Hyrje > Gjuha shqipe, Letërsi shqipe, Studime orientale, Vilajetet shqiptare > Botimet islame në gjuhën shqipe në Kosovë

Botimet islame në gjuhën shqipe në Kosovë

Ramadan SHKODRA

 

BOTIMET ISLAME NË GJUHËN SHQIPE NË KOSOVË*

(tradita, sfidat dhe realiteti)

Ramadan Shkodra

Ramadan Shkodra

HYRJE

Kultura dhe tradita islame tek shqiptarët janë të pranishme që nga depërtimi i Perandorisë Osmane (shek. XV) në trojet shqiptare.

Siç dihet, Perandoria Osmane për më shumë se 5 shekuj qe bartëse kryesore e kulturës, traditës, qytetërimit dhe fesë islame në të gjitha fushat, kështu që me ardhjen e osmanëve në këto anë, në trojet tona filloi të lëshonte rrënjë qytetërimi e më vonë edhe feja islame.

Vlerat e një qytetërimi shprehen më së miri përmes veprave të artit, objekteve të kultit dhe posaçërisht në arkitekturë, infrastrukturë publike, në traditën gojore e sidomos nëpërmjet fjalës së shkruar.

Megjithëse feja islame i kushton rëndësi të merituar fjalës së shkruar, në gjuhën shqipe tradita e kultivimit të saj është relativisht e re, ose, thënë më mirë, fillet e para të kësaj tradite i hasim vetëm në periudhën e Rilindjes Kombëtare.

Për këtë ngecje në këtë segment të rëndësishëm, megjithëse shqiptarët që prej kohësh kishin pranuar fenë islame dhe atyre nuk u munguan alimë e njerëz të penës – ndikuan shumë faktorë, ku ndër më kryesorët qenë mungesa e traditës së kultivimit, mungesa e alfabetit të njësuar, si dhe mungesa e institucioneve përkatëse vendore, që do të merrnin mbi vete këtë veprimtari të rëndësishme.

Kjo gjendje bëri që shqiptarët të shkruanin në gjuhë të huaja ose edhe në gjuhën shqipe, po me alfabete të ndryshme. Kjo është arsyeja pse kontributi i tyre nuk ishte për masën e gjerë shqiptare, po vetëm për një pjesë të asaj popullate që gëzonte privilegjin të njihte atë gjuhë ose alfabetin a shkrimin që përdornin dijetarët e krijuesit shqiptarë.

Botime islame në gjuhën shqipe fillojnë të shfaqen në dekadën e fundit të shekullit 19, për t’u intensifikuar dhe për të fituar në peshë në vitet e para të shekullit 20, dhe sidomos pas Pavarësisë së Shqipërisë, kurse në mënyrë institucionale pas pavarësimit të Komunitetit Musliman Shqiptar më 1921, i cili u zyrtarizua më 1923 në kongresin ku u zgjodh edhe Këshilli Drejtues i Komunitetit Musliman të Shqipërisë[1].

Pas pavarësimit dhe konstituimit institucional, Komuniteti Musliman Shqiptar, i vetëdijshëm për rëndësinë që ka fjala e shkruar në njërën anë, dhe i ndërgjegjshëm për ngecjen e madhe që kishte në këtë fushë, në anën tjetër, botimeve islame u kushtoi një rëndësi të shtuar.

Me gjithë prioritetet e shumta që kishte para vetes, komuniteti dhe dijetarët e kohës filluan të hartonin broshura e libra me përmbajtje për njohuritë fillestare islame (Fe-rrëfeje a mësime muslimane nga Said Najdeni, botuar më 1909 në Elbasan; Myslimania nga Hafiz Ali Korça, 1918; Besimet e Myslimanvet nga Hafiz Ibrahim Dalliu, Tiranë, 1921; Ilmihal nga Shefqet Muka, Shkodër 1923)[2].

Jo rastësisht në ballë të kësaj nisme u gjendën figurat më eminente të asaj kohe, rilindësit tanë të shquar, si Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Ali Korça, Said Naideni, Sadik Bega, Haki Sharofi, pastaj Haxhi Vehbi Dibra, Hafiz Ali Kraja e shumë të tjerë.

Angazhimet e tyre qenë të shumanshme përveçse në botimin e veprave për njohuritë fillestare. Ata, si një nevojë kohe, do t’i hynin hartimit dhe përkthimit të veprave profesionale nga fusha të islamologjisë: Texhvid, i përkthyer nga Hafiz Ibrahim Dalliu, Tiranë (1921); Hytbe e dytë ose muhamedija, 1928; Këshillat e së premtes, 1928; Jeta e Hazretit Muhamedit sipas gojdhanave dhe shkrimtarëve të mëdhenj arabë, përkthyer nga italishtja më 1029; Bilbil i fesë i sheriatit muhamedija, përktheu Hafiz Abdullah Sëmlaku, Korçë 1930 etj.

Do theksuar se në këtë periudhë pati iniciativa e projekte madhore, si fillimi i botimit të revistës ‘Zani i Naltë’ më 1923 nga K.M.SH., si dhe fillimi i botimit të përkthimit të Kuranit po nga K.M.SH. – “Ajka e kuptimeve të Kur’anit Qerimit” më 1929, përkthyer nga Hafiz Ibrahim Dalliu.

Këto flasin më së miri për interesimin, nivelin dhe rezultatet e arritura në fushën e fjalës së shkruar islame në gjuhën shqipe asokohe, në kufijtë e Shqipërisë londineze.

Kjo veprimtari vazhdoi me sukses deri në vitet e para të vendosjes së pushtetit socialist në Shqipëri, kur, siç dihet, pushtetarët e ndaluan me ligj zbatimin e fesë, ku edhe praktikisht u ndërpre tradita islame në gjuhën shqipe.

BOTIME NË GJUHËN SHQIPE NË KOSOVË

TRADITA

Botimet islame në gjuhën shqipe në Kosovë, për shkak të rrethanave që u kijuan këtu pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë – do të fillonin të shihnin dritë vetëm pas Luftës II Botërore. Edhe botimet islame në gjuhën shqipe, pësuan po fatin e fjalës së shkruar shqip në përgjithësi dhe fatin e popullit shqiptar nën okupimin serb.

Varësisht se çfarë ishte zhvillimi i ngjarjeve në rrafshin politik, në atë shkallë qe edhe zhvillimi i ngjarjeve edhe në rrafshin e identitetit kombëtar, përfshirë këtu edhe rrafshin fetar.

Pra, fati i zhvillimit dhe rritës së botimeve islame në gjuhën shqipe, përveç faktorëve të tjerë, varej edhe nga mungesa e kuadrit, mungesa e traditës dhe inferioriteti ndaj kulturës islame në përgjithësi e botimeve islame në veçanti.

Po t’i shtojmë kësaj edhe sfidat e vështirësitë me të cilat u përball populli shqiptar gjatë ndërrimeve të sistemeve, ndërrime këto që ndikuan drejtpërdrejt në zhvillimin e jetës në Kosovë, del e qartë se as botimet islame në gjuhën shqipe në Kosovë nuk mund të kishin një zhvillim të mirëfilltë.

Me qëllim që të japim një pasqyrë sa më reale lidhur me këto, vështrimi ynë përmbledh tri periudha:

Periudha e parë

Periudha e parë përfshin botimet islame në gjuhën shqipe gjatë sistemit socialist (në periudhën 1945-1999).

Për aq sa dihet deri më tash, botimi i parë islam në gjuhën shqipe në Kosovë është broshura 38 faqesh“Ilmihali i vogël, për shkencat fillestare të fesë islame”[3], përkthyer nga gjuha serbokroate, botim i Shoqatës së Ylemave për RSS, siç quhej asokohe. Me këtë doracak, të cilit nuk i dihet as përpiluesi dhe as përkthyesi në gjuhën shqipe, zë fill veprimtaria botuese islame në Kosovë, për të vazhduar deri sot.

Bartëse e veprimtarisë botuese në këtë periudhë qe B.I. dhe institucionet e saj, si Shoqata e Ylemave, Medreseja dhe Shoqata e nxënësve të medresesë.

Botimet e veçanta:

Botimet islame sidomos në dy dekadat e para të kësaj periudhe, kanë qenë kryesisht libra a broshura që u kushtoheshin njohurive elementare të fesë islame, si ilmihale e broshura të ndryshme të këtij karakteri. Këtu po përmendim: Mësimi i shkurtër mbi namazin dhe Jasini Sherif, (1959, që u ribotua edhe në vitet 1964 e 1972); Fejzullah Haxhibajriqi: Ilmihal (Themelet e fesë islame – 1968, ribotuar disa herë);

Bajrush Ahmeti: Historia e Pejgamberëve;

Muhamed Seid Serdareviç: Fikhul Ibadat, rregullat dhe detyrat themelore islame (1978) etj.

Është për t’u theksuar se një vend të posaçëm në këtë mes zinin edhe dispensa të hartuara nga profesorët e medresesë së mesme “Alaudin” të Prishtinës, megjithëse i dedikoheshin nevojave të nxënësve të medresesë.

Vitet ‘80 të shekullit XX janë vitet më të rëndësishme për botimet islame në gjuhën shqipe, madje jo vetëm për Kosovën, po për tërë hapësirat shqiptare. Kur e themi këtë, kemi parasysh faktin që në 1985 në Prishtinë u botua për të parën herë përkthimi i Kuranit[4] në gjuhën shqipe, me se edhe gjuha shqipe u bë gjuhë që njeh Kuranin, në njërën anë, dhe, në anën tjetër, u realizua puna e nisur nga rilindësit Qafzezi, Korça e Dalliu, të cilët, megjithëse me vullnet e dëshirë të madhe i kishin hyrë kësaj pune sa të vështirë aq edhe të rëndësishme e me vlerë jo vetëm për kulturën islame po edhe për kulturën shqiptare, megjithatë, siç dihet, për shkaqe nga më të ndryshmet, projektet e tyre nuk arritën t’i realizonin në tërësi, dhe kështu, atë që nuk e arritën Qafzezi në Ploeshti të Rumanisë, Korça e Dalliu në Tiranë – më 1985, pas një pune disavjetëshe, e realizoi profesori i gjuhës arabe në Fakultetin  Filozofik (tash – Fakulteti i Filologjisë) të Universitetit të Prishtinës, Dr. Feti Mehdiu, përkthimin e të cilit e botoi Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Vetëm tre vjet më vonë (në 1988) po në Prishtinë u botuan edhe dy përkthime të Kuranit në gjuhën shqipe, nga dy alimë të njohur: myderriz Hasan ef. Nahi[5] dhe myderriz Sherif ef. Ahmeti[6]. Madje përkthimi i myderriz Sherif Ahmetit u botua i shoqëruar edhe me një komentim të shkurtër. Ky përkthim më vonë është botuar në shumë qendra, madje vetëm në Medinë më 1992 është botuar në 1 milion kopje.

Nga kjo periudhë duhen veçuar edhe botime të tjera të Shoqatës së Ulemave të Kosovës, si: Imam Vehbi Ismaili: Muhamedi profet Islam, Prishtinë 1985; Dr. Mustafa Mahmud: Prej dyshimit deri në besimPrishtinë 1987; Dr. Abdullah Draz: Agjërimi i Ramazaint, Prishtinë 1988 etj.

Botimet e kësaj periudhe, megjithëse përkthime, përbënin një bazë të shëndoshë për zhvillimin dhe shtimin e botimeve islame në gjuhën shqipe në një të ardhme të afërt. Kjo më së miri u dëshmua në vitet ‘90 të shekullit të shkuar.

Periodiku (revistat):

Përveç botimeve të veçanta, në këtë kohë nisën të botoheshin edhe revista islame në gjuhën shqipe. Kështu më 1962 Shoqata e Ylemave filloi botimin e “Buletinit informativ”, një publikim i përtremuajshëm, që botohej në gjuhët serbokroate e shqipe, ku paraqitej aktiviteti i Kryesisë së B.I-së të R.S.F.J-së (apo siç quhej, Rijaset) si dhe aktiviteti i Kryesive të Bashkësive Islame të Republikave, dhe posaçërisht i Kryesisë së B.I-së të R.S.S-së me seli në Prishtinë dhe organeve e institucioneve të saj.

Nga viti 1966 Buletini botohet vetëm në gjuhën shqipe, dhe që atëherë në këtë revistë, përpos të dhënave zyrtare, më 1969 e 1970 gjejmë edhe tema të karakterit fetar[7].

Më 1970 në Prishtinë filloi botimi i Takvimit-publikim vjetor i Shoqatës së Ylemave, i cili, krahas pjesës kalendarike, që nga fillimi botoi edhe tema të ndryshme kryesisht nga ahlaku, fikhu, hadithi, tefsiri, akaidi etj[8].

Më 1971 në Prishtinë filloi botimi i revistës së përtremuajshme fetare “Edukata Islame”, dhe me të zë fill një veprimtari e mirëfilltë në rrafshin e publicistikës islame në gjuhën shqipe jo vetëm në Kosovë po edhe më gjerë.

Revista “Edukata Islame”, nën drejtimin e myderriz Sherif ef. Ahmetit – që është edhe doajen i botimeve islame në gjuhën shqipe në Kosovë, tuboi rreth vetes një numër të mirë të bashkëpunëtorëve nga të gjitha viset shqiptare të ish-Jugosllavisë dhe për një kohë të gjatë qe e vetmja revistë që botohej shqip dhe ku kultivoheshin me devotshmëri vlerat e fesë e të qytetërimit islam[9].

Më 1975, nga Shoqata e nxënësve të Medresesë filloi të botohej fletushka “Nur-l-Kur’an”[10], ndërsa hapi më i rëndësishëm dhe më serioz në këtë fushë, u bë në vitin 1986 kur Kryesia e B.I-së filloi të botonte revistën “Dituria Islame”, e cila fillimisht dilte për çdo tre muaj, kurse më vonë çdo muaj.

Botimi i një reviste të tillë ishte domosdoshmëri e kohës, ngase së pari shkollimi i nxënësve në Medrese dhe, së dyti, diplomimi i një numri të konsiderueshëm të studentëve tanë në qendra të ndryshme të Botës Islame, dhe posaçërisht ngritja e nivelit arsimor tek popullata, e bënë të nevojshme botimin e një revistë e tillë.

Fillimi i botimit të kësaj reviste ka luajtur një rol do të thoshim përcaktues, ngase kjo u bë sensibilizuese për përhapjen, afirmimin dhe zgjerimin e vlerave islame në qarqet e lexuesve shqiptarë[11].

Periudha e dytë

Periudha e dytë e botimeve islame fillon pas rënies së sistemit socialist (1999), një kohë kur Kosova dhe populli i saj, përveç  thyerjes së këtij sistemi dhe hyrjes në fazën e transicionit, siç dihet, pësoi një formë okupimi klasik nga Serbia, gjë që e vështirësoi edhe më shumë gjendjen e shqiptarëve dhe institucioneve të tyre.

Siç u theksua, në periudhën e parë (1957-1990), bartës të botimeve islame në gjuhën shqipe qenë institucionet e Bashkësisë Islame, ndërkaq që nga fillimi i kësaj periudhe (të dytë), përveç organeve të B.I-së, bartës të kësaj veprimtarie u bënë edhe shoqata të ndryshme, grupe nga shoqëria civile dhe intelektualë të njohur.

Duhet theksuar fakti se nëse në periudhën e parë botimet islame bëheshin kryesisht në Prishtinë, ndërsa tani, në periudhën e dytë, krahas Prishtinës, botimet islame do të shohin dritë edhe në qendra të tjera të Kosovës, si në Prizren, Mitrovicë, Gjakovë, Gjilan e gjetiu.

Në këtë fazë botimet islame njohin një rritje të ndjeshme, por do theksuar se tek disa kemi moszbatimin e kritereve të duhura për botim. Këtu kam parasysh nivelin e dobët të përkthimit, dhe një shkallë të ulët të zbatimit të normës standarde të shqipes, si dhe përzgjedhjen e botuesve dhe mosrespektimin e së drejtës së autorit dhe së drejtës së botuesit të parë.

Në këtë periudhë, përveç botimeve që kanë të bëjnë me njohuritë themelore të fesë islame dhe botimeve nga disiplina islame, kemi edhe botime të dijetarëve e strategëve të mëdhenj të Botës Islame, si manifesti i Alia Izetbegoviçit “Deklarata Islame” (Prizren, 1990); pastaj monografia po e Izetbegoviçit “Islami ndërmjet Lindjes e Perëndimit” (Prizren, 1992); vepra e Karçiqit: Historia e së Drejtës së Sheriatit (Prizren, 1994); vepra e dr. Ali Muhamed Nakvit: Islami dhe Nacionalizmi (Prishtinë, 1997); veprat e dijetarit të njohur Jusuf Kardavi: Rizgjimi islam, (Prishtinë, 1997); Monografia për jetën e Muhamedit a.s. nga Vehbi Sulejman Gavoçi, (Prishtinë, 1997), gjithnjë pa harruar botimin e dy kompleteve shumë të rëndësishme për kulturën islame: Përkthimi në shtatë vëllime i Sahihul Buhariut, që u realizua nga profesorët e degës së Orientalistikës të Fakultetit Filologjik, si dhe Përkthimi i veprës së Abdurrahman Rafet Basha: Fragmente nga jeta e sahabëve, gjithashtu në 7 vëllime, nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Përmbledhja e kumtesave nga simpoziumi ndërkombëtar “Feja kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët” (Prishtinë, 1995).

Një vend të veçantë në këtë periudhë zënë botimet e medresesë së mesme “Alaudin” të Prishtinës, që pas vitit 1990 nuk janë pak dhe janë të fushave të ndryshe, si në histori, akaid, ahlak, hadith  e filologji. Si të tilla ato paraqesin një hap shumë të rëndësishëm, ngase, përveç asaj se përmbushin nevojat e nxësëve, përbëjnë edhe një burim të mirë e modest për të gjithë të interesuarit në fushat përkatëse. Këtu do të përmedim: Qazim Qazimi: Hyrje në shkencat kur’anore, Prishtinë 1993; Naim Tërnava: Morali islam/ahlaku-1, Prshtinë 1993; Naim Tërnava: Pasqyrë e Filozofisë Islame, Prishtinë 1995; Bajrush Ahmeti: Historia islame 1, Prishtinë 1995; Resul Rexhepi: E drejta e martesore islame,Prishtinë 1996 etj.[12]

Revistat:

Më 1992 në Prishtinë filloi të dilte revista “Bashkimi Paqësor”, revistë edukative, arsimore e kulturore, botim i Shoqatës “Bashkimi”, ndërkaq vetëm një vit më vonë (në 1993) po kjo shoqatë nisi botimin e gazetës periodike “Itifak”, ndërkaq më 1995 në Gjilan filloi të botohej revista “Drita”, organ i shoqatës “Drita”.

Me gjithë ambiciet e mëdha, revistat në fjalë pas një kohe të shkurtër të botimit, nuk arritën të përballonin detyrimet financiare, prandaj u detyruan të ndërprisnin botimin e mëtutjeshëm[13].

Periudha e tretë

Periudha e tretë zuri fill që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë.

Në këtë fazë kemi një vërshim të botimeve islame, kur shtohen shumë botimet e shumta të shoqatave islame që veprojnë me mision në Kosovë, të cilat ose janë vetë botues, ose janë financues të ndonjë institucioni vendas.

Këtu duhet theksuar se përveç botimeve shumë të rëndësishme e të nevojshme për masën e gjerë islame, kemi edhe disa botime që nuk janë të nevojshme për ne.

Fjalën e kam për botime që sjellin huti tek besimtarët, sepse merren me çështje medhhebesh (të shkollave juridike islame), një gjë që e gjykojmë të panevojshme për hapësirën tonë.

Duhet theksuar po ashtu se bëhen edhe botime pa kriter: i njëjti botim në të njëjtën kohë dhe për të njëjti lexues, botohet nga disa botues!

Megjithatë, vlen të përmendet botimi i Bibliotekës Familjare nga S.J.R.C., një botim prestigjioz dhe i nevojshëm, si dhe botimi i veprave të Kardavit nga Shoqata Bamirëse e Katarit.

Megjithëse qe dëmtuar rëndë në luftë, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, respektivisht edicioni botues ‘Dituria Islame’ u konsolidua shpejt dhe vazhdoi traditën 40-vjeçare të botimeve. Kështu, përveç daljes me rregull të revistës “Dituria Islame” dhe të Takvimit,  riaktivizoi revistën e përtremuajshme “Edukata Islame”, e cila u rikonstruktua në formë dhe në përmbajtje. Përveç këtyre, menjëherë pas luftës ky edicion botoi edhe këto vepra me interes për kulturën dhe artin islam:

“Si ta njohim artin Islam” Prishtinë 2000; Dr. Muhamed Mufaku: “Xhamitë dhe mesxhidet e Beogradit”, Prishtinë 2000; Prof. Dr. Ibrahim Emiroglu: “Pesë kryeveprat e Ebu Hanifes”, Prishtinë 2000; Muhamed ashik ilahi el Bureni: “Çështje të fikhut sipas Kuduriut”, Prishtinë 2002 etj.

Më këtë rast duhet përmendur botimi i monografisë për shkatërrimin e xhamive gjatë luftës “Barbaria serbe ndaj monumenteve islame në Kosovë” (shkurt ’98 – qershor ‘99), Prishtinë 2000. Në këtë botim, në tri gjuhë është paraqitur shkatërrimi i xhamive dhe objekteve të tjera islame gjatë luftës së fundit nga forcat serbe.

Përfundim

Botimet islame në gjuhën shqipe po shtohen çdo ditë e më shumë, si nga cilësia, ashtu dhe nga sasia.

Mirëpo periudha prej vitit 1990 e deri sot, për sa i përket literaturës islame, ka nevojë të analizohet seriozisht nga botuesit tanë, natyrisht duke bashkërenduar veprimtarinë e tyre, me të vetmin qëllim që lexuesit tonë t’i ofrojnë sa më shumë botime të nevojshme, ngase, me zemër në dorë, në fushën e botimeve islame në gjuhën shqipe, për shumë arsye hetohet goxha një ngecje. Mirëpo kjo nuk arsyeton kaosin në fushën e botimeve pa respektuar: prioritetet, traditën medhhebore, të drejtën e botuesve dhe të drejtën e autorëve. Gjithashtu është mjaft brengosëse niveli i gjuhës së disa prej botimeve islame të kohës, sepse shumë vepra botohen pa redaktime të mirëfillta gjuhësore e të mos flasim për korrektim e redaktim teknik.

Megjithatë, shpresojmë që këto vështirësi të tejkalohen, dhe me veprimtarinë botuese të merren botuesit seriozë.

[1] Roberto Morocco dela Roka: Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944, Tiranë 1994, fq. 28

[2] Më gjerësisht për librat e botuar në këtë kohë shih: Maksim Gjinaj & Petrit Bezhani: Libra në gjuhën shqipe për Islamin (Bibliografi) Istanbul 2002.

[3] Shih: Ilmihal i vogël për shkencat fillestare Islame; Prishtinë 1957, apo R. Shkodra&A. Pireva: Bibliografi e botimeve islame në gjuhën shqipe në Kosovës !957-1997, Prishtinë 1998, fq. 17.

[4] Shih: Kur’ani; përktheu Feti Mehdiu, Prishtinë 1985.

[5] Shih: Kur’ani i Madhëruar; përktheu prof. Hasan I. Nahi, Prishtinë 1998.

[6] Shih: Kur’ani Përkthim me Komentim; përktheu dhe komentoi H. Sherif Ahmeti, Prishtinë 1998.

[7] Ramadan Shkodra & Aziz Pireva: Historiku i publicistikës islame në gjuhën shqipe në Kosovë, Dituria Islame nr. 101 Prishtinë 1998, f. 61.

[8] Po aty…fq.. 61-62.

[9] Po aty… f. 62.

[10] Po aty… f. 62

[11] Po aty….f. 62-63.

[12] Më gjerësisht për botimet e medresesë shih: Ramadan Shkodra: Bibliografi e botimeve të medresesë së mesme “Alaudin” në Prishtinë (1969-1998), Edukata Islame nr. 63-64 Prishtinë 1998, fq. 163-167.

[13] Ramadan Shkodra & Aziz Pireva: Historiku i publicistikës islame në gjuhën shqipe në Kosovë, Dituria Islame nr. 101 Prishtinë 1998, f. 61.

* Ky artikull është botuar në revistën “URA”, nr. 1/1, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2008, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”. www.acfos-albania.org & acfos_albania@yahoo.com

 

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: