Hyrje > Europa dhe Turqia, Orientalizmi shqiptar > Evropa, Turqia dhe Shqipëria

Evropa, Turqia dhe Shqipëria

Enis SULSTAROVA

 

EVROPA, TURQIA DHE SHQIPËRIA

EU-Turqi

Disa erdhën prej kufirit
e thanë se nuk ka më barbarë.
Ç’do të bëhemi tani pa barbarët?
Ata do të kishin qenë një lloj zgjidhje.

Konstandin Kavafi “Duke pritur barbarët”

 

Megjithëse bisedimet për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian janë hapur në vitin 2005, duket se finalizimi i tyre është ende larg. Përveç shumë çështjeve të tjera politike e ekonomike që Turqia duhet të diskutojë dhe negociojë me Brukselin, për një pjesë të evropianëve ekziston edhe çështja e identitetit që e ndërlikon hyrjen e këtij vendi në BE, diçka kjo që nuk ka qenë pengesë për asnjë vend tjetër para saj. E thënë shkurt, për një pjesë të evropianëve Turqia nuk kualifikohet si një shtet evropian, megjithëse ajo merr pjesë ne ngjarje të tjera panevropiane si Liga e Kampionëve apo Konkursi Evropian i Këngës.

Tashmë qeveritarë të lartë të Francës dhe të Austrisë e kanë shpallur se miratimin e fundmë të hyrjes së Turqisë në BE do t’ua linin referendumeve popullore, një praktikë që deri tani nuk është zbatuar për pranimin e anëtarëve të rinj. Në disa raste Turqia konsiderohet si pasardhëse e Perandorisë Osmane dhe prandaj refuzohet pranimi i saj në BE. Një ish-anëtar i Komisionit të BE-së, madje është shprehur se, nëse Turqia pranohet në BE, “çlirimi i Vjenës [prej rrethimit osman] më 1683 do të ketë ndodhur më kot”. Eshtë interesant ky referim te historia e përgjakshme me osmanët, a thua se Evropa para ardhjes së osmanëve dhe pas rënies së perandorisë së tyre ka qenë një kontinent i paqmë. Fjala vjen, Gjermanisë nuk i mohohet statusi i një vendi evropian, edhe pse akoma janë të freskëta në kujtesën kolektive gjenocidi çifut dhe masakrat e tjera të Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht që në rastin e Turqisë shprehet nga një pjesë e evropianëve një antagonizëm më i thellë. Për këtë arsye shumë studiues mendojnë se te kundërshtimi ndaj anëtarësimit të Turqisë në BE vërehet pasiguria e shumë evropianëve me procesin e thellimit dhe të zgjerimit të BE-së. Ata do të donin që kufijtë politikë të BE-së të përkonin me kufijtë që ata i përfytyrojnë si caku i qytetërimit evropian/perëndimor, përtej të cilit janë “barbarët”.

Debati mbi pranimin e Turqisë në Evropë (sepse BE-ja edhe pse nuk shtrihet në të gjithë kontinentin, dëshiron të veprojë dhe të shihet nga palët e treta si përfaqësuese e idesë së Evropës) është ndjekur me interes nga intelektualët shqiptarë dhe jo rrallë gjenden referime për Turqinë në shkrimet e tyre për marrëdhëniet e Shqipërisë me Evropën. Për ta kuptuar pse ndodh kjo, duhet të hedhim vështrimin te mënyra se si imazhet e turqve dhe të Turqisë janë përdorur gjatë formimit të identitetit tonë kombëtar.

Tiparet e identitetit kombëtar shqiptar u artikuluan prej intelektualëve shqiptarë gjatë gjysmës së dytë të shek XIX. Siç ka ndodhur edhe me nacionalizmat e tjerë ballkanikë të kohës, ideali i nacionalistëve shqiptarë ishte krijimi i një shteti kombëtar dhe modern sipas modelit të shteteve kombëtare të Evropës Perëndimore. Në përpjekjen për t’u çliruar prej Perandorisë Osmane, ata përdorën stereotipin orientalist të “turkut despot” që ishte formuar në Evropën iluministe, ku që nga Monteskjeja ishte bërë e modës së qeverisja e arsyeshme dhe e ndritur evropiane të krahasohej me sundimin irracional në Orient. Në mënyrë të ngjashme, rilindësit vinin përballë kombit shqiptar, që e përfytyronin si kombi më i lashtë i Evropës, atë turk që e paraqisnin si aziatik e barbar. Për shembull, Sami Frashëri te vepra e mirënjohur “Shqipëria çka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, shkruan: “Na ç’kemi me ta? A mos erthmë me ta? Jo kurrë! Na s’jemi as Turqi, as të ardhurë nga shkretëtirat e Asisë. Na jemi m’i vjetri komp i Evropësë; kemi të drejtë në dhet’ t’Evropësë më tepër se çdo komp”. I vëllai, Naimi, shkroi poemën e parë historike të Skënderbeut me theks nacionalist, ku midis të tjerash përshkruhet edhe sulmi barbaro-aziatik turk (“kur nj’e madhe egërsirë/ duke dalë pej Asije/ u përhap si errësirë/ dh’e mbuloj botën si hije”) ndaj Shqipërisë mesjetare që ai e përshkruan me tone idilike si një vend ku mbretëronte urtësia, paqja, kamja, nderi, drejtësia, dashuria, miqësia e besa. Duhet kujtuar se Samiu, Naimi dhe rilindësit që vepronin brenda Perandorisë nuk ishte të huaj për shoqërinë osmane. Në njëfarë mënyre, ata Stambollin e shihnin si vendin e tyre, në ndonjë rast ndoshta edhe më shumë se sa qytetin apo fshatin shqiptar ku kishin lindur. Samiu sot në Turqi konsiderohet si babai i gjuhës moderne turke dhe ai në shkrimet e tij turqishten si “gjuha jonë amtare”, ndërsa turqit e Azisë Qendrore i përshkruan si “të parët tanë”. Mirëpo duke rënë në kontakt me idetë iluministe, romantike e nacionaliste të kohës, ata e përvetësuan edhe orientalizmin evropian për ta përdorur si arsenal ideologjik për atë që ishte një çështje urgjente e kohës: fati i shqiptarëve në prag të rënies së Perandorisë Osmane.

Gjithsesi, te Rilindja Kombëtare e ka zanafillën varianti shqiptar i orientalizmit, i cili pas pavarësisë u institucionalizua në historiografi, letërsi, arte etj., duke përforcuar imazhin e turkut si “tjetri oriental” i kombit shqiptar. Së bashku me të u përhap edhe miti i shqiptarëve si shpëtimtarë të qytetërimit evropian prej barbarisë aziatike, diçka që propagandohej edhe gjatë komunizmit, me gjithë urrejtjen e regjimit ndaj Perëndimit borgjez. Në një nga pllakatet e muzeut Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë, epopeja e kryengritjes shqiptare në shek. XV kundër turqve paraqitet në të njëjtin plan së bashku me ndaljen e saraçenëve në Puatje të Francës dhe me ndaljen e “invazionit barbar në Valshtad” (?), një seri kërcënimesh këto ndaj “zhvillimit evropian”.

Sot në shkrimet e disa intelektualëve për marrëdhëniet e Shqipërisë me Evropën dhe për integrimin e Shqipërisë në BE, sërish rishfaqen turqit dhe Turqia. Ismail Kadare dhe intelektualë të tjerë kanë popullarizuar tezën e ndarjes së dyfishtë të shqiptarëve nga Evropa, “kontinenti mëmë”: një herë në shek. XV kur shqiptarët ranë nën zgjedhën osmane dhe një herë në shek. XX kur u vendos në vend regjimi komunist. Gjysmë shekulli totalitarizmi komunist në Shqipëri shpesh shpjegohet si një rrjedhojë e drejtpërdrejt e sundimit turk, që do të thotë që sikur ky i fundit të mos kishte ndodhur, as komunizmi nuk do të kishte qenë ai që ishte dhe Shqipëria do të kishte pasur një histori dhe zhvillim “normal” evropian. Ky është një lloj historicizmi banal, ku çdokush ndjehet komod duke fajësuar turkun që na ka sjellë të gjitha të zezat. Të paktën, siç shkruan Piro Misha, integrimi evropian sot po na i mjekon plagët e historisë: “…çdo hap më tej në këtë rrugë, është një hap më larg ndikimit të trashëgimisë osmane, njëlloj siç po i largohemi për vit e më shumë ndikimit që vazhdon të ketë periudha, gjithsesi mjaft më e shkurtër, e Enver Hoxhës” (“Panorama”, 21.02.2010).

Mund të mendohej se teza të tilla sempliste që rreken të shpjegojnë gjithçka me “turkun barbar” do të ishin një dukuri kalimtare e viteve të para të tranzicionit, kur Evropa shihet ende konceptohej në mënyrë mitike nën efektin e izolimit të gjatë të vendit. Mirëpo, na del se intelektualët tanë nuk bëkan dot pa na kujtuar turqit, se afrimin e Shqipërisë me BE-në do ta lidhin patjetër me fantazmën e turkut. Shembujt prej viteve të fundit janë të shumtë. Në një referat të Ëilly Kamsit në konferencën “Kleri katolik shqiptar dhe parimet e demokracisë perëndimore” të vitit 2004, ndeshim edhe këtë pasazh “Shqipnia dhe populli shqiptar janë Europë dhe nuk do të ketë forcë që të mund t’i detyrojë të jenë ndryshe. Këtë, ndoshta, mund ta dojë nji pakicë, e përbame nga stërnipa të kolonëve të vjetër aziatikë që zunë vend në Shqipni, fill mbas e gjatë pushtimit të turqëve osmanllinj, pakicë që don t’i imponohet shumicës së madhe të shqiptarëve, me nji pjesë të të cilëve kanë fe të përbashkët, por jo përkatësinë etnike”.

Ismail Kadareja ka shpjeguar se një nga shtysat për të shkruar esenë aq të diskutuar për identitetin evropian të shqiptarëve ishte për t’u shpjeguar evropianëve se shqiptarët nuk janë turq, ngaqë jo shumë kohë më parë votuesit në Francë dhe Holandë kishin hedhur poshtë Traktatin Kushtetues të Evropës, vetëm e vetëm sepse nuk i donin turqit në BE (“Shekulli”, 26.06.2006). Mustafa Nano mori shkas nga debati Qosja-Kadare për të na kujtuar se megjithëse qytetërimi i masës së shqiptarëve është oriental, ai ka qenë në tërheqje përpara ndikimit perëndimor të kulturës së elitës që nga shek. XIX. Ndërsa në Turqi punët janë ndryshe: atje qytetërimi oriental është autokton dhe “i kreshpëruar”, prandaj ky vend po përshtatet me shumë vështirësi me qytetërimin evropian (“Shqip”, 22.05.2006).

Aktualisht, Nano redakton një rubrikë në revistën e përjavshme “MAPO”, ku fton njerëz publikë që t’i përgjigjen një liste standarde prej 25 pyetjes për historinë, gjuhësinë, letërsinë e politikën shqiptare, zotin, besimet fetare e çështje personale. Një nga pyetjet e listës së tij është: “E kuptoni apo e qortoni merakun e shumë evropianëve lidhur me anëtarësimin e Turqisë në BE?” Kjo pyetje duket si e pavend midis të tjerave që janë kryesisht për Shqipërinë, por ajo krijon përshtypjen se anëtarësimi i Turqisë në BE është, ose duhet të jetë edhe meraku i shqiptarëve. Si një popull evropian edhe ne duhet të marrin në konsideratë meraqet e evropianëve të tjerë me turqit! Nano do të bënte më mirë ta rindërtonte pyetjen për merakun që shprehin shumë evropianë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE!

Në fillimet e këtij viti, Piro Misha ka ngritur shqetësimin për doktrinën e “neootomanizmit” në politikën e jashtme turke, të cilën ai e interpreton si një lëvizje për të kundërpeshuar ndikimin e BE-së në Ballkan: “Në vizionin e ri gjeopolitik turk, prania e shtuar evropiane në Ballkan përbën një konkurrencë të padëshiruar” (“Panorama”, 21.02.2010). Në fakt Misha e pranon që nuk ka kurrfarë rreziku që doktrina “neootomane”, edhe nëse ajo ngjall nostalgji osmanofile te disa shqiptarë, të pengojë rrugën e Shqipërisë drejt Evropës. Megjithatë, Misha e konsideron si një detyrë intelektuale që t’u bëjë thirrje politikanëve e diplomatëve tanë që t’i japin përgjigje diplomacisë turke se miqësia midis dy vendeve duhet të bazohet mbi nostalgjitë osmane. Jo vetëm kaq, por, sipas Mishës, politikanët dhe diplomatët tanë duhet të jenë zëdhënësit e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, të cilët mendojnë si Kadareja, i cili diku ka thënë se Perëndimi, sado i papërsosur e tekanjoz që të jetë, prapëseprapë është zgjedhja e vetme e shqiptarëve. Misha duket vërtet shumë i alarmuar për një kërcënim që ai mendon se nuk ekziston ndaj vullnetit shqiptar për t’u integruar në BE!

Në këta shembuj disa prej intelektualëve marrin poza rilindëse për të luftuar fantazmën e “turqve barbarë” që ata vetë vazhdojnë ta thërrasin, edhe në prag të njëqind-vjetorit të pavarësisë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Ndoshta mendojnë se bëhen më evropianë duke ricikluar në kontekstin shqiptar turkofobinë e orientalizmin e një pjese të perëndimorëve. Ndoshta besojnë se misioni “antemurale” i shqiptarëve vazhdon edhe sot. Në këtë pikë është legjitime të pyesim a mundemi të ndërtojmë një diskutim publik për integrimin evropian të Shqipërisë pa qenë nevoja t’i referohemi turqve dhe Turqisë? Çfarë do të ndodhte vallë, në rast se, si në poezinë e famshme të Kavafit, barbarët nuk vijnë.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: