Arkiv

Posts Tagged ‘komunizmi shqiptar’

Miti i nacionalizmit enverist

09/03/2013 Lini një koment

Ergys MËRTIRI

MITI I NACIONALIZMIT ENVERIST

Ergys Mërtiri

Ergys Mërtiri

Enverizmi paraqitet shpesh si një ideologji nacionaliste, duke iu referuar retorikës atdhetare që ka mbushur masivisht propagandën komuniste përgjatë të gjithë 50 viteve të regjimit. Në fakt, komunizmi shqiptar, është keqpërdoruesi më i madh i nacionalizmit, duke e përdorur atë si të vetmin mjet legjitimimi për kriminalitetin dhe rrënimin që i solli vendit. Retorika e regjimit ishte e tejmbushur me terma patriotikë, të cilët paraqisnin një përfytyrim romantik për atdheun, si një kështjellë e pamposhtur që marshonte triumfalisht “nga fitorja në fitore”, mes armiqsh të egër e të fuqishëm. Në të vërtetë, duke idilizuar dhe militarizuar historinë e Shqipërisë dhe sakrificat shekullore të popullit shqiptar, kjo retorikë glorifikonte Partinë Komuniste, sepse sipas saj, atdheu dhe partia ishin një dhe të pandarë. Partia shihet si personifikim politik i atdheut, si ndërgjegjja e organizuar e popullit, e cila kish marrë përsipër të finalizonte heroizmin kombëtar të treguar në shekuj.

Enverizmi historicist

Ky është një konceptim krejtësisht marksist i historisë. Njësoj si marksizmi, i cili e shikon historinë njerëzore si një arenë të luftës së klasave, e cila vjen e finalizohet në revolucionin proletar që do të sillte shoqërinë e mbrame pa klasa dhe pa shtypje e shfrytëzim, edhe enverizmi paraqitet, ndër të tjera, si finalizim i një përpjekjeje shekullore të popullit shqiptar për të ndërtuar jetën e vet në mënyrë të lirë e të pavarur, të mbrojtur nga armiqtë e jashtëm e të brendshëm. Enverizmi pretendon të jetë bartësi dhe finalizuesi i aspiratës kombëtare të popullit shqiptar, për të cilën është derdhur gjak që në antikitet. Kjo ideologji karakterizohet nga dy aspekte paralele: ai marksist dhe kombëtar. Rrjedhimisht historia e Shqipërisë shihet njëkohësisht në një këndvështrim klasor dhe kombëtar. Nga njëra anë, enverizmi sjell çlirimin nga klasat sunduese, që shihen si gjakpirësit tradicionalë të popullit (feudalët, bejlerët, agallarët, kapitalistët e rinj…), ndërsa nga ana tjetër, ai sjell çlirimin e vendit nga të gjithë armiqtë e jashtëm (osmanë, serbë, grekë apo fashistë, me gjithë bashkëpunëtorët e tyre reaksionarë brenda vendit), që ia kanë zënë frymën Shqipërisë me luftërat dhe intrigat e tyre të liga.

Historia formulohet në mënyrë teleologjike, duke u paraqitur si rrëfim i një përpjekje që kërkon doemos një finale, e cila përmbushet me luftën revolucionare të udhëhequr nga partia. Në këtë mënyrë, partia merr një dimension patriotik, duke u bërë bartëse e misionit kombëtar shekullor. Enver Hoxha, bëhet babai i kombit dhe projektuesi e realizuesi i këtij projekti kombëtar, i cili nis me Skënderbeun, rivihet në veprim prej rilindjes me fillimin e përpjekjeve për pavarësinë e vendit, duke marrë më pas natyrën e vërtetë dhe përfundimtare me formimin e Partisë Komuniste, që arrin ta orientojë këtë betejë në themelet e duhura ideologjike. Pikërisht, komunizmi luan aktin final të marshimit të popullit shqiptar, në rrugën e tij të historisë, duke bërë realitet gjithçka për të cilën ky popull ka luftuar e ëndërruar që me lindjen e tij. Komunizmi bëhet destinacioni historik, dhe fundi i lumtur i sakrificës sonë kombëtare, duke përmbushur mision historik të popullit shqiptar.

Enverizmi evropian

Në fakt, një perceptim i tillë vijon ende të ushqejë mendimin historik si dhe një pjesë të madhe të diskursit publik. Ideologjia zyrtare vijon të flasë për një mision historik, që do të finalizojë përpjekjet e popullit shqiptar heroik, duke përmbushur aspiratën e tij shekullore. Vetëm se kjo aspiratë tashmë ka hequr dorë nga kështjella e pamposhtur e komunizmit që marshon stoike mes armiqve, duke e zëvendësuar këtë me aspiratën evropiane, e cila shihet si një ëndërr shekullore e këtij populli, që pritet të përmbushet së afërmi nëpërmjet integrimit në BE.

Ky lloj nacionalizmi vijon të funksionojë me të njëjtin format, duke ndërruar vetëm objektin e glorifikuar: rendin komunist me integrimin evropian. Sot flitet për integrimin, si një aspiratë të lashtë të shqiptarëve, e cila fillimisht u shndërrua në një projekt politik nga Skënderbeu, e që më pas do të formulohej në mënyrë më të qartë me rilindjen, për tu përmbushur më pas plotësisht në momentin kur Shqipëria do të jetë pjesë e familjes evropiane. Të njëjtët heronj, të njëjtat qëndrime, e njëjta mendësi, vijon të funksionojë më së miri ndaj idhujve të rinj.

«Skënderbeu është pararendës i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO», – është barcaleta më kuptimplote e kësaj doktrine, të formuluar në mënyrën më përfaqësuese nga Kadareja. Kemi të bëjmë gjithashtu me një logjikë historiciste, mesianike që prodhon një narrativë historike teleologjike. E ardhmja, finalja e madhe e shumëpritur, rindërton të gjithë të shkuarën duke na shfaqur shtegun që na sjell tek e ardhmja e sigurt. Historia e shqiptarëve ndërtohet me po të njëjtin material ideologjik, vetëm se tashmë ajo nuk evidenton kudo gjurmët e luftës së klasave, por vetëdijen evropiane të popullit, e cila sipas saj, ka mundur të mbajë gjallë përkatësinë tonë perëndimore, përballë stuhive barbare të Lindjes që janë përpjekur me çdo mjet të na shperëndimizojë, pa ia dalë dot mbanë.

Në të njëjtën mënyrë si enverizmi, historicizmi shqiptar aktualisht vijon të jetë po aq përjashtues, monolitik e mitologjik. Po njësoj, ky lloj diskursi vijon të kërkojë armiqtë e klasës apo evropianizimit, të cilët i konsideron si armiq të atdheut, tek çdo pikëpamje e ndryshme me të. Në të njëjtën mënyrë, ai gjithashtu identifikon tek e shkuara gjithçka që i nevojitet në të tashmen. Rimohuesit e kombit tek Kadareja, si një antonimi e rilindasve modernë, të çojnë pa shumë mund tek armiku i klasës, si një kategori antagoniste ku depozitojmë të gjitha fajet për mbrapshtitë tona, dështimet e të sotmes dhe vonesën për Ditën e Madhe të realizimit të ëndrrës.

Projekti identitar

Në të vërtetë enverizmi dhe ideologjia komuniste nuk ka kurrfarë lidhjeje me nacionalizmin. Historia e komunizmit në Shqipëri lidhet me ndikimet e huaja fqinje, me armiqësinë ndaj nacionalizmit tradicional shqiptar si dhe me veprimtari politike e ideo-kulturore krejt të ndryshme nga ato që duhet të ketë një ideologji nacionaliste. Pa hyrë në degëzime mbi veprimtarinë dhe qëndrimet politike të komunizmit shqiptar në raport me çështjen kombëtare, mund të themi se ideologjikisht ai ka një kontradiktë themelore me nacionalizmin, që lidhet me identitetin dhe idenë për kombin. Nëse do të mund ta thjeshtojmë bisedën, nacionalizmin mund ta identifikojmë si një ideologji që politizon përkatësinë etnike, si pjesëmarrje në një korpus kulturor të përbashkët të një grupi të madh njerëzish, që përbëjnë kombin. Pra, fokusi themelor i nacionalizmit etnik, është kultura kombëtare dhe organizimi shoqëror që mbron dhe ruan tiparet themelore identifikuese të kombit. Për këtë arsye, që komunizmi shqiptar të vlerësohet si një ideologji nacionaliste, duhet parë se çfarë raportesh ka ai me kulturën shqiptare.

Në thelb, komunizmi shkon drejt uniformitetit të qenies njerëzore. Ai është një ideologji internacionaliste që mohon çdo lloj përkatësie që rivalizon atë klasore, e cila shtrihet në të gjithë globin, e pacenuar nga prerjet tërthore nacionale. Komunistët mendojnë, veprojnë, jetojnë të gjithë njësoj, kudo në botë. Ata mendojnë se mund të ngrihen mbi dallimet kulturore, të cilat i shohin si produkte të ideologjive sunduese kapitaliste, duke arritur të vërtetën objektive përfundimtare. Me arritjen e aspiratës së tyre, ata mendojnë se historia ndalet, e po ashtu mendimi, zhvillimi, progresi. Sipas tyre, rendi superior realizohet nëpërmjet organizimit racional të shoqërisë dhe të punës, gjë që eliminon dallimet dhe trashëgiminë kulturore.

Parë nga ky aspekt, nacionalizmi është diçka e kundërt. Ai kërkon të ruajë themelet kulturore të një shoqërie, duke i mbrojtur ato nga deformimet e ndikimeve të huaja. Nacionalizmi pranon zhvillimin, por pa cenuar thelbin. Ai e shikon racionalitetin si plotësues të kulturës e jo si zëvendësues të saj. Natyrisht, komunizmi shqiptar është një temë e trajtuar shumë pak dhe ka nevojë të studiohet në mënyrë rigoroze, për të njohur më mirë dallimet ndërmjet tij dhe marksizmit, leninizmit e stalinizmit. Por sido që të jetë, dallimet midis tij dhe nacionalizmit janë themelore dhe të papajtueshme.

Përmbysje e trashëgimisë

Në dukje, enverizmi është një ideologji që është përpjekur të marrë në referencë trashëgiminë kulturore, si një mjet legjitimimi. Regjimi komunist ngriti një sërë institucionesh dhe projektesh të cilat kanë trajtuar trashëgiminë kulturore shqiptare. Ai krijoji Institutin e Kulturës Popullore, si një aneks i Akademisë së Shkencave, në kuadrin e studimeve albanologjike, të cilat do të shtrojnë rrugën për studimin e kësaj trashëgimie. Gjithashtu, në funksion të lidhjeve të saj me popullin ai ngriti Ansamblin e Këngëve dhe Valleve, të pasuar nga një sërë grupesh artistike në fshatra e qytete në të gjithë vendin, si dhe ngriti një sërë muzeumesh etnografike në qytete të ndryshme. Të gjitha këto në dukje i kanë shërbyer rritjes së pranisë etnokulturore në shoqëri.

Megjithatë, qëllimi i vërtetë për të cilin kanë funksionuar institucione të tilla, i shprehur në vetë raportet, udhëzimet dhe studimet e tyre, ka qenë në funksion të ndërtimit të njeriut të ri dhe afrimit të njerëzve me ideologjinë zyrtare. Këto institucione kanë shërbyer për transformimin e kulturës popullore, në funksion të interesave ideologjike të pushtetit monist. Ato nuk kanë pasur për qëllim të studiojnë dhe promovojnë kulturën e vërtetë shqiptare, të trajtuar në mënyrë objektive, por janë përpjekur të prodhojnë një trashëgimi artificiale, e cila çon ujë në mullirin e luftës ideologjike të klikës në pushtet.

Studimet albanologjike, duke përfshirë studimet etnologjike, etnografike, folklorit etj., e për rrjedhojë edhe materialet artistike të vëna në skenë nga trupat e ansamblit dhe grupet artistike lokale, janë përpjekur të ideologjizojnë trashëgiminë kulturore, në llogari të propagandës komuniste. Ato janë përpjekur ta zhveshin këtë trashëgimi nga elementët thelbësorë të shoqërisë tradicionale si struktura klasore, përkatësitë lokale, fetare e kulturore, sistemi vleror etj. Ashtu si edhe historia, folklori dhe vlerat tradicionale janë parë në mënyrë selektive, duke i zhveshur nga thelbi i tyre i vërtetë e duke u arnuar me elementë ideologjikë si p.sh. lufta e klasave, kolektiviteti etj. Këto studime kanë grumbulluar materialin bazë mbi të cilin ideologjika ka mundur të prodhojë identitetin e ri të shqiptarëve, për të krijuar “njeriun e ri” dhe “Shqipërinë e re”. Ato kanë shërbyer në funksion të zhdukjes së një pjese të mirë të traditave, në emër të luftës ndaj të ashtuquajturave “zakone prapanike”, për të bërë të mundur rrënimin e strukturës sociale tradicionale, në funksion të kolektivizimit shoqëror komunist.

E gjithë kjo është shoqëruar me një propagandë intensive nëpërmjet shkollave, mbledhjeve në ndërmarrje, mediave, kinematografisë, të cilat i kanë shërbyer konstruktimit të identitetit të ri shqiptar. Njeriu i ri mund të krijohej vetëm nëpërmjet prishjes së strukturës klasore ekzistuese, nëpërmjet përmbysjes së strukturave të prodhimit dhe eliminimit të pronës private. Në vend të kësaj, boshllëkun do ta mbushte aparati burokratik shtetëror, i kontrolluar nga partia-shtet. Kjo ndërmarrje është në të vërtetë revolucioni më i thellë që ka ndodhur në shoqërinë shqiptare, i cili përmbysi gjithçka ekzistuese, vlerat, traditat, kulturën, strukturën sociale dhe marrëdhëniet shoqërore, duke ndërtuar boshllëkun, varfërinë dhe shterimin e ngritur në sistem.

Kombi enverist

Në këtë mënyrë, enverizmi ka synuar të prodhojë një komb të ri, sipas modelit të vet, që në fakt përbën një distancim të madh prej kombit real. Në funksion të kësaj, ai ka prodhuar fillimisht historinë e kombit që ka dashur të prodhojë, duke rrëfyer një histori të fabrikuar në funksion të interesave të tij ideologjike. Ai ka prodhuar gjithashtu traditën, duke ofruar përfytyrimin e vet për të, në mënyrë që t’i gjejë vijimësi transformimit të synuar. Ai është përpjekur të miksojë trashëgiminë shqiptare me socializmin, duke komunistizuar të kaluarën. Nga ana tjetër, ai është përpjekur të prodhojë edhe një gjykim kritik ndaj traditës, duke promovuar nevojën për një “atdhe të ri”. Ndërkohë që kërkohet një përmbysje, historicizmi enverist i kërkon rrënjët e tij brenda vetë rendit që përmbys, për ta paraqitur transformimin e tij si diçka të natyrshme për kombin.

Në fakt, komunizmi shkatërroi çdo lloj lidhje reale të shoqërisë shqiptare me të kaluarën e vet, me vlerat, trashëgiminë, kulturën. Ai solli uniformitet shoqëror dhe reduktimin e kësaj kulture në një surrogato ideologjike artificiale. Në emër të emancipimit, ai luftoi themelet e etnosit shqiptar, duke prodhuar një revolucion shoqëror të dështuar. Nisur nga të gjitha këto, enverizmi ka vepruar në kundërshtim të plotë me një projekt nacionalist siç pretendohet. Përveç përmbysjes politike të nacionalizmit, enverizmi solli një përmbysje kulturore, prej së cilës shqiptarët nuk janë çliruar ende dhe nuk duket të ketë gjasa të çlirohen ende edhe për shumë kohë.

Marrë nga faqja: http://www.e-zani.com/2013/03/07/miti-i-nacionalizmit-enverist/

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 63 ndjekësve të tjerë

%d bloggers like this: