Kreu > Albanologji, Histori, Islami në Shqipëri, Ngjarje të rëndësishme, Orient-Oksident, Orientalizmi shqiptar, Shteti Osman > Memorandumi i Abdyl Frashërit kundër vendimeve të traktatit të Shën Stefanit

Memorandumi i Abdyl Frashërit kundër vendimeve të traktatit të Shën Stefanit

Dr. Iljaz REXHA

 

MEMORANDUMI I ABDYL FRASHËRIT KUNDËR VENDIMEVE TË TRAKTATIT TË SHËN STEFANIT*

Dr. Iljaz Rexha

Dr. Iljaz Rexha

Ky memorandum u është drejtuar diplomatëve të qeverive të Fuqive të Mëdha të Evropës dhe Qeverisë Osmane, me të cilën kërkohet që edhe çështja shqiptare të shqyrtohet në Kongresin e Berlinit, njëkohësisht, duke kërkuar që të mos lejohet (një padrejtësi historike) copëtimi i tokave shqiptare në mes të shteteve ballkanike: Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë. Një nga kopjet e këtij memorandumi, që i është dërguar Qeverisë Osmane, në të vërtetë, është kopja që u botua në gazetën “Basiret” të Stambollit, më 21 prill të vitit 1878, deri më tash e pabotuar në gjuhën shqipe.
Ne, me këtë rast, po bazohemi në këtë kopje, meqë kopjet e dërguara diplomatëve të Evropës nuk i posedojmë, të cilat në përmbajtjen e tyre mund të kenë nuanca dallimi, por, motoja e tyre, supozohet se përafërsisht është e njëjtë.
Me këtë memorandum Abdyl Frashëri ia bënte me dije Qeverisë Osmane, që ajo në asnjë mënyrë të mos lejonte copëtimin e territoreve shqiptare në mes të sllavëve dhe grekëve, territore këto që gjendeshin në kuadër të Perandorisë Osmane. Nëse Qeveria Osmane nuk është në gjendje t’i mbrojë shqiptarët dhe trojet e tyre nga agresioni i shteteve ballkanike, atëherë të paktën mos të pengojë vetorganizimin e tyre për t’i mbrojtur trojet e tyre etnike.
Ky memorandum i është dërguar Portës së Lartë kur marrëdhëniet shqiptare ende nuk ishin acaruar me Perandorinë Osmane, kur përfaqësuesit dhe deputetët shqiptarë i qeverisnin vilajetet shqiptare dhe e kishin pushtetin lokal në duart e tyre. Pas formimit të Lidhjes Shqiptare dhe luftës së saj për autonomi dhe pavarësi, shpërtheu konflikti i armatosur në mes të Lëvizjes politike shqiptare dhe Qeverisë Osmane, e ky konflikt vazhdoi deri në vitin 1912, kur Shqipëria fitoi pavarësinë e vet, por gjysma e territorit të saj mbeti jashtë kufijve të saj etnikë.
Porta e Lartë, me politikën e saj dyfytyrëshe dhe diplomacinë e saj perfide, lejoi pushtimin e tokave shqiptare nga Serbia Toplicën, Prokuplen, Kurshumlinë, ndërsa Mali i Zi pushtoi Ulqinin, Tivarin, Anën e Malit, kurse Greqia krahinën e Çamërisë. Të gjitha këto vise ishin të banuara kryesisht me shqiptarë. Qeveria Osmane, kur u lirua nga presionet e Fuqive të Mëdha dhe shteteve ballkanike, Lëvizjen politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për autonomi dhe pavarësi e shoi me gjak.
Që nga periudha e Krizës Lindore, qarqet borgjeze sllave dhe greke hartuan plane dhe elaborate megalomane për copëtimin e tokave shqiptare, qysh kur ato gjendeshin nën sundimin osman. Këto shtete planifikonin që në atë moment, kur të shkatërrohej pushteti osman në Vilajetin e Kosovës, dhe në ato të Shkodrës, të Manastirit dhe të Janinës, që ende kishin mbetur nën sundimin osman, të pushtoheshin nga Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, natyrisht me ndihmën e Rusisë Cariste, inspiratorë të pansllavizmit, e cila ia kishte imponuar Turqisë Traktatin e Shën Stefanit, duke kërkuar që edhe vëllezërit e vegjël të saj të zgjerohen në dëm të tokave shqiptare. Përndryshe, Turqisë i kërcënohej rreziku që të humbte Bosforin dhe Dardanelet.
Fuqitë e Mëdha, në radhë të parë, Franca dhe Anglia, bënë gabime fatale dhe padrejtësi të mëdha ndaj popullit shqiptar, si popullit më të lashtë dhe autokton të Ballkanit, duke e konsideruar atë si një mbeturinë të administratës shumëshekullore osmane-turke. Franca e Anglia në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913 dhe në atë të Versajës më 1918 e përkrahën Serbinë që ta pushtonte dhe ta aneksonte Kosovën dhe Maqedoninë Perëndimore, kryesisht tokat shqiptare. Sipas botëkuptimeve të këtyre shteteve, populli shqiptar ishte pjesë e botës orientale, duke mos dashur ta pranojnë faktin e njohur historik, se ai i takonte tri besimeve dhe dy kulturave të mëdha botërore, asaj lindore dhe asaj perëndimore.
Shtetet ballkanike dëshironin që Ballkanin ta spastronin nga popullsia muslimane, ndërsa shqiptarët, që u takonin tri besimeve, t’i shpërngulnin në vende të ndryshme, kurse tokat e tyre etnike t’i copëtonin në mes tyre.
Para se të analizojmë përmbajtjen e memorandumit në fjalë, do të bëjmë një hyrje të shkurtër lidhur me aktivitetin e Abdyl Frashërit në planin e brendshëm politik dhe në atë të jashtëm diplomatik.
Abdyl Frashëri ishte njëri nga ideologët më të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në përgjithësi, dhe i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në veçanti. Ai u angazhua me tërë qenien e tij që viset shqiptare, të shpërndara në katër njësi administrative, përkatësisht në katër vilajete të Perandorisë Osmane të bashkoheshin në ato vise, ku shumicën e popullsisë e përbënin shqiptarët, në një vilajet autonom, përkatësisht në një shtet autonom (të pavarur) shqiptar.
Abdyl Frashëri ishte kryetari i parë i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare që u formua në Stamboll në vitin 1877, ndërsa më vonë kryetar konspirativ i tij u bë Sami Frashëri. Komiteti i Stambollit pandërprerë protestoi botërisht kundër pretendimeve shoviniste që ushqenin qeveritë borgjeze të shteteve ballkanike ndaj tokave shqiptare. Në programin e këtij Komiteti u shpall njëkohësisht edhe platforma politike e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ndërsa në një proklamatë të tij, mes të tjerash thuhej:
“Lidhja Shqiptare do të përdorë të gjitha fuqitë e veta për të mbrojtur, përballë opinionit publik dhe diplomacisë evropiane, të drejtën e kombësisë shqiptare. Ne dëshirojmë ngrohtësisht të jetojmë në paqe me të gjithë fqinjët tanë, me Malin e Zi, Greqinë, Serbinë e Bullgarinë. Ne nuk kërkojmë, nuk dëshirojmë asgjë nga ajo që është e tyre, por jemi krejtësisht të vendosur të mbrojmë me këmbëngulje çdo gjë që është e jona, prandaj t’u lihet shqiptarëve toka shqiptare.”[1]
Pas Luftës ruso-turke, Traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit me vendimet e tyre jo vetëm që i linin viset shqiptare nën sundimin e Perandorisë Osmane, por parashihnin që shumë territore të tyre t’u dorëzoheshin shteteve ballkanike.
Bullgaria e Madhe e Shën Stefanit parashihej të të përfshinte deri në kufijtë perëndimorë të kazave të Korçës e të Starovës, duke përfshirë edhe trojet e tjera shqiptare: Kaçanikun, Tetovën, Gostivarin, Dibrën, Kërçovën, Strugën, Pogradecin dhe Korçën.
Për Malin e Zi parashihej që territori i tij të rritet tri herë e gjysmë, duke përfshirë tokat shqiptare të banuara kryesisht me shumicën e popullsisë shqiptare si: Ulqinin, Tivarin, Krajën, Ana Malin, Hotin, Grudën, Kelmendin, Vërmoshin, Plavën, Gucinë dhe Rugovën.
Serbia parashihej të përfshinte disa vise shqiptare në Sanxhakun e Prishtinës deri në afërsi të Mitrovicës, duke përfshirë Prokuplën, Kurshumlinë, Toplicën, Llap-Gollakun, që ishin kryesisht të banuara me popullsi shqiptare.
I pari që iu kundërvu këtij trakti, ishte Abdyl Frashëri, me letrën e tij në formë të një memorandumi, i cili, siç theksuam më lart, u botua në gazetën e Stambollit “Basiret” në të cilën karakterizoi të gjitha qëllimet e diplomacisë evropiane dhe të asaj të shteteve ballkanike duke shtuar…:
“Atdheu ynë – tokat shqiptare janë një pjesë e madhe e Rumelisë-Ballkanit dhe politikanët që merren me çështje politike, kinse nuk janë të informuar për këto gjëra. Ata orvaten ta ndajnë Rumelinë-Ballkanin në mes të sllavëve dhe të grekëve, ndërsa neve shqiptarëve na konsiderojnë sikur të mos ekzistonim fare në këtë pjesë të Ballkanit.”[2]
Që me nënshkrimin e Paqes së Shën Stefanit, Abdyli e kishte hetuar rrezikun dhe i kishte informuar atdhetarët shqiptarë që t’i kundërviheshin këtij agresioni. Në këtë memorandum Abdyli shkroi një histori në miniaturë, duke u nisur prej kohës së lashtë, të gjenezës, të gjuhës, të traditave, dhe të dokeve shqiptare e të tjera. Në këtë drejtim ai mund të krahasohet me Vaso Pashën dhe veprën e tij të njohur, “E vërteta mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët”.
Abdyl Frashëri gjithashtu, për të ngritur vetëdijen kombëtare shqiptare, shkruante: “Populli shqiptar gjithnjë ka luftuar për ta mbrojtur lirinë e vet, prandaj ai u bë shembull edhe për pasardhësit e vet për t’u bërë ballë fuqive të huaja dhe armiqve të jashtëm”.[3]
Duhet ta pranojmë faktin se Abdyl Frashëri ishte personalitet i njohur edhe në skenën politike të diplomacisë evropiane, kështu që disa historianë pohojnë se ai e kishte kryer fakultetin e drejtësisë në Paris.[4] Sipas studiuesit turk, Süleyman Külçe, Abdyl Frashëri kishte një arsimim të lartë, fliste disa gjuhë të huaja dhe i njihte shumë mirë rrethanat politike dhe historike të kohës së vet.[5] Ai, përveç që ishte një organizator i aftë, kishte edhe pendë të fortë dhe stil të lartë në shkrimet e tij, sikurse edhe vëllezërit e tij, Samiu dhe Naimi.
Një kohë relativisht të gjatë Abdyl Frashëri ishte marrë me tregti dhe si ndërmarrës i këmbimeve të mallrave, gjë që i kishte dhënë mundësi të dilte jashtë Perandorisë Osmane dhe të njihej me gjendjen politike, ekonomike dhe kulturore të vendeve të tjera të Evropës, dhe, si duket, ai u ndikua nga institucionet borgjeze demokratike të tyre. Por, nëse marrim parasysh faktin se ai qëndroi edhe në Francë, atëherë, natyrisht, duke studiuar edhe literaturën e iluministëve francezë ra nën ndikimin e tyre, meqë i përqafoi idetë e Revolucionit Borgjez Francez, i cili kishte moton: LIBERTE, EGALITE, FRATERNITE (Liri, Barazi, Vëllazëri).
Në fillim të vitit 1877 ishte emëruar si drejtor i doganave në Vilajetin e Janinës, ku, pjesën dërrmuese të popullsisë, e përbënin shqiptarët. Nga kjo pozitë ai është zgjedhur si deputet i Janinës në Parlamentin e Parë Osman, i cili u mblodh në muajin mars të vitit 1877 në Stamboll.[6]
Abdyli, si deputet në Parlamentin Osman zhvilloi një aktivitet dhe angazhim të gjithanshëm dhe bëri përpjekje maksimale që të përmirësohet gjendja materiale dhe shpirtërore e shqiptarëve nën sundimin osman, sepse në viset shqiptare në atë kohë dominonte padituria dhe prapambeturia në të gjitha sferat e jetës, sidomos në lëmin e arsimit dhe të kulturës.
Abdyl Frashëri, duke folur në Parlamentin Osman për gjendjen e mjerueshme në një pjesë të Ballkanit, duke ilustruar me shembullin e Shqipërisë, vuri në pah se nuk kishte asnjë fshat në të cilin të ekzistonte ndonjë shkollë shqipe. Ai insistonte me këmbëngulje që të zbatoheshin nenet e Kushtetutës dhe Rregulloret e vilajeteve për përhapjen dhe përparimin e arsimit e të kulturës edhe në gjuhën shqipe. Ai reagoi dhe kritikoi ashpër moszbatimin në jetë të Ligjit për hapjen e shkollave nëpër viset shqiptare. Ai theksonte se nëpunësit, që shërbenin në këto vise, nuk ishin të aftë që ta kuptonin dhe ta interpretonin si duhet ligjin, sepse ata kryesisht ishin të paarsimuar dhe konservatorë, të cilët vetëm mund ta pengonin e jo ta përparonin arsimin. Lidhur me arsimin ai shpreh edhe këtë mendim: “Në botë çdo begati dhe lulëzim, që ka të bëjë me civilizimin njerëzor, është arritur me anë të arsimit.”[7]
Abdyli kërkonte që të hapeshin shkolla, gjimnaze, shkolla të larta, akademi dhe universitete bashkëkohore sipas sistemit evropian, në të cilat do të mësoheshin dhe studioheshin lëndët shoqërore, natyrore-shkencore. Koncepti i Abdylit mbi arsimin bashkëkohor përputhej plotësisht me Programin e Samiut për arsimimin bashkëkohor të mbarë popullsisë, pa dallim kombëtar, fetar dhe klasor.
Aktivitetin maksimal Abdyli e vazhdoi në kohën e Krizës Lindore, pikërisht në kohën kur u mbajt Kongresi i Berlinit dhe pas tij. Si dihet, Abdyl Frashëri, qysh në Kuvendin e përgjithshëm të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u ngarkua me një mision të rëndësishëm si ministër i Punëve të Jashtme i Ligës që të vizitonte të gjitha qendrat kryesore të viseve shqiptare me detyrë që t’i organizonte masat e gjera në një lëvizje masive dhe kryengritje, me qëllim që viset shqiptare të fitonin autonominë, përkatësisht pavarësinë e tyre. Ai pati mision të dyfishtë, si organizator i masave në planin e brendshëm politik, dhe si ministër i Punëve të Jashtme në arenën ndërkombëtare, i cili u zgjodh nga Kuvendi Shqiptar, së bashku me Mehmet Ali Vrionin, si përfaqësues i kombit shqiptar, që në mënyrë të drejtpërdrejtë të bisedonte me përfaqësuesit e të gjitha shteteve evropiane.
Sipas burimeve osmane, pasi që u nisën për në Evropë, këta dy personalitete, Qeveria Osmane bëri lloj-lloj përpjekjesh që t’i pengonte në realizimin e misionit të tyre. Kjo shihet nga telegrami i Karatheodor Pashës të 10 prillit 1879, dërguar Turhan Beut, ambasador i Turqisë në Romë, në të cilin thuhet: “Të dy personalitet shqiptare, Abdyli dhe Mehmeti, që i kam përmendur në telegramin tim më herët, arritën këtu dhe më bënë sot një vizitë.”[8]
Ata më thanë se udhëtimi i tyre në Francë dhe në Austri ka për qëllim që të kërkohet paprekshmëria e viseve shqiptare brenda kuadrit të Perandorisë Osmane dhe ata janë ngarkuar të deklarojnë se të gjithë shqiptarët të bashkuar, do të luftojnë si një trup i vetëm në rast se Evropa do të kërkojë t’i aneksojë Greqisë, Serbisë e Malit të Zi disa vise shqiptare që janë kryesisht të banuara me popullsi shqiptare.
Mirëpo, pa marrë parasysh faktin se Qeveria Osmane mundohej nëpërmjet përfaqësuesve të saj diplomatikë të pengonte misionin e Abdyl Frashërit dhe të Mehmet Ali Vrionit, nuk ia arriti qëllimit pasi këta arritën të vënë kontakte me ministrin e Punëve të Jashtme të Francës, Vadigtonin, i cili kishte një kulturë të thellë dhe e fliste në mënyrë të përsosur greqishten, prandaj Abdyli dhe Mehmet Ali Vrioni i dorëzuan një peticion në gjuhën greke.
Ministri Vadigton u premtoi se do t’i shqyrtonte parashtresat e tyre, dhe do t’ia prezantonte qeverisë së tij çështjen shqiptare.
Në një telegram tjetër të Turhan Hysni Beut, ambasador i Turqisë në Romë, të datës 12 prill 1879, dërguar Kara Theodor Pashës, lidhur me bisedën e Abdyl Frashërit me Mehmet Ali Vrionit që zhvilluan me ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, në mes të tjerash, thuhe:
“Mora vesh, gjë që më pohuan edhe ata vetë (Abdyli dhe Mehmet Ali Vrioni), se ata janë takuar me zotëri Depretis Tornielin dhe me deputetin e parlamentit italian zotëri Krispi. Të dy këta personalitete deklaruan se Italia pranonte që Kongresi i Berlinit kishte gabuar në qëndrimin ndaj çështjes shqiptare”.
Siç dihet, ata biseduan gati me të gjithë përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha, përveçse me përfaqësuesit e Austro-Hungarisë dhe të Gjermanisë, që nuk i pranuan për bisedë me pretekst se, kinse, këto shtete nuk kanë marrëveshje të posaçme që të bisedojnë me shtetas të Perandorisë Osmane. Kjo gjë ishte e natyrshme pasi kancelari i Gjermanisë, Bizmarku, mohonte ekzistencën e kombësisë shqiptare, prandaj nuk është për t’u çuditur se pse qeveria e tij nuk i pranoi, kurse Autro-Hungaria ushqente aspirata të përhershme ndaj viseve shqiptare dhe orvatej që t’i mashtrojë me anë të dredhive diplomatike.[9]
Për të vërtetuar faktin se Bizmarku ushqente urrejtje të thellë dhe kishte qëndrim tendencioz ndaj shqiptarëve, këtë gjë e dëshmon më së miri një dokument zyrtar italian i vonshëm që mban datën 22 korrik 1910, dalë nga ambasada mbretërore italiane e Stambollit, në të cilin thuhet: Në vitin 1878, kur mbahej Konferenca e Berlinit, luftëtari i palodhur Abdyl Frashëri, i deleguar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me lot në sy, i lutej Bizmarkut që të pranonte t’u jepte një autonomi popullit shqiptar. Kancelari gjerman, me plot ironi, u përgjigj: “Ju shqiptarët duhet të keni libra, dhe librat tuaja duhet të jenë të shkruara me ngjyrë të kuqe.”[10] Kjo ishte një goditje e rëndë diplomatike për ideologët dhe Lidhjen Shqiptare. Siç shihet, Abdyl Frashëri më kot përpiqej që ta bindte kancelarin gjerman, duke i thënë se shqiptarët me shekuj kanë derdhur gjakun rrëke, vetëm e vetëm për ta fituar lirinë dhe pavarësinë e atdheut të tyre.
Abdyli, duke vazhduar parashtrimin e gjendjes së vështirë të shqiptarëve, para përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha, me anë të memorandumeve dhe peticioneve të hartuara me dorë të vet, ua bënte me dije se ekzistonte Kombi Shqiptar, të cilit shtetet evropiane dhe Qeveria Osmane, për shkak të interesave të tyre grabitqare, ia kishin mohuar të drejtën e ekzistimit dhe të identitetit të tij.
Një peticion tjetër të datës 23 qershor 1878, të cilin e hartoi Abdyl Frashëri së bashku me Mehmet Ali Vrionin, ia dërgoi drejt Sulltanit. Në këtë peticion, ai kërkonte nga Sulltani që kurrsesi të mos lejonte zbatimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit lidhur me dorëzimin e tokave shqiptare shteteve monarkiste ballkanike. Në këtë peticion, në mes të tjerash, thuhej: “Asnjë njeri nga viset shqiptare në asnjë mënyrë nuk do të pranojë që ndonjë pjesë nga tokat e shenjta të trashëguara nga stërgjyshërit e tyre, t’i dorëzohen tjetërkujt. Jemi të gatshëm që deri në fund të luftojmë për mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe të integritetit tokësor të shqiptarëve”.[11]
Në këtë memorandum Abdyli parashikon edhe rrugën se si duhet vepruar, nëse Qeveria Osmane bie nën presionin e Fuqive të Mëdha, duke theksuar: “Nëse Qeveria Osmane vjen në situatë të vështirë dhe i nënshtrohet presionit të Fuqive të Mëdha për t’u dorëzuar tokat shqiptare shteteve monarkiste të Ballkanit, atëherë i tërë populli shqiptar do të luftojë kundër armiqve të tij, më në fund edhe kundër Qeverisë Osmane.”
Memorandumi i tij përfundon me këto fjalë:
“Duhet ditur se Lidhja Shqiptare e Prizrenit, vëllezërit tanë atdhetarë nuk do t’i lëmë në dorën e robërimit dhe të skllavërisë. Padyshim, do të bëjmë përkjekje maksimale që kombi ynë të mos rrezikohet dhe të mos zhduket, prandaj kësaj çështjeje serioze duke i kushtuar kujdes të posaçëm, në emër të atdhetarëve shqiptarë dhe në emër të humanitetit si dhe të civilizimit njerëzor, me anën e këtij memorandumi këtë çështje problematike ua bëjmë me dije të gjithë qeveritarëve dhe politikanëve të botës.”
Pas disfatës se Perandorisë Osmane nga Rusia Cariste më 3 mars 1878, u nënshkrua Traktati i Shën Stefanit, në vendin e ashtuquajtur Ayastefanos (Yesil Köy), një lagje afër Stambollit. Me sa dimë ne, ky memorandum i Abdyl Frashërit nuk është botuar deri më tash në gjuhën shqipe, prandaj në vazhdim të këtij punimi, po e botojmë në tërësi përmbajtjen e tij të përkthyer dhe të përshtatur në stil të lirë:

Memorandumi nga Janina

“Për të zgjidhur çështjen e Krizës Lindore pas nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit, u vendos të mbahet Kongresi (i Berlinit, I. R.). Pjesa e Evropës Osmane, përkatësisht territori i Rumelisë – Ballkanit, ia tërhoqi vëmendjen çdokujt, sepse këtij territori do t’i përcaktoheshin në të ardhmen kufijtë e rinj në hartën gjeografike të botës. Siç dihet, në shtypin botëror si dhe në bisedat e njerëzve, do të shfaqen mijëra mendime të ndryshme. Në kohën kur të gjithë gjendemi të ngatërruar në mes vete, edhe atdheu ynë i përgjithshëm do të ballafaqohet (në të ardhmen) me një katastrofë dhe humbje të madhe.
Duke i vështruar mendimet dhe artikujt e shtypit, me një anë, ndërsa, në anën tjetër, diplomatët e mëdhenj, për qëllimet e tyre grabitqare dhe zaptuese, e kanë lëshuar në qarkullim rrotën e politikës në kundërshtim me të drejtat e Rumelisë-Ballkanit, që, kryesisht, për të mos u dëshpëruar, nuk na shkon përdore. Veçanërisht atdheu ynë i trojeve shqiptare – përkatësisht Shqipëria është një pjesë e madhe e Ballkanit, mirëpo, politikanët, të cilët merren me çështje politike, kinse nuk janë të informuar për këto gjëra. Ata edhe orvaten të ndajnë Rumelinë-pjesën kontinentale të Evropës Osmane në mes të sllavëve dhe grekëve, ndërsa ne shqiptarëve dëshirojnë të na konsiderojnë sikur nuk ekzistojmë fare në këtë pjesë të Ballkanit. Ndërkaq, rreth këtyre ndarjeve, veçanërisht shtetet ballkanike, pastaj Austria dhe Italia me pretekst ndihme kanë si qëllim që të përzihen dhe të shkelin të drejtat e kombit të lashtë shqiptar në Ballkan.
Këto çështje jemi duke i konsideruar si fantazi e iluzione, pasi disa pjesë të territoreve shqiptare do t’u jepen sllavëve, ndërsa gjysma e pjesës tjetër është aspiratë e qarqeve sunduese të Greqisë. Sllavët-Serbët, edhe pse përzihen dhe i shkelin të drejtat e kombit shqiptar, në mënyrë drastike, politikanët evropianë, për këto çështje aspak nuk dëshirojnë ta çajnë kokën dhe nuk nxjerrin zë kundër tyre, por, përkundrazi, i përkrahin kërkesat e padrejta të sllavëve dhe të grekëve. Ndaj të gjitha këtyre pretendimeve, ata përsëri i shikojnë çështjet e tilla në prizmin e dëshpërimit dhe të pesimizmit.
Territori i tokave shqiptare përfshinte një pjesë të madhe të bregdetit Adriatik, gati kufizohej me bregdetin e Dalmacisë me kufirin e Malit të Zi, me atë të Bosnjës dhe të Serbisë Lindore deri në Vranjë, pastaj deri te gjiri i Artës, përkatësisht deri te kufiri i Greqisë. Ky është një territor që ka më tepër se dy milionë banorë, ku, dy të tretat e tyre, i takojnë besimit islam, kurse një e treta janë të krishterë, gjysma e tyre janë me besim katolik, e gjysma e të tjerëve, janë me besim ortodoks. (Shqiptarët janë një trup, një gjak, s’ka dallim në mes tyre, përveç aspektit fetar, i cili nuk bën përçarje kombëtare). Banorët nga ana e Veriut janë gegë, ndërsa nga jugu, toskë. Në viset që janë afër Bullgarisë dhe kufirit të Greqisë, ndonëse ekziston një numër i vogël banorësh grekë, të krishterë, që merren me bujqësi, mirëpo ata si duket erdhën si emigrantë nga viset e tjera, meqenëse shqiptarët me fqinjët e tyre (grekët janë të besimit të krishterë (ortodoksë), ekziston mundësia që, gjatë bashkëjetesës shekullore, e kanë përvetësuar gjuhën e tyre (të grekëve). Në këtë mënyrë, shqiptarët ortodoksë gradualisht janë greqizuar, kurse në pikëpamje etnike janë shqiptarë. Prandaj, kombi shqiptar thjeshtë e flet gjuhën shqipe brenda kufijve të përshkruar më lartë. Vendet e këtyre viseve janë shqiptarë të tri besimeve prej kohëve më të vjetra.
Nëse i hedhim një sy historisë së vjetër të Ballkanit do të shohim se shqiptarët kanë jetuar në disa vise të Greqisë së sotme në Thesali dhe në Jug të krahinës së ashtuquajtur Traki, në bregdet, në ujdhesë, pastaj në territorin e sotëm të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë Perëndimore dhe Qendrore, madje, shumë pak gjurmë greke ka pasur në të kaluarën në këtë vise. Sllavët: serbët dhe bullgarët është e qartë se në trojet e Ballkanit (pjesërisht) janë vendosur pas shekullit VII.
Tërë populli pellazg-ilir, që ka ekzistuar në territoret e sotme shqiptare, në Maqedoni, në Perëndim të Maqedonisë, në Mal të Zi, në një pjesë të Bosnjës dhe Hercegovinës, në Dalmaci e deri në Trieste, janë argumente, të pamohueshme, të cilat janë vërtetuar jo njëherë në bazë të burimeve e shkrimeve të vjetra greke. Pellazgët-ilirët që janë stërgjyshërit dhe paraardhësit e shqiptarëve të sotëm, dhe që e kanë folur shqipen dhe që kanë poseduar virtyte e tradita, karakteristika dhe dukuri specifike, këtë të vërtetë e dinë të gjithë historianët e botës dhe njerëzit e shkencës, këtë fakt e kanë vërtetuar. Edhe në ditët e sotme, përveç në Kosovë e në Sanxhak, në Mal të Zi dhe në Toplicë-Serbi, midis banorëve të tyre ka shumë banorë që flasin gjuhën shqipe, banorët-vendas të atyre viseve i dallojnë dhe i pranojnë traditat dhe karakteristikat specifike të kombit shqiptar. Nëse do të bëheshin studime shkencore hulumtuese lidhur me banorët e lashtë të viseve të Ballkanit, do të nxirrej konkluzioni, i padyshimtë se ata ishin shqiptarët. Pra, në bazë të këtyre argumenteve shkencore, sllavët-serbët dhe grekët-helenët, duhet të heqin dorë nga territoret etnike shqiptare të Ballkanit, të cilat në shumicë janë të banuara me popullatë shqiptare.
Gjithashtu kur u pushtua Mali i Zi nga Austro-Hungaria atje banonte një popullsi e konsiderueshme shqiptare. Edhe kur Austro-Hungaria e pushtoi Dalmacinë, atje gjithashtu banonin shumë shqiptarë. Po kështu, në kufi me Malin e Zi dhe Dalmacinë deri të lumi i Bunës, këto vise ishin të banuara me shumicë me shqiptarë ndërsa rrethina e Nishit, përveç kombësive të tjera, ishte e banuar edhe me shqiptarë, kurse territoret e Prokuplës, të Kurshumlisë, të Leskovcit, të Vranjës etj., që gjenden në Lindje të Serbisë, ishin të banuara me shumicë nga shqiptarët. Mirëpo, me shpalljen e Traktatit të Shën Stefanit, u vendos që, disa vende në rrethinën e Nishit, pastaj Toplica, Vranja, e provincat e tjera, që kryesisht ishin të banuara me shqiptarë, deri në afërsi të Prishtinës, t’i bashkoheshin Principatës Serbe dhe asaj Bullgare. Atëherë, në bazë të këtij vendimi të padrejtë, shqiptarët, u dëshpëruan dhe mbajtën shenjë zie, bënë protesta dhe demonstrata kundër marrëveshjes së Shën Stefanit. Për këtë arsye shqiptarët u detyruan që të bashkoheshin dhe t’u kundërviheshin vendimeve të padrejta që buronin nga Traktati i Shën Stefanit.
Populli shqiptar, nuk ka pasur asnjëherë në të kaluarën pretendime që t’i pushtonte territoret e huaja, por gjithmonë ka luftuar për t’i mbrojtur trojet e veta dhe lirinë e vet. Ai u bë shembull dhe rrëfyes për pasardhësit e vet për t’iu bërë ballë fuqive të huaja.
Fuqia e Perandorisë Osmane, në periudhën e sundimit të saj, e tmerronte botën. Grekët, serbët, bullgarët, hungarezët, austriakët dhe çekët edhe pse ishin të fuqishëm, nuk mund t’i bënin rezistencë fuqisë së saj ndërsa shqiptarët në atë kohë, edhe pse ishin të ndarë kur u bashkuan (nën flamurin e Skënderbeut), siç dihet, u bënë ballë dhe rezistencë të madhe sulltanëve të fuqishëm osmanë, të cilët e drodhën botën, siç ishin: Sulltan Murati, Sulltan Bajaziti dhe Sulltan Mehmeti II (…)
Shqiptarët, siç është e njohur, e kanë të lindur trimërinë dhe guximin, po ashtu edhe nga mendja janë të hollë e të zgjuar, me një fjalë i kanë të gjitha aftësitë e duhura. Në të kundërtën, ata sakrifikuan (për të mbrojtur vetveten) qenien e tyre në ngritjen e autoritetit të shtetit të fuqishëm osman. Për hir të mbrojtjes së tokave shqiptare në kuadër të Perandorisë Osmane, shumë personalitete shqiptare derdhën gjakun dhe sakrifikuan jetën e tyre edhe për mbrojtjen e saj, duke qenë të bindur se ajo do t’i mbrojë në rastet kur kombit shqiptar do t’i kërcënohet rreziku nga të huajt. Shumë personalitete shqiptare, me aftësitë dhe talentin e tyre që treguan, arritën në pozita të larta shtetërore, siç ishin: Koxha Sinan pasha, vezirët nga familja e Qypërlinjve e të tjerë.
Në luftën e fundit, që ndodhi në Plevle dhe Shipkë (në Bullgari), një numër i madh i luftëtarëve në ushtrinë osmane e përbënin shqiptarët. Po kështu, edhe në kufijtë e Greqisë, ata shpeshherë kanë luftuar dhe kanë qenë të gatshëm për t’i bërë rezistencë asaj, por, vetëm kur sulmoheshin tokat shqiptare nga qarqet sunduese të Greqisë. Shqiptarët, kur bashkoheshin për të mbrojtur të drejtat e tyre kombëtare dhe integritetin e tyre tokësor, gjithnjë i kanë bërë rezistencë me sukses agresionit të qarqeve sunduese të Serbisë dhe të Greqisë. Populli shqiptar kurrë nuk i ka sulmuar shtetet fqinje, sepse ato ishin të krishterë, por vetëm e vetëm për arsye se ato gjithnjë tentonin t’i copëtonin dhe t’i pushtonin tokat tona që gjendeshin në kuadër të Perandorisë Osmane. Që prej asaj kohe, kur kemi hyrë në kuadër të Perandorisë Osmane, kemi flijuar tërë fuqinë tonë për hir të shtetit osman, por gjithnjë me qëllim që t’i mbrojmë tokat tona nga aspiratat e të huajve, dhe për këtë arsye kërkojmë ndihmë dhe përkrahje edhe nga Porta e Lartë.
Gjithashtu, të drejtën dhe integritetin tonë e vëmë në diskonim të dorës së fuqishme të Qeverisë Osmane, me kusht që ajo t’i kundërvihet me këmbëngulje copëtimit të tokave shqiptare nga agresioni i shteteve ballkanike. Në bazë të këtyre të dhënave dhe informatave që u përhapën në opinion se po shkelen tokat dhe kufijtë e viseve shqiptare, të gjitha zemrat dhe shpirtrat e kombit shqiptar u brengosën dhe jashtëzakonisht u dëshpëruan. Duke pasur parasysh mohimin e të drejtave dhe të identitetit kombëtar, shqiptarët u ngritën kundër vendimeve të padrejta (të Shën Stefanit), për t’i mos lejuar askujt që t’i lëshohet asnjë pëllëmbë tokë…
Qëllimet e qarqeve sunduese të Greqisë për shkeljen e të drejtave shqiptare dhe të integritetit të tyre tokësor, me sa kuptohet, janë që të pushtojnë tërë Epirin. Mirëpo, edhe historianët antikë e vërtetojnë lashtësinë etnike të shqiptarëve në Epir, prandaj ajo është e shqiptarëve toskë, e cila gjendet në jug të Janinës. Gjithashtu, Çamëria dhe Labëria janë tokat e shqiptarëve toskë. Në krahinën e Prevezës, të Nartës, të Janinës, të Kaninës ka shumë pak njerëz që flasin gjuhën greke (shumica janë të kombësisë shqiptare).
Është i njohur fakti se të gjithë vendasit e këtyre vendeve janë shqiptarë, prandaj nuk është e drejtë që arritja e grekëve për t’i shtënë në dorë këto vise shqiptare as edhe e drejtë publike sipas ligjeve dhe të së drejtës ndërkombëtare. Përkundër një realiteti të tillë, qarqet sunduese të Greqisë përsëri i shikojnë këto çështje nën prizmin kinse të drejtësisë, të sinqeritetit dhe të ndërgjegjes. Më në fund, shpresohet se Porta e Lartë dhe shtetet e tjera evropiane nuk do t’u japin të drejtë sllavëve për të pushtuar viset e Kosovës e as të Greqisë për marrjen e Epirit, por ekziston frika se çështja përsëri do të ndodhë në të kundërtën që ato vise të banuara me shqiptarë, sikurse ato në Mal të Zi, në Serbi, në Maqedoni, sikurse pretendohet nga qarqet sunduese të shteteve ballkanike, do t’u shkelen të drejtat e tyre nacionale dhe politike. Atëherë, kjo popullsi do të mbetet e robëruar nën sundimin e shteteve ballkanike, e për këtë gjë ka shumë kohë që këto shtete janë duke bërë intriga dhe shpifje kundër popullit shqiptar. Grekët, gjatë shekujve kanë luftuar kundër këtij populli, por edhe tash në shekullin tonë mendojnë të bëjnë helenizimin e tyre, por prapë po e përsërisim fjalën se ne shqiptarët, duke pasur besim të plotë në sinqeritetin dhe drejtësinë e Portës së Lartë dhe të qeverive evropiane, shpresojmë se ato qeveri do t’i mbrojnë të drejtat e shqiptarëve, prandaj këtë drejtësi-ndihmë e presim në mënyrë të qetë.
Nëse Porta e Lartë vjen në situatë të vështirë dhe bie në presionin e Fuqive të Mëdha evropiane dhe të shteteve ballkanike, atëherë patjetër viset shqiptare do të pushtohen. Mirëpo, duhet ditur se i tërë populli shqiptar do të luftojë kundër pushtuesve të tyre, dhe më në fund edhe kundër Portës së Lartë, edhe sikur të mos mbetet gjallë asnjë njeri, për të mos lejuar që atdheu ynë i lashtë të bjerë nën sundimin e pushtuesve të huaj. Lëvizja jonë kombëtare-politike, dhe ne vëllezërit tanë atdhetarë, nuk do t’i lëmë në dorën e robërimit dhe të skllavërisë. Padyshim që do të bëjmë përpjekje maksimale që kombi shqiptar mos t’i ekspozohet zhdukjes fizike. Kësaj çështjeje, duke i kushtuar kujdes të posaçëm, në emër të atdhetarëve shqiptarë dhe në emër të humanitetit si dhe të civilizimit njerëzor, këtë çështje problematike ua bëj me dije diplomatëve dhe politikanëve të botës (Nënshkrimi i deputetit të Janinës, Abdyl (Frashëri – I. R).

Iljaz REXHA

THE MEMORANDUM OF THE ABDYL FRASHËRI AGAINST THE TREATY OF SAN STEFANO

Summary

The memorandum which were sent to the Governments of the European Powers and Government to the Sublime Port of the Ottoman Empire against the treaty of San Stefano on April 1878. The Albanian League of Prizren was constantly stressing the need for friendly relationships between Albania and other neighboring countries. In the proclamation of May 1878 declared: We very want to live in peace with our neighbors: Montenegro, Serbia, Greece and Bulgaria. We do not want anything from them, but we are determined to defend everything that belongs to us. So, Albanian territories should be given to Albanians.

*Ky artikull është botuar në revistën “URA”, nr. 2, Pranverë-Verë, Tiranë 2009, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com

[1] Aktet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, 1878-1912, përgatitur nga Stefanaq Pollo – Selami Pulaha, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë 1978.
[2] Abdyl Frashëri, Yanyadan mektub, “Basiret” gazetesi, 21 prill 1878, nr. 122, Beledije Kütüphanesi, Istanbul.
[3] “Basiret”, nr. 122.
[4] J. Hadzivasiljesviç, Arbanaska Liga, Beograd, 1909, f. 77.
[5] Süleyman Külçe, Osmanlı Tarihinde Arnavudluk, Izmir, 1944, f. 250.
[6] Basbakanlik Arsivi, Meclis-i Meb-usan, Istanbul, 1293 H (1878), Zabit Ceridessi, Devre, 2 cild, Ictima 1, f. 144-145.
[7] Meclis-i Meb-usan, vep. e cit., f. 145.
[8] Basbakanlık Arşivi, Dis Isleri Bakanligi, dokument nr. 41.
[9] Dis Isleri, ve Bakanligi, dokument, nr. 78, Iljaz Rexha, Komiteti i Stambollit, Vjetari i Arkivit të Kosovës, nr. X-XI, Prishtinë, 1979.
[10] Raporti i ambasadës italiane në Stamboll, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Romë, më 22 korrik 1910. Fotokopja gjendet në Arkivin e Kosovës në Prishtinë.
[11] Iljaz Rexha, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente osmane, 1878-1881, Arkivi i Kosovës, Prishtinë, 1878.

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: