Hyrje > Albanologji, Orientalizmi shqiptar > Sami Frashëri – njohës i Kur’anit

Sami Frashëri – njohës i Kur’anit

Dr. Mehdi POLISI

 

SAMI FRASHËRI – NJOHËS I KUR’ANIT

Dr. Mehdi Polisi

Dr. Mehdi Polisi

Për këtë veprim kaq ekstrem të autoriteteve turke-osmane ne nuk mund të kemi ide të qarta, nuk mund të spekulojmë, por, megjithatë, mund të supozojmë se kjo masë e rreptë e qeverisë mund të jetë marrë se përkthimi dhe komentimi i përmendur do të ketë qenë shumë përparimtar dhe në kundërshtim me politikën fetare të qeveritarëve të kohës.
Dijetari i njohur turk, Levendi, në veprën e tij monografike për Sami Frashërin, duke u mbështetur në tri burime kryesore shkruan se Sami Frashëri ka përkthyer edhe Kur’anin, por, gjithnjë sipas këtyre burimeve, Këshilli i Kontrollit të Sheriatit, të cilit Samiu ia kishte paraqitur kërkesën për të marrë lejen e botimit të përkthimit të Kur’anit në gjuhën turke, ia kishte refuzuar kategorikisht, duke e detyruar Samiun që pjesët e përkthyera t’i asgjësonte krejtësisht. Për këtë veprim kaq ekstrem të autoriteteve turke-osmane ne nuk mund të kemi ide të qarta, nuk mund të spekulojmë, por, megjithatë, mund të supozojmë se kjo masë e rreptë e qeverisë mund të jetë marrë se përkthimi dhe komentimi i përmendur do të ketë qenë shumë përparimtar dhe në kundërshtim me politikën fetare të qeveritarëve të kohës. Sido që të jetë, ne, duke u mbështetur në burimet e sipërpërmendura, por edhe për shumë arsye e argumente të tjera që i kemi e që do t’i theksojmë në vazhdim të këtij punimi, nuk mund të mos besojmë se Sami Frashëri të mos jetë marrë edhe me studimin e Kur’anit.Dhe, pa fije dyshimi, nga Sami Frashëri, dijetari, enciklopedisti, shkencëtari, poligloti, iluministi, eruditi dhe patrioti i kombit tonë, i cili, për t’i shkruar gjithë ato vepra me tema nga më të ndryshmet, nga: letërsia, gjuhësia, filologjia, leksikologjia, dialektologjia, didaktika, astronomia, gjeologjia, antropologjia, mitologjia, historia, gjeografia etj., sidomos për të shkruar veprën enciklopedike “Fjalorin e përgjithshëm të historisë e të gjeografisë (Kamus al-a’lam)”, në të cilin përfshihet lëndë shumë e gjerë historike, me mijëra e mijëra zëra, që nga kohët më të lashta që ka mund t’i kap historia e deri në kohën e botimit të tij dhe nga të gjitha viset e rruzullit tokësor, pra, duke u shtrirë në kohë dhe në hapësirë, si dhe lëndë e gjerë gjeografike, ku përfshihen po ashtu me mijëra zëra gjeografikë nga gjithë rruzulli tokësor (kontinente, shtete, qytete, kasaba, male, fusha, lumenj, liqene, dete, oqeane etj.) ka qenë i shtrënguar të gjurmojë nëpër biblioteka, librari e nëpër tavane të shtëpive vepra të ndryshme deri enciklopedi të botuara e të pabotuara që i kishte mbuluar pluhuri i kohës, është pritur realisht që të merret edhe me fushën e islamistikës, bazë e së cilës është Kur’anin. Kur’ani, siç dihet, është libër i shenjtë, që përfshin tema të llojllojshme, si: tema që kanë të bëjnë me besimin në një Zot, në meleqët e Tij, në librat e Tij, në Pejgamberët e Tij dhe në Ditën e Gjykimit; tema që lidhen me udhëzimin e njerëzve që të vënë në funksion mendjen dhe intelektin e tyre për t’u përpjekur të zbulojnë fshehtësitë në qiej e në tokë, krijesa madhështore të Zotit xh. sh.; tema që kanë të bëjnë me tregime të ndryshme për popujt, pejgamberët dhe ngjarjet e mëparshme; tema që lidhen me normat morale; tema që kanë të bëjnë me normat praktike etj. Për të patur një ide më të qartë sesa njohës i thellë i Kur’anit ka qenë Sami Frashëri, ne jemi të shtrënguar t’i sillemi veprës së tij, por vetëm aq sa na lejon natyra e këtij punimi. Samiu trajton tema të rëndësishme shkencore, ku për objekt studimi ka njeriun, qiellin, tokën, Fenë islame dhe qytetërimin e saj etj., tema këto që në kohën e tij janë trajtuar në mënyra të ndryshme. Temat e këtilla Samiu i shtjellon ndryshe nga shumë shkencëtar të tjerë, sepse për shumë gjëra për të cilat nuk mund të gjejë shpjegime shkencore, i kthehet Kur’anit drejtpërdrejt, duke cituar ajete të tij dhe hadise të Pejgamberit a.s., ose në mënyrë të tërthortë. Sa i përket temës për njeriun, për të cilën Samiu ka shkruar dy vepra “Njeriu” dhe “Përsëri njeriu” do të ndalemi në disa pika sa për të vënë në dukje se Samiu gjatë trajtimit të tyre shkencor mbështetet pikërisht në Kur’anin Famëlartë. Është fjala për krijimin e njeriut të parë dhe për njësinë e gjinisë njerëzore, çështje këto që, siç thotë Samiu, më së shumti kanë lodhur mendjet e dijetarëve. Samiu, për dallin nga shumica e dijetarëve të kohës te të cilët mbizotëronte bindja se njeriu ka prejardhje nga majmuni, mendim ky shumë i përhapur në kohën e tij, mbronte tezën e tij, natyrisht, duke u mbështetur në Kur’an, se njeriu i parë është krijuar nga dheu dhe nga shpirti. Ajetet e Kur’anit “Ne e kemi krijuar njeriun nga dheu, pastaj në të (në trupin e tij) kemi futur shpirtin tonë” dhe “Me të vërtetë, Ne (thotë Allahu) e kemi krijuar njeriun në formën më të bukur” (Kur’ani, 95; 4), Samiu nuk i merr si pikë reference sa për të thënë diçka, por duke i zbërthyer e komentuar më tutje në mënyrë shkencore e me bindje të thellë, i përdor në veprën e tij si argumente të forta e të qëndrueshme për të kundërshtuar fuqishëm mendimet e pikëpamjet e të gjithë atyre që mendojnë ndryshe lidhur me krijimin e njeriut. Samiu ishte në dijeni lidhur me krijimin e njeriut të parë, Hazreti Ademin, që përmendet në Kur’an, dhe përpiqet të komentojë këtë çështje, por vetëm aq sa kishte mbledhur të dhëna nga Kur’ani dhe nga mufessirët (komentatorët e Kur’anit), për të thënë shkurt se “Sido që të jetë, shkenca tani për tani mbetet e pafuqishme të sqarojë saktësisht këtë çështje. Meqë është një gjë që lidhet me dijeninë dhe qëllimin e Krijuesit – thotë Samiu -, është madje përpjekje e kotë të lodhësh mendjen në këtë pikë. Prandaj – vazhdon Samiu -, në vend që të mendojmë se nga doli njeriu dhe si u krijua ai, më mirë është që të merremi me të vërtetën se në ç’kohë u gjet në rruzullin tokësor dhe në ç’gjendje ka jetuar që nga shfaqja e tij fillestare.” Problemi tjetër që do theksuar lidhur me krijimin e njeriut është edhe çështja e njësisë së gjinisë njerëzore, çështje kjo shumë e diskutueshme në kohën e Samiut. Duke u mbështetur në Kur’anin fisnik, edhe këtu ai shëpreh qëndrime të kundërta me shumciën e antropologëve. Sipas tij “… nuk ka asnjë dyshim se të gjithë njerëzit janë nga i vetmi lloj” për të vazhduar më tutje “… të gjithë njerëzit kanë lindur nga një çift, domethënë, nga një baba dhe nga një nënë”. Këtë tezë Samiu do ta mbrojë me dinjitet deri në fund. Kjo çështje – thotë Samiu – , është një nga të fshehtat e krijimit, në të cilën shkenca deri tash nuk ka mundur të gjejë rrugë të depërtojë dhe ndoshta nuk do të mundet ndonjëherë. Për këtë problem shkencëtarët – vazhdon Samiu – kanë hyrë në debate e diskutime të gjata, por “çfarëdo që kanë thënë, për çfarëdo që janë pajtuar dhe janë bindur, të gjitha mbesin vetëm si mendime, supozime, paragjykime, hipoteza dhe utopi.” Krijimit të gjinisë njerëzore nga një çift, për të përforcuar edhe më tej pikëpamjet e veta, Samiu do t’i sillet gati në gjithë veprën e tij. “Numri i madh i prindërve të gjinisë njerëzore ende nuk është hedhur poshtë krejtësisht – thotë Samiu – por, po duket se hipoteza që gjithë njerëzit kanë lindur nga një çift njeriu dhe që gjithë fëmijët e tyre janë vëllezër, në aspektin shkencor, tani është madje më e fuqishme dhe më e qëndrueshme.” Sami Frashëri, ky dijetar i madh, nuk i linte mendimet në gjysmë të rrugës. Pasi kishte pranuar me bindje të thellë se gjinia njerëzore ka lindur nga një çift njeriu, kudo që të ishte në rruzullin tokësor, për ta përforcuar edhe më tej këtë mendim, ai do të përpiqet që ta elaborojë shtimin dhe shpërndarjen e njerëzve edhe në viset e tjera. Dhe mënyra e përhapjes së gjinisë njerëzore nëpër viset e tjera të rruzullit tokësor – thotë Samiu – është bërë përmes tokës dhe përmes detit (ujërave). Kur jemi te tema për njeriun, do theksuar se fryma e Kur’nit në veprën e Samiut hetohet edhe në shumë aspekte të tjera, sidomos në vlerën dhe rolin e njeriut në sipërfaqe të tokës, në qëllimin e krijimit të tij, në dallimin e njeriut nga gjallesat e tjera, duke qenë i pajisur me mendje, zgjuarësi dhe me forcën e gjykimit për të zotëruar gjithçka ka në tokë e në qiej. Nuk e shohim të arsyeshme t’i elaborojmë këto pika sepse do të na çonte larg. Temë tjetër që kishte tërhequr vëmendjen e enciklopedistit tonë, Sami Frashërit, ishte qielli, krijimi dhe zbulimi i fshehtësive në gjithësi, të cilës i kushton një vepër të veçantë. Në këtë vepër, më shumë se në çdo vepër tjetër të tij, shihet ndikimi i drejtpërdrejtë i Kur’anit. Duke njohur fare mirë fushën e islamistikës, ai u sillet edhe mendimeve islame mbi qiellin, duke u mbështetur kryesisht në Kur’an dhe në thëniet e Muhamedit a. s., që kanë nxitur dhe ku janë mbështetur dijetarët islamë për të zbuluar fshehtësitë e qiellit e të tokës. Këto dy burime – thotë Samiu – kanë ndikuar që dijetarët islamë të përparonin në zotërimin e njohurive për qiellin dhe të diturive matematike-natyrore më shumë se çdo shkencë tjetër. Pikëpamjet e Samiut lidhur me temën në fjalë janë shumë të qarta. Duke qenë gjithnjë në frymën e Kur’anit, ai në mënyrë të argumentuar hedh poshtë mendimet e fanatikëve, duke iu përgjigjur atyre se “nuk ka asnjë fshehtësi në të cilën njeriu nuk duhet të përzihet, s’ka asgjë që nuk duhet ta zbulojë”, shprehje këto që do t’ trajtojë e do t’i mbrojë me vendosmëri më tutje. Për të qenë më bindës në mendimet e veta lidhur me trupat qiellorë, lidhur me gjithësinë përgjithësisht, Samiu si argumente merr një varg ajetesh të Kur’anit dhe hadise të Muhamedit a.s., të cilëve, nëse mund të shprehem kështu, u bën komentim (tefsir) të mbështetur edhe mbi bazën e logjikës dhe arsyes së shëndoshë. Do të përpiqem t’i kap gjërat më të ndieshme, por gjithnjë duke ia lënë fjalën Samiut. “Në Kur’anin fisnik – thotë Samiu – nuk ka asgjë për asnjë çështje që do të ishte në kundërshtim me shkencën. Së këndejmi, edhe për qiellin – vazhdon ai -, jo që nuk ndodhet në të diçka që do të përgënjeshtrohej me shkencë, por përkundrazi, përmenden toka dhe qiejt mjaft herë në shumicën e sureve, në shumë ajete për ata që janë të mençur. Kur’ani fisnik – thotë Samiu – u zbulon njerëzve fshehtësitë në tokë dhe në qiell; ai i nxit dhe u jep zemër për t’i kuptuar ato fshehtësi.” Sami Frashëri ishte këmbëngulës në qëndrimet e veta dhe pyetjen “Kërkimi dhe zbulimi i fshehtësive të qiellit është punë e pafe apo punë që shton besimin? ai do ta shtrojë në mënyrë shumë transparente. “Krijuesi i Madhërueshëm, vetëm për të shpjeguar dhe për t’ua bërë të njohur besimtarëve, e ka bërë të qartë përse e ka krijuar botën. A nuk është veprim sipas dëshirës dhe vullnetit të Zotit xh. sh. të përpiqesh për të kuptuar në një shkallë të mjaftueshme të vërtetën dhe thelbin e punës së Perëndisë? – pyet Samiu. Sipas asaj që kuptohet nga fjala e Zotit xh. sh., ekzistenca dhe madhështia e Krijuesit të Plotfuqishëm do të mund të kuptohet vetëm me argumentet e krijesave të Tij. Epo a është punë e pafe të kërkosh e të gjesh rrethanat e vërteta të qiellit, “që janë vepra tërësisht të pafund e të përjetshme të Krijuesit”, apo është mosbesim t’i çmosh sa një kandil veprat aq të mëdha të Zotit, që janë disa miliona herë më të mëdha në përpjestim me rruzullin tokësor, në të cilin ndodhemi dhe jetojmë ne? Cila nga këto zgjidhje e ul dhe e zvogëlon fuqinë dhe vlerën e Perëndisë dhe cila e ngre dhe e zmadhon? Në vend të përgjigjes së këtyre pyetjeve, Samiu, porosit, ashtu siç hasim shprehje të ngjashme në shumë vende në Kur’an: Kini kujdes dhe mendohuni mirë!” “Njeriu – vazhdon Samiu – jo vetëm që është i caktuar dhe i urdhëruar (nga ana e Allahut – M. P.) të dijë dhe të njohë punët e krijuesit të Madhërishëm, por, sigurisht, është i caktuar dhe i urdhëruar të dijë e të njohë edhe vetë Krijuesin. E për ta njohur mirë atë – thotë Samiu – duhet t’i njohë mirë punët e Tij.” Duke qenë në dijeni për astrologjinë, për nxjerrjen e gjykimeve të paargumentuara nga yjet, që është një punë e ndaluar rreptësisht nga Pejgamberi a.s., si dhe, duke qenë në dijeni për tregime mitologjike të indianëve, iranianëve, grekëve etj.,që, fatkeqësisht, kanë mbushur faqe të tëra të tefsireve, sikur gjoja janë të Islamit burimor, Samiu thotë: “Ndërkaq, të kuptuarit e shenjave të Perëndisë, që janë në tokë dhe në qiell dhe të nxjerrët mësime prej tyre, është urdhëruar me ajete të panumërta të Kur’anit fisnik.” Samiu nuk ndalet vetëm me kaq, Ai do të vazhdojë diskutimin e tij rreth qiellit edhe më tutje. Atë e kishin preokupuar shumë çështje, sidomos hapësira dhe koha e gjithësisë. “Po të themi se është një hapësirë që s’ka fund – thotë Samiu – , është diçka që nuk do t’i përgjigjet mendjes së njeriut! E po të themi se është e kufizuar, shkon e ndalet deri në një shkallë, atëherë – vazhdon ai – është i gatshëm diskutimi t’i kthehet mendjes sonë se “ Ç’ka më tej; ç’është përtej saj”? “Kjo hapësirë që i themi qiell deri ku shtrihet”? “Sa është numri dhe sasia e botëve që janë në të”? “Prej nga fillojnë dhe ku mbarojnë”? Këto pyetje sulmojnë mendjen e njeriut, thotë Samiu. Ato bëjnë trysni dhe e detyrojnë të japë përgjigje. Njeriu i drejtohet shkencës, por fatkeqësisht, edhe shkenca – thotë Samiu- tani për tani shumë herë nuk mund të japë përgjigje të meritueshme për këto çështje. Samiu, në një farë mënyre, jep shpjegime rreth këtyre pyetjeve, duke thënë se hapësira është e pakufishme dhe botët në të të pallogaritshme, megjithatë, ai do të pohojë se kur diskutimi bartet te Krijuesi, mendja është e shtrënguar për të besuar në një ekzistencë të pafund dhe të paskaj. Edhe për sa i përket kohës, Samiu shtron disa pyetje. Njeriu – thotë Samiu – është mësuar të mendojë një fillim dhe një mbarim për çdo gjë. Po gjithësia a ka pasur një fillim? A do të ketë një mbarim? Kur ka filluar? Kur do të mbarojë? Çka kishte para se të fillonte, Çka do të mbetet pas mbarimit të saj? Për dy pyetjet e para Samiu gjen përgjigje, duke thënë se “Çdo gjë, ashtu siç ka fillimin, është e natyrshme se do ketë edhe mbarimin e saj. Së këndejmi, edhe trupat qiellorë, pa përjashtim, do të kenë patjetër mbarimin.” Pyetjeve kur ka qenë fillimi i botës dhe kur do të jetë mbarimi i saj”?, shkenca – thotë Samiu – nuk mund të japë përgjigje për këto. Edhe Samiu, meqë në Kur’anin fisnik nuk përcaktohet as fillimi e as mbarimi i botës, nuk jep ndonjë gjykim të tij. Por lidhur me këto pyetje ai do të shprehet në mënyrë shumë të qartë: “Meqë cilësia dhe fuqia krijuese e Krijuesit të Madhërishëm është një veti e përhershme e Tij, Ai mund të krijojë në çdo kohë, Ai ka krijuar botët edhe më parë, krijon edhe tash dhe do të krijojë edhe në të ardhmen.” E për sa i përket pyetjes: “Çka kishte para se të ishte krijuar bota dhe çka do të mbetet pasi të zhduket ajo?”, Samiu jep mendim të prerë: “Para krijimit të botës ishte Allahu dhe pas shkatërrimit të botës do të mbetet dhe do të ketë Allah. Ashtu siç ka qenë vullneti dhe cilësia krijuese e Krijuesit të Madhërishëm para krijimit të botës sonë, po ashtu do të mbetet si vullnet dhe cilësi krijuese e Krijuesit të Madhërishëm edhe pas shkatërrimit të botës sonë.” Për Sami Frashërin është e njohur dhe e pranueshme çështja e krijimit dhe e shkatërrimit të çdo gjëje të krijuar. Mendimet e tij rreth këtyre problemeve ai do t’i shpjegojë shkencërisht duke i mbështetur në ajetet dhe në frymën e Kur’anit Kerim: “Çdo gjë do të shkatërrohet, përveç Madhëria e Tij (përveç Allahut)” (Kur’ani, 28; 88); “…çdo gjë do të kthehet te burimi i vet”; “Allahu ka ekzistuar edhe kur s’ka ekzistuar asgjë”. Mendimin e tij rreth shkatërrimit të tokës, Samiu do ta shpreh edhe në fund të veprës “Toka”. Pasi shpjeguam fillimin, prejardhjen dhe gjendjen në të kaluarën e në të tanishmen të Tokës, si përfundim të librit – thotë Samiu – të themi disa fjalë edhe për të ardhmen e saj: “Është e natyrshme –pohon ai – se çdo gjë që ka lindur, një ditë do të vdesë dhe çdo gjë e krijuar patjetër një ditë do të marrë fund, do të shkatërrohet. Pa dyshim edhe toka – vazhdon ai – një ditë do të marrë fund, do të shkatërrohet, por kjo punë është një gjë që mendja e njeriut nuk arrin ta kuptojë se si dhe kur do të ngjajë” – përfundon ai. Më duhet të shtoj këtu njëherësh se Sami Frashëri, si shkencëtar i madh dhe objektiv, pas shumë shpjegimeve që jep për qiellin, tokën, për gjërat mjaft të ndieshme shkencore, nënshtrohet para Krijuesit të vet, duke thënë më në fund se “Allahu është më i dijshmi për të vërtetën”. Do theksuar se Samiu merr në shqyrtim edhe shumë e shumë ajete e shprehje të tjera nga Kur’ani, si “shtatë qiej”; “Zoti i botëve” (në shumës, e jo në njëjës Zoti i botës), nga surja e parë “Fatiha”, duke treguar se për dijetarët para Kur’anit ka qenë e panjohur se në gjithësi ekzistojnë shumë botë, pastaj “gjashtë ditë”, që ka të bëjë me kohën e krijimit të botës etj., argumente këto që tregojnë se Samiu i është qasur Kur’anit në mënyrë të gjithanshme. Njohuritë e tij të thella e të gjithanshme për Kur’anin dhe për parimet e tij Samiu do t’i përfaqësojë edhe kur merr në shqyrtim tema që lidhen me Fenë islame dhe me qytetërimin e saj. Paraqitjen dhe përhapjen e Islamit në botë, mënyrën e përhapjes së tij, vlerat e tij, mirësinë që i ka sjellë njerëzimit, rolin e tij në transformimin e njeriut nga gjendja pagane në gjendje të qytetëruar, nxitjen e tij në përparimin e njeriut në shumë fusha të dijes e shumë elementë të tjerë, Samiu do t’i trajtojë në mënyrë të hollësishme në dy veprat e tij: Përpjekjet e heronjve në përhapjen e Islamit të cilën e hap me ajetin e Kur’anit “E vetmja fe e pranuar tek Allahu është Islami” dhe në Qytetërimi islam. Do të mjaftohemi në këtë rast të nxjerrim disa theksime të tij: “Është shumë e njohur – thotë Samiu – se banorët e shumë viseve të largëta, të cilët nuk kanë qenë nën juridiksionin e shtetit islam, Islamin e pranuan me vullnet me anë të frymëzimit të Allahut të Lartmadhërishëm. Përhapja e Islamit në mënyrë vullnetare, pa shpatë, pa ushtarë, pa misione e misionarë të organizuar sot është në rritje e sipër – vazhdon Samiu – dhe ky është argument i qartë dhe dëshmi e prerë, se mbrojtës i Islamit të vërtetë është Allahu i Lartmadhërishëm dhe Pejgamberi i Tij. Allahu i Lartmadhërishëm, për ta përhapur fenë në çdo kohë ndër besnikët e Tij, krijoi disa mënyra dhe mënyra më e sukseshme për këtë kohë është udhëzimi dhe informimi”, shprehet Samiu. Për Samiun është e qartë se qytetërimi islam burimin e ka te Feja islame, Feja islame te Kur’ani, e Kur’ani është Fjala e Allahut të Madhërishëm. Ja si shprehet Samiu lidhur me këto: “Mund të themi lirisht se qytetërimi islam është fryt dhe prodhim pikërisht i Fesë islame, sepse ky qytetërim, thotë Samiu, është paraqitur bashkë me Fenë islame, ngado që ka arritur Feja islame, ka arritur edhe ai qytetërim…Ai qytetërim – vazhdon Samiu – është rezultat dhe prodhim i Fesë islame, sepse shumë ajete urdhëruese të Kur’anit dhe shumë hadithe të Pejgamberit a.s. janë mbështetje dhe argument i tij…Ai qytetërim është prodhim i Fesë islame, sepse Kur’ani Kerim – pohon Samiu – është udhërrëfyes i qytetërimit; përshkruan drejtësinë dhe zbatimin e saj; vlerëson shkencën dhe diturinë.” E për sa i përket vlerave të Fesë islame, Samiu pohon se paraqitja e saj bëri kthesë të madhe në shoqërinë njerëzore. Ajo zëvendësoi politeizmin me monoteizëm, barbarinë me qytetërimin, paditurinë me dituri, urrejtjen me respektin ndaj njëri-tjetrit, dembelinë me përpjekje në punë, papastërtinë me pastërti, poligaminë me monogami, shthurjen familjare me harmoni familjare, amoralitetin me moralin, egoizmin me zemërgjerësinë, padrejtësinë me drejtësinë, nëpërkëmbjen e femrës me barazinë me mashkullin etj. Kjo është një nga dhuntitë e Zotit tim – thotë Samiu – duke cituar edhe ajetin e Kur’anit: “Erdhi e vërteta dhe u zhduk gënjeshtra”(Kur’ani: 17;81). Një argument tjetër i fuqishëm që na bind se Sami Frashëri ka pasur njohuri të shumta për përmbajtjen e Kur’anit është edhe vepra e tij “Gratë”. Në këtë vepër Samiu trajton vlerat dhe detyrat e gruas në shoqërinë njerëzore, rëndësinë e saj si shtyllë të familjes, nevojën e domosdoshme të edukimit dhe të mësimit të diturive të shumta, aftësitë e saj në nxënien e shkathtësive diturore e të mjeshtërive të ndryshme, zgjuarësinë dhe talentin e saj barabar me mashkullin, gruan si nënë e si edukatore të fëmijës, si bashkëshorte, si besimtare, të drejtat dhe trajtimin e saj në kohë e ndër popuj të ndryshëm, barazinë e saj me burrin, të drejtën trashëgimore të saj, çështjen e poligamisë-monogamisë, të mbulesës etj. dhe, të gjitha këto, Samiu i trajton gjithnjë në përputhje me Kur’anin dhe parimet e tij, duke cituar edhe shumë ajete. Nuk e shohim të arsyeshme të zgjatemi më tepër sepse do të na çonte shumë larg. Do theksuar këtu se njohuritë e Samiut për Kur’anin vërehen edhe nga aspekti gjuhësor. Lidhur me këtë, ai do të shprehet në mënyrë shumë të qartë: “Kur’ani Kerim – thotë Samiu – u shpall me një pastërti e rrjedhshmëri gjuhësore që do t’i mahniste të gjithë poetët. Ai ushtroi ndikim të thellë në thelbin e gjuhës arabe.” Në fund mund të thuhet se këto që u thanë këtu, ndonëse pak në raport me veprën e tij, janë argumente të mjaftueshme për t’i besuar asaj që u tha në fillim se dijetari ynë i madh, Sami Frashëri, ka përkthyer edhe Kur’anin, vetëm se kësaj do t’i shtoja edhe një element tjetër, se ai edhe e ka komentuar atë. Dëm i madh që kjo punë e vlefshme e Samiut është zhdukur nga faqja e dheut!

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: