Hyrje > Identiteti shqiptar, Shqiptarët dhe Orienti > Identiteti shqiptar si kategori dialektike e neo-osmanizmit

Identiteti shqiptar si kategori dialektike e neo-osmanizmit

Ergys MËRTIRI

 

IDENTITETI SHQIPTAR SI KATEGORI DIALEKTIKE E NEO-OSMANIZMIT

Ergys Mërtiri

Një pjesë e rëndësishme e elitave shqiptare e projektojnë identitetin shqiptar në mënyrë antagoniste, duke u nisur nga stereotipizimi i një modeli negativ, i cili konceptohet si i kundërt me indentitetin tonë. Ky stereotip përfaqëson mbi të gjitha pushtimin osman, i cili konsiderohet në shumë raste si një prej fatkeqësive më të mëdha në historinë e shqiptarëve, si një periudhë distancimi prej përkatësisë europiane të këtij kombi. Kjo do të thotë se identiteti shqiptar, në rastin konkret përftohet në mënyrë negative: shqiptarët si të kundërt me turqit. Që të kemi të qartë se çfarë janë shqiptarët, duhet fillmisht të dime se çfarë janë turqit, pra, të dimë se çfarë nuk duhet të jemi. Në fakt, si pohimi edhe mohimi, janë krejtësisht konstrukte paragjykuese që nuk kanë të bëjnë me realitetin e vërtetë. Shqiptarët nuk janë e kundërta e turqve (natyrisht, nuk janë as e njëjta gjë), por ndërkohë edhe turqit nuk janë ashtu siç përshkruhen prej këtij naracioni antiosman. Pra ky ligjërim konstrukton fillimisht anën e kundërt të dialektikës, në mënyrë krejtësisht subjektive dhe paragjykuese, për të përftuar tek të tjerët ndjenjën e përkatësisë.

Në këtë kuadër, identiteti modern i shqiptarëve, ndërtohet duke përjashtuar gjithçka që vjen nga periudha osmane, gjë që realisht do të thotë se ky projekt, vjen si një angazhim për të likuiduar një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë shqiptare. E gjithë kultura ballkanike, ngrihet mbi një themel të përbashkët, i cili ka zënë rrënjë e është zhvilluar gjatë periudhës osmane. Përkundër kësaj, Ballkani modern, ka zhvilluar ideologji që theksojnë dallimet midis kombeve, gjë që vejn në kundërshtim me realitetin historik, i cili është një realitet ngjashmërish dhe këmbimesh shekullore. Ballkani si “fuçi baruti” është më shumë një realitet modern. Historia, kryesisht historia osmane e Ballkanit, është më shumë një histori përzjerjesh dhe këmbimesh kulturore.

Në mbështetje të këtij mentaliteti, në gazetën Mapo, Emine Bakalli, studiuese e Historisë në Fakultetin e Filozofisë në Prishtinë, duke iu kundërvënë tezave të Ministrit të Jashtëm të Turqisë Ahmet Davutoglu mbi neo-osmanizmin, agumenton se identiteti shqiptar është ndërtuar në konfrontim të përhershëm me Portën e Lartë. Kjo tezë, përdoret shpesh nga intelektualët shqiptar për të prodhuar një ligjërim përjashtues, i cili e selekton traditën shqiptare, duke përjashtuar pjesën më të madhe të saj. Sipas këtyre tezave, trashëgimia osmane, nuk është gjë tjetër vetëm se një “mbetje kulturore” e huaj për shqiptarët. Ndërkohë që nga ana tjetër, nuk ngurrohet të flitet pafundësisht për identitetin europian të trashëguar tek që prej kohërave paraosmane.

Ky konceptim i kërkon rrënjët identitare në arbërinë fisnore të para 600 vjetëve, duke e konsideruar çdo prurje kulturore të më vonëshme si “mbetje”, si mish i huaj i cili duhet eleminuar. Kushdo e kupton që e gjithë kjo është një marrëzi pa sens. Eshtë krejtësisht jashtë çdo logjike të pretendosh se lidhjet tona identitare përfundojnë gjashtëqind vjet më parë, për të rinisur tani. Kjo do të thotë të projektosh një identitet pa rrënjë, pa trashëgimi për kombin, për sa kohë, një periudhë kohore kaq e gjatë, kapërcen mundësitë e memories historike të çdo shoqërie, e aq më shumë, mundësite e një trashëgimie kulturore. Jo vetëm kaq, por nëse i referohemi historisë, përpara ardhjes së turqve, Shqiptarët kanë qenë të pushtuar gjithsesi prej Stambollit (atëkohë, Kostandinopoja), kryeqendër e një perandorie lindore si Bizanti. Duke llogaritur këtu edhe pushtimet sllave, mbetet vetëm një hapësirë e vogël e papërfillshme nën sundimin e ndonjë shteti europian, si psh. Venediku, i cili nuk ka pasur mundësi t’i japë tonin identitetit shqiptar. Po, t’i shtosh kësaj llogarie edhe faktin se europa mesjetare, europa e kryqëzatave dhe inkuizicionit është krejt e kundërt me atë që vlerësojmë sot si Europë e qytetërim perëndimor, kjo i bën akoma dhe më absurde teza të tilla.

Eshtë e vërtetë që lëvizjet nacionaliste shqiptare, të cilat lindën në gjysmën e dytë të shek. XIX, dhe morën shtrirje reale vetëm në çerekun e fundit, pas bërjes publike të interesave fqinje në traktatin e Shën Stefanit, kanë pasur edhe konflikte me politikën osmane, pavarësisht faktit që shqiptarët kanë zënë një vend të rëndësishëm në shtetin osman, duke gëzuar  pozicione të rëndësishme qeveritare e administrative. Megjithatë, të gjithë historianët seriozë në perëndim, venë në dukje se Lëvizja Nacionaliste Shqiptare nuk u zhvillua në konfliktualitet me Portën e Lartë, por si një përgjigje ndaj kërcënimit që vinte prej orekseve territoriale shoviniste të vendeve fqinje. Pikërisht, këtu buron edhe vetëdija shtetformuese për shqiptarët, të cilët deri vonë nuk shihnin kurrfarë ndërgjegjësimi për pavarësi. Kujtimet e Eqerem Bej Vlorës, Hasan Prishtinës etj, na rrëfejnë mungesën e vullnetit për pavarësi që ka ekzistuar në Shqipëri gjatë vitit 1912, gjë që tregon se shqiptarët nuk kurrfarë armiqësie me perandorinë, pjesë e së cilës ishin. Sipas tyre, pavarësia u shpall kur ushtria osmane u shpartallua prej vendeve të Ballkanit dhe ekzistenca e shqiptarëve tashmë ishte në kërcënim të madh. Sipas studiuesve të huaj si Gawrich, Clayer, Malcom, Schmitt, Fischer etj. nuk rezulton aspak se identiteti kombëtar në Shqipëri u formua në konfrontim, e aq më pak të përhershëm, me Portën e Lartë. Lëvizja Kombëtare Shqiptare u aktivizua më shumë si një përpjekje për të mbijetuar në një realitet politik ku fqinjët përbënin një kërcënim ekzistencial.

Megjithatë, përtej aspektit politik, teza të tilla kanë probleme të mëdha teorike. Studiuesit më në zë të nacionalizmit, e shohin kombin si një produkt, mbi të gjitha, historik. Pra kombi është trashëgimi dhe trashëgimia është prurje historike. Ndër elementët më të rëndësishëm identitarë për një komb, është vetëdija e përbashkët historike. Po kështu kultura në vetvete është akumulim dhe akumulimi krijohet nga prurje të shumta përgjatë kohëve.

Teza të tilla, si ato që synojnë të përjashtojnë ndikimet kulturore të periudhës osmane, janë një përpjekje për të flakur një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë shqiptare. Kjo është një mendësi antihistorike, e cila vjen në kundërshtim me çdo teori nacionaliste, në emër të të cilave artikulohen këto teza. Identiteti kombëtar sipas një konceptimi nacionalist ngrihet mbi një trashëgimi kulturore, e cila duhet të ruhet e plotë. Fakti që trashëgimitë karakterizohen nga ndikime të shumta, nuk përbën asnjë kontradiktë, pasi çdo kulturë formohet në këtë mënyrë, por është në natyrën e zhvillimeve kulturore që ndikimet ti përthyejnë mbi bazë të karakteristikave thelbësore ku këto ndikime përfshihen. Vetëm ideologjitë moderne kanë arritur të defomojnë këtë natyrë duke prodhuar transformime rrënjësore për kombe të caktuar, të cilat, në përgjithësi sjellin krizë të identitetit kombëtar. Pra, për identitetin kombëtar në shqipëri nuk është kërcënim trashëgimia, por prurjet moderne globale. Mohimi i kësaj trashëgimie, përkundrazi, përbën një problem serioz, i cili dëmton lidhjen e shoqërisë me të kaluarën e saj, duke e lënë identitetin shqiptar pa rrënjët e tij kulturore. Ky është dëmi më i madh kulturor që mund t’i bëhet këtij vendi, ndaj është e domosdoshme që çdo lëvizje patriotike ti rikthehet këtij problemi si një prej çështjeve thelbësore që lidhen me identitetin shqiptar.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: