Hyrje > Filozofi, Globalizëm shqiptar, Histori > Mitet antinacionaliste në Shqipëri

Mitet antinacionaliste në Shqipëri

Ergys MËRTIRI

 

MITET ANTINACIONALISTE NË SHQIPËRI

Ergys Mërtiri

Ergys Mërtiri

Debati mbi nacionalizmin ka ndarë në dy grupe kryesore opinionin publik në Shqipëri. Ka një grup intelektualësh që, duke marrë shkas nga një rritje e shprehjes publike të ndjenjave nacionaliste të kohëve të fundit, shprehen të shqetësuar se këto dukuri dëmtojnë zhvillimin shoqëror, kulturor e politik në vend. Më i angazhuari në këtë grup, Fatos Lubonja, e shikon këtë si një dukuri që rrit mundësitë e abuzimit të politikës në raport me qeverisjen. Në disa shkrime të tij, si edhe në debate publike televizive, ai e dënon nacionalizmin si një dukuri emotive, ideologjike, iracionale, e cila krijon mite të kota, të dëmshme për shoqërinë. Lubonja përpiqet të na thotë se kombi nuk është asgjë qenësore tek individi dhe sensitivitetj që ai zgjon është i gënjeshtërt. Sipas tij dukuri të tilla prodhojnë ndjesi, që shfrytëzohen nga politika për të mbajtur pushtetin e për të abuzuar me të, duke e përdorur në funksion të interesave koruptive. Ato ushqejnë turmat me propagandë, duke zhvendosur vëmendjen nga detyrimet reale politike, që kanë të bëjnë me qeverisjen, zhvillimin, zbatimin e ligjit etj.

Nga ky grup intelektualësh nacionalizmi paraqitet si një ideologji e gabuar, e cila bazohet mbi ndjesi të rrejshme, që vijnë prej indoktrinimit të ushtruar prej kohësh mbi shoqëritë. Kjo ideologji, sipas tyre është agresive, intolerante, totalitare, përjashtuese dhe përmban një rrezik të madh për kombet duke i çuar ata në luftëra të përgjakshme. Ajo gjithashtu qendron në kundërshtim me të drejtat e njeriut, pasi nuk pranon të drejtat e pakicave dhe eleminon diversitetin dhe lirinë individuale. Nga ana tjetër, sipas tyre njeriu mbart brenda vetes shumë shtresëzime identitare, që nacionalizmi synon t’i eleminojë apo t’i zhvendosë në plan të dytë duke ngritur kombin mbi gjithçka. Për të gjitha këto, nacionalizmi shihet si një e keqe e madhe kërcënuese për shoqërinë, si një pengues, jo vetëm për paqen mes popujve, por edhe për zhvillimin e brendshëm të secilit prej tyre.

Në fakt, keqkuptimi më i madh është se antinacionalizmi shqiptar përballet me një ligjërim që në thelb nuk është aspak nacionalist. Debati këtu merr në konsideratë disa ekzaltime emocionale populiste, të njerëzve që, në vetvete, në planin parimor e politik, nuk ofrojnë asnjë qasje konkrete që të jetë në funksion të një projekti kombëtar nacionalist. Shumica e tyre vijnë nga një formim ideologjik që bie ndesh me atë nacionalist, ndikime të cilat spikatin në ligjërimin dominues të shoqërisë civile në Shqipëri. Vizioni i tyre për shoqërinë shqiptare, por edhe qendrimet e mbajtura në momente të caktuara kundrejt çështjeve të ndryshme me interes kombëtar, si ajo e Kosovës, integrimit mbarëshqiptar në rajon etj., kanë qenë në kundërshtim me parimet nacionaliste. Për këto arsye, nacionalizmi i tyre është më shumë folklorik sesa ideologjik e politik dhe kjo do të thotë se debati këtu zhvillohet pa praninë e nacionalizmit të vërtetë. Në rastin konkret, kemi një ekip tjetër, që ka vjedhur fanelën e nacionalizmit dhe ka zbritur në fush në vend tëtij. Për sa kohë skena e debatit publik shqiptar mbetet peng e oborrtarëve të vjetër, çdo ide me vlerë është e destinuar që për momentin të mbetet e papërfaqësuar.

Konstruksionizmi dekonstruktivist

Argumentet e paraqitura nga kundërshtarët e nacionalizmit, mbartin në vetvete shumë keqkuptime dhe shtrembërime, të cilat janë po kaq ideologjike sa dukuria që ata përpiqen të skicojnë. Duke iu referuar teorive postmoderne ata paraqesin një qasje dekonstruktuese ndaj miteve nacionaliste, të cilat sipas tyre, bëhen pengesë për lirinë dhe kthjelltësinë e të menduarit, por në të vërtetë, nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se prodhojnë mite të rinj që u kundërvihen të parëve. Në rastin konkret, nacionalizmi për të cilin ata flasin është nacionalizmi që ata e përcaktojnë në mënyrë arbitrare dhe jo në mënyrë shkencore nga përkufizimet teorike. Ata paraqesin një objekt të cilin e ndërtojnë vetë me duart e tyre, dhe më pas prodhojnë kritikën përkatëse për t’a hedhur poshtë. “Kundërshtari” është ndërtuar në mënyrë të posaçme për t’u mundur kollaj dhe kjo e bën debatin fiktiv. Këtu kemi të bëjmë me një diskurs që fillimisht e konstrukton vetë objektin që kërkon të dekonstruktojë. Për pasojë, dekonstruksioni është i rrejshëm, për sa kohë konstrukti nuk është i vërtetë, por prodhim subjektiv i kritikuesit. Natyrisht, në rastin konkret fusha është bosh dhe është e lehtë të bësh gol pa portier.

Eshtë e vërtetë që çdo kritikë fillon duke rindërtuar teorinë që kritikohet, por, duke iu referuar Popper-it, një kritikë e mirë është ajo që e ndërton në mënyrën më të mirë objektin që kritikon. Sipas tij, kritika shkencore duhet ta ndërtojë teorinë që kritikon me argumentet më të forta të mundshme dhe vetëm pasi ta ketë bërë këtë ajo merr vlerë. Ajo merr vlerë kur hedh poshtë argumentet më të forta të teorisë së kritkuar, e jo ato më të dobta. Duke u marrë me diskutime periferike, duke rrëzuar argumente që nuk janë thelbësore, apo edhe më keq, argumente që nuk i përkasin objektit të kritikuar, atëherë kritika është e dështuar. Ajo shndërrohet në propagandë ideologji e mitologji.

Fillimisht, duhet të dimë që teoritë për nacionalizmin janë të shumta dhe ofrojnë një gamë të gjerë debatesh e diskutimesh, gjë që do të thotë se definime të tilla të objektit si ato që paraqiten nga antinacionalistët shqiptarë, janë thjeshtëzime pa lidhje me nacionalizmin e vërtetë. Ata përpiqen ta identifikojnë nacionalizmin jo në planin teorik e parimor, por nëpërmjet evidencave selektive empirike, të përzgjedhura qoftë nga fusha e historisë, qoftë nga aktualiteti. Debati shtrohet gabim që në krye pasi nuk bëhet dallimi i nacionalizmit si parim, nga nacionalizmi si lëvizje. Trajtat që merr një lëvizje e caktuar politike e shoqërore, nuk mund të merren si kriter për të përcaktuar se cilat janë tiparet e parimit prej nga ajo lëvizje niset. Duhet të kuptojmë se nacionalizmi nuk është ai që paraqet Milosheviçi apo Berisha, por ai që paraqesin studiuesit e kësaj fushe. Fakti që studiuesit nuk kanë rënë dakort për një definim të termit kjo duhet të na bëjë më të rezervuar e jo më të lirë për të imponuar përkufizime në bazë të asaj çfarë na leverdis në debat.

Qoftë edhe duke iu referuar definicioneve moderniste, nacionalizmi mbetet krejt i ndryshëm nga ai i paraqitur prej antinacionalistëve shqiptarë. Një prej tyre, Ernest Gellner, përkufizimi i të cilit është sot më i përdoruri në studimet e kësaj fushe, e përshkruan nacionalizmin si një parim politik që synon të përputhë njësinë politike me njësinë kombëtare, duke unifikuar kufinjtë politikë me ata kulturorë. Prej këtej lind ndjenja e nacionalizmit, e cila ka të bëjë me revoltën ndaj shkeljes së këtij parimi dhe ajo e dëshirës për realizimin e tij, e cila synon të realizohet nga nacionalizmi si lëvizje. Sipas Gellner-it, parimi nacionalist mund të shfaqet në një “Shpirt etik universalist”, ku kemi të bëjmë me një doktrinë që mbron të drejtën e të gjitha kombeve të realizojnë këtë parim në mënyrë të barabartë.

Pra, prej këtej rrjedh se nacionalizmi si parim nuk është domosdoshmërisht intolerant dhe armiqësor ndaj popujve të tjerë dhe as që ka ndonjëfarë totalitarizmi në këtë mes. Patjetër, ekziston një mori shembujsh që tregojnë për luftëra dhe viktima që janë bërë në emër të nacionalizmit, por këto lidhen më tepër me shtrembërime të tij dhe nuk vërtetojnë se dhuna është e qenësishme për të. Teoria hidhet poshtë vetëm nëse vërtetohet një lidhje domosdoshmërie shkak-pasojë midis dy variableve dhe jo thjesht nga pranëvënia e tyre. Për të qenë të saktë, do të duhet doemos të vërtetohet gjithashtu se midis nacionalizmit (si variabël i pavarur) dhe dhunës (si variabël i varur) nuk ka ndonjë variabël tjetër që ndërhyn, i cili mund të jetë shkaku kryesor i të dytit. Në rastin konkret, ky variabël i pallogaritur prej antinacionalistëve, mund të lidhet me politikat e Fuqive të Mëdha, si një faktor determinues në pakënaqësitë e krijuara tek popuj të shumtë, të cilët janë të detyruar të vuajnë ende drama, të destinuara të mbeten peng i koniukturës ndërkombëtare. Për sa kohë që ky variabël nuk futet në diskutim në analizën e efekteve të nacionalizmit, analiza mbetet krejtësisht e shkëputur nga një konsideratë e plotë ndaj të dhënave empirike. Si përfundim, konkluzionet mbeten të gabuara.

Sido që të jetë, mund të themi pa frikë se çdo parim universal ka sjellë luftëra dhe viktima në botë. Po të ecim me këtë logjikë atëherë nuk do të mund të na mbetej asnjë parim mbi të cilin do të mund të ndërtojmë themelet e një shoqërie, pasi asnjë prej tyre nuk na garanton paqen përfundimtare në realitet.

Kush është gati të vdesë për Europën?

Nga ana tjetër, pyetja që shtrohet është: sa i shmangshëm është nacionalizmi? Ndonëse ka një kategori studiuesish, të ndikuar kryesisht nga marksizmi, si psh. Hobsbawm, të cilët e shohin atë si një stacion historik që do të shuhet me kalimin e kohës, ka studiues të tjerë që e mohojnë këtë, të mbështetur edhe në atë çfarë vërejnë në realitetet e sotme. Ky diskutim lidhet me mënyrën sesi e mendojmë të ardhmen e shoqërive moderne. Nëse besojmë tek një botë globale, ku kemi një rritje të jashtëzakonshme të ndërvarësisë, të kushtëzuar nga faktorët ekonomikë, atëherë patjetër që roli i nacionalizmit do të zbehet. Por, realiteti tregon që globalizimi ka provokuar kudo reaksion dhe kjo ka bërë që një valë e re nacionalizmi, pas një përgjumjeje për disa dekada gjatë luftës së ftohtë, po rikthehet në perëndim e kudo. Autorë të shumtë argumentojnë që globalizimi është, jo vetëm i dëmshëm dhe shkatërrues për botën, por edhe i destinuar të dështojë, për shkak të pamundësisë së tij për të prodhuar kulturë të përshtatshme për çdo vend, si dhe për shkak të pamundësisë për të menaxhuar nevojat shoqërore për t’u grupuar e dalluar nga njëri-tjetri duke ruajtur identitetet lokale. Për këtë arsye, autorë të tillë e shohin shtetin-komb si mënyrën më jetëgjatë të organizimit shoqëror, duke bërë që kombi të vazhdojë të jetë njësia bazë politike edhe për shumë kohë. Nacionalizmi është për ta diçka e pashmangshme dhe çdo përpjekje për ta luftuar, vetëm hap probleme shoqërore, duke mos adresuar drejt zhvillimet që ai shfaq.

Autorë të ndryshëm kanë folur për një realitet paskombëtar, por sot kjo ide duket e largët. Ka një skepticizëm në rritje ndaj gjithnj ideve të tilla për shkak se ato nuk sjellin modele që mund të prodhojnë kohezion social. Ato ofrojnë parimet abstrakte të cilat nuk mund t’i motivojnë njerëzit për t’i realizuar. Ndërsa kombi, shihet si një realitet konkret, i cili kultivon ndjeshmëri të lartë tek individët. Për këtë arsye, nacionalizmi shihet nga mjaft studiues si mjeti kryeso për garantimin e kohezionit social si dhe besnikërisë kolektive. Kush është gati të japë jetën për Komunitetin Evropian? – pyeste, jo pa humor Anderson.

Ky problem e shtron dyfish dobësinë e argumenteve antinacionaliste. Së pari ata nuk vërtetojnë që nacionalizmi është problematik, ndërsa së dyti ata nuk ofrojnë dot një model zëvendësues, të aftë të na bindë se mund të ndërtojë një rend të paqes përfundimtare. Për këtë arsye, ligjërimi antinacionalist në Shqipëri, përbën një aventurë të rrezikshme e cila kërcënon kohezionin social dhe indin më qenësor që ruan solidaritetin shoqëror. Ai përpiqet të krijojë atashime me disa vlera universale abstrakte, të cilat nuk ndërveprojnë dot në realitetet sociale dhe nuk na japin një identitet të përbashkët, të domosdoshëm në realitetin ku jetojmë, ku kultura është e rëndësishme për të kultivuar individualitetin tonë kombëtar në të gjitha planet e zhvillimit të vendit. Ligji, kushtetuta, sipas shumë autorëve, përfshi dhe ata modernistë, nuk mund të ofrojnë motivimet e duhura shoqërore, për t’i bërë njerëzit solidarë dhe të gatshëm të sakrifikojnë për diçka të përbashkët. Shoqëritë moderne individualiste, vuajnë për mjete të tilla, nëpërmjet të cilave, të bëjnë të mundur kohezionin social. Nacionalizmi, ashtu si edhe feja duken të vetmet mjete që kanë fuqinë e nevojshme për t’a bërë këtë. Për këtë arsye, është e rëndësishme që shoqëria të braktisë aventura të tilla intelektuale, që mund të sjellin efekte të pariparueshme në zhvillimin e shoqërisë shqiptare.

Botuar në Revistën Shenja

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: