Kreu > Studime orientale > Çfarë është orientalizmi?

Çfarë është orientalizmi?

Enis SULSTAROVA

 

ÇFARË ËSHTË ORIENTALIZMI?

Enis Sulstarova

Enis Sulstarova

Më në fund lexuesit shqiptarë po marrin në duar përkthimin e librit Orientalizmi, një studim që konsiderohet si klasik në shkencat shoqërore, qëkur u botua në anglisht në vitin 1978. Autori i tij është kritiku palestinezo-amerikan, Eduard Said, i cili deri ishte një nga intelektualët publikë të njohur në mbarë botën, jo vetëm për mbrojtjen që i ka bërë çështjes palestineze, por edhe për ndërhyrjet e tij mbi shumë çështje publike, që edhe sot janë shumë aktuale. Ai është autor i shumë librave dhe studimeve, por më shumë emri i tij është i lidhur me “Orientalizmin”.
Tashmë është bërë e pamundur që të flasësh për orientalizmin pa iu referuar këtij libri, madje për shumë studentë dhe intelektualë sot ka shumë gjasa që përballja e parë me termin dhe shkencën e orientalizmit të bëhet në radhë të parë me anë të librit të Saidit dhe jo me ndonjë tekst studimor, gjuhësor mbi Lindjen e Mesme, Kinën, apo Indinë. Në fakt, kjo është e vërtetë edhe për mua: takimi para dhjetë vjetësh me këtë libër në bibliotekën e universitetit ku studioja atëherë ka pasur një ndikim shumë të madh tek unë dhe ka qenë shtysa dhe frymëzimi teorik kryesor për të shkruar disa artikuj dhe librin Arratisje nga Lindja, që së bashku formojnë një kritikë të orientalizmit shqiptar. Prandaj, edhe në planin personal, shpresoj se botimi në shqip i Orientalizmit do të mirëpritet nga lexuesit tanë dhe do të shërbejë për të ndriçuar edhe më shumë realitetet e sotme në botë dhe në vendin tonë.
Jam i nderuar nga ftesa që më bëri Zekeria Ibrahimi nga shtëpia botuese “Logos” për të paraqitur para jush përkthimin e librit të Saidit nga i mirënjohuri Xhevat Lloshi. Në fjalën time shkurtimisht do të përpiqem të ofroj një kontekst të subjektit të librit, një përshkrim të argumentit të librit dhe do ta mbyll me rëndësinë që ka ky libër për kulturën dhe shkencat shoqërore shqiptare.
Me “orientalizëm” në gjuhën angleze kuptohet vepra e orientalistit, studiuesit të specializuar për njohjen e gjuhëve, kulturave, historive, shoqërive dhe politikës së Orientit. Shpeshherë përdoret për të karakterizuar një specializim brenda shkencave shoqërore, për të grupuar dijet dhe studiuesit e Orientit. Në gjuhë të tjera europiane ka terma të ngjashëm të barasvlefshme për “orientalizmin”. Orientalizmi si shkencë e ka zanafillën në shek. XVII kur në universitetet në Angli dhe Francë u themeluan katedra të posaçme për studimin e gjuhëve dhe kulturave arabe, hinduse, sanskrite etj. Lulëzimi i orientalizmit në vendet e Europës Perëndimore ndodhi pikërisht në kulmin e kolonializmit në shek. XIX dhe deri në mesin e shek. XX, kohë kur në Europë u lindi interesi për origjinën dhe klasifikimin e gjuhëve, racave dhe popujve të Europës dhe mbarë botës, interes ky që ushqehej edhe nga nacionalizmi. Me fillimin e shek. XX, pothuaj të gjitha shtetet europiane kishin katedra të specializuara të orientalizmit, apo të studimeve orientale.
Orientalizmi lidhej ngushtë me kolonializmin. P.sh. zhvillimi i departamenteve të orientalizmit në Angli dhe Francë në shek. XVII përkoi me interesin e këtyre vendeve për tregtinë me Lindjen e Mesme dhe më vonë edhe me Indinë. Kompanitë e tregtisë me Orientin dhe më pas administratat koloniale kishin nevojë për specialistë të gjuhëve dhe kulturave orientale. Nga ana tjetër, nënshtrimi i Orientit nga ana e fuqive europiane krijoi kushtet që “Orienti” të vihej në dispozicion si objekt studimi i orientalizmit: orientalët mund të studioheshin si objekt i përveçëm i dallueshëm prej aksidentalit dhe, në mënyrë të ndërsjellë, dija e prodhuar nga orientalizmi ofronte legjitimitet “shkencor” për sundimin europian të Orientit. Simbioza simbolike midis aventurës koloniale dhe orientalizmit është pjesëmarrja e një grupi shkencëtarësh në ekspeditën e Napoleonit në Egjipt për studimin e gjeografisë, gjuhës dhe kulturës së këtij vendi.
Me rënien e kolonializmit europian në vitet 1950-1960 edhe orientalizmi u përball me akuzën se i shërbente hegjemonisë intelektuale perëndimore dhe se vishte me një mbulesë “shkencore” paragjykimet perëndimore mbi Orientin dhe orientalët. Kritika më gjithëpërfshirëse dhe më dërrmuese ishte libri Orientalizmi i Eduard Saidit. Arsyet për këtë duhen kërkuar, së pari në përdorimin prej Saidit të termit “orientalizëm”. Në hyrjen e librit, ai sqaron se me “orientalizëm” shënon tre kuptime të ndërlidhura me njëri-tjetrin. I pari është një mënyrë të menduari, e formuar në Europën Perëndimore, që e ndan botën në dy pjesë: Perëndimin dhe Lindjen (Orientin). Kuptimi i dytë është tradita akademike e studimit të shoqërive, kulturave dhe gjuhëve orientale, traditë e krijuar jo vetëm nga orientalistët strictu sensu, por edhe nga historianët, sociologët, filozofët, ushtarakët apo shkrimtarët. Kuptimi i tretë është orientalizmi si tërësia institucionale, me anë të së cilës fuqitë koloniale europiane sundonin Orientin. Siç shihet, kritika saidiane drejtohet jo vetëm kundër disiplinës akademike orientaliste si e tillë, por edhe ndaj atyre konceptimeve kulturore që i japin një vend të privilegjuar Perëndimit ndaj Orientit, si edhe përdorimit të tyre si mekanizma për legjitimitetin dhe ushtrimin e pushtetit kolonial perëndimor mbi Orientin. Një nga shembujt që sjell Saidi është fraza që Lordi Kromer, bazuar mbi përvojën e tij shumëvjeçare si guvernator britanik në Egjipt dhe Indi shqiptoi gjatë një konference të orientalistëve britanikë: “orientali në përgjithësi vepron, flet dhe mendon në një trajtë që është krejtësisht e kundërt me atë të europianit”. Me këtë frazë Kromeri shpallte dallimin dhe papajtueshmërinë e Europës me Lindjen, por edhe pozitën e subjektit perëndimor që flet mbi Lindjen si objekt. Lindja paraqitet si një objekt pasiv, për të cilin Perëndimi është njëherazi vepruesi, spektatori dhe gjykatësi. Nën gjykimin e orientalizmit, Orienti nuk ishte bashkëbiseduesi i Europës, por “tjetri” i saj i heshtur.
Orientalizmi është i ndarë në tri pjesë: historia e hershme e orientalizmit, zhvillimi i tij dhe orientalizmi bashkëkohor. Argumenti i Saidit shpaloset në pjesën e parë, të titulluar “Horizonti i orientalizmit”. Aty ai thotë se orientalizmi përveçse një disiplinë akademike, përshkon të gjithë kulturën europiane, duke krijuar mitin e “Orientit”, i cili formon mendimet dhe opinionet e shumë europianëve edhe sot e kësaj dite. Përshkrimet perëndimore të Orientit i paraqesin orientalët sipas disa klisheve të rrënjosura thellë në kulturën perëndimore: mizorë, irracionalë, sensualë, të korruptuar, dinakë etj. Në pjesën e dytë, të titulluar “Struktura dhe ristruktura orientaliste”, autori përqendrohet në zhvillimin e orientalizmit modern, duke marrë në analizë tekstet e shkencëtarëve, romancierëve, politikanëve dhe udhëtarëve europianë të njohur, si Renan, Flober, Shatobrian, Lamartin, Dizraeli, Hygo, Marks etj. Në pjesën e tretë, të titulluar “Orientalizmi tani”, Saidi, midis të tjerash argumenton edhe se në gjysmën e dytë të shek. XX orientalizmi është vënë në shërbim të imperializmit amerikan dhe interesave të tij strategjike në Lindjen e Mesme. Në këtë fazë, kritika e Saidit drejtohet ndaj orientalistit të njohur dhe të përkthyer edhe në gjuhën shqipe, Bernard Ljuisit. Sipas Saidit, Ljuisi, nën mantelin e shkencës, ka kontribuar në krijimin e opinioneve se islami nuk është thjesht një fe, por është një ideologji kundërsemitike, agresive dhe dogmatike dhe, sipas Saidit, kjo bën pjesë në strategjinë për t‘u mohuar palestinezëve të drejtën e vetëvendosjes dhe protestës përballë pushtimit dhe kolonizimit sionist të vendit të tyre.
Kritika e Saidit ndaj orientalizmit nuk duhet parë si një sulm kundër Perëndimit dhe si një mbrojtje e Orientit, islamit, apo arabëve. Ajo është një përpjekje për të treguar se koncepte si “Perëndimi” dhe “Lindja” nuk korrespondojnë me ndonjë realitet të qëndrueshëm apo fakti natyror, por janë konstruksione shoqërore për të krijuar dhe përforcuar identitetet. Me gjithë meritat që mund të kenë kontributet e orientalistëve të veçantë, Saidi e kritikon orientalizmin si një sistem mendimi që u qaset nga një këndvështrim esencialist realiteteve heterogjene dhe dinamike.
Që nga botimi i Orientalizmit në vitin 1978 debatet për këtë libër nuk kanë reshtur. Ai është përkthyer në shumë gjuhë të botës, duke ngjallur debate në kontekstet përkatëse. Lexuesve shqiptarë u është dhënë rasti që të lexojnë një përgjigje të Bernard Ljuisit të përfshirë në librin Islami dhe Perëndimi. Një debat mjaft të ashpër Saidi ka pasur edhe me Ernerst Gellnerin, edhe ky një autor i përkthyer në gjuhën shqipe. Zhvillimet e fundit politike në Lindjen e Mesme e kanë rigjallëruar debatin, i cili po vazhdon edhe pas vdekjes së Saidit. Nëse Ljuisi është një shembull i atyre që e kanë hedhur poshtë tërësisht argumentin e Saidit mbi lidhjen e orientalizmit me imperializmin politik dhe kulturor, të tjerë studiues e kanë përdorur kritikën ndaj orientalizmit në kërkimet e tyre në fusha të ndryshme. Tashmë Orientalizmi është tekst që lexohet në disiplina si studimet kulturore, historia, studimet paskoloniale, sociologjia, shkencat politike, antropologjia, kritika letrare etj.
Disa studime të frymëzuara nga Orientalizmi i Saidit kanë mbuluar edhe realitetet shqiptare dhe ballkanike dhe të përkthyera në gjuhën shqipe kemi tri prej tyre. I pari është nga Katerina Fleming, Bonaparti mysliman: Diplomacia dhe orientalizmi në Greqinë e Ali Pashës, ku autorja paraqet argumentin shumë interesant dhe provokues se Ali Pashë Tepelena në negociatat e tij me diplomatët perëndimorë, i njihte klishetë orientaliste me të cilat këta të fundit e konceptonin Aliun dhe ishte disa herë e ktheu këtë situatë në avantazhin e tij. Studimi i dytë ka për autore Maria Todorovën dhe titullohet Ballkani i imagjinuar. Argumenti i saj është se në konceptet perëndimore Ballkani është parë si një “tokë e ndërmjetme”, njëherazi si europian dhe si joeuropian. Prandaj ajo e modifikon tezën e Saidit dhe flet për ballkanizmin si të dallueshëm nga orientalizmi. Studimi i tretë, është ai i Norma Cigarit, Roli i orientalistëve serbë për justifikimin e gjenocidit ndaj myslimanëve në Ballkan, është botuar nga Logos A. Autori shpjegon se si akademikët serbë në shkrimet e tyre orientaliste legjitimonin dhe justifikonin gjenocidin që serbët tentuan të shkaktonin ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve të Kosovës në vitet 1990.
Kontributi i Saidit është shumë i rëndësishëm edhe për studimin e shndërrimeve kulturore dhe politike në kuadër të modernizimit dhe të komb-formimit në vende që janë konsideruar si midis Perëndimit dhe Lindjes. Gjatë valëve të modernizimit në shek. XIX-XX, elitat nacionaliste anembanë botës kërkonin që vendet dhe popujt e tyre t‘i përngjanin në disa drejtime Perëndimit, që merrej si etalon i modernizimit dhe njëkohësisht të largoheshin nga “Orienti”, tek i cili përmblidheshin të gjitha elementet jomoderne apo kundërmoderne. Një vend i tillë midis Perëndimit dhe Lindjes është edhe Shqipëria. Siç jam përpjekur të argumentoj në librin tim Arratisje nga Lindja: Orientalizmi shqiptar nga Naimi te Kadareja, intelektualët shqiptarë që nga Rilindja Kombëtare e deri në ditët tona e kanë konceptuar subjektin e kombit modern shqiptar si një popull europian që duhet të “arratiset” nga primitivizmi, barbarizmi, prapambetja lindore e trashëguar nga periudha osmane. Orientalizmi shqiptar ka qenë pjesë përbërëse e përfytyrimit të elitave politike dhe kulturore shqiptare dhe janë përshtatur me sistemet politike dhe marrëdhëniet shoqërore të periudhave të njëpasnjëshme gjatë shek. XX: autoritarizmi i viteve 1920-1930, komunizmi i viteve 1945-1990 dhe tranzicioni demokratik i viteve 1990-2000.
Siç shihet, Orientalizmi i Eduard Saidit ka qenë deri diku i pranishëm në botën kulturore dhe intelektuale edhe përpara se ai të botohej. Prandaj përkthyesi Xhevat Lloshi dhe shtëpia botuese “Logos A” kanë kryer një punë të lavdërueshme dhe mjaft të dobishme duke na e dhënë atë në gjuhën shqipe. Në këtë mënyrë plotësohet një mungesë dhe u jepet shansi lexuesve shqiptarë të studiojnë një nga tekstet më me ndikim që qarkullojnë sot nëpër botë, me autor një nga intelektualët më të shquar që ka lënë gjurmë në shek. XX dhe vazhdon të ndikojë brezat e lexuesve dhe studiuesve në shekullin e ri.

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: