Kosova dhe Perandoria Osmane në dokumente arkivore

Blerim HALILI

 

KOSOVA DHE PERANDORIA OSMANE NË DOKUMENTE ARKIVORE

U mbajt simpoziumi ndërkombëtar në Prishtinë “Kosova dhe Perandoria Osmane në dokumente arkivore”.

Kosova dhe Perandoria Osmane

Kosova dhe Perandoria Osmane

Në sallën e kongreseve të Hotelit Grand, në Prishtinë, u mbajt simpoziumi dyditor me temën “Kosova dhe Perandoria Osmane në dokumente arkivore”, i organizuar nga Arkivi i Repubilkës së Kosovës dhe Agjencioni Turk për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (TIKA). Prezentimet e kumtesave nga ana e hulumtuesve u bënë në prani të një numri të madh të interesuarish, profesorë, akademikë, njerëz të shkrimit dhe dijes.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, zëvendëskryeministri Ramë Manaj bëri një hyrje të përgjithshme, përshëndeti të pranishmit dhe përgëzoi nismën duke potencuar vlerën dhe rëndësinë e saj. “Hovi i zhvillimeve në Kosovë tash është shtrirë edhe në lëmin tonë shkencor… Historia e kësaj periudhe është e bujshme, njëherit me shumë fshehtësi, të panjohura; shpesh është shtrembëruar dhe futur në margjinat e historisë”, tha ai. Ai përmendi, pra ndikimet mbi baza ideologjike që kanë penguar objektivizmin dhe paraqitjen reale të fakteve. Më këso fjalësh ai edhe e shpalli të hapur simpoziumin.

Përfaqësuesi i Ambasadës së Turqisë në Republikën e Kosovës, Dogan Işik, theksoi rëndësinë e këtij simpoziumi, që mbahet për herë të parë në Ballkan, përmes të cilit, tha ai, jepet një mesazh i çmueshëm. “Tmerri i viteve të fundit të shek. XX dhe akterët e saj kanë keqpërdorur historinë osmane… Ne kemi pasë një bashkëjetesë për shekuj të tërë dhe është e rëndësishme që kjo të ndriçohet me fakte historike, që njëherit paraqesin ndihmesë jo vetëm për historiografinë e Kosovës por të tërë Ballkanit.
-Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Besim Bokshi përshëndeti këtë “eveniment shknecor” (siç e quajti vetë) duke vënë theks mbi atë se ky do të sjellë fakte të shënueshme shkencore. Mirënjohje të veçantë ai shprehu për Drejtorinë e Përgjithshme Shtetërore të Arkivave të Turqisë dhe për organizatën TIKA, që ndihmuan në ndriçimin e raporteve historike mes Perandorisë Osmane dhe Kosovës në rrafshin politik, ekonomik, kulturor, social e fetar. Ai theksoi edhe synimet dhe ngjyrimet ideologjike të fakteve historike, si kahe negative.

Drejtori i Departamentit për Arsim, Kulturë dhe Marrëdhënie Shoqërore (TIKA), Mehmet Yilmaz, pas përshëndetjes potencoi se Perandoria Osmane për gjashtë shekuj sundoi Ballkanin dhe që kjo periudhë ka lënë gjurmë të pashlyeshme. “Struktura shtetërore ka dhënë mundësi për zhvillimin e komuniteteve tjera, pra kësi trajtimi ka pasë nga Perandoria Osmane…E ardhmja është me rëndësi të ndërtohet mbi ndriçimin e së kaluarës, gjë e cila duhet t’u lihet arkivistëve.” Ai përmedi edhe pjesëmarrjen efektive të Turqisë gjatë bombardimeve të NATO-së (1999) në Kosovë dhe njohjen e shtetësisë kosovare, një ndër ndër vendet e para.

Kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Jusuf Osmani ritheksoi mesazhin e simpoziumit, “të shkruash historinë me tolerancë”. Rëndësia e studimeve arkivore ështe esenciale, ato mbeten me rëndësi të madhe shkencore e historike dhe këto dokumente janë ura që lidhin të kaluarën me të sotmen. Është evidente edhe lidhja me shtetin dhe popullin turk në art, kulturë, folklor, traditë, arkitekurë, etj., tha ndër të tjera z.Osmani.

Drejtori general i Arkivit Shtetëror të Republikës së Turqisë, Yusuf Sarinay tha se sundimi dhe fitoret e Perandorisë Osmane kanë mundësuar që nën ombrellën e saj të jetojnë të gjitha etnitë bashkë dhe kështu ajo u shndërrua në strukturë multietnike; komintetet e ndryshme brenda Perandoria Osmane assesi nuk iu nënshtruan ndryshimit kulturor, aq më pak pa vetëdije; ligjet e saj qenë shumë elastike ndaj komuniteteve joislame. Pra ai trajtoi veçantitë e udhëheqjes dhe tolerancës osmane në Ballkan në shek. XVI, në sfera të ndryshme të jetës sociale, juridike e politike.

Drejtori i Institutit të Arkivave të Sllovenisë, z. Peter Klasinc, përmblodhi disa fakte të rëndësishme për historiografinë, nga burime dhe të dhëna të qëndrueshme historike.

Prof. dr. Rifat Blaku mbi arkivin e Turqisë tha se ai paraqet një thesar jashtëzakonisht të madh e voluminoz që as për së afërmi s’është analizuar, studiuar, me hapjen e të cilit bëhet një plotësim, pse jo edhe korrigjim të qasjeve historiografike joobjektive. Me të dhëna që ofroi ai tregoi se në defterët osmanë struktura etnike e këtyre trojeve është shumicë autoktone shqiptare. Rrthanat demografike në Kosovë gjatë kohës së Perandorisë Osmane, ai i paraqiti duke iu mbështetur të dhënave arkivore.

Nesrin Kenar (eksperte e marrëdhënieve ndërkombëtare, nga Turqia) rreth vendosjes së Perandoria Osmane në Ballkan dhe politikës së saj si dhe mbi lëvizjet shpërngulëse në Kosovë iu qas aspektit historik dhe sociologjik të tyre. Ajo përmendi se Perandoria Osmane i ka toleruar kulturat e tjera; s’ka insistuar edhe aq shumë në islamizimin e Ballkanit. Bosnja dhe Kosova u islamizuan veç pas rreth 100 sundimi- tha ajo ndër të tjera.

Dr. Marenglen Verli me të dhënat nga dokumentacioni kunsular hungarez i vitit 1877 për strukturën demografike të Vilajetit të Kosovës tregoi se në bazë të të gjitha të dhënave del epërsia numerike e shqiptarëve ndaj komuniteteve tjera në këto troje.

Prof. dr. Nedim Ipek për shpërnguljet e realizuara në Vilejetin e Kosovës, ndër të tjera përmendi se shpërnguljet më të mëdha ndodhën në kohët e luftrave dhe ato mund të cilësohen si shpëtim jete. Me rastin e shpërnguljes ka qenë i pashmangshëm edhe një shkëmbim kulturor, tha ai. Shpërnguljet, tha ai, kanë qenë pjesë e politikës së shteteve fqinje e jo e shtetit osman.

Prof. dr. Muhamet Mala foli për çështjen e konvertimit dhe tolerancës fetare në trevat shqiptare gjatë sundimit osman, duke dhënë fakte dhe shpjegime të një rëndësie të veçantë.

Ndërsa Prof. dr. Mark Krasniqi iu qas “Tolerancës në traditën shqiptare” duke e cilësuar atë si aktin më të lartë të popullit shqiptar dhe ofroi fakte nga Edit Durham, Sami Frashëri, etj.

Dr. Ramazan Biçer foli për pranimin e fesë islame nga popullata kosovare sipas dokumenteve arkivore osmane dhe me paraqitje vizuale bëri një ligjeratë atraktive.

Dr. Mustafa Hakk, “Liria fetare si dhe ndërtimi, mirëmbajtja dhe restaurimi i kishave në Ballkan gjatë periudhës së administratës osmane”, hodhi në dritë fakte mbi lejimin e ndërtimit dhe funksionimit të kishave në disa vendbanime shqiptare.

Kumtesa e radhës i takoi dr. Altan Çetin, mbi politikat osmane rreth islamizimit të Kosovës, bazuar në dokumente arkovore.

Pastaj, Metin Izeti foli për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj kishave dhe manastireve në Vilajetin e Kosovës, në pjesën e Maqedonisë së sotme gjatë periudhës osmane.

Mr. Qemajl Morina në kumtesën e tij, procesi i islamizimit te shqiptarët ofroi burime të qarta dhe fakte të qëndrueshme mbi pranimin në mënyrë paqësore (me dëshirë) nga ana e shqiptarëve duke iu referuar edhe studiuesve më eminentë.

Rreth perspektivave metodologjike të studimit islam në viset shqiptare qe trajtesa e radhës e dr. Dritan Egro, nga Shqipëria.

Ndërsa dr. Xhabir Hamiti iu qas tolerancës ndaj popujve në fushën e administrimit të vendit ndaj komuniteteve etnike, fetare jomyslimane në Kosovë gjatë kohës së Perandorisë Osmane.

Rexhep Shkrijel nga Novi Pazari, trajtesën e vet e shtriu rreth shtrirjes së çerkezëve në Ballkan duke ofruar shpjegime të rrethanave popullative dhe raporteve politike të asaj kohe.

Prof. dr. Durumuş Yilmaz u paraqit me temën “Jeta multikulturore në Kosovë ne fund të shek. XIX”.

“Zhvillimi i zejtarisë në qytetet e Kosovës gjatë shekujve XVI-XVII” ishte kumtesa me të cilën u paraqit dr. Isuf Ahmeti. Ai theksoi se Perandoria Osmane ka sjellë në trojet e këtushme zeje të reja.

Dr. Adem Ölmez kishte titulluar punimin e tij: “Përpjekjet e shhtetit osman për ndalimin e gjakmarrjes në Kosovë. (Masat që morrën sulltanët për ndalimin e qenë të ndryshme, p.sh. Sulltan Abdylhamiti II këtë e trajtoi përmes komisioneve të cilat shquheshin për fleksibilitet dhe përmes të cilave ka insataluar stabilitetin social.)

Dr. Zeki Kavanoz me paraqitjen: “Defteri Mukata për Kosovën, gjatë shekujve XV-XVI”, klasifikoi rëndësinë e këture defterëve që përmbajnë të dhëna mbi vjeljen e taksave.

Dr. Hilmi Bayraktar bëri një vlerësim mbi të dhënat financiare gjatë periudhës së kushtetutës në Vilajetin e Kosovës. Ai dalloi 3 lloje të tatimeve: (1) Qendror, (2) Lokal, dhe (3) I vakëfeve (Fetar). Shteti ka investuar më shumë sesa që ka mbledhur, tha ai. Degët kryesore dhe renditjet në bazë të rëndësisë qenë: (1) Blegtoria, (2) Bujqësia, (3) Ushtria, (4) Tregtia.

Një temë tjetër interesante qe: “Kontributi i Sami Frashërit në gjuhën turke” nga Dr. Fahri Temizyürek. Kontributin e tij për gjuhën turke e cilësoi lart, veçmas përpjektjen e tij për pastrimin e gjuhës turke nga fjalët e huaja. Vlerë të veçantë paraqet enciklopedia Kamus al-A’lam. Është marrë edhe me poezi. Fjalori i parë i gjuhës turke me 1457 faqe, me 30 mijë e më shumë fjalë, është ai i Samiut.

Dr. Kemal Etin Kuzucu foli për rëndësinë socio-politike të Tyrbes së Sulltan Muratit në Kosovë, duke dhënë fragmente dhe komente, analiza nga të dhënat historike, ndërtimin e saj, vizitat e saj, rolin që pati ajo dhe karakterin e saj politik, social dhe fetar.

Prof. Dr. Nesimi Yazia gjithashtu pati një trajtesë interesante: “Kujtimet e Ismail Beut për Sulltan Reshatin, gjatë vizitës së tij në Rumeli-Kosovë”. Ai përmendi agjendën, protokolin e vizitës, rrjedhojat dhe ndikimet që pati ajo.

“Roli i vakëfeve në jetën kulturore dhe fetare në Shkup në periudhën osmane” ishte tema e Ahmet Sherifit. Paraqitja e vakëfeve është e lidhur me ardhjen e Perandorisë Osmane, tha ai. Vakëfi i parë konsiderohet ai i Pasha Yiyik Beut.

Dr. Necati Demir pati një drajtesë mbi “Arsimin dhe edukimin në Kosovë gjatë viteve 1877-1912 sipas dokumenteve arkivore osmane.” Ai foli për kushtet e zhvillimit të arsimit në atë kohë, pozitat e larta të shqiptarëve afër sulltanit, jetën kulturore, letrare, fetare si dhe afërsinë e shumëanshme midis këtyre dy popujve si dhe ndikimet e anasjellta.

Prof. Dr. Skënder Rizaj me kumtesën “Roli i shqiptarëve në Perandorinë Osmane” bëri një trajtim të shumanshëm dhe të begatshëm për raportet, hierarkitë dhe privilegjet e shqiptarëve në shtetin osman. Sikur të mos shkatërrohej Perandoria Bizantine, ky entitet do të greqizohej dhe sllavizohej; Sikur të mos krijohej Perandoria Osmane me parimet islame, nuk do të kishte krijim identitetesh kombëtare, bashkëjetesë të tillë dhe qëndrim 500 vjeçar, tha ai. Ai foli edhe për prejardhjen dhe origjinën shqiptare të shumë gjenive të artit, kulturës, letërsisë, poezisë, arkitekturës dhe legjislaturës, nën ombrellën e shtetit osman.

Gjithashtu në ditën e parë të këtij simpoziumi në mbrëmje është hapur edhe ekspozita po me të njëjtën temë në Muzeun e Kosovës. Këtë ekspozitë e shpalli të hapur ministri i Arsimit Dr.Enver Hoxhaj, i cili në mes tjerash theksoi: “Ky simpozium dhe kjo ekspozitë janë dëshmia më e mirë se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, Turqisë dhe Kosovës janë duke u forcuar dita ditës dhe se shpejti do të dërgojmë edhe studentët tanë për specializime nga kjo fushë ne Turqi”. Në këtë ekspozitë u ekspozuam dokumente, harta, fotografi të ndryshme të periudhës osmane në Vilajetin e Kosovës.

Prof Dr. Selim Daci foli për depërtimin osman në Ballkan-Kosovë, mbi Betejën e Kosovës, 1389, mbi Mitin e Kosovës, etj., në bazë të dokumentacioneve.

Prof. Dr. Kristaq Prifti: “Aspekte të marrëdhënieve të Lidhjes së Prizrenit me Portën e Lartë sipas dokumentacioit osman (1878-1881). Ai përmendi raportet e udhëheqësve të Lidhjes Shqiptare të Prizreni me Portën e Lartë.

Prof Dr. Nuri Köstüklü: “Raporti i Alfred Rrustem beut para luftës ballkanike për gjendjen e Vilajetit të Kosovës dhe të Shkodrës”. U fokusua në raportin para luftrave ballkanik për Vilajetin e Kosovës.

Prof. Dr. Süleyman Kızıltoprak foli për aktivitetet e misionarëve amerikanë ndaj shqiptarëve në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX.

Dr. Ayten Ardel kumtesën e vet e kishte titulluar “Veprimtaria e konsullatave të huaja në Vilajetin e Kosovës gjatë shek. XIX-XX, sipas dokumenteve arkivore osmane.”

Dr. Gülden Sarıyıldız dhe Dr. Gül Tokay iu qasën temës “Reformat në Vilajetin e Kosovës më 1878-1908” duke shpjeguar raportet dhe ndikimet politike mes shteteve fqinje të asaj kohe.

Dr. Muzafer Bislimi u paraqit me kumtesën “Pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare turke në vitin 1908”; dhe ofroi të dhëna mbi partitë dhe politikanët pjesëmarrës në to, politikën e xhonturqve, etj.

Dr. Neşe Özden në simpozium paraqiti temën “Kosova, Bosnja dhe Projekti i Serbisë së Madhe (nga fundi i peridhës osmane deri në Jugosllavinë e Tito-së)”. Ajo përmendi dëmet që shkaktoi ky projekt për popujt e Ballkanit.

Roli i mitit “Mëmëdheu Kosova” në shkatërrimin e Jugosllavisë- ishte kumtesa e radhës nga Dr. Irfan Kaya Űlger ku përmblodhi fakte mbi bashkëpunimet mes invazionistëve, zhvillimin e nacionalizmit serb, raportet në vendet perëndimore, politikën e Tito-së etj.

Simpoziumi u shpall i mbyllur më dt.15.04.2009, nga sekretari organizativ i këtij simpoziumi, Dr.Selim Daci i cili theksoi se: “Ky simpozium me këta studiues tek ne kanë sjellë mjaft dokumente të panjohura deri më tani nga studiuesit tanë dhe se do t’i shërbejnë mjaft studiuesve dhe historiografisë shqiptare”

Në ditën e tretë pjesëmarrësit mysafirë i vizituN monumentet e ndryshme kulturo-historike të Kosovës.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: