Majtizmi shqiptar po ecën me zell në gjurmët e Putinit

26/11/2015 Lini një koment

Prof. Dr. Eshref YMERI

 

MAJTIZMI SHQIPTAR PO ECËN ME ZELL NË GJURMËT E PUTINIT

Dr. Eshref Ymeri

Dr. Eshref Ymeri

Në pragfushatën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, Partia Demokratike, që po qeveriste vendin që prej vitit 2005, hyri në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Asokohe shumëkush u habit me këtë lloj koalicioni të dy krahëve të kundërt të politikës shqiptare: të Partisë Demokratike, e cila e ka mbajtur veten si përfaqësuese e bindjeve të djathta në politikën shqiptare, dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, si përfaqësuese e krahut të majtë. Unë, personalisht, këtë lloj koalicioni, që asokohe, e pata vlerësuar si të stisur, sepse dyshoja se ai do të hidhte bazat për çimentimin e pozitave të majtizmit në politikën shqiptare.

Asokohe, djali i një mikut tim të afërt, që mbante një post të rëndësishëm në ministrinë e punëve publike, të transportit dhe të telekomunikacioneve që e drejtonte Sokol Olldashi, në një bisedë që pata me të në njërën nga kafenetë e Tiranës ca muaj pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, më tha:

“Koalicioni me Lëvizjen Socialiste për Integrim i ka sjellë një dëm të jashtëzakonshëm Partisë Demokratike. Njerëzit e LSI-së po na nxijnë faqen kudo ku janë punësuar. Shumë demokratë të përkushtuar e ndiejnë veten tepër të braktisur dhe të zhgënjyer. Kam bindjen se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Partia Demokratike ka për të pësuar një humbje katastrofike”.

Nuk kaloi shumë kohë dhe ky anëtar i Partisë Demokratike që mbante atë post të rëndësishëm në ministrinë e lartpërmendur, dha dorëheqjen dhe filloi biznesin privat, duke u shkëputur përfundimisht edhe nga Partia Demokratike.

Për t’u çuditur është fakti që LSI-ja, e cila pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 arriti të siguronte gjithë-gjithë katër ndenjëse në Kuvendin e Shqipërisë, mori në dorë tri ministritë më të rëndësishme në qeverinë e zotit Berisha. Në ato zgjedhje, Partia Demokratike siguroi vetëm 70 ndenjëse në parlament dhe nuk mund të qeveriste dot pa një shumicë sado minimale që të ishte. Prandaj edhe arsyetoi se duhej të hynte në aleancë me LSI-në. Por rrjedha e ngjarjeve të mëvonshme tregoi se do të kishte qenë më e udhës që Partia Demokratike të kishte zhvilluar zgjedhje të parakohshme dhe jo të kërkonte koalicion me LSI-në.

Gjatë kohës së qeverisjes me Partinë Demokratike, LSI-ja i forcoi së tepërmi pozitat e veta, duke i shtuar tej mase radhët e përkrahësve të vet. Në mbyllje të mandatit, në prag të fushatës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, e bindur tashmë që Partisë Demokratike, gjatë katër viteve të qeverisjes së përbashkët, ia kishte marrë dukshëm truallin nën këmbë, duke e “mjelë” mirë e mirë dhe duke e rrudhosur bukur fort masën e zgjedhësve të saj, LSI-ja vendosi t’i thotë asaj “ku të kam parë” dhe hyri në aleancë me Partinë Socialiste. Kjo e fundit, në zgjedhjet e vitit 2013 nuk pati absolutisht shtim të përkrahësve të vet: në parlament mori përsëri 65 ndenjëse, pikërisht aq sa edhe kishte marrë në vitin 2005. Ndërkohë, Lëvizja Socialiste për Integrim, në zgjedhjet e 21 qershorit të vitit 2013, i katërfishoi ndenjëset që mori në parlament. Këto ndenjëse të fituara u siguruan si rezultat i shtimit të radhëve të saj me përkrahës nga radhët e Partisë Demokratike, të cilët u zhgënjyen keq prej saj gjatë ushtrimit të mandatit të përbashkët me LSI-në. Kësisoj Partia Socialiste u kthye në pushtet pas tetë viteve që ishte në opozitë dhe Edi Rama mori postin e kryeministrit. Domosdo që kryeministri Rama duhet t’i ndezë qiri natë e ditë zotit Ilir Meta, pa të cilin nuk mund ta merrte dot dhe të vazhdojë ta mbajë deri tani postin në fjalë.

Tani kushdo mund të përsiatë sipas dëshirës dhe të shtrojë pyetjet e mëposhtme:

Së pari, Partisë Demokratike iu dhimbsën vallë ca para për t’i shpenzuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, pasi fitoi vetëm 70 ndenjëse në zgjedhjet e vitit 2013?

Së dyti, mos vallë ajo gjykoi në një mënyrë naive dhe kuturisi të hynte në aleancë me LSI-në?

Së treti, mos ndoshta ajo hyri me vetëdije të plotë në atë koalicion, me qëllim që të forconte pozitat e majtizmit në politikën shqiptare?

E kam të vështirë të gjykoj se cila nga tri pyetjet e lartpërmendura godit në shenjë. Por ama, i gjendur para fakteve të pakundërshtueshme, mund të them me bindje të plotë se koalicioni PD-LSI i vitit 2009, shënoi fillimin e çimentimit të pozitave të majtizmit shqiptar, pikërisht në saje të Partisë Demokratike. Sepse në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe në zgjedhjet vendore të vitit 2015, humbja e Partisë Demokratike ishte me të vërtetë katastrofike. Një humbje që ajo e përgatiti me duart e veta.

I bindur për humbjen e thellë që e priste Partinë Demokratike në zgjedhjet vendore të 23 qershorit 2015, kryeministri Rama, gjatë zhvillimit të fushatës së zgjedhjeve në fjalë, dha një kontribut të jashtëzakonshëm për forcimin e mëtejshëm të majtizmit në skenën e politikës shqiptare. Nuk e pata ndjekur absolutisht atë fushatë nga ekrani i televizionit. E pata ndjekur vetëm në internet. Pikërisht në internet u njoha asokohe me dy materiale të dy penave të njohura në publicistikën shqiptare, materiale këto që më lanë përshtypje të jashtëzakonshme.

Materiali i parë:

“Kryeministri ynë i “nderuar” thotë për kryetarin e opozitës se “kastravec hyri e kastravec doli”. Në Pogradec ai i “gajasi” njerëzit kur iu tha se po të ishte gjallë Lasgushi, do t’i lëshonte qenin kandidatit të opozitës. Refren i përbashkët i disa prezantimeve të tij ka qënë se po të votojnë për opozitën, do e kenë të vështirë në mos të pamundur të marrin fondet e nevojshme për zhvillimin e bashkive. Po të mos e kisha dëgjuar me veshët e mi, nuk do ta besoja kurrë një deklaratë të tillë që jo vetëm nuk ka asgjë të përbashkët me lirinë e demokracinë, por më duket dhe kriminale, se t’i heqësh ndihmat një bashkie, do të thotë të mos i krijosh mundësi asaj për të hapur vende pune, pra, t’u heqësh njerëzve kafshatën e gojës. Një Zot e di se si ia lejon vetes kryeqeveritari ynë të lëshojë lart e poshtë deklarata të tilla dhe si mund të heshtin ata që e dëgjojnë e i shkojnë pas?! Në takime të tjera ai ka pohuar se “kandidatët janë burra të mirë, por nuk bëjnë për të drejtuar bashkinë dhe se atij i vjen keq që nuk ka ndonjë motër t’ua japë për grua”. Do të kalojnë vitet dhe deklarata të tilla do të përbëjnë fondin e artë të barcoletave politike, se dhe muhabete kafenesh të ishin, do dukeshin bajate, të tepruara e pa pikë humori. S’ka si   mos të të vijë keq për ata që e dëgjojnë që janë të detyruar të qeshin të sforcuar, se, në të kundërtën, mund të kishin pasoja” (Citohet sipas: Andon Dede. “Shansi i humbur i zgjedhjeve lokale”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Dielli”. 05 qershor 2015).

Materiali i dytë:

“Kam qenë në mëdyshje këto ditë fushate nëse do të paraqitesha apo jo më 21 qershor në qendrën e votimit. Për kë të votosh?… Por ja që mes këtyre dyshimeve, të vjen papritur një mesazh përmes ekranit të televizionit nga kryeministri Edi Rama dhe mesazhi është ky:

“Kush voton opozitën, është budalla dhe PD po bën një fushatë për të mbledhur budallenj. Gratë e demokratëve të ndahen nga burrat e tyre budallenj, të bëhen të zgjuara, domethënë socialiste. Opozita është destruktive. Nëse votoni kandidatët e djathtë, qytetet dhe fshatrat tuaja nuk do të marrin asnjë investim nga qeveria. Ka dalë një diversant me emrin Dritan Memushi në Tepelenë që po u kërkon votat. Asnjë votë për atë”.

Dhe, pasi i ka fërkuar krahët Tërmetit, duke e inkurajuar për “fitoren e tij publiçitare”, i sulet Përmetit dhe kandidatit të tij dhe pas Përmetit qyteteve të tjera për fitoren plebishitare” (Citohet sipas: Mark Marku. “Unë jam “budalla””. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Panorama”. 15 qershor 2015).

Vetëm në një rast më qëlloi të ndjek fushatën e kryeministrit Rama në komunën e Shënkollit në Lezhë. Dikush hapi takimin me kryeministrin. Nuk më kujtohet se kush ishte ai, kryetari i komunës apo dikush tjetër. Por mbaj mend mirë çastin kur ai iu drejtua kryeministrit Rama me shprehjen: “Zoti Berisha!”. Por, aty për aty, u vetëkorrigjua: “Zoti Kryeministër!”. Mandej, si për të kërkuar ndjesë për gafën që bëri dhe për të nxjerrë në spikamë servilizmin e tij shembullor, i drejtohet përsëri kryeministrit: “Ai na marrtë të keqen!”. Domethënë, e kishte fjalën për zotin Berisha. Prita që kryeministri Rama, si figura kryesore e ekzekutivit shqiptar, i cili, si qeverisës i të gjithë shqiptarëve, që, domosdo, duhet të rrezatojë kulturë dhe objektivitet në komunikimet që ka me qytetarët e vet, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, të reagonte dhe t’i thoshte servilit të komunës së Shënkollit:

“Dëgjo, ore zotëri, zotin Berisha e kemi kundërshtar politik, por nuk e kemi armik. Se ai është shqiptar dhe kundërshtarët politikë në pluralizëm nuk duhen vlerësuar kurrë si armiq. Se shprehja “na marrtë të keqen!”, në një kontekst politik, përdorej gjerësisht në kuadrin e luftës së klasave në kohën e sistemit komunist, sa herë që binte fjala për shtresën e të përndjekurve politikë apo për armiqtë e jashtëm”.

Por, çuditërisht, kryeministri Rama nuk reagoi absolutisht. Përkundrazi, kur mori fjalën, ai deklaroi:

“Budallallëk të mendosh t’i japësh votën PD-së” (Citohet sipas faqes së internetit “Sot News”. 03 qershor 2015).

Gjatë kohës që po zhvillohej fushata për zgjedhjet vendore, një pasdite vonë, në digën e liqenit të Tiranës, takova rastësisht një pedagog të universitetit, kolegu im i dikurshëm. Në bisedë e sipër më thotë:

“Ky kryeministri Rama po e përçan keq popullin shqiptar me mënyrën se si po e zhvillon fushatën elektorale: demokratët i quan budallenj, nuk do t’u jap fonde, thotë, atyre komunave që do të votojnë kundër aleancës për Shqipërinë Evropiane e ku di unë se ç’broçkulla të tjera nxjerr nga goja”.

E ke gabim, ia ktheva unë. Kryeministri Rama po e forcon unitetin e popullit shqiptar. Sepse ai kërkon të krijojë një popull grusht bashkuar rreth partisë, apo jo? Sepse, sipas tij, populli shqiptar duhet të jetë tërësisht i majtë. Dhe populli shqiptar, në shumicën dërrmuese, në zgjedhjet vendore të 23 qershorit, ka për të votuar për koalicionin e majtë. Se askush nuk ka dëshirë të jetë budalla dhe që komuna e tij të mos përfitojë fonde nga qeveria Rama.

Bashkëbiseduesi im qeshi me ironi dhe e hodhi fjalën gjetkë.

Tek po përsiatja për fjalët e publicistëve Andon Dede dhe Mark Marku, m’u kujtua fushata zgjedhore që pati zhvilluar Putini para zgjedhjeve presidenciale të 26 marsit të vitit 2000. Sepse fushata që zhvilloi kryeministrit Rama për zgjedhjet e fundit vendore, të kujton pikërisht fushatën e lartpërmendur të Putinit, i cili, me kërcënime nga më të ndryshmet, e ka bërë nuse popullin rus dhe e ka katandisur deri në atë derexhe, saqë ai i rri lepe-peqe për gjithçka. Madje, me një kuturi të jashtëzakonshme, i ka futur në gjak epshet e shovinizmit rusomadh për pushtime territoresh të huaja.

Disa muaj pas zgjedhjeve presidenciale të 26 marsit 2000 në Rusi, më ra në dorë një gazetë ruse që ma dha një gazetar i mirënjohur shqiptar, në të cilën denoncohej haptas dhuna që Putini ushtronte kundër njerëzve të thjeshtë për t’u zgjedhur president. Këtu po mjaftohem vetëm me dy fakte:

Së pari, profesori i Institutit të Ekonomisë Botërore dhe të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, pranë Akademisë së Shkencave të Rusisë, zoti Viktor Shejnis, thotë:

“Unë mendoj se presioni mbi zgjedhësit është reflektuar në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në një masë shumë më të madhe sesa manipulimet e drejtpërdrejta, sepse pushtetarët lokalë s’e kanë për gjë të sillen si t’u teket me banorët e zonave fshatare. Ata i shikojnë fshatarët si ujku qengjin. Niveli i kulturës politike në fshatrat tona është i ulët. Në qoftë se ndonjë gjyshe atje shkon të votojë, kur dihet që ajo është e varur kokë e këmbë nga pushtetarët e fshatit për furnizimin me dru dhe me bazë ushqimore për blegtorinë, nënkuptohet që ajo do të votojë ashtu siç do ta urdhërojnë” (Citohet sipas: “The Moscow Times”. 09 shtator 2000, f. 5).

Së dyti, zonja Valentina Lukzajeva, në një bisedë telefonike me korrespondenten e gazetës në fjalë, zonjën Evgjeni Borisova, njoftonte nga Mordovia:

“Në fshatin Permijevo, ku unë kam lindur, kryetari i kolkozit u tha fshatarëve se në qoftë se nuk do të votonin për zotin Putin, ai prapëseprapë do ta merrte vesh një gjë të tillë dhe nuk do t’u jepte as traktorë për mbjelljen e oborreve personale, as dru për ngrohje, as produkte ushqimore. Shumica e banorëve të fshatit, kryesisht gra të moshuara, sigurisht që u trembën dhe votuan për zotin Putin” (po aty).

E, pra, mund të thuhet shkoqur se kërcënimet e kryeministrit Rama për votën kundër, nuk kanë asnjë dallim nga kërcënimet e Putinit në adresë të qytetarëve të vet që mund të votonin kundër. Rrjedhimisht, kryeministri Rama nuk pranon kurrfarë alternative tjetër në Shqipëri, përveç alternativës së majtë, çka do të thotë se të gjithë votuesit shqiptarë gjithmonë duhet të votojnë majtas!!! Sepse vetëm majtizmi përfaqësuaka të vetmen alternativë të pranueshme në Republikën e Shqipërisë!!! Dhe kjo vijë arsyetimi e kryeministrit Rama, i ka dhënë rezultatet e veta të dukshme: në zgjedhjet vendore të 23 qershorit 2015, majtizmi shqiptar fitoi 75% të komunave.

Kësisoj majtizmi shqiptar, me kryeministrin Rama në krye, po ecën me shumë zell në gjurmët e Putinit, i cili, në radhët e popullit rus, ka siguruar një përkrahje që arrin në 86%.

Publicisti dhe analisti Viktor Volski (1938) shkruan:

“Diktatori rus Vladimir Putin po noton nën rrezet e lavdisë, duke siguruar një përkrahje të padëgjuar në radhët e popullit që arrin në masën 86% (Citohet sipas: Viktor Volski. “Çfarë qëndron prapa përkrahjes 86-përqindshe për Putinin?”. Marrë nga faqja e internetit “inosmi.ru”. 04 qershor 2015).

Gjykuar nga rezultati 75% i së majtës shqiptare në zgjedhjet e fundit vendore, mund të hamendësohet se e majta në fjalë, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017,  mund të arrijë të ngrohet nën rrezet e lavdisë putiniane, duke u ngjitur ose edhe duke e kaluar shifrën prej 86% të përkrahjes së votuesve. Ndërkohë, Partia Socialiste, sipas të gjitha gjasave, po e ndien se LSI-ja po ia gërryen keq themelet e pushtetit dhe do të arrijë ta detyrojë atë të pësojë fatin e Partisë Demokratike. Prandaj, në një të përditshme shqiptare jepet një njoftim befasues:

“…në koalicionin e majtë po hidhet një tjetër hap përçarës. Bashkëpunëtorë dhe ish-bashkëpunëtorë të kryeministrit Edi Rama, mbase me miratimin e këtij të fundit, kanë hedhur dhe po i fryjnë këto ditë një skenari provokues. Bëhet fjalë për variantin e një aleance të Partisë Socialiste me Partinë Demokratike, si domosdoshmëri për të zhbërë Lëvizjen Socialiste për Integrim si realitet politik dhe për ringritjen e PD-së, pozitat e së cilës tashmë i ka zënë LSI-ja” (Citohet sipas: Adriatik Doçi. “Bashkëpunëtorë të Edi Ramës hedhin variantin e aleancës PS-PD, shtohet presioni ndaj LSI-së pas rritjes me 80 mijë vota”. Gazeta “Sot”. 02 korrik 2015, f. 7).

Partia Demokratike, nga ana e saj, po e ndien një humbje të tretë katastrofike që do të pësojë në vitin 2017. Prandaj edhe ajo ka filluar të mendojë për një koalicion të mundshëm me Partinë Socialiste. Po nga faqet e së përditshmes së sipërcituar, vjen një tjetër lajm po aq befasues:

“Dy ditë më parë, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka, mohoi çdo mundësi aleance me Lëvizjen Socialiste për Integrim, por kur u pyet për një koalicion të mundshëm me PS-në, Paloka i bishtnoi përgjigjes, duke e lënë të hapur mundësinë. Nëse Genc Pollo dhe disa deputetë të tjerë flasin edhe me gojën e Bashës, Paloka përfaqëson edhe Bashën, edhe Berishën” (Citohet sipas: Eneida Jaçaj. “Shtohen zërat në PD për aleancë me PS-në, Mëhill Fufi dhe Arben Ristani pro bashkëqeverisjes me Ramën, Berisha i dyzuar”. Gazeta “Sot”. 06 gusht 2015, f. 5).

Me sa duket, dy partitë kryesore, PS-PD, e paskan shumë për zemër përsëritjen e skenarit grek në Shqipëri, sipas të cilit u krijua një koalicion i PASOK-ut me Demokracinë e Re, një koalicion ky që krijoi përshtypjen në opinionin publik grek se do ta nxirrte Greqinë nga kriza katastrofike që po i trokiste në derë. Dhe populli grek ia pa “hairin” atij koalicioni hajdutësh me damkë që e katandisi Greqinë në derexhenë ku ndodhet sot para kreditorëve të huaj.

Siç shihet, krerët kryesorë të politikës shqiptare e kanë të pamundur të mbijetojnë pa pasur një “dado” të huaj mbi krye, e cila i ka orientuar dhe vazhdon t’i orientojë me ngulm kundër interesave të popullit shqiptar. Deri dje, komunizmi enverian i mbante antenat nga “dajë” Beogradi, kurse pas vendosjes së pluralizmit, krerët në fjalë nuk bëjnë dot një çap pa “teto” Athinën. Prandaj koalicioni i mundshëm PS-PD, nëse do të arrijë të krijohet, nuk ka si pikësynim mbrojtjen e interesave ekonomike të vendit tonë, përmirësimin e standardit të jetesës së popullit shqiptar. Përkundrazi, ai ka në qendër të vëmendjes interesat e oligarkëve të të dyja palëve, të cilët janë pasuruar në një mënyrë marramendëse gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit. Radhët e Partisë Demokratike u rrudhosën në një mënyrë skandaloze gjatë mandatit të dytë që ajo e konsumoi me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Por pas disfatës shembullore që pësoi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, ajo nuk guxoi, se i mungoi burrëria, për të dalë para elektoratit të vet për të kërkuar ndjesë me një pendesë të thellë publike dhe t’i fliste atij me zemër në pëllëmbën e dorës për gafën e rëndë që bëri, duke hyrë në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Kurse tani, e etur për pushtet, Partia Demokratike, përmes zërave që po dëgjohen brenda saj, kërkuaka të hyjë në aleancë me Partinë Socialiste, duke zbuluar faqe shqiptarëve formimin e saj psikologjik, si një parti me botëkuptim majtist, e cila deri tani u është shitur shqiptarëve si një parti e qendrës së djathtë!!!

Elektorati i djathtë ka shpresuar se Partia Demokratike do ta riorganizonte dhe do ta konsolidonte të djathtën shqiptare, në mënyrë që ta përgatiste për betejat e ardhshme zgjedhore. Kurse tani, brenda kësaj partie, po ushtojnë thirrje për një aleancë me… Partinë Socialiste! Këto thirrje dëshmojnë se Partia Demokratike kërkon të kthehet pranë simotrës së saj socialiste, çka vërteton drejtësinë e zërave të dikurshëm, sipas të cilëve Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë lidhje gjaku, janë bija të një nëne: të Partisë së Punës të Shqipërisë.

Tani më vjen ndër mend parashikimi i dikurshëm profetik i zotërisë Abdi Baleta, i cili, që në vitet ’90, pati deklaruar se do të vijë një kohë kur Partia Demokratike do të kërkojë të bëjë aleancë me Partinë Socialiste.

Partia Socialiste, nga ana e saj, na qenka në merak të madh për simotrën e saj, “për ringritjen e PD-së, pozitat e së cilës tashmë i ka zënë LSI-ja”. Ja, pra, ku fleka lepuri: Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, dy “armike të betuara” mes tyre, të cilat, gjatë dy dhjetëvjeçarëve na paskan luajtur një komedi bukur të sajuar, duke e bërë helaq njëra-tjetrën në sytë e opinionit publik shqiptar, sikur të kishin qenë dy prostituta që joshin klientë me çmim të lirë poshtë e përpjetë nën dritat e semaforëve, po zbulojnë aleancën e tyre të nëndheshme dhe po dalin haptas me thirrjen për të hyrë në koalicion në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Por këto dy parti veterane duhet të jenë një çikëz më të kujdesshme në pikësynimet e tyre për  koalicion që paska si qëllim ta zhbëjë Lëvizjen Socialiste pë Integrim. Kjo për faktin se zotëria Ilir Meta ka dhënë prova që nuk është ndonjë “kafshatë që kapërdihet lehtë”.

Nuk kemi ç’bëjmë. Ky është fati i Shqipërisë, së cilës, për fatkeqësinë e saj, i mungon një e djathtë e vërtetë që të kishte në qendër të programit të saj interesat kombëtare dhe ribashkimin e trojeve etnike. Krimineli Enver Hoxha, për interesat afatgjata të majtizmit në vendin tonë, të djathtën shqiptare e shfarosi me rrënjë e me degë. Prandaj edhe majtizmi shqiptar sot është në lulëzim të plotë, paçka se ai nuk është absolutisht garanti i sigurimit të mirëqenies së popullit shqiptar. Dëshmia më e pastër është largimi masiv i njerëzve drejt vendeve të Bashkimit Evropian, për shkak të dështimeve të dukshme ekonomike dyvjeçare të qeverisjes majtiste, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.

Në gjuhën e popullit përdoret rëndomë shprehja “është çuar me këmbën e majtë”, në kuptimin “rri sikur i janë mbytur gjemitë”, “nuk është në humor”. Në shumë popuj ekziston besëtytnia se po të çohesh nga shtrati me këmbë të majtë, kjo do të thotë se do të kalosh një ditë të keqe. Kjo shprehje haset në anglishte get out of bed with left leg dhe në frengjishte se lever du pied gauche. Nocionet për të djathtën dhe për të majtën, në thellësi të shekujve, janë bashkuar me nocionin e së mirës dhe së keqes. Që asokohe ka pasë qarkulluar mendimi se çdo njeri, në anën e djathtë ka një shpirt mbrojtës, kurse në anën e majtë ka një shpirt të keq që e josh drejt mëkatit. Në Egjiptin e lashtë besonin se nëpër veshin e majtë vjen “frymëmarrja e vdekjes”, kurse në Greqinë e lashtë mendonin se ana e djathtë të premton sukses, kurse ana e majtë të sjell dështim. Besëtytni të tilla, në popuj të ndryshëm, vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot. Nuk jam i sigurt se mbi ç’baza kanë lindur besëtytni të tilla, por për një gjë jam i bindur plotësisht: amoraliteti është sëmundje e pashërueshme e majtizmit shqiptar.

Pengmarrje

25/11/2015 Lini një koment

Justinian TOPULLI

 

PENGMARRJE

Justianian Topulli

Justianian Topulli

Po jetojmë një epokë dhimbjesh, aq sa duke perifrazuar një thënie profetike, na duhet të themi se ato që ikën nuk janë asgjë para këtyre të sotmeve, e ndoshta nuk do të jenë asgjë para atyre që do të mund të përjetojmë nesër. Kështu pra, na u desh që gjumin e natës ta bëjmë përsëri të trazuar dhe qetësia të na merret peng nga krimi monstruoz i terrorizmit, që s’ka as fe e as moral.

Këta kriminelë po na marrin peng jetën, besimin, qetësinë dhe gjithçka të mirë, për të cilën ne kemi nevojë nga kjo botë.

Ata po tentojnë të na marrin peng besimin, duke folur në emër të tij, me interpretimet e tyre vrastare tekfiriste.

Ata po tentojnë të na marrin peng të drejtën islame, duke përligjur monstruozitetin e vrasjeve të tyre të padrejta.

Ata po tentojnë të na marrin peng luftën, duke e shpërfytyruar emrin e saj, në simbolikë të krimit dhe terrorit.

Ata po tentojnë të marrin peng traditën, kulturën dhe trashëgiminë e një qytetërimi të tërë islam, duke i veshur atij dhunshëm petkun e monstruozitetit.

Ata po tentojnë të marrin peng vetë Islamin dhe mesazhin e tij hyjnor e të mëshirshëm për botën.

Po kush janë këta kriminelë, këta havarixhë të kohëve moderne, që kërkojnë të marrin peng vetë historinë dhe të ardhmen e muslimanëve dhe vetë njerëzimit?!

A nuk e shohin këta çunakë mendjelehtë, se me çmendurinë e tyre absurde, kanë marrë peng politikën rajonale dhe atë globale, duke u bërë katalizatorë të shtimit të vuajtjeve të muslimanëve?!

A nuk e shohin këta kriminelë, se me veprat e tyre po përligjin vuajtjet, dëbimet, emigrimin, vrasjet, përdhunimet, grabitjet, diktaturat, indiferencën dhe papërgjegjshmërinë e botës, karshi çdo gjëje që ka emrin islam e musliman?

A nuk e shohin këta njerëz të çekuilibruar, se po i hedhin benzinë zjarrit të islamofobisë dhe ksenofobisë anti-muslimane kudo në botë?!

A nuk e shohin këta delirantë, se po provokojnë fantazmat e kryqëzatave, epokën e luftës së ftohtë dhe ideologjitë e përplasjeve mes qytetërimeve?!

Por, pse duhet vallë që, çdo herë të shfajësojmë vetveten, duke distancuar veten dhe fenë tonë prej këtyre kriminelëve të pafytyrë?! Pse vallë na duhet përherë të deklarohemi për çfarë nuk jemi dhe jo se çfarë jemi?!

Përse vallë, sa herë që njerëz të marrë bëjnë marrëzira, ne si muslimanë na duhet të dënojmë marrëzinë e tyre, sikur ajo të ishte pjesë e jona?!

Pse vallë na duhet të ulim kokën dhe të na vijë turp për këtë fe që kemi, ndërkohë që Zoti na e dhuroi atë, për ta mbajtur kokën lart?!

Kush janë pra këta pengmarrës, që guxojnë të na marrin peng identitetin dhe dinjitetin tonë islam?!

Këtë kancer që kërkon të marrë peng gjymtyrët tona, duhet ta mjekojmë vetë së pari, në njërën anë duke de-legjitimuar teologjikisht dhe moralisht ideologjinë e tyre vrastare tekfiriste, nëpërmjet debatit dhe ligjërimit të brendshëm dhe atij publik, dhe në anën tjetër, duke çuar në vend porosinë e Profetit tonë karshi tyre, për t’iu shkurtuar këmbët, aty ku nuk bën punë as këshilla dhe as debati, gjithsecili sipas pozitës dhe mundësisë që i ka dhënë Zoti në këtë botë.

Pengmarrjes nga ky grusht injorantësh, dhe kauzave të drejta e të padrejta që ai shfrytëzon, i duhet dhënë fund drejtësisht, dhe për këtë, si vendet muslimane, ashtu edhe pjesa e tjetër e botës, duhet të ndajnë si gabimet, ashtu edhe përgjegjësitë për ndryshimin e situatës.

Aspekte të kufirit Kosovë – Mali i Zi në Luftën e Dytë Botërore

24/11/2015 Lini një koment

Prof. Dr. Zymer Ujkan NEZIRI

 

ASPEKTE TË KUFIRIT KOSOVË – MALI I ZI NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE

Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri

Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri

Kumtesë në panelin e diskutimit: Demarkacioni Kosovë – Mali i Zi: sfidat, komunikimi dhe transparenca
Organizues: Qendra për Promovimin e Zhvillimit (QPZH), Fridrih Erbert Stiftung (FES), kolegji evropian Juridica
Salla e kolegjit evropian Juridica, Prishtinë, më 24.6.2015

 

Hyrje

Kufiri shtetëror me Malin e Zi, si pjesë e indentitetit të shtetit të Kosovës, është çështje e sotme për shqyrtim shumë serioz. Dihet se ka lloje e lloje kufijsh, por tash po veçoj kufirin ndërshtetëtor të vendosur me dhunë, kufirin e vendosur me marrëveshje dhe kufirin e vendosur me ndërmjetësim. Për të dy variantet e fundit presim që nga Qeveria në Podgoricë të mbizotërojë arsyeja për vijën e demarkacionit Kosovë-Mali i Zi, e kontestueshme nga ana e ekspertëve tanë, për rreth 12 mijë ha tokë të rrethinës së Pejës, të krahinave Rugovë dhe Podgur, por duke pasur parasysh edhe kufirin Kosovë -Mali i Zi të viteve 1912-1944-1999.

Rugova në Luftën e Dytë Botërore
Lidhur me këtë kumtesë timen, Aspekte të kufirit Kosovë-Mali i Zi në Luftën e Dytë Botërore, që ka theks të veçantë në mbrojtjen e kufirit të Rugovës me Malin e Zi, paraprakisht bën të shtrohen tri pyetje:
1.Cili ishte kufiri Kosovë-Mali i Zi në Luftën e Dytë Botërore?
2. Si është mbrojtur ky kufi në Luftën e Dytë Botërore?
3. Kush e ka mbrojur këtë kufi në Luftën e Dytë Botërore? Në pyetjen e parë, kemi këtë përgjigje: Kufiri Kosovë-Mali i Zi, në Luftën e Dytë Botërore, në krahinën e Rugovës, ishte në pikat Çakorr-Mokna-Glloxhi-Murgash-Smilevicë. (Dëshmi: Arkivi i Kosovës, Procesverbali i hetimeve ndaj Zhukë Haxhisë, komandant ushtarak i Rugovës, Pejë, më 14 3.1947). Dy, ky kufi është mbrojur ushtarakisht në Luftën e Dytë Botërore. (Dëshmi: Arkivi i Kosovës, Procesverbali i hetimeve ndaj Zhukë Haxhisë, Pejë, më 14.3.1947). Tre, këtë kufi në Luftën e Dytë Botërore, në krahinën e Rugovës, e kanë mbrojtur gjashtë grupe të armatosura: Grupi i Zhukë Haxhisë, Stakaj, Grupi i Rizë Zymerit, Koshutan, Grupi i Salih Ramës, Bogë, Grupi i Isuf Mehmetit, Shtupeq i Vogël, Grupi i Haxhë Mustafës, Shtupeq i Math, Grupi i Sak Faslisë, Koshutan. Grupi i fundit, i dyti nga Koshutani, ishte i formuar pjesërisht edhe me luftëtarë nga katundi Pepaj, që i takonin bajrakut të parë, Bajrakut të Shtupeqit të Vogël, me lejën e Zhukë Haxhisë, për shkak se grupi nuk kishte luftëtarë të mjaftueshëm.
Gjashtë grupet kishin një komandë të përbashkët, mbi gjashtë muaj. Zhukë Haxhia ishte komandant ushtarak, kurse Rizë Zymeri ishte komandant politik. (Dëshmi: Arkivi i Kosovës, Procesverbali i hetimeve ndaj Zhukë Haxhisë, Pejë, më 27.2.1947). Këtë detyrë e kishte marrë Rugova nga Komiteti i Pejës, në krye me atdhetarin e madh të Lëvizjes Kombëtare, Bedri Pejani. (Shihni: Azem Azemi, Procesverbal i marrjes në pyetje të Zhukë Haxhi Çelës, shkruar në Drejtorinë e Qarkut të Drejtoratit të Sigurimit Shtetëror (UDB) në Pejë, më 5.II.47, në: Instituti i Historisë, rev. Kosova, nr. 25, Prishtinë, 2003, f. 225).
Këto gjashtë grupe mbronin gjashtë sektorë në kufi me Malin e Zi. Forca ushtarake e këtyre gjashtë grupeve të armatosura përbëhej nga 600 vullnetarë gjithsej. (Dëshmi: Arkivi i Kosovës, Procesverbali i hetimeve ndaj Zhukë Haxhisë, Pejë, më 14.3.1947). Pjesët e tjera të kufirit, në dy krahë, i kanë mbrojtur njësitë nga Plava e Gucia dhe nga Rrafshi i Dukagjinit. Këto grupe të armatosura të Rugovës kanë pasur edhe disa beteja me forcat e armatosura të Malit të Zi. Madje, kanë luftuar edhe për mbrojtjen e Pazarit të sulmuar. Ndonëse pati edhe humbje në këto beteja, të plagosur e të vrarë, e ndër ta ra dëshmor edhe Sak Faslia, Rugova doli fitimtare.

Pas përfundimit të Luftë së Dytë Botërore, Zhukë Haxhia u zgjodh kryetar i Rugovës, por shpejt gjendja politike ndryshoi. Pushteti synonte t’i burgoste prijësit. Në Shtupeq të Vogël, në lagjen Nilaj, u pushkatuan shtatë burra: pesë të vëllazërisë së madhe Lajçi dhe dy mysafirë: Idris Jaha-Nilaj, Ali Mustafa-Nilaj, Halil Shabi-Vaçaj, Metë Zymeri-Nilaj, Kacup Zeneli-Broçaj, si dhe Brahim Haxhia nga Shkreli dhe Ali Rexha-Nreshaj nga Bogët (Z. U. Neziri, ÇFSH, 9, Tiranë, 2006, f. 145). Zhuka me bashkëluftëtarët e vet doli në mal e jetoi në mal deri në shkurt 1947, kur pushteti e dënoi me vdekje, pasi ra në dorë, kurse Rizë Zymerin e pushkatoi bashkë me të birin, Hasan Rizën. Shumë të tjerë u dënuan me dënime të rënda, e disa kanë vdekur në burgjet jugosllave.
Shembuj burrërie në Luftën e Dytë Botërore
Në luftë me Malin e Zi, përveç betejave, që fillonin edhe me dyluftime, si ai dyluftimi i trefishtë i të famshmit Adem Isufi të Rexhajve të Shkrelit në Betejën e Nokshiqit, në dhjetor 1879, kishte edhe burrëri, krahas trimërisë. E burrëri ishte respektimi i ndërsjellë i kodit moral të luftës: se malli i kundërshtarit bën të plaçkitet, se shtëpia bën t’i digjet, por jeta dhe nderi i familjes nuk bën t’i preket, andej, si këndej kufirit.
Kështu ishte para e pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por vetëm deri më 1912, kur Mali i Zi e theu këtë kod burrërie në Rugovë. Mali i Zi, bashkë me Serbinë, edhe më 1919, më 16 shkurt, e shkeli këtë kod burrërie kur masakroi 432 fëmijë, gra e pleq, e shumë prej tyre i dogji të gjallë në Hanin e Isufit në Shtupeq të Math. (Z. U. Neziri, Mërgimi politik në epikën historike të Rugovës, në: Studime për folkorin, I, IAP, Pr., 2006, f. 261-273).
Por, Rugova nuk e theu kodin e burrërisë, se rast të mirë për hakmarrje kishte kur në LDB kaluan duke ikur nëpër Rugovë rreth 30 mijë njerëz, gra e fëmijë, kryesisht malazez, që i solli pushteti jugosllav dhe i vendosi në tokat e në shtëpitë e shqiptarëve. (Dëshmi: Arkivi i Kosovës, Procesverbali i hetimeve ndaj Zhukë Haxhisë Pejë, më 5.II.1947). Dhe, Rugova tha: nuk e çburrnojmë pushkën n’ta! Pra, ajo nuk e theu kodin e burrërisë, sepse nuk i ndali dhe nuk u hakmor në ata 30 mijë njerëz, gra e fëmijë, kryesisht malazez. Ajo fisnikërisht u hapi rrugë atyre, madje edhe njerëzisht u ofroi ndihmë nënave me fëmijë të vegjël, atyre me këmbë të mërdhira, po edhe një lehone, që lindi fëmijën e saj në katundin Drelaj. Në historinë e dy popujve është dëshmi në përmasa evropiane për shpirtin fisnik e bujar të shqiptarëve, për burrërinë e madhe të tyre.
Ky ishte vendim i parisë së Rugovës, që mos të çburrërohet pushka, kur kapitulloi Jugosllavia e Parë, në prill 1941: Osman Rrustemi, Drelaj, kryetar i Komunës së Rugovës, dhe kryepleqtë: Isuf Mehmeti nga Shupeqi i Vogël, Haxhi Zeka nga Shtupeqi i Madh, Din Zeka nga Rieka e Allagës, Rrustem Veseli nga Pepajt (Pepiq), Rexhep Mustafa nga Malajt, Hysen Syla nga Bogët, Sokol Çela, nga Stakajt, Agan Seku nga Haxhajt, Fasli Zymeri nga Kuqishta, Tahir Abazi nga Drelajt, si dhe Zhukë Haxhia, Stakaj. (Shihni: Azem Azemi, Procesverbal i marrjes në pyetje të Zhukë Haxhi Çelës, shkruar në Drejtorinë e Qarkut të Drejtoratit të Sigurimit Shtetëror (UDB) në Pejë, më 5.II.47, në: Instituti i Historisë, rev. Kosova, nr. 25, Prishtinë, 2003, f. 221-222. P.S. Mungojnë: Dugaiva, Shkreli, Koshutani? Disa emra i përmirësova, se janë shkruar me gabime, Z.U.N). Natyrisht, nuk harrohet edhe lejimi i kalimit të të shpërngulurve tanë në Mal të Zi, në vitet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 1998-99, dhe lejimi i vendosjes së tyre atje, në familjet shqiptare, nga Rozhaja e deri në Ulqin.

Rugova pas Luftës së Dytë Botërore
Vija Çakorr-Mokna-Smilevicë, pra, ishte vija e kufirit të Rugovës me Malin e Zi në LBD edhe pas saj. (Dëshmi: Fjala hyrëse e Komisionit të Besëlidhjes së Rugovës: Guri i Vajzit, Qafa e Diellit, Moknat, Livadi i Turkut, më 20.11.1970). Duhet pasur parasysh se kur Mali i Zi e sulmoi Vilajetin e Kosovës në tetor 1912, pikat Çakorr-Mokna-Smilevicë nuk ishin vija e kufirit të Shqipërisë me Malin e Zi. Gjenerali Janko Vukotiq i mbretit Nikollë të Malit të Zi duhej më parë për të marrë Beranin dhe e pushtoi pas luftës së përgjakshme në gjysmën e tetorit 1912, ku morën pjesë edhe rugovasit në mbrojtjen e tij. E, para Beranit, Vukotiqi duhej pushtuar Mojkovcin e Bjello Polen, dy qendra kufitare të Vilajetit të Kosovës me Malin e Zi, dhe pas pushtimit të tyre e sulmoi Beranin.
Rugovasit luftuan kundër Vukotiqit, pos në Beran, edhe në Çakorr, në Mokna e në Shtupeq, deri më 30 tetor 1912, kur ai hyri në Pejë dhe e pushtoni pjesën veriore të Rrafshit të Dukagjinit, duke bërë krime të rënda në popullsinë shqiptare, nga plaçkitjet e vrasjet e deri te ndërrimi i dhunshëm i fesë në Rugovë e Pejë dhe deri në Gjakovë. (Shihni librin e Zef Mark Harapit (1891-1946), shkrimtar nga Shkodra, mësues në Pejë, Ditt e trishtimit n’Pejë e nder rrethe: 1912-1913, f. 81, 83, 86, Dukagjini, 2004). Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur Kosova ripushtohet nga Jugosllavia, rugovasit vepruan politikisht kundër robërisë jugosllave, sidomos në organizatën Nacional Demokratike Shqiptare, me Sylë Mehmetin dhe brezin e tij, dhe më 1968, brezi i Isa Demajt, e më 1981, brezi i Ali Lajçit. Shumë rugovas, gjatë gjysmë shekulli, si në krejt viset shqiptare, janë ndjekur politikisht, janë përjashtuar nga puna dhe janë burgosur. Disa kanë vdekur burgjeve e disa i kanë vrarë në kufi.
Edhe pesëdhjetë vjet më vonë, në luftën me Malin e Zi e me Serbinë, në vitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 1997-1999, brigada 136 ‘’Rugova’’ e Zonës Operative të Dukagjinit e ka konsideruar linjën Çakorr-Mokna-Smilevicë-Hajlë, vijë e kufirit me Malin e Zi, ku ranë dëshmorët e lirisë: Selman B. Lajçi, Besnik M. Lajçi, Ramush M. Lajçi, Xhavit S. Lajçi, Ramë A. Lajçi, Tone Lajçi-Husaj, Sokol Z. Nikçi. Ashtu konsiderohet edhe sot.
Mirëpo, edhe duhet të dihet saktësisht se Mali i Zi ishte në bashkësi shtetërore me Serbinë dhe kjo bashkësi e fundit jugosllave dyshtetërore e humbi luftën me Kosovën në qershor 1999. Pra, Mali i Zi e plaçkiti, e dogj dhe e masakroi Rugovën edhe më 1999, po edhe Pejën e anën veriore të Rrafshit të Dukagjinit, por doli humbës bashkë me Serbinë, e fitimtarit, Kosovës, i takon vija e mbrojtur e kufirit Çakorr-Mokna-Smilevicë-Hajlë, po edhe pjesa tjetër e bjeshkëve deri në Kullë.

Përfundim
Kjo është gjendja e Rugovës me Malin e Zi, pra vija Çakorr-Mokna-Smilevicë, në Luftën e Dytë Botërore, ndonëse as historikisht e as etnikisht edhe kjo nuk është e drejtë, sepse edhe ky ishte kufi i dhunshëm i Mali të Zi, së paku i treti me radhë (1912, 1878, 1859 etj.), i vendosur me pushtime në territoret shqiptare në dy shekujt e fundit, natyrisht, me lejen e Evropës dhe me ndihmën e saj, sidomos në prag të Kongresit të Berlinit e pas tij, në Tivar e Ulqin, e pastaj në Sanxhakun të Pazarit, si dhe më 1912, në Plavë e Guci, Beran e Rozhajë dhe në pjesën e Malësisë së Madhe, ku nuk kishte fare popullsi malazeze.
Në këto territore shqiptare të pushtuara nga Mali i Zi për rreth një shekull u asimilua shumica e popullsisë shqiptare, pra, ajo është tjetërsuar gjuhësisht, sidomos në qytete, përveç Ulqinit, në qytetet e tjera tash flet kryesisht boshnjakisht ose kroatisht. Kjo çështje mbetet e hapur, kurse problemi i vijës Çakorr-Mokna-Smilevicë-Hajlë, deri në Kullë, ku Republika e Kosovës dëmtohet për rreth 12 mijë hektarë tokë, duhet të mbyllet si punë e tashme e ngutshme ndërmjet qeverive, ajo e Malit të Zi në Podgoricë dhe kjo e jona në Prishtinë, e nëse duhet, edhe me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, si dhe duke e lënë derën të hapur për diskutim edhe për çështje të tjera shumë me rëndësi dhe për të gjetur zgjidhje për problemet e viseve tona të copëtuara e të falura në Berlin (1878) e në Londër (1913), duke pasur parasysh standardet e fqinjësisë së mirë parimet universale për lirinë e popujve.

Bibliografi
ARAPI Mark, Zef, Ditt e trishti¬mit n’Pejë e nder rrethe: 1912-1913, Dukagjini, Pejë, 2004.
AZEMI, Hysen, LNDSH-ja dhe Sigurimi Shtetëror Serb, vëllimi II, 1945-1957, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, Prishtinë, 2014.
AZEMI, Hysen, Procesverbal i marrjes në pyetje të Zhukë Haxhi Çelës, shkruar në Drejtorinë e Qarkut të Drejtoratit të Sigurimit Shtetëror (UDB) në Pejë, më 5.II.1947, në: Instituti i Historisë, rev. Kosova, nr. 25, Prishtinë, 2003, f. 221-222.
ARKIVI i Kosovës, Procesverbale të hetimeve ndaj Zhukë Haxhisë Pejë, më 5.II.1947-27.III.1947.
CULAJ, Lush, Keri i Sadri Bardhit -jeta dhe veprimtaria atdhetare, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinës, 2007.
KOJÇINI-UKAJ, Sulltane, Roli i Zhukë Haxhisë në qëndresën kombëtare të Rugovës, në: rev. Kosova, nr. 28, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2006.
KOMISIONI i Besëlidhjes së Rugovës, Fjala hyrëse, Drelaj, Rugovë, më 20.11.1970.
NEZIRI Ujkan, Zymer, Mërgimi politik në epikën historike të Rugovës, në: Studime për folkorin, I, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2006, f. 261-273.
NEZIRI, Zymer, Veçori etnokulturore dhe epikografike të krahinës së Rugovës, në: Çështje të folklorit shqiptar, 9, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 2006, f. 139-200.

 

Burimi: http://www.kokaj.net/opinione-detale/items/aspekte-te-kufirit-kosove-mali-i-zi-ne-luften-e-dyte-boterore.html

Kategori: Ballkanologji Etiketa: , ,

Rruga postkomuniste e mëndafshit: Shkup-Stamboll (II)

18/11/2015 Lini një koment

Ali PAJAZITI

 

RRUGA POSTKOMUNISTE E MËNDAFSHIT: SHKUP-STAMBOLL (II)

Ali Pajaziti

Ali Pajaziti

Si çdo qytet tjetër, edhe Shkupi ka marrëdhënie me qytete të tjera, nga të cilat mëson për mënyrat e mira të menaxhimit me çështjet urbane, të cilave ua ofron përvojat e veta, madje me disa syresh është i vëllazëruar, si Bradfordi, Dizhoni, Drezdeni, Tempe, Waremme, Nanchang, Suez, Pittsburg, Ljubljana, Saragosa, Stambolli etj.

Ky i fundit, Stambolli, është qytet me të cilin Shkupi ka një lidhje të fortë shpirtërore por edhe historike dhe (infra)strukturore. Stambolli, një mbiqytet ky i përmasave universale, një diçka përtej qytetit, një botë më vetë, një univers, një qendër e botës. Për të ilustruar në mënyrë më empirike raportin mes këtyre dy qyteteve kemi realizuar një intervistë me qytetarë të Shkupit duke iu parashtruar atyre disa pyetje: Çka është Stambolli për ju? Çka simbolizon ai? A keni udhëtuar në Stamboll? Nëse jo, a dëshironi ta vizitoni? Pse? Çka ju tërheq? A shihni gjëra të përafërta mes Shkupit dhe Stambollit? Cilat janë ato? Cilat janë arsyet që rruga Shkup-Stamboll të jetë kaq e rrahur nga viti 1992 e këndej? Pse një pjesë e mirë bizneseve bëhen me Turqinë? Pse pikërisht Stambolli është destinacioni më i preferuar i tregtarëve? Përmes këtyre pyetjeve kemi synuar të detektojmë qëndrimet e shkupjanëve lidhur me metropolën turke dhe globale si epiqendër kozmopolite dhe arsyet e frekeuntimit kaq të madh të këtij megalopolisi gjatë 25 viteve të fundit nga njerëzit e këtyre trojeve. Hulumtimi është realizuar me gjithsej 24 të intervistuar të profileve të ndryshme nga Shkupi dhe rrethina e tij.

Të intervistuarit, mes tjerash, lidhur me atës e çka paraqet Stambolli për ta kanë dhënë këto përgjigje: “Qendër kulturore, ekonomike dhe industriale” “…simbol i multikulturalizmit, një qytet qe asnjëherë nuk pushon, “qendër turistike” , “një vend me histori, i përmendur madje edhe nga profeti Muhamed“, “qytet me peshë botërore, qendër kulturore, arsmimore, e biznesi”, “Ai simbolizon qendrën e botës dhe të civilizimeve, është udhëkryq i kulturave i feve e i perandorive të mëdha”, “qendër e rëndësishme vendim-marrëse politike dhe ekonomike. Është simbol i trashëgimisë fetare për popujt e Ballkanit”, “destinacioni më i mirë për udhëtim shpirtëror, të biznesit, metropolë e vërtetë”, “epiqendër e islamit”, “megalopolis që e lidh Orientin me Oksidentin, të vjetrën me të renë, historinë me ardhmërinë”, “qendër e Turqisë bashkëkohore, shekullare, me rol jashtëzakonisht të rëndësishëm politik, ekonomik, social dhe në veçanti kulturor, rajonalisht por edhe globalisht”.

Është interesante se të gjithë të intervistuarit e kanë vizituar Stambollin, ndërsa arsyet janë këto: “Atje ke çfarë të bësh, çfarë të shohësh dhe çfarë të ndjesh”, “bukuria e qytetit… njerëzit janë mikpritës, sidomos kur kuptojnë se jemi nga Ballkani”, “ambienti i bukur, fryma islame, ka shumëçka për të parë, një vend me shumë histori”, “tregtia, mikpritja”, “tregtia, lidhjet familjare, xhamitë”, “kultura, arkitektura, pozita strategjike… thjesht një qytet të cilit nuk mund t’i rezistosh”, “veprat e mëdha artistike”, “pamja, dinamizmi, rehatia e këtij qyteti mahnitës”, “moda, hallalli, salepi dhe historia”, “afërsia gjeografike, ngjashmëria e mentalitetit, bollëku, mundësitë që ofron”, “lidhjet bilaterale RM-Turqi, të qenët vendlidhje e qendrave prodhuese të Lindjes së Largët dhe atyre vendore-turke, “atmosfera e përafërt, familja, feja”, “xhamitë, kultura, qendrat tregtare”, “tregu më i madh dhe më i lirë”, “ndjenjat dhe ndërtimet fetare, kuzhina”, “të ndjerit si në shtëpi”, “Shkupi për mua është Stamboll i vogël, çarshia, dhe xhamitë e Shkupit bëjnë që ky vend të jetë simotër e Stambollit”, “arkitektura, njerëzit me lidhje familjare që jetojnë në këto dy qytete”, “Çarshia e vjetër e Shkupit është simotër e Kapali Çarshisë, atje ka xhami të shumta, objekte historike, feja si urë lidhëse mes dy kombeve, atij turk dhe shqiptar”, “të qenët udhëkryq i kulturave, civilizimeve e historisë”, “pjesa veriore e Shkupit dhe çarshia janë miniaturë e refleksion minimal i Stambollit”, “stili arkitekturor në pjesën e vjetër të Shkupit, rrëmuja që krijohet në Çarshinë e Vjetër dhe në Bitpazar, kaosi në trafik, dhe natyrisht konsumimi i çajit dhe kafesë turke”, “çmimet konkurrente, madhësia e tregut, larmia e mallit, cilësia optimale krahas çmimit të paguar, sinqeriteti”, “nuk ka mashtrime si më parë, mendësia turke ka ndryshuar” etj.

Një respondent maqedonas etnik lidhur me pyetjen e mësipërme ka shënuar si vijon:

“Shkupi dhe Stambolli janë kryeqytete të dy vendeve dhe kulturave miqësore. Që nga viti 2003 zyrtarisht janë qytete të vëllazëruara. Maqedonia, nga njëra anë, zë vend të rëndësishëm në kujtesën dhe identitetin e Turqisë bashkëkohore. Maqedonia është vendlindja e babait të Ataturkut. Nga ana tjetër, nga viti 1992 e këndej Turqia ka udhëhequr një politikë shumë parimore dhe stabilizuese ndaj Maqedonisë dhe Ballkanit në përgjithësi. Stambolli është vatër e shumë të muhaxhirëve turq dhe shqiptarë nga Maqedonia. Këto lidhje politike dhe në veçanti kulturore-identitare e bëjnë komunikimin mes dy qyteteve të dyanshëm dhe të hapur.” (#16)

Lidhja më organike mes dy zonave, qyteteve apo vendeve është një e vërtetë sociologjike dhe kulturologjike. Qytetarët e Republikës së Maqedonisë, në veçanti ata të proviniencës fetare islame, gjithherë kanë ndjerë një ngrohtësi dhe simpati ndaj këtij qyteti kozmopolit. Shpirti i Stambollit në këtë ose në atë mënyrë ka qenë prezent në jetën e ballkanasit në përgjithësi dhe shqiptarit në veçanti. Ndonëse regjimet pas-otomane janë munduar të ngulfatin këtë frymë dhe ta shkëpusin njeriun e kulturës nacionale nga ky qytet perandorak, një gjë të tillë s’e kanë arritur. Kjo vërehet qartë nga entuziazmi me të cilin ata e kanë rikapur dhe ripërqafuar Stambollin pas rrënimit të sistemit socialist. Që atëherë thuajse s’ka shkupjan paksa të kamur ekonomikisht që s’e ka vizituar këtë ikonë të urbanizmit oriental-modern dhe të kulturës mijëravjeçare.

Nga hulumtimi i realizuar arrijmë në konkluzionet se aspekti kulturor është elementi më i fortë i ndikimit te qytetarët e RM-së që ta vizitojnë Stambollin. Ndër elementet kulturore më me ndikim ështe feja, më pas arkitektura, kultura gastronomike e të tjera.  Rrugën Shkup-Stamboll më së tepërmi e rrehin shqiptarët, turqit dhe boshnjakët. Kjo duhet të jetë rezultat i lidhjes religjioze. Respondentët shenojne rritjen politiko-ekonomike të Turqisë si faktor për vizitat më të shpeshta të qytetareve në Stamboll. Ka konstatime pozitive lidhur me cilësine e produkteve turke (tanimë askush nuk e fsheh mallin turk, por thotë “Në dyqanin tim ka vetëm mall turk” #21), lidhur me ndryshimet në etikën e biznesit të stambollasve etj. /tesheshi.com/

Kategori: Ballkanologji Etiketa: , ,

Një komedi e shpëlarë grekoevropiane që s’dihet se kur do t’i ulet sipari

17/11/2015 Lini një koment

Prof. Dr. Eshref YMERI

 

NJË KOMEDI E SHPËLARË GREKOEVROPIANE QË S’DIHET SE KUR DO T’I ULET SIPARI

Dr. Eshref Ymeri

Dr. Eshref Ymeri

U bënë kaq kohë që analistët e “gjithëditurisë”, me llafet e tyre të pafundme nëpër gazeta dhe ekrane televizive, po u  rrokanisin kokën njerëzve me krizën greke. Greqia na është bërë si puna e atij njeriut epileptik që s’dihet se kur do të shembet në tokë pa mend e pa gojë.

Në analiza të mëparshme nëpër faqet e internetit, kam theksuaer se Greqia ka qenë dhe vazhdon të mbetet kështjella e gënjeshtrës, e hajdutërisë, e hipokrizisë, e mashtrimit dhe e pabesisë. Se domosdo që Greqia nuk mund të jetë ndryshe, përderisa ajo ka notuar dhe vazhdon të notojë në detin e legjendave të stisura, të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten thjesht legjenda, me lëndën e mashtrimeve të kulluara brenda vetes.

Sa herë që bie fjala për Greqinë, më kujtohet gazetari dhe shkrimtari francez Edmond Abu (Edmond François Valentin About 1928-1885), autor i librave “La Grèce contemporaine” (Greqia bashkëkohore), “L’Homme à l’oreille cassée” (Njeriu me vesh të thyer), “Le Roi des montagnes” (Mbreti i maleve) etj.

Në librin “Greqia bashkëkohore”, të cilin e pati shkruar  në vitin 1851, ai thekson:

“Greqia bashkëkohore është i vetmi shembull i njohur i një vendi, i cili ka falimentuar që ditën që është krijuar… Në vitin 1846, ministria e financave nuk hartoi një buxhet orientues dhe që asokohe kjo erdhi e u shndërrua në një normë të zakonshme për qeverinë greke… Kur rezervat e krijuara nga borxhet e jashtme qeveria i pati shteruar plotësisht, fuqive të huaja që e kishin marrë në mbrojtje Greqinë, për forcë të shpirtmirësisë së tyre, iu desh t’i përballonin vetë ato, sipas përqindjeve: sepse Greqia s’kishte para për t’i larë ato borxhe… Taksapaguesit grekë janë të mendimit se kryeedrejta e njeriut është e drejta për të mos paguar taksa… Ministria e luftës u paguan 600 mijë dhrami, kurse ministria e marinës – 250 mijë dhrami njerëzve, të cilët nuk janë as ushtarë, as marinarë” (Citohet sipas: Kristian Mijo. “Atlantico”. “Greqia ka falimentuar që ditën që është krijuar”. Marrë nga faqja e internetit “inosmi.ru”. 28 janar 2013).

Pikërisht për këtë “kryetëdrejtën” e grekëve për të mos paguar taksa, 161 vjet më pas, bashkatdhetari i Edmond Abusë, kritiku i… restoranteve dhe shkrimtari Kristian Mijo (Christian Millau 1928) vazhdon:

“Në Greqinë e Lashtë nuk ka pas ekzistuar një fjalë e tillë, si ekonomia. Por ama kjo do të thotë se të bësh politikë ekonomike në kushte të tilla, është, gjithashtu, e pamundur, apo jo? Jemi në gushtin e vitit 2012. Një kontroll tatimor në restorantin e portit në ishullin Hidra, erdhi e u shndërrua në rebelim. Pronarin  e lokalit e nisën për në polici për faktin se llogarinë ai nuk ua kishte paraqitur asnjëherë klientëve të vetë. Por atë po e përkrahnin të gjithë sipërmarrësit e tjerë, të cilët bllokuan të gjitha rrugët detare për në Athinë. Ja se çfarë deklaruan ata për t’u shfajësuar:

“Ne në Hidër asnjëherë nuk kemi paguar taksa. Dhe po ju themi me saktësi se nuk kemi ndër mend të fillojmë ta bëjmë një gjë të tillë”” (po aty).

Këto mendësi paradoksale për të mos paguar taksa, të shoqëruara edhe me mendësi të tjera egoiste dhe anarshiste, si mosrespektimi i ligjit, grevëthyerja etj., grekët janë munduar t’i kultivojnë edhe në vendet ku kanë pas emigruar. Kjo ka qenë edhe arsyeja që banorët vendës herë-herë kanë protestuar fuqishëm kundër emigrantëve grekë.

Aleksandra Filindra, me prejardhje greke, profesore e asociuar e Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Ilinoisit, në një artikull të saj, flet për emigrantë grekë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada në vitet e para të shek. XX. Ajo rrëfen:

“Në vitin 1909, komuniteti grek u vu në shënjestër të sulmit të banorëve të qytetit Omaha të shtetit Nebraska, sepse pronarët e uzinave i shfrytëzonin punëtorët grekë si grevëthyes. Një turmë prej 3 mijë amerikanësh, iu afrua lagjes greke për t’i dhënë një ultimatum:

“Nëse dëshironi të mbeteni gjallë, largohuni nga Omaha”.

Në Nju Jork, pronarët e restoranteve kishin varur nëpër vitrina tabela me mbishkrimin:

“Ushqim i pastër amerikan. Pa minj dhe pa grekë”.

Diasporës greke në Amerikën e Veriut, gjatë disa dhjetëvjeçarëve, i është dashur të përplaset me racizëm, me ksenofobi dhe me një izolim social në kontinent, i cili pranonte si qytetarë vetëm “të bardhët”, kurse grekët i vlerësonte si një racë të ulët. Antropologjia sociale e asaj epoke i pati klasifikuar grekët si një komb i pazhvilluar në aspektin biologjik dhe moral. Prandaj argumentet racore të kësaj natyre i shfrytëzonin shteti dhe punëdhënësit, të cilët shkelnin të drejtat e emigrantëve grekë. Amerikanët i përbuznin grekët, meqenëse i vlerësonin ata të padisiplinuar, të pistë, të prirur për dhunë dhe kishin krijuar bindjen se grekët nuk janë të aftë për patriotizëm dhe për fisnikëri që vendi (Amerika) kërkonte prej tyre… (Citohet sipas: Aleksandra Filindra. “Pa minj dhe pa grekë”. Gazeta “Kathimerini”. Marrë nga faqja e internetit “inosmi.ru”  09 nëntor 2012).

Aleksandra Filindra përmend edhe një episod të ngjashëm me atë të qytetit Omaha që qe përsëritur nëntë vjet më vonë, më 1918, në qytetin Toronto të Kanadasë. Ajo thekson:

“…ky incident në historinë e Kanadasë ka një rëndësi të veçantë për ne, grekët, meqenëse në shënjestër të kanadezëve ishin emigrantët grekë. Në gusht të vitit 1918, më shumë se 5 mijë kanadezë sulmuan “grekët e pistë” që jetonin në Toronto” (po aty).

Lind një pyetje e thjeshtë: po si shpjegohet që në dy dhjetëvjeçarët e parë të shek. XX, banorë vendës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Kanadasë, mes emigrantëve evropianë, sulmonin pikërisht emigrantë grekë dhe jo emigrantë, fjala vjen, polakë, hungarezë, austriakë, francezë, e le më pastaj gjermanë apo skandinavë etj.? Me sa duket, egoizmi dhe anarkizmi, që përbëjnë tiparet karakteristike të formimit psikologjik të grekëve, duhet të kenë qenë arsyeja kryesore që patën ngjallur revoltën e amerikanëve dhe të kanadezëve kundër emigrantëve grekë.

Po si duhen kuptuar gjithë ato pekule të Evropës Perëndimore për Greqinë, sidomos pas pranimit të saj në Bashkimin Evropian?

Pas shembjes së sistemit komunist, Greqia, me përkrahjen e fuqishme të Bashkimit Evropian, i pati mbushur mendjen vetes se vetëm ajo mund të bëhej “padronia” e Ballkanit, për, demek, “kultivimin” e vlerave të “demokracisë” në ish-vendet komuniste të këtij gadishulli. Për më tepër, në raport me Shqipërinë, ajo u bind përfundimisht se “mund ta vinte në jetë” ëndrrën e vet mbinjëshekullore për aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Prandaj, në dhjetor të vitit 1990, kufijtë me Shqipërinë, po me aprovimin e heshtur të Bashkimit Evropian, ajo i hapi kat e kat, sikur të kishin qenë portat e ndonjë shtëpie publike, në mënyrë që emigrantët shqiptarë, të varfëruar deri në skajshmëri prej regjimit kriminal të Enver Hoxhës, të dyndeshin valë-valë drejt qyteteve greke. Sipas Karolos Papuliasit, ish-ministër asokohe, emigrantët shqiptarë do të shfrytëzoheshin si karrem për klasën politike të Tiranës, së cilës do t’i kërkohej të bënte lëshime pas lëshimesh, siç edhe i ka bërë faktikisht, për kënaqjen e epsheve të shovinizmit grekokaragjoz në Shqipërinë e Jugut. Fill pas dyndjes së emigrantëve, Greqia mori masa të menjëhershme për dërgimin në Shqipëri të komisarit të vet politik, Anastas Janullatosit, i cili, duke shfrytëzuar veladonin e kryepeshkopit të kishës ortodokse, do të shërbente si kreu i shovinizmit grekokaragjoz në Tiranë.

Kësisoj u krijuan rrethanat që Greqia, si “pararoja e demokracisë” në Ballkan, t’i drejtohej Bashkimit Evropian, Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, për t’i ofruar asaj kredi kolosale për mishërimin në praktikë të “vlerave të demokracisëgreke në ish-vendet komuniste të Evropës Juglindore, sidomos për përballimin e shpenzimeve për qindra mijë emigrantë të ardhur aty. Nevojën për sigurimin e këtyre kredive e bënë më të ngushme edhe përgatitjet për organizmin e Lojërave Olimpike të vitit 2004, në të cilat Athinës i duhej të mburrte me të madhe madhështinë e lashtësisë së qytetërimit të vet, i cili duhej të shërbente si “shembull” për qytetërimet e tjera. Kështu, “dashnores së Perëndimit” nuk ia prishën qejfin për asgjë, borxhet iu ofruan me zemërgjerësinë më të madhe, aq më tepër kur të gjithë në Perëndim ia kishin mbushur mendjen vetes se pas shembjes së komunizmit, vetëm Greqia mund të luante rolin “e pazëvendësueshëm” “dados zemërmirë” në Evropën Juglindore. Dhe “dadoja” e zellshme greke, duke notuar në detin e kredive shumëmiliardëshe perëndimore, i ktheu mirë sytë nga Shqipëria. Këtu ajo, pas lëshimeve tradhtare që i bëri Tirana zyrtare, në dëm të interesave tona kombëtare, dhe me dijeninë e Bashkimit Evropian, vendosi të ngrinte varreza, memoriale dhe manastire për ushtarët kriminelë grekë që kishin rënë gjatë luftës italo-greke, duke siguruar paraprakisht blerjen e eshtrave të të vdekurve shqiptarë dhe reklamimin e tyre si eshtra të ushtarëve të vet. Për një pazar të tillë të pistë eshtrash, i cili del bukur në spikamë në filmin e regjisorit të talentuar Edmond Budina, duheshin shpenzuar shuma kolosale, të cilat Athina nuk i kurseu asnjëherë, se ato ishin “drekët” e taksapaguesve evropianë. Shuma të tjera kolosale ajo i shpenzoi për ndërtime kishash greke në mbarë territorin e Shqipërisë së Jugut, deri edhe në Tiranë, ku ka ngritur një kala gjigante ortodokse, tërësisht me simbolikë greke, për hapje shkollash greke, për pagesa pensionesh për qytetarë shqiptarë në moshë pensioni, të cilët jo vetëm që nuk kanë punuar në Greqi as edhe një ditë të vetme, por që as nuk e dinë fare se ku e ka adresën Greqia, për rekrutime spiunësh të të gjitha kategorive, deri edhe në sfera të larta të politikës shqiptare. Për të gjitha këto bëma të shtetit grek në Shqipëri, Bashkimi Evropian ka qenë plotësisht në dijeni. Se diplomatët e vet këtu, në kryeqytetin shqiptar,i ka patur dhe i ka, dhe nuk mund të mos u ketë rënë në sy kalaja janullatiste që kur iu hapën themelet dhe derisa u përfundua mu në kryeqendrën e Tiranës, një kala kjo që u ka zënë frymën, deri në dritare, disa dikastereve qendrore të administratës shtetërore. Pra, Bashkimi Evropian ka qenë plotësisht në dijeni që Janullatosi dhe administrata e tij grekoortodokse, si kreu i shovinizmit grekokaragjoz në Tiranë, ka vepruar dhe vepron si një shtet shumë më i fuqishëm  brenda shtetit zyrtar shqiptar. Se ndryshe si mund të siguroheshin mjete aq të shumta financiare për bëmat e lartpërmendura janullatiste, të cilat shteti shqiptar nuk do të ishte në gjendje t’i përballonte dot kurrsesi.

Bashkimi Evropian nuk mund të mos ketë qenë në dijeni për armatimin kolosal që Greqia pati grumbulluar me kalimin e viteve. Ato armatime sigurisht që u blenë me malet e parave që kreditorët e huaj i jepnin Greqisë pa kursim. Po pse i duhen Greqisë gjithë ato armatime? Me kë mendon ajo të hyjë në luftë? Me Republikën e Turqisë, para së cilës i shkojnë tetë në qase? Apo mos ndoshta me Shqipërinë, të cilën Greqia nuk e zë fare në hesap, se në të tillë derexhe e ka katandisur vendin tonë Tirana zyrtare. Ku ta dish? Mos ndoshta prandaj ajo edhe vazhdon ta mbajë në fuqi ligjin e luftës që prej vitit 1940?

Veç kësaj, Greqia mori përsipër shpenzimet për regjistrimin e popullsisë në Shqipëri, me vetëdeklarim të kombësisë dhe të fesë, në mënyrë që të ndryshohej përbërja e saj etnike në favor të Greqisë. Dhe për këtë regjistrim ajo kishte marrë bekimin e plotë të Bashkimit Evropian, i cili, me sa duket, i kishte ngarkuar Greqisë rolin e krishterizimit ortodoks të popullsisë shqiptare. Prandaj edhe për realizimin e një vetëdeklarimi të tillë duheshin shpenzuar shuma marramendëse për blerje shqiptarësh “pa identitet”.

Rrjedha e mëvonshme e ngjarjeve vërtetoi në praktikë se cila ishte fytyra e vërtetë e Greqisë dhe sa ishte në gjendje ajo, sipas politikës dritëshkurtër të Bashkimit Evropian, të kryente misionin e “demokratizueses” së Ballkanit.

Në tallazin e krizës së rëndë që pllakosi Greqinë në vitin 2008 e në vazhdim, është kërkuar që të shpiken edhe “koka turku”, të cilat na qenkan “fajtore” për gjendjen ku është katandisur vendi. Kështu, mitropoliti Pirej, si përfaqësues i lartë i klerit grek, “i paska gjetur fajtorët”. Sipas mendimit të tij, përgjegjësinë për të gjitha problemet që ka shkaktuar kriza greke, na e paskan hebrenjtë e mbarë botës. Më 24 dhjetor 2010, në efirin e njërit prej kanaleve televizive kryesore të vendit, ai deklaroi:

“Për të gjitha fatkeqësitë tona ekonomike, fajin e kanë hebrenjtë e mbarë botës”(Citohet sipas: “Për krizën ekonomike të Greqisë fajtorë janë hebrenjtë”. Marrë nga faqja e internetit “poiskpravdy.com”. 24 dhjetor 2010).

Mitropoliti Pirej njoftoi teleshikuesit se lëvizja sioniste botërore, si edhe bankierët hebrenj, të tillë, si, fjala vjen, baroni Rotshild, qenkan përzier në një “komplot” që paska për qëllim dobësimin e kishës së krishterë ortodokse. Këto janë përçartje grekësh të lajthitur nga trutë që nuk duan ta kuptojnë se çfarë marrëzish nxjerrin nga goja. Mitropoliti Pirej do të bënte mirë të zbulonte faqe botës të vërtetën lakuriq se cila ishte arsyeja që Greqia, në vitet e Luftës II Botërore, shkatërroi me themel varrezat hebraike në Selanik dhe dhjetra mijëra hebrenj, në bashkëpunim me nazizmin gjerman, i degdisi për në kampet gjermane të shfarosjes në masë.

Ndërkohë, ditët e fundit, një tjetër mendje e lajthitur greke, del para opinionit publik grek dhe botëror me një tjetër deklaratë paradoksale, në të cilën kërkohet të bëhet kokë turku dikush tjetër për krizën greke. Analisti Meral Tamer shkruan:

“…vëmendjen time e ka tërhequr libri i ministrit të financave Janis Varufaksis (Yanis Varufaksis), me titull “Minotauri global”. Me gjithë rreptësinë e vet shkencore, libri është shkruar në një stil letrar që është befasues për një ekonomist. Duke bërë një paralelizëm me minotaurin e Kretës, të cilit athinjotët ishin të detyruar t’i paguanin një haraç, Varufaksisi i quan “minotaur global” Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat, duke filluar prej viteve ’70 të shekullit të kaluar, vjelin një haraç nga pjesa tjetër e botës për financimin e buxhetit të vet dhe për deficitin e bilancit tregtar” (Citohet sipas: Meral Tamer. “Gjatë 200 vjetëve të fundit, flamurin e bardhë të falimentimit e patën ngritur 83 vende”. “Milliyet”. Marrë nga faqja e internetit “inosmi.ru’. 03 korrik 2015).

Duhet të jesh prift apo politikan i lajthitur grek që të dalësh në publik me deklarata të tilla marroqe. Sipas tyre, “fajin” për malet me para që Greqia ka marrë borxh nga kreditorët e huaj, e paskan hebrenjtë e mbarë botës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Sipas mendësisë greke, nuk mund të jetë ndryshe, se grekët gjithnjë janë mësuar vetëm të zhvatin dhe kurrë të mos japin. Se, sipas tyre, siç u përmend më lart, kryeedrejta e njeriut na qenka, demek, mospagimi i taksave! Një paradoks i pastër ky me autorësi greke.

Evropa Perëndimore, tradicionalisht, ka ushqyer një dashuri përvëlimtare për Greqinë. Për ç’arsye? Mos ndoshta për pozicionin e saj gjeografik? Për ishujt e shumtë për pushime turistike? Për gjatësinë e vijës bregdetare, e cila, ishullore dhe kontinentale, arrin në 14 mijë kilometra? Apo për monoteizmin e saj ortodoks?

Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se në këtë dashuri çmendurake të Evropës Perëndimore ndaj Greqisë, ka një paradoks: si është e mundur që Greqia, duke mos qenë kurrë një vend demokratik, të gëzonte dhe të vazhdojë të gëzojë gjithë atë përpkrahje të gjithanshme nga ana e Perëndimit demokratik? Se një vend, i cili, ashtu si edhe në mesjetë, vazhdon të mbetet nën pushtetin e fesë, nuk mund të jetë kurrsesi demokratik. Perëndimi vetë e ka larguar me kohë fenë nga shteti, kurse Greqinë e ka toleruar për t’i dhënë fesë një pushtet të pakufizuar. Dhe domosdo që ky pushtet i pakufizuar i fesë në Greqi, nuk mbahet me lëmoshat e besimtarëve, por ka në themel malet me para nga kreditë e huaja që shteti grek ia ka vënë në dispozicion pa kurrfarë kufizimi.

Një tjetër gazetar francez shkruan:

“Në Greqi, kisha, pavarësisht nga autonomia e saj, nuk është e ndarë absolutisht nga shteti. Priftërinjtë janë funksionarë shtetërorë me mjekra të gjata dhe me veladonë të zinj. Ata t’i zë syri gjithandej. Ata përurojnë shkolla në një mënyrë solemne, u thurin himne fitoreve sportive, janë në krye të qoshes në ditët e festave. Dy shtylla ka shoqëria greke: ushtrinë dhe kishën. Kjo  ka bërë që, në vjeshtën e vitit 2011, qeveria e Jorgos Papandreut, objektet në pronësi të kishës, t’i çlirojë nga një taksë e posaçme në kohë krizash që e paguajnë të gjithë grekët.

E gjendur nën goditjet e kritikës, kisha qe mbrojtur me njëfarë statusi të veçantë, kurse paskëtaj filloi të tundte flamurin e ndihmës sociale: me kontributin e pamohueshëm financiar në jetën e njerëzve në nevojë”  (Citohet sipas: Маtjе Маrtiniеr (Mathieu Martiniere). “Në Greqi kisha është më e fuqishme se shteti”. “Slate.fr.” Marrë nga faqja e internetit “inosmi.ru”. 13 korrik 2012).

Gazetari francez citon fjalët e Effi Fokasit, një sociolog grek ky, drejtor i forumit të feve të shkollës londineze të ekonomisë, i cili thotë:

“Shtetit grek i ka hyrë frika nga reagimi i kishës, sepse kjo, historikisht, ka qenë pjesë përbërëse e rëndësishme e politikës” (po aty).

Duke qenë nën pushtetin e fesë, Greqia e ka pasur të pamundur të përqafonte vlerat e demokracisë dhe të kulturës perëndimore. Jorgos Kraloglu shkruan:

“Ka vetëm një rrugë për lulëzimin e vendit: të punojmë dhe ta sigurojmë vetë këtë lulëzim. Natyrisht që neve të gjithëve na e priste mendja se asgjë nuk mund të ndërtohet mbi bazën e sistemit politik bashkëkohor dhe të parullës së tij: “Shpërndaji të gjitha paratë!”. Një shprehje kjo që kishte hyrë në fondin e fjalëve të urta, me të cilën kryeministri Andreas Papandreu i qe drejtuar ministrit të financave. Asgjë nuk mund të ndërtohet mbi bazën e ujdive të zuzarëve, e shkërmoqjes së shtetit, e mungesës së ligjit, mbi themelet e mashtrimit, të cilat kanë qenë burimet kryesore të të ardhurave, të qarkullimit të parasë dhe të mirëqenies. Asgjë nuk mund të ndërtohet, bazuar në idenë e marrjes së borxheve, për të cilën ne tani jemi duke e pësuar dhe për të cilën kanë për ta pësuar edhe fëmijët tanë, minimumi gjatë dy dhjetëvjeçarëve… Greqia mendon sikur i përket Perëndimit, por, në të vërtetë, ajo nuk ka hedhur asnjë hap përtej Ballkanit… Shtimi i rendimentit të punës në sektorin shtetëror dhe zbatimi me etikë i ligjeve, janë detyrime që do të na krijojnë mundësinë të shkurtojmë prapambetjen nga vendet e kulturuara të Bashkimit Evropian” (Citohet sipas: Jorgos Kraloglu. “Greqia që kemi njohur ka perënduar një herë e përgjithmonë”.Capital.gr”. Marrë nga faqja e internetit “inosmi.ru”. 28 nëntor 2012).

E pra, ja cila është Greqia e vërtetë, e cila zyrtarisht quhet anëtare e Bashkimit Evropian, por që, në të vërtetë, edhe si “demokraci”, edhe si “kulturë”, ka qenë dhe vazhdon të mbetet brenda caqeve të Ballkanit, shumë larg standarteve të demokracisë dhe të kulturës së Evropës Perëndimore. Prandaj ka shumë të drejtë analisti amerikan Robert D. Kaplan (1952), i cili Greqinë e quan “dashnore të Perëndimit” dhe “grua të Lindjes” (sipas librit me titull “Greqia dashnorja e Perëndimit, gruaja e Lindjes”. Shtëpia Botuese “Dituria”. Tiranë, 2002).

Ndërkohë, është vënë re se Greqia, kohët e fundit, për shkak të krizës ekonomike që e ka mbërthyer keqas nga mali i kredive të papaguara, po shikon me bisht të syrit nga “shtrati i burrit të saj të ligjshëm”: e ka kthyer një antenë nga Moska. Siç është bërë e ditur, kryeministri grek Tsipras, para do kohësh ka vizituar Moskën. Mandej, sipas një njoftimi të ditëve të fundit, “…udhëheqësi i SIRIZËS ka parashikuar një tjetër vizitë në Moskë edhe në muajin shtator të këtij viti… për të zhvilluar bisedime me qeverinë ruse” (Citohet sipas:  “Vizita e Aleksis Tsipras-it në Moskë”. Marrë nga faqja e internetit “Grekomania”. 02 korrik 2015).

Po si duhet vlerësuar kjo lëvizje e fundit e Athinës drejt Moskës? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le t’ia lëmë fjalën një analisti rus. Ky është Matvej Ganapolski 1953), i njohur si gazetar, si regjisor teatri dhe si një figurë publike, i cili, që prej vitit 1991, drejton radiostacionin “Jehona e Moskës. Në të njëjtën kohë, ai është edhe drejtues i një rubrike të gazetës “Moskovski komsomolec”. Ai përshkruan një tablo të botuar në faqet e internetit, në të cilën një klysh ariu athinjot, diku, në njërin breg të një ngushticë detare, ka marrë drejtimin drejt një horizonti të kaltër, duke u kapur pas një kthetre të një ariu paqësor rus. Ndërsa përballë tij, në bregun tjetër, në ca degë shkarpash gjëmbaçe, janë varur dy flamuj: poshtë – flamuri i Bashkimit Evropian, kurse lart – flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Klyshi i ariut athinjot, me flamurin grek përpara vetes, ka kthyer kokën nga të dy flamujt e lartpërmendur dhe u ka nxjerrë gjuhën.

Dhe analisti vazhdon komentin e vet:

“Dy fjalë për faktin se çfarë fshihet pas asaj tabloje:

Greqia mori një mal me kredi nga Bashkimi Evropian. Pastaj ia mori valles Sirtaki (është një valle popullore që është krijuar në vitin 1964 për filmin  “Greku Zorba”. Vallen dhe muzikën që e shoqëron, e ka krijuar kompozitori Mikis Teodorakis (1925). Kjo valle nganjëherë quhet “Vallja e Zorbës” E.Y.). Paratë  mbaruan. Mori përsëri një mal me kredi. Ia mori valles përsëri. Paratë mbaruan. Atëherë bolsheviku kryeministër Tsipras shpalli referendumin nëse duheshin shlyer borxhet. 61% thanë: “të mos shlyhen!” (Në këtë mes duhet nënkuptuar se njerëzit votuan jo vetëm “për të mos i shlyer”, por edhe “për t’i braktisur bisedimet për punën e shlyerjes”, në kuptimin: “unë nuk t’i jap dhe ti mos m’i kujto!”). Domethënë, shumica e njerëzve votoi për t’i braktisur kreditorët. Me sa duket, kjo është braktisja më e madhe masive në histori nga ana e vendit të Sofokliut, të Euripidit dhe të Fidit. Tani Greqia nuk e do më Perëndimin që i pati dhënë para, por do Putinin, sepse ky nuk e do Perëndimin. Sot, Greqia, duke ia marrë përsëri valles Sirtaki, me sa duket, pret ndihmë materiale nga Rusia, sepse, si puna e asaj damës së profesionit të kryelashtësisë, pranon të jetë trevë e subvensionuar e kujtdo qoftë. Si puna e Abhazisë dhe e Osetisë së Jugut, fjala vjen. Për ariun paqësor rus, ky është një shans që, për punë kredish, ta detyrojë Greqinë të dalë nga Bashkimi Evropian, të hyjë në Bashkimin Doganor (që përfshin Bjellorusinë, Kazakistanin, Rusinë, Armeninë dhe Kirkizinë, si një territor unik doganor – E.Y.) dhe të vendosë në territorin e Parfenonit (monument i arkitekturës antike, një tempull i lashtë grek ky që ndodhet në Akropolin e Athinës E.Y.) nja dy “Iskanderë” (raketa ruse E.Y.) paqësorë të paanshëm, për të drejtën e grekëve për të vazhduar të hedhin vallen “Sirtaki”, për të dërguar në Moskë ullinj dhe për t’u rrëfyer turistëve për heroizmin e stërgjyshërve, duke demonstruar gërmadha para syve të tyre. Dhe grekët do ta pranojnë një gjë të tillë se ata udhëhiqen nga shpirti i parazitëve të majtë. Të gjitha legjendat për ta janë thjesht legjenda. Përfundimi: referendumi në vendet e plebejve zbulon se masa kryesore e qytetarëve nuk është gjë tjetër, veçse një kope hajdutësh. Greqia, kam shpresë, do të fundoset, duke nxjerrë një mësim të mirë. Kurse historia do ta përfshijë këtë referendum në eposin e saj, sepse ky është monumenti më i thekshëm i saj dhe i historisë së saj të dikurshme, të harruar me kohë e me vakt” (Citohet sipas: Matvej Ganapolski. “Greqia, kam shpresë, do të fundoset, duke nxjerrë një mësim të mirë”. Marrë nga faqja e internetit politolog.net”. 07 korrik 2015).

Tani, së pari, “dashnorët perëndimorë” “dashnores greke”, duhet të tregohen një çikëz të mëshirshëm dhe t’ia lirojnë pakëz lakun që i kanë hedhur në fyt. Nuk duhen harruar kaq lehtë dhe kaq shpejt vitet e “dashurisë përvëlimtare”, kur Greqia kacagjelohej dhe ledhatohej tërë afsh në prehrin e tyre. Se duhet pranuar që “dashnorët perëndimorë” vetë e kanë fajin se paskan qenë fare kaqolë nga trutë kur “dashnores greke”, për vite e vite me radhë, i dhanë male me para, duke harruar faktin që “dashnorët” asaj i duheshin për qejf, kurse “burrin” ajo  e do për hall. Prandaj asaj nuk mund t’i shtrohet kërkesa për kthimin e borxheve gjigante se s’ka ku t’i gjejë paratë.

Së dyti, kreditorët perëndimorë nuk kanë dashur ta marrin parasysh një paralajmërim të ish-presidentit grek Karamanlis, i cili, në vitin 1981, pikërisht atëherë kur Greqia u pranua në Bashkimin Evropian, pati deklaruar:

“Greqia është një azil të çmendurish” (Citohet sipas librit të lartpërmendur të analistit Robert D. Kaplan, f. 40).

Pra, Bashkimi Evropian, në formë kredish, i pati ofruar male me para një azili të çmendurish. Vetë e ka fajin se me azilin e të çmendurve nuk merret kush. Prandaj le të heqë dorë nga kërkesa për kthimin e borxheve. Por mund të gjendet edhe një rrugëzgjidhje. Se Greqia nuk do të jetë në gjendje kurrën e kurrës të shlyejë një borxh prej 350 miliardë dollarësh.

Nga të dhënat e shtypit dhe nga faqet e internetit, është bërë e ditur se politikanët pasanikë dhe oligarkët grekë kanë të depozituar në bankat e Zvicrës një kapital gjigant prej 600 miliardë dollarësh. Kryeministri Tsipras pse nuk i kërkon Bashkimit Evropian ta ndihmojë për t’i ngrirë këto shuma kolosale që ata i kanë grabitur nga kreditë e ardhura nga jashtë vendit dhe t’ia kthejë Bankës Kombëtare Greke? Me këto kapitale financiare mund të shlyhen borxhet për bukuri, vendi të shpëtojë një herë e mirë nga kthetrat e krizës ku e katandisi politika e PASOK-ut dhe e “Demokracisë së Re” dhe krerët e tyre të përfundojnë në bankën e të akuzuarve, si hajdutë kriminelë. Këtë të bëjë kryeministri Tsipras dhe jo të rri e të rrahë gjoksin se gëzuaka përkrahjen e shumicës së popullit grek. Se simpatia e popullit është si puna e shigjetës së peshores: një herë shkon përpara, një herë shkon prapa.

 

Tiranë, 14 korrik 2015

Kategori: Ballkanologji Etiketa: ,

Komunikimi estetik tradicional dhe bashkëkohor

16/11/2015 Lini një koment

Metin IZETI

 

KOMUNIKIMI ESTETIK TRADICIONAL DHE BASHKËKOHOR

Metin Izeti

Metin Izeti

Filozofia, në përgjithësi, dhe ajo e artit, në veçanti, ka bërë përpjekje maksimale për konceptimin e unitetit esencial të botës, por ama përmes vendqëndrimeve të ndryshme metodologjike. Nëse themi që ky lloj i aktivitetit mendor e paraqet mendimin sistematik me të cilin mëtohet të ruhet relacioni konceptual i ideve të ndryshme në relacion me tërësinë dhe Një-shin, atëherë, krahas të gjitha problemeve që bota i ka në periudhën e fundit me mospërputhjet metodologjike të ideve filozofike dhe metafizike me metodologjinë e shkencës dhe teknologjisë pozitiviste, një proces i tillë i mendimit ende sot e kësaj dite e ka vendin e merituar në kuadër të mendimit të përgjithshëm dhe historisë së tij në shoqërinë njerëzore.

Për ta sqaruar në esencë thellësinë e shijes, mendimet rreth së cilës janë dhënë shumë si në të kaluarën ashtu edhe tash, gjithsesi se duhet ta kemi parasysh edhe mënyrën e komunikimit që i ngërthen në vete rezultatet e hulumtimeve dhe qasjeve filozofike dhe sociologjike, por edhe të atyre antropologjike dhe psikologjike. Si pasojë e kësaj do të kemi mundësi të zbresim në natyrën e fenomenit artistik, si gjatë krijimit të veprës artistike ashtu edhe në përjetimin e saj. Qysh herët Ibn Halduni ka theksuar se vetëm përjetimi estetik ka mundësi ta rrumbullakojë kornizën e veprimit kulturor. Në realitet, në periudhën klasike, rrjedhimisht në diskursin tradicional, paraqitet si fenomen aktiv social.

Konstatimi i Ibn Haldunit është i lidhur ngushtë edhe me ajetin e Kur’anit, ku i Madhi Zot thotë: “Thoni: “Kjo është “ngjyra” që na ka dhënë Allahu! S’ka “ngjyrë” më të bukur se ajo që jep Allahu! Ne vetëm Atë adhurojmë!” (Bekare, 2:138). Kjo thënie e diskuton platformën filozofiko-artistike të krijimit të Zotit në gjithësi dhe përqendrimin e fenomenit të përkushtimit përmes këtij botëkuptimi. Ndoshta ky është një nga problemet më të mëdha që i përjeton njeriu bashkëkohor në mungesën e kësaj qasjeje në diskursin bashkëkohor dhe, së bashku me të, edhe në gjenin e njeriut modern. Kur them modern nuk e kam parasysh vetëm njeriun modern me botëkuptime ateiste, por edhe atë me botëkuptime teiste, i cili fenë e ka zhveshur nga përjetimi i të bukurës dhe me të mbjell vetëm arrogancë, interes dhe shëmti.

Komunikimi tradicional, që në bazë e ka shpalljen, është një ngjarje sociale që kërkon ta inkuadrojë edhe kontributin e përmasës estetike dhe psikologjike. Qasjet e ndryshme të njerëzve ndaj orientimeve të caktuara të shijes nuk kanë të bëjnë fare me një vepër artistike të caktuar, në këtë rast gjithësinë, por ata e diskutojnë plasaritjen dhe çarjen e subjektit soditës në kuadër të historisë dhe hapësirës. Ndërkaq, sa i përket dallimit në pranimin e veprës artistike, ajo është vetëm e jashtme dhe kushtore, ndërsa nëse subjekti është absolut dhe total, universal dhe i tërësishëm. Vetëm atëherë veprat artistike mund të diskutohen si pasqyrime dhe hije të ndryshme, siç na mëson edhe Ibn Arabiu.

Ibn Arabiu çështjen e komunikimit e kupton si deklarim të veprës artistike dhe, përmes kësaj, e ka për qëllim popullaritetin që vepra artistike e ka në botëkuptimin pezhorativ dhe jokritik. Historia e artit dhe kulturës ka shembuj të pasur të llojeve të ndryshme artistike, të cilat janë deklaruar dhe popullarizuar më tepër se disa të tjera. Në këtë kornizë mund të vendoset drama, piktura, poezia etj., që kryesisht janë disiplina figurative. Ndërkaq në anën tjetër disiplinat jofigurative sikur kanë ngelur pak më prapa nga ky deklarim dhe komunikim, në veçanti në botëkuptimin tradicional artistik. Si pasojë e kësaj, kjo çështje është edhe një nga diskutimet kryesore të filozofisë dhe sociologjisë së artit bashkëkohor. Më saktë, problemi qëndron në konstatimin e realitetit se vlera artistike domosdoshmërisht e determinon komunikimin e veprës ose këto dy çështje janë inkompatibile? Problemi komplikohet edhe më shumë në çastin kur një numër i madh i artistëve “popullorë” në periudhën e tyre të veprimit kanë qenë totalisht të margjinalizuar. Nëse termi komunikim, që në kuptim të ngushtë do të thotë “deklarim” dhe që qëndron në lidhje të ngushtë me popullaritetin e veprës, nënkuptohet ngushtë si mundësi e auditorit që ta kuptojë dhe konceptojë veprën artistike, atëherë shpesh ndodh që ai të favorizohet në mesin e të tjerëve, por të mos e ketë kualitetin e duhur artistik. Tërë kjo varet prej konceptit të artit nga ana e subjektit, e kupton atë si element racional dhe vetëdijesor dhe i eliminon elementet e intuitës dhe mbiracionalitetit ose vepron anasjelltas. Prandaj lirisht mund të thuhet se dallimi midis komunikimit artistik-tradicional dhe atij bashkëkohor qëndron në këtë epiqendër.

Si pasojë e eliminimit të intuitës dhe kontemplacionit në vlerësimin estetik bashkëkohor është paraqitur edhe paragjykimi se intuita nuk e lejon komunikimin dhe deklarimin e veprës artistike në relacionin autor-auditor. Hegeli në veprat e tij e ka kundërshtuar fuqimisht këtë koncept dhe ka synuar që ta paraqesë forcën e prezantimit të idesë dhe konceptit të brendshëm përmes formës. Kjo ka ndikuar që ai mos ta përjashtojë edhe të shëmtuarën nga konteksti artistik dhe estetik.

Nga orientimi i mësipërm i komunikimit formal ka rrjedhur edhe qëndrimi bashkëkohor se arti “komunikativ” dhe “popullor” është më reprezentativ në paraqitjen e mimesisit/pasqyrimit të të përgjithshmes dhe konceptuales. Si rrjedhojë, vlera estetike është nxjerrë nga një akt joestetik, rrjedhimisht nga kuptimi jokritik i popullaritetit të veprës artistike.

Nëse themi që plani konceptual dhe ideor – në të cilën bazohet në mënyrë direkte ngjarja sociale – nuk është i rëndësishëm për artin modern, ndërsa nga ana tjetër tradicionalistët kanë dëshirë të na bindin se “rrjedha e ideve” e determinon “aftësinë komunikative”, atëherë domosdoshmërisht përballemi edhe me pyetjen: A nuk ka vallë në strukturën e veprës artistike “stil” dhe “poesis”, që lidhen me vlerat transpersonale? Nëse themi që nuk ka, atëherë gjithsesi duhet t’i kundërshtojmë idetë e Hegelit, që thonë se idetë e trajtësuara kanë kuptim filozofik dhe esencial vetëm nëse e reprezantojnë sa më denjësisht idenë. Një qasje e tillë e shkatërron në rrënjë momentin krijues të artit. Më saktë, vullneti dhe imagjinata krijuese e përfitojnë karakterin e rrënimit subjektiv pa ndonjë kuptim transpersonal. Sikur një konstatim i tillë të ishte i drejtë, atëherë nuk do të kishte dallim midis artit të bletës, ku ka një instikt artistik të verbër dhe jo shumë të qartë për ne dhe aktivitetit të artistit.

Molla Sadra Shirazi është përqendruar në këtë përmasë të komunikimit dhe ka folur për përjetimin intersubjektiv, që do të thotë se në këtë rast përjetimi nuk përvetësohet vetëm në kontekst objektiv dhe as vetëm në atë subjektiv individual. Struktura e intelektit, që te Molla Sadra e ka kuptimin edhe të shpirtit, në masë të madhe është e lidhur jo vetëm me angazhimin komunikativ të njeriut. Këtu bën pjesë edhe komunikimi i zbulesës hyjnore, imanente dhe brendahistorike, por më tepër me përmasën metahistorike dhe transpersonale të njeriut. Që këtu del ideja e tij e iluminimit të objektit nga transpersonaliteti absolut. Në këtë segment mund të kuptohet edhe konstatimi i Heidegger-it, i cili thotë se “Historia e mendimit dhe kulturës europiane bazohet në faktin se realiteti dhe qenia janë të kuptuara në përmasën lëndore dhe, si pasojë e kësaj, edhe “lënda e veprës artistike është konsideruar si përjetim estetik”. “Karakteristikë dalluese e artit bashkëkohor është që përjetimin e përmbajtjes e ka përqendruar në substancën dhe jo në konceptin dhe idenë. Si rrjedhojë, thotë Heideggeri, “arti i ri e paraqet aktin të cilit nuk i janë dhënë konceptet”.

Nuk është i rastësishëm as qëndrimi i Tost-it dhe Mierendorff-it që arti bashkëkohor është më “pak i kuptueshëm” se arti tradicional. Nëse do të përpiqemi që ta nxjerrim një teori estetike nga ky konstatim, atëherë mund të themi se arti bashkëkohor nuk e ngërthen dimensionin që e bën atë të kuptimtë dhe e afron me shpirtin. Pra, ai nuk e ka shkallën mbiracionale të intuitës dhe përjetimit imagjinativ. Si pasojë e kësaj edhe atëherë kur vizualiteti është shumë i qartë, vepra artistike nuk është e kuptueshme. Elementi i dytë, që nuk e ngërthen planin racional, por e ka atë imagjinativ, nënkupton se nuk është më pak i rëndësishëm dhe ka domethënie në kuptimin e tërësor të veprës artistike. Por, në një shoqëri ku parimi mbretërues nuk është artistik, vështirë pranohet esenca e vërtetë e artit, rrjedhimisht, dimensioni formativ.

Maurice Blanchot me plot të drejtë ka theksuar se ka dallim midis asaj që autori e mendon, që e ka mishëruar në vepër dhe domethënies së vërtetë të veprës. Si rrjedhojë, esenca e veprës artistike është në faktin që ajo nuk pranon të përfundojë, por është një proces permanent i mbindërtimit.

Nga kjo që u tha mund të konstatohet se arti tradicional është më ekzaltues dhe më i kuptueshëm, por më pak komunikativ se ai modern. Kjo është kështu për shkak se vepra estetike duhet të vlerësohet sipas elementeve estetike dhe jo atyre joestetike, rrjedhimisht sociologjike ose psikologjike. Me fjalë të tjera, vepra artistike tradicionale e ka autonominë e saj dhe për këtë gjallëron në të gjitha epokat, si p.sh. xhamia e Kordobës ose Katedralja e Kelnit, dhe kjo e bën atë sferë eminente të kulturës dhe zhvillimit njerëzor. Ndërkaq, nëse vepra estetike analizohet në bazë të elementeve joestetike, në bazë të komunikmimit populist ose “suksesit” formal, atëherë humben shumë elemente estetike dhe artistike të esencës së saj. Në përmasën sociale të veprës, botëkuptimi i komunikimit tradicional inkuadron këtu edhe mbulesën. Ajo nuk reduktohet në vepër thjeshtë historike, por me vete e bart edhe sqarimin e përmasës transhistorike dhe transpersonale të veprës artistike dhe vetëm ky element e mundëson “vazhdimësinë e përhershme” të veprës artistike.

Prandaj nuk duhet të harrohet fakti se në konceptin e gjerë të komunikimit është i rëndësishëm edhe dimensioni vlerësor i veprës dhe jo vetëm dimensioni trajtësor. Për shembull, Muhjuddin ibn Arabiu në Lindje ose Mjeshtër Eckharti në Perëndim nuk ka qenë i popullarizuar dhe komunikativ sa Gazaliu ose Thoma Aquinasi, por ama edhe dy të parët e kanë shprehur realitetin për evolucionin e letërsisë së shpirtit. Tash a duhet t’i ndalojmë të parët dhe t’i theksojmë vetëm të dytët ose anasjelltas? Duhet ta kemi parasysh se “ një vizion shprehet përmes mjeteve të caktuara të shprehjes, që i konvenojnë dhe që mund ta shprehin atë”. Në lidhje me këtë çështje shumë bukur tingëllon një thënie e Eugen Ionesco-s, i cili e definonn këtë realitet si distancim permanent dhe thotë: “Kur kemi dëshirë të flasim për çdokënd, atëherë nuk themi gjë për askënd. Gjërat që u interesojnë të gjithëve shumë rrallë janë brenda interesit të çdo njeriu individualisht. Në realitet, krijimi artistik në esencë është agresiv si pasojë e risisë që e paraqet. Ai shpeshherë shkon kundër auditorit të gjerë, e kundërshton pjesën më të madhe të publikut, ai shndrit me pazakonshmërinë e tij… Si rrjedhojë, disa herë vepra artistike mund të jetë jo shumë populiste në periudhë të caktuar.”

Kështu përfundimisht vijmë në konstatimin se për zhvillim artistik, si nga aspekti i pozitës së parë ose të dytë estetike, nevojitet qasje reale dhe pa paragjykime e të dy konstituentëve të strukturës artistike: tehna (përmasa artistike) dhe poiesis (kreativiteti). Bashkimi i këtyre dy elementeve, si në komunikimin artistik tradicional, ashtu edhe në atë bashkëkohor, do të kishte rezultuar me ndërtimin e konceptit të vërtetë të estetikes dhe komunikimit konkret përmes mjeteve artistike, ku e drejtpërdrejta dhe e tërthorta do të jenë të pajtuara në relacionin midis subjektit dhe objektit.

 

Burimi: http://shenja.mk/index.php/opinion-analize/31338-komunikimi-estetik-tradicional-dhe-bashkekohor.html

Abetaret shqipe dhe pavarësia kombëtare – vështrim rreth abetareve dygjuhëshe shqip-italisht

13/11/2015 Lini një koment

Prof. Dr. Njazi  KAZAZI & Ma. Lindita KAZAZI

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”

 

ABETARET SHQIPE DHE PAVARËSIA KOMBËTARE – VËSHTRIM RRETH ABETAREVE DYGJUHËSHE SHQIP-ITALISHT

abetare

Historia e abetareve të gjuhës shqipe është e vjetër dhe e lavdishme. Me abetaret janë të lidhura përpjekjet e shqiptarëve për mbijetesë përballë pushtimeve të njëpasnjëshme. Me përmbajtjen e tyre ato ndikuan fuqishëm në edukimin e gjeneratave të tëra me ndjenjat më të larta atdhetare dhe fisnike. Ato ndikuan në ruajtjen dhe mbajtjen gjallë të  gjuhës së ëmbël shqipe dhe trashëgiminë e saj brez pas brezi.

Abetarja, si asnjë libër tjetër në të gjithë rruzullin tokësor, lidhet ngushtë me jetën e çdo fëmije që ulet për herë të parë në bankat e shkollës. Me këtë libër fillon dhënia dhe përvetësimi i një kulturë dhe arsimimi të programuar. Me të mësojnë lexim-shkrimin në gjuhën amtare, por veçanërisht për ne shqiptarët ajo ka pasur funksione shumëplanëshe.

Rilindësit tanë e kanë konsideruar si  “abetare të parë” veprën e Pjetër Budit, që u botua në Romë, më 1621. Kalendari i Shoqërisë “Dija” në Vjenë, më 1908, në faqen 3 shkruan se “Më 1621, kur doli në dritë libri shqip “Speculum confessionis”, e të ndyerit Emz. Budi, u lind edhe i pari abetar shqip.[1]

Abetaret për nga metoda janë shumë të ndjeshme ndaj çdo hopi pedagogjik, ndaj çdo bumi teknologjik, duke iu përshtatur kurbës së zhvillimit të pandërprerë të didaktikës bashkëkohore. Këtu e gjen shpjegimin  dhe preokupimin e përfaqësuesve më të shquar të kulturës shqiptare që morën përsipër autorësinë e këtyre testeve, si: N. Veqilharxhi, K. Kristoforidhi, D. Boriçi, S. Frashëri, A. Kulluroiti, V. Ruso, N. Mjeda, L. Gurakuqi, P. Qiriazi, M. Logoreci, A. Xhuvani, K. Xhumari, R. Hoxha, Xh. Gega, Q. Batalli, M. Gjevori, Gj. Gjokaj, F. Camaj, A. Mustafa, F. Mjaku etj., etj. Por në vitet që po flasim, dolën edhe firma të reja si: Lef Nosi, Jashar Erebara, Nikolla Lako, Kolë Kamsi, Marko la Piana, Thoma Papa Pano, Dhimitër Paparisto, Shefqet Daiu, Simon Shuteriqi, Hafiz Ali Korça etj.

Gjatë punës për hartimin e monografisë “Abetaret shqipe dhe trajektorja e tyre historiko-pedagogjike”, së bashku me Prof. Dr. Shefik Osmanin[2], paraqitëm librin që u botua nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Tiranë, 2000, me 367 faqe, analizuam të gjitha abetaret e gjuhës shqipe gjatë gjithë periudhës deri tani dhe arritëm në përfundimin se:

Në jetën e saj mbi 168 vjeçare, ky tekst mësimor që numëron rreth 225 abetare shqipe dhe ribotime, në të gjitha trojet shqiptare dhe më gjerë, u lidh, si asnjë tjetër, me historinë e arsimit shqiptar, shkollën dhe gjuhën shqipe. Gjeografia e Abetareve shqipe është e gjerë dhe përfshin trojet shqiptare dhe jashtë tyre si në: Bukuresht, Stamboll, Bruksel, Sofje, Vjenë, Napoli, Selanik, Athinë, Paris, Milano, Bari, Worçester, Laipcig, Konstancë, Aleksandri të Egjiptit etj.[3]

Për  vetë kushtet historiko-shoqërore të Shqipërisë, abetarja kreu funksione të ndryshme, si:

  • Mjet pune për mësimin e gjuhës së shkruar shqipe dhe jo vetëm nga fëmijët, por edhe nga të rriturit.
  • Për mëkimin e idesë së lirisë kombëtare dhe shoqërore.
  • Mjet për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare.
  • Hapi rrugën dhe krijoi përvojën në fushën e teksteve tona origjinale shkollore etj.

Për nga koha krijimit të abetareve shqipe (kujtojmë se Naumi më 1845 botoi “Fare i ri

ëvetar shqip…” ) ne nuk jemi më të vonuar në krahasim me abetaret Ballkanike: të rumunit George Lazar (1820), të bullgarit Petrer Beran (1824), të serbit Vukë Karaxhiç (1827) dhe autorit të abetares greke [4].

Viti 1912 ishte “fatlum” edhe për botimin e abetareve shqipe. Vetëm këtë vit u botuan 7 abetare shqipe, ndryshe nga vitet e tjera që kishte një numër më të vogël, si p.sh.: më 1913: vetëm 2 abetare, 1914: 2 të tilla, 1915: 3, 1916: 3, 1917: vetëm 1, 1918: vetëm 1 dhe më 1919: 3 abetare shqipe.

Vitin e Pavarësisë së Shqipërisë, siç thamë, u botuan:

  1. Anonim: Abetari i vogël shqyp. “Nikaj”. Shkodër, 1912, 32 f.
  2. D/iogjen/ H/arito/: Abetari i gjuhës shqipe. Mot i parë. Athinë, 1912. 62 f. me il.
  3. D/iogjen/ H/arito/: Shtimi i abetarit shqip për çunat. Athinë, 1912. 56 f. me il.
  4. Anonim: (Editor Lef Nosi). Abetare shqipe për djelmoshët gegë. Shtypje e parë. Shtypshkronja Tregtare Nderkomëtare. Manastir, 1912. 16 f.
  5. Anonim: Abetare toskërisht. Përshtypjë e gjashtë. Sofje, 1912. 16 f.
  6. Anonim /Jashar Erebara/: Abeceja shqype e Kumanoves. Botim i Klubit shqiptar të Kumanovës. Supliment i gazetës “Shkupi”. Shkup, 1912.

abetare1Por ne do të ndalemi në abetaren shqip-italisht, duke e shikuar në një këndvështrim të ri, jo duke përsëritur ato që kemi thënë në botimin tonë.

  1. Anonim: Abetari për fmit qi msojnë shqip-italisht. Për msimoret e Shqipëries. / Il SILLABARIO për i bambini che studiano Albanese-italiano. Per le scuole d’Albania / . Botues “Antonio Vallardi”, Milano,  Genova, Roma, Napoli, 1912. 64 faqe me ilustrime dhe një 1 hartë. Teksti u botua në janar  të vitit 1912.

Nga përmbajtja e tij, trajtimi didaktik si dhe teknikat e shtypit, ky tekst ndryshon ndjeshëm në krahasim me ato tekste abetaresh të autorëve shqiptarë.  (Kujtojmë se në nëntor të vitit 1913, botohet nga ajo shtëpi botuese edhe teksti “IL COMPLIMENTO dell Sillabario albanese-italano”).

Në faqet e para të këtij libri jepen të gjithë tingujt-shkronjat e italishtes dhe shqipes me shembujt përkatës dhe me rregullat e shqiptimit. Këtu shihet dallimi i dy gjuhëve, në alfabetet përkatëse, duke bërë sqarimet e nevojshme për secilin rast.

Mësimet fillojnë me tingullin “i” dhe “u”, pastaj vijojnë me tingujt e tjerë. Në faqen 9 vijon puna  me rrokjet, siç thotë edhe titulli “Sillabario…”, nga italishtja “sillaba”, rrokje. (Këtë e gjejmë në një tekst tjetër, të viteve të fundit, “Dizionario di Didattica” di Leonardo Trisciuzzi, (Trishuci) Edizioni ETS, 2011, f. 439), ku thotë se “…silabari-rrokjësori (sillabario), është teksti shkollor, që shërbente për mësimin e leximit me rrokje, apo thënë ndryshe metoda e rrokjeve”. (Po aty, f. 378).

Si metodë për paraqitjen e tingullit të ri është përdorur ajo sintetike (saktësisht kombinimi i metodës së tingujve dhe i metodës rrokjesore, që zë vendin kryesor, ashtu siç vetë teksti italisht “Il sillabario…”, pra veprohet me këtë rrugë metodike: jepet tingulli i ri, bashkohet ai me të gjitha zanoret, duke ndërtuar rrokjet e hapura e të mbyllura, të mundshme si: va, vu, vo, ve, vi dhe av, uv etj. Dhe pjesën në gjuhën shqipe: ka, ku, ky, ko, ke, kë, dhe ak…etj. (Shih fotokopjet për librat në fjalë të bëra për  rrokjet: va… dhe ku…)

Në vitet që u botuan këto tekste, në Shqipëri ishin hapur disa shkolla nga Italia, si në Veri edhe në Jug. Këto tekste u përpiluan pikërisht për këto shkolla ashtu siç kuptohen nga titulli ato janë botuar“…për fmit qi mësojnë shqip-italisht”.

Ndryshe nga shumë abetare te tjera, që e fillojnë procesin e të mësuarit të gjuhës së shkruar nga leximi, në këtë tekst fillohet nga shkrimi. Kështu secila shkronjë e re vihet në fillim të faqes, paraqiten elementet e saj që janë viza të pjerrëta, të përkulura, ovale etj., të cilat duke u bashkuar formojnë shkronjën e re të dorës. Si model përdoret shkrimi i pjerrët.

Të dy tekstet kanë një vëllim prej 120 faqesh, shtypur sipas modelit të teksteve italiane, Nga përmbajtja e tyre, trajtimi didaktik si dhe teknika e shtypit, tekstet ndryshojnë ndjeshëm në krahasim me ato të autorëve bashkëkohës shqiptarë të botuara në Shqipëri dhe jashtë saj, me ilustrime shumë të bukura, bardh e zi.

Nga pikëpamja e vendit që zënë dy gjuhët “Abetari…” ndahet në dy pjesë: pjesa e parë prej 48 faqesh, ku mbizotëron gjuha italiane, ka vetëm pak fjalë dhe shpjegime shqip, kryesisht vetëm për tinguj-shkronja që ndryshojnë me italishten.

Ndërtimi i frazës shqip nuk është i pastër. Përdorimi i disa fjalëve herë gegërisht e herë toskërisht brenda një teksti. Ose fjalën Shqipëri e gjejmë në forma të ndryshme, si: Shqypri, Shqypni e Shqypënia,  (“Abetari…” f. 63 dhe “Përkrysimi …” f. 37),  ia ulin vlerat teksteve.

Pavarësisht nga këto që thamë, kemi mendimin se këto tekste janë një kontribut për gjuhën shqipe, aq më tepër të botuara nga një shtëpi botuese prestigjioze, dhe kanë ndihmuar nxënësit shqiptarë të kohës për mësimin e gjuhës amtare.

[1]. Shefik Osmani, Njazi Kazazi: Abetaret shqipe dhe trajektorja e tyre historiko-pedagogjike. Botim  i MASH dhe shtëpisë botuese “Idromeno”, Tiranë, 2000, f. 20.

[2]. Prof. dr. Shefik Osmani (1923-2012), pedagog e didakt i njohur, autor (dhe bashkautor) i më shumë se 40 veprave me karakter didaktik (i qindra artikujve) të cilat janë paraqitur në librin “Në gjurmët e një didakti” (Nga veprimtaria dhe trashëgimia e didaktit Sh. Osmani). Botim i Institutit të Kurrikulës dhe Standardeve, Tiranë, 2005, f.  444.

[3]. Sh. Osmani, Nj. Kazazi: “Abetaret shqipe…”. Botim i MASH. Tiranë, 2000, f. 13.

[4]. Po aty, f. 54.

 

Burimi: http://zaninalte.al/2015/02/abetaret-shqipe-dhe-pavaresia-kombetare-veshtrim-rreth-abetareve-dygjuheshe-shqip-italisht/

Këtë e pëlqejnë %d blogues: