Turqizmat si terminologji ushtarake në poemën epike shqiptare

Dr. Irfan MORINA

 

TURQIZMAT SI TERMINOLOGJI USHTARAKE NË POEMËN EPIKE SHQIPTARE

Dr. Irfan Morina

Dr. Irfan Morina

Si në gjuhët e tjera të Ballkanit, ashtu edhe në gjuhën shqipe kanë hyrë shumë fjalë nga turqishtja. Kanë ndikuar dukshëm në këtë drejtim sundimi i gjatë pesëshekullor i Turqisë në vendin tonë dhe luftërat me turqit osmanlli. Gjuha shqipe dhe gjuha turke për nga konstrukti janë të kundërta njëra me tjetrën.

Siç dihet, gjuha shqipe hyn në gjuhët indoeuropiane, kurse turqishtja hyn në grupin e gjuhëve uralo-altajike; fonetika, morfologjia, dhe sintaksa janë krejtësisht të ndryshme; por, prapëseprapë fjalë të ardhura nga gjuha turke janë përshtatur ligjësive tona fonetike, morfologjike e sintaksore. Fjalët që kanë hyrë nga gjuha turke në gjuhën shqipe mund t’i hasim në të folmen e përditshme, letërsinë popullore, letërsinë e përgjithshme si edhe në shtypin e sotëm. Nëse merren librat e botuara të letërsisë popullore shqipe dhe studiohen, shihet se gjuha shqipe është ndikuar shumë nga gjuha turke. Në këngët epike kombëtare shihet fare mirë ndikimi i gjuhës turke edhe në terminologjin ushtarake. Fjalët turke që janë përdorë në këtë lami ndahen në dy grupe:

I. Fjalë që janë përdorur në armët e ftohta
Në kohën e Perandorisë Osmane janë përdorur shumë lloje të armëve të ftohta, duke filluar prej shishit deri te jatagani. Ne po fillojmë, së pari me biçakun.[i]
Biçaku është një fjalë që përdoret shpesh. Masa këtë fjalë e ka përdorur shumë, por edhe sot e përdor. Në një këngë shqipe fjala biçak kalon kështu:
Vran-o Tahejrin haj-haj nat-o çarshej
Nat-o çarshej haj-haj nat-o sokak
Se je kanë ther-o non mori me biçak
Ose në një këngë tjetër:
Nji biçak edhe nji gotë
Tremdhet grosh e nji zallot[ii]

Dipxhik-u. Në disa të folme kalon si dimgjik ose dymgjik. Nëse e shikojmë në fjalorët e gjuhës turke fjala dipçik do të thotë pjesa e llovaçkës (çiftes) të cilën e mbështet për krahu.
Gargi-ja.[iii] Është një fjalë që përdoret në këngët epike shqipe. Përdoret në disa variante: gargji, gergji, gorge. I ndeshim në disa disa këngë epike:
Hajde, hajde, Ramiz Pashagerxh
Mo mzen mrena, po dil jashta
Ku luen gargija e shpata.
Kur ka shkue Boshnjaku në Prishtinë,
Po pvet Pasha ku e la gorgine
E lash nat Llap tue ruajte zaptitë.
Jatagan-i.[iv] Në poezitë epike të gjuhës shqipe fjala jatagan është përdorur shumë. Në disa pjesë është përdorur edhe si tagan. Po e ilustrojmë këtë fjalë me shembuj në këngë dhe poezi:
As nën gjyle të havanit
As nën tef të prehtët t’taganit
Kurdohere duel n’fushë të mejdanit
Pra, siç shihet edhe më lart, fjala jatagan është përdorur edhe në formë të shkurtuar: tagan. Le të shikojmë edhe fjalën jatagan:
O Hasan; Hasan Peshtani,
Gjak të rridhte jatagani
Se preri koka nizami
Kasaturrë ose në disa vende kacaturr. T’i shohim shembujt:

Haradini asht ngushtue,
Kacaturren ka shkancue,
Si vetima e ka vrullue
Bri në bri e ka shitue.
Fjala kacaturr[v] ka dy kuptime:
1. Thika e cila vendoset në majë të llovaçkës ose thika që vendoset në bel.
2. Përdoret edhe si llovaçk dhe armë, por kjo fjalë nuk përdoret në gjuhën turke. Le të shikojmë fjalën kacaturr si armë në këngët epike të gjuhës shqipe:
Nuk janë topat e Ulqinit,
Por kacaturrja e Hajradinit
Pra, siç shihet, kacaturrën e krahasojnë me topa, bile edhe më larg, saqë thonë edhe se e lavdërojnë që është më e mirë se topat e Ulqinit.
Kamë.[vi] Kjo fjalë në letërsinë popullore është përdorur shumë.
Këllëç-i.[vii] Kjo fjalë është përdorur në variante të ndryshme si: këlliç, klliç , kllyç. Me shembujt që do të japim më poshtë, shihet më mirë se si është përdorur:
Karadaku brigje-brigje.
Digje Dervish pasha, digje
Nje këllëç të mirë hiqe,
Nji këllëç të mirë jepi,
Të marrë frike laneti
Qysh herët, të njëjtin funksion e kanë kryer hançeri dhe kama. Tek turqit osmanë kiliçat që i kanë përdorur si mjet lufte kanë qenë të shtrembër. Mjeshtëria se si me ju dhënë ujë kiliçave te osmanllinjtë është ruajtur një kohë të gjatë, kështu që kiliçat më të mirë dhe më të shtrenjtë ishin ato të bërë nga mjeshtrit osmanë. Kiliçat që janë prodhuar në Stamboll, ishin më të lehtë sesa ato që prodhoheshin në Europë dhe ishin më të lehtë në përdorim.
Syngi-ja.[viii] Ka shumë variante, si: syngji, sfungji, syngi edhe singi; në disa vende është përdorur forma e shkurtuar seia.
Në luftën e Karadakut, që është zhvilluar në vitin 1913, fjala “syngy”:
Karadaku me Serbi
Të kan vjerrë e të kan gri
Të kan therë tanë me singi.
Shish-i.[ix] Edhe kjo hyn në grupin e armëve të ftohta por, në krahasim me të tjerat, është përdorur më pak.
Topuz-i, tr. Topuz. Kjo armë është përdorur shumë, edhe si fjalë është përmendur shpesh. Populli shqiptar këtë fjalë e ka përdorur edhe në këngë:
E ka marrë topuzin n’dorë,
E ka hypun mbi shpinë t’atit
Edhe a nisun për të gjatë shpatit
Para se të zbulohen armët e nxehta, ka qenë njëri prej mjeteve që është përdorur në luftë. I është dhënë ky emër sepse e ka kokën e rrumbullakët. Topuzat bëhen nga hekuri ose bakri, kurse bishtat prej druri. Topuzat ndahen në: syvari dhe pijade. Syvariler – janë të rëndë, kurse pijadeler – të lehtë. Topuzat Syraviler pjesën e majtë e kanë pasur të varur.
Xhilit-i.[x] Deri tani kjo fjalë në poezitë epike të gjuhës shqipe, në Shqipëri është përdorur si xhilit, kurse në Kosovë si gjelit, xhelit. Kjo armë tek trimat shqiptarë është përdorur shumë, kështu që edhe në poezitë epike mund ta hasim shumë shpesh;
Shkojke gjogu si t’ish pllum i bardhë
Larg prej veti mërkovin n’ ledinë p’e dan
Kur i dukët Gjurs qi a afrua,
Me gjelit ai Mujin e ka gjua.

II. Fjalët që kanë lidhje me armët e nxehta

Allti-ja.[xi] Eshtë njëra prej armëve që përdorej më shumë. Populli shqiptar këtë armë e ka dashur dhe sot e përdor me të njëjtin emër. Në disa vende kjo është përdorur në variante të ndryshme, si: alltipatllarë, alltipatllak, por – edhe patëllak. Le të shohim këtë fjalë turke se si është përdorur në këngët patriotike dhe trimërore:
Me çakçira me fistana,
Me tagana e me shejshana,
Me martina me calina,
Me dumbare e alltipatllare
E me pare e besë shqiptare.

Shpat me shpat kërcet alltia,
Digjen gjaja e digjen shpia,
Mlidhën miq e mblidhën bija,
N’dyshekllëk kërcet alltia,
Zihët maza në kusia,
Mish e pite plot tepsia
Barut-i.[xii] Përdoret në këngët epike shqiptare. Mund ta hasim shpesh. Në disa vende e hasim edhe si barot. Siç dihet, baruti vendoset në pushkë, top, minë që shërben për pëlcitje.
Njana veshkë rrafsh ni okë,
Rrafsh ni okë e me terezi
Fort p’e blejshin djelt e ri ,
Si barutin për allti.

Jam tu’ nemë kta dugajxhi
Si pe shesin barot t’zi
Me shpue zemrat e djelve t’ri.
Dyfek-u.[xiii] Në këngët epike shqiptare është njëra nga fjalët që përdoret shpesh. Ka disa variante të kësaj fjale: dufek, dyfegje, tyfek, difeg dhe difek.

Dyzet e pesë kalorë,
Dhëndëri vezir mbi ta,
Gjithë me dyfek në dorë

Mori kulla n’breg të gjolit,
Ç’po lufton me asqer t’Stambollit!
Mori kull’, e mjera kullë
Me dyfek s’u more kurrë!
Me dyfek as me havanë
Dymdhet’ mij’ shehit u banë
Habertare.[xiv] Këtë fjalë shqiptarët e kanë përdorrur në një mënyrë shumë interesante. Fjala “haber” në gjuhën turke e ka kuptimin e “lajm-it”. Mirëpo që fjala “habertar” në gjuhën shqipe të jetë përdorur si “tyfek” as nuk do të na shkonte ndërmend.
Pushka habertare. Për ngjarje me rëndësi, për t’u dhënë lajme agallarëve dhe bejlerëve, është përdorur duke gjuajtur dhe, në këtë mënyrë, lajmi është shpërndarë; Pikërisht se që është përdorur për qëllimin e dhënies së lajmeve, kësaj arme iu ka dha emri habertare.
E kam pushkën, Muj, habertare
Shtremte t’a mbaj e drejtë të bjen

Kralica qaty shka bani
Kanka hypë n’beden të kullës
E ka çprazë pushkën habertare;
Krali n’ bjeshk e paska ndie
Ma ka shpraze pushken habertare
Tridhet agë shpejt kankan bashkue
Kapakli-ja, tr. kapaklı. Është një armë shumë e vjetër. Shohim se si është përdorur fjala “kapakli” në këngën epike shqipe:
Me‘izet e shtat’ gusht, sahati tre,
Ne Prizren kish ra rrufe
Me të shtimet e kapaklisë.

Ish vra telegrafisti i Turqisë,
E kish vra nji trim lumjan,
Dan Zaskoci i kan’ pas’ thanë
Mehmet Zeki Pakalın në fjalorin e “Frazave dhe termeve të ndryshme të Osmanishtes” thotë: kapakli është njëra prej pushkëve të vjetra dhe e ka marrë këtë emër pse është vendosur në kapak plumbi.
Numri i armëve të nxehta nuk mbyllet vetëm me kapaklin. Në poezinë epike shqiptare, nëse krahasohet me gjuhët e tjera ballkanike, ka me shumicë emra armësh të gjuhës turke, kështu që, nëse dikush do të studiojë në këtë lëmi, mund të shkruaj edhe një libër.

BIBLIOGRAFI

1. Bllaca, Rizah. “Këngë popullore” I, II, 1977, Prishtinë.
2. Çeta, Anton. “Këngë Kreshnike” I, 1974, II 1991, III 1993, Prishtinë.
3. Filja, Hysen. “Këngë Popullore të Shqipërisë së Mesme”, Tiranë.
4. Haxhihasani, Qemal “Epika Historike” I, 1983, Tiranë.
5. Haxhihasani, Qemal; Dule, Miranda. “Epika Historike” II, 1981, III, 1990, Tiranë.
6. “Mbledhës të hershëm të folklorit Shqiptar” I, 1960, III, 1961, III, 1961.
7. Morina, Irfan “Arnavut Atasözlerinde Türkçe Kelimeler”. Turqizmat në fjalë
popullore shqiptare.

[i] Tr. bıçak: mjet për prerje, thikë e bukës, thikë e kasapit, thikë për rroje, thikë për prerje letre etj.
[ii] Zallota: tridhjetë pare, një metal prej argjendi.
3 Tr. kargı: është një armë e vjetër e cila është përdorur me majë prej hekuri.
4 Tr. jatağan: është një emër arme që hyn në llojin e thikës, është i madh dhe i gjatë. E ka marrë këtë emër
sepse është mbajtur në bel.
5 Në turqisht: tr. kasatura – it. caccitare.
6 Tr. kama: si armë me majë të hollë, me dy goja dhe një teh të mprehtë.
7 Tr. kılıç: shpatë. Para se të zbulohen armët e nxehta, ishte mjeti më i rëndësishëm i luftës.
8 Tr. süngü: është e vendosur në pushkë, si thikë e hollë dhe shpuese, si bajonetë.
9 Tr. şiş: është një mjet që bëhet nga hekuri ose druri. Është i mprehtë dhe mund të përdoret si armë.
10 Tr. cirit. Para se të zbulohen armët e nxehta, është njëra prej armëve që është përdorur prej ushtarëve në luftë. Te turqit “me lujt cirit” është një prej lojërave që ka zënë vend të rëndësishëm në adete.
11 Tr. altı – patllar. Një pistoletë që përdoret me gjashtë fishekë ose që kërcet gjashtë herë.
12 Tr. barut 13 Tr. tüfek< per. tufeng. Pushkë, është një armë që përdoret në luftë ose në gjueti.
14 Tr. haber.

Marrë nga revista Univers 2006, nr. 8, faqe 173-180.

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: