Hyrje > Studime gjuhësore, Studime orientale > Të jetosh në gjuhën arabe

Të jetosh në gjuhën arabe

Dr. Edward W. SAID

 

TË JETOSH NË GJUHËN ARABE*

Edward Said

Dr. Edward W. Said

Debati mbi nevojën e reformimit të Islamit, arabëve dhe gjuhës së tyre – duke përvetësuar arabishten popullore më tepër se arabishten klasike – vazhdon. Para vdekjes së tij në shtator 2003 Edward Said i argumentoi mendimet e një debati të tillë si një mungesë të jashtëzakonshme të përvojës së përditshme të të jetuarit në arabishte.

Fjala elokuencë (gojëtari) nuk përdoret shpesh sot. Ajo ç’kam ndërmend është kuptimi që kish dikur, një praktikë e dalluar verbale (e shkruar si dhe e folur, por kryesisht e dyta), një zotësi me fjalët që mund të jetë pjesërisht një dhunti e lindur por që sakaq ka gjithashtu nevojë edhe të zhvillohet e përsoset në mënyrë të tillë saqë ta tregojë një folës gojëtar si zotërues të diçkaje që të tjerët s’e kanë. Ajo ç’vjen rrëmbimthi në mendje është oratoria, por edhe pasja e një kujtese të mirë. Studimi i shkëlqyer mbi artin e kujtesës i të ndjerit Frances Yates na e shfaq këtë lidhje, por na tregon gjithashtu se sa prej kësaj aftësie është zhdukur pak a shumë, ose së paku nuk mësohet më si e tillë. Shpesh e kam vrarë mendjen nëse kishte ndonjë fill lidhës të padukshëm në mendjen time ndërmjet mahnitjes sime me elokuencën dhe faktit se Giambattista Vico, filozofi italian i shek. 18, ka qenë një figurë kaq me rëndësi për mua dhe se ai profesionalisht ishte një Profesor i Retorikës me specialitet elokuencën në Universitetin e Napolit.

Nëse sot lexon punën e vjetërsuar dhe gati qesharake të Vico – përpara se ai të botonte versionin e parë të The New Science më 1725 – menjëherë vihet re se pjesa më e madhe e kësaj pune merret me studimin filologjik dhe historik të mënyrës se si autorët e vjetër e përdornin formalisht gjuhën në forma të tilla saqë detajohej dhe i nënshtrohej një shqyrtimi të imët. Për breza të tërë, studimi humanist i gjuhës kërkonte një njohje të mirë të retorikës dhe të të gjitha llojeve të ngjyresave të ligjëratës që mësoheshin deri jo më larg se tre ose katër dekada më përpara në kontekstin e shkollimit në kolegj, madje edhe në kurse hartimi, si dhe përfshihej në programe mësimore që kishin për qëllim të mësonin të rinjtë e të rejat sesi të lexonin dhe çmonin letërsinë duke u nisur nga përdorimet figurative, figuracionet e ligjëratës, dhe mjetet e retorikës që kishin emra dhe përdorime të veçanta që merrnin funksion në ligjërime të sojit që vetë Vico mbante, studionte dhe imitonte me shkrim. Nuk ka dyshim se paraqitja dhe mjeshtëria e lartë janë pjesë e elokuencës, megjithëse shumë teoricienë klasikë, duke përfshirë dhe Vico, tërheqin vëmendjen kundër paraqitjeve të fryra e mendjelehta si qëllim në vetvete.

Mahnitja e dëgjuesit me zgjuarsinë verbale, e madje as thjesht zotërimi i teknikës së retorikës, nuk është e njëjta gjë me gojëtarinë e vërtetë. Vico na e thotë këtë në autobiografinë e tij, për gjithçka që mendon në lidhje me gojëtarinë: në mësimet mbi lëndën e tij, Vico ishte gjithnjë i interesuar në përparimin e të rinjve, që t’ju hapte sytë dhe t’i parandalonte karshi mashtrimit nga doktorët e rremë që ai ishte i gatshëm të ngjallte armiqësinë e pedantëve. Ai kurrë nuk diskutonte çështje të gojëtarisë veças urtisë, por thoshte se gojëtaria s’është gjë tjetër veçse të flasësh me urtësi; katedra e tij [e gojëtarisë dhe retorikës] ishte ajo që duhej të udhëzonte mendjet dhe t’i bënte ato më universale; të tjerat merreshin me pjesët e ndryshme të diturisë, por katedra e tij duhet t’u mësonte të rinjve njohuritë si një pjesë integrale të plotë ku secila prej pjesëve pajtohet me çdo pjesë tjetër duke e marrë kuptimin nga e tëra. Pa marrë parasysh se cila ishte lënda, ai tregonte në leksionet e tij sesi përmes gojëtarisë çdo lëndë merrte shpirt njësoj si një shpirt i vetëm merrte jetë nga të gjitha shkencat që lindnin prej tij. (198-9).

Kjo qasje organike ndaj gojëtarisë i paraprin interesit romantik në formë poetike, tema e një pjese të madhe të shkrimeve të Coleridge mbi rolin e imagjinatës, po ashtu dhe interesimit të ngjashëm nga bashkëkohësit e tij gjermanë si p.sh. vëllezërit Schlegel. Interesimi i Vico, sidoqoftë, është tejet i vjetërsuar e në një mënyrë të pazakontë, thënë më mirë i vjetërsuar dhe bashkëkohor në të njëjtën kohë, dhe mundësohej, besoj, sepse studentët e tij mendohej të kishin njohuri dhe përvojë në një prej gjuhëve të vjetra jo-popullore, d.m.th. latinisht. Ndoshta një arsye se pse kemi humbur aftësinë për të çmuar atë gojëtari në dukje të vjetërsuar është se latinishtja nuk mësohet më apo mësohet si një kusht i domosdoshëm për një edukim të plotë universitar. Askush sot as nuk përpiqet që të rivalizojë të folurën tingëlluese të Dr. Johnson apo Burke, përjashto ndoshta rastin e ndonjë shtirje tallëse. Prej kësaj ndoshta na vjen një theksim i tillë i komunikimit, mbusha-mendjes të menjëhershme, dhe aftësisë për të “shitur” ide, edhe pse mënyra shpesh e ngrirë dhe e fryrë e oratorëve bashkëkohorë Jugorë si Barbara Jordan apo Billy Graham duket e tepruar dhe e pavend, sikur ata po përpiqen të bëjnë diçka pa një auditor apo sfond gjuhësor të përshtatshëm. Ekzistenca e një modeli të largët, si dhe të vështirë për t’iu qasur pa një disiplinë të konsiderueshme vëmendjeje dhe rregullash, ndriçon interpretimet gjuhësore tejet të zbukuruara dhe të përpunuara që Vico dhe bashkëkohësit e tij e konsideronin gojëtari.

Përkarshi gjithë kësaj gjendet një formë e barasvlershme e përafërt në të praktikuarit e arabishtes së folur e të shkruar, e cila në SHBA (mjerisht) konsiderohet një gjuhë e diskutueshme dhe gati e frikshme nisur nga arsye krejt ideologjike që s’kanë aspak të bëjnë me mënyrën sesi kjo gjuhë jetohet, shpaloset, dhe përjetohet nga folësit vendas dhe përdoruesit e saj. Nuk di se nga ku vjen ky konceptim i arabishtes si një gjuhë që në thelb ngjall frikë dhe shpreh dhunë të pakuptueshme, por sigurisht të gjithë ata batakçinj të Hollivudit me turban të viteve ’40 dhe ’50 të cilët iu lëshohen me tërsëllëmi viktimave të tyre me një kënaqësi sadiste kanë bërë punën e tyre, sikundër mania ndaj terrorizmit duke përjashtuar gjithçka tjetër rreth arabëve në mediat amerikane. Për çdo arab modern të edukuar kudo në botën arabe, gojëtaria në fakt i ngjason më shumë asaj çfarë Vico përjetonte dhe fliste sesa asaj që mund ta ngjasojnë anglisht-folësit.

Retorika dhe gojëtaria në traditën letrare arabe, shkon mbrapa në kohë një mijë vjet, në kohën kur shkrimtarët Abbasidë (e Halifatit Abbasid) Al-Xhahiz dhe Al-Xhurxhani, të cilët shpikën skema tepër komplekse për të kuptuar retorikën, gojëtarinë dhe tropet që ngjajnë në mënyrë të habitshme moderne. Por e gjithë puna e tyre bazohet në arabishten e shkruar klasike, dhe jo në atë të folur popullore: në rastin e të parës, e cila mbizotërohet nga prania e Kur’anit, i cili është njëherësh origjina dhe modeli për çdo gjë gjuhësore që vjen pas tij (siç në fakt pati goxha zhvillime që pasuan). Kjo ka nevojë të shpjegohet ca, dhe është, mendoj, krejt e panjohur për përdoruesit e gjuhëve moderne evropiane, ku gjendet një përputhshmëri e përafërt ndërmjet versioneve të folura dhe letrare, dhe ku shkrimet e shenjta e kanë humbur krejtësisht autoritetin e tyre gjuhësor.

Të gjithë arabët kanë një formë të foluri bisedor që larmon konsiderueshëm nga një krahinë apo vend në një tjetër. Sidoqoftë, gjuha e shkruar është krejt e ndryshme, të cilës do t’i kthehem sërish pak më vonë. Unë u rrita në një familje gjuha e folur e së cilës ishte një amalgamë e asaj që flitej rëndom në Palestinë, Liban dhe Siri: kishte disa ndryshime të vogla ndërmjet këtyre tre dialekteve (mjaftueshëm që një vendas i Mashrikut (Lindjes), siç njihen tokat arabe të Mesdheut Lindor, për të identifikuar një tjetër vendas nëse vinte prej, le të themi, Bejruti apo Jerusalemi) por kurrë aq mjaftueshëm sa për të penguar një komunikim të lehtë e të drejtpërdrejtë. Por për shkak se unë vajta në shkollë në Kajro dhe kalova pjesën më të madhe të rinisë sime atje, isha njëkohësisht i rrjedhshëm në gjuhën e folur, një dialekt më i shpejtë, më i shkurtuar e më elegant se i çdo dialekti që njihja nga prindërit dhe të afërmit. Dialekti i Egjiptit u përhap edhe më shumë prej faktit se thuajse të gjithë filmat, radio-dramat dhe, më vonë, seritë televizive në arabisht, bëheshin kryesisht në Egjipt, dhe kështu, idiomat e tyre të folura u bënë të njohura dhe u mësuan nga arabët kudo gjetkë; mbaj mend shumë qartë se të rinjtë e moshës sime në Liban ose Palestinë mund të këndonin këngët e shkurtra dhe të imitonin të folurën e shpejtë të komedianëve egjiptianë me një stil të konsiderueshëm, megjithatë, sigurisht që nuk tingëllonin kurrë aq të shpejtë e zbavitës sa origjinali.

Gjatë viteve 1970 dhe 1980, si pjesë e bumit të naftës të atyre viteve, dramat televizive filluan të bëheshin edhe në vende të tjera, kryesisht drama në arabishten klasike, të cilat rrallë ishin të njohura (popullore). Jo vetëm sepse ishin drama historike të llojit që duhet të ishin të ngritura dhe të përshtatshme për shijet e arabëve muslimanë (dhe të krishterë, por zakonisht të vjetërsuara dhe më puritane) që mund të kenë dalë jashtë loje prej filmave më me hov të Kajros, por edhe pse ishin të programuar për të qenë dobiprurës në mënyra që mua të paktën më ngjanin jo tërheqëse dhe të pashpresa. Edhe shfaqja më e pandreqshme e ditëve të sotme, madje edhe muselsel (ose seriali) egjiptian i bërë më me nxitim është kryekëput më i këndshëm për t’u parë se më e mira prej dramave në gjuhën klasike. Vetëm dialekti egjiptian e ka këtë lloj vlere. Kësodore, nëse do të përpiqesha të kuptoja një algjerian nuk do të arrija kund, sepse format bisedore janë kaq të ndryshme dhe të pangjashme nga njëra-tjetra sapo ke lënë brigjet e Mesdheut Lindor. E njëjta gjë qëndron me mua me një dialekt irakian, maroken, ose të Gjirit të thellë Persik. E përsëri, në mënyrë paradoksale, të gjitha transmetimet e lajmeve arabe, diskutimet televizive, si dhe dokumentarët, për të mos folur për mbledhjet, seminaret, arsyet retorike që nga ceremonitë në xhami deri tek tubimet nacionaliste, si dhe takimet e përditshme ndërmjet qytetarëve me ndryshime të mëdha të gjuhëve të folura kryhen në versionin e modifikuar dhe të modernizuar të gjuhës klasike, ose një të përafërte të saj e cila mund të kuptohet nëpër të gjithë botën arabe, që nga Gjiri Persik deri në Marok.

Arsyeja pse kjo ndodh është se arabishtja klasike, ashtu si latinishtja për gjuhët e folura evropiane deri para një shekulli, ka pasur një prani të gjallë si gjuha e zakonshme e të shprehurit në mënyrë letrare pavarësisht burimeve të gjalla dhe të gatshme të një morie të tërë dialektesh vendase, të cilat, përveç rastit të sipërpërmendur egjiptian, nuk kanë arritur kurrë të marrin përmasa përtej lokales. Për më tepër, këto dialekte të folura nuk kanë aspak letërsi të zhvilluar në lingua franca klasike, pavarësisht faktit se në çdo vend arab ekziston një organ i rëndësishëm i poezisë në version dialektor, për shembull, i cili pëlqehet dhe shpesh recitohet vetëm nga folësit e tjerë të asaj gjuhe të folur.

Kështu, edhe shkrimtarët të cilët konsiderohen rajonalë tentojnë të përdorin gjuhën klasike moderne në shumicën e kohës dhe vetëm me raste i drejtohen arabishtes dialektore për të shprehur jo më shumë se disa copëza dialogu. Pra në fakt, një person i edukuar ka dy persona gjuhësorë thuajse të ndryshëm në gjuhën e nënës. Është një gjë krejt e zakonshme të bisedosh me një reporter gazete ose televizioni dhe më pas, kur fillon regjistrimi, të rregullohet pa bërë kalimin në versionin e gjuhës klasike, i cili është më formal dhe më njerëzore. Prandaj “çfarë kërkon?” në të folurën e Libanit ose të Palestinës është, kur i drejtohesh dikujt, shumë e thjeshtë, shu bidak? Në versionin klasik do të ishte madha turid?

Kjo nuk do të thotë se nuk ka asnjë lloj lidhje ndërmjet dy idiomave. Sigurisht që ka – shkronjat janë shpesh të njëjta, renditja e fjalëve është afërsisht e barasvlershme, dhe theksimet personale mund të përcillen me të njëjtin ton. Por fjalët dhe shqiptimi janë krejt të ndryshme në atë se arabishtja klasike ose e shkollimit si version standard i gjuhës humbet çdo gjurmë të dialektit rajonal apo lokal dhe del si një lloj instrumenti me zë të plotë, i rregulluar me kujdes, i ngritur dhe i moduluar e i aftë për një gojëtari madhështore dhe shpesh (por jo gjithmonë) të formuluar. I përdorur me vend, është i pakrahasueshëm sa i përket saktësisë së të shprehurit dhe mënyrës mahnitëse me të cilën shkronjat e veçanta brenda një fjale (por veçanërisht në fundin e tyre) ndryshojnë për të thënë gjëra të qarta dhe krejt të ndryshme.

Ajo është njëkohësisht një gjuhë qendërzimi i së cilës për një kulturë të tërë është i pakrahasueshëm në atë që (siç ka thënë Jaroslav Stetkevych, autor i librit më të mirë modern mbi vetë gjuhën), “venusiane, lindi në një gjendje të përkryer bukurie dhe e ka ruajtur atë bukuri pavarësisht gjithë rreziqeve të historisë dhe forcave gërryese të kohës”. Për studentët perëndimorë “arabishtja i ngjan një ideje abstrakte gati matematikore. Sistemi i përkryer i tre bashkëtingëlloreve themelore, format e përftuara foljore me kuptimet e tyre bazë, formimi i përkryer i emrit foljor, i pjesoreve – çdo gjë është e qartë, e logjikshme, sistematike dhe abstrakte. Gjuha është njësoj si një formulë matematikore.” Por ajo është gjithashtu një objekt i bukur për t’u parë në formën e saj të shkruar; kështu që pozicioni qendror i kaligrafisë në arabisht, është një art i kombinuar i komplikimit më të lartë, gjithmonë e më afër ornamentit dhe arabeskës sesa shpjegimeve pa lidhje.

Deri tani kam njohur vetëm një person i cili në fakt fliste vetëm arabishten klasike gjatë gjithë kohës, një shkencëtar politik dhe njëkohësisht politikan palestinez të cilin fëmijët e mi e kishin zakon ta përshkruanin si “burri që flet si libër” ose, një tjetër herë si “burri që tingëllon si Shekspiri” – një përkufizim i arabëve jo të rrjedhshëm në anglisht që simbolizon majën e anglishtes klasike, gjë të cilën Shekspiri sigurisht nuk e kishte, duke pasur parasysh praninë e aq shumë klounëve, fshatarëve, lundërtarëve dhe palaçove në pjesët e tij teatrale. (Milton do të ishte një shembull më i mirë i gjuhës klasike me peshë e plot zë). Të gjithë miqtë e këtij akademiku palestinez e pyesnin nëse bënte dashuri në gjuhën klasike (gjë e cila është dukur si një pamundësi, meqë dialekti i folur është thuajse gjithmonë gjuha e intimitetit), por ai u jepte atyre si përgjigje jo më shumë se një buzëqeshje enigmatike. Në njëfarë mënyre ekziston një marrëveshje e pashkruar sipas së cilës vendoset se cila arabishte do të përdoret, në cilat raste, për sa kohë e kështu me radhë.

Gjatë ditëve të para të luftës në Afganistan shikoja kanalin satelitor kontradiktor Al-Xhazira në gjuhën arabe për diskutime dhe raportime lajmesh të padisponueshme në mediat e SH.B.A.-ve. Çfarë më bëri përshtypje, krejt veçmas asaj çka thuhej, ishte niveli i lartë i elokuencës midis pjesëmarrësve të zjarrtë dhe të pakëndshëm, përfshi edhe Osama bin Laden. Ai është (ose ishte) një folës i butë dhe i rrjedhshëm as nuk heziton e as nuk bën as rrëshqitjen më të vogël gjuhësore, sigurisht një faktor në ndikimin e tij të dukshëm; por gjithashtu, në një nivel më të ulët, janë edhe joarabët si Burhanedin Rabani dhe Hikmet Gulbandjar, të cilët nuk e njohin arabishten e folur por ngasin me lehtësi të admirueshme në gjuhën klasike (të bazuar në Kur’an).

Kjo nuk do të thotë se ajo që tashmë quhet standardi modern (d.m.th. klasikja moderne) i arabishtes është saktësisht i njëjtë me Kur’anin, i shkruar 14 shekuj më parë. Nuk është e njëjta gjë: megjithëse Kur’ani është një tekst shumë i studiuar, gjuha e tij (si shembulli i mësipërm i folësit të gjuhës klasike) është antike, madje jo e natyrshme dhe e papërdorshme në jetën e përditshme, dhe e krahasuar me prozën moderne të përdorur kudo sot ajo i ngjan një poezie në prozë me tingëllim shumë “të lartë”.

Gjuha moderne klasike është rezultat kryesisht i një modernizimi tërheqës të gjuhës që fillon gjatë dekadave të fundit të shekullit 19 – periudha e Nahda-s, ose rilindjes – e udhëhequr kryesisht nga një grup burrash në Siri, Liban, Palestinë dhe Egjipt (një numër i madh prej të cilëve ishin të krishterë) të cilët ndërmorën detyrën kolektive për ta sjellë arabishten si gjuhë në botën moderne duke e modifikuar dhe deri diku duke e thjeshtuar sintaksën e saj, përmes procesit të arabizimit (isti’rab) të origjinalit të shek. 7, që do të thotë futja e fjalëve të tilla si “tren”, “kompani”, “demokraci” dhe “socializëm” të cilat nuk kanë mundur të ekzistonin gjatë periudhës klasike, dhe duke gërmuar në burimet e pamatshme të vetë gjuhës përmes procesit teknik gramatikor të el-kijas, ose analogjisë (një çështje e diskutuar në mënyrë të shkëlqyer nga Stekevych i cili paraqet në detaje të imëta sesi ligjet e prejardhjes së gramatikës së arabishtes u përdorën nga reformuesit e Nahda për të përthithur fjalë dhe koncepte të reja brenda sistemit pa e dëmtuar aspak atë); prej këtej, në njëfarë mënyre, këta burra imponuan në arabishten klasike një fjalor tërësisht të ri, i cili përbën përafërsisht 60 % të gjuhës standarde klasike sot.

Nahda solli një lloj çlirimi nga tekstet fetare, dhe një shekullarizim të fshehtë të prezantuar në atë çfarë arabët thoshin dhe shkruanin. Në këtë mënyrë, pakënaqësitë bashkëkohore nga i dituri-idiot i New York Times Thomas Friedman dhe nga orientalistë të lodhur e të vjetër si Bernard Lewis të cilët vazhdojnë të përsërisin formulën se Islami (dhe arabët) kanë nevojë për një Reformë nuk ka asnjë bazë, meqë njohja e tyre e gjuhës është kaq sipërfaqësore dhe përdorimi i saj nga ana e tyre aq i pazbatueshëm saqë ata nuk shfaqin ndonjë njohje të çfarëdo lloji të përdorimit aktual të arabishtes ku gjurmët e reformimit në mendim dhe praktikë gjenden kudo.

Madje edhe disa arabë të cilët për arsye të ndryshme janë larguar nga bota arabe qysh në moshë të vogël dhe tani punojnë në perëndim po përsërisin të njëjtën marrëzi, megjithëse në të njëjtën frymë pranojnë se nuk kanë ndonjë njohuri serioze të gjuhës klasike. Unë u trondita kur mora vesh që Leila Ahmed, një egjiptiane e cila ishte një mikeshë e ngushtë e motrave të mia në Kajro, ndoqi të njëjtat shkolla angleze si ne dhe vinte nga një familje e edukuar arabisht-folëse, mori Doktoratën në letërsi angleze në Cambridge, shkroi një libër interesant mbi çështjet gjinore në Islam para thuajse dy dekadash, është rishfaqur si një pjesëtare e fushatës kundër gjuhës klasike dhe, krejt çuditshëm, një profesoreshë e fesë (më saktë Islamit) në Harvard. Në kujtimet e saj Një Kalim Kufiri: Nga Kajro për në Amerikë – Udhëtimi i Një Gruaje (1999), ajo flet plot gojëtari mbi virtytet e gjuhës së folur egjiptiane ndërsa pranon se në të vërtetë ajo nuk e njeh aspak gjuhën fus-ha (arabishten klasike); kjo nuk e ka penguar atë të japë mësime mbi Islamin në Harvard sado që është e panevojshme të përsërisim se arabishtja është Islami dhe Islami është arabishtja në një nivel shumë të thellë.

Për shkak të një mungese të jashtëzakonshme të përvojës së përditshme ose të të jetuarit në atë gjuhë, nuk duket se asaj i shkon ndërmend se arabët e edukuar i përdorin aktualisht edhe gjuhën popullore edhe klasiken, dhe se kjo praktikë krejt e zakonshme as nuk e pengon natyrshmërinë dhe bukurinë e të shprehurit e as nuk nxit automatikisht në dhe nga vetja një ton jo të natyrshëm dhe didaktik siç ajo duket se mendon. Të dyja gjuhët janë poroze dhe përdoruesi kalon nga jashtë brenda secilës prej tyre si një aspekt thelbësor i asaj çfarë do të thotë të jetosh në arabisht. Të lexosh bisedën e gjatë patetike të Ahmedit të bën të të vijë keq që ajo kurrë nuk begenisi të mësonte gjuhën e saj, një gjë krejt e lehtë për t’u bërë nga ana e saj në qoftë se do të kishte një mendje të hapur dhe nëse do të ishte e gatshme.

Për 15 vitet e para të jetës sime kam jetuar vetëm në vende arabisht-folëse, megjithëse ndoqa vetëm shkolla koloniale anglisht-folëse, të administruara ose nga një grup misionar kishtar ose nga British Council shekullar. Sigurisht, arabishtja klasike mësohej në shkollat që kam ndjekur, por ajo ngelej në rangun e të barasvlershmes lokale të latinishtes, d.m.th. një gjuhë e vdekur dhe e ndaluar (dhe rrjedhimisht duke ndjekur ndjesinë që Leila Ahmed kishte për të). Unë mësova të flas arabisht dhe anglisht në prehrin e nënës sime, dhe njëherësh, kam qenë gjithmonë i zoti të kaloj nga njëra te tjetra, por arabishten time klasike së shpejti e lashë pas nga investimi i madh që bëra në shkollë duke e përqendruar vëmendjen tek anglishtja. Gjatë viteve të para gjuha klasike ishte për mua simbolikë e rrethanave detyruese prindërore dhe institucionale, ku më duhej të ulesha në kishë e të dëgjoja ceremonitë pa fund, ose në gjithë ato lloj mbledhjesh shekullare ku folësit predikonin virtytet e një mbreti, ministri, doktori apo të një studenti, dhe ku në një lloj qëndrese karshi këtyre rrethanave ndaloja së dëgjuari fjalimet pa fund dhe iu rikthehesha vetëm duke pasur një lloj moskuptimi të shtangur. Në praktikë, unë dija përmendësh pjesë nga himnet, Libri i Lutjeve të Përgjithshme (përfshi Lutjen e Zotit) dhe materiale të tjera devotshmërie të ngjashme, e madje edhe disa ode patriotike në poezinë klasike (që mua në atë kohë më ngjanin) në mënyrë të palejueshme lajkatuese, por vetëm vite më vonë kuptova se si atmosfera e të mësuarit përmendësh, e mësuesve dhe klerit me prirje në gjendje të mjeruar dhe shtypëse, dhe një lloj qëndrimi detyrues “është mirë për ty” kundër së cilës isha në rebelim të vazhdueshëm për të minuar të gjithë projektin.

Gramatika e arabishtes është kaq e ndërlikuar dhe logjikisht tërheqëse, mendoj, saqë ndoshta mund të mësohet më mirë nga një nxënës më i rritur i cili mund të çmojë përpikëritë e arsyetimit të saj; ashtu siç është, mjaftueshëm në mënyrë ironike, mësimi më i mirë i arabishtes bëhet për jo-arabë në institutet gjuhësore në Egjipt, Tunizi, Siri, Liban dhe Vermont. Sidoqoftë, çfarë kurrë nuk e zotërova me të vërtetë, ishte ajo së cilës iu referova pak më lart, aftësia për të kaluar nga një mënyrë të foluri në një tjetër, nga gjuha e folur në atë klasike, ose duke folur gjuhësisht nga versioni zyrtar në atë jozyrtar. U tjetërsova aq shumë nga shtresat e autoritetit shtypës që mbështillnin personin tim si fëmijë dhe adoleshent saqë rebelimi mori formën e përdorimit të gjuhës së rrugëve, duke e rezervuar gjuhën e nderuar klasike vetëm përdorim në forma tallëse të përgjithshme, imitime të egra të pompozitetit të mërzitshëm, dhe fyerje kundër kishës, shtetit dhe shkollës.

Por kur, pasi tashmë isha në SHBA (me vizita të shpeshta në Kajro dhe Liban) që prej 1951, dhe pasi kisha studiuar vetëm gjuhët dhe letërsitë evropiane gjatë gjithë karrierës sime 16-vjeçare në shkollë e në universitet, lufta arabo-izraelite e vitit 1967 më shtyu pa dëshirë në angazhim politik në distancë, gjëja e parë që më habiti ishte se politika nuk kryhej në amije, ose gjuhën e publikut të përgjithshëm, siç quhet arabishtja e folur, por më shpesh në gjuhën fus-ha të rreptë dhe formale (e shqiptuar fuss-ha, ku ‘s’-të dyshe dhe “h”-ja janë grykore që nuk kanë të barasvlershme në gjuhët evropiane), ose në gjuhën klasike. Duke kujtuar qëndrimet e mia të fëmijërisë ndaj gjuhës formale shpejt ndjeva se, siç shfaqej në tubime ose mbledhje, analizat politike bëheshin që të tingëllonin më të thella seç ishin, ose se shumë prej çfarë thuhej në këto përafrime deri diku tepër pedante të ligjëratës formale bazoheshin në modele gojëtarie që ishin mësuar përmendësh si rivalitete të seriozitetit, më shumë sesa vetë gjëja. Ky, siç e zbulova me zhgënjim, ishte veçanërisht rasti i përngjasimit me zhargonin marksist dhe lëvizjeve për liri të asaj kohe, ku përshkrimet e klasës, interesit material, kapitalit dhe luftës sociale – me të gjitha kurthet e kundërshtimit, antitezës dhe “të mjerëve të botës” gjë që kishte qenë trashëgimia që Fanon na la – u arabizuan dhe u përdorën në monologë të gjatë drejtuar jo popullit por militantëve të tjerë të sofistikuar. Privatisht, udhëheqësit popullorë si Arafati dhe Naseri, me disa prej të cilëve kam pasur kontakt, përdornin të folurën bisedore me më shumë ndikim sesa marksistët (të cilët ishin gjithashtu më të edukuar sesa lideri palestinez apo egjiptian), kështu mendoja asokohe; Naseri në veçanti, i drejtohej në fakt masave të ndjekësve në dialektin egjiptian të përzier me fraza tingëlluese nga fus-ha. Dhe, meqë gojëtaria në arabisht ka të bëjë shumë me mënyrën dramatike të shqiptimit, Arafati zakonisht shfaqej në daljet e tij të rralla publike si një orator i një niveli nën mesatar, ku keqshqiptimet, hezitimet dhe tepria në fjalë e të cilit për një vesh të edukuar e bëjnë të duket si një elefant që sillet pa qëllim rreth e rrotull një fushe me lule.

Brenda pak viteve ndjeva se nuk kisha rrugëzgjidhje tjetër veçse t’i përkushtohesha një riedukimi në filologjinë dhe gramatikën arabe (rastësisht, fjala për gramatikë në shumës është kawa’id, njëjësi i së cilës është kuai’da, fjalë që përdoret edhe për një bazë ushtarake, si edhe për rregull, në kuptimin gramatikor). Isha me fat që pata një mik të vjetër të babait tim, Enis Frajha, profesorin e dalë në pension të gjuhëve semite në Universitetin Amerikan të Bejrutit, si mbikëqyrësin tim dhe i cili, ashtu si unë, zgjohej herët; për pothuajse më shumë se një vit ndërmjet orës shtatë dhe dhjetë të mëngjesit më merrte që të bënim kërkime të gjuhës pa një libër mësimi, por me qindra fragmente nga Kur’ani, i cili në thelb është themeli i arabishtes, autorë klasikë si El-Gazali, Ibn-Haldun dhe El-Mes’udi, si dhe autorë modernë, që nga Ahmed Sheuki deri te Mahfuz.

Një mësues i efektshëm në mënyrë të habitshme, mësimet e tij shpalosën për mua mënyrën e funksionimit të gjuhës në një formë të tillë që i shkonte përshtat interesave të mia profesionale dhe përgatitjes filologjike në letërsinë krahasuese perëndimore, fushë në të cilën pak a shumë në po atë kohë unë po jepja seminare mbi spekulime rreth gjuhës (e quaja letërsia e gjuhës) nga autorë të shekullit të 18-të dhe 19-të si Vico, Rousseau, Herder, Wordsworth dhe Coleridge, Humboldt, Renan, Nietzsche, Freud dhe de Saussure. Falë Frayhas unë u prezantova me, dhe më vonë e paraqita në vetë mësimet dhe shkrimet e mia mbi gramatikanët arabë dhe spekulatorët linguistikë, përfshi Al-Khalil ibn Ahmed, Sebauajh dhe Ibn Hazm, punët e të cilëve i paraprinin në kohë figurave të mia evropiane me gati shtatë shekuj.

Siç u ndriçua dhe shpjegua më vonë nga Frajha, kalimi mes arabishtes së folur dhe asaj klasike ishte një përvojë magjepsëse për mua, veçanërisht meqë bëja krahasime me fjalorin dhe gramatikën në frëngjisht dhe anglisht. Si fillim, meqë arabishtja është një gjuhë imtësisht e lakueshme – mund të mësosh nëntë prejardhjet formale të përdorura zakonisht të një folje – thelbi i gjuhës – nga një rrënjë me tre bashkëtingëllore, e cila në mënyrë sintaksore i bën të mundura ato format e përdorura në përgjithësi (shumica e fjalive në arabisht fillojnë me një folje) prej të cilave shkruesi – folësi duhet të zgjedhë, megjithëse me kohën kjo bëhet automatike. Pastaj, së dyti, fjalori i arabishtes është pjesa më e pasur e gjuhës, meqë fjalët mund të formohen nga një metodë logjike nisur nga rrënjët marramendëse, dhe rrënjët e rrënjëve pak a shumë të pafundme, dhe me një rregullsi në dukje e përkryer. Sigurisht, ka variacione në shprehje që kanë ndodhur me kohën, por arkaizmat dhe zhargonet moderne në ligjërimet klasike nuk paraqesin të njëjtat probleme si në anglishten apo frëngjishten moderne, për shembull.

Arabishtja klasike, rregullat e saj, lakimet, mënyrat sintaksore, dhe pasuria e bukurisë së saj gjithëpërfshirëse duket se ekziston në një lloj qenësie të njëkohshme që është krejtësisht jo e ngjashme me ndonjë gjendje tjetër gjuhësore që njoh, bile edhe kur bashkëbisedimet në versionin bisedor kthehen në formën serioze ose komplekse bisede e pastaj i drejtohet asaj si në një episod të shkurtër ose të ndërmjetëm: nevoja për biseda të shkurtra personale si “ma kalo sheqerin,” ose “më duhet të iki” të bën t’i kthehesh të folurës popullore. Por, në rastet kur ajo ligjërohet në tubime publike bie fjala në një takim biznesi, ndonjë seminar, ndonjë panel ose leksion akademik, folësit shndërrohen në bartës të kësaj gjuhe tjetër, në të cilën edhe shprehje të tilla si “jam i gëzuar të jem këtu sot” ose “nuk dua t’ju marr shumë kohë” mund të kthehen në formula klasike që funksionojnë si pjesë organike e tërë vetë ligjërimit.

Në formë shpjeguese, më duhet të përmend se kanali Al-Xhezira, aq i rrezikshëm në mediat e SHBA-së prej pseudo-ekspertëve dhe të cilin mund ta ndjek pa vështirësi përmes antenës sime satelitore, jo vetëm që përcjell një gamë më të gjerë opinionesh politike sesa çdo media amerikane, por për shkak të përdorimit të standardes klasike nuk gjen asnjë rëndomësi verbale prej të fortësh që shfytyron bisedat e transmetuara dhe panelet e diskutimit këtu, madje edhe kur diskutuesit grinden plot zjarr mbi çështjet madhore në politikë dhe fe.

Kurrë nuk i kam shpëtuar troshitjes zhangëlluese e mahnitëse që vjen kur dëgjon një fjalë të përdorur rëndom që ka kuptime tërësisht të papërputhshme në të dy gjuhët. Emri Sami, për shembull. Në anglisht dikujt mund t’i vejë mendja te Sam Weller, ose Sammy Glick, një aktor komik, ose të paktën t’i kujtojë një nofkë jo elegante ose një formë të shkurtuar e të zakonshme të dinjitarit “Samuel” me rezonancën biblike të tij jo aq të përshtatshme për kohët tona. Në arabisht Sami është gjithashtu një emër i zakonshëm për një burrë (gjinia femërore është Samia, e cila është gjithashtu fjala për “semitik”), por rrjedh nga fjala “qiell”, sema, dhe prandaj do të thotë “i lartë” ose “qiellor” dhe është shumë larg në kuptim nga Sam ose Sammy siç mund të vërehet. Ata bashkëjetojnë në veshin dygjuhësor, të pazgjidhura, asnjëherë në paqe.

Ndryshe nga anglishtja, arabishtja e folur – ose standardi ose dialektet e folura – është përplot formula që përbëjnë atë që quhet edeb el-lugha, ose sjellja e përshtatshme në gjuhë. Një individi i cili nuk është mik i ngushtë gjithmonë i drejtohemi në shumës, dhe pyetje të tilla si “Si ju quajnë?” bëhen gjithmonë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë dhe plot nderime. Ashtu si japonishtja, dhe në një shkallë më të ulët frëngjishtja, gjermanishtja, italishtja dhe spanjishtja, përdoruesit e arabishtes bëjnë një shumëllojshmëri dallimesh në tonalitet dhe fjalor për të përcaktuar se si i drejtohen njëri-tjetrit në situata të caktuara dhe mbi tema të veçanta. Kur’ani gjithmonë përmendet si el-Kur’an el-Kerim, Kur’ani i Ndershëm, dhe pasi thuhet emri i Profetit Muhamed është e detyrueshme të thuhet fraza “Paqja e Zotit qoftë mbi të”; një variant disi më i shkurtër i të njëjtës frazë që përdoret kur përmendet Jezusi, dhe në bashkëbisedimin e rregullt në arabisht emri i Zotit thirret dhjetëra herë me një arsenal jashtëzakonisht të ndryshëm frazash që të kujtojnë shprehjen deo volente në latinisht, apo ojala në spanjisht, ose in God’s name në anglisht, por gjithsesi në më shumë forma.

Kur dikush pyetet sesi ndihet apo ç’po bën, përgjigjja e menjëhershme është thuajse gjithmonë el-hamdulilah, për shembull, dhe ajo që pason është një seri e tërë pyetjesh, që gjithashtu përmendin Zotin, që kanë të bëjnë me anëtarët e familjes asnjëri prej të cilëve nuk thërritet në emër por në raport me pozitën dhe prestigjin që ka (djali nuk përmendet me emër por i thuhet el-mahrus, ai të cilin e ruan Zoti). Unë kam një xhaxha i cili, kur punonte si ekzekutiv banke, kishte një aftësi gjeniale për të vazhduar pa pushim për 15 minuta një bisedë të sjellshme mbi mbledhjen e pambukut, e paimagjinueshme në anglisht por e mësuar më së miri kur ishte i ri dhe e përqendruar për përdorim në situata kur ka më shumë fjalë për të thënë sesa përmbajtje për t’u shtjelluar. Unë gjithmonë e kam parë mrekullisht zbavitëse, veçanërisht sepse më dukej tepër e vështirë që ta bëja vetë, përjashto një ose dy çaste.

Një prej kujtimeve të mia më të hershme sesa pritet prej folësit të arabishtes klasike, ose hatibit, fjala për orator, në një situatë formale është një histori që më është treguar shumë vite më parë nga nëna dhe tezja ime e madhe, një mësuese e arabishtes, pasi ato kishin ndjekur një ligjëratë akademike në Kajro të mbajtur nga një personalitet i njohur egjiptian, i cili mund të ketë qenë Taha Husein ose Ahmed Lutfi Al-Sejjid. Mund të ketë qenë ndonjë takim politik ose përkujtimor, nuk më kujtohet mirë, por mbaj mend të thoshin se të pranishëm ishin një sërë sheih-ësh (sheih, fjalë arabe për dijetarin) të Ez-herit. Duke theksuar fjalimin shumë solemn dhe të përpunuar, kishte vënë re nëna ime, ndonjëri prej shejhëve çohej në këmbë dhe thoshte “allahume”, pastaj ulej menjëherë, shprehja prej një fjale siç mu shpjegua donte të thoshte miratim (ose mosmiratim) për përsosuri në shprehje (ose gabim në shqiptim).

Vetë historia ilustron domethënien e madhe në lidhje me gojëtarinë, ose anasjelltas, dështimet në të. Ajo na ndihmon që të dimë se Universiteti i El-Ezherit në Kajro nuk është vetëm institucioni më i vjetër i edukimit të lartë në botë, por konsiderohet edhe si vatra e ortodoksisë për Islamin, dhe rektori i tij është autoriteti më i lartë fetar në Egjiptin Sunit. Më e rëndësishme është se në El-Ezher para së gjithash, por jo vetëm, studiohen shkencat islame thelbi i të cilave është Kur’ani, dhe gjithçka që shoqërohet me të nga pikëpamja e metodave të interpretimit, jurisprudencës, hadithit, gjuhës dhe gramatikës. Mjeshtëria e arabishtes klasike është pra qartazi zemra e studimeve islame për arabët dhe muslimanët e tjerë në El-Ezher meqë gjuha e Kuranit – e cila konsiderohet si Fjala jo e krijuar e Zotit që i “zbriti” (fjala arabisht për këtë është munzel) në një varg shpalljesh Muhamedit – është e shenjtë, me rregulla dhe paradigma në të që konsiderohen të detyrueshme për përdoruesit megjithëse, në mënyrë krejt paradoksale, ato nuk mund të jenë urdhëresa (ixhaze) doktrinare, të jenë imituese të saj apo, si në rastin e Vargjet Satanike, të sfidojë në çfarëdolloj mënyre prejardhjen e saj tërësisht hyjnore.

Gjashtëdhjetë vjet më parë gojëtarët dëgjoheshin dhe komentoheshin pafund për saktësinë dhe aftësinë shprehëse të gjuhës së tyre po aq sa edhe për atë çfarë thoshin. Unë vetë kurrë nuk kam qenë dëshmuar i një ngjarje të tillë si ajo që m’u tregua, megjithëse më kujtohet me njëfarë sikleti kur mbajta fjalimin tim të parë në arabisht (po në Kajro) para dy dekadave, dhe duke folur anglisht dhe frëngjisht në publik për shumë vite por kurrë në gjuhën time, një prej të afërmve të mi të rinj më erdhi pasi kisha përfunduar dhe më tha se sa i zhgënjyer ishte për faktin se nuk isha më elokuent. Por ju e kuptuat se çfarë thashë, e pyeta ankueshëm, meqë shqetësimi im ishte të kuptohesha në disa pika të ndjeshme politike dhe filozofike. Po, sigurisht, m’u përgjigj pa pranuar të shpjegohet, s’ka problem: por ju nuk ishit aq retorik apo elokuent. Dhe ajo pakënaqësi ende më ndjek sa herë që flas meqë nuk jam i aftë ta transformoj veten në një fasih klasik, apo në një gojëtar elokuent. Unë i përziej idiomat klasike dhe bisedore në mënyrë pragmatike, me rezultate (siç kam rrëfyer një herë me dashamirësi) që i ngjasojnë dikujt që ka një Rolls Royce por preferon të përdorë një Volkswagen. Ende sot e kësaj dite përpiqem ta zgjidh këtë problem sepse, si një person që punon me disa gjuhë të ndryshme, nuk dua të më akuzojnë që them një gjë në anglisht e nuk e them po në të njëjtën mënyrë në arabisht.

Më duhet të them se, pavarësisht shfajësimit tim se mënyra ime e të folurit shmang perifrazimin dhe spitullimin ornamental (shpesh duke pasur në përmbajtje sinonime pafund, dhe përdorimi ose i “dhe” si mjet për të stërholluar mendimet pa i kushtuar shumë vëmendje logjikës ose zhvillimit, ose përdorimi i një koleksioni të tërë formulimesh të mësuara në mënyrë rutinë për të folur tërthorazi dhe eufemizma të llojit që Orwell i përqesh te “Politika dhe Gjuha Angleze,” por të cilat gjenden në çdo gjuhë) endemike për rënien e shkrimit bashkëkohor politik, gazetaresk dhe kritik në arabisht, dhe është gjithashtu një justifikim që unë përdor për të mbuluar ndjesinë time të të bredhurit në periferitë e gjuhës më shumë se të qëndrimit me siguri në qendër të saj.

Vetëm në këto dhjetë ose 15 vitet e fundit kam zbuluar se proza më e përsosur, më e imët, dhe më e fortë në arabisht që e kam lexuar ose dëgjuar është krijuar nga romancierë (ose kritikë) si Elias Khouri ose Xhemal El-Ghitani, ose nga dy prej poetëve tanë më të mëdhenj të gjallë, Adonis dhe Mahmud Dervish, secili prej të cilëve në odet e tyre ngjitet në lartësi të tilla rapsodike aq sa nget turma të mëdha dëgjuesish në eksitime të dalldisjes entuziaste, e njëkohësisht për secilin prej tyre proza është një instrument i mprehtë aristotelian eleganca e së cilës i ngjan asaj të Empson ose Newman. Por njohuria e tyre për gjuhën është aq mjeshtëri e lartë dhe e natyrshme sa ata mund të jenë edhe elokuentë edhe të qartë duke u mbështetur në dhuntinë e tyre pa pasur nevojën e plotësuesve, ose llafazanërisë së lodhshme, apo krekosjes për hir të saj, ndërsa për një njeri të vonuar në idiomën klasike siç jam unë – dikush që nuk e ka mësuar atë si pjesë të një formimi të veçantë islam, apo në sistemin shkollor kombëtar arab (përkarshi atij kolonial) – ende më duhet të mendoj me vetëdije për të vendosur një fjali klasike në mënyrë të saktë dhe qartazi, dhe jo gjithmonë me rezultate elegante, për ta thënë butësisht.

Kjo sepse arabishtja dhe anglishtja janë gjuhë kaq të ndryshme në mënyrën sesi funksionojnë, dhe gjithashtu sepse ideali i gojëtarisë në një gjuhë nuk është i njëjtë me atë të gjuhës tjetër, një dygjuhësh i përsosur i llojit që unë shpesh ëndërroj, dhe ndonjëherë me guxim mendoj se thuajse ia kam arritur, nuk është në të vërtetë e mundur. Gjendet një literaturë teknike e gjerë rreth dygjuhësisë, por unë me sa kam parë ajo thjesht nuk mund të merret me aspektin e të jetuarit aktual në të, si e kundërt me njohurinë, dy gjuhë nga dy botë të ndryshme dhe dy familje gjuhësore të ndryshme. Kjo nuk do të thotë se nuk mund të jesh i shkëlqyer, siç ishte polaku vendas Conrad, në anglisht, por çuditja mbetet gjithnjë. Përveç kësaj, çfarë do të thotë në të vërtetë të jesh i përkryer, në një mënyrë tërësisht të barabartë, dygjuhësore? A i ka studiuar dikush mënyrat sesi një gjuhë krijon hendekë kundrejt gjuhëve të tjera, në rastet kur ndokush mund të rrëshqasë në ndonjë territor të ri?

Shpesh e gjej veten duke vënë re aspekte të përvojës dhe duke mbledhur të dhëna rreth e qark meje të cilat përforcojnë edhe cenin (tim) torturues edhe gjendjen dinamike të të dy gjuhëve, do të thotë pabarazinë e tyre të përkryer, e cila është shumë më e kënaqshme sesa një arritje e ngrirë, e plotësuar por në fund të fundit krejt teorike siç është lloji i interpretuesve dhe përkthyesve profesionistë por sipas meje nuk e arrijnë meqë ata nuk munden për nga vetë përkufizimi të jenë elokuentë. Pasi e kam lënë pas të folurën lokale në jetën time që ose është shkatërruar nga lufta ose nuk ekziston për arsye të tjera, dhe meqë nuk kam pasuri në formë prone dhe objektesh që vijnë prej jetës sime të hershme, më duket se i kam bërë këto gjuhë, si përvoja, një ambient që mund ta mbart me vete, përplot timbër, ritëm dhe theks të veçantë në varësi të kohës, vendit dhe personit. Mbaj mend dhe vazhdoj ende t’i vë veshin asaj se ç’thonë njerëzit, mënyrës sesi e thonë, ç’fjalë mbartin theksin dhe si e mbartin saktësisht dhe kjo, mendoj, është arsyeja pse në poezinë angleze është Hopkins dhe karakteret komike të Shekspirit të cilët kanë lënë gjurmë në veshët e mi në mënyrë kaq të pashlyeshme.

Si pasojë, kur mendoj për vitet e mia të hershme, edhe si imazhe të forta që më ngjajnë kaq të gjalla tani sa dhe atëherë, dhe gjendjet e gjuhës në arabisht dhe anglisht që gjithmonë fillojnë në intimitetin familjar: anglishtja me theks të çuditshëm dhe muzikore e nënës sime, e marrë në shkollat misionare dhe në mjedisin palestinez të fillimit të shekullit (shek. XX), arabishtja e saj mrekullisht shprehëse, që luhatej në mënyrë magjepsëse ndërmjet të folurës popullore të vendlindjes së saj Nazaret dhe Bejrutit, dhe asaj të fituar më vonë gjatë qëndrimit të gjatë në Kajro, dialekti i çuditshëm anglo-amerikan i babait tim, përzierja më e varfër dialektore e Jerusalemit dhe Kajros, ndjesia paralajmëruese edhe shpesh kërkuese që më përcillte në mënyrë të pasuksesshme për fjalën e duhur në anglisht si dhe në arabisht. Dhe pastaj, më vonë, arabishtja e gruas sime Mariam, një gjuhë e mësuar natyrshëm në shkollë kombëtare pa pasur shqetësimin fillestar të anglishtes apo frëngjishtes, megjithëse të dyja i mësoi pak më vonë. Kështu që ajo e ka të lehtë të kalojë nga e folura klasike në të folurën bisedore, gjë që unë nuk do ta bëja dot kurrë siç e bën ajo apo të ndihem krejtësisht rehat siç ndihet ajo. Dhe njohuria mahnitëse e djalit tim mbi gjuhën arabe si një strukturë madhështore e disi të vetë-ndërgjegjshme të cilën ai e mësoi vetë në mënyrë të përpiktë në universitet dhe më pas përmes qëndrimeve të gjata në Kajro, Palestinë, Jordani, Siri, Liban, duke mbajtur shënim çdo shprehje të re ligjore, Kur’anore, poetike, dialektore të cilat i mësoi derisa ai, një fëmijë i rritur në New York tanimë një jurist gjuha e parë e të cilit është dukshëm anglishtja, është bërë në fakt një përdorues i kultivuar i “lëndës” së stërgjyshit të tij (gjyshit të Mariam), gjuhës arabe të cilën ai e pati dhënë mësim si profesor universiteti në Bejrut para Luftës së Parë Botërore; apo veshi i përkryer i vajzës sime si një aktore e arrirë dhe si një talent i parakohshëm në letërsi e cila, ndonëse nuk bëri atë që i vëllai i saj më i madh bëri e të shkonte për të zotëruar lojërat e çuditshme të fjalëve të Muttersprach-it tonë origjinal, mund të riprodhojë tingujt me përpikëri dhe është thirrur (veçanërisht tani) që të luajë pjesë në filma komercialë, filma televizivë me seri, dhe pjesë teatrale, role që janë “gjinisore” të gruas së Lindjes së Mesme, gjë e cila e ka shtyrë atë gradualisht drejt interesimit për të mësuar gjuhën e zakonshme familjare për herë të parë në rininë e saj.

 

/Orientalizmi Shqiptar/

 

Përktheu nga gjuha angleze: Arian GJIKOLA


* Ky artikull është botuar në revistën “URA”, nr. 2, Pranverë-Verë, Tiranë 2009, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: