Arkiv

Posts Tagged ‘pikëpamja e orientalizmit për Iranin’

Irani i vështruar nga pikëpamja e Orientalizmit

04/06/2012 Lini një koment

Mohamed Taghi GHEZELSOFLA

IRANI I VËSHTRUAR NGA PIKËPAMJA E ORIENTALIZMIT

“Gjithkujt i pëlqen të dijë ç‘thonë kritikët për të”

Parathënie

Një shqyrtim i koncepteve të shprehura nga kritikët për orientalistët dhe kundërshtimi i tyre gjatë tërë historisë zbulon se pasqyrohet vetëm pikëpamja e njërit qytetërim ndaj një tjetri. Këta kritikë përshkruajnë pikëpamje të tilla të njëanshme, të vërejtura në tekstet perëndimore si një imponim i ideve të një qytetërimi ndaj një tjetri. Duke folur nga pikëpamja e metafizikës, ata vërejnë: “Gjurmët e kolonializmit grabitqar vërehen qartë në hapat e Orientalizmit”. Me fjalë të tjera, Orientalizmi është simbol i pranisë dhe i epërsisë politike, kulturore dhe shkencore të Perëndimit në vendet e Lindjes. Qëllimi ka qenë të sillej në vend ideja imperialiste se Perëndimi ka epërsi mbi Lindjen në pikëpamje të urtësisë dhe të diturisë.

Steriotipizimi i pikëpamjeve vjen nga një këndvështrim i tillë, kur kundërvihen kulturat dhe qytetërimet. Pa dyshim, leximi i teksteve – perëndimore ose lindore – nuk nënkupton të japë përfundime pozitive. Autori i këtij artikulli paraqet shkurt çfarë njihet zakonisht si Orientalizëm. Ai përpiqet ta vështrojë Iranin nga një Orientalizëm i ri ndërsubjektiv dhe të shqyrtojë ndikimin e tij.

Hyrje

Persia është titulli i një libri të botuar në vitin 1835 nga Charles Night Ltd., një botues për moshat e reja, në Londër. Libri synon të paraqesë vendet lindore te perëndimorët. Në librin Uncle Oliver’ s Travel Accounts (ky është titulli i tij origjinal), Oliveri i cili është një kujdestar gazmor, u rrëfen tregime ekzotike për Iranin e paeksploruar dhe legjendar tre fëmijëve perëndimorë – Henrit, Frenkut dhe Xhinit. Kur Oliveri përshkruan peshkimin e perlave në Hormozgan, ai citon historianin romak, Plinin: “Perlat bëhen prej pikave të shiut. Çdo mëngjes, kur guackat e detit vijnë në sipërfaqe nga thellësia, hapen për të gëlltitur pikat e vesës”. Henri thirri me ngazëllim: “Çfarë mendimi i bukur!”. Xhaxha Oliveri përgjigjet: “Po, është një mendim mbresëlënës, por ne vlerësojmë vetëm faktet përfundimtare në shkencat natyrore dhe jo iluzione magjepsëse poetike!”1.

Ky artikull na jep një vështrim kritik për çështjen e ndërlikuar të Orientalizmit, duke e ballafaquar me atë që njihet zakonisht si Orientalizëm. Sidoqoftë, nëse qëllimi ynë ishte të përshkruanim trashëgiminë magjepsëse iraniane duke rrokur përmbajtjen e Orientalizmit, parapëlqimi im do të ishte Orientalizmi ndërsubjektiv. Para kësaj, do të përcaktohet Orientalizmi i zakonshëm dhe do të shtjellohet pikëpamja e tij mbi Iranin.

Së pari, Orientalizmi është shfaqur në Fjalorin e Oksfordit, më 1769 dhe më vonë, më 1838, në Enciklopedinë Franceze të Shkencës. Fillimisht, ai u përcaktua si të gjitha shkencat që kanë të bëjnë me kërkimin dhe me analizën për gjuhët, fetë, shkencat dhe kulturat e shteteve orientale. Në mbarim të shekullit të 18-të , ky përcaktim akademik ndryshoi për të nënkuptuar pushtimin sistematik të tokave islame, nga Egjipti deri në Iran. Ata, të maskuar si orientalistë ishin, në të vërtetë stafi i Departamenteve Informative të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës dhe të Britanisë dhe turistët, politikanët dhe poetët ishin ose atashe politikë ose atashe ushtarakë të qeverive të tyre.

Eduard U. Said (Edward W. Said), një mendimtar palestinezo-amerikan, i cili bashkohet me kritikët e Modernizmit, si Antonio Gramshi dhe Majkëll Faukolt (Michael Foucault), synon të analizojë dhe të vlerësojë idetë që kanë perëndimorët për popujt e Lindjes në librin e tij Orientalism (Orientalizmi, 1978). Ai e përshkruan Orientalizmin si asgjë tjetër përveçse si përpjekje e të tjerëve në paradigmën e eksplorimit perëndimor të botëve të tjera. Saidi e përsërit këtë në një libër tjetër, Culture and Imperialism (Kultura dhe Imperializmi, 1993).

Ky përdorim i zakonshëm i Orientalizmit tregon se perëndimori, përtej metatregimeve të tij, ka zhvilluar brenda vetes një logocentrizëm të orientuar drejt së vërtetës . Një produkt i dytë i një të menduari të tillë, siç shprehet Faukolti, ishte kolonializmi. Çfarë u etiketua si diçka tjetër, i përkiste një bote të pavërtetë që qëndronte larg Perëndimit dhe ishte e kundërta e tij në çdo aspekt2. Saidi, në Culture and Imperialism (1993), shkruan: “Vlerësimi i dominimit Lindje – Perëndim dhe shkëmbimet kulturore kanë çuar në një koncept të ri të dominimit, që do të thotë se njëra anë fiton dhe ana tjetër humbet, meqë fitimtari ka epërsinë kulturore dhe morale3.

Ajo që u njoh si Orientalizëm pas shekullit të 18-të e më pas, pas shprehjes së famshme të Dekartit “Unë mendoj, prandaj, unë jam” mund të shihet kështu si metodë perëndimore e hegjemonisë mbi Lindjen. Ky dominim ka një dallim, si ai i Fokaultit, i cili veçon njerëzit e urtë nga njerëzit e paditur. Në këtë dallim të madh, krijohen klasa të ndryshme për të nxjerrë poetë, shkrimtarë, filozofë, analistë politikë, ekonomistë, administratorë dhe figura mbretërore. Ky lloj Orientalizmi, në kuptimin e tij të gjerë filloi me Eskilin4 dhe vazhdoi me Danten5, Hygonë6 dhe Marksin7.

Saidi i konsideron marrëdhëniet historike të Perëndimit me botën e ndërlikuar të Lindjes, përfshirë Iranin, një hegjemoni e koklavatiur, siç shihet qartë në veprën klasike të T. M. Panikarit, Asia and Western Dominance (Azia dhe Dominimi Perëndimor)8. Në këtë marrëdhënie, Orientalizmi paraqitet në mënyrë akademike si një shenjë e fuqisë së Evropës dhe e Atlantikut përballë Lindjes9 dhe përpjekje janë bërë për ta orientalizuar Lindjen. Lindja nuk është vetëm e orientalizuar, siç vizatohet në mendjen e një evropiani mesatar si një oriental tipik, por ajo ka pasur aftësinë për të qenë kështu. Saidi e shembullson qëndrimin e Gustav Floberit10 (1821–1880) si një prostitutë egjiptiane, e cila kurrë nuk e shfaq veten e as nuk thotë asgjë për të shkuarën e saj. Ky është Floberi, i cili flet për atë dhe e portretizon atë në librin e tij11.

Xhejms Muri (James Murrieh)12 i vë fjalët në gojën e një mjeku popullor iranian dhe shkruan: “Të huajt ndryshojnë nga ne në veprat dhe sjelljen e tyre. Në vend që të rruajnë flokët si ne, besimtarët e fesë së pastër, ata rruajnë fytyrën. Prandaj, ata s’kanë asnjë qime në mjekër. Përkundrazi, ata i lënë flokët të gjatë, sikur të kishin mbajtur një betim solemn. Të huajt ulen në karrige, kurse ne ulemi në dysheme …Të huajt hanë me thikë dhe me pirun, kurse ne hamë me dorë”13.

Orientalizimi fillon në mesjetë dhe vazhdon deri në gjysmën e shekullit të 19-të. Personazhet e hershme shfaqen në Komedinë Hyjnore të Dantes dhe më vonë, në veprat e pahijshme të kohës viktoriane, të tilla si Lustful Turk (Turku epsharak) i Stiven Markosit, Little lady (Zonja e vogël) e Maks Floberit, Kubla Khon (Kubla Kon), poemë e Samuel T. Koleridxhit14, tregimi Vathek i Bekfordit, Leitires Persanes (Letrat Persiane) të Monteskjesë15, që përfshin skena erotike dhe të pahijshme për të kënaqur lexuesit perëndimorë. Në librin e famshëm, Bibliotheque Orientale (Biblioteka Orientale) 1697, të Dherbolotit, lexuesi ballafaqohet me koleksion krijesash mbinatyrore gjatë gjithë tregimit. Krijimet romantike, si Njëmijë e Një Net e kanë skenën e tyre në Bagdad, Basra, Afrikën Veriore, Perandorinë persiane dhe në Kinë. Në këtë etapë, Orientalizmi nuk bëri dallim racial ose dallim gjuhësor. Persianët dhe arabët ishin të njëjtë dhe kështu ishin turqit dhe tartarët. Irani përshkruhej kaq enigmatik, sa Dennis Wright (Denis Rajt) shkroi se edhe ata që nuk e kishin vizituar Iranin filluan ta përshkruajnë atë. Për shembull, Isak, i cili kurrë nuk e kishte parë Iranin, në librin e tij krijoi imazhe të veprimeve epsharake që bëheshin prej persianëve epsharakë16.

Emri Iran shoqërohej me dashurinë, luksin, ekstravagancën dhe legjendat në Evropë nga mesjeta deri në gjysmën e shekullit të 19-të; ai nënkuptonte përmbledhje tregimesh që do të shuanin etjen e perëndimorëve. Lindja misterioze qe kryesisht vepër e misionarëve franceskanë dhe dominikanë, të cilët futën krishterimin në Kinë dhe në ishujt në lindje të Indisë nga njëra anë dhe nga ana tjetër, udhëtarët dhe eksploruesit, si Higden dhe Sir J. Mandevill, të cilët shkruajnë vetëm për mrekullitë e Persisë Lindore.

Mandevill, në tregimet për udhëtimin e tij, të cilat dolën së pari në frëngjisht dhe pastaj në latinisht dhe në anglisht, e përdor Orientin si një alternativë për t’u shpëtuar problemeve në Perëndim. Ai e paraqit Iranin si Kethejin, i cili nganjëherë lokalizohet në Afrikën Veriore dhe afër Arabisë dhe nganjëherë pranë Indisë.

“Irani, i përshkruar në Perëndim nga Mandevilli, ishte një parajsë në Tokë dhe një djep i dy tregimeve biblike; katër lumenj parajse rridhnin nëpër këtë vend elegant e plot dritë me kopshte gjithë diell17. Nuk është për t’u habitur, vite më pas, një Z. Kokstoun (Mr. Cockstone), në librin e tij World’s Mirror (Pasqyra e Botës) shkruan për fantazitë e Iran’s Protected Countries (Vendeve të mbrojtura të Iranit) për perëndimorët.

Kuptohet se nuk kishte asnjë tregues të qartë se si mund të ishte në të vërtetë Irani. Muhamed Dasughi e vërtetëson këtë dhe e quan Orientalizmin një dukuri pjesërisht akademike, e cila kishte letërmarrësin e vet dhe ishte kujtim (reminishencë) i epërsisë së Perëndimit mbi Lindjen. Ai e ndan Orientalizmin në katër faza. Faza e parë filloi me pushtimin e Andaluzisë në Spanjë prej myslimanëve dhe me lulëzimin e shkencave në atë vend, e më pas, me pushtimin e ishujve mesdhetarë dhe të viseve të Italisë Jugore. Faza e dytë u shënua me Kryqëzatën dhe zgjati deri në gjysmën e shekullit të 18-të. Faza e tretë dhe Epoka e Orientalizmit të ri shfaqet pas Luftës së Dytë Botërore dhe ende vazhdon dhe ndoshta, do të vazhdojë përgjithmonë18. Ky klasifikim është mbështetur gjithashtu nga një numër dijetarësh iranianë19. Me një orientalizëm të tillë, nuk mund të arrihej asnjë sukses i madh, përveçse të bëheshin armiq të betuar në të dy krahët. Dasughiu dhe të tjerët e fajësojnë Orientalizmin për imazhin e shtrembëruar të Islamit dhe të myslimanëve në Perëndim dhe thonë se ai është përgjegjës për mbjelljen e farës së urrejtjes në Perëndim. Megjithatë, ata ndalin befas dhe pohojnë gabimin e vet: “Ne nuk e mbrojmë Islamin me paragjykimet tona dhe prandaj nuk po përshkruajmë një imazh të rremë, i cili gjen përdorim në pikëpamjet e kolonialistëve dhe të ateistëve për Orientalizmin. Kjo nuk ka të bëjë fare me të vërtetën e ndritshme të Islamit20.

Në këtë formë të Orientalizmit as edhe një individ ose tekst i vetëm nuk është përpjekur të paraqesë trashëgiminë kulturore ose qytetare të palës tjetër, sepse ata ishin të gjithë armiq të betuar, përfshirë Akilin, Herodotin, Homerin, G. D. Lanxhlin (G. D. Langely)21, Shirlin22, Monteskjenë, Denis Rajtin, Luis Mesinjonë23, Klaud Enetin24, Viktoria V. Skuilluestin25 dhe madje, Eduard Braunin. Akili dhe Aleksandri i Madh ishin ndër ata që arritën të siguronin një vend prestigjioz në letërsinë politike të Perëndimit. Për këtë arsye, Enerst Xhozef Renan26 e quan mit historinë e qytetërimit lindor. Zhak Benign Bosue27 pikturon Afërditën, perëndeshën mitologjike greke të dashurisë , pasionin dhe bukurinë përballë Lindjes dhe Xhunos, zoti i dinjitetit dhe i mashkullisë përballë Perëndimit dhe Greqisë. Jupiteri është simbol i logjikës politike, kurse Marsi, perëndesha e mosbindjes dhe e dhunës përsëri është përballë Lindjes. Shkurt, rezultatet e marrëdhënieve të pak shekujve midis Lindjes dhe Perëndimit, mbështetur në Orientalizmin e zakonshëm nuk janë asgjë veçse “ekzagjerim, mashtrim, keqinterpretim, shtrembërim dhe u referohen burimeve të pabesueshme, miteve, besimeve të kota, shpikjeve, thashethemeve të përhapura nga politeistët, drejtuesit e sinagogave e të kishave dhe deklarata e fantazi të tjera shekullore”28. Kur vjen puna për Iranin, Farughi, shkruan: “Nëse shënimet për udhëtimet vështrohen me një analizë të hollësishme, do të zbulohet se të gjitha këto udhëtime në Iran ndiqnin qëllime të veçanta, të tilla si, si të predikonin fenë e tyre, si të kërkonin avantazhe politike ose ekonomike dhe ajo që është më e rëndësishme, si të gjenin terren të favorshëm për të eksportuar kulturën e tyre29.

Orientalizmi ndërsubjektiv dhe trashëgimia iraniane

“Irani ka ndihmuar që qytetërimi i njeriut të shkojë përpara në gjithçka që ai ka arritur dhe në gjithçka që ai nuk ka mundur ta arrijë. Idealet që mbeten të paarritshme, u lanë që t’i vazhdonin romakët dhe maqedonasit”30. Përdorimi i termit “ndërsubjektivitet” nga Perikliu te Filipi, brenda fushës së Orientalizmit mund të duket pak si i pavend dhe i pamjaftueshëm. Sidoqoftë, autori i këtij artikulli mendon se një koncept ndërsubjektiv del si lidhje e ndërsjelltë ndërmjet dy qytetërimeve, lindor dhe perëndimor, që nisi në një atmosferë të errët dhe të dyshimtë, mbi një bazë mitologjike, që më në fund, çoi në një të vërtetë. Pasoja e kësaj errësire fillestare është leximi i kulturave dhe qytetërimeve të tjera, që mbanin konceptin e ri të “qytetërimit ndërsubjektiv”.

Brenda kësaj kornize mendimi, Monteskje, Morier, Gobineu, Vamberi31 dhe të tjerët janë aq të hutuar nga kultura iraniane, sa edhe homologët e tyre iranianë, si Naghd’ Ali Bejk32, Mirza Abolhasan Khan Ilçi, ose madje, mbreti Naseredin Shah33, kur vizitoi Perëndimin për herë të parë. Ata të gjithë e fillojnë me vërejtje të egra dhe mbarojnë me shkëputje verbale dhe për të ardhur në këtë pikë; natyrisht, mund të ketë disa gjëra që nuk lidhen (irelevanca) me çështjen. Në Orientalizmin ndërsubjektiv, sidoqoftë, dy kulturat nuk mund të paralelizohen dhe prandaj janë të largëta dhe nuk kanë baza të përbashkëta për dialog. Fuqishmëria e njërës sjell pafuqishmërinë e tjetrës. Saidi i referohet një skene në The Persians “Persianët”, dramë nga Eskili (525-456 para erës sonë), ku ushtarët e lodhur persianë ndihen të mjerë pas mundjes së ushtrisë së Kserksit nga grekët. Ky dëshpërim i ushtarëve persianë vështrohet si shenjë e mjerimit të kombeve lindore. Që nga Eskili, kjo dobësi ka mbetur si një përshtypje e fuqishme në Perëndim, por brenda një konteksti më të përshtatshëm të shpjeguar më herët si një ndërsubjektivitet. Një skenë tjetër në dramë portretizon Oborrin Mbretëror Persian, ku nëna mbretëreshë, Athusa dhe anëtarë të tjerë të familjes mbretërore dëgjojnë lajmin për disfatën e persianëve. Si përfundim, fytyrat e persianëve i mbulon pikëllimi. Ndoshta, Eskili nuk duhej të fajësohej për ekzagjerimin e pikëllimit të persianëve, meqë, edhe ai ndoshta rastësisht, i përshkruan ushtarët iranianë si “trima” në betejën e Salamidës. Humbja nuk ishte fat i përhershëm i persianëve, kur ndesheshin me grekët dhe në shumë raste, perëndimorët kanë pranuar përvojën e tyre të humbjes. Kur në Greqinë antike, dramaturgu Frinikusi krijoi ndodhinë tragjike të rënies së qytetit grek të Meltit, spektatorët e Athinës u mbuluan kaq shumë nga pikëllimi, saqë e dënuan dramaturgun duke e gjobitur në gjykatë. Ajo që ndodhi me Frinikusin, e paralajmëroi Eskilin, i cili vetë ishte i pranishëm në betejën e Salamidës. Prandaj, ai rrëfeu vetëm humbjen e persianëve dhe asgjë më tepër.

Shkrimtarë të tjerë grekë janë përpjekur të përshkruajnë një imazh më të ekuilibruar të persianëve, që kanë edhe pikat e tyre të dobëta dhe pikat e tyre të forta. Në Orientalizmin ndërsubjektiv, sidoqoftë, të gjitha pikëpamjet janë të njëanshme. Le të mos harrojmë se Homeri e lartësoi anën e ndritur të persianëve duke shpallur se persianët u mësojnë fëmijëve të tyre nga mosha pesë deri në njëzet vjeç garat me kuaj, harkëtarinë dhe thënien e së vërtetës. Herodoti pohonte se iranianët ishin më mikpritës ndaj kulturave të huaja se kombet e tjera.

Fakti është se Orientalizmi, siç përshkruhet nga Saidi, Dasughiu dhe të tjerët nuk lejon ndonjë ndikim dialektik në marrëdhëniet ndërcivilizuese ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Duke kritikuar pikëpamjet e Saidit, B. S. Turner i referohet një fakti që ia vlen të vihet re. Në të njëjtin vit, më 1978, që Saidi boton “Orientalizmin” e tij, botohet libri i Turnerit “Marksi dhe fundi i Orientalizmit”. Sidoqoftë, libri i Saidit u gjet më imponues, meqë postmodernizmi i tij dhe supozimet e Foukaltit janë baza e tij. Mëtimi (pretendimi) i Turnerit ishte të zbulonte natyrën e njëanshme të Orientalizmit të zakonshëm. Turneri vërejti se libri i Saidit nuk kishte asgjë më tepër se pikëpamjet e shprehura më herët nga V. G. Kiernen në Lords of the Human Kind (Zotërit e Njerëzimit)34. Turner hedh dritë gjithashtu në zhvillimet më të fundit në epokën e Globalizimit në librin e tij Orientalizmi dhe problemi i shoqërisë civile në Islam. Ai përpiqet të sjellë në atdhe idenë se epoka e Orientalizmit – në saje të ekzistencës së kulturave dhe të qytetërimeve të shumta – ka mbaruar, megjithëse libri nuk vjen në përfundimin për ta mohuar Orientalizmin. Në të kundërt, ai e vështron çështjen nga një kënd akademik që i merr parasysh faktet historike dhe e thekson aspektin pozitiv të Orientalizmit. Ky qëndrim ka qenë një ndihmë shumë e madhe për transferimin e trashëgimisë iraniane.

E vërteta është se Irani brenda jetës së tij kulturore dhe qytetare ka përballur shumë “alienë” (të huaj), të cilëve u ka bërë shumë përshtypje dhe e kanë zgjedhur atë si strehimin e tyre . Këta të huaj ishin të shtresave të ndryshme shoqërore dhe e vështronin këtë tokë të lashtë me interesa të ndryshme. Disa kishin mendime orientaliste, duke shpresuar të nisnin lidhjet tregtare përfituese; të tjerët erdhën si misionarë për të përhapur katolicizmin. Megjithatë, pati nga ata që e panë Iranin si një aleat të favorshëm kundër Perandorisë Osmane.

Shkallë–shkallë ndikimet e Orientalizmit ndërsubjektiv dolën në sipërfaqe dhe realitetet për kulturën iraniane dhe qytetërimin iranian u bënë të njohura në saje të përpjekjeve të shumë iranologëve orientalistë, përfshirë orientalistin francez Çardin. Ai bëri përpjekje të jashtëzakonshme gjatë shekullit të 17-të për ta paraqitur në mënyrë të paanshme Iranin në Perëndim. Çardini erdhi në Iran si një argjendar kalvinist, por qëndroi dhjetë vjet, për të gjurmuar dhe eksploruar vendin. I ndihmuar nga informacioni, tashmë i mbledhur nga paraardhësi i tij, Rafaeli35 dhe në saje të këmbënguljes së tij, Çardini arriti të mblidhte informacion të vlefshëm për të gjitha aspektet e jetës iraniane. Ai shkroi për Isfahanin, kur ky qytet iranian ishte në kulmin e tij. Përkthimi i eksplorimeve të Çardinit në Iran në disa gjuhë evropiane e çoi përpara kuptimin e kulturës persiane në Perëndim. Ai shkruan: “Iranianët janë të bukur edhe nga trupi, edhe nga mendja dhe imagjinatat e tyre janë të gjalla dhe të lehta për t’i transferuar. Ata kanë kujtesë të mirë dhe talent për të mësuar shkencat dhe mjeshtëri për makina, industri dhe armë. Atyre u pëlqen krenaria, çka u jep nderim…36.

Një orientalist, i quajtur Saiks (Sykes) udhëton gjerë nëpër Iran dhe shkruan Ten thousand miles across Iran (Dhjetë mijë milje nëpër Iran)37. Ndoshta, sfidat që ai ka përballuar në këtë udhëtim formuan bazën e librit tjetër të tij,“Ekspeditat e një dervishi të shtirur”. Sidoqoftë, fama shpirtërore dhe financiare e Iranit ka qenë kaq e madhe, saqë i bëri shumë – përfshirë Çardinin, Tarvernierin dhe të tjerët – ta vizitojnë atë dhe shumë më tepër – përfshirë Gëten, Volterin dhe të tjerët – ta lavdëronin vendin dhe të ndanin një pjesë të shkrimeve të tyre për Iranin.

Henri Raulinson (Henry Rawlinson)38 është një prej atyre entuziastëve, përpjekjet e jashtëzakonshme të të cilit çuan në zbulimin dhe deshifrimin e mbishkrimeve të Dariusit në Bistun, çka ndihmuan në shuarjen e etjes së iranianëve për kulturë dhe urtësi. Duke deshifruar dhe përkthyer sistemin shkrimor kuneiform (pykësor) persian të mbishkrimit dhe duke e paraqitur atë në Këshillin Mbretëror për Studimet Aziatike në Londër, ai hapi rrugën për të deshifruar gjuhë të tjera antike, të tilla si babilonishten, hetitishten, elamishten etj. Ndodhi pastaj ajo që mashtrimi me deklarime të tilla, si “Të gënjesh, është një zakon iranian”, u përhap nga Orientalizmi i zakonshëm, çka verifikoi se ç’ishte iraniani. U kuptua nga mbishkrimi që iraniani e ka parë gjithmonë gënjeshtrën si një gjë të turpshme. Në Mbishkrimin e Dariusit lexohet: “O Zot, imunizoje kombin tim nga gënjeshtra!”. Më vonë, Islami e përshkruan gënjeshtrën si një veprim të turpshëm. Prandaj, edhe kultura persiane, edhe kultura islame e mbrojtën meritueshmërinë e Iranit.

Më tej, orientalistë të mirënjohur, si Riçard Fordi (Richard Ford), Uilsoni (Wilson) dhe të tjerë pasqyruan historinë e kulturës iraniane. Uilsoni, në mënyrë të qartë e quan Iranin një djep të qytetërimit. Ai shkruan: “Irani ishte djep i qytetërimit dhe i kulturës dhe ndriçimi i tij arriti në vende të largëta. Kur iranianët zotëronin kulturë të madhe dhe qytetërim të madh, evropianët ishin larg tij dhe jetonin në shoqëri barbare”39.

Në këtë vlerësim, kuptojmë që madhëria e kulturës iraniane dhe e qytetërimit iranian nuk ka mbetur pa u vënë re. Çështja është se çfarë ndodhi në histori që ne u larguam nga ditët tona të lavdishme. Ndoshta, vetë karakteristikat tona; me fjalë të tjera, çdo personalitet iranian është përgjegjës për këtë. Kjo vërtetësohet gjithashtu nga Orientalizmi që, kur shqyrtohet prapambetja e Iranit, ai i kërkon arsyet brenda Iranit. Siç thotë Hedini: “Irani ishte një vend që ishte edhe armiku i vet.” Prandaj, është mirë të ndalohet mohimi kur përballemi me kritikën. Poeti Saadi thotë:

Unë e njoh, është dashamir se thotë
Ku ka puse të thella në rrugën time në këtë botë
Ai që punëve të tij nuk u njeh të meta e gabime,
Mund t’i quajë ato punë mjeshtërore.
Po, po, dëgjojeni oponentin tuaj ç’ju mëson,
Si mik, vetëm për vepra të mira predikon.

Tani që u përmendën hijeshia dhe përkushtimi i iranianëve, duket mjaft e përshtatshme për ta përmbyllur këtë artikull duke iu referuar iranologut, i cili mbeti një admirues i devotshëm i Saadiut, Eduard Braunit (Edward Brown). Ai i dalloi vlerat iraniane relativisht më mirë se i paraardhësit të tij – Flandeni, Kurzeni, Xheksoni dhe Gobineu. Brauni arriti në Iran në nëntor 1887, për të qenë njëri nga anglezët midis iranianëve dhe kur e zotëroi gjuhën persiane, ai shkroi: “Një vit midis iranianëve”. Edward Dennison Ross e quajti librin e Braunit më të mrekullueshmin dhe më informuesin, të shkruar ndonjëherë për udhëtimet. Brauni u magjeps dhe u lartësua shpirtërisht me të vërtetë nga Irani.

Në fushën e politikës, Brauni mbajti shumë fjalime dhe shkroi shumë kumtesa dhe artikuj, duke përkrahur vazhdimisht lëvizjen reformiste të iranianëve dhe kërkesat e ligjshme të konstitucionalistëve. Ai denoncoi traktatin kolonialist që iu imponua Iranit nga Rusia dhe Britania më 1907. Edhe në Londër Brauni luajti një rol konstruktiv në Komitetin Iranian, ku merrnin pjesë anëtarët më të rëndësishëm edhe të Dhomës së Përfaqësuesve, edhe të Dhomës së Lordëve, me qëllim që të përkrahnin mirëkuptimin midis dy vendeve. Në librat e tij, ai shpesh u referohet frymëzimeve shpirtërore që mori nga Irani. Kur arrin në Shiraz, ai mbushet me emocione, si një dashatar i pasionuar, kur takon të shumëdashurën e tij. Në parathënien e Një vit midis iranianëve, që ai e shkroi për lexuesit iranianë, thotë: “Ai që e meriton adhurimin është Krijuesi i tokës dhe i detit dhe Ai mund ta zhdukë menjëherë tërë Gjithësinë. Zoti më bëri të largohem nga atdheu im dhe sipas fjalës së Tij “Dhe udhëtoni nëpër Tokë”, më ndihmoi të udhëtoj nëpër botë”40. Duke shprehur mirënjohje për të gjitha ato që ai ka bërë, Vatan Daily shkroi më 1964: “Ju falënderojmë për gjithçka që ju keni bërë për ne dhe për vendin tonë. Do t’ju jemi shumë borxhli përgjithmonë”41.

Edhe ne u mbetemi mirënjohës të gjithë orientalistëve, të cilët u përpoqën t’i transferojnë vlerat tona kulturore në Perëndim dhe krijuan kështu një imazh të drejtë për Iranin, madje, edhe për atë që mund të vinte në këtë vend si armik. Vita Skuilluest nxjerr në pah: “Ja, kështu erdhi Aleksandri në Iran, ndryshe nga ç’erdhën në këtë vend të tjerë, si Marko Polo, Dieulafoj, Konti De Gobineu dhe edhe lordi…”42.

Tani ne jemi në prag të një mijëvjeçari të ri, që kërkon me të madhe bisedime dhe bashkëpunim. Me qëllim që të lëmë prapa reformat e steriotipizuara paskolonialiste, njeriu mund të kërkojë me të drejtë që zhvillimet e reja të sjellin afërsi në jetët e të gjithë njerëzve. Ajo që vështrohet në të gjitha aspektet e jetës njerëzore është një universalitet, i cili nuk mund të njëjtësohet (identifikohet) me përkatësinë vetëm të një kombi ose vetëm të një kulture. Në të vërtetë, asnjë komb nuk mund të mëtojë (pretendojë) të zotërojë një kulturë ose qytetërim që është absolut. Njerëzimi po përpiqet të gjejë gjuhë të përbashkët për të bashkëvepruar me njëri-tjetrin. Pengesat natyrore – malet e larta, shkretëtirat, luginat, lumenjtë, madje edhe xhunglat nuk kanë mundur t’i veçojnë popujt dhe kombet. Ato as nuk kanë mundur t’i ndalojnë kombet e fuqishme të pushtojnë tokat e kombeve më të dobëta, të përhapin dhe të shtrijnë ndikimin e tyre qytetar dhe kulturor te populli i mundur43.

Burimet:

Arburry, A. H. – Thirteen Orientalists, Iranian Heritage. Përkthyer nga grup përkthyesish. Tehran: Bongah – e Tarjome va Nashr – e Ketab, 1957.
Brown, Edward – One Year Among Iranians. Përkthyer nga Zabilloah Mansuri, Tehran: Saffar, 1992.
Dasoughi Sheta, Mohammad – Historic Trends and Evaluation of Orientalist Thoughts. Përkthyer prej Mohamed Reza Eftekharzade, Tehran: Hezaran, 1997.
Davari, Reza – Sharghshenasi az do Nazar (Dy pikëpamje në Orientalizëm), Salam Daily, Sunday, 12 prill 1992.
Ensafpoor, Gholamreza – Iran be ravayat – e safarnamehha (Irani sipas tregimeve burimore). Tehran: Zavar, 1984.
Ghezelsofla, Mohammad Taghi – Sharghshenasi va goftegoo – ye tramaddonha (Orientalizmi dhe dialogu midis qytetërimeve), Sobh-e Emrooz Daily, 19, shkurt 1998.
Hallingry, William – Travel Accounts of Sir John Malcom. Përkthyer nga Amir Houshang Amini. Tehran: Ketab Sara, 1984.
Lord Kerzen – Iran and the Issue of Iran. Përkthyer nga Gholam’ Ali Vahid. Mazandarani, Tehran: ‘Elmi va Farhangi, 1994.
Ross, Sir Dennis – Iran and Iranians. Përkthyer nga Shajgan Malajeri, Tehran: Ferdosi, 1932.
Said, Edward W. – Introduction to Orientalism. Twentieth Century Political Theory. (ed.) Stephen Eric Bronner, London: Routledge, 1997.
Said, Edward – Orientalism. Përkthyer nga Abdorrahim Govahi. Tehran: Daftar-e Nashr-e Farhang, 1992.
Silverman, Hugh T. – Questioning Foundations, London: Routledge, 1993.
Squillwest, Vita – A Traveler of Tehran. Përkthyer nga Mehran Tavakoli. Tehran: Farzan, 1996.
Turner, Bryan S. – Orientalism, Post Modernism and Globalism. London: Routledge, 1994.
Vambery, Arminius – Expedition of the Feigned Dervish. Përkthyer nga Fath’ Ali Khaje Noorijan, Tehran: ‘Elmi Farhangi, 1995.

Marrë nga revista “PERLA”, Viti XI – 2006, Nr. 4 (43), fq. 94-108

Përktheu nga gjuha angleze: Bledar Shehu

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Bashkojuni 57 ndjekësve të tjerë

%d bloggers like this: