Hyrje > Histori, Islami në Shqipëri, Orientalizmi shqiptar, Personalitete të rëndësishëm, Shteti Osman, Traditë > Bushatlinjtë – Historia e një fisi që nuk iu bind asnjë regjimi

Bushatlinjtë – Historia e një fisi që nuk iu bind asnjë regjimi

Anila DUSHI

 

BUSHATLLINJTË – HISTORIA E NJË FISI QË NUK IU BIND ASNJË REGJIMI

Kara Mahmut Pashë Bushati

 

Bushatllinjtë janë ndër fiset më të mëdha në Shkodër. Kjo familje feudale me origjinë shqiptare, është bërë e njohur në zonën e Shkodrës që në shekullin e XV, për traditën e saj të sundimit e ndikimit në qytet e krahinë. Nga kjo familje e madhe shkodrane, që pas periudhës së vezirëve e deri në dekadat e vona, dolën udhëheqës e prijës të popullit, si në raste revoltash, ashtu edhe në beteja për mbrojtjen e atdheut. Hysen e Jusuf Begu, janë të dy eksponentë të kryengritjes popullore të quajtur kryengritja e Hamz Kazazit në vitin 1834. Nipi i tyre, Selimi i Tahir Begut mori pjesë aktive në luftën e Miletit dhe në Lidhjen e Prizrenit. Reshit Begu, mori pjesë si prijës i çetave shkodrane në luftërat kundër Malit të Zi në vitin 1876 dhe u dekorua për trimërinë e tij. Beqir Begu i priu shkodranëve në luftën e Shpuzës, krahas Dasho Shkrelit. Dhe të gjithë këtyre burrave të shquar të fisit të Bushatlinjve populli shqiptar u ka kënduar këngë trimërie.

Shaban Begu, djali i Ali Begut, u shqua si luftëtar i Lidhjes së Prizrenit, sikurse e tregon dhe kënga e kalasë së Tivarit. Ai ishte prijësi i luftëtarëve shkodranë që luftuan për mbrojtjen e kësaj kështjelle. Shaqir Begu, një tjetër pinjoll i kësaj familjeje, kryesoi çetën shkodrane në luftën e Miletit dhe luftoi trimërisht në Rrzhanicë krahas me Dedë Gjo Lulin, kundër malazezëve. Në skenën e politikës shqiptare Bushatllinjtë kanë lënë shenja duke nisur nga Xhemal Shaqir Bushati dhe Visho Bushati, të cilët u zgjodhën nga populli deputetë e anëtarë asambleje bashkiake. Pas tyre në skenën politike u shfaqën Sylço Begu (Bushati) dhe Maliq Bushati , deputet, ministër e kryeministër në vitet 1941- 1943. Këtij fisi i takojnë dhe klerikët e Njohur Haxhi Haliti, Molla Rrustemi dhe Haxhi Sabri Bushati. Familja e njohur shkodrane ka marrë pjesë edhe në Luftën e Dytë botërore, madje duke lënë dëshmorë Nuri dhe Shyqyri Bushatit. Por si pjesa më e madhe familjeve të njohura shqiptar, Bushatlinjtë u përballën me persekutimin e pasluftës. Regjimi diktatorial i Enver Hoxhës vuri në shënjestër familjen e njohur dhe anëtarë të saj njohën persekutime nga më të rëndat. Sylço Bushati (Begu), Maliq Bushati dhe Qazim Bushati u pushkatuan nga regjimi komunist, edhe pse vinin nga një prej familjeve më me histori të të gjithë Shqipërisë. Pas pushkatimit, 15 anëtarë të tjerë të kësaj familjeje të madhe shkodrane u internuan ndërsa gjashtë vetë u arratisën për t’i shpëtuar persekutimeve komuniste.

Mehmet Pasha: Pashai i parë shqiptar që ngriti krye kundër Turqisë

Prejardhja e fisit të madh të Bushatlinjve lidhet ngushtë me emrin Bushat, një fshat shumë i hershëm i Shkodrës që ndeshet në dokumente që në gjysmën e dytë të shekullit XVII. Pema gjenealogjike e Bushatlinjve është mjaft e dendur por ndahet në pesë degë kryesore, në dukje të pavarura nga njëra tjetra. Një pjesë e saj është botuar për herë të parë në vitin 1927 në numrin 12 të revistës Dituria. Pavarësisht pretendimeve të disa studiuesve sllavë për ta nxjerrë këtë familje me origjinë sllave, asnjëherë kjo nuk është vërtetuar dhe është fakt i njohur që të gjithë studiuesit e mirëfilltë turq dhe shqiptarë e kanë vërtetuar se kjo familje ishte shqiptare, me saraje në Bushat e që më vonë për vetë rolin e vendin që zuri në histori , u vendos në kryeqendrën e veriut në Shkodër.

Në histori, tema e Bushatlinjve të Shkodrës zë një vend të rëndësishëm për faktin se ato drejtuan për 75 vjet Pashallëkun e Shkodrës, i cili u dallua për tendencën për autonomi dhe shkëputje nga Turqia si dhe zhvillimin ekonomik e kulturor pozitiv që pati. Sundimi i tyre i përket fazës së dytë të administrimit të Shkodrës nga Turqia , në vitet 1757-1831, e që historianët e quajnë: periudha e sundimit të pashallëkut të Shkodrës. Bazuar në të gjithë dokumentacionin e kohës themeluesi i dinastisë së Bushatlinjve është Mehmet Pashë Palku, me të cilin fillon një periudhë e mirë stabiliteti. Ai do të mbahet mend për misionin e madh të faljes së gjaqeve, bashkimin e Shkodrës me Malësinë e Madhe e Mirditën si dhe zgjerimin e kufijve deri në Pejë e në Jug deri në Elbasan. Në këtë periudhë bie në sy politika e tij drejt shkëputjes nga Turqia. Zhvillimi ekonomik, toleranca fetare, mirëkuptimi e lidhjet për bashkim i jepnin forcë këtij pashalleku, aq më tepër kur në politikën e jashtme ruhej një farë ekuilibri. Ai u bë sundimtar i Shkodrës në vitin 1757 dhe me të filloi një periudhë e re sundim ku bie në sy ringjallja e dëshirës së shqiptarëve për tu shkëputur nga Turqia.

Mehmet Pashë Bushatlliu është i pari pasha shqiptar që në gjysmën e shekullit të XVIII, do të ngrejë flamurin e kryengritjes ndaj Turqisë. Kjo do të bëjë që Bushatlinjtë të hyjnë në historiografinë botërore. Me Mehmet Pashë Plakun (Bushatliu) nis periudha më e shkëlqyer e dinastisë së Bushtlinjve që zgjati rreth 100 vjet, deri me kapitullimin e Mustafa Pashës, vezir i fundit i tyre. Gjatë sundimit të tij afro 20 vjeçar si ishte vezir i sanxhakut të Shkodrës dhe u bë i njohur për aftësitë e tij si ushtarak e administrator. Fillimisht ndoqi një politikë elastike ndaj Turqisë dhe pas fuqizimit të tij filloi të mos respektonte detyrimet ndaj Portës së Lartë, e cila në vitin 1775 e helmoi tinëzisht.Sipas historianëve, ai pati merita se ishte i pari që hapi shtigjet e një modeli të ri vetë sundimi, ngriti flamurin e mosbindjes ndaj urdhëresave sulltanore me qëllim shkëputjen, duke pasur guximin të deklarohej si autonom në qeverisjen e vendit. Mehmet Pashë Bushatliu ndihmoi në bashkimin e qytetarëve të përçarë të Shkodrës nga konfliktet e feudalëve paraardhës si dhe në harmoninë ndërfetare, duke siguruar bashkëpunimin e tyre në planin politik, administrativ e shoqëror. Në vitin 1773, ai ndërtoi Xhaminë e Plumbit sipas stilit të xhamive të Stambollit, objekt ky që aktualisht është monument kulture, një ndër më të bukurit që ka Shkodra.

HISTORIA

Koka e Kara Mahmut Pashë Bushatliut në Muzeun e Vjenës

Djali i madh i Mehmetit, Mustafa Pasha nuk u njoh asnjë herë nga Porta e Lartë si sundimtar i Shkodrës, edhe pse u përdor prej saj në disashërbime luftarake. Në vitin 1779 ai ra viktimë e një helmimi nga ana e Sulltanit,që ushqente urrejtje ndaj Bushatlinjve. Pas tij, pashallëku i Shkodrës drejtohet nga ajo që historianët e kanë quajtur figurën kryesore, Kara Mahmut Pasha. Trimëritë e Kara Mahmut Pashë Bushatliut janë trashëguar në legjenda, këngë e rrëfime të popullit në breza, por pozitive në periudhën e sundimit të tij mbeten dëshira e puna për bashkim, toleranca fetare, politika e jashtme aktive që ai ndoqi dhe për të cilat ekzistojnë dokumenta e botime sllave, turke, italiane, gjermane e austriake. Ai punoi për krijimin e një konfederate ilirike, kryetar i së cilës u zgjodh vetë. I emëruar nga vetë sulltani si Vezir i Shkodrës, Kara Mahmut Pashë Bushatliu u “shkarkua” nga ky post për shkak të zgjerimit të madh që njohën territoret e tij. Synimi i tij ambicioz ishte të bëhej sundimtar i gjithë Shqipërsë, duke pasuar Gjergj Kastriotin. Me këtë synim ai organizoi një kuvend në Podgoricë, në mars 1786 me qëllim bashkimin e forcave që do të luftonin kundër Turqisë dhe krijimin e Konfederatës Ilirike. Vritet më 22 shtator në afërsi të fshatit Kruz në luftë me malazezët. Koka e tij u nda nga trupi dhe u depozitua në kuvendin e Cetinës, ndërsa thuhet se austriakët, gjatë Luftës së Parë Botërore më 1914, kur pushtuan Cetinën e morën kokën e Kara Mahmutit dhe e vendosën në muzeun e Vjenës. Vdekja e tij i gëzoi mjaft malazeztë, të cilët shihnin tek Kara Mahmut Bushatliu një pengesë të pakapërcyeshme për pushtimin e tokave shqiptare.

Pas vdekjes së Kara Mahmutit , pashallëkun e drejtoi vëllai i tij, Ibrahim Pashë Bushatliu. Historiografët osmanë e paraqesin Ibrahim Pashën si një sundimtar të bindur ndaj Turqisë që nuk veproi si paraardhësit e tij duke u rebeluar herë pas here ndaj Portës së Lartë. Ai vdiq në vitin 1809.

Mehmet Pashë Bushatliu ishte një tjetër pinjoll i kësaj familje që në vitin 1825, gëzonte mjaft përkrahje në fshatra e malësi. Ai u vra me atentat në pabesi. Pashallëku u drejtua gjatë viteve 1810 – 1831 nga Mustafa Pashë Bushatliu.. Ai vdiq në Medinë në vitin 1860.

Pashallëku më jetëgjatë i Shqipërisë

Populli ka ruajtur e përcjellë mjaft dëshmi, gojëdhëna e anekdota që lidhen me sundimin e Bushtlinjve dhe përfaqësuesve më të njohur të tyre. Pashallëku i Shkodrës ishte një formacion politik që bashkoi një pjesë të madhe të Shqipërisë veriore, u krijua 20 vjet para atij të Janinës dhe jetoi 10 vjet më shumë se ai. Gjatë 75 vjetëve të ekzistencës së vet, ( 1757- 1831) ai u qeveris pa ndërprerje prej pesë përfaqësuesve të familjes s fuqishme feudale të Bushatlinjve të Shkodrës. Periudha e parë e ekzistencës së këtij pashallëku përfshin sundimin e Mehmet Pashë Plakut dhe dy djemve të tij, Mustafa Pashës dhe Kara Mahmut Pashës. Gjatë periudhës së dytë, ku shënohet dhe rënia e tij, sunduan dy vezirët Bushatlinj, Ibrahim Pasha dhe djali i nipit të tij Mustafa Pasha.

Disa nga vlerësimet e historianëve për periudhë e pashallekut të Shkodrës : “Kara Mahmut Pashë Bushatliu është figura më e shquar e Bushatlinjve dhe një nga figurat më të forta që ka nxjerrë Shqipëria gjatë sundimit turk. Me vrasjen e tij, e humbi dhe Shqipëria një farë shprese për tu bërë autonome dhe e pavarur” Abaz Ermenji, 1996.

“Pashalleku i Shkodrës u bë bërthama e shtetit të ardhshëm shqiptar, për të cilin në fund të fundit bëhej një luftë çlirimtare. Sundimi i Bushatlinjve ka një rëndësi të veçantë historike jo vetëm në kuadrin lokal , por dhe në atë kombëtar. Nuk është e rastit që kujtimi tyre u ruajt në kujtesën e popullit si periudhë lufte çlirimtare dhe si e tillë, ndikoi thellë edhe në rilindasit, në ideologët e lëvizjes kombëtare të mëvonshme” Prof. Dr . Stavri Naçi, Pashalleku i Shkodrës, 1964

“Shqiptarët e kanë dashur Kara Mahmutin. Talenti i tij, trimëria e tij pasuria e tij dhe bindje e popullit që sundonte, kanë treguar pavarësinë e tij të vërtetë” Konsulli Francez në Raguzë, 23 tetor 1796

“Kara Mahmut Bushtliu trashëgoi pushtetin e paraardhësve të tij, babait e vëllait të helmuar nga agjentët e Stambollit, dhe e bëri emrin e tij të tmerrshëm për grekët, sllavët e turqit” A. Galanti, albanolog italian, 1901

Bushatlinjtë kundër Asat Pashë Toptanit dhe Mehmet Shehut

Një tjetër përfaqësues i shquar i kësaj familjeje është Sylço Beg Bushati. Në vitin 1913 ai kundërshton Esat Pashë Toptanin për dorëzimin e Shkodrës, madje sipas historianit italian G.Berri, Sylço Begu i afroi Esat Pashës 100 lopë, pasi ai pretendonte se qyteti duhej dorëzuar se nuk kishte ushqime. Sylço Begu ishte protagonist i lëvizjeve politike e shoqërore, ku në vite 1914- 1915 është anëtar i komisionit administrativ të Shkodrës. Ai ishte zv/prefekt në kohën e Zogut dhe mori pjesë si drejtues në Luftën Koplikut. Udhëhoqi xhandarmërinë në kohën e Zogut por në mënyrë demostrative refuzoi rekrutimin e milicisë shqiptare. Në vitin 1943, djali i tij krijoi një çetë nacionaliste. Pas dështimit të konfrencës së Mukjes, ai rreshtohet në kampin antikomunist në Bllokun Indipendent, me qëllim lidhjen me aleatët anglezë. Me çlirimin e Shqipërisë fshihet dhe refuzon të largohet nga Shqipëria, pasi duke qenë i moshuar nuk dëshironte të vdiste larg atdheut. Duke e ditur se komunistët do të ndëshkonin ata që e strehonin dhe e fshihnin, Sylço Beg Bushati largohet nga vendi ku qëndronte dhe drejtohet për tu ndalur tek rrënojat e pabanuara të ish- shtëpisë së vëllait së tij, ku nuk shkelte njeri dhe askush nuk do kishte pasoja . Aty u kap nga komunistët, ku nuk mundi të rezistojë dhe pse ishte i armatosur me një nagant, por i ishte ngrirë dora. Pushkatohet me 21 shkurt 1945 së bashku me Dom Lazër Shantojën.

Pasardhës i Sylço Beg Bushatit, Myfit Bushati rreshtohet me Ballin Kombëtar por strehon dhe ndihmon dhe aktivistë të lëvizjes nacional çlirimtare. Në operacionin represiv komunist të Shefqet Peçit e Mehmet Shehut në Shkodër, në 1944- 1945, ai u arrestua dhe u dënua me 30 vjet burgim. Djali i tij Astrit Bushati është deputet i kuvendit të Shqipërisë që nga viti 2001 e në vazhdim.

Pronat e Bushatlinjve

Sipas të dhënave historike Bushatlinjtë, kanë qenë një familje feudale e fuqishme që gjatë periudhës së sundimit të pashallëkut i zgjeroi mjaft pronat e saj. Nexhmi Bushati rrëfen për “Shekullin” se në Bushat ka qenë shtëpia e madhe e pashallarëve, që ka qenë e vendosur tek një oborr i madh me tre çinarë. Ajo ndodhej në buzë të lumit Drin, në krahun e majtë të rrugës drejt Tiranës. Sipas kronikanit turk E. Çelepiu, kjo shtëpi është ngritur në themel që i takonin shekullit të XV, dhe që ishte vizituar prej tij në vitin 1641. Kjo shtëpi ka qenë dëshmitare e ngjarjeve të mëdha historike. Kështu në oborrin e saj u organizua festimi i madh popullor i vitit 1908, kur u shpall kushtetuta turke e Hyrjetit. Gjithashtu më 1919 aty u mbajt kuvendi i Bushatit, me përfaqësues nga Malësia e Madhe, Dukagjini, Postrriba, fshatrat e Nënshkodrës, Zadrimës, Lezhës etj, dhe ku rreth 2000 burra i kërkuan Konferencës së Paqes në Paris mos copëtimin e Shqipërisë. Shtëpia u rikonstruktua në vitin 1869. Në vitin 1912, serbët e dogjën këtë shtëpi. Shtëpia u dogj dhe në vitin 1924 nga qeveria e Nolit dhe u rindërtua në vitin 1930. Ajo ishte si pallat dhe ekzistencën e saj e vërteton dhe një pohim i Frang Bardhit. Kjo shtëpi qendroi deri në vitet 50-të të shekullit të kaluar, kur u prenë çinarët, u shemb shtëpia dhe u kthye në tokë arë së bashku me xhaminë dhe varret. Shtëpi tjetër e madhe e Bushatlinjve ishte dhe ajo që u ndërtua prej tyre rreth vitit 1873 në qytet një tjetër banesë me pamjen e një pallati, model për kohën. Shtëpia shquhet edhe sot për arkitekturën e jashtme dhe gëshenjet artistike me dru.

  1. Mati
    18/03/2016 te 10:07

    Pashalleku i Shkodrës do mbetet në histori si perpjekje e perherëshme e popullit shqiptar per pavarësì.”Oxhaku,baxhak nuk bëhet”.

  2. 15/01/2012 te 10:40

    Me te vertete Bushatlinjte u cilesuan si kryengrites, por ata ishin nje parti brenda sulltanatit, dhe jo jashte tij. Tiparet kryengritese te Bushatlinjve jane theksuar nga historiografia komuniste, e cila donte ta paraqiste shqiptarin si kryengrites, dhe Turqit si pergjegjesit e gjendjes se keqe te tyre…

  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: