Kreu > Letërsi orientale > Letërsia

Letërsia

Fethullah GÜLEN

 

LETËRSIA

Fethullah Gülen

Fethullah Gülen

Letërsia është konstrukti shpirtëror, bota ideore dhe gjuha e maturuar e jetës kulturore të një kombi. Individët që nuk ndajnë mes tyre të njëjtin konstruksion shpirtëror, të njëjtin sistem të menduari dhe të njëjtën jetë kulturore, edhe pse mund të jenë pjesëtarë të një kombi, e kanë të pamundur ta kuptojnë njëri-tjetrin.

***

Fjala është nga mjetet më të rëndësishme në bartjen e ideve nga një tru në një tjetër, nga një shpirt në një shpirt tjetër. I zoti i fjalës, i cili mundet ta përdorë me sukses këtë mjet, gjen shumë shpejt përfaqësues turma-turma për idetë që tharmoi nëpër shpirtra dhe arrin pavdekësinë me idetë e tij. Kurse ata që s’e zotërojnë një mundësi të tillë, fshihen, ikin e mbarojnë së bashku me dhimbjet ideore që hoqën një jetë të tërë…

***

Çdo lloj letërsie është, me të veçantën e materialit që përdor dhe me të veçantat e formësimit të qëllimit, një rrugë tregimi më vete dhe një gjuhë e posaçme për atë lloj. Edhe nëse nga ajo gjuhë çdokush mundet të kuptojë ca gjëra, janë vetëm poetët dhe prozatorët ata që e përdorin atë gjuhë me kuptimin e saj të vërtetë e që flasin me të.

***

Ashtu siç e kuptojnë arin dhe argjendin sarrafët e argjendarisë, ashtu edhe perlën e gjuhës, sarrafët e fjalës e kuptojnë. Kafshët e fusin në gojë dhe e përtypin lulen e rënë për tokë ose meqë nuk e njohin vlerën, e shkelin dhe kalojnë, kurse njerëzit i marrin erë dhe e venë në gjoks.

***

Idetë e larta dhe konceptet e larta duhet që pa tjetër të tregohen me një stil të lartë që do të zërë vend në mendjet, do të zgjojë emocion në zemrat dhe do të gjejë pranim në shpirtrat, ndryshe, ca llafollogë, duke parë kah rroba e grisur dhe e shqyer në shpinë të kuptimit, mund t’i shohin si të pavlera perlat brenda tij.

***

Po të mos ish letërsia, as urtësia do të mund ta merrte atë vendin e saj të bujshëm, as filozofia do të mund t’i arrinte këto ditë, as dhe ligjërata do të mund ta jepte atë që pritej prej saj. Ndërkaq, nuk duhet harruar se si urtësia, si filozofia, ashtu edhe ligjërata kanë shtruar para letërsisë si një kapital të pasosur pasurinë e tyre të fushave të veta dhe i kanë përftuar asaj pavdekësi.

***

Poetët dhe prozatorët i përngjajnë një fyelltari që u jep tingëllim bukurive që sheh dhe ndjen në botët e jashtme e të brendshme (objektive e subjektive). Nëpërmjet tyre rrokin njerëzit kuptimin dhe natyrën e tingujve që lartësohen nga ky kor polifonik, ndryshe, personat që s’dinë gjë për flakët që, të ardhura me rrugën e ndjenjave, ua kanë përfshirë shpirtrat, e kanë të pamundur t’i kuptojnë si fyellin, ashtu dhe klithmën e lartësuar prej fyellit…

***

Krejt ashtu si të gjitha llojet e tjera të artit, edhe fenomeni “letërsi” arrin pavdekësinë me anë të parandjenjës, njësimit me materien, qenies gjendje tejqëllimi e kohe, me anë të cilësisë ose përmasave të tij. Prandaj është shumë e rëndësishme që artisti, duke i kapërcyer të gjitha ç’sheh dhe ndjen, t’i përgatisë ndjesitë për t’u hapur ndaj frymërave që vijnë prej botëve përtej…

***

Çdo fjalë poetike dhe prozaike me qëllim shprehjeje, që do të përdoret, duhet t’i bëhet kuti margaritarit të mendimit, nuk duhet të zërë vendin e tij dhe nuk duhet t’i bëjë hije atij. Edhe sikur të jetë prej krizoliti kjo kuti, fjala e humb ndikimin dhe fuqinë e ndjeshmërisë në atë masë që t’u bëjë hije përmbajtjes, qëllimit dhe synimit, për rrjedhojë, një fjalë e tillë nuk ka mundësi për të qenë jetëgjatë…

***

Krahas të qenit mjet shprehjeje e një mendimi dhe e një kuptimi, gjuha ka lidhje të ngushta edhe me artin, bukurinë dhe çështjet e edukatës dhe ndoshta fjala “letërsi”, shprehja e këtij aspekti të saj është.[1]

***

Elementi bazë në letërsi është kuptimi. Nisur nga kjo, është e rëndësishme që shprehja të jetë e shkurtër, por e pasur dhe e dendur. Edhe nëse disa njerëz kanë dashur ta parashtrojnë këtë veçanti me figura letrare të përdorura nga të vjetrit në shprehje, si krahasim dhe similitudë, metaforë, insinuatë, aluzion, kalambur, anaforë,[2] për mua, fjala më e thellë duhet kërkuar në shpirtrat e ndjeshëm që entuziazmohen me anë të frymëzimit, në imagjinatat e gjera që dinë ta përfshijnë qenien e ta shtresojnë në ndiesi, në mendjet besimtare dhe konstruktive që kanë arritur t’i lexojnë këtë botë dhe amshimin së bashku, si një të tërë, si dy fytyrat e një të vërtete të vetme.

***

Ashtu siç ndodhen mbi tokë qytetërime dhe kultura të ndryshme, është e natyrshme të ndodhen edhe lloje të ndryshme letërsie. Ndërkaq, letërsia, me ndjenjën e së bukurës në shpirt, me dashurinë për të bukurën dhe me vijat dhe tingujt përkatës të librit të natyrës, është, brenda shumëfytyrësisë, një e tërë e vetme dhe natyrisht e gjithëbotshme.

***

Nëse letërsia e Divanit, e zhvilluar dhe e përsosur në fidanishten e një kulture dhe qytetërimi të veçantë, shihet nga një pjesë njerëzish e rëndë, e stërholluar dhe e pakuptimtë, shkaqet e një opinioni të tillë duhet t’i kërkojmë në ngushticën e horizontit tonë. Ju lutem, letërsinë e tharmuar nën rrezet qiellore të Librit dhe Sunnetit,[3] në ndiesitë emocionante të heronjve që kanë treguar vendosmërinë për ta bartur gjer në pafundësi dritën e ardhur prej botëve përtej si dhe në shpirtrat e lartë të ngritur kas me mendimin për ta trajtësuar botën përsëpari, këtë letërsi, pra, a është e mundur ta kuptojnë kufomat e pajetë të një periudhe të vdekur?[4]

***

Çdo e vërtetë shfaqet në fillim si një embrion në shpirtin e njeriut, ndihet, pastaj, me fjalë, me kalem, me çekiç, gjallërohet dhe kristalizohet dhe bëhen përpjekje për ta shprehur atë me pika dhe vija në çehren e një vepre arti ose si një vepër arti më vete. Kurse marrja nga një vepër e tillë e dimensioneve mbikohore e mbihapësinore, ka të bëjë krejtësisht me besimin dhe nivelet e dashurisë pasionante[5] në atë besim.

***

Disa herë, edhe mes njerëzve të një krahine e të një vendi, tensionimi letrar dhe shpërthimi letrar mund të jenë krejt të ndryshëm. Ky ndryshim i lidhur me fytyrën e jashtme të gjërave, buron prej ndryshimit në këndvështrimin e materies dhe dukurive si dhe prej pranimit ose mospranimit të besimit dhe shumë vlerave të tjera. Ashtu siç janë për atë që ndodhet në majë të malit, mërmërima të pakuptimta thirrjet e atij që ndodhet në fund të lumit, ashtu edhe për atë që ndodhet në fund të lumit, thirrjet e atij në majë të malit mund të merren si mërmërima që s’kanë kuptim.

***

Një vepër letrare e mirë ka lidhje të afërt me përsosmërinë e elementëve që e kanë formuar atë; edhe përsosmëria e elementëve ka lidhje të afërt me përsosmërinë e nënelementëve[6] që i përbëjnë ata. Atje ku embrioni (i një ndjenje) nuk është i shëndoshë, është e pamundur të formësohet një ndjenjë e pastër si dhe atje ku nuk gjendet një ndjenjë e pastër, është e pamundur të formësohen shprehje prej flake dhe vepra të gjalla si flakë që do të mbeteshin po ashtu të gjalla gjithmonë.

***

Ashtu si çdo artist, edhe shkrimtari, gjithmonë e kërkon veten në vijat, format dhe ngjyrat e të vërtetës së gjithësisë. Atë ditë që artisti e gjen atë që ka kërkuar dhe arrin ta shprehë me artin e vet, e thyen lapsin, e hedh furçën, e fluturon tutje çekiçin dhe, i shtangur nga habia dhe mahnitja, kapërcen vetveten. Prandaj edhe artistët më të mëdhenj duhen kërkuar mes robve të Zotit që s’pranojnë lirim, që jetojnë duke medituar dhe ndjerë.

[1] Në arabisht, edukatës i thonë “edeb”, kurse letërisë, “edebijat”. Duke patur parasysh këtë ngjashmëri dhe lidhje, shprehet autori si më sipër. Me të vërtetë, në arabisht, letërsia është edukatë; zotërimi i një të foluri të bukur, letrar e poetik është element dhe tregues edukate.
[2] Në origjinal (osmanisht): teşbih, istiâre, kinâye, telmih, cinas, iâde.
[3] Kur’ani dhe Tradita (tradita profetike e profetit Muhammed).
[4] Me shpalljen e reformave të përgjithshme, të quajtura “Tanzimat” më 1839, fillon në Turqi periudha e transformimeve me bazë mendësinë e mohimit të vlerave dhe përvojës vetiake dhe imitimit të Perëndimit, mendësi që vazhdon të veprojë ende. Nga dëmi i shkaktuar prej kësaj mendësie kanë marrë pjesën e vet edhe gjuha dhe letërsia turke.
[5] Në origjinal: aşk (ashk). Në letërsinë, filozofinë dhe estetikën turke dallohet dashuria e zakonshme, e cila shprehet me fjalën “sevgi”, nga dashuria pasionante që shprehet me fjalën “ashk”, e cila ka pasë hyrë edhe në letërsinë tonë popullore. Veçanërisht dashuria hyjnore, për të cilën bëhet fjalë në këtë ese, është shprehur gjithmonë me fjalën “ashk”.
[6] Në origjinal: cüz’ifert (osm.).

Advertisements
Kategori: Letërsi orientale
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: