Arkiv

Archive for the ‘Traditë’ Category

Ku humbi Tirona ime…

15/07/2013 Lini një koment

Rezarta DELISULA

KU HUMBI TIRONA IME…

Tirana foto e vjetërKërkoj ngado Tironën time, qytetin ku u linda e rrita, qytetin e prindërve e stërstërgjyshërve të mi. Ja një portë përballë Shkollës së Kuqe. Është druri, ka çekiçin në formë dore, që shërben si zile, tre rreshta tjegulle kafeje mbi, ka avlli të bardhë në dy anët e saj. Ishte identik me portën e shtëpisë sime, nga e cila kemi ruajtur si relike vetëm çekiçin. Zhvillimi urban, evropianizimi, plani francez i qendrës, lëvizja e lirë, poliqendrat, projekti danez apo austriak… janë konceptet që po vrasin kujtimet e mia. Sa pak që ka mbetur nga qyteti im. Më thonë, ja ku e ke Skënderbeun, Ministritë, Xhaminë e Et’hem Beut. Është tallëse dhe qesharake të quhet kjo Tirona ime. Mundohem të gjej kuturu ndonjë shtëpi karakteristike tiranase, të ulët me dy palë shkallë në hyrje, me lugun e gurtë nën çezmë, me drurët frutorë (me hurma, fiq, kumbulla e rrush zakonisht e jo me carac si ironizohet) e zanatçinjtë e rakisë që linin mënjanë kazanët e zierjes. E nga ato shpitë, gjysmë tullë e gjysmë qerpiç, me mure të trashë e shtruar me dërrasa si në tavan e në dysheme, me ato dritare të mëdha e plot dritë.
Me ato avllitë e lyera me të bardhë dhe sipër tyre xhama të thyer për të siguruar mbrojtjen nga keqdashësit. Ndonjë me pus, e një tjetër me magjen në fund të oborrit, me kalldrëme që shkëlqenin si pasqyrë… Lagje të tëra, fundosur në themelet e gjigantëve shumëkatësh. Nuk ka më asnjë vend ku unë të tregoj Tironën time, asnjë vend. Kujtoj fëmijërinë time. Nonën që mbante merhaman të bardhë borë në kokë e që na linte neve dhe gjithë fëmijëve të lagjes të hipnim e të merrnim kumbulla nga druri i madh degët e së cilit vareshin në rrugicë (Si ajo ishin shumica e grave të Tiranës së vjetër). Kujtoj bredhjet tona nga rrugica e Kërçikëve te Pazari i Ri e rruga, “Qemal Stafa”, bukurinë e rrugës së Pishës, mbushur me shtëpi të ulëta e dy-katëshe, me oborret rregulluar bukur, gjyshet që me fshesa në dorë mbanin akull pjesën para shtëpive të tyre. Rruga e Pedagogjikes, akoma më interesante…
Sa shëmtuar duket nga lart lagjja ime e vjetër. Ka pallate si hunj ndërtuar mes shtëpive private, ndonjë pallat 6-katesh i ndërtuar në epokën komuniste e i dalë boje, tentativa nga pronarët për të ndërtuar vila, e që pas ndarjes së pronës me të vëllanë, ajo vilë s’mund të quhet ndryshe veçse një tunel 15 metërsh i lartë dhe i shëmtuar.
Ndërtime shtesash kot e më kot, cepa, rraqe, vjetërsira. Ja edhe në vend të shtëpisë-muze që ishte më parë te disheza pranë ATSH-së, është ndërtuar një shumëkatësh, pas zjarrit që thuhet se i ra gabimisht. Lagjja ime tani përbën një KRIM VIZIV.
Kujtoj lulishten e ministrive, aty ku 100 për qind e shqiptarëve e kanë të fiksuar në fotot e tyre. E më vonë shatërvanin në qendër që na dha një mundësi tjetër panoramike për fotot tona. Një qendër me hapësira të mëdha që mundje të shihje deri te Xhamia e rrugës së Kavajës e te ish-Legata Jugosllave, Treni e Universiteti e Pazari i Ri. S’e di si do të bëhet, edhe pse i kam parë projektet tredimensionale. Janë projekte shumë ambicioze, ndryshe nga sa jemi mësuar të shohim në Tiranë, dhe me siguri them se pamja që do të marrë do jetë shumë më e mirë se kjo që ka sot, nëse realizohet një më një, por di sigurisht që s’do të ketë hapësirën e mëparshme. Mund të jetë më moderne, me ndonjë qiellgërvishtëse më të bukur arkitektonisht se Pallati i Kulturës, me më shumë xhama pasqyrë, e me më shumë ngjyra, por sigurisht që pamja e re s’do të ketë të bëjë me Tironën time. Shallvaret, pallatet Agimi, Moskatet mund të jenë fare mirë pjesë e ndonjë bienaleje, me ndërthurjen e arkitekturës që gjendet në to. Pa shkuar në zonën e Tiranës së Re e te Komuna e Parisit, që nuk gjen më pika orientimi për të kuptuar nga erdhe. Me ato pallate ijë më ijë, pa ndriçim të rrëmujshme, të frikshme. Më kujtohet Mapo e madhe përballë shtëpisë së Kadaresë dhe parku gjigant i lodrave (për kohën e atëhershme) që ne e quanim “te varka”, pasi ishin të vetmet të tilla në Tiranë. Pa harruar të rikujtoj lulishten në anë të Drinit që në mes të viteve 80 u kthye në një minipark botanik, ndërsa sot në një objekt futurist shumë-katësh, i papërcaktuar gjom-etrikisht. Ai parku gjigant te rruga e Elbasanit që niste te këndi i lojërave, ku shpesh dilnim me ballë të nxirë nga shtëpia e pasqyrave, duke vijuar te bulevardi ku më pas u ndërtua Piramida e deri te Universiteti i Tiranës, copëza të mbetura të së cilës, nuk e ndërtojnë dot më puzlen (pazëllin) e kujtimeve.
Edhe zona te shtëpia e Partisë, rrugicat me kalldrëme e shtëpitë e ulëta me dyer dërrase, që për shumë e shumë vjet u ruajt për të mos u përfshirë në sistemin; zhvillim pa kriter, tashmë e ka humbur lezetin e saj. Jo vetëm që nuk është investuar asnjëherë si zonë muzeale që është, por ka humbur dhe çehren e Tironës së vjetër. (Megjithatë, mund të rivihet rregull e të investohet nga Bashkia edhe në këtë stad që ndodhet).
Qyteti im i ka humbur konvencionet e vjetra. Në vend që të thuash takohemi te Kursali, themi; shihemi te autobusët e Kamzës. Nuk thuhet më; te shpia e Cenit të Lakut (mjekut ortoped të 500 mijë pacientëve), por; te paidhaqet e Dajkos…
Për ditë, ngulet ndonjë lopatë e re, duke zhdukur si me mllef çdo gjë që ka mbetur nga e shkuara.
“Kjo është Tirona jonë, Tirona e Kontradiktës”, këndonte dikur kryetari i Bashkisë Edi Rama. Po kjo është Tirona e kontradiktës, por nuk po gjendet më pjesë nga Tirona ime. Nga ato lagjet sharmante, që sot mund të ishin pjesë e një zone muzeale, ku turistët të takonin edhe të shkuarën tonë. Nga ato shtëpi të pastra e të mirëmbajtura që sot një mund të ishin kthyer në lokale karakteristike ku të ofrohej raki rrushi e meze, sikurse uzeritë e lokalet e këtij tipi në të gjithë Evropën. Dikush do të thotë që Tirana s’ka histori, se s’mund ta krahasosh me Romën apo Athinën. Pa diskutim që nuk kanë lidhje. Megjithatë të huajt mund të gjenin në mes të një kryeqyteti evropian pjesë nga kultura osmane, gjë që ka qenë po aq interesante për ta edhe para viteve ’90. Por, askush s’u përpoq ta ruante këtë, në një pjesë të qytetit tim. Më merr malli për Tironën time, s’ka mbetur më asgjë prej saj. Sot jam një kryeqytetase si 1 milion të tjerë.

Burimi: http://www.balkanweb.com/bw_lajme2.php?IDCategoria=2689&IDNotizia=47979&res_start=20

Kalaja e Krujës, vatër artizanati dhe suveniresh

14/02/2013 1 koment

Entela Xheraj

 

KALAJA E KRUJËS, VATËR ARTIZANATI DHE SUVENIRESH

 

Aty mund të gjesh shumëllojshmëri produktesh, kryesisht souvenire dhe prodhime artizanale. Rruga që të çon në qytetin e vogël turistik, është e mbushur nga të dyja anët me pemë të llojeve të ndryshme, ndërsa në brendësi të qytetit rrugicat janë të shtruara me kalldrëm.

Pazari i Krujës

Pazari i Krujës

500 vjet më parë, Kalaja e Krujës u pushtua nga turqit, 500 vjet më pas, porta e saj u “pushtua” nga tregtarët vendas. Janë një numër i madh tregtarësh, të cilët vitet e fundit kanë zgjedhur portën hyrëse të kalasë për të tregtuar mallrat e tyre. Të shtyrë nga numri i madh i turistëve që vizitojnë këtë kala, krutanët e kanë parë si mënyrë fitimi tregtinë në rrugicat e saj.

Aty mund të gjesh shumëllojshmëri produktesh, kryesisht souvenire dhe prodhime artizanale. Rruga që të çon në qytetin e vogël turistik, është e mbushur nga të dyja anët me pemë të llojeve të ndryshme, ndërsa në brendësi të qytetit rrugicat janë të shtruara me kalldrëm. Në faqen e malit shtrihet madhërisht qyteti i Krujës, i cili është një ndër qytetet më të vjetër dhe më të njohur të Shqipërisë. Kalaja mijëravjeçare është shembulli më i mirë dhe dëshmitarja më e saktë që vërteton origjinën e një qyteti të lashtë e me tradita. Ndërsa suveniret karakteristike, me anë të të cilave gërshetohet shumë bukur tradita e lashtë shqiptare me atë moderne, janë të punuar me mjeshtëri nga banorët e zonës.

Aty mund të gjesh flamuj kuq e zi, qeleshe me shqiponjën dy krenare, veshje kombëtare, kostume tradicionale të krahinave të ndryshme, qilima shumëngjyrësh, mbulesa tavoline të punuara me dorë, kartolina me pamje të ndryshme të qytetit, piktura të heroit tonë kombëtar “Skënderbeu”, ikonën e Nënë Terezës, e deri edhe tek fotot e krerëve më të lartë politik të vendosur (stampuar) në gotat e ujit. Pra, me pak fjalë, gjithçka që mund t’i duhet një turisti si kujtim nga qyteti i lashtë e historik i Krujës. Tregtarët presin me padurim stinën e verës e të dimrit, pasi sipas tyre këto janë dy stinët që Kalaja e Krujës vizitohet më shumë nga turistët. Një pjesë e tyre janë të kënaqur me punën që bëjnë, ndonëse ka edhe nga ata të cilët ankohen pasi, krahasuar me disa vite më parë fitimet e tyre kanë rënë ndjeshëm.

Turistët

Numrin më të madh të vizitorëve që “pushtojnë” kalanë e Krujës, sigurisht, kësaj radhe me dëshirë, janë qytetarët e ardhur nga Kosova dhe nga shtete të huaja. Kureshtarë, njëkohësisht edhe të mirëinformuar sa i përket historisë së heroit tonë legjendarë “Skënderbeut”, ata shohin me vëmendje çdo detaj që përbën kalanë, sikur duan të vërtetojnë apo ta lidhin atë me historinë.

Ndër suveniret më të preferuara mbeten pjatat porcelani të murit ku është skalitur kalaja, ose “Skënderbeu”. Po kështu edhe suveniret e tjera si p.sh një qilim i punuar me mjeshtëri artizanale, një mbulesë tavoline me punim grepi, apo në rastet kur e ‘adhurojnë’ Shqipërinë, një flamur a një veshje jona kombëtare nuk përbën asnjë problem për ta. Megjithatë, ndonëse më të pakët në numër, në qytetin historik nuk mungojnë as vizitorët të cilët vijnë nga rrethe të tjera të Shqipërisë, enkas për t’i treguar pasardhësve të tyre, një pjesë të historisë, që u shkrua me gjak.

Opinionet

Abdullah Aliademi është një shtetas Kosovar. Ai ka ardhur në Kalanë e Krujës për të shoqëruar një grup turistësh, nga Çikago, Amerika, të cilët i ka miq prej vitesh. Ata vijnë për herë të parë në Shqipëri, e dëshira e tyre ishte të vizitonin kalanë e Krujës. “Kishin dëgjuar të flitej shumë për të, kureshtarë insistuan të vinin e ta vizitonin këtë qytet të vogël, por që mban brenda një histori të madhe. Unë i shoqërova me dëshirë të madhe. Kështu m’u dha mundësia të shihja edhe unë këtë qytet të bukur e me tradita. Janë mahnitur kur kanë parë kostumet tona popullore dhe flamujt e punuar me dorë”,- tregon Abdullahi.

Tregtarët

Xhemal Kullai është një 60 vjeçar i cili prej tre vjetësh vjen për të tregtuar mallrat e tij pranë portës kryesore të kalasë. Vite më parë, bashkëshortja e tij punonte në ndërmarrjen artizanale të qilimave në Krujë. Me prishjen e ndërmarrjes, ajo filloi ta ushtronte zanatin e saj në shtëpi. “Kështu nisi puna ime në këtë portë. Ajo i punonte, unë i shisja”, tregon Xhemali. Xhemati është kaldajist, ai ka pas punuar në spitalin e qytetit historik, por reformat e lanë atë në “rrugë të madhe”. “Kishim dy fëmijë për të ushqyer, kështu që e vetmja mënyrë për të mbijetuar ishte të punonim vetë për të siguruar bukën e gojës. Tani jemi të kënaqur, vërtet nuk fitojmë për të vënë pasuri, por jetojmë normalisht si të gjithë shqiptarët”, shprehet ai.

Lavdije Kalaja është një tjetër tregtare në kalanë e Krujës. Ajo ka një vit që është vetëpunësuar në këtë vend, kohë kjo kur u shkëput nga puna. “Kam pas punuar në një fabrikë këpucësh italiane. Merrja një pagë minimale prej 20 mijë lekësh të reja. Bëra një llogari të shkurtër e pashë se ishte shumë më mirë të vija këtu. Vërtet nuk fitoj ndonjë shumë të madhe por krahasuar me punën në fabrikë, ku isha nën urdhrat e të tjerëve, jam shumë më mirë. Edhe fitimi e kalon shumën që unë merrja në fabrikë, sidomos në periudhat kur vijnë turistë” nënvizon Lavdija.

Ylli Abazaj, është një prej tregtarëve më të vjetër në Kalanë e Krujës. Ai ka 15 vjet që tregton mallra të ndryshme artizanale në këtë zonë. Sipas tij “krahasuar me vite më parë puna ka rënë paksa. Ka ditë që nuk bëjmë asnjë lek xhiro, kjo edhe për shkak të motit të keq ose stinës në të cilën ndodhemi, por ka ditë që fitojmë deri në 3-4 mijë lëkë të reja. Klientët më të mëdhenj i kemi nga Kosova ose turistë që vijnë nga vende të huaja, por nuk mungojnë as shqiptarët të cilët vijnë nga rrethe të ndryshme për të parë kalanë e me këtë rast marrin edhe diçka kujtim nga ky qytet”, tregon Ylli Abazaj.

Historia

Kalaja e Krujës është një nga kalatë më të njohura në Shqipëri. Kjo kala me trajtë eliptike dhe me perimetër 804 m, zë një sipërfaqe prej 2.5 ha tokë dhe është ngritur në një kodër shkëmbore. Gërmimet arkeologjike të vitit1978 dëshmojnë se kodra ka qenë e banuar që në shek e III p.e.r. ndërsa kalaja është ngritur në shek. V-VI e.r. Pranë saj është zbuluar një varrezë e madhe e kulturës arbërore. Përmendet me emrin e sotëm në shek e IX bashkë me qytetin e Krujës si qendër peshkopale. Në shek XIII-XIV ishte qendra e shtetit të Arbrit. Gjatë periudhës së Skënderbeut u bë kryfortesa e qëndresës së shqiptarëve kundër pushtimit osman.

Kafe turke apo kafe greke?

26/12/2012 Lini një koment

Besnik MUSTAFAJ

KAFE TURKE APO KAFE GREKE?

Besnik Mustafaj

Besnik Mustafaj

Në Greqi kam shkuar për herë të parë në nëntor 1991, afro një vit pas rënies së diktaturës te ne. Unë isha zgjedhur ndërkohë deputet në Kuvendin e Shqipërisë, një barrë e re kjo dhe krejt e panjohur për mua. Politika nuk kishte bërë pjesë kurrë në ëndrrat e mia për të ardhmen deri pak muaj më parë, kur ndodhi përmbysja historike, një revolucion i butë, por i përshpejtuar, në radhën e parë të të cilit u gjenda thjesht e vetëm pse shkrimtari, që kishte fituar tashmë një farë pjekurie brenda meje, ishte bërë i vetëdijshëm se sa e pakompensueshme për ta shprehur veten në vazhdim ishte mungesa e lirisë. Përfshirja entuziaste në politikë, sipas parashikimit tim fillestar, do të mbaronte me ardhjen e lirisë.

Parashikim i gabuar. Në prag të pranverës (1991), kur m’u kërkua me ngulm të kandidoja për deputet i Partisë Demokratike përballë partisë së komunistëve, që po përpiqeshin kuturu të përshtateshin me rrethanat e reja historike, unë i munda dilemat vetëm duke i dhënë vetes arsyen se politika do të më ndihmonte për ta kuptuar më shpejt thelbin e lirisë si realitet. Unë e kisha kaluar fëmijërinë, rininë dhe fillimin e moshës së burrit në një vend, i cili ishte vendi im pa dyshim, por një vend i rrethuar nga brenda me tela me gjemba dhe ku rojat shqiptare të kufirit e mbanin pushkën të drejtuar kah bashkatdhetarët e tyre, gati për të qëlluar mbi cilindo që do të orvatej të dilte nga rrethimi. Kush ishte armiku i atdheut në rrethana të tilla? Kjo pyetje bëhet sfilitëse për ndërgjegjen e shkrimtarit dhe letërsia e tij e ka të pamundur ta vështrojë nga lart dramën, indi i të cilës është organikisht politik. Shkrimtari do të jetë doemos palë: me të rrethuarit ose me rrethuesit, që do të thotë se shkrimtari mbruhet pashmangshëm politikisht dhe vizioni i tij mbërthehet në kllapat “pro” dhe “kundër” si në një darë të hekurt. Cilido shkrimtar që ka shkruar nën diktaturë duke besuar se po qëndron jashtë politikës, vetëm ka gënjyer veten. Diktatura e ngordh qysh në embrion specien e shkrimtarit apolitik. Shkrimtari i mbrujtur nën diktaturë, pra, do s’do mbetet thelbësisht politik edhe pas shembjes së diktaturës. Për të ekzistuar si shkrimtar në rrethanat e reja historike, ai e ka urgjente ta kuptojë mirë se nuk mund ta kapërcejë këtë thelb të vetvetes për t’u shndërruar në një tjetër. Kjo nuk do të thotë aspak se ai mbetet i mëparshmi. Përkundrazi. Me ardhjen e lirisë çmontohet njëherë e mirë dara “pro regjimit” ose “kundër regjimit”, brenda së cilës ai ka qenë i mbërthyer si në shtratin e Prokustit.

Me të kaluar euforia e natyrshme për çaste të tilla siç janë kthesat rrënjësore në historinë e kombit, – dhe kjo eufori fiket shpejt, – shkrimtari zbulon i tronditur se ndrydhja e skëterrshme e hequr dje brenda kllapave të darës në të vërtetë ka qenë për të dhe konfort. Duke u çliruar nga tortura, ai ka humbur njëherazi edhe qetësinë. Nuk ka më kushte për të qenë “kundër”, gjë që i kërkon të çmësohet me krejt mënyrën e vet të funksionimit, ushtrim ky që rezulton tejet i ndërlikuar dhe për të cilin ai nuk ishte stërvitur. Por, pa zgjidhjen e këtij ushtrimi, ai nuk mund të vendosë paqe me veten. Aq e thellë është tronditja e tij për shkak të këtij zbulimi, sa ai nuk e shmang dot pyetjen nëse ardhja e lirisë shënon për të përmbushjen e ëndrrës së vet më të shenjtë apo daljen përfundimtare nga ëndrra e vet më e shenjtë? Javë pas jave e muaj pas muaji, kjo pyetje gjithashtu po shndërrohej në torturë për ndërgjegjen time të shkrimtarit. Në atë periudhë nuk më shqitej nga mendja subjekti i një poezie greke, lexuar rastësisht vite më parë në një antologji të poezisë së re greke, botim i UNESCO-s në frëngjisht. Nuk më kujtohej autori dhe nuk më kujtohet as sot. Poezia bënte fjalë për një tigër lindur e rritur në kopshtin zoologjik. Në kafazin e tij 6 metra katrorë tigri vraponte çdo ditë 60 kilometra. Një ditë kujdestari harroi derën e kafazit hapur. Tigri doli në oborr dhe zuri të sillej rreth vetes gjithë furi, por vetëm në një sipërfaqe 6 metra katrorë. Ai thjesht nuk dinte të vraponte drejt, sepse në kujtesën e tij nuk ekzistonin hapësirat e pakufishme të savaneve dhe horizonti i largët me iluzionin e bashkimit të tokës me qiellin. Në përfytyrimin tim të trazuar kryhej pavullnetshëm një përqasje midis vetes time dhe atij tigri fatkeq. Jam bindur se shkrimtari e ka shumë më tronditëse se politikani apo sociologu përballjen me diskontinuitetin e Historisë. Ai mësohet me mundim të madh të jetojë në vitin zero, ose nuk mësohet dot dhe shkërmoqet e asgjësohet si shkrimtar. Nuk është e rastit që shumë shkrimtarë në vendet ish-komuniste, midis të cilëve edhe autorë shumë të mirë, u përfshinë në politikë me shembjen e diktaturave, fituan një publik të ri me përgjegjësitë e larta që morën para kombeve të tyre, që do të thotë se bënë një jetë të re fund e krye, por nuk u kthyen më kurrë te dorëshkrimet e romaneve, të poezive apo të pjesëve të teatrit. Shembulli më i ndritshëm i tyre është Vaclav Havel.

Unë nuk i merrja dot me mend të gjithë këto në atë fillim. Vetëm shpresoja se pjesëmarrja në politikë do të më ndihmonte t’i kapërceja më shpejt dhe më lehtë hutimin dhe pasiguritë e shumta gërryese e të cilat vetëm shtoheshin, gërryenin për shkak të papërsosmërive të reja që zbuloja në fytyrën e përndritur të lirisë. Kapërcimi më shpejt dhe më lehtë i hutimit dhe pasigurive do të ishte kohë e fituar dhe, siç e mendoja unë, kjo kohë do të ishte në të vërtetë e fituar për shkrimtarin brenda meje, i cili i kishte kapërcyer tashmë të tridhjetat dhe besonte përfundimisht se shkrimi ishte qëllimi kryesor i jetës së tij. Nga ana tjetër do thënë se nuk kisha as edhe një shllim të përafërt për ç’përmbante mandati i deputetit, të cilin pranova ta kërkoja në një zonë elektorale të kryeqytetit dhe që e fitova pa lodhje: bëra vetëm një miting dhe asgjë tjetër. Nuk mora madje as mundimin të jepja një fotografi për të shtypur një poster të thjeshtë siç bënë kolegët e mi dhe siç duhej bërë në të vërtetë. Shkurt fjala, isha krejtësisht mospërfillës ndaj rezultatit. Padija për punën e re nuk më turbullonte fare dhe as nuk ndieja ndonjë frikë nga dështimi. Në mendjen time isha i sqaruar: nuk kisha hyrë në rrugën e politikës me synimin për të shkuar larg. Po ashtu, – do pohuar tani pas njëzet vjetësh, – nuk më vlonte në shpirt ndonjë tharm i fortë prej “shërbëtori të popullit”. Në gjithë këtë rrëmujë, që ma mbushte kokën, për ca muaj nuk arrita as ta vija re që nuk po shkruaja më. Nuk ndieja mirëfilli nevojë të tërhiqesha qoftë edhe një pjesë të vogël të ditës në vetminë e romancierit. Kjo ishte e tepërt, e padurueshme.

Për ta shprehur këtë gjendje kaotike, ambigue dhe me shpresë për t’i ikur asaj kështu, ndërmora asokohe shkrimin e esesë “Midis krimeve dhe mirazheve”. Fjala ishte për krimet e të kaluarës komuniste dhe mirazhet e të ardhmes demokratike dhe unë, shqiptari tridhjetëvjeçar, për më tepër shkrimtar, me të sotmen time midis dy epokave, që rropaten për të kuptuar se ç’është diskontinuiteti i Historisë, i cili nuk ishte thjesht një diskontinuitet estetik. Ku po shkoj? pyesja sa e sa herë veten siç e pyeta edhe gjatë atij udhëtimi tim të parë në Greqi, për të marrë pjesë në një takim parlamentarësh të Ballkanit, organizuar në Selanik nga Parlamenti Europian me Parlamentin e Greqisë. Kisha një mijë e një arsye për t’iu gëzuar atij rasti që po më çonte te fqinji ynë i lashtë, me të cilin Shqipëria komuniste kishte qenë në një armiqësi të gjatë e të hapur, aq sa marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve ishin vendosur vetëm pak vite para shembjes së diktaturës.

Ne nga brenda rrethimit me tela me gjemba, me vullnetin për t’u mbrojtur nga manipulimi, tërë fajin ia hidhnim qeverisë tonë për këtë mbyllje hermetike ndaj fqinjit tonë jugor. Greqia ishte de juro në gjendje lufte me Shqipërinë qysh nga viti 1940, kur Italia e Musolinit, e cila një vit më parë kishte pushtuar Shqipërinë, përdori territorin shqiptar për ta sulmuar. Ky fakt ishte, pra, absurd qysh në origjinë dhe vazhdonte, megjithatë, të ishte në fuqi edhe pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Parlamentet e kolonelëve që e kishin sunduar Greqinë me dorë të hekurt sigurisht që nuk do e shfuqizonin. Paradoksi ishte që këtë absurditet nuk e kishin fshirë as parlamentet demokrate pas rrëzimit të diktaturës së kolonelëve, ndërkohë që ndryshonin fatin e vendit të tyre duke e anëtarësuar në NATO e pastaj në Bashkimin Europian. Po me ne, fqinjin më të vogël të Ballkanit, më të dobëtin ekonomikisht e më fatkeqin politikisht, pse demokratët grekë, të majtë si të djathtë, vazhdonin ta mbanin ende gjallë lugatin e luftës? Sidomos ne, intelektualët e rinj të Tiranës, nuk ia shtronim kurrë vetes një pyetje të tillë nga frika se me logjikë të ftohtë do të gjenim ndonjë fije të vërtete në retorikën zyrtare e, rrjedhimisht, do e lehtësonim sadopak regjimin tonë nga barra e përgjegjësisë historike për izolimin ku jetonim. Një arsye më vete për t’iu gëzuar këtij udhëtimi ishte shoqëria e Donikës, gruas time. Asokohe ajo ishte 31 vjeç dhe e kishte për herë të parë jo vetëm vizitën në Greqi, por edhe daljen jashtë Shqipërisë. Për më tepër, do të udhëtonim me makinë. Pavarësisht rrugës së keqe, duke kaluar përmes fshatrash e qytetesh të vogla greke, do të shihnim më nga afër jetën e njerëzve të thjeshtë, gjë që na ngazëlleu po aq Donikën sa edhe mua.

Mbërritëm në Selanik në buzëmbrëmje. Ishte butë për një muzg vjeshte dhe nuk frynte erë. Zumë shpejt e shpejt vend në hotel, si njerëz që nuk kanë asnjë minutë për të humbur. Dritarja e dhomës shihte nga Olimpi. Por ne, përpara se të sodisnim aq larg, ishim të etur të preknim qytetin. Kishim afro dy orë kohë për darkën e mirëseardhjes, që jepnin autoritetet greke për deputetët e ftuar. Gruaja ime pi rrallë kafe, por asaj here, për një arsye që një femër nuk ka zakonisht pse ta shpjegojë, ajo dëshironte një para se të dilnim shëtitje. Zumë vend në barin e hotelit. Kamerieri, një burrë rreth të dyzetave, i shkurtër e me trup të ngjeshur, – nuk do e harroj kurrë pamjen e tij, – u afrua sakaq te tryeza jonë me ca hapa të vegjël e të shpeshtë, gazmorë do të thosha dhe, me një çehre shumë miqësore, na u drejtua në greqisht. Kishte një të folur të përshpejtuar e me rrokje të ngjitura njëra pas tjetrës, një shëmbëlltyrë e tingullzuar e ecjes së tij. Po matesha t’ia shprehja gruas time në shqip kënaqësinë që kamerieri, i pari grek me të cilin shkëmbenim dy fjalë në tokën e Odiseut, na ishte drejtuar në gjuhën e tij, në të cilën as unë e as gruaja ime nuk kuptonim asgjë. Por në atë fillim të çlirimit tonë, neve nuk na pëlqente të vihej re ndryshimi që besonim që kishim me njerëzit e rritur në liri. Thellë-thellë vetes ne kërkonim para së gjithash ngjashmërinë me ta, si terapi për të fituar siguri në vete, gjë për të cilën kishim nevojë po aq sa edhe për ajrin. Duke na folur në qasjen e parë greqisht, kamerieri na kishte bërë një dhuratë të këndshme. Ai na kishte menduar si vetja e tij. Ne gjithsesi e morëm me mend se ai na kishte pyetur çfarë dëshironim të pinim.

-Flisni frëngjisht?- iu drejtova unë me merakun për t’ia thjeshtuar komunikimin gruas time.

-Sigurisht, – m’u përgjigj ai menjëherë me një frëngjishte të rrjedhshme e po aq gazmore sa edhe greqishtja. – Këtu jeni në një hotel “Internacional” dhe personeli i shërbimit zgjidhet në përputhje me lartësinë e klientëve.

-Do të më pëlqente një kafe turke, – ndërhyri Donika me një lloj intimiteti që nuk e ka zakon t’ua japë të panjohurve. – Ma bëni dot?

-Më falni, zonjë? Çfarë thatë? – iu kthye kamerieri i prishur sakaq në fytyrë a thua se kishte dëgjuar diçka të tmerrshme, aq sa nuk po u besonte veshëve.

Gruaja ime do e kishte përsëritur kërkesën, madje me të njëjtin shpengim, që tjetri ta përkthente si mirëkuptim nga ana e saj në qoftë se nuk mund t’ia bënin kafen turke. Por i shtangu fjala në buzë përpara vështrimit të acaruar befas të kamerierit. Ajo u soll nga unë dhe më pyeti në shqip gjithë shqetësim nëse kishte bërë ndonjë gabim. Nëpër fijet e holla të nervave të saj kishte vërshuar rrëmbyeshëm gjithë pasiguria e njeriut që gjendet për herë të parë në një kafene të huaj dhe porosit në gjuhë të huaj. Për më keq, në një gjuhë të tretë, ku gjithashtu ajo nuk ishte shumë e ushtruar.

-Jo,- iu përgjigja shpejt e shpejt vetëm për ta qetësuar. Nuk e kisha aspak të qartë se ç’ndodhi. Pse u mërzit kamerieri?

Donika nuk kishte më dëshirë për kafe dhe më kërkoi të dilnim. Ajo ishte zbehur si të mos ngopej më me frymë.

Kamerieri ishte ende aty bashkë me vështrimin e vet të lëvizshëm që lëshonte shkëndija mbi gruan time. Ai na pa që po ngriheshim e nuk na ftoi të qëndronim. Haptas nuk kërkonte pajtim. Vetëm më pyeti mua me atë frëngjishten e vet të rrjedhshme, por të ftohur tashmë, se në ç’gjuhë kisha folur me zonjën. Unë ndihesha tani i bezdisur nga prania e tij. Megjithatë iu përgjigja pa e vrarë mendjen pse kjo kureshtje.

- Jemi shqiptarë. – Me bisht të syrit vura re se si fytyra e tij u përflak fare.

- Nuk mund të vini në shtëpinë tonë e të na provokoni, – e ngriti ai zërin dhe mori të largohet drejt banakut me një tendosje të shtirur të trupit të vet të ngjeshur. Shumë nga klientët e sollën kokën nga ne. Ai shtoi edhe diçka në greqisht, por pa na u drejtuar posaçërisht mua e gruas time.

Unë nuk dija ç’të thosha për ta hequr nga vetja njollën e një faji të pabërë. Përshtypja se kamerieri duhej të ishte pak budalla nuk vlente. Hodha nëpër sallë një vështrim të çmeritur dhe mblodha instiktivisht supet me shpresën se trupi do të më ndihmonte për ta shprehur më mirë sikletin. Nuk ndesha në asnjë vështrim mirëkuptues. Do të thotë se në sytë e të pranishmëve unë dhe gruaja ime ishim provokatorë. Gruaja kishte vënë të dy duart te bërryli im në një mënyrë që nuk dallohej nëse mbështetej aty apo vigjëlonte mbi mua në rast se do të shpërtheja. Vura re se ishte zverdhur edhe më, dhe më ngjau si një vajzë e vogël e trembur nga nja ëndërr e keqe. Bëra aq sa mund të bëja: I hodha dorën në qafë për ta tërhequr ngrohtësisht drejt derës. Në atë çast kamerieri, gjithnjë i pazbutur, ndoshta edhe i kënaqur për dorëzimin tim, pati një shtysë ta theksonte deri në fund mësimin që na kishte dhënë. Ai lëshoi pas shpinës tonë:

- Këtu jeni në Greqi, dhe pihet kafe greke ose ekspres. Nguleni mirë në kokë: kafe greke. Kafen turke e pini në vendin tuaj me çallmë. Ose shkoni në Anadoll!

Zëri i tij kutërbonte nga përçmimi, aq sa pata përshtypjen se dëgjova një personazh të Niko Kazanzaqis dhe gjithçka u sqarua si me magji në kokën time. Mllefe të vjetra dhe që ashtu, krejt jashtë kohës që i kishte mbjellë, të paktën sipas kuptimit që kisha unë për “Kohën”, ngjanin në sytë e mi jo vetëm të papërligjura, por edhe të shëmtuara e karikaturale. Me sa thoshte historia, sherret greko-turke kishin më shumë se shtatëdhjetë vjet të mbyllura. Ç’e kishte penguar këtë burrë, lindur e rritur në liri, të pastrohej nga ato mllefe? Gruaja më tërhiqte gati me nxitim drejt derës. Ajo me siguri druante ndonjë shpërthim tjetër, nga ana e kamerierit, vështrimin e të cilit e ndieja si diçka të bezdisshme në zverk. Ai dukej nga ata që e kanë të pashtershëm vrerin dhe nuk do të ishte çudi të na lëshonte edhe një breshëri para se t’i humbisnim nga sytë. Nuk do të më bënte më përshtypje. Ai e kishte humbur me shpejtësi fuqinë të më fyente me prapashtesa të tilla si ajo “me çallmë”, që nxori për vendin tim, vetëm pse shumica e popullsisë ishte myslimane apo ku i di unë se çfarë tjetër të ngjashme mund t’i pillte mendja e që gjithsesi do të ishte pa farë lidhjeje me të vërtetën. Thelbi i së keqes që sapo zbulova nuk ishte pse ai nuk e dinte si ishim ne shqiptarët, fqinjët e tij të parë e më të vjetër ballkanikë. Thelbi i të keqes ishte pse ai nuk donte ta mësonte si ishim ne. Kush mund të ma shpjegonte pse kjo mungesë dëshire te ky burrë i rritur në liri?

Ne do të shiheshim përsëri pa kaluar dy orë, por tashmë në rrethana të tjera. Gjatë darkës së mirëseardhjes që dhanë të zotët e shtëpisë për deputetët e ftuar, për një arsye që vetëm protokolli duhet ta dijë, mua më kishin ulur në tryezë me një ministër grek. Dhe do të më shërbente i njëjti kamerier. Unë nuk i dhashë të njohur dhe shmanga vazhdimisht sytë e tij, sado që e kisha një kureshtje gati-gati të sëmurë ta përballja vështrimin tim me vështrimin e tij. U përmbajta vetëm duke i thënë vetes se nuk më lejohej t’i shëmbëlleja atij. Por nuk ishte e thënë ta përmbushja deri në fund betimin tim. Pak para mbylljes, sipas rendit të darkës, ai u afrua edhe njëherë te tryeza jonë, ku ishim tetë veta, të merrte porosinë për kafe. Dëgjoi secilin ta shprehte dëshirën, ndërsa për mua foli vetë:

-Miku shqiptar e di që do kafe greke. – Kishte folur në anglisht. Askush përveç meje nuk do të mund ta pikaste vibrimin e fshehtë të provokimit në tingëllimin gazëror të zërit të tij.

-Kafe turke, – iu përgjigja ftohtë. Dhe shtova: – Pa sheqer, ju lutem! E dua të hidhur. – Unë prita një çast që kamerieri të yshtej nga provokimi im i sajuar aty për aty. Ndërsa ai, nga ana e vet, duket se priti ndërhyrjen e ministrit grek për të më treguar vendin. Ra një heshtje e shkurtër, kohë e mjaftueshme për mua ta zija veten në faj me provokimin tim të vullnetshëm, e që ishte, ma tha mendja, një zgjim i pavullnetshëm i demonëve të mi stërgjyshorë për hakmarrje.

Krenar, megjithatë, pse arrita ta zë veten fajtor për aq sa ç’mund të ishte e fajshme porosia ime e qëllimshme për një kafe turke në rrethanat kur kafja, edhe pse e përgatitur njësoj e krejt me të njëjtën shije, lejohej të ishte vetëm greke dhe, i kthjelluar nga vetëdija e fajësisë, pyeta veten krejt seriozisht se si do të ishte letërsia ime e ngjizur në liri. Po atë mbrëmje, saktësisht me 13 nëntor 1991, në dhomën e hotelit, ndërsa gruaja ime flinte, shkrova poezinë e mëposhtme:

ASNJË ZOG S’FLUTURON NËPËR QIELL 

Asnjë zog s’fluturon nëpër qiellin e shtrirë vjeshtor.
Vetëm re, shtëllunga të varura aty-këtu mbi mal e mbi det
Si gusha e mplakur e Athinasë.

Me hi zjarresh të fikur që nga djegia e Trojës
Apo me lëndën gri të njohur si TRUTË E MIA
është mbushur hapësira?

Vështrimi i mbetur bosh më mbështillet rreth retinës
si hithër.

Hyjnitë s’po më ndihmojnë as me muzat, as me irat.
Dhe jam kaq pranë Olimpit. Kaq pranë gjurmëve të Shën Palit
Më kot. Më pa dhimbje sfilitesha kur larg isha.

Në djall le të shkojë ky varr akullnajor zotash!
Më ndihmoni, ju lutem, në udhëtimin tim, ju,
fëmijët e mi lindur në vitet tetëdhjetë,
Djem ende të vegjël, për fatin tuaj të vegjël,
Pa brerje në ndërgjegje, pa njollë nga Historia;
Ju s’dini ç’lidhje ka më përrallat DIKTATURA
Dhe me mungesën e qumështit në mëngjes
Apo me mungesën e lodrave tuaja POLITIKA.

Në moshën e Krishtit sot, dhe me dy djemtë e mi
-jo si apostuj përreth-
Shoqëruesit e mi të paepur në odisenë time,
Po kthehem te vetja ime e munguar për 33 vjet.

Priskë, qershor 2011

Marrë nga faqja: http://www.gazeta-shqip.com/opinion/10d5794f5ac030817aa7802d1dda8df1.html

Medreseja, digë e identitetit fetar dhe kombëtar gjatë historisë

12/12/2012 Lini një koment

Nexhat IBRAHIMI

MEDRESEJA, DIGË E IDENTITETIT FETAR DHE KOMBËTAR GJATË HISTORISË

I. Hyrje

Nexhat Ibrahimi

Nexhat Ibrahimi

Burimet themelore të Islamit, Kur’ani dhe Sunneti, dëshmojnë se arsimimi dhe edukimi i pasardhësve në Islam është detyrim me përparësi për prindërit. Këtë e thekson Kur’ani në shumë ajete:

“Lexo, në emër të Zotit tënd i cili të ka krijuar. …!” (El-Alek, 1-5)

Ky detyrim prindëror ishte përparësi nëpër të gjitha periudhat historike, pa marrë parasysh moshën e pasardhësve:

“Dhe Ibrahimi ua porositi këtë bijve të vet, si edhe Jakubi: “O bijtë e mi, Allahu ua ka zgjedhur fenë dhe assesi mos vdisni ndryshe, vetëm si muslimanë!” (El-Bekare, 132).

Edhe Muhammedi a.s. e thekson rëndësinë e arsimit dhe edukimit islam:

“Prindi është i detyruar ndaj fëmijës: t’i jep emër të bukur, ta edukojë mirë dhe ta mësojë …”. (Hakimi).

“Prindi nuk mund t’i lë apo t’i dhurojë fëmijës së tij asgjë më të mirë se sa edukimin e mirë.” (Tirmidhiu).

Edhe pse ky detyrim prindëror ka pasur rëndësi parësore për muslimanët, megjithatë ky detyrim në praktikë nuk është realizuar gjithnjë si është synuar. Familja nuk ka pasur mundësi që t’ua plotësojë fëmijëve kushtet e caktuara. Për këtë arsye, shtrohej nevoja e edukimit dhe arsimimit institucional, si rrugë e rëndësishme në procesin e formimit të personalitetit musliman të pasardhësve të tyre.

II. Historia si manifestim i mësimeve hyjnore

Gjatë shekujve të parë të mesjetës Evropa karakterizohet si periudhë e errët, jo vetëm në aspekt të mungesës së të dhënave historike por edhe në aspekt të keqeverisjes. Në këtë periudhë në të gjitha fushat e jetës dominonte fjala e Kishës. Nuk kishte përparim në letërsi, art apo shkencë. Jo vetëm kaq, por çdo përpjekje për të përparuar ndëshkohej nga dënimet e rrepta deri në vdekje (Galileu, Bruno, Koperniku etj.). në anën tjetër, sipas Xhorxh Sarton, kjo periudhë për muslimanët ishte dritë e mirëfilltë.[1] Si rezultat i këtij angazhimi kemi edhe konstituimin dhe zhvillimin e disiplinave të para islame, sikur edhe librat e para në fushat fetare dhe ato shkencore. Kjo rezultoi që në vitin 794 në Bagdad të themelohet fabrika e parë e letrës në botën muslimane. Halifi El-Me’muni në vitin 830 në Bagdad e themeloi institucionin e lartë hulumtues, të cilin e quajti Bejt’ul-hikmeh (Shtëpia e Urtësisë), që sot ngjason me Akademinë e Shkencave, e cila kishte bibliotekë të madhe, observatorium, objekte për përshkrim, shkrim, përkthim dhe studime të lira, në krye tësë cilës ishte El-Kindiu.

Muslimanët kudo që shkonin hapnin shkolla, medrese. Kjo ndodhi në Spanjë pas vitit 710, por ndodhi edhe në Sicili një shekull më vonë. Nga Sicilia e Spanja u bartë në Evropë edhe zeja e letrës dhe mjeteve të shkrimit.

Nga kjo periudhë kemi edhe universitetet e para muslimane si ajo e Zejtunit në Tunizi (737), e Kajrevanit në Fesë (859), e El-Ez’herit në Kajro (970-972), Nidhamije në Bagdad (shek. XI) etj. Këto shkolla janë të shumta dhe në çdo cep të botës muslimane. Qendrave të hershme arsimore të botës muslimane të Damaskut, Bagdadit, Basrës, Kufes, shumë shpejt iu bashkuan edhe qendrat e tjera në Nishapur, Samarkand, Buhara, Halep, pastaj Granadë, Kordobë, Sevilje, Toledo, Fes etj. Ky zhvillim ishte manifestim edhe i shpejtësisë së konstituimit të Islamit në hapësirën më të madhe se që e kishte Perandoria Romake në kulmin e fuqisë së saj por edhe i shpejtësisë së zhvillimit dhe komentimit të gjithanshëm të Islamit dhe njëkohësisht absorbuan trashëgiminë shpirtërore të Greqisë së Vjetër, judeo-kristianizmit, Persisë, Indisë etj. Këto dy komponenta janë të mishëruara dhe përbëjnë unitetin organik, siç e quan këtë historiani rus i shekullit XX, L. S. Vasiljev: “Shfaqje e papërsëritshme në historinë botërore e cila me të drejtë quhet botë islame.” [2]Tërthorazi, kjo shtrirje e shkollave të të gjitha niveleve reflektoi edhe në vendet ballkanike dhe shqiptare qysh herët, e për të cilat njoftoi udhëpërshkruesi i famshëm Jakut El-Hameviu në veprën e tij kapitaleMu’xhem’ul-Buldan.

III. Medreseja, strumbullari i arsimimit musliman

Medresetë krahas xhamisë (mesxhidit) janë institucionet më të rëndësishme dhe më të shtrira të arsimimit të përshpirtshëm në kulturën islame. Mirëpo, shekujt vijues, i dyti, i treti, i katërti dhe i pesti, tregojnë dhe dëshmojnë lindjen edhe të institucioneve të tjera arsimuese, sikurse janë bibliotekat, zavitë, teqetë, qendrat për përkthim etj. Megjithatë, medresetë kurrë nuk e humbën primatin në arsimimin e muslimanëve dhe të interesuarve të tjerë. Në anën tjetër, përkundër synimit të përbashkët, megjithatë xhamitë dhe medresetë kanë ruajtur rolin specifik të tyre. Xhamitë para së gjithash ruajtën rolin e ibadetit, kurse medresetë rolin edukativ-arsimor, respektivisht rolin e dhënies mësim (ta’lim). Në këtë mënyrë, xhamia nëpërmjet medresesë i përcjellë vlerat e Islamit, kurse medreseja nëpërmjet xhamisë e siguron synimin më të lartë të misionit të tij.

IV. Institucionet edukative-arsimore te osmanlinjtë

Qëndrimi i muslimanëve në Ballkan gjatë mesjetës dhe shfrytëzimi i kohëpaskohshëm i hapësirave të hapura (musallave, namaz-xhaheve) e më rrallë edhe të mesxhideve e xhamive, ende nuk është shenjë për konstituimin e institucioneve apo edhe të pushtetit musliman të qëndrueshëm në këto troje. Kjo do të ndodh sidomos gjatë shekullit XV e pas, me formimin e pushtetit ushtarak, drejtues, administrativ dhe gjyqësor. Në këtë periudhë e kemi edhe ndërtimin sistematik tëobjekteve fetare islame (xhamitë, mesxhidet, namaz-xhahet),objekteve ekonomike (bezistanet, dyqanet), objekteve të komunikacionit (karvan-sarajet, qypritë), objekteve komunale(sahat-kullat, hamamet, çeshmet, shadërvanet), objektevehumanitare (mysafir-hanet, imaretet) dhe të objekteve shkollore(mual-lim-hanet, medresetë, mektebet). Hov të jashtëzakonshëm këtij trendi i dha vetë Sulltan Mehmedi II Fatihu (1432 – 1481). Edhe zonat e reja nën administrimin osman i kushtuan rëndësi jo më të vogël ngritjes dhe ndërtimit në përgjithësi të objekteve dhe në veçanti të objekteve fetare-arsimore-humanitare por edhe mirëmbajtjes së këtyre objekteve.[3] Kështu bëri për shembull edhe Suzi Prizreni në vakuf-namen e tij.

Ndërtimi intensiv që pasoi pas marrjes së këtyre territoreve i mundësoi vendorëve të fitojnë dije dhe shkathtësi për realizmin e objekteve monumentale, sakrale e profane, publike dhe private, si xhamitë e njohura, medresetë, hamamet, çeshmet etj., por e tërë kjo, sidomos në periudhën e hershme, do të jetë sipas sistemit islam arsimor çfarë është praktikuar në botën arabe-islame të kohës në fjalë.

Në këtë aspekt kemi edhe institucionet e para të arsimit siç janëmektebet (mejtepet) – shkollat fillestare, medresetë - shkollat e mesme dhe institucionet e specializuara si Dar’ul-hadith (Institut shkencor i veçantë për studim të traditës pejgamberike) ose Dar’ul-Kurra (Institut shkencor i veçantë për studim të Kur’anit) etj.

Kemi edhe ndarje të tjera, si ato sipas themeluesve të shkollave(emirët, vezirët, pashallarët dhe personalitete të larta shtetërore), sipas kompetencës (profesionalizmit) së profesorëve, pastaj sipasveprave kryesore (Hashije-i texhrid, Miftah, Telvih, Mevakif, Hidaje, Keshaf, respektivisht medresetë harixh, dahil, musile etj.), sipaslartësisë së rrogave të personelit arsimorë dhe atij teknikë ndihmës etj.

V. Medresetë në Prizren

Me hyrjen e trojeve shqiptare në rrethin kulturoro-historik musliman në këtë nënqiell fillon një epokë e re. Libri fillon të shkruhet, të përshkruhet, shitblehet, këmbehet për t’u bërë edhe përmbledhjet e para, nga të cilat do të formohen edhe bibliotekat e para. Kryesisht ato do të ndërtohen pranë xhamive (mektebeve) dhe medreseve, kurse në qytete të mëdha do të ndërtohen edhe biblioteka të veçanta. Evlija Çelebia gjatë udhëtimit të tij në trojet shqiptare në shek. XVII mendon se sistemi arsimor lulëzonte, kurse pedagogët përbënin elitën intelektuale me ndikim të fuqishëm në opinion.

Raste të tilla kemi shumë, por ndër rastet më eklatante në Prizren është Xhamia, Mualim-hanja dhe Biblioteka e Suziut në Prizren (1513), Xhamia, Medreseja, Biblioteka, Hamami i Gazi Mehmed-pashës (1573), Xhamia, Medreseja, Biblioteka e Sinan-pashës(1615) etj. Në fund të shekullit XVI Prizreni numëronte tetë xhami dhe po aq shkolla të llojeve të ndryshme[4], kurse dokumentet e kohës dëshmojnë se Prizreni në këtë kohë po zhvillohej në një qendër të mirëfilltë politike, ekonomike, arsimore e tregtare.[5] Madje, kishte edhe imarete (kuzhina), si ajo e Mustafa-pashës, e cila u jepte falas ushqim shumë talebeve dhe muderrisëve të Prizrenit.[6] Në këto shkolla të Prizrenit, janë mësuar lëndët pak a shumë të njëjta si në medresetë e tjera të Perandorisë Osmane: gjuha arabe, osmane e persiane, mësohej Kur’ani dhe komentimi i Kur’anit, Kiraeti, Hadithi (tradita islame), e drejta e sheriatit (fikhu, feraizi hanefij etj.), kelami (maturidij), logjika, retorika, astronomia, gramatika, sintaksa, stilistika, metrika etj. Pas përfundimit të shkollimit, nga medreseja përkatëse, sikur nga ajo e Gazi Mehmed-pashës, lëshohej dokumenti dëshmues, Ixhazet-nameja.

Me kalimin e kohës numri i shkollave varionte nga dekada në dekadë, por është e sigurt se disa funksiononin rregullisht. Sipas Sallnames së vitit 1874, Prizreni i kishte 21 mektebe si dhe 4 medrese. Më 1886 në këtë qytet kishte 17 shkolla për meshkuj, 9 për femra dhe një Ruzhdije (lloj gjimnazi) për fëmijët muslimanë në gjuhën mësimore osmane. Që të gjitha ishin të rangut mesatar.

Mirëpo, pas largimit të Perandorisë Osmane në vitin 1912 pjesa më e madhe e trojeve shqiptare u aneksuan nga sllavët. Fatin politikë të vendit e pësoi edhe sistemi arsimor. Ai u rrëgjua në maksimum dhe mbeti në mëshirë të fatit individual. U mbyllën shumica e medreseve, kurse ato që mbeten përcilleshin në mënyrë rigoroze, sepse ekzistonte frika se rebelimi antiserb e antikristian burimin e ka pikërisht nga këto qeliza. Sipas disa shënimeve statistikore, në viset shqiptare gjatë viteve 1912-1941 u rrënuan 320 xhami, u përdhosën 85 mektebe dhe bibliotekat e tyre.[7] Ushtaraku serb togeri Momir Korunoviq, në mars të vitit 1913, kishte hartuar një projekt shfarosës. Ai së bashku me arkitektin Dushan S. Millosavleviq kishin hartuar edhe Planin Gjeneral, i cili ishte zyrtarizuar më 1924, dhe me pretekst të rregullimit dhe zgjerimit të rrugëve të qytetit të Prizrenit, kishin asgjësuar pjesë të mëdha të trashëgimisë muslimane në Prizren.

Për t’i mbajtur rebelimin nën kontroll, më 1939 Mbretëria Jugosllave lejoi hapjen e vetëm dy medreseve, të Prishtinës dhe të Prizrenit. Mirëpo, ky vendim kurrë nuk u realizua. Meqenëse Medreseja e Gazi Mehmed-pashës në Prizren u mbyll më 1947, qeveria e atëhershme e Kosovës nën tutelën serbo-jugosllave, më 1949 mori vendim për hapjen e një medreseje në Prishtinë, por kjo hapje për shkak të mungesës së infrastrukturës u shty deri më 1951. Më pastaj Medreseja përjetoi disa reformime, duke u avancuar nga shkolla e mesme e ulët në shkollë të mesme pesëvjeçare, e më vonë në katërvjeçare, që vazhdon të jetë deri më sot.

Mirëpo, nevojat e popullit për kuadro të reja ishin të mëdha, kurse medreseja aktuale në Prishtinë nuk mund t‘i plotësonte nevojat e Kosovës, Preshevës, Malit të Zi, etj. Nisur nga këto rrethana, Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren, në vitin 1988 e pas, e shtroi nevojën e rihapjes së një medreseje në Prizren, për ta zbutur nevojën për kuadro të reja për veti por edhe për regjionin. Pas një kohe të gjatë arsyetimesh e bindjesh brendapërbrenda Bashkësisë Islame, më 1992 Kuvendi i Bashkësisë Islame në Prishtinë mori vendimin në parim, kurse më 1993 Kryesia e BI mori vendimin për implementimin e vendimit të Kuvendit dhe lejoi hapjen e Medresesë edhe në Prizren, të cilën e quajti Paralele të Ndarë Fizike të Medresesë në Prishtinë. Paraleles së meshkujve të medresesë në vitin 1997-1998 iu shtua edhe Paralelja e Femrave, që paraqet një përmbyllje të ciklit të mesëm arsimor dhe njëkohësisht paraqet rihapjen, vazhdimësinëqindra vjeçare të medreseve në Prizren e regjion.

VI. Në vend të përmbylljes

Në përfundim duhet theksuar se themelimi, shtrirja dhe zhvillimi i sistemit shkollor dhe edukativ është rezultat i mësimit islam dhe i raportit të Islamit kundrejt dijes dhe meditimit. Medresetë gjithnjë kanë prezantuar kështjella në të cilat janë filluar, zhvilluar dhe ruajtur vlerat fetare, morale, edukative-arsimore e kulturore, shoqërore e nacionale të cilat paraqesin identitetin e çdo populli.

Edhe Medreseja në Prizren paraqet trashëgimtaren e ish-medreseve në Prizren e më gjerë që si Diell të ndriçojë ndërmjet dy qytetërimeve (atij kristian dhe islam), të hedhë ura mirëkuptimi ndërmjet dy botëve (evropian dhe jashtëevropian), që t’i lidhë fijet ndërmjet dy periudhave kohore (të kaluarës dhe të ardhmes).

Medreseja sot, me objektet dhe infrastrukturën përcjellëse që ka, me kuadrin e kualifikuar dhe premtues, me interesimin e të gjithë faktorëve kompetentë dhe të popullit, dhe me ndihmën e Zotit, është garanci e të ardhmes sonë.

Ky referat është lexuar në programin e Medresesë në Prizren me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më 20.11.2012, në amfiteatrin e shkollës. (version i shkurtuar)


[1] Shih: Xhorxh Sarton, Historia e shkencës islame, Tiranë, 2009.
[2] L. S. Vasiljev, Istorija religija istoka, Beograd, 1987, f. 86.
[3] Medresetë në periudhën osmane janë të ndikuara nga medreseja Nidhamije e turqve selxhuk dhe kanë ndjekur rrugën e sunizmit. Sipas: Enes Karic, Prilozi, po aty, f. 133 dhe 135.
[4] Sipas: Hasan Kalesi, Prizren kao kulturni centar za vreme turskog perioda, Gj. Albanologjike, 1/ 1962, Prishtinë, f. 93.
[5] Skender Rizaj, Gjurmime Albanologjike seria e shkencave historike, nr. XIII-1983, f. 62.
[6] Esat Haskuka, Historijsko-geografska analiza urbanih funkcija Prizrena, Gjakovica, 1985, f 148.
[7] Sipas: Jusuf Osmani, Rezistenca e kuadrit dhe e institucioneve fetare kundër reformës agrare dhe kolonizimit në Kosovë midis dy Luftërave Botërore, në: Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët, Prishtinë, 1995, f. 488.

“Nga Kërçova – Për Kërçovën”

27/11/2012 Lini një koment

Hasan KELMENDI

“NGA KËRÇOVA – PËR KËRÇOVËN”*

Profesori i orientalistikës, prof. dr. Feti Mehdiu, është studiues dhe hulumtues i njohur dhe i mirëpritur, që me një përkushtim të madh, arriti që deri më tash të botojë një numër jo të vogël studimesh e artikujsh nga fusha e orientalistikës që është fahu i tij, dhe jo vetëm nga kjo fushë; por edhe nga fusha të tjera, si historia, islamistika, gjuhësia-filologjia, folklori dhe etnologjia. (Numri i njësive të tij bibliografike arriti në 287, vetëm deri në fund të vitit 2002, shih revistën “Studime Orientale”, nr. 2, Prishtinë 2003). Kohët e fundit (më 2002), duke marrë parasysh kontributin e tij të gjerë e të shumanshëm në fushën e orientalistikës, Akademia Arabe e Shkencave (me seli në Damask), në mesin e 36 anëtarëve të rinj nga bota, e zgjodhi anëtar korrespondent të saj. Ne këtu do të ndalemi vetëm për të prezantuar dhe vështruar një libër të tij, që ndonëse doli nga shtypi më 1995, ai ruan edhe sot e më tej aktualitetin dhe rëndësinë e trajtimit dhe të shqyrtimit shkencor.

Libri “Nga Kërçova – për Kërçovën”, i kushtohet, siç mund të vërehet nga vetë titulli, vendlindjes së tij, pra, Kërçovës, qytet ky në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Autori që në hyrje, “në vend të parathënies”, shkruan: “Librin e titullova ‘Nga Kërçova – për Kërçovën’. Këtë titull e kushtëzon materia e mbarështruar në këtë libër. Me fjalë të tjera, një pjesë e materialit, si kontributet folklorike, dialektologjike, onomastike (këngët vendase…), janë vjelur nga terreni i Kërçovës, kurse në punimet Kërçova nëpër shekuj, Kultura materiale islame në vendin tonë, Arsimimi i shqiptarëve të Kërçovës, madje edhe në ndonjë pjesë të punimeve nga fusha e folklorit, janë shfrytëzuar burimet historike…” (f. 17).

Ndonëse autori i këtij libri, për të mos e lavdëruar veten, veprën e tij e quan “modeste”; por, çdokush që do të ndalet për ta lexuar dhe analizuar librin e tij, do të vërejë pa dyshim se angazhimi i autorit, dr. Feti Mehdiu, për t’i ofruar lexuesit një libër si ky me kontribute me vlerë shkencore është gjithsesi edhe më shumë se kaq.

Këtë libër autori e ka ndarë në tri tërësi tematike, që në të vërtetë përfshijnë tri fusha të ndryshme: 1) histori (f. 11-17), filologji (f. 121-143) dhe folklor (f. 151-193).

Në ballë të këtij libri, autori ka vënë studimin me titull: Kërçova nëpër shekuj, me nëntitull: Kërçova deri në fund të shek. 19, në të cilin studim së pari bëhet një vështrim i pozitës gjeografike të regjionit të Kërçovës, dhe më pas autori synon për të na njohur me rrjedhat historike të këtij regjioni, që sipas tij, ishte i banuar shumë herët, në antikitet; që nga koha e neolitit e deri më sot; ndërsa në periudhën e sundimit romak, ndeshet qyteti me emrin Uskana, që kemi të bëjmë pa dyshim me Kërçovën e sotme, e cila që në vitin 170 para erës sonë, kishte 10.000 banorë, dhe kjo dëshmon për numrin e madh të banorëve të këtij qyteti qysh në kohën antike. Më vonë ky qytet, sipas autorit, do të njihet me emrin Kicavis, dhe bënte pjesë në dioqezën e Ohrit. Duke u ndalur më poshtë në shqyrtimin e burimeve osmane, vihet re se emri i qytetit të Kërçovës të jetë shënuar Ozkëna, që s’është tjetër, përveçse një formë e tjetërsuar e emërtimit Uskana. Është me interes të theksohet se në njërin nga dy dokumentet turke të shek. XV, që autori i mori për t’i shqyrtuar nga aspekti historik, (në dokumentin e parë), vërehet se popullsia e qytetit të Kërçovës, sipas këtij dokumenti, i cili shënon regjistrimin e parë të popullatës së kësaj ane, ndahej: në popullatë islame dhe krishtere, e jetonte e shpërndarë në dy lagje (“mahallë”): në lagjen me popullatë islame dhe krishtere. Në lagjen e fundit, sipas autorit, jetonin të krishterët sllavë dhe në lagjen tjetër të krishterët shqiptarë. “Popullata e krishterë, edhe pse ishte shqiptare, kishte përvetësuar shumë emra që nuk janë shqiptarë” (f. 13). Dhe për ta vërtetuar këtë, autori sjell më poshtë një listë me emra shqiptarësh të krishterë, siç janë: “Gjuro i biri i Vladkos”, “Vlajko i biri i Gjonit”, “Dinjo i biri i Gjergjos”, “Juvani (Jovani) i biri i Pejos”, “Petko i biri i Ninës”, “Todor i biri i Dodës” etj. Për të dëshmuar se ky regjion ishte i banuar edhe me banorë shqiptarë të përkatësisë krishtere (krahas banorëve të tjerë të përkatësisë islame dhe të banorëve të përkatësisë krishtere sllave), autori ndalet në të dhënat që dalin nga një defter turk i përpiluar para vitit 1476/77, të cilin më përpara e kishte botuar dhe shfrytëzuar studiuesi maqedonas, Aleksandar Stojanovski, dokument i cili është mjaft i saktë dhe eksplicit për nga të dhënat që sjell për një nga regjistrimet e popullsisë të këtij regjioni.

Në përpjekjet e autorit për të shqyrtuar të dhënat historike, gjithnjë në mënyrë objektive dhe shkencore, vëren se në periudhën që nga shekulli i pesëmbëdhjetë e deri në shekullin nëntëmbëdhjetë, Perandoria Osmane i kishte forcuar pozitat e saj, dhe që nga kjo periudhë fillon përkrahja masive e fesë islame, e cila gjë vërehet në ndërtimin e shumë objekteve të kulturës islame. Me hulumtimin e këtyre objekteve autori merret në vazhdim të librit.

Në punimin Kultura materiale islame në vendin tonë (f. 49-95) autori, F. Mehdiu, shkruan se për të hulumtuar një temë të tillë, ai së pari u kishte parashtruar një plan të tij konkret të dy Bashkësive Islame (asaj me qendër në Prishtinë dhe në Shkup), e që konsistonte në evidencimin e plotë të kulturës materiale islame, dhe pasi kishte arritur që të siguronte lejen e nevojshme nga Bashkësia Islame në Shkup, kishte filluar së pari me fotografimin e objekteve islame, në radhë të parë të xhamive. Kështu si hap të parë të këtij hulumtimi, ai e kishte përqendruar vëmendjen e tij së pari në territorin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Kërçovës. Edhe punimi tjetër që pason, (Xhamitë e Kërçovës me rrethinë), është rezultat i angazhimit të tij për të bërë evidencimin e plotë në terren të objekteve fetare, e me këtë rast të xhamive, që në këtë anë, nuk janë të pakta.

Në vazhdim të librit, autori shkruan për arsimimin e shqiptarëve të Kërçovës para dhe pas Luftës së Dytë Botërore (f. 97-111), dhe për ta trajtuar këtë çështje sa më mirë, ai gjithë këtë periudhë e ndan më tutje në dy periudha:

1) në periudhën midis dy Luftërave Botërore (1918-1941), dhe

2) në periudhën nga Lufta e Dytë Botërore e deri para disa vitesh (1941-1991). Në të dy këto periudha, siç del nga trajtimi i gjerë e me fakte në këtë punim, dëshmohet më se një herë se dashuria dhe vullneti i popullit shqiptar për arsim në gjuhën shqipe, ishte dhe mbeti shumë i madh, dhe se këtë s’mundi ta ndalte as politika e disa pushtetmbajtësve, që ndonjëherë nuk përputhej në esencë as për së afërmi me interesat e popullatës shumicë, pra të shqiptarëve të këtij regjioni.

Në pjesën e tretë të librit (Filologji), autori trajton disa veçori gjuhësore të këtij regjioni, duke u ndalur me këtë rast vetëm në veçoritë fonetike dhe morfologjike, si dhe duke na sjellë një material deri diku të pasur onomastik. Duke qenë se janë me interes vëzhgimet e tij gjuhësore, më poshtë do të ndalemi për të analizuar disa nga këto vëzhgime, që autori i shqyrton në katër punimet e tij.

Punimi i parë, “Disa veçori fonetike dhe morfologjike të së folmes të Kërçovës” (f. 121-130), siç tregon edhe vetë titulli, është një punim përshkrues nga dialektologjia e të folmeve shqiptare, siç është e folmja e Kërçovës, që është pa dyshim me interes për vetë faktin se kjo e folme deri vonë ka qenë fare e pa hulumtuar nga ana e studiuesve të dialektologjisë, dhe nga studiues të fushave të tjera të dijeve. Por, megjithatë, kohët e fundit, për këtë të folme është botuar edhe ndonjë punim apo studim tjetër dialektologjik, siç është një punim i A. Zenkut (në revistën Jehona, nr. 3, 1968) dhe i Q. Muratit (në revistën Gjurmime albanologjike, Seria e shkencave filologjike, IX-1979 dhe X-1980), që së bashku me punimin e cekur më sipër, i çojnë më përpara njohuritë tona për këtë të folme shqiptare të Maqedonisë. Por, kur jemi këtu, duhet vënë para së gjithash në pah, se në ç’veçori gjuhësore autori, F. Mehdiu, është ndalur më shumë, dhe cilat në të vërtetë janë ato?

Është gjithashtu me interes të thuhet se autori i librit në punimin e përmendur më sipër, së pari ka parashtruar një hyrje të shkurtër, duke na e bërë të njohur se Komuna e Kërçovës përfshin 81 vendbanime, me 8.774 familje, dhe që të gjitha këto kapin numrin e 44.188 banorëve (sipas një regjistrimi të vitit 1972), shtron më poshtë me të drejtë çështjen e emrit të Kërçovës, për të cilin thekson se “deri më tani nuk kemi ndonjë studim bindës”. Autori, për të na dhënë një pasqyrë sa më bindëse të asaj që shtjellon, gjithë arealin gjuhësor të kësaj treve, e ndan në tri pjesë: 1) në grupin veriperëndimor; 2) në grupin verilindor, dhe 3) në grupin jugor, banorët e të cilit grup nuk janë shqipfolës.

Ndër veçoritë kryesore dialektore, në të cilat është ndalur autori, duhet veçuar në fillim ato fonetike, siç janë zanoret; kështu së pari shqyrton zanoren a, të cilën ai e gjen kudo të labializuar, dhe këtë e vëren në dy drejtime: 1) kur ajo ndodhet para bashkëtingëlloreve m, n, që ka dhënë o, duke sjellë shembujt: hongra (për “hângra”), Hasoni (për “Hasani”), Rrahmoni (për “Rrahmãni”), kom (për “kãm”) etj.; dhe 2) kur në të njëjtën pozitë fonetike, kjo zanore është tjetërsuar në diftongoid: , ku elementi i dytë është më i theksuar. Megjithëse numri i veçorive dialektore në punimin e cekur të autorit, siç janë ato fonetike dhe morfologjike, nuk është i vogël, në këtë vështrim do të përqendrohemi në vazhdim, vetëm në ato veçori dialektore që janë më të përgjithshme dhe me interes për dialektologjinë shqiptare. Kështu, njëra ndër karakteristikat bazë, të përgjithshme, që bie në sy në këtë punim dialektologjik është diftongimi i zanoreve, që si veçori e përgjithshme, e vendos këtë të folme ndër të folmet shqipe të gegërishtes së mesme. Në këtë mënyrë zanoret e theksuara, jo vetëm a-ja, që u vërejt më sipër por edhe zanoret e tjera, kanë pësuar një fat të tillë; kështu i-ja në pozicion nistor dhe fundor, është diftonguar në ëi ose ai (si “shtëpëi”, “mëir”, “dhëi”, “heshëi” etj.), 2) Po kështu edhe y-ja diftongohet në ou: shtoup, kroy, hoy, frou (për “shtyp”, “krye”, “hy”, “fry” etj.). 3) Edhe u-ja, siç e vëren autori, është “hapur” në ou (në grupin verilindor), si our, oudh, ouk (për “urë”, “udhë”, “ujk”); dhe në au, te të njëjtat fjalë shqipe në grupin veriperëndimor të fshatrave. Kjo zanore, siç mund të vërehet nga ky punim, është ndryshuar në zanore a, dhe kjo vihet re te disa fjalë me burim të huaj (këtë gjë e vërejmë përgjithësisht edhe në të folmet shqipe të Kosovës, siç janë: jargan, daktour, çaropa etj. 4) Zanoret e dhe ë, siç del nga punimi i F. Mehdiut, gjithashtu kanë pësuar ndryshime, duke u tjetërsuar në i, si p. sh. kimi erdhë, kini qenë (për “kemi”, “keni”); kit, lishoj, (për “këtë”, “lëshoj”); ndërsa te disa fjalë të tjera ë-ja është labiazuar në u: fumojë, muzat, kumëish (për “fëmijë”, “mëzat”, “këmishë” etj.).

Në punimin “Disa veçori fonetike dhe morfologjike…”, vërejmë gjithashtu se edhe sa i përket sistemit të bashkëtingëlloreve, vërehen disa veçori me interes. Në këtë aspekt, po i vërejmë me radhë, ashtu siç janë trajtuar në këtë punim. 1) Së pari bashkëtingëllorja g (ka dalë gabimisht “zanorja g”, f. 124) në të folmen e Kërçovës, sipas autorit, e vërejmë të ketë ndryshuar, duke u palatalizuar në gj, kur g-ja është ndodhur para zanoreve a ose u: magjar,-i (për “magar-i”, zaggjar-i (për “zagar-i”), gjur-i (për “gur-i”, gjugjash-i (për “gugash-i”) etj. 2) Bashkëtingëllorja h, edhe pse është ruajtur mirë në fillim të fjalës, kur është ndodhur në mes dhe në fund të fjalës, ajo ka rënë fare; dhe po kështu kjo bashkëtingëllore, sipas autorit F. Mehdiu, ka kaluar në bashkëtingëlloren f, në pozicion fundor te disa folje, si ngref, kref, njof etj. 3) Është me interes fakti që autori në këtë punim na e bën të njohur: “Palatalet q dhe gj shpeshherë dallohen me vështirësi nga afrikatet ç dhe xh”. Kjo do të thotë se edhe këto palatale edhe në këtë zonë të arealit gjuhësor të të folmeve shqipe të Maqedonisë, kanë filluar të trazohen. Ndonëse autori nuk merret me shkaqet e këtij trazimi; më poshtë ai sjell shembujt: xhak, xharpën, çafë-a, çylym etj.; ndërsa bashkëtingëllorja q, siç del nga ky punim, është ruajtur te disa fjalë të tjera, si qerre, qyme, qingj, qumësht, qesh dhe qe” (f. 125). 4) Sa u përket grupeve të bashkëtingëlloreve mb, nd; ato janë asimiluar në elementin e parë të tyre, siç shihet nga shembujt e sjellë këtu: mërri, mrapa, mështet, mulut, mret (për “mbërrij”, “mbrapa”, “mbështet”, “mbulutë” etj.).

Veçoritë morfologjike autori i librit, i vështron duke filluar nga gjinia e emrave, duke vënë në spikamë faktin se gjinia asnjanëse në të folmen shqipe të Kërçovës është çintegruar tërësisht, duke kaluar në gjininë mashkullore. Ndërsa, për trajtën e emrave autori vëren se emrat që mbarojnë në trajtën e pashquar me -ua (<-ue), ata në këtë të folme dalin me togun zanor -ou ose -au: ftou, thou, prrou (Zajazi); dhe ftau, thau, prrau (Serbica). Te rasat e emrave, vërehet, ndër të tjera, se emrat që mbarojnë në trajtën e shquar me -i dhe -u të theksuar, në trajtën e shquar të kallëzores e nxjerrin prapë tingullin tematik para i-së, si mullëinin, kushurëinin, drunin; kurse me mbaresën - dalin emrat: krounë. Autori i vështron edhe tri veçori të tjera morfologjike. 1) Në trajtimin e nyjës, përkatësisht të nyjës – mbaresës shquese, autori vëren se emrat që përfundojnë me bashkëtingëlloret -k, -g, kur të shquhen, marrin nyjë – mbaresën -u: jugu, lugu, zogu, vargu etj. 2) Nga trajtimi i përemrave që shqyrtohen në këtë punim, vihet re se vetëm përemri i vetës së parë shumës ne (na), shënon dallimin, që nuk ndeshet pothuajse në asnjë të folme tjetër. 5) Trajtimit të foljes autori i kushton gjithashtu vëmendje të veçantë, duke u ndalur në të pakryerën e trajtave të diatezës veprore dhe pësore; mandej është ndalur në trajtimin e veçorive të kohës së kryer të thjeshtë, të kohës së ardhme, për t’u ndalur më poshtë në shqyrtimin e veçorive të paskajores dhe të pjesëve të pandryshueshme të ligjëratës (parafjalës dhe ndajfoljes) e për të përfunduar punimin e tij me trajtimin që i bën mënyrës së formimit të fjalëve të reja në të folmen e Kërçovës me anë të parashtesimit dhe të prapashtesimit.

Në vazhdim të pjesës së dytë të librit (Filologji), autori vështron në aspektin diakronik dhe sinkronik onomastikën e trevës së Kërçovës. Kështu punimi i parë “Rreth disa prapashtesave në onomastikën e shqiptarëve të Kërçovës” është marrë me shqyrtimin diakronik të tri prapashtesave (-aj, -llarë, dhe në disa publikime -ovci), të cilat autori i gjen në patronimet e kësaj ane. Në dy punimet e tjera “Hidronimia e fshatit Zajaz me rrethinë, dhe Kontribut për onomastikën e Kërçovës”, autori merret me vështrimin sinkronik të toponimeve, d.m.th. me gjendjen e tyre të ruajtur në kohën e sotme.

Libri i F. Mehdiut – Nga Kërçova – për Kërçovën, përmban në fund edhe tërësinë e tretë (Folklor), në të cilin është bërë prezantimi dhe analiza e disa materialeve folklorike, që autori i ka mbledhur me zell e kujdes të madh; në këtë mënyrë këtu bëhet analiza e disa këngëve vendëse, duke ndjekur ato veçmas për nga gjeneza e krijimit të tyre; ndërsa po kështu autori sjell edhe disa këngë të tjera me interes që këndohen ose këndoheshin në trevën e Kërçovës me rrethinë gjatë festave kalendarike të vitit, të cilat i shoqëronin ritet e ndryshme, dhe të cilat praktikoheshin gjatë këtyre festave të motmotit, siç ishin ritet e përzheshkës, të hododoleve, të sulltan nevruzit etj. Të gjitha këto këngë si dhe ritet që i shoqërojnë ato, janë analizuar këtu nga aspekti tematik – përmbajtjesor, dhe si rezultat i kësaj, autori bën përpjekje për të dëshmuar njëkohësisht dhe gjenezën e tyre.

Në fund të librit autori boton Fjalë të urta nga Kërçova (f. 193-199), shumë nga të cilat nuk janë të tilla; por janë vetëm frazeologjizma, të cilat si të tilla janë me interes për leksikologjinë dhe dialektologjinë e të folmeve shqipe.


* Ky artikull është botuar në revistën “URA”, nr. 3, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2009, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com

Medreseja e Tiranës, një shekull për arsimin dhe diturinë

19/10/2012 Lini një koment

MEDRESEJA E TIRANËS, NJË SHEKULL PËR ARSIMIN DHE DITURINË

Medreseja e Tiranës, një shekull për arsimin dhe diturinë

Medreseja “Haxhi Hafiz Mahmud Dashi”, Tiranë

Intelektuali i njohur, z. Xhemal Balla ish-medresist dhe më pas mësues flet për kushtet në të cilat u hap Medreseja e Tiranës në vitin e largët 1924, pedagogët dhe medresistët e parë si dhe rolin dhe kontributin e dhënë prej tyre në shoqërinë e asaj kohe e më vonë. Në vlerësimin e tij Medreseja e Tiranës ka qenë dhe mbetet një ndër shkollat elitë jo vetëm të kryeqytetit, por të gjithë Shqipërisë, pasi në bankat e saj janë përgatitur qindra studiues, inxhinierë, mjekë, mësues, vaizë etj., që kanë punuar me ndërgjegje të lartë në sektorë të ndryshëm të jetës.

Z. Balla sjell në vëmendje momente nga rihapja e Medresesë në vitin 1991, ku edhe pse në kushte të vështira e mungesë të theksuar ambientesh e baze didaktike, Medreseja ruajti profilin e saj, duke ofruar për nxënësit e saj arsimin dhe edukimin e duhur të ndërthurur me frymën fetare e kombëtare, mision të cilin vazhdon ta kryejë me përkushtim edhe sot e kësaj dite.

Prof. Xhemal Balla

Për medresetë, si institucione serioze të arsimit kombëtar fetar islam, mund të flasim vetëm në fillimet e shekullit XX, pas Shpalljes së Pavarësisë. Në ballë të tyre qëndron sigurisht Medreseja e Tiranës, që u hap më 1924 për të plotësuar nevojat për kuadro fetarë. Cilat ishin kushtet në të cilat u hap kjo shkollë?

Pas shpalljes së pavarësisë klerikët shqiptarë radhiten bashkë me personalitete politike e shoqërore në mbrojtje të saj. Vehbi Dibra ishte zgjedhur në krye të pleqësisë, i ngarkuar nga Kuvendi me detyrën e Myftiut të përgjithshëm të Shqipërisë. Ai filloi menjëherë me riorganizimin e institucioneve fetare në Shqipëri e deri në ngritjen e zyrave të Sheriatit Islam. Këto probleme ai i bën objekt diskutimesh në mbledhjen e qeverisë së Vlorës, datë 5 maj 1913 (Arkivi Qendror, fondi 71, dosje 2, dokumenti 8135). Ndërmjet të tjerash në të shkruhej: “Myftinjtë do të vihen në dispozicion të Hirësisë së tij, Shejhul Islam i Shqipërisë dhe funksioni i tyre do të dekretohet prej tij”. Administrata fetare u krijua mbi baza të administratës shtetërore si p.sh. prefekturës i përgjigjej Myftiu, N/Prefekturës – N/Myftiu e me radhë, të gjitha në varësi të qeverisë. Një eveniment me rëndësi në vitin 1916 ishte krijimi i gjyqit të Naltë të Sheriatit Islam me kryetar Kryemyftiun e Shqipërisë H. Vehbi Dibra. Filloi reforma fetare e shoqërore, që arriti kulmin me ndarjen nga kalifati i Turqisë në vitin 1923, me organizimin e kongresit të parë mysliman më 24 shkurt deri 13 mars, kryesuar nga Dërvish Hima. Në këtë kohë pushteti i Ahmet Zogut kishte aprovuar masa ligjore që synonin kontrollin mbi bashkësitë fetare. Kongresi zgjodhi komisionin për hartimin e statutit si dokumenti më i rëndësishëm i tij. Në nenin 6-7 përcaktohej zgjedhja e Këshillit të Naltë të Sheriatit Islam me kryetar Vehbi Dibra. Ky këshill ngarkohej që të ngrinte Medresenë e Naltë, si nevojë urgjente për Shqipërinë. Kjo u vendos në një kohë kur nuk ishte krijuar gjimnazi i Tiranës, por ekzistonte vetëm shkolla teknike.Medreseja u hap në vitin 1924 me vendim të qeverisë shqiptare për efekt license. Në zbatim të artikullit 60 të statutit të Komunitetit Mysliman, Medreseja e Përgjithshme konsiderohej si një institut mësimor fetar e kombëtar, ku përfshinte tre kategori: fillore – lice – universitet, ku secila periudhë të ishte nga 4 vjet. Këshilli i Naltë i Sheriatit në fillim propozon hapjen e tri klasave për mungesë të godinës e anës financiare. Nga çdo prefekturë do të pranoheshin nga pesë nxënës, që u siguronin dhe financimin e tyre. Këshilli i Naltë emëroi si drejtor Qamil Balën, pjesëmarrës në kongresin islam dhe anëtar i Këshillit të Naltë të Sheriaitit. Shkolla do të funksiononte me një rregullore të aprovuar prej 92 nenesh, me personel tërësisht shqiptar, me programe e organizim bashkëkohor të hartuar nga teologët e Komunitetit Mysliman.

Më 24.02.1924 u regjistruan 24 nxënës. Personeli arsimor ishte: Hafiz Ali Korça, mësues i gjuhës arabe; Sulejman Kadiu, mësues i Kur’anit, fikhut dhe gjuhës shqipe; Major Rexhep Berati, mësues i matematikë-gjeometri; kapiten Musa Puka, mësues i gjimnastikës; Haki Tefiku, mësues i histori-gjeografi; Pertef Pogoni, mësues i frëngjishtes; Jashar Qemali i higjienës; Qamil Bala i shkencës; Gani Strazimiri, mësues i vizatimit; doktor Sabriu, vizitë mjekësore javore. Në semestrin e dytë, 01.09.1924 emërohen profesorë të rinj si Haxhi Tahiri, Haxhi Dashi, Sali Çela, Emin Jakova e Avni Zajmi.

Në kongresin e III islam që u mbajt më 6 korrik -3 gusht 1929 u vendos që Medreseja të emërtohej “Medrese e Përgjithshme”, për shkak se u mbyllën medresetë e qarqeve. Në vitin 1931 përfundoi së ndërtuari godina e re e Medresesë dhe në inaugurimin e saj, në fjalën e hapjes foli politikani e sociologu shqiptar Mehdi Frashëri, ku ndërmjet të tjerash do të citonte: “Ky qe një sihariq për tërë botën islame shqiptare. Përparimi i vrullshëm për ne shqiptarët është një nevojë e jetës. Medresetë do të jenë foleja e prijësve të fesë islame në Shqipëri, e duhet të konfirmohen me frymën e shekullit brenda të cilit jetojmë.” (Zani i Naltë, Nr. 6, fq. 154-158)

Më 23.10. 1932 këshilli i përhershëm i Komunitetit Mysliman organizoi shpërndarjen e parë të 16 diplomave të studentëve, maturantëve të kësaj shkolle. Numri i nxënësve erdhi duke u shtuar saqë në vitin 1936 arriti në 100 nxënës të brendshëm dhe 25 nxënës të jashtëm. Evenimenti më i rëndësishëm ishte vizita e një ministri nga SHBA i shoqëruar nga kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, dr. Behxhet Shapati.

Medreseja formoi fizionominë e një institucioni me vlera islame ku merrej formim i shëndoshë fetar e kombëtar, ndaj edhe fitoi emër të mirë në të gjithë vendin e më gjerë. Cili ka qenë profili i medresistëve të parë?

Profili i medresistëve të parë ka qenë i shkëlqyer. Kështu Shaban Demiraj nga Vlora mbaron me gradën “Lavdrueshëm” e arin të bëhet kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë; Sali Ferhati, vaiz shëtitës në Berat e më vonë Myfti i Peshkopisë; Shefqet Jashari mësues feje e më vonë Myfti i Peqin-Shijak. Po kështu emërohen 8 maturantë vaizë shëtitës si: Enver Beqiri, Hafiz Sahiti, Limon Bushati, Shefqet Balla, Hasan Selami, Adem Mehmeti etj. Më datë 24.06.1939 të gjashtë maturantët shkojnë në Peruxhia të Italisë për të ndjekur kursin veror të gjuhës italiane shoqëruar nga profesori i tyre. Studentët që mbaruan jashtë si Vexhi Demiraj në Kajro, renditet studenti i dytë që merr diplomën me rezultate të larta, emërohet në Medrese profesor i filozofisë në vitin 1939, zgjidhet sekretar i shoqatës bamirëse kulturore dhe e rinisë myslimane në kryeqytet dhe kryeredaktor i revistës “Arsyeja”; Sadik Bega diplomohet në Kajro, emërohet drejtor i revistës “Kultura Islame”; Sherif Putra diplomohet në Universitetin “Lahora” të Indisë dhe punësohet redaktor i revistës “Kultura Islame” e më vonë drejtor i Medresesë. Vexhi Buharaja fiton konkursin letrar të shpallur në fletoren “Tomorri” për prozë e poezi dhe bëhet një nga orientalistët më të shquar shqiptarë në përkthimin e mjaft veprave nga gjuhët e lindjes.

Cili është kontributi për shoqërinë i të diplomuarve në këtë institucion fetaro- arsimor?

Krahas detyrave fetare si imam, vaiz, myfti si dhe u përmend më lart, medresistët kanë kontribuar dhe në sektorë të ndryshëm të jetës civile-dominon profesioni i mësuesit, pasi një pjesë e konsiderueshme u diplomuan në Universitetin Shtetëror në degën e mësuesisë si: Sefer Bajraktari, Mehmet Balla, Mehmet Sinella, Ismail Muçej, Besim Ali Mehmeti etj, të diplomuar para çlirimit të vendit, ndërsa mbas vitit 1944, gjatë pushtetit komunist ka një numër më të madh medresistësh nga Kavaja, Durrësi, Tirana, Peshkopia që morën arsimin e lartë e kontribuuan në arsim, por edhe në degët e tjera të ekonomisë, që po të rendisim emra e kalojnë numrin 30. Në Tiranë Ibrahim Balla, Faik Kasollja, Ali Basha në Universitetin e Tiranës, Xhemal Balla, drejtor e inspektor arsimi, Ali Hoxha, Muhamed Xhimdulla, Fahri Doçi etj; në zonën e veriut, Hekuran Balliu, Idriz Xhaferri, Kujtim Gjinishi, drejtor arsimi, Zyhdi Çaça etj.

Pas ardhjes së komunistëve në pushtet, si feja e besimi në përgjithësi, medreseja pati goditje me ashpërsi në rritje. A ka pasur raste ku profesorë apo medresistë janë persekutuar dhe burgosur nga regjimi totalitar?

Ardhja në pushtet e komunistëve solli reforma në fe dhe në përndjekjen e kuadrove të saj. Eksponentë të shquar të klerit mysliman u persekutuan e u burgosën si: Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Ismet Dibra, Hafiz Sabri Koçi, Faik Hoxha, Ismail Muçej, Haki Sharofi, Jonuz Buliqi, Ibrahim Hasanaj, Haxhi Mustafa Varoshi, Hafiz Sherif Langu, Selim Gashi, Sheh Ali Pazari, Shyqyri Myftiu i ekzekutuar; Sheh Ibrahim Karbunara i pushkatuar etj, etj. U hoqën nga puna ose u burgosën të gjithë sepse dyshoheshin se ishin kundër pushtetit.

Mbas shpalljes së kushtetutës së re në mars të vitit 1946, shteti e ashpërsoi edhe më shumë luftën jo vetëm kundër klerit mysliman por edhe ndaj Medresesë. Ju hoq titulli Medrese e Naltë dhe u la vetëm shkollë e mesme dhe vazhdoi të funksionojë sipas programit të shkollave profesionale kryesisht të pedagogjikes. Ministria e Arsimit gradualisht u përpoq që programi i shkollës të shkoi drejt laicizmit. Ministria e Drejtësisë me shkresë datë 27.01.1947 kërkon lirimin e xhamive për shkollën 7 vjeçare “Misto Mame”. Gazeta “17 Nëntori”, organ i Frontit Demokratik të Tiranës e datës 23.12.1946, boton artikullin me titull “Dhe mban akoma emrin shkollë!?”. Ndërmjet të tjerash thuhet: “Thuhet se në medrese punohet sipas programit të Ministrisë. A mund të jetë e vërtetë kjo? Pse rrinë në Medrese 170 nxënës? Mos vallë u pëlqen?… Nxënësit kanë kërkuar suprimimin e Medresesë etj. etj. Kjo ishte një nxitje kundër Medresesë. Hoqi ditën e premte si ditë pushimi dhe e kaloi të dielën për të penguar faljen e ditës së premte.

Këshilli i Përgjithshëm në vitin 1953 me nxitje nga lart pushoi nga puna profesorët e medresesë si: Haki Narazani, Imer Saraçi, Jonuz Bulej, Selman Stërmasi etj. Në vitin 1964 me vendim Nr. 1 datë 22.08.1964, Këshilli i Përhershëm e mbyll Medresenë dhe ndalon propagandën fetare me urdhër nga lart.

Si ka qenë niveli i Medresesë së Tiranës gjatë periudhës së parë, krahasuar edhe me shkollat e tjera në kryeqytet?

Niveli i programeve dhe kërkesave ka qenë i lartë. Kanë dalë nxënës të shkëlqyer si Shaban demiraj, Vexhi demiraj, Vexhi Buharaja që kanë triumfuar në konkurset e organizuara me shkollat e qytetit. Këta kanë arritur grada të larta shkencore në jetën e tyre dhe i kanë shërbyer kombit.

Medreseja e Tiranës u rihap në vitet `90 kur në Shqipëri ishte lënë i lirë besimi, po ringjallej jeta fetare. Si e kujtoni rihapjen e saj?

Me ardhjen e demokracisë në vendin tonë, u rihap Medreseja në vitin 1991-1992 ku për bazë të lëndëve të kulturës së përgjithshme mori gjimnazin të aprovuar nga Ministria e Arsimit, me të drejtë që nxënësit të vazhdojnë studimet dhe në Universitetin Shtetëror. Lëndët fetare përfshijnë: Kur’an, besim, histori islame, Akaid, Fikh, Usuli Fikh, Hadith, Tefsir, gjuhë arabe. Fillimet qenë shumë të vështira, pa baza didaktike dhe pa godinë. U përshtatën disa magazina pranë Xhamisë së Kokonozit, Tiranë. Gëzimi qe i madh si nga ana e drejtuesve ashtu dhe e besimtarëve myslimanë. Ajo ditë u kthye në ditë feste. Bërthamën e personelit mysliman e bënë ish medresistët që ishin diplomuar në Universitetin e Tiranës dhe kishin punuar në arsim si: Ibrahim Balla (drejtor); Xhemal Balla (n/drejtor); Selim Stafa (arabisht); Ali Hoxha (arabisht e gjuhë letërsi); Hafiz Shaban Saliaj, Ali Basha, Mehmet Sinella, Hekuran Balliu, Rrahman Balla, Ismet Tançica, Sadik Çollaku etj.

Cila ishte pritja që i bëri populli i Tiranës?

Gëzimi ishte i papërshkrueshëm. Besimtarë dhe intelektualë morën pjesë në rihapjen e saj. Tarik Llagami, ish drejtor i gjimnazit “Partizani” në Tiranë bën një reportazh të bukur për hapjen dhe perspektivën e saj dhe rolin për përgatitjen e kuadrove fetarë vendas. Baza materiale u sigurua me ndihmë nga shkollat e shtetit si “Fan Noli” e ndonjë tjetër. Ajo funksionoi me seriozitetin më të madh në zbatimin e programeve mësimore derisa krijohen mundësitë për të kaluar në ish godinën e saj të zaptuar nga shëndetësia me fakultetin stomatologjik.

Ju jeni një kuadër i vjetër e me përvojë të gjatë, sipas jush cilat janë përparësitë e Medresesë në krahasim me institucionet e tjera arsimore të sistemit parauniversitar?

Dallimi qëndron vetëm në futjen e programit të disa lëndëve fetare islame, që e formojnë nxënësin nga ana e besimit. Ndërsa lëndët e kulturës së përgjithshme janë të barabarta me programin e gjimnazit shtetëror dhe nxënësi që mbaron këtë shkollë nga parimi edukativ-themelor është i barabartë me ta dhe nuk ka asnjë pengesë për të vazhduar shkollën e lartë si brenda vendit ashtu dhe jashtë tij.

Në vitet e para Medreseja provoi vështirësi të mëdha e serioze që i kapërceu gradualisht, duke filluar nga mungesa e ndërtesës e mjeteve didaktike-mësimore, kuadri i kualifikuar mësimdhënës, programet e deri te tekstet mësimore aq të nevojshme. Ç’mund të na thoni për medresenë sot?

Sot Medreseja radhitet ndër shkollat më të mira me programe e bazë didaktike bashkëkohore, që i plotëson nevojat e zbatimit të programeve me laboratorë përkatëse si biologji-kimi, fizikë, gjuhë të huaja, informatikë etj. Kjo shkollë e ka afirmuar veten me pjesëmarrjen e nxënësve të saj në konkurse brenda vendit krahas shkollave të tjera si dhe jashtë vendit duke fituar çmime të vendeve të para, të dyta e të treta.

Nxënësit e ndiejnë veten të privilegjuar që vazhdojnë këtë shkollë.

 (Revista Drita Islame, Shtator 2012)

Një lutje shpirtit të shenjtërueshëm të Pejgamberit t’onë (alejhi selam)

27/09/2012 1 koment

Hafiz Ibrahim DALLIU

 

NJË LUTJE SHPIRTIT TË SHENJTËRUESHËM TË PEJGAMBERIT T’ONË (ALEJHI SELAM)

Hafiz Ibrahim Dalliu

Hafiz Ibrahim Dalliu

La i lahe il-lall-llah
Muhammedyrr-rresulu-ll-llah,
S’kimi tjetër t’mir’ ejvah
N’doresh ja Resulell-llah!

Por n’dete t’fajvet jem kah mbytmi,
Me faqe n’pluhnit po zhytmi,
Ditn’ e vajit kur do t’pytmi,
N’doresh ja Resulell-llah!

Punët kur do t’na shikohen,
T’mira e t’liga kur t’peshohen,
Të mçeftat kur t’na zbulohen,
N’doresh ja Resulell-llah!

Kur t’vie mbi njerëzit skutera
Kur t’i mbulojë të gjithë menera
Prej frykës t’ju bjerë punhera,
N’doresh ja Resulell-llah!

Kur t’na epen n’dorë tefterët,
Kur t’thonë “nefsi, nefsi” tjerët
Kur t’tremben dhe pejgamberët,
N’doresh ja Resulell-llah!

Gra e burra t’ri e të vjetër
Kur t’terohen porsi i letër,
Përveç teje s’kimi tjetër,
N’doresh ja Resulell-llah!

Kur t’kalojmë n’urët Siratit,
T’randuem tepër prej mëkatit,
Mos na dajë prej shefaatit
N’doresh ja Resulell-llah!

Vetëm ke ti asht uzdaja,
Se veç ty do t’shkojë rixhaja,
Kurban t’u baftë gjithë dynjaja,
N’doresh ja Resulell-llah!

Ti je shembull’ i gjithë mirësivet
Ti je ma i ndershmi i nebivet
Si elmasi n’varg t’inxhivet
N’doresh ja Resulell-llah!

Ti je Diell’ i dituniës,
Ja ke ndriçue sytë njerziës
Je i dashm’ i Perëndiës
N’doresh ja Resulell-llah!

Njaj Zot qi kreu qiell e dhe
N’jetët t’atë ka ba be
Në kët gradë kurkush ma s’le
N’doresh ja Resulell-llah!

N’rruzllit t’dheut ane e m’anë
Në çdo çast thirret ezanë
Ty Resulull-llah tu t’thanë
N’doresh ja Resulell-llah!

Për Ty asht krijue gjithsija
Ç’pare bajnë lavdat e mija
Ty t’ka lavdue vetë Perëndija
N’doresh ja Resulell-llah!

Ty t’a ka huva bota
Se i ke mund besat e kota
Me shumë dokumenta t’plota,
N’doresh ja Resulell-llah!

Ti na e ke këndue Kur-anin
Ti na e ke mësue Imanin
Ti na e ke diftue dermanin
N’doresh ja Resulell-llah!

Por se na at’udhë nuk po e ndjekim
Përnej po vujm e po hjekim,
Prap ke ti kryet e përpjekim,
N’doresh ja Resulell-llah!

Gjeti nuk kimi ku t’futmi,
N’derët t’ate vimë nuk tutmi,
Se ke shumë mëshirë, pra lutmi
N’doresh ja Resulell-llah!

Për hatrit bies Fatime
Dhe t’s’amës Saje Hadixhe
Nën flamurin t’at na shtje
N’doresh ja Resulell-llah!

Dhe pse na u ka prish morali
Lutju Zotit kot t’na fali,
Ndëshkimin mbi ne t’i ndali,
N’doresh ja Resulell-llah!

Lutju pra fort Perëndisë
Si fëmija s’amës për sisë,
Për Mbretin e gjith Shqipnisë,
N’doresh ja Resulell-llah!

Qi t’a rujë prej çdo rreziku
T’i vie galib ç’do anmiku
T’shkëlqejë si dritë elektriku
N’doresh ja Resulell-llah!

Hafiz Ibrahim Dalliu,
S’i shpërtitet far njeriu
M’ty veç tretet si qiriu,
N’doresh ja Resulell-llah!

Tiranë, 1935

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 69 ndjekësve të tjerë

Këtë e pëlqejnë %d blogues: