Hyrje > Albanologji, Histori, Historia e shqiptarëve, Islamologji, Ngjarje të rëndësishme, Orientalizmi shqiptar, Osmanologji, Personalitete të rëndësishëm > Rëndësia kulturore e politike kombëtare e Kongresit të Dytë të Manastirit

Rëndësia kulturore e politike kombëtare e Kongresit të Dytë të Manastirit

Prof. Dr. Muhamet PIRRAKU

 

100 vjetori i shkrimit kombëtar shqiptar
RËNDËSIA KULTURORE E POLITIKE KOMBËTARE E KONGRESIT TË DYTË TË MANASTIRIT

Prof. Dr. Muhamet Pirraku

Prof. Dr. Muhamet Pirraku

Rrugëtimi i shkrimit të gjuhës shqipe është i gjatë, shekullor, dhe me plotë kurthe e pengesa politike shqiptare e ndërkom­bë­tare. Këto kurthe e pengesa nuk arriti t’i shmangte as i shumëprituri “Kongresi i Alfabetit Shqip”, i Manastirit, më 14-22 nëntor 1908, për faktin se nuk i plotësoi, me përpikëri, kërkesat programatike “Thirrjes” së kongresit nga Klubi nikoqir – “Bashkimi” i Manastirit: “Çështje e Abecesë lipset të jetë fillimi, që pa të nuk do mundim të arrijmë qëllimet tona të larta për mbrothësi të gjuhës!” [1]

Për ta kuptuar më mirë rëndësinë kulturore e politike kombëtare të Kongresit të Dytë të Manastirit, të 2 e 3 prillit 1910, duhet të përvijojmë nëpër pasqyrimin e “Kongresit të Dibrës” të 23 korrikut 1909, dhe të “Kongresit të Elbasanit”, të 2-9 shtator 1909, që vinin si pasojë e “Vendimit” të Kongresit të Parë të Manastirit. Vërtet, shikuar nga këndi i kritikës shkencore objektive, ndonëse Kongresi i Parë i Manastirit konside­ro­het si i pari kongres kulturor i përgjithshëm i inteligjencës e i nacionalistëve shqiptarë[2], në fakt ai më shumë ishte Kongres i konstitucionalëve shqiptarë osmanli, me pasoja historike për unitetin kulturor e politik të kombit shqiptar, sepse u përmbyllë pa suksesin e pritur, duke i legjitimuar dy sisteme shkronjash realisht “Alfabetin Frashëriot”, në shkrim hibrid latin grek e sllav dhe “Alfabetin e Bashkimit” të Shkodrës, pak të modifikuar, dhe kështu, realisht përligji fillin e ndarjes faktike të kombit në dy pjesë: në toskë dhe në gegë[3].

Arsyetimi i “Vendimit” për “dy sisteme të shkrimit”, i lexuar para delegatëve nga Patër Fishta, nuk pati mbulese shkencore e politike të arsyeshme, e shikuar nga distanca historike ishte abuzim me besimin që Kongresi i dha “Komisionit për Alfabetin”: “Abeceda e Stambollit kishte me qenë e mjaftueshme që ti plotëson kërkesat e kombit shqiptar, por për shtypjen e librave jashtë vendit dhe për telegrame është i nevojshëm një alfabet thjeshtë latin…”. Ky “Vendim” u prit me indinjatë nga rilindës të kulluar[4], por një kritikë me mbështetje shkencore e politike kombëtare i bëri publicisti uragan, Faik Konica, i cili gjykoi shëndeteshëm: “U mbajt në Manastir, me 14 të vjeshtës III, një Kongres i shqiptarëve jon-turq, i vetëbotuar për të zgjidhur çështjen e abesë. Nga që ky “kongres” do të mbetet në faqet më të pandershme e më të turpshme, është nevojë të dëftojë qëndresën time në këtë komedie oriantale, dhe për këtë punë duhet të nis nga ca më lark…”[5]

Megjithatë, “Kongresi i Parë të Manastirit”, në të cilin Vilajeti i Kosovës ishte i pranishëm vetëm simolikishte, mori, së paku, dy vendime të mira. I pari: që pas dy viteve të thirrej një “Kongres gj u h ë s o r “, për çështje të “ortografisë” dhe për të rishikuar mundësinë për aprovimin e “një alfabeti të vetëm për gjuhën shqipe”! Mirëpo, duhet të vihet në spikamë fakti se edhe “Kongresi i ardhshëm”, që parashihej të mbahej në Janinë, më planifikohej të mbahej në kuadër të sistemit konstitucional osman, pikërisht në përvjetorin e dytë e fitores së Revolucionit Xhonturk, më 23 korrik 1910[6]. Vendimi i dytë, i mirë, ishte: që Klubi “Bashkimi” i Manastirit, të merrte rolin e “Klubit Qendror” për klubet shqiptare konstitucionale “Bashkimi”, të hapura në jehonën e fitores së Revolucionit Xhonturk, gjithandej në Shqipëri e në vendete Perandorisë Osmane ku kishte enklava të shqiptarëve[7].

E keqja më e madhe ishte se sapo delegatet kthyen në mjediset ku vepronin, filluan aktivitetet për dominim të “partizanëve” të “Alfabeteve” që i përligji “Kongresi i Manastirit”. Kjo u tregua e mirëseardhur për ithtarët e grafisë arabe për shkrim të gjuhës shqipe, me mbështetje institucionale osmane, me pasoja për unitetin kulturor, arsimor e politik kombëtar shqiptar[8]. Për zbutjen e këtyre pasojave do të angazhohet Klubi Qendror “Bashkimi” i Manastirit, i cili, me një “Qarkore” drejtuar klubeve “Bashkimi” u theksonte shqiptarëve: “… nuk duhet përmetue kurrsesi qi ndërmjet Shqiptarëve të dalin ngatërresa e të lejnë dasia për shkak t’alfabetit”, duke u theksuar se:”Tashti për tashti detyra e jonë ma kryesore asht me përhapur në popullin tonë dritën e arsimit, me forcue bashkimin t’onë, me i u rujtun dasis!”[9]

Klubi “Bashkimi” i Manastirit, për ta plotësuar detyrën e ngarkuar, Manastirin e ngriti në një Qendër Kulturore e politike kombëtare Shqiptare të rëndësishme, nxori organin “Bashkim’i Kombit”[10], ngriti një shtypshkronjë, e cila deri në vitin 1910 u rrit në një shtypshkronjë moderne, e cila mund të botonte gazeta e libra në 13 gjuhë të botës, e njohur me emrin: “Shtypshkronja internacionale” – “Bashkimi”[11]. Në gjirin e saj, më 1 gusht 1909, u themelua “Shoqëria botuese literare”, për botimin e librave, gazetave dhe revistave në gjuhën shqipe[12] dhe përpos gazetës “Bashkim‘i Kombit” , “Shoqëria botuese literare” e Manastirit i nxori edhe organet kombëtare: “Drita” dhe “Lahutë e Malësisë”. Vërtet, nga mesi i vitit 1909, në qendrën kulturore e politike të Rilindjes Kombëtare Shqiptare në Manastir, rol madhor lozi pejani Salih Gjukë Dukagjini, fillimisht mydyr në Neveskë e tani inspektor i arsimit për Vilajetin e Manastirit[13].

Komiteti i Turqve të Rinj “Bashkim e Përparim”, për të penguar zhvillimet në të mirë të kombit shqiptar që do t’i sillte Kongresi i Janinës, luftën kundër shkrimit të shqipes me grafi latine do ta bartë në Dibër, ku do ta nxisë themelimin e një “Klubi Konstitucionar” me emrin: “Partia Osman e Konstitu­cio­nale Shqiptare e Dibrës” me detyrë ta organizonte një Kongres që do të manifestonte dashurin e ”Shqiptarëve ndaj parimit të vëllazërimit, barazisë dhe pajtueshmërisë së tyre me osmanlinjtë e tjerë, pa ndonjë qellim separatist”[14]. Ky kongres do të mbahet më 10 /23 korrik 1909, me pjesëmarrje edhe të klubeve osmane serbe, bullgare, e vllahe, por edhe këtu, me prani simbolike të Vilajetit të Kosovës e të Shkodrës, falë ndërhyrjes së Nexhib be Dragës nga Mitrovica dhe të Riza Beut nga Shkodra, “Kongresi Konstitucional Osman i Dibrës” do të përfundojë si “Kongres Kombëtar Shqiptar”[15].

Në jehonë të kësaj fitoreje shqiptare në Elbasan, më 2-9 shtator 1909, do të mbahet “Kongresi Kulturor- Arsimor”[16], i cili i vuri themelet historike të shkollës kombëtare shqiptare[17], madje edhe krahas faktit se këtu qenë të pranishme dy rryma shqiptare historikisht antagoniste: proxhonturke dhe proaustriake, e me prani vetëm nominale të Vilajetit të Kosovës -Vendimet e Kongre­sit të Elbasanit bënë jehonë madhështore në Lëvizjen Arsimore e Kulturore Kombëtare Shqiptare në Vilajetin e Kosovës. Realisht, për jetësimin e Vendimeve të Kongresit të Elbasanit i vunë shpatullat veçanërisht: Hasan be Prishtina, Nexhib be Draga, Salih Gjukë Dukagjini, Bedri be Pejani, Rrok Berisha, Bajram be Curri e Rexhep be Mitrovica, duke hapur shkolla shqipe në Pejë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë, Vushtrri, Anamoravë e gjetkë[18]. Nga fundi i vitit 1909, “Klubit Arsimor Shqiptar” i Vilajetit të Kosovës, e futi mësimin e gjuhës shqipe në “Gjimnazin” dhe në “Normalen” e Shkupit[19] dhe, sapo e nisi punën “Normalja e Parë Shqipe e Elbasanit” (me 1 dhjetor 1909), gati gjysma e nxënësve ishin nga Kosova, një pjesë e madhe me financim të Hasan be Prishtinës[20].

Nga fillimi i shkurtit 1910, Serbia do të vihet në rolin e logjistikës së Qeverisë Xhonturke, kundër shkollës shqipe dhe kundër alfabetit latin për gjuhën shqipe në Vilajetin e Kosovës, ku realisht ishte kërthiza historike e Shqipërisë Etnike dhe djepi i ngjizjes së kombit shqiptar, kurse tashti, falë aktivitetit politik kombëtar të deputetëve të Parlamentit Osman: Hasan be Prishtinës, Nexhib be Dragës dhe Fuad Pashës nga Prishtina, me mbështetje të mençur, institucionale osmane, nga deputetet: Ismail Qemal Vlora, Myfid bej, Azis Pasha, Gani Bej, dr.Ibrahim Thema, e Dervish Hima, të mbështetur nga ish Veziri i Lartë, Ferid Pashë Vrioni, Vilajeti i Kosovës vazhdonte të bartte rolin e Bastionit të luftës për Autonominë e Shqipërisë[21].

Meqë xhonturqit dhe propaganda serbe do të ndihen “humbës” në Vilajetin e Kosovës, aktivitetin kundër shkrimit latin për shqipen do ta bartin në Vilajetin e Manastirit. Të parin miting me kërkesa për futjen e grafisë arabe për shkrim të shqipes e organizuan në qendër të vilajetit, në Manastir, më 6 shkurt 1910, në mbështetje të Myftisë tetovar – Rexhep Xhudit -Vokës dhe të kumanovasit kontraverz – Arif Hikmetit[22]. Mitingjet kundër alfabetit latin do të organizohen edhe në Elbasan e në Ohër[23]. Mirëpo, thënë me fjalët e analistit politik bullgar bashkohas, Ilia Golvanov: “Mund të thuhet lirisht se alfabeti latin (tashti) ka fituar të drejtën qytetare në gjuhën e shkruar shqipe”[24].

Megjithatë, Qeveria Xhonturke, e mbështetur nga propaganda serbe antishqiptare këmbëngulte të ishte e pranishme veçanërisht në Vilajetin e Kosovës, kundër shkrimit të shqipes me alfabetin latin, duke ia pasur frikën veçantë Sanxhakut të Prishtinës, ku dominonte drenicasi Hasan Prishtina, si dhe Sanxhakut të Shkupit, ku ndihej ndikimi permanent i deputetit Nexhib be Draga dhe e Profesorit të historisë Bedri be Pejanit [25]. Të theksojmë faktin se Lëvizja për alfabetin latin për gjuhën shqipe në Drenicë, vis ku nuk pushonin kryengritjet antiosmane, nuk pati asnjë kundërshtar[26].

Mirëpo, Qeveria e Stambollit më në fund mori vendim të merrte masa drastike kundër partizanëve të shkrimit “latin” dhe kundër drejtuesve të shkollave shqipe. Ky vendim do të pritet e indinjatë nga patriotët, mësuesit dhe nxënësit shqiptarë dhe do të kundërshtohet e bojkotohet nga “Klubet Arsimore Shqiptare” në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Prishtinë, Vushtrri, Mitrovicë, Prizren, Gjakovë, Guci, Pejë e Plavë – me kërkesë të pashkelshme “që arsimi popullor të zhvillohet me alfabetin latin “[27].

Lëvizja për Alfabetin latin për shqipen do ta dëshmoj forcën e pathyeshme më 27 shkurt 1910, me “Mitingun e alfabetit shqip” të mbajtur në Bregun e Shën Ilisë së Korçës[28], kurse gjatë tërë marsit të vitit 1910, Stambolli e Shkupi do të bëhen logje të propagandës xhonturke e serbe në dobi të ithtarëve të grafisë arabe (osmane) për shkrim të gjuhës shqipe[29].

Mirëpo, kësaj mynxyre antishqiptare do t’i jepet grushti vendimtar nga fillimi i prillit 1910, falë partizanëve të alfabetit kombëtar të shqipes të Lagjes së Hasan be Prishtinës, të tubuar në Kongresin e Dytë të Manastirit, më 2 dhe 3 prill 1910. Organizues dhe nikoqir i Këtij aktiviteti kulturor e politik kombëtar shqiptar, sipas shtypit serb osman, ishte “Këshilli qendror i organizatës shqiptare “Bashkim’i Kombit” të Manastirit[30]. Në informatën për mbajtjen e këtij Kongresi të botuar nga organi i spiunazhit serb, “Vardar”, më 27 mars 1910, pos të tjerave thuhej: “Në Kongres do të shqyrtohet çështja e alfabetit të shqipes dhe do të merret vendimi për rritjen e numrit të shkollave shqipe. Kongresi do të merr vendime për zhvillimin e më hovshëm në drejtim të zgjimit kombëtar ndër shqiptarët”[31].

Për organizimin e Kongresit të Dytë të Manastirit, rol madhor pati inspektori i arsimit për Vilajetin e Manastirit, juristi, publicisti, linguisti, etnologu, historiani, poeti, profesori i shqipes në Normalen e Shkupit dhe luftëtari i Pavarësisë së Shqipërisë, Salih Gjukë Dukagjini, ndjekësi më besnik i frymës politike patriotike të madhorëve të kombit- Hasan be Prishtina – Nexhib be Draga[32].

Sipas burimeve diplomatike serbe në Kongresin e Dytë të Manastirit u përfaqësuan: Klubi shqiptar nikoqir, i Manastirit, me 5 anëtarë, Klubin e Stambollit e përfaqësoi veprimtari Dervish Hima, të Korçës Shefik Efendia, të Negovanit, Petro Nini Luarasi. Edhe Koçana, Starova, Struga e Elbasani u përfaqësuan me nga një përfaqësues, kurse Ohri me dy. Në Këtë kongres, vërtet historik, me përfaqësim dominoi Vilajeti i Kosovës, i cili ishte buzë shpërthimit të Kryengritjes së Madhe e Kosovës për Autonominë e Shqipërisë: Bedri be Pejani, Rexhep be Mitrovica, Qamil be Bala, Bejtullah Be Gjilani, Shyqyri Ramadan Begu nga Prishtina, Salih Gjukë Dukagjini, oficeri Hysni be Curri (në emër të Bajram be Currit)[33] dhe Sabit Beu nga Vushtrria[34].

Sipas konsullit serb Luba Mihajlloviq: “Me telegrame kanë shprehur solidaritetin dhe i kanë caktuar përfaqësuesit nga radhët e atyre qe kanë mundur të arrinin në Kongres: Smirna, Selaniku, Kolonja Lerini, Bilishta, Durrësi, Shkodra, Vlora, Berati, Tepelena, Delvina, Leskoviku, Preveza dhe Tirana”[35]. Sipas këtij burimi, në Kongresin e Dytë të Manastirit kanë marrë pjesë 24 veta, të cilët për kryetar të Kongresit e zgjodhën profesorin e historisë, Bedri be Pejanin, ish profesor i gjuhës shqipe në Idadinë (Gjimnazin) e Shkupit, kurse për sekretar: Ferid bej Ypin, avokat në Manastir e Petro Nini Luarasin, mësus në Negovan[36].

Nga të dhënat e tjera mësojmë se në Kongresin e Dytë të Manastirit morën pjesë edhe këto personalitete shqiptare: Ibrahim bej Jegeni, përfaqësues i Klubit “Bashkimi” të Dibrës së Epërme, Gani bej Bungu, përfaqësues i Skodrës dhe i Elbasanit, Tefik Efendi Panariti, përfaqësues Klubit “Dituria” të Korçës, Ali ef. Zaimi nga Elbasani, përfaqësues i Jenixhës, Jonus Hilmi Dibra, përfaqësues i Serfixhës, Fehim bej Zavalani, përfaqësues për Tepelenë, Filat, Progon, Paramithi, Përmet, Kurvelesh, Delvinë, Gjirokatër, Hajdar ef. Blloshmi, përfaqësues klubit “Bashkimi” të Starovës, Abdullah ef. Rushiti, përfaqësues i klubit “Bashkimi” të Strugës, Xheladin Bej Ohri, përfaqësues i klubit “Bashkimi” të Ohrit, Xhafer Bej Ypi, përfaqësues i Konicës, Qazim Iljaz pashë Dibra, kryetar i Klubit “Bashkimi” të Manastirit, e Rifat Bej Zavalani, përfaqësues i Klubit “Bashkimi” të Manastirit[37].

Për rezultatet e Kongresit të Dytë të Manastirit ka lënë të dhëna historiografike të rëndësishme Konsulli serb, Mihajlloviq, në raportin e datës 5 prill 1910, adresuar Ministrit për Punë të Jashtme të Serbisë: “Të shtunën e të dielën, më 2 dhe 3 të këtij muaji në Manastir është mbajtur një Kongres shqiptar për rendësin e të cilit është folur e përfolur qysh para se të mblidhej”[38]. Në vijim, ky diplomat, fitoren e Lëvizjes shqiptare për shkrimin latin e pa të fituese si pasojë e gabimeve strategjik politikë të Stambollit, duke theksuar: “Xhonturqit, shqiptarëve u kanë ndihmuar në çështjen e tyre sepse ishin ngritur kundër tyre dhe janë përpjekur që ti ndanin në aderues të alfabetit latin dhe arab” dhe konstatonte se populli e “shikonte me neveri çdo përzierje të qeverisë në punët e të tyre”, ndaj, përfundonte: “Është e besueshme se këto dy alfabete (latin e arab) do ta kishin bërë vetvetiu ndarjen, kurse qeveria nuk ia doli dot…”[39]

Kongresi Dytë i Manastirit i zhvilloi punimet në seanca të hapëta, ku mbahej procesverbali, e në të cilat ka mundur të merrte pjesë edhe Valiu dhe personalitete të tjera politike xhonturke. Ky Kongres i kushtoi rëndësi të veçantë gjendje aktuale dhe të ardhmes së shkollës shqipe dhe ndriçoi propagandën e huaj në vendet shqiptare. Ndër oratorët më të zjarrtë në këtë fushë ishte mësuesi Petro Nini Luarasi, i cili me guxim të pashoq u ngrit kundër propagandës antishqiptare të kishës greke[40]. Në Mbështetje të “Fjalimit” të Petro Ninit, Kongresi mori vendim që të kërkohej mbrojtja e shtetit osman nga ajo propagandë[41].

Njëri ndër vendimet historike të Kongresit të Dytë të Manastirit ishte: Alfabeti pastër latin i modifikuar për shkrim të gjuhës shqipe në Kongresin e Parë të Manastirit, të përdoret i vetëm në shkollën shqipe, në shtypin shqip, në botimet shqipe dhe në administratën shqipe në të gjitha vendet ku banonin e vepronin shqiptarët. Ky vendim do të merrte kredon gjithëkombëtare në një Kongres Gjithëshqiptar që do të mblidhej në Janinë, i planifikuar nga Kongresi i Parë i Manastirit[42]. Në Kongresin e Janinës, do të dëshmohej, para Botës, uniteti politik e arsimor i kombit shqiptar, si dhe pandashmëria e Njësisë etnokulturore historike e Shqipërisë (Arnautlluk, Albania), e cila, pas copëtimeve kriminale në Kongresin e Berlinit, kishte vetëm 90.1000-90.270km2, ku shqiptarët përbënin mbi 66% të banorëve[43].

Këtu është me interes historiografik t’i përmendim vendimet Kongresit të Dytë të Manastirit, sipas proveniencës burimore. Të nisemi nga informatat e para që i pati të njohura konsullit serb, më 5 prillit 1910:

“1. Kongresi (tubimi) në Janinë të mblidhet më 3 korrik të këtij viti. Atëherë do të sillej raporti mbi punën e deritashme dhe propozimi i projekt programit për aktivitetet në perspektivë. Në Kongresin e Janinës duhej të merrej vendimi definitiv për qëndrimin e shqiptarëve dhe për kërkesat e tyre ndaj Portës së Lartë (Me siguri, atëherë, do ti adresohet Turqisë ndonjë memorandum)”;

2. Dervish Hima, deputeti i Stambollit, i lindur në Ohër, është caktuar që ta organizojë dhe drejtoi Qendrën Kryesore në Stamboll, e cila duhej të udhëheq të gjitha punët organizative të Klubeve Shqiptare. Qe Komiteti i Stambollit të ketë pushtet mbikëqyrës mbi të gjitha klubet shqiptare, të cilat do ti kontrollojnë dy revizorë të përhershëm – anëtarë të ati klubi. “Komiteti” do të ketë pushtet mbikëqyrës mbi punët e përgjithshme dhe mbi financimin e “Shoqërisë Përparimi” të Korçës”;

3. Është vendosur të vazhdohet me propagandën për alfabetin latin deri në ngadhënjimin mbi atë arab. Hëpërhë, qëllimi kryesor është përhapja e arsimit në masën e gjerë shqiptare;

4. Që, Qeverisë ti dërgohet një Përkujtesë me të cilën do të kërkohej ndërprerja e mosmarrëveshjes në mes të shqiptarëve dhe qeverisë, duke kërkuar që të ndërpritet çdo propagandë kundër alfabetit latin;

5. Të luftohej propaganda fetare islame e posaçërisht ajo greke”[44].

Konsulli serb e informonte Beogradin se “… anëtarët e Kongresit kanë mbajtur takim të mbyllur” edhe në ditën e hënë, më 4 prill 1910, e theksonte se: “Do të kujdesëm të mësoj së çka është folur atje!?”[45]

Kongresi i Dytë i Manastirit, përpos rëndësisë historike kulturore e politike shqiptare ka edhe rëndësi për afirmimin ndërkombëtar të kombit shqiptar, sepse këtë ngjarje, përpos përfaqësuesve të shtypit shqiptar dhe osman, nga brenda e përcollën edhe përfaqësues të shtypit evropian: Korrespondenti i “Neue Freie Presse” i “Rusko Slovo”, i “Pravda”-s së Beogradit, si dhe i ”Le Progres de Solanique”, e të tjerë, të cilët e indor­muan opinionin ballkanik, e evropian, për kërkesat shqiptare kulturore, arsimore dhe politike. Gazeta “Neue Freie Presse”, më 4 prill 1910, i solli pikat më të rëndësishme të Vendimeve të Kongresit të Dytë të Manastirit, por rëndësi të veçantë i kushtoi propozimit të përfaqësuesit të Starovë, Hajdar ef. Blloshmit, që Kongresi tu dërgonte një “Përkujtesë” Haxhi Villdan Efendisë, Ismail Haki Efendisë dhe Sheh-Ul-Islamit, duke kërkuar përgjigje se: ‘A mund të shkruhet Kur’ani edhe me shkronja latine?”[46] Sipas kësaj gazete, përgatitjen dhe programin për Kongresin Shqiptar të radhës, në Janinë, ishte ngarkuar t’i bënte Dervish Hima. Tubimi i planifikuar që të mbahej në Janinë, duhej të ishte më i madhi ndër kongreset shqiptare të mbajtura deri atëherë në Tokat Shqiptare[47].

Për Kongresin e Dytë të Manastirit të dhëna të vlefshme ofroi edhe gazeta “Vardar”, më 10 prill 1910, në artikullin: ”Kongresi Shqiptar”, i shkrua nga korrespondenti i saj më 4 prill 1910[48]. Sipas kësaj gazete në Kongresin e Dytë të Manastirit kanë marrë pjesë 25 veta, prej të cilëve vetëm dy të krishterë (protestantë)[49]. Kjo e dhënë fliste për një shkallë të lartë të pjekurisë politike kombëtare të shqiptarëve myslimanë, të cilët, tashti, më mirë se kurrë, i treguan botës osmane e botërore se shkrimi i gjuhës shqipe nuk është i kushtëzuar nga asnjë fe, as nga asnjë propagandë shtetërore e huaj, por është e mirë kulturore gjithëkombëtare shqiptare. Korrespondenti i “Vardar”-it do të saktësojë se: “Puna (në kongres) ka vazhduar normalisht dhe me qetësinë më të madhe” e madje “Disa nga propozimet pranoheshin me aklamacion”[50].

Gazet serbe osmane, “Vardar” i solli edhe disa nga pikat më të rëndësishme të vendimeve të Kongresit, që kanë disa nuanca ndryshe nga ato që i kishte të njohura konsulli serb në Manastir:

1. Që, më 3 korrik të këtij viti të thirrej një kongres gjithëshqiptar në Janinë, në të cilin përfundimisht do të caktohej programi i ardhshëm politik (…), si dhe njëherë e përgjithmonë të përfundohet me çështjen e shkollave dhe të alfabetit të shqipes. Do të vërtetohej programi i ardhshëm – për shkollat shqipe;

2. Kongresi e ka pranuar alfabetin latin për alfabet të gjuhës shqipe. Këtë (vendim) ka për ta plotëfuqizuar Kongresi i Janinës. Ky alfabet prej tashti ka për t’u përdorë në shkollat e tyre;

3. Ti dërgohej Valiut dhe deputeteve të tyre në Stamboll një kërkesë, që ta marrin në mbrojtje Kishën (Ortodokse) shqiptare[51];

4. Në Shkup të nxirrej një gazetë shqipe dhe të hapen shkollat kombëtare[52];

5. Që të kërkohej një sqarim nga Sheh-ul-Islamit (Ministrit për fenë Islame) së, shkrimi latin a është kundër sheriatit (kur’anit);

6. Që, një delegacion (shqiptar) ta përshëndet Sulltanin (me rastin e vizitës që Sulltan Mehmedi V Reshadi pritej ta bënte në Vilajetit të Kosovës e të Manastirit) dhe nga Ai të kërkonte amnisti në emër të shqiptarëve…duke pranuar që të rekrutohen në ushtrinë (perandorake osmane)[53].

Për Kongresin e Dytë të Manastirit kanë shkruar edhe gazetat e tjera serbe. Gazeta ”Pravda” e Beogradit, më 6 prill 1910, shkroi: “Kongresi shqiptar, i cili është mbajtur nën kryesinë(…) e Bedri Beut, mbas debatit të gjatë dhe të gjithanshëm mbi shkrimin e gjuhës shqipe dhe përhapjen e idesë kombëtare ndër shqiptarët”, ka marrë këto vendime:

”1. Që më 3 korrik në Janinë të thirrej Kongresi tjetër në të cilin duhej të marrin pjesë me shumë delegat se sa tash;

2. Që në Stamboll të krijohej një Këshill shqiptar të cilit duhej ti besohej ndërmjetësimi në mes të Qeverisë së Stambollit dhe shqiptarëve;

3. Që Ministrit të Arsimit t’i dërgohej një memorandum, për nevojën e domosdoshme që shqiptaret ta përvetësojnë shkrimin popullor, i cili u përgjigjet cilësive fonetike dhe natyrës së gjuhës shqipe;

4. Që të merren masa për pengimin e propagandës, të cilën grekët po e përhapnin ndër shqiptarët ortodoks (në Jug të Shqipërisë)”[54].

Për këtë ngjarje të rëndësishme për historinë politike dhe kulturore shqiptare shkroi edhe gazeta ”Le Progres de Solanique”, më 13 prill 1910, e cila kur bënte fjalë për rezultatet e Kongresit të Dytë të Manastirit, i përmendi disa vendime, dhe konstatoi se Kongresi është dashur të mbahej më 10 prill1910, por u mbajt më herët, më 2 dhe 3 prill, ndërsa në vijim informonte për gjendjen e shkollave në Vilajetet shqiptare, duke theksuar se: Nga Idadia e Manastirit kanë ikur 24, ndërsa nga ajo e Korçës 34 nxënëse dhe kanë shkuar në Gjimnazin e Selanikut për ta mësuar gjuhën shqipe[55].

Edhe shtypi shqiptar i kohës nuk e la prapa dorës Kongresin e Dytë të Manastirit. Gazeta “Bashkimi” e Shkodrës i informoi lexuesit për mbajtjen e Kongresit shqiptar më 2 dhe 3 prill 1910 dhe konstatonte se: Ndër vendimet më fatlume të kongreseve shqiptare, janë Vendimet e Kongresit të Dytë të Manastirit, sepse përfundimisht e vendosi alfabetin latinë për gjuhën shqipe[56].

Për këtë epilog fatlum për kombin shqiptar pati rol të madh Vilajeti i Kosovës në përgjithësi, me Shkupin qendër administrative, politike, ekonomike, kulturore e arsimore shqiptare. Lëvizja shqiptare për alfabetin latin në Kosovë, me partizanët korife: Hasan Prishtinën, Nexhib Dragën, Bajram Currin, Salih Gjukën, Bedri Pejanin, Rrok Berishën, Rexhep Mitrovicën, Hysni Currin, Shyqyri Ramadan Begun e të tjerë, e barti peshën e luftës përfundimtare me xhonturqit shovinistë në fushë të arsimimit shqip, të shkrimit të shqipes me alfabetin latin dhe të ngritjes së ndërgjegjes kombëtare të individëve dhe të masave shqiptare.

Roli i Kosovës për fitoren e alfabetit latin të “Bashkimit” për alfabet kombëtar shqiptar përfundimisht me Vendimet e Kongresit të Dytë të Manastirit, më 1910, është i rëndësisë historike të rolit të Kosovës në përvetësimin e Gjuhës shqipe të unifikuar dhe të legjitimuar në Kongresin Gjithëshqiptar të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, të mbajtur në Tiranë, më 1972.

Prishtinë, Prill 2010

[1] Revista “Leka” – Numër i veçantë. Vazhdim i numrave përkujtimor të XXV Vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, Shtypur në Shkodër më 1942, për Vitin XII/1940 , f. 13.
[2] Justin Rrota, Për historinë e alfabetit shqyp, Shkodër, 1935, fq. 89. Këtë vepër e kam shfrytëzuar nga fotokopjet e Arkivit Shtetëror të Kosovës në Prishtinë (më tutje: ASHKP), “Fondin i Alfabetit”. Nuk është ballina – vendvotimi dhe viti i botimit, ndaj vendin e botimin dhe vitin e botimit këtu po e shënoj sipas njohurive që kam për botimin e parë.
[3] Stjepan Antoljak, Prilog historijatu borbe albanaca za svoj Alfabet, “Gjurmime albanologjike”, nr. 1, Prishtinë,1969, 46; Stavro Skendi, Historia e abeces shqipe. Një rasë zhvillimi kulturor dhe politik të ndërlikuar- ASHKP – “Fondi i Alfabetit”, fotokopje; Gjerësisht, Prof. Dr. Muhamet Pirraku, Roli i Kosovës në zgjidhjen përfundimtare të Alfabetit Kombëtar Shqiptar, Gazeta “55”, Tiranë, 14 -26 nëntor 2008; “Republika”, Tiranë, 15-27 nëntor 2008.
[4] ASHKP, “Fondi i Alfabetit”. Raporti i konsullit Visart, më 25.XI.1908, fotokopje nga fondet e Arkivit të Oborrit Mbretëror të Vjenës (më tutje vetëm: AOMV).
[5] Rev. “Albania” nr. 1, vjeti. XII, London, 1909,fq. 24. Kritika e plotë, te: Dr. Muhamet Pirraku, Albania e Konicës, Prishtinë, 1995, 55-64.
[6]Dr. Skender Rizaj, Albanska abeceda u naučnoj literaturi… “Gjurmime albanologjike”, nr. 1, Prishtinë,1969, 186.
[7] Revista “Leka” – Numër i veçantë. Vazhdim i numrave përkujtimor të XXV Vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, Shtypur në Shkodër më 1942, për Vitin XII/1940; Justin Rrota, Për historinë e alfabetit shqyp, Shkodër, 1935; Gjergj Qiriazi; Raporti i Kongresit shqiptar të mbajtur në Manastir më 1(14)-14(22) nëntor 1908 – ASHKP, “Fondi i Alfabetit”, nga AOMV; Stavro Skendi, Historia e abeces shqipe. Një rasë zhvillimi kulturor dhe politik të ndërlikuar – ASHKP, “Fondi i Alfabetit”. I përket fondit të siguruar nga Biblioteka e Kairos, më 1968. “Fondi i Alfabetit” është krijuar nga nëntori 1967 deri në gusht të vitit 1968; Shaban Demiraj-Kristaq Prifti, Kongresi i Manastirit ngjarje me rëndësi në lëvizjen kombëtare shqiptare, Tiranë 1968; Stjepan Antoljak, Prilog historijatu borbe albanaca za svoj Alfabet, “Gjurmime albanologjike”, nr. 1, Prishtinë,1969; Muhamet Pirraku;Legalizimi i alfabetit të Manastirit, “Përparimi“, nr. 11-12 Prishtinë 1968; Hasan Kaleshi, Disa aspekte të luftës për alfabetin shqip në Stamboll, Gjurmime albanologjike 1, Prishtinë 1969.
[8] Gjerësisht, Dr. Petro Janura: Nga historia e alfabetit të gjuhës shqipe, Shkup, 1969; Dr. Skender Rizaj, Albanska abeceda u naučnoj literaturi… “Gjurmime albanologjike”, nr. 1, Prishtinë,1969; Stjepan Antoljak, Prilog historijatu borbe albanaca za svoj Alfabet, “Gjurmime albanologjike”, nr. 1, Prishtinë,1969; Muhamet Pirraku;Legalizimi i alfabetit të Manastirit, “Përparimi“, nr. 11-12 Prishtinë 1968; Hasan Kaleshi, Disa aspekte të luftës për alfabetin shqip në Stamboll, Gjurmime albanologjike 1, Prishtinë 1969; Prof. Dr. Muhamet Pirraku, Roli i Kosovës në zgjidhjen përfundimtare të Alfabetit Kombëtar Shqiptar, Gazeta “55”, Tiranë, 14 -26 nëntor 2008; “Republika”, Tiranë, 15-27 nëntor 2008.
[9] Shih, Muhamet Pirraku;Legalizimi i alfabetit të Manastirit, “Përparimi“, nr. 11-12 Prishtinë 1968; Dr. Skender Rizaj, Albanska abeceda u naučnoj literaturi… “Gjurmime albanologjike”, nr. 1, Prishtinë,1969.
[10] Muhamet Pirraku: Prej tipografisë gjer të shtypshkronja internacionale, “Jehona” nr.7, Shkup, 1968 fq. 64-65. Shih edhe “Bitolski Vesnik”, Viti I, nr.18, më 23XII 1964, ku është e botuar intervista e bashkëkohësit 84 vjeçar, veprimtarit kulturor, Kristo Qiriazi.
[11] Muhamet Pirraku: Bashkimi i Manastirit…,”Fjala” nr.70 fq.18; M. Pirraku: Prej tipografisë …e cit.fq. 64.
[12] Data 1/14 korrik 1909, sipas hixhres është i shënuar si 1324, në vend të shënohej 1325.
[13] Në vitin 1910, Salih Gjuka, për ta marrë në mbrojtje gjuhën shqipe nga qarqet shoviniste xhonturke, e botoi gramatikën e gjuhës shqipe në gjuhën osmane, me titull: “Gabim-dlirsa ndo ndryshim liskra. Shkrolaria e shqipes, Pjesa e parë, Bazash e Shihzash”, Shih gjerësisht, Salih Giukë Dukagjini, Shkrolaria e Shqypes, Pjesa e parë, Teorike dhe praktike, Prishtinë 1991, 1-186.
[14] Gaz.”Vardar” nr.26 Viti II, Shkup, 1909, fq.1-2; Muhamet Pirraku, Vendimet e Kongresit të Dibrës…”Jehona” nr 7-8, 1969 Shkup, fq. 82; Dr. P.Janura, Për historinë e alfabetit…,73.
[15] Irena Senkeviq, Osvoboditelnoe dvizhenie albanskovo naroda 1905-1912, Moskva, 1959, fq. 142; Muhamet Pirraku, Vendimet e Kongresit të Dibrës…”Jehona” nr 7-8, 1969 Shkup.
[16] Gazeta “Shkupi”´nr. 15, Moti II, Shkup, 1912, f. 1, shkruan se Kongresi është mbajtur prej 20-27 gusht 1909. Kjo gazeta është datuar sipas kalendarit të vjetër, Julian, ndaj data 20-27 gusht i përgjigjet datës 2-9 shtator 1909. Dr Jashar Rexhepagiq në Zhvillimi i arësimit dhe i sistemit shkollor të kombësisë shqiptare në territorin e Jugosllavisë së sotme deri në vitin 1918, Prishtinë, 1970, fq. 215, përfilli kalendarin julian – 20-27 gusht 1909. Datën sipas kalendarit gregorian e përfilli Historia e Popullit shqiptar II, Prishtinë 1969, fq. 292, por si datë 2-8 shtator. Kjo datë u përcoll edhe në Historia e Popullit shqiptar II Rilindja Kombëtare vitet 30 të shek. XIX – 1912, Tiranë, 2002, 415. Ndërkaq studiuesi kroat, Stjepan Antoljak në Prilog historijatu borbe albanaca za svoj Alfabet, “Gjurmime albanologjike”, nr. 1/1969, fq. 52, fusnota 282, shënon datën 2-10 shtator. Ky është mbështetur në burimet vjeneze.
[17] Shih Historia e Popullit shqiptar II, Prishtinë 1969, fq. 292. Sipas Irena Senkeviq, Osvoboditelnoe dvizhenie… fq.158, në kongres morën pjesë 30 delegatë nga Shqipëria e mesme, jugore dhe Maqedonia. Në kongres nuk morën pjesë nga viset e Shkodrës dhe të Shqipërisë veriore. Sipas Gaettano Petrota: Popolo, lingua e leteratura Albanese, Palermo 1931, fq. 50, në kongres morën pjesë 120 delegatë.
[18] ASHKP, “Fond i ‘Pizhonit”. Informatë e konsullit M. Rakiq, Prishtinë, më 21. X (3.XI).1909; “Fondi i Alfabetit” (AOMV – informacioni i konsullit Pallavicini në Stamboll, për konsullin në Manastir, më 29 gusht 1909; Irena Senkeviq: Osvoboditelnoe dvizhenie…, fq.149. Ajet Haxhiu, Hasan Prishtina, Tiranë, 1964, fq. 16; Gaz. “Dielli” nr. 35, Moti I, Bostan, 1909, fq.1-2; ASHKP, “Fond i ‘Pizhonit”. Informatë e konsullit M. Rakiq, Prishtinë, më 21. X (3.XI).1909.
[19] Muhamet Pirraku, Aktiviteti i Klubit shqiptar të Shkupit, “Fjala” nr. 7, Moti II, Prishtinë 1969, faqe 17; Sh. Demiraj-K. Prifti,Kongresi i Manastirit ngjarje me rëndësi…,f. 54.
[20] Muhamet Pirraku, Prej shkollës fetare gjer të normalja, “Fjala”, nr. 1, Moti II, Prishtinë, 1969, 12-13, 15; F. Pira, Një shekull shkollë shqipe në “Shejzat”, Romë, 1969, fq. 6-7 shkruan se në vitin e parë Normalja pati 10 profesorë dhe 140 nxënës. Në ASHKP, “Fondi i Alfabetit” XXVIII/K-11-802 – 1910 thuhet se shkolla pati 120 nxënës; Shih edhe gazetën “Vardar” nr.6, Shkup, 7(20) shkurt 1910, f.1.
[21] ASHKP – Fondi i “Joca Jovanoviq -Pizhon”, fotokopje – XXVIII/K-11-708. Informatë e personit anonim “Nepoznata liçnost” konsullit të Serbisë në Shkup, më 22 janar(4 shkurt) 1910; ASHKP – Fondi XXVIII/K-11-709, Shkup. Informatë e spiunit të panjohur për konsullin e Serbisë në Shkup, më 22 janar (4 shkurt) 1910; Shi edhe “Vardar”, nr. 4, Moti III, Shkup, 24 janar (6 shkurt) 1910, fq. 2; Gazeta “Bashkimi” i Shkodrës, nr. 9, Shkodër, 27 janar (9 shkurt); Shih, gjerësisht, Muhamet Pirraku, Mitingu i Alfabetit në Shkup, “Fajala” nr. 8, Prishtinë, 1968, fq. 17; ASHKP – Fondi XXVIII/K-11-712, Shkup, 24 janar(6 shkurt) 1910. Informatë e spiunit serb për konsullin e Serbisë lidhur me udhëtimin e Nexhib be Dragës, më 23 janar (5 shkurt) 1910, për në Kypryly (Veles), te kajmekami i atjeshëm, aderues i alfabetit latin për shqipen. Edhe ai quhej Nexhib; Shih, Muhamet Pirraku, Çështja e alfabetit shqip në Parlamentin Osman, “Rilindja”, Prishtinë, 1 mars 1969, fq. 13; Ajet Haxhiu, Hasan Prishtina, Tiranë, 1964, fq. 16; ASHKP – Fondi XXVIII/K-11-715, Shkup, 23 janar (5 shkurt) 1910. Informatë e konsullit të Serbisë, Ristiqit; Gazeta “Vardar” nr. 4, Moti III, Shkup, 24 janar (6 shkurt) 1910,f. 2; Shukri Rahimi, Qëndrimi i pushtetit turk ndaj çështjes së alfabetit, Gjurmime albanologjike nr. 1/1969; ASHKP – Fondi XXVIII/K-11-712, Shkup. Informatë e “anonimit” për konsullin serb, më 22 janar (4 shkurt) 1910; ASHKP – ”Fondi i Alfabetit”, fotokopje nga AOMV. Informatë e datës 25 janar 1910 për Baronin Alojz Aehrenthal; Shih “Fjala” nr. 3, Prishtinë, 1969, dok. nr. 9, f. 16.
[22] ASHKP – “Fondi i Alfabetit”, fotokopje nga AOMV. Informatë e Posfai-t nga Manastiri, më 7 shkurt 1910 – Aehrentalit në Vjenë; H. Kaleshit, Disa aspekte të luftës…” fq. 101-102; Gazeta “Bashkimi” nr. 9, Moti I, Shkodër, 27 janar (9 shkurt) 1910; Irena Senkeviq, Osvoboditelnoe dvizhenie albanskovo naroda 1905-1912, Moskva, 1959, 150; Sh. Demiraj-K. Prifti, Kongresi i Manastirit ngjarje me rëndësi në lëvizjen kombëtare shqiptare, Tiranë 1968, f. 55.
[23] Sh. Demiraj-K. Prifti, Kongresi i Manastirit ngjarje me rëndësi në lëvizjen kombëtare shqiptare, Tiranë 1968, f. 56; Gazeta “Vardar” nr. 12, Moti III, Shkup 1910, fq. 2; Gaz. “Shqypëja e Shqypënis” nr. 18, Sofje, 2(15) shkurt 1910, f. 3.
[24] Ilia Golvanov, Mladoturcite i Albancite. Ballgarska zbirka, knjiga XVII, Sofija, 1910.
[25] Prava buna zbog latinice, “Vardar” nr. 6, Moti III, Shkup, 7(20) II. 1910, fq. 2; Proterani uçitelji, “Vardar” nr. 6, Moti III, Shkup, 7(20) II. 1910, 2; Hodže i softe protiv latinice, “Vardar”, nr. 6, Shkup, 7(20) shkurt 1910; ASHKP – Fondi: XXVIII/K-11-781, Shkup, 6(19) shkurt 1910. Informatë e personit anonim për konsullin e Serbisë në Shkup; Gjerësisht, ASHKP – Fondi: XXVIII/K-11-781, Shkup, 6(19) shkurt 1910. Informatë e personit anonim për konsullin e Serbisë në Shkup; Arkivi Federativ – Beograd, fondi “Pižan” S-I-1729, Shkup. 8(21) shkurt 1910; ASHKP – Fondi: XXVIII/K-11-718, më 9(22) shkurt 1910;Gjerësisht, Muhamet Pirraku, Burime për historinë e alfabetit, “Fjala” nr. 3, Prishtinë, 1969, Shaban Kapuçi në kujtesën historike (1892-1919), Monografi në dorëshkrim, Prishtinë, Maj 2007.
[26] Arkivi Federativ, Beograd, Fondi “Pižon”, S-I-1734, nr. 563. Informatë nga Shkupi, viti 1910.
[27] ASHKP – Fondi: XXVIII/K-11-779, 1910; Gaz. “Shqypëja e Shqypënis” nr. 19, Moti II, E Enjte, 11 mars 1910; ASHKP – “Fondi i Alfabetit”, fotokopje nga AOMV. Informatë e Pallavicinit, më 26 shkurt 1910, për baronin Alojz Aehrenthal.
[28] Po aty; Gaz. “Vardar”, nr. 12, Moti III, më 27 shkurt (12 mars) 1910, fq. 2.
[29] Gaz. “Shqypëja e Shqypënis” nr. 19, Moti II, E Enjte, 11 mars 1910; Gjerësisht, Arkiva Federatriv, Beograd, Fondi i “Pizhonit”, S-I-1731, nr.562, viti 1910; ASHK Prishtinë “Fondi i Alfabetit“, fotokopje nga AOMV; ASHKP – Fondi XXVIII/K-11-786, viti 1910. Dokumentin origjinal e përshkrova në Arkivin Federativ – Beograd, ë Fondi “Pizhon”; Arkivi Federativ – Beograd, në Fondin “Pizhon” S-I-1724, nr. 495, Shkup, 27 janar(9 shkurt) 1910; Gjerësisht, H. Kaleshit, Dr. Hasan Kaleshi, Neki problemi izučavanja kulture istorije polloga za vreme turskog perioda, Bigorski naučno-kulturni sobiri, Gostivar, 21-22. X. 1971, Shkup, 1973, 182-183; H. Kaleshi, “Disa aspekte të luftës…” fq. 109-111; Muhamet Pirraku, Shoqëria për shkruarjen e gjuhës shqipe me shkronja arabe, “Zëri i Rinisë”, nr. 31, Prishtinë, 14 shtator 1968, 17; Dr Jashar Rexhpagiqi, Zhvillimi i arësimit… faqe. 145; Zekeria Cana, Reaksioni xhonturk kundër shkollës dhe shkrimit shqip në pragun e Kryengritjes së Kosovës më 1910, “Gjurmime albanologjike” nr. 1, Prishtinë, 1969, fq. 135; Gazeta “Vardar” nr. 23, të 8(21) prillit 1910.
[30] Gazeta “Vardar” nr.16, Shkup, 14(27) mars 1910.
[31] Gazeta “Vardar” nr.16, Shkup, 14(27) mars 1910. Shih, Muhamet Pirraku, Kongresi i Dytë i Manastirit, Fjala, nr. 9, Prishtinë, 1968, 17.
[32] Gjerësisht, Dr. Muhamet Pirraku, Të dhëna për jetën dhe veprimtarinë e Salih Gjukës, Shkrolaria e Shqypes, Pjesa e parë, Teorike dhe praktike, Prishtinë 1991, 11-66.
[33] Shih, Muhamet Pirraku, Kongresi i Dytë i Manastirit, Fjala, nr. 9, Prishtinë, 1968, 17.
[34] Këtë emër e ka evidncuar Elida Jorgani(Duka), Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori” – Dok: “Projekt- 100-Vjetori i Kongresit të Dytë të Manastirit (2-3 prill 1910)”, Tiranë, 27. 10. 2009, Nr. Prot.1991.
[35] Shih raportin e konsullit Luba Mihajlloviq – Arkivi Shtetëror i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë (DA SIP Jugosllavije) – S.I.1756. PP.191, nr. 586, faqe 4, e protokolluar më 23 mars(5 prill) 1910. Përshkruar nga origjinali serbisht në qershor të vitit 1968. Dokumenti është i datuar sipas kalendarit Julian. Ne e kthyem në kalendarin Gregorian, duk ua shtuar datave plus 13 ditë.
[36] Shih, Po aty.
[37] Elida Jorgani(Duka), Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori” “Projekt- 100-Vjetori i Kongresit të Dytë të Manastirit (2-3 prill 1910)”, Tiranë, 27. 10. 2009, Nr. Prot.1991.
[38] Raport i konsullit Luba Mihajlloviq – Arkivi Shtetëror i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë (DA SIP Jugosllavije) – S.I.1756. PP.191, nr. 586, më 23 mars(5 prill) 1910.
[39] Gjerësisht, po aty.
[40] Shih, po aty; Si hakmarrje edhe për këtë “Fjalim”, e vrau kisha greke në vitin 1911.
[41] Shih gjerësisht, Muhamet Pirraku, Kongresi i Dytë i Manastirit, Fjala, nr. 9, Prishtinë; Roli i Kosovës në zgjidhjen përfundimtare të Alfabetit Kombëtar Shqiptar, Gazeta “55”, Tiranë, 14 -26 nëntor 2008; “Republika”, Tiranë, 15-27 nëntor 2008. 1968, 17.
[42] Shih po aty: Diplomati serb në Manastir do të saktësojë: Kongresi i pardjeshëm në Manastir ka pasur për qellim kryesor bërjen e parapërgatitjes së nevojshme dhe pajisjen e duhur për tubimin e madh në Janinë”
[43] Shih gjerësisht, Prof. Dr. Muhamet Pirraku, Për kauzën shqiptare 1997-1999, Prishtinë, 2000,39-124; Myderriz Ymer Prizreni- Ora, Zemra dhe Shpirti i lidhjes Shqiptare 18877-1887, Prishtinë, 2003, 41-106; Për kauzën e UÇK-së, Prishtinë, 2006,51-58, 127-132; Për kauzën e shtetësisë së Kosovës, Prishtinë, 2008, 199-238.
[44] Raport i konsullit Luba Mihajlloviq – Arkivi Shtetëror i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë (DA SIP Jugosllavije) – S.I.1756. PP.191, nr. 586, 23 mars(5 prill) 1910.
[45] Po aty.
[46] Gazeta “Neue Freie Presse”, më 22 mars (4 prill) 1910; Cituar sipas Gazetës “Vardar” nr. 20, Shkup, 28.III (10 prill)1910.
[47] Hih, po aty.
[48] Gazeta “Vardar” nr. 20, Shkup, 28.III (10 prill)1910.
[49] Me emër dihet për vetëm Petro Nini Luarasin, kurse tjetrin, mendoj, duhet kërkuar në njëri nga vëllezërit Qiriazë.
[50] Shih, “Vardar” nr. 20, Shkup, 28.III (10 prill)1910.
[51] Themelues i Kishës Ortodokse Shqiptare është Fan S. Noli. Ajo u hapë me 24 shkurt 1908 në New York të Amerikës.
[52] Gazeta doli më 29 gusht 1911, me emrin “Shkupi” nën drejtimin e Jashar S. Erebarës (Shih. M. Pirraku, Gazeta “Shkupi” doli më 1911, “Rilindja”, Prishtinë, 29 qershor 1968.
[53] Shih, “Vardar” nr. 20, Shkup, 28.III (10 prill)1910.
[54] Gazeta ”Pravda”, nr. 83, Beogradit, 24.III (6.IV). 1910.
[55] Gazeta ”Le Progres de Solanique”, nr. 825, Selanik. 3(16) IV.1910.
[56] Gazeta “Bashkimi”, nr. 16 i datës 17. IV.1910.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: