Arkiv

Archive for the ‘Shqiptarët dhe Orienti’ Category

Media turke: Shqiptarët në Turqi po zgjohen

21/03/2014 Lini një koment

Hüsrev TABAK
Today’s Zaman

 

MEDIA TURKE: SHQIPTARËT NË TURQI PO ZGJOHEN

Today's Zaman

Hüsrev Tabak, zëvëndës presidenti CESRAN (Qendrës Strategjike për Kërkime dhe Analiza), në një analizë botuar në gazetën më të madhe turke Today’s Zaman i kushton vëmendje deklaratës së ish futbollistit të famshëm Hakan Şükür, i cili deklaroi që ishte shqiptar. Tabak përshkruan shkurt marrëdhëniet turko-shqiptare në vite, dhe thekson se shqiptarët në Turqi tashmë po zgjohen. Sipas tij Turqia duhet t’i kushtojë shjumë rëndësi shqiptarëve, sepse sipas tij ata tashmë shqiptarët janë grupi i tretë etnik më i përfaqësuar në Parlament, megjithëse përkatësia e tyre politike nuk ndjek një linjë etnike.

 

Zgjimi shqiptar: Krimbi është kthyer!

 

Deklaratat e artikuluara javën e kaluar nga Hakan Şükür, një ish-lojtar i njohur i futbollit dhe tani deputet në parlament, tërhoqi shumë vëmendje dhe i kujtoi publikut se në Turqi jetojnë shqiptarë etnikë. Şükür deklaroi: “Për hir të unitetit kombëtar, diskurset racore duhen lënë mënjanë. Nëse ne i perceptojmë dallimet që kemi si ndarje dhe jo si diversitet, atëherë jemi ne ata që humbasim. Për shembull, unë jam etnikisht shqiptar, dhe nga këndvështrimi i parë (nëse do të marrim etninë si faktorin primar që përcakton kombësinë), unë nuk jam turk. Por kjo gjë nuk na çon ne drejt së vërtetës. Duke bërë këtë, ne të gjithë do të jemi në kërkim të asaj çfarë është e drejtë. Në këtë pikë shteti duhet të jetë në kërkim të drejtësisë.”

Me sa duket ajo çfarë ai tha është në përputhje me vijën politike të partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK), dhe debatet se deklarata e Hakan Şükür do të thoshte se ai po refuzon pjesën turke të identitetit të tij, është tërësisht një marrëzi e medias. Partia për Drejtësi dhe Zhvillim në Turqi është përpjekur gjatë për të lënë identitetin etnik jashtë vijës politike, për hir të unitetit kombëtar. Pas raportimeve mashtruese të mediave, Şükür doli për të konfirmuar qëndrimin e tij dhe vendosi theksin mbi “një komb, një atdhe, një flamur dhe një gjuhë” në fjalimin e tij shpjegues.

Konkluzioni që del nuk është njëanshmëria e medias kundër partisë që është në pushtet, ose qasja ndaj etnisë dhe diversitetit etnik. Përfundimi i vërtetë i këtij incidenti është se kjo ishte një thirrje për një zgjim të komunitetit shqiptar, identiteti etnik i të cilit ka mbetur nën sipërfaqen e shoqërisë për më shumë se gjashtë dekada në Turqi.

 

Rrënjët e multikulturalizmit në periudhën osmane

 

Prania e shqiptarëve etnikë në Turqi është një trashëgimi e mbetur nga periudha e Perandorisë Osmane. Që nga fundi i shekullit të XIX-të, populli shqiptar në Ballkan emigroi për në zemër të Anatolisë, për shkak të luftërave dhe presioneve politike që kanë hasur vendet e tyre. Turqia, veçanërisht gjatë periudhës republikane, lejoi emigrimin e shqiptarëve etnikë në vend.

Historia Osmane, veçanërisht e shkruar nga nacionalistë, mallkon shpesh përfshirjen e shqiptarëve muslimanë në rebelimet e shekullit të XIX-të që rezultuan në toka të ndryshme në Ballkan, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, në të cilat ushtria Osmane humbi kontrollin. Nga ana tjetër, historia shqiptare akuzon osmanët se kanë shfrytëzuar Shqipërinë për më shumë se katër shekuj. Përveç kësaj, që kur shqiptarët luftuan dhe u çliruan nga osmanët, ato historikisht i kanë parë osmanët si “të tjerë” dhe Turqinë si pasardhësit e vetëm të këtyre “të tjerëve”.

Ndërkohë që të dyja palët kanë ndërtuar mite dhe armiqësi kombëtare që kanë mbetur në retorika të qarqeve dhe politika nacionaliste kombëtare, njerëzit e zakonshëm kanë vazhduar një marrëdhënie vëllazërore me njëri-tjetrin. Lidhjet ndërpersonale dhe transnacionale, të ndërtuara pas emigrimit masiv të shqiptarëve, sidomos nga Jugosllavia në Turqi, kanë luajtur rol të madh në këtë gjë.

Për këtë qëllim, Turqia pothuajse asnjëherë nuk ka pasur problem me shqiptarët si minoritet. Për këtë kanë luajtur rol dy faktorë. Në rradhë të parë, emigracioni i shqiptarëve u pranua nga Turqia sepse këta shqiptarë kishin deklaruar, përmes vizave që kishin marrë nga trupi diplomatik turk në Jugosllavi, se ata ishin etnikisht turq.
Kjo ishte pjesërisht e vërtetë, sepse ato mund të flisnin gjuhën turke; turqishtja ishte folur në vendin e tyre që në kohën kur ato kishin qenë të pushtuar nga osmanët. Përveç kësaj kultura e tyre ishte e përzier me kulturën turke, dhe kështu nuk kishte shumë dallime jeta urbane shqiptare nga jeta urbane turke, dallimet ishin të dukshme vetëm në jetën që bëhej në fshat. Në fakt situata mbetet pothuajse e njëjtë edhe sot në Kosovë: Afërsisht 200000 njerëz mund të flasin turqisht edhe pse vetëm një e katërta e tyre e deklarojnë veten etnikisht si turq. Në fund të fundit, për shkak se vala e emigrantëve që erdhën në Turqi deklaruan se ishin turq, dhe për shkak se ato ishin mirënjohës ndaj Turqisë, se ajo u hapi dyert dhe u mundësoi një mënyrë për të fituar jetesën, ato nuk kanë insistuar në njohjen e identitetit të tyre etnik autentik.

Së dyti, Turqia kurrë nuk ka lejuar që pakicat të flasin në skenën politike në mbrojtje të të drejtave të tyre etnike dhe ka qenë gjithmonë për asimilimin e minoriteteve në kombin turk. Shqiptarët, kanë qenë gjithmonë bashkëpunues për lulëzimin e Turqisë, ishin të lumtur të ishin pjesë e një kombi, himni i të cilit ishte shkruar nga një shqiptar, Mehmet Akif Ersoj.

 

Ndikimi i shqiptarëve në punët e jashtme

 

Në jetën e përditshme, ne rrallë dëgjojmë për prezencën etnike shqiptare në Turqi. Ato të cilët e identifikojnë veten vullnetarisht si shqiptarë, sillen si një urë konstruktive mes Shqipërisë dhe Turqisë, apo Kosovës dhe Turqisë. Ashtu siç sugjeron edhe literatura ndërkombëtare në çlirimin e Kosovës nga sundimi serb, shqiptarët e Kosovës në Turqi kanë kontribuar shumë në marrëdhëniet Kosovë-Turqi gjatë vitit 1990, kur shqiptarët në Kosovë u tërhoqën nga institucionet shtetërore dhe sistemi arsimor, dhe filluan të angazhohen në sulmet rebele kundër Serbisë. Roli i tyre në ndërtimin e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Kosovës gjatë kohës të bombardimit të Serbisë nga NATO, ishte përsëri konstruktiv. Kjo gjë gjithashtu vazhdoi edhe pas pavarësisë së Kosovës.

Pamja e mësipërme tregon se shqiptarët kanë qenë njerëz besnikë të shtetit dhe kombit turk dhe se kjo besnikëri është krijuar nga shqiptarët duke lënë jashtë politikës përkatësinë dhe identitetin e tyre etnik. Deklaratat e Hakan Şükür verifikojnë pikërisht këtë gjë.

Megjithatë, duke parë anën tjetër të medaljes, ne do të marrim një ide më konkrete të vendit që zënë shqiptarët në trekëndëshin përkatësi etnike, besnikëri dhe kombësi. Gjatë kohës kur deklarata e Hakan Şükür u përfol shumë në mediat shqiptare, një figurë kyçe e komunitetit shqiptar në Turqi, presidenti i marrëdhënieve ndër parlamentare Turqi-Shqipëri dhe deputeti i Izmirit i partisë AK, Rıfat Sait, duke miratuar identitetin shqiptar të Hakan Şükür, deklaroi: “Unë jam shqiptar. Sot janë rreth 50 deputetë shqiptarë nga parti të ndryshme në Parlament.”

Në të vërtetë, kjo është diçka për të cilën publiku në Turqi nuk di gjë dhe nuk e ka dëgjuar më parë. Turqia ka vuajtur gjatë nga nacionalizmi ndonjëherë racist turk i ushqyer nga pushteti dhe forcat militariste të opozitës kurde, ndërkohë që këto dy forca zënë shumicën e vendeve në parlament. Shqiptarët janë grupi i tretë etnik më i përfaqësuar në Parlament, megjithëse përkatësia e tyre politike nuk ndjek një linjë etnike.

Kur kemi parasysh se besimtarët e identitetit etno-politik përpiqen për të përcaktuar kufijtë e grupit të tyre, pohimet e Rifat Sait marrin më shumë kuptim. Turqia është një vend multietnik, dhe grupet historikisht të shtypura (ose që kanë heshtur vullnetarisht) kanë mësuar shumë nga lufta etnike kurde për njohje ligjore. Ata janë shumë të kujdesshëm për të mos qëndruar jashtë me pretendimet e hapura etnike, edhe pse në të kundërt, ato sillen në mënyrë bashkëpunuese dhe përpiqen që të perceptohen si një komunitet farefisnor, vëllezër që ndajnë një histori, kulturë dhe fe të përbashkët. Më saktësisht, ata përdorin pozitën e tyre si një urë mes vendit të tyre të origjinës dhe vendit pritës për të afirmuar përkatësinë e tyre etnike. Shqiptarët në Turqi, dhe veçanërisht Rafat Sait, duke ruajtur një marrëdhënie të ngushtë me Kosovën dhe Shqipërinë, dhe duke i lidhur marrëdhëniet e këtyre vendeve me rrethanat e Turqisë, kanë futur një formë romani për njohjen e luftës etnike, nga e cila grupet e tjera etnike në Turqi mund të mësojnë më shumë.

Deklaratat e fundit në lidhje me praninë shqiptare në Turqi janë me të vërtetë një shenjë e një zgjimi politik që është mbështetur nga marrëdhëniet ndërshtetërore të Turqisë. Prandaj ky është një veprim në një kohë të përshtatshme që ndoshta mund të reflektojë në draftin e Kushtetutës së re.

 

Elita shqiptare e Turqisë

 

Jahja bej Dukagjini

Është një nga djemtë e familjes së Lekë Dukagjinit, që mund të jetë strehuar ose marrë peng dhe është rritur në oborrin e Sulltanit, dalluar si ushtarak i zoti. Ka marrë pjesë në luftimet që komandonte Sulltan Sulejman Kanuni në Tameshvar (Hungari).

 

Osman bej Dukagjini

Nipi i vezirit hero, Ahmet Pashë Dukagjinit, dhe biri i Mehmet Pashë Dukagjinit. Ai ishte dijetar i urtë e punoi si kadi në Stamboll. Hartoi veprën biografike “Kaditë e Stambollit”.

 

Arkitekt Kasem Agai

Ka lindur në fshatin Grëmsh, të krahinës së Tomoricës. Rininë e parë e kaloi në Berat. Pastaj i ati e dërgoi në Stamboll për studime profesionale. U bë asistent pranë Koxha Mimar Sinanit (të madh) dhe Sedefqar Mehmet Elbasanit. Duke u dalluar në punime arkitekturale, më 1595 u afirmua arkitekt i pallatit. Më 1622 u bë kryearkitekt. Ka ndërtuar JENI XHAMI (Xhaminë e re) të Stambollit dhe ka edhe shumë vepra të tjera.

 

Kryemjeshtër Mehmet Isa

Është arkitekt me origjinë shqiptare, një nga kryemjeshtërit e Tyrbes së famshme TAXH-MAHAL në INDI. Mehmet Isai kishte lindur në Opar.

 

Arkitekt Sinan Atik Agai

Ky arkitekt quhet edhe Sinan Isuf. Megjithëse nuk dihet plotësisht jeta e tij, shumë shkrimtarë thonë se Sinan Atiku ka qenë shqiptar, edukuar në pallatin osman. Ishte arkitekti që kishte ndërtuar XHAMINE FATIH të Stambollit.

 

Arkitekt Mehmet Sedefqar

Është marrë nga Elbasani më 1562 dhe u bë nxënësi dhe asistenti i Koxha Mimar Sinanit. Bëri studime në Rumeli dhe Lindje të Mesme. Në vitet 1597–1598 ai ishte drejtor i përgjithshëm i krojeve të Stambollit, ku shërbeu 8 vjet. Më 1606 u bë kryearkitekt, ndërtoi dhe zbukuroi mjaft faltore dhe pallate. Kryevepra e tij është Xhamia e Sulltan Ahmetit (Xhamia Blu).

 

Dedë Ismail Efendi

Ka lindur në Stamboll, por rrjedh nga një familje shqiptare. Babai i tij, Sulejman Agai, ishte shpërngulur nga Elbasani për në Stamboll. Kishte blerë një hamam dhe nga ky mbante mbiemrin Kosturi, që e shndërroi në Hamamizade (bir hamamxhiu). Këngët e tij u pëlqyen edhe nga Oborri i Sulltanit. Më pas atë e emëruan kryemuzikant në Pallat. Këngët ishin me karakter popullor dhe hartuar me një turqishte të thjeshtë. Kënga e titulluar “Fati im i zi, varet te flokët e tua”, u pëlqye shumë prej Sulltan Selimit. Dede Ismail Efendiu kishte kompozuar më tepër se 200 vepra muzikore. Sot kanë mbetur të paharruara dhe dëgjohen me kënaqësi, 160 këngë klasike turke.

 

Dijetarë të shquar turq, me origjinë shqiptare

 

HALIL PASHA BUSHATI

Poet dhe dijetar

 

HUSEIN QAMIL BEJ TEPELENA

Nipi i Ali Pashë Tepelenës, poet, ka vepra të botuara dhe rreth 15 dorëshkrime.

 

SELIM SIRRI PASHA

Nipi Ali Pashë Tepelenës, poet lirik i dalluar

 

MUSTAFA RESHIT SALIH PASHA

Lindi në Janinë, biri i Vezir Mehmet Aqif Pashës. Kishte hartuar poema filozofike.

 

HASAN HAKI PASHA

Ka lindur në Shkodër dhe padishahut i qe paraqitur me petka shqiptare. Shërbeu si zëvendësvali.

 

NUMAN MENEMENXHIOGLU

Diplomat i dalluar, shërbeu si ambasador në Paris në fillim të Luftës II Botërore. Deputet gjatë viteve 1955-1956 dhe 1957-´58.

 

TURHAN PASHA

I lindur në Janinë, diplomat dhe burrë shteti. Në kohën osmane shërbeu si ambasador në Vjenë, Moskë, Madrid etj. Pas Luftës I Botërore mori pjesë në qeverinë shqiptare. Në Konferencën e Paqes, mbajtur në Paris më 25 shkurt 1919, mbrojti të drejtat shqiptare, duke bashkëpunuar me shumë delegacione të diasporës shqiptare.

 

Mehmet Akif Ersoy, shkrimtari i Himnit Kombëtar turk

 

I lindur më 1873, Mehmet Akif Ersoy edhe pse me profesion veterinar, kishte ndikim të madh në letërsi dhe rrethet fetare të periudhës së fundit të Perandorisë Osmane. Poemat e tij përmbledhin proza, derisa ai përdorte gjuhën e zakonshme edhe në vargjet e sofistikuara të poezive të tij. Përmbledhja e famshme e poemave të tij “Safahat”, lexohet me të madhe në Turqi. Mehmet Akif, babai i të cilit ishte një shqiptar nga Kosova dhe nëna e tij një turke, është lindur në Fatih të Stambollit më 1873. Ai kishte një jetë të thjesht dhe të stilit tradicional. Emri i tij origjinal është Mehmet Ragiyf. Ai jetoi në një kohë kur dëshpërimi dhe varfëria ishin në nivelin më të lartë në administratën e vendit, pas kapitullimit të Perandorisë Osmane. Akifi vdiq më 1936 në Stamboll por veprat e tij jetojnë edhe sot e kësaj dite.

 

Kryeministrat e Perandorisë Osmane me origjinë shqiptare

1. Zaganos Pasha

2. Gedik Ahmed Pasha

3. Davud Pasha

4. Dukakinzade Ahmed Pasha

5. Pargali Ibrahim Pasha

6. Ayas Mehmed Pasha

7. Çelebi Lutfi Pasha

8. Kara Ahmed Pasha

9. Lala Kara Mustafa Pasha

10. Koca Sinan Pasha

11. Serdar Ferhad Pasha

12. Yemisçi Hasan Pasha

13. Gumulcineli Damad Nasuh Pasha

14. Ohrili Huseyin Pasha

15. Mere Huseyin Pasha

16. Tabaniyassi Mehmed Pasha

17. Sultanzade Mehmed Pasha

18. Kara Dev Murad Pasha

19. Tarhoncu Ahmed Pasha

20. Zurnazen Mustafa Pasha

21. Koprulu Mehmed Pasha

22. Koprulu Fazıl Ahmed Pasha

23. Koprulu Fazıl Mustafa Pasha

24. Arabaci Ali Pasha

25. Amcazade Koprulu Huseyin Pasha

26. Koprulu Numan Pasha

27. Hacı Halil Pasha

28. Ivaz Mehmed Pasha

29. Ivazzade Halil Pasha

30. Alemdar Mustafa Pasha

31. Çavusbasi Memis Pasha

32. Mustafa Naili Pasha

33. Avlonyali Mehmed Ferid Pasha

34. Said Halim Pasha

35. Ahmed Izzet Pasha

Mehmet Akif Ersoj ~ Shqiptari që shkroi himnin e flamurit turk ~

07/10/2013 Lini një koment

Ledian CIKALLESHI

 

MEHMET AKIF ERSOJ

~ SHQIPTARI QË SHKROI HIMNIN E FLAMURIT TURK* ~

 

Mehmet Akif Ersoj

Mehmet Akif Ersoj

Në Perandorinë Osmane kanë dalë shumë shqiptarë të dalluar të cilët kanë dhënë kontributin e tyre si brenda perandorisë ashtu edhe në sferën patriotike duke kontribuar për bashkëkombësit e tyre. Këtu mund të përmenden shumë emra të cilët kanë dhënë kontributet e tyre në fusha të ndryshme duke filluar që nga ushtria, politika, arsimi, shkenca, filozofia, poezia etj. Mjafton të përmendim Qyprylinjtë e famshëm, Koçi Beun, Hasan Tahsinin, Sami Frashërin e shumë të tjerë. Po t’i hedhim një sy dhe të shohim të gjithë shqiptarët në Perandorinë Osmane dhe ndikimin që kanë pasur ata, padyshim që njëri prej tyre me tepër famë është Mehmet Akif Ersoji. Ai njihej si i aftë në një larmi fushash, si besimtar, dijetar, akademik, poet, shkrimtar, politikan, pedagog, deputet etj. Vështirë se mund të gjendet një njeri me ndikim kaq të madh në mendjen e turqve në shekullin XX, aq sa janë ndikuar nga Mehmet Akif Ersoji.

Vepra e tij Safahat (Fletët) është cilësuar nga profesori i letërsisë turke Mehmet Kaplan si njëra prej 4 shtyllave të letërsisë turke-slame.[1] Të gjitha shtresat e shoqërisë, që nga akademikët, shkrimtarët, njerëzit e fesë, nacionalistët, e deri tek njerëzit e rëndomtë e njohin poetin e madh. Qofshin këta njerëz fetarë apo jofetare, politikanë apo ushtarakë, të gjithë kanë një respekt të veçantë për Mehmet Akifin. Kjo tregon edhe një herë se sa ndikim ka pasur dhe vazhdon të ketë ende ai në mendjen dhe në zemrat e njerëzve. Padyshim që ajo që ka ndikuar më tepër dhe ka fituar respektin e të gjithëve është Himni i Flamurit turk i shkruar nga poeti.

 

Një biografi e shkurtër…

 

Mehmet Akif Ersoj lindi në Stamboll më 20 Dhjetor 1873 në një familje intelektuale fetare. I ati Mehmet Tahir Efendiu (1826-1888) ishte me origjinë nga Shushica e Pejës në Kosovë. Që i vogël kishte ardhur për studime në Stamboll dhe ishte ngritur deri në gradën e “profesorit” në Medresenë Fatih. Ai kishte qenë një person i ditur dhe me shumë kulturë. Në librin Safahat ai e kujton babanë e tij me këto fjalë:

“Babai im i ndjerë ishte njëri nga mësuesit e Medresesë Fatih. Hoxhë Tahir Efendiu nga Peja, është babai dhe mësuesi im. Çfarë di, nga ai e kam mësuar.”[2]

Shkollën fillore e ka kryer në shkollën “Emir Buhari”, ndërsa më pas vazhdoi “Ibtidaijen,” “Ruzhdijen” dhe “Idadijen”. Me vdekjen e të atit dhe vështirësitë ekonomike që kishte familja, ai u detyrua të zgjedhë një profesion që të hynte sa më shpejt në punë. Në vitin 1893 u diplomua në Fakultetin e Veterinarisë, ku ishte shpallur studenti më i mirë.

Krahas mësimeve dhe studimeve, Mehmet Akifi kishte marrë vazhdimisht mësim nga babai i tij i cili krahas dijes që kishte, ishte dhe njeri i pajisur me ndjenja fetare. Duke qenë se kishte aftësi ndaj gjuhëve dhe mësonte vazhdimisht, ai arriti të përvetësonte në mënyrë të shkëlqyer dhe në atë gradë sa të ndiqte pa problem letërsinë e tyre dhe të përkthente nga ato gjuhë, si persishten, arabishten dhe frëngjishten. Hafizllëkun e Kur’anit që e kishte filluar që i vogël dhe më pas e kishte lënë, e mbaron në moshën 20 vjeçare. Nga fundi i jetës së tij, kur do të jetonte në Egjipt, ai do të merrej dhe me përkthimin e Kur’anit Famëlartë në gjuhën turke.

Në vitin 1894 filloi punën si inspektor i veterinarisë, ku iu dha rasti të shëtisë dhe të vizitojë shumë qytete e zona të ndryshme të shtetit, si Rumelinë, Anadollin dhe deri në Arabi, Siri, Libi, Egjipt, Gjermani etj. Gjatë kësaj kohe ai kishte shkuar edhe në Pejë, duke vizituar vendlindjen e babait të tij.

Në vitin 1918 u emërua sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Lartë Islam (Daru’l Hikmeti’l Islamijje).

Në qershor të vitit 1920 u zgjodh deputet i Bordurit dhe u pranua nga Kuvendi Popullor (Mexhlisi).

Në vitin 1921, me kërkesën e ushtarakëve, Ministria e Kulturës u dha gazetave të datës 7 nëntor një njoftim, ku bëhej e ditur se: “Shpallet konkurs për Marshin e Pavarësisë dhe se për fituesin e tekstit dhe melodisë do të jepej një shpërblim prej 500 lirash.”

Në qendrën e konkursit u paraqitën mbi shtatëqind tekste, por megjithëkëtë, komisioni vlerësues nuk e pranoi asnjë poezi, sepse asnjëra prej tyre nuk i plotësonte kriteret e kërkuara, që të zgjonte ndikimet e dëshiruara.

Të gjithë kërkonin që poezia të shkruhej prej tij, por ai nuk pranonte duke thënë se “nuk shkruante poezi për para”, megjithëse kishte shumë nevojë për ato para dhe nuk kishte as edhe një pallto për ditët e ftohta të dimrit, saqë kur donte të shkonte diku ia merrte pallton hua një shokut të tij. Kur i premtuan se “nuk do t’i jepnin shpërblimin edhe nëse do të fitonte”, vetëm atëherë, Mehmet Akifi e shkroi tekstin…

Himni i Flamurit turk (Istiklal Marshi), shkruar nga Mehmet Akifi, u lexua në Kuvendin Popullor më 1 Mars 1921, kurse më 21 Mars 1921 u pranua zyrtarisht.

Kur zyra e llogarisë së Kuvendit të Madh e ftoi të merrte shpërblimin, Mehmet Akifi i mori pesëqind lirat, por menjëherë ia shpërndau fukarave e jetimëve përmes Institutit Bamirës “Daru’l Mesai”, të lidhur me shoqatën Gjysmëhëna e Kuqe, duke thënë: “Uroj që këtij populli të mos i shkruhet ndonjë himn flamuri tjetër!”

Gjatë jetës së tij Akifi kishte pasur shumë vështirësi ekonomike dhe shumë fatkeqësi. Vdekja e babait kur ai ishte në moshë të re, shtëpia që i ishte djegur dy herë, dhe më pas padrejtësitë në punë e kishin bërë të vështirë jetën e tij. Ai nuk duronte dot që dikush të hidhte baltë dhe të fyente personalitetin e tij, kështu që gjithmonë kishte pasur vështirësi dhe nuk ishte pranuar nga shumë qarqe, si nga organizatat ashtu edhe nga institucionet shtetërore.

Në vitin 1923 me ftesë të mikut të tij Abas Halim Pashait ai shkon në Kajro të Egjiptit. Pjesën tjetër të jetës së tij do ta kalonte atje duke dhënë mësim në Universitetin e Egjiptit, në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Turke. Në vitin 1935 do të sëmurej rëndë dhe në mbrëmjen e ditës së diel, më 27 Dhjetor 1936, në ora 19:45, ndërroi jetë në Stamboll, në moshën 63 vjeçare. Ditën e hënë, me 28 Dhjetor 1936, pas namazit të drekës, në Xhaminë Bajazit u fal namazi i xhenazes, në praninë e mijëra admiruesve, kryesisht studentë universitarë, të cilët, në shenjë nderimi, e bartën me duart e tyre deri në varrezat e dëshmorëve në Edirnekapı.[3]

 

Veprat

 

Veprat e Mehmet Akif Ersojit mund të klasifikohen në dy grupe:

1. Veprat e shkruara në vargje ose veprat poetike.

2. Veprat e shkruara në prozë.

Veprat e shkruara në vargje janë të përmbledhura me një emërtim të përgjithshëm: Safahat. Kjo është një përmbledhje librash poetikë në shtatë libra me emërtime të veçanta:

1. Safahat: Përmbledhje me 44 poezi; me 3084 vargje. Stamboll, 1911, 1918, 1928.

2. Në Katedrën e Sulejmanijes: 1 poezi, me 1002 vargje, Stamboll, 1912, 1914, 1918, 1928.

3. Zëri i së Vërtetës: 10 poezi, 482 vargje, Stamboll, 1913, 1918, 1928.

4. Në Katedrën e Fatihut: 1 poezi, 1692 vargje, Stamboll, 1914, 1924.

5. Kujtimet: 10 poezi, 1314 vargje, Stamboll, 1917, 1918, 1928.

6. Asimi: 1 poezi, 2292 vargje, Stamboll, 1924, 1928.

7. Hijet: 41 poezi, 1374 vargje, Kairo, 1933.

Në këto vepra, thënë me pak fjalë, trajtohen çështje njerëzore, shoqërore dhe shprehet mahnitja, admirimi, ndaj forcës qetësuese, ngushëlluese të besimit dhe ndaj të fshehtave të botës hyjnore…

Përveç shtatë veprave me poezi, të cilat kanë mbi 10.000 vargje, Mehmet Akifi ka botuar edhe vepra në prozë, të cilat mund të përmblidhen në këto kategori:

1. Tefsirët ose komentimet e Kur’anit.

2. Vazet apo predikimet.

3. Artikujt.

4. Përkthimet.

5. Veprat ose shkrimet e tjera.

6. Letrat.[4]

 

Mehmet Akifi dhe çështja shqiptare

 

Mehmet Akif Ersoji vetë kishte lindur në Stamboll, nënën e kishte turke dhe jetonte përsëri aty, por megjithatë, ai nuk e harroi origjinën dhe gjakun e babait të tij. Ai nuk turpërohej ose ta fshihte që ishte shqiptar, gjë të cilën e shprehte hapur edhe nëpër poezitë e tij.

Kur filloi lufta ballkanike, “fqinjët” tanë filluan të garonin se kush të shkëpuste më shumë toka nga vendi ynë. Nga ana tjetër mosreagimi i ushtrisë osmane dhe i disa komandantëve kokëbosh dhe të korruptuar bënë që të vriteshin shumë njerëz të pafajshëm, gra, burra, pleq dhe fëmijë. Mehmet Akifi duke parë gjendjen e rëndë të bashkëkombësve të tij dilte nëpër xhami dhe i thërriste njerëzit që të shkonin dhe të mbronin Shqipërinë dhe shqiptarët. Në një poezi ai flet në këtë mënyrë ndaj mospërfilljes së autoriteteve dhe opinionit publik:

 

Prej fajit të tre trutharëve, një popull prej tre milionësh,

Shiko si po grihen, ngrihu baba nga varri të shohësh!

Të gjallët nuk i vajtën në ndihmë, të paktën ti shkoi,

Po digjet Shqipëria… po kësaj radhe shumë rëndë.

Baba! Nëna jote e dashur, vatani yt.

A ia vlente të flijohej për tre të patrutë.

Ikën toka ku gjyshi i ka punuar dhe ka mbjellë shpirt,

Ashtu iku dhe nuk kthehet më ebedi, përjetë.[5]

 

Akifi në këto vargje dhe të tjera tregonte gjendjen e rëndë në të cilën ndodhej atdheu i të parëve të tij. Në të njëjtën kohë ai ironizon mospërfilljen nga njerëzit për t’i vajtur në ndihmë duke thirrur babanë e tij të ngrihet nga varri e t’i shkojë në ndihmë Shqipërisë, ku në të është dhe Kosova. Ironinë e tij e vazhdon duke shpjeguar që gjendja është shumë kritike dhe duhet të shkohet patjetër në ndihmë, sepse vendi është kthyer në ferr dhe po shkatërrohet çdo gjë e gjallë që ndodhet në të. Prandaj ai i bën thirrje, por duke parë që të gjallët nuk i shkojnë në ndihmë atëherë le të ngrihen të vdekurit ta bëjnë këtë punë, se të gjallët nuk janë për këtë punë.

Më pas i bën thirrje popullit turk, i cili si popull dashamirës dhe ndihmues i njerëzve në nevojë dhe të shtypurve që tani është koha për të vepruar. Ai mundohet që të prekë në sedër popullin turk që t’i shkojnë në ndihmë shqiptarëve në të njëjtën kohë duke i dhënë edhe moral. Në fillim i shpjegon që të parët e tyre nuk lejonin që një vëllait të tyre t’i prekej as hija, dhe jo të shkonte puna gjer aty sa shtetet e tjera ballkanike të luanin me nderin dhe jetën e shqiptarëve.

 

Po hë, ku është ai populli që sfidonte kombet,

Nuk pashë asnjërin, asnjërin në mejdan… e çuditshme.[6]

 

Thirrja e Akifit vazhdon, duke nxjerrë në plan të parë edhe fenë. Ç’lidhje ka të jesh turk, shqiptar, kurd apo dikush tjetër? Përse duhet të përçahemi kështu? Të paktën për hir të fesë duhet të bashkohemi dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin. Të paktën për hir të fesë duhet t’i ndihmojmë shqiptarët, mundohet Akifi duke thënë që t’i vejë në lëvizje njerëzit. Nga ana tjetër, ai i thotë që kur themi në emër të fesë nuk ka më nacionalizëm, kjo gjë a mos ndodhet gjë në Sheriat? Ku thuhet që të shikosh vetëm bashkëkombësit e tu dhe të tjerët t’i lëmë të vuajnë? Ja, këtu dëshmohet edhe devotshmëria jonë.

Më pas e përfundon me këto vargje:

 

“Qytetërimi” juve si dhëmb ju di,

Në fillim do t’ju ndajë, pastaj t’ju përpijë.

Ndërkohë që Shqipëria, shembull ju është bërë,

Ç’bëni ende me këtë politikë të lodhur, me këtë mision të dështuar.

Besoj se shumica prej jush rrugën e gabuar nuk e shikon,

Shporreni tashmë hajdutin që rrugën ju dëfton.[7]

 

Megjithatë, le ta dini thotë Akifi, që “Qytetërimi”, pra Europa edhe juve nuk ju ka me sy të mirë. Në fillim duan t’ju ndajnë të gjithëve duke ju thënë që ju jeni turq, mos ndërhyni. Faktikisht, Shqipëria për ju është shembull, që më pas e keni radhën edhe ju, prandaj e lini mënjanë këtë politikë të mbaruar por ndërhyni. Sepse fundja kjo ndërhyrje nuk është vetëm për të shpëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët, por aktualisht veten tuaj. Lëreni mënjanë këtë politikë, mos e dëgjoni armikun, as fuqitë e mëdha të cilët ju këshillojnë të qëndroni larg këtij konflikti, por veproni para se të jetë vonë.

Më pas i pashpresë, duke vajtuar, por në të njëjtën kohë duke i lënë të kuptojnë që së shpejti do ta kenë ata radhën, në vargjet më poshtë thotë:

 

Këtë dëgjojeni nga unë, por unë që jam shqiptar,

S’ju them gjë tjetër… ja ky është vendi im i mjerë.[8]

 

Për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë dhe shqiptarëve Mehmet Akifi nuk u mjaftua vetëm me shkrimet dhe poezitë e tij. Po ashtu, për të sensibilizuar dhe mobilizuar njerëzit, bashkë me disa shokë formoi një shoqëri me emrin “Shoqëria për Mbrojtjen e Atdheut” (Müdafaa-i Millije Xhemijeti). Gjithashtu, ai jepte ligjërata në tre xhamitë e mëdha të Stambollit ku i thërriste njerëzit të ngrihen në mbrojtje të atdheut dhe në mbrojtje të shqiptarëve. Mirëpo, fatkeqësisht, nuk gjeti mbështetje.[9]

 

Akifi dhe përpjekjet për Islamin

 

Mehmet Akif Ersoj lindi dhe jetoi në një kohë mjaft të vështirë, si për muslimanët ashtu edhe për Perandorinë Osmane. “I Sëmuri i Bosforit” nuk po gjente dot derman. Të gjithë kishin filluar të mendonin për shkaqet e prapambetjes së muslimanëve. Të gjithë mundoheshin të jepnin receta për përparimin e vendit. Dikush thoshte që të lihej feja dhe të ndiqej Europa, dikush tjetër ishte tërhequr në strofullin e tij dhe nuk guxonte të dilte prej tij. Cilat ishin vallë shkaqet e prapambetjes? Si paraqitej gjendja në vend dhe si mendohej të kalohej kjo gjendje?

Mehmet Akif Ersoj si një nga dijetarët dhe intelektualët islamë nuk ishte tërhequr në strofullin e tij dhe as kërkonte të imitohej Perëndimi. Ai ishte më realist dhe i mirinformuar për shkaqet e prapambetjes. Duke qenë se kishte shëtitur të gjithë perandorinë për arsye të detyrave që kishte pasur, ai kishte parë më mirë dhe kishte arritur të diagnostikonte shkaqet e “sëmundjes” së muslimanëve dhe po ashtu ishte më objektiv në zgjidhjen që ai ofronte.

Në radhë të parë ai shikonte si shkak të prapambetjes dembelizmin, injorancën dhe keqkuptimin e “Kaderit” nga muslimanët. Në një poezi të tij ai shkruan:

 

Tevekyli (mbështetja te Allahu) ishte simbol i lartë i besimit,

Aq sa ia vlente të quhej “heroi i virtyteve”.

Sa keq që brenda shpirtit të saj i injektuan mjerimin,

U kthye në sëmundje, sa shkatërroi gjithë vendin!…

Lëre të punuarin, urdhëro nga vendi,

Mos u lodh, ashtu posi, kur është Zoti dhënësi i shpërblimeve!..

Thesari i mirësive të Tij është arka jote,

Lërja Atij sa shpenzime të kesh… të jep!

U mërzite, mjafton ai zëri yt nazëror;

“Më ndihmo” thuaj, ose të vijë vetë, ose të dërgojë Hidrin,

Zotin e bëri rob të vetes, ndërsa vetë u bë Zot,

Pa pasur turp gjen guximin të bëjë tevekyl! Posi?

A ka vend ky shirku yt i zi në besim?…

Të mbështetesh mos do të thotë të sundosh? Zotin?

Budallallëku yt e kaloi cakun, mjafton!

Ku ka arë të korrur pa mbjellë? Trego!

“Kaderi” që thua ti është shpifje ndaj ligjit Hyjnor;

Tevekyli, sidomos është humbje mbi humbje![10]

 

Në këto vargje Akifi kritikon ashpër keqkuptimin e fesë në atë kohë. Ndërkohë që Perëndimi punonte, studionte dhe luftonte gjë e cila është në ligjet e Allahut. Në një ajet ku thotë: “Dhe nuk ka për njeriun veç asaj që ai punon”[11]. Pra ligji që ka vënë Allahu vlen për të gjithë. Të përparosh nuk bëhet me politikë, por me punë. Prandaj në vjershën e tij me titull “Durmayalım” (Të mos rrimë, qëndrojmë) thotë kështu:

 

Nuk ka shpëtim sot pa punë të vazhdueshme, pa përparim,

Toka të punojë, qielli të punojë, ti po s’u mërzite ulu!

Nuk e di a ke justifikim për këto?

Ndal! Mos është gjë gjithësia, edhe Krijuesi nuk rri kot:

Shiko, po manifeston me njëmijë veprime.

O ti që fle, kur e gjithë bota dhe çka në të janë në këmbë!

Mos je gjë ngordhësirë? Të paktën të të vijë turp prej Allahut![12]

 

Të gjithë këto vargje tregojnë “brengën” e autorit për gjendjen e botës islame. Ai mundohet që njerëzit t’i vërë në lëvizje e të punojnë. Problemi i muslimanëve nuk është se ata nuk kanë çfarë të mësojnë, por ata nuk ulen të mësojnë dhe të punojnë. Në vjershën me titull “Zgjohu”, ai thërret:

 

O ti Lindja e madhe, o mjerimi i përhershëm,

Bëj një herë nijet të lëvizësh.

Kam frikë se nesër nga dora e Perëndimit,

Nuk do të mbesë vështirësi pa hequr.[13]

 

Nuk është zgjidhje për muslimanët të marrin shembullin e Perëndimit që të përparojnë. A është parë diku që të përparojë imituesi?! Kjo nuk do të thotë që ne të mos i marrim dijet shkencore të Perëndimit, por këto duhet t’i përdorim me pikëpamje islame dhe duke qëndruar muslimanë.

 

Drejtpërsëdrejti të frymëzohemi nga Kur’ani,

Të flasim me botkuptimin e kohës atë që thotë Islami.[14]

 

Këto janë disa nga këshillat që jep Akifi për përparimin e muslimanëve dhe Islamit. E para është kuptimi i drejtë i Islamit dhe urdhërave të tij. E dyta është puna, mësimi, marrja me dije dhe jo të qëndruarit dembelë. E treta, duhet të lexojmë dhe të kuptojmë drejt Islamin.

 

Në vend të mbylljes

 

Mehmet Akif Ersoji, i cili është një nga figurat e mëdha që ka nxjerrë bota islame, por me origjinë shqiptare, do të mbetet si njeriu i cili nuk i harroi rrënjët e tij. Ai e shprehte hapur që ishte shqiptar dhe u mundua t’i bindte njerëzit të ndihmonin Shqipërinë nga pushtimet dhe copëtimi, mirëpo nuk i’a vunë veshin.

Ai u mundua gjatë gjithë jetës dhe hoqi shumë vështirësi, si ekonomike ashtu dhe shpirtërore. Ai në të njëjtën kohë ishte poet, intelektual, besimtar dhe veprimtar i fesë dhe kauzave të drejta. Nuk e duronte dot padrejtësinë, gënjeshtrën, hipokrizinë dhe dembelizmin. Ai e demonstroi këtë gjë me vepra gjatë gjithë jetës së tij.

Duke qenë se ai kishte këtë temperament dhe këto mendime, nuk e pati mbështetjen e bashkëkohësve të tij. Asnjë grup politik nuk e qasi për shkak se ai nuk i duronte padrejtësitë. Kështu, nga varfëria dhe kushtet jo të favorshme për Islamin në Republikën e Turqisë ai u detyrua të emigronte në Egjipt.

Si çdo dijetar, mendimtar dhe atdhetar në botë i cili mundohet që sa është gjallë nuk kuptohet nga njerëzit, e përzënë nga vendi, e vrasin dhe më pas e qajnë, edhe me Mehmet Akifin ashtu do të ndodhte. Ata që më parë nuk ia kishin vënë veshin dhe e kishin përzënë do t’i bënin homazhe dhe nderime. Fatkeqësisht, kështu është fati i njerëzve të mëdhenj.

 

/Orientalizmi Shqiptar/


* Ky shkrim është botuar në revistën “URA”, nr. 5, botim special për Arnautët, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2010, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com

[1] İsmail Özcan, “[Ölümünün 69. yılında Mehmet Akif Ersoy] Tembelliğin, geriliğin ve cehaletin düşmanıydı…”, Gazeta Zaman, 28.12.2005.

[2] Mehmet Akif Ersoj, Safahat [Fletët], (Përgatiti: M. Ertuğrul Düzdağ), Çağrı Yayıncılık, Stamboll 2007, f. 189.

[3] Për më tepër shiko: M. Orhan Okay, M. Ertuğrul Düzdağ, “Mehmed Akif Ersoy”, Diyanet Islam Ansiklopedisi, vëll. XXVIII, Ankara 2003, f. 432-437; Mexhid Yvejsi, “Mehmed Akif Ersoj (1873-1936)”, http://www.mesazhi.com/artikuj/mehmed-akif-ersoj-18731936 (16.10.2010).

[4] Ersoj, “Hyrje”, Safahat, f. 37-39.

[5] Ersoj, Safahat, f. 189-190.

[6] Ersoj, Safahat, f. 191.

[7] V. c., f. 193.

[8] Po aty.

[9] Vepra e cituar, “Hyrje”, f. 23.

[10] Ersoj, Safahat, f. 242-244.

[11] Kuran, Nexhm (53:39).

[12] Ersoj, Safahat, f. 24.

[13] Ersoj, Safahat, f. 283.

[14] Ersoj, Safahat, f. 402.

Shqiptarët në luftën çlirimtare të Sirisë

19/08/2013 Lini një koment

Nehat ISLAMI

SHQIPTARËT NË LUFTËN ÇLIRIMTARE TË SIRISË*

Lufta në Siri

Në luftimet e viteve 1925-1927 kundër kolonizatorëve francezë në Siri morën pjesë më se 20 djelmosha kosovarë nga të cilët 3 u vranë heroikisht.

Pas Luftës së Parë Botërore të “sëmurit në Bosfor” iu shuan të gjitha shpresat se do të shërohej ndonjëherë për t’iu kthyer edhe një herë bregut të Eufratit dhe vetullës së Levantit – në mesin e arabëve. Mirëpo, gjersa po dergjej Turqia e vjetër, Anglia dhe Franca kishin përpiluar më 1916 Marrëveshjen e Sajks-Pikos (i pari, diplomat i Forin Ofisit, ndërsa i dyti – i Kej d’Orsejit) për të ndarë Sirinë, Irakun, Libanin, Jordaninë dhe Palestinën. Si në bazë të Marrëveshjes së përmendur ashtu edhe në bazë të Marrëveshjes në San Remo të Italisë, kolonizatorët e rryer më parë në Magreb dhe Afrikë, u morën vesh që Siria dhe Libani t’i nënshtroheshin pushtetit frëng, ndërsa “kallankusuri” – Londrës.

Kështu “miqtë” e arabëve që më parë i cytnin lëvizjet çlirimtare të këtyre popujve kundër Portës, tanimë i kishin mprehur dhëmbët të marshonin në këto vise me flamurin e “çlirimtarëve”. Kapitullimi definitiv i Portës, më 29 tetor të vitit 1918, tani u kishte hapur dyert pushtimeve europiane në Lindjen e Mesme. Më 1920 në Damask u themelua Partia e Pavarësisë Arabe me bashkimin e dy grupeve: “Al Fatah” dhe “Al Ahad”. Kjo parti udhëhiqte luftën për çlirim dhe pavarësi të vërtetë të Sirisë së madhe. Të gjitha premtimet e vjetra franceze dhe angleze i mbuloi rëra e shkretëtirës, mbi të cilën më 20 mars të vitit 1920 marshoi drejt Damaskut ushtria franceze duke e rrëzuar mbretin Fejsal. Francezët e ndanë zonën e tyre në katër pjesë pa kurrfarë sovraniteti. Lëvizjen çlirimtare të Sirisë nuk e ndalën as dy bombardimet shkatërruese të Damaskut gjatë viteve 1925-1927, as të gjitha masat e sprovuara të kolonizatorëve. Ajo zgjati gjer në prill të vitit 1946, kur u tërhoq edhe ushtari i fundit kolonialist.

Në periudhën më të rëndësishme të rezistencës siriane kundër francezëve morën pjesë edhe shqiptarët – djelmoshat e ardhur nga Kosova më 1912.

Një grup i konsiderueshëm familjesh nga rrethina e Vuçitërnës (Vushtrisë), Tetova, Dibra, Ferizaji dhe viset e tjera i shitën shtëpitë dhe tokën për t’u dyndur në Turqi dhe Siri. Grupi që pati ardhur në Siri e braktisi atdheun për shkaqe fetare, meqë në Sham Sherif, siç e quanin Damaskun, kishte plot xhami dhe gjendeshin shumë më afër Mekës.

Mirëpo, me të ardhur në këtë qytet të vjetër, krerët e kolonës së rraskapitur nga udhëtimi i parë mbi det nga Selaniku gjer në Iskenderum, e pastaj nga peripecitë me deve të cilat gjithashtu i panë për herë të parë, refuzuan të punonin tokën e pëlleshme në vendin e quajtur Merxhid Hashish në Damask dhe kërkuan të vendoseshin afër Xhamisë së madhe të Umajadëve.

Varjet e panumërta të patriotëve arabë mu në mes të Damaskut viteve të fundit të “gjallimit” turk në këto vise nuk e rehatuan aspak Xhemal Pashën, sepse “Shoqëria Shkencore e Sirisë” e udhëhequr nga intelektualët, tanimë kishte arritur të mobilizonte edhe masat më të ulëta. Ky hov vazhdoi edhe me të ardhura të francezëve. Tani në krye të lëvizjes gjendej El Emir Ezedin el Xhezairi. Francezët e rrethuan Damaskun me tela për të mbajtur situatën në duart e tyre, ndërsa bënin përpjekje t’i përfitonin masat e gjera duke u ofruar nga 12 litra ari vetëm e vetëm që të bashkëpunonin me ta.

Numri i madh i djemve të rinj muhaxhirë shqiptarë që kishin rënë në Basra, afër Bagdadit, në luftën turko-angleze (Luftën e Parë Botërore), kujtimet e hidhura të ushtarëve shqiptarë në kuadrin e Turqisë gjatë luftimeve në Jemenin e largët kundër një populli të shtypur porsi ata vetë, kishin filluar t’u hapnin sytë veçmas të rinjve se “gjaku”, megjithatë, nuk është ujë. Në Siri veçmas ishte e fuqishme veprimtaria ilegale e grupit që mbështetej në këto parime: të luftojmë kundër okupatorit frëng për një Siri të lirë, në të cilën të gjithë do të jemi të barabartë – jerli e muhaxhirë.

Natyrisht, si zakonisht, u aktivizuan të rinjtë, ata që kishin braktisur atdheun si kalamaj e këtu në Damask kishin lëshuar shtat. Kështu, Islam Hasani e mbante në mend vetëm Sitnicën, meqë nga vendlindja ishte larguar në moshën 5 vjeçare.

Luftëtarët shqiptarë u ndanë në disa togje të përziera me arabët që më 1925. Tri vite rresht askush nuk u kthye në Damask ndonëse zhvillonin beteja në rrethinën e tij e gjer në malet e Libanit. Për trimëritë e tyre flitet edhe sot, ndërsa kronikat siriane i përmendin me respekt emrat e tyre.

Qëndresa trevjeçare pa armatim të nevojshëm dhe përleshjet e shpeshta me kolonizatorin frëng të pajisur për atë kohë edhe me aeroplanë të shpejtë luftarakë, u dobësua nga maji i vitit 1927, kur pas një beteje në rajonin Kabun Bezi, afër fshatit Drejxh së bashku me udhëheqësin e lëvizjes Emir Ezedinin u vra një numër i konsiderueshëm luftëtarësh arabë e ndër ta edhe Zymber Sokoli, Ismail Hasani, dhe Ismail Buzuviku, ndërsa shtatëmbëdhjetë djelmosha të tjerë shqiptarë u kthyen të plagosur, të sëmurë e të rraskapitur nga këto kushte të padurueshme klimatike.

Kjo rezistencë e detyroi Parisin t’i njihte Sirisë tërësinë territoriale, por jo edhe parlamentin e pavarur, sepse Komisari i lartë francez gëzonte të drejtën ta shpërndante sa herë që e shihte të arsyeshme. Megjithatë, nga vitet tridhjetë, nacionalistët sirianë depërtuan në parlament duke i vënë bazat pushtetit autokton, të rrëzuar edhe disa herë rresht gjer më 1943, kur Shukri el Kuatli themeloi qeverinë e parë të pavarur. Mirëpo u desh të kalonin edhe tri vite të tjera gjersa u tërhoq edhe ushtari i fundit kolonialist nga Siria e sotme.

Shqiptarët vazhduan të jetojnë duke e harruar gjuhën, doket e zakonet, si në çdo rast tjetër kur braktiset atdheu.


* Ky shkrim është botuar në revistën “URA”, nr. 5, botim special për Arnautët, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2010, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com

Ju shpjegoj Egjiptin

15/08/2013 Lini një koment

Renato KALEMI

JU SHPJEGOJ EGJIPTIN

Ambasadori egjiptian Ahmed Abdellah

Ambasadori egjiptian Ahmed Abdellah

Çfarë po ndodh në Egjipt pas rrëzimit të Presidentit Mohamed Morsi? Roli i ushtrisë si garante e integritetit të shtetit dhe si kanë ndikuar ngjarjet që nga viti 2011 në ekonominë dhe turizmin egjiptian. Përshtypjet e para për Shqipërinë dhe shqiptarët të ambasadorit Abdellah

Në ambasadën e Egjiptit në Tiranë mbizotëron një qetësi e admirueshme. Pasi na fton të hyjmë brenda, ambasadori Ahmed Abdellah ngrihet ngadalë nga tavolina e punës, bën dy hapa para dhe na zgjat dorën duke buzëqeshur. Pastaj na bën udhë për t’u rehatuar në këndin e pritjes dhe pa vonesë hyn në temë. Flet ngadalë, fjalët i ka të matura dhe dëgjon me vëmendje, duke mbështetur herë pas here dorën në mjekër. Biseda kalon vetvetiu tek zgjedhjet në Shqipëri, për të cilat thotë se është i kënaqur, ishin një arritje për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri. Por, shumë shpejt biseda rrjedh drejt ngjarjeve që kanë pushtuar Egjiptin prej disa javësh. Na rrëfen për regjimin e Mubarakut, si erdhën protestat e 2011-ës, çfarë ndodhi me ardhjen e Mohamed Morsit dhe pse u rrëzua nga ushtria më shumë se një muaj më parë. Dhe thotë se pranvera arabe nuk ka dështuar, përkundrazi ngritja e demokracisë në Egjipt do të kërkojë kohë, ashtu si në të gjitha vendet e tjera që sot janë të zhvilluara.

- Zoti Ambasador, prej pak kohësh ju jeni emëruar me detyrën e Ambasadorit të Egjiptit në Tiranë. Cilat janë përshtypjet tuaja të para për shqiptarët dhe Shqipërinë?

Së pari, më lejoni të shpreh kënaqësinë time që takimin e parë të shtypit e realizoj nëpërmjet një reviste prestigjioze si ajo e juaja, e cila ka fituar një emër goxha të respektuar në shtypin vendas, ashtu siç gëzon një pozitë të veçantë tek lexuesi shqiptar.

Sa u përket përshtypjeve të mia të para për Shqipërinë dhe shqiptarët, ato kanë një zanafillë të hershme, para se të emërohesha ambasador i Egjiptit në Shqipëri. Shqipëria ka një vend të veçantë në memorien dhe zemrat e egjiptianëve, pasi emrin e saj e lidhin gjithmonë me Muhamed Aliun, i cili është me origjinë shqiptare dhe egjiptianët e kanë pasur sundues të tyre gjatë periudhës së Perandorisë Osmane. Gjatë periudhës së sundimit të tij, Egjipti pati një rilindje të madhe, ndoshta mund të flasim me detaje për këtë në ndonjë intervistë tjetër. Ajo çfarë dimë ne në Egjipt për Shqipërinë është se vendi ndodhet në rajonin e Ballkanit, ku pjesa më e madhe e popullsisë i përkasin besimit islam dhe se shqiptarët kanë vuajtur izolimin dhe represionin më të ashpër gjatë periudhës së komunizmit. Dimë gjithashtu, se Shqipëria po punon intensivisht qysh prej viteve nëntëdhjetë për të lënë pas gjurmët e asaj periudhe dhe për të ecur në rrugën e zhvillimit e përparimit. Një gjë të tillë e preka realisht nga afër kur erdha në Tiranë verën e shkuar. Gjatë muajve të kaluar kam gjetur shqiptarët si njerëz të dashur dhe se Shqipëria është një vend që karakterizohet nga një bukuri natyrore magjepsëse, të cilën nuk e has në shumë prej vendeve të tjera.

- Egjipti, edhe gjatë sistemit të kaluar, por edhe dy dekadat e fundit, ka qenë një vend i rëndësishëm për Shqipërinë. Ndërkohë që prej vitit 2011 e në vazhdim, zhvillimet atje kanë mbërthyer vëmendjen botërore. Por, le të kthehemi paksa në kohë për të krijuar një zinxhir të ngjarjeve: çfarë ndodhi dhe pse u rrëzua presidenti Mubarak? A mund të quhet e suksesshme “pranvera arabe” së paku për Egjiptin?

Siç dihet, sundimi i ish-presidentit Mubarak zgjati 30 vjet. 10 vitet e fundit të qeverisjes së tij u karakterizuan nga përhapja e korrupsionit, rritja e nivelit të papunësisë, varfërisë dhe mungesa e barazisë sociale. Në planin politik, partia qeverisëse po dominonte tërësisht jetën politike të vendit dhe kishte monopolizuar dy pushtetet; ekzekutivin dhe legjislativin, duke e përjashtuar opozitën reale dhe duke lënë disa parti që ekzistonin thjesht në letër, të cilat duhet të kryenin rolin e opozitës, por në mbështetje të partisë në pushtet. Veç kësaj, nga aparatet shtetërore dhe partia në pushtet po përgatitej projekti i kalimit të pushtetit te djali i presidentit në fund të mandatit të presidencës së të atit në vitin 2011. Për këtë instancat e sigurimit po ndiqnin praktika shtypëse kundër çdo lloj proteste apo tubimi paqësor të opozitës kundrejt qeverisë apo kërkesave për të zhvilluar reforma politike dhe sociale dhe po ashtu, po keqtrajtoheshin simbolet dhe krerët e lëvizjeve opozitare, si Lëvizja “Al Kifaje” (Mjaft), e cila kundërshtonte projektin e trashëgimisë së pushtetit, Lëvizja 6 Prill dhe Balli Demokrat për Ndryshim. Më tej pasuan zgjedhjet parlamentare të vitit 2010, të cilat u manipuluan dhe u devijua vullneti i popullit. Në këtë mënyrë do të shkruhej fundi i regjimit të Mubarakut.

Sa i përket suksesit të “pranverës arabe” në Egjipt, dihet se ndryshimet e mëdha kërkojnë shumë kohë dhe mos të harrojmë këtu ndryshimet që kaluan vendet e Europës Lindore pas rënies së komunizmit, të cilat patën nevojë për të paktën dy dekada për të nisur me këmbë në tokë rrugën e duhur. Jam i mendimit se në Egjipt, ne jemi ende në fazën përgatitore politike pas rënies së regjimit të Mubarakut dhe dështimit të eksperimentimit të Vëllazërisë Muslimane. Tani ne po punojmë seriozisht për të ndërtuar një rend të ri demokratik, i cili bazohet në vlerat e lirisë, barazisë sociale dhe gjithëpërfshirjes. Populli egjiptian duhet të jetë i durueshëm në përshpejtimin e përmbushjes së aspiratave të tij dhe duhet të ketë në vëmendje vështirësitë e periudhës tranzitore. Po kështu, krerët politikë duhet t’i bëjnë të njohur popullit me sinqeritet realitetin e vështirësive ekonomike me të cilat po përballet vendi dhe t’i njohin me hapat dhe programet që po zbatohen për të jetësuar ambiciet e popullit.

- Sipas jush, si ka qenë qeveria e presidentit Morsi dhe cilat qenë pakënaqësitë që sollën protestat në Egjipt, dhe prej kujt u organizuan ato?

Presidenti i mëparshëm erdhi në pushtet pas zotimit se do të ishte president i të gjithë egjiptianëve dhe se do të punonte për të realizuar objektivat e Revolucionit të 25 Janarit, por pavarësisht kësaj gjatë një viti qeverisjeje ai punoi për të fuqizuar lëvizjen e tij (Vëllazërinë Muslimane) dhe partitë islame të koalicionit të tij. Kjo ndodhi nëpërmjet emërimeve në postet drejtuese në pushtetin qendror, në atë lokal dhe në institucione të ndryshme publike. Ai përjashtoi forcat e tjera politike, sidomos forcat politike civile dhe ato liberale dhe së bashku me lëvizjen që përfaqësonte refuzuan të pranonin të drejtën e shtetasve për të formuar një identitet dhe të ardhme të vendit të tyre, pasi kushtetuta u hartua nga një asamble kushtetuese, anëtarët e së cilës i përkisnin vetëm rrymës islame. Kjo kushtetutë nuk gëzon konsensus dhe unanimitet kombëtar dhe ajo kaloi pas pjesëmarrjes së vetëm 30% të shtetasve që kishin të drejtë për të marrë pjesë në votime. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe pati një përkeqësim të gjendjes ekonomike, rritje të papunësisë, rritje të nivelit të varfërisë dhe rënie të turizmit.

Sa i përket pyetjes suaj se kush i organizoi protestat që shkaktuan rrëzimin e Morsit dhe regjimit të tij, në fakt kjo nisi me një grup të rinjsh qysh nga fillimi i këtij viti, të cilët iniciuan një fushatë paqësore që quhej “Al Temarod” (Rebelimi), e cila synonte të mblidhte pesë milion firma në një peticion, ku kërkonte zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale të parakohshme. Gjatë një periudhe gjashtëmujore kjo fushatë pati një përkrahje të gjerë popullore, aq sa i tejkaloi dhe pritshmëritë e vetë organizatorëve. Me këtë fushatë u solidarizuan shumë njerëz, aq sa në fund të muajit qershor të kaluar u grumbulluan 22 milion firma, të cilat i tejkalojnë në masë votat që ka marrë vetë presidenti i kaluar gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2012 (9 milionë vota).

- A po luan ushtria një rol që historikisht e ka bërë (deri vonë) edhe në Turqi, si garante e integritetit të shtetit?

Egjipti nuk është Turqi, prandaj roli që luan ushtria në Egjipt ndryshon nga ai i ushtrisë turke. Mustafa Qemal Ataturku vendosi në Turqi një rend politik që ngrihej mbi laicizmin e shtetit dhe ushtrisë dhe ai rend ishte garanci për këtë. Ndërsa në Egjipt shteti nuk është laik dhe se kushtetuta shprehet se Egjipti është shtet civil, demokratik dhe se sheriati islam është burimi legjislativ kryesor dhe se egjiptianët në natyrën e tyre janë besimtarë me një përkatësi fetare të moderuar dhe jo ekstreme.

Ndërsa ushtria është aset i popullit dhe se roli i saj është mbrojtja e sigurisë kombëtare nga çdo presion i jashtëm apo i brendshëm. Një gjë e tillë ndodhi në 30 qershorin e kaluar, kur ushtria ndërhyri për të mbrojtur vendin për të shmangur rrezikun e përplasjeve ndërmjet mbështetësve dhe kundërshtarëve të presidentit, pas vendosmërisë së tij që të qëndronte në pushtet duke mos iu përgjigjur kërkesave të popullit. Ushtria anoi nga ana e vullnetit popullor dhe u distancua nga pushteti dhe drejtimin e vendit e mori kryetari i Gjykatës së Lartë Kushtetuese përkohësisht deri në zgjedhjet e reja parlamentare dhe zgjedhjen e kreut të ri të shtetit brenda një afati prej 9 muajsh.

- Si kanë ndikuar të gjitha këto ngjarje që nga viti 2011 në ekonominë dhe turizmin e Egjiptit?

S’ka dyshim se ekonomia është ndikuar së tepërmi. Po ashtu edhe turizmi, i cili është ndër sektorët më të rëndësishëm të burimit të të ardhurave të vendit është ndikuar së tepërmi. Këtu dua të shpjegoj se në vend shpresohej se me zgjedhjen e presidentit Morsi në vend do të fillonte procesi i prodhimtarisë dhe do të vihej në jetë projekti i quajtur “Nahda” (Rilindje), i cili ishte thelbi i programit të tij elektoral dhe se ekonomia do të rimëkëmbej. Ndërkohë qeveria e Morsit punoi shumë pak për këtë dhe nuk pati ndikim real. Kjo solli dhe përshpejtimin e një revolucioni kundër tij me kërkesën për zhvillimin e zgjedhjeve të reja.

- Në një nga kopertinat e revistës “Time” për egjiptianët thuhej: “Protestuesit më të shkëlqyer në botë; demokratët më të këqinj”, duke nënkuptuar rrëzimin e dhunshëm të një presidenti të zgjedhur… cili është komenti juaj për këtë?

S’ka dyshim se demokracia ka nevojë për vite të tëra praktikimi derisa të rrënjoset në shoqëri, siç ka ndodhur me vendet që tashmë konsiderohen si vende dhe sisteme demokratike, të cilat kanë pasur të tilla përvoja. Prandaj është e natyrshme të ndodhin gabime dhe dështime gjatë periudhave të tranzicionit dhe për këtë partitë politike dhe organizatat e shoqërisë civile kanë një rol të rëndësishëm për të edukuar dhe parapërgatitur popullin për praktikat demokratike dhe e ripërsëris, një gjë e tillë kërkon ca kohë.

- Vendi juaj ka një rëndësi kyçe për stabilitetin e Lindjes së Mesme dhe jo vetëm. A ekziston rreziku i ndonjë lufte civile si në Siri, çka i janë druajtur edhe analistët e huaj?

Edhe një herë e përsëris se ushtria egjiptiane është ushtri kombëtare dhe i shërben sigurisë së vendit dhe shtetasve dhe se ajo është përgjegjëse për këtë dhe jo sistemi qeverisës, siç ndodh në Siri. Prandaj ushtria nuk ka për të përdorur armët kundër bijve të kombit dhe unë jam plotësisht i bindur se ata që ftojnë për dhunë do t’i thërrasin mendjes dhe do t’i japin përparësi interesit kombëtar dhe se të gjithë do të pranojnë pajtimin kombëtar, i cili do të realizohet nëpërmjet mekanizmave të demokracisë nëpërmjet zgjedhjeve.

- Në këndvështrimin politik, social ose ekonomik, çfarë të përbashkëtash gjeni midis Shqipërisë dhe Egjiptit?

Në planin politik, të dyja vendet tona ndajnë qëndrime të përbashkëta mbi një sërë çështjesh ndërkombëtare, siç është çështja e Lindjes së Mesme, situata në Siri, armatimi bërthamor apo çështje të tjera. Një gjë e tillë shfaqet nëpërmjet koordinimit të dy vendeve gjatë punimeve të organizatave ndërkombëtare, ku të dy vendet aderojnë, si Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e posaçme në varësi të saj, Unioni i Mesdheut, Organizata e Bashkëpunimit Islam dhe Organizata e Frankofonisë. Po ashtu, të dy vendet mbështesin kandidaturat e njëri-tjetrin në organizmat ndërkombëtare.

Në planin ekonomik ka një ngjashmëri mes dy vendeve pasi ekonomia bazohet kryesisht nga sektori i bujqësisë duke shtuar edhe sektorë të tjerë si industria. Po ashtu vendi im ka një përvojë të konsiderueshme në fushën e turizmit, veçanërisht atij bregdetar dhe kulturor për të cilat ne mund t’i ofrojmë Shqipërisë përvojën tonë për të zhvilluar sektorin e turizmit në vend. Në planin social ka ngjashmëri mes dy vendeve, ku pjesa më e madhe popullsisë i përket besimit islam dhe ekzistojnë komunitete të tjera fetare si ortodoksë dhe protestantë dhe ka një bashkëjetesë në paqe mes tyre.

- Prej pak javësh, Shqipëria mbajti zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Në këndvështrimin tuaj, cili është vlerësimi për këtë proces? I mirë apo mund të ishte edhe më i mirë?

Mendoj se ishte një përvojë e mrekullueshme. Zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë të qetë dhe paqësore, në kundërshtim me parashikimet dhe frikën që mbizotëronte para zgjedhjeve. Për këtë ka meritë populli shqiptar dhe qeveria që ofroi një atmosferë të përshtatshme për zhvillimin e tyre në këtë formë. Ajo që më bëri përshtypje dhe më pëlqeu gjatë këtyre zgjedhjeve ishte mënyra e numërimit të votave në mënyrë transparente para kamerave në sy të përfaqësuesve politikë, medias dhe monitoruesve të huaj e vendas. S’ka dyshim se ju keni të drejtë të krenoheni për përparimin e vendit tuaj në rrugën e rrënjosjes së demokracisë dhe ju uroj për këtë.

- Ç’farë marrëdhëniesh keni me politikanët shqiptarë? Si e njihni z. Rama dhe z. Berisha?

Është më se e natyrshme që në profilin e një diplomati të kesh kontakte me politikanë, analistë, gazetarë në vendin që punon. Ndërsa sa i përket pjesës tjetër të pyetjes, mendoj se dr. Berisha ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe të dukshëm gjatë dy dekadave të fundit në historinë e Shqipërisë moderne pas rënies së sistemit komunsit. Ndërsa për sa i përket z. Rama, me sa kam dijeni, ai ka realizuar arritje të prekshme gjatë kohës kur ka qenë kryetar i bashkisë së Tiranës dhe tashmë ai ka përpara sfida të mëdha pas fitores së koalicionit socialist në zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe shpresoj të ketë suksese në këto sfida.

- Për ta mbyllur, si është dita e ambasadorit të Egjiptit këtë stinë të nxehtë në Shqipëri?

Kryej punën time të zakonshme duke shkuar në selinë e ambasadës, zhvilloj takimet sipas axhendës së përditshme, marr pjesë në ceremoni sociale dhe aktivitete të ndryshme dhe shijoj bukuritë e vendit tuaj për aq sa më lejojnë kushtet e punës.

Burimi: http://www.revistaklan.com/material.php?id=3621

Sundimi osman s’mund të konsiderohet “gropë e zezë”

12/08/2013 1 koment

SUNDIMI OSMAN S’MUND TË KONSIDEROHET “GROPË E ZEZË”

Ferid Duka

Prof. Ferid Duka

Historiani Ferid Duka, i specializuar për periudhën osmane, në një intervistë dhënë të përditshmes ‘Shekulli’ shpjegon, ndër të tjera, rëndësinë që ka rishikimi i një teksti historik.

Sipas Dukës, duke u përgjigjur përkitazi me peticionin e nënshkruar nga intelektualët shqiptarë, në mesin e të cilëve dhe Kadare, “shkrimi dhe rishkrimi i historisë duhet të jetë një proces i natyrshëm, i cili ka logjikën e vetë, ka dinamikën e vetë. Dhe është ekskluzivitet i historianëve”.

Pa përjashtuar të drejtën e peticioneve të tilla, Duka është i mendimit se mbi të gjitha duhen pritur përfundimet që do të nxjerrë Komisioni i formuar për shqyrtimin e teksteve. “Personalisht, mendoj se historia jonë kombëtare nuk duhet cenuar. Sepse janë vlerat të rinisë për të cilat ka luftuar populli gjatë shekujve. Por kjo duhet të bëhet duke iu përmbajtur edhe parimit që historiografia ka nevojë të zhvillohet gjithnjë si çdo shkencë tjetër”.

Çka gjithsesi duhet të kihet kujdes, është të mos politizohet gjuha kur flitet për çështje historie, mendon Ferid Duka. “Historia është një shkencë, e cila ka dinamikën e vetë të zhvillimit, shkruhet nga historianët, pëlqehet nga publiku. Sepse i gjithë publiku është pronar i së kaluarës dhe ka të drejtë që të ketë zërin e tij për të kaluarën e vet. Por kur vjen puna për shkrimin e historisë përgjegjës janë historianët. Unë mendoj se, duhet që të jenë ata që shkruajnë dhe rishikojnë historinë sa herë që dalin dokumente të reja, sa herë që duhen rishikuar probleme të caktuara, periudha të caktuara, personalitete të caktuara. Në këtë mënyrë historia do të ketë karakter shkencor”.

Për rrjedhojë, Duka është edhe kundër imponimit nga ana e një shteti tjetër të mënyrës se si duhet shkruar historia. Çka është e pranueshme janë “propozimet e zakonshme që paraqiten nëpër tryeza siç ndodh për çdo çështje që diskutohen nëpër vendet e Ballkanit, si heqja e etiketimeve, gjuhës vulgare, brutale,fshirja e një gjuhë propagandistike etj., që mund të burojnë që nga periudha e komunizmit, edhe për këtë në periudhën post-komuniste, historianët kanë bërë ndryshime të mëdha. Këto ndryshime kanë qenë në mënyrën sesi shkruhet dhe sesi shtrohen çështjet që i paraqiten publikut të gjerë. Është pasuruar teksti me materiale faktike dhe dokumentare. Kështu që, ky proces në republikën e Shqipërisë ka nisur në vitet e para post-komuniste dhe vazhdon edhe sot duke iu përmbajtur logjikës se historia jonë ka nevojë të rishikohet dhe të rishkruhet vazhdimisht. Pavarësisht se, nga cili vjen ky shqetësim apo kjo kërkesë, mund të vijë nga qeveria apo nga rrethet e historianëve, por çështja është se sa e drejtë është kërkesa. Sa racionale është ajo”.

Duka, përkundër Kadaresë, nuk mendon se Turqia po bën agresion kulturor. Kërkesa e Turqisë, shprehet Duka, është po ashtu kërkesë e Këshillit të Europës, pra “që të rishikohen tekstet e historisë nga vendet ballkanike, të hiqen nga këto tekste termat fyese, terminologjitë propagandistike etj. Por duhet që teksti i historisë të mos modifikohet, por të ruajë të vërtetat historike, natyrën shkencore, duke qëndruar larg gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës fyese. Në këtë mënyrë, historiografia në Ballkan nuk kthehet në nxitje të urrejtjes ndëretnike. Por të jetë nxitëse e një klime identiteti dhe t’u japë fund plagëve të vjetra”.

Ai e konsideron periudhën osmane “një nga periudhat më të rëndësishme të Ballkanit dhe të shqiptarëve në veçanti… Në qoftë se, ne do ta konsiderojmë periudhën osmane një “gropë të zezë”, atëherë nuk mund të shpjegojmë as edhe një dukuri, as edhe një ngjarje dhe asnjë proces të rëndësishëm që ka ndodhur brenda kësaj periudhe. Ne nuk mund të shpjegojmë, fjala vjen, sistemin ekonomiko-politik që u vendos në tokën ballkanike dhe shqiptare apo ndryshimet e mëdha me karakter social dhe politik që ndodhen gjatë këtyre shekujve. Kam parasysh intelektualët rilindës që i dhanë jetë këtij procesi. Kemi babain e pavarësisë sonë kombëtare, Ismail Qemalin, që doli nga radhët e burokracisë Osmane. Edhe shumë pashallarë të tjerë dolën nga radhët e burokracisë osmane. Prandaj as nuk mund t’i ikim dhe as nuk mund ta shmangim këtë periudhë. Nuk mund ta shpallim “nul”, por duhet të bëjmë atë që bën sot e gjithë bota akademike në katedrat e botës. Akademikët nëpër botë kanë bërë studime të shkëlqyera, kanë zbuluar dokumente nga fondet arkivore me shumë rëndësi. Në të gjithë universitetet e botës, kjo periudhë ka katedrat e veta, ka studentët e vet. Dhe në hapësirën shqipe ka pasur zhvillim dhe pse duhet që të ketë akoma më shumë. Në periudhën osmane, sigurisht që, duhet t’i ruhemi zbukurimit dhe trajtimit të saj.

Duhet që të trajtojmë me objektivitet çdo periudhë që nga pushtimi osman, luftërat e Skënderbeut, sistemi ekonomik dhe politik që u vendos, raportet që krijoi populli shqiptar me strukturat osmane, bashkëjetesën, integrimin, fenomenet sociale, religjioze, siç ishte konvertimi i shumicës së shqiptarëve në myslimanë etj. Pa zbukurime, pa idealizime, por duke i qëndruar besnik objektivit shkencor, mendoj se historianët këtë periudhë jo vetëm që nuk do ta lënë pas dore, por kanë se çfarë mund t’u thonë të tjerëve”.

Duka beson se këto debate mbi rishikimin e teksteve të Historisë nuk do të kenë ndikim të keq në Kosovë. “Kërkesat që mund të vijnë nga një shtet i caktuar, mund të jenë propozime edhe të gabuara, por kam përshtypjen se institucionet e Kosovës kanë mundësi të reagojnë në mënyrën e duhur ndaj një partneri të barabartë. Kanë mundësinë të reagojnë në mënyrën e duhur aty ku shikojnë se një propozim që vjen është i gabuar. Theksoj se, këtu nuk duhet që të ketë keqkuptime, sepse shtetet e Ballkanit nuk janë vetëm për t’u mësuar të tjerëve sesi duhet që të jetë historia e vendit, por duhet që ta shikojnë edhe vetë. Sepse edhe Turqia, sipas meje, ka shumë për të parë në tekstet e historisë së saj. Këtu duhet të kërkojmë parimin e reciprocitetit. Ashtu siç duhet të rishikojë dhe Serbia, Greqia dhe vende të tjera. Prandaj, këshillimi reciprok me historianë të rajonit për çështjet bazike të historisë mendoj se është një rrugë pozitive dhe frytdhënëse për të përgatitur një të ardhme të ndritur për Ballkanin”.

Kush ishin 39 kryeministrat shqiptarë të Perandorisë Osmane?

04/08/2013 Lini një koment

Ilir KONTI

 

KUSH ISHIN 39 KRYEMINISTRAT SHQIPTARË TË PERANDORISË OSMANE?

SulltanTrojet shqiptare, pas vdekjes së Skënderbeut, ranë tërësisht nën pushtimin osman, me përjashtim të disa zonave autonome në bregdet dhe malësi dhe viti 1506 njihet si viti i këtij pushtimi tërësor.

Ashtu si në Romë edhe në Bizant, regjimi ushtarak u jepte mundësi ushtarakëve më të zotë të qeverisnin perandorinë. Shqiptarët, ashtu si në perandoritë e tjera, janë dalluar për forcën e krahut dhe të mendjes, edhe në perandorinë osmane.

Ata e qeverisën me shekuj, duke i dhënë asaj një pushtet të fortë dhe lavdi. Pa frikë mund të themi se perandorinë osmane e krijuan shqiptarët sepse ata pushtuan të gjitha territoret që hynë nën perandori, dhe i qeverisën ato gjatë gjithë ekzistencës së saj. Ka një numër të madh kryeministrash dhe strategësh të perandorisë. Si kryeministrat e parë me origjinë shqiptare flitet se kanë qenë Bajazit Pasha dhe Isak Pasha, por të dhënat më të sakta janë për Gjedik Ahmet Pashën.

1 – Gjedik Ahmet Pasha

Kryeministër i perandorisë me origjinë shqiptare. Ai ka qenë kryeministër në vitet 1475-1479. Gjatë kohës së qeverisjes së tij me anë të flotës ushtarake, arriti të pushtojë pjesën më të madhe të Krimes, e cila bllokoi rrugën tregtare të Evropës për në lindje. Arriti që të fitojë luftën kundër Venedikut, duke i imponuar një marrëveshje paqeje të favorshme, sipas së cilës Venediku do u kalonte osmanëve të gjitha ishujt e Egjeut, përveç Kretës dhe Korfuzit dhe do i paguante tribute vjetore perandorisë. Në 1478 ushtritë osmane ndërmorën ekspedita plaçkitëse në territoret austriake. Ai nuk pranoi të merrte pjesë në pushtimin e Shkodrës, dhe për këtë u shkarkua nga posti i kryeministrit. Kryeministrat kishin meritën për sukseset ushtarake, sepse ata ishin komandantë të operacioneve ushtarake dhe përgjigjeshin me kokë para sulltanit në rast dështimesh.

2 – Daut Pasha

Sipas Sami Frashërit, është me origjinë shqiptare, i marrë rob nga sulltani kur ishte fëmijë. Në saje të aftësive dhe talentit të tij të lindur, në kohën e sulltanit Mehmed II u bë bejlerbe i Rumelisë dhe Anadollit. Në vitin 1483, në kohën e Sulltan Bajazitit, duke qenë bejlerbe i Anadollit, kaloi në postin e kryeministrit dhe arriti të drejtojë me sukses punët e rëndësishme të shtetit osman. Në vitin 1496, u largua nga detyra, dhe pas dy vitesh vdiq.

3 – Haim Ahmet Pasha

Kryeministër me origjinë shqiptare nga vitet 1496-1514. Gjatë qeverisjes së tij nënshtroi Hercegovinën dhe ndërmori disa ekspedita plaçkitëse në Hungari, Austri, Poloni. Edhe pse ishte vendosur paqja me Venedikun, ai ende mbante disa pika strategjike të cilat lakmoheshin nga osmanët, prandaj vazhduan luftimet, kryesisht në det.

Flota osmane korri një fitore historike në betejën e Leopantos në Korinth, kundër flotës së Venedikut me të cilin ishte bashkuar Hungaria, Franca dhe Spanja, të bekuara nga Papati. Fitorja mbi Venedikun nuk solli ndonjë plaçkë lufte të madhe, por vetëm u futi frikën evropianëve që të mos merreshin me osmanët, dhe nga ana tjetër, nxori superioritetin e flotës osmane kundër flotës perëndimore. Në këtë kohë, e gjithë Azia e vogël u përfshi në shtetin osman. Gjatë qeverisjes së tij filloi një luftë e gjatë me shahun e Iranit, sepse ai kishte pushtuar Irakun, Armeninë, Kurdistanin dhe kërkonte edhe Azinë e Vogël shtëpinë e osmanëve. Kjo luftë mori karakter fetar, sepse iranianët ishin shiit dhe turqit synit. Përfundimisht, Irani u mund në vitin 1514 aq sa Osmanët hynë në territoret e vetë shtetit të Iranit dhe morën një pjesë të madhe të arkës së shtetit. Ai arriti që gjatë qeverisjes së tij të mundte Venedikun fuqinë mesjetare detare, dhe pas kësaj edhe vetë Iranin, i cili kishte më tepër zotërime se sa osmanët. Përfundimisht, Azia e vogël, gjatë qeverisjes, së tij u bë e osmanëve, që do të ishte dhe qendra e kombit turk. Pra, shqiptarët pushtuan edhe territoret historike ku shtrihet sot kombi turk.

4 – Ahmet Pash Dukagjini

Ka qenë kryeministër për një periudhë të shkurtër kohe nga vitet 1514, deri në vitin 1515 dhe rrjedh nga familja e madhe e Dukagjinëve. Gjatë qeverisjes së Sulltan Selimit, ai ka qenë ushtarak i lartë me titullin gjeneral, dhe më pas ka qenë bejlerbe i Rumelisë, pra, qeveritar i Ballkanit, dhe më vonë u bë kryeministër. Dukagjini, gjatë kohës së qeverisjes së tij si qeveritar i Egjiptit, synoi pavarësinë e këtij vendi nga pushteti i Sulltanit. Ai u rebelua kundër sulltanit, por u mund nga forcat ushtarake, dhe koka e tij e prerë iu dërgua sulltanit në Stamboll.

5 – Ibrahim Pasha

Ishte me origjinë nga Butrinti, por ka studiues që thonë nga Parga e Çamërisë, gjithsesi, ishte shqiptar. Gjatë një ekspedite ushtarake në trojet shqiptare sulltani e mori, dhe e rriti në pallatin e tij së bashku me të birin, Sulejmanin, i cili në 1520, bëhet sulltan, dhe shokun e tij të fëmijërisë e bën kryeministër. Pra, ai u rrit me sulltan Sulejmanin e ndritur që ishte një nga sulltanët më të mëdhenj të perandorisë, ndoshta më i madhi. Ai u edukua dhe mori arsimin e mjaftueshëm për të qenë një ushtarak dhe politikan i zoti. Ka qenë kryeministër nga vitet 1523-1536. Ai u martua me motrën e sulltanit, i cili i bëri një dasëm madhështore. Si u bë kryeministër, drejtoi fushatat për pushtimin e Beogradit dhe Rodosit.

Kështu, në vitin 1526 ai u vu në krye të një ushtrie prej 100.000 vetash, dhe u nis kundër Hungarisë. Në gusht të po atij viti u zhvillua beteja e Mohaçit ku Hungarezët u mundën dhe, pas kësaj, ushtria osmane mori Budën kryeqytetin e vendit. Kjo betjë, në të cilën mori pjesë dhe sulltan Sulejmani, ishte një betejë historike, sepse osmanët pas kësaj erdhën në kufijtë e Evropës qendrore dhe e kërcënonin seriozisht atë. Beteja e Mohaçit ishte një nga betejat më të mëdha që kanë zhvilluar osmanët, por me komandant shqiptar. Po të kihet parasysh që Hungaria bëri një luftë 100-vjeçare, që nga 1444 kur kërkoi ndihmën e Skënderbeut, rëndësia e kësaj fitoreje është historike.

Në vitin 1529 ushtria osmane prej 250.000 ushtarësh, të komanduar nga Ibrahimi, në të cilën merrte pjesë dhe vet sulltani, rrethoi Vjenën. Vjena u bombardua ashpër por nuk u dorëzua. Në dështimin e ushtrisë osmane, në marrjen e Vjenës, ndikoi negativisht i ftohti me të cilin nuk ishte mësuar ushtria osmane, pasi ajo vinte nga një zonë e ngrohtë. Në vitin 1532 ishte kryekomandant i një lufte tjetër me Austrinë por më tepër për territoret hungareze. Në këtë luftë ai i shkaktoi disfatë Austrisë dhe arriti që përfundimisht të kthente Hungarinë në një provincë të perandorisë osmane. Në vitin 1534 arriti të pushtonte Azerbajaxhanin dhe zgjeroi më tej territoret e shtetit osman në lindje. Ibrahimi ka nënshkruar dhe Kapitulacionet me Francën, që shumë studiues i quajnë në disfavor të Turqisë përsa i përket ekonomisë, sepse tregtarët francezë ishin të privilegjuar në perandori, por nga ana tjetër kapitulacionet ishin një marrëveshje me Francën kundër armikut të përbashkët, Austrisë, të cilën donin ta sulmonin njëkohësisht. Kështu, e parë në kuadër të politikës së jashtme nuk ishte aspak një marrëveshje e keqe, sepse bënte aleate një shtet perëndimor. Ai arriti të shtypte me armë të gjitha kryengritjet brenda vendit.

Në vitin 1536 vritet në pallatin e Sulltanit aty ku u rrit, por nuk dihet se kush e vrau dhe për çfarë, megjithëse shumë historianë thonë se u vra për xhelozi, ngaqë kishte arritur të kishte sukses. Nuk besoj të ketë pasur dorë sulltani në vrasjen e tij ashtu siç ndodhte rëndom tek osmanët, sepse ata ishin rritur bashkë që fëmijë, dhe një sulltan i madh si Sulejmani nuk mund të kishte shpirt kaq të vogël. Në histori mbetet një nga vezirët më të mëdhenj të njërit prej sulltanëve më të mëdhenj të perandorisë osmane. Ai ka meritën se arriti të pushtojë Hungarinë, e cila kishte 100 vjet që sfidonte osmanët, sulmoi Austrinë edhe pse s’e pushtoi me atë veprim tmerroi Evropën, pushtoi Azerbajxhanin, nënshkroi marrëveshje aleance me Francën etj.

6 – Ajaz Mehmet Pasha

Qe kryeministër në vitet 1536-1539 pas vdekjes së Ibrahimit. Ishte nga Vlora dhe kishte lindur në Vuno. Hyri në pallatin e Sulltanit me sistemin e devishermesë, që ishte marrja e fëmijëve të krishterë në moshë të vogël, dhe edukimi për shërbimin në ushtri ku më të mirët mbaheshin për shërbimin në pallatin e sulltanit. Në fillimet e karrierës së tij ka qenë bejlerbej, pra qeveritar i Anadollit dhe i Damaskut. Shtypi kryengritjen e shqiptarit Ahmet Pasha, një funksionar i lartë i shtetit i rebeluar ndaj qeverisë qendrore. Mori pjesë në betejën e Mohaçit dhe të Rodosit krahas shqiptarit tjetër që ishte në atë kohë kryeministër Ibrahm Pashës. Në vitin 1536 u bë kryeministër, detyrë që e mbajti derisa vdiq në 1539. Gjatë qeverisjes së tij ai drejtoi fushatën ushtarake kundër Rumanisë dhe arriti të pushtojë Rumaninë e Mildavinë. Midis lumenjve Dniepër dhe Dniestër u krijua një sanxhak i ri me tokat e pushtuara.

Në vitin 1538 flota osmane mundi në Prevezë flotën e tre fuqive të perëndimit, atë të Karlit të V Habsburg, të Venedikut dhe Papatit. Pas kësaj humbjeje Venediku u detyrua të lëshonte disa qytete në Dalmaci dhe të paguante një tribut vjetor të rëndë në favor të osmanëve. Ai mori pjesë në shtypjen e kryengritjes në vendlindjen e tij, Himarë, pasi ishte kryeministër e ndoshta nuk mund të bënte dot ndryshe se i priste kokën sulltani. Kryeministri Ajaz Ahmet Pasha ka meritën se pushtoi Rumaninë dhe Moldavinë si edhe mundi flotën detare evropiane.

7 – Lutfi Pasha

Qeverisi si kryeministër në vitet 1539-1541. Ishte me origjinë nga Vlora, nga ku osmanët e morën që të vogël. Ai u rrit në pallatin e sulltanit, ku mori të gjithë edukimin e nevojshëm politiko-ushtarak. Historianët e kohës kanë thënë se është “Shqiptar kokëfortë e inatçi Ai mori pjesë në rrethimin e Vjenës në vitin 1529 së bashku me ushtarakë të lartë shqiptarë, dhe kryeministrin po shqiptar. Ka qenë bejlerbe i Rumelisë, pra i Ballkanit. Ai ka marrë pjesë në betejën e Otrantos kundër italianëve, të cilët edhe u mundën. Pas vdekjes së kryeministrit, shqiptari Ajaz Mehmet Pasha, ai u bë kryeministër. Gjatë qeverisjes së tij, bëri paqe me Venedikun, që ishte tepër e favorshme për osmanët sepse ajo sillte territore, para dhe qetësi. Ai hyri në bisedime për paqe me Austrinë. Në luftë me arabët mori disa territore të Jemenit, dhe arriti të dalë në detin e Kuq. Në vitin 1541 u tërhoq nga detyra me dëshirën e vet, por arsyet nuk dihen. Marrëdhëniet e tij me sulltanin qenë të mira, sepse ai ishte dhëndër te sulltani, pasi ishte martuar me motrën e tij.

8 – Rustem Pasha

Kryeministër i perandorisë me origjinë shqiptare, që qeverisi në vitet 1544-1552 dhe për herë të dytë, në vitet 1555-1560 pas vdekjes së Kara Ahmet Pashës, pra ai qeverisi perandorinë për 13 vjet. Ai arriti të fusë në perandori disa vise të Jemenit. Në qeverisjen e tij u pushtua Tripoli në Libi, pasi theu flotën spanjolle, që mbante një pjesë të madhe të Afrikës Veriore. Ai organizoi e drejtoi një luftë të dytë kundër shahut të Iranit në vitin 1548 e cila do të përfundonte me disfatë për Iranin dhe marrëveshjen e paqes do e nënshkruante një shqiptar tjetër, Kara Ahmet Pasha.

9 – Kara Ahmet Pasha

Atë e morën të vogël nga trojet shqiptare dhe e rritën në pallatin e sulltanit, ku mori dhe edukimin e nevojshëm për të qenë një qeveritar dhe ushtarak i zoti. Sulltani i dha të motrën për grua, ashtu siç bënin shpesh sulltanët me figura të mëdha e të forta të shtetit. Gjatë karrierës së tij ka qenë bejlerbej i Rumelisë, me këtë emër quheshin zotrimet osmane në Ballkan. Në 1526 mori pjesë në betejën e Mohaçit kundër Hungarisë. Gjatë kohës që ishte kryeministër, në vitet 1553-1555, u ngarkua të merrej vesh me shahun e Iranit dhe nënshkroi me të një marrëveshje paqeje, sipas së cilës Iraku mbeti nën sundimin osman, Gruzia dhe Armenia u ndanë më dysh, ndërsa Azerbajxhani kaloi nën sundimin e shahut të Iranit. Marrëveshja e paqes ishte e favorshme se perandoria doli në gjirin Persik, pra ishte një tjetër shqiptar pas atij që e nxori perandorinë në detin e Kuq, që i dha gjirin Persik shtetit osman. Me flotën osmane u kryen edhe disa pushtime në Afrikën Veriore. Në 1555 i prenë kokën, edhe pse qe dhëndërr i sulltanit, arsyet se përse nuk dihen.Megjithëse qeverisi për një kohë të shkurtër ai arriti që t’i japë perandorisë gjirin Persik dhe një pjesë të Afrikës Veriore.

10 – Semiz Ahmet Pasha

Ishte kryeministër me origjinë shqiptare gjatë viteve 1579-1580 pra, për një kohë të shkurtër, ku nuk janë shënuar shumë ngjarje të rëndësishme. Përpara se të bëhej kryeministër ishte bejlerbe i Rumelisë. Ai mori për grua të bijën e ish-kryeministrit Rustem Pasha.

11 – Koxha Sinan Pasha (1506-1596)

Ka qenë kryeministër i perandorisë 5 herë në vitet 1580-1582; 1584-1585; 1589-1591; në 1593; 1595-1596. Ka lindur në Topjanë të Lumës, pra ishte shqiptar dhe u rrit në pallatin e sulltanit. Gjatë karierës së tij ka shërbyer si qeveritar në Tripoli të Libisë dhe në Damask të Sirisë. Ai ka meritën që nënshtroi përfundimisht Jemenin të cilin pjesërisht e kishin nënshkruar dy shqiptarë të tjerë. Me pushtimin e Jemenit perandoria doli në detin Arabik.Në vitin 1580 drejto vetë fushatën ushtarake kundër Persisë dhe Hungarisë, edhe pse ishte në moshë të thyer. Ai mori pjesë edhe në një luftë tjetër kundër Austrisë, e cila përfundoi me marrëveshje paqeje, por pas vdekjes së tij. Vendlindjes së tij, Lumës, i lehtësoi taksat dhe detyrimet, gjithashtu ngriti në Kaçanik një kështjellë dhe një xhami.

12 – Ferad Pasha

Edhe ai si kryeministrat e tjerë shqiptarë u rrit në pallatin e sulltanit ku mori edukimin e nevojshëm. Gjatë karrierës së tij qeverisi Rumelinë, si bejlerbe. Qe kryeministër gjatë viteve 1591-1592 dhe në vitin 1595. Ka marrë pjesë në luftë kundër Austrisë e cila në këtë kohë zgjati disa vjet. Ai drejtoi luftën kundër Vllahisë, pas së cilës u pushua nga puna dhe u vra nga rivalët e tij po shqiptarë.

13 – Merre Husein Pasha

Ishte me origjinë shqiptare. Ka nisur karrierën si kuzhinier, dhe më vonë shërbeu si vali në Misir. Shërbeu si kryeministër në vitet 1601-1602, pra për një kohë të shkurtër. Ai quhej Merre, sepse për kundërshtarët e tij përdorte fjalën shqip merre, zhduke, kështu që i mbeti ky emër.

14 – Jemishxhi Hasan Pasha. Sipas Sami Frashërit është me origjinë shqiptare. (Sami Frashëri… f.komp.45).Ka ngjitur shkallët e karrierës ushtarake dhe qeveritare në sajë të aftësive të tij. Në vitin 1602-1603, ishte kryeministër i perandorisë.

15 – Kujxhu Murat Pasha. Ka qenë me origjinë shqiptare. Ishte kryeministër gjatë viteve 1606-1611, pra për rreth 5 vjet. Gjatë qeverisjes së tij u nënshkrua amrrëveshja e paqes me Austrinë, me të cilën perandoria kishte disa vite që kishte rifilluar luftën. Në 1606 me Austrinë u nënshkrua një traktat paqeje 10 vjeçare, sipas së cilës, të dyja palët nuk patën përfitime territoriale. Austria i dha perandorisë një tribut vjetor prej 200 000 dukatësh ari dhe nga ana tjetër, osmanët njohën sundimtarin e Vjenës si perandor. Këto kushte nuk ishin të favorshme për osmanët, por shteti u detyrua, pasi në vend kishte plasur një kryengritje e madhe dhe nuk kishte se si të luftohej jashtë kur kishte probleme e anarki brenda vendit. Ai arriti që të shtypte kryengritjen e madhe brenda vendit, të quajtur si kryengritja Xhelaliane. Kështu në një betejë në vitin 1608, kur kryeministri ishte 90 vjeç, arriti të shkatërrojë ushtrinë kryengritëse dhe të asgjësojë pjesën më të madhe të sajr.

16 – Nasuh Pasha

Ishte shqiptar dhe qeverisi si kryeministër në vitet 1611-1614 vite gjatë të cilave mbretëroi një gjendje paqeje pa luftra të mëdha. Para se të bëhej kryeministër ka punuar si qeveritar i Halepit dhe i Bagdadit.

17 – Ohril Hysein Pasha

Ai lindi në zonën e Pogradecit, dhe vdiq në vitin 1622. U rrit në pallatin e sulltanit dhe më pas u bë komandant i jeniçerëve, dhe qeveritar i Rumelisë. Mori gradën vezir dhe shërbeu si kryeministër gjatë vitit 1621.

18 – Hasan Pasha.

Ai ishte me origjinë shqiptare. U mor i vogël dhe u edukua në oborrin e sulltanit. Në fillim ka qenë bejlerbej i Rumelisë, pastaj vezir i gradës së ulët deri sa u bë vezir i madh ose kryeministër në vitin 1624.

19 – Taban Mehmet Pasha

Ishte kryeministër me origjinë shqiptare i perandorisë në vitet 1631-1637, pra për 5 vjet. Vite që nuk patën ngjarje të mëdha. Pas detyrës u burgos dhe u ekzekutua, sepse kështu bënin shpesh sulltanët.

20 – Mustafa Pashë Kamekeshi

Lindi në Vlorë, dhe hyri në ushtrinë osmane me anë të sistemit të devishermes. Kushti i parë që të bëje karrierë në perandorinë osmane ishte që të bëheshe mysliman, kështu, duke qenë se shqiptarët nuk janë fanatikë fetarë, por përkundrazi, janë tepër tolerantë për fenë e tjetrit, nuk e patën problem të ndërrojnë fenë. Në fillim hyri në radhët e ushtrisë së jeniçerëve, dhe arriti deri në postin e komandantit të flotës ushtarake osmane. U dallua si kryekomandant në rrethimin e Irakut ku merrte pjesë dhe vetë Sulltan Murati IV, për suksesin e së cilës mori dhe titullin vezir i madh që ishte titulli më i lartë në hierarkinë e qeverisjes, dhe qeverisi vendin në vitet 1637-1644. Ai nuk ishte vetëm ushtarak i zoti, por edhe financier i zoti, sepse arriti të kryejë me sukses një reformë financiare me anë të së cilës nxori buxhetin e shtetit nga kriza. E vrau sulltani sepse ky donte të ndërmerrte një reformë administrative që nuk i pëlqeu, pasi binte ndesh me interesat e tij.

21 – Xhixhan Mehmet Pasha.

Me origjinë shqiptare nga i ati, ndërsa nga e ëma nga familja e sulltanit. Ai u rrit dhe u edukua në oborrin e sulltanit, dhe qeverisi në vitet 1644-1645. Karrierën e nisi si vali i Egjiptit, dhe më vonë i Damaskut. Gjatë kohës së qeverisjes së tij mori Kretën, të cilën e mbante ende Venediku. Marrja e Kretës ishte një fitore për perandorinë, sepse ajo kishte një pozitë gjeografike të mirë, dhe nga ana tjetër dëbohej përfundimisht Venediku nga Egjeu dhe Mesdheu lindor.

22 – Kara Mustafa Pasha

Me origjinë shqiptare, i lindur në Shqipëri. Ai shkoi në Stamboll si jeniçer dhe arriti të bëhej komandant i ushtrisë së jeniçerëve. Ka qenë dy herë kryeministër në vitet 1649-1650 dhe 1655. Gjatë detyrës si ministër i marinës, mundi flotën Venedikase.

23 – Tarhanxhu Mustafa Pasha

Ishte me origjinë nga Mati dhe qeverisi vendin në vitet 1652-1653. Karrierën e nisi si qeveritar i Egjiptit, dhe më vonë i Selanikut. Ishte kryeministër i parë që në kushtet e ndalimit të fushatave dhe plaçkitjeve arriti të bëjë buxhetin e shtetit për të menaxhuar më mirë të ardhurat dhe shpenzimet. Ai ra viktimë e zgjuarsisë së vet, sepse askujt nuk i interesonte buxheti i shtetit, se të gjithë kërkonin të hanin sa të mundeshin, pra fenomeni i korrupsionit është aq i vjetër sa dhe profesioni më i vjetër në botë. Për të thuhej se ishte i pakorruptueshëm, dhe bënte detyrën si duhej, kështu që natyrisht s’do ta kishte të gjatë. Xhelozitë e kundërshtarëve bënë që ai të pushohej nga puna dhe të ekzekutohej.

24 – Qypyrli Mehmet Pasha

Ishte shqiptar nga Berati, lindur në një familje të varfër dhe kishte punuar si kuzhinier i sulltanit. Ai nuk kishte arsim, madje, ishte analfabet, nuk dinte të shkruante dhe të lexonte. Por edhe pse i pashkolluar, kishte cilësi të tjera që e bënë kryeministër të perandorisë në vitin 1656-1661, në moshën 75-vjeçare. Para se të bëhej kryeministër, kishte punuar si qeveritar i Damaskut, Jerusalemit dhe Tripolit. Ai e mori pushtetin duke i vendosur disa kushte sulltanit si; të zgjidhte vetë ndihmësit e bashkëpunëtorët e tij në qeverisje dhe të ishte i lirë në qeverisjen e vendit, gjë që s’e kishte bërë asnjë kryeministër deri në atë kohë. Vendi ishte futur në krizë, dhe ai arriti të balancojë buxhetin e shtetit duke vënë dorë në arkën e vakëfeve dhe të sulltanit. Forcoi disiplinën në ushtri e cila kishte filluar të çartej dhe të humbiste betejat, rriti efikasitetin e flotës ushtarake. Gjatë qeverisjes së tij mundi Venedikun, dhe drejtoi fushatën ushtarake në Poloni. Vendosi qetësinë në vend duke vrarë me mijëra vetë që nuk i bindeshin dhe midis tyre partirarkun ortodoks të Stambollit.

25 – Fazlli Ahmet Pasha Qypyrliu

Pas vdekjes së Mehmetit vendin e tij e zuri i biri Fazlliu, që qeverisi për një kohë prej 15 vjetësh nga 1661-1676. U edukua në Stamboll dhe ishte më pak i ashpër se sa i ati. Karrierën e filloi si vali i Damaskut dhe pastaj si kryeministër në një moshë të re 26-vjeçare. Në politikën e jashtme u mor me Austrinë, të cilën gjeneralët shqiptarë nuk e kishin thyer dot. Ai pushtoi kështjellat rreth Vjenës, dhe po përgatitej të pushtonte dhe vetë kryeqytetin Austriak, gjë që tmerroi Evropën. Me gjithë përpjekjet e mëdha nuk arriti të pushtojë Vjenën. Gjatë qeverisjes së tij pushtoi tërësisht Kretën, pasi shqiptari që e pushtoi për herë të parë kishte lënë disa kështjella pa pushtuar dhe në vitin 1666 ripushtoi Jemenin i cili ishte pushtuar më parë nga 2 kryeministra shqiptarë, por që nga 1635 ishte shkëputur nga perandoria.Vdiq në moshën 46-vjeçare, në vitin 1676 nga një sëmundje e pashërueshme.

26 – Fazlli Mustafa Pashë Qypyrliu

Ishte djalë i dytë i Mehmet Qypyrliut dhe ngjiti shkallët e karrierës shumë shpejt me ndihmën e të afërmve, por dhe me meritat e veta.

Në vitin 1690-1691 u emërua kryeministër në një kohë kur Austria, gjatë mungesës së shqiptarëve, në qeverisje, nga 1676 deri në 1690, pra për 14 vjet kishte mundur ushtrinë osmane në vitin 1683 dhe kishte marrë territore të mëdha në Ballkan. Në krye të një ushtrie mundi austriakët dhe rimori territoret në Danub, Nishin dhe Beogradin. Ai trajtoi shumë mirë të krishterët dhe popullsinë jomyslimane të perandorisë, ashtu siç kanë bërë historikisht shqiptarët.r

27 – Ali Pashë Arabxhiu

Lindi në Ohër. Hyri në ushtri si jeniçer dhe përfundoi si komandant i jeniçerëve. Më vonë u bë komandant i rojeve në oborrin e sulltanit. Në vitin 1691 bëhet kryeministër deri në 1692. Sulltani nuk miratoi disa veprimtari politike të tij në drejtimin e shtetit, dhe për këtë arsye e ekzekutoi.

28 – Hysen Qypyrliu

Me origjinë nga familja e madhe e Qypyrlinjëve, kushëri i parë me bijtë e Mehmet Qypyrliut. Në fillim qe ministër i marinës, dhe pas mbrojtjes së Beogradit kundër austriakëve, u bë kryeministër në vitet 1697-1702.

29 – Dalltaban Mustafa Pasha

Ishte shqiptar i lindur në Manastir, i cili ngjiti shkallët e karrierës në sajë të aftësive të tij politiko-ushtarake. Nga jeniçer në komandant të jeniçerëve. Ai qeverisi në disa vilajete si në Bagdad, Bosnjë dhe Anadoll. Qeverisi vendin si kryeministër në vitet 1702-1703.

30 – Numan Pashë Qypyrliu

Me origjinë nga familja e qypyrlinjëve, ishte nipi i Mehmet Qypyrliut, dhe qeverisi shtetin në vitin 1710. Para se të bëhej kryeministër në vitin 1708 u martua me të bijën e sulltanit.

31 – Haxhi Halil Pashë Shqiptari

Ishte nga Shqipëria i lindur në Elbasan. Ai ngjiti shkallët e karrierës me mundim dhe punën e vet, duke kryer disa detyra si komandant ushtarak e qeveritar, deri sa në vitin 1716 u bë kryeministër.

32 – Ivaz Zade Halil Pasha u bë kryeministër në vitin 1770.

33 – Almedar Bajraktar Mustafa Pasha

Ishte shqiptar dhe mori detyrën e kryeministrit pasi hipi në fron sulltan Mahmut Hani II. Ka qenë një ushtarak dhe tregtar i zoti. Ka marrë pjesë në ekspeditën ushtarake kundër Rusisë. Ai ndihmoi Selimin III që të reformonte ushtrinë e pabindur të jeniçerëve dhe u bë kryeministër nga sulltan Mahmuti II.

34 – Memish Pasho i zgjuar ishte kryeministër në vitet 1808-1809.

35 – Gjirtili Mustafa Nail Pasha

Ishte me origjinë nga Kosturi, që sot grekët e quajnë Kastoria, dhe u bë kryeministër 3 herë me ndërprerje në 1853, 1854, 1857. Përpara se të bëhëj kryeministër ai qeverisi Kretën për disa vjet duke vendosur paqen dhe qetësinë atje. Ai qe ministër disa herë, derisa u bë kryeministër i perandorisë.

36 – Mehmet Ferit Pashë Vlora

Ishte kryeministër në vitet 1902-1908 dhe ka lindur në Janinë, pasi la postin e kryeministrit u bë kryetar senati dhe ministër i brendshëm.

37 – Mirsili Said Halim Pasha

Ishte nipi i Mehmetit të Kavallës. Ai u bë senator dhe më pas kryetar i Senatit në 1912, ministër i brendshëm, dhe kryeministër në vitet 1913-1917.

38 – Ahmet Izet Pasha

Me origjinë nga Manastiri, qe kryeministër në vitin 1918.

39 – Demat Ferit Pasha

Ishte kryeministri i fundit i perandorisë osmane në 1919-1920.

Shqiptarët qeverisën perandorinë osmane si kryeministra, për një periudhë prej afro 150 vjetësh. Kryeministrat shqiptarë i dhanë osmanëve Anadollin, Konstandinopojën, Irakun, Jemenin, Egjiptin, Algjerinë, Libinë, Arabinë, Sirinë, Hungarinë, Krimenë, Kretën etj. Pra, me punën dhe mendjen e shqiptarëve, u ngrit perandoria osmane. Ky është një fakt që pranohet nga vetë turqit dhe historianët që studiojnë këtë periudhë të historisë. Gjatë shekullit të 18-19, nuk ka pasur shumë shqiptarë në rangun e kryeministrit dhe shihet që perandoria pati disfata të tmerrshme që vunë në pikëpyetje ekzistencën e saj. Po të mos ishte për disa shtete perëndimore të cilat donin ta mbanin për kundrapeshë ndaj Rusisë, patjetër që do të kishte rënë. këto 2 shekuj shqiptarët nuk ishin pa pushtet, por kishin fituar pavarësinë nga sulltani, dhe qeverisnin për llogari të vet në disa shtete, si në Arabi, Siri, Egjipt etj.

Burimi: Gazeta Votra

 

Aishe Arnauti

27/06/2013 Lini një koment

AISHE ARNAUTI

Aisha Arnauti

Aisha Arnauti

Aishe Arnauti ka lindur në Damask në vitin 1946. Është vendosur në Francë që nga viti 1978, dhe mban nënshtetësi të dyfishtë, atë siriane dhe franceze. Është martuar me artistin sirian Sahar Ferzat. Arsimin e lartë e mbaroi më 1965, por ka mbrojtur dhe mësime private më 1966. Është diplomuar në letërsinë franceze në universitetin e Damaskut më 1977. Është diplomuar në Studime të Avancuara në Sorbonë më 1985, si dhe ka marrë një diplomë në Protokollin e Parisit më 1991. Ka marrë pjesë në disa kurse në audio-video dhe televizion në Damask dhe Paris. Ka punuar në Ministrinë e Arsimit me programe mësimore në vitet 1969-1977. Anëtare e Bashkimit të Shkrimtarëve Arabë. Filloi publikimin në gazeta dhe revista letrare që nga viti 1960, si dhe ka paraqitur disa nga poemat e saj në radiostacionet arabe. Ka qenë pjesëmarrëse në seminare poetike të mbajtura në Damask, Shtetet e Bashkuara, Shqipëri, Tunizi, Francë, Itali dhe Jordani. Përmbledhjet poetike të saj janë: 1. “Zjarri”, 1981 2. “Me mëshirë fletët bien”, 1986 3. “Atdheu i dashur”, 1987 Përmbledhje poezish në gjuhën arabe, me temë projekti i poemës, 1979. Ka marrë çmimin e parë në konkursin e tregimit të shkurtër në Liban, në vitin 1961. Disa prej poezive të saj janë përkthyer në gjuhën angleze, serbe dhe shqipe.

 

/Orientalizmi Shqiptar/

 

Ky shkrim është botuar në revistën “URA”, nr. 5, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2010, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com, numër ekskluziv për Arnautët.

 

Përktheu nga gjuha arabe: Rezarta SALIAJ

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 68 ndjekësve të tjerë

Këtë e pëlqejnë %d bloguesa: