.sh. Xhamia e Kuqe në kalanë e Beratit, e përcaktuar si e kohës së Bajazidit I (1389-1402). Por e dokumentuar ekzistenca e xhamive në Shqipëri zë fill që nga koha e sulltan Mehmetit II dhe Bajazidit II, që i përkasin kryesisht gjysmës së dytë të shekullit XV. Kësaj periudhe i përkasin disa xhami në vendin tonë, si xhamia e vjetër e Përmetit e vitit 1402, e djegur gjatë Luftës II Botërore – Xhamia e Kalasë dhe e Drishtitt në Shkodër e viteve 1479-80, Xhaminë Mbret në Berat, Elbasan (xhamia në fshatin Shtëpanj të Elbasanit në derën e së cilës është vendosur ky mbishkrim: Mirëbërësi (që ka ngritur) këtë xhami të shenjtë në katundin Shtëpanj. Fatih sulltan Mehmeti, viti 884 (1479-1480). Në Luftën Ballkanike qe djegur nga Serbia, pastaj u ndërtua nga populli i fshatit), Përmet e Kaninë të viteve 1492-95.

Gjatë shekullit XVI përhapja e besimit islam në trojet shqiptare eci me hapa të ngadaltë sepse në atë kohë mund të themi se ende shqiptarët nuk ishin ndërgjegjësuar për të përqafuar këtë besim. Kështu që gjatë këtij shekulli numri i objekteve të kultit islam mbetet i kufizuar kryesisht në disa qytete kryesore të Shqipërisë apo qendra të rëndësishme të banuara. Këtij shekulli i përkasin xhamitë e ndërtuara në kala: Ndroq, Ishëm, Kaninë, Lezhë në vitet 1521-27, Xhamia e Plumbit në Berat në vitin 1553-54, Xhamia Muradie në Vlorë e vitit 1560-66, Xhamia e Allajsë në Dibër e vitit 1588, Xhamia e Nazareshës në Elbasan – para viteve 1590.

Gjatë shekullit XVII ritmet e përhapjes së besimit islam në Shqipëri përshpejtohen. Në fund të këtij shekulli islami ishte shtrirë në qytetet kryesore të Shqipërisë: Shkodra 100%, Elbasani 79%, Kruja 63%, Berati 60%, Skrapari 87%, Korça 21%, Kavaja, Delvina dhe Lezha 2-4%. Ky fluks i besimit islam shoqërohet me ndërtimin e më shumë xhamive mbi të cilat janë lënë mbishkrime.

Udhëtari turk Evlija Çelebiu kur vizitoi Shqipërinë në vitet 1670-72, shënon në Sajjahatname se në qytetin e Elbasanit gjeti 46 xhami, në Shkodër e Berat nga 30 xhami, në Gjirokastër 8 xhami dhe më pak xhami në qytetet e tjera.

Shekulli XVIII e gjeti Shqipërinë me më shumë xhami dhe me përmasa më të mëdha. Çka do të thotë se gjatë këtij shekulli popullsia muslimane shkon në rritje, me shtrirje më të gjerë territoriale dhe me xhemat më të shumtë. Emrat e disa dijetarëve dhe mësuesve në kronogramet e disa prej xhamive dëshmon se në këtë kohë, këto objekte shërbenin edhe si shkolla të mësim-besimit. Në vitet 1722-23 ndërtohet Xhamia Ndocaj në Shkodër me kontributet e vetë banorëve të lagjes Rus. Në vitet 1727-28 në fshatin Velabisht ndërtohet një xhami dhe një shkollë nga Mahmut Pasha i Beratit. Ndër xhamitë kryesore të kësaj periudhe është ndërtuar në vitet 1773-74 Xhamia e Plumbit në Shkodër prej Mehmet pashë Bushatlliut. Gjatë kësaj periudhe të tjera xhami u ndërtuan në Vlorë, Libohovë, Gjirokastër etj.

Gjatë shekullit XIX-XX vazhdon ndërtimi i xhamive në qytetet më kryesore të Shqipërisë, si në Tiranë, Shkodër, Berat, Gjirokastër, Elbasan etj., që dëshmon për intensitet të jetës fetare në këto qytete. Më kryesoret e kësaj periudhe prezantohen: Xhamia e Beqarëve apo e Sulejman Pashës në Berat, e ndërtuar në vitet 1827-28, Xhamia Agalli e viteve 1815-16 dhe Xhamia Dunovat e vitit 1886 në Gjirokastër, e Gjin Aleksit e vitit 1880 në Delvinë, e Xhamisë Karaisaj Bimbas dhe Luguçezme në Shkodër.

Në shekullin XIX dhe në fillimet e shekullit XX ndërtimeve të reja të objekteve të kultit islam shtrihen më tepër në Shqipërinë e Jugut, kryesisht në zonën kufitare dhe në ekstremin veriperëndimor, çka vërteton drejtësinë e tezës së hedhur nga studiuesi Tomas Arnold dhe Moroko della Roka se Islami ishte besim që rrethoi si unazë refraktare trojet shqiptare dhe i mbrojti nga rreziqet dhe kërcënimet e përthithjes prej shteteve më të mëdhenj të Ballkanit.

Përveç vlerave të tyre si objekte kulti dhe monumente kulture, ato kanë qenë qendrat më të rëndësishme të atyre kohëve, sepse pranë tyre funksiononin shkolla e libroteka. Njëkohësisht, nëpërmjet njohjes së historikut të këtyre objekteve gjykohet për zhvillimet urbanistike të shumë qyteteve të Shqipërisë. Këto objekte janë bërthama dhe zanafilla e lagjeve të vjetra, shumica e të cilave mbanin emrat e këtyre objekteve kulti.

Mbishkrimet turko-osmane të qëmtuara me kujdes nga orientalisti Vexhi Buharaja na shërbejnë sot për të ndërtuar peisazhin e qytetërimit islam dhe për deduksione historike të sakta rreth përhapjes së besimit islam në Shqipëri.

Ndër këta personalitete përfshihen udhëheqës të shtetit osman, si sulltanë, sadrazemë e ushtarakë të niveleve të ndryshme që janë aktorë të ngjarjeve të mëdha. Midis tyre përmendet kështu Sulltan Mehmeti II, i cili urdhëroi rindërtimin e Kalasë së Elbasanit në vitin 1466 mbas rrethimit të dytë të Krujës. Një pllakë guri e vendosur në murin e rrugës në afërsi të Krujës dhe që mban datën 1446-47, mban emrin e komandantit turk Gazi Evrenozi, i ngarkuar për të kryer veprime ushtarake para rrethimit të parë të Krujës në vitin 1450. Po kështu, edhe mbishkrimi i gjetur në mafilin e Xhamisë Mbret në Berat dëshmon për praninë në këto qytete të sadrazemit turk Mehmet Reshit Pasha.

Disa prej mbishkrimeve na njohin me jetë pashallarësh dhe protagonistë ngjarjesh të rëndësishme. Në muzeun e qytetit të Beratit ndodhet sahani i Ali Pashë Tepelenës në të cilin shënohet data që dëshmon për rënien e pashallëkut të Beratit në vitin 1808 nën sundimin e pashait të Janinës. Ndërsa në Xhaminë Hoxharë të Libohovës gjendet një tjetër mbishkrim që i thur lavdi veprave të pashait të Janinës.

Shumë mbishkrime të ndodhura ende në teqen e halvetive në Berat dhe të shkruara në pllaka mermeri e guri si edhe në pjesët drusore të interierit të kësaj teqeje na njohin me jetën dhe veprën e Kurt pashait që sundoi pashallëkun e Beratit nga viti 1760-1785. Kurt pasha cilësohet në këto mbishkrime si urdhëruesi i veprave të mira, midis të cilave ura e Goricës, teqja halveti, etj. Ai përmendet edhe për fitoren e vitit 1775 kundër Karamahmud Pashë Shkodranit (Bushatllinjtë).

Një mbishkrim i ndodhur në xhaminë e fshatit Velanisht në Berat na bën të ditur vitin  1727-28 si vit i vdekjes së Mahmut Pashës, themelues i pashallëkut të Beratit. Një mbishkrim i ndodhur në lagjen Agalli të qytetit të Libohovës i përket Abas Agait, oficer i lartë i ushtrisë perandorake, rënë dëshmor në vitin 1897.

Mbishkrimi i ndodhur në Xhaminë e Beqarëve në Berat, që i përket viteve 1852 dhe i shkruar nga poeti turk Arif Hikmet na bën të ditur vdekjen e Sulejman Pashës, i biri i Ibrahim Pashë Vlorës dhe nipi i Kurt pashës. Mbas vdekjes së Ali pashait në vitin 1821, Sulejmani u rehabilitua nga sulltani dhe u emërua Mytesarif i Beratit në vitet 1822-1830. Mbas viteve 1830 Sulejmanin e shohim në pozicionin e bejlerbeut të Rumelisë.

Disa prej mbishkrimeve u përkasin funksionarëve të lartë të fesë islame. Nga një mbishkrim i gjetur në Xhaminë Mbret, Berat, mësojmë se në vitin 1833, myfti i Beratit ka qenë Nuh efendiu, i cili në këtë xhami ka përgatitur shumë kuadro fetarë për të gjithë Shqipërinë e Jugut dhe veprën e tij e vazhdoi myfti Ahmet Efendi në vitet 1866-1878. Në Xhaminë e Vakëfit në Berat, që i përket vitit 1925 bën fjalë për vdekjen e hoxhës Selman Hoxha, ndërsa nga mbishkrimi i ndodhur në derën e xhamisë së Et’hem beut mësojmë për themeluesin e këtij objekti nga Mulla beu në vitin 1793.

Në disa prej mbishkrimeve vërehen përpjekje për paraqitjen e përmbajtjes në formë poezish në vargje, kryesisht në formë distikësh, si p.sh. kronogrami i shkruar nga myftiu i Shkodrës, Myrteza efendiu, që ka jetuar në gjysmën e dytë të shekullit XVIII dhe që është autor i disa poezive dhe ilahive në gjuhën shqipe me alfabet arab. Krijimtaria e këtij autori dallon për nivelin e lartë artistik dhe mesazhet që përcjell.

Në mbishkrimet e gjetura në teqenë Radë të Durrësit (1851), dhe në xhaminë Çamorrat në Gjirokastër gjejmë vargje të poetit Xhelaludin Rumiu.

Në teqenë e Radës në Durrës gjejmë këtë hadith të profetit Muhamed (a.s.):

“Fito dituri nga djepi deri në varr.”

Në Xhaminë e Agait në Elbasan gjejmë një poezi prej tetë vargjesh, që mund të konsiderohet nga më të arrirat dhe ku respektohen rregullat e stilistikës dhe të metrikës.

Siç shihet në këto mbishkrime vërehen përpjekje për lëvrimin e prozës dhe poezisë. Në to gjenden shumëllojshmëri rimash.

Stilet kryesore të kaligrafisë së mbishkrimeve turko-arabe në Shqipëri zhvillohen nën ndikimin e artit arab në dekorin e modelin “Kufi” si stil formal me karakter të hollë.

Shkrimi kufi më tepër është përdorur nga dijetarët dhe hoxhallarët e niveleve të larta. Shkrimi ka përmasa të veçanta proporcionale si dhe forma këndore, katrore të theksuara, ka vija horizontale të zgjatura, ka përmasa më të theksuara në gjerësi sesa në lartësi. Këtë stil shkrimi e ndeshim më shumë në mbishkrimet e fortesës së Elbasanit si dhe të Lezhës.

Modelin e shkrimit Ta’lik (i varur) e ndeshim më dendur në mbishkrimet me alfabet arab në Shqipëri.

Stilin Ta’lik e gjejmë të përdorur si një shkrim monumental, në poezi dhe në vepra letrare.

Modelin e shkrimit “Thuluth” e gjejmë në mbishkrimet: Xhamitë Mbret në Berat, Durrës, Përmet, Kubelije në Kavajë, Kryeurë në Shkodër, në xhaminë e Ali Pashë Tepelenës, në teqetë e Krujës, në xhamitë e Lezhës dhe të Gjirokastrës.

Ky lloj shkrimi tipizohet nga shkronja të harkuara, të zbukuruara me xhufka. Shkronjat lidhen bukur e madje ndonjëherë ngërthehen duke krijuar kështu një rrjedhë kursive të përpjestimeve të plota dhe shumë herë komplekse.

Në odeonin e kulturës shqiptare qëndrojnë plejada alhamiadistësh të shquar, të cilët me alfabetin arab që prej shekullit XVII i dhanë letërsisë shqipe shumë vepra.

Mbishkrimet përbëjnë një lloj zhanri në letërsinë shqipe që pa dyshim kërkonin dije, kulturë dhe aftësi; kërkonin zotërues të mirë të gjuhëve të huaja, njohuri të kompozimit të përmbajtjes dhe të vargjeve, aftësi për të shprehur bukur e qartë idetë. Disa prej këtyre autorëve të kronogrameve, ilahive, elegjive, janë skalitur në këto mbishkrime.

Nga hulumtimi në përmbajtjen dhe në formën e mbishkrimeve konkludohet se autorët e tyre kanë njohur me themel të tri gjuhët e kulturës islame dhe kanë zotëruar shprehitë e vargëzimit. Këta autorë kanë shkruar kronograme të shkathëta e të bukura të paktën në formë e disa prej tyre edhe me pretendime etike. Sfondi i mbishkrimeve përgjithësisht paraqitet i thjeshtë, por nuk mungojnë edhe përpjekjet artistike. Në disa prej tyre janë bërë vizatime të thjeshta, si lule, gjethe, zogj, kuaj, simbole fetare, dekoracione, vija të drejta, paralele, të thyera, rrathë, zbukurime me forma gjeometrike. Në këtë vështrim, mbishkrimet na mundësojnë të hedhim dritë mbi zhvillimet e artit figurativ islam në Shqipëri. Nëpërmjet krahasimit të mbishkrimeve në kohë gjykohet për një përsosje drejt një kaligrafie me vlera artistike.

Konkluzione

1. Si pjesë e trashëgimisë kulturore materiale, mbishkrimet me alfabet arab dëshmojnë për momente e ngjarje madhore në historiografinë shqiptare.

2. Hedhin dritë mbi jetën dhe veprën e personaliteteve që lanë gjurmë në historinë shqiptare përgjatë periudhës osmane. Na lejojnë të ndjekim për së afërmi që në fillesat e pushtetit osman formimin e një shtrese feudalësh dhe personalitetesh vendës në kuadrin e klasës sunduese turke.

3. Saktësojnë datat e ndërtimeve të shumë monumenteve të kulturës shqiptare si objekte të kultit islam, fortesa, kulla sahatesh, ura, çezma të ndërtuara në një hapësirë pesëshekullore historike.

4. Mbishkrimet përbëjnë fushë pjellore studimi për gjuhëtarët dhe leksikologët e gjuhës shqipe. Përmbajnë material të pasur për njohjen e të folmes së kohës si dhe fushën e toponamistikës dhe antroponimisë.

5. Pavarësisht nga tematika e tyre e kufizuar ato na japin materiale plotësuese që konfirmojnë të dhënat prej burimeve të tjera në fusha të caktuara studimesh historike dhe filologjike dhe përforcojnë e mbështesin disa prej hipotezave të ngritura.

6. Alfabeti arab u shërbeu shqiptarëve për t’u shkolluar e për të krijuar e ruajtur kulturën e tyre duke u përcjellë brezave, arritjet e larta të kulturës, shkencës dhe artit që vinin nga lindja islame dhe që si dritë feneri përshkonin errësirën mesjetare.

7. Me alfabetin arab 70% e shqiptarëve mësuan të lexonin librin e Kur’anit, hadithet e profetit Muhamed (a.s.) dhe të përvetësonin bazat dhe parimet e besimit islam.

 

/Orientalizmi Shqiptar/

 

Në Roshnik, në gjurmë të Qyprilinjve

04/02/2013 Lini një koment

Fatos BAXHAKU

 

NË ROSHNIK, NË GJURMË TË QYPRILINJVE

Fatos Baxhaku

Fatos Baxhaku

Nuk kemi se ç’të bëjmë babuç, rruga është ca e keqe, po do bëjmë si do bëjmë. Deri në Roshnik është vetëm 12 kilometra”. Fitim Mimani, 65-vjeçar, e di thuajse përmendësh rrugën që po bëjmë. Tre-katër herë në ditë bën të njëjtin itinerar: Berat-Roshnik dhe kthim. Ai ka lindur në këtë vend, në “Nahijen e Beratit”, një zonë e gjerë e shtrirë në këmbë të Tomorit madhështor. Eshtë pasardhës i Qyprilinjve të famshëm, familje nga e cila dolën tre vezirë të mëdhenj që qeverisën Perandorinë Osmane në shekullin e ngatërruar XVII. Eshtë i pasionuar pas dy gjërave të vetme, pas fshatit dhe pas historisë së familjes së tij. Eshtë ndër të paktët që është rikthyer në fshat. Ka hapur një iniciativë të vetën majë një kodre të mbushur me vreshta, ullinj dhe fruta. “A s’është gjynah të ikësh që këtu”, bën me shenjë nga arat e mbjella dhe ullinjtë e mbajtur mirë.

Rruga për në Roshnik nis në periferi të Beratit, pak pa vajtur në Uznovë. Një fabrikë e braktisur baterish dhe disa godina, që duken se i kanë takuar ushtrisë, janë ngrehinat e para që lemë pas. Një gjuetar dhe zagari i tij po kthehen nga kodrat. Që të dy nuk duken aq entuziastë. Zagari i lodhur nga udha e gjatë e ndjek pas të zotin që mban mbi shpinë një trastë të zbrazët. Pastaj hasim vetëm furgona që venë e vinë në Berat.

Nga Ura e Bardhë e tutje

Rrugës kemi kohë të flasim me Fitimin mbi historinë e familjes së tij. “Unë e kam ditur gjithnjë lidhjen tonë me Qyprilinjtë. Që i ri dëgjoja copa bisedash të pleqve për këtë punë – nis të flasë Fitimi me sytë e mbërthyer mbi xhadenë që ka nisur të bëhet ca e përpjetë – babai im, Ali Fetah bej Mimani ishte nip te Frashërlinjtë. Ka qenë njeri shumë i dhënë pas vendit të vet. Ishte pjesëmarrës në kryengritjen e 1924, më pas në Kryengritjen e Fierit, ndihmoi sa mundi LANÇL, por në 1946 e futën në burg. Që nga ajo kohë nuk na panë me sy të mirë.

Mbaj mend një herë kur bëhej një aktivitet në fshat kishin ardhur paria e rrethit.

Në radhë të parë ishte edhe babai, si një nga njerëzit e nderuar të fshatit që ishte.

Një nga drejtuesit e atëhershëm dha urdhër ta largonin:

Ç’ma mbani atë këtu, nga ajo derë kanë dalë pesë pashallarë.

Vonë, nga vitet e fundit të jetës, babai më tregoi lidhjen tonë me trungun e Qyprilinjve të Turqisë. Ma ka lënë amanet që kurrë të mos e harroj këtë histori dhe të bëj ç’është e mundur që ta dinë edhe brezat e rinj. Kështu është puna”.

Pastaj Fitimi nis të na tregojë se si ka shkuar një udhëtim i tij në Turqi ku ka parë varret e kushërinjve të famshëm dhe veprat që ata kanë lënë pas për bamirësi, shkolla, biblioteka, vende të shenjta.

Në anë të një përroi Fitimi e ndalon makinën. “Ja këtu ka qenë një urë shumë e vjetër. Ura e Bardhë i thoshin, sepse ishte ndërtuar me gurë të bardhë. Kjo ishte e kohës së Mehmet Pashë Qypriliut. Ky pati bërë shumë për vendlindjen e tij. E prishën kot këtë urë. Vetëm për t’i marrë gurët”. Fitimi mundohet më kot të gjejë ndonjë pjesë të shpëtuar nga ura e vjetër.

Duhanasi është fshati i parë që hasim rrugës. Një avull i lehtë që ngrihet nga arat e porsapunuara kush e di se përse na kujton atë aromën e mirë që mban buka e porsapjekur e fshatit. Në qendër disa të rinj presin me padurim që të vijë furgoni i Beratit. Një kafe në “kasaba” nuk është njësoj si një kafe në fshat. Përballë tashmë kemi Tomorrin e bardhë nga dëbora e porsarënë. Më shumë se një mal na duket si një rojtar i thinjur që e ka mendjen poshtë, atje ku njerëzia mbase bën ndonjë zullum që ai nuk e di.

“Plaku” i lartë nuk do të na ndahet gjatë të gjithë udhëtimit tonë.

“Suzuki” i vogël i Fitimit shmanget ca nga rruga kryesore. “Tani do t’ju tregoj punën time – thotë Fitimi pa e fshehur kënaqësinë – kjo maja e kodrës që shihni është puna ime e fundit. Ka ardhur një ditë edhe Ismail Kadareja. Ka mbjellë një ulli”. Mbërrijmë në majë të një kodre të lartë dhe para nesh shfaqet një panoramë e mrekullueshme. Tomorri i veshur me dëborë, ca më tej Vojniku, një fshat që mban një emër ushtarak (vojnik në sllavisht do të thotë ushtar) dhe ca më tej Roshniku vetë i vendosur në një faqe kodre të butë. Fitimi nis të na tregojë fshatrat e “Nahijes” me radhë: “Gjithë problemi është te rruga.

Po të kishte një rrugë për të qenë kjo zonë do të ishte një thesar i vërtetë. Ja – bën me dorë ai – atje tej është Sazhdani, nga 35 familje dikur tani janë vetëm dy.

Pastaj është Perisnaka, kjo ka pasur 50 familje, tani vetëm dy, në Ferrth kanë mbetur vetëm dy familje, në Kostren po ashtu dy. Ç’t’ju them unë më parë juve? Njerëzia ikën, ikën vetëm nga mungesa e rrugëve”. Fitimi i hedh sytë me trishtim nga vendlindja e tij, pastaj kujtohet:

“Kam një kërkesë, nuk e di se si i keni rregullat tuaja, por unë kam shkruar një poezi atë ditën e tragjedisë së Gërdecit. A mund të ma botoni?”. Nuk kemi se si t’ia prishim kushëririt të Vezirëve të Mëdhenj. Ja poezia e shkruar nga Fitim Mimani, në majën e kodrës përballë Roshnikut:

Mali i Tomorrit përse rënkon/ Lumi i Osumit përse vajton/

Bilbili i kalasë 2400-vjeçare përse nuk këndon/Hallet e popullit po vajton/

Nuk vajton vetëm Tomorri/ Por të gjithë malet me radhë/ Për hallet që ka

Shqipëria vajton gjithë populli shqiptar/ Shqipëri moj nëna ime përse ke

ngelur jetime/Shqipëri moj hallemadhe dhe politikanët me ne përse tallen/

O ju zotërinj politikanë/Qofshi të majtë a të djathtë/ Hiqni dorë nga korrupsioni/

Larg nga hajdutëria se koha ecën përpara?

Kjo është pak a shumë poezia, e cila vazhdon edhe më, për të cilën ndonjë mësues letërsie apo kritik mund të ketë ndonjë mendim të vetin edhe më profesional, por gjithsesi.

Nga shkolla te xhamia

Roshniku është qendra e komunës.

Eshtë një fshat i madh dhe me shtëpi të mbajtura mirë. Fiqtë dhe ullinjtë duket se janë specialiteti i banorëve të këtushëm.

Fitimi na tregon një fik të stërmadh.

“Ky duhet të jetë më shumë se 300-vjeçar – na thotë – këtë lloj varieteti e patën sjellë të parët tanë nga Izmiri. Ku se kanë provuar që ta shtojnë, në Vlorë, në Shkodër, në Tiranë. Në asnjë vend nuk ka zënë vend. Kush e di sepse ky lloj fiku, që jeton shumë gjatë, rritet vetëm këtu te ne”. Ndërsa shohim fikun e lashtë na vijnë ndërmend vitet kur etiketa “Fiq Roshniku” ishte kthyer në një simbol të festimit të Vitit të Ri. Në librat e historisë dhe ndër dokumente Roshniku citohet shpesh me emrin sllav të vjetër “Rudnik”.

Ky term ka dy kuptime: më i mirëfillti është miniera, apo gërmimi dhe kuptimi i dytë do të thotë brinjë mali. Neve na duket më bindës ky kuptimi i dytë.

Fshati është i vendosur mes dy përrenjve në këmbë të Tomorrit, njësoj si një brinjë e vërtetë mali.

“Këtu kanë qenë sarajet e të parëve të mi. U prishën gjatë komunizmit. Tani këtu është shkolla e bashkuar që mban emrin Mehmet Pashë Qypriliu Roshniku”, bashkë me mikun tonë tani jemi në mes të zhurmës karakteristike të një oborri shkolle duke bërë muhabet për histori të vjetra. “Vëllai i gjyshit tim Beqiri, ishte adjutant i Sulltan Abdyl- Hamitit. Ishte nga ajo racë e Qyprilinjve që vazhdonte traditën e të parëve. E ekzekutuan në kohën e Qemal Ataturkut.

Beqiri kishte vetëm dy çupa, Fairenë dhe Merushen e meqë ishte kështu adoptoi një nipin e tij, Luton. Ky u kthye në vendin e origjinës dhe jetoi më pas derisa vdiq këtu. Këta mund të quhen pasardhësit më direktë të Qyprilinjve të parë dhe pas tyre neve. Por fisi është shpërndarë kudo në Berat, Vlorë, Tiranë.

Gjithsej duhet të jemi 45 familje a më shumë”. Drejtori i shkollës, Arif Qato, na pret me përzemërsi. Në një klasë, nxënësit çohen në këmbë kur shohin të hyjë drejtori me ca miq të tjerë. Duket sheshit se nxënësit kanë ftohtë. “Këtu ç’bie jashtë hyn brenda – thotë drejtor Arifi – shkolla u rikonstruktua në 2004, por shikoni se si është. I kam bërë kërkesa komunës e të gjitha instancave të tjera, por askush nuk kujtohet. Tani mësues e nxënës e bëjnë mësimin në shi”.

Nxënësit e mbledhur nga të ftohtët për disa momente na kanë bërë që të harrojmë ato historitë e vjetra me vezirë e pashallarë.

Një tjetër kujtim i kohëve të vjetra është një shtëpi e madhe që të paktën mbahet ende në këmbë. Fitimi na shpjegon se kjo është ndërtuar në shekullin XVIII nga Servet bej Brahimi. Shtëpia, monument kulture dhe dikur muzeu i fshatit tani është një haur i madh. Një gomar i trishtuar, që është lagur ca nga shiu, dhe një dele që zgjat turirin në gardh janë të vetmet qenie të gjalla që takojmë në shtëpinë e vjetër. “Këtu ka qenë çezma e ndërtuar nga Qyprilinjtë, kjo ura mbi përrua është ndërtuar po nga ata. Ja ku kanë mbetur edhe disa gjurmë të kalldrëmit të vjetër. Ky guri i mullirit të vajit, që e kanë futur në mur duhet të jetë i po asaj koha”, Fitimi nuk rresht së kërkuari gjurmë të shkëlqimit të të parëve derisa më në fund kemi arritur para një gërmadhe të rëndë. Eshtë, a më mirë me thënë ishte, xhamia e ndërtuar nga Mehmet Pashë Qypriliu që në 1660-ën. Rrënoja e zgaflluar duket si një objekt fare i harruar në mes të shtëpive të reja. “A e mban mend o Fitim se si i hidhnim hoxhës farë urofi që të shkiste shkallëve?”, xha Beqo Fiska, një shok i fëmijërisë së Fitimit, mjeshtër i vreshtarisë dhe i verës, i është bashkuar grupit. “Si nuk u kujtua njeri xhanëm që ta rindërtonte këtë xhami – psherëtin xha Beqoja – ka lloj-lloj fondacionesh, apo ku ta di unë, dhe askush nuk u kujtua. Nuk e kam se jam besimtar i madh, por ama kjo ndërtesë është pjesë e historisë, jo vetëm e asaj të Roshnikut, por të tërë Shqipërisë”.

Vonë, në të ngrysur marrim rrugën e kthimit në këmbë të Tomorrit.

Mbase jemi duke bërë të njëjtën udhë, që bënte 4 shekuj më parë, një djalë i këtij fshati me mendjen top se do bëhej Kryeministri i fuqisë më të madhe të kohës.

Nga kuzhina në majë të pushtetit

Ai që më vonë do të quhej Mehmet Pashë Qypriliu lindi në Roshnik dikur andej nga fundi i shekullit XVI. Ishte ndër djemtë e krishterë të fundit që rekrutoheshin si jeniçerë sipas sistemit të devshirmesë. Karrierën e nisi si një kuzhinier i thjeshtë oborri. Një boshnjak, Husrev Pasha, çambellan i oborrit të sulltanit, e ndihmoi shqiptarin e ri që të bënte karrierë. Pas një zënke në oborr, Mehmeti i Roshnikut shkon e vendoset në Qypri, një qytet në Anadoll. Këtu martohet me të bijën e sanxhakbeut. Që prej asaj kohe ai do të quhej Mehmet Qypriliu. Kur mbështetësi i tij Husrev Pasha u bë kryevezir, Mehmet Qypriliu u bë për disa kohë aga i jeniçerëve, një post me pushtet të frikshëm.

Para se të bëhej Vezir i Madh, Mehmet Qypriliu ka shërbyer në disa detyra të tjera: kryepolic i tregut (ihtisap aga), mbikëqyrës i depove perandorake të armatimit (tophane naziri), komandant i spahinjve, komandant i rojeve të oborrit të sulltanit, shefi i stallave sulltanore.

Ishte për disa kohë ministër pa portofol. Mori pjesë në rrethimin e Bagdadit dhe për disa kohë shërbeu edhe në Siri si kryetaksambledhës.

Ishte shumë i shtyrë në moshë, kur miqtë e tij, kryeshkruesi i oborrit dhe kryearkitekti (mimar bashi), ky i fundit një shqiptar i njohur me emrin Arkitekt Kasemi, ia mbushën mendjen sulltanit dhe nënës Mbretëreshë se pikërisht Mehmeti nga Roshniku duhej të ishte Veziri i Madh në vitet e ardhshme. Ishte viti 1656, ai ishte në prag të të tetëdhjetave. Ishte nga të paktët njerëz që mund t’i vinte kushte Sulltanit. Vetëm nëse Sulltani nuk do të ndërhynte në emërimet dhe shkarkimet e tij dhe vetëm nëse ai nuk i dëgjonte gojët e liga, që do të nisnin të flisnin keq për të, vetëm atëherë plaku nga Roshniku do të pranonte postin. Sulltani ra dakord. Hapi i parë që hodhi Mehmet Pashai ishte ekzekutimi apo dëbimi i kundërshtarëve të tij politikë. Spahinjtë e Stambollit që guxuan të kundërshtonin u përballën menjëherë me jeniçerët e tmerrshëm. Shumë prej tyre u masakruan. Një ish-kryevezir, Sijavush Pasha, u ekzekutua, sepse nuk kishte pranuar të transferohej në Damask. Udha e pushteti ishte hapur. Tani Mehmeti duhej t’i hidhte sytë jashtë perandorisë, andej nga po mblidheshin re të zeza.

Mehmet Pasha urdhëroi vetë ekzekutimin e admiralit të flotës, një njeriu i tij i afërt, vetëm sepse ky nuk po arrinte që të hiqte bllokadën venedikase nga Dardanelet. Një flotë e re u krijua me njerëz të ardhur nga Afrika. Më 1657, ngushtica e rëndësishme u bë krejtësisht osmane.

Në Transilvani, një vit më vonë, Mehmet Pasha i udhëhoqi vetë tartarët që masakruan me mijëra njerëz në shtypjen e kryengritjes së Gjergj Rakocit. Thuajse në të njëjtën kohë në Anadoll shpërtheu kryengritja e Abaz Hasanit. Me të u bashkuan të gjithë të pakënaqurit nga politika e dorës së fortë të shqiptarit. Trupat kryengritëse arritën deri në portat e Stambollit. Mehmet Pashë Qypriliu u kthye nga Transilvania dhe në fillim u dha gjashtë muaj rrogë ushtarëve. Pas shumë betejash, Kryeveziri e thirri në një “drekë paqeje” Abaz Hasanin, armikun e tij të betuar. Ky dhe shtabi i tij i ngushtë u masakruan pa mëshirë.

Në fund të jetës Mehmet Pasha ishte bërë paranoiak.

Shihte kudo armiq dhe nuk hezitonte të urdhëronte vrasjen e kujtdo, qoftë ky edhe njeriu i tij afërt. Ditën që ai vdiq, më 3 tetor 1661, erdhi nga Damasku ku ishte guvernator, i biri, Fazëll Ahmet Pasha. Ky do të ishte Kryeministri i ri i perandorisë më të fuqishme të kohës.

Fazëll Ahmet Pashë Qypriliu do ta mbajë postin e tij për 15 vjet, deri në 1676. Ndryshe nga i ati, ky ishte i shkolluar. Ai synoi që vendin ta qeveriste me mjete politike duke iu larguar dhunës dhe terrorit që kishte ushtruar i ati, Mehmet Pasha. Ku austriakët ndërhynë në Transilvani Fazëll Ahmet Pasha bëri gati ushtrinë kolosale. Ai vetë ishte kryekomandant i saj. Një betejë e përgjakshme u zhvillua në Shën Gotard. Me sa duket nuk kishte as fitimtarë dhe as humbës. Në gusht 1664 u nënshkrua paqja me Austrinë. Pesë vjet më vonë trupat osmane pushtuan Kretën. Në këmbim të pozicionit të saj neutral Fazëll Ahmeti i njohu Francës të drejtën e kombit më të favorizuar në tregti në trojet e Perandorisë Osmane. Në vitet 1672-1677, Fazëll Qypriliu u angazhua në drejtimin e luftës kundër Polonisë për pushtimin e disa territoreve të Ukrainës.

Më 3 nëntor 1676, Fazëll Ahmet Qypriliu vdiq papritur. Ishte një vdekje e pazakontë.

Trupi i tij ishte stërmbushur me ujë. Vendin e tij e zuri i vëllai nga nëna, Kara Mustafa Pashë Qypriliu. Ky është i njohur në historinë e Perandorisë Osmane sepse drejtoi fushatën kundër Rusisë, e cila u mbyll me paqen e Bahçserajit në janarin e 1681. Kara Mustafait iu desh të udhëhiqte rrethimin e Vjenës në korrikun e 1683. Me gjithë plaçkën e luftës kolosale të grumbulluar, kjo fushatë ishte një dështim. Sulltani e shkarkoi Mustafa Pashë Qypriliun. Pak ditë më vonë në Beograd atij iu pre koka.

Historia e Qyprilinjve nuk është më aq e lavdishme sa më parë derisa në fillim të shekullit XX, një tjetër pinjoll i tyre, Fuad Qypriliu, njeri i letrave dhe politikan, bëhet zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i Turqisë. Thuhet se pikërisht ky ishte iniciatori i qëndrimit proshqiptar të Turqisë në anëtarësimin e Shqipërisë në OKB.

Marrë nga linku: http://www.gazeta-shqip.com/reportazh/7d081dead1cc0be38a05ac0306497a56.html

Shirazi (شیراز)

01/02/2013 Lini një koment

SHIRAZI (شیراز)

Shirazi

Persian: شیراز Shiraz; është qyteti i gjashtë më i populluar në Iran dhe është kryeqyteti i provincës Fars, popullsia e qytetit në vitin 2009 ishte 1.455.073. Shiraz ndodhet në jugperëndim të Iranit në rajonin Lumi i thatë. Shiraz ka një klimë të moderuar dhe ka qenë një qendër rajonale e tregtisë për më shumë se një mijë vjet.

Referenca e hershme të qytetit, si Tirazis, është në pllakat argjilore Elamite datuara në vitin 2000 pes. Në shekullin e 13, Shirazi u bë qendra kryesore e artit dhe letrave, në sajë të nxitjes së sundimtarit të saj dhe prania e shumë dijetarëve dhe artistëve persianë. Shirazi ishte kryeqyteti i Persisë gjatë dinastisë Zand nga 1750 deri 1781, si edhe për pak kohë gjatë periudhës Saffarid.

Shirazi është i njohur si qyteti i poetëve, letërsia vera dhe lulet. Fjala “shir” në persisht do të thotë “Luan”, por ajo gjithashtu mund të thotë “qumësht”. Ai është konsideruar edhe nga shumë iranianë të jetë qyteti i kopshteve, për shkak të kopshteve dhe pemëve frutore të shumta që mund të shihen në qytet. Shirazi ka komunitete të mëdha hebraike dhe të krishtera.

Historia e Shirazit Para-islamik

Historia e Shirazit është më e hershme, më shumë se 4000 vjeçare. Emri Shiraz përmendet në mbishkrime kuneiform rreth vitit 2000 pes, dhe gjendet në këndin jug perëndimor të qytetit Shiraz. Sipas disa gojëdhënave mitologjike iraniane, ai është ngritur nga Tahmuras Diveband, dhe pastaj ra në shkatërrim. Mostra më e vjetër e verës në botë, që daton në rreth 7,000 vjet më parë, u zbulua në kavanoza balte të zbuluara në rrethinat e Shirazit.

Në epokën Akamene, Shirazi ishte në rrugën nga Suza në Persepolis dhe Pasargade. Në Shāhnāma Ferdowsi-së është thënë se Artabanus V, Perandori Parthian i Iranit, zgjeroi kontrollin e tij mbi Shiraz. Ghasre Abu-Nasr (do të thotë “në pallatin e AbuNasr”) i cili është me origjinë nga periudha Parthian, është e vendosur në këtë fushë. Gjatë dinastisë Sassanide, Shirazi ishte në mes të rrugës e cila lidh Bishapur me Gur të Istakhr. Shirazi ishte një qendër shumë e rëndësishme rajonale nën sundimin Sassanid.

Periudha Islame

Porta Kur’ani ishte një pjesë e murit të qytetit të madh të ndërtuar nga perandoria Buwayhid. Qyteti u bë kryeqyteti i provincës në 693, pasi që pushtuesit arabë pushtuan Istakhr. Pasi ra Istakhr, rëndësia e Shirazit u rrit shumë gjatë administrimit të dinastive të ndryshme lokale. Perandori Buwayhid (945-1055) e bëri Shirazin kryeqytet dhe urdhëroi ndërtimin e xhamive, pallateve, një biblioteke dhe një mur të zgjeruar. Ai ishte kryeqendra edhe e Selxhukëve dhe Khwarezmid përpara pushtimit mongol.

Qyteti nuk u prish dhe u shkatërrua gjatë pushtimit mongol, pasi sundimtari lokal iu nënshtrua Xhenghis Khanit. Shirazi u kursye sërish edhe nga Timurlani, kur në vitin 1382 monarku lokal, Shah Shoxha ra dakord të dorëzohet tek pushtuesit.

Në shekullin e 13, Shirazi u bë një qendër kryesore e artit dhe letrave, në sajë të nxitjes së sundimtarit të tij dhe pranisë së shumë dijetarëve persiane dhe artistëve. Për këtë arsye qyteti u quajt al-Elm, Shtëpia e Dijes. Në mesin e poetëve të rëndësishëm iranianë, mistikë dhe filozofë lindur në Shiraz ishin poetët Sa’di dhe Hafiz, Roozbehan mistiku dhe filozofi Mulla Sadra. Kështu Shirazi është mbiquajtur edhe “Athina e Iranit”.

Gjeografia

Shiraz ndodhet në jug të Iranit dhe në veriperëndim të provincës Fars. Ai është ndërtuar në një fushë të gjelbër në këmbët e maleve Zagros 1500 metra (5200 ft) mbi nivelin e detit. Shirazi është 919 kilometra (571 mi) në jug të Teheranit. Një lumë sezonal, Rudkhaneye Khoshk (lumi i thatë), rrjedh nëpër pjesën veriore të qytetit dhe pranë Liqenit Maharloo.

Një vizitë në shtëpinë e Faik Konicës

19/01/2013 Lini një koment

Msc. Dorina ARAPI

NJË VIZITË NË SHTËPINË E FAIK KONICËS

Shtepia e Faik KonicesNë të njëjtin qytet ngrihen shtëpitë e gjyshit dhe nënës së Ali Pashë Tepelenës. Ato ofrojnë pamje të braktisjes dhe humbjes së shkëlqimit të dikurshëm

Por ajo çka është më e rëndësishmja në këtë qytet të vogël dhe që unë ndihesha më e lidhur me to ishte shtëpia e Zenel Beut dhe Hamkos, gjyshit dhe nënës së Ali Pashë Tepelenës, si dhe shtëpia e Faik Konicës, por që në qytet kjo e fundit njihet e emërtuar si shtëpia e Hysein Siskos. Këto dy banesa të mëdha u përkisnin familjeve më të pasura myslimane të qytetit të Konicës. Duke pasur fatin të qëndroja disa ditë në këtë qytet, fillova të pyes qytetarët rreth këtyre dy shtëpive. Për shtëpinë e Hamkos, qytetarët ishin më se të informuar për vendndodhjen e saj dhe të gjithë e njihnin si nëna e Ali Pashës dhe me shumë lehtësi të tregonin shtëpinë. Madje, dhe me një farë bindjeje, thoshin se kishte qenë një grua shumë e njohur për kohën e vet dhe e fuqishme, ashtu siç pohohet nëpër libra, Hamko pat qenë një grua me një bukuri mahnitëse, ku i gjithë qyteti asokohe fliste për bukurinë e saj, madje i kishin thurur dhe këngë. Shumë djem e patën kërkuar për grua, por ai që arriti të martohej me të ishte Veli Bej Tepelena. Nga martesa e tyre lindi Aliu dhe vajza e tyre, Shanisha. Roli i Hamkos në jetën e djalit të saj, ka qenë vendimtar. Ashtu siç shkruan Richard A.Davenport në librin e tij “Jeta e Ali Pashë Tepelenës, vezir i Epirit”(1837), Ali Pashai do t’i shprehej një konsulli francez ku thoshte se nëna e tij e bëri burrë dhe vezir ashtu siç përmenden dhe fjalët e saj drejtuar të birit se ai, i cili nuk mbron pasurinë e tij, meriton ta humbë atë. Lidhja e Pashait me të ëmën ka qenë tejet e fortë dhe vendimtare në krijimin e figurës së vezirit të Janinës.

Një tjetër shtëpi, e cila gjendej në afërsi të shtëpisë së Hamkos, ishte shtëpia e Faik Konicës, shtëpia ku ai u lind, jetoi vitet e para të fëmijërisë derisa shkoi në shkollë të mesme. Faik Konica është një nga figurat më të rëndësishme të kulturës, letërsisë dhe historisë sonë kombëtare. Ai ishte prozator, publicist, estet, i cili u diplomua në Universitetin e Harvardit për letërsi. Konica ishte kryetar i shoqatës “Vatra”, ishte një ndër udhëheqësit e grupit përfaqësues në konferencën e ambasadorëve në Londër, si dhe ministër i Shqipërisë në SHBA. Kaloi vitet e para të fëmijërisë së tij në Konicë dhe nga përshkrimet e tij duket se ka qenë i lidhur me shtëpinë e tij me një lloj nostalgjie e malli që e mundoi gjatë gjithë jetës së tij.

Për shtëpinë e Faik Konicës, asnjë njeri nuk kishte njohuri se ku mund të ishte dhe ku mund të ndodhej. Rastësisht, një ditë në kafenë e rrapit e cila ndodhej në qendrën e qytetit, duke bashkëbiseduar me një shqiptar me origjinë nga Leskoviku, ai më tregoi se shtëpia e Faik Konicës ndodhej në pjesën e sipërme të qytetit. Ajo faktikisht në qytet njihej si shtëpia e Hysein Siskos, vëllait të vogël të shkrimtarit. Personi në fjalë, filloi të më shpjegonte ashtu siç e kuptonte ai, për një shtëpi të rrënuar, ku dallohej një oxhak i madh. U lumturova shumë dhe menjëherë shkova ta shoh. Nuk mund të humbja kurrsesi një gjë të tillë. Atë pasdite, një shi i lehtë kishte freskuar disi qytetin e vogël. Një shqiptar, që punonte e jetonte aty me familjen e tij prej vitesh, na shoqëroi të shihnim shtëpinë e Faik Konicës. Ai na shpjegoi se falë shiut, rreth shtëpisë nuk mund të dilnin gjarpërinj. Duke qenë se ishte një vend plot rrënoja e barishte të larta e plot myshk, mund të ishte një terren i favorshëm për shfaqjen e tyre. Pasi kaluam gardhin e hekurt dhe barishtet e larta, vështrova me entuziazëm shtëpinë e Konicës. Për fat të keq, ndërtesa kishte mbetur në gjendje të mjeruar. E dëmtuar gjatë kohës së tërmetit, sot kjo rezidencë e madhe është tejet e rrënuar. Për shumë vite me radhë ajo ishte përdorur si shkollë e mesme. Ndjeva keqardhje për shtëpinë duke menduar për figurën e lartë të kombit tonë. Teksa e sheh, dallohet ngrehina e një rezidence të madhe që ka humbur shkëlqimin. Familja e Konicës kishte qenë asokohe një nga më të pasurat familje shqiptare myslimane të kohës. Ndërtesa ishte një shtëpi e madhe, ku mungonte çatia e ku muret ishin të larta e prej guri, të rrethuara me lule zvarranike. Kati i parë i shtëpisë ishte i ndërtuar me blloqe guri të rregullta drejtkëndore, ndërsa kati i dytë ishte me gurë jo të rregullt dhe me një ngjyrë disi të errët. E tërë shtëpia kishte një ton gri në umbra, ku në sfondin e maleve dukej sikur zhytej akoma më shumë në një atmosferë mistike e të humbur në kohë. Hyrja kryesore e shtëpisë ishte një portë me një hark të plotë e të konsiderueshëm, i cili rrethohej në pjesën e sipërme nga një tjetër hark gurësh drejtkëndorë. Në pjesët anësorë të sipërme të portës,  gjendeshin dy pllaka guri të shkruara në arabisht. Nga kërkimet e mia falë miqve të mi, të cilët mund ta deshifronin, u arrit të lexohej se në njërën pllakë është shkruar në arabisht një sure për mbarësi, ndërsa te pllaka tjetër është shkruar data e ndërtimit të banesës sipas kalendarit islam, e cila përkon me 19 safar 1261 dhe me kalendarin tonë 26 shkurt 1845. Arkitektura e shtëpisë përngjason me atë epirote, që të kujton shtëpitë e gurta të Epirit e me kulla të larta e të fortifikuara. Nga pamjet satelitore në “Google”, duket që shtëpia ka një planimetri në formën e U-së. Në cepin juglindor gjendet kulla, të cilën e dalloja me vështirësi ndërmjet trarëve që zaptonin shtëpinë. Ndoshta ky grumbull trarësh mund të ishte struktura e çatisë. Brendësia e ndërtesës ishte e mbushur me gurë, me shumë barishte e myshqe dhe dukej që kishte prani lagështie. Kjo shtëpi dallohej që mund të kishte qenë mjaft e madhe. Sapo hyje brenda, në të majtë dhe në të djathtë, dalloheshin nga 3-4 shkallë, të cilat zbrisnin e të çonin në dy porta me harqe. Ndoshta këto dy porta mund të bënin lidhje me pjesën e poshtme të shtëpisë ose mund të kenë qenë hambare.

Sipas studimeve të kryera, para tërmetit, shtëpia e Faik Konicës  kishte në katin përdhes 7 dhoma dhe në katin e parë kishte 6. Thuhet se ka pasur mure të larta e të mbuluar me lule kacavjerrëse, dyert e dritaret kanë qenë prej druri, si dhe dhoma kryesore e tavani kanë qenë të dekoruar me gdhendje druri dhe të pasur me elemente dekorative e ndoshta të realizuar nga mjeshtrit dru gdhendës të zonës. Kopshti i shtëpisë ka qenë i mbushur me lule të ndryshme, me shatërvanë guri të gdhendur që ftonin njerëzit në një atmosferë të këndshme dhe aristokrate.

Sipas autobiografisë së Faik Konicës, ashtu siç shkruan dhe gazetari Ilir Konomi në librin e tij, Faik Konica binte në fis me Aliun, gjyshi i Ali Pashë Tepelenës ishte katragjyshi i Faik Konicës.

Shtëpia e Zenel Beut dhe e Hamkos ishte disa hapa më sipër se ajo e familjes së Konicës. Në pamje të parë, shtëpia e Hamkos, ashtu siç e thërrisnin të gjithë e siç njihej, ishte një ndërtesë me të vërtetë impresionuese. Ajo ishte në përmasa shumë më të mëdha në krahasim me atë të familjes së Konicës. Që në momentin e parë më dha përshtypjen e një familjeje të fuqishme e të pasur të asaj kohe. Zeinel Beu kishte qenë një nga vendasit myslimanë më të pasur të qytetit, i cili kishte pasur prona dhe në Selanik. Sipas studimeve që janë kryer, duke qenë se kishte mjaft pasuri, për shkak të sigurisë së tij shtëpia ka pasur hyrje-dalje sekrete për t’u mbrojtur nga sulme të ndryshme. Që në pamje të parë, rezidenca shfaqet madhështore me muret e saj rrethuese dhe portën e hyrjes kryesore, e cila mban një hark të plotë e të lartë. Harku i portës ishte i gjerë, i rregullt dhe i rrethuar me tre breza harqesh të tjerë. “Për nga stili i ndërtimit dhe ornamentet e përdorura në harkun e jashtëm të hyrjes, kjo gjë është cilësuar si një traditë që përdorej zakonisht nëpër kisha dhe shtëpi të Epirit”. (Një takim me qytezën e Konicës, Dhionisios Dhim Tacis, Konicë, 1993)

Interesante ishin disa daltime e vizatime që gjendeshin në brezin e mesëm të harkut te porta e jashtme ku pasqyroheshin rozeta, kalorës, çekiçë, skuadra që ishin mjete të gurëgdhendësve, sëpata, shpata, bimë dhe ndoshta kaligrafi arabe. E ndërtuar në pjesën e sipërme të qytetit të Konicës, shtëpia e Hamkos duket sikur mbështillet nga malet e larta të qytetit. Ajo çka mbetur nga e gjithë kjo ndërtesë është kulla mbrojtëse, një pjesë e shtëpisë, disa kolona guri, si dhe muret rrethuese. Sipas studimeve të kryera, shtëpia e Hamkos filloi të ndërtohej nga mesi i shekullit XVIII nga babai i saj, Zenel Beu, dhe me kalimin e kohës u shtuan dhe hapësira të tjera. Në pjesën e saj perëndimore gjendet kulla e cila është ndërtuar në vitin 1843 dhe është restauruar në vitet ‘97-‘98. Gjatë viteve janë bërë ndërhyrje të shumta si ndërrimi i çatisë duke ruajtur stilin e kohës, ndërrimi i mureve, konservimi i harqeve të shtëpisë dhe i oxhakut, si dhe kthimi në gjendje funksionale i portave dhe i dritareve. Në projektet e shumta të bashkisë për shtëpinë e Hamkos mendohet të realizohet një muze për figurën e Ali Pashës.

Dëshira për të vënë në dukje këto momunte, vjen si një reflektim ndaj tyre, duke qenë se ato flasin diçka për historinë e dy figurave shqiptare. Duke menduar figurën e lartë të Faik Konicës dhe kontributin e tij për Shqipërinë, si dhe duke menduar figura historike si ajo e Ali Pashë Tepelenës, që paraqet një periudhë të rëndësishme të historisë sonë, e ndjeva si diçka që të vjen natyrshëm ta shprehesh e ta bësh ditur. Duke u larguar nga qyteti i Konicës, ndjeva një lloj keqardhjeje. Ato ditë korriku në këtë qytet, kishin qenë për mua të mbushura me kuriozitet, me një sfond historik që do të mbeten në kujtesën time për një kohë të gjatë.

Marrë nga faqja: http://gazeta-shqip.com/lajme/2012/09/04/nje-vizite-ne-shtepine-e-faik-konices/

Kush i ndërtoi Piramidat e Egjiptit?

04/01/2013 Lini një koment

KUSH I NDËRTOI PIRAMIDAT E EGJIPTIT?

Pyramids

Deri më sot është menduar se këto struktura gjigante janë produkt dhe rezultat te dijetarëve te lashtë egjiptian, dhe i një fuqie punëtore me rreth 2 milion skllevër apo e një mendimi tjetër që janë ndërtuar nga jashtë-tokësorët, UFO-t. Lexues i dashur!

Gazeta e së premtes, nga një libër i fundit që flet mbi këtë enigmë ka marrë përsipër të përkthejë pjesë të tij që hedhin dritë mbi një version të përkrahur nga shumë arkeologë në SH.B.A, Angli dhe Gjermani. Pyetja që shtrohet është a ka mundësi që një njeri i logjikshëm të pranojë se Faraonët ishin ata që ndërtuan piramidat?

Disa thonë se ata ishin të jashtëzakonshëm

Këmbëngulja jonë se Faraonët me mundësitë e tyre modeste kanë ndërtuar këto piramida të mrekullueshme i ekspozon piramidat e Egjiptit ndaj vjedhjes së autorësisë së gjithkujt që e pretendon diçka të tillë dhe kështu ka ndodhur në të vërtetë.

Disa mendime shkencore serioze:

Shumë arkeologë në SH.B.A, Angli dhe Gjermani të cilët kërkojnë për të vërtetën dhe larg qëndrimeve fetare, politike dhe interesave materiale, janë të mendimit se ekziston një civilizim që ka depërtuar në të shkuarën e lashtë dhe të largët, i cili ka qenë i zhvilluar për shkaqe të panjohura. Hamendja shkon drejt kontinentit të zhdukur, Atlantis, i cili gjatë përmbytjes, shumë njerëz që arritën të shpëtonin u larguan drejt Egjiptit dhe ishin pikërisht ata që kanë ndërtuar piramidat marramendëse.

Pas zhdukjes së tyre përgjatë kohërave të gjata, ishin faraonët ata që trashëguan ndërtesat dhe gdhendën në to ç’ka dëshironin.

Shumë shkencëtarë të gjeologjisë kanë konfirmuar se analizat e bëra mbi shtresat e Sfeniksit tregojnë se ujrat e shumta kanë shkrirë shumëçka nga trupi i tij, kjo tregon se trupi i tij i ka kaluar periudhat e shirave, të cilan mbaruan afërsisht 11000 vjet përpara. Kjo tregon se koha e tij (Sfeniksit) nuk ka asnjë lidhje me periudhën e Faraonëve.

Paqartësi të mëdha rreth pamjes së monumenteve antike egjiptiane:

Shumë nga këta shkencëtarë asnjanës kanë kërkuar që të kryejnë shpime në disa vende antike, sidomos poshtë dorës së djathtë të Sfinksit, por gjithmonë kërkesat e tyre janë përballur me refuzimin e Këshillit të Monumenteve Antike egjiptiane.

Kjo tregon se shumë sekrete të pazbuluara lidhen me këto monumente.

Lidhja fetare:

Versioni që konfirmojnë shkencëtarët asnjanës perëndimore se ka ekzistuar një civilizim tepër i përparuar që i ka paraprirë Faraonëve shumë shekuj më parë, dhe që ka mbërritur në Egjipt pas përmbytjes së madhe. Sipas tyre, ata janë ndërtuesit e vërtetë të piramidave të Egjiptit për një shkak ende të paqartë, që më pas I trashëguan Faraonët pas shumë shekujsh për të banuar në banesat e tyre dhe për t’ia dedikuar ato vetvetes – ashtu siç ia dedikuan vetvetes të qenurit zot përngjason plotësisht me historinë e popullit të Adit, e cila përcillet në Kuranin Famëlartë.

Ata janë pasuesit e Nuhut pas ngjarjes së tufanit: “Përkujtoni kur Ai ju bëri mëkëmbës pas popullit të Nuhut dhe ua shtoi fuqinë fizike.” (A’raf; 69). Aty përmendet se ata përfaqësonin civilizimin më të fortë në historinë njerëzore pa përjashtim: “Sa i përket Adit, ata pa pasur kurrfarë të drejte, u treguan mendjemëdhenj ndaj banorëve në tokë dhe thanë: “Kush ka fuqi më të madhe se ne?” A nuk e ditën ata se Allahu, i Cili i krijoi, ka fuqi më të madhe se ata?! Por ata i mohuan argumentet tona.” (Fus-silet 15). Gjithashtu, ata dalloheshin për trupin e tyre të madh, sa që njëri prej tyre ishte sa një palmë {hurmë arabe} në krahasim me trupin tonë sot, Zoti I përshkruan trupat e tyre pas dënimit në këtë formë: “…si të ishin trupa hurmash të shkulura” (Kamer 20) apo “…si të ishin trupa hurmash të zgavëruara” (Hakka 7). Kur Allahu e zhduku popullin e Adit, i ruajti banesat e tyre: “…ashtu që nuk shihej tjetër përveç banesave të tyre” (Ahkaf 25) në mënyrë që të ishin mësim për të tjerët pas tyre. Gjithashtu, Allahu a.xh. i la banesat e tyre të dukshme dhe të shikueshme nga sytë: “…e venbanimet e tyre janë të qarta për ju” (Ankebut 38) për të qenë një mësim për ata që do të vinin pas tyre, se Allahu i zhduku ata njerëz që ishin më të fuqishëm dhe i përkisnin një civilizimi më të zhvilluar se ata: “A nuk udhëtuan ata nëpër tokë e të shikojnë sesi përfunduan ata që ishin më parë, të cilët ishin edhe më të fortë për nga forca e ndikimi në tokë, por ajo që fituan nuk i ndihmoi për asgjë.” (Gafir 82)

Allahu a.xh. i zhduku vetëm nëpërmjet erës: “Ndërsa Adi është shkatërruar me një erë të fortë, të pakufishme” (Hakka 6), në mënyrë që të gjithë ta kishin të qartë se askush nuk mund të thyejë Allahun: “…e ju nuk mund ta pengoni Atë.” (El En’am 134)

Pavarësisht kësaj, Faraonët banuan në shtëpitë e tyre pa marrë asnjë mësim: “Dhe ju u vendosët në vendbanimet e atyre që e dëmtuan vetveten (e Ne i shkatërruam) dhe e kishit të qartë sesi vepruam Ne me ta dhe ju sollëm shembuj edhe juve.” (Ibrahim 45)

Pa patur dijeni nga ana e tyre versioni që mbrojnë këta shkencëtarë perëndimorë përputhet me historinë e popullit të Adit tek ne në Kuranin Famëlartë. E vetmja gjë e cila u mungon atyre është njohja e shkakut të paqartë të forcës së atij civilizimi të madh, i cili konsiderohet si civilizimi më i dhunshëm ndër civilizimet e tjera për shkak të trupave të mëdhenj të këtij populli.

Nuk ka ekzistuar asnjë përparim teknologjik që të mund të ndërtonte këto banesa prej guri dhe as nuk ekziston asnjë gjurmë e ndonjë mjeti, metali apo lënde të çuditshme. Ishte pikërisht forca e trupave të tyre ajo që u dha atyre mundësinë që të skalitnin, të transportonin, të ngrinin dhe të vendosnin këta gurë të stërmëdhenj. Provat për këtë janë të shumta:

Shikoni me kujdes madhësinë e përbërësve të ndërtesave prej guri të stërmadh. Çdo ndërtesë duhet të ndërtohet nëpërmjet disa përbërësve me të cilët mund të merresh dhe t’i përdorësh me lehtësi.

Muret e gatshme nuk janë përdorur vetëm në ndërtimin modern ku nëse vinçi prishet, ndërtimi ndalon. Ndërtuesit e piramidave nuk kanë qenë aq budallenj sa të prisnin gurë në ato përmasa që t’i pengonin ata nga ndërtimi dhe t’i lodhnin. Kjo do të thotë se përbërësit e mëdhenj përshtatën shumë mirë me trupat e tyre. Këta gurë të stërmëdhenj për ne nuk ishin veçse blloqe balte në krahasim me trupat e popullit të Adit. Shikojini me kujdes dritaret gjigante në tempullin e Saidit dhe kujtoni madhësinë e idhujve gjigantë në forma njerëzish, dashi apo zogu. Civilizimet tona sot ndërtojnë idhuj gjigandë për t’i madhëruar ata, por përbërësit e ndërtimit mbeten të vogla në krahasim me madhësinë tonë. Ndërkaq madhësia e stërmadhe e idhujve egjiptianë nuk ishin për t’u adhuruar, por korrespondojnë me madhësinë e trupave të tyre.

Argument për këtë është madhësia e gurëve që janë përdorur për t’i ndërtuar këto statuja. Këtu po bëjmë një pyetje të thjeshtë:

Ku janë ndërtesat e popullit të Adit, të cilat Allahu a.xh. na i la për të marrë mësim? A është e logjikshme që ato të varrosen në rërë apo të prishen dhe të shfaqen ndërtesa të tjera më të thjeshta në të gjitha anët e botës? Kurani tregon për mbetjen e tyre në mënyrë të qartë: “…e vendbanimet e tyre janë të qarta për ju” (Ankebur 38) dhe “…ashtu që nuk shihej tjetër përveç banesave të tyre” (Ahkaf 25).

Nga kërkimet e thella, të paanshme na bëhet e qartë se piramidat dhe tempujt egjiptianë janë me të vërtetë ndërtesat e popullit të Adit.

Po kështu edhe statujat gjigante, obeliskët dhe personalitetet.

1-Disa prova fetare:

Allahu a.xh. thotë: “A nuk e di ti se ç’bëri Zoti yt me Adin? Me banorët e Iremit me ndërtesa të larta? Që si ato nuk janë krijuar askund në tokë!” (Fexhr 6-8) Kjo do të thotë: se Adët, janë ndërtuesit e piramidave dhe zotëruesit e shtyllave (obelisqeve), ndërtime këto, që nuk janë ndërtuar askund në botë nga popuj të tjerë.

Allahu a.xh. thotë: “A në çdo bregore ngrini ndonjë shtëpi (ndërtesë) sa për lojë? Dhe a i ndërtoni pallatet e fortifikura që të jeni në to përgjithmonë?” (Shuara 128, 129). Kjo do të thotë: A po ndërtoni mbi çdo lartësi në tokë disa ndërtesa si male pa asnjë dobi? (Të treja këto veçori janë evidente tek piramidat) A po banoni në disa ndërtesa të forta sikur do të jetoni përgjithmonë? (Banesat e Said-it, të cilat Faraonët i kthyen më pas në faltore).

2- Disa prova inxhinierike:

Madhësia e gurëve të përdorur në ndërtimin e këtyre ndërtesave fillon nga 1m kub deri në disa metra kub në disa raste dhe pesha e tij mund të mbërrij deri në 1000 ton. Largësia mes vendit ku janë prerë gurët deri në vendin që janë vendosur mbërrin deri 650 km. Lartësia e ndërtesës në disa raste mbërrin deri në 160 metra.

Të gjitha këto janë bërë pa asnjë mjet. Përsa i përket pretendimeve të disa shkencëtarëve të antikës egjiptiane se janë përdorur litarë, apo punëtorë dore nga Faraonët, kanë bërë botën të qeshë. Ndërkohë gjatësia e popullit të Adit mbërrinte deri në 15 metra, siç na përcillet në disa transmetime islame dhe kjo gjatësi përputhet plotësisht me madhësinë e gurëve, të cilët nuk ishin veçse disa blloqe balte për ta.

3- Disa prova artistike:

Para nesh paraqiten dy lloje artesh të ndërtimit, të cilët dallojnë nga njëri tjetri në mënyrë të plotë; ndërtime prej guri gjigant dhe marramendës nga të gjitha dimensionet dhe ndërtime të shëmtuara, të vogla dhe të thjeshta të ndërtuara me blloqe balte. Të gjitha këto ndërtime i referohen kohërave të ndryshme nga njëra tjetra. Ndërtimet gjigante me gurë janë ndërtesat e popullit të Adit, të cilat i kanë trashëguar pas tyre Faraonët, ndërsa ato prej balte janë ndërtesat e Faraonëve. Kur një mur prej guri prishej, Faraonët bënin restaurimin e tij me blloqe balte. Atëherë përse nuk e meremetonin me të njëjtat materiale ndërtimi siç ishin gurët e stërmëdhenj?

Thjesht, ata nuk kishin mundësi për t’i lëvizur ata. Përkundrazi, gjejmë se Faraonët kanë kryer me dhjetëra shtesa brenda banesave, të cilat i kanë përdorur si faltore. Këtë e kanë bërë duke përdorur blloqe të vogla balte, të cilat ia kanë prishur pamjen arkitekturore ndërtesave gjigante prej guri. Pyetja është: përse ata u shtoni mureve blloqe prej balte brenda ndërtesave prej guri gjigand? Arsyeja është se ata nuk arrinin t’i lëviznin dot ata gurë.

4- Prova arkitektonike:

Kur shohim të ashtuquajturat faltore të Faraonëve do të gjejmë se dritaret e tyre janë shumë të larta. Po të mendohemi pak, mund të themi se ato përputheshin me gjatësinë e popullit të Adit dhe jo me atë të Faraonëve. Po kështu mund krahasosh madhësinë e statujave në formë dashi, zogu etj.

5- Disa prova arkeologjike

a- Ku janë pallatet e mbretërve faraonë? Përse askush nuk flet për to? Ose përse kanë frikë prej tyre? Shkaku është se ato janë ndërtuar me baltë. A është e logjikshme që  këta jobesimtarë, të cilët kanë pretenduar se janë zota të ndërtonin varre përrallore siç ishin piramidat –siç pretendojnë- dhe të banonin njëkohësisht në disa shtëpi të shpifura prej balte?

b- Përse janë ndërtuar pesë kalatë e Faraonëve në Sina me baltë?

A nuk do të kishe qenë më përshtatshme që kalatë të ngriheshin prej guri?

c- A nuk është që të gjitha civilizimet fillojnë ndërtimet e tyre me ndërtesa të thjeshta dhe pastaj zhvillohen, përveç piramidave, të cilat filluan si ndërtesa gjigante dhe marramendëse dhe pastaj denigruan nëpiramida të dështuara prej balte?.

d- Përse gjenden varre në formë piramide në Xhize dhe disa të tjera si shpella në luginën perëndimore në Aksar? Kjo thjesht tregon se piramidat nuk janë varre nga të gjitha dimensionet.

6- Disa prova gjuhësore:

Fjala Irem që është përmendur në Kuran dhe për të cilën komentuesit janë mbajtur qëndrime të ndryshme në komentimin e saj, mund të thuhet se ajo vjen nga fjala Hirem, që në arabisht do të thotë diçka me përmasa gjigante dhe gjithashtu përdoret për njeriun e kaluar në moshë. Në të vërtetë ajo vjen nga fjala Hirem, e cila është lehtësuar nga përdorimi dialektik i saj në gjuhën e popullit. Kështu, kuptimi i fjalës së Allahut a.xh.: “Me banorët e Iremit me ndërtesa të larta?” është:

Me banorët e ndërtesave gjigante me maja të larta.

7- Disa prova antike:

a- Mungesa e gdhendjeve nga Faraonët e mënyrës së ndërtimit të piramidave, kur dihet fare mirë se ata gdhendnin gjithçka kishte të bënte me jetën e tyre tregon qartë se ata nuk ishin ndërtuesit e piramidave.

b- Ajo që është më marramendëse është pranimi i vetë Faraonëve se ata nuk ishin ndërtuesit e piramidave, por ishte një popull tjetër, të cilët posedonin një forcë të veçantë. Argument për të këtë është një tekst i Brishtës të gdhendur mbi statujën e zotit majmun, që përmbajnë mbishkrime ku thuhet: “Forca e krahut e njërit prej ndërtuesve të piramidave është sa e njëmijë burrave.”

c- Faraonët ishin të shquar për vjedhjet ndaj njëri-tjetrit, ku secili mbret fshinte shenjat e tjetrit për të treguar që ai ishte sunduesi dhe ndërtuesi apo pronari i piramidave.

d- Pretendimi i të qenurit prej tyre deri edhe zot tregon qartë se ata gënjenin për gjithçka.

f- Mospërmendja e profetit Jusuf dhe Musa a.s.tregon mungesën e amanetit në bërjen e gdhendjeve.

e- Nga 31 familje faraoniste, vetëm tre prej tyre i kanë ndërtuar piramidat? Çfarë tregon kjo?

Marrë nga libri “Të korigjojmë historinë”

Autori: Muhamed Semir Ata

Përktheu nga gjuha arabe: Genc Plumbi

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 67 ndjekësve të tjerë

%d bloggers like this: