Hyrje > Albanologji, Iranologji, Orientalizmi shqiptar, Studime orientale > Roli i revistës “Perla” në studimet iranologjike në Shqipëri

Roli i revistës “Perla” në studimet iranologjike në Shqipëri

Emil LAFE

 

ROLI I REVISTËS “PERLA” NË STUDIMET IRANOLOGJIKE NË SHQIPËRI

Emil Lafe

Emil Lafe

Fondacioni kulturor iranian “Saadi Shirazi” i themeluar në Tiranë më 1994 dhe revista “Perla” që botohet rregullisht prej tij që prej vitit 1996, kanë zënë tashmë një vend të nderuar në mjedisin mikpritës të jetës shkencore e kulturore shqiptare. Me veprimtarinë dhe vlerat e tyre ato janë bërë të njohura jo vetëm në Shqipëri, ku ndodhet selia e Fondacionit dhe botohet revista “Perla”, por edhe në gjithë hapësirën shqiptare, në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi dhe në diasporën shqiptare të vjetër e të re, që nga bota e arbëreshëve të Italisë, deri te mërgata shqiptare në SHBA.

Duke qenë pjesë përbërëse e Perandorisë së Bizantit dhe e Perandorisë Osmane, shqiptarët kanë pasur prej kohësh të hershme lidhje të shumëfishta me botën e Lindjes së Mesme, ku ka rrezatuar fuqishëm dielli i shkëlqyer i kulturës persiane. Elementet e asaj kulture të lashtë e të lartë u përhapën në një hapësirë të gjerë dhe ndriçuan mendjet e fisnikëruan ndjenjat e popujve të tjerë. Në Shqipëri ka qenë krijuar prej kohësh një elitë studiuesish e njohësish të shquar të kulturave dhe të gjuhëve të Lindjes, si persishtja, arabishtja, turqishtja. Një numër i madh shqiptarësh, që ndiqnin shkollat e Perandorisë Osmane, mësonin krahas osmanishtes e arabishtes, edhe persishten dhe kështu njiheshin me thesaret e shkencës e të kulturës së atij populli të lashtë. Irani me historinë, kulturën, artin dhe gjuhën zë një vend të gjerë në veprën shkencore monumentale të Sami Frashërit, ndërsa vëllai i tij poet, Naim Frashëri, me përmbledhjen e vjershave “Ëndërrimet”, të shkruara persisht, i ka bërë vend vetes në rrethin e poetëve persianë, që janë kurora e letërsisë së atij vendi. Të dy këta vëllezër me mendje të ndritur e zemër të madhe kanë hedhur një urë të qëndrueshme miqësie dhe bashkëpunimi ndërmjet popullit shqiptar e popullit iranian, ndërmjet kulturës, shkencës e letërsisë së dy vendeve. Nëpër këtë urë ka arritur në Shqipëri edhe Fondacioni kulturor “Saadi Shirazi” dhe revista me emrin simbolik e poetik “Perla”.

Themelimi i Fondacionit dhe i revistës “Perla” erdhën në një kohë kur tradita e pasur e studimeve orientale në Shqipëri ishte dobësuar mjaft, sepse brezat që e kishin mbajtur deri atëherë, ishin duke u ndërruar dhe brezi i ri i studiuesve orientalistë e iranologë ende nuk ishte përgatitur. Revista “Perla” u bë një vatër shkencore për përtëritjen e asaj tradite të madhe kulturore. Strumbullari i tematikës së revistës janë lidhjet kulturore shqiptaro-iraniane, por aty kanë gjetur vend të merituar edhe probleme të albanologjisë e të iranologjisë nëpërmjet studimeve, artikujve, botimeve dokumentare, recensioneve, informacioneve dhe kronikave. “Perla” ka synuar të nxjerrë në pah thesaret e qytetërimeve të lashta e të sotme të dy vendeve e popujve. Ajo ka sjellë ndihmesën e vet të çmuar në ndriçimin e lidhjeve historike e kulturore shqiptaro-iraniane, për trajtimin shkencor të problemeve albanologjike e iranologjike në fushën e historisë, gjuhës, letërsisë, kulturës materiale dhe shpirtërore të dy popujve tanë. Në faqet e revistës ka gjetur hapësirë mendimi shkencor i studiuesve shqiptarë e iranianë dhe bashkëpunimi i tyre për të njohur më mirë kulturat dhe historinë e secilit, për t’i shërbyer dialogut të kulturave e të qytetërimeve e njëkohësisht ruajtjes së origjinalitetit e të veçorive kombëtare të tyre të formuara historikisht.

Redaksia e “Perlës” e drejtuar nga historiani i njohur Gazmend Shpuza dhe e përbërë nga studiues me përvojë në fushat themelore të studimeve shqiptare, si letërsia, kultura popullore (shpirtërore e lëndore), gjuhësia, arkitektura e mjeshtëria popullore e ndërtimit, kulturologjia e arkivistika, ka ditur të afrojë e të nxitë për bashkëpunim dhjetëra intelektualë të brezave të ndryshëm nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi. “Perla” ka qenë dhe mbetet një revistë e hapur për bashkëpunimin e të gjithë studiuesve që merren me probleme nga fushat e përmendura më sipër. Ajo ka nisur dhe ka vijuar si një revistë elitare, në kuptimin që ka ruajtur një nivel shkencor të denjë dhe një orientim kulturor të emancipuar. Me këtë ajo ka sjellë shërbime të rëndësishme kulturore dhe ka fituar autoritet në rrethet shkencore e intelektuale. “Perla” është një revistë e kërkuar në rrethet shkencore shqiptare dhe në qendrat albanologjike në botë, pasi redaksia dhe Fondacioni që e boton, janë kujdesur jo vetëm për mbarëvajtjen dhe nivelin shkencor të saj, por edhe për përhapjen, me qëllim që “Perla” të arrijë gjithnjë atje ku është e nevojshme dhe e dobishme.

Në faqet e 33 numrave të “Perlës”, që kanë dalë deri tani, gjenden emrat e dijetarëve dhe studiuesve si: Shaban Demiraj, Ramadan Sokoli, Mahir Domi, Gazmend Shpuza, Shefik Osmani, Zija Shkodra, Bajram Preza, Ahmet Kondo, Anastas Dodi, Dalan Shapllo, Jorgo Bulo, Shaban Sinani, Mahmud Hysa, Seit Mansaku, Dhori Qiriazi, Emin Riza, Gjerak Karaiskai, Sulejman Dashi, Ali Muka Valter Shtylla, Nexhat Agolli, Agim Bido etj., që janë të mirënjohur jo vetëm në rrethet e ngushta të botës shkencore, por edhe për opinionin e gjerë. Këta kanë trajtuar në faqet e “Perlës” një gamë të gjerë problemesh që përfshihen në rubrikën e lidhjeve kulturore shqiptaro-iraniane në fushën e gjuhës në kuptimin e gjerë të fjalës, të folklorit, të besimeve popullore, të letërsisë artistike, të arkitekturës popullore e të kultit etj. Një nga shërbimet e çmuara të revistës në këtë fushë është edhe botimi i të dhënave të sakta për pasuritë orientalistike të Shqipërisë, sidomos i katalogut të dorëshkrimeve në persishte dhe në gjuhët orientale në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës dhe në arkivat e Shqipërisë.

“Perla” i ka dhënë rëndësi të dorës së parë pohimit dhe njohjes së traditës sonë në fushën e orientalistikës e të iranologjisë. Në një varg artikujsh është paraqitur dhe vlerësuar e komentuar puna e dijetarëve si Sami Frashëri, Hafëz Ali Korça, Vexhi Demiraj, Haxhi Hafiz Ismet Dibra, Fan S. Noli, Osman Myderrizi, Tahir Dizdari, Hasan Kaleshi, Vexhi Buharaja, Bardhyl Pogoni, të cilët me veprimtarinë e tyre të pasur si orientalistë, filologë, teologë, historianë, përkthyes, kanë bërë shumë edhe për njohjen e kulturës, të gjuhës dhe letërsisë iraniane ndër shqiptarët. Me veprimtarinë e tyre ata kanë hedhur themelet e orientalistikës shqiptare. Por ajo veprimtari e tejkalon kornizën thjesht shkencore. Nëpërmjet saj bota e Lindjes me arritjet e shkencës dhe me magjinë e artit e të letërsisë është bërë e afërt dhe pjesë e tërësisë kulturore të shqiptarëve, pavarësisht nga besimi i tyre. Dëshiroj të shtoj këtu një fakt domethënës: përkthimi i parë shqip i Kuranit është bërë nga një i krishterë ortodoks, Ilo Mitkë Qafëzezi, për bashkëkombësit e tij myslimanë (1921).

Për studiuesit shqiptarë është kënaqësi e veçantë kur shohin se edhe bota shqiptare ka filluar të tërheqë vëmendjen e studiuesve iranianë. Drejtori i parë i Fondacionit “Saadi Shirazi” zoti Ali Akbar Zijai është bërë i njohur në Shqipëri me vështrimet e tij origjinale për veprën e Naim Frashërit dhe lidhjet e poetit tonë të madhe me poetët dhe filozofët persianë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri (1994-1998) ai u interesua gjallërisht për historinë, kulturën, letërsinë dhe traditat e popullit shqiptar. Fryt i këtij interesimi të shumanshëm të tij është libri i vëllimshëm me titullin simbolik “Vendi i Shqiponjave” (460 faqe), i botuar kohët e fundit në Iran. Një artikull studimor për Naim Frashërin ka botuar në “Perla” edhe studiuesi Abdel Karim Gylshani. Vështrime të tilla na ndihmojmë që të njohim në mënyrë më të thellë proceset dhe vlerat tona kulturore, pasi njohja nuk është kurrë e plotë dhe e saktë kur objektin e vështron, si të thuash, vetëm nga brenda. Ajo plotësohet dukshëm nga ata që mund ta vështrojnë edhe nga jashtë, nga perspektiva e një rrethi më të gjerë. Kështu te frymëmarrja poetike dhe te botëkuptimi i Naim Frashërit e i disa autorëve të tjerë, po ashtu edhe te poezia e bejtexhinjve ne sot mund të vëmë re mendime e ide që nuk i dallonim më parë.

“Perla” është një revistë me autoritet edhe në fushën e studimeve albanologjike. Probleme të tilla si: prejardhja e gjuhës shqipe, emri i shqiptarëve në shekuj, zhvillimi i shqipes letrare dhe formimi i gjuhës letrare standarde, marrëdhëniet e ndërsjella të shqipes me gjuhët fqinje; vlerat artistike të autorëve të veçantë të letërsisë shqiptare si Naim Frashëri, Lasgush Poradeci, Jeronim De Rada etj. dhe vendi i tyre në procesin letrar, vlerat e disa autorëve pak të njohur të letërsisë së shkruar me alfabetin arab (të ashtuquajturit bejtexhinj); kultet popullore, epika legjendare shqiptare (veçanërisht eposi i kreshnikëve), fjalët e urta, vallet popullore të krahinave të ndryshme me veçoritë e tyre, muzika popullore e veglat e saj, kostumet e krahinave të ndryshme, e drejta zakonore e shqiptarëve; arkitektura popullore, arkitektura e ndërtimeve ushtarake dhe të kultit, rrugët dhe urat në Shqipëri në kohë të lashta dhe në mesjetë, restaurimi arkitektonik, besime e rite popullore që lidhen me ndërtimin, monumente kulturore të botës antike; historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve që nga lashtësia ilire deri në kohët e reja me ngjarjet dhe figurat madhore të saj, historia ekonomike e Shqipërisë dhe zhvillimi i zejeve, historia fetare, historia e përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe; historia e arsimit dhe e shkollës shqipe, figurat e saj, institucionet edukative-mësimore islame në Shqipëri e në Kosovë, figura të arsimit shqiptar etj. – për të gjitha këto tema studiuesit më të thelluar e me përvojë kanë shtruar në sofrën shkencore të “Perlës” arritjet punës së tyre të gjatë e të mundimshme.

“Perla” nëpërmjet rubrikave “iranologji” dhe “panorama kulturore nga Irani” i ka ka bërë të njohur publikut shqiptar Iranin e lashtë e të sotmin, gjeografinë fizike të vendit, pasuritë natyrore, qytetet kryesore; origjinën e popujve arianë dhe degëzimet e tyre; gjuhët iraniane dhe persishten me etapat e zhvillimit të saj; thesaret e qytetërimit e të artit të lashtë iranian, shkollat e pikturës e të miniaturës së famshme, letërsinë e vjetër e të sotmen, muzikën popullore iraniane, kinematografinë dhe bibliotekat e Iranit.

Të gjitha këto janë paraqitur me kompetencë shkencore në faqet e “Perlës” nga studiues iranianë si Muhammed Gafrani, Abdurrahman El-Alavij, Hashim El-Bika etj. Në rubrikën e iranologjisë janë botuar shkrime të Sami Frashërit që të mahnitin edhe sot me njohuritë e gjera dhe vlerësimet shkencore. “Perla” ka botuar edhe artikuj të rëndësishëm të orientalistëve e iranologëve perëndimorë. Me interes të veçantë janë artikujt e iranologes së njohur gjermane Annemarie Schimmel për kulturën e letërsinë e Iranit dhe ndikimin e tyre në Evropën Perëndimore. Një panoramë e studimit të gjuhës dhe letërsisë persiane në universitetet e botës dhe përshkrimi i pasurive të kulturës iraniane në muzetë e Evropës, tregojnë vlerat e tyre të mëdha për kulturën botërore.

Shqiptarët i kanë tërhequr gjithnjë njerëzit e shquar të shkencës e të kulturës së Iranit, jeta veprimtaria dhe mendimi i tyre. Në faqet e “Perlës” është shkruar për figura të tilla si: Al-Farabiu (870-951), dijetari i madh Avicena (Ibn Sina, 980-1037); astronomi Khaxhe Masredin Tusi (1217-1292), emri i të cilit është gdhendur në pllakën që çoi në hënë anija “Apollo” me emrat e dijetarëve të shquar që vunë themelet e studimit të hapësirës; Rudakiu – poeti i parë klasik persian (sh. IX-X); Omar Khajami (shek. XI-XII), filozof, dijetar e poet; dijetari i shumanshëm Ebu Rahim Beruni (973-1048), El Gazaliu (1058-1111), Ebu Xhafer Horosani ( shek. XIV), astronomi Muhamed Taragaj Ullugbegu (sh. XIV-XV), që ndërtoi observatorin e njohur të Samarkandës etj.

“Perla” boton rregullisht edhe recensione të shumta veprash shkencore të autorëve shqiptarë e iranianë për gjuhën, letërsinë, historinë, mendimin, kulturën popullore arkitekturën etj., që bashkë me kronikat e pasura të veprimtarive të ndryshme, e vënë lexuesin në dijeni për zhvillimet shkencore e kulturore në të dy vendet.

Krahas botimit të rregullt të revistës “Perla”, Fondacioni ka përkrahur dhe botime të tjera të veçanta si libri i vëllimshëm i Shefik Osmanit “Panteoni iranian dhe iranologët shqiptarë”, që i shtohet librit të Hasan Kaleshit “Kontributi i shqiptarëve në dituritë islame” (1991) ose botimi shumë i bukur i “Shahnamesë” së përkthyer me mjeshtëri nga V. Buharaja, që u prit shumë ngrohtë dhe pati jehonë të gjerë.

Siç e përmendëm, Fondacioni dhe “Perla” kanë ringjallur traditën e studimeve orientale e iranologjike në Shqipëri. Kjo ka bërë të mundur që të organizohen edhe veprimtari shkencore serioze e me përmasa të gjera, sesioni shkencor me rastin e 70-vjetorit të shqipërimit të “Rubaive” të Omer Khajamit (1996), si Simpoziumi për lidhjet gjuhësore, letrare e kulturore shqiptaro-iraniane (1999), Konferenca shkencore për dialogun ndërmjet qytetërimeve (2001). Të dyja këto konferenca kishin një program të pasur dhe u organizuan me bashkëpunimin e drejtpërdrejtë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ato dëshmuan se në Shqipëri e në botën shqiptare në përgjithësi ka potenciale shkencore të larta, të vjetra e të reja, që mund të përballojnë veprimtari të tilla dhe se institucionet shkencore të Iranit janë të gatshme dhe të interesuara të zgjerojnë bashkëpunimin me studiuesit shqiptarë.

Por gjithsesi trëndafili më i bukur në “Gjylystanin” e Fondacionit “Saadi Shirazi” mbetet revista “Perla”. Ky trëndafil me kujdesin e përhershëm të atyre që e mbollën dhe të drejtorit të sotëm z. Reza Karami, nxjerr gjithnjë gonxhe të reja. “Perla” është tribuna e miqësisë dhe e respektit të ndërsjellë të dijetarëve shqiptarë e iranianë, që duke përtërirë traditat e lashta, ndërtojnë ura bashkëpunimi e mirëkuptimi ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: