Kreu > Albanologji, Qytetërim islam, Traditë, Trashëgimi orientale > Shndërrimi i Hapësirës Urbane në Tiranë

Shndërrimi i Hapësirës Urbane në Tiranë

Roald A. HYSA

 

SHNDËRRIMI I HAPËSIRËS URBANE TË TIRANËS* (1925-1965)
(Shndërrimi i Tiranës nga një qytet mesjetar musliman në kryeqytetin e Shqipërisë moderne)[1]

Roald Hysa

Në kohën e shpalljes së Tiranës kryeqytet provizor nga Kongresi i Lushnjës, Tirana asokohe ishte një qytet i vogël me 11.000 banorë. Megjithatë përfundimisht Tirana vendoset si kryeqytet nga parlamenti shqiptar në dhjetor të vitit 1925. Kështu dy janë periudhat kryesore të shndërrimit të hapësirës urbane të Tiranës dhe këto janë të lidhura me zhvillimet historiko-politike të saj. Shndërrimet urbanistike të Tiranës mund t’i ndajmë në dy faza kohore, të dallueshme historikisht dhe politikisht. Periudha e parë i përket ngritjes dhe stabilizimit të monarkisë së Ahmet Zogut dhe viteve të Luftës së Dytë Botërore, nga viti 1925 e deri më 1945, ndërsa periudha e dytë i përket pasluftës në vitet 1945 e më tej, kur ndryshon përsëri pamjen qendra e Tiranës. Tirana i përket një qyteti ku jeta kryesore ekonomike zhvillohej në Pazarin e Vjetër dhe lagjet ruajnë disa dallime ku paraqesin një farë pavarësie relative brenda zonës së banuar. Kjo e fundit shprehej në ekzistencën thuajse në çdo lagje të xhamisë, pranë të cilave një shesh i vogël është një shfaqje e zakonshme, ku edhe Tirana nuk bën dallim nga qytetet e tjera[2]. Pra, kemi lindjen e qytetit të bazuar mbi bërthamën kryesore historike: Kompleksin e Sulejman Pashës, me të cilin daton edhe themelimi i qytetit dhe kalimin e qytetit të Tiranës në fazën e modernizimit të saj, e cila fillon pas shpalljes së Tiranës, kryeqytet i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, gjë e cila solli zhvendosjen e qendrës nga kompleksi i Sulejman Pashës tek kompleksi i Et’hem Beut, për shkak të vlerave të tij, që u vunë re nga arkitektët italianë, të cilët gjithashtu krijuan ansamblin qendror qeveritar të Sheshit Skënderbej, siç njihet edhe sot. Tirana është tashmë një qytet unicentrik, ku administrata e Monarkisë më pas do të përpiqej të ndërtonte një qendër të denjë për kryeqytetin dhe ndërtesa madhështore për ministritë përkatëse, me një ansambël të dallueshëm arkitekturor.

Faza e parë (1925-1945)

Janë disa arsyet, të cilat çuan në zhvillimin e Tiranës nga bërthama kryesore e saj e deri në atë çka njohim nga Tirana e vitit 1917, kohë kur austro-hungarezët kanë lënë një hartë të qytetit. Shtysat kryesore për zhvillimin dhe zgjerimin e një qyteti janë ato të pozicionit gjeografik, zhvillimi i komunikacionit dhe ato ekonomike.
Vetë kjo fazë mund të ndahet shumë mirë në dy pjesë kohe të dallueshme cilësisht nga njëra-tjetra. Ngritja e shtetit shqiptar dhe periudha e monarkisë, të cilat patën shumë elemente të përbashkëta për nga zhvillimet politiko-historike. Më pas kemi një pauzë të ndërmjetme 6-vjeçare, prill 1939 – nëntor 1944, kohë gjatë së cilës ndodhën ndryshime të mëdha dhe del në skenë Partia Komuniste e Shqipërisë me udhëheqësin e saj, diktatorin Enver Hoxha. Këto arritën ta mbizotërojnë skenën politiko-historike shqiptare deri në vitin 1990, kur merr fund regjimi monist. Nga pikëpamja kohore kjo fazë fillon menjëherë pas shpalljes së Tiranës si kryeqytet provizor më 9 shkurt të vitit 1920 nga Kongresi i Lushnjës, si dhe i nevojës për t’u shndërruar në një qytet modern siç i takonte të ishte tashmë e në vijim kryeqytetit të vendit. Ideja e shpalljes së Tiranës kryeqytet është më e hershme se kaq. Kjo pikëpamje është shfaqur nga Abdyl Bej Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni, të cilët ishin delegatët e Komitetit Shqiptar në takimin që patën në Janinë, në gusht 1877 me diplomatin grek Mavromatis, përfaqësues i qeverisë së Athinës, ku “…deklaruan pikëpamjen e tyre për të caktuar Tiranën si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm”. Rilindësit, të cilët patën një ndikim të madh në të ardhmen e vendit e shihnin të arsyeshme që kryeqyteti i ardhshëm i Shqipërisë të ishte në mesin gjeografik të saj, mendim i cili ndikoi shumë në zgjedhjen e Tiranës si kryeqytet edhe për shkak të pozicionit të saj gjeografik të favorshëm. Këto ndryshime nuk qenë të shpejta për shkak të mungesës së stabilitetit politik në vend. Tirana shpallet përfundimisht kryeqytet më 31 dhjetor 1925 nga parlamenti shqiptar, plot pesë vjet më pas.
U deshën më tepër se tetë vjet që Shteti i ri Shqiptar të gjente qetësi dhe të fillonte konsolidimi i tij, çka solli më pas edhe ndryshimin e Tiranës në një kryeqytet modern. Shpallja e Shqipërisë monarki më 1 shtator 1928, të Ahmet Zogut si mbret i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, si dhe të një Kushtetute të re me baza evropiane, bënë të detyrueshme edhe ndryshimet e hapësirës urbane që pasuan. Ndërkaq vetë mbreti Zog së bashku me stafin e vet drejtues ishte i vendosur që t’i jepte një fytyrë të re evropiane jo vetëm kryeqytetit, por të gjithë Shqipërisë dhe të gjithë jetës shoqërore të vendit. Qendra e Tiranës, e cila asokohe ishte e parregulluar filloi nga ndërtimi dhe rregullimi aty nga viti 1929. Kështu tashmë kanë ndryshuar kushtet dhe rrethanat. Rregullimi i Tiranës fillon nga qendra, e cila krijon kontaktin e parë me vizitorin dhe u besohet profesionistëve. Ky rregullim realizohet nga arkitektë-urbanistë, pra, i projektuar me kujdes dhe në bazë të zhvillimeve më të fundit urbanistike, ku parimet udhëheqëse janë ato të krijimit të një fytyre të re për kryeqytetin. Studimi e hartimi i planeve rregulluese të Tiranës e me mjaft gjasë edhe të Durrësit iu besua Armando Brazinit, arkitekt i njohur për disa ndërtime në Itali, në koloni e jashtë vendit të tij[3]. Është e ditur se në këtë periudhë regjimi i Fashove i ngritur në Itali, i kishte konsoliduar vizionet e veta futuriste për një perandori të re romake. Këto vizione ndjehen edhe në fytyrën e re urbanistike që u munduan t’i japin më pas qendrës së Tiranës, urbanistët italianë pasi Italia e pushtoi Shqipërinë. Gjatë periudhës 1929-31 ngrihen 6 pallate të ministrive në qendër të qytetit[4] dhe në marrëveshje me familjen e Karapicëve prishet xhamia me të njëjtin emër, për t’i hapur vend ndërtimit të ndërtesës së re të Bashkisë, e cila edhe kjo vetë më pas do të prishej për t’i hapur vend ndërtimit të godinës së Muzeut Historik Kombëtar. Më 1931 ndërtohet godina e re e medresesë dhe një mulli bloje. Hapja e rrugës së re Mbretnore (sot Barrikadave) solli prishjen e godinës së Medresesë së vjetër dhe të varrezave të Xhamisë së Sulejman Pashës, po ashtu edhe hapja e bulevardit të madh, i cili sot njihet me emrin “Zog I”, në anën veriore solli prishjen e xhamisë së Haxhi Jasës[5]. Kjo xhami përfshinte një truall prej 5 dynymësh aty ku gjendet spitali obstetri-gjinekologjisë “Mbretëresha Geraldinë”, që u ndërtua gjatë kësaj kohe.
Gjatë kësaj periudhe shtohet ndjeshëm rindërtimi dhe zgjerimi i rrugëve ekzistuese në të gjithë Tiranën dhe kjo mund të vërtetohet lehtësisht nga burimet dokumentare. Përpjekja për t’i mbledhur varrezat e ndryshme që ndodheshin rreth xhamive, në një varrezë kryesore ndihmoi në gjetjen e hapësirave të reja, të cilat sollën zgjerimin e rrugëve dhe të shesheve në Tiranë. Kështu kemi rastin e hapjes së bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ku u hoqën varrezat tek Et’hem Beu; prishjen e Medresesë së Vjetër dhe varreve te Xhamia e Sulejman Pashës dhe zgjerimin e rrugës Mbretnore (Barrikadave); prishjen e varreve tek xhamia e Kokonozit dhe ngritjen e Pazarit të Ri etj. Pas pushtimit italian të vitit 1939 fillon ndërtimi i bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe i godinave të tjera qeveritare që gjenden përgjatë këtij bulevardi. Fundi i këtij bulevardi mbaronte me godinën e Luogotenencës (Mëkëmbësisë), e cila në planin urbanistik do të përfaqësonte fundin e sëpatës së liktorit.

Tirana e viteve 1945-1965

Ndërrimet e forta historike-politike sollën edhe parime të reja udhëheqëse në planet urbanizuese të Tiranës. Regjimi i ri komunist futi një frymë të re me tendencë shkëputjen e kujtesës kolektive nga e kaluara. Me prishjen e Pazarit të Vjetër dhe fillimin e punimeve për ndërtimin e Pallatit të madh të Kulturës në vitin 1960, u shembën dy objekte kulti, xhamia e Stërmasit dhe teqeja e Ali Pazarit. Me zgjerimin e rrugës 28 nëntori në harkun e lidhjes së saj me rrugën e Barrikadave (Mbretnore), mjaft troje vakëf u bënë ndërtime njëkatëshe, të cilat shërbyen deri vonë si dyqane artizanati[6]. Kështu xhami që mbanin mbi vete copëza të rëndësishme historie të lagjeve dhe të vetë Tiranës u shkatërruan sistematikisht, për të shkëputur lidhjet me të kaluarën dhe t’i përgjigjeshin kushteve dhe rrethanave të reja, të krijuara nga ideologjia komuniste, parimet e së cilës udhëhiqnin shtetin shqiptar. Ishin këto parime që i drejtuan urbanistët të shkatërronin edhe Pazarin e Vjetër, po ashtu edhe godinën e Bashkisë, për t’i lënë vend objekteve të reja me vulë komuniste dhe kështu të zëvendësonin kujtesën kolektive, duke shkatërruar të vjetrën. Ndërkaq Tirana jo vetëm që ishte kthyer prej kohësh në qendrën administrative e politike të vendit, por regjimi filloi edhe industrializimin e saj. U ndërtuan fabrika e kombinate, të cilat më pas do të shërbenin edhe si bërthama për lagjet e reja, duke krijuar më pas edhe qendrat përkatëse administrative të varura nga komiteti ekzekutiv (përndryshe bashkia) i Tiranës. Në 1954 fillon nga puna Kombinati i Tekstilit “Stalin” dhe rreth tij ndërtohet lagjja e re me emrin Kombinati, ku fillesën e ka me Pallatin e Beqarëve dhe më pas ndërtohen një seri godinash 2-katëshe me planimetri sovjetike dhe me një lulishte të madhe e rrugë të gjera, të cilat e bëjnë të dallueshme qendrën e kësaj lagje të re. Këtyre viteve i përket uzina “Enver” me parkun automobilistik të mallrave dhe të udhëtarëve. Qyteti i Nxënësve me Kombinatin Ushqimor “Ali Kelmendi”, Kombinatin e përpunimit të drurit “Misto Mame” e komplekset studimore ku gjendeshin shkolla e ndërtimit e rezervave, ku merrje njohuritë bazë që kishin të bënin me mekanikën, dhe më vonë shkolla e mjeshtërisë sportive, e cila sot njihet me emrin “Loro Boriçi”. Në lagjen e re të Laprakës pranë saj ndërtohet Kombinati i përpunimit të inerteve “Josif Pashko”. Në pjesën veriperëndimore të Tiranës ndërtohen dy uzina mekanike: “Dinamo” dhe “Dajti” si dhe ndërmarrja kimike e prodhimit të detergjenteve, pranë asaj që njihej si zona e Medresesë. Në pjesën juglindore të sheshit Skënderbej, pas pallateve të Shallvareve, filloi ndërtimi i lagjes që njihet me emrin “Tirana e Re”, ku në qendër të saj u vu kompleksi i futbollit “Dinamo”, sot “Selman Stërmasi”. Në lindje të rrugës “Qemal Stafa” kanë ekzistuar “Varrezat e Bamit” dhe në hyrje xhamia e teqeje e tyre. I gjithë trualli i tyre, përfshirë varrezat, u shndërrua në shesh ndërtimi për banesa. Qytetarëve iu dha mundësia për të shpërngulur eshtrat e të afërmve të tyre, por një pjesë mbeti në themelet e pallateve që u ndërtuan. Pak më sipër u ndërtua edhe fabrika e prodhimit të llullave dhe e porcelanit, të cilat pas viteve 1970 u urbanizuan më tej. Sipas dëshmive të ndryshme Tirana do të merrte formën e një ylli pesëcepësh me rreze, dhe në fund të viteve 1970 pak a shumë kjo formë u bë e dukshme nga lart, por që nuk arriti të realizohej.
Ndërkaq i gjithë ky industrializim kërkonte edhe fuqi të re punëtore, të cilën nuk mund ta garantonte vetëm popullsia e kryeqytetit. Për këtë shkak u sollën nga rrethe të ndryshme të vendit forcë e re punëtore që do të përballonte nevojat e punësimit, por e gjitha kjo u krye në mënyrë të kontrolluar nga pushteti qendror e lokal njëkohësisht, në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Një karakteristikë e veçantë e kësaj kohe është edhe ndërtimi i tregjeve të fruta perimeve në çdo qendër lagjeje, si dhe i mapove industriale e ushqimore. Kështu kemi mapon e madhe në qendër të Tiranës, si dhe në Laprakë e Kombinat. Pra, kemi kështu urbanizimin e zonave të tëra krejtësisht të reja dhe njëkohësisht atyre ekzistuese, si p.sh., mapoja ushqimore në Pazarin e Ri, e cila iu bashkëngjit tregut fshatar të ndërtuar gjatë kohës së monarkisë.
Le të themi dy fjalë rreth organizimit administrativ të Tiranës. Pas vitit 1945 emërtimi Bashki u hoq nga fjalori administrativ prej pushtetit qendror dhe bashkitë u emërtuan si Komitete Ekzekutive. Tirana ishte e ndarë në katër rajone, ku tre prej tyre mbulonin qytetin dhe i katërti fshatin. E gjithë Tirana më pas ndahej në 10 lagje, të cilat kishin kryetarin e tyre dhe në zona më të vogla ku secila kishte kryeplakun e vet. Çdo lagje kishte godinën e vet administrative, ku secila kishte zyrën e punësimit, të gjendjes civile, të strehimit dhe të arsimit. Teorikisht pushteti ushtrohej nga lart poshtë dhe urdhrat administrative zbatoheshin me rigorozitet, duke marrë në konsideratë ankesat e popullit. Praktikisht u zbatua vetëm rruga e urdhrave administrative që vinin sipas hierarkisë shtetërore nga lart poshtë.
Nga sa përshkruam më sipër dallohet një zhvillim thelbësor në shndërrimet e hapësirës urbanistike të Tiranës, kemi kalimin nga një qytet unicentrik në një qytet policentrik me qendra të dallueshme, por jo të pavarura krejtësisht, për vetë faktin se në politikat e tyre ishin krejtësisht të varura në nivelin administrativ lokal.

 

/Orientalizmi Shqiptar/

 

*Ky artikull është botuar në revistën “URA”, nr. 2, Pranverë-Verë, Tiranë 2009, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com

[1] (Kjo kumtesë është mbajtur në Konferencën Ndërkombëtare të IUAES – Commission on Urban Anthropology “Urban Identity, Power and Space: The case of Trans-European Corridors – Tirana, 27-31 August”, organizuar në Tiranë nga Instituti i Kulturës Popullore dhe Universiteti Katolik i Tiranës.)
[2] Riza, Emin; Qyteti dhe banesa shqiptare e Mesjetës së vonë, ASHSH, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Tiranë 1990, f. 25.
[3] Miho, Koço; Trajta të profilit urbanistik të qytetit të Tiranës, 8 Nëntori, Tiranë 1987, f. 120.
[4] Po aty, f. 125.
[5] Tirana kryeqytet, ndryshimet urbane dhe objektet e kultit musliman, prof. dr. Myzafer Kazazi, Drita Islame, nr. 15, shtator 1999, f. 4.
[6] Kazazi, prof. dr. Myzafer, shkrimi i cituar.

 

Advertisements
  1. Shems S.
    30/10/2012 te 16:16

    Pershendetje, do ishte mire te kishim edhe foto te vjetra te xhamive…apo jo??

    Me sa shikojme keni mundur te gjeni vetem nje foto te xhamise se Karapicit…po te tjerat??

    Suksese….

  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: