Hyrje > Europa dhe Islami > Mentaliteti evropian dhe Islami

Mentaliteti evropian dhe Islami

Dr. Murad W. HOFMANN

 

MENTALITETI EVROPIAN DHE ISLAMI*

Dr. Murad W. Hofmann

Dr. Murad W. Hofmann

I.

1. Në parathënien e këtij shkrimi do të doja të trajtoj supermarketin fetar të sotëm në Evropë. Kontinenti i vjetër, që më parë ka qenë vetëm katolik dhe protestant (luterian ose kalvinist), në ditët e sotme ofron diçka për secilin: që nga antropozofia, me besimin e saj të njohur tek rimishërimi e deri tek kultet materiale satanike dhe sektet, që përpiqen të rrisin vetëdijen fetare nëpërmjet drogës.

Këto fenomene shkatërruese, që shoqërojnë tatëpjetën e vazhdueshme të kishave, trajtohen me një tolerancë të jashtëzakonshme. Djemtë me koka të rruara, që festojnë në mënyrë demonstrative dhe i thurin lavde Hare Krishnës, apo ndjekësit e lëvizjes hinduse Bahvan, nuk nxisin asnjë lloj agresioni. Kur një yll kinemaje, sic është Riçard Gere, bëhet budist, askush s’e vret mendjen. Në të kundërt, nëse vendos të bëhesh Shamane sipas traditës së indianëve të Dakotës, do të të kushtohet një vëmendje e veçantë si nga televizionet, ashtu edhe nga ambientalistët. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për Druidet moderne, gratë që luajnë rolin e klerikëve keltikë, në rastet kur ato shkojnë nga Gjermania në Anadoll, në kërkim të shoqërive matriarkale të hyjnive të vjetra femërore.[1]

Jeta fetare çifute, madje edhe në trajtën e saj më ekstreme, trajtohet me po të njëjtën qasje pozitive nga shoqëria. Lubavikerët në New York dhe Jerusalem praktikojnë ndarjen e rreptë të gjinive; meshkujt vënë gjithmonë kapele dhe rrisin balluket. Të shtunave, ata ndërpresin çdo lloj aktiviteti. Dhe, natyrisht, ata nuk e hanë mishin e derrit apo ndonjë mish tjetër, nëse kafsha përkatëse nuk është prerë në përputhje me ritet e tyre. Media perëndimore nuk e ka vënë kurrë në diskutim çështjen nëse tradita të tilla mund të dhunojnë të drejtat e njeriut; ato nuk i etiketojnë kurrë çifutët ortodoksë si “fanatikë” dhe “obskurantistë”.

Në të vërtetë, përsa i përket çështjeve fetare, Perëndimi është bërë pluralist. Mbreti prusian, Frederiku II (i Madh) që në shekullin e 18-të pati hedhur idenë se çdo njeri duhet të lejohet të kërkojë shpëtim sipas mënyrës së vet.[2] Këshilla e tij u vu në zbatim. Sot në Evropë, mund të jesh neomarksist ose neotomist, mistik, astrolog, agnosticist apo ateist dhe askujt s’ka për t’i interesuar një fakt i tillë.

2. Vetëm një gjë bën mirë të mos jesh: musliman! Kur bëhet fjalë për Islamin, pluralizmi modern dhe toleranca e tij e pakufishme, zhduken befas. Ato zakone dhe praktika që pranohen lehtësisht nga të tjerët, për rastin e një muslimani dënohen si fanatike, primitive, të paligjshme dhe prapanike. Në rastin e Çe Gevarës, mjekra përfaqëson diçka përparimtare, kurse tek një musliman, e njëjta mjekër konsiderohet si reaksionare. Maria nuk pikturohet asnjëherë kokëzbuluar, por nëse një femër muslimane vendos shaminë, atë e pret dëbimi nga shkolla.

Nëse ke dyshime mbi një situatë të tillë, atëherë provo të ndërtosh një xhami në Francë apo në Gjermani. Veç po të kesh lindur me këmishë fati, sepse do të jesh i detyruar të hapësh gjyq pas gjyqi për çdo hap që do ndërmarrësh përgjatë procesit administrativ. Në fund, pas tetë apo dhjetë vitesh, ndoshta do të mund ta marrësh lejen për ta ndërtuar atë xhami, diku pas hekurudhës apo afër ndonjë thertoreje. Do të të duhet të zihesh me autoritetet përkatëse për çdo metër lartësie të planifikuar për minaren. Do të dëgjosh që fabrikat e çimentos dhe rezervat e gazit i përshtaten më së miri fshatit evropian, por minaret jo.

Për më tepër, leja e ndërtimit të një minareje, nuk përfshin domosdoshmërisht të drejtën e përdorimit të saj. Madje disa njerëz shakaxhinj kanë sugjeruar që të ndryshohet thirrja për në namaz. Nëse muezini, do të imitonte këmbanat e kishës dhe do të bërtiste: “Bim-bam! Bim-bam!”, a nuk do të ishte i pranueshëm për veshët e njerëzve?

Nëse ti si musliman do të kërkoje leje për t’u furnizuar me mish-hallall, ashtu sic bëjnë çifutët në Francë dhe Gjermani, një kërkesë e tillë do të të refuzohej. E njëjta gjë është e vërtetë edhe kur muslimanët kërkojnë të njihen zyrtarisht, ashtu si komunitetet çifute, si një komunitet fetar i ligjshëm. Një e drejtë e tillë i është dhënë një komuniteti prej 30.000 çifutësh në Gjermani, por u është mohuar 2 milion muslimanëve!

Nëse keni nevojë të qartësoheni akoma për këtë situatë të turbullt, shikoni se si e paraqet media perëndimore terrorizmin dhe luftën. Në kohën e tij, askush nuk mendoi ta cilësonte Adolf Hitlerin si katolik apo Stalinin si një i krishterë ortodoks. Gjithashtu, as Frankoja nuk u quajt ndonjëherë fashist “katolik” dhe as Dr. Karaxhiçi kriminel lufte “i krishterë ortodoks”. Megjithatë, nëse ndokush nga bota muslimane, kushdoqoftë, do të përdorte armë, ai do të etiketohej si terrorist “fanatik musliman”, madje edhe në rast se ai vepron për vetëmbrojtje, nëse është ateist, komunist, arab baptist apo palestinez i krishterë.

A keni dëgjuar ndonjëherë se Nagasaki dhe Hiroshima janë shkatërruar nga një bombë “kristiane”? Sigurisht që jo! Por, kur një vend musliman, siç është rasti i Irakut apo i Pakistanit, prodhon pajisje nukleare, këto të fundit konsiderohen si “bomba islamike”.

Vërtet, mbiemra të tillë poshtërues si “fanatik” dhe “obskurantist”, media perëndimore duket se i ruan ekskluzivisht vetëm për muslimanët. Kadafi, Homeini dhe Sadam Huseini janë “fanatikë”, kurse Millosheviçi jo. Sulmet terroriste në Irlandën e Veriut apo në Spanjë nuk kryhen nga protestantë, katolikë, baskë apo katalanas “fanatikë”. Por, sa herë që një musliman përdor forcën, qoftë edhe për vetëmbrojtje, media perëndimore e etiketon atë si fanatik.

Sipas këtyre kritereve, edhe unë qenkam fanatik, sepse falem, agjëroj gjatë muajit të Ramazanit, shkoj për peligrinazh në Mekë dhe shpenzoj për kauzën e Zotit.

 

II.

 

Faktet janë të qarta. Armiqësia e përshkruar më lart është e vërtetë. Por ç’mund të thuhet për kauzat e tyre? Unë mendoj se simptomat e përshkruara anti-islame e kanë origjinën në një qëndrim anti-arab, një forme moderne të anti-semitizmit selektiv, në kujtimet e fushatave turke si dhe në disa shkaqe të tjera të thella, ndër të cilat do të veçoja:

∙ Mentaliteti i bunkerizuar dhe demonizimi

∙ Mentaliteti dhe goditja e kryqtarëve

∙ Sindromat e fyerjes dhe të xhelozisë, duke përfshirë këtu edhe xhelozinë seksuale

∙ Shqetësimet e veçanta rreth arabëve dhe turqve.

Të gjithë këta faktorë qëndrojnë në thelb të mentalitetit për Islamin. Përmendja e tyre nuk përbën ndonjë akt racist. Nuk po them se qëndrimet anti-semitike rrjedhin në vena. Megjithatë, disa nga faktorët e përmendur janë me të vërtetë “të trashëguar”, në kuptimin që dashur pa dashur, çdo njeri merr pjesë në kujtesën e përbashkët të kombit të tij.

 

     1. Mentaliteti i bunkerizuar dhe demonizimi

Popujt e Perëndimit e dinë mjaft mirë se që nga shekulli i 7-të, Islami është përhapur në mënyrë shumë të shpejtë në pjesën më të madhe të botës.

a) Fakti që kristianizmi nuk do të ishte feja e fundit, që do të vinte një profet tjetër i madh pas Jezusit, i cili do t’i largonte me miliona të krishterë nga besimi i tyre, jo vetëm që nuk pajtohej aspak me pikëpamjen kristiane, por përbënte një provokim të tmerrshëm.

Me qëllim që të ruante dinjitetin dhe besimin e saj, bota kristiane shpiku legjendën e famshme, sipas së cilës Islami është përhapur dhe do të përhapet gjithmonë “përmes luftës dhe shpatës”. Kjo bindje është shumë aktuale edhe në ditët e sotme, ndonëse legjenda në fjalë është hedhur poshtë shkencërisht. Sigurisht, popujt kristianë e kanë pranuar Islamin për shkak se sundimi islam ka qenë më i mirë sesa sundimi bizantin për shembull, ose për faktin se fjalët e thëna në Kur’an për Jezusin, përputheshin me besimet e tyre.

b) Strategjia e dytë e mburojës intelektuale ishte shpifja dashakeqe, veçanërisht kundrejt profetit të Islamit, i cili u demonizua dhe u quajt antikrisht. Prof. Annemarie Schimmel, ka shkruar: “Më shumë se çdo figurë tjetër historike, Muhamedi ka ngjallur frikë, urrejtje dhe madje edhe përbuzje në botën kristiane. Dante, në Komedinë hyjnore të tij, shprehu pikërisht atë çfarë ndjenin kristianë të panumërt të mesjetës, kur e ndëshkoi Muhamedin në vendin më të keq të ferrit.”[3]

Denigrimi i Profetit të Islamit vazhdon të pranohet (dhe të duartrokitet), gjë që u vërtetua edhe nga Selman Ruzhdi. Kur Prof. Schimmel guxoi të theksonte se Ruzhdi kishte lënduar ndjenjat e miliona muslimanëve, u bë nami në Gjermani, duke vërtetuar faktin se edhe pse bëhej fjalë për vitin 1995, ishte akoma një “gabim politik” të tregoje mirëkuptim dashamirës ndaj Islamit.

Në këtë aspekt, biografitë pozitive të Profetit, të shkruara nga Emil Dermenhem, Muhamed Husein Hejkel apo Karen Armstrong, nuk kanë patur ndonjë efekt të madh.

Prof. Hans Kyng thotë: “Edhe Kisha Katolike, e cila gjatë mbledhjes së dytë të Vatikanit, e pranoi Islamin si një rrugë drejt shpëtimit, nuk ka arritur ende ta pranojë Muhamedin si udhëheqës drejt asaj rruge”.

 

     2. Mentaliteti dhe goditja e kryqtarëve

Nëse provojmë të gërvishtim pak “mbështjellësen” e qytetërimit evropian, shumë afër me sipërfaqen, do të zbulojmë plagët e pambyllura të kryqëzatave. Në të vërtetë, traumat e shkaktuara nga kryqëzatat janë më të rënda në Perëndim sesa në Lindje.

Njëra nga traumat e ka origjinën në goditjen që pësuan kryqtarët kur morën vesh se muslimanët e ashtuquajtur barbarë dhe të pafe prej tyre, ishin më të zhvilluar, më të qytetëruar dhe më të përparuar në shkencat ekzakte sesa vetë ata. Në fakt, zgjuarsia, kalorësia, ndershmëria, toleranca, bujaria dhe natyra shpirtërore e udhëheqësit ushtarak kurd Salahudinit, u kthyen në legjenda në Perëndim.

Veç kësaj, shumë kryqtarë e patën turpëruar veten me anë të mizorisë dhe kopracisë së tyre. Plackitja e Kostandinopojës në vitin 1205 (“akti i madh historik” i tyre), la gjurmë të thella. Një akt i tillë vuri në dyshim superioritetin e tyre.

Megjithatë, vrulli dhe retorika e kryqëzatave janë mbajtur gjallë edhe në ditët e sotme. Dëbimi i muslimanëve dhe çifutëve nga Andaluzia pas vitit 1492, një version i hershëm ky, i spastrimit fetar alla Karaxhiç, ishte një vazhdim i kryqëzatave. E tillë ka qenë edhe përpjekja qesharake e mbretit të ri portugez, Sebastio, për ta kthyer sërish në të krishterë Afrikën e Veriut në shekullin e 16-të.[4]

Po kolonizimi imperialist perëndimor, a nuk ishte edhe ai një kryqëzatë në vetvete? A nuk ishin francezët që kaluan në bregdetin e Afrikës Veriore duke ndërtuar katedrale të mëdha, duke ia kushtuar “Notre Dame d’Afrique”?

Është thuajse e pabesueshme që edhe vetë mbreti grek luajti rolin e kryqtarit, kur zbarkoi me ushtrinë e tij në Smirna, në vitin 1920. Për ç’arsye zgjodhi të zbarkonte pikërisht në vendin jashtë portit, ku mbreti Rikardi I “Zemërluani” pati shkelur për herë të parë në tokën anatoliane në vitin 1190, si kalorës pjesëmarrës në kryqëzatën e tretë?

Ky mentalitet kryqtarësh vazhdon të jetë i freskët dhe shpjegon imperializmin kulturor të Frensis Fukujamës[5] dhe Samuel Huntingtonit.[6] Mendimi i tyre se herët a vonë bota muslimane ose do të zhduket ose do të margjinalizohet plotësisht, e ka fillin në arsyetimin e hershëm evropian.

Në kohën kur kam qenë në shkollë të mesme, ishim akoma të vetëdijshëm se sa shumë u detyrohej Evropa qytetërimeve të mëparshme si Greqia dhe Roma. E gjithë kjo, duke përfshirë këtu edhe historinë e shkëlqimit të Andaluzisë islame, është venitur tashmë. Prej shekullit të 18-të, njeriu evropian, me arrogancën e tij e ka bindur veten se ai është standardi referues në gjithçka dhe se arsyeja e tij supreme do t’i siguronte atij paqen, mirëqenien dhe lumturinë më të madhe që është arritur ndonjëherë në historinë njerëzore. Është për t’u habitur, por dy luftrat e egra botërore, përfshi këtu edhe luftën atomike, holokaustin e stalinizmin, nuk kanë mundur ta lëkundin një bindje të tillë.

Njeriu perëndimor ia mbushi plotësisht mendjen vetes se qytetërimi i tij (i ashtuquajturi “Projekt i modernizimit”, ose më mirë të themi “Mënyra amerikane e të jetuarit”) është më i miri, qytetërimi i fundit, i destinuar për t’u bërë mbizotërues në të gjithë botën. Ligji ndërkombëtar, kodi i të drejtave të njeriut, sistemi ekonomik, qasja teknologjike dhe filozofia e tij alla Ludvig Vitgenshtein, që e hedh poshtë metafizikën, konsiderohen si elementët më të rëndësishëm përbërës të një “kulture globale” të “shpikur” në SHBA dhe në Evropë.

Nuk është diçka e pazakontë që qytetërimi perëndimor të konsiderohet si një model i detyrueshëm, i cili duhet ndjekur nga pjesa tjetër e botës, pasi shumë vende të Azisë, Afrikës dhe Amerikës së Jugut – pa përmendur këtu botën islame – po përpiqen me shumë zell të imitojnë mënyrën perëndimore të jetesës. Zakonet e të ngrënit, moda, koncepti femëror dhe mashkullor mbi të bukurën, menaxhimi i kohës së lirë, sjelljet seksuale, arkitektura, muzika dhe gjithçka tjetër që mund të të vijë ndërmend, kanë prirje t’i afrohen sa më shumë modelit perëndimor.

Pjesë përbërëse e kësaj prirjeje drejt uniformitetit është edhe margjinalizimi i aspekteve fetare nga jeta publike. Feja është zëvendësuar nga një materializëm i pagdhendur, i cili shërben si pseudo-ideologji. Shndërrimi i fesë në një çështje private është hapi i parë drejt mënjanimit të plotë të saj. Tashmë, mashkullit dhe femrës tipike perëndimore nuk u interesojnë më fenomenet fetare. Ata i shohin fetë e tyre tek veniten në asgjë. Kështu, krejt natyrshëm, ata besojnë gjithashtu se Islami është i destinuar të zhduket. Përveç faktit se disa shkencëtarë që kanë fituar çmimin Nobel janë shumë fetarë, bindjet intelektuale dhe fetare vazhdojnë të konsiderohen si të papërshtatshme.

 

     3. Sindroma e fyerjes dhe e xhelozisë. Xhelozia seksuale.

Përballë këtij realiteti, Islami – që jo vetëm s’po zhduket por po rigjallërohet dita-ditës – në mos fyerje, përbën një provokim. Imagjino, këta muslimanë prapanikë refuzojnë shumë prej të mirave të qytetërimit perëndimor dhe madje arrijnë deri aty sa ta prezantojnë Islamin si një model alternativ edhe për shekullin 21! (Unë sigurisht po aludoj këtu në vetë librin tim, “Islami si alternativë”[7]

Më e keqja, shumica e evropianëve që e pranojnë Islamin janë njerëz me aftësi akademike, intelektualë dhe shkencëtarë. Si mund t’ia kthejnë kurrizin kulturës së vet?

Aq më keq akoma, studimet historike të bëra mbi besimin kristian, sollën ndryshime të jashtëzakonshme si në kishën katolike ashtu edhe në atë protestante. Kështu, në dallim nga vërtetësia e padiskutueshme e Kur’anit, pjesa më e madhe e Dhjatës së Vjetër ka burime të dyshimta me shtesa të një periudhe më të vonë.

Ç’është më e rëndësishmja: Shumë profesorë kristianë të teologjisë pranojnë tashmë, se në vitin 325, në Këshillin e Nikeas, qe një gabim që Jezusi u përcaktua si Zot po aq i “rëndësishëm” sa edhe Ati. Si rezultat, vetëm pak nga disa prej klerikëve të krishterë dhe ndjekësve të tyre, pas 1600 vjetësh, besojnë atë çfarë ka thënë Kur’ani për Jezusin.

A mund ta imagjinoni se ç’mund t’i ndodhë një njeriu, nëse ai e kupton më së fundi se njerëzit që është mësuar t’i përbuzë d.m.th. muslimanët, kanë qenë gjithmonë në rrugën e drejtë?

Në aspektin e xhelozive të fshehura perëndimore, xhelozia seksuale është një fenomen i vërtetë. Për njeriun perëndimor, Orienti është kontinenti i Kamasutrës, i kulturës lindore të dashurisë, i erotizmit të pashoq. Prof. Edward Said, në librin e tij të famshëm mbi orientalizmin perëndimor[8], në të cilin imazhi perëndimor për Orientin paraqitet si epshor, i shthurur dhe poligam, tregoi se është thjesht një projektim i dëshirave të ndrydhura dhe i ëndrrave seksuale perëndimore.

Në këtë projektim zë vend edhe imazhi perëndimor i Muhamedit si maniak seksual, një shpifje kjo, e propaganduar në të gjitha kohërat, përfshirë edhe tonën. Sidoqoftë, sa më pak të flasim për këtë, aq më mirë është!

Etja e madhe perëndimore për gjëra orientale ka baza të vërteta. Shprehja “ex oriente lux”: drita vjen nga Lindja [titulli i kasetës së fundit nga Sezen Aksu[9]], tregon që të gjitha fetë e mëdha e kanë origjinën në Lindje, që nga Hinduizmi dhe Budizmi e deri tek tri fetë monotesite botërore. Gjithashtu, deri në ditët e sotme, Orienti ka arritur të ruajë një lloj cilësie të jetës, e cila nuk varet plotësisht nga materializmi. Marrëdhëniet njerëzore në Lindje, duke përfshirë këtu edhe Turqinë, karakterizohen nga ngrohtësia, ndërkohë që në Perëndim, ndodh krejt e kundërta.

 

     4. Anti-Arabizmi

Është një fakt shumë domethënës që, ndonëse arabët përbëjnë pakicën në botën islame, evropianët e konsiderojnë Islamin si një fe arabe. Si rezultat, të gjitha paragjykimet për arabët (që dihet se janë të shumta në numër), i mvishen njëkohësisht edhe Islamit.

Për të kuptuar thelbin e këtij paragjykimi, mjafton të shohim filmat hollivudianë që realizohen në botën arabe. Në to, arabët paraqiten si njerëz frikacakë e dembelë (që janë të gatshëm të ta punojnë pas kurrizit), naivë në kulm, fanatikë dhe të fiksuar pas seksit. Sheikët arabë janë të rrethuar nga femra gjysëm të zhveshura, tek pushojnë afër puseve të tyre të naftës, një panoramë kjo përçmuese, që sidoqoftë ushqen dëshirat e fshehura të shikuesit perëndimor.

Sa herë që Islami trajtohet në mënyrë konkrete në filma të tillë, ajo përshkruhet si fe teveqelash, pa natyrë shpirtërore. Falja kryhet si ushtrim fizik, Ramazani konsiderohet si një periudhë e orgjive të natës, ndërsa peligrinazhi një adet absurd pagan.

Mjerisht, kjo formë anti-semitizmi nuk është aspak tabu në Evropë dhe SHBA. Është e vërtetë që kemi pasur personalitete siç ishte Johan Volfgang Gëte, i cili me simpati, është përpjekur të dijë më tepër për Islamin. Por, në tërësi, shumë nga orientalistët dhe islamologët perëndimorë deri kohët e fundit, duket se e kanë studiuar degën e tyre me përçmim, shpesh duke e përdorur dijen si armë për interesat e depërtimit kolonizues në botën muslimane.

 

     5. Meraku me turqit

Në mesjetë, evropianët nuk e lidhnin aq shumë Islamin me arabët sesa me turqit. Disa nga përkthimet e para të Kur’anit në gjuhët evropiane, e prezantuan atë si “Kodi i plotë turk”[10] ose “Bibla turke”.[11]

Është e rëndësishme ta dimë një fakt të tillë, sepse sulltanët osmanë kishin një zakon të organizimit të një fushate kundër Perandorisë Gjermane çdo dy vjet. Ata nuk arritën ta pushtojnë kurrë Vjenën, por kalorësia e tyre hyri në Bavari. Me pak fjalë, deri 250 vjet më parë, kërcënimi turk ka qenë një realitet konstant për Evropën.

Sot, punëtorët turq nuk e mësyjnë kufirin austriak me armatime, harqe dhe shigjeta, por me viza dhe leje punësimi. Megjithatë, ata hasen me reagimet e shkaktuara nga frika e agresionit turk, që i ka rrënjët shumë vite më përpara. Me vizat e tyre, ata jo vetëm që shkojnë në Vjenë, por edhe në Berlin. Numri i tyre është aq i madh, saqë naivët e Gjermanisë dhe të Beneluksit, fillojnë të shqetësohen nëse do të mund të jetojnë sipas traditës së tyre, pa pasur nevojë të mësojnë gjuhën turke. S’është për t’u habitur! Reagimi i tyre është emocional, në veçanti kundër njerëzve që nuk pranojnë të pijnë alkool. Njerëz të tillë janë fanatikë në njëfarë mënyre, apo jo?

Problemi i minoriteteve të mëdha në Evropë, u bë edhe më i mprehtë, kur ato filluan të përfaqësojnë fenë më të keqkuptuar nga të gjitha: Islamin. Kur flasim për “përfaqësim”, nuk duam të themi se punëtorët turq nga Deti i Zi apo Anadolli Lindor janë të gjithë të aftë për t’ua përshkruar dhe shpjeguar Islamin fqinjëve të tyre gjermanë dhe belgë. Përkundrazi, për shumë prej tyre, Islami bëhet i rëndësishëm vetëm kur ata vijnë në Evropë, si pjesë e identitetit të tyre dhe si një reagim krenar ndaj diskriminimit.

E gjitha kjo çon në më shumë ndarje dhe përplasje. Në të vërtetë, duhet ta pranojmë se mundësia e evropianëve për të jetuar afër muslimanëve, nuk i ka zhdukur paragjykimet ekzistuese kundër Islamit; madje shpesh, kjo bashkëjetesë ka bërë që këto paragjykime të shtohen edhe më shumë.

Rritja e vetëdijes dhe e aktivitetit islam të punëtorëve të huaj në Evropë dhe ri-islamizimi i tyre aty, jo vetëm që e ka kthyer procesin e integrimit në iluzion, por ndoshta e ka bindur pjesën më të madhe të evropianëve se këta njerëz të çuditshëm, janë të tillë, pikërisht sepse janë muslimanë. Kam frikë se njeriu i zakonshëm evropian mendon tashmë, se këta marokenë, algjerianë, tunizianë dhe turq, nuk i përshtaten Evropës. Qeveritarët nuk do ta thonë kurrë këtë, por a mund të jemi të sigurtë se nuk i mendojnë gjërat në të njëjtën mënyrë?

Përsa i përket integrimit të vërtetë, evropianët nuk u treguan edhe aq të gjindshëm kur i bënë thirrje popullsisë emigrante muslimane në Angli, Francë dhe Gjermani, që të bëheshin “muslimanë modernë” apo të praktikonin një “Islam evropian”. Ky sllogan, i propaganduar nga të ashtuquajturit “muslimanë me kulturë”, si Prof. Basam Tibi, përfshin muslimanët që kanë marrë shumë nga Evropa, por krejt pak nga Islami.

Disa zyrtarë të partive gjermane, kanë arritur deri aty sa t’i prezantojnë alevitë vendorë, si model të Islamit të përshtatshëm dhe të padëmshëm. Njerëzit që nuk ndërtojnë xhamia, që nuk falen, që nuk agjërojnë gjatë orëve të punës, që nuk mbulohen dhe që nuk shkojnë në pelegrinazh, por që pijnë verë dhe birrë, mund të integrohen pa asnjë lloj problemi. Është e kotë të thuhet se sugjerime të tilla nuk i kanë pakësuar, por i kanë shtuar edhe më tepër përplasjet në Gjermani (midis vetë turqve dhe midis turqve e gjermanëve).

Media i ka përkeqësuar gjërat më shumë, duke lënë të kuptohet se rritja e shpejtë dhe rishfaqja e Islamit, rigjallërimi i tij kudo, po i bën dëm Evropës. Kështu, evropianët ndihen të kërcënuar personalisht sa herë që lëvizjet muslimane, qofshin këto në Algjeri, Tunizi, Egjipt, apo në ndonjë vend tjetër, sfidojnë legjitimitetin e qeverive të tyre.

Ata nuk e kuptojnë (dhe kjo është diçka e tmerrshme), se thuajse kudo, të rinjtë muslimanë po kërkojnë vendosjen e demokracisë islame.

Pavarësisht ndonjë retorike të rastësishme anti-perëndimore, këto lëvizje janë të interesuara vetëm për reformat në vendet e tyre. Më shumë sesa të përgatisin ndonjë sulm kundër Evropës, udhëheqësit e këtyre lëvizjeve e vlerësojnë Evropën për normat e saj, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për lirinë e shtypit dhe të fesë. Në të vërtetë, të rinjtë muslimanë po përpiqen të praktikojnë në vendet e tyre, atë çfarë kanë mësuar në Evropë.

Retorika anti-perëndimore do të bëhet edhe më e fortë kur të rinjtë muslimanë të botës islame, do ta kuptojnë se organizma të tilla si “Green Peace” apo “Amnesty International”, shqetësohen më shumë të mbrojnë balenat dhe të lirojnë të burgosurit në Kinë, sesa të ndihmojnë muslimanët e Bosnjës (apo të burgosurit politikë nëpër vendet muslimane).

 

III.

 

Pasojat e këtij mentaliteti evropian kanë një ndikim të madh dhe serioz në botën muslimane.

Siç u provua edhe në Bosnjë, propaganda anti-muslimane mund të nxisë luftën fetare. Agresorët serbë nuk u quajtën kristianë, por viktimat ishin muslimanë dhe u persekutuan pikërisht për këtë shkak, dhe jo për ndonjë arsye tjetër etnike, gjuhësore apo historike.

Ndonjëri mund të thotë se pasiviteti i Perëndimit gjatë viteve të luftës në Bosnjë, duke qëndruar i mënjanuar me “ndihmat humanitare” ndërkohë që ndodhnin masakra, nuk ka aspak lidhje me paragjykimet fetare. Në fakt, egoizmi dhe prishja morale, mund të shpjegojë mjaftueshëm refuzimin perëndimor për të ndërmarrë veprime konkrete. Perëndimi reagoi si në vitin 1453, gjatë rrethimit të Kostandinopojës nga Sulltan Mehmeti II. Fatihu. Siç është shprehur Stiven Runciman[12], Vatikani, Venediku, Franca dhe Anglia e asaj kohe, e justifikuan mosveprimin e tyre siç bënë edhe vendet e NATO-s me Bosnjën 500 vjet më vonë.

Megjithatë, në vitin 1453, vendimet e marra patën edhe motive fetare: sipas këndvështrimit të Romës, bizantinët greko-ortodoksë ishin heretikë dhe nuk pranonin të ribashkoheshin me Kishën Katolike. Atëherë, a duheshin shpëtuar nga sundimi turk ata njerëz që meritonin ferrin?!

Edhe në Bosnjë, qëndrimi negativ evropian ndaj Islamit, luajti një rol të rëndësishëm. A nuk mund ta imagjinoni se si mund të reagonin NATO-ja dhe fuqitë e mëdha në rast se serbët do të ishin muslimanë dhe boshnjakët kristianë? S’ka dyshim se nëse gjërat do të ishin ashtu, Perëndimi do të kishte ndërhyrë që në fillim, në emër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të ruajtjes së trashëgimisë njerëzore evropiane.

Bombardimi i pozicioneve serbe nga ana e NATO-s, nuk duhet të na duket ndonjë akt i madh human. Perëndimi nuk veproi sepse u shqetësua për muslimanët, por sepse u zemërua me popullin serb, të cilët madje arritën të refuzojnë një marrëveshje perëndimore, të hartuar në favor të tyre.

Kostandinopojë 1453, Sarajevë 1993. E çfarë tjetër duhet pritur nga qëndrimi negativ evropian ndaj Islamit?

Një qëndrim i tillë kushtëzon reagimin evropian për luftën në Algjeri dhe Çeçeni. Në Parlamentin Evropian, ky qëndrim mund të jetë vendimtar për pranimin e Turqisë në Bashkimin Evropian. Padyshim, qëndrimi negativ ndaj Islamit mbizotëron politikën perëndimore (veçanërisht atë amerikane) dhe atë të Lindjes së Mesme e të Afërt.

 

IV.

 

Diçka duhet bërë për ta ndryshuar këtë situatë, por çfarë? Përplasja midis Evropës dhe botës muslimane mund të jetë shkatërrimtare dhe duhet shmangur me çdo kusht.

Atëherë, si i bëhet? A duhet të emigrojnë muslimanët nga Evropa? Për ku? Jo, kjo nuk është zgjidhje e problemit! Ekziston vetëm një reagim i arsyeshëm për situatën në fjalë: Të gjithë ne duhet të përpiqemi gradualisht për të rimodeluar qëndrimin perëndimor ndaj Islamit. Sigurisht, një gjë e tillë është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Për ta realizuar këtë, duhet që muslimanët të jetojnë si të tillë, duke u dhënë vendin që u takon anës shpirtërore, tolerancës dhe virtyteve të tjera.

Të dyja palët duhet të shfrytëzojnë mundësitë për një dialog serioz dhe të ndershëm, veçanërisht ndërmjet partive politike, medias, universiteteve dhe institucioneve fetare.

Sidoqoftë, qëllimi final i këtij dialogu të shumëfishtë, duhet të jetë më shumë sesa vetëm shfaqja e tolerancës. Ashtu siç është shprehur edhe Gëte: “Toleranca duhet të jetë vetëm një qëndrim kalimtar që të çon drejt pranimit të tjetrit”.[13]

 

Përktheu nga gjuha angleze: Klodiana SMAJLAJ

 

*Ky artikull është botuar në revistën “URA”, nr. 2, Pranverë-Verë, Tiranë 2009, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com 

[1] Christa Mulack, “Auf den Spuren der Göttin”, Marl 1992.

[2] “Jeder soll nach seiner Facon seling werden!”.

[3] Annemarie Schimmel, “Und Muhammad ist Sein Prophet”, Mynih 1981, f. 7.

[4] Kjo përpjekje mbaroi në vitin 1578 me betejën e “Tre mbretërve” afër Ksar el-Kabir në Marok, ku Sebastiao u vra.

[5] Francis Fukuyama, “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit”, New York 1993.

[6] Samuel Huntington, “Përplasja e qytetërimeve”, Marrëdhëniet me jashtë, vëll. 72, Nr. 3, Verë 1993.

[7] Murad Wilfried Hofmann “Der Islam als Alternative”, botimi i dytë, München 1993. Botimi anglisht “Reading”, 1993.

[8] Edward Said, “Orientalizmi”, New York, 1979.

[9] “Işik doğudan yükselir”

[10] Johann Lange, Vollständiges türkisches Gesetzbuch oder… Mahomets Alkoran, Hamburg, 1688.

[11] David Friedrich Megerlin, Die türkische Bibel, Frankfurt, 1772.

[12] Steven Runciman, Rënia e Kostandinopojës 1453, Londër 1964.

[13] Maximen & Reflexionen, Nr. 121: “Toleranz sollte eigentlich nur eine vorübergehende Gesinnung sein: sie muß zur Anerkennung führen”.

Kategori: Europa dhe Islami
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: