Kreu > Pazaret, Qytetërim islam, Traditë, Trashëgimi orientale > Pazar dhe çarshi, traditat ballkanike në Shqipëri

Pazar dhe çarshi, traditat ballkanike në Shqipëri

Elsa DEMO

 

PAZAR DHE ÇARSHI, TRADITAT BALLKANIKE NË SHQIPËRI

Tiranë - Çarshia e Vjetër

Tiranë – Çarshia e Vjetër

Pazar dhe çarshi, një hapësirë e hapur, një tjetër e mbuluar, që prej fillimit të erës otomane kur modeli erdhi nga Lindja e Mesme në Ballkan dhe u ngrit një traditë. Sot disa qytete të mëdha e kanë transformuar, në të tjera, i ngjajnë nga ndërhyrjet pa kriter, kaut balash. Një studim mbi antropologjinë urbane nga Armanda Kodra. Zhdukja e një hapësire mashkullore

Kur u pranua në Institutin e Kulturës Popullore në vitin 2000, Armanda Kodrës iu caktua si fushë studimi zejtaria tradicionale. Për të kaluar tek etnologjia, për të kuptuar më mirë se çfarë është kjo fushë që nuk studiohet në shkollat shqiptare, bashkë me antropologjinë (për paradoks kemi së fundi një transplant emërtimesh: Instituti i Kulturës Popullore bëhet Instituti i Antropologjisë Popullore) zejtaria i shërbeu si portë hyrëse për tek pazaret.
Armanda e quan një pikënisje a priori, për të bërë një studim antropologjik të çarshive, pazareve në Shqipëri, si qendra të shkëmbimit ekonomik, shoqëror dhe kulturor. Me këtë monografi ajo mbron tezën e doktoraturës. Janë të gjitha arsyet për të qenë entuziastë për disa të rinj që pa i mbushur xhepat me mastera perëndimorë dhe opinionin publik me llafe, gjejnë formën për të kapërcyer kushtet primitive të terrenit arsimor dhe shkencor në Shqipëri. Armanda duket një nga ata.
Studimi i saj, i perifrazuar në këtë intervistë, na çon nga modeli otoman i një hapësire publike si çarshia, në Shqipëri dhe në Rajon (çarshitë e famshme të Sarajevës, Mostarit, Shkupit, Manastirit) tek të tjerat që janë transformuar shumë, si çarshia e Ohrit, dhe çarshitë shqiptare parë në raport me modelin fillestar dhe krahasur mes tyre, çarshia e Tiranës me të Shkodrës, e Krujës me të Korçës.
Dhe së fundi e quan çarshinë një hapësirë mashkullore, ku janë reflektuar dukshën statusi social dhe etika gjinore. Ajo na sjell ndër mend këngën e famshme popullore për dy të dashuruar në çarshi. Kënga thotë:
Hej, Hej…
dil moj vashë njiher n’çarshi
dil n’çarshi moj bukuri
hej, hej,
o mor djalë o djalë i ri
a je kon nojher n’çarshi
a ke pa molla me sy
Unë mollat i kam pa
faqet tuja m’asht përga
çova dorën me i përla
mollaxhia nuk më la
e n’hall’o kam ra
Kjo hapësirë publike na shfaqet si një kundërshti: nga një vend i hapur në një vend të ndaluar që nxit imagjinatën.

Armanda, me dy fjalë ç’është kjo monografi që po shkruan për çarshinë.

Pazaret e vjetra ose çarshiat kanë qenë qendrat ekonomike, shoqërore edhe kulturore të qyteteve nëpër Ballkan, por përgjithësisht nëpër Lindje, në botën arabe, në Indi, Indonezi… Të gjitha njihen me termin Pazar- bazar, nga i cili edhe në Perëndim përdoret sot bazaar-shopping.
Është gjithmonë një vend ku jo vetëm tregtohen mallërat duke filluar që nga gazetat, revistat -prodhimi intelektual – dhe duke mbaruar tek frutat, perimet, gjithçka që konsumon. Pra gjithë gama e prodhimit kulturor njerëzor, po të flasim sipas termave të antropologjisë. Pazari është tregu i shkëmbimit, i transaksioneve ekonomike dhe i shpërndarjes, informacionit.
Në qytetet ballkanike është përdorur më shumë termi çarshi, ardhur nga turqishtja. Ajo nënkupton tregun jo vetëm me sheshet e tregtimit, po dhe me dyqanet përkatëse, të ndara sipas profesioneve dhe ky është shembulli tipik i pazareve shqiptare.

Kur shfaqet ky model urban tek ne?

Që në momentin kur Ballkani u përfshi në perandorinë osmane dhe qyteti, qendrat urbane, filluan t’i përshtaten elitës përkatëse e cila mori drejtimin osman. Kështu që dhe modeli i qytetit do ndryshonte sipas këtij modeli, pra me ndërtimin e një xhamie, hamami, hani edhe i një qendre tregtare.
Para perandorisë osmane dyqanet nuk kanë qenë të grumbulluara në një pikë. Organizimi me gilde i zejtarëve ka pasë ekzistuar, në perandorinë osmaneqë u quajtën esnafë. Sipas esnafit u bë organizimi i pazarit: terzinjtë të gjithë në një rrugë, lëkurëpunuesit në një vend, qeleshepunuesit të gjithë në një rrugë, dhe kështu u quajtën edhe rrugët e çarshive në përgjithësi.
Nuk mund të themi se cila çarshi u ngrit e para. Kur u ndërtua xhamia e Iljaz bej Mirahorit në Korçë, iu bashkangjit edhe çarshia. Kur u themelua Tirana më 1614, paralel u ngrit xhamia e Sulejman Pashës dhe çarshia. Pra çarshitë janë qendra themeluese të qyeteteve, kurse në qytete ekzistuese siç ka qenë Berati apo Vlora, ato do t’i datojmë në momentin kur ndërtohet xhamia më e vjetër e qytetit.

Përse shihet e binjakëzuar me xhaminë?

Sepse ato kanë qenë institucionet e kohës. Sot xhamia përfaqëson vetëm një vend lutjeje. Kurse për kohën objektet e kultit kanë qenë vendet publike që kanë shërbyer për organizimin e njerëzve, për kuvende. Kështu kanë shërbyer dhe kishat, edhe si institucione kulturore dhe shoqërore.

Po terreni çfarë përgjigje i dha kërkimit shkencor?

Terren në Tiranë nuk ka. Antroplogu i kulturës e ka metodë kryesore punën me terrenin. Terren fizik në kryeqytet, hapësirë urbane me emrin Pazar, ka qenë në vendin ku sot është pallati i kulturës. Është shembur më 1959-’60, kanë mbetur kujtimet e një brezi të vjetër.

Është folur që mund t’i kthehet një Pazar pranë urës së Tabakëve. A e pranon kjo Tiranë që kemi sot, një kthim të tillë të detyruar tek tradita, duke e imituar atë?

Ajo është një rishpikje e traditës. Kjo bëhet dhe personalisht mendoj se nuk ka gjë të keqe. Pazari ka humbur shumë fizikisht, por në kujtesën e një brezi të mesëm të Tiranës jeton ende. Tiranës i janë lënë shumë, shumë pak nga historia e saj për ta identifikuar si një qytet 400-vjeçar. Objekti më i vjetër është xhamia e Et’hem Beut që realisht, përfundimi i takon vitit 1830, pra dy shekuj më vonë.

Sa çarshi ekzitojnë në Shqipëri dhe sa janë zhdukur për nevoja të modernizimit?

Kanë mbetur shumë pak. Nuk ka pasur qytet pa çarshi sepse nuk mund të mendohej pa të. Çarshia e Shkodrës pa dyshim duhet veçuar. Bashkë me çarshinë e Shkupit kanë qenë dy më të mëdha e Ballkanit. Në fillim të shekullit të XX-të, ajo kaloi më e madhja në Ballkan si sasi dyqanesh dhe më e rëndësishmja jo vetëm si pikë e këtyre shkëmbimeve që thashë, po edhe financiare.
Firmat e mëdha tregëtare shkodrane që kishin marrëdhënie të hershme me Venedikun, me qytetet italiane, me Austro-Hungarinë – ne i njohim si tregtarët kompradorë – krijuan depozitat e para që janë premisat për bankë dhe që e kishin vendin në bezistenin e çarshisë së Shkodrës. Në Bunë kishte një pikë doganore. Ajo është shembur dhe s’ka asnjë gjurmë. Sot aty njerëzitshesin krapin që zënë në Bunë.
Është ruajtur pazari i vjetër i Krujës që është ruajtur në formë muzeale, në Elbasan i ka ngelur vetëm emri, te bezisteni (qendra me dyqanet e luksit). Sot ka mbetur ideja e rrugës së çarshisë, e ngjashme me modelin e Krujës. Por Gjirokastra duke ecur me ritmin e kohës, nuk e ka ruajtur çarshinë.
Korçës nuk i është shkatërruar komplet pazari. Aty vazhdohet akoma të bëhet Pazar dhe ka një projekt për rikthimin e çarshisë.

A ke një vështrim krahasues për këtë element urban të traditave?

Patjetër, sepse kjo hapësirë ka një rol të rëndësishëm, ka të bëjë me mënyrën e organizimit të qyteteve, u ka dhënë rrënjë dhe histori dhe për pasojë identitet, një identitet që shumë studiues apo udhëpërshkrues të shekullit XIX-XX e kanë quajtur osman, oriental, qytet oriental, për shkak të modelit që u mor nga perandoria osmane.
Por në këtë pikë vjen edhe kundërshtia. Në gjithë Ballkanin, me shkëputjen nga perandoria osmane ndodh procesi i deosmanizimit dhe i modernizimit të pamjes së qyteteve. Sepse për të njëjtën arsye pse u ndërtua modeli osman i qytetit, për të njëjtën arsye do ndërtohej edhe modeli evropian i qytetit, pra do t’i përshtatej elitës politike dhe ekonomike të kohës dhe nuk ka gjë më të dukshme se sa të ndërmarrëshreforma në fushën e urbanistikës dhe të arkitekturës.
Kështu ka ndodhur shkatërrimi ose margjinalizimi ose transformimi i çarshisë, në shumë vende. Për elitën e re, çarshia ishte përfaqësim i mentalitetit të vjetër osman. Aty ku nuk u shemb, u anashkalua. Në Shqipëri u shembën në emër të ideve socialiste. Ata që e kanë parë e mbajnë mend, unë që s’e kam parë, nuk e di as ku ka qenë, shumë nuk është shkruar. Dalëngadalë ikën imazhi, ikën kujtesa dhe në njëfarë mënyre kjo i shërben modernizimit.
Nga ana tjetër, u pa jo vetëm në Shqipëri po edhe në vende të Ballkanit që çarshia në nivelin popullor mbeti si pikë kryesore. Ndoshta elitat mund të mos e kishin qejf, mund ta quanin diçka anakronike, të dalë mode, porse ai qytetari që ka qenë i lidhur historikisht me esnafin, me zejtarët, ishte lidhur edhe me moralin që ka ekzistuar në çarshi, me atë kafen e mëngjesit që e ka pirë në çarshi, me atë duhanin ballkanik që është pirë vazhdimisht me kafe në çarshi. U pa tashmë edhe nga perëndimorët që kërkojnë gjithmonë ekzotiken, si një gjë atraktive. Qeveritë ballkanike e kuptuan që si gjë e vjetër, kjo është tërheqëse, ndjell turistë.
Nga ana tjetër, njerëzit e duan dhe e quajnë pjesë të vetes, atë që është pjesë e trashëgimisë kulturore monumentale ku diku nuk lejohet vënia dorë, diku lejohet.

Nga ky përshkrim pazari konceptohet një hapësirë krejt e hapur, përkundër mentalitetit të mbyllur që imponte vendi dhe koha. A kishte gjë që ndalohej “të mos nxirej në Pazar”?

Pazari ka dy momente, 6 ditët e javës dhe ditën e shtatë. 6 ditët janë ditët e zejtarëve dhe të qytetarëve përreth, nuk ka lëvizje shumë, bëhen porositë, punohet për ditën e pazarit. Kjo është “dita e rrëmujës”, e kaosit në dukje, por e shkëmimbit të marrëdhënive sociale, tregtare.
Në Tiranë, për shembull, dilnin edhe shkruesit që ndryshe quheshin jazexhitë. Shkresat publike, kërkesat etj, që çdo njeriu i duhej për ndonjë gjë në gjykatë për një problem, për një lutje drejtuar Sulltanit – njerëzit nuk dinin të shkruanin e të lexonin -për këtë ishin shkruesit, sidomos ditën e pazarit.

Ishte edhe vendi i shfaqjes së bukurisë, siç sugjerojnë këngët apo rrëfenjat. Si paraqitet figura e gruas shqiptare në këtë hapësirë?

Duhet thënë diçka për çarshinë: ajo është a man’s space – hapësirë mashkullore. I takon përgjithësisht hapësirës mashkullore, jo vetëm pse është model osman. Edhe në zonat ortodokse që kanë pasur çarshi, si në Serbi, Maqedoni, mbetet një hapësirë burrash, sepse ka të bëjë me atë degë të ekonomisë ku gruaja nuk para merr pjesë.
Gruaja merr pjesë në zejtari, por në shtëpi, me avlëmendën, me qëndisjen dhe këto i nxjerr në Pazar vetëm një ditë të javës në një vend të caktuar. Ka qenë pazari i grave në Tiranë, ndodhej përpara xhamisë së Et’hem Beut. Ato vinin nga të gjithë fshatrat e Tiranës. Kurse gratë e qytetit nuk dilnin në Pazar të shisnin.
Etika dhe morali luajnë shumë rol në biznes. Në biznesin ballkanik i rëndësishëm është parimi i tregut që të blesh sa më lirë, të shesësh sa më shtrenjtë dhe të kesh sa më shumë fitim, po jo pa moral dhe jo pa etikë. Që gruaja të dilte të shiste, do të thoshte se burri nuk ishte në gjendje që ta mbante. Leku i gruas konsiderohet i gruas dhe jo i shtëpisë.
Atëherë komenti do të ishte ky: shih ku ka arritur situata ekonomie e kësaj shtëpie, saqë burri s’ka burrninë me e mbajtë. Pra asnjë familje qytetare që kishte respekt për veten nuk do ta nxirrte dot gruan në Pazar. Nuk është çështje fanatizmi, por çështje sociale, e statusit shoqëror.
Pse fshataret po? Sepse fshati gjithsesi është më i hapur. Punën në arë e bën burri, punën në oborr e bën gruaja. Është ajo që del dhe i çon bukën burrit në arë. Ajo ka një hapësirë publike ku del dhe nuk është aq e lidhur me shtëpinë sa gruaja e qytetit, kështu që detyrimisht mund të dalë edhe në treg që të shesë prodhimet e veta.

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: