Njohuri të përgjithshme mbi gjuhën arabe

Mr. Azem XHELADINI*

 

NJOHURI TË PËRGJITHSHME MBI GJUHËN ARABE**

Azem Xheladini

Azem Xheladini

Gjurmët e para të shkruara në arabisht që janë hasur deri më tani janë:

– mbishkrimi i Nemarës i gjetur mbi varrin e poetit para-islam Imru’ul Kajs[1], në vendin Hūrān[2], i cili na kthen në vitin 328 e.r.[3] ndërsa sipas një burimi tjetër në vitin 228 e.r.[4]. Arabët si popull nga sa dimë deri më sot për herë të parë janë përmendur në shkrimet asiriane në shekullin e shtatë p.e.r. me rastin e përleshjes së fiseve arabe, të cilat ishin në aleancë me mbretërit dhe udhëheqësit e Sirisë arameje, për t’i bërë ballë ushtrisë asiriane e cila ngadhënjeu nën drejtimin e Selmansarit të dytë në vitin 853 p.e.r.[5].

 

Shkollat më të njohura gjuhësore të gjuhës arabe

Ndër shkollat më të njohura gjuhësore të cilat ndikuan në zhvillimin e gjuhës arabe janë: shkolla e Basras, e Kufes, e Bagdadit dhe e Andaluzisë.

Shkolla e Basras dhe shkolla e Kufes

Edhe pse Ebu Esvedi lindi në Kufe, ai u rrit dhe u arsimua në Basra. Po ashtu, në Basra, ai vuri themelet e gramatikës së tij, si edhe nxënësit e tij ishin nga aty. Prandaj, edhe gramatika e pati fillimin pikërisht aty, duke u bartur nga ligjërata në ligjëratë deri në kohën e Halil bin Ahmed el-Ferahidit, i cili i grumbulloi të gjitha pjesët e shpërndara dhe renditi rregullat dhe çështjet e gramatikës, ndau kapitujt dhe ia ofroi Sibevejhit (i cili ishte nxënësi më i zgjuar i tij, më i zellshmi dhe më i interesuari), që ta tubojë tërë këtë në një libër, gjë të cilën e bëri duke përdorur të gjithë dijen, shkathtësinë dhe mjeshtërinë e tij.

Disa dijetarë të Basras kaluan në Kufe duke e marrë Kufen si vendqëndrim. Aty filluan të mësojnë gramatikën dhe ta përhapin në popull. Ndër më të njohurit ishin Abdurrahman et-Temimi (…–164 h.), pastaj Ebu Xha’fer er-Rru’asi si dhe xhaxhai i tij Muadh bin Muslim el-Herra’i, hartuesi i  morfologjisë arabe. Nxënësi  më i njohur i cili i mori mësimet prej tyre ishte Ali bin Hamza el-Kesaai, i cili mori pjesë në disa ligjërata të cilat i mbante Halili. Aliu konsiderohet te pasuesit e shkollës së Kufes sikurse Halili te pasuesit e shkollës së Basras. Me punën e tij u dallua gramatika e Kufes nga ajo e Basras dhe filluan diskutimet mes dy drejtimeve. Si libri i parë i shkruar për gjuhën arabe përmendet fletushka e Ebu Esvedit me titull Et-ta’likah التعليقة e cila përfshin disa rregulla të drejtshkrimit dhe fjalëformimit[6]. Lbri“El-Kitabu“ i Sibevejhit (gramatika e parë, A. Xh.), konsiderohet libri më i njohur që është shkruar ndonjëherë për gjuhën arabe[7].

Shkolla e Bagdadit dhe shkolla e Andaluzisë

Me themelimin e Bagdadit, dhe me kalimin e rezidencës së halifatit mori hov edhe zhvillimi i letërsisë arabe. Pasuesit e shkollës së Kufes ishin më afër Bagdadit si nga pozita politike ashtu edhe nga pozita gjeografike, prandaj edhe dijetarët e Kufes mundësitë e komunikimit i kishin më të mëdha si me udhëheqjen e halifatit ashtu edhe me ligjëratat e ndryshme të cilat mbaheshin.

Kesa’iu kishte pozitë të lartë te Harun err-Rrashidi, ndërsa nxënësi i tij Jahja bin Zijad el-Ferra’i kishte një vend të veçantë në Dar al-Hikmeh (Shtëpia e Urtësisë – kështu quhej institucioni i cili tubonte dijetarët rreth vetes). Ndërsa Me’muni i caktoi Ferra’it një pozitë të veçantë dhe i caktoi atij njerëz të cilët do të merreshin me plotësimin e të gjitha nevojave të tij. Po ashtu i caktoi atij sekretarë të cilët do të angazhoheshin me shkrimin e mësimeve të tij, dhe sekretarë të tjerë të cilët do të merreshin me të gjitha nevojat e tij. Pastaj e urdhëroi që të grumbullojë bazat e gramatikës dhe atë që dëgjon nga thesari gojor arab. Sekretarët e tij shkruanin krejt atë që dëgjonin nga ai përderisa plotësoi renditjen e librit të tij të njohur me emrin الحدود  al- Hudud (Përkufizimet).

Nga këta pasues të shkollës së Kufes doli një grup dijetarësh nga Bagdadi, të cilët ndoqën mësimet e tyre dhe madje u thelluan dhe u zgjeruan edhe më tepër në hulumtimin e gramatikës e vende-vende edhe të segmenteve të parëndësishme të saj, sa që u larguan nga metodologjia e shkollës së mësuesve të tyre dhe u dalluan nga mësuesit e tyre. Kjo u njoh me emrin shkolla e Bagdadit.

Kështu u shtuan studimet e ndryshme për këtë lëmë dhe u shtuan edhe studimet për të, saqë kishte nga ato të cilat ishin gjithëpërfshirëse, e krahas saj kishte të tilla të cilat kishin vetëm nga një kapitull ose pak kapituj, të cilët trajtonin probleme të kufizuara. Në këtë mënyrë u shtua edhe mbështetja ose refuzimi i ndonjë qëndrimi dhe filloi edhe diskutimi mes shkollës së Kufes, Basras dhe Bagdadit.

Krahas këtij diskutimi në lindje ku u përzien e dobishmja me të tepërtën, filloi të marrë hov edhe ngritja e shtetit të Andaluzisë e krahas shtetit ngrihej dalëngadalë edhe një shkollë e re në këtë lëmë.

Interesimi i madh i sundimtarëve të Andaluzisë për dijen dhe mallëngjimi për vendlindjen e tyre i bëri këta dijetarë që të kujdesen për gjuhën e tyre, dhe si rezultat i kësaj filluan edhe ata të ndjekin se çfarë ndodhte në lindje. Kështu ata filluan në disa çështje të përkrahin një shkollë e në disa tjetrën, dhe duke përkrahur e refuzuar në vende të ndryshme shkollat ekzistuese u paraqit shkolla e katërt në këtë lëmë, shkolla e Andaluzisë. Ata përkrahnin kryesisht shkollën e Basras, mirëpo jo në tërësi.

Nga sa u përmend më lart mund të vërejmë se shkolla e Kufes dhe e Basras janë dy shkolla kryesore ndërsa ajo e Bagdadit dhe e Andaluzisë mund të konsiderohen vetëm si zhvillim i mëtejmë i këtyre dy shkollave.

Ajo që e dallon shkollën e Basras është se ata rregullat e tyre i bazojnë në thesarin gojor arab, e në rast se diçka nuk përputhet me të, atëherë ose e kthejnë dhe hulumtojnë për burimin e saj ose e flakin si gabim i përhapur në popull.

Ndërsa shkolla e Kufes ndërtimin e rregullave e mbështet vetëm në atë që dëgjon nga thesari arab duke mos hulumtuar për t’i gjetur ndonjë mangësi. Pasuesit e shkollës së Basras janë shumë të rreptë në transmetimin e thesarit popullor, ndërsa ata të Kufes nuk janë aq të ngurtë, prandaj vështirë se mund të gjejmë ndonjë rast kur një pasues i shkollës së Basras të transmetojë diçka nga thesari që e ka dëgjuar nga ndonjë i Kufes, me përjashtim nga Ebi Zejd el-Ensari, dhe thonë se e transmetojnë nga ai për shkak të besnikërisë së tij.

Nga sa përmendëm vërejmë se Shkolla e Basras është më e rreptë në rregullat e saj dhe më e saktë në përcaktimet e saj, ndërsa shkolla e Kufes është më e përhapur në popull dhe ka më shumë ilustrime me shembuj.

Alfabeti arab

Alfabeti i arabishtes, është paksa i ngatërruar, meqë zanoret e shkurtra nuk paraqiten në formë të shkruar ndërsa të gjatat paraqiten, prandaj lexuesi duhet të ketë njohuri mbi gjuhën arabe, që të mund të lexojë edhe zanoret. Megjithatë, në botimet e tekstit të Kur’anit dhe në tekstet mësimore për fillestarë shenjat që tregojnë zanore – ato paraqiten të shkruara, po ashtu krahas këtyre shenjave paraqiten edhe shenja të tjera të cilat tregojnë se kur shkronja është sukun (e heshtur) – pa zanore ose shenja shedde (e dyfishimit) – përsëritjes të së njëjtës shkronjë, si dhe shenja medd (zgjatjes së shkronjës).

Emërtimet e shkronjave arabe mendohet se janë një përmbledhje e një versioni të mëhershëm ku emrat e shkronjave tregojnë kuptime të caktuara të disa fjalëve në gjuhët proto-semitike.

Ka dy radhitje të shkronjave arabe:

1. Radhitja origjinale ebxhed (ABeCeD), e cila rrjedh nga radhitja e alfabetit fenikas, ashtu siç ka edhe radhitje të tjera që i ngjajnë kësaj radhitjeje – të dala nga kjo, siç është alfabeti latin.

2. Radhitja Hixhaa’i هجائى – standarde e cila përdoret sot dhe që paraqitet në tabelën në vijim, është radhitja ku shkronjat janë të grupuara sipas paraqitjes së formës së tyre të shkruar.

Radhitja e veçantë sipas ABeCe-së është bërë duke i renditur të 28 shkronjat arabe sikur të ishin një fjali, duke vënë fillimisht 22 shkronjat e alfabetit aramaik sipas radhitjes së alfabetit të vjetër fenikas, duke lënë në fund 6 shkronjat e mbetura të arabishtes.

Fjalia më e përhapur sipas ABeCe-së paraqitet si vijon:

أ‎

ب‎

ج‎

د‎

ﻫ‎

و‎

ز‎

ح‎

ط‎

ي‎

ك‎

ل‎

م‎

ن‎

س‎

ع‎

ف‎

ص‎

ق‎

ر‎

ش‎

ت‎

ث‎

خ‎

ذ‎

ض‎

ظ‎

غ‎

ʼ

B

ǧ

d

h

ë

z

Y

k

l

m

N

s

ʻ

f

q

r

š

T

ġ

Kjo radhitje vokalizohet (bëhet me zanore) si vijon:

ʼabǧad haëëaz ḥuṭṭī kalaman saʻfaṣ qarašat ṯaḫaḏ ḍaẓaġ.

Shënime të rëndësishme:

Fjalët arabe shkruhen në vijë horizontale nga e djathta në të majtë, ndërsa numrat nga e majta në të djathtë po ashtu në vijë horizontale. Shumica e shkronjave arabe e ndryshojnë pjesërisht formën e tyre grafike varësisht nga pozicioni i tyre në fjalë, d.m.th. nëse fjala fillon me shkronjën përkatëse, nëse shkronja ndodhet në mes të fjalës, ose nëse ndodhet në fund të fjalës ose nëse qëndronvetëm, pa u lidhur me shkronjën pranë saj. 22 shkronja lidhen edhe me shkronjën paraprake edhe me shkronjën që vjen pas saj, ndërsa 6 shkronja (elif, d,dh, r, z, dhe ë) lidhen vetëm me shkronjën që i paraprin e nuk lidhen pas vetes.

Shkronjat arabe nuk dallojnë grafikisht në shkrimin e dorës ose të shtypit. Përjashtim bëjnë vetëm fjalëkryqet të cilët shkruhen edhe vertikalisht dhe shkruhen shkronjat të ndara nga njëra-tjetra.

Zanoret e gjata (a:), (i:), dhe (u:), paraqiten përmes shkronjave elif, ja dhe waw.

Shenjat diakritike për zanoret e shkurtra dhe shenja të tjera të veçanta shfaqen vetëm në Kur’an. Këto shenja gjejnë përdorim edhe pse më pak edhe në libra të tjerë fetarë, në poezinë klasike, në tekste shkollore për fillestarë, dhe në rastet e teksteve të ndërlikuar për të shmangur leximin e gabuar. Nganjëherë shenjat diakritike i hasim edhe për qëllime dekorative në titujt e librave, emërtimet e firmave, tabelat e emërtimeve të vendbanimeve të ndryshme, etj.

Radhitja e fjalëve

Radhitja e fjalëve në gjuhët semite është: folje-subjekt-objekt (FSO), i poseduar-posedues (lidhje gjenitive), emër-mbiemër. Ky fenomen vihet re si në arabishten klasike ashtu edhe në atë bashkëkohore. P.sh. ra’a Muhammedun Feriiden – ka parë Muhammedi Feridin; daru Se’iidin – shtëpia e Seidit; es-saa’atu ghaalijetun – ora është e shtrenjtë.

Pjesët e ligjëratës në gjuhën arabe

Pjesët e ligjëratës në gjuhën arabe ndahen në tre grupe të përgjithshme: emër, folje dhe pjesëz. Studiuesit e ndryshëm i kanë përcaktuar në këtë mënyrë:

Emër – Çdo fjalë me të cilin emërtohet një njeri, kafshë, bimë ose gjësende të natyrës apo çfarëdo gjëje tjetër[8], p.sh.نهر  nehrun (lumë),ورد /werdun (trëndafil),قط  /kittun (mace)  ولد  / weledun(fëmijë), etj.

Folje – Çdo fjalë që tregon ndodhjen e një veprimi në kohë të caktuar [9],p.sh. استقم / istekim –qëndro), شكر /shekere – falënderoi), etj.[10]

Pjesëz – Çdo fjalë e cila nuk ka kuptim vetvetiu, pos kur bashkëngjitet me një fjalë tjetër[11], p.sh.أو /ew- ose; هل /hel-A?; لم /lem – S’; من / min – prej, nga etj. [12]

–  I –  Pjesët e ndryshueshme të ligjëratës në gjuhën arabe:

Kategoria e emrave:

Nën kategorinë e emrave hyjnë:

1.1. Emrat (el-Esma’u)

1.2. Mbiemra (es-Sifatu)

1.3. Përemrat (ed-Dama’iru) dhe përfshijnë:

– Përemrat vetorë (ed-Dama’iru)

– Përemrat dëftorë (Esma’ul Ishareti)

– Përemrat lidhorë (Ismul Mewsuuli)

– Përemrat pyetës (Ismul Istifhaami)

1.4. Numërorët (el-Adedu)

1.1. Emrat (el Esma’u) – p.sh (Muhamedun, daarun, ‘ilmun, el-Kahiretu) etj. Emrat mund të jenë:

a) Emrat konkretë janë: (daarun, kitabun, hakiibetun) dhe në gjuhën arabe quhen (ismu ‘ajnin).

b) Emrat abstrakt janë: (hubbun, ‘ilmun, ferehun) dhe në gjuhën arabe quhen  (ismu ma’nen).

Emrat konkretë ndahen në:

Emra të përgjithshëm/rexhulun – njeri; Emra të përveçëm/Muhammedun – Muhammedi, Emra përmbledhës (kolektivë)/sha’run  – flokë.

Veçoritë gramatikore të emrit në gjuhën arabe

Në gjuhën arabe emri ka këto veçori: gjininë: mashkullore dhe femërore; numrin: njëjës, dysi dhe shumës; trajtën: i shquar apo i pashquar; rasën: emërore, gjinore, dhe kallëzore; zvogëlimin –(diminutivi – emër i zvogëluar/i përkëdhelur).

Gjinia – Emri për nga gjinia mund të jetë: a) i gjinisë mashkullore dhe b) i gjinisë femërore.

Emra të gjinisë mashkullore – janë të gjithë emrat që tregojnë gjininë mashkullore, qofshin njerëz ose gjallesa të tjera si [13] (gulamun – djalosh, thu’lubaanun – dhelprak) etj.

Emra të gjinisë femërore – janë të gjithë emrat që tregojnë gjininë femërore, qofshin njerëz ose gjallesa të tjera si [14] (bintun – vajzë, etaanun – budallaqe).

Ndërsa sa u përket sendeve të tjera të cilat nuk kanë gjini mashkullore e as femërore, disa prej tyre, kur shoqërohen me mbiemra, përemra: lidhorë, dëftorë apo të përngjitur, konsiderohen figurativisht të gjinisë mashkullore ose femërore[15].

Numri – si kategori gramatikore në gjuhën arabe paraqitet tek emrat, mbiemrat, numërorët, përemrat dhe foljet. Gjuha arabe ka tre numra sipas të cilëve ndryshojnë pjesët e ndryshueshme të ligjëratës, njëjësin, dyjësin dhe shumësin. Sa i takon shumësit, gjuha arabe ka shumësin e rregullt (që formohet me mbaresat standarde) dhe shumësin e parregullt (ku emri pëson ndryshime në bashkëtingëlloret e rrënjës për të formuar këtë shumës). Edhe formimi i shumësit të parregullt ka rregulla të veçanta. Veta e parë (te përemrat dhe foljet) ka formë të përbashkët për të dyja gjinitë dhe nuk ka formë të dyjësit, ndërsa formimi i dyjësit dhe shumësit bëhet për secilën gjini me ndryshime të veçanta që i pëson emri. Po ashtu edhe mbiemrat, përemrat dhe foljet dallojnë në dyjës dhe shumës për gjininë mashkullore dhe femërore. p.sh.

Nj.m.              nj.f.            dy. m.           dy. f.                  sh.m.               sh. f.                 sh. parregullt

Taalibun   talibetun  taalibaani  taalibetaani   taalibuune   taalibaatun  talebetun, tul-laabun

student      studente   dy studentë            dy studente    studentë        studente        studentë-e (m.+f.) 

a) njëjësi i emrit në gjuhën arabe – Numri njëjës në gjuhën arabe merret si bazë për formimin e dyjësit dhe shumësit. Në numrin njëjës po përmendim emrat: kitaabut-talibi – libri i studentit, kul-lijjetut-tibbi – fakulteti i mjekësisë, etj.

b) dyjësi i emrit në gjuhën arabe – Dyjësi i emrit në gjuhën arabe shërben për të treguar dy frymorë a sende dhe ndërtohet nga njëjësi – pasi t’i heqim nunacionin – duke ia shtuar emrit për gjininë mashkullore mbaresën -ani, për rasën emërore dhe mbaresën -ejni, për gjinore dhe kallëzore, ndërsa për gjininë femërore pasi mbaresa -t – karakteristike për gjininë femërore shndërrohet në -t (të gjatë) pastaj shtohen të njëjtat mbaresa si te gjinia mashkullore, p.sh. kalemaani tawiilaani – dy lapsa të gjatë; medresetaani xhediidetani – dy shkolla të reja.

c) shumësi i emrit në gjuhën arabe – shërben për të treguar tre e më tepër frymorë a sende dhe ndërtohet në dy mënyra: 1. Në mënyrë të rregullt dhe quhet shumës i rregullt; dhe 2. Në mënyrë të parregullt dhe quhet shumës i parregullt.[16] 

c) 1. shumësi i rregullt

c) 1. 1. i gjinisë mashkullore – xhem’ul mudhekkeris – Salimu. Quhet kështu ngase ndërtohet prej njëjësit pa cenuar rrënjën e emrit – (vetëm me mbaresa). Shërben për të treguar shumësin e frymorëve mendorë, që kuptojnë[17], ose cilësive të tyre[18].

c) 1. 2. i gjinisë femërore – xhem’ul muennethis – Salimu – Ndërtohet nga njëjësi duke i shtuar para ـة  t-së së fundit të gjinisë femërore një elif dhe duke e shndërruar – t-në e rrumbullakët në[19] t- të gjatë, kështu në rasën emërore mbaresa e gjinisë femërore del -ātun, ndërsa për rasën gjinore dhe akuzativ del -ātin.

c) 2. Shumësi i parregullt – xhem’u-t-teksiiri. Është shumësi i cili tregon mbi dy emërtime[20] dhe quhet shumës i parregullt sepse ndërtohet nga njëjësi duke ia ndryshuar formën në rrënjë të emrit[21]. Shumësi i parregullt shërben për të ndërtuar shumësin e qenieve mendore si dhe të emërtimeve të tjera, qofshin ato të gjinisë mashkullore ose femërore[22].

Trajta e emrit

Emri në gjuhën arabe del në trajtën e shquar dhe atë të pashquar. Veçori e trajtës së pashquar është nunëzimi-nunacioni (mbyllja e emrit me shkronjën -n). Emri bëhet i shquar me ndihmën e nyjës shquese el- e cila nëse emri fillon me ndonjërën nga shkronjat e hënës, (elif, b, xh, h, kh, ‘a, gh, f, q, k, m, ë, h, j), në këtë rast lexohet, e nëse emri fillon me ndonjërën nga shkronjat e diellit (t, th, d, dh, r, z, s, sh, S, D, T, DH, l, n,) në këtë rast nyja shquese nuk lexohet, por shkronja e parë (me të cilën fillon emri) dyfishohet, p.sh. kitaabun – (ndonjë libër) – el-kitaabu (libri); dersun (mësim) – ed-dersu (mësimi). Emri është i shquar edhe nëse është emër i përveçëm ose vjen në lidhje gjinore, p.sh. Mekketu (Mekka); kitaabu Zejdin (libri i Zejdit).

Rasat e emrit

Emri në arabishte del në tri rasa: emërore, kallëzore dhe gjinore, me mbaresat rasore -u, -a, -e, -i. p.sh. ketebe ‘ahmedu risalete-sh-shukri (ka shkruar Ahmedi letër falënderimi).

1.2. Mbiemrat – es-sifatu. Janë pjesë të ndryshueshme të ligjëratës që tregojnë ndonjë cilësi të personave ose sendeve[23]. Sikur emri, edhe mbiemri i nënshtrohet formulës (paradigmës) unike të gjuhës arabe F-‘A-L [24]; p.sh. saghiirun – i vogël, xhemiilun – i bukur, ahmeru – i kuq, etj. Mbiemri ashtu sikurse emri ndryshon në gjini, numër, rasë dhe trajtë, por përveç kësaj mund edhe të krahasohet nëpër shkallë të mbiemrit. Mbiemri në gjuhën arabe mund të vijë në rolin e cilësorit ose kallëzuesit.

Krahasimi i mbiemrit – ismu-t-tafdiili

Mbiemri në gjuhën arabe krahasohet në tri shkallë: pohore (pozitiv), krahasore (komparativ) dhe sipërore (superlativ)[25].

1.3. Përemrat – ed-Damaairu – Për dallim nga gjuha shqipe, në gjuhën arabe edhe përemri ka dyjësin, dhe bën dallim edhe në dyjës për gjininë mashkullore dhe gjininë femërore edhe në vetën e dytë dyjës dhe shumës[26]. Përemrat në gjuhën arabe janë: 1.3.1. – Përemrat vetorë – ed-Damaairu 1.3.2. – Përemri dëftor – ismul ishaareti 1.3.3. – Përemri lidhor – ismul mewsuuli 1.3.4. – Përemri pyetës – ismul istifhaami.

1.3.1. – Përemrat vetorë – ed-Damāiru,

Përemrat vetorë ndahen në: 1. Përemra të mëvetësishëm ose të pavarur ed-Damāir el-munfasiletu të cilët mund të shqiptohen më vete[27], p.sh. ente – ti (m.), enti – ti (f.) entum – ju (m.) entunne – ju (f.) nahnu – ne hum – ata, hunne – ato, etj. dhe 2. Përemra të ngjitur ed-Damāir el-muttasiletu të cilët nuk japin kuptim si të pavarur, p.sh. ketebet ka shkruar (ajo), ketebte – ke shkruar (ti, m.),ketebti – ke shkruar (ti, f.), ketebtu – kam shkruar (unë), etj[28].

1.3.2. – Përemri dëftor – ismul ishāreti – Tregon një frymor ose send a objekt të caktuar përmes shënjimit në drejtim të tij[29]. Për nga afërsia e emrit të treguar gjuha arabe ka dëftorët e afërt dhe të largët.

1.3.3. – Përemri lidhor – ismul mewsuuli. Edhe këta përemra kanë forma të veçanta për njëjësin, dyjësin dhe shumësin; për mashkullore dhe femërore; për emërore, gjinore e kallëzore. Ata janë: el-ledhii, el-letii, el-ledhaani, el-letaani, el-ledhiine, el-laatii, el-laa’ii, el-lewaa’ii, el-lewaatii, el-ulii[30]. Për gjinore dhe kallëzore formë të veçantë kanë përemrat e dyjësit.

1.3.4. – Përemri pyetës – ismul istifhaami – Në gjuhën arabe shërbejnë për të ndërtuar fjali pyetëse[31]. Më shpesh në rolin e përemrit pyetës paraqiten format men – kush/cili, ose men dhaa – cili, maa ose maa dhaa – çfarë dhe ejju ose ejjetu – cili/cila. Ka edhe disa pjesëza të tjera të cilat paraqiten për të formuar fjali pyetëse dhe shërbejnë si përemra pyetës.

1.4. Numërorët – el-a’daadu – Në gjuhën arabe ndahen në numërorë themelorë dhe numërorë rreshtorë.

Numërorët themelorë – Rregull i veçantë për numërorët themelorë është mospërputhja në gjini me emrin ose antipolariteti[32]. P.sh. për emrat e gjinisë mashkullore numërori del me mbaresën e gjinisë femërore dhe anasjelltas. Ky rregull vlen për numërorët nga 3 deri më 9. Për shembull, thelaathetu rixhaalin – tre burra, thelaathu benaatin – tri vajza. Numri 1 dhe 2 kanë përdorim të rrallë me emra sepse në gjuhën arabe secili emër në trajtën e pashquar emërton një frymor a send në njëjës, ndërsa numri dy në gjuhën arabe shprehet me anë të dyjësit/dualit. Në arabishte të gjithë numrat kanë gjininë mashkullore dhe atë femërore, me përjashtim të dhjetësheve (20-90), qindësheve, mijësheve, etj.  Te këta numërorë (11-99) së pari vinë njëshet e pastaj dhjetëshet, p.sh. erbe’atun we thelaathuune – (katër e tridhjetë = tridhjetë e katër), gjinia mashkullore, seb’un we themaanuune (shtatë e tetëdhjetë = tetëdhjetë e shtatë), gjinia femërore etj. Numërorët themelorë të përbërë 13 -19 vijnë në rasën kallëzore, p.sh. erbe’ate ‘ashere – 14, gjinia mashkullore, erbe’a ‘asherete 14, gjinia femërore.[33]

Numërorët rreshtorë – Shërbejnë për të treguar radhën a renditjen e frymorëve a sendeve. Këta numërorë kanë veçori të mbiemrave[34]. Përjashtim nga ky rregull bën vetëm numërori i njëjësit el ewwelu – i pari / el eulaa e para i cili ka formë të veçantë për formimin e tij[35], ndërsa numërorët e tjerë dalin: eth-thaalithe ‘ashere – i trembëdhjeti, el-haamisete ‘ashrete – e pesëmbëdhjeta, etj. Edhe te këta numërorë, kur kemi të bëjmë me numërorë të përbërë (11-99) edhe këtu më parë vijnë njëshet, e pastaj përmenden dhjetëshet.

Numërorët shpërndarës – Edhe pse hyjnë në radhën e numërorëve, në gjuhën arabe janë të palakueshëm dhe dalin vetëm në formën e kallëzores. Për shembull, thulaathe – nga tre, methlethe –nga tre, humaase – nga pesë, mehmese – nga pesë, etj. Numërorët e formuar në këtë mënyrë nuk kanë forma të veçanta për gjininë mashkullore dhe gjininë femërore por janë të përbashkët për të dyja gjinitë[36].

Numërorët multiplikativë dhe thyesat

a) Numërorët multiplikativë përshkruajnë sa fish kryhet një veprim[37]. Ndërtohen me formulën مُفَعَّلٌ  p.sh. mufred – njëfish, muthennen – dyfish, museddesun – gjashtëfish, etj.

b) Thyesat tregojnë pjesë të një a më shumë njësive. Dalin me formulë fu’ulun ose fu’lun, për njëjësin dhe ef’aalun për shumësin, ndërsa dyjësin e ndërtojnë në formë të rregullt si emrat.

2. Folja

Në gjuhën arabe tregon ndodhjen e një veprimi në një kohë të caktuar[38].

Këtu do të përmendim vetëm disa ndarje në vija të përgjithshme, të cilat i bëhen foljes në gjuhën arabe.

Ndarja e parë që i bëhet foljes është ndarja në folje të parme – folje të llojit të parë – të pa zgjeruara, të pastra[39] (el-muxherr-rredu) dhe folje të zgjeruara (el-meziidu). Pastaj ndahen në folje të rregullta (es-Sahiihu) dhe folje të parregullta (el mu’tel-lu). Foljet e rregullta ndahen në tri nënndarje: a) të shëndosha (es-saalimu), folje të shtuara (el-muda’afu) – kur bashkëtingëllorja e fundit përsëritet, dhe folje të hemzuara (të cilat një nga tre bashkëtingëlloret e rrënjës e kanë hemze  أ el-mehmuuzu). Foljet e parregullta ndahen në katër nënndarje: a) folje të cilat bashkëtingëlloren e parë e kanë një nga shkronjat e dobëta dhe quhen el mithalu. b) folje të cilat bashkëtingëlloren e mesme e kanë një nga shkronjat e dobëta dhe quhen el exhwefu. c) folje të cilat bashkëtingëlloren e fundit e kanë një nga shkronjat e dobëta dhe quhen folje të gjymta en-naakisu. d) folje të cilat dy nga tre bashkëtingëlloret i kanë nga shkronjat e dobëta dhe quhen el-lefiifu.

Për nga rrënja e tyre foljet ndahen në folje me rrënjë me tre bashkëtingëllore eth-thulaathijjul muxher-rred dhe folje me rrënjë katër bashkëtingëllore err-rrubaa’ijjul muxher-rred (edhe pse ka përdorim të rrallë). Llojet e zgjeruara të foljeve quhen el meziidaatu. Kryesisht llojet e zgjeruara të foljeve ndërtohen nga tre konsonantëshi meqë katër konsonantëshi ka përdorim të rrallë, por megjithatë formulat morfologjike për ndërtimin e llojeve të zgjeruara nga këto folje ekzistojnë.

Sa i takon kohëve foljore, foljet ndryshojnë sipas perfektit (kohës së shkuar) – el-maadii dhe imperfektit (kohës së tashme dhe të ardhme) el mudaari’u.

Foljet tre konsonantike kanë gjashtë klasë ose zgjedhime si në tabelën më poshtë:

Nr.

Perfekti

Imperfekti

Shembull

1

فَعَلَ

يَفْعَلُ

جرح – فتح – ذهب – سعى – وضع – سأل

2

فَعَلَ

يَفْعِلُ

ضرب – جلس – وعد – باع – رمى – وقى

3

فَعَلَ

يَفْعُلُ

نصر – قعد – أخذ – غزا – مرّ – نكث

4

فَعِلَ

يَفْعَلُ

علم – فرح – وجل – يبس – خاف – رضى

5

فَعِلَ

يَفْعِلُ

جسب – وثق – ورث – ورع – وجد – ورم

6

فَعُلَ

يَفْعُلُ

حسن – شرف –  وسم – جرؤَ – لوم – ملح

Të gjitha foljet me rrënjë tre konsonantike i nënshtrohen njërës nga këta formula.

Nga foljet tre konsonantike ndërtohen edhe shumica e llojeve të zgjeruara të foljeve sipas formulave të caktuara, të cilat do ti paraqesim në tabelën më poshtë:

Rrënja e foljes

Shtesa

Ndryshimi që pëson

Forma pas ndryshimit

فعل

ع

Dyfishimi i konsonantit të dytë të rrënjës

ف + ع + ع + ل = فعّل

ا

Shtimi i një ا – elifi (a) mes konsonantit të parë dhe të dytë të rrënjës

ف + ا + ع + ل = فاعل

أ

Shtimi i një أ – elifi (e) para konsonantit të parë të rrënjës

أ + ف + ع + ل = أفعل

ت + ع

Shtimi i një ت – t para konsonantit të parë dhe dyfishimi i konsonantit të dytë të rrënjës

ت+ ف+ ع+ ع+ ل = تفعّل

ت +  ا

Shtimi i një ت – t para konsonantit të parë dhe Shtimi i një ا – elifi (a) mes konsonantit të parë dhe të dytë të rrënjës

ت+ ف+ ا + ع+ ل = تفاعل

ا + ت

Shtimi i një ا – elifi (i) para konsonantit të parë dhe shtimi i një ت – t mes konsonantit të parë dhe të dytë të rrënjës

ا + ف+ ت + ع+ ل = افتعل

ا + ن

Shtimi i një ا – elifi (i) dhe shtimi i një ن – n para konsonantit të parë të rrënjës

ا + ن + فعل =انفعل

ا + ل

Shtimi i një  ا – elifi (i) para konsonantit të parë dhe dyfishimi i konsonantit të tretë (të fundit) të rrënjës

ا + فعل+ ل =افعلّ

ا+س+ت

Shtimi i një ا – elifi (i), një س – (s)  dhe një ت – (t)  para konsonantit të parë të rrënjës

ا + س + ت + فعل =استفعل

ا+و+ع

Shtimi i një ا – elifi (i) para konsonantit të parë shtimi i një و wav (uw) mes konsonantit të dytë dhe të tretë të rrënjës dhe përsëritja e konsonantit të dytë pas و  (uw)

ا + ف +ع + و + ع+ ل =افعوعل

ا+ا+ل

shtimi i një ا – elifi (i) para konsonantit të parë, shtimi i një ا – elifi (a) mes konsonantit të dytë dhe të tretë dhe përsëritja e   konsonantit të tretë të rrënjës

ا + ف + ع + ا + ل =افعالّ

ا+و+ل

shtimi i një ا – elifi (i) para konsonantit të parë, shtimi i një و wav (uw) mes konsonantit të dytë dhe të tretë dhe përsëritja e   konsonantit të tretë të rrënjës

ا +ف+ع+و + ل+ ل =افعولّ

– II –   Pjesët e pandryshueshme të ligjëratës në gjuhën arabe:

Pjesëzat  – حروف المعانى   ose الأدوات

Janë pjesë të ligjëratës të cilat nuk kanë kuptim si të pavarura, por tregojnë raportin e pjesëve të tjera në fjali[40]. Si të tilla, konsiderohen pjesë të pandryshueshme të ligjëratës, meqë nuk lakohen e as zgjedhohen. Në kategorinë e pjesëzave në gjuhën arabe renditen: ndajfoljet, parafjalët, lidhëzat dhe pasthirrmat, të cilat do t’i përmendim sipërfaqësisht në vijim.

Ndajfoljet الظروف

Ndajfoljet e arabishtes janë të parme dhe të prejardhura.

Ndajfolje të parme janë: حين ، بعد، أثناء ، خلال، طوال، وراء، خلف، فوق، تحت، بين، عند، لدى، تلقاء، تجاه، نحو، حول، دون[41].     .

Ndajfolje të prejardhura nga emrat janë:

a) ndajfolje që përfitohen duke vënë emrin në kallëzore të pashquar: مساءً – në mbrëmje, صباحاً – paradite, كثيراً – shpesh, shumë. b) ndajfolje që përfitohen me anë të parafjalëve, p.sh. عن قريبٍ së shpejti, فى الصباح – në mëngjes, etj.

Për nga funksioni që kryejnë ndahen në: a) ndajfolje kohe: أبداً- sa të jetë jeta, دائماً gjithmonë, përherë, غداً – nesër, وقت[42] – gjatë, etj. b) ndajfolje vendi: أمام- përpara ، وراء،prapa تحت،nën, فوق،sipër, etj. c) Ndajfolje sasie: كثيراً  – shumë, قليلاً – pak, كذا – kaq, [43]. d) Ndajfolje mënyre: كيف – si, جدّاً – shumë, fort, جميعاً – të gjithë bashkë, etj.

Parafjalët حروف الجرّ

Ndahen në: a) parafjalë të mirëfillta: بِ – me, në, për; بالله  (betohem) Për Allahun; مِنْ – prej, nga, se, për, منه – prej tij/se ai; إِلىَ – drejt, deri, إلى المدينة deri në qytet; عَنْ – nga, prej, عن أنسٍ – Nga Enesi, etj. dhe b) parafjalë (të prejardhura) emërore. Janë parafjalë të cilat dalin nga emrat që tregojnë vend ose kohë. Këto parafjalë janë: أمامَ  – përpara, p.sh. أمام الدار – para shtëpisë; قَبْلَ – përpara, para, p.sh. قبل يومين – para dy ditësh; بَعْدَ – pas, بعد أيامٍ – pas disa ditësh, etj.

Lidhëzat حروف العطف

Lidhëzat në arabishte ndahen në: a) lidhëza të parme (të mirëfillta) dhe b) lidhëza kushtore.

Lidhëza të parme nëpër gramatikat arabe kryesisht numërohen nëntë, e ato janë:و  dhe; edhe ; ف  dhe; pastaj; ثمّ – ثُمَّة  pastaj;أو  ose; أمْ  ose; بلْ  gjithsesi; لا  jo; لكن  por[44].

Lidhëza kushtore janë:إنْ   nëse; ما  çfarë; إذْ  atëherë, pasi që, meqë; مَنْ kush;إذا  kur, nëse; أىّ cili; مهما  çfarëdo që; أينما  kudo që; حيثما  kudo që; أنّى  ngado, kudo, etj. Me sa shihet nga sa përmendëm, këto lidhëza janë të huazuara kryesisht nga pjesëza të ndryshme por varësisht nga roli i tyre në fjali mund të kryejnë edhe rolin e lidhëzave.

Pasthirrmatحروف النداء

Pasthirrmat të cilat më së tepërmi përdoren në arabishte janë:

أَهِ ، آهْ ، آهِ، آ ، أ -Ah! وى ose وا – Uh! Oh!  واأسفاهُ -Vaj për…! Kuku ..! ويح  ose ويلٌ لك   – I mjeri ti..! أُفْ  ose أُفٍّ- Of..! Oh..! إيّاك و  -Ruaju..! هيّا  ose هيّا بنا – Eja..! ose: Eja me ne! طوبى  ose طوبى لك -Lum! ose: I lumi ti!هات -Jepi! هلمّ- Këtej! هلمّ جرّاً – E kështu me radhë! حىَّ- Eja! حىَّ على الفلاح Eja në shpëtimمهلاً  ose روَيْداً – Ngadalë!دونك  – Ja ku e ke! علىَّ به – Ma kalo mua! ليت شعرى –  sikur ta dija! والله -Për Allahun! أعوذ بالله  – Ruana Zot! إنشاء الله  – Në dashtë Allahu! ما شاء الله-O Zot sa bukur! لله درُّهُ-Sa i mirë është!  هل لك فى هذا-A e dëshiron këtë!  نعمَ-Sa i bukur është! بئْسَ -Sa i shëmtuar është! بسم الله الرحمن الرحيم-Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit! رضى الله عنه-Allahu qoftë i kënaqur me të! صلى الله عليه و سلّم-Bekimi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të!  يا لَحسنٍ-Ndihmë, Hasan! يا لِحسنٍ-Ndihmoni Hasanin! حذار أن تفكّر فى ذلك -Lëri mendimet për atë![45]

Kjo ishte një pasqyrë e shkurtër për pjesët e ligjëratës në gjuhën arabe, dhe shpresoj që prej këtij kontributi modest, të kenë dobi studiuesit në marrjen e njohurive elementare për pjesët e ligjëratës në gjuhën arabe.

Për përgatitjen e këtij materiali përveç referencave të përmendura, u shfrytëzuan edhe këto faqe interneti:

http://www.arabicstudies.edu     http://www.wikipedia.com      www.omniglot.com

———————————————————————–

* Mr. Azem Xheladini është nëndrejtori i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale, në Tiranë.

**Ky artikull është botuar në revistën “URA”, nr. 2, Pranverë-Verë, Tiranë 2009, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com

[1] Imru’-al-Qays. Poet arab. Konsiderohet si poeti më i madh i periudhës para-islame dhe njëri nga themeluesit e poezisë arabe. Është autor i njërës nga shtatë poezitë Mual-lakaat të cilat në periudhën para-islame, pas festivalit të përvitshëm të poezisë, zgjidheshin shtatë më të mirat dhe vareshin në murin e Qabes. Ishte i biri i kryetarit të fisit Kind. Imru’ul Kajsi jetonte jetë endacakësh. Pasi i ati u vra nga fisi benu Asad, tradita e kërkonte që të hakmerrej për gjakun e babait. Për këtë qëllim ai përdori trupat e perandorit Justinian, i cili më pas e likuidoi duke i dhuruar një këmishë të helmuar, për shkak të ngacmimit të princeshës.

[2] ā  – a e gjatë sa dy zanore (aa); ī – i e gjatë = dy zanore (ii); ū – u e gjatë = dy zanore (uu).

[3] Dr. Ahmed Arhīm Hebo, Mekānetul-lughatil arebijjeti bejne el-lughātis-sāmijjeti – el Ma’rifeh, mexhel-letun thekāfijjetun shehrijjeh, (e përmuajshme, kulturore) nr. 178, dhjetor 1976, f. 149.

[4] Dr. Subhī es-Sālih, Dirāsātun fī fikhil-lughati, Dār el-‘ilm lilmelājīn, botimi i X, Bejrut, 1983, f. 57 e në vijim.

[5] Po aty.

[6] Taha Ravi, vep. cit. f. 7 e në vijim.

[7] Po aty.

[8] على الجازم – مصطفى أمين ، النحو الواضح ، مؤسسة الوفاء ، بيروت ، لبنان ، الطبعة الرابعة 1403 هـ. 1983 م. ص. 17  Ali el Xhazim – Mustafa Emin, En-nahwul – Wadih, muessesetu el-Wefaa’, Beirut, Liban, botimi i katërt, 1404 h.- 1983, f. 17. (Në vijim kjo referencë do të përmendet me: el-Wadih).

[9] Wadih, f. 17

[10] [10] El-Xhamahirijjetu-l-arebijjetu-l-Liibijjetu–sh- Sha’bijjetu-l-Ishtiraakijje, Emanet et-Ta’liim, el-kawa’id el-esaasijjetu fin-nahwi wes-sarfi wet-tedriib alejhima, pjesa e parë, autorë: një komision nga pedagogët e gjuhës arabe, 1980-1981, f. 7.

[11] Wadih, f. 17

[12]القواعد الأساسية فى النحو و الصرف    .. el-kawa’idu-l-esaasijjetu fi-n-nahwi, we-s-sarfi…  f. 5.

[13] Se’id el-Afgani, el-Muuxhiz fi kawa’idi-l-lughati-l-arabijjeti, Dār el-Fikr, f. 134.

[14] Po aty.

[15] Po aty.

[16] Po aty, f. 25.

[17] Po aty, f. 26.

[18] Dr. Umer el-Es’ad – Dr. Fatimeh es-Sa’dii, el-lughatul arabijjetu, dirasetun tatbiikijjeh, botimi i III,2001. f. 53-55.

[19] Dr. Feti Mehdiu, Gjuha arabe, f. 26; R. Božović, Udžbenik Arapskog jezika… f. 27; Fuad Ni’meh, Mulakh-has kawa’idi-l-lughati-l- arabijjeti.. tabela nr. 2 po ashtu f. 22 e pjesës së dytë të librit.

[20] Po aty, f. 29.

[21] Dr. Feti Mehdiu, Gjuha arabe, f. 30.

[22] Mulakh-has.. f. 29.

[23] Dr. Šaćir Sikirić, Gramatika Arapskog Jezika… f. 41.

[24] Božović, Udžbenik… f. 30

[25] Feti Mehdiu, Gjuha Arabe… f. 44-45. Mulakh-has, f. 51-53; Abdullah Muhammed, et-Tariif fi ‘ilmit-tasriif, f. 271-276; Mahmud Husni Mughaleseh an-Nahwu-sh-Shaafii, f. 434, dhe f. 558.

Božović, Udžbenik… f. 54-57. Sikiric, Gramatika… f. 45

[26] Feti Mehdiu, Gjuha Arabe… f. 47.

[27] Ahmed el-Hashimijj, el-kawa’idu-l-esaasijjetu lil-lughati-l-arabijjeti, fq.60; (el-esaasijjetu fin-nahwi, f. 17).

[28] El-esaasijjetu lil-lughati…, f. 60.

[29] Muuxhiz, f. 114.

[30] El-esaasijjetu lil-lughah, fq.75). Kjo formë përdoret për shumësin e përbashkët të mashkullores dhe femërores, p.sh., “Xhaaetit-telaamiidhul-ulii dhehebuu” – Erdhën nxënësit të cilën shkuan.

[31] F. Mehdiu, Gjuha Arabe…, f. 53.

[32] Po aty, f. 57.

[33] El-esaasijjetu fin-nahwi, f. 206-207; Mulakh-has, f. 126-127; Shaafii, f. 528-529.

[34] Božović…, Udžbenik…, f. 62.

[35] F. Mehdiu, Gjuha Arabe… f. 61.

[36] F. Mehdiu, Gjuha Arabe… f. 65.

[37] Po aty…, f. 66.

[38] Wadih, f. 17).

[39] Dr. Temmaam Hassaan el-Khulaasatu an-Nahwijjah, f. 62-63.

[40] Sikiric, Gramatika.. fq. 174.

[41]Mulakh-has, fq. 74).

[42]el esaasijjetu fin-nahëi, fq. 174-178).

[43] F. Mehdiu, Gj. Arabe, .. fq. 162.

[44]Shaafii, fq. 403; (Muuxhiz, fq. 361; Ëadih, fq.397; el esaasijjetu lil-lughah, fq. 220; Mulakh-has, fq.53; Khulaasah, 75; Sikric, Gramatika.. 179.

45] Për përgatitjen e tabelës u shfrytëzuan: F. Mehdiu, Gjuhë arabe… f. 168; Božović.., Udžbenik… f. 155-156; Sikiric, Gramatika… 180-181; Muxhiz, f. 388.

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: