Kreu > Xhamitë e vjetra shqiptare > Një udhëtim nëpër Elbasanin e minareve

Një udhëtim nëpër Elbasanin e minareve

Ben ANDONI

 

NJË UDHËTIM NËPËR ELBASANIN E MINAREVE

Ben Andoni

Ben Andoni

Ka humbur ‘shkëlqimi’ i dikurshëm i Elbasanit të ish-Perandorisë Osmane dhe ai sharmi i paqtë oriental i qytetit, ku qyteti mbizotërohej nga harmonia e minareve pa fund. Tashmë është një qytet i thjeshtë dhe ‘sërish i paqmë’ prej kaosit urban, që karakterizon qytetet shqiptare të pas viteve ’90, ku përzihen stile arkitektonike gjysmake. Pranë tyre, besimtarët myslimanë të qytetit, shkojnë për çdo ditë të falin kohët e tyre…në disa nga objektet e kultit më të vjetra në vend

Faiku, shtriq këmbët i qetë. Një plak, me sy të kaltëreme, e ndjek përbri duke pritur se çdo t’i kumtojë. Të dy bisedojnë mbase rreth disa suresh kuranore, por plaku duket se e dëgjon me shumë vështirësi. Hepon kokën shpesh. Faiku është mesoburrë, ndërsa burri tjetër, i ka kaluar të shtatëdhjetat. Duhet të ketë qenë shumë i bukur dhe nga qëndrimi duket i denjë në besimin e tij. I marr leje të fotografoj xhaminë një djali të ri dhe i kërkoj të takoj Imamin. Djali, që sapo ka mbaruar lutjen, ngre supet dhe vesh këpucët për t’u larguar. Imami s’është. Do të vijë në kohën e duhur në kohën e faljes! Më parë s’mundet. Është pak lagështirë dhe në këto ditë të freskëta qershori, që ndjekin ditët e mëparshme me të nxehtin afrikan, gjërat të pështjellohen disi. Faiku mban në kokë taçin e besimtarit, kurse plaku e vështron si i nemitur. Dua të shkoj drejt tyre…

Intermexo1

Ata që shkruajnë historinë e kanë pagëzuar çdo qytet me një emër të veçantë. Kësisoj Elbasanin e kanë quajtur “Darug Shuara”, d.m.th shtëpia e poetëve, Kjo xhami ngjan me një tempull me shumë shije shpirtërore. Brenda është e mbushur me peksimet për ushtrinë myslimane , e cila përgatitet të niset për në Kotorr të Venedikut…
…Elbasani ka dyzetë e gjashtë xhami, ndër të cilët xhamia më e vjetër është ajo e Fatihut, mbi portën e Kalasë. Në mes të Kalasë është xhamia e Gazi Sinan Pashës, një ndërtesë e madhe, por e vjetër dhe përdhese. Faqja e jashtme e të gjitha mureve të saj është e mbushur me vjersha, lavdërime e urdhra profetikë, të shkruara nga çdo udhëtar e shëtitës, i ardhur nga Arabia, Persia e Rumelia me dorën e vet me bukurshkrim. Po të mblidhen këto mbishkrime formojnë një vëllim të madh. Çdo poet e ka banimin në këtë xhami, muret e të cilës kanë një shkëlqim nga lyerja. Edhe unë, sipas zakonit, shkrova këtë rresht: këtë e ka shkruar shëtitësi i botës Evlija më 1081.

Tek Xhamia mbret

Duhet të kem këtë ndjesi, por nuk e di ku e ka lënë shënimin Çelebiu i madh. Dua të hamendësoj dhe e di që shpresoj kot. Mbase po të ishte Imami, do të më thoshte diçka. Mendimet ikin dhe vinë shpejt aty bash në xhaminë që përmend udhëtari i famshëm i perandorisë. Faiku më bën shenjë të afrohem në hajat. Kjo është xhamia më e njohur e qytetit dhe aktualisht më e vjetra, që mbahet në këmbë. Ndërsa mundohem t’u afrohem burrave, djali i ri, që sapo i ka veshur një palë atlete, ma bën me shenjë të heq këpucët…Ka të drejtë. I heq. Duhet të respektoj ritualin, që e di në fakt bajagi mirë. Ka shumë sharm oriental në kalanë e Elbasanit, por para xhamisë mbret, nuk ka ndonjëgjë aq të veçantë. Edhe pse kohët e reja, vetëm e kanë shëmtuar kalanë, në rrugët e të cilës ecin qytetarët e sotëm. Jo shumë larg prej këndej, fare pak metra më tutje ka qenë dhe xhamia e parë në qytet. E ashtuquajtura Xhamia e “Sulltan Fatihut” besohet të jetë ndërtuar më 1466 dhe është bash e dyta në vjetërsi pas asaj të xhamisë së Kuqe në Berat, e cila u ndërtua madje edhe para pushtimit osman të Shqipërisë…diku nga fundi i shekullit të XIV. Për të kuptuar rëndësinë duhet të dihet se nisja e ndërtimit të xhamive filloi të bëhet shumë pas shekullit të XV dhe më shumë XVI, kohë kur edhe filloi konvertimi në masë i shqiptarëve. Për hir të së vërtetës, me kalimin e kohës, do të ishin pikërisht Xhamitë, ndërtesat publike të karakterit osman dhe tregu, të cilat u bënë objektet fillestare që kompozonin qendrën e qytetit dhe kthesën e fytyrës urbane shqiptare. Kjo xhami e thjeshtë me hajat dhe pa kupolë është një nga krenaritë e vendasve. Në fakt, të gjitha xhamitë e qytetit kishin një harmoni, e cila lidhej me gjatësinë dhe dekorimet e minareve, që atëkohë rrallë e gjejë në ndonjë qytet tjetër. Dy burrat e ndjejnë, seriozitetin instiktiv ceremonial, dha ma bëjnë me shenjë t’u afrohem më shpejt. “Hajde se rob i Allahut”, je më inkurajon, burri që quhet Faik. Kronisti turk Evlija Çelebiu e emërton xhaminë si të Gazi Sinan Pashës e viti 1492 dhe të kuptosh rëndësinë duhet të dihet se është bërë bash aty ku kalonte dikur Vija Egnatia. Teknikisht ajo përfaqëson tipin e faltores me sallë të mbuluar me çati druri dhe hajat përpara hyrjes, sipas specialistit Aleksandër Meksi. “Xhamia e poetëve” përmblidhte në muret e saj vjersha, lëvdata e fjalë të rralla profetike nga poetët dhe udhëtarët e shumtë të cilët mblidheshin nga të katër anët e Perandorisë. Sipas Çelebiut, në muret e saj kishte aq shumë mbishkrime sa mund të formohej një vëllim i tërë me plot 1500 faqe. Nga ajo që thotë literatura besohet se ndërtimi i saj lidhet me emrin e Sinan Pashë Biçakçiut, i cili ka qenë në shekullin e XVI, rreth vitit 1506-1596. Në literaturë përmendet si oficer pallati në kohën e Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm dhe më tej edhe guvernator në Gaza e Tripoli. Në këtë kohë janë edhe xhamia e Lepurit , xhamia e Sinan Beut, Xhamia e Tabakëve,xhamia e Beqarëve dhe 20 medrese.

Burrat tregojnë se janë të ngeshëm. Mbasi marrin të gjithë informacionin e nevojshëm të gjeneraliteteve të mia, më ftojnë të ulem pranë. Në pak minutat kanë mundësi të marrin gjithçka që mundem t’u jap. Nga ata asgjë e veçantë. E kisha marrë me mënd se janë zhgënjyes. Plaku, më rrëfen se nuk është fare këtej dhe është nga Shën Gjergji. Nuk di shumë gjëra. Kur filloj të bëj fotot, ai heq një kapë dhe vendos taçin e besimtarit. Sytë e kaltëreme i kanë humbur dritën dhe tash duket si një bojë e shplarë akuareli. Përbri, Faiku ‘e tepron’ dhe fillon të më bëjë propagandën e besimtarit. I ka bërë përshtypje Maqedonia dhe më thotë se ka qenë disa vjet atje. “Atje po,- më thotë, atje është besimi i vërtetë”. Edhe këtu i them. Të gjithë njerëzit që janë afër kalasë e falin këtu …Ndërkohë, Faiku fillon e më tregon një histori të religjionit ashtu si mund ta dijë vetëm ai. Por…. Ndjesia e poetëve s’është asgjëkundi. As sharmi i vërtetë i xhamisë mbret. Afrohen dhe dy burra të tjerë, të veshur shumë pastër. Me njërin bëj shaka, se i them që me aty fytyrë duhet të ketë qenë boksier. Burrat më thonë se janë falur gjithnjë dhe madje që të gjithë myslimanët që janë afër Kalasë, e falin këtu. Askush nuk më thotë se çdo të thotë të falesh këtu. Historia? Ah, historia. Më mirë do t’i drejtohem librave…Me burrat bëhet një muhabet i shtruar dhe janë të ngeshëm. Besimi nuk e njeh ngutin. Dua të iki. Jam zgjuar herët dhe rruga e tmerrshme e Kërrabës më ka troshitur. Jam zgjuar i turbulluar kur më është kërkuar të vi këtu…

Durhami në Elbasan

Të nesërmen në orën tetë u zgjova nga disa goditje të forta në derë. Meqënëse këtu njerëzit ngrihen shumë herët, kujtuan se isha e sëmurë e qenë grumbulluar të gjithë prapa derës sime….
Duke marrë shembull nga mytesarifi, në gjithë Elbasanin më pritën mirë. Madje edhe ushtari që e kërkonim për të na hequr udhë, vinte na nxirrte shëtitje dhe nuk e pranonte kurrsesi bakshishin, duke thënë se ishim miq…
Elbasani ka rreth 10,000 banorë e më shumë se gjysma janë myslimanë. Të krishterët janë ortodoksë, por në vend të paraardhësit shqiptar, është emëruar një dhespot grek, që po bën përpjekje të mëdha për të helenizuar shkollat dhe kjo ka ngjallur pakënaqësi të mëdha. Elbasani anon nga Roma dhe po bëhen përpjekje të mëdha për ngritjen e një kishe dhe shkolle Uniate nën mbrojtjen e Austrisë, ku të përdoret gjuha shqipe…Në Elbasan prekesh nga përpjekjet e mëdha që bëhen për dije e kulturë. Gjen njerëz që pa kurrfarë ndihme japin e marrin me gramatikën frënge e madje gjermane. Ka një numër mjaft të madh njerëzish të shkolluar dhe të ditur, po të merret parasysh fakti se në Perandorinë Turke nuk futen libra nga jashtë, përveçse me kontrabandë ose vetëm pasi të kenë kaluar censurën turke…

Tek Nazaresha

Faiku vazhdon propagandën e tij, që nuk ka të reshtur. Ngatërron historinë dhe besimin dhe fillimin e religjionit mysliman e modifikon sipas mendjes së tij. Mungesa e shkollës së përshtatshme e bën që t’i bëj gjërat lesh e li. E dëgjoj, por se lë të vazhdoj më. I them që duhet të iki. Me burrat ndahem i qetë. Po afron ora, por besimtarët ende s’po afrohen. Shpresoj të gjej diçka më ndryshe drejt Nazareshës. Më parë duhet të kalojmë Kulla e Sahatit, që ndodhet në të majtë të hyrjes në Portën e Kalasë dhe përbën një prej objekteve më simbolike të qytetit të Elbasanit. Kulla e Sahatit me tre kate, që shihet nga të gjitha anët e qytetit, ka një lartësi prej 30 metra dhe planimetri katrore me përmasa 4.3 X 4.3 metra. Ajo është ndërtuar në vitin 1899, por nga të dhënat dokumentare rezulton se Elbasani ka pasur një kullë sahati që në fillim të shekullit të XVII. Madje, janë historianët mendojnë se në të njëjtin vend ku ndodhet Kulla e Sahatit, janë ndërtuar tre të tilla radhazi. E para është bash në shekullin XVII, që e përmend edhe Çelebiu, rrënuar në vitin 1854. Kulla e dytë prej druri është ndërtuar rreth viteve 1865-1869 dhe pas rrënimit të saj është zëvendësuar me kullën ekzistuese në pranverën e vitit 1899. Nazaresha s’është larg por koha dhe gjërat e kanë mënjanuar krejt. Një tabelë e madhe, tek një pallat i shëmtuar tregon se këtu në fillim të vitit ’90, e kanë shfrytëzuar besimtarët për të bërë ritualin e parë fetar. Po të mos jetë minareja e thyer në mes dhe lloji i ndërtimit tepër i kualifikuar, ti nuk do t’i afroheshe Nazareshës. Kuptohet po të mos dije emrin. Sipas një mbishkrimi në murin e saj besohet se është ndërtuar në vitin 1599. Mendohet se e ka marrë emrin e bashkëshortes së një personaliteti të rëndësishëm perandorak osman, i cili e ngriti xhaminë dhe i vendosi emrin e saj. Kjo është xhami e ndërtuar sipas stilit të xhamive sulltanore me kupole dhe hajat. Kjo e Nazareshës, që është respektuar edhe si monument kulture, është në gjendje shumë të amortizuar dhe drejt rrëzimit të minares dhe kupolës. Ndoshta, vendi i saj në jug të qytetit pranë shinave të trenit, e bën më të dukshëm ‘divorcin’ me masën e besimtarëve. Shrpesoja dhe ëndërroja të kishte shumë njerëz. Janë pak besimtarë që vinë, por gjithsesi shpesh e më shumë të rinj. Dy burra japin e marrin para derës. Në fakt minarja është e këputur në mes. Na mbetet shikimi gjatë aty. Bash në hajatin e ngushtë, të dy burrat, kur na shikojnë që afrohemi, fillojnë e lexojnë. Njëri më i ngeshëm që dëgjon dhe tjetri që flet pafund. Ai, që lexon librin e shenjtë, kinse bën edhe indiferentin. Por, në hapësirën e jashtme të kishës, asgjë s’ka rëndësi. Është vërtetë nga ndërtimet më të mahnitshme në Elbasan. E ka ndërtuar një dorë me shumë pretendime. Nga format që janë duket se duhet të ketë vazhduar dhe më tej, sepse në mes të murit duken vendet e mbështetjes së pjesës të trarëve. Burrat na shikojnë më me interes. I qarkohemi xhamisë, kur fotoja është e vështirë për t’u bërë. Ka forma të përkora. Burri tani ngrihet dhe nuk duron pa na treguar se xhamia është e mirë dhe minarja që në kohën e Luftës Italo-Greke s’është rregulluar më. Ndërkohë tjetri ka shkuar për të marrë avdes. Është një nga xhamitë legjendare të qytetit me një emër shumë lozonjar, e cila të krijon një ndjesi të këndshme në vesh. Zoti e di se kur do të rregullohet. Të dy burrat shqetësohen se dikush ka ardhur dhe ka pyetur për rrethimin. I siguroj se jam thjesht për ta parë dhe fotografuar. Këtu kemi pakt. Vinë dhe më ndjekin me interes në një bisedë, ku bashkohemi të tre. Pak minuta më vonë do jem me burrat që nuk i lëvizin as edhe një grimë takijet e tyre dhe që futemi në një diskutim ndërtimor.

Xhamia e Ballijes

Më tej. Burrat më përcjellin, ndërsa njëri më merr leje ngaqë po përgatitet. Po Ballija? Ah..Ballija…Ik andej…Ktheu sërish, ma bën ai që lexonte… E gjitha është pjesë e një legjende. Më e bukura dhe bash e treta në planin tonë ishte Xhamia e Ballijes ose ajo e cilësuara si “xhamia Blu e Elbasanit”, e cila është ndërtuar pas xhamisë së Nazireshës. Studiuesit mendojnë se ajo është ndërtuar në fillim të shekullit XVII, në kohën kur në Perandori kishte shkëlqyer si kryearkitekt Sedefqar Mehmet Aga Biçakçiu. Çelebiu e përshkruan si të ndërtuar më ndërmjet vitit 1608 dhe 1609. Elementë përbërës të saj si salla e faljes, portiku, minareja etj., plotësohen me siluetën e një kupole gjysmësferike me një tambur poligonal tetëkëndor. Elementi më tërheqës i xhamisë së Ballies ka qenë minareja, e cila për nga lartësia, modelimi dhe ballkoni kanë qenë nga elementët e vetme të këtij lloji në Shqipëri. Xhamia e Ballijes ndodhej pranë vendit ku sot është Teatri Skampa. Në veprën e tij, Evlija Çelebiu la të shkruar dhe tekstin e mbishkrimit datues të xhamisë:
..Pas kësaj te tregu është xhamia e Hasan Balliut me këtë shkrim datonjës mbi portë:
I biri i Hasan Balliut e ndërtoi për perëndinë,
Këtë shtëpi të Zotit që i gjason xhenetit.
Lavdi i qoftë Zotit që u ndërtua kjo vepër,
E pranoftë Perëndësia, që s’ka shok tjetër.
Kjo vepër do të jetojë deri në kiamet.
Njerëzit natë e ditë do t’i japin rahmet.
Manasttirliu fëmijëve u caktoi këtë datë,
Dhe ata ndërtuan tempullin që meriton lëvdatë.
Viti 1017.

Pas kësaj është xhamia e re e agait të Biçakçi Zadesë me minare shumë të bukur, ajo e Lepurit, që është edhe kjo shumë e bukur, si edhe xhamia e Sinan Beut me shumë vazhdues pranë gjyqit…

Të tjerat

Jemi ndarë me burrat dhe pse ata duan të më tregojnë më shumë. E kuptojnë dhe vetë se nuk munden më, por edhe se nuk kanë çfarë të rrëfejnë. Për fat, do të jetë thjesht literatura që do të thotë se Elbasani shkëlqen në kulturë dhe në gjërat e Islamit. Nuk e di pse kujtoj fjalët e Abdyl Hamitit II, sipas të cilit “perandoria e tij mbahej nga arabët dhe …shqiptarët”. Dijetarë të shumtë mësonin ndërsa pranë çdo medreseje mësonin shumë të rinj, ashtu si kishte shkolla hafizësh pranë çdo xhamie. Në vitin 1930 rrethi i Elbasanit kishte 117 xhami dhe 148 hoxhallarë. Kjo nuk mbaronte këtu. Elbasani kishte dhe Xhaminë e Pazarit, xhaminë e Agait, xhaminë e Hasan Pashës, xhaminë Hazinadare, xhaminë e Tabakëve, xhaminë e Karavalies, xhaminë e Mulla Tahirit, xhaminë e Qoshes, xhaminë e Sofjanes, xhaminë e Sulejman Pashës, xhaminë Zyrtare, xhaminë e Sulejmanisë jozyrtare, xhaminë e Ollastrës, xhaminë e Hafizit, xhaminë Silashore, xhaminë e Babollës, xhaminë Aledine, xhaminë e Esnafeve etj. Pafund…

Burrat janë qetësuar kur kemi ikur, ndërsa më duhet të shikoj dhe një të fundit. Xhamia e Pashës është bash sot në qendër dhe mu atje, ku kanë bërë një shatërvan që të jep açik shëmtinë e ndërtimit të ri. Përreth pallate pa sistem, që duket sikur e shtrydhin objektin e hekurosur të kultit. Në fakt, kudo ndërtimet e reja nuk i respektojnë gjërat e religjionit. Akoma më e pastilizuar do më duket ajo e Elagrit. Por kjo e fundit është krejt e mbyllur. Si të gjithë gjërat e reja, ajo s’ruan asnjë nga bukuritë e ndërtesave osmane. Diku nga përtej po vjen djaloshi, që më ka thënë të zhvesh këpucët, ndërsa më ndërpret shikimin dhe çuditet që po flas me një burrë që po pret të vijë ora të falet te Xhamia e pashës. Është i veshur me kostum dhe më ndjek i qetë. Shumë simpatik dhe dinjitoz më thotë se ka qenë sharxhi në Librazhd…kurse tani pret orën të falet. Është i paqtë si gjithë njerëzit e thjeshtë të besimit. Dhe, qëndron në strehën e një ndërtesë të vjetër i ulur në prag. Pret…Ngre sytë sipër sikur do të ngushëllojë qiellin që vjell pa fund shi. Më buzëqesh në fund, në këtë ditë vere të vitit 2010.

Shkrimi konsultoi të dhëna nga Arkitektura e Xhamive e profesor Aleksandër Meksit dhe Wikipedia.

Ky artikull është marrë nga faqja: http://revistamapo.com/lexo.php?id=2365

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: