Shtetarët shqiptarë dhe trashëgimia osmane

Dr. Dritan EGRO

 

SHTETARËT SHQIPTARË DHE TRASHËGIMIA OSMANE

Dr. Dritan Egro

Dr. Dritan Egro

28 Nëntori i vitit 1912 finalizoi një lëvizje, e cila kish filluar prej mëse një shekulli më parë, e cila si ambicie finale të saj kishte shpalljen e Pavarësisë dhe ngritjen e shtetit kombëtar shqiptar në Ballkan. Por, ndërsa ngritja e flamurit kombëtar shënoi shkëputjen politike të shqiptarëve nga Perandoria Osmane, në të vërtetë e njëjta gjë nuk mund të thuhet për shuarjen e kontakteve me shtetin Osman dhe aq më tepër për këputje e të gjitha fijeve me atë realitet që nga ai moment fillon të quhet: trashëgimia osmane. Në vitin 1945, në pushtet erdhi një grup tjetër social, i cili nuk kishte, por dhe nuk kërkonte të kishte, asnjë lidhje me “të shkuarën osmano-turke”, të cilën jo vetëm e perceptonte…, por edhe e akuzonte si faktorin kryesor historik për prapambetjen e viseve shqiptare. Që nga ky moment, periudha post-osmane nga një realitet i gjallë u shndërrua në histori, ose e thënë ndryshe në subjekt studimi akademik. Viti 1990 hapi një epokë të re për sa i përket frymëmarrjes në lëmin e studimit të historisë kombëtare. Është kjo liri akademike që ka sjellë në rend të ditës debate në lidhje me historinë dhe trashëgiminë osmane. Ndërsa periudha osmane ende nuk mund të thuhet se është mjaftueshmërisht e studiuar, problemi i trashëgimisë osmane pa ndroje mund të thuhet që nuk është studiuar fare. Sot gjykimet për të, më së shumti, janë të natyrës publicistike, por kurrsesi të natyrës shkencore, kurse studimi i trashëgimisë osmane në viset shqiptare, më së shumti, ngatërrohet me debatet që kanë të bëjnë me atë se cili është dhe cili duhet të jetë kahu i zhvillimit afatgjatë të Shqipërisë.

Gjithsesi, e veçanta e perceptimit politik e për pasojë edhe historiografik të periudhës më shumë se pesë shekullore osmane të historisë së Shqipërisë përgjatë shek. XX është se viti 1912 është konsideruar si një datë, e cila realisht i dha fund periudhës osmane dhe që nga ai moment Shqipëria i shkëputi të gjitha lidhjet me të shkuarën osmane. Në fakt, njohja e trashëgimisë osmane është një domosdoshmëri për të njohur historinë shqiptare të shek. XX. Pa këtë dimension, nuk mund të perceptohet drejt sidomos periudha midis dy luftërave botërore. Çdo përpjekje për ta shmangur atë, do të sjellë një njohje të cunguar dhe do të na pengojë në perceptimin e drejtë të periudhës në vijim, sidomos në aspektet shtetndërtues, intelektual dhe ideologjik të historisë shqiptare midis dy luftërave botërore. Një gjë e tillë bëhet më se e domosdoshme për sa kohë vërejmë që kasta dominuese e shtetarëve që ngritën shtetin e ri shqiptar deri në vitin 1945 ishte produkt i shkollës osmane të administrimit të shtetit, madje gjuha osmane vazhdoi të ishte gjuha administrative në përdorim të shqiptarëve deri në fillimvitet ’20, por edhe gjuha e komunikimit midis intelektualëve deri në fillimvitet ‘40.
Elita shqiptare myslimane dhe e krishterë, duke filluar më intensivisht në dekadat e fundit të shek. XIX, zhvilloi një lëvizje nacionaliste, të ngjashme në shumë aspekte me ato të vendeve të tjera të Ballkanit, por fakti që ideologët e nacionalizmit shqiptar (Pashko Vassa dhe Sami Frashëri) propozuan bashkëjetesën e detyruar me shtetin Osman deri në një fund të mundshëm të tij, nuk kishte të bënte aq shumë me nostalgjinë për një të shkuar historike apo pozicion të privilegjuar të shqiptarëve brenda tij, por përkundrazi me pragmatizmin shqiptar për të bërë aleatë përballë kërcënimeve të shpalosura nga fqinjët. Edhe dokumentacioni më i ri në lidhje me fillesat e nacionalizmit shqiptar e dëshmon fare qartë një dukuri të tillë. Për pasojë, edhe perceptimi i Fuqive të Mëdha për Shqipërinë, si një vend që në fund të sundimit osman rezultonte me dominancë myslimane, ishte krejt i ndryshëm nga ai për Turqinë e re, e cila ndonëse luftoi shumë që juridikisht të konsiderohej si vetëm një prej shteteve të pavarura që dolën nga perandoria, ajo faktikisht në perceptimin e vet turqve, por edhe në perceptimin që popujt e shtetet e tjera kanë për Republikën e Turqisë, edhe sot e kësaj dite, konsiderohet si trashëgimtarja e vërtetë e Perandorisë Osmane.
Periudha mes dy luftërave botërore dëshmon qartazi dyzimin e kastës drejtuese të Shqipërisë së Re. Sado që elita përpiqej, nga memorja e saj politike dhe kulturore nuk mund të fshihej e kaluara perandorake e Shqipërisë dhe e tyre personale. Një rast interesant të këtij dyzimi të elitës vendase na e jep Mehdi Frashëri, kur përshkruan profilin e kapedanit katolik të Mirditës, Preng Bibdodës: “… [ishte] i çuditshëm, i zgjuar dhe mjaft i kulturuar. Fliste mirë frëngjisht, italisht dhe turqisht. Kishte kaluar shumë kohë në Kastamonu të Azisë së Vogël me një rrogë të madhe, ndaj dhe ishte turkofil i thekur. Gjithë shërbëtorët i kishte turq, mbante qylaf të kuq dhe një kapotë gjenerali të Turqisë”. Kur e pyeta, thotë Mehdi Frashëri, pse i mbante këto ai m’u përgjigj: “Mos u bëj budalla, po të mos i kem këto dhe po të mos kem titullin Pasha, kurrkush nuk ma vë veshin në Mirditë”.
Tranzicioni historik 1912-1944, Shqipërinë e gjeti me një shoqëri të stratifikuar qartë në aspektin social dhe atë ekonomik. Përdorimi i gjerë titulaturës osmane bej, aga, hanëm dhe efendi ishin një dëshmi e qartë e këtij realiteti të gjithëpranuar nga shoqëria shqiptare. Këto terma që identifikojnë sojliun/të fismin nga masa e gjerë nuk tregojnë veçse një status të caktuar social dhe ekonomik, i cili rrënjët i kishte në periudhën osmane, por që i tillë vazhdoi të ishte edhe gjatë periudhës së Zogut. Ndërsa pas vitit 1944, përdorimi i këtyre termave u bë simbol i luftës së asaj kaste që duhej goditur politikisht dhe ekonomikisht, ndërsa jo publikisht përdorimi i tyre u zbeh dukshëm për t’u ndërprerë fare me largimin nga jeta të përfaqësuesve të kësaj shtrese. Një akt i tillë, veç të tjerash, shënoi një thyerje të ecurisë normale të shoqërisë shqiptare, por edhe një shkëputje që shkaktoi vonesë në konsolidimin e traditës shtetformuese shqiptare, pasi eliminimi apo largimi në emigracion i ideologëve dhe shtetarëve që ngritën institucionet e shtetit shqiptar, të atyre që regjimi komunist me ironi i quajti “baballarët e kombit”, realisht ishin personalitetet politike dhe kulturore që ngritën dhe ushqyen me mendim dhe veprim shtetin e ri shqiptar.
Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, Shqipëria trashëgoi një elitë politike, e cila gëzonte një bazë të fuqishme ekonomike, falë pronësisë së gjerë mbi tokën që ajo gëzonte qysh nga periudha osmane. Së dyti, ishte kjo elitë, e cila gjatë shekujve të gjatë osmanë, jo vetëm ishte islamizuar, por edhe ishte integruar më shumë se elita e cilitdo popull tjetër ballkanik në Perandorinë Osmane. Por në një aspekt, të gjitha shtetet e reja ballkanike bashkoheshin: periudhën osmane e perceptuan politikisht si regjimi i prapambetur i së shkuarës; dhe përtej kësaj, në luftën për ngritjen e shteteve me frymë të fortë nacionale, periudha osmane u perceptua edhe si koha e një sundimi të huaj, si zgjedha e gjatë osmane, që brenda kishte edhe dimensionin e saj fetar islam, perceptim ky që mbetet ende në fuqi edhe sot.
Megjithatë është fakt historik që Shqipëria nuk përjetoi thyerje të elitës së saj qeverisëse, ndaj ishte krejt e natyrshme që ish-qeveritarët osmanë me origjinë shqiptare të zinin vend në drejtimin e institucioneve të reja shtetërore, ndryshe nga ç’ndodhi në vendet e tjera të Ballkanit me shumicë të krishterë, përfaqësuesit e të cilave për shkak të diversitetit fetar ishin përfaqësuar vetëm në nivele të ulëta të administratës osmane. Rast tipik është ai i familjes Vlora. Prej disa brezash dhe në mënyrë integrale, Vlorajt ishin në shërbime të larta të Shtetit Osman, madje Ferit Pasha, xhaxhai i Eqrem bej Vlorës, nga viti 1903-1908 ishte Kryeministër i Perandorisë Osmane. Kujtimet që iu botuan pas viteve ’90 dhe dokumentet që sot i gjejmë në arkivat osmane dëshmojnë se edhe themeluesi dhe kryeministri i parë i shtetit të pavarur shqiptar, Ismail Qemali, ishte një ofiqar i lartë osman, i cili deri në dekadat e fundit të shek. XIX seriozisht ka menduar dhe punuar për sigurimin e vazhdimësisë së jetës së shtetit Osman. Ndërsa duke filluar nga dekada e dytë (e shek. XX) do të ishte Eqrem bej Vlora, i cili do të kishte poste të rëndësishme administrative në institucione shtetërore dhe kulturore. Përvoja osmane në administrimin e shtetit, në vlerësim të parë, do të duhej të konsiderohej si një avantazh që Shqipëria duhej të kishte krahasuar me vendet e saj fqinje; por në vërtetë nuk ishte plotësisht kështu, pasi ish-drejtuesit shqiptarë të një perandorie ishin njëkohësisht edhe bartësit e një tranzicioni të gjatë, që për kohën nuk demonstronin modelin më të mirë dhe efikas të administrimit të shtetit. Një rast i mirë ilustrimi këtu do të ishte Turhan Pashë Përmeti, cili u vu në krye të Qeverisë shqiptare aty nga fundi i karrierës së tij. Kurse në vendet fqinje, në mënyrë të shpejtë dhe radikale u adaptuan jo vetëm modelet perëndimore të ndërtimit të institucioneve shtetërore, por u importua edhe modeli i ri i shtetarit.
Kur në vitin 1927 u krijua një komision ekspertësh, i cili do të përgatiste kodin civil të Shqipërisë, Mehdi Frashëri kujton se juristët që kishin qenë nëpunës ose avokatë në Turqi dëshironin të adaptohej kodi civil zviceran, për shkak se atë e kishte pranuar Turqia republikane dhe i kishte të përkthyera në turqisht komentet përkatëse të atij kodi. Këtë mendim e justifikonin duke thënë se, përveç turqishtes, nuk dinin ndonjë gjuhë tjetër për të studiuar kodin e ri dhe komentet e tij.
Duke pasur parasysh këtë realitet, juristi Kristo Floqi, përgatiti një libër të titulluar: E drejta themelore konstitucionale, të cilin e publikoi në Shkodër, në vitin 1920, por që në kapak të librit, ai vendosi në kllapa përkatësen turqisht të titullit (Hukuki esasiyye).
Në fillim të viteve ’20 në gërmadhat e Perandorisë Osmane lindi Republika e Turqisë, e modeluar sipas stilit evropian. Burrat e shtetit të ri, që po ashtu vinin nga shkolla osmane, bënë shumë kujdes me të shkuarën që mbanin mbi supe. Ndaj, në vitet ’20 Parlamenti Turk ndërmori një sërë reformash të thella që synonin nga brenda realizimin e një shteti demokratik, shekullar dhe modern, por po aq edhe krijimin e imazhit të një shteti me popullsi dërrmuese myslimane, por me kah zhvillimi evropian. Në këtë kontekst, Ataturku dhe pasuesit e tij reformatorë modernizimin e shtetit dhe integrimin e Turqisë së Re në familjen evropiane e konsideruan kusht strategjik për të ardhmen e saj. Për pasojë, edhe shteti i ri turk periudhën osmane e perceptoi si “regjimi i vjetër”. Këto zhvillime ndiqeshin me shumë interes edhe në Shqipëri; dhe kjo ndodhte jo vetëm për hir të trashëgimisë osmane. Këtë realitet Ambasadori turk në Tiranë, në vitin 1934, e shpreh kështu: “Shpeshherë më vinin pjesëtarë të elitës vendase dhe më thoshin: sa punë të mëdha keni bërë [në Turqinë e Re] brenda një kohe të shkurtër, sa përpara keni ecur; ah, sikur të ishim fqinjë apo të mos ishim shkëputur prej jush”. Ndërkaq, Ambasadori turk, një prej penave më të spikatura të letrave turke në vitet ’30, nuk e fsheh kënaqësinë e tij kur bëhet fjalë për turqishten e pastër të Stambollit që fliste mbreti Zog dhe aq më tepër për faktin që mbreti shqiptar ishte një lexues i rregullt i shkrimeve të tij; pra e thënë ndryshe, edhe mbreti Zog ishte ndër ata shqiptarë që ndiqte me interesim zhvillimet e brendshme dhe debatet intelektuale që zhvilloheshin në Turqinë e Re përgjatë viteve ’30. Pra, shkëputja nga trashëgimia osmane përtej nostalgjisë, për elitën shqiptare ishte e vështirë të realizohej; kurse afrimi me Perëndimin ishte një proces që kërkonte kohë, por që në fakt do të ndërpritej sërish në vitin 1944.

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: