Arkiv

Archive for the ‘Vilajetet shqiptare’ Category

Lidhja shqiptare e Prizrenit (10 qershor 1878)

11/06/2014 Lini një koment

Zejni S. MAZLLAMI

 

LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT

(10 qershor 1878)

Zejni Mazllami

Zejni Mazllami

Lidhja Shqiptare e Prizrenit përbën ngjarjen më të rëndësishme deri atëherë të Rilindjes Kombëtare dhe një nga ngjarjet më madhore në historinë e popullit shqiptar. Drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare vlerësuan drejt momentin historik për themelimin e kësaj organizate politike-ushtarake për t’i dal zot tërësisë së Shqipërisë përballë pretendimeve gllabëruese e shoviniste të shteteve fqinjë të mbështetura nga Fuqitë e Mëdha dhe njëkohësisht për të luftuar për jetësimin e së drejtës për të formuar shtetin shqiptar në kuadër të Perandorisë Osmane, që do të përmbushte një aspiratë të ligjshme historike të popullit shqiptar. Pezullimi i zbatimit të Traktatit të Shën Stefanit deri në Kongresin e Berlinit u jepte patriotëve shqiptarë një kohë shumë të çmueshme për të organizuar më mirë qëndresën shqiptare politike e ushtarake dhe për të t’u përgatitur që t’i bënin ballë rrezikut të copëtimit të atdheut. Në këto rrethana, u përhap te mbarë shqiptarët ideja për të formuar një lidhje të përgjithshme kombëtare, në të cilën do të përfshiheshin të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga krahinat, feja dhe gjendja e tyre shoqërore. Patriotët shqiptarë dhe veçanërisht Komiteti i Stambollit fillimisht u përpoqën ta bindin Portën e Lartë që të lejonte formimin e një lidhjeje shqiptare por ajo nuk pranoi. Meqenëse nuk që një gjendje të pengonte mbajtjen e kuvendin shqiptar, ajo u përpoq me anën e agjentëve dhe përkrahësve të saj të formonte jo një lidhje shqiptare por një lidhje islame proosmane, ku do të bënin pjesë të gjithë banorët myslimanë të Gadishullit Ballkanik. Nismën për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm e mori Komiteti i Stambollit, por, për të mos shkaktuar reagimin e hapur të organeve qeveritare osmane, Komiteti i Stambollit vepronte si dhe më parë në fshehtësi të plotë. Si vend për mbledhjen e Kuvendit u caktua Prizreni, qyteti kryesor i Kosovës dhe një nga nga me të mëdhenjtë e Shqipërisë, që ndodhej në afërsi të krahinave ku do të zhvillohej qëndresa e armatosur e Lidhjes për mbrojtjen e tërësisë tokësore shqiptare. Me organizimin e drejtpërdrejtë të veprimeve për thirrjen e Kuvendit u ngarkua një komision i posaçëm, shumica e anëtarëve e të cilit ishin nga Prizreni dhe Gjakova, ndërmjet tyre njihen Ymer Prizreni dhe Ahmet Koronica.

Sapo u hap lajmi së Kongresi i Berlinit do të mblidhej më 13 qershor 1878, në viset e katër vilajeteve u zhvilluan mbledhje për t’u zgjedhur delegatët që do të niseshin për në Prizren. Në viset shqiptare të vilajetit të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit dhe të Janinës, nuk u caktua si delegatë asnjë nga elementët proosman. Megjithatë, ulematë dhe funksionarët osman, duke përdorur mjetet nga me të ndryshmet, bënë që në ato Kaza, ku banonin popullsi e përzier myslimane shqiptare, boshnjake, turke e pomake, të caktoheshin si delegatë edhe mjaft pashallarë dhe bejlerë sulltanist.

Kuvendi Kombëtar u hap më 10 qershor 1878, atë ditë në Prizren nuk kishin arritur të gjithë delegatët e krahinave shqiptare, mungonin delegatët e vilajetit të Shkodrës, nisjen e të cilëve e kishin penguar intrigat e valiut osman, Hysen Pashës, ndërsa nga vilajeti i Janinës kishin arritur vetëm dy delegatë.

Edhe sot e kësaj dite nuk është e njohur lista e plotë e delegatëve që morën pjesë në ditën e hapjes së Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes, njihen më se 110 emra, shumica e të cilëve vinin nga vilajeti i Kosovës, ishin këta përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, çifligarë e agallarë, tregtarë e zejtarë, klerikë e nëpunës, bajraktar e malësorë. Ndër figurat më të shquara që merrnin pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm njihen: Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Abdulla pashë Dreni, Ymer Prizreni, Ahmet Koronica, Shaban bej Prizreni, Jashar bej Shkupi, Abdyl Frashëri etj. Në Kuvendin e Përgjithshëm në Prizren kishin ardhur gjithashtu si delegatë disa feudalë nga viset e Bosnjës dhe Hercegovinës. Kuvendi i Prizrenit filloi punimet në ditën e caktuar, më qëllim që kërkesat shqiptare t’u paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të mblidhej Kongresi i Berlinit. Kuvendi i përgjithshëm i zhvilloi punimet në një nga sallat e medresesë së ndërtuar në shek. XVII nga Mehemet Pasha; kjo ndërtesë ndodhet pranë Bajrak Xhamisë. Kryetar i Kuvendit u zgjodh delegati më i moshuar, Iljaz pashë Dibra. Pas formimit të Lidhjes së Prizrenit u zgjodhën organet e saj: Këshilli i Përgjithshëm me kryetar Iljaz pashë Dibrën, për funkisonet legjislative dhe të Komitetit Qendror, në të cilin bënin pjesë Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Haxhi Shabani etj, për funksione ekzekutive. Pas një jave debatesh, më 17 qershor 1878, projekt-programi i paraqitur nga delegatët proosmanë, i njohur me emrin Kararname (Libri i vendimeve), u konsiderua i miratuar, ndonëse nuk mori shumicën e votave. Megjithatë ndryshimet që i’u bënë, Kararnameja shprehte besnikërinë ndaj sulltanit dhe përshkohej nga fryma islame.  Kurr arritën delegatët e pothuajse të gjitha krahinave shqiptare, u mblodhën rishtas në Prizren më 1 korrik 1878, ndërsa Kuvendi i Përgjithshëm më 2 korrik miratoi Kanunin e ri, që i jepte të drejtë Lidhjes të kishte degët e saj në qendrat e ndryshme të Shqipërisë, të shpallte mobilizimin ushtarak e të gjithë burrave të aftë për armë, të mblidhte për nevojat e veta buxhetore një serë taksash të ndryshme, të kishte gjyqe të veçanta. Me këto të drejta, Lidhja e Prizrenit fitonte funksionet pushtetare të veçanta nga ato të Shtetit Osman dhe krijohej mundësia për të ngritur shkallë-shkallë një shtet autonom shqiptar.

 

Burimi: http://shenja.mk/index.php/opinion-analize/11881-lidhja-shqiptare-e-prizrenit-10-qershor-1878.html

Para 100 viteve shqiptarët ishin shumicë në Prilep

27/03/2014 Lini një koment

PARA 100 VITEVE SHQIPTARËT ISHIN SHUMICË NË PRILEP

lajme

Historianët sqarojnë se menjëherë pas përfundimit të Luftës së parë Ballkanike shqiptarët që kanë jetuar në Prilep dhe në qytetet e tjera lindore të Maqedonisë i kanë shpërngulur me dhunë për në Turqi, ndërsa ata që mbetën për ti shpëtuar shpërnguljes u asimiluan.

Në një reportazh të gazetës “New York Daily Tribune” të datës 3 maj 1903 me titull “Konfliktet etnike ballkanike” shkruan se në Prilep, shqiptarët, turqit dhe bullgarët kanë qenë afërsisht të barabartë në numër.

“Ne shkuam për një shëtitje rreth qytetit. Kur ra terri na thanë se ne nuk duhet të jemi jashtë. Roje ruanin derën e dhomës sime dhe shkallët gjithë natën. Rëndësia e kësaj ishte se Prilepi është qendra e zonës ku shqiptarët, turqit dhe bullgarët në numër janë thuajse të barabarta. Nëse unë dal para një shqiptari ose turku, i cili nuk është në humor të mirë, ndonjëherë ndodh që ai të drejtojë pistoletën drejt meje. Këtë mund të bëjnë dhe burrat bullgarë për të tërhequr vëmendjen e disa prej kombeve të mëdha në çështjet e Ballkanit. Në mëngjes ne u larguan nga qyteti dhe hasëm në një kazermë ushtarake të madhe, më të madhe sesa ajo që mund të gjendet në afërsi të ndonjë qyteti të SHBA-ve. Rreth nesh dhe para nesh ecnin ushtarët, ndërsa përpara dhe në kodrinat përreth, ushtarët mbikëqyrnin rrugën. Patrullat kalorësish me 20-200 njerëz ishin të zakonshme. Kohë pas kohe me vete ata bartnin edhe të burgosur të lidhur me zinxhirë. E tillë është situata në Maqedoni edhe në linjat hekurudhore, jo vetëm në rajonin e Prilepit, por në çdo krahinë”, shkruan gazeta njujorkeze e vitit 1903.

Por, ku janë sot shqiptarët që kanë pas jetuar në Prilep? Çka ndodhur me ta? Në Prilep sot shqiptarë kanë mbetur vetëm në disa fshatra si Zhitosha, Cërnëlishtja etj. Të tjerët janë zhdukur, janë asimiluar e shpërngulur.

Trena të mbushur me shqiptarë i dërgonin ata për në Eldorado.

Historianët sqarojnë se menjëherë pas përfundimit të Luftës së parë Ballkanike shqiptarët që kanë jetuar në Prilep dhe në qytetet e tjera lindore të Maqedonisë i kanë shpërngulur me dhunë për në Turqi.

“Menjëherë pas luftës së parë Ballkanike shqiptarët u shpërngulën për në Turqi, ndërsa një pjesë ortodokse që mbeti u asimiluan. Ata shpërngulen, detyrohen me dhunë nga administrate serbe, ndërsa pjesa tjetër për ti shpëtuar shpërnguljes janë asimiluar. Aty kalonte linja hekurudhore Prilep-Manastir-Selanik dhe vazhdonte për Turqi. I kanë transportuar me trena, i kanë dëbuar me dhunë”, thotë për “Lajm” historian Nebi Dervishi.

Historian Skënder Hasani thotë se shpërngulja e shqiptarëve që kanë jetuar në qytetet e Maqedonisë lindore ka vazhduar edhe pas luftës së parë ballkanike. “Ka qenë marrëveshja turko-Jugosllave për shpërnguljen e shqiptarëve. Ne kemi të dhëna që tregojnë se jo vetëm Prilepi, por edhe Krusheva dhe Velesi kanë qenë të populluara me shqiptarë. Numri i shqiptarëve në këto qytete ka qenë i përafërt ose edhe më i madh se i komuniteteve të tjera”, sqaron Hasani për “Lajm”.

Sot në Prilep, shqiptarët jo vetëm që nuk janë shumicë, por në qytet ata numërohen me gishta. Për një shekull Prilepi është “pastruar” nga shqiptarët. Pastrimi etnik ka ndodh edhe në disa qytete të tjera të Maqedonisë.

Ittihâd-ı Arnavut apo Bashkimi Shqiptar

06/11/2013 Lini një koment

Kushtrim SHEHU

 

ITTIHAD-I ARNAVUT APO BASHKIMI SHQIPTAR

Lidhja e Prizrenit

Lidhja e Prizrenit

Pikërisht në shek. XIX. pjesëtarë të komunitetit shqiptar njëherit figura elitare të shoqërisë osmane ndjenë nevojën dhe u vetobliguan për një riorganizim shoqëror shqiptar.

Në momentet kur ekzistenca shqiptare që nga rënia e Perandorisë Osmane gjendet në situatën më të favorshme historike për një konsolidim shoqëror, burim frymëzues i këtij konsolidimi ka mundësi të jetë mendësia politike shqiptare e periudhave më të hershme. Aktualiteti politik shqiptar i tanishëm qartazi është i fragmentarizuar. Shqipëria synon integrim të pavarur në instancat euroatlantike, ndërsa Kosova si shtet i ri detyrimisht mundohet të ndjekë një kurs të njëjtë. Në anën tjetër, shqiptarët jashtë këtyre dy shteteve integrimin euroatlantik e shohin po ashtu si pjesë të kornizave synuese të shteteve në të cilat jetojnë. Shoqëria shqiptare në të pesë shtetet që ndodhen në Europën Juglindore është në mungesë komunikimi dhe koordinimi. Politikat e tyre bëhen të ndara. Synimet janë të ndryshme dhe, në mungesë të një vullneti dhe mundësie për faktorizim shqiptar, ndjekja e një politike të tillë i bën hyzmet dobësimit të shqiptarëve si tërësi. E kaluara e një shoqërie domosdoshmërisht duhet të shërbejë për ravijëzimin e së ardhmes. Mes së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes, ekzistuese dhe e përjetuar është vetëm relacioni e shkuar – e tashme. E ardhmja është hapësirë veprimi vetëm e këtyre dy të fundit.

 

Procesi i kombëtarizimit

 

Shoqëria shqiptare në të dy shekujt e kaluar së bashku me modernizimin filloi edhe procesin e kombëtarizimit, gjegjësisht shqiptarizimin e saj. Në këtë periudhë kohore shoqëria shqiptare përjetoi vetëdijesimin e qenies së vet. Një qenësim shqiptar ishte nevojë imediate për të qenë e përgatitur përballë ndryshimeve që i solli kjo periudhë. Në kohën kur zuri vend ideja e shqiptarizmit, si edhe në të kaluarën, shqiptarët ishin komunitet etnik i Perandorisë Osmane, komunitet i integruar dhe i njohur me veçoritë e tyre dalluese, pikërisht me identitet të tyre. Shekulli XIX solli ngritje të vetëdijes shqiptare me natyrë politike, e nevojshme për rendin e ri politik botëror. Si pjesë e integruar e shoqërisë osmane, komuniteti shqiptar shfaqi afinitet veçues, gjë për të cilën flasin edhe sot trashëgimia dhe vlerat historike. Nga vlerat materiale e deri tek ato shpirtërore që gjallërojnë edhe sot mund të vërehet ky fakt. “Kalldrëmi shqiptar” në shoqërinë e sotme turke nuk është gjë tjetër, pos shprehje për një mbulesë rrugore të fortë e të qëndrueshme, e ngjashme kjo me karakterin shqiptar. “Inati i shqiptarit” po ashtu shfaq kokëfortësinë për të arritur qëllimet të cilat i synon njeriu dhe nuk pranon kurrfarë konsensusi. Po ashtu shumë personalitete me origjinë shqiptare në secilin pozitë shërbyese shtetërore osmane merrnin epitetin “arnavut”, gjegjësisht shqiptari. Janë të njohur Arnavut Koxha Sinan Pasha, Dukagjinzade Jahja Beu, Arnavut Abdi Pasha e shumë figura tjera madhore të shoqërisë osmane. Një gjë e tillë flet për një mishërim vlerash mes komuniteteve të ndryshme përbrenda një sistemi politik ekzistent në të kaluarën dhe, njëkohësisht, sikurse është edhe dëshmi për një të kaluar të ndritshme të shqiptarëve brenda një konglemarati etnitetesh, përkatësish dhe identitetesh.

 

Nevoja për riorganizim

 

Fillesa e lëkundjeve shoqërore me karakter politik dhe ekonomik që ngjanë në shtetin osman, sollën nevojën e riorganizimit të shqiptarëve. Pikërisht në shek. XIX. pjesëtarë të komunitetit shqiptar, njëherazi figura elitare të shoqërisë osmane, ndjenë nevojën dhe u vetobliguan për një riorganizim shoqëror shqiptar. Të njoftuar me konditat e reja që zhvilloheshin dhe pozitën politike të organizimit shtetëror të cilit i përkisnin, këta u angazhuan për ngritjen e vetëdijesimit kombëtar shqiptar, që i bie politizim dhe njohje me rendin e ri ndërkombëtar për shoqërinë shqiptare. Kjo përpjekje është e hershme, por zë fill si përpjekje e masës së gjerë shoqërore me organizimin e konferencës kombëtare “Ittihâd-ı Arnavut” shqipërisht “Bashkimi Shqiptar”. Kjo është pika vendimtare dhe boshti i jetës shoqërore shqiptare gjer në ditët e sotme. Mendimi politik për komunitetin shqiptar, që solli kjo lëvizje, mbeti për tërë shek. XX ideja themelore e jetës politike shqiptare, ndonëse në kohë të caktuara e ideologjizuar dhe e zbehur me mendimet politike të kohës. Fushëveprimi i kësaj lëvizjeje në vija të trasha mundet të krahasohet kushtimisht me pozitën e shoqërisë shqiptare sot. Paralelet e ngjashmërisë mund të tërhiqen në faktorizimin e qenies shqiptare përballë sistemeve politike të mëdha, siç ishte Perandoria Osmane dhe sot Bashkimi Europian. Nëse atëbotë mungonte një vullnet ndërkombëtar për të skicuar një qenie politike shqiptare, tashmë përjetuam dhe gëzuam një përkrahje për të konsoliduar qenien shqiptare në Ballkan. Ajo që duket se mungon sot është një mendësi e cila shikon probalitetin e konsolidimit të mëtejshëm të qenies shqiptare. Në kohën kur Bashkimi Shqiptar në Prizren u mblodh për të shënuar pikëveprimet e përbashkëta si shoqëri kishte hetuar ndryshimet shoqërore që ngjanin në jetën politike botërore. Mu për këtë qëllim qenësimin shqiptar e pa të udhës si të vetmin mjet për mobilizim shoqëror, themel të përmirësimit dhe mirëqenies shoqërore. Në kohën tonë qenia shqiptare ekziston dhe frymon falë mendësisë së atëhershme të hedhur në Prizren. Sot një mendësi për avancimin e qenies shqiptare, ndonëse ekzistente, nuk ka duart e hedhura për t’u kanalizuar dhe për t’u bërë veprimtari e njerëzve që mund ta jetësojnë atë. E mira është se e kaluara mund të jetë shembulli i një avancimi të mëtejshëm në të ardhmen. Ky shkrim mban atë përpjekje modeste për të lexuar me sytë dhe nevojën e sotme, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, gjegjësisht Bashkimin Shqiptar.

 

Lidhja e Prizrenit, faktet

 

Studime, analiza dhe vështrime mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit janë bërë mjaft. Tabloja dhe aktiviteti i kësaj lidhjeje janë familjare për opinionin shqiptar. Gjëja që mund të themi se ngeli e pasqaruar është koha dhe mentaliteti i instancave shoqërore dhe politike mbi të cilën u zhvillua aktiviteti i Lidhjes Shqiptare. Thënë shkurtimisht, mungon njohja e realitetit të thellë historik në të cilën u zhvillua kjo lëvizje. Shoqëria shqiptare atëbotë shfaqte komunitetin e integruar në strukturat shoqërore osmane. Në një relacion të tillë integrues inteligjenca e atëhershme shqiptare përbrenda kornizave të së mundshmes filloi procesin e shqiptarizmës, ngritjes së vetëdijes tashmë politike të shqiptarëve, njëkohësisht duke mos dashur të rrezikojë pozitën e komunitetit shqiptar me qendrën osmane. Mirëpo, rrjedha e ngjarjeve historike e bëri të disfavorshme gjendjen politike për të dyja palët. Krahas distancimit, filloi edhe disociacioni i komunitetit shqiptar me qendrën osmane. Në këtë rrugëtim komuniteti shqiptar do të ndjekë ndaras fatin e vet. Pa dashur të ndalemi në diskursin nacionalist që nisi me “Bashkimin Shqiptar” dhe që historiografia shqiptare e quan “Periudha e Rilindjes Kombëtare”, vitet 1878-1912, mbesin si koha e mbarësimit ose ngjizjes së politikës shqiptare. Lidhja Shqiptare e Prizrenit gjer më 1912 ngeli boshti kryesor i mendësisë politike shqiptare. Meqenëse nuk duhet lexuar vetëm si përpjekje për pavarësi. Lidhja Shqiptare e Prizrenit më tepër është përpjekje për qenësimin shqiptar. Përpjekja që bëri për qenësimin shqiptar solli pavarësimin e Shqipërisë. Ky është leksioni më i madh që mund të nxjerrim nga Lidhja Shqiptare. Kundërshtitë që pati Lidhja Shqiptare nga qendra osmane, si dhe hasmëritë e shteteve fqinje hijezuan suksesin e pritshëm të saj, megjithatë natyrshëm nuk arritën të ndalin ecurinë e mendësisë së re politike shqiptare.

Pikëpamjet mbi arsimin, unitetin dhe ruajtjen e gjeografisë shqiptare, si dhe kërkesat për pushtet më të madh lokal në kuadër të shtetit osman, ishin shqyrtime serioze dhe tejet moderne. Mosleximi i drejtë i tyre solli fatalitetin shoqëror si për qendrën osmane, ashtu edhe për komunitetin shqiptar. Mendësia e inteligjencës shqiptare arriti të sendërtohet përmes ruajtjes së një  sistemi politik prezent dhe ngritjes e avancimit të komunikimit shqiptar. Në mënyrën më të suksesshme arritën që barrierën e pamundësisë së shkëputjes nga një sistem vlerash të përbashkëta të krijojnë identitetin kombëtar me nacionalizëm jopërjashtues ndaj tjetrit, joagresiv dhe jokërcënues për shoqëritë e tjera. Për sa kohë përpjekjet e Lidhjes Shqiptare të ishin lexuar drejt, aq më tepër do të ishin mundësitë e zgjatjes së Pax Ottomana-s në Ballkan. Një gjë e tillë, ndonëse në dukje hipotetike, ka mbështetjen e saj historike.

 

Leximi i të kaluarës

 

Duke lënë anash supozimet dhe duke shikuar aktualitetin, vërehet se elitat politike shqiptare nuk kanë kapur momentumin e ruajtjes dhe avancimit të qenies shqiptare. Një koordinim më i thellë dhe i gjerë mes elitave politike të kudondodhshme shqiptare ka nevojën të jetë më i ngutshëm dhe më aktiv. Në këtë kontekst leximi i të kaluarës do të shërbente si hap për të mos pasur frikë në rrugën e shoqërisë shqiptare drejt së ardhmes. Përvoja e shoqërisë shqiptare në kuadër të Perandorisë Osmane duhet të jetë mbase edhe bazë e përpjekjeve të sotme të integrimit europian. Sikurse në të kaluarën, kur inteligjenca shqiptare bëri preokupim të vetes mirëqenien e njeriut të saj edhe sot preokupim kryesor krahas integrimit, zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies qytetare, synim duhet të jenë pozita e qenies shqiptare dhe vlerat e saj. Ky preokupim patjetër do t’i shërbejë mobilizimit shoqëror shqiptar dhe ngritjes së vlerave demokratike për ta bërë shoqërinë tonë më të përgjegjshme në rrjedhat e reja ndërkombëtare. Po ashtu një preokupim i tillë mbërthen në vete vlerat humane në të cilat Bashkimi Europian mbështet tërë filozofinë e tij politike. Bashkimi shqiptar jashtë karakterit të përfolur territorial për të cilin kanë drojë komshinjtë tanë dhe qendrat e vendosjes ndërkombëtare, bashkimi në jetën shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve, ngelet opsion i vetëm për avancimin e shoqërisë shqiptare në Bashkimin Europian. Shoqëria shqiptare historikisht ka shfaqur afinitet integrues përbrenda sistemeve ku vlerat janë të shumëllojshme dhe të gjithanshme. Bashkëjetesën me kultura të ndryshme shqiptarët e kanë bërë gjithherë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka qenë edhe moment forcimi i këtij afiniteti dallues dhe karakterizues të shoqërisë shqiptare.

 

Burimi: http://shenja.mk/index.php/kulture/histori/5539-ittihad-i-arnavut-apo-bashkimi-shqiptar.html

 

Shqiptarët dhe asimilimi i tyre në Sanxhak

12/10/2013 Lini një koment

SHQIPTARËT DHE ASIMILIMI I TYRE NË SANXHAK

Shqiptarët e Sanxhakut

Historia e shqiptarëve është një histori e ndarë mes visesh të ndryshme të Ballkanit. Herë e njohur, por edhe e panjohur, e dukshme, por edhe e padukshme.

Shqiptaret i gjen sot kudo në të gjithë rajonin. Siç janë edhe shqiptarët që jetojnë në zonën e Sanxhakut në Serbi. Për ta, është folur pak ose aspak.

Dikur Sanxhaku ka qenë pjesë e vilajetit te Kosovës, që së bashku me vilajetin e Janinës, Manastirit dhe Shkodrës përbënin Shqipërinë e viteve të Lidhjes së Prizrenit në 1878-n. Në 1912, kjo zonë u pushtua përfundimisht nga Serbia dhe Mali i Zi. Shqiptarët nën dhunën dhe masakrat e vazhdueshme u detyruan të shpërngulën në masë, duke u vendosur në Turqi, por edhe Siri e Jordani.

Të tjerët të mbetur tashmë nga shumicë e pakicë, iu nënshtruan një procesi përzierje asimiluese me boshnjaket, me të cilët i bashkonte në këtë zone feja, por jo gjuha sllave që megjithatë mbeti alternativa e vetme në kushtet e presionit dhe mungesës së shkollave shqipe.

E megjithatë, në zonën e ndarë mes Serbisë e Malit të Zi, shqiptaret nuk janë shuar. Ata janë sërish aty, të deklaruar nën detyrim si boshnjakë.

Rrugëtimi ynë ndalet në Sanxhakun e Pazarit të Ri apo siç quhet ndryshe, Novi Pazarit, që sot ndodhet brenda kufirit serb, një rrugëtim që na duhet ta ndërmarrim me një makinë me targa Serbie e me një kamera gjysmë-amatore.

Shqiptarët kanë zgjedhur të jetojnë në zona të thella për të mos humbur identitetin e tyre. Të grupuar në disa fshatra, ata e kanë shfrytëzuar këtë mundësi për të mos iu nënshtruar procesit të asimilimit.

Fshati Uglla, pjesë e rajonit të Peshterit, është i fshehur pas kthesash të ngatërruara, rreth një orë nga Pazari i Ri. Banorët janë mikëpritës, duket se mezi e kishin pritur një vizitë të tillë. Shqipja, sado arkaike, nuk ka humbur mes këtyre mureve.

“Të parët tanë nuk kanë ditur si të flasin serbisht. Të kishim shkollën do të ishim edhe ne kështu, por ne s’kemi shkollë shqip, vetëm serbisht”, thotë Sali Bajri.

Latif Huka, një tjetër banor “boshnjak” i Novi Pazarit, thotë: “Zor është me ruajtur gjuhën, se nuk e kemi shkollën. Nuk na lejnë ata neve. Zor, zor. Kush martohet me boshnjake e nuk di gruaja gjuhën, fëmija nuk mund me e ditë”.

Në familje të tilla të lidhura fort pas traditës, gjuha është kaluar brez pas brezi, deri tek më të vegjlit.

Jo gjithkund është njësoj. Tek të rinjtë, siç tregojnë të moshuarit, gjërat kanë nisur të zbehen.

“Sa për mua, sa për vllazën, ne jemi shqiptarë”, thotë Abaz Huka.

Një tjetër banor i këtij fshati, Arif Mujezinoviç, shprehet: “Këtu shqipen. Kur mblidhemi ne pleqtë që jemi disa, flasim shqip, se këto të rinjtë kurrkush. Nuk e dinë se kanë shkuar në shkollë serbçe”.

Të jesh shqiptar këtu nuk është e thjeshtë. Këtu shqiptarët janë komuniteti që gëzon më pak të drejta, më pak mundësi. Për më tepër, këto të drejta nuk mund t’i kërkojnë ose më mirë nuk kanë ku t’i kërkojnë.

Ne Boroshtice, një fshat tjetër jo larg, banorët tregojnë jo pa drojë mbi presionin shtetëror që bëhet.

“Qe tash, edhe shqiptari s’guxon as me hy këtu. Duhet me u lajmëru menjëherë kur hyn këtu. Pse? Çka don? Çfarë pune ke? Çfarë ke?”, tregon një banor.

Ketu gjen mjaft mbiemra të njohur, si Shkreli, Dukagjini etj. Një pjesë janë detyruar t’i ndryshojnë, duke u shtuar prapashtesa sllave, si e vetmja mënyrë për të mos patur probleme me autoritetet.

“E si mundet me qenë mirë kur ta merr dikush gjuhën e s’të len me fol shqip. Baba dhe nana më kane vdek , e dua Shqipërinë barabar me nënën dhe me babën”, thotë një shqiptar i Sanxhakut.

Në fshatra tjera situata është më e vështirë, sepse asimilimi ka qene thuajse tërësor. Në Arapoviç na presin mbi 20 burra të fshatit, të gjithë shqiptarë, por askush nuk mundet të flas shqip. Ndaj thërrasin një tjetër më të moshuar.

“Nuk kemi shkollë shqip. Po martohen me boshnjake e qashtu, fëmijët pas nonave po e humbim gjuhën”, thotë i moshuari.

Ne këto zona, shqiptarët janë detyruar të deklarohen boshnjakë, siç e pranojnë edhe banorët e një tjetër fshati, Bashicës.

“Tash na thonë bosanec. Tash jemi shkru boshnjak”, thonë në Bashicë.

Edhe pse shumë kujtojnë mbrojtjen që patriotët Haqif Blyta e Shaban Polluzha bënë nga çetnikët në qytetin e Pazarit të Ri, andej nga viti 1941 shqiptaret janë asimiluar në masë.

“E kemi humbur gjuhën. S’kemi patur asnjë mundësi”, shprehet me keqardhje një banor i zonës.

Edhe myftiu i Komunitetit Mysliman në Serbi, i njohur si një mbështetës i fortë fortë i të drejtave të boshnjakeve, pohon se ka rrënjë shqiptare.

“Fakt është se edhe nëna ime vjen nga Shkreli, ka prejardhje nga veriu i Shqipërisë, sikur edhe fisi i babës që është diku nga Gucia. Nuk e shmang e nuk e përjashtoj dot që të kem prejardhje shqiptare. Boshnjakët nuk kanë dashur të asimilojnë askënd dhe nëse kjo ka ndodhur, është bërë prej presionit të tjetërkujt”, thotë Muamer Zukurliç, kryemyftiu i Komunitetit Mysliman.

Ka shumë të tjerë në qytet, që druhen të pohojnë apo e kanë humbur identitetin e tyre. Kështu ka ndodhur edhe në shumë fshatra tjerë të Sanxhakut ku jetojnë sot shqiptarët.

Dhjetëra shqiponja fluturojnë mbi këto fshatra. Shqiponja kufitare i quajnë banorët e zonës, sepse dikur këtu ka qene kufiri. /Top Channel/

Video:

Isufi: Çamëria tokë e lashtë shqiptare, çamët autoktonë, atdhetarë dhe fisnikë

06/10/2013 Lini një koment

ISUFI: ÇAMËRIA TOKË E LASHTË SHQIPTARE, ÇAMËT AUTOKTONË, ATDHETARË DHE FISNIKË

ÇamëriaÇamët, një popull trim e fisnik, që ka provuar dhunën e pushtuesve turq e genocidin fashist grek deri në ikjen e dhunshme nga trojet e tyre shqiptare, ende vuajnë padrejtësitë që janë bërë në kurrizin e tyre. Ndonëse përballë një fati tragjik, ata kurrë nuk e kanë harruar dhe nuk reshtën së punuari e luftuari që dita e rikthimit në tokën e tyre të jetë sa më e afërt. Kjo dëshirë që nuk shuhet kurrë por shtohet çdo ditë, është dhe një apel për të ndrequr padrejtësitë ndaj shqiptarëve, një apel për ndërkombëtarët që heshtën përballë fatit tragjik të një populli dje, e nuk po bëjnë atë që duhet bërë sot, që minimalisht, atyre shqiptarëve fisnikë, tu jepen të drejtat elementare të mohuara. Historia e Çamërisë dhe çamëve, është një histori e pasur trimërie e qëndrese, është një histori dhimbje e shprese… Historiani i njohur Hajredin Isufi, nuk ka reshtur ndër dekada për të zbuluar të vërtetën e historisë çame që është e ‘gjallë’ dhe e pasur në arkivat vendase e të huaja, por dhe në kujtimet e pashlyera të atyre të moshuarve që provuan mbi shpinë genocidin e pa shembullt të shovinistëve grekë… Në një cikël shkrimesh, historiani Isufi do të sjellë për lexuesit e ‘Dita’-s  dokumente të arkivave e dëshmi të protagonistëve të historisë së Çamërisë e banorëve të saj…

ETNICITETI I POPULLSISË ÇAME

Për të përcaktuar etninë e shqiptarëve të Epirit, në radhë të parë duhen marrë në konsideratë përshkrimet për etnografinë e Epirit. Ato janë publikuar bollshëm, sidomos në fund të shek. XVIII, në shek. XIX e gjatë shek.XX. Kjo gjë mund t’i atribuohet më shumë famës së Ali Pashë Tepelenës si qeveritar i Epirit, vali i Janinës që në vitin 1778. Për të argumentuar këtë, po sjell disa dokumente zyrtare. “Çamëria është një krahinë që shtrihet në anën perëndimore të Epirit. Rrethet kryesore të saj janë Filati, Gumenica, Parga, Margëlliçi, Paramithia e Preveza. Në veri kufijtë e saj shkojnë deri në zonën e Delvinës, në jug kufizohet me gjirin e Artës (Prevezës), në perëndim laget nga deti Jon, kurse në lindje ndahet prej pellgut të Janinës nga malet e Olliçikës e të Llakës. Është një krahinë mjaft e begatë me fusha, si fusha e Frarit apo me kodra të buta e të përshtatshme për kultivimin e ullirit e të agrumeve”. (Burimi: Chr. Soulis, Tzamouria, “Megale Ellenike Enkyklopedia “Pyrsos”, vëll.23, Athinë, 1933, f.405; Fjalori Enciklopedik shqiptar, Tiranë, 1985, f. 149-150; A. Gobincau, Deux estudes sur la Grece moderne, Paris, 1905, f.113; V.Z. Mollossos, Dhromologion tes Hellenikes, Chresonesou, Tom.I, Athinë 1878 e pasim, f.4; A.Philippson, Thesalien und Epirus Reisen und Forschungen in ndrdlichem Griecheland, Berlin, 1878, f222-228; P. Xhufi – H. Isufi, Aneksimi i dhunshëm i Çamërisë nga Greqia dhe lufta e shqiptarëve për mbrojtjen e saj, në “Studime Historike”, Tiranë, 1996, nr.l-4,f.7; H. Holland, Thessaly, Macedonia, London, 1819. Vargun e dëshmive, që shkruajnë për shtrirjen e Shqipërisë së Poshtme, do ta mbyllim me dëshmitë e dijetarit anglez Ë.M. Leake, i cili ishte si konsull i Britanisë së madhe në Janinë në dhjetëvjetëshin e parë të shek.X!X, (1807- 1810), shkruante se “Kufijtë e Shqipërisë në bregdetin e Epirit arrijnë deri në Prevezë”. Ë.M. Leake, Researches in Greece, London, 1814, f. 156.’Sp. Mouselimi, Istorikoiperipatai ana ti Thesprotia, 1976, f.41).

 

TË HUAJT PËR ÇAMËRINË

 

Të huajt i tërhiqte një kureshtje e fortë drejt Epirit, për shkak të ngjarjeve që zhvilloheshin aty, nën frymëzimin e një qeveritari të ri dhe të një populli të vogël e të panjohur shumë deri atëherë. Të gjithë autorët që u morën me çështjen e çamëve, pohojnë prerazi se ata janë shqiptarë dhe i njësojnë me suliotët. Për të ilustruar këto pohime, do të përmendim një varg veprash të autorëve të huaj, disa prej të cilëve janë përkthyer pjesërisht e pasqyruar në revistën “Dituria” të Lumo Skëndos. Në atë revistë njihemi me një material të bollshëm si dhe shënime të nxjerra nga veprat e autorëve të huaj, ku pasqyrohet etnia shqiptare e banorëve të Çamërisë. Trajtimin e problemit etnik për popullsinë e Epirit në mesjetën e hershme për mungesë të dhënash burimore e vështirëson problemin. Midis burimeve historike që hedhin dritë për problemin që trajtojmë është me interes të përmendim një dokument venedikas të vitit 1210 i cili bën të njohur se kontinenti përballë Korfuzit banohej nga shqiptarë (arbanense).  Autorët e kësaj periudhe qofshin ato grekë apo të huaj shënojnë edhe për shtrirjen e Shqipërisë së Poshtme. Kur bëhet fjalë për Çamërinë, Thesprotinë e lashtë, në shek.XIII, burimet e kohës e evidentojnë me emrin “Vajenetia”. Çamëria më 1204 njihej si njësi e vogël administrative e Themës së Durrësit dhe e Arbërit dhe herë si Themë më vete.(Burimi:Shkëlzen Raça, Shtegtimet dhe ngulmimet e shqiptarëve në Greqi, shek.Xlll-XVl, Prishtinë, 2004, f. 70).Në fillim të shek.XIII, mitropoliti Naupaktet, Apokauki shënonte kufirin ndarës ku flitej gjuha greke, në veri deri në Grebene, sipas Apakaukut jetonin “bashorefenët”. Historianët e lashtë si Tuqidi, Efori, Straboni, Skimni e gjeografët e tjerë të lashtësisë kishin treguar, që kundrejt grekëve, epirotët ishin “barbarë” (jo helenë). Turqididi thotë dhe e përsërit pa pushim se epirotët janë “barbarë”, pra të huaj, se ata flasin një gjuhë të pakuptueshme për grekët. Anuk ishte Herodoti që i konsideronte epirotët dhe maqedonasit të huaj? Të njëjtën gjë ‘thonë dhe Straboni dhe Plutarku. Madje Demosteni lëshonte shigjeta therëse kundër ushtarëve të Filipit të Maqedonisë.(Burimi: Mithat Frashëri, Çështja e Epirit, Tiranë, 1998, f.30.). Gjeografi francez Malte Brum për Epirin thotë: “Epirin, të gjithë autorët grekë e përjashtojnë nga Greqia. Kantonet e tij kryesore, thotë Siraboni, kanë qenë në Kaoni, Thesproti dhe në Mollosi. Straboni dhe Plutarku na kujtojnë se epirotët flisnin një gjuhë të veçantë…”(Burimi: Rechus, Gjeografia Universale, Paris, 1875, vëll.l, f.185).  Shqipëria identifikohej pikërisht me Epirin dhe gjuha shqipe vetë thirrej gjuha epirote (lingua epirotika).

Më tej: ”Është me rëndësi të theksohet se në gjysmën e parë të shek.XIV shqiptarët gjendeshin brenda Epirit të vjetër, krejt afër “Vajenetisë”, në Çamëri e Pargë dhe ata, popullonin hapësirën mes dy lumenjve Kalama-Aheron. (Po aty).

 

KRONIKAT GREKE: ÇAMËRIA ËSHTË SHQIPTARE!

 

“Kronika e Janinës” dhe “Kronika e Tokove”, dy burime të çmuara për historinë e Epirit në shek.XIV-XV, i përmendin shqiptarët si element i vetëm masiv që popullojnë Epirin. Autori anonim i “Kronikës së lokove”, kur flet për zonat e banuara në të gjithë drejtimin e Pargës-Paramithi-Janinë apo Artë-Janinë shpreh qartë karakterin etnik shqiptar të popullsisë. Kujtojmë se si përfaqësues të etnisë shqiptare, familjet e mëdha shqiptare Shpatajt dhe Zenebishët në vitin 1304 pronat e tyre i shtrinin në brezin bregdetar midis Himarës, Gjirokastrës dhe Prevezës. Ndërsa si përfaqësues i etnisë shqiptare në fund të shek.XIV dhe në çerekun e parë të shek.XV përmenden dhe Mazarekët të vendosur në një vend në rrethinat e Margëlliçit. Një dokument nga arkivat e Perandorisë Osmane mbi regjistrimet e popullsisë në vitin 1431, përmendet edhe fshati Mazërrek, në afërsi të Margëlliçit në Çamëri me 25 shtëpi.(Burimi: Imalçik Halil Suret Defter-i Samak Arvanid, Lib.I, Ankara, 1954).

 

DËSHMI TË AUTOKTONISË

 

Mazarekët rreth vitit 1380 pasqyrohen në burimet historike si fis i fuqishëm politik dhe ushtarak. Pronat e tyre kishin një shtrirje të gjerë në hapësirën çame dhe juridiksioni i tyre që ishin nën kontrollin e Mazarekëve ishte ndërmjet Pargës dhe Ajdonatit (Paramithisë) Burimi: Shkëlzen Raça, Shtegtimet dhe ngulmimet e shqiptarëve në Greqi, shek.Xlll-XVl, Prishtinë, 2004, f. 79). Panajot Aravantinoi shkruan për Mazarekët se shquheshin si luftëtarë trima dhe kundërshtarë të vendosur kundër despotatit të Janinës, Izeu Boudelmontit, afer Dhivrit në Çamëri. (Burimi:Pan. Aravantinou, Hronographia…, Vëll.Il, f.44, 105). Siç shihet që në fillimet e shek. XIV formacionet e feudalëve shqiptare në Shqipërinë e Poshtme dhe prania e shqiptarëve në Epir ishte absolute. Karakterin etnik shqiptar të popullsisë së Epirit do ta pohojë edhe një dokument i fillimit të shek. XV në të cilin bëhej fjalë për gjendjen etnike të Epirit kur sundimtari i tij u bë konti italian Karl Toko. Aty ndër të tjera thuhet: “…sundoi ai në të gjitha anët e vendit (Epir), i cili në kohëra të vjetra ka qenë i ndarë në fise:Etolët, Akarnananët, Thesprotët, Mollosët, Kaonët… etj. Këta fise të vjetër e të shumtë që në të kaluarën kishin burra shumë trima, tani i ka pushtuar një varfëri… Por edhe tani ai (Epiri) banohet nga shqiptarët, popull i lirë, që jetojnë të shpërndarë në grupe të vogla ose në fshatra, por që të gjithë ndryshojnë prej grekëve, qoftë nga gjaku qoftë nga gjuha.(Burimi:P. Xhufi, artikull i përmendur). Viset në jug të maleve Akrokeraune e deri në gjirin e Artës, mbi bazën e përbërjes etnike shqiptare përfshiheshin nën emërtimin “Shqipëri” (Albania). Kështu, “Albania” e quajnë dokumentet e shek.XIV krejt pjesën kontinentale përballë ishujve të Korfuzit deri poshtë gjirit të Ambrakisë në derdhje të lumit Akeloos. (Burimi i mëparshëm).

 

DOKUMENTE TË VENEDIKUT

 

Emigrimi i shqiptarëve nga Epiri drejt tokave greke që nisi në gjysmën e parë të shek. XIV sado e madhe që të ketë qenë, shkruan Pëllumb Xhufi, Epiri prapëseprapë mbeti edhe pas kësaj treve shqiptare. Në vitin 1444 dokumentet venedikase flasin për një rimëkëmbje ekonomike shqiptare në Epir. Nga portet Epirote të Frarit, Pargës e Gumenicës niseshin drejt Venedikut e Raguzës sasi të mëdha gruri. Në këto dokumente popullsia e rretheve të Pargës, Margëlliçit dhe Janinës quhej shqiptare. (Burimi: Versuch einer Guschichte von Parga, Heinrich Mercy Sohn Verlang, Pragë, 1908, f.18,19, 21, 30: P.Xhufi, artikull i përmendur).

Në vitin 1555 Belon du Mans vizitoi vendet e Epirit dhe konstatoi popullsinë shqiptare të atij vendi. Së fundi, gjeografi i njohur turk Piri Reisi, i fundit të shek. XV – fillimi i shek. XVI duke përshkruar bregdetin Jonian, pohon qartë se popullsia e viseve të Pargës ku ai u ndal posaçërisht, ishte shqiptare.(Burimi:Dokumente dhe materiale sipas librit të udhëtimit të admiralit osman Piri Reis në: “Studime historike”, nr.3, 1981, f.224).

 

DEFTERI TURK

 

Përkatësia etnike e shqiptarëve në Çamëri e gjen pasqyrimin e vet në Defterin e hollësishëm osman të sanxhakut të Delvinës, të vitit 991 (1583), ku janë regjistruar emrat e kryefamiljarëve të qendrave të banuara, qyteteve e fshatrave. Duke shfletuar fletët e këtij defteri vihet re se shumë kryefamiljarë mbajnë emra të krishterë të fushës onomastike shqiptare, si: Lekë, Gjin, Zhupë, Gjon, Nik, Dedë, Gjeta, ose emra të krishterë të trajtës së shqiptarizuar si Pavël, Vasil, Kol, Pal, Jorgo, Kosta, Andrea, Dhimo etj..(Burimi: F. Duka, Realiteti etnik i Dropullit, në “Studime historike “, Tiranë, 1991, nr.3-4). Nga ky defter po publikojmë për herë të parë antroponiminë e disa fshatrave të qytetit të Filatit dhe Paramithisë. Në fshatin e Keskës 100% të kryefamiljarëve mbajmë antroponiminë shqiptare. Fshati Koskë(në Filat), në vitin 1583, kishte 182 kryefamiljarë, fshati Guyrrëz 34 kryefamiljrë, fshati Imlahor (varej nga Parithimia-Ajdonati), në vitin 1583 kishte 42 kryefamiljarë, etj…

Mund ta shtrinim edhe më shumë listën emërore të kryefamiljarëve në fshatrat e qytetet e Çamërisë nga defteri osman, por nuk e pamë të arsyeshme, sepse listat do të ishin të njëjta me emra të krishterësh katolikë në trajtën e shqiptarizuar. Sidoqoftë, prania në regjistrat osmane e emrave karakteristikë dhe ekskluzivisht shqiptarë, vërteton konkluzionin e përgjithshëm se popullsia e Çamërisë i përkiste etnisë shqiptare.

 

TOPONIME SHQIPTARE

 

Sipas këtyre regjistrimeve kadastrale të shek. XVI (Regjistrimi i Delvinës dhe Regjistrimi i Janinës i vitit 1583) del se shtrirja e vendbanimeve shqiptare ishte e dendur dhe me antroponimi të pastër shqiptare. Popullsia shqiptare në hapësirën e Çamërisë, krahas antroponimisë thjesht shqiptare, kishte krijuar dhe toponimi shqiptare dhe këtë e hasim në krahinën e Paramithisë, të Sulit, të Margëlliçit, të Gumenicës e të Pargës si në emërtimin e fshatrave ashtu dhe të vendeve si psh fshati Ledhës në Gumenicë, fshati Rrapëz e Zeri në Pargë, ose emrat e fshatrave: Gardhiq, Vreshta, Grikohor, Grika, Morfat, Spatharat, Sharat, Nëneshat, Lopës, Mazërrek, Kuç, Currile, Luarat, Ninat, Markat. Historiani grek, Jani Llambridis, kur shkruan për Sulin, shtrirjen dhe kufijtë e tij, përmend një varg toponimesh që janë thjeshtë shqiptare si fshati Vilë, Balla, Dora, Çifliku, Kukuli, Lugati, Birbili, Gorrica, Kodër, Qafaetj.(Burimi:(Jani Llambridis, Epirotika Meletimata, Athinë, 1904, f.7,8,9, 12 e në vazhdim). Gjuhëtarët kanë arritur në përfundimin se elementi fjalëformues ‘at’ lidhet me prapashtesën ‘ates’, e cila takohet në emra fisesh ilire si Labeates, Dokleates etj. Në disa fshatra të Çamërisë brez pas brezi në shekuj janë ruajtur toponime malesh, prenjsh, fushash, luginash e arash si toponime të pastra shqipe si p.sh. “Mali i Glatë” (në fshatin Dramës), “Lisi i Lorit”, “proi i Thellë”, “Palo Vreshtat”, “Gropa e Madhe”, “Bira e Vllahut”, “Nënshkëme”, “Hora”, “Guri i Bardhë”, “Bota e Bardhë”, “Burimet”, “Bregu i Angjelit”, “Klishëza”, “Mulliri i Fikut”, “Shegëza”, “Kodrëza e Vidhit” etj.

 

GENOCIDI FASHIST GREK

 

Nië vitet që pasuan, Qeveria Greke, nisi t’i intensifikojë veprimet e saj antishqiptare në fillim pushtimin e Çamërisë me forca ushtarake dhe më pas me përpjekje për spastrimin etnik të shqiptarëve myslimanë nga Çamëria. Ndërkohë Athina pas shpërnguljes me dhunë të çamëve nga bandat e Napolon Zervës dhe të forcave qeveritare greke për të shuar e zhdukur çdo gjurmë të etnisë shqiptare në Çamëri, ka ndryshuar toponiminë e fshatrave  duke i zëvendësuar ato me emra grek. Kështu p.sh. fshatin Gurrëz e kanë emërtuar me emrin “Palokastro e Sipërme”, fshatin Picar në “Aetos”, Koriqanin në “Ahllavia”, Skupicën në “Kestrin”, Lopsin në “Asproklisi”, Spatarin në “Trikofor”, Galbaqin në “Elia”, Dolanin në “Jeroplatanos”, Peshtanin në “Kriovrisi”, Smokovinën në “Sikohor”, Salicën në “Llaka”, fshatin Vreshta në “Andelia”, Kuçin në “Poliner”, Arvenicën në “Argjirotopos”, Nistën në “Foskamilia”, Arpicën në “Perdhika”, Volën në “Sivota”, Rrëzanjin në “Shën Ajia”, Rrapëzën në “Ajthusa”, Vrastovën në “Palokastro”, Kurtesin në “Mesovun”, Mininën në “Nerajdha”, Curilën në “Kalithea”, Ledhëzën në “Lladohor”, Varfanjin në “Parapotam”, Koshovicën në “Shën Maria”, Luaratin në “Katovother” etj. Sado që të përpiqet administrata greke për të zëvendësuar onomastikën e emrave të fshatrave në Çamëri, që është aq e lashtë sa vetë autoktonia e shqiptarëve në ato troje, çami në breza do ta gjejë pa vështirësi tokën, fshatin e të parëve të tij, pavarësisht nga emërtimet që ka. Regjistri i Janinës (1583) e shtrin zonën e përhapjes së vëndbanimeve shqiptare dhe popullsinë e tyre autentike shqiptare edhe në zonat periferike të Epirit. Kështu p.sh. nga Defteri i Janinës mësojmë se në nahijen e Prevezës, që përfshinte dhe Prevezën, Kravarin me fshatrat e saj, antroponimia e vendeve si Zallonga, Shapata, Likursi, Karula, Zermeni, Nikolic, Zerni, Flambur, Poliofor, është një antroponimi e pastër dhe pa asnjë mëdyshje shqiptare. Të dhënat që përmendëm provojnë se Çamëria daton nga Mesjeta dhe hyri në kohën e re si një trevë thellësisht shqiptare.

 

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

 

Burimi: http://gazetadita.al/isufi-cameria-toke-e-lashte-shqiptare-camet-autoktone-atdhetare-dhe-fisnike/

Si u zhdukën emrat e fshatrave shqiptarë në Çamëri

06/06/2013 Lini një koment

Eugen SHEHU

SI U ZHDUKËN EMRAT E FSHATRAVE SHQIPTARË NË GREQI

genocidi-ndaj-cameveThellimi i tragjedisë çame në vitet 1934-1938

Fill pas vendosjes me dhunë të emrave grekë, në fshatrat çame u panë kolonët e parë helenë, ardhur familjarisht prej ishujve të largët të Greqisë. Të përkrahur nga pushteti vendor dhe sidomos nga xhandarmëria greke, këta kolonë u vendosën në shtëpitë më të mira të këtyre fshatrave, duke përzënë prej andej shqiptarët etnikë të pambrojtur.

Ngaqë pushteti vendor administrativo-ushtarak, ishte kurdoherë në duart e grekërve, edhe në fshatin më të largët të Çamërisë, Athina u përpoq të sinkronizonte veprimet me çdo mjet, me këtë pushtet për të shkombëtarizuar shqiptarët etnikë brenda kufijve politikë të saj. Në këto momente, e ideuar prej Athinës, erdhi porosia për të zhdukur sa më parë emrat e fshatrave shqiptarë, duke dashur të fshinte në këtë mënyrë simbolet e memories kombëtare. Kështu, brenda pak javëve u ndryshuan emrat në shqip të fshatrave Spatari, Golbaqi, Picari, Varfanji, Arpica dhe u zëvendësuan këta me emra grek si Trikoforo, Ella, Aetos, Parapotume, Perdhika etj. Sikur puna të kish mbetur me kaq, ndofta shqiptarët etnikë nuk do të mërziteshin aq shumë, pse ata nuk do të harronin askurrë emrin e fshatit ku patën jetuar gjysh-stërgjyshërit e tyre. Por fjala është fill pas vendosjes me dhunë të këtyre emrave, në këto fshatra u panë kolonët e parë helenë, ardhur familjarisht prej ishujve të largët të Greqisë. Të përkrahur nga pushteti vendor dhe sidomos nga xhandarmëria greke, këta kolonë u vendosën në shtëpitë më të mira të këtyre fshatrave, duke përzënë prej andej shqiptarët etnikë të pambrojtur, kinse dikur ata patën qenë fshatra helene por i patën zaptuar “barbarët” shqiptarë. Tanimë operacionet ndëshkimore ndaj popullsisë së pambrojtur çame organizoheshin dhe drejtoheshin jo vetëm me urdhër të Metaksait, por me vetë miratimin dhe bekimin e Mbretit të Greqisë. Për ta patur nënkontroll sa më të plotë dhe për të vepruar në mënyrë sa ma energjike për shkombëtarizimin e këtyre trevave shqiptare, Metaksa urdhëroi një ndarje të re administrative për krejt Çamërinë duke e copëtuar dhe afruar komandën greke vendase me qarqet antishqiptare të Athinës. Në këtë mënyrë Çamëria e Mesme dhe Çamëria veriore u shpallën njësi administrative më vehte me kryeqendër Gumenicën, ndërsa Çamërinë Jugore e copëtuan midis qyteteve dhe fshatrave greke, për të pasur sa më të lehtë kolonializimin e tyre.“ Përballë pushtetit të papërgjegjshëm shtypës e shovinist të Metaksait, çamërit u gjendën krykëput të pambrojtur, e vetmja mënyrë e mbrojtjes për ta u bë besëlidhja apo betimi i kahershëm, shtimin dhe fuqizimin e të cilit, ata vetëvetiu e ndjenë si kushtin më të domosdoshëm. Ai i mbajti të bashkuar gjatë gjithë kohës së diktaturës. Dhe nëse plot nga burrat e rrezikuar mund të shpëtonin nga zhdukja, kjo ndodhi pikërisht për hirë të atij bashkimi besëlidhës. Falë atij betimi mjaft atdhetarë të rrezikuar u arrit të kaloheshin fshehurazi brenda kufirit të shtetit shqiptar“. (I.D.Hoxha “Viset kombëtare shqiptare në shtetin grek”, Tiranë 1998, faqe 247).

Dinakëria greke do të nxiste sidomos grindjet midis shqiptarëve qysh se këta mësonin fjalët e para në gjuhën e tyre. Me një plan të përcaktuar deri në imtësi, fëmijët e krishterë shqiptarë, me të lindur dërgoheshin në kishë dhe pagëzoheshin me emra grek. Më pas, nëpër vitet që po vinin këta fëmijë do të ngulitnin mirë në kokë fjalën e priftit e cila (kinse merrej fjala e Zotit) sipas të cilit ,“kush nuk është i krishterë, është armiku ynë !”. Kjo armiqësi e cila ushqehej me aq “kujdes” prej priftërinjëve grekë, tek fëmijët e krishterë shqiptarë, duam apo s’duam ta pranojmë sot, hapi hendek të thellë në vitet që pasuan në Çamëri, midis popullsisë shqiptare të krishterë dhe asaj muslimane të Çamërisë. Kjo pasi fëmijët duke u mbrojtur me fjalën e priftit grek dhe duke qenë larg ndikimit të atdhetarëve të vërtetë të Çamërisë, dalëngadalë harruan traditat dhe kodet morale-zakonore të shqiptarëve, iu përshtatën më tepër mentalitetit helen duke u asimiluar krejtësisht përgjatë decenieve që kapërcyem. Në librin e tij studimor me titull, “Istoria tis periohijes Igumenicas 1900-1950”, të autorit I.G.Sharra, diku ku flitet për armiqësinë e mbjellë midis fëmijëve shqiptarë të besimeve të ndryshme fetare, shkruhet se ata arrinin deri sa “t’i çanin kokën me gurë njëri-tjetrit”.

Ndërkaq një tjetër interesim ishte për djemtë e vegjël të Çamërisë, në mbrendësi të kufijve të shtetit amë shqiptar. Ata jo vetëm që ndjenin lirinë mbi supe por ishin të kënaqur që mësonin së toku me bashkëkombasit e tyre, qofshin këta të krishterë apo myslimanë. Për më tej, meqenëse fshatrat me shqiptarë të ardhur nga Çamëria sa vinin e shtoheshin, për shkollimin sa më të plotë të këtyre djemve u vendos që të ndërtohej në Sarandë edhe një kovikt model, një ndërtesë e vogël ishte paguar prej disa atdhetarëve çamë por klasat sa vinin e shtoheshin. Shtabi shqiptar i asaj kohe na bën  me dije se “Konvikti Çamëria” përmbledh në gjirin e vet një numër të madh nxënësish, të përbërë nga djem të viseve të ndrashme të Shqipërisë së lirë dhe irredente, të cilët marrin aty dritën e parë të kulturës shqiptare… Në një bashkëfjalim që pati drejtori ynë me kryeministrin Koço Kota, në lidhje me konviktin në Sarandë, vuri re se kryetari i qeverisë është në dijeni të plotë të kësaj çështjeje dhe interesohet me zemër për realizimin e saj. “Vetë Mbreti ynë, i deklaroi kryeministri, ka urdhëruar Ministrinë e Arsimit që të hyjë në marrëveshje me Kryqin e Kuq Shqiptar që të ndërtohet sa më shpejtë godina që i nevojitet koviktit “Çamëria”.

(Gazeta “Demokratia”, Gjirokastër  25 korrik 1937)

Edhe gjatë vitit 1938 qeveria fashiste greke vazhdoi në mënyrë sistematike dhunën e saj të pashembullt ndaj banorëve të pafajshëm të Çamërisë. Mbreti i Greqisë, në unison me dhunën koloniale shovene të Musolinit dhe Hitlerit, ndërmori një varg reformash administrative, posaçërisht për të përzënë shqiptarët prej vatrave stërgjyshore dhe për t’i kolonizuar ato treva me popullin helen. Fashizmi, i cili po pushtonte çdo ditë e më shumë territore të reja, e fashiti edhe atë luftë të shtetit shqiptar në mbrojtje të bashkëkombasve të vet. Diplomacia evropiane u gjend e papërgatitur dhe nuk mund të merrej me zërat e popujve të vegjël që shtypeshin e dhunoheshin, ndërsa harta e Evropës çdo ditë caktonte kufij të rinj. Në këto kushte plaga e gjenocidit grek ndaj trevave të Çamërisë vazhdonte të rridhte gjak.

Burimi: http://www.kombetare.al/si-u-zhduken-emrat-e-fshatrave-shqiptare-ne-cameri/

Interesimi i vëllezërve Frashëri për Çamërinë ka qenë i jashtëzakonshëm

22/05/2013 Lini një koment

Dr. Laurant BICA

 

INTERESIMI I VËLLEZËRVE FRASHËRI PËR ÇAMËRINË KA QENË I JASHTËZAKONSHËM

Vëllezërit Frashëri

Vëllezërit Frashëri

Naim Frashëri kaloi mbi 15 vjet në Çamëri

Naim Frashëri bashkë me rilindësit e tjerë kur nxori revistën “Drita”, “Dituria” më 1884 në Stamboll në gjuhën shqipe, një nga shkrimet e para të tij do të ishte për Epirin – Çamërinë. Kjo, veç të tjerash, fliste për atë se ai, sikurse vëllezërit e tjerë të tij, i vinte një rëndësi të veçantë Çështjes së Çamërisë. Për këtë problem madhor të kombit tonë, se si ishte ai në optikën e Frashërllinjve të mëdhenj veç e veç dhe të gjithëve bashkë, po ashtu dhe dy rilindësve të tjerë, bijë të saj, si Hasan Tahsini dhe Abedin Dino do të flasim në këtë bisedë. Ndërkohë s’mund të anashkalojmë Ismail Qemalin, rilindas dhe ky, shok e mik i tyre, artizani dhe simboli më pas i Pavarësisë kombëtare. Njëkohësisht do t’i shohim në raportet që kanë me njëri tjetrin. Pra janë pesë shtylla mbi të cilat ngrihet sythi i parë i trajtimit tonë. Frashërllinjtë, Çamëria, Hasan Tahsini, Abedin Dino e Ismail Qemali.

Ju në një kumtesë për vëllezërit Frashëri dhe Çamëria e shtruat këtë lidhje në katër plane. Cilat janë ato?

Plani i parë është ai kronologjik dhe përfshin periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, periudhën e pavarësisë, të pasluftës së parë botërore, të pasluftës së dytë botërore, të pas 1990, duke ardhur deri në ditët tona. Nuk është thjesht problemi i luftës për pavarësi apo i shpalljes së saj, po është dhe problemi akoma më i vështirë i ruajtjes së saj, i mbrojtjes së saj, i ripohimit të saj dhe i konsolidimit dhe forcimit të saj deri në ditët tona. Kjo bile ka qenë shqetësimi i vazhdueshëm i rilindasëve tanë, i pasardhësve të tyre, me breza deri në momentet aktuale. Në këtë 100 vjetësh të rrugëtimit të shtetit shqiptar, Pavarësia e Shqipërisë dhe pavarësimi i trojeve etnike jashtë Shqipërisë, kanë qenë problemet kardinale që kanë preokupuar, kanë dashur apo s’kanë dashur, çdo qeveri të çdo kohe që ka qenë në krye të shtetit të brishtë shqiptar. Një plan tjetër apo këndvështrim në lidhje me temën në fjalë është problemi i paraardhësve dhe pasardhësve të rilindësve që përmendëm më lart, i cili flet në të mirë apo është plotësim i figurës së Frashërllinjve, të Hasan Tahsinit, Abedin Dinos e Ismail Qemalit e të ndonjë rilindësi tjetër që është në themelet e Rilindjes sonë kombëtare.

Natyrisht problemi do të ishte i mangët në shqyrtimin e tij në qoftë se nuk do ta shihnim në një plan tjetër në të tre aspektet përkatëse: para krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, gjatë ekzistencës së saj dhe pas shtypjes së saj. Dhe së fundi një plan që do ta kompletonte shtjellimin tonë do të ishte ai që do ta shihte në të tre momentet e tij: Para shpalljes së Pavarësisë, gjatë ekzistencës së shkurtër të shtetit të ri shqiptar me në krye Ismail Qemalin dhe pas shpalljes së saj, pra ngritjes së flamurit në Vlorë e në dekadat që e pasuan. Në epiqendër të këtij trajtimi mbeten rilindësit tanë të Frashërit dhe bashkëluftëtarët e tyre si: Hoxhë Tahsini, Abedin Dino dhe Ismail Qemali. Natyrisht shtjellimi i detajuar do të kalonte caqet e një bisede si kjo, ndofta mund të shkruhej dhe një libër, sepse interesimi i Vëllezërve Frashëri për Çamërinë ka qenë i jashtëzakonshëm, i vazhdueshëm, jetik për ta e çështjen kombëtare. Dhe jo thjesht vetëm për ta, por ai u përcoll si një amanet i patjetërsueshëm dhe i përhershëm tek bijtë e nipërit, stërnipërit e krejt pasardhësit e tyre deri në ditët tona.

Po le t’i marrim gjërat me radhë. Cili ka qenë interesimi dhe ndihmesa e poetit tonë dhe veprimtarit tonë kombëtar Naim Frashëri për Çamërinë?

Naimi kaloi mbi 15 vjet në Çamëri si student në Janinë, si drejtor i doganës në Sarandë, nja dy vjet për klimë në fshatrat e Çamërisë, dhe disa vjet në kryeqendrën e vilajetit tonë të jugut, në Janinë. Çamët dhe Çamëria kishin hyrë thellë në shpirtin e Naimit, ishin pikë e dobët e tij. Naimi e dinte me themel nëndialektin e Çamërisë. Tek “Bagëti e Bujqësia” kur i drejtohet dallëndyshës “Eni vjen prej Çamërie” “me milëra fjalë e me gluhë perëndie” ai vetëm sa ngreh siparin. Për gati dy dekada ai i ra kryq e tërthor Çamërisë dhe ky është nëndialekti që dëshmon, më shumë se çdo gjë tjetër, lashtësinë e gjuhës shqipe e sa kishte hyrë thellë tek Naimi.

Për llogari të albanologut francez Ogyst Dozon, Naimi do të mbledhë fjalë të urta përfshi dhe proverba çame. Naimi do të punonte sheshit e me dëshirë të zjarrtë nga Janina, kryeqendra e Vilajetit të Jugut në dobi të kauzës shqiptare, të pavarësisë shqiptare, na bëjnë me dije konsujt e huaj të akredituar aty. Naimi do të ketë si mësues në Stamboll bashkë me të vëllanë Samiun, çamin Hoxha Tahsin, rilindësin tonë të njohur. Në Stamboll ai do të ishte në kontakt edhe me mikun tjetër të Frashërllinjve dhe të Hasan Tahsinit e Abedin Dinos, Ismail Qemal vlonjatin.

Po Sami Frashëri?

Sami Frashëri vëllai i Naimit do të kalonte 6-7 vjet në Janinë dhe në kohën kur ndodhi agresioni për marrjen e Çamërisë me zbarkimin e fshatin Lëkurës të Sarandës në fillim të 1978 Samiu u ndodh në krah të Abedin Dinos dhe bashkë me Hoxha Tahsinin e të tjerë i bënë ballë ndërhyrjes greke. Sami Frashëri përreth një vit qe sekretar i Komisionit të rekrutimit pranë Abedin Dinos. Është po ky Sami që në enciklopedinë e vet 6 vëllimshe flet gjerë e gjatë për çamët e Çamërinë, për Thesprotinë e lashtë, për Epirin, për Suljotët, për Vilajetin e Janinës, duke na dhënë një informacion të begatë për vendet e personalitetet e trevës tonë më jugore.

Në zërin për Shqiptarët në enciklopedi, ai përmend dy dijetarë, një çam, Hoxha Tahsinin dhe një kosovar, Ali Efendi Jakova si më përfaqësuesit e shqiptarëve. Ta nuhaste tragjedinë që do të ndodhte më vonë…krahinave? Të jetë kjo thjesht një rastësi? Zatën kurbani i krahinave shqiptare kish filluar që në të gjallët e tyre: sanxhaku i Nishit si pjesë e vilajetit të Kosovës dhe sanxhaku i Thesalisë, bashkë me qytetin e Artës, u morën me dhunë e me diplomaci nga fqinjët grabitqarë të veriut e jugut. Samiu me Naimin qenë nxënës të Hoxha Tahsinit dhe miq të ngushtë me Abedin Dinon dhe Ismail Qemalin. Faktet që i provojnë këto janë të panumërta dhe njeriu s’di ç’do verë më parë në një kumtesë si kjo.

Abdyl Frashëri

Abdyl Frashëri, vëllai i madh mbodhi farën e atdhetarizmit, të lirisë gjithandej në trojet shqiptare. Ai shkoi në kabinetet e Evropës për të mbrojtur çështjen shqiptare, sidomos të Epirit, bashkë me Mehmet Ali Vrionin, e duke pasur mbështetje të fortë birin e Çamërisë, Abedin Pashë Dinon. Në udhëtimet e tij në Evropë për të mbrojtur Çamërinë, ai shkriu 7 barrë flori, kurse kryetari i Lidhjes Shqiptare për Jugun e Shqipërisë, Abedin Dino, shiti 2000 hektarë tokë dhe parët e nxjerra i përdori për nevojat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Rilindësit tanë dikur prishën pasurinë për të bërë Shqipërinë, shtetin shqiptar të pavarur dhe s’pyetën për çifligjet e tyre, kurse sot, me ndonjë që e gjeti Shqipërinë të hazërtë nga gjaku i derdhur e sakrificat e panumërta të bëra, po na ndodh e kundërta, për të mbushur xhepat e tyre. Abdyli ishte ai që me ndihmën e Abedin Dinos firmosi letrat e përfaqësimit në Çamëri dhe në krye të një delegacioni prej levendesh, të dalë nga kuvendi i Dibrës, u ngarkua për t’i paraqitur sulltanit kërkesën për një autonomi territoriale administrative të Shqipërisë.

Nuk ka memorandum, sidomos në Jug, në mbrojtje të Çamërisë, që të mos jetë në krye firma e Abdyl Frashërit. Ishte po ky Abdyl që bashkë me Abedin Dinon ju kundërvunë në Mbledhjen e Prevezës të 1879, bënë të dështojnë grekët me pretendimet e tyre shoviniste për të grabitur Çamërinë. Në saje të tij, të Abedin Dinos, të Hasan Tahsinit Çamëria dhe Janina edhe për 35 vjet të tjera arritën të ishin në duart e shqiptarëve. Meritat e Abdylit për Çështjen Çame janë të pakontestueshme. Abdyli ka qenë në bashkëpunim të ngushtë me Hoxha Tahsinin jo vetëm më 1878 në Komitetin e Stambollit, por edhe në përpjekjet për krijimin e Shqipërisë Diturake të Stambollit. Ndërsa me Ismail Qemalin ka qenë në bashkëpunim në vitet 1876-1877 kur ishte deputet në parlamentin osman, në komitetin e Stambollit e në një varg veprimtarish të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Po të flasim për patriotët çamë Hasan Tahsinin e Abedin Dinon, për lidhjet e tyre me Frashërllinjtë?

Ndërsa po të flasim për Hasan Tahsinin e Abedin Dinon, për lidhjet e tyre me Frashërllinjtë dhe Ismail Qemalin do të duhej të mbusheshin libra të tërë për çka kanë bërë për Çamërinë. Ata vetë ishin bijë të Çamërisë. Hasan Tahsini i ra kryq e tërthor qyteteve e fshatrave të Çamërisë e të Shqipërisë. Ai ka qenë mik i peshkopit ortodoks nga Paramithia Anthim Cacos, i cili në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit përktheu në shqip sikurse Martin Luteri Ungjillin, Biblen. Qëllimi atdhetar pse u bë pikërisht në vitet e stuhishme të Lidhje Shqiptare duket sheshit. Interesant, të dy edhe klerikë të feve të ndryshme por edhe dijetarë e diturakë të mëdhenj. Për ta Shqipëria ishte mbi të gjitha! Kori rilindës në Stamboll kish në krye në këtë kohë një Hasan Tahsin, Frashërllinjtë, një Abedin Dino, një Ismail Qemal, një Pashko Vasë e shumë e shumë të tjerë. Po, këta ishin maja e Rilindjes, por po të përdorim shprehjen e Mit’hat Frashërit, njerëz të mëdhenj, udhëheqës dhe shembull, që lanë gjurmët dhe vazhdën mbi karakterin dhe fatin e vendit, që u bënë mëndja dhe shpirti i kombit.

Po kush ishin këta rilindës të shquar që influencuan dhe frymëzuan kombin drejt pavarësisë kombëtare, drejt shtetit të pavarur shqiptar? Cilët janë paraardhësit dhe pasardhësit e tyre?

Duke i parë në këtë suazë do të kuptojmë më mirë vendin që zënë në Rilindje dhe rolin që luajtën në të. Frashërllinjtë ishin bijtë e Halit Frashërit, i cili së bashku me Iliaz Pashë Dibrën në krye të forcave vullnetare shqiptare, luftuan për mbrojtjen e Çamërisë dhe Thesalisë për t’i bërë ballë invazionit të bandave të andartëve grekë, të armatosur, të organizuar në territorin e Greqisë dhe që u futën fshehurazi në Epir e Thesali nën komandën e gjeneralit grek Grivas në vitin 1854. Hasan Tahsini ishte i biri i Osman Efendi Hoxhës, i cili shërbeu në të dy pashallëqet shqiptare të Bushatllinjve dhe të Ali Pashë Tepelenës dhe si atdhetar u përpoq për afrimin e tyre. Ai ishte dijetar, mësues, jurist dhe një intelektual nga më të shquarit e kohës me standarde shumë të larta.

Abedin Dino ishte djali i Ahmet Dinos, një nga figurat më eminente atdhetare në Çamëri që mori pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit, u internua në Anadoll, në Konja, ku edhe vdiq. I ati i Ismail Qemal Vlorës, Mahmud Vlora, siç del edhe nga Kujtimet e tij, ishte një nga njerëzit më të kulturuar të kohës, jo thjesht në Shqipëri, por më tej, iluminist me pikëpamje liberale për kohën, me miq të shumtë të shquar të familjeve fisnike brenda e jashtë Perandorisë Osmane, në Evropë. Ishte pinjoll i një familjeje fisnike të Vlorës, që i kish rrënjët disa shekullore. Ndonjë burim i nxjerr si vazhdues të Arianitëve të kohës së Skënderbeut. Gjyshi i Ismail Qemalit, me të njëjtin emër, Ismail Bej Vlora, u vra në Janinë dhe ishte një nga atdhetarët më në zë të kohës sikurse dhe i ati. Dardha nën dardhë bie! Le të vazhdojmë më tej. Linja është e njëjtë dhe tepër e kjartë. Patriotizmi nuk vdes kurrë tek këto familje të rrënjës. Po le të ndjekim pasardhësit e tyre, sepse me përjashtim të Ismail Qemalit, të gjithë të tjerët nuk arritën të shohin ditën e bukur të Pavarësisë të Shqipërisë, të cilën e ëndërruan tërë jetën, u përpoqën për të, u bënë terror për të dhe me të në mendje e në zemër mbyllën sytë!

Djali i Abdyl Frashërit, Mit’hati, mori pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë dhe ishte firmëtar i aktit të Pavarësisë. Dhëndri i Naimit, që kish marrë për grua bijën e tij të adoptuar, Asije Frashëri, Murat Toptani, ishte në Kuvendin e Vlorës në krah të Ismail Qemalit bashkë me kushëririn e vet të parë Abdi Toptanin. I ati i Muratit, Seit Toptani, ishte mik për kokë dhe si vëlla i vëllezërve Frashëri në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mit’hati ishte njëkohësisht dhe djalë i adoptuar i Sami Frashërit. Pra në një mënyrë ose tjetër të tre Frashërllinjtë e Mëdhenj ishin në festën e madhe të Pavarësisë, të përfaqësuar denjësisht në Vlorë 100 vjet përpara. Ç’të flas për Dinejtë, Dinot e Çamërisë, të Prevezës? Rasih Dino, i biri i Abedinit, qe krahu i djathtë i Ismail Qemalit në Londër, në mbrojtje të pavarësisë së tërësisë tokësore të Shqipërisë.

Dy, tre memorandume të shkruara prej tij në mbrojtje të viseve shqiptare janë dëshmia më e mirë e patriotizmit të tij të kulluar dhe e fjalës së zjarrtë dhe penës së tij të mprehtë! Zëri i tij gjëmoi me forcë në Londër në mbrojtje të kufijve të Shqipërisë etnike. Hasan Tahsini nuk pati fëmijë, por pati nipër të mbarë që ecën në gjurmët e tij dhe lanë gjurmë atdhetarie deri në Pavarësi e pas saj, madje deri në ditët tona. Bilal Hoxha, Usni Hoxha janë dy nipër me emër të madh patriotik. Ky i dyti përmendet edhe si udhëheqës i një kryengritjeje të bërë në Filat të Çamërisë në fillim të viteve 1900. Një nip tjetër i tij, i diplomuar në Stamboll në shkollën Mylkije për jurisprudencë, i përmendur si prokuror i shkëlqyer në Gjirokastër, Ismail Mudea, djali i motrës së Hoxha Tahsinit, mori pjesë si delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e madh të Vlorës më 1912. Burimet e kohës e përmendin si intelektual të rrallë dhe shqiptar të klakët.

Pra tërë rilindësit e sipërpërmendur, përfshi Vëllezërit Frashëri, ishin në pavarësi, shpirtrat e tyre ishin n’atë sallë, ku u firmua akti solemn i shpalljes së Shqipërisë së mosvarme, 100 vjet më parë. Duart e tyre ndonëse dridheshin, ishin të shkrira me dorën e plakut Vlonjat, shokut, mikut, vëllait të tyre, rilindësit Ismail Qemali, ishin aty me duart e bijve dhe nipërve të tyre. Ndonëse s’qenë fizikisht, ata ishin firmëtarët e vërtetë të pavarësisë. Të gjithë ata, me në krye Naimin, u shkrinë si qiriri, për atë pavarësi të bekuar!

Por s’ishte e thënë që shqiptarët ta gëzonin pavarësinë e tyre?

Luftërat ballkanike, lufta e parë botërore, lufta greko-turke, lufta e dytë botërore e ngjarje të tjera që erdhën më pas nuk i lanë shqiptarët asnjë minutë rehat. U desh që ajo pavarësi e fituar me lumenj gjaku e me përpjekje mbinjerëzore me pushkë e me penë, të ruhej, të mbrohej e të ripohohej përsëri e përsëri gjatë një shekulli po në të njëjtën mënyrë. Haraç të madh gjaku ka paguar populli ynë për të siguruar pavarësinë e cunguar të Shqipërisë këto 100 vjet. Mbi gjysma e territoreve shqiptare u bë kurban në favor të fqinjëve të pangopur shovinistë. Kosova e Çamëria dhe Kosova Lindore mbetën nën zgjedhën e huaj këto 100 vjet dhe ende një pjesë e tyre e vuajnë këtë robërim.

Ç’u bë me Çamërinë pas shpalljes së Pavarësisë?

Ç’u bë me Çamërinë pas shpalljes së pavarësisë kjo dihet. Por ajo që dihet dhe nuk dihet mirë, është se Frashërllinjtë, dinastia Dino me dy degët e saj të Prevezës e të Paramithisë, pasardhësit e profesor doktor Hasan Tahsinit dhe të plakut të Vlorës nuk e ulen flamurin e shqiptarizmit dhe ashtu me zjarr siç mbrojtën tërë Shqipërinë, mbrojtën edhe Çamërinë, ngritën zërin në kupë të qiellit për të drejtat e nëpërkëmbura të saj nën robërinë e grekut. Çamëria, krahina më jugore shqiptare, bashkë me kryeqendrën e saj tradicionale, Janinën, ka qenë e lidhur ngushtë me Labërinë. Kanë qenë në shekuj bashkë që nga lashtësia, si ata binjakët siamezë. Kur teshtinte njeri, teshtinte edhe tjetri. I kanë dalë zot bashkërisht në stuhitë e kohërave njëra tjetrës e mbarë vatanit. Kur kish nevojë Çamëria, turrej Labëria në mbrojtje të saj e anasjelltas. Poeti popullor ka kënduar:

Gegë e Toskë, labë e çame
Gjithë djemtë e Shqipërisë!

Ndërsa nga koha e Ali Pashë Tepelenës na vjen si jehonë e thellë kjo strofë:

Dy mijë gegë e tre mijë toskë
Luftuan me Ali Pashanë
Ata vunë kryet poshtë
Me kordhë në dorë u vranë!

Më duhet të sqaroj se ata gegë kanë qenë mirditorët në shërbim me rrogë të pashait tepelenas, kurse tre mijë toskët, kanë qenë lebërit, çamët dhe suljotët që bënë dhe qëndresën e fundit të Luanit të Janinës dhe u vranë si burrat me armë në dorë.

Ç’bëri Ismail Qemali në 1912 për ngritjen e minishtetit shqiptar?

Tërë vëmendja e tij u përqendrua tek Vilajeti i Janinës, te Janina e Çamëria. Rezistencën çame e labe e organizoi për aq sa mundi dora e Plakut të Vlorës. Ai bëri të pamundurën dhe çamët e lebërit luftuan si burrat e ranë në fushën e nderit në betejat e “Pesë puseve” dhe të Bezhanit etj.. Heroizmi e rezistenca e tyre s’kanë të përshkruar. Mjafton të lexosh në arkivin e Institutit të Kulturës Popullore, atë të Antropologjisë dhe do të gjesh thesare në lidhje me luftën e bërë për të mos rënë Janina në duart e grekut. Plaku i Vlorës bëri të pamundurën siç e bëri edhe popullata e Çamërisë, Janinës e Labërisë. Janina ra më së fundi, ndofta me tradhti, por epopeja çamo-labe dhe e plakut të Vlorës hyri e mbeti në histori. E thërriste gjaku i të parëve, gjaku i shqiptarit, geni, instinkti i mbrojtjes së Çamërisë i ngulitur në shekuj në Labëri, aq më tepër tek fisnikët si Ismail Qemali. Përpjekjet e Ismail Qemalit s’pushuan asnjëherë, por as edhe të Dinove. Rasih Dino me familjen u zhvendos në Zvicër, siç u zhvendos dhe Mih’tat Frashëri. Frashërllinjtë, Dinot, Vlorajt s’lanë gur mbi gur edhe në Konferencën e Versajës për të shpëtuar Shqipërinë e Çamërinë. Siç tregon në kujtimet e veta Abedin Dino (i Riu), piktori, “shtabin” e vetë të luftës pasardhësit e rilindësve e ngritën në Zvicër.

Familja e Dinove shihte që Rasihu me vajzën e madhe Lejlanë që e kish si sekretare, përkthyese, ndihmëse, ‘zhdukej” me muaj të tërë në Paris, pa ditur se ç’bëhej. Familja s’merrte vesh gjë. Dihej që punohej për Shqipërinë e Çamërinë e vetëm kaq. Më tej asgjë s’pipëtinte. Mitati do të shkruante nga Gjeneva me dhjetëra artikuj studimorë për çështjen e Shqipërisë e të Çamërisë e të Kosovës në frëngjisht, për të sensibilizuar opinionin botëror e ndikuar mbi konferencën e Versajës në Paris. Të nxitur, përkrahur e mbështetur financiarisht nga Partia Politike Kombëtare që e krijuan kryesisht çamët e Amerikës do të gjejmë në Paris delegacionin e kryesuar nga Ismail Qemali e Parashqevi Qirjazi. Një Frashërlli tjetër në krye të Qeverisë së Durrësit, kushëri i parë i rilindësve tanë Abdyl, Naim e Sami, Turhan Pasha Përmeti do të kryesonte dërgatën që vinte nga Shqipëria për të mbrojtur çështjen shqiptare, kufijtë e Shqipërisë. Në krye të partisë çame ishin figura të tilla si: Beqo Izet Kushi dhe Asaf Ajdonati, pasardhës të Hoxha Tahsinit në mos në gjak, kishte dhe të tillë në role e mendime.

Pra të katër Frashërllinjtë, Dinot, Vlorajt dhe pasardhësit e Hoxhë Tahsinit ishin dhe atje ku u shfaq rreziku më i madh për shqiptarët e Çamërinë, në Versajë. Më 1924, pas nënshkrimit të Traktatit të Lozanës, si pasojë e të cilit u shkëmbyen popullatat greko – turke, 30 000 çamë dhe 35 000 shqiptarë nga Maqedonia (Kostur Follorinë) u degdisen në stepat e Anadollit. Prapë Frashërllinjtë dhe Dinot do të ngrinin zërin. Mih’tat Frashëri, si ambasador i yni në Greqi dhe Ali Dino, djali i madh i Rasih Dinos, si deputet i Prevezës, Epirit, do të ngrinte zërin në parlamentin grek për Çështjen e Çamëve dhe të Çamërisë.

Në lidhje me Dinot kanë funksionuar në mbrojtje të Çamërisë të dy degët si e Prevezës ashtu dhe ajo e Paramithisë…

Nga dera e Dinove të Prevezës kanë dalë 4 vëllezër, Abedini e Veseli e dy të tjerë që pothuajse s’përmenden. Padër Zef Pëllumbi na bën me dije se ata të katër në vitet e Lidhjes së Prizrenit kanë vepruar në sinkron. Një rinte në Prevezë, një në Stamboll, një ish në lëvizje ku e donte koha, një në një kryeqytet të Evropës Perëndimore si Parisi etj., ku vendosej fati i shqiptarëve. Në Shoqërinë e Stambollit morën pjesë dhe firmuan edhe i vëllai i Abedin Dinos, Vejsel Dino, dega e Prevezës dhe Ibrahim Dino etj., i degës së Paramithisë. Nuk ka studime, por kontributi i tyre është i vazhdueshëm, i pandërprerë. Në luftën e dytë botërore funksionuan të dy degët. Dinot e Paramithisë, Masar e Nuri Dino, vepruan për ruajtjen e popullatës myslimane të Çamërisë e për kthimin e saj si krahinë në gjirin e shtetit tonë.

Pavarësisht etiketimeve, në themelet e tyre ishte e mbeti patriotizmi shqiptar, shqiptarizma. Është interesant se në këtë kohë dy familje të mëdha, pasardhësit e Frashërllinjve dhe Dinot e Prevezës që jetonin në Stamboll, do të internoheshin në Anadoll, në Adana. Askush s’e mori vesh arsyen, por nipi i Sami Frashërit, Emin Ereni tregon se, “qysh nga ajo kohë m’u ngjall krenaria për rrënjët e mija shqiptare dhe për gjyshin tim, Sami Frashëri dhe vëllezërit e tij zulm mëdhenj si Abdyli e Naimi që bënë aq shumë për vendin e tyre, Shqipërinë. Dukej sikur një dorë e padukshme ishte në unison në goditjen e familjeve të mëdha fisnike të rrënjës të kombit shqiptar, brenda e jashtë Shqipërisë. Komunistët në Shqipëri, me goditjen që u bënë pjesëtarëve të familjeve të mëdha që bënë aq shumë për Shqipërinë e Çamërinë pas luftës së dytë botërore, indirekt u bënë përkrahës të armiqve të Çamërisë.

Kam parasysh edhe Frashërllinjtë në Shqipëri, pasardhësit e Mehmet Frashërit, vëllait më të vogël të Frashërllinjve, që u ndoqën e u persekutuan. Nga Vlorajt, Qamil Vlorën, më të voglin e familjes së Ismail Qemalit, por ndoshta më të zotin midis fëmijëve të tij, intelektual i rrallë kalibri, që zotëronte 12 gjuhë, dhe që ka qenë krahu i djathtë i Ismail Qemalit para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, gjatë saj e pas saj sa qe gjallë i ati. Më pas ai vazhdoi i paepur në rrugën e tij kombëtare, pa e njollosur kurrë emrin e familjes së tij të madhe. Përfundoi në vetmi, në Strugë të Maqedonisë, ku edhe vdiq. Mitat Frashëri dhe kushëriri i tij, Mehdi Frashëri, në vitet e turbullta të Luftës së Dytë Botërore bënë sa mundën e si mundën për të ruajtur shtetin shqiptar, që të mos zhdukej nën trysnin e pushtuesve e të kohës noprane.

Pas luftës Mitati organizoi Lidhjen Kosovare e Lidhjen Çame në Amerikë. Ideali i tij ishte e mbeti deri sa vdiq – Shqipëria etnike. Pas luftës, nga vitet 60 deri në vitet 80 të shekullit të 20të, një pinjoll, stërnip i Hoxha Tahsinit, Bilal Xhaferin, e shohim të mbrojë çështjen e Çamërisë që nga Amerika e të krijojë një revistë “Krahu i Shqiponjës’. Pra të katër familjet e mëdha me gjithë zigzaget e kohërave, kanë një fill të kuq – mbrojtjen e Çamërisë. Patriotizmi nuk u zbeh kurrë prej tyre. Si në Shqipëri e në emigracion, pavarësisht nga ndjekjet, etiketimet, ata mbeten ashtu siç kishin qenë në shekuj, patriotë të mëdhenj, besnikë ndaj kombit shqiptar në ditë të mira e të këqija. Asnjëherë s’e ulën flamurin e kombit nga duart Frashërllinjtë, të cilët po i nderojmë në këtë tubim atdhetar e që bashkë me Çamërinë përbëjnë një binom të pandarë. Sa më shumë kalon koha, aq më tepër shkëlqen puna, vepra e veprimtaria e tyre në favor të shqiptarëve etnikë çamë e të Çamërisë. Le të jetë dhe kjo kumtesë një homazh për veprën e tyre të pamort edhe ndaj Çamërisë!

Bisedoi: Albert ZHOLI

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 67 ndjekësve të tjerë

%d bloggers like this: