Arkiv

Arkiv për Kategorinë ‘Shqiptarët dhe Europa’

Hierarkia e evropianizimit

11/04/2014 Lini një koment

Enis SULSTAROVA

 

HIERARKIA E EVROPIANIZIMIT

Enis Sulstarova

Enis Sulstarova

Kontinenti i Evropës nuk ka kufij të qartë gjeografikë në pjesën lindore të tij, aty ku bashkohet me Azinë. Kjo do të thotë se të paktën caku lindor i Evropës duhet menduar si “i butë” – një cak imagjinar i përcaktuar nga ligjërimet historike dhe kulturore, përkundër kufijve “të fortë” institucionalë dhe ligjorë. Analiza e caqeve të përfytyruara të Evropës është një përpjekje për të kuptuar se si pushteti simbolik i tyre natyralizon dhe legjitimon kufijtë “e fortë” politikë të Evropës, që gjatë historisë kanë qenë të debatueshëm, sikurse debatohet sot mbi kufijtë përfundimtarë të Bashkimit Evropian (BE). Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në ligjërimet mbi bashkimin dhe paqen në Evropë, koncepti i “Evropës” barazohej me Perëndimin, edhe sepse Perdja e Hekurt ofronte një kufi politik për botën e lirë. Pas rënies së komunizmit, zgjerimi i BE-së drejt lindjes u bë nën terminologjinë e “evropianizimit”, e cila nënkuptonte se disa rajone të kontinentit nuk ishin aq “evropiane” sa duhet ose, të paktën, jo në të shkallë që ishin vendet e Evropës Perëndimore. Për më tepër, nga këndvështrimi perëndimor dhe ai i disidentëve nga Evropa Lindore, komunizmi përfaqësonte një rrugë “jonormale” të zhvillimit. Nuk është e rastësishme që Habermasi kryengritjet kundërkomuniste popullore të vitit 1989 i quante “revolucione korrigjuese”, për të na thënë se ato nuk paraqisnin ide të reja, por ishin një kthim drejt kapitalizmit dhe demokracisë liberale, të cilat komunizmi më parë i paraqiste si të kapërcyera.

Sigurisht “evropianizimi” ka një histori edhe më të gjatë, sepse përpara ekzistencës së BE-së konceptet e “Evropës” dhe të “Perëndimit” kanë qenë një referencë thelbësore për projektet e ndërtimit të shteteve kombëtare në kontinent. Ideja bazë e modernizimit është se shoqëria njerëzore mund të ndryshohet dhe të përmirësohet me anë të arsyes dhe në këtë aspekt qenia “evropian” dhe njohja si i tillë nga të tjerët kanë qenë për kombet e reja të kontinentit një simbol i fuqishëm identitar. Prandaj “evropianizimi”, i kuptuar si një kontekst normativ, i ka paraprirë BE-së dhe proceseve të integrimit në BE. Në këtë mënyrë, me mbarimin e Luftës së Ftohtë, në pjesën lindore të kontinentit miti i “rikthimit në Evropë” ka udhëhequr shndërrimet strukturore në sferat politike dhe ekonomike, por edhe ka rindezur përfytyrimet kolektive të kombit dhe vazhdimësinë e projekteve kombëtare që mendoheshin se kishin mbetur të ngrira gjatë komunizmit.

Fuqia e evropianizimit të sotëm qëndron te lidhja e tij me idetë e bashkimit, paqes dhe pranimit të larmisë kulturore si vlera, por historikisht ideja e Evropës është përdorur edhe në të mirë të përjashtimit kulturor dhe racor. Përkufizimi negativ i Evropës (d.m.th. ajo çka Evropa nuk është) është edhe sot për shumë evropianë më i lehtë se sa evidentimi i atyre gjërave që ata kanë të përbashkëta. Përkufizimi më i zakonshëm negativ i Evropës në histori ka qenë me anë të diferencimit të saj me Azinë dhe Lindjen. Rrënjët e këtij dallimi i gjejmë deri në lashtësi te ndarja midis grekëve dhe barbarëve. Në Mesjetë e deri në fillimet e kohës së re, identiteti i Evropës së krishterë përkufizohej përkundër “saraçenëve” dhe turqve myslimanë, ndërsa statusi i rusëve ishte ai i evropianëve liminalë: të krishterë, por skizmatikë, të bardhë, por të paqytetëruar, evropianë dhe mongolë njëkohësisht. Në kohën moderne, nisur nga këndvështrimi i fuqive evropiane përgjatë Atlantikut, popujt periferikë në jug, lindje dhe juglindje të Evropës nuk trajtoheshin si plotësisht evropianë, por si gjysmë-evropianë ose gjysmë-orientalë dhe këto cilësime u rishfaqën me rënien e komunizmit.

Pas vitit 1989 marrëdhëniet e pushtetit midis pjesëve perëndimore dhe lindore të kontinentit paraqiten si një pjerrinë qytetëruese, të cilën duhet ta ngjisin vendet e Evropës Lindore për ta arritur utopinë e re globale të liberal-demokracisë që tashmë e gëzon Evropa Perëndimore. Ndërsa BE-ja qëllimisht merr mbi vete përfaqësimin e idesë së Evropës dhe flet në emër të Evropës, ajo përhap iluzionin se nuk ka Evropë tjetër, veç BE-së. Në misionin e saj qytetërues “të evropianizimit” të pjesës tjetër të kontinentit, BE-ja përpiqet të ndikojë politikat e brendshme dhe të jashtme të shteteve fqinjë. Disa prej tyre i ka pranuar tashmë brenda vetes dhe po e kontrollon përparimin e të tjerëve që janë në listën e pritjes. Ndërsa është e vërtetë që BE-ja nuk të njësohet plotësisht me perandoritë e vjetra evropiane, në krahun tjetër, siç vëren politologu Jan Zielonka, ajo bën atë që kanë bërë edhe perandoritë e mëparshme: ushtrimin e kontrollit mbi aktorët periferikë me anë të aneksimit ose dominimit joformal. Ta quash evropianizimin e sotëm si të ngjashëm me misionet qytetëruese perandorake nuk është thjesht retorikë, sepse evropianizimi, sikurse edhe misionet qytetëruese në historinë e shekujve të kaluar, orvatet t’i bindë periferitë se ai është i mirë për to dhe jo vetëm për kombet perëndimorë. Ai gjithashtu krijon lidhje normative midis periferive dhe qendrës, të cilat bëjnë të mundur bashkëjetesën dhe bashkëpunimin paqësor. Vlerat dhe normat e projektit evropian janë “perëndimore” në zanafillë dhe se vendet ish-komuniste janë marrësit e tyre dhe fakti që evropianizimi është i mirëpritur në periferi, nuk e fsheh dot asimetrinë e madhe në terma materiale dhe ideore që ekziston midis bërthamës perëndimore të BE-së dhe vendeve paskomuniste që i bashkëngjiten asaj. Për disa “evropianiteti” është i dhënë, kurse të tjerët duhet ta fitojnë me shumë punë atë, në mënyrë që të kapërcejnë instinktet dhe tiparet e veta “orientale”.

Vendet ish-komuniste nuk mund t’i negociojnë kushtet e “evropianizimit”, por duhet t’i ndjekin recetat e BE-së, FMN-së dhe Bankës Botërore nëse vërtet duan ta arrijnë “demokracinë”, “kapitalizmin” dhe që së fundi të bëhen “evropianë”. Duke perifrazuar shkrimtarin Xhorxh Oruell mund të themi se të gjithë jemi evropianë, por një pjesë janë më evropianë se të tjerët. Ligjërime të tilla për identitetin jo plotësisht evropian të periferisë së Evropës kanë shoqëruar evropianizimin e kësaj të fundit. Siç e vumë në dukje më sipër, “evropianizimi” i vendeve ish-komuniste duhet konceptuar ndarazi nga procesi i integrimit në BE, sepse ai ka të bëjë me (ri)bërjen pjesë në qytetërimin evropian dhe jo vetëm në BE. P.sh. anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në vitin 2009 u quajt nga shqiptarët si një pohim më shumë se vendi është tani më i evropianizuar se më parë, edhe pse anëtarësimi në BE dukej i largët. Jo më kot një nga parullat që hodhi qeveria e atëhershme ishte “Sot në NATO, nesër në BE”. Në këtë mënyrë, pjesërisht për t’iu përgjigjur prapambetjes materiale dhe teknologjike krahasuar me Evropën Perëndimore dhe pjesërisht për t’u paraprirë dhe përgjigjur perceptimeve të perëndimorëve për ta, elitat kulturore dhe politike të Evropës Lindore i kanë rindërtuar identitetet kombëtare rreth “mungesës” së Evropës. Në sytë e këtyre elitave modernizuese, popujve të tyre u mungojnë tipare të dhëna që i kanë perëndimorët, prandaj evropianizimi synon që ta kapërcejë hendekun, edhe duke thirrur në ndihmë fuqitë perëndimore. Presidenti i atëhershëm i Bullgarisë, Zhelju Zheljev, në një vizitë në Francë në vitin 1994 ai tha këto fjalë qeverisë franceze, e cila në atë kohë mbante presidencën e BE-së: “Na bëni sa më shpejt evropianë nëse nuk doni që të bëheni ju vetë ballkanas”. Me fjalë të tjera, na qytetëroni, nëse nuk doni që ju vetë të bini në nivelin e barbarisë.

Duke e pranuar si legjitime hierarkinë Perëndim-Lindje, elitat e shteteve që synojnë integrimin me BE-në kanë zhvilluar mitet e veta të “rikthimit në Evropë”, në këtë mënyrë duke e konsideruar komunizmin si diçka joevropiane ose jashtë-evropiane, që iu imponua atyre dhe duke i bërë apel një bashkësie evropiane parakomuniste, që në realitet nuk ka ekzistuar asnjëherë. Ligjërime të tilla janë emërtuar si “orientalizëm i Evropës Lindore”, “imagjinatë vetë-kolonizuese”, “vetorientalizëm” apo “orientalizëm i brendshëm”, sepse elitat kombëtare e shohin popullin e tyre ose pjesë të këtij të fundit, si “jo plotësisht evropiane” ose edhe me veti “barbare” që duhen fshirë. Këto elita duke u identifikuar tashmë me Perëndimin, edhe pse mund të kenë qenë dikur pjesë e elitës (kundërperëndimore) komuniste, vajtojnë pse nuk kanë lindur në Paris ose Londër, por në mesin e kësaj turme inferiore injorantësh, katundarësh, malokësh apo orientalësh që nuk marrin vesh nga Evropa dhe na i turpëron para Evropës. Një strategji që kanë ndjekur elitat kombëtare për t’i shpëtuar inferioritetit që ndjejnë përballë Perëndimit, është orvatja ligjërimore për ta shkëputur vendin e tyre nga rajoni “jo dhe aq evropian” dhe për ta bashkangjitur me ndonjë rajon tjetër “më evropian”. Është i njohur rasti i intelektualëve disidentë çekë, hungarezë dhe polakë që përpiqeshin t’i thoshin Perëndimit se vendet e tyre përbënin rajonin e Evropës Qendrore, i cili mbahej peng nga Bashkimi Sovjetik. Kur Evropa Qendrore u pranua në Perëndim si një rajon më evropian se sa rajonet më në lindje apo juglindje, ishte radha e Sllovenisë dhe e Kroacisë që të kërkonin të bëheshin pjesë e Evropës Qendrore, për t’i ikur identifikimit me Ballkanin. Ndërsa elitat e vendeve të tjera ballkanike bënë përpjekje për ta riemërtuar rajonin e tyre si Evropë Juglindore, për të theksuar përkatësinë e tij evropiane. Në IRJM, që ndodhet në zemër të Ballkanit jugor, përfaqësuesit më të lartë të shtetit e përshkruanin vendin e tyre si ballkanik jotipik, sepse ai nuk ishte përfshirë në luftërat civile të ish-Jugosllavisë. Ky ligjërim vazhdoi edhe pas përplasjeve ndëretnike të vitit 2001, sepse kapërcimi i krizës u interpretua nga qeveritarët maqedonas si një “zgjidhje evropiane”, ndryshe nga sa kishte ndodhur me republikat e tjera. Ngjashëm, në Shqipëri disa intelektualë protestuan për vendimin e burokracisë së BE-së për ta përfshirë vendin e tyre në rajonin e porsandërtuar të Ballkanit Perëndimor. Publicisti Agron Alibali në vitin 2003 sugjeronte që Shqipëria të merrte nismën e krijimit të pakti rajonal të “Evropës së Adriatikut”, për t’u shkëputur nga konotacionet negative që mbarte fjala Ballkan në mendjet e evropianëve dhe për të përfituar nga konotacionet pozitive që u përcillte atyre Adriatiku: qytetërimet e lashta mesdhetare dhe destinacionet turistike të stinës së verës.

Siç shihet, elitat e kombeve periferike dhe “vetë-kolonizuese” përpiqen të dëshmohen si evropianë me anë të përjashtimit të fqinjëve nga evropianiteti i supozuar. Milica Bakiç-Hajden këtë dukuri e ka përshkruar me termin “orientalizëm i radhitur”, sepse sipas saj, elitat e kombeve që përbënin ish-Jugosllavinë e quanin “oriental” fqinjin: sllovenët këtë e bënin me kroatët, kroatët me serbët, serbët me maqedonasit, shqiptarët e boshnjakët. Kjo përfshirje e vetes me anë të përjashtimit të tjetrit ka ndodhur edhe në pjesë të tjera të Evropës Lindore, ku përmes orientalizmit dhe racizmit, dështimi për t’u ngjitur më lart në pjerrinën e Evropës u vishet popujve “orientalë”: qëndrime të tilla gjenden te çekët për sllovakët ose te polakët për ukrainasit dhe rusët. Një zgjatim i kësaj dukurie të radhëve të orientalizmit janë edhe mitet antemurale, d.m.th. mitet e bedenit mbrojtës të qytetërimit. Që nga Spanja e deri në Poloni e Ukrainë janë të përhapura mitet se si në një kohë të caktuar historike një popull i vogël kufitar u vetëflijua për të shpëtuar krishterimin, “Evropën” ose “qytetërimin evropian” nga barbarët arabë, turq, mongolë, rusë, myslimanë ose komunistë.

Në këmbim këta popuj presin që Evropa t’i njohë dhe t’i kompensojë në të tashmen për flijimin e tyre historik. Për politikanët dhe intelektualët serbë në vitet ’80-’90-të të shekullit të kaluar, Serbia e kishte mbrojtur Evropën prej turqve dhe ishte e gatshme ta bënte sërish kundër myslimanëve boshnjakë dhe shqiptarëve, në mënyrë që fundamentalizmi islamik të mos gjente rrugë kalimi nëpër Ballkan dhe drejt perëndimit. Ndërsa shqiptarët e kanë ndërtuar mitin e tyre antemurale rreth heroit Skënderbe që e “shpëtoi” Evropën prej pushtimit turk. Në nëntor të vitit të kaluar, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, me rastin e përurimit të statujës së Skënderbeut në sheshin eponim të qytetit italian të Fermos, e lidhi ndihmesën e heroit shqiptar për “Evropën” e kohës së tij me aspiratën e tanishme shqiptare për të qenë pjesë e BE-së. Ai tha: “Skënderbeu është figura më e madhe e kombit tonë, është figura që ka lënë gjurmë më të fuqishme në përcaktimin e identitetit tonë kombëtar. por jo vetëm kaq, edhe të identitetit tonë europian… Është ajo figurë që na nderon në Europë… Sepse Skënderbeu nuk ishte vetëm një luftëtar për të mbrojtur popullin e tij dhe lirinë e tij, por Skënderbeu u kthye në një kalorës të qytetërimit europian, të krishterimit, u kthye në një mburojë të Perëndimit nga një perandori shtypëse dhe barbare e asaj kohe… Sepse ne meritojmë të jemi pjesë e Europës së bashkuar, e meritojmë që flamuri ynë të jetë njësoj si gjithë flamujt e vendeve të Bashkimit Europian ashtu sikurse fituam këtë të drejtë me meritë si një vend anëtar i NATO-s.”

Në Ballkan mitet antemurale qëndrojnë krahas dhe përkundër imazhit të gadishullit si urë midis qytetërimeve. Shpeshherë metaforat e bedenit mbrojtës dhe të urës alternohen sipas rastit për të dëshmuar evropianitetin. Elitat në shumicën e vendeve ballkanike pretendojnë se vendi i tyre ka qenë një beden për ta mbrojtur Evropën prej barbarëve turq ose se ka qenë një urë për takimin e Perëndimit me Lindjen. Në rastin e dytë theksi bie mbi shumëkulturorizmin historik të vendit ballkanik dhe që sot ky e paraqet si është një vlerë që e bashkëndan me BE-në. Megjithatë, sot një pjesë e mirë e intelektualëve në Shqipëri do ta refuzonin metaforën e urës për vendin e tyre, sepse për ta ura do të thotë një identitet i ndarë më dysh dhe, rrjedhimisht, një dilemë për t’u bashkuar ose jo me Evropën. Debati publik i vitit 2006 midis Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qoses në thelb ishte mbi fytyrën që kombi shqiptar në shek. XXI duhet t’i shfaqë Evropës ose Perëndimit: atë të mbrojtësit të Evropës apo atë të bashkëjetesës paqësore të ndikimeve të shumëfishta qytetëruese brenda një kulture kombëtare. Ky debat shqiptar disi ishte pasqyrim i debateve më të gjera evropiane mbi mundësinë e jetësimit të “unitetit në diversitet” përkundër mendësisë së “Kalasë  Evropë” që mbrohet nga barbaria rrotull saj.

 

Burimi: http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=43481&kat=92

Rexhep Qosja dhe Ismail Kadare

29/05/2013 Lini një koment

Ajni SINANI

REXHEP QOSJA DHE ISMAIL KADARE

Ajni Sinani

Ajni Sinani

Shkrimi “Identiteti evropian i shqiptarëve”, nga Ismail Kadare, vlerëson Rexhep Qosja me çka pajtohemi edhe ne “është i mbështetur në premisa të gabuara në përpjekje për të dëshmuar, në njërën anë kundërshtitë kulturore midis Evropës e Lindjes muslimane, kurse, në anën tjetër, sipërinë e identitetit evropian ndaj identiteteve të tjera, para së gjithash, ndaj identitetit musliman!”

Kohëve të fundit nuk janë të rralla rastet kur Kadare vlerësohet për ide raciste. Dhe sigurisht se edhe shkrimet e tij ndaj Islamit dhe muslimanëve kanë përmbajtje raciste.

Gjykimet e padrejta të Ismail Kadaresë në adresë të Islamit, për njohësit e veprës së tij, nuk janë edhe gjithaq befasuese. Ato mund të shihen edhe si reflektim dhe interpretim i një raporti acarues politik dhe fetar të kohës së sotme.
Është evidente se ekziston një klimë dyshimi ndërmjet SHBA-së dhe shumë vendeve muslimane, veçanërisht pas pushtimit të Afganistanit dhe të Irakut. Disponimi  antiamerikan sa vjen e rritet në shumë vende muslimane. E njëjta gjë është duke ndodhur edhe me disponimin kundërmusliman në vende të ndryshme perëndimore.
Jo rrallë analistët muslimanë fjalët e Bushit pas 11 shtatorit dhe gjithë mobilizimin e tij ndaj disa vendeve muslimane në luftë kundër terrorizmit, i përshkruajnë si një kryqëzatë moderne.
Nuk ishin të rastësishme as karikaturat blasfemuese ndaj Muhammedit a.s. Kjo madje vlerësohet se ishte bërë për të matur impulsin e botës muslimane.
Çdo ditë mund të lexojmë se si muslimanët dhe xhamitë e tyre në perëndim shkaktojnë dhe ngjallin dyshim si tek qarqet shtetërore njashtu edhe tek popullata civile.
Disa madje profetizojnë epokën e konflikteve dhe luftërave ndërmjet civilizimeve e veçanërisht ndërmjet Krishterizmit dhe Islamit.
Propaganda e shfrenuar dhe e pandershme ndaj Islamit ka arritur apologjenë e saj.
Teologë të shumtë protestantë, katolikë dhe ortodoksë në mënyrë neveritëse dhe shumë të ultë shpifin duke shkruar dhe propaganduar gjithfarë të pavërtetash kundër Islamit. Me qindra e qindra milionë dollarë jepen për një propagandë të tillë antiislame.
Se popët, priftërinjtë dhe pastorët, gënjeshtrat e tyre ndaj Islamit mund t’i vlerësojnë si “shërbim ndaj fesë dhe Zotit” kjo është e kuptueshme.
Por nuk është gjithaq e kuptueshme se përse Kadare merr rolin e një telalli kundër identitetit musliman të shqiptarëve?!
Janë të paktë ata që kanë marrë guximin për t’iu kundërvënë ideve dhe përfytyrimeve  shpërfytyruese të Kadaresë ndaj Islamit. Është për çdo lëvdatë veprimi i Rexhep Qoses i cili pa hamendje, është ngritur kundër tij.
Me punën e tij për të hedhur poshtë idetë dhe përfytyrimet e gabuara të Kadaresë zotëri Qosja ka fituar simpatinë e gjithë dashamirësve të së Vërtetës Hyjnore.
Po të krahasonim pozicionimin e Qosjes mbase do të ishte deri diku i ngjashëm me qëndrimin e Ebu Talibit, xhaxhait të Muhammedit a.s.
Ndërkaq, Ismail Kadare me qëndrimet e tij ndaj Islamit na duket se është më afër poetit arab të injorancës Velid bin El Mugire. Velidi kur kishte dëgjuar Kur’anin i magjepsur kishte deklaruar se ai nuk është fjalë njeriu. Por interesi ia kërkonte që megjithatë të pozicionohej dhe të ishte kundër Islamit. Velid bin El Mugire edhe sot e kësaj dite përmendet si një njeri që pati rastin të jetë në anën e së Vërtetës Hyjnore, por që vdiq si një idhujtar injorant dhe kundërshtar i Islamit. Me sa kuptohet edhe Kadare preferon që në të  ardhmen, meqë dëshiron të përmbyllë jetën e tij ashtu sikurse edhe Velid bin El Mugire, të përmendet si një kundërshtar injorant ndaj Islamit.
Kurse zotëri Qosja, është pro Islamit sikurse thotë jo sepse e ka emrin musliman Rexhep. Jo, pse shkon në xhami, e as që fal pesë vaktet e ditës! Jo. As nuk shkon në xhami për t’u lutur, dhe as nuk fal asnjë vakt të ditës. E bëni këtë sikurse thotë për hir të perëndive të tij: të Vërtetës dhe të Drejtës. Edhe Ebu Talibi, as nuk kishte shkuar në xhami dhe as që kishte falur ndonjë vakt, madje as që arriti të pranonte Islamin. Megjithatë ai deri në çastet e fundit e mbrojti Muhammedin a.s. Ne do të donim që Rexhep Qosja megjithatë të bënte edhe një hap tutje dhe të ndiqte shembullin e Omerit r.a. i cili jo vetëm që u bë një luftëtar i denjë dhe i përkushtuar i Islamit deri në çastet e fundit të jetës së tij, por edhe vdiq si musliman i devotshëm.

Studimi grek pranon genocidin kundrejt çamëve: 50 mijë çamë u vranë e u dëbuan

28/04/2013 Lini një koment

Ardit BIDO

STUDIMI GREK PRANON GENOCIDIN KUNDREJT ÇAMËVE: 50 MIJË ÇAMË U VRANË E U DËBUAN

Ardit Bido

Ardit Bido

Studimi, i cili solli të gjithë debatin në vendin fqinj, pranonte gjenocidin grek mbi popullsinë çame, duke thënë se 77 çamë të Paramithisë janë ekzekutuar nga forcat e EDHES-it, vetëm për shkak të kombësisë së tyre.

Për më tepër, në këtë studim thuhet se “50 mijë çamë të Epirit janë dëbuar ose vrarë nga Ushtria Revolucionare Çlirimtare Greke (EDHES, forcat e djathta të Greqisë për çlirim, krahas ELAS-it, që ishte komunist, në radhët e së cilës kanë luftuar edhe rreth 200 çamë, shën. red.) gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore”.

Studimi u paraqit në Universitetin Pandio të Greqisë, nga një grup profesorësh grekë të këtij universiteti, dhe është i pari që tregon për gjenocidin mbi çamët, nga një grup nëpunësish grekë. Numri i çamëve të dëbuar dhe të vrarë, që paraqitet në studimin grek, është më i madh edhe se numri që paraqet zyrtarisht Shoqata Politike Atdhetare Çamëria në historikun e saj.

Reagimi në sallë dhe mbrojtja e punës nga profesorët

Në sallën e Universitetit Pandio, të pranishmit, studentë grekë dhe pedagogë kundërshtuan studimin, duke thënë se “fashistët (duke iu referuar çamëve) atë meritonin, ndërsa Lambros Bulciotis, një prej hartuesve të studimit tha se “ky është thjesht një studim shkencor, që nuk tenton të futet në situata politike. Ne, thjesht paraqesim faktet, që ekzistojnë dhe asgjë më shumë”.

Të pranishmit filluan të bërtisnin më tej, kur studimi thoshte se “Vorio-epirotasit” bashkëpunuan me forcat naziste në Shqipërinë e Jugut dhe se tokat dhe pronat e shqiptarëve në Thesproti (Çamëri) iu dhanë mikrasiatëve (grekëve që shkuan në Greqi, nga Turqia, pas ndryshimit të popullsive mes dy vendeve, shën. red.). Gjithsesi, pedagogët nuk pranuan të ndryshonin asnjë presje në studimin e tyre. Konstandinos Ciceliqis, një ndër hartuesit tha se “nuk po flasim për çështje kombëtare por për çështje historike dhe për fakte të dokumentuara, të cilat sot po i paraqesim”.

Studimi i parë grek që pranon gjenocidin çam

Ndërkohë që ky është studimi i dytë grek, që pranon gjenocidin e çamëve. I pari është hartuar nga profesori grek i Universitetit të Jeillit (Yale) në Shtetet e Bashkuara, z. Stathis Kalivas, i cili në studimin e tij thotë ndër të tjera se “ky rast është padyshim një gjenocid. Pyetja që mbetet është nëse kemi të bëjmë me një (gjenocid) të parapërgatitur nga qendra (drejtuesit e ushtrisë), apo nëse erdhi nga veprime hakmarrjeje në nivel lokal. Mendoj se diferenca mes këtyre të dyjave është shumë e vogël. Megjithëse, EDHES-i ishte një organizatë e përqendruar ku, në ndryshim nga EAM (organizata politike e ELAS-it, shën. red.), drejtuesit qendrorë mund të kontrollonin lehtë ushtarakët lokalë, asnjë fakt nuk tregon se udhëheqësit kishin dëshirën më të vogël (apo reale) për t’i ndaluar (të kryenin gjenocidin). Rrethanat politike të shtatorit të vitit 1944 lejonin “zgjidhjen përfundimtare” të çështjes çame, dhe sipas mendimit tim, EDHES-i nuk u frenua për të përfituar nga rasti”.

A është perëndimi “El-Dorado” i shqiptarëve?

14/03/2013 Lini një koment

Vajada KEÇI (MANJANI)

A ËSHTË PERËNDIMI “EL-DORADO” I SHQIPTARËVE?*

El Dorado goldKombet janë në zhvillim të vazhdueshëm. Ato nuk ndalen, nuk na presin por ngarendin të kapin të rejat dhe risitë e kohës, të paktën kështu duket…

Perceptimi i kufinjve pas gati 50 vite mishërim të tyre në komunizëm mbetet të jetë shumë i gjallë tek ne shqiptarët. Perceptimi i popullit tonë si i mbyllur në kafaz imagjinar përtej se cilit nuk mund të kalohet vërehet të jetë i gjallë edhe sot e kësaj dite. Prej kohësh populli ynë ëndërronte perëndimin sikur të ishte “El Dorado” prej të cilit na ndajnë veç disa kufinj. Të tillë, shume syresh kanë lënë jetën në përpjekje për ta kaluar atë. “El Dorado” në imagjinarin kolektiv paraqitet si i mbushur me flori, i tillë gjëndet në ndërtesa, në rrugë në rrobet e njerëzve në vetë njerëzit dhe perceptimet e tyre. Vetë perëndimi e ka paraqitur veten si të tillë. Si vendi i demokracisë, i vlerave politike dhe ekonomike të pakontestueshme. Si vend ku ëndrrat për liri dhe prosperitet të vendeve relativisht të vogla si Shqipëria nuk kanë çfarë të bëhen veçse realitet. Mitizimi i “El Dorados” së perëndimit tashmë ka përfshirë çdo qelizë të shoqërisë sonë. Vetë-pushtimi i vetes sonë nga vlera aliene, të huaja? Sa të huaja? Së pari një populll duhet të përvetësojë vlerat e tij. Të jetë i vetëdijshëm për to. Po a jemi ne të aftë që t’i bëjmë një analizë të thellë gjendjes sonë duke sjellë kështu zgjidhje të cilat vijnë nga brenda dhe jo të gatshme nga jashtë, nga studiues të huaj të cilët përshtasin rezultatet e realiteteve jo koherente me tonin.

Vështirë mund të kuptohet nga një perëndimor qasja e shqiptarëve ndaj perëndimit. Natyrisht, që shumica prej nesh duke mos dal ndonjëherë jashtë shtetit për të perceptuar dallimin real midis asaj që mediat shfaqin nëpër ekrane dhe asaj që në realitet jetohet nëpër ato shoqëri marrin për të qënë çkado lloj reference që iu ofrohet. Thonë se të nëjtët individ të cilët punuan për propagandën komuniste janë të njëjtët të cilët punojnë sot për formimin e opinionit të shqiptarëve në demokraci. A është e vërtetë që shumica e vlerave të cilat opinion-bërësit thonë se kemi ne si popull, ekzistojnë akoma edhe nën peshën e ngarendjes kolektive drejt perëndimit?

Ne jemi shembulli më i mirë i ndërrimit drastik të vlerave tona. Për disa do të perceptohej si herezi të pohosh se ishim pikërisht në të cilët përqafuam menjëherë mbas vitit 1945 në mënyrë drastike vlerat e komunizmit, të cilët duartrokisnim me zellin më të madh tek sa na shfarosnin me pompozitet traditat dhe kulturën e gjer më atëhershme. Ishim pikërisht ne që lam adhurimin e Zotit Një për të përqafuar adhurimin e partis shtet me “profet” që iknin e vinin në arenën e politikes socialiste të kohës. Ishim ne që në fillim të viteve 1990 sa hap e mbyll sytë hodhëm mbrapa krahëve sikur të mos kishin ndodhur kurrë vuajtjet e komunizmit për të parë përpara. Po ku? Një të ardhme më të mirë, “El Dorado” po na priste. Mbase ky është një nga virtytet më të mëdha të popullit tonë: “Të harrosh shpejt” kjo sepse nga vuajtjet e shumta nuk ka kohë për të kujtuar vuajtjet e më parshme, mbase. Kështu lind indiferenca.

Më vjen në mëndje im at. Ai ka qënë prej të paktëve të cilët kanë udhëtuar në vëndet “kapitaliste” në kohën e komunizmit të egër. Udhëtimet e tij të vazhdueshme në Zvicer dhe Austri ne vitet 1985-1987 ndikuan thellë fatin e familjes sime në kohën e demokracisë. I pyetur shpesh prej meje se përse ai nuk ishte i ndikuar nga entuziazmi kolektiv i hapjes me perëndimin sidomos në perjudhën e famshme dhe tragjike të “hapjes së portit” në vitet 91-94 dhe pjesërisht gjat vitit 97, përgjigja e tij ishte atëbotë e pa kuptimtë për mua: “Sepse e kam dit se çfarë pret shqiptarin atje”. Fjalë enigmatike këto për mua që “nuk e dija”, më enigmatike sesa vet heshtja e tim eti për të më përshkruar mendimin e tij lidhur me vizionin që kish krijuar për botën përtej hekurave me gjëmba që na ndante. Përveç tronditjes së tij në përballjen me zhvillimin kolosal ekonomik që mbizoteronte atëbote në këto vënde në krahasim me mjerimin gjer në uri të shqiptarëve tue cilët kokrrën e mollës e shihnin vetëm për Vit të Ri në tollonin simbol të mizerjes dhe urisë së harruar tashmë njëzet vite ngaredje në Evropë. Kaq më la tim et nga kujtimet e tij, pjesën tjetër do ta zbuloja vetë në përballjen time personale me perëndimin. Ashtu si çdo i ri, dhe unë kam qënë e indoktrinuar me mitin e “El dorados” perëndimore. Kanalet televizive të Mediasetit dhe Rai-t Italian mund të them se ishin ato që më teper ndiqeshin në zonën time të banimit. Adoleshecës e kaluar duke ndjekur shëmbujt e paraqitur prej tyre, sot kuptoj se ishin thjeshtë iluzione dhe makinacione të marketingut televiziv. Më pas natyrisht që këto media bllokohen për t’i lënë hapsirë mediave vendase për tu zhvilluar. Ende, fare lehtë mund të kuptosh se çdo program televiziv i paraqitur në to, nuk është tjetër veç se kopimi gjer në detajin më të hollësishëm të televizioneve perëndimore, atyre Italiane kryesisht.

Ende më kujtohet paniku që pëjetova ditët para nisjes sime për studime në Itali. Perceptoja se edukimi im i cili për arsyje fetare vinte në rradhë të parë integritetin moral dhe edukatën familjare, binte ndesh me shoqerinë në të cilën do të kaloja aq shumë vite studimi. Parashikoja një luftë të madhe të brendshme për t’i rezistuar modeleve dhe stereotipeve të rinisë së “hapur” në të gjitha drejtimet e cila me siguri do të biente ndesh me normat morale dhe edukatën fetare aq të shtrenjtë për mua.

Parashikimet e mia katastrofale mbetën veç një kujtim kurioz sot mbas gati pese vitesh nga përjetimi i tyre. Nuk e mohoj se elementët që formuan këtë lloj paniku në mua, zbulova më vonë të kishin qënë fallco dhe pa baza në realitetin në terren. Mjafton një analizë e vogël dhe një vështrim i shkurtër ne realitetin shqiptar, për të kuptuar se miti i perëndimit i cili na është krijuar veç në mëndjen tonë nuk përputhet me realitetin e Komunitetit në të cilin aspirojmë të futemi. Po a na bën mirë përqafimi i gjithçkaje që na del përpara e servirur me aq mjeshtëri nëpër mediat tona të cilat janë element përbërës i perceptimit të jetës dhe botekuptimit individual? Nga çdo vlerë që na paraqitet si e tillë nga perëndimi që efektivisht ne nuk e njohim aq thellë sa për t’i bërë një filtrim të mirëfilltë atyre që mund ti quajmë si vlera prej tij. Kam frikë, se populli jonë me qasjen e pa kontrolluar dhe të pa filtruar ndaj gjithçkaje që vjen tek ne me markën “Nga jashtë shtetit” te meret apriori dhe pa e venë në diskutim aspak. Pa e pyetur veten se si individ ne mund t’i pranojmë të gjitha, apo kemi edhe limite që nuk mund t’i kapercejmë sepse jemi njerëz me vlera?! Të gjëndur në një tranzicion të cilit nuk po ja shohim fundin, nuk kemi arritur të bëjmë ende dallimin midis vlerave të cilat dëshirojmë t’i ruajmë në vetvete dhe atyre që dëshirojmë të përthithim nga perëndimi.

Ngarendja e vendit tonë për në Evropë kalon përmes plotesimit të disa kushteve të cilët perëndimoret me shumë imagjinate vit pas viti i rinovojnë duke shtuar të reja. Simbas vëndit bëhet kuvëndi natyrisht, dhe shqiperisë karshi zhvillimit ekonomik dhe politik që i kërkohet, heshturazi i shtohet dhe paraqitet të jetë dhe “modernizimi i popullatës”. Me sa duket, ketë përpkjekje është vetë popullsia që përpiqet t’ia arrijë me të gjitha forcat e saj. Kjo mesa duket e shtyrë edhe nga modelet të cilat i serviren me agresivitet maksimal nëpër media. Duket sikur ky është një mision kolektiv që vëndi jonë i ka vënë vetes në rradhë të parë. Dhe përpiqet me të gjitha forcat e veta sikur të ishte duke rekuperuar kohën e humbur. Kujdes! Kujdes atij që guxon të vë në dyshim këtë ngarëndje! Kujdes atij që përpiqet të sensibilizoi popullsinë duke vënë në dyshim vlerat e perëndimit ato vlera që ai vetë nuk i pranon natyrisht. Nëse emigrantët e shkolluar jashtë vëndit përpiqen të vënë në dukje çalimet në këtë përpjekje jo në aspektin e forcës që populli jonë po investon në këtë drejtim po në vetë thelbin e drejtimit që ato po marin, menjëherë akuzohen si njohës të pakët të realitetit kombëtar shqiptar. Si njerëz që nuk jetojnë dita ditës për të përjetuar sfidat e gjithanshme të shqiptarëve por që japin mendime sipas kriterit të tyrë matës të pa bazuar në realitetin e evoluar të tokës mëmë. Natyrisht që, ky është një qëndrim mjaft për tu kritikuar. I bazuar në mëndjemadhësinë se “ne e dimë vetë çka bëjmë ndërsa ju jeni jashtë e nuk merni vesh gjë”. Gabim i rëndë. Po aq sa shqiptarët i marin si fjalë profetike udhëzimet e çdo perëndimori për të “ndrequr” shoqërinë shqiptare aq edhe i refuzojne ato të një bashkëkombasi në emigrim, kuptohet, të atij që nuk është asimiluar ende. Ne si emigrant, përjetojmë atë çka vetë populli jonë aspiron të bëhet, të bashkohet me Evropën e institucionalizuar, pra te gjëndur tanshmë në brendësi të BE.

Pamja e qartë dhe e ftohtë të një realiteti mbushur plot me iluzione i cili udhëheq sidomos rininë shqiptare është alarmante. Modelet që na ofrohen nga televizionet e lart përmëndura ndiqen verbërisht. Problemi qëndron në faktin se këto modele, nuk janë të pranuara as në vëndet që i kanë prodhuar dhe ideuar për herë të parë. Edhe pse u shiten publikut si prodhim i shoqërisë ku ato jetojnë, përveç se audiencës televizive nuk prodhojnë tjetër veçse kritike për kontribuimin në degjenerimin moral të saj. Të paktën këto element diskutimi në shoqërinë Italiane për shëmbull janë dalluar nga masa e gjerë e popullsisë si element që nuk përfaqësojnë realisht jetesën në këto vende, madje as realitetin e rinisë në to. Atëherë si është e mundur që programet televizive të krijuar enkas shpesh herë për të gjeneruar skandal dhe për pasojë shikueshmëri të lartë, tek ne nuk perceptohen si të tilla por si modele që duhen ndjekur për të arritur standardet e modernitetit europian. Një shëmbull konkret, janë formatet televizive si “Big Brother” i cili punon për të krijuar konflikte dhe skandale e për të evidentuar se sa larg jemi si shoqëri përball Evropës së “civilizuar” dhe pa kufinj moral dhe etik. Realiteti nuk është aspak i tillë, shthurjet morale nuk përbëjnë dhe nuk do të përbëjnë kurrë modernitet! Por si është e mundur që në shumicën e shqiptarëve vlen e kundërta e asaj që thamë më lart? Po na përçohet e shpikura mediatike si reale gjë e cila çorjenton në mënyre katastrofale madje edhe modelet që në pretendojmë të marim nga perëndimi. Shëndrohemi kështu me ndjekjen e tyre në imitues të një bote e cila nuk egziston, dhe madje kur projektohemi në realitetin e saj gjëndemi ne si peshku pa ujë pikërisht në atë shoqëri që kemi zgjedhur ta kopjojmë dhe imitojmë verbërisht. Për shkak se kthehemi në karikaura të cilat perëndimoret habiten me ne se si është e mundur që jemi të tillë. Si një femër me shumë makiazh në fytyrë prej të cilit është shpërfytyruar dhe shëmtuar gjer sa nuk njihet më.

Përthithja e antivlerave në këtë mish-mash perceptimesh të relaitetit është një rrezik i cili duhet të pranohet si pjesë e kushteve për t’u “modernizuar”. Në këtë mënyrë edhe gjykimi mbi vlerat që në pretendojmë të marim mbetet relativ. Nëse ne shumë prej shoqërive perëndimore që ne përpiqemi ti imitojmë verbërisht është arritur perceptimi se shthurja morale, tradhtia bashkëshortore, mashtrimi e kriminaliteti nuk janë pjesë e lavdërueshme e shoqërive të tyre, neve e gjejmë veten t’i marim edhe ato si pjesë e modernizimit brenda në koston e biletës për në “El-Doradon” e propaganduar. Na duhet të kemi kurajon dhe forcën e të thënurit jo! Jo nuk e dua imoralitetin, jo nuk e dua shthurjen, jo nuk e dua zvetënimin e qelizës kryesore të shoqërisë sonë, pra familjen. Por, vërej se ka ardhur koha, në të cilën është e vështirë të dallohet e mira nga e keqja. Ai i cili e bën një gjë të tillë, shpesh herë në emër të vlerave fetare që janë të pa ndryshueshme dhe të pa tjetërsueshme nga çdo lloj ndryshimi kohërash, etiketohet si prapambetës dhe inert i kohëve të vjetra. Gabimi më i madh. Vlerat asnjëherë nuk vjëtersohën, asnjëherë nuk dalin jashtë mode. Do të citoja një shpreje të nënës sime, që në adoleshencën time të hershme atëherë kur ngarendja edhe unë të ndiqja modelet e imponuara të një perëndimi fallco dhe të importuar nga televizionet komenciale, sa herë që justifikoja vehten me argumentimin se kanë ndryshuar kohët dhe duhet të jemi më modern ajo përgjigjej se “ janë njerëzit që e bëjnë kohën dhe jo anasjelltas”. Individualisht, duhet të kemi kurajon të ndërtojmë kohën tonë, fatin tonë me një qëndrueshmëri prej heronjsh. Koha e sotme, e cila zhvesh njeriun nga frerët e nefsit (uni-t) të tij, bëhet armike e përpjekjeve për rikthimin nën drejtimin dhe kahje të qëndrueshme.


* Shkrimi është botuar në revistën “Familja”, Tiranë, shkurt 2010.

Bumerangu i shifrave epike

09/02/2013 Lini një koment

Doan DANI

BUMERANGU I SHIFRAVE EPIKE

Doan Dani

Doan Dani

Teza e varfërimit demografik të Arbërisë në momentin e pushtimit osman, si njësi e katastrofizmit historik dhe specifik shqiptar, ka qenë rregullisht e pranishme në botimet dhe ribotimet zyrtare nga të cilat janë sintetizuar librat shkollor ose, e thënë ndryshe, mjetet e masivizimit dhe standardizimit të memories kolektive. Ajo përmbledh eliminimin fizik dhe skllavërimin, nga njëra anë, si dhe braktisjen e trojeve, kryesisht në drejtim të shteteve italiane, nga ana tjetër, pra domosdoshmërisht shprehet nëpërmjet shifrash të efekteve të qëndresës, e për rrjedhojë ndjek ose përforcon shifra të tjera të lidhura direkt, për shembull, me pjesëmarrësit në këto dekada luftimesh. Siç kam pohuar, sa më e lartë të prezantohet shifra e ushtarëve armiq – sa më i madh të jetë Golia – aq më epike do të ngjasojë rezistenca, ndërsa, përsa i përket varfërimit demografik, sa më i bymyer të jetë ai, aq më lehtësisht lulëzojnë idetë e “barbarizmit aziatik”, e “dorës së hekurt” dhe stigma të tjera, pa anashkaluar paradigmën e luftës për liri të shek. XIX-XX si vazhdimësi e epopesë së shek. XV. “Loja” me shifrat është një metodë sa antike aq edhe bashkëkohore, sa shqiptare aq edhe universale: serbët kanë shumëfishuar të shpërngulurit në “eksodet” e tyre legjendare në funksion të urrejtjes patologjike ndaj osmanëve dhe kulturës së tyre në përgjithësi, si dhe për shpjegimin e pranisë masive shqiptare në Kosovë, pasi në të kundërt nuk do të mund të propagandonin mitin e “djepit”; sot jemi të gjithë dëshmitarë si shifrat e pjesëmarrësve në një protestë, kundër politikave qeveritare, rriten nga organizatorët dhe tkurren nga ato ndaj të cilëve adresohet pakënaqësia kolektive. Mirëpo kjo është çështje interesash të ndryshme nacionaliste, partiake, gjeopolitike, në përgjithësi ideologjike ose thjesht materiale, ndërsa etika historiografike rrugëton parimisht në një plan tjetër, ndonëse ngelet thuajse vazhdimisht si monumenti të cilit të gjithë i kalojnë pranë, por asnjëri s’e vë re.

Prekshmëria e katastrofizmit

Nga fjalët e hartuesve të vëllimit I të Historia e Shqipërisë lexohet qartazi vullneti dhe projektishqiptarozhdukës i Mehmetit të II, i përforcuar nga shifra kronikash dhe përshkrime përgjithësuese: «brenda 15 ditëve që qëndroi Mehmeti i II, ushtritë e shumta turke u përpoqën të çfarosnin pa mëshirë të gjithë popullsinë e vendit»; «në këto vite u shpërngulën në masë me dhjetëra mijë familje»; «numri i të mërguarve llogaritet të ketë arritur në dyqindmijë veta», etj. Mungesa e dokumenteve justifikon enigmën e numrit të viktimave dhe skllavërimit, prandaj hartuesit kanë preferuar elasticitetin shumëpërfshirës, që përçon mjaft mirë shijen e katastrofizmit demografik, ndërsa shuma përmbledhëse lidhet me emigracionin (ASHSH 1967).

Në botimin e vitit 2002 kjo shifër mungon dhe vëmendja është zhvendosur plotësisht drejt hiperbolave biblike me «valë të papara mërgimesh». Si numër i përgjithshëm jepet popullsia e sotme (!) arbëreshe në Itali (ASHSH 2002). Përsa i përket paraleles tjetër të varfërimit demografik, edhe në këtë botim, nuk tejkalohet patosi i kronikave, çka pamundëson një kornizë numërike të lëvizjeve, megjithëse është e ndjeshme nga artificializmi letrar i rrëfimeve, sikur këto mjaftojnë dhe janë përherë objektive. Mund të na ndihmojë në këtë aspekt studimi i vëllimshëm i Aurel Plasarit, në të cilin gjejmë rreth 300 mijë viktima dhe skllevër – vetëm në territoret nga Shkodra në Berat – të shpërndarë përgjatë librit, sipas shijeve të kronistëve të ndryshëm, si të atyre që kërkojnë të nxisin opionin e aristokracisë italiane ose thjesht të ndërtojnë “barbarin aziatik” – këtu, përveç përshkrimeve italike, renditen edhe disa kronika greke – ashtu edhe të atyre që në të kundërt tentojnë madhërimin e veprimtarisë sulltanore nëpërmjet inflacionit të viktimave, në shenjë nënshtrimi, siç bëjnë kronistët osman dhe ndonjë panegjerist grek (Plasari 2010).

Arrihet kështu në një rezultat konkret dhe të prekshëm prej një gjysëm milioni individësh të zhdukur nga territori kryesisht malor i Shqipërisë së sotme – në këto konstatime vazhdon të jetë e mjegullt numërikisht përmasa e përfshirjes së arbërve të Moresë.

Enigma, paradokse dhe mospërputhje

Përse Perandoria Osmane – konkretisht Mehmeti II – projektoi dhe ngulmoi në zhdukjen e shqiptaro-arbërve? Si shpjegohen: (ri)popullimi i territorit shqiptar në fillimet e sundimit osman; etnia dominuese shqiptare e banorëve; rritja demografike në ecuri të ngjashme me Evropën Perëndimore? Përse shifrat e mësipërme zyrtare – kryesisht derivate kronikash – nuk përputhen aspak me shifrat e regjistrimeve të ndryshme?

Përgjigja më komode e pyetjes së parë ka qënë, vijueshëm, rezistenca e pashembullt e arbërve nën udhëheqjen e Skënderbeut, e cila shkaktoi shpagimin ndaj popullsisë e për rrjedhojë edhe largimin masiv. Mirëpo kjo nuk ështe bindëse për disa arsye dhe realitete të menjëhershme të nënshtrimit të Arbërisë. Vetë Akademia ka pranuar se «mërgimet shqiptare në krahun [...] jugor qenë më intensive se ato veriore» dhe «vatra e nisjes së tyre qenë territoret në jug të lumit Shkumbin», duke nënkuptuar se u “boshatisën” territoret e përjashtuara nga angazhimi konstant dhe direkt në epopenë skënderbejane, territore për të cilat sulltani, sipas teorisë akademike, nuk kishte më arsyen parësore – rezistencën – të “hakmarrjes” (ASHSH 2002). Defterët e ndryshëm kanë regjistruar rritje të popullsisë së qyteteve të nënshtruara, ndërsa kronikat rrëfejnë për popullsi, të tërhequr përkohësisht nëpër male, që rikthehet drejt fshatrave dhe qyteteve, siç është rasti i Elbasanit të përshkruar nga Tursun Beu – kjo pikë do të jetë më qartë në vazhdim.

Fataliteti i këtyre interpretimeve vjen nga mospërputhja e shifrave, megjithëse eksplorimi i tyre është një terren i minosur. Përsa i takon emigracionit, botimet dhe ribotimet zyrtare, përcaktojnë dy rajone kryesore për Italinë, me disa vatra dhe vite specifike. Territoret venedikase në veri dhe ato aragoneze në jug, në vitet 1468, 1479, 1481, 1492 dhe 1506, përbënin destinacionin e lëvizjeve: «veçanërisht në krahinat e Kalabrisë dhe Siqelisë u strehuan më tepër se njëqindmijë shqiptar [...], në vitet 1530-1535 në Siqeli u vendosën edhe disa dhjetëra mijë shqiptarë të tjerë» dhe «vala më e madhe migruese i përket vitit 1479, kur pas rënies së Shkodrës [...] shumë luftëtar shqiptar [...] u detyruan të largohen për t’i shpëtuar hakmarrjes osmane», kurse gjysma tjetër (100.000) u shpërnda nëpër krahinat e tjera italiane (ASHSH 1967, 2002).

Tek Lucia Nadin, edhe pse flitet ‹‹për disa mijëra vetë›› në 1479 – i konsideruar si vit i shpërnguljeve më të mëdha (!) –, nuk është e qartë sasia e saktë: ajo numëron 70 familje në fillim të vitit, më pas, në muajin maj, shton edhe 200 familje të tjera, duke vijuar në disa shembuj individual deri në shifrën e 1440 personave të cituar nga Marin Beçikemi. Nga e njëjta periudhë dhe në vijim Brunilde Imhaus saktëson praninë e rreth 2.938 emigrantëve, nga të cilët 637 shqiptar, 1210 dalmat dhe 932 grekë – në mesin e tyre mund të supozojmë praninë e shqiptarëve ortodoks të konsideruar si grek, megjithëse ngelet vetëm hipotezë – (Zamputi 1979; Imhaus 1997; Nadin 2002). Sidoqoftë, shifra përfundimtare e propozuar nga Imhaus luhatet rreth 5-6.000 individë, nga të cilët gjysma ishin me origjinë greke.

Komuniteti arbëresh i regjistruar në capitulat siçiliane – mjaft domethënës në aspektin sasior sipas ASHSH – numëronte në shek. XV rreth 7.500 individë dhe 8.958 në vitin 1589, pra asgjë e përbashkët me «disa dhjetëra mijë shqiptarë» të hedhur në treg: popullsia arbëreshe e regjistruar në Italinë e vitit 1861 arrinte shifrën 55.453, diçka më shumë se numri i përgjithshëm i arbëreshëve – maksimumi  45 mijë – që George Nasse ka përllogaritur, duke u bazuar mbi mesataren e popullsisë së fshatrave arbëreshe, në Italinë e fundshekullit të XV dhe fillimshekullit të XVI (Garufi 1948; Nasse 1964; Resta 1996).

Përplasja me statistikat e defterëve

Që të kemi një gjysëm milioni të vrarë dhe të mërguar natyrisht nevojitet një popullsi më e madhe, ndryshe nuk do shpjegohej prania e vazhdueshme e shqiptarëve në trojet e tyre, ose të paktën matematikisht duhet të kemi një popullsi të barabartë me shifrën e zhdukur. Defteri osman i 1431 ka regjistruar rreth 33.547 familje, që, duke i shtuar edhe 1301 shtëpi të zotërimeve venedikase në zonën e Shkodrës (1416-17), me numrin mesatar të 4,5-5,5 anëtarëve për familje, të pranuar nga medievistika perëndimore dhe disa ballkanologë, na jep një popullsi me rreth 170 mijë banorë. Edhe duke aplikuar shifrën e sforcuar prej 7,5-9 antarëve, të preferuar nga Oliver Schmitt dhe Kasem Biçoku – ky i fundit nënkupton mesataren e përgjithshme të familjeve arbërore të shek. XV duke u bazuar në dy relacione të shek. XVII mbi zonën e Pukës, Këlmendit, Pultit dhe Dukagjinit –, përsëri numri i popullatës së zhdukur është më i lartë se ekzistuesja. Eshtë gjithashtu domethënes fakti se mesatarja e popullsisë në territoret venedikase paraqitet afërsisht dy herë më e ulët se ajo e territoreve arbërore nën sundimin osman (1431), sipas regjistrave në fjalë, dhe vetëm 33% më e lartë (1467) se popullsia e zonës së Krujës, në gjendje konstante luftërash dhe gjeomorfologjikisht malore (Pulaha 1968; Zamputi 1977; Schmitt 2001, Biçoku 2005; Duka 2009). Pra, shifrat e propozuara nga vitet ’50 deri në dekadën e dytë të shekullit aktual vazhdojnë të tejkalojnë popullsinë ekzistuese. Por nuk mbaron me kaq, pasi çështja komplikohet nga defterët e mëvonshëm.

Kështu, regjistrimi i sanxhakut të Shkodrës (1485) pasqyron një numër më të lartë familjesh se Arbëria Venedike (1416-17) dhe Mali i Zi (pa pjesën bregdetare), të cilët ishin inkuadruar në këtë sanxhak – sepse, ndër të tjera, ishte shtuar edhe rajoni i Pejës – e gjthashtu numri i familjeve rritet vazhdimisht: nga viti 1488 në vitin 1491 rritja është rreth 6%. Në regjistrimin e viteve 1452-53 Shkupi numëronte rreth 5.600 familje, Tetova rreth 5.044, ndërsa në regjistrimin e vitit 1469 numëronin përkatësisht 5.800 dhe pothuajse 6.900 familje. Në vitin 1488 sanxhaqet e Vuçiternës, Prizrenit, Shkodrës, Dukagjinit, Ohrit, Elbasanit, Vlorës dhe Janinës kishin mbi 170 mijë familje dhe për tre vite shtohen rreth 6 mijë të tjera, gjithmonë të krishtera, çka nënkupton një rritje natyrore vjetore, mesatarisht për të gjithë Ballkanin osman, nga 0.65% (shek. XV) në rreth 1% (shek. XVI), një fenomen paralel me ritmet evropiane (Veinstein 1999; Minkov 2004; Biçoku 2005; Benigno 2008). Kjo rritje konflikton me tezën e projektit shfarosës osman dhe me valët e migracionit biblik në fundshekullin e XV.

Sigurisht që përgjatë zonave konfliktuale ka mjaft fshatra dhe qytete demografikisht të reduktuar ose të braktisur, siç dëshmojnë diferencat mes regjistrimeve të 1416-17, 1431, 1467 dhe 1485, sepse çdo luftë ka koston e vet humane dhe nuk mund të bëjë përjashtim ky konflikt i zvarritur, por kjo nuk është domosdoshmërisht sinonim i vrasjes, emigracionit apo projektit hakmarrës. Ka vendbanime që reduktohen, ashtu siç ka të tjerë që zgjerohen me fillimet e sundimit osman dhe kjo, thuajse përherë,çuditërisht mënjanohet në favor të apokalipsit. Ja një krahasim mes dy regjistrave në zonën e Shkodrës (1416-17 dhe 1485): Kalldruni kalon nga 50 shtëpi të regjistrimit venedikas në 32 shtëpi në regjistrimin osman; Kopliku nga 80 në 70 shtëpi, Samrishi nga 50 në 5 shtëpi, Baleçi nga 25 në 4 shtëpi, Mesi nga 17 në 9 shtëpi; Grizha nga 39 në 72 shtëpi, Shati nga shpopullimi në 30 shtëpi, Rrjolli nga 8 në 32 shtëpi, Leporoshi nga 7 në 12 shtëpi, Egreshi nga 6 në 14 shtëpi, Dobrea nga 7 në 12 shtëpi, etj (Pulaha 1974; Zamputi 1977). Si mund të zhduket një popullsi dhe njëkohesisht të rritet vazhdimisht?

Thellimi i hendekut teorik

Rritja natyrore ishte mesatarisht rreth 1%, mjaft e ulët për të shumëfishuar, për shembull, popullsinë e kazave të Krujës dhe Peshkopisë nga 1467 në 1501. Duke përjashtuar ringjalljen dhe rikthimin e emigrantëve, ripopullimi është shpjeguar në dy mënyra. Së pari, autoktonia (vazhdimësia) shqiptare e popullsisë, e mbrojtur gjërësisht nga historianët shqiptar dhe e përshkruar hollësisht, në mënyrë të veçantë, nga dy studime të Selami Pulahës, të bazuara kryesisht tek analiza antroponimike. Përveç pamjaftueshmërisë së rritjes natyrore, kjo autoktoni mund të jetë rezultat i tkurrjes së përkohshme dhe të pjesshme në zonat malore, jashtë rrezikut të luftës, për një rikthim të menjëhershëm, pas stabilizimit politik. Meqenëse të njëjtët historian sinonimizojnë vendbanimet e braktisura me rezultatin e politikës vrasëse-hakmarrëse ose antishqiptare, do të ishte koherencë me vetveten një reflektim mbi pamundësine e bashkëkzistencës racionale të katastrofizmit demografik – kështu të përshkruar – dhe rritjes së shpejtë e të njëtrajtshme, e gjithashtu, vetëdijesimi se numrat e shpopullimit janë më lart se realiteti dhe potenciali demografik arbëror ose, përndryshe, duhet të pranojnë alternativën e dytë, kolonizimin.

Mënyra e dytë, kolonizimi, ka qënë mjaft e përdorur nga shkolla serbe në justifikimin e popullimit të Kosovës me shqiptarë. I ndodhur përballë vakumit demografik, të mbrojtur me këmbëngulje gjatë gjithë studimit, Plasari nuk i ka shpëtuar tundimit të kolonizimit, sepse, pas krijimit të idesë së shfarosjes, është e pashmangshme përballja me regjistrimin e një popullsie të pranishme dhe gjithnjë në rritje. Nga vjen kjo masë? Për Akademinë, siç pohova, as që mund të diskutohet për kolonizim, e kjo mbrohet nga mjaft historianë të huaj: Speros Vryonis, për shembull, ka kundërshtuar hipotezat e Ömer Barkanit në lidhje me kolonizimin e Ballkanit dhe defterët i japin plotësisht të drejtë, të paktën për territorin shqiptar (ASHSH 1959; Vryonis 1981; Malcolm 1998; Minkov 2004). Përqindja e lartë e popullsisë së krishterë në territoret shqiptare, varfëria humane e Anadollit për të zëvendësuar popullsi të tjera, që përkthehet si pamundësi e transplantimeve demografike, si dhe nevoja perandorake për territore të shfrytëzueshme dhe taksaprodhuese, përforcojnë akoma më tepër dobësinë e procesit kolonizues.

Faktikisht Plasari nuk shkon përtej dy shembujve jetimë të kolonizimit, Gecies dhe Elbasanit, madje për rastin e dytë i referohet Tursun Beut kur ai pohon se, pas ndërtimit të kështjellës, «u dyndën njerëz islamikë nga të gjitha anët», por i njëjti kronist, disa faqe më tutje, rrëfen se «njerëzit [jo islamikët] që jetonin nëpër malet e ashpra përreth Elbasanit [...] zbritën në rrafshinën e kështjellës»: në defterët e viteve 1520-35 sanxhaku i Elbasanit, edhe pse ka numrin më të lartë të muslimanëve, regjistron rreth 94,4% të krishterë. Ngadalësia e procesit të islamizimit në trojet shqiptare është gërryes i pashmangshëm i tezës kolonizuese. Nëse zhvillimet e këtij procesi anashkalohen, pyetje të tjera kërkojnë përgjigje: osmanët kanë importuar kolon të krishterë; po atëherë, osmanët e paskan favorizuar krishtërizimin; nëse po, nga i morën, si u shqiptarizuan në pak dekada? E mbi të gjitha, përse dokumentet – dhe antroponimia – nuk e konfirmojnë kolonizimin e përmasave zëvendësuese të popullsisë arbërore? Përkundrazi, defterët dëshmojnë të kundërtën, praninë e shqiptarëve edhe aty ku më përpara kemi pak e aspak gjurmë të dokumentuara, e këtë nuk po e komentojmë si meritë e sundimtarëve.

Janë regjistrat, pjesërisht edhe kronikat, që rrjedhimisht na adresojnë tek vazhdimësia demografike dhe imponojnë përjashtimin e skenave groteske: hipoteza e kolonizmit në shek. XV-XVI, ndonëse do të ishte funksionale – të kuptohemi, këtu përjashtohen administrata fillestare dhe garnizohet ushtarake –, nuk ka baza historike dhe as mundësi realizimi, fakt i cili na rikthehen tek vazhdimësia, por kjo nënkupton detyrimisht shmangien e hiperbolizimeve letrare me shifra dhe përshkrime nacional-romantike, që, me pretekstin e hakmarrjes së programuar, tjetër nuk bëjnë veçse fshijnë numërikisht gjurmët e paraardhësve. E thënë ndryshe: duke pranuar vazhdimësinë e regjistruar, zhvlerësohen njëkohësisht kolonizimi dhe shpopullimi homerik, ndërsa me “kiametin numërik”, përveç shembjes të urës lidhëse me mesjetën, vazhdojmë aktrimin nostalgjik sipas formulës «të vjedhësh armikun është akt patriotik», porse realisht është thjesht vjedhje e vetvetes.

Marrë nga faqja: http://www.e-zani.com/2012/03/12/bumerangu-i-shifrave-epike/

Integrim kundrejt vlerave tona

24/01/2013 Lini një koment

Besart PECI

INTEGRIM KUNDREJT VLERAVE TONA

Besart Peci

Besart Peci

Populli i njё vendi vdes jo si rezultat i luftrave tё humbura, por si rezultat i dobësisё pёr tё rezistuar. Ne shqiptarët historikisht nuk kemi fituar shumё luftra, por gjithmonё kemi rezistuar fuqishёm. Andaj, ishte vullneti i Zotit qё jemi këtu ku jemi sot! Europa historikisht me tokat tona bёri pazar duke bërë thirrje pёr lirinё e popullin tonë. Nё fakt, ajo bëri propagandë ku gjithmonё bёri pёrpjekje pёr t’i shkelur vlerat tona, pse jo edhe t’i tjetёrsojë masivisht.

Ne nuk patёm mundёsi tё vendosim krejtёsisht pёr tё ardhmen tonё si komb i vogël, ku vendimet ishin nё duar tё tё mёdhenjve por kemi rezistuar gjatё, duke ruajtur vlerat dhe moralin tonë. Edhe pse na ёshtё kanosur jeta, edhe pse ekzistimin e kemi pasur shumё herё nё rrezik, ne gjithmonë i kemi vёnё çmimin vetes dhe e ngritёm lart e më lart duke e bёrё Europёn (por edhe fuqitё e tjera të mёdha) tё mendohet gjatё para se tё na i bёjë pazar ҫёshtjet tona pёr interesa tё tyre.

Jemi nё njё kohё kur tё gjithё jemi tё pёrqёndruar rreth integrimit nё strukturat e familjes sё madhe europiane. Tё pakёt janё ata qё u bie ndёr mend tё llogarisin se ҫfarё do të ofrojnё ata vetё nё kёtё familje. Mjerisht, njё pakicё e vogёl e popullit tonё organizojnё evenimente djallёzore, ku ua ofrojnё bijat, motrat, e pse jo edhe gratë e tyre pёr kënaqёsi tё epshit, njёri-tjetrit, me gjasё duke imituar Europën, ku me kёtё pretendojnё të arrijnё qytetërim, dhe integrim. Po pra, civilizimin ku marrëdhёniet seksuale ndёrmjet individёve (nuk ka rëndësi gjinia) kryhen sikurse ato shtazarake, me njё dallim tё vogёl sepse shtazёt e zgjedhin gjininё e tyre. Ne në Kosovë, si populli me ditëlindjen me tё re nё Europё, nё vend që t’iu shfaqim vlerat tona tё mёdha popujve të tjerё tё familjes europiane, mundohemi tё tjetёrsohemi dhe tё shpalosim vlera të reja, ku para njё dekade as qё kemi dёgjuar pёr to. E dimё qё asnjë popull i vendeve tё Bashkimit Europian, kulturёn dhe traditën e vet nuk e tjetёrsoi nё integrim, e disa nga ne pёr fat tё keq ende pa hyrë, dёshirojnё ta tjetёrsojmё!

Tё kujtojmё deklaratёn e ish-presidentit gjerman Johanes Rau i cili thoshte se “integrimi nuk ёshtё ҫrrёnjosje kulturore apo asimilim i ftohtё”. Nxjerrja nё pah e identitetit tonё, e vlerave tona, arrihet atёherё kur tё mos imitojmё verbёrisht tё tjerёt, por tё jemi dinjitozё me vlerat tona kombёtare. Mos tё harrojmё gjakun e derdhur tё luftёtarёve pёr lirinë e kёtij vendi, mos t’ua kthejmё falënderimin duke u shkatёrruar moralisht, ata pёr kёtё nuk luftuan. Mendoj qё me kёto veprime jemi duke u izoluar nё njё zarf, ku adresa jonё nuk ёshtё e specifikuar.

/Orientalizmi Shqiptar/

Europa si aspiratë e arratisjes nga vetja

05/01/2013 Lini një koment

Ergys MËRTIRI

EUROPA SI ASPIRATË E ARRATISJES NGA VETJA

Ergys Mërtiri

Ergys Mërtiri

Europa është sot një aspiratë parësore për të gjitha vendet e ish-bllokut lindor, të cilat synojnë të përfshihen në komunitetin e vendeve që përbëjnë Bashkimin Europian. Por në fakt, ajo është një aspiratë gjithashtu e vetë vendeve që sot janë anëtare të këtij komuniteti, pasi ajo mbetet ende një entitet i padefinuar përfundimisht. Është shumë vështirë sot të përcaktojmë se çfarë quajmë Europë, aq sa filozofi dhe sociologu i mirënjour Edgar Morin, do të shihte si thelbin e këtij entiteti, pikërisht papërcaktueshmërinë e tij. Sipas tij, vështirësia për të gjetur një ind lidhës dhe të kudoshfaqur në këtë entitet, përbën veçantinë e e tij, dhe pikërisht ketu duhet kërkuar themeli i atij që mund ta quajmë «identitet europian». Për Morin, Europa është një mozaik kontradiktash dhe dialektikash, të cilat prodhojnë një realitet kompleks, të papërfundueshëm e që në të njëjtën kohë, i jep këtij nocioni thelbin e veçantisë, si të vetmen mundësi për ta dalluar e përcaktuar në mënyrë unike.

Europa si paradoks

Europa, si një themel identitar, mund të thuhet se fillon në mesjetë, në periudhën më të errët të saj, me kryqëzatat. Një armik i jashtëm, Islami, është mjeti i duhur për të prodhuar një identitet të brendshëm, të përbashkët, për një truall demografik të thërrmuar nga një mori mbretërishë, të konfiguruar nga baticat dhe zbaticat e konflikteve politike. Përveç rrezikut të jashtëm, është katolicizmim mburoja që plazmon të përbashkëtën e duhur për të prodhuar antagonizmin e nevojshëm. Por, menjëherë pas kësaj, Eurpa fillon të ngjizet në konflikt të pakompromis me pushtetin papnor dhe dogmat e kishës. Ajo çfarë përbën një ndër elementët e veçantisë së asaj që quajmë Europë, lidhet pikërisht me humanizmin, iluminizmin dhe mbi të gjitha, modernitetin, që u zhvillaun në antagonizëm me pushtetin klerikal, në një përpjekje për t’u çliruar politikisht, intelektualisht dhe shpirtërisht nga dogmat dhe pushteti fetar. Europa që ne njohim sot, është Europa laike, humaniste dhe individualiste.

Por edhe kjo nuk ka mjaftuar, romantizmi është një pol tjetër që i kundërvihet iluminizmit, ndërkohë që rryma të shumta kanë vijuar përgjatë të gjithë historisë të prodhojnë bipolaritetin e nevojshëm, mbi të cilin është zhvilluar dialektika Evropiane. Europa prodhoi ndërkohë republikën si kundërpërgjigje ndaj monarkisë dhe pushtetit papal, e më pas Perandorinë, diçka edhe më e kundërt me republikën. Përsëri ajo nuk u kënaq. Ajo u bë atdheu i nacionalizmit dhe të gjithë pamë thërmimin e perandorive të mëdha, si shembje e një epoke që tashmë i përkiste së kaluarës së errët. Ndërkohë, sot nacionalizmi akuzohet si gjeneratori më i madh i luftërave, tensioneve që prishin paqen dhe lumturinë e njerëzve dhe vetë ideja e Bashkimit Europian është një përpjekje, që në thelb, synon të kapërcejë kombin. Globalizmi, si kundërpeshë u bë ideali i ri, por që shumë shpejt po bëhet një diell që nuk ngroh askënd.

Sot, ende studiues të ndryshëm, debatojnë me forcë mbi të ardhmen e Europës, të tronditur edhe nga një krizë ekonomike që ka gjasa të marrë përshkallëzime të frikshme. Asgjë nuk dihet nëse e nesërmja do na gjejë në një sistem ekonomik që do të vazhdojë të ruajë Euro-n, apo në thërmimin e këtij sistemi, duke u kthyer tek monedhat e dikurshme kombëtare. Nëse Euro mbijeton, nuk dihet ende nëse kjo do të bëhet duke ruajtur këtë sistem politik dhe ekonomik, ku vendimmarrja financiare buron nga një sistem fragmentar buxhetesh nacionale të pavarura nga njëri-tjetri, apo do të krijohet ndonjë sistem bashkimi, në kurriz të autonomive nacionale. Të gjitha këto dëshmojnë vetëm për një gjë në mënyrë të qartë: pasigurinë.

Europa na ushqen

Të vetmit që e shohin Eurpën si një garanci për të ardhmen e tyre, janë vendet aspirante për në BE. Racionalisht, kjo është e pashpjegueshme, në kushtet ku ndodhet BE-ja, por duke parë mënyrën sesi funksionon politika dhe ideologjia në këto vende, gjithçka bëhet e kuptueshme.

Shqiptarët, ashtu si edhe një pjesë e mirë e popujve të lindjes, e shohin integrimin si mënyrën e vetme për të gjetur derman, nga një histori e gjatë, e lodhshme dhe dramatike gjatë periudhës së modernizimit. I vetmi shpjegim për këtë është fakti se kjo shoqëri vepron në mënyrë iracionale, dhe kjo ndoshta është edhe arsyeja kryesore përse ne nuk jemi dhe e kemi shumë të vështirë të bëhemi europianë.

Kjo mëyrë të menduari është karakteristikë për të varfërit. Duke mos parë asgjë konkrete në realitet, për ndryshimin e jetës së tyre, ata janë të prirur të jenë ëndërrimtarë duke besuar shumë kollaj tek mrekullitë. Pikërisht kjo tërheqje iracionale drejt mrekullisë, ndoshta ka qenë faktori kryesor që i motivoi turmat për tu ngritur kundër një regjimi që dukej i pacënueshëm, siç ishte sistemi komunist në Shqipëri. Ëndërra europiane, më saktë, ëndërra për mirëqenie e komoditet, si ajo që u fanepsej shqiptarëve nëpërmjet ekraneve televizive italiane, ishte ajo që ndezi zjarrin e revoltës, për t’i motivuar turmat në një valë të papërmbajtshme ndryshimesh. Rrëzimi i regjimit shihej nga shqiptarët asokohe, si grushti që do të shembte makthin duke na hedhur përtej, drejt tokës së premtuar, ku gjithçka do të rregullohej si me magji.

«Ne qeverisim, bota na ndihmon», – ka qenë një parrullë elektorale e asaj kohe. «Me ne fitojnë të gjithë», – një tjetër, pak më e vonë. Kurrë ndonjëherë nuk është mbushur më plot sheshi Skënderbej si në ditën e ardhjes së sekretarit amerikan Xhejms Bejker, tek i cili qendrorin varur shpresat e të gjithëve, për ndihma financiare që do të na i mbushnin hambarët plot. Zhgënjimi që pasoi me shifrën prej 6 milion dollarësh, që ai i dhuroi qeverisë shqiptare, ishte ndoshta po aq i madh sa euforia e pritjes, shifër që të gjithë e përkthyen në: nga dy dollarë për frymë. Në të njëjtën mënyrë mund të shpjegohen edhe ëndërrat e servirura nga politikanë të kohës për «çekun e bardhë» që prisnim nga amerikanët, të cilin do ta mbushnim vetë me sa shifra të na donte qefi. Gjithashtu po në të njëjtën mënyrë mund të shpjegohet edhe histeria e piramidave.

Shqiptarët kanë tashmë 100 vjet që presin një mrekulli të huaj, të na i zgjidhë përfundimisht hallet, problemet, por edhe dëshirat e orekset tona që nuk kanë të mbaruar e të ngopur. Kjo vjen, sepse shqiptarët nuk mendojnë, e për rrjedhojë nuk arrijnë të kuptojnë se në realitet nuk ekziston një shkop magjik që të bëjë çudira për ta. Kjo vjen sepse ne nuk duam ta pranojmë realitetin, që na dëshmon se asgjë nuk mund të arrihet pa mund e sakrifica. Ne mbyllim sytë dhe e përgënjeshtrojmë këtë realitet.

Europa mendon për ne

Në veprën e tij «Vëllezërit Karamazov», Dostojevski trajton me mjeshtëri prirjen e turmave për të mos menduar. Medimi do të thotë për ta përgjegjësi, të cilën shumica e njerëzve nuk e mban dot. Kjo i bën ata të kenë nevojë për një udhëheqje, të cilës do të mund ti besojnë përgjegjësinë e të menduarit. «Arratisje nga liria», – do ta quante Erik From këtë tipar të turmave, që në fakt, nuk është gjë tjetër, vetëm se asgjësim i vullnetshëm i vullnetit dhe lirisë. Dostojevski na thotë se për njeriun nuk ka gjë më të vështirë sesa të kërkojë e të gjejë personin të cilit, me kënaqësi, do ti falë lirinë e tij. Për këtë arsye ai thotë se njerëzit do ta mohojnë Krishtin, nëse ai rikthehet për t’u dhuruar lirinë. «Na robëroni, vetëm na ushqeni», do të ishte motoja e tyre.

Europa sot është objekti të cilit shqiptarët i falin me kënaqësi lirinë e tyre, ndonëse ajo paradoksalisht na kërkon të kultivojmë lirinë. Europa në mendjet tona ka zëvendësuar Partinë. Ajo është autoriteti që mendon për ne. Nga ky kuptim, Europa sot është një objekt ku ne shkarkojmë nevojën për të menduar, është mjeti për të mbajtur veten me shpresë se një ditë do të jemi edhe ne njerëz, si gjithë bota. Populli ka nevojë për një aspiratë, por puna, liria, drejtësia nuk ngrohin sa duhet ëndërrat tona. Mirëqenia po. Dhe Europa është aspiratë e mirëqenies që dëshirojmë të paktën prej 70 vjetësh.

Të gjithë në Shqipëri e pranojnë Europën si aspiratën më të madhe të shoqërisë shqiptare, por në realitet askush nuk reflekton me seriozitet mbi të si entitet dhe integrimin si proces. Askush nuk ofron ndonjë qasje serioze mbi paradokset që e shoqërojnë këtë proces, dhe mbi pikëpyetjet që shtron e ardhmja. Europa është një aksiomë e marrë pa vëretim, është një konvencion i pranuar pa diskutim.

Tëhuajsimi si shpëtim

Integrimi në Europë, të paktën kulturalisht, konceptohet prej shqiptarëve më shumë si përvetësim i kulturës globale, që është diçka krejt pa lidhje me realitetin europian. Në fakt, secili prej nesh ndërton brenda vetes europën e tij. Secili projekton mbi të, dëshirat, aspiratat apo lakmitë e veta dhe në fund duket se rrugët e shqiptarëve drejt integrimit janë po aq të shumta sa çka dhe shqiptarë.

Në fakt, vetë Europa nuk është një gjë e dhënë përfundimisht. Në aspektin kulturor ajo përmbledh një konstelacion kulturash, ku çdo popull ka individualitetin e vet. Mund të jesh europian si anglez, francez, gjerman, spanjoll, italian etj. Por si mund të jesh europian si shqiptar, kur shqiptarët po e zhbëjnë krejtësisht kulturën dhe trashëgiminë e tyre? Në qoftëse fëmijëve në Angli u ngjisin emra të tillë si Xhejms, Henri, Stjuard, në Gjermani Hans, Karl, Jurgen, në Itali, Paolo, Mateo, Marko, si mund të jesh shqiptar europian kur fëmijët tanë mbajnë emra të huaj Henri, Jurgen apo Marko?

Nuk mund të jesh europian pa qenë fillimisht shqiptar. E përgjithshmja përbëhet nga të përveçmet, dhe nuk ka rrugë tjetër për t’u identifikuar me të, përveç fragmentares. Shqiptarët duhet të mësojnë fillimisht të jenë shqiptarë, për të qenë më pas europianë. Duke mos ditur të jenë shqiptarë, ata po pretendojnë më kot të jenë një komb krejtësisht i përgjithshëm, pa asgjë të veçantë, një komb thejsht dhe vetëm europian, pa asgjë shqiptare, përveç dalldisë e katrahurës nëpërmjet të cilës duan ta implementojnë këtë artificialitet.

Gjatë këtyre 20 vjetëve, kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme tek shqiptarët. Pavarësia e Kosovës, është një shkundje që ka ndezur një zell nacionalizmi tek shumë njerëz, i cili ka munguar thuajse krejtësisht përgjatë 10 vjeçarit të parë të demokracisë. Megjithatë ky zell nacionalist mbetet iracional dhe vijon në linjë mitologjike e megalomane. Një pjesë e mirë shqiptarësh sot janë edhe nacionalistë dhe eurocentristë duke e identifikuar kulturën e tyre jashtë vetvetes. Për këtë arsye, është argëtuese të shohësh faqet nacionaliste në internet, apo në rrjetet sociale on line, të mbushura me emra anglisht Nacional Albania, Albanian Falg, Albania’n Albanians, Eagle Eye, Red Black Albania. Të qenit nacionalist sot në Shqipëri është paradoksalisht diçka trendy.

Paradoksi i integrimit

Në thelb, ajo çfarë duhet t’i shqetësojë sot shqiptarët që interesohen seriozisht për zhllimet kombëtare, ka të bëjë me atë çfarë mund të quajmë kulturë shqiptare. Si mund të ruhet, restaurohet, përshtatet ajo duke u përputhur me nevojat e kohës dhe se si mund ta shpëtojmë atë nga kërcënimi i kulturës globale. Shqiptarët vijojnë të akuzojnë njëri-tjetrin se po u shërbejnë armiqve të Shqipërisë, grekë, serbë, turq etj. ndërkohë që nuk kuptojnë se kërcënimi më i madh për kulturën kombëtare është kultura konsumiste që vjen nëpërmjet proceseve globalizuese. Thuajse askush nuk e ngre zërin për krizën ku ndodhet sot kultura shqiptare dhe për problemet e shumta shoqërore që pasojnë.

Elitat shqiptare nuk kanë thuajse asnjë përgjigje për shqetësime të tilla. Ata promovojnë një kauzë integrimi pa bosht, që as hahet e as pihet. Integrimi është sot vetëm një slogan që përdoret verbërisht si koordinatë legjitimimi për çdo lloj ideje, projekti apo iluzioni që gjithkush ka në kokë. Integrimi është sot një retorikë pa përmbajtje dhe pa esencë, që artikulohet si diçka për të gjithë kemi rënë dakort se duhet, por askush nuk e di se pse, si e qysh.

Elitat shqiptare shprehen shumë të sigurtë në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian, ndërkohë që vetë Europa nuk është kaq e sigurtë dhe entuziaste për vetveten. Vetëpërjashtimi i shqiptarëve nga diskutimi i dyshimeve mbi Europën dhe i problemeve të saj, tregon paaftësin për të qenë europianë. Elitat shqiptare nuk kanë prodhuar kurrfarë diskursi serioz mbi pritshmëritë e së ardhmes së Europës dhe vendin që do të duhet të zenë shqiptarët në të. Ato gjithashtu, nuk kanë ofruar kurrfarë debati mbi raportin midis lokales dhe të përgjithshmes në kulturën europiane.

Në këto kushte, integrimi shndërrohet në një pengesë për zhvillimin e racionalitetit. Integrimi është kushti që ne i vemë arsyes, përpara se të vihet në veprim, duke i imponuar rezultatin. Për këtë arsye, itegrimi është praktikisht kushtëzim dhe frenim i lirisë dhe si i tillë ai bëhet pengesa më e madhe, jo vetëm për zhvillimin e kombit, por edhe për vetë integrimin si një proces real i krijimit të lidhjeve të shqiptarëve me vendet europiane.

____________________

Revista Shenja, Dhjetor 2012

Zbulohet Deklarata e panjohur e Pavarësisë

31/12/2012 Lini një koment

Fatmira NIKOLLI

ZBULOHET DEKLARATA E PANJOHUR E PAVARËSISË

Deklarata e panjohur e Pavarësisë (osmanisht)TIRANË - Një zbulim epokal! Kështu e konsideron Prof.Dr.Eqerem Zenelaj dokumentin e gjetur në arkivin e Vjenës, që mban emrin “Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë”. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, sqaron se ajo është në gjuhën osmane, ka pak rreshta dhe në fund janë edhe firmat e delegatëve. Së bashku me të, në arkivat vjeneze Zenelaj ka siguruar edhe një kopje gazete të kohës, që lajmëron se Pavarësia e Shqipërisë u shpall në Durrës nga Ismail Qemali, si edhe një telegram që konsulli austriak dërgon nga Vlora në Vjenë, ku thotë: “Sot ishte te unë Ismail Kemal Bej Vlora, i cili më njoftoi për Deklaratën e Pavarësisë në Durrës dhe se ai me mbi 20 delegatë ka udhëtuar më datë 26 nëntor, natën nëpër Fier për në Vlorë”. Për Zenelajn, rëndësia e këtij zbulimi është shumë e madhe. Madje në telefonatën tonë të parë me të, ai e cilëson zbulim epokal. Ditë më parë, ai u paraqit në zyrën e Kryeministrit Sali Berisha për t’i dhuruar një kopje të Deklaratës. Qe nga ky takim që u nxit kërshëria jonë për të mësuar më shumë mbi këtë dokument të panjohur. Profesor Zenelaj iu përgjigj pozitivisht interesimit tonë për një intervistë dhe na vuri në dispozicion faksimilen e dokumentit të Deklaratës, që botohet sot. Prof. Eqrem Zenelaj hedh dritë mbi Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë, firmosur në Durrës më 26-27 nëntor 1912! Çfarë është kjo deklaratë, ku dhe nga kush u firmos, pse në Durrës, pse nuk është folur më parë për të, cili është teksti i saj dhe pse ka përfunduar në Vjenë? Zenelaj u përgjigjet pyetjeve tona.

Profesor, ju takuat kryeministrin Berisha dhe i dhuruat atij një deklaratë pavarësie. A mund të na shpjegoni se çfarë është kjo deklaratë dhe si ratë në gjurmët e saj?

Është “Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë”, shpallur në Durrës më 1912-ën. Rastësisht, në muajin gusht 2012, ndërsa isha duke hulumtuar në Arkivin e Bibliotekës Kombëtare Austriake në Arkivin “Albertina”, aty ku janë gazetat që ruhen në mikrofilma të arkivuara, papritmas pashë një gazetë me emrin “Wiener Bilder” domethënë “Portrete (Foto) Vjeneze”. Në të pashë disa shkrime të datës 8 dhjetor 1912, ditë e diel, për konfliktet në Ballkan dhe në po atë faqe tri foto: dy ushtarakë austriakë dhe në mes tyre fotoja e Ismail Bej Vlorës. Nën foto lexova diçka të pazakontë që më intrigoi dhe që shkruante: “Der albanische Führer Ismail Kemal Bey, der an der Spitze einer Versammlung von Notabeln in Durazzo die Unabhängigkeitsdeklaration proklamiert hat”. E përkthyer në shqip do të thotë: “Udhëheqësi shqiptar Ismail Kemal Bej, i cili në krye të një asambleje nga paria në Durrës e shpalli Pavarësinë e Shqipërisë”.

Por, Pavarësia është shpallur në Vlorë. Çfarë menduat?

T’ju them të vërtetën u befasova, se nuk e prisja që një dokument të tillë do e zbuloja pas 100 vitesh, edhe atë pothuaj pa e ditur e pa pasur ndonjë ide. E gjeta krejt rastësisht, ndërsa bëja kërkime mbi veprimtarinë diplomatike të Ismail Bej Vlorës për hir të 100-vjetorit.

Ku kërkuat për të gjetur dokumentin?

Më pas shkova në arkivin e Vjenës dhe mora tre austriakë, të cilët i pagova për të hulumtuar mbi 416 kartonë, ku secili përmbante mbi 500 dokumente etj. Mua më ra kartoni me numër 417, dhe nga mesi i dokumenteve gjeta njërin ku shkruhej: “Unabhängigkeitsdeklaration Albaniens” që e përkthyer në shqip do të thotë: “Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë”.
Veç këtij shkrimi gjermanisht, ishte një letër e shkruar në osmanishte dhe kishte pak rreshta. Në fakt unë kam filluar të mësoj edhe osmanishte, por dokumentin e skanova në CD dhe fillimisht e dërgova te dy studentë arabë. Më pas iu drejtova një profesori vjenez që njeh osmanishten. Edhe ai ma përktheu po ashtu sikurse arabët. Pas kësaj, kur erdha në Kosovë, iu drejtova Prof.Dr.Nehat Krasniqit që është osmanolog i shkëlqyer, përkthimi i të cilit ishte njësoj me dy përkthimet e para në Vjenë.

Si e përktheu profesor Krasniqi?

Prof.Krasniqi (osmanolog) pas një jave më solli tekstin e përkthyer, ku shkruan po ashtu sikurse në gjermanisht, se është Deklarata e Pavarësisë së bërë në Durrës, e datës 26/27 nëntor 1912. Unë kisha lexuar se Ismail Bej Vlora ka udhëtuar nga Durrësi për në Vlorë më datë 23 nëntor 1912, por në deklaratë del se ai është i nënshkruar 2 herë e pranë tij edhe djali i tij, Musa Qazimi. Gjeta edhe telegramin tjetër nga Vlora që i dërgohet Vjenës, ku Konsulli i Austro-Hungarisë në Vlorë, po ashtu thotë se “sot ishte te unë Ismail Kemal Bej Vlora, i cili më njoftoi për Deklaratën e Pavarësisë në Durrës dhe se ai me mbi 20 delegatë ka udhëtuar më datë 26 nëntor, natën, nëpër Fier për në Vlorë”. Pra, kjo është Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë e shpallur në Durrës. Po atë natë, sipas Konsullit të Austrisë, pas orës 12:00, dy pari shqiptare ia kanë dhënë menjëherë Konsullit për ta përcjellë për në Vjenë.

Ku ruhej ajo deri tani?

Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë në Durrës gjendet në Arkivin e Monarkisë së Austro-Hungarisë, që quhet së bashku me Arkivin e Shtetit: HHStA.Wien.P.A.Türkei, Liasse 45.Kartoni Nr.417/Fol 9/10.

A mund të na thoni se cila është përmbajtja e saj?

Unë nuk dua të them as më tepër as më pak pos përmbajtjes së vërtetë, që është mësuar nga përkthyesit osmanologë e në mënyrë të veçantë nga Prof. Dr. Nehat Krasniqi. Në osmanishte, përmbajtja e saj është kjo: (TRANSKRIPTIMI)
Avusturya ve Macaristan Devleti fahriyesinin Draç Konsulatuna
Ilân
Hiç bir devlete tâbi olmayarak simdi Istiklal edildi. Hukûki Serbiye-i müstekilemizi ayaklar altina alinmasi içün lütfen muhâfazamizi istidâ- ü istirhâm ediriz ol bâbde. Fi 13/14 tesrin-i sânî, sene 1328.
Draç ahâlisi vekili:
Draç müderrisi – Yusuf, ulemâdan – Hüsejn, ulemâdan – Ali, müderris – Yusuf, ulemâdan – (Muhamed bin Receb), muteberandan – Murteza, muteberandan – (?)
muteberandan – Ismail Kemal, muteberandan – Mahmud Sevki, muteberandan – (?), muteberandan – Mehmed, muteberandan – Musa Kazim, muteberandan – Ismail Kemal, muteberandan – Hüseyn Hakki, Katolik cemiyeti muhari – Filip Sereki, muteberandan – Abdulah, muteberandan – (?), muteberandan – Mehmed Akif, muteberandan – Hasan Bitik, muteberandan – Hüseyn Bala, muteberandan – Bahtiyar Dervi?
Ndërsa nga përkthimi në shqip lexojmë: “Konsullatës së Shtetit të ndershëm të Austro-Hungarisë në Durrës.
Shpallje
Duke mos iu nënshtruar asnjë shteti, tani u bë Pavarësia. Andaj në këtë cilësi ju lutemi me përgjërim që ta mbroni sovranitetin tonë që të mos nëpërkëmbet nga qeveria e Serbisë.
Më 26/27 nëntor të vitit 1912.
Përfaqësues të popullsisë së Durrësit (pasojnë nënshkrimet):
Myderrizi i Durrësit – Jusufi, nga ulema – Hysejn (Tartari), nga ulema – Aliu, myderriz – Jusufi, nga ulema (Muhamed Rexhepi), nga pushtetarët e çmuar – Myrteza (?), nga pushtetarët e çmuar – (?), nga pushtetarët e çmuar – Ismail Qemali, nga pushtetarët e çmuar – (Mahmud) Shefkiu, nga pushtetarët e çmuar – (?), nga pushtetarët e çmuar – Muhamedi, nga pushtetarët e çmuar – Musa Qazimi, nga pushtetarët e çmuar – Ismail Qemali, nga pushtetarët e çmuar – Hysejn Hakiu, Kryeplaku i komunitetit katolik – Filip Sereqi, nga pushtetarët e çmuar – Abdullahu, nga pushtetarët e çmuar – (?), nga pushtetarët e çmuar – Mehmed Akifi, nga pushtetarët e çmuar – Hasan (Bytyqi ose Bikiqi ?), nga pushtetarët e çmuar – Hysejn Balla, nga pushtetarët e çmuar – Bahtijar Dervishi.”

Cilët ishin delegatët që e kanë firmosur?

Deklarata është firmosur në Durrës dhe aty janë të nënshkruar 21 delegatë. I keni më sipër të gjithë emrat, disa janë të palexueshëm. Nëse i krahasojmë emrat e Lef Nosit në librin e tij që e kam në Vjenë, nuk përputhen me emrat nënshkrues të Deklaratës së gjetur. Lef Nosi nuk ka qenë në Durrës, me gjasë e ka shkruar sipas të dëgjuarit dhe mbi 20 vjet pas kësaj date e viti.

Kush e ka marrë nismën për ta firmosur atë dhe pse?

Për këtë nuk di asgjë. Unë jam hulumtues arkivor, jo analist e as politikan. Ja dokumenti, ja të dhënat! Jam shumë krenar që e kam zbuluar unë këtë pas 100 vjetësh, sikurse do isha krenar ta kishte zbuluar çdo shqiptar, – kjo nuk ka rëndësi, dhe po ashtu që është zbuluar në këtë vit jubilar, – dhe aq më tepër jam krenar që po ashtu babai i Pavarësisë, Ismail Bej Vlora, është aty dhe i njëjti është në Vlorë më 28. Pra rëndësi ka që është dokument arkivor, është i yni dhe që e kemi zbuluar ne shqiptarët, e jo të tjerët dhe sidomos që tani ne e kemi në duart tona.

Ku ndryshon ajo me Deklaratën e Pavarësisë së Vlorës?

Ndryshimi është se këtu quhet SHPALLJE. Unë nuk e kam parë asnjëherë Deklaratën e Pavarësisë së Vlorës. Nuk e di se a ka pasur apo nuk ka pasur, edhe nëse ka pasur, siç shkruhet aty ndryshon, sepse në atë që dimë ne thuhet se: Të gjithë delegatët, pasi dëgjuan fjalimin e Ismail Bej Vlorës… të gjithë venduan që Shqipëria të jetë e lirë dhe e mosvarme” kështu shkruan te libri Lef Nosi.
Pra pa paragjykime, aty nuk shkruhet SHPALLJE dhe aty nuk shkruhet që “shpallet” por “venduan”, d.m.th. “vendosën”. Tjetër dokument është edhe një telegram që ia dërgon Ismail Bej Vlora Fuqive të Europës. Ky telegram mban numrin Nr.7198.RefI e aty shkruhet se Asambleja Kombëtare e përbërë nga delegatët e të gjitha viseve shqiptare pa dallim feje etj. sot në Vlorë shpalli (nuk thuhet Pavarësinë por Qeverinë Provizore. Në vend të Pavarësisë janë 20 pika. Në fund të këtij telegrami shkruhet në gjermanisht si fusnotë: “Verstümmelt” që në shqip domethënë pjesë e gjymtuar, e shkëputur, e hequr nga autori i telegramit. Pse është kështu, unë nuk e di, e as që e paragjykoj. Ja si shkruhet decidivisht në Tel.Nr. 7198 të Ismail Bej Vlorës më datë 28 nëntor 1912:
“L’assamblée nationale composée des délégués de toutes les contrées albanaises sans distinction de religion réunis aujourdhui dans la ville de Valona vient de proclamer… Gouvernement proviso ire etj”. Pra, aty ku duhet të ishte ‘shpallje e Pavarësisë’ është vetëm ‘shpallje’, e pastaj janë 9 pika e pas tyre shkruan qeveria e përkohshme. Pra, mjaft interesante.

Si mund të bindet opinioni publik për vërtetësinë e saj?

Ky është dokument i saktë dhe kushdo që dëshiron ta shohë origjinalin, të shkojë në Arkivin e Vjenës në Ballhausplatz. Ai ndodhet në të njëjtën ndërtesë me qeverinë, vetëm se hyrja e Arkivit është në anën tjetër, afër Metros U3. E kërkon në këtë shifër: HHStA. Wien. P. A.Türkei, Liasse 45. Kartoni Nr. 417/Fol 9/10.
Pra, aty në këtë arkiv të shtetit mik, të atij shteti që e sponsorizoi Pavarësinë e 1912-ës, atij shteti që e mbështeti Ismail Bej Vlorën. Me Austrinë ne kemi lidhje tradicionale që nga Traktati i Karllovcit 1699, që në nenin 13, i jep të drejtën e kultprotektoratit Austrisë e më pas me Traktatin e Sistovës, Beogradit dhe deri më 1913-ën, apo edhe më 1918-ën, por edhe sot një shtet mik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në këtë arkiv është ruajtur që 100 vjet dhe aty do qëndrojë, ndërsa 100 metra afër tij kemi edhe armët e Gjergj Kastriotit siç është helmeta dhe shpata me këllëfin e tij. Për fat, falë angazhimit të Ambasadorit Dr.Villi Minaroli, kryeministrit, ministrit të Punëve të Jashtme dhe qeverisë së Austrisë, këto do jenë në Tiranë për 100-vjetorin dhe do i shohin njerëzit në origjinal dhe nga afër.

Përse ekzistenca e këtij dokumenti mësohet vetëm pas 100 vitesh?

Tani është zbuluar dhe shqiptarët nuk janë fajtorë për këtë. Ju e dini se hulumtimi në arkiv është shumë i vështirë, ka shumë barriera ka shumë mundim e sakrificë. Unë as nuk jam më i mençur e as më i dijshëm, por jam munduar të hulumtoj dhe për fat tani në gusht krejt rastësisht e zbulova pa e ditur fare që është aty, sepse unë jam shkolluar në Vjenë, Niza dhe Passau, në Vjenë jam prej 18 vitesh. Nuk e dija se ekzistonte, se po ta dija do e zbuloja që në fillim.

Si ka mbërritur ai në Austri? E dini ju historinë e udhëtimit të dokumentit nga Durrësi në Vjenë?

Në Austri është thënë, në një telegram të Konsullit të Vjenës në Durrës, ku shkruhet: “Mbrëmë pak pas mesnatës dy pari shqiptare më dërguan një dokument në dorë. Është Shpallja e suksesshme e Pavarësisë së Shqipërisë”. Pra, mu për këtë, Konsulli i Austrisë e dërgon në Vjenë dhe aty arkivohet. Nga ana tjetër ata ia kanë dhënë Austrisë sepse Austria ishte sponsorizuese e Pavarësisë dhe po me vaporin e Austrisë, Ismail Bej Vlora ka ardhur nga Treshta për në Durrës.

A është përfolur ekzistenca e saj më parë? Nuk e kemi hasur as në kohën e Zogut as në atë të komunizmit, madje në Shqipëri asnjë historian nuk ka informacion për të…

Të themi të vërtetën unë kam dëgjuar aty-këtu se data e Shpalljes së Pavarësisë është 28, 26 apo 27. Por në Vjenë gjeta librin e Lef Nosit, i cili quhet “Dokumente Historike për t’i shërbye çështjes kombëtare” (përafërsisht kështu). Aty Lef Nosi shkruan për Deklaratën e Durrësit, por janë krejt emra të tjerë nga ata që janë të nënshkruar në Deklaratën e Durrësit. Dua të them se ne kemi një histori shumë të begatshme, shumë të ndritur dhe disi të pazbuluar nga ne shqiptarët deri më sot. Kemi pasur pengesa nga regjimet, si në Jugosllavi, ku shqiptarët nuk guxonin të mësonin historinë e vërtetë të tyre. Madje, në kohën e Rankoviqit, po të kishe një abetare dënoheshe. Shqiptarët dënoheshin njësoj, si për një libër, si për armëmbajtje pa leje. E si mund të mësohej e vërteta jonë nën regjimin okupues jugosllav?!
Nga ana tjetër, në shtetin amë, Shqipërinë e shtrenjtë, diktatura komuniste ka vrarë shumë figura kombëtare e intelektualë të shkolluar ose të ardhur nga jashtë, d.m.th nuk ka pasur qasje në arkiva të huaja. Aty-këtu, kemi pasur edhe Eqerem Çabejn, Ekrem Bej Vlorën, Selami Pulahën, Aleks Budën, por ja që kanë qenë shumë të pakët edhe nuk iu është mundësuar.
Një mik nga Vjena më tha: Profesor Zenelaj, një popull që nuk e shkruan historinë e tij vetë, ia shkruajnë armiqtë. Pra, neve na e kanë shkruar historinë shpesh armiqtë dhe na e kanë mësuar mbrapsht. Ose kemi pasur të dhëna të retushuara, ose të falsifikuara ose të pavërteta.

Marrë nga faqja: http://www.balkanweb.com/intervista/2688/zbulohet-deklarata-e-panjohur-e-pavaresise-shpallur-ne-durres-me-1912-te-108747.html

Hajredin Cakrani: Shpallja e Pavarësisë – Kuvendi dhe mbrojtja e Janinës

29/11/2012 Lini një koment

Blerina GOCE

HAJREDIN CAKRANI: SHPALLJA E PAVARËSISË – KUVENDI DHE MBROJTJA E JANINËS

Firmosja e deklaratës së Pavarësisë dhe ngjarjet e kësaj periudhe, ku flitet veç të tjerash edhe për marrëdhëniet e vëllezërve Cakrani me Ismail Qemalin, janë padyshim ndër pjesët më të rëndësishme të ditarit të Hajredin Cakranit. Në vijim të prezantimit të kujtimeve të shkruara prej tij, po sjellim disa prej ngjarjeve të fokusuara në këtë hark kohor. Konkretisht, në këtë pjesë të shënimeve të mundësuara nga nipi i firmëtarit të pavarësisë Hajredin Cakranit, Kujtim Cakrani, disa prej të cilave të prezantuara në numrin parardhës e disa të tjera të prezantuara në këtë numër, flitet veç të tjerash për përgatitjen e Kuvendi të Pavarësisë, shpalljen e Pavarësisë, firmosjen nga Hajredin Beu, guvernën dhe Pleqësinë, rrugëtimin nëpër Myzeqe e mbërritjen në Vlorë, Kuvendin dhe kanunin në Mallakastër etj.

Një pjesë të batalionit e lashë që në Panaja e këtej, për nonjë paudhësi. Po shyqyr që n’a e bëri të mbarë i madhi Zot, e jam në ethe akoma, – ja bëri Bektash Beu dhe shkoi me vrap te sarajet e Sharrajve se i folnë e Hasan Agai i kishte mbëledhur e do t’u flit Ismail Beu (Qemali), pa unë u bëra për kafe. Te Sharrajt Ismail Beu, ishte ç’mallur e kish pyetur këta që ishën në komisjonë, si punë kryesije, se si e qysh kishën vajtur punët, si do që ish marrë vesh më të shmën e herëve me telegrafë. Duhej të shihnin mandatet e delegatëve e të cakëtonin nga të gjithë kazatë, do qè e mira, pa që mungojnë dihet, se vaporët e grekërve nga deti e Vjosa që kish dale, e kishën lënë Vlorënë, në një lak të math. Grekërit përposh, e sërbtë që erth gjer më Durrës, n’a i bënë më të nxirë, s’a më s’bëhej. Ndaj plaku, u ngut të ujdisnim mandatet, si do që udhës ishën plot të tjerë që i prit të vijën, të bënim bekllaratën sa më parë. U bënë hazër e më 27 allafrënga, miqtë tanë nga Vlora i hapnë dyert, që nga Hamza Agai (Isai) që muar Mehmet Pashën nga dera e Drrallave të Kosovësë, një ushtarak i zoti e i saktë, në urdhërat që jepte e që do t’a kisha chef (shef-frëngj) më prapa, me Imer Agane (Radhima) e Brahim Effendinë (Abdullahu) e të tërë. Më thanë se, si më i math do të firmosja unë dekllaratën, po unë thashë -se ti mbive në Vlorë e u trete e unë të firmos. Jo s’vete këjo punë, do t’i them Ismail Beut vetë, po im vëlla Bektashi, më qeshi si axhami. Mua më ngrinë nervat,- të firmosëm të dy pastaj, për të dy Mallakastrat -i them unë, se në të vërtetë, që ky që ra theror, nukë do. Abdi Bej Toptani kaloi aty ku ishëm dhe tha;- nukë u ç’mallët akoma ju cakranjotët, dhe atë çast Bektashi mbylli sytë dhe tundi kokën, shënjë këjo që s’e këthente mëndjen kurrë, e të bëhej kiameti. Më të nesërmen, kur s’kishte ç’prisnim më, vamë tek sarajet e Xhemil Beut dhe u mbëluadhë njerzit, si mizë lisi. Në odë ishëm ne, që n’a i kishën kërkuar t’ë firmosëm dekllaratën e mëvetësisë, e që i thoshëm pamvarësi. Si sot, të mbyllë sytë e më kujtonet, që nga deti vaporët e luftës së grekërve, pa kishën zbritur e në Himarë e haberet n’a thoshën, që në Durrës hyjnë sërbtë, në një kohë më të ligë që s’e bën dot, nè, ca njers të besës, vendosmë që të bënim Shqipëri, me mëndjen top që këjo ishte zgjidhja e vetëme, që n’a foli vatani, pa të dalë ku të dalë. Të gjithë n’a kishte rënë një çere, se si ai sahat i hairit s’munt të vij nonjëherë, e nashti që kish ardhur, nukë doja të largonej më. Të gjithëve, mua më dukej s’e po n’a shkonte nëpër mënt, i njëjti mejtim e mëpër shpyrt po ndjenim, të njëjtën gjë. Ismail Beu po n’a i thosh këto punë, fill e për pe dhe se bënej këjo punë, o sot, o n’a muar lumi pergjithënjë. Dëgjoja me veshë po dhe mejtoja tim im vëlla, që mbiu këtu u tret, po dhe sa e sa të tjerë për këtë ditë. Të gjithë miqtë t’onë vlonjatë, nuk donin të firmosnin, se nukë do firmos gjithë Vlora dè, na duhën gjithë kazatë ti e di, -më thosh të më qetësojë im vëlla. Zoti Luigj Gurakuqi e shkruajti dekllaratën dhe filluam t’a firëmosmë. Nuk harruam që ato rradhë t’i shkronim edhe më osmanisht, se të partë duhej t’a mirr vesh ish Stambollië që s’jemi më tok e i kishëm lënë shëndenë, si n’a i kish punuar më kohë të Lidhjes, me Abdyl Benë (Frashëri) që n’a shiti atë çast a na dha badjava më Shën Stefan. Edhe mua më erth’ radha e firmova nën Zini Aganë, të bir e Abas Nurit, që kish hapur sefte shoqërinë për gjuhë shqipe, ishën miqtë tanë nga Kanina e që e shkroi dhe e firmosi, as tri mësonjës s’e bëjnë, dot të rrij gjith’ dita e gjith’ nata. Si do që e shtroi të madhe e që s’kish harruar t’a bëjë emër e t’ë tet, me dy bëra (bb), si shkruhet nga e ka vëndë ai ëmër, arabisht, kisha meraknë me kaq firma të mëdha, nuk do dil karta. Pa Murat Beu, i hollë e që e ndjeu sahatnë si nè, a mos më, për të mbajtur vehten, e shtrëngoi aqë fort, sa u hap boja në kartë dhe e ngjjyeu penën përsëri. Habitesha herë herë, si të gjithë këta njersëz, që në më të shumën i njihja, që kur s’mbahej mënt e kishëm kuvënduar, pa dhe lëftuar kaq herë, n’a pru sahati tok përsëri. Ismail Benë po e po, por dhe zotin Luigj Gurakuqnë, e kishëm njohur e pritur më sarajet tona e të tim vëllai Bektashit më Cakran, Jorgji Karbunarën, që e thoshën Babë Duda në Berat, e njohja qëkur dhe e kisha marrë, kur hapmë shkollnë, Thanas Floqnë korçarnë e kishëm marrë nga Vlora dhe drejtonej shkollnë tënë,e me të punonim qindin, pa bënte vetë programet e shkolësë, hiq gjuhët e huaja, turqishten e gjuhën frënga që më pikoi, po lamë gjuhën tënë, pa e bëri Korçë fare me Mandolina nga çilimiqtë e gjer te të mëdhenjtë, pa lejen për shkollë se muarrmë nonjëherë, Murat Benë (Toptani), e doemos të vëllanë Amit Benë, që ish ushtarak se Toptanasit të gjithë kështu qenë, e që e njohja qëkur, Xhelal Bej Skraparnë po, do t’a njohja e të lëftoj me të më prapa, Qemal Bej Elbasanë, që cakëtoji Azis Pasha (Vrioni), e që u bënte udhë Ismail Beut (Qemali), me gjithë këta Dhimitrëtë (Dh. Berati, Zografi e Mborja), të kollonisë së Bukureshtit, që vijën nga udhët si pasqyrë, me maqina të dynjasë ,po që atë ditë i muarç nëpër baltërat e kënetës Karavastasë, të pataksur, Mit’hat Benë, të bir e Abdyl Beut të Frashërit ,që më i math atëdhetar nuk munt’ të gjëndet, e ne këtu që n’a pruri sahati jemi çiliminj para atij, e që e kisha parë më kongres të Manastirit më 908, pa dhe ata që ishën ç’kulur nga Gjakova e Kosova, e që më të ujdisur nukë bënej, me mandate e me të tëra, si do që u habinë një çikë, me atë rrëmullën t’onë, mor me priftë katolikë të Durrësit, Vebi Effendi Dibrën, pa sa të tjerë nukë erdhë dot, e që e kishën vëndë aty, e ishën aq atdhetarë të mëdhenj e që kishnë lëftuar për vatanë, qëkur. Edhe sot më dridhet mishtë, që ai sahat n’a foli nè dhe atë çast të treteshe për vatanë, s’të vinte keq për vete më. Ishëm shumë të gëzuarë, sa të rrënqethej mishtë, kur mileti i mbëledhur para shtëpisë së Xhemil Beut dhe gjithë ai kallaballëk i math nëpër oda, shkallë e avlli, si mizë lisi. Pa në ballkon të shtëpisë së Xhemil Beut, varnë një flamur, që se ku e gjeti Ismail Beu, po që ish dhe konaku ku kish lerë dhe përjashta u mbëluadh populli, nga të gjithë kazatë, shihje aty me qylafë, fshaçe, me guna, allafrënga. Të tërë britnin, rroftë, rroftë, për flamurë a për plakun, doemos, se tërvit (disa vjet përpara), kur erth’ më Vlorë, vlonjatë j’a hoqnë kuat e j’a ngrinë karrocën më krahë. Mileti ishën mizëri dhe bëhin muhabet të gëzuarë, kush e kush duhet të ish i parë, në të reat që vinin, se sa telegrame u dërguan. Të gëzuarë ishëm ato ditë, sa s’rrëfehet dot, po unë kesh hallnë se u fjalosa më pas me Mehmet Pashnë (Drralla), për të vajtur me të në Skrapar, se grekërit po bëhin kërdinë e mënxyra, nëpër fshatëra e kishte vajtur me kohë edhe zëvëndësi i tijë, Xhelal Skrapari. Isha futur në këtë lloi (mendim), e desh u përpuaq me Murat Benë dhe Abdi Benë, nga Toptanajt Në mes të atij mejtimi, që e quajtën të përkohëshme, thënë ç’koqur, s’po na njihnin guvernën,si ç’i thosh Ismail Beu, që nga ç’pallja e indipendencës, Murat Beu (Toptani),kishte ngè për qesëndi. Abdi Beu (Toptani),me të ish më ngè e I thashë se më e nderçme do qè, të këmbeheshe me Amit Benë (Toptanin), të vëllanë, se ti Murat, u mbyte me limodhetë (gravatë) dhe desh t’u thye pena në dekllaratë. Ti dhe Amit Beu i bije të hidhni firmën me bajonetë, se mos dini punë tjatër, po nga këto që më the, ikëm se u bëmë për kafe. Amit Benë (Toptanin) e njohë që ç’pejt dhe ushtarak më trim e fjalëlidhur, nukë bënej. Ai i priti në Durrës, Ismail Benë e Luigj Gurakuqnë, se me gjithë ushtërinë që kish e me ato që e shtrëngon mytesarifi, të qè ndonjë tjatër, as nami e as nishani nukë do j’u qè gjëndur atyre, që më Durrës, pa foli me gjithë tá në telegrafanë, me gjithë delegatë, që duhej të nisen për Vlorë se s’bën. Po tani halli i vatanit kërkonej që nga dyfeku, po dhe mejtimi e pena, pa duhej se s’bën dhe dhipllomacia.

Kuvendi dhe kanuni në Mallakastër. Të lihen mënjanë grindjet dhe mëritë. Të mbrojmë Janinën me ç’do kusht!

Nukë kishja shpresë, se munt të n’a njinin guvernën. Në të hyrë të 913, komiteti “Mbrojtja Kombëtare” në Berat , i dërgon telegram guvernës a qeverisë, që më Skraparë e tutje, grekërit po vrisin, digjin e shkretonin vëndë e fshatëra, ndaj qeverija duhet t’i dil përpara kësaj hataje, e të bjerë këtu Bektash Benë, me ndonjë tjatër, se Xhelal Skrapari ësht’ aty e po lëfton dhe o burra ne me treqint a katërqint shpyrt , e në Skrapar, më krah të Xhelal Skraparit. Nga muaji shkurt, do bënim një kuvënt të math, me parësinë e gjithë Mallakastrën, se vetë guverna a qeveria, po dhe vetë Ismail Beu, kishën vendosur që të bëhin të gjallë si ligjë më vëndë, Kanunë të Xhurisë që si e do zakonë kur zaptuesi kanos vëndë, të liren më një anë, mëritë e të zënurit, për një kullotë e një merá, t’i linim tabiatet (zakonet) e vjetra, që n’a prishën punë dhe këtë radhë, i vura përpara të dy chefs (shefat-frëngj) e mij, Vehbi Effendinë (Dibra) e pleqësisë dhe ministrin tim Mehmet Pashën e tok me Jan Mingën, mbi kuaj për në Cakran. Udhës Mehmet Pasha, më tha shyqyr Hajredin Bej, që do bëjmë një kuvënd të mbarë e të fjalosemë për paqë. E ke gabim Mehmet Pashë – i thashë -nga do që të dridhemi, udha jonë në lutë të nxjerr. Ujdisi festen dhe pelerinën, që i binte në vithe të kalit dhe më pa i mejtuar. Do ujdisëm zakonet me plaknë Vehbi Effendinë, pa po këto thonë që, kur zaptia, kush do qoftë, të ka zënë vatër e vëndë, liren më një anë, mëritë e sherret e tani, fillon puna jonë. Të mbëledhëm aq e kaq njerëz, për të vajtur e lëftuar më Janinë a ku ësht’ halli vatanit, e ku të jetë këjo punë, që mua më duket, se s’mbaron ndonjëherë. Ti më thua, që t’a nis Vehbi Effendiu (Dibra) dhe nè, më këtë kohë të lloisemi (mendohemi), se sa shpyrt do bëjmë për në Janinë -tha me të qeshur Mehmet Pasha. Po të qè kështu, Vehbi Effendiu nukë mbaron, për dy tri ditë fjalnë, -tha Jan Minga prapa nevej, aq shumë ka për të thënë. Thashë se do të prehemi një ditë të shkretën , e shtyti muhabenë e më trazon mua Mehmet Pasha. Me që jam më vëndë tim Mehmet Pashë, vetëm rri aty ti, se fjalos unë për ty, me gjithë që më kanë dëgjuar, kaqë herë. Mehmet Pasha që qesh rrallë, tha duke qeshur, se i bie që kot më muarrtë, vetëm të kini një të qeverisë me vete, për numër. -Në qarr je Pasha, -i thashë ,se do flaç me zëmër, pa u shtrënguar të vihësh në lloi (mendim), të japësh mëndje a urdhëra. Ishëm vërtet në lloi, se ishte bërë në jetë, në qeveri dhe unë ndaj i mora, që të dëgjonin paria e të tjerë, që do mbëlidheshin, se duheshin bërë ca gjëra ndryshe, e jo si gjer më sot. U ulëm dhe më t’iu futur deftereve, me kalem në dorë, këtë t’a thotë Vehbi Effendiu, po dale mor të uruar, – ja bënte ai, -mirë ti zoti Jani, ke kaq vite mësonjës dhe varda shkro në defter. Unë u gëzuaç, që e kishën marrë me të ngulur këmbë dhe si do që e dij dhe s’ma thotë dot njeri dhe sot, se ç’rëndësi ka Mallakastra, bëhesha mal, që e begenisnin këta njerëz të ç’quar dhë e dëftonin kazanë më të besës, sa s’ka. Vehbi Effendiu (Dibra), u foli atyre që u mbëlodhë, nja pesëdhjetë e ca shpyrt ,me Cakran, fshatërat vërdallë dhe nga e gjithë kazaja dhe mbemë në llafnë që ç’do sherr, hasmëri a mëri të lirej se s’bën, më një anë, nja tri vjete, po e po. Pastaj u tha për të mbëledhur, njerëz, për mbrojtjen e Janinës e poshtë më jugë, fshatërave, që i mirr i çkretojnë, i shkrumbojnë grekërit , vrasën e djegën, si në vënt pa zot. Mehmet Pasha i fjalosi burrat, me një çere të vrarë, si më një hall të math dhe aty, po dhe më përpara, ky njeri, që ish kaq i zoti për punët e luftës, j’a që paskej patur dhe shpyrt të math dhe e doj vatanë, mbase më shumë se ne, po të bëjmë hesap, se më vënt të tij, digjej e ç’kretohej ç’do gjë, si këto që po flit, nga sërbtë, në mos më keq.

Marrë nga faqja: http://www.gazetametropol.com/hajredin-cakrani-shpallja-e-pavaresise-kuvendi-dhe-mbrojtja-e-janines/

100 vjet pavarësi dhe robëri

28/11/2012 Lini një koment

Faik MIFTARI

100 VJET PAVARËSI DHE ROBËRI

Faik Miftari

Jemi në prag të datës 28 nëntor, ditë e shënuar në të cilin u bë shpallja e pavarësisë së shtetit shqiptar, si dhe ditë në të cilin Ismajl Qemal  bej Vlora ngriti flamurin kombëtar kuq e zi. Për dallim prej viteve tjera, shënimi i kësaj ngjarjeje historike me rëndësi të madhe për popullin shqiptar në përgjithësi, e për  Shqipërinë, në veçanti, dallon , pasi që sivjet është viti jubilar i saj, saktësisht 100 vjet apo një shekull i plotë nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë. Shqiptarët brenda shtetit shqiptar, në Shqipërinë londineze vite me rradhë e kanë festuar shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa shqiptarët tjerë mbetur jashtë Shqipërisë londineze, si dhe anekënd botës në diasporë, vite me radhë e kanë festuar dhe shënuar si Dita e Flamurit.

Por kjo datë e rëndësishme në njërën anë ishte ditë e pavarësisë, por në anën tjetër ishte edhe  ditë e robërisë, pasi që vetëm një e treta e trojeve shqiptare dhe më pak se gjysma e popullit shqiptar pas largimit të Perandorisë Osmane në vitin 1912 nga Ballkani, përjetoi pavarësinë, ndërsa 2/3 e trojeve shqiptare dhe më shumë se gjysma e popullit shqiptar, së bashku me  popujt tjerë me të cilët jetuan  në harmoni të plotë gjatë Perandorisë Osmane, sikurse turqit, boshnjakët, romët e të tjerë,  u pushtuan dhe u robëruan nga fqinjët agresorë, serb, malazez, grekë e bullgar, kështu pra, ky përvjetor i shënimit të 100 vjetorit të  pavarësisë së Shqipërisë, është  edhe shënimi i 100 vjetorit të robërisë të shumicës së popullit shqiptar, që përjetuan një terror dhe tmerr të paparë, dhe se lirisht mund të thuhet se viti 1912 është viti më tragjik  në tërë historinë e popullit shqiptar të mbetur jashtë Shqipërisë londineze.

Dua t’i përkujtoj disa nga ngjarjet të rëndësishme që i kanë paraprirë kësaj date  historike. Do t’i cek dy vite paraprake para vitit 1912, vitin 1908 dhe 1909, vite në të cilin u bënë kthesa radikale në dëm të shqiptarëve, pas së cilës pason e tërë katrahura që do të përjeton populli shqiptar më tej, si produkt i drejtpërdrejt i kësaj kthese radikale në dëm të shqiptarëve.
Pas revolucionit borgjez francez në vitin 1789 në Francë, filloi epoka e krijimit të shteteve në baza kombëtare, proces i cili filloi nga Franca e gradualisht u përhap anekënd Evropës. Ishte e paevitueshme se këtë fakt do të përjetojnë edhe dy Perandori “par exellence” në atë kohë në Evropë, Perandoria Osmane si dhe Perandoria Austrohungareze, të cilat ishin një model i veçantë i bashkëjetesës në harmoni të plotë të popujve të ndryshëm me kultura të ndryshëm që vite me rrallë bashkëjetonin, model të cilën  tani Bashkësia Evropiane po përpiqet të krijojë dhe të arrijë me plot vështirësi.
Viti 1908, ishte viti kur u bë revolucioni xhonturk, me ç’rast turqit të rinj, e morën pushtetin në duart e veta, dhe se pas kësaj Perandoria Osmane e ndërroi kahun e qeverisjes,e cila gjer atëherë ishte e sajuar në sajë të pushtetit qendror të osmanllinjëve me sulltanin në krye tek i cili ishte i përqëndruar i tërë pushteti në duart e tij, dhe pas saj pasoi edhe viti 1909 kur xhon turqit e rrëzuan nga froni sulltan Abdylhamidin e dytë, dhe në vend të tij emëruan në fron sulltan Mehmet Reshatin, pas së cilit e morën në duar tërë pushtetin, dhe se sulltani ishte vetëm një figurë simbolike për të mbajtur unitetin shpirtëror të myslimanëve të Perandorisë Osmane. Xhonturqit sajuan politikën shtet komb ndërtues, saktësisht kombin turk si bërthamë e Perandorisë Osmane, përkundër atij shtetas  osman i cili i përfshinte të gjitha kombet, popujt dhe grupet etnike të shumta që e përbënin Perandorinë Osmane. Kjo vetëm e shpejtoi edhe me të madhe shthurjen e Perandorisë Osmane e cila filloi që nga viti 1878 pas disfatës së ushtrisë së Perandorisë Osmane nga Rusia në fushëbetejën e Plevnës, si shkak i së cilës pasuan vendimet e Kongresit të Berlinit në dëm të Perandorisë Osmane.
Edhe pse shqiptarët e ndihmuan me të madhe revolucionin xhonturk, këta të fundit në vend se të jen mirënjohës, filluan me represalje dhe tortura ndaj tyre, në kërkesat e tyre reale për përmirësimin e kushteve jetësore, politike, ekonomike dhe për bashkimin e katër vilajeteve në një të vetmin vilajet autonom shqiptar në kuadër të Perandorisë Osmane. Shpresa e fundit e shqiptarëve përfundoi në vitin 1909, pas zbritjes nga froni të sulltan Abdylhamidit të dytë, mikut të madh të shqiptarëve, të cilit me pietet më të madh i ka shërbyer edhe Isa Boletini, dhe se në gardën mbretërore që e ka pas, shumica kanë qenë e përbërë prej shqiptarëve, në të cilët kishte besim të jashtëzakonshëm. Pas kësaj pas plot gati 500 vjet gjatë së cilës shqiptarët kanë jetuar në harmoni të plotë dhe kanë dhënë kontribut të çmuar në të gjitha fushat, sikurse politike, ushtarake, ekonomike, kulturore e tjera, e tëra u rrëzua si kullat prej letre, pas së cilëve pasuan kryengritjet e një pas njëshme prej vitit 1909 e gjer në vitin 1912. Për dashurinë dhe besnikërinë që e kanë pas ndaj sulltanit si udhëheqës politik dhe fetar të mbarë myslimanëve të Perandorisë, flet edhe fakti se gjatë vizitës së sulltan Mehmet Reshatit Vilajetit të Kosovës në vitin 1911, në Mazgit të Fushë Kosovës iu organizua një pritje madhështore në të cilin morën pjesë rreth 200.000 shqiptarë të ardhur anekënd nga Vilajeti i Kosovës.
Ngjarja me rëndësi historike e cila i parapriu shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë ishte kryengritja shqiptare e organizuar dhe udhëhequr nga Hasan Prishtina në verë të vitit 1912, saktësisht në gusht të vitit 1912. Shkaqet e kryengritjes shqiptare të vitit 1912 ishin me sa vijon: “a) shovinizmi i xhon turqve, b) mos pajtimi i traditave dhe zakoneve të Shqipërisë, sidomos të Gegërisë me konditat e lirisë turke, c)intrigat panislamike të administratorit, d) të përzierjes së ushtrisë në politikë, e) mizoritë turke të kryera gjatë vitit 1910, f) zhvillimi i ndërgjegjes kombëtare në Shqipëri, g) sistemi mizor i paligjshëm që ndoqi qeveria e turqve të rinj gjatë zgjedhjeve të vitit 1912” - (sipas librit të kujtimeve të Hasan Prishtinës). Para se të filloj kryengritja shqiptare Hasan Prishtina së bashku me Ismail Qemaj Bej Vlorën, Esat pashë Toptanin, Myfit bej Libohovën, Aziz pashë Libohovën dhe Syreja bej Vlorën mbajtën një takim në shtëpinë e Syreja beut në Taksim të Stambollit i cili njihet edhe si Kuvendi i Taksimit në historinë shqiptare. Edhe pse vendimi u mur në atë mbledhje për një kryengritje të përgjithshme shqiptare, mbi të cilin edhe dhanë betimin të gjithë pjesëmarrësit e lartcekur, sipas së cilës Hasan Prishtina mori për obligim kryengritjen në Kosovë, Esat pashë Toptani në Shqipërinë e mesme, Aziz pasha, Myfit beu dhe Syreja beu në Shqipërinë jugore apo Toskëri, ndërsa Ismail Qemajl bejVlora mori përsipër të sigurojë armë dhe të holla dhe të kërkojë mbështetje politike në Evropë. Por të gjithë të pranishmit që ishin në Kuvendin e Taksimit nuk e mbajtën fjalën, edhe përkundër betimit të dhënë, Hasan Prishtinën  e lënë të vetmuar. Me këtë po mund të ndërlidh një thënie të një shoku tim nga Shqipëria e Jugut i cili shpesh më thotë: “Ju shqiptar kosovar, gjegjësisht gegë, jeni trima guximtar, por politikisht shkurtpamës, por neve toskë nuk jena trima e guximtar sikurse juve, por jemi më dinak e politikisht më largpamës”. Kur  e analizoj tani këtë thënje nga ky këndvështrim mund të them se e ka pas me vend, pasi që me të vërtet kjo në rastin e Kuvendit të Taksimit u vërtetua. Ismajl Qemajl bej Vlora me siguri e ka nuhatur në atë kohë dhe kanë qenë politikisht më largpamës, se çasti për kryengritje nuk ishte, pasi nuk e ka pas përkrahjen e faktorit  ndërkombëtar, gjë që e vërteton edhe Hasan Prishtina në kujtimet e t’ia. Ashtu që kryengritja shqiptare u krye vetëm në Vilajetin e Kosovës, e cila nisi me 5 maj 1912 dhe përfundoi me 12 gusht 1912 me pranimin e 14 pikave të Hasan Prishtinës të negociuar me Ibrahim Pashën si përfaqësues i qeverisë së atëhershme xhonturke të Qamil Pashës. Edhe pse kjo kryengritje ishte parciale  solli edhe rezultate parciale, duke marrë parasysh se mbeti vetëm Hasan Prishtina dhe kishte të bëjë punë me Isa Boletinin dhe Riza bej Kryeziun, të cilët mendjen e kishin si të lirojnë nga internimi në Selanik të sulltan Abdylhamidit të dytë, e nuk çanin fare në kokë për ndonjë ide tjetër e lere më për autonomi apo pavarësi të Shqipërisë (sipas kujtimeve të Hasan Prishtinës).
Nuk kaloi shumë kohë, në 8 tetor 1912 shpërtheu Lufta e Parë Ballkanike me ç’rast aleanca e përbërë prej Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë i shpallën luftë Perandorisë Osmane. Shkaqet e humbjes së Perandorisë Osmane nuk ishte se nuk kanë mund të përballen me këta 4 shtete sllavogreke, por ishte puna e përzierjes së ushtrisë në qeverinë xhonturke, të cilin e cek edhe Hasan Prishtina, dhe si rezultat i saj ishte se pas betejës së Kumanovës, ushtria osmane u tërhoq nga të gjitha pjesët e Rumelisë (Ballkanit) pa luftë, me një urdhër të prerë nga qeveria xhonturke, të cilin më së miri e pasqyron edhe sulltan Abdylhamidi i dytë në Kujtimet e tij me rastin e largimit të tij nga internimi që ishte në Selanik për në Stamboll: ”Luftë me katër shtete të Ballkanit, si është e mundur të bashkohen bullgarët dhe grekët, Selaniku t’i dorëzohet armiku pa luftë, si është e mundur, unë nuk lëviz dot nga këtu, më jepni një pushkë të mbrojë Selanikun deri në fund të jetës sime, Selaniku është çelësi i Stambollit, ku mbeti ushtria jonë e dytë dhe e tretë”. Se këtu shihet qartë se ka qenë një tërheqje politike, e jo ushtarake, nga qeveria xhon turke për të braktisur Rumelinë (Ballkanin) e jo fryt i humbjes ushtarake flet e dhëna se vetëm komandanti i garnizonit të Shkodrës Hasan Riza Pasha me shqiptarët myslimanët të Shkodrës plot 6 muaj i rezistuan  rrethimit serbomalazez, e lere më që as për një muaj të plotë dhe atë vetëm pas  një beteje të  Kumanovës, e tërë Rumelia (Ballkani) të bie në dorë të armiqve sllavo grek, dhe pa shkrep asnjë plumb të vetëm të okupojnë Prishtinën e Prizrenin, Tiranën e Durrësin, Shkupin e Manastirin, Janinën e Selanikun. Po si u bë që shqiptarët të mos organizohen dhe  të bëjnë një rezistencë të fortë agresorëve pushtues sllavogrek, meqë më parë trumbetohej në historinë tonë të ideologjizuar tej mas se gjatë kryengritjes shqiptare të vitit 1912 shqiptarët e kanë çliruar Prishtinën dhe Shkupin, e që fare nuk është e vërtetë, por në Prishtinë dhe Shkup kanë hyrë duke negociuar dhe duke mos shkrepur asnjë plumb (sipas kujtimeve të Hasan Prishtinës), që ka të bëjë me kërkesat për përmirësimin e të drejtave shqiptare e që ishin kërkesat apo 14 pikat e Hasan Prishtinës dhe fare as që është përmendur diç për autonomi apo pavarësinë e Shqipërisë apo ndarje nga  Perandorisë Osmane, por ishin kërkesat e parashtruara  qeverisë së xhonturqve. Si u bë, që Hasan Prishtina arriti të hyjë në Prishtinë me 30.000 kryengritës e të vazhdojë për në Shkup me vetëm 6000 kryengritës dhe gjatë Luftës së Parë Ballkanike të mos arrijë të organizojë bile as 1000 kryengritës  për mbrojtjen e Kosovës kundër pushtuesve sllavo grek, përveç aty këtu ndonjë rezistence sporadike vetëmbrojtëse. “Si u bë që pas çlirimit të Prishtinës dhe Shkupit”, pas shpërthimit të frontit në betejën e Kumanovës, të gjitha trevat shqiptare që për një javë të bien në duart e fqinjëve pushtues sllavo grek. Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me 28 nëntor të vitit  1912 vetëm Vlora me rrethinë ka qenë e lirë, ndërsa të gjitha trevat tjera shqiptare bien një nga një pothuajse pa luftë dhe plumb të shkrepur, përveç Shkodrës. Këto janë vetëm disa nga momente nga historia, që  historianët duhet të hulumtojnë të kaluarën me qasje shkencore dhe jo ideologjike si gjer më tani.
Në përfundim të kësaj analize në përvjetorin e njëqindtë të shtetit shqiptar, ka dashtë i madhi Zot që në këto çaste më tragjike për popullin shqiptar të jetë Austrohungaria ajo që u orvat me mish e shpirt për krijimin e një shteti shqiptar, Shqipërisë, edhe pse e cunguar, e përgjysmuar, e zvogëluar tej mase, ia arriti qëllimin dhe krijoi  Shqipërinë, duke marr parasysh  interesat strategjike të saja, që të mos lejojë kurrsesi depërtimin sllavogrek (alias rus),  në detin Adriatik, e që për popullin shqiptar dhe Shqipërinë ishte fatlum pasi që korrespondoi me interesat e saj nacionale, edhe pse parciale të arritjes së krijimit të shtetit shqiptar në Ballkan.
Po të mos ishte Austrohungaria në atë kohë, sot neve shqiptarët do të ishim pa shtet  dhe të ndara e të shkapërderdhura nëpër shtetet sllavogreke të Ballkanit.
Zoti e di më së miri!
26.11.2012

E vërteta për Luftën e Parë Ballkanike

18/11/2012 Lini një koment

Ukshin ZAJMI

E VËRTETA PËR LUFTËN E PARË BALLKANIKE

Historia serbe, ajo në përgjithësi, madje edhe ajo shqiptare, Luftën e Parë Ballkanike e njeh si luftë të aleancës ballkanike kundër Perandorisë Otomane. A është vertetë kështu!? Në këtë pyetje duhet të përgjigjen historianët e posaçërisht institucionet që merren me histori dhe sektorët e historisë të Akademive të Shkencave.

Kundër përkufizimit të këtillë të kësaj lufte mund të gjendet literaturë autentike shqiptare, otomane e posaçërisht serbe me bollëk, madje edhe në qarqet arkivore bullgare, malaziase,  greke e gjetiu. Pse heshtët në këtë sferë nuk dihet, por historianët dhe punonjësit e sektorëve përkatës të instituteve e të Akademive, sikur veprojnë në stilin “më mirë të heshtet se sa të punohet drejt e të konfrontohet me historianët serb apo ballkanas”!?

Historia shqiptare njef përpjekjet e mëdha shqiptare për të vetëdijësuar popullatën vendore por edhe qarqet ndërkombëtare për shpalljen e pavarësisë së trojeve shqiptare nga Perandoria Otomane. Kjo është bërë përmes kongreseve e tubimeve të shumta, përmes letrave e memorandumeve të ndryshme në adresë të fuqive të mëdha, përmes kërkesave, ultimatumeve e besa edhe të luftërave të shumta kundër kësaj Perandorie.

E gjithë kjo është bërë falë zgjuarsisë dhe strategjisë së rilindasve shqiptarë, të cilët, jo vetëm që inicuan e cyten këto veprime, por ishin edhe në ballë të këtyre bëmave duke vepruar drejtëpërdrejtë, por edhe duke parashikuar rreziqet që mund të vijnë nga apetitet territoriale të popujve fqinj. Të përkujtojmë me këtë rast Lidhjen Shqiptare të Prizrenit karshi Kongresit të Berlinit dhe të gjitha bëmave në Gadishullin Ilirik deri në vitin 1912, kur filloi Lufta e Parë Ballkanike (Ilirike).

Për të arsyetuar këtë qëndrim, se lufta e aleatëve serb, malasiaz, bullgar e grekë nuk ishte luftë kundër Perandorisë Otomane por Luftë për të okupuar trojet shqiptare, po e përmendi shkrimin e Jovan Cvijiqit “Lufta ballkanike dhe Serbia” (Review of  Reviews, Nëntor 1912)në të cilin, ai përmend rajonin gjeografik për të cilin është e interesuar Serbia: “Serbia e vjetër” në të cilin gravitojnë Sanxhaku i Novipazarit,  Fusha e Kosovës, Dukagjini dhe disa krahina në jug të bjeshkëve të Sharrit me kufirin e marrur vesh me Bullgarinë në vijen: Ohër-Veles-Kriva Pallankë, qytete këto që do t’i takojnë Bullgarisë.

Ndërsa sa i përket “Stara Serbisë” thuhet se ajo” del me një rrip të ngushtë në Detin Adriatik rreth Shkodrës, Lezhës madje sigurisht edhe Durrësit”. Këtë përkufizim territorial ai e përshkruan në bazë të “hulumtimeve përsonale shkencore” gjatë viteve 1900-1912, duke e cilësuar si “ vend me anarki dhe presion më të madh, jo vetëm në Gadishullin ballkanik, por si i  vetmi madje edhe në botë”.

Për t’i ndihmuar kësaj ideje Vlladan Gjorgjeviqit i duhet një libër i tërë për të treguar se “Shqiptarët nuk kanë aftësi për të zhvilluar jetë shtetërore” (Gjorgjeviq 1913:181) andaj edhe qeveria serbe qëndron në konstatimin se “Shqiptarët nuk janë popull, por fise të ndara dhe të hasmuara në mes vete: pa gjuhë, shkrim e fe të përbashkët”.

E gjithë kjo u bë për të propoganduar popullsinë vetanake dhe ate ndërkombëtare, dhe pikërisht këtu lindi edhe termi “Serbi e vjetër” sepse këtu, në Kosovë, u zhvillua Beteja e Kosovës në vitin 1389. Andaj përgatitjet për të realizuar aspiratat e tyre okupuese filluan në kohen kur shqiptarët patën bërë punën e vet për çlirim nga Perandoria Otomane. Qeveria serbe prej vitit 1904 në mënyrë të organizuar dërgoi njësi të çetnikëve në Kosovë (Damjan Pavlica: Lidhje).

Aleatët të cytur nga Rusia, filluan bisedime sekrete gjatë vitit 1911 deri në shtator të vitit 1912. Mali i Zi, në shtator të vitit 1912 lidhi marrëveshje gojore me Bullgarinë, ndërsa me Serbinë me 6 tetor  1912 lidhi konventë ushtarake me Serbinë në Lucern të Zvicrës (Lidhje). Marrëveshjen në mes të Bullgarisë e Serbisë e përgatitën Rizov dhe Teodorov (Bullgari) dhe Millovanoviq (kryetar i qeverisë serbe), ndërsa marrëveshja u arrit në një udhëtim tri orësh me tren mes të Goshevit e Millovanoviqit, nga Beogradi për në Nish me 13 mars 1912.

Popullsia e disa qyteteve të Kosovës në atë kohë (viti 1912) sipas gjermanit Gustav Vajgand ishte: Prishtina-67% shqiptarë, 30% serb, Prizreni- 63% shqiptarë 36% serb, Vushtria- 90% shqiptarë 10% serb, Ferizaji -70% shqiptarë 30 % serb, Gjilani -75% shqiptarë 23% serb, kurse Dukagjini me Gjakoven janë definuar me banorë ekskluzivisht shqiptarë (Lidhje). Sipas një dokumenti të Ministrisë së punëve të jashtme të Italisë, Shkupi në vitin 1912 kishte 50.000 banorë prej të cilëve 40 mijë ishin shqiptarë, 4 mijë bullgar dhe vetëm 150 serbë, shkruan historiani Skënder Hasani.

Populli shqiptar u organizua, luftoi me kërkesa e armë dhe siç dihet hynë në Shkup, kryeqytetin e Vilajeit të Kosovës, me 12 gusht 1912 pasi ai ishte çliruar nga çetat e Ali Efendi Topallit.

Nga Shkupi i dërguan edhe një ultimatum Perandorisë Otomane, dhe sipas disa të dhënave krerët shqiptar u shpërndanë, me të vetmin gabim, që aty nuk e shpallën pavarësinë. Disa u kthyen nëpër vendet e veta, e sipas disa të dhënave, disa të tjerë shkuan duke luftuar edhe në drejtim të Selanikut.

Se në gusht të këtij viti shqiptarët çliruan edhe Shkupin shkruajnë edhe historianët tjerë. Për këtë shih, Peter Batrl: Albanien (Vom Mitteralter bis zur Gegenwart),Verlag Friedrich Pustet, Regensburg, 1995 dhe i përkthyer edhe në gjuhen serbe: Peter Bartl: Albanci (od srednjeg veka do danas) CLIO, 2001 përkthyer nga Lubinka Milenkoviq, Pasthenia dhe ekspert redaktimi, Dr. Dushan T. Batakoviq, faqe 137.

Në këto rrethana, kur në trojet shqiptare nuk kishte pushtet të organizuar otoman, kur shqiptarët ishin lodhur e raskapitur nga luftërat me këtë perandori, soldateska serbe, pikërisht me armatën e tretë të saj ia mësuni këtyre trojeve, armatë me numër të njejtë si në luftën e fundit, dhe bëri kërdi, e cila e tronditi edhe botën. Shqiptarët iu kundërvunë gjithandej ku mundën e patën fuqi. Forcat serbe ndaj Kosovës u vërsulën me 63.000 trupa kurse Mali i Zi në këto ekspedita angazhoi 35 mijë veta, e në këtë luftë u angazhuan edhe çetat çetnike të Gjilanit, Lisicës, Lukovës e të Llapit, që u futen e organizuan më herët.

Shqiptarët të pa organizuar aq sa duhet, me mungesë të madhe të mjeteve luftarake e posaçërisht të municionit, të ushqimit për ushtarë e popullësi nuk mundën t’i përballën këtij sulmi shkatërrues, andaj kufinjt u thyen dhe hordhitë serbe e malazeze u futën në territorin e Kosovës duke bërë masakra brutale.

Shtabi serb atbotë pat dhënë urdhër që çdo vendbanim ku shkrepët një plumb nga shqiptarët të shkatrrohet, e pas kësaj të bëhet masakër pa kursyer të sëmurët, të plagosurit, gratë dhe fëmijët ( Lav Trotsky, The Balkan War, 1912-13: The War Correspondence of Leon Trotsky, New York: Monad Press, 1980, faqe. 293).

Në kohën e nënshkrimit të marëveshtjes paqësore të Londrës (30.05.1913) vendet ballkanike mbanin territoret e pushtuara: Bullgaria-Trakinë dhe Maqedonin Jugore; Greqia- Maqedonin jugore me Selanikun dhe pjesë të Epirit; Serbia-  Maqedonin qendrore dhe perendimore, Sanxhakun, Kosovën me një pjesë të Dukagjinit, dhe Mali i Zi –një pjesë të Sanxhakut dhe një pjesë të Dukagjinit (marrë nga Leksikoni Historik i Malit të Zi) (Lidhje). Bilanci i kësaj lufte pushtuese për Serbinë ishte se ajo shtoi territorin e vet për 81% dhe rriti numrin e banorëve për 1.3-1.4 milion banorë të rinj.

Nga kjo pjesë e banorëve ¾ flasin gjuhën shqipe. Mendohet se gjatë kësaj lufte më tepër se 20 mijë shqiptarë humbën jetën dhe se mbi 60.000 banorë musliman u shpërngulen.(Dubravka Stojanoviq: U spirali zloqina: balkanski ratovi Lidhje) Për të përkujtuar këtë fitore të Serbisë Krali Petër i Parë, me 31 tetor të vitit 1913 themeloi Medaljen “Përkujtimorja për Çlirimin e Kosovës 1912” e cila iu nda eprorëve dhe ushtarëve që morën pjesë në këtë kasaphane të shqiptarëve.

Nga e gjithë kjo që u tha, shihet qartë se kjo luftë nuk ishte luftë kundër Perandorisë Otomane por Luftë për okupimin e Kosovës, andaj edhe Medalja e themeluar e dëshmon këtë të dhënë, andaj tash e tutje, në mos të tjerët, atëherë shqiptarët këtë luftë nuk duhet ta quajnë Lufta e parë ballkanike kundër Perandorisë Otomane, por Luftë për pushtimin e Kosovës apo të trojeve shqiptare./INA

Shqipëria e Edward Lear

07/11/2012 Lini një koment

Dorian KOÇI

SHQIPËRIA E EDWARD LEAR

Dorian Koçi

Njohja dhe rizbulimi i Ballkanit në shekullin e XIX dhe fillimet e shekullit të XX  në Europë është një proces i cili nuk u zhvillua vetëm si një rizbulim gjeografik por dhe si një zbulim kulturor. Ky konstatim është akoma dhe më se e vërtetë sidomos kur flasim për territoret shqiptare në Ballkan  pasi në kuadër të Grand Tour-it destinacioni i zakonshëm ishte Greqia që krijonte një tërheqje të veçantë me kulturën e lashtë antike dhe pak a shumë këto territore ishin rrahur dhe më parë nga udhëtarë evropianë qoftë si diplomatë apo dhe si turistë kulturorë. Për publikun e atëhershëm britanik ashtu siç shkruante studiuesi Eduard Gibon në veprën e vet “Dobësimi dhe rënia e Perandorisë Romake”(1807), “Shqipëria ishte po aq e panjohur sa dhe brendësitë e Amerikës”[1] Mirëpo zbulimi kulturor nuk shërbeu vetëm si kënaqësi estetike e zbulimit të një kulture të re etnografike por në një farë mënyre me shkrimet ku u pasqyrua ky kontakt me këtë kulturë u bë përgjegjës dhe për njohjen dhe perceptimin e Ballkanit dhe popullsive të tij në Europë. Një sërë ndryshimesh fondamentale në vetvete në Europë, si Revolucioni Francez, fenomeni i udhëtimit, Romanticizmi, Ekzotizmi, Orientalizmi e Filohelenizmi e shoqëruan këtë njohje duke lënë pak a shumë gjurmët e tyre në këtë rinjohje dhe ritakim të Ballkanit me Europën pas  ndarjes së pariparueshme në dy kampe armiqësore që kish pësuar bota e Mesdheut pas daljes dhe protoganizmit të Islamit në këtë rajon. Ndërmjet burimeve më interesante dhe relativisht të pakta për studimin e historisë sociale të popujve të gadishullit ballkanik janë një varg veprash të udhëtarëve britanikë të cilët udhëtuan në rajon në kërkim të kënaqësisë apo kuriozitetit dhe dëshirës për të mësuar më shumë për rajonin[2] ose për t’i shërbyer vendit të tyre si diplomatë.

Territoret shqiptare si pjesë e Ballkanit zgjojnë interesin e udhëtarëve të huaj kryesisht në fillim si territore fqinje me ato greke vende ku kishte lindur kultura e lashtë që i kish magjepsur. I pari që e ndërmerr këtë rrugë i nisur thjesht për arsye diplomatike është oficeri anglez i zbulimit William Martin Leake më 1805 dhe pas tij është udhëtimi i njohur i Lord Byron dhe Hobhouse në 1809.  Sidomos ky udhëtim i dy aristokratëve të rinj anglezë hapi siparin e një sërë udhëtimesh të tjera nga mjekë, pastorë protestantë, ushtarakë etj shtresa të popullsisë, të cilët shkruan një sërë veprash dhe shënimesh udhëtimi që bënë të mundur krijimin e një situate orientaliste dhe ekzotizmi në imagjinatën angleze. Mirëpo udhëtimeve të Leake në Shqipëri dhe Greqi dhe të Lord Byron dhe Hobhouse, përpos përshkrimeve shumë të sakta gjeografike, historike dhe kulturore apo dhe përshkrimeve poetike do tu mungonte paraqitja grafike dhe panoramike origjinale e viseve që ata vizituan. Vetë Leake mesa duket nuk ka pasur talent për të pikturuar pasi kur ai skicon një hartë topografike të brigjeve shqiptare dhe ia dërgon Shtabit Britanik të Luftës,kërkon ndjesë “për ndonjë gabim apo pasaktësi, pasi siç e dini unë nuk jam një skicograf i mirëfilltë por rrethanat më kanë detyruar ta bëjë punën e tij.”[3] Gjithsesi kur u botuan veprat e tij dhe shënimet udhëtimit të Hobhouse dhe vepra poetike e Bajronit, ato u shoqëruan me skica dhe panorama që i korrespondonin më shumë imagjinatës sesa realitetit. Mes piktorëve të tjerë që ilustruan veprat voluminoze të Leake ishte dhe Edëard Lear (1812-1888), peizazhist, piktor dhe poet i periudhës Viktoriane në Britani.[4] Pavarësisht sepse është i përmendur më shumë sot për “vargjet e tij origjinale e pa kuptim për fëmijët në letërsinë angleze”[5], Lear në fushën e studimeve ballkanike përmendet për ditarin e vet “Journal of a Landscape Painter in Albania” i botuar për herë parë më 1851. Ditari është pasqyrim i mbresave dhe shënimeve të udhëtimit që Leare ndërmori në Shqipëri më 24 shtator–4 nëntor 1848. Janë të shumtë udhëtarët dhe piktorët të nxitur dhe të joshur nga ekzotizmi i veprave të Byron dhe veprës së Hobhauzit “A journey  through Albania and other European provinces of  Turkish Empire”  që vizituan dhe skicuan Epirin dhe Greqinë por asnjëri prej tyre nuk vizitoi veriun e Shqipërisë dhe ish-kryeqendrën e rezistencës shqiptare në shekullin e XV, Krujën. E veçanta e  Lear-it nuk është vetëm fakti se ai hyri nga lindja e Ballkanit( porti i Selanikut) por se udhëtoi gjatë e thellë në drejtimin jug-veri. Vetë Lear ndihet krenar për udhëtimin e ndërmarrë pasi thekson në ditarin e vet se është i “vetmi anglez që jep të dhëna për disa vende si pjesa e maleve Akrokerane, Kruja e rrethinat e Ohrit”[6].

Një nga karakteristikat e udhëtarit britanik në gjysmën e shekullit të XIX ishte se ai zakonisht e zgjidhte kauzën  të cilën dëshironte të përkrahte përpara se të fillonte udhëtimin.[7] Lear bënte pjesë në këtë kategori udhëtarësh, pasi duke qenë para së gjithash një peizazhist dhe ilustrues me një ambicie të madhe, ai vazhdimisht ishte në kërkim të piktoreskes dhe sublimes të inspiruar nga panoramat e Mesdheut.[8] Për 10 vjet Lear kish jetuar në Itali duke krijuar pamje të mrekullueshme nga provincat gjithë diell të Italisë, ndërsa një njohje e rastësishme me presidentin e universitetit të Korfuzit Mr. Bouen e bën atë fillimisht të vizitojë ishullin dhe pastaj Athinën e Kostandinopojën. Pasi kthehet në Greqi planifikon të vizitojë Malin e Shenjtë por në Selanik e njoftojnë se rrugët për të shkuar aty janë mbyllur për shkak të kolerës kështu që vendos të udhëtojë në të vetmin drejtim rruge të hapur, nëpër Maqedoni dhe Shqipëri.[9] Është pikërisht ky moment kur ai i shkruan së motrës së vet Anës “se më tepër jam i prirur ndaj një udhëtimi në Shqipëri e cila është përsosmërisht e qetë.”[10] “E qetë” është një mbiemër që tërheq vëmendjen në këtë frazë. Gjatë gjithë udhëtimit të tij nëpër Shqipëri Lear do të përpiqet vazhdimisht që të gjejë sa më shumë kohë e qetësi për të përmbushur kauzën e vet dhe do të jetë indiferent ndaj zhvillimeve në rajon. Ai përmend, aty-këtu se në vend ka pasur një kryengritje nën prijësin Zuliki (Gjon Leka), çka i ka detyruar otomanët të ndërmarrin masa duke mos u lejuar më popullsinë e jugut të Shqipërisë të mbajnë armë, por është komplet indiferent të përshkruajë apo të japë detaje se cilat janë shkaqet e kësaj kryengritje. Si një profesionist skrupuloz që është, qëllimi i tij është e thënë me fjalët e veta në një letër që i dërgon mikut të tij Fortiskju në 1848 që të “aftësohem për të përkryer pamjet e ndjenjat e panoramave që e di se  janë brenda meje”.[11]

Lear ia del mbanë vërtetë që të krijojë panorama të mrekullueshme madje njëra nga to “The mount Tomor”inspiron dhe poetin e madh anglez Alfred Tennison që të shkruajë një poezi kushtuar Lear[12]. Por qoftë pikturat  apo dhe ditari i mëvonshëm shërbejnë për të përcjellë një perceptim të gabuar të Shqipërisë në publikun britanik. Shqipëria e asaj kohe madje dhe viset e Maqedonisë vuajnë nën degradimin e pushtetit perandorak otoman kurse këto piktura dhe stili tërheqës i ditarit përcjellin një  “peizazh idilik e vendas piktoresk (….) me të gjitha komfortet e aristokratëve”[13]. Për më tepër duke qenë një personalitet i formuar me poezinë e romantikëve dhe veçanërisht atë të Lord Byron, tek ditari i Lear gjenden gjurmë të sublimes që është e “bukur,e egër dhe frikëndjellëse”[14]. Mirëpo kjo formë e sublimes nuk shërben vetëm për pasqyruar peizazhet piktoreske të Shqipërisë por vesh me ngjyrim negativ vetë Shqipërinë si një “vend të një habie të egër”, i mbushur plot me “vende të çuditshme” dhe “të paqarta” dhe me grupe etnike të “ngatërruara” që rrisin “një racë të egër” të njerëzve[15]. Këto përcaktime të Lear që në fakt i ngjajnë një antropologu sesa një peizazhisti duken të çuditshme kur sjell ndërmend eksperiencën shumë sipërfaqësore vëzhguese ndaj shoqërisë  që kish demonstruar Lear në Shqipëri krahasuar kjo me shërbimin dhe zellin ndaj kauzës që kish zgjedhur që në fillim të udhëtimit. Për më tepër gjatë udhëtimit Lear pati shumë pak kontakt me popullsinë vendase, përveç atyre që i shërbyen atij. Kontaktin më të shumtë ai e pati me ‘shtresën e lartë’: doktorë të huaj, staf konsullatash, priftërinj dhe më së shumti qeveritarë Otomanë dhe pronarë tokash. Edhe pse ai ankohet se këta bejlerë dhe pashallarë (…) të humbin shumë kohë me ceremonira (faqe 60), ata i ofrojnë Lear-it jo vetëm rastin për të biseduar, ushqim dhe strehim të përshtatshëm- lukse jo shumë të vlerësuar në vende të egra si këto (faqe 69) por gjithashtu dhe një mbrojtje të sigurt duke e pajisur atë me letra rekomandimi dhe shoqërimin e një kafazi të armatosur.[16] Pritja që i bëhet atij në Krujë nga qeveritari Ali Beu është e denjë si një pritje aristokratike në çdo vend tjetër, madje në të ka dhe gjurmë qytetërimi pasi “i interesuar të mësonte ca më shumë nga Europa, djaloshi zyrtar i Krujës e pyeti për anijet pa vela e karrocat pa kuaj”[17]. Aq më tepër që përshkrimet e jashtme që ai u bën njerëzve të thjeshtë në Shqipëri duke i perifrazuar si “racë e egër” nuk janë as më shumë dhe as më pak në frymën e përshkrimeve dikensiane që mund ti gjeje në të gjitha rrethinat e Londrës e janë mbizotëruese kryesisht në romanin “Oliver Twist”.

Arsyeja që e shtyn Lear që të jetë kaq me paragjykime në përshkrimet e tij rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve është se Lear ashtu si është profesionist skrupoloz në fushën e pikturës kërkon të bëhet i tillë dhe në atë të shkruarit të ditarit të udhëtimeve. Ai shkruan saktësisht çfarë publiku dëshiron të lexojë-imazhet e çuditshme, të egra dhe konfuze të një vendi të largët, por dhe të afërt sepse ndodhet në Europë, me pak fjalë një zonë periferike barbarizmi dhe konflikti. Në gjysmën e shekullit të XIX Britania ishte në kulmin e fuqisë së saj koloniale, veçse imperializmi i shfaqur tek ditari i Lear nuk është ai klasiku i shfrytëzimit të burimeve natyrore dhe shfrytëzimit ekonomik të një vendi, por është një imperializëm i imagjinatës i cili kërkon të shfrytëzojë burime sociale kulturore dhe imazhesh të huaja për të krijuar industrinë e zbavitjes-libra udhëtimi.[18]Udhëtimi në këtë rast nuk mund të gjykohet si shprehje e një forme të ndryshme kolonializmi, në të cilin historia dhe ideologjia, dhe jo territori i një vendi pretendoheshin,që pushtoheshin dhe aneksoheshin si është rasti i udhëtimeve në Greqi, por mund të gjykohet si një shprehje e nxitjes së imagjinatës ekzotike nëpërmjet imazheve fatkeqe dhe të ekzagjeruar të Shqipërisë. Prej këtij paragjykimi dhe imperializmi të imagjinatës ku ftohet lexuesi të marrë pjesë, në ditar mbizotërojnë skenat e qyteteve “të varfër dhe të shpifur” (faqe 60), “ndyrësia” e haneve(faqe 60) dhe “vështrimi i vrazhdë dhe i egër”(faqe 54) [19]i banorëve sesa  e gjendja e mjerueshme të drejtave të popullsisë Shqipërisë, arbitrariteti, dhuna e intolerenca fetare nën regjimin despotik otoman. Si rezultat i këtij përshkrimi lexuesi ashtu si dhe Lear e ka të lehtë të nxjerrë përfundimin se  Shqipëria është një vend i “çuditshëm dhe i frikshëm” (faqe 145). Sigurisht nuk mund të pretendohet se Lear kish dijeni të plotë të për këtë prirje imperialiste në ditarin e vet. Kjo ndodhte thjesht se ai si gjithë udhëtarët britanikë të epokës Viktoriane e “ndjenin veten pjesë të një kulture superiore e të vërtetë, vlerat, traditat dhe vlerësimet  e së cilës ata natyrisht i mbronin kur përballeshin me atë – ç’ka ata – e nënkuptonin si një kulturë inferiore të shprehur të Ballkanit”.[20]

Ditari i Lear “Journal of a Landscape Painter in Albania” është një libër udhëtimi klasik i cili la një gjurmë të veçantë në krijimin e imazhit dhe perceptimit të Shqipërisë në Angli. Si i tillë ai meriton një vëmendje të veçantë jo vetëm për të identifikuar tablotë e mrekullueshme që e shoqëruan por dhe forcën e fjalës së shkruar që krijoi imazhe të caktuara dhe pati një impakt të madh në botën anglosaksone.

Bibliografi:

1 - Andre Hammond, The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Writing, 1850-1914, The Slavonic and East European Review, Vol. 82, No. 3 (Jul. 2004)
2 - Afrim Q. Karagjozi, “Eduard Liri”, Botimet Enciklopedike, Tiranë 1997
3 - Barbara Jelavich, “The British Traveller in the Balkans: the Abuses of Ottoman Administration in the Slavonic Provinces”, The Slavonic and East Review, Vol. 33, No. 81 (June 1955)
4 - Edward Lear, “Journal of a Landscape Painter in Albania”, New Edn, London, 1988
5 - Oxford English Dictionary, edited Bt Catherine Soanes, Oxford University Press 2002
6 - Suzan Hyman (ed.), Edward Lear in the Levant: Travels in Albania, Greece and Turkey in Europe 1848-1849, London 1988
7 - Vesna Goldworthy, “Inventing Ruritania: The Imperialism of the Imagination”, New Haven, Conn, 1998
8 - William Martin Lik, “Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve”, Migjeni, Tiranë 2008


[1] Afrim Q. Karagjozi, Byron in English and in Albanian, Scanderbeg Books, Tiranë 2010, faqe 10
[2] Barbara Jelavich, “The British Traveller in the Balkans: the Abuses of Ottoman Administration in the Slavonic Provinces”, The Slavonic and East Review, Vol. 33, No. 81, (June 1955), faqe 396
[3] William Martin Lik, “Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve”, Migjeni, Tiranë 2008, faqe 312
[4] Shih për më tepër, Afrim Q. Karagjozi, “Eduard Liri”, Botimet Enciklopedike, Tiranë 1997, faqe 130
[5] Andre Hammond, The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Writing 1850-1914, The Slavonic and East European Review, Vol. 82, No. 3, (Jul. 2004), faqe 606
[6] Afrim Q. Karagjozi, “Eduard Liri”, Botimet Enciklopedike, Tiranë 1997, faqe 20
[7] Barbara Jelavich. “The British Traveller in the Balkans: the Abuses of Ottoman Administration in the Slavonic Provinces” The Slavonic and East Review, Vol. 33, No. 81, (June1955), faqe 396
[8] Andre Hammond. The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Writing, 1850-1914, The Slavonic and East European Review, Vol. 82, No. 3 (Jul. 2004), faqe 606-607
[9] Për një përshkrim më të detajuar të udhëtimit të Lear në Shqipëri shih Afrim Q. Karagjozi, “Eduard Liri”, Botimet Enciklopedike, Tiranë 1997
[10] Afrim Q. Karagjozi. “Eduard Liri”. Botimet Enciklopedike, Tiranë 1997, faqe 133
[11] Po aty, faqe 18
[12] Po aty faqe 139
[13] Suzan Hyman (ed.) Edward Lear in the Levant: Travels in Albania, Greece andTurkey in Europe 1848-1849, London 1988, faqe 37
[14] Oxford English Dictionary edited Bt Catherine Soanes, Oxford University Press 2002, faqe 835
[15] Edward Lear. “Journal of a Landscape Painter in Albania”. New Edn., London 1988, faqe 51, 21, 11, 11, 38
[16] Andre Hammond. The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Writing, 1850-1914. The Slavonic and East European Review, Vol.82, No. 3, (Jul. 2004), faqe 607-608
[17] Afrim Q. Karagjozi. “Eduard Liri”. Botimet Enciklopedike. Tiranë: 1997, faqe 28-29
[18] Shih për më tëpër Vesna Goldworthy , “Inventing Ruritania: The Imperialism of the Imagination” New Haven, Conn, 1998
[19] Andre Hammond. The uses of Balkanism: Representation and Power in British Travel Writing, 1850-1914. The Slavonic and East European Review, Vol.82, No. 3, (Jul. 2004), faqe 607
[20] Po aty, faqe 622

Ditari i Hajredin Cakranit: Si u organizua Kryengritja e Toskërisë

04/11/2012 Lini një koment

Blerina GOCE

 

DITARI I HAJREDIN CAKRANIT: SI U ORGANIZUA KRYENGRITJA E TOSKËRISË

Blerina Goce

Blerina Goce

Sikurse janë prezantuar deri tani, dëshmitë që sjellin letërkëmbimi e kujtimet e Hajredin Cakranit janë tepër interesante dhe me vlerë për historinë shqiptare. Të prezantuara për të parën herë e të ilustruara me foto, që po ashtu vijnë për herë të parë, këto kujtime vijnë për lexuesin të mundësuara nga nipi i firmëtarit të pavarësisë Hajredin Cakranit, Kujtim Cakrani me ndihmën edhe të historianit Kastriot Bimo. Pas prezantimit të një pjese të kujtimeve të vëllezërve Cakrani, që lidhet me luftën e përpjekjet e tyre për gjuhë e atdhe, ne po vijojmë paraqitjen me të tjera kujtime që paraqesin momente të tjera të rëndësishme e hedhin dritë në pjesë të veçanta të historisë sonë, pesha e të cilave duket edhe më e madhe në këtë 100-vjetor të Pavarësisë.

Në këtë pjesë të takimeve flitet për takimin në Stamboll të Bektash Cakranit, Dervish Himës, Mihal Gramenos me Nexhip Dragën e Hasan Prishtinën për fillimin e kryengritjes në Toskëri. Në këto shënime flitet edhe për kryengritjen e zhvilluar në Cakran nga Baki Gjirokastra, Namik Delvina, Idriz Guri, etj., sipas orientimeve të Ismail Qemalit, apo mbështetjen pa rezerva të kandidaturës së I.Qemalit për deputet. Flitet aty edhe për takimin me Ismail Qemalin e Luigj Gurakuqin në gusht 1912 në shtëpinë e tyre, ku dhe bujtin atë natë…

Çetat në luftë. Kryengritja e Toskërisë të fillojë. Lufta në pazarin e Cakranit.

Si ç’kishën qënë në Drashovicë çetat ku ishën mbledhur afro trimijë shpyrt e pasi kishën bërë gati kartën Stambollit i kishën dhënë dhe nga një të tillë më konsullat të Nemses Italisë e te rustë ishën këthyher drejt e në Cakran me Imer Aganë (Radhima), me Alem Aganë nga Tragjasi, Brahim Effendinë (Abdullahu), Sadik Effendinë e Duros (Shaska), Zaçe Xhelo Smokthinën e plot të tjerë, të gjithë lebër e vlonjatë, që kishën bërë atje kartën e tërë kazaja kish qënë, pasi kishën ngrënë bukë, po preheshin se më t’nesërmen do vinin në Berat për të mbledhur popullin e kazasë e të bënin një tjatër kartë si të Drashovicës me kërkesa si të Gegërisë. Çetat që poqa unë të Namik Beut (Delvina) e të tjerë, ishën jashtë hanit e u thanë se po vinte dhe panë të parë tushtërinë dhe u hapën nëpër përrenj e hendeqe të zinin pozicione. Ushtërija erdh’ udhës për në pazar të Cakranit dhe kërkoi t’i rrethojë, ata që ishën në han, po kur i ertdhën plumbat si breshër sa këputeshin e binin degët e ullivet, ku ata kishën zënë pozicione, ata u prenë. Vetë unë me gjithë njerëz mbajta anën e sipërme të përroit, nga munt të vinte ndihma ushtërisë, nga Berati që ish dhe xhepaneja më e madhe e kazasë. Kohë s’kish. Dërgova njerinë t’i fliste tim nipi, djalit të simë motre Faslli Beut (Patosi) të vijë në ndihmë me njerëzit e tij. Njerëzve të mijve ç’tu thosha, që po lëftojmë po ushtërinë që jemi.?! I mblodha dhe u’a thash troç që punën t’onë po e merrte lumi, se nuk ësht’ dëgjuar të dërgohet ushtërija me shqipëtarë, të vijë e të vrasë po shqiptarët. Këtë po e bën Smail Haki Libohova, me njëqint a dyqint gegë, që i heq për hunde. Kush e sheh me vend të iki, mirë, po jo sonte, po nesër në të gëdhirë. Si të urdhërosh zotrotë Bej- më thanë. Të tërë ishën njerëz të besës dhe kur lëfton, s’ka njëzet mëndje, o lëfton e s’e lëshon istikamë, o iknë e mirr arratinë. Kur krisi pushka ne ndënjëm në pritë, po s’mund të hapnim batarè se mos vrasëm njerëzit t’onë, po mua s’më mbante vëndi e s’i lija dot njerëzit. Një tufë nga ushtërija u zgjat për në krah të sipërm avash për të rrethuar krahun e çetës së Namik beut (Selimit), a të tjerëve poshtë, kur j’a dërguam plumbat njëherësh, ata se prinë gjithë atë tym e pluhur e që u shkoq gjysm ‘e ullirit. Ata u hoqnë prapa dhe mejtuan se kushedi sa çeta ishëm për këtë punë, po ne këtë donim. Lufta zgjati dhe ne e grimë vendin nga mund të rrethonin tim vëlla dhe çetat që e mbronin atë, po më pas, pamë që aty tek vendi ku ishin shtrirë, kishën lënë dhe nja dy feste nga që se prisnin batarenë. Pa pritur pushoi batareja dhe si do që s’më mbante vendi s’mund t’i lija njerëzit, po dërgova një nga njerëzit e mi me vrap, të mirrte vesh dhe e primë me zëmër të ngrirë. Kur erdhi më tha se Ismail Hakiu kishte njëqint e ca vetë të ushtërisë së tij dibranë me mauzerrë dhe donte t’i rrethonte tim vëlla Bektashin me shokë në han, me ç’do kusht. Në han po luftonin duke qëlluar ushtërinë, po ata dolën fare përjashta nëpër hendeqe e kishën sulmuar ushtërinë ku s’e priste. Kishën dërguar çetat njerëz për të kërkuar ndihmë në Buzmath e më ç’do vënd. Po pritnin ç’do të bënej, kur erdhi njeriu me kale, që pruri një tjatër kartë e Shuko Progonati i duall para. Ismail Hakiu (Libohova) me oficerë erdhi e u afrua, por ushtërinë e la atje tej. U takuan me tim vëlla Bektashin, me Namik Selimin e të tërë. Bimbashi kish kërkuar të fjaloseshin pa luftë dhe kish kërkuar të vinin te hani, ku ish Bektashi me njerëz. Ishin fjalosur, se nuk u lejon qeveria të bridhin maleve me armë. Duhet të luftojmë se s’na kanë dhënë të drejtat tona- ja ktheu im vëlla. Më të drejta do Bej se këto që kè.- thotë Ismail Hakiu. Duam që ç’ke me të. Po unë nuk mund t’i lejoj komitët të bëjnë ç’të duan, ndaj më duhet të lëftoj. Edhe ne jemi gati të vdesëm të lirë, se të rrojmë me ju mbi kokë, po s’e beson vështroje këtë- e treguan qylafin ku kishën shkruar: “Ja vdekje ja liri”. Më mirë të mbledhim një pleqësi nga kazaja e Berati a ti dërgojmë ato që doni qeverisë a në Stambolli, qysh të doni. Filluan kërkesat, gjuhë, shkollë, autonomi e nuk mbaronej karta, pa ikën në han t’i shkruajn Bej- më tha njeriu im. Edhe kjo më duhej, që mua të mos më mbante më vendi. Ika ngadalë se po binte nata, kur takova në udhë njërin që kish një dyqan nga pazari e më shkoqiti të tëra. Kur atë çast mbin im vëlla Sulua te udha sipër dhe tha se janë aty në han e po merren vesh. Të bukur punë- thashë më vete -kanë bërë. Po më vonë më fjalosi vetë Bektash, Ismail Haki Beu, pasi kishën bërë kartën me ato që kërkonin, e kishën dërguar në Fier me njerëzit e tij. Pastaj i kish thënë :- trimat i ke nga kazaja këtej, thuaju të marrën një valle gjirokastriçe! Si do që e pashë vrëngër u thashë për vallen dhe trimat e hodhën. Po ushtërija jote ç’di të bëj ?- j’u ktheva, tha Bektashi. Ushtarët e tij gegë, ja muar atë këngë që u kishën mësuar së prapthi e kë pa, këngën që e këndohin çetat tona e që e kish bërë me llafe e me të tëra, vetë Thanas Flloqi e që ish aty vërdallë. Po tani që u err e filloi një erë e flamosur, e ishte fare pa mënt të veja në han, vetëm të vritesha me Smail Hakinë e të tijtë. Erdha tek njerëzit që më prisnin e me që ish errur u muarëm vesh me fishkëllima e parrulla. Hë bej?- më pyetën ata. Lere mos e nga, – u thashë, se po fjalosen në han, I japën karta për këto që kërkonin Ismail Hakiut, sikur ai është kajmekami, a veziri vetë. Ata qeshën, po mua s’më ecte nata për kiamet. Pa po zuri dhe një shi, që edhe ai na duhej. Kur shohëm tek shtegu ca njerëz, që po lëviznin ngadalë. Ushtërija! – thamë ne dhe gati batarenë. Mos qëlloni – thashë, sa të afrohen dhe kur të urdhëroj unë, u muarrëm vesh?! Si të urdhërosh ti bej. Kur afrohen ishën njerëzit e çetave që po zinin vende aty vërdallë. U habinë me ne, se e quajtën ushtërinë e Ismail Hakiut. Po ju -u them, ç’patët, sikur j’a kishët shtruar muhabetit për shtat palë qejfe në han. Më fjalosën që kishën bërë me llaf me Smail Hakinë që ai do të vinte për darkë, po që është kurth, është që ç’ke me të, por u thamë dhe atyre në pazar që do ikëm për Romës se këtu do vij ushtërija. Thashë mos i besonit atij a kartave. Me njerinë e tij e çoi kartën për Fier? Po,- j’a bënë, -po unë u dij dhë të squat, -j’u thashë, -që ai a kërkuar ndihmë, se e ka parë që s’jna ha dot me luftë, s’bëhet llaf.. Pa do mirren vesh me telegrafë me të tijtë e tani s’dihet nga n’a vijnë. Pa zbardhur mirë u thashë të zinin pozicion më tej ne brinjë se këtu ishëm ne e i kontrolloj të dy krahët edhe poshtë edhe në vij ndihmë nga Berati. Erdhën dhe Faslli Beu (Patosi) me nja tridhjet vetë e u bë një gardh, që nuk bën dot hesap nga të vijnë plumbat. Prit e s’ka, prit e s’ka e në të perënduar, u duknë që përtej me bori dhe e kishën marrë përpjekur. Më vonë e muartim vesh, se kishën takuar njerëz e atë dyqanxhinë dhe kishën pyetur për komitët. Në Romës -i thanë ata me perëndi, se ashtu e dinin. Venë e vijnë në Romës e s’po i gjejnë komitët, se prisnin t’i gjejnë atje ku i lanë. Kur u dëgjua batareja e plumbat u venin si shi, ushtërija s’dinte ku të vejë. Çetat s’ja prisin batareja bataresë dhe u lëshuan përposh e doinn t’i zinin të gjallë fare. Ushtërija po prapsej me lemeri dhe vetë Smail Hakiu bën vaki, të ish i pari si duket për Fier a kush e mirr vesh. Çetat tona u nisnë për në Kras të takoheshin të tërë, kështu që unë me njerëzit, i nisa për udhë me njerinë e besuar e u thashë që do takoheshim shpejt, po në të vërtetë i lashë shëndenë ushtërisë, si ç’ma taksi Idris Agai, pa Ismail Hakinë, muarmë vesh se e nxorr në gjyq dhe donin t’a dënonin, pse i ikën komitët, po kur u tha ai, që pse s’më pyesni qysh s’na zunë të gjallë, se ishën mizëri e ndihma na erdhi më të nesërmen, kështu që bënë ç’bënë dhe e falnë. Dhe vërtet, me sa muarmë vesh u erdhi ndihma nga Vlora me njersëze me kafshë, po dhe nga Berati e rrëzik të jenë këmbyer me njerëzit e mi.

Dezertimi nga ushtria. Si i blihen 1500 pushkët mauzerrë për kryengritjen.

Ama kaq u desh e u ndez tërë Toskëria dhe çetat venin e vinin si pika shiu. Si nuk u arrit gjë me depot më pas kur erdhi në Cakran, im vëlla Bektashi, më tha t’a zgjith qesen, dhe tok vëllezërinë Sulon,Sabrinë (Cakrani) e me Thanas Flloqin, se ç’kishën marrë një kartë nga ato qindra që dërgonin e që mirrnin. Në kartë Hamza Agai (Isai), që j’a dërgon që nga vapori për Triest, i sqaron që ish takuar me Qazim Aganë (Kokoshi) e Fazil pashën (Toptanin) në vapor dhe e kishën marrë llafin e palkut, se Toskërija duhet ngritur më këmbë doemos.Të vendosen komisionet e te ujdisën lëvizjet e çetave, e çdo gjë do bërë me mend e të dëgjojnë njëri- tjatrin. Këto i dinim se ishëm vetë në zjarr, po ajo që më ngrohu ishte që shpejt do vendosëm një komision të jashtëm që do n’a lidh me Evropën. Nga njerëz që më fjalosnin kisha marrë vesh se në Berat, si më e madhja xhephane e të tërë kazasë, po mblidhin djem me sebep për t’i çuar në Mal’ të Zi, pa dihej që do i çonin në gegëri, kondra gegëvet që kishën ngritur krye. Bektashi mejtonte që djemve duhej folur që atë cast, se do i nisën për Gegëri, me dyfek janë t’u kthehen e të zaptojnë Beratin. Çetat tona dhe ne të tërë n’a kanë gati në mes të natës. -E merr vesh ç’a po thua,- i bërtita, se s’pyet fare e do marrësh njerëzit më qafë. Unë njoh me pëllëmbë gazermat e xhehpanenë e Beratit më e madhja e gjithë kazasë dhe nuk mund të bëhet me llafe kjo gjë. Duhet një plan i hollësishëm, me kë duhet folur, kë duhet të kapim për të organizuar nga brënda, kur, si, qysh, tek, çfarë, që ti i di mirë. Që këtu ku jemi, s’bëjmë dot gjë,- i thashë. I dërgova kartë Hamza Agait (Isait), dhe e porosita për nja njëmijë ë pesëqind mauzerrë në Itali, ndaj të thirra për qesen. Fërshëllita aq fort sa u tunt dhoma. Thanas Flloqi më pa i habitur, im vëlla Sulua përdrodhi buzët e Sabriu qeshi ndën muataqe. Hamza Agai do t’a mbaronjë këtë punë, po pse s’thua që do t’a futësh andej nga s’del më e t’a harrojmë fare. Sa për qesen s’ta ka mbajtur njeri për kësi punësh. Ngadalë se ti s’të lë as të flasësh T’a bisedojë një herë me zotin Bozio për tri katër ditë sosem dhe unë atje dhe e fjalos vetë.Gjithnjë j’a kam marrë si shakara këto Bektashit, po isha gabim e sidomos këtë herë. U ulëm dhe i thashë, që ti e do vaporin kastile për këtë punë, pastaj kjo ngarkesë nuk hyn në sqelë dot fare, pa le ti, i do dhe mauzerrë se s’bën. Ai tha se duhen të tillë, se fishekë të tyre mund të gjejmë, ndryshe n’a rruashin dyfeqet për bukuri. Po e di ti sa kohë duan ata të vijnë dhe po i gjetën andej e këtej nuk pret sahati më. -Na jep nonjë mëndje më të mirë, se ty të duket se këto punë i di vetëm ti. Nga këto qesëndisje s’kisha qeder fare, se këto punë para duan, të kesh dhe njohje dhe tjatra do bërë hesap, sa mund të realizonet ajo që kërkohej e më këtë rast ata dukej sikur ishën prishur nga mëntë, në këtë që duajnë të bëjnë, të paktën për së pari. Ndaj unë duhej të pranoja të mirrja pjesë, në gjërat ë bëra të t’im vëllai, e që në më të shumtën e herëvë, më shumë anonin nga përralla, po këtë herë nuk kishëm zgjidhje tjatër. Thanasi shkruante në një defter, nonjë gjë me bukë që mund të lëshonim nga goja. Ia mora kalemin dhe fillova si fillozof të mbaj fjalmin dhe në do e dëgjojnë, do e dëftente ajo që e kemi kusur kur fjalosëm për punë me axhale, i presëm llafin njëri- tjatrit, nga që i dimë të gjitha vetë. Po nuk ngjau aspak kështu. I thashë se vetëm mauzerrë mund të gjejë zoti Bozio, me që bredh dynjanë, ka njëthesar në dorë tani, të vejë në Tarabullus (Libie), aty ku ish dhe plaku e ku ushtërija osmanllije që eshtë tërhequr në panik, nga që ka ikur me tokë se italanët kanë fllotë, jo shaka po më tri katër vënde a më shumë kanë mbetur depot e pahapura rrezik fare, me xhephane e mauzerrë, domosdo të pa shkrehur ndonjëherë. Këto s’i bëjnë punë italanëve, se kanë dyfeqe të tyre, tjatër soj e me një çikë marifet i heth në dorë, mbase jo badjava, po me një çikë terëzi, depo të tëra. Vaporët e Italisë, si vënd i ri për ta, janë lëshuar andej e jo kontroll që s’ka, po bie poshtë xhephane të tëra, po deshe se harrova dhe të hollat, se ato të shkreta e ngrënë ujët përpjetë. Këndej s’i bie dot me pako si postë, po me që këtej është kallamè, mund t’i shkarkojmë në nonjë sqelë të vogël, që një të tillë e ngrëmë dhe në Seman a mund t’i zbresëm në mes të detit, me nonjë sandal, nga ato që peshkojnë e që ka plot në Vlorë, për t’i çuar pastaj, në nonjë vëntd të sigurtë. Po më dëgjonin të habitur dhe si do që ish oficer rezerve për vehte, im vëlla Bektashi, më dëgjoi të paktën një herë. S’e bëri javën e i hipi vaporit të Nemses, Lloyd-it, që ish një vapor vërtet i madh. Njerëz, të drejtën, kish plot që doin të lëftonin, po e shihnin që punët e qeverisë, që i kish marrë lumi e Tyrqia s’donte që s’dontetë lëshonte pe. Se ç’hoqmë që i prumë dyfeqet ca e ca, më tri katër udhë, s’e dëftej dot një natë shëndreu të tërë, pa po në një nga këto e përbysnë sandallin e desh u mbynë me gjithë kashunat e tyre rëndohin, po mirë që ishën afër bregut. Pa duhej të mos e mirr vesh njeri fare, se gati ish ushtërija e të ligjtë.

Koordinimi i luftës së çetave. Komisioni i Korfuzit. Ritakimi me korçarët.

Çetat e Toskërisë vazhduan të lëftojnë e u mblodhnë dhe u organizuan me të shpejtë dhe kështu, ku këtu e ku atje ato s’e lanë të qetë Tyrqinë asnjë sahat. Këtë herë u lidhnë me mëntë, se kishën Komitenë e kryengritjes në Jug me Ismail Benë, Luigj Gurakuqnë, Fazil Pashën (Toptanin), Pandeli Çalën e ndonjë tjatri që rrinin në Korfus e venin e vinin me habere e katëra që thuhej se po s’u bë kryengritja Toskërija u turpërua e të mirreshim vesh me njëri-tjatrin. Ne duhet të vemi në Tepelenë, thotë im vëlla Bektashi, se bënet kongres e do t’i dërgojmë dhe që atje kërkesa Stambollit. Po të mos j’u venë dhe Të Mëdhenjve, as që do besoja se mund të dëgjojë Stambolli me kartëra. Unë s’duhem si bisht, se ke njerëzit kështu që këtu më ke, me vëllezërinë me Sulo e Sabri gati dhe për ç’do gjë habernë me njeri e di vetë. Në Dhëmblan qënkesh bërë e madhe, se kish ardhur xhevapi nga Stambolli, për amnisti të përgjithëshme e u falnë komitët, pa dhe për shkolla në gjuhë t’onë, po nashti nuk n’a mbushën syrin këto, ësht’ si vonë. Këtë m’a tha njeriu që më pruri kartën e duhej ta pres në Vlorë tim vëlla Bektashin Pa e bërë të gjatë i hipa kalit e u sosa në Vlorë. Pa po kur vijnë komitat çeta, me Alem Aganë (Tragjasi), me Brahim Effendinë (Abdullahu), me Hamza aganë (Isai) dhe mileti që i prit si therorë, pa valë-valë ata s’mbaroinn sa u habiç vërtet. Bektash Bej edhe ne u duhemi këtyre në hise, hajde t’i hipëm kalit se një sahat ja ku është Cakrani, po ai nguli këmbë që s’vete t’a lëmë davenë në mes, pa këtu s’jemi për të ngrënë. Aq e ka shqipëtari harenë, sa u ulëm filloi muhabeti që s’janë të drejta këto, të kishëm shkruar aq e kaq kërkesa, pse na i bëjnë gjithënjë gjysmake, s’kanë faj ata. Brahim Effendi (Abdullahu) pse vihi në sëkëlldi mali ja ku është dhe dyfeqet të ngrohtë prapë në mal dhe ata s’kanë nga t’ja mbajnë. Po gjithë atë farë dynjaje që ka perandoria osmanllije, brënda me ne, një sahat në ditë harxhon, pa po s’u foli njeri në Stamboll për dita, që t’ua nxijë e kur t’a mejtojnë t’u dalë gjumi, s’kemi gjë në vijë Hamza efendi i thashë. Nuk ka mënguar edhe në Stamboll llafi ynë për Shqipëri e drejtë janë kohë të tjera. Duhet nga mëngjesi e gjer më darke, t’u vijë festja vërdallë e t’a dijnë që ky vënt’ ësht’ urë e ndezur gjithënjë, e të djek i tha Bektashi, se po t’a lëmë ç’bëjnë ata bërë qoftë, n’a mbyti i mbyturi dhe e humbmë davanë dhe kur pa nashti që ka marrë tatëpjetën Tyrqia. Dhe po e muar lumi këtë punë, si po e merr tha Brahim Effeniu (Abdullau), jo Tyrqi s’do mbetet mbi dhè, se duaj t’a shqyejn grekërit e sërbtë, që mezi po presin, po as nè s’do n’a lënë, se n’a quaj Tyrqi. Kështu që ne s’e lamë luftën me çetat, po aty më 912 u lidhnë çetat në Toskëri, ku qenë e ku s’qenë e erdhnë vardhar dhe ne i pritmë në Cakran. Ata ishin patriotë të ç’quar dhe që lëftonin për vatanë, pa bërë hesap as kokën e ishëm mbledhur me korçarë, nga Gjirokastra, me vlonjatë, Mallakastra që ishim vetë, po e po. Shpyrtin e kisha më korçarë e i poqa të tërë, me Hysni Toskën, Izet Zavalanë, Jaup Dëshnicë e me miqtë e mi, Dhamb Bimblën e Qamil Panaritnë. Të tërë ishën veshur me këmishë e të tëra rrobet të zeza, të mos duken nëpër natë, kur kapëtojnë nëpër vënde a lëftojnë. Qamil Panaritit j’u qasa dhe e zura nga krahët. Mor bir nuk munt t’a harroj, qysh ratë në pusi në Ormën çiflik e u bë hataja. Po ti qysh shpëtove mor bir, shyqyr që s’të zu plumbi a të plagosesh. Po e shikoja nëpër krahë, sikur duaj të shoh pas kaq kohe ndonjë shënjë, që i kishën lënë plumbat e Afiz Pashës. Po zot u plagosa rëndë, më tha. Unë sa se pyeç që ku. Ja këtu, dhe vuri dorën në këmishnë e zezë të hapur, në mest më kraharuar. Llafetë m’u mbaruan e si do që isha më i gjatë, u ula dhe e putha, tek ata flokëtë e rralluar një çikë, atje mbi ballë Dhe sot nukë munt t’a harroj këtë njeri, që për mua ishtë një theror të gjallë e që flit me atë që kishën bërë e me kaq trimëri e ç’duheshin llafet. Ne i mbëledhëm vërtët çetat, me nga njëqint e dyqint shpyrt e mos më, po të jesh njëzetë e të dëftosh atyre se s’vlejnë asnjë grosh, para betimit për vatanë, kjo po e ka ëmrin trimëri. Çetat i ujdisnë veprimet, se ku duaj të bënin pusi e kur duhet të prapsen e ku do vij. Tyrqia nuk kish ngè, se e kishën zënë për fyti mbretëritë ballkanike dhe vetëm kërkon nizamë se do mbrojmë vatanë tuaj-thoshën ata.

Takimi me I. Qemalin në Vlorë. Mbledhja e Qishbardhës. Do të luftojmë si në kohën e Rrapo Hekalit!…

Im vëlla Bektashi tërë kohën në Vlorë dhe me Brahim Efendinë (Abdullahu), Qazim Efendinë (Kokoshi) kishën marrë llafnë nga Ismail Beu, që të drejtat do t’i mbrojmë me se s’bën dhe tjatrin vit kryengritjen t’a bëjmë më të madhe ndaj të jemi gati. Pa hyrë mirë shkurti vjen nga Stambolli Azis Pashë Vrioni dhe në Vlorë takon Brahim Effendine Elmas Efendinë (Kanina), Xhemil Bej Vlorën e të tjerë njersëz e domosdo Bektashin, që kish mbirë në Vlorë e me porosi të Isamil Beut, (Qemali) kërkon që parësija e Vlorës, Mallakasrës e Skraparit, t’a zgjedhën përfaqësonjës të tyre në Stamboll. Si do që na dëgjonej e na shkon llafi në gjithë kazanë, duhet të mblidhnim parësinë e të bënim kuvënde, se e shumta njerëzve që s’i dinin këto punë, thoshën ty të njohëm ne Bej, të tjerë nuk njohëm. Këtej i muarmë përsipër t’i bëjmë unë me vëllezëri se im vëlla Bektashi mbeti në Vlorë. Atje ishën përplasur prapë me jeunes turcs e me të tjerë, që s’e doinn Smail Benë dhe si gjithënjë u kish thënë ,se javash po vjen vakti, që t’a paguani vrimen e miut pesëqint grosh. Pa po erdhi vet i gjashtë dhe u hapëm që nga Berati ne Patos e gjer në fushë e në Topallti nga mëngjesi e gjer më darkë. Më këtë kohë aty nga prilli Ismail Beu erdhi vetë në Vlorë, tok me Ligj Gurakuqë, dhe kërkojti të piqeshim me të, në Vlorë. Ishën të gjithë miqtë tanë vlonjatë, me Hamza Benë (Isai), më Brahim Efendinë (Abdullahu), Imer Aganë (Radhimën), Jani Mingën, Osmën Aganë (Haxhiu), e ndonjë tjatër që e kishën kërkuar Ismail Benë (Qemali), të vij. Na tha se duhej doemos të dogjonej dhe zëri ynë në Stamboll dhë të lëftojmë me çeta, sa t’a detyrojmë Stambollin, të n’a dëgjojë. Një llaf po, një llaf jo, ishte autonomi, autonomi dhe mua m’u kujtua, që këjo gjë duhej bërë që më 911. Mirë kryengritjen e çetat i kemi gati, po unë them të ndryshojnë një çikë kërkesat, se ato të parat i kemi bërë baltë -i tha Bektash Beu. Mua më digj, si gjithënjë komisioni i përjashtmë. Po s’e muar vesh të Mëdhenjtë, që ne po bënemi theror për vatanë, si zor të na ndihë njeri -i thashë. Këtë duam të vëmë në udhë -tha Ismail Beu t’a bëjmë hazër këtu brënda e t’i themi Tyrqisë se jemi ne zot. Kryengritja duhet të ndizet më tërë kazatë, që të n’a gjejë sahati më këmbë. Pastaj si për të ngarë muhabenë tha: -ju të Mallakastrës ,si e keni mëndjen, me të qeshur Ismail Beu. Bektash Beu hazër xhevap i thotë:- si gjashtëdhjet a shtatëdhjet vjet përpara, me Rrapo aganë (Hekali) e me Veis Benë (Cakrani). Të gjithë qeshnë, po ne nuk na vij. Ashtu ësht’ e di- tha plaku. Çetat filluan punë pastaj dhe pa hyrë behari, u bë një mbëledhje e madhe, që e quajt e përgjithëshme në Qishbardhë. Mbluadhmë tri a katërqint shpyrt e me parinë e Mallakastrës, e me të gjithë dhe shkuam e atje, ku kishën ardhur tërë paria e Vlorës e nga kazatë e tjera. Pasi e shkruajtëm, me Sulltan e me Vezir të math brënda e nukë lamë më, erth’ ajo mëndje që më digj gjithënjë. Ish thënë kaq here, ç’do sahat, autonomi, po kur e pashë në kartë, thashë se këjo po, e ka ëmërin punë. Ne ndaj lëftonim po dhe si do që këkronim e kërkonim të drejtat, po ama kërko më mirë, një gjë të hairit. Bektashi me dhjetë a dymbëdhjet vetë, vanë në Vlorë e si gjithënjë në telegrafhanë, t’i dërgojin kartën Stambollit. Më tjatrën anë, kryengritja vazhdonte në Mallakastër, më kaza të Korçës, më Kurvelesh dhe Stambolli s’kish nga j’a mbante. S’kish mbetur njeri pa u futur më në kryengritje, ç’kulur me Dervish Be (Hima) e me të gjithë, që e lanë Stambollë, po dhe kartërat nuk pushonin lart e poshtë dhe të gjith’ e shihnin si sahatin, që kishën pritur. Megjithë që e kishëm vënë Tyrqinë me shpatulla për muri dhe kishëm arritur të hapnim një si mbëledhje e ujdi, të mirreshin vesh këta tanët me kërkesat t’onë dhe Tyrqia më tjatrën anë, po gjithnjë më diqte halli, se mos ajo na jep më mbretëritë ballkainke atë çast, ndaj duhej të rrëfenim se ishëm të zotë, të lëftonim po dhe të bënim të gjitha pa Dovletin (Perandorinë) dhe e para të mos na marrë nëpër këmbë njeri. Ismail Beu (Qemali) me Ligj Gurakuqnë ishën nëpër mbretëri e dërgonin kartëra nga Triesti, në Vlorë e im vëlla Bekatshi më dëftoi se, thoshën që të mbani armët gati, s’a t’i fitojmë të drejtat, po të vërtetën ne s’kishëm bërë punë tjatër gjë kaq vite, veç të lëftojmë e varda kartëra, po sahati po vinte vërtët.

Mbledhja e Fierit. Përfaqësues i Toskërisë, Hasan Prishtina në bisedimet e Prishtinës.

Gegët na ndihën shumë dhe kur erth’ xhevapi se do filloj të bënëj ujdi me Stambollë e i thashë Bektashit se nashti e kemi radhën neve. Duhej të bënim një mbëledhje të madhe në Mallakastër, se një më dy e në Vlorë, ndaj mbive aty -i thashë tim vëlla Bektashit. Ai qeshi e tha;- s’ka rendesi se ku ngjet e hairit esht’ se ç’bën. E këtë s’e dijëm, rrofsh që na i the, t’a dijmë për nder të math, t’a peshojmë një herë në kandar dhe Mallakastën p’a t’a shohësh, se ti vetëm që ke marrë emërin këtej, pa andej u gatove i tëri. Qeshi pastaj dhe u dorëzua, po si do t’ua themi.- ma kthehu Si çj’a thamë para ca kohe kur do e zgjidhim të na përfaqësonj më Stamboll -ngula këmbë. S’po bëjmë nonjë hata të madhe Hajredin Bej, këjo ësht’ ajo që, ti, unë e të tërë, i detyronemi vatanit se pastaj, ai s’të ka më, në defter të të gjallëve. Në të hyrë të gushtit në Vlorë kish ardhur Ismail Beu me Luigj Gurakuqnë dhe kishën kuvënduar në konak të Imer Aga Radhimës ku u tha se duhej bërë një kuvënt e të mirr pjesë gjithë kazatë që ngrinë krye. Kështu kur vamë për t’ua dhënë si mëndjë, na thanë ju rrofshi, se e kishën në mëndje dhe vetë, po që të ishën hazër të tërë, nuk ma prit mëndja.Ufjalosëm e i dërguam haber të gjithë parinë e sidomos të partë, ata të çetave, që më Skrapar, Berat e me domosdo korçarë, pa Mallakastrës, i mbëlidhnim vetë për një sahat. I dhashë një mëndje për, Cakran Bektashit po atij i‘u nrtnë nervat e më tha, se duhej në meso vëndë (qëndër), që të bënet kuvënt tamëm, e merr vesh që do mbëlidhet gjithë dynjaja apo jo. E kish drejtë ndaj nukuëe ngava më, po i’u futëm punës, me kartëra, me njerëz e me të gjitha. Aty nga mesi i gushtit e lamë më Fier për të bërë kuvëndin dhe ishëm në ethe qysh do vente, pa e dinim kush ishën korçarë, me Beranë e të tjerë, po meraknë e kishëm për parinë e Vlorës, se ishën mësuar t’i bënin kuvëndet, atje më konak të tyrej. Po erth’ të gjithë, me Hamza Benë (Isai), Qazim Aganë *Kokoshi), Brahim Effendinë (Abdullau), Elmas Effendinë (Kanina), Osmën Aganë (Haxhinë), Marko Qypnë e Spiro Koleknë e s’kishën të mbaruar. Folën të tërë, me korçarë, Pandeli Çalen e Izet Zavalanë e të kazave të tjera, im vëlla Bektashi po e po, se ty s’të lë –tha, se e di që do flaç për komisione të përjashmë. More nukë dua se ka aq kallaballëk s’a s’të bie radha të flaç e jo më të dëgjoneç. Bektashi u ngre e u fjalos për të ngrehur në ujdinë e Prishtinës punën e autonomies, që nuk n’a i dhanë dhe që t’i dëftejmë Tyrqisë, duke lëftuar se s’na mban dot me pahir. Ismail Beu (Qemali) tha se na duhet të jemi gati për ç’do gjë dhe duajm të kemi të tëra mëndjet, në ujdinë e bisedimet, se bën vaki që të hynë e t’a shrengojnë dhe të Mëdhenjtë, se këtej Mbretëritë Ballkanike, jo po bënen, po janë bërë hazër e të jemi me mëndje të mbëledhur dhe për të dalë më vete. Kaq duaj unë dhe u bëra sy e veshë për ndonjë të re. Folnë dhe u sqaruan të gjitha gjërat që pru sahati, me ujdinë që do bënin bisedime e do mirreshin vesh në Prishtinë e kishën lënë, e me të gjitha ç’do thuhej. Duhej doemos që, ç’u tha aty të vej dhe në ujdinë e Prishtinës dhë të cakëtoneshin përfaqësonjës për të vajtur atje. Ato që u fjalosnë e që u thane, dëftuan se sahati po vinte e kaq u desh, që t’a ndiz kaza e Vlorës dhe s’pushonej më:- pse të vejë ky e ai, sa që korçartë vunë buznë në gas. Po kish njëri më të saktë që duhet t’u dil mbanë këtyre punëvë, ishën të partë ata ,po zoti Pandeli (Cale) me Izet Zavalanë, kur erth’ ky sahat mdase donin t’ë flisnin, po ku të linte dava (sherr, zhurmë në këtë rast, shen. i red.) e vlonjatëve. I zgjuadh dy vetë, domosdo vlonjatë Qazim Aganë (Kokoshi) dhe Sali Effendi Hallkon. Ca e shihnë me gas e ca me inat, që s’u doll’ e tyre, kur ngehet Sali Hallkua e thotë se kohënë e ç’penzuamë e që të veç atje, do kushedi sa ditë. Të gjithë që bënë gjith’ atë dava, u ra një çere, se nukë e kishën mejtuar kaqë gjë. Kë do vëmë e kujt t’i themi tani, kështu që vetë Sali Effendiu (Hallko) e zgjidhi gjith’ atë hata,që na gjet fët e fët. U fjalos me Smail Benë dhe ky pas asaj që ngjau, tha se do të jetë perfaqësonjës i Toskërisë në bisedimet më Prishtinë me kryengritësit e Kosovës ësht’ Hasan Bej Prishtina, më patriot e njeri i math nukë bënej.

Gusht ’12. Takimi me Ismail Qemalin e Luigj Guarakuqin në Cakran. Duhet edhe mëvehtësia..

Të tërë duallmë nga ky hall e si do që ulur e bëj llafe ishëm, na duhej të preheshim. Më të kthyer, Sali Effendiu i thotë Ismail Beut Qemali) e Luigj Gurakuqit të preheshim tek nè, në Cakran. Për të shumën e miqëve tanë vlonjatë që kur, që me Klubin “Labëri’, më 908 dhe më përpara, s’ishte nonjë gjë e re të rrihin me javë në Cakran, po për Ismail Benë e zotin Luigj ishte her e parë që vijn në konak tonë, pa po dhe klubit më atë kohë j’a vumë prapë emërin. U mluadhmë nja tridhjetë shpyrt të parisë së Mallakastrës me vëllezëri Sulo e Sabri Benë me tim nip Faslli Benë, (Patosi), me Ali Aganë (Rrapo) sekretarnë e degës së klubit më Cakran, me Kamber (Belishova) e Rushit Aganë (Gorishova) e këtu në dhomën e madhe kuvënduam rehat. Pas kafeve e mbëluadhmë veten dhe Ismail Beu j’a këtheu Bektash Beut kusurë dhe i tha që këtu ësht’ vatër atdhetare jo vetëm e trimave e zuri në gojë Veis Benë (Cakrani)e Rrapo Aganë (Hekali), po dhe e dijes e zuri në gojë shkollnë e të tëra e atdhetarizma këtu ka rrënjë të thella. Qëllimi ish që të lidhenë kazatë me njëra -tjatrën e t’a sikterisëm njëherë e mirë Tyrqinë, se sahat më të hajrit, zor se vjen më. Pa e nis im vëlla Bektashi, që e uron miknë, t’i lumçin këmbët që n’a nderove që erdhe dhe je i nderur ti Bej, po jemi dhe ne në këtë udhë, tok do t’a shpëtojmë vatanë se s’bën, duke lëftuar, për t’i bërë dhë nè, njëlloj kërkesat me të Gegërisë. Pastaj e pyet dhe e ngjit atë që thamë në Fier -sikur të shihej dhe ajo puna më vehte, se për atë n’a qan syri kaqë vjet, e Ismail Beu tha se -lumi nukë këthehet dot lartë, këjo udhë do, s’do Tyrqia, atje do vejë, po ne tjatër hall na mundon. Atëherë dhe nè filluajmë t’i pyesëm. Faslli Beu i tha ,-se nder më të math nuk kam ndjerë dhe të lëftojë është puna jonë e detyrë, po si the zotrote Ismail Bej, që Mbretëritë Ballkanike do të futen në luftë e duajn t’a ç’kyejnë Tyrqinë këtu në Ballkan, që në të vërtëtë jemi nè e jo ajo, qysh i bënet, do hapëm luftë me të gjithë, se ne nuke jemi Tyrqi dhe në thëntë ajo s’e dua Ballkanë, ne na mirr lumi për së dyti a njëherë e mirë. Po Ismail Beu tha -se duhet t’i lëftojmë këdo që nget vatanë tënë, andaj duhen këto që themi e duhet që t’i dalëm Mbretërive, po dhe Evropit me luftë e më vehte dhe t’i themi se ka një vënd me ëmër Shqipëri, si gjithë të tjerët, po jo tok me të tjerë, e pastaj të maten mirë. S’mu durua dhe pasi ç’preva gëzimnë tim, që na ka urdhëruar këta njerëz të ç’quar e që na kanë bërë aq nder të math sa nukë dëftonej, thashë- se kërkesat e Gegëve po dhe tonat t’i këndojë Tyrqia më hir ose më pahir, pa e dij që atë çast im vëlla me siguri më vështon vrëngër. -Mirë që do kërkojmë autonomi a të lumtë ajo gojë mjaltë vjen sahati për më vehte, po të gjithë e dijmë që pa n’a mbështetur ndonjë nga të Mëdhenjtë (7 Fuqitë e Mëdha), të mos n’a shkojë nëpër mend, dhe që Nemsja i ka zët rustë e sërbtë, s’do mend, që e kemi krahë, po mbaj mënd si tani, që për ca krushqi e të mos e ngisin, se mos na prishej, perandorija osmanllije, gjermëntë na lanë në baltë a na groposnë fare, në atë mot, që do kishëm bërë këto që po robëtonemi sot. Ismail Beu vuri buznë në gas, e tha se Nemsja nuk është si gjermëntë e tjerë Est le meilleur ami quand aucun autre! (frengj; është miku më i mirë kur s’ka të tjerë) i’u këtheva. Ti e di -më tha, që ka sinorët (kufijtë) dhe ata haen për gjëra të mëdha dhe ne ama, nukë jemi Tyrqi, kështu që ajo është qysh e the, e s’ka nga t’ja mbajë, pa po dhe Italia j’a ka friknë, e dy në dorë, pastaj unë u regja, Hajredin Bej nëpër këto punë, ti duhet t’a diç ndaj, do Perëndija të vijë sahati, pa ne këtu në odë n’a njohën të tërë me ëmra tek Nemsja, se më të sakëtë se ajo s’ka, po dhe kontin Berchtold, ministrin e tyre të jashtmë, e kam pjekur.Pastaj e pyeti Im nip Smail Bej Klosi, Kamber Beu (Belishova) e Ali Rrapua, Hajri Kreshpa e të tjerë, pa uroi dhe Hoxhë Mustafai e tha se -udhë më të mbarë s’bënet dhe ishallah i dhëntë i Madhi ymër kësaj pune, për vatanë e s’ja prite pyetja pyetjen, pa zoti Luigj shënon nonjë llaf, si do i habitur një çikë, më defter dhe mbemë në llaf, që duhet të bënim ç’mos, të lidhëm më mirë luftën me kazatë e tjera e t’a shtrënogim me luftë Tyrqinë, të n’a lëshojë do Zoti, pa i’u sulur Mbretëritë. Në këtë punë, n’a ke në istikam (llogore), se e kemi zanat dhe pa merak, ke lënë njeri për këtë punë, po Ismail Bej vështro Evropin, se s’ësht’ si Tyrqia, e të Mëdhenjtë kanë nga një mëndje, më vete.Per ç’do të papritur n’a duhej një forcë të lëftonej e të qè gati, më ç’do kohë në Fier a në Mallakastër dhe dihet, që këjo hynte më zanat tim. Duhej bërë me çetat që kishëm një battalion, që të bëjë këtë punë. Si e do zakoni, i zoti i konakut im vëlla Bektashi, e mbylli këtë muhabet të gjatë dhe tha, se nè për punën e zotërisë sate kemi gjezdisur gjithë Mallakastrën, Beranë ,gjithë dynjanë, se e dijëm që do n’a përfaqësonej një njeri e patriot i math. Kemi lëftuar që kur me Turqi, po tani dhe jeunes turcs që erth’ tërë premtime, e n’a gënjyen dhe ne nukë e pushojmë luftën, nga njëra anë e nga tjatra sy e veshtë i kemi në marrëveshjen e ujdinë në Prishtinë. Pa ti rrofsh që i ke hyrë kësaj pune, e për vatanë n’a ke pas, sa të kemi frymë. Për ç’do gjë mund të ishëm gati, vetëm Tyrqi s’dëgjonim dot më. Nashti qesh me vehte, kush unë, që s’lija cep të Stambollit pa gjezdisur, e i bija që në Beshiktash e dijla më Gallatë, më Fanar e Xhami e Amet beut, ku kish qënur shën Sofia, e i bij me miq tej e tej Briut të Artë, po punët kishën ardhur ndryshe, se dhe Smail Beu (Qemali), ish atje, por e sikterisi njëherë e mirë Stambollë. Nemsja kur vejëm atje i thosha Autriche, pa Bektashi flit gjuhën e tyre se dhe të doj s’e harron dot, se mbiu në vapor të tyre, sa dhe kartërat i dërgon që andej e që i thoshën Oestrreich Lloyd, po më Vienë se gjeje dhe fijen e flokut më kalldrëm të tyrej, pa kështu se si ishën, si të ftohët e s’të hith sytë, po ata duall në këtë dynja në krah e ata do n’a jepnin mëndje që të bënim edhe ne Shqipëri. Si do që n’a dukej, se fati i vatanit që ishte kaq i madh e i rëndë që të fjalosej në odën e madhe të Bektash Beut, e këta burra që përpiqeshin, me të gjithë fuqitë, në një kohë të ligë që s’na ndih njeri fare. U shtrua buka, që na vajti vërtet në bark. Tërë paria jonë i përcuallmë të gjithë për në vaun e Selishtës. Zura për krahu Brahim Efendinë (Abdullai) e i thashë se do të bije fjalë me tim vëlla Bektashin në Vlorë, si e qysh do t’i bëjmë punët këtej, po im vëlla u sos ka të ngjarë më parë nga ata. Aso kohe ai mbiu në Vlorë dhe më bij kartëra kur i duhej ndonjë gjë, pa vetë vij rrallë, kur i duheshin të holla.

Zgjohu bre, Kadare!

16/10/2012 1 koment

Mexhid YVEJSI

 

ZGJOHU BRE, KADARE!

(Reagim rreth sprovës, shkrimit-vështrimit: “Identiteti evropian i shqiptarëve” të Ismail Kadaresë, botuar në “Koha Ditore” me 28-30 mars 2006)

Mexhid Yvejsi

Mexhid Yvejsi

“Respektoj vetëm ata që më rezistojnë mua,
por nuk mund t’i toleroj ata.” Sharl de Gol

Ende pa përfunduar fushata e sëmurë për ”identitentin e ri të kosovarëve”, çohet Ismail Kadare e rifillon fushatën për identitetin evropian të shqiptarëve! Çka dëshmojnë këto fushata për identitet? Këto fushata dëshmojnë se kemi të meta, sepse ende nuk po e kuptojmë se kush jemi, se cila është e vërteta! E Vërteta, ashtu si Dielli, mund të mjegullohet, të errësohet, mund të pengohet, por jo të agjësohet… Që në kohët e lashta njerëzit e ditur këshillonin si terapi shëruese: Njohjen e vetvetes. Njohja e vetvetes është çelësi për ta njohur Krijuesin, Zotin.

Zoti, sipas B. Pascal-it, është i qartë vetëm në paqartësinë e botës. Ai është një sferë e pafund, qendra e të Cilit është gjithkund dhe perimetri asgjëkundi…

I pranishëm gjithkund je, por asgjëkundi nuk je, z.I. Kadare! Ju bre, Kadare, që nuk e dini ende se kush jemi ne! Ne jemi ata që jemi! Ju që shkruani për identitet, dëshmon se keni një siklet! Kjo po dëshmon se identiteti iu mungon! Ju mungon e ju mundon! Kjo vërehet kur fyen, kur akuzon pse shumica e shqiptarëve janë myslimanë…!

Kombi shqiptar, edhe pse vonë i zgjuar, është komb i formuar…! Shqiptarët kur me shumicë u islamizuan- atëherë shpëtuan. Shpëtuan sepse nuk u asimiluan… Nuk u asimiluan, sepse, në fjalën e Tij, Zoti e ka dhënë dijen e nevojshme për shpëtim… Zgjohuni të përgjumur! Zgjohu bre, Kadare, kudo që je! Duke shkruar për identitet, ju po dëshmoni se prej dhunës ideologjike aq banale, keni kaluar te injoranca profesionale…! Zoti i ka dhënë dijetarëve, atdhetarëve, mjaft dritë që të mund t’i zbulojnë kurthet kundër shqiptarëve. Dituria dhe burrnija e akademik Rexhep Qoses, rreth identitetit, ia çeli sytë krejt botës…! Kur e pyetën Fishtën diplomatët evropianë rreth fesë, ai tha: “Jemi popull me dy fe, por s’jemi popull me Shën Bartolome”

Shqiptarët, pra, nuk janë popull, komb, me Shën Bartolome falë tolerancës së Fesë Islame, që i përkasin shumica e shqiptarëve. Të mos e njohësh këtë tolerancë, të mos e njohësh Fenë Islame, kur nuk ke patur mundësi, nuk është turp. Por, turp është të ngulësh këmbë me kryeneqësi në injorancën tënde, edhe pasi e ke patur mundësinë të mësosh. E keni patur mundësinë të mësoni se Konica tha: “ Të mos ishte Feja Islame, populli shqiptar do të ishte shumë më tepër në numër, por jo shqiptar.” Kur e pyetën diplomatët e huaj në Washington Faik Konicën, që ishte ambasador i Mbretërisë Shqiptare (1926-1939) se cila është feja e shqiptarëve, ai tha: “ Dielën shkojnë në kishë, të premtën në xhami…” E keni patur mundësinë të mësoni se Stavro Skendi në “Historinë e Rilindjes Kombëtare” shkruan:”Shqiptarët myslimanë e përbënin shumicën dhe pa ata nuk mund të kishte Shqipëri.” E keni pasur mundësinë të mësoni se: Koncili i Dytë i Vatikanit, me 25 tetor 1965, ka përcaktuar qëndrimin e Kishës Katolike ndaj Myslimanëve, ku thuhet:

”Myslimanët adhurojnë, si ne, një Zot të vetëm, të Mëshirshëm, që do të gjykojë njerëzimin në ditën e fundit.”

E keni patur mundësinë të mësoni se në librin “Të kapërcehet pragu i shpresës”, Papa Gjon Pali i Dytë thotë: “ Fetaria e myslimanëve meriton nderim.”

Meritojnë nderim fetaria e myslimanëve shqiptarë si Myderriz Ymer Prizreni, Myderriz Haxhi Zeka, që ishin fetarë dhe atdhetarë të devotshëm dhe udhëheqës të Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe Lidhjes së Pejës “Besa –Besën” (1899), Myderriz Vehbi Dibra, nënkryetar i Qeverisë së Vlorës, (1912), Hoxha Kadri Prishtina, i Kongresit të Lushnjës, (1920) ku iu vuan themelet Shqipërisë, si edhe qindra e mijëra fetarë dhe atdhetarë të tjerë, deri te Shaban Jashari me familjën e tij, që u flijuan për Kosovë, për Shqipni…

Shqiptarët e pranuan dhe e trashëguan Krishterimin, sikur që e pranuan dhe e trashëguan Islamin, që të dyja janë nga Lindja…Por, nuk mjafton që të trashëgosh Krishterimin apo Islamin, por është e domosdoshme që me meritë të fitosh. Duhet të meritosh trashëgimin tënde, thoshte Gëte, që të posedosh.

Shumica e shqiptarëve myslimanë e meritojnë këtë dhe janë të kënaqur me besimin që trashigojnë, që posedojnë. Po ju çka trashëgoni, çka posedoni z.Kadare? Trashëgoni atë që e mohoni …! Veprat që i posedoni pse po i ritushoni? Ndoshta ato iu mallkojnë, iu akuzojnë, sikur në poemën “Përse mendohen këto male” kur akuzoni dhe dënoni Kryqin e Krishtin, gjysmëhënën e Islamit, turqishten e Kur’anit, fyeni, dënoni e poshtëroni logjiken latine e arabe, mallkoni priftërinjt e hoxhallarët, minaretë e kambanaretë …Në poezinë me titull “Në Kishë” shkruar me 1958, shkruani:”Vërtet s’jam i krishter… dhe tallesh me Ungjillin, Librin Hyjnor…

Në poezitë “Perëndimi” dhe “Interpejshazhi” tallesh, fyen, e akuzon Perëndimin, Evropën, që sot e lavdon,:”Romat, Samarkandët, Vashingtonët, Moskët, fituan shpesh toka, flamurë, vota. Por, shekujt kurrë s’i fituan ata.”

Evropën e mallkon, kurse sot e dashuron, dje u talle me kulturën, zhvillimin e saj, i përqeshe qytetet me kulla, me kambanare, me kryqa, me kapitalistë plot dhjamë dhe mbi ”Shën Mërinë e Parisit” u krenove që vure qeleshe, edhe këtu gjete vend dhe u përqeshe…! A keni harruar çka keni shkruar? Keni shkruar, që jeni krenuar, se në gjoks mban ”Në metal të distinktivit, fytyrën e dashur të Leninit”! “Qindra vite kaluan duke i ndjekur krimet e vegjël, por bota nuk e zbuloi dot krimin e madh, po në botë ja u ngrit, me mjekër të gjatë gjer në retë. Parathënësi më i madh me emrin Marks”, nga poezia “Te Kështjella e Hamletit në Danimarkë”

A jeni penduar për gjithë ato çka keni shkruar? A jeni penduar që keni fyer, akuzuar, poshtëruar, dënuar librat hyjnorë-Ungjill e Kur’an, keni sharë priftërinj e hoxhallarë, minare e kambanare, keni dashuruar komunizmin, keni urrejtur kapitalizmin, Evropën, Perëndimin, Romën e Bonin, Parisin e Washingtonin… A jeni penduar që keni dashuruar dhe jeni krenuar me fytyrën e dashur të Leninit, me mjekrrën e Marksit, të cilin e queni “profeti më i madh i njerëzimit dhe zbulues i rrugës së krimit…”! Nëse jeni penduar, për ato që keni shkruar, atëherë, unë s’kam pse me vazhduar. Prej sotit je dorë të Zotit…! Por, jetën politike, fetare dhe kombëtare nuk duhet shikuar përmes imagjinatës, iluzioneve dhe fantazisë. Vështrimin tonë duhet ta kthejm kah vetja jonë, drejt jetës, drejt së vërtetës. E vërteta është se sistemi i vlerave që e ka ndërtuar strukturën tradicionale të Perëndimit buron nga filozofia antike greke, kultura romake, trashëgimia pagane e popujve barbarë, feja e krishterë, të cilën Evropa e ka interpretuar në një mënyrë specifike të veten, e ndikuar pjesërisht nga Hebraizmi dhe Islamizmi…Por, Evropa e sotme vjen nga Iluminizmi… Iluminizmi në vend se të ndriçojë ndodhi shpesh që ai errësoi…!

Sot, tipari më i veçant i qytetërimit perëndimor është sekularizmi. Kuptimi i termit sekularizëm në rrafshin praktik është nxerrja e fesë jashtë jetës. Kristianizmi, sot, në Evropë, nuk ka funkcion politik, ekonomik, kulturor, shoqëror…Ka mbetur një lidhshmëri sipërfaqësore emocionale dhe një dekor me ngjyrë sociale…. Në projekt-kushtetuten e Bashkësisë Evropiane nuk hyri trashëgimia kristiane. U mundua Papa, u mundua Vatikani, por nuk iu shkonte zani…! Në këtë projekt-kushtetutë, edhe sot, mungon fjala Zot…!

Identiteti evropian i shqiptarëve është një përshtatje e re. Çdo pështatje e re, thoshte, Erih Hofer-i, është krizë e vetëvlerësimit. Ne kemi kriza të tjera, si të mirëbesimit, mirëkuptimit…, por jo të vetëvlerësimit…!

Zgjohu bre, Kadare, kudo që je…!

Shqipëria e ka të vështirë ta shohë të kaluarën e saj, është ende e kushtëzuar nga koha e Enver Hoxhës

06/09/2012 Lini një koment

Oliver Jens SCHMITT, Neue Zürcher Zeitung

 

SHQIPËRIA E KA TË VËSHTIRË TA SHOHË TË KALUARËN E SAJ, ËSHTË ENDE E KUSHTËZUAR NGA KOHA E ENVER HOXHËS

Oliver Jens Schmitt

Oliver Jens Schmitt

Ndërsa në shtetet e Europës Lindore përpunimi faktik dhe moral i komunizmit ka filluar të paktën pjesërisht, në Shqipëri nuk ndodh pothuaj asgjë. Shoqëria është akoma shumë e kushtëzuar nga koha e Enver Hoxhës, për të guxuar të hedhë vështrimin e saj në tmerret e së kaluarës.

Tridhjetë vjet më parë, Republika Popullore e Shqipërisë ishte Korea e Veriut e Europës. Diktatori Enver Hoxha, sundues që prej 1944-ës, e izoloi vendin dhe banorët e tij nga pjesa tjetër e botës. Shqiptarët e izoluar u indoktrinuan se ishin avangardët e komunizmit botëror, ruajtësit e vetëm të ortodoksisë së vërtetë marksiste-staliniste pas devijimit të Bashkimit Sovjetik mbas vdekjes së Stalinit dhe largimit të Kinës prej mësimeve të Maos. Kësisoj, Shqipëria ishte e rrethuar prej armiqve, nga “imperialistët” në Perëndim, “monarkofashistët” në Greqi, “titistët” jugosllavë në lindje dhe veri. Edhe brendapërbrenda “popullit të rrethuar” rrinin në pritje kundërshtarët, të cilët duhet të luftoheshin pa mëshirë, mbi të gjithë “poliagjentët”, si Mehmet Shehu, bashkëluftëtari i fundit i Hoxhës nga koha e partizanëve në Luftën e Dytë Botërore dhe për shumë vite ministër i Brendshëm dhe Kryeministër, i akuzuar më 1981 si spiun i shumë fuqive të huaja dhe, sipas gjasave, i shtrënguar të vrasë veten. Frika e rrethimit u vizualizua me ndërtimin e qindra mijërave bunkerëve, një deri katër vetësh, prej të cilëve do të sulmoheshin pushtuesit. Kritikët e programit absurd ushtarak dhe ekonomik u ekzekutuan në vitet ’70.

Vazhdimësi e fortë elitash

Bota përtej nuk merrte asnjë informacion mbi luftën për pushtet të komunistëve shqiptarë apo mbi kushtet e jetës së qytetarëve.  Kështu, Shqipëria u kthye në vendin më të mistershëm të Europës, një vend rreth të cilit edhe vetë atyre pak specialistëve shpesh nuk u ngelej veçse të spekulonin. Perëndimi e vështronte me rrëqethje këtë diktaturë, që sa e parrezikshme ishte për fqinjët e tij, aq penetruese ishte në jetën e njerëzve të kyçur në Shqipëri. Vetëm pak grupe të vogla maoiste-leniniste, si p.sh. ato në Republikën Federale Gjermane, e glorifikonin vendin si një parajsë socialiste mbi tokë.

Çfarë dimë sot rreth Shqipërisë enveriste? Përgjigjja është deziluzionuese: Në Shqipëri, historianët e lidhur me partinë i shmangen Epokës së Komunizmit. Varianti zyrtar i historisë paraqitur nga Akademia Shqiptare, për t’iu shmangur çdo lloj saktësimi të termave dhe, si rrjedhim, edhe vlerësimit ideologjik, flet për “kohën e pasluftës”. Vazhdimësia e elitave në politikë dhe në shkencë është e fortë. Nëse flitet për epokën komuniste, kjo ndodh në mënyrë tepër të politizuar dhe emocionale. Ai përpunim kritik që ndodh i dedikohet iniciativës së disa intelektualëve të angazhuar të shoqërisë civile, si Fatos Lubonja dhe Revista e tij “Përpjekja”, ose Ardian Klosi, ndarë pak kohë më parë nga jeta. Këta, dhe kolegët e tyre, kur kërkojnë një debat mbi pasojat e diktaturës shumëvjeçare, përballen shpesh me urrejtje të pastër.

Lexuesi shqiptar gjendet përballë një bulevardizimi të fortë të kujtesës, që kryhet nga gazetarë të orientuar nga sensacioni dhe ish-kuadro të partisë, që në kujtimet e tyre përshkruajnë merita të pretenduara personale para vitit 1991 dhe persekutimin e tyre të supozuar më pas. Kur publicisti Blendi Fevziu botoi para pak kohësh biografinë e parë të Diktatorit, libri i mbushur plot anekdota pati një sukses të madh te publiku. Por simpatizantët e regjimit u irrituan me zë të lartë; në Ferizajn kosovare, madje, libri u dogj, shenjë se Enver Hoxha, si një udhëheqës i fortë, nuk glorifikohej vetëm në epokën jugosllave.

Arkivat e shërbimit sekret, të frikshmit Sigurimi, vazhdojnë të qëndrojnë kryesisht të mbyllura. Prej viteve nëntëdhjetë ato përdoren si prej kundërshtarëve të papajtueshëm “socialistëve” postkomunistë ashtu edhe prej “demokratëve” në krye të pushtetit, të cilët përtej retorikës janë po aq të lidhur me regjimin e Hoxhës, mbi të gjitha, për të diskretituar kundërshtarin politik. Trashëgimia e rrjetit të plotë të spiunëve të regjimit të Hoxhës përfaqëson sot një dollap helmesh të shoqërisë shqiptare, prej të cilit ushqehen thashetheme dhe dyshime.

Edhe jashtë Shqipërisë interesi dhe dija mbi diktaturën e Hoxhës janë minimale. Se sa i vështirë është klasifikimi i sistemit e tregoi një takim i historianëve të rinj bashkëkohorë në fillim të vitit në Vjenë: teksa për RDGJ dhe Çekosllovakinë e viteve shtatëdhjetë – tetëdhjetë shkenca flet për “shtete socialiste” dhe e sheh të tejkaluar tashmë teorinë e totalitarizmit, vlerësimi i historianit të ri shqiptar, se Shqipëria duhej konsideruar si një sistem totalitar ngjalli çudi e, madje, refuzim.

Shoqëria e transformuar

Ashtu si në regjimet e tjera komuniste, edhe në rastin e Shqipërisë interpretimet luhaten midis theksimit të dhunshmërisë së regjimit dhe ndryshimeve që ka arritur një “diktaturë modernizuese”. Është e padiskutueshme që komunistët e transformuan shoqërinë e tyre: Industrializimi, një nga kolektivizimet më radikale të tokës në Europën Lindore, ndërtimi i një infrastrukture arsimore, shkencore dhe transporti, alfabetizimi i një populli gati të paarsimuar, ndalimi i feve dhe barazia formale e gruas e ndryshuan rrënjësisht shoqërinë që më 1945 ishte akoma osmane.

Por regjimi ndërtoi edhe një sundim të terrorit. Ai erdhi në pushtet i dalë nga një luftë civile (1941-1945) kundër partizanëve jo komunistë me mbështetjen e Jugosllavisë së Titos; eliminoi elitat e vjetra kulturore dhe shoqërore; veproi në mënyrë klanoredhe mirëmbajti deri në vitet tetëdhjetë kampe ndëshkimore, ku me mijëra detyroheshin të punonin në kushtet e një skamjeje të tmerrshme. Emigracioni u ndalua kurse migrimi brenda vendit u kufizua radikalisht: Populli shqiptar, migrues klasik, u burgos me plot kuptimin e fjalës. Regjimi u imponoi shtetasve të tij orientime të ndryshme: Mbas Jugosllavisë (deri më 1948) pasoi Bashkimi Sovjetik (deri më 1961) e më pas Kina maoiste (deri 1978) si fuqi proteksioniste, të cilat sollën parà për mbështetjen e ndërtimit të industrisë dhe ideologjisë, parà të cilën Shqipëria nuk ishte gati t’i kthente, gjë që shpjegon shumë herë më mirë sesa histeria ideologjike prishjen me fuqinë proteksioniste të radhës.

Shqipëria importoi “revolucionin kulturor” të Maos, por i dha atij edhe karakteristika të vetat: Duke filluar prej viteve shtatëdhjetë, nacionalizmi arriti kulmin e tij dhe prejardhja e shqiptarëve prej ilirëve u kthye në doktrinë shtetërore. “Njeriu i ri” i llojit shqiptar nuk duhej vetëm të kapërcente të gjitha pengesat e natyrës, të kishte ndërgjegje klasore, të ishte i shëndetshëm dhe i fuqishëm ashtu si modeli i tij shembull sovjetik dhe kinez, por ai duhet të ishte edhe një nacionalist i bindur dhe ateist.

Dekretimi i ndalimit të fesë më 1968, i cili u zbatua me një brutalitet të jashtëzakonshëm, e ktheu Shqipërinë, të paktën zyrtarisht, në shtetin e vetëm ateist të botës. Stalinizmi dhe nacionalizmi, me theksin te kjo e fundit, përbënin ideologjitë bazë të regjimit. Brenda këtij nuk mungonte as larja e hesapeve mes kuadrove të lartë të partisë, që i tërheq vazhdimisht historianët te komunizmi: Hoxha, në “spastrimet” e tij, ndiqte me zell shembullin e Stalinit. Në këtë kontekst harrohet shpesh fakti që viktimat e tij ishin vetë gjithashtu përgjegjës për krime të rënda. Nomenklatura e Hoxhës i ngjante në shumë aspekte asaj të Stalinit: një klan që kishte në dorë edhe pushtetin edhe të mirat materiale.

Në Shqipëri mbizotëron sot më shumë interesi te personat sesa te çështjet e strukturave sociale. Për shembull, sesi ndërtimi i një metalurgjiku gjigant e shndërroi qytetin osman të Elbasanit në një kombinat dhe qytetarët e tij në rrotëza të një mekanizmi industrial, sapo ka filluar të hulumtohet. Mbetet akoma për t’u analizuar nëse barazimi i brohoritur propagandistik i gruas solli vërtet një përmirësim apo thjesht një ngarkesë të dyfishtë në familje dhe në pune. Sesi izolimi i vendit ndryshoi edhe vetë jetën private të njerëzve po bëhet gjithmonë e më e qartë: nga frika, shpesh heshtej edhe në rrethin më të ngushtë familjar.

Sigurimi kishte vendosur një sundim të terrorit. Kontrolli i regjimit mbi çdo gjë që ndodhte i ngjante skenave Orwell-iane, si p.sh. kur klasa punëtore mallkonte me parulla urrejtjeje grupet e politikanëve të rrëzuar. “I jemi betuar Partisë dhe shokut Enver se do t’u qëndrojmë besnikë dhe se jemi gati t’u falim jetën tonë, sepse jetën dhe fatin ia dedikojmë Partisë.”

Raporte të shërbimit sekret tregojnë edhe se ku gjendeshin rezervatet e vogla të privates, veçanërisht në periudhën e fundit të regjimit: në zonat kufitare njerëzit i drejtonin antenat nga vendet fqinje dhe u justifikoheshin kontrolluesve se drejtimin ua kishte ndryshuar era. Në fshehtësi praktikoheshin madje edhe rite fetare. Por edhe pse hapësirat private ishin tepër modeste, në fillim të viteve tetëdhjetë Partia përforcoi luftën kundër asaj pak prone private që i kishte mbetur fshatarit. Kësisoj, me përjashtim të nomenklaturës së furnizuar mirë në lagjen e rrethuar të “Bllokut”, që e përkëdhelte veten me qumësht të freskët dhe spaghetti italiane, në fund të kohës së Hoxhës në Shqipëri mbizotëronte varfëria e madhe dhe mungesa e furnizimeve.

E mbrujtur me trashëgiminë e Hoxhës

Për të kuptuar Shqipërinë e Hoxhës duhet të dimë më shumë për njerëzit që mbështetën atë dhe ndërtimin e komunizmit, që kontribuan në luftën pa mëshirë kundër atyre që mendonin ndryshe. Botëkuptimi manichais-t (manikeist) i Hoxhës shpjegon pjesërisht paaftësinë për dialog e kompromis të elitës së sotme politike. Asaj nuk i bie në sy se sa shumë e mbrujtur është me trashëgiminë e Hoxhës. Për këtë asaj do i duhet të mësojë që të flasë mbi të kaluarën (edhe mbi atë personale) dhe që të gjejë një gjuhë për atë që ka ndodhur. Por koha e Hoxhës ka mbrujtur të gjithë shoqërinë shqiptare. Prandaj, çelësi për të kuptuar të kaluarën dhe të sotmen e Shqipërisë nuk është te vështrimi nga udhëheqësi komunist, por te pyetja se cilët ishin njerëzit e thjeshtë që kontribuan për komunizmin. Deri atëherë, shumica e shqiptarëve janë të vendosur të mos i hedhin sytë në këtë pasqyrë.
*Marrë nga Neue Zürcher Zeitung.

Përktheu: Selfmaderadio.

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 63 ndjekësve të tjerë

%d bloggers like this: