Arkiv

Posts Tagged ‘Car Dushani’

Si gur i rëndë, që s’ke ku e lëshon!

09/01/2014 Lini një koment

Kim MEHMETI

 

SI GUR I RËNDË, QË S’KE KU E LËSHON!

Kim Mehmeti

Kim Mehmeti

Është mundësi e ëndërruar e viteve rinore ajo që të drekoj në Tiranë, darkën ta ha në Prishtinë, e kafenë e pasdarkes ta pi në ndonjë nga kafenetë e Shkupit, por jo në këtë Shkup të sotëm të deshqiptarizuar, në qendrën e të cilit tani më është ngritur një pyll përmendoresh, ku nuk mungon as ajo e Car Dushanit. Dhe këtë ëndërr rinore e jetoj tani, kur shikimi më është dobësuar, kur e ngajë makinën me syza, kur gjithnjë e më pakë i shoh gropat nëpër rrugët e trojeve shqiptare. Por, me syza apo pa to, ia dal  ta vërej se gjitha rrugët shqiptare kanë një të përbashkët: o janë përgjysmë të ndërtuara, o u mungon një shtresë e asfaltit, të cilën ua kanë “ngrënë” pushtetarët, që ndërtojnë rrugë vetëm gjatë fushatave parazgjedhore.

Pra qofsh me syza apo pa to, nuk e ke të pamundur të vëresh se për Shqipërinë, viti që lëmë pas, i ngjanë mozaikut shumë shpresash mbarë shqiptare, nga të cilat, ajo më rrezatuesja u realizua: zgjedhje të lira parlamentare, të cilat nuk do i kundërshtojë asnjëra palë dhe rotacion i qetë i pushtetit. Tani mbetet të shihet se a do shkohet më tej, se a do ndryshojë diçka më shumë se sa vetëm sunduesi, se a do mbetet Shqipëria shtet i mirë për pushtetarët, apo do bëhet i përshtatshëm edhe për qytetarët e saj, se a do bëhet mëmëdhe që nuk do i harrojë shqiptarët përtej kufijve të saj. Përndryshe, edhe gjatë vitit që lëmë pas, Tirana ishte e zhurmshme, grindavece, e ngulfatur nga debatet publike, ku nuk e kupton se vallë politikanët janë fytyra e vërtet e debatuesve, apo debatuesit janë maskat ende të pa harxhuara të politikanëve. Por, në gjithë atë zhurmë ka diçka të bukur, që nuk e gjen nëpër shoqëritë tjera shqiptare: pasi analistët e “pavarur” qortohen mes veti, pasi  i kërcejnë njëri tjetrit në gojë thuajse me dëshira që ta ngulfasin kundërshtarin, ata dalin dhe e pinë kafenë e përbashkët, ku mbase ngushëllohen se askush nuk e ka zbërthyer lojën e tyre. Pra ku mbase ngushëllohen se askush nuk e ka kuptuar se edhe tani, njësoj si në kohët e sulltanëve që gratë e veta i mbronin me ndihmën e armatës së eunukëve të oborrit, edhe “bejlerët” e sotëm partiak, mbrohen nga populli me ndihmën e disa të tredhurve mendorë, të cilët debatojnë për çdo natë, edhe atë duke mos e lënë kundërshtarin ta hapë gojën, duke sharë njëri tjetrin dhe duke mbrojtur  “padronin” e vet partiak deri në ofendimin e fundit. E me çka të çojnë të pyesësh vetveten:  vallë është e mundur që njerëz të moshuar, njerëz që shtiren se janë të brengosur për fatin e popullit, të mos e kenë kuptuar se dashuria ndaj shtetit e popullit, nuk manifestohet me egërsi ndaj të gjithëve që nuk mendojnë si ti, por me urtësi që e detyron edhe kundërshtarin politik të të respektojë e të të dëgjojë vëmendshëm. Ku ta dish, mbase këto debate, më së miri e shpalosin të vërtetën se profili dominues i politikanëve të sotëm shqiptarë, është ai që më shumë se sa shtetin dhe popullin e vet, e don pagën e majme mujore dhe pushtetin.

Pra, qofsh me syza apo pa to, nuk ke si mos e shohësh se Kosova e pas vitit 2013, duket si udhëtar i lodhur, i cili bart mbi shpatulla gurin e  rëndë, të cilin s’ka ku e shkarkon. E ky gur i rëndë mbi shpinën e Kosovës, është po ai i njëjti që peshon mbi gjitha “Shqipëritë” tona, por ka diçka që  atë e bënë të duket paksa më i pagdhendur se ai që rëndon Tiranën e Shkupin, e që ka të bëjë me  korrupsioni, varfërinë, papunësinë dhe pashpresën rinore. Mbase shkaku i peshës së rendë të kësaj barre, apo shkaku se është lodhur nga vetvetja, në Kosovë nuk debatohet gjithaq për papunësinë, as për  disa “çlirimtarë” që famën e djeshme e përdorin për ta mbuluar “hajnokracinë” e sotme, as për rrogat e majme mujore të deputetëve, që janë aq sa harxhimet mujore të një lagjeje varfanjakësh, as për korrupsionin…., por zhurmshëm, përplot egërsi, me fjalor përjashtues,  debatojnë disa “mjekroshë” që thonë se sa më shumë arabizohemi (lexo: deshqiptarizohemi) aq më shumë “islamizohemi, me disa “properëndimorë” që pohojnë se sa më shumë “krishterizohesh” (lexo: deislamizohesh), aq më shumë “evropeizohesh”. Nga zhurma e këtyre dy taborëve, nuk dëgjohet zëri i atyre (ku bënë pjesë edhe autori i këtij teksti) që thonë: Atdheu ynë më i gjerë- Evropa, është edhe i atillë siç jemi edhe ne! I atyre që thonë se neve nuk na mungon gjithaq ajo që natyrshëm jemi –  “evropeizmi”, por duhet sa më shumë të shqiptarizohemi, të arsimohemi, t’u kthehemi vlerave që karakterizonin shqiptarinë: moralit, ndershmërisë, besnikërisë, bujarisë…. Pra nuk dëgjohet zëri i atyre që pohojnë se ne edhe s’kemi si ta ndryshojmë Evropën nëse ajo mbisundohet nga qarqet që duan BE-në ta shohin si klub të mbyllur, ku mund të hysh vetëm nëse ke kryqin në qafë. Nuk dëgjohet pra zëri i atyre që thonë se ne duhet t’i mbetemi gjithnjë e më besnik të vërtetës sonë se, sa  më lartë fluturon shqiponja dykrenore, aq më vezulluese bëhen të gjitha vlerat tona, përfshi edhe çerek-hënën dhe kryqin shqiptar. Nuk dëgjohet zëri i atyre që thonë se ka qarqe evropiane që investojnë në konceptin që popujt e vegjël të identifikohen vetëm nëpërmjet përkatësisë religjioze, që ata të mos zhurmojnë edhe etnikisht, që të bëhen të padukshëm në detin e feve të mëdha, në detin ku edhe anijet fetare lundrojnë nën flamujt e popujve dominues mbi këtë rruzull tokësor. Pra, disa qarqe kosovare janë bërë të shurdhër ndaj zërit që thotë se ne shqiptarët kurrë nuk do mundemi Evropës t’i shesim kompjuterë dhe pjesë për anijet kozmike, por gjithmonë do mundemi asaj t’ia ofrojmë “mallin” e vetëm që e kemi prodhuar në sasi të mëdha gjatë shekujve: vlerat tona kulturore dhe harmoninë ndërfetare!

Po, qofsh me shikim të dobët, apo madje edhe i shurdhër, s’ke si mos e kuptosh se heshtja që i ka kapluar shqiptarët e Maqedonisë, nuk ka të bëjë me shurdhërinë tënde, por me të vërtetën se këtu thuajse të gjithë i janë dorëzuar heshtjes dhe pritjes. Këtu heshtin edhe pushtetarët e BDI-së dhe, shtiren thuajse janë pjesë e qeverisë kineze e jo asaj të Maqedonisë, edhe kur në mes të Shkupit, qeveria ku bëjnë pjesë edhe ata, e sjellë Car Dushanin. Ata heshtin dhe sillen si të ishin vëzhgues ndërkombëtarë edhe kur huliganët maqedonas, i rrahin nxënësit shqiptarë. Pushtetarët e këtushëm shqiptarë flasin vetëm kur duhet t’i shpjegojnë përfitimet që sjellë anëtarësimi i vendit në NATO apo BE, por duke mos shpjeguar si do e shpaguajnë shqiptarët e këtushëm humbjen gjatë viteve që vijnë e shkojnë, gjatë këtyre viteve kur Maqedonia i ngjanë lopës që e ushqejnë edhe shqiptarët, por të cilën kryesisht e mjelin vetëm maqedonasit? Dhe posa bëhen të gjallë drejtuesit e partisë shqiptare në pushtet, e fillojnë të shpjegojnë se ata janë të mirë, por nënë urdhrin e shokut të keq, fillojnë të flasin edhe ata që kurrë nuk duhet të heshtin, ata  që pretendojnë se janë rojtarë të mendimit të lirë e kritik. Pra fillojnë të flasin edhe ata, të cilët mbase edhe është mëkat t’i akuzosh për çkadoqoftë, ngaqë në këtë shtet, punëdhënës i vetëm është qeveria dhe, për dallim nga maqedonasit që kanë vetëm një “drejtori” – partinë maqedonase në pushtet, për punësimin e çdo shqiptari të këtushëm, vendosë “këshilli” drejtues i përbërë nga  sunduesi maqedonas edhe vasali shqiptar. Ku ta dish, mbase prandaj shqiptarët e këtushëm kanë vendosur të jetojnë në heshtje e në pritje, me çka i ngjajnë udhëtarit që bartë mbi shpinë gurin e rëndë të bindjes se pala maqedonase nuk vepron ashtu siç veron vetëm pse ka përballë injorancën politike të drejtuesve të këtushëm partiak, por edhe pse Tiranë është e zhurmshme e Prishtina e lodhur nga vetvetja. Gjë që e çon të ndjehet keq dhe nga pakë fajtor edhe atë që publikisht e thyen këtë heshtje, atë që thotë diçka kundër pushtetarëve shqiptarë, të cilët janë aq inferior përball palës maqedonase, sa të duket se Kryeministri i Maqedonisë është kryekomandanti i armatës ruse, e kryesuesit e partive të këtushme shqiptare drejtorë të cirkut, i cili përkohësisht është vendosur në  Sheshin e Kuq të Moskës.

Nga gjithë shqiptarët kudo që janë, më zëshëm bërtasin ata që askush nuk i dëgjon: të Luginës së Preshevës dhe të Malit të Zi. Dhe zëri i tyre i ngjanë vajit të fëmijës, të cilit shumëkush i bëhet baba, por asnjëri nuk merr për sipër mbrojtjen e tij. Dhe këta janë shqiptarët që më shumë se të tjetër, e ndjenë çdo të thotë  të jesh pjesë e popullit që mëmëdhe ka Shqipërinë, ku debatohet edhe për “seksin te mizat”, por jo edhe për shqiptarinë e mbetur jashtë kufijve të shtetit amë dhe, që kanë atdhe Kosovën, ku egërsisht, e deri në fitore të plotë, janë kacafytur disa “mjekroshë” me  “fytyrë-rruarit alla evropiançe” , e ku aq rrallë flitet për shqiptarët e mbetur në Serbi, e që nuk kanë gjithaq hallin në cilën xhami do falen, por si ta mbrojnë shqiptaren në vetvete. Duke qenë të tillë, shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe ata të Malit të Zi, më mirë se gjithë të tjerët e kanë kuptuar se ata që kanë qëllime antishqiptare, nuk presin nga ne të bëhemi as mysliman më të civilizuar, as të krishterë më të devotshëm, por sa më pakë shqiptarë. Duke e kuptuar këtë, shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe ata të Malit të Zi, kanë filluar edhe të mos shprehin pakënaqësi. Mbase shkaku se e kanë kuptuar se pa marrë fund debatet e çoroditura në Prishtinë e Tiranë, ata nuk do kenë ku ta lëshojnë gurin e rëndë të shqiptarisë që bartin mbi shpinë!

Kategori: Ballkanologji Etiketa: , ,

Prizreni gjatë shekullit XIX-të

03/06/2012 Lini një koment

Hadi TAC

 

PRIZRENI GJATË SHEKULLIT XIX-të

Prizreni i vjetër

Prizreni i vjetër

Prizreni, para çlirimit nga ushtria e Perandorisë Osmane në krye me Sulltan Fatih Mehmedin e II-të më 21 qershor 1455, ishte në kthetrat të pushtuesve serb, saktësisht të mbretërisë serbe mesjetare të Car Dushanit. Prizreni gjatë pjesës së dytë të shekullit XIX ishte në kuadër të Vilajetit të Kosovës, kryeqendra e të cilit ishte Shkupi, si pjesë përbërëse e Perandorisë Osmane.

Veçoria e Prizrenit - shtëpitë në Prizren, për dallim nga qytetet dhe qytezat tjera, janë të një simetrie të ndryshme dhe në oborret e shtëpive gjenden kopshte të bukura, nëpër të cilat (në 80% të tyre) kalon kanali i hapur me ujë të dëlirë i quajtur Kasëmbegu, sipas autorit i cili ka qenë hartues dhe implementues i këtij projekti tejet të rëndësishëm dhe me vlerë të pakrahasueshëm për kohën për qytetarët e Prizrenit, të cilët në ditët e bukura të pranverës e sidomos të verës ia japin një pamje të mahnitshme, nga të cilët ujiteshin kopshtet e shtëpive të pasura me perime dhe pemë të shumta. Në hyrje të qytetit, e sidomos në pjesën lindore dhe perëndimore të saj gjenden pemët të ndryshme, të rrethuar me hardhitë e shumta të rrushit rreth e përqark qytetit, të cilit ia shtonin edhe më tej bukurinë e qytetit. Me pozitën gjeografike që ka Prizreni mund të krenohet dhe si i tillë që është me rrafshinën që e posedon me malet përreth me pyje të pasur si dhe me ujërat të shumtë dhe lumin nëpërmes qytetit, është më i shkëlqyer jo vetëm në tërë Shqipërinë, apo Rumelinë Osmane, por edhe Gadishullin Ballkanit.

Pozita gjeografike - Prizrenit gjendet nga Stambolli në paralelen 42,11 shkallë nga pjesa veriore dhe 47,54 shkallë nga pjesa perëndimore e saj, me një lartësi mbidetare të vargmaleve të Sharrit me 1200 m lartësi mbidetare nga i cili buron lumi Bistrica(Lumbardhi) e cila derdhet në lumin Drini i Bardhë në fushën e Prizrenit në dalje të qytetit.

Popullsia e Prizrenit - Prizreni gjatë shekullit XIX ka qenë i banuar me qytetarët rezident, dhe se regjistrimet e atëhershme janë bërë sipas përkatësisë fetare, ashtu që në regjistrimin e kryer në vitin 1879 në Prizren jetonin gjithsejtë 39.952 banor, prej të cilëve 32.494 mysliman, rreth 80%, dhe 7.458 të krishterë, rreth 20%.

Arsimimi në Prizren - në qytetin e Prizrenit i është kushtuar rëndësi të duhur edhe arsimimit. Për krahasim nga qytetet tjera numri i fëmijëve që kanë ndjekur mësimin dhe shkollimin ka qenë në nivel të kohës në të cilin ishin duke jetuar. Sikurse te myslimanët ashtu edhe të krishterët arsimimi i përgjithshëm ka qenë i një niveli më të lartë, në krahasim me viset tjera, e sidomos gjatë periudhës së sundimit të Sulltan Abdylhamidit të II-të i është kushtuar një kujdes i veçantë, dhe gjatë kësaj kohe jo vetëm në Prizren por edhe më gjerë janë ndërtuar 12 shkolla të reja. Në këto shkolla kanë mësuar sikurse djemtë ashtu edhe vajza, të cilët i ndjeknin mësimet nga mësues të përbashkët. Në Prizren në kuadër të Medresesë së Mehmed Pashës gjendet një bibliotekë e pasur në të cilin gjenden 224 libra me vlera të veçantë të periudhave të ndryshme kohore. Në katër medresetë ekzistuese të Prizrenit (Mehmed Pashës, Sinan Pashës, Emin Pashë dhe Mahmut Pashës) mësimet i vijonin 180 nxënës (talebe). Pas kryerjes së medreseve tetëvjeçare nxënësit janë pajisur me diplomë (ixhazetname) mbi përfundimin me sukses të medresesë. Edhe në fshatrat përreth Prizrenit i kanë ndjekur mësimet fëmijët në mejtepe (shkolla të ulëta fillore) pranë xhamive ekzistuese apo pranë kishave ekzistuese. Nga shkollat krishtere më e njohura ka qenë ajo e Bogosllovisë (shkollë fetare ortodokse për ortodoksë, e cila ishte në rang të Medresesë, sikurse për myslimanët) e ndërtuar nga donatori dhe pasaniku i njohur serb të asaj kohe, Simo Igumanov, i cili në kuadër të saj ka edhe konviktin për banim. Në Prizren me rrethinë numri i përgjithshëm i nxënësve që ka ndjekur shkollimin fillor ka qenë, 1304 nxënës meshkuj me 30 mësues, ndërsa 765 nxënëse vajza me 16 mësues, në 29 shkollat ekzistuese fillore në Prizren dhe fshatrat përreth, ndërsa në ryzhdijen (gjimnazi i ultë) e Prizrenit kanë ndjekur mësimin 121 nxënës me 3 profesor.

Bujqësia, tregtia dhe zejtaria – Në Prizren dhe rrethinë janë 120.000 dynym sipërfaqe punuese, prej të cilëve 90.000 dynym ara, 13.000 dynym livadhe si 17.000 dynym vreshta. Bujqit kanë punuar në ara e veta, apo të pronarëve të tyre si argat, apo kanë punuar tokën me qesim (qira) me ç’rast janë marrë vesh me agallarët për përqindjen e ndarjes së produkteve apo fryteve sipas marrëveshjes paraprake të lidhur më parë. Në Prizren dhe rrethinë me vreshta janë të mbledhur 17.000 dynym, në të cilën prodhohen lloje të ndryshme të rrushit për të cilin si i tillë, Prizreni ka qenë i njohur në tërë Vilajetin e Kosovës, njashtu të njohur dhe me emër kanë qenë edhe qershitë dhe mollët e Prizrenit. Në Hoçë të Madhe dhe Rahovec janë prodhuar në vit 1 milion oka verë nga përpunimi i hardhisë së rrushit. Në Prizren gjenden dyqanet e shumta zejtare me ç’rast prodhohen produkte të ndryshme për kohën, sikurse p.sh. që ishin argjendarë, tyfekxhitë (prodhues të pushkëve),rrobaqepës, thiktarë, mëndafsh përpunues, etj. që kanë qenë me zë dhe nam jo vetëm në Prizren e Vilajet të Kosovës, por në tërë shqiptarinë dhe Rumelinë e atëhershme Osmane. Në Prizren janë prodhuar stoli nga ari, argjendi, kobure, alltia, pushkë, tirqi, plisa, mintana, dollama, thika, gërshërë, tepsitë, gjilpëra, tela, pasqyra si dhe produkte të ndryshme që prodhoheshin sipas porosisë. Tufekxhinjtë (pushkëprodhuesit) e Prizrenit kanë prodhuar pushkë të njohura evropiane të llojit “Martine” të cilët përveç tjerash, i kanë zbukuruar me arë e argjend dhe i kanë eksportuar jo vetëm brenda kufijve të Rumelisë Osmane por edhe jashtë saj, në shtetet e atëhershme ekzistuese evropiane, ashtu që me këtë punë janë marrë 15 dyqan (zejtari) për prodhimin e armëve. Në Prizren është prodhuar mëndafshi nga druri i dudit, si dhe prodhime tjera të cilët gjendeshin të ekspozuara për shitje jo vetëm në qytetet e përafërta por edhe në Stamboll në kryeqendrën e Perandorisë Osmane. Kanë qenë të njohura edhe prodhimet e saraçëve dhe të vektarisë. Brenda vitit nga Selaniku importoheshin mallra të ndryshme, rroba në vlerë prej 35.460 lira, si dhe 48.756 lira për sheqer kafe dhe mallra tjera të importuara nga jashtë vendit.

Burimet natyrore – në rrethinën e Prizrenit nga hulumtimet e shumta që janë kryer, kanë rezultuar se përreth Rahovecit dhe fshatrat e saj mund të gjenden mineralet sikur që janë: ar, argjend, plumb, antimon, magnez, alumin, nikel, bakër, zink dhe krom, ndërsa në fshatin Nagavcë dhe Korishë supozohet se gjendet thëngjilli dhe kromi.

Pyjet – përreth Prizrenit gjenden edhe pyjet shumë të pasura me dru, sikurse që janë pyjet në Caralevë, Llapushnik, Mushitishtë, prej të cilëve fshatarët e këtyre fshatrave bartnin dru për shitje për tregun e Prizrenit dhe Gjakovës, e besa edhe një pjesë dërgonin për në Ferizaj, me ç’rast ngarkohej në stacionin e trenit në Ferizaj për eksport të mëtutjeshëm.

Lumenjtë – në Prizren, pran tij kalon lumi i Drinit të Bardhë i cili buron në mal afër Pejës, kalon në lindje të Gjakovës dhe vazhdon rrjedhjen afër Prizrenit, në Nashec dhe më tutje kalon nëpër Kukës për në Shqipëri, me ç’rast bashkohet me lumin e Drinit të Zi dhe derdhet në detin Adriatik. Lumi tjetër është Bistrica (Lumbardhi) i cili buron nga malet e Sharrit, njëri krah vjen nga fshati Gornjasellë ndërsa krahu tjetër nga fshati Lubinjë, dhe se të dy krahët bashkohen në fshatin Reçan, 9 km mbi Prizrenit, dhe më tutje nëpër grykën e Lumbardhit lumi përshkon në drejtim të Prizrenit, dhe hyn në qytet, në Marash, dhe kalon nëpërmes qytetit dhe si i tillë, e ndan Prizrenin në dy pjesë, dhe në dalje të Prizrenit derdhet në lumin Drini i Bardhë.

Kullosat – në vargmalet e Sharrit gjenden kullosa të shumta në të cilën nga fshatarët vendas kultivohen tufat e shumta të dhenve dhe të dhive, rreth 100.000 krerë, me ç’rast vetëm nga prodhimi i djathit të njohur të Sharrit dhe të produktit të leshit, përfitohen brenda vitit të ardhura 3500 lira.

Rrugët magjistrale – janë 4 sish, e para shkon në drejtim të Ferizajt, e cila rrugë kalohet për 10 orë ecje , dhe lidhet drejt me stacionin e trenit në Ferizaj, dhe më tutje vazhdon rruga që lidhet me Prishtinën. Gjatë kohës kjo rrugë ka qenë shumë e dëmtuar, nëpër të cilin me vështirësi kalonin qerret dhe kuajt, ashtu që pas vizitës së Sulltan Abdylazizit në Prizren, është dhënë urdhri për rregullimin e saj, ashtu që janë riparuar gjithsejtë 45000 metra rrugë dhe janë ndërtuar 6400 m rrugët të reja, ashtu që tani gjendja është shumë më mirë se përpara që ka qenë. Rruga e dytë është në drejtim të Gjakovës, e cila duke qenë se kalon nëpër një rrafshinë është shumë më komode dhe më e mirë për udhëtim me qerre dhe kuaj. Rruga e tretë është në drejtim të Shkodrës, nëpërmjet Kukësit , e cila është në një gjendje mjaft të mjerueshme, dhe se shumë vështirë udhëtohet pasi që rruga e tillë është përplot me gurë relief shkëmbor e malor, dhe si të tillë për udhëtim me qerre dhe kuaj paraqet një vështirësi tepër të madhe.

E katërta është rruga në drejtim të Dibrës por pasi që kjo rrugë kalon nëpër rrethin e Lumës është shumë e vështirë për udhëtim për shkak të pozitës gjeografike të papërshtatshme, lartësisë së madhe mbi detare dhe reliefit malor shkëmbor. Është edhe rruga në drejtim të Tetovës, mbi vargmalet e Sharrit, e cila në shumicën e rasteve është e pakalueshme, e sidomos gjatë dimrit është e mbyllur për shkak te reshjeve të mëdha të borës dhe si e tillë preferohet që për udhëtim për në Tetovë të shfrytëzohet rruga nëpërmjet Ferizajt për Shkup.

Arkitektura e Prizrenit – Prizreni si një qendër e rëndësishme administrative dhe kulturore e Vilajetit të Kosovës, është i pasur me një arkitekturë të larmishme. Mbi qytetin gjendet Kalaja e qytetit në të cilin është e stacionuar njësia artilerike (e topxhive) të garnizonit ushtarak të qytetit, në dalje të qytetit, në magjistralen drejt Ferizajt gjendet kazerma ushtarake në të cilin janë të stacionuara 4 tabore (brigada) ushtarësh, në kuadër të së cilës gjendet edhe spitali ushtarak, si dhe njësia e telegrafit.

Në qytet veçohet për nga arkitektura, e ashtuquajtura Xhuma xhamia, e cila më parë ka qenë kishë me emrin ”Bogorodica Ljevishka”, përveç kësaj gjenden edhe 26 xhami, 2 kisha ortodokse, 1 kishë katolike, 7 teqe, dy hamame, 2 sahat kulla, çarshia e madhe me gjithsejtë 1389 dyqane, disa manifaktura (fabrikash të vogla), 15 mulli, në qendër të Shadërvanit gjendet fontana (kroi) i Shadërvanit, ndërtesa e beledijës (komunës), 5 ura, 15 furra, 12 hane, 53 depo e objekte të tjera.

Ky ishte një përshkrim i shkurtër i disa veçorive kryesore të qytetit të Prizrenit gjatë shekullit XIX.

 

Përktheu dhe përshtati: Faik MIFTARI

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 63 ndjekësve të tjerë

%d bloggers like this: