Historia e familjes së vjetër korçare e njohur në shekuj për tradita patriotike

Vepror HASANI

 

HISTORIA E FAMILJES SË VJETËR KORÇARE E NJOHUR NË SHEKUJ PËR TRADITA PATRIOTIKE

(FAMILJA E TABAKËVE)

Korça e vjetër

Korça e vjetër

Fan Noli u kërkoi përkrahjen për të fituar zgjedhjet,
Enver hoxha i persekutoi, i dënoi dhe i pushkatoi

Korçë – Ajo e kishte patur emrin Mamudi, por në të vërtetë që të gjithë e thërrisnin “Dudka”. Kishte qënë vajza me e bukur e Korçës, aq sa thuhej se një bukuri e tillë nuk kishte për të zbritur më kurrë në rrugët e kalladrëmta të Korçës. Ishte si një hyjneshë e zbritur nga qielli. Për të linin mendjen jo vetëm myslimanët, por edhe gjithë ortodoksët. Trokitjet e nallaneve të saj çmendnin një Korçë të tërë. Ishte kjo arsyeja që të gjithë e thërrisnin me përkëdheli “Dudka”. Emri i saj, Mamudi, ndoshta ishte harruar që nga dita që kishte lindur. Askush nuk e dinte se kush do të ishte burri i saj, por gjithkush prej djemve thoshte: “Le të martohem me të, pa pastaj le të vdes”. Dudka rridhte nga familja Gjizma, e cila ishte nga më të vjetrat e Korçës. Djemtë e tregtarve më të mëdhenjë të këtij qyteti, bënin çdo lloj përpjekje për t’u afruar me të, por ajo çuditërisht nuk ia kthente kokën askujt, ndërsa kështu ndizte edhe më tepër zjarrin e të pamartuarve. Ishte njësoj sikur të thoshe, “shih me sy e plas me zemër”. Dudka kishte qënë dhe një mjeke e talentuar e mjeksisë popullore. Këtë zanat e kishte të trashëguar nga gjyshja. Nëse Dudka të prekte me dorë, dhimbja të largohej si me magji. Që të gjithë tregonin se si ajo kishte shpëtuar nga vdekja njerëz të sëmurë që kishin zënë shtratin dhe nuk ngriheshin dot më. Tashmë për të po sëmureshin gjithë beqarët. Për cilin do të kthehej në ilaç ajo? Në derën e shtëpisë së saj kishin trokitur gjithë njerëzit e pasur, tregëtarët më me emër, myslimanë dhe ortodoksë për të kërkuar dorën e saj, por deri atëherë askush nuk kishte marrë fjalën e babait të vajzës. Dudka kishte patur ëndërr një nga djemtë e familjes së Tabakëve, Shaqir bej Tabakun. “Ata janë jo vetëm më të pasurit e Korçës, kishte thënë ajo, por edhe njerëz me shkollë”. “Gjithë paratë i prishin vetëm për Shqipërinë, ashtu siç ka bërë stërgjyshi dhe gjyshi im”, kishte përfunduar fjalën e saj Dudka. I ati i vajzës kishte mbetur i kënaqur nga përzgjedhja që kishte bërë e bija. Në të vërtetë Dudkës i kishte pëlqyer familja e tabakve edhe për një arsye tjetër: Burri i saj njihej me patriotë të mëdhenj, ndërsa më pas vetë Fan Noli do të kërkonte përkrahjen e Tabakëve që të fitonte zgjedhjet. Këtë histori e dëgjon të tregohet nga gjithkush, por për më shumë na tregon nipi i Shaqir bej Tabakut, historiani dhe publiçisti i mirënjohur, Nedai Thëllimi.

Vijimi i historisë

“Me atë krushqi, nis të tregojë Nedai Thëllimi, miqësia mes dy familjeve më të vjetra të Korçës u bë edhe më e madhe. Tabakët kishin patur gjithnjë dëshirën për të qënë miq me familjen Gjizma, por edhe kjo e fundit nuk kishte dashur më pak të afrohej më familjen e Tabakëve. Tashmë me martesën e Dudkës, dy familjet ishin bërë një. Miqësia u duhej për të bërë më shumë për Shqipërinë. Dhe Shqipëria kishte nevojë për familjet e mëdha. Martesa u bë në vitin 1881. Shaqir bej Tabaku ishte vetëm 20 vjeç. Dasma e çiftit nuk u harrua asnjëherë. Kishte qënë një nga dasmat më të mëdha të Korçës. Më të vjetrit tregonin se atë ditë nuk mbeti njeri pa hyrë në familjen e Tabakëve, myslimanë dhe ortodoksë. Edhe pse e u vinte keq që Dudka nuk ishte bërë nusja e djemve të tyre, përsëri uronin me shpirt. “Shaban, djali të të trashëgohet dhe u bëftë me një rreth fëmijë”! Ashtu siç kishin uruar gjithë miqtë, ashtu u bë vërtet, Shaqir bej Tabaku lindi me Dudkën 7 fëmijë, katër djem dhe tre vajza. Që nga dita e martesës ata kishin shpresuar se do të kishin një jetë të lumtur, se do të lindnin shumë fëmijë dhe do të ishin gjithnjë të pasur, dhe se përgjatë gjithë jetës së tyre, ashtu si babai i Shaqirit, Shaban bej Tabaku, do të përpiqeshin gjithnjë për Shqipërinë. Nuk u kishte shkonte kurrë nëpër mend se mund të vinte një ditë që ata të përballeshin me shkatërrimin. Dasma e çiftit vazhdoi deri në mëngjes. Ndërsa njerëzit nisën të largohen që të gjithë uronin: “Çiftit jetë të lumtur”!

“Më shumë se pasuria arsimi”

“Dudka ishte e kënaqur me burrin që kishte përzgjedhur, vazhdon me tregimin e tij, Nedai Thëllimi. Më shumë se pasuria, asaj i kishte pëlqyer shkolla, sepse edhe në fisin e saj, gjithnjë kishte patur njerëz të arsimuar. Shaqir bej, Tabaku, kishte përfunduar shkëlqyer gjimnazin turko- francez në Manastir dhe dinte disa gjuhë të huaja. Dhe Dudka e dinte këtë. Çdo vit priste që biri i Shaban bej Tabakut të kthehej nga Manastiri. Ajo dinte me saktësi se kur përfundonte viti shkollor e kur kthehej i adhuruari i saj. Shaqiri i ishte dukur gjithnjë si djali më i mirë i Korçës. Të gjitha këto, ajo i tregonte kur ishte e martuar. Shaqiri ishte bërë me shkollë, sepse edhe babai i tij, Shaban bej Tabaku, kishte qënë njeri arsimdashës. Ai gjithnjë kishte ëndërruar që të birin ta bënte me shkollë dhe më në fund ia kishte mbërritur kësaj ëndërre. “ Më shumë se pasuria, duhet shkolla”, thoshte gjithnjë Shaban bej Tabaku. Fisi i Tabakve kishte qënë jo vetëm një nga familjet më të vjetra të Korçës, por edhe nga më të pasurat. Tabakët që nga gjysh-stërgjyshi ishin marrë me prodhimin dhe tregtimin e lëkurës e të shollës. E tregtonin atë deri në Greqi, Maqedoni dhe vende të tjera, por një pjesë të mirë të mallit e shisnin në vënd. Familja e Tabakve përgjatë gjithë kohës kishte patur si ortak familjen e Vani Çevos, i cili, edhe ky kishte qënë një nga prodhuesit më të mëdhenj të lëkurës. Myslimanë dhe ortodoksë punonin së bashku. Madje thuhet se hanin bukë me një lugë dhe pinin ujë në të njëjtën gotë. Vit pas viti pasuria e tyre shtohej dhe ata bëheshin gjithnjë e më të fuqishëm. Tabakët në të njëjtën kohë njiheshin edhe për patriotizmin e tyre të spikatur. Ashtu si Shanban bej Tabaku edhe biri i tij, Shaqiri, kishte nisur të ëndërronte për një Shqipëri ndryshe që të kishte shkollën dhe gjuhën shqipe. Gjatë kohës që kishte studiuar në Manastir ishte njohur me Halil Bërzeshtën, Jashar Bitinckën, por edhe me shumë të tjerë. Ata do të mbeteshin miqtë më të mirë të tij”.

Shkolla shqipe

“Edhe pse kishin kaluar disa vjet nga martesa e tyre, Shaqiri dhe Dudka vazhdonin të mbeteshin çifti më i adhuruar i qytetit të Korçës. Ata ishin gjithnjë të dashuruar. Dudka gjatë gjithë kohës vazhdonte të mbetej shtatzënë. Nga kjo martesë lindën katër djem: Hasani, Arifi, Seiti, dhe Refati, por edhe tri vajza. Deri atë çast askush nuk e dinte se jeta e fëmijve të Tabakëve do të ishte edhe me e tmerrshme se skëtera. I priste një fat i keq. Dudka gjithnjë ëndërronte që në Korçë të kishte një shkollë në gjuhën shqipe. Të njëjtën ëndërr kishte edhe Shaqir bej Tabaku. “Do të ishte mirë, thoshte Dudka që fëmijët të na mësonin këtu dhe të mësonin shqip”. “Do të shpenzoja gjithë floririn, i thoshte ajo të shoqit, vetëm të kishim shkollën tonë, ndërsa mbështeste të shoqin në çdo iniciativë që ndërmerrte ai. Në të vërtetë, Shaqir bej Tabaku që pas përfundimit të gjimnazit turko-francez në Manastir kishte nisur të bënte gjithçka mundte për gjuhën shqipe. Përveç takimeve me Halil Bërzeshtën dhe Jashar Bitinckën në familjen e Tabakve kishte filluar të hynin Orhan Pojani, Vani Cico Kosturi, Thimi Marko e njerëz të tjerë të rëndësishëm. Ata ishin ndër veprimtarët e parë të gjuhës shqipe. Më në fund, në 8 mars 1887 ishte çelur Mësonjtorja e Parë e Shqipes. Më pas në Mësonjëtoren e parë të gjuhës shqipe do të vinte si mësues edhe kushëriri i parë i Dudkës, Afëz Ali Korça. Dudka nuk përmbahej nga gëzimi. Më të vjetrit tregojnë se ditën e çeljes së mësonjtores, në lagjen e Tabakve u festua gjithë ditën. Aty kishte ardhur dhe familja Gjizma e Dudkës, ortaku, Vani Çevo, por edhe shumë familje të tjera, myslimane dhe ortodokse. Tabakët sërish kishin porositur orkestrat në Leskovik dhe Manastir. Tabakët dhe Mytevelinjtë ishin lagjja më e njohur e Korçës. Festonte gjithë Korça. Dudka atë ditë dukej edhe më e bukur se kurrë ndonjëherë tjetër. Nuk rreshtte asnjë çast për të qirasur mysafirët. Një vit më pas, bashkëshori i saj, i aktivizuar prej kohësh me Rilindjen do të zgjidhej anëtar Këshillit të Mësimit Shqip. Dudka gjithnjë kishte shpresuar tek zotësia e burrit të saj. Kishte shpresuar edhe atëherë, kur refuzonte dorën e kërkuar nga familjet e mëdha myslimane dhe ortodokse, sepse kishte pritur gjithnjë trokitjen e familjes së Tabakëve. “Tashmë ndihem mëse e kënaqur” shprehej dudka. E ardhmja dukej se do të ishte edhe më e mirë.

Arrestimi i Shaqir bej Tabakut

Shaqir bej Tabaku kishte bërë gjithçka kishte mundur për gjuhën shqipe, por përkushtimi i tij kishte rënë në sy të Patriarkanës së Stambollit dhe Portës së Lartë, vijon të tregojë historiani Nedai Thëllimi. Në vitin 1902 e arrestuan në mes të natës dhe përmes errësirës e morën me vete pa thënë asgjë se ku do ta çonin. Ditë më pas do të merrej vesh se Shaqir bej Tabakun e kishin çuar në Manastir, në burgjet e Anadollit. Qëndroi atje për tre vjet me radhë. Ndoshta nuk do të kishte dalë kurrë nga burgu, nëse nuk do të ishin bërë përpjekje të vazhdueshme nga të gjithë patriotët shqiptarë. U kthye në Korçë në vitin 1905. Për tre vjet me radhë, Dudka nuk u pa më të delte nga shtëpia. Qëndronte me fëmijët e vet dhe i lutej zotit që burri i saj të kthehej shëndoshë e mirë në shtëpi. Ashtu si i shoqi edhe ajo preferoi të qëndronte e mbyllur. Në rrugët e Korçës e panë vetëm ditën që Shaqir beu u kthye nga burgjet e Manastirit. Kishin dalë së bashku, ashtu siç delnin pas martesës. E megjithatë, Dudka i kërkoi përsëri të shoqit të vazhdonte me gjuhën shqipe. “Përkrahja ime nuk do të mungojë kurrë” i kishte thënë ajo. Fati i familjes Tabaku, kishte qenë mjaft e lidhur me Shqipërinë. Në vitin 1908, Shaqir bej Tabaku, u zgjodh anëtar i Kryesisë së Shoqërisë “Përparimi”, e cila synonte hapjen e shkollave shqipe në rajonin e Korçës. Gjatë kësaj kohe u çel shkolla e Radanecit, Dvoranit, Qatromit, Ravonikut dhe disa shkolla të tjera. Kishte ardhur viti 1912. Ishte shpallur Pavarësia e Shqipërisë. Tabakët përsëri ishin në festë.
Shaqir bej Tabaku përshëndeti aktin e shumëpritur të ngritjes së flamurit në Vlorë. Tashmë shpresohej shumë.

Fan Noli kërkon ndihmën e fisit të Tabakëve

Që nga viti 1912 kishin kaluar edhe katër vjet të tjera. Patriotët e Korçës kërkonin shpalljen e Korçës Krahinë Autonome. “Kur do të jemi të lirë”, pyeste Dudka, dhe vështronte nga i shoqi për të marrë një përgjigje. Së fundi Krahina Autonome ishte bërë realitet. Shaqir beu u zgjodh anëtar i Kryesisë që përbëhej prej 17 vetash, ku luajti një rol mjaft të rëndësishëm, sepse ai kishte qënë jo vetëm një njohës i mirë i gjuhës frënge, por në të njëjtën kohë ishte dhe mik i ngushtë i gjeneralit francez, De Kuen. Krahina Autonome e Korçës nuk zgjati shumë, por megjithatë ai i mbështetur si gjithnjë nga Dudka e tij, vijoji përsëri rrugën patriotike. Kishte mbërritur viti 1923. Në qytetin e Korçës kishte ardhur vetë Fan Noli. Ai u ndal te fisi i Tabakve. Hyri në shtëpinë e Shaban bej Shaqirit për të pirë një gotë raki e për të kërkuar përkrahjen e Tabakëve. Zgjedhjet duheshin fituar. Shqipëria do të bëhej medoemos. Tabakët që kishin pritur çdo ditë të mirën e shqipërisë siguruan Nolin se do të ishin me të. Vizita e Nolit nuk do të harrohej asnjëherë nga Tabakët. Në familjen e Tabakëve erdhën edhe njerëzit e Afëz Ali Korçës. Ky i fundit që nga viti 1920, kishte qënë Kryetar i Komunitetit Mysliman për gjithë Shqipërinë dhe kishte dhënë shumë për tolerancën fetare. Ishte njeri i respektuar nga muslimanët dhe ortodoksët. Tabakët, dhe njerëzit e Dudkës ishin që të gjithë fanolistë. Burri i saj ishte mik personal i Nolit. Kishin shpresuar brez pas brezi për një shqipëri të lirë. Ndoshta tashmë gjendeshin shumë pranë saj. Ajo ditë do të mbetej e paharruar edhe për hyjneshën e zbritur nga qielli që mbante emrin Dudkë. Ashtu si ajo që shëronte njerëzit me mjekime popullore edhe Noli i ishte dukur si një shëronjës i madh i Shqipërisë. Vitet kalonin. Çifti Tabaku nuk do te jetonte gjatë. Shaqir beu vdiq në vitin 1927. Si Shaqir Tabaku ashtu edhe Dudka u përcollën për në banesen e fundit nga e gjithë Korça. Ishin të gjithë, myslimanë e ortodoksë. Pas kishin lënë 7 fëmijë dhe dhjetra nipër dhe mbesa. Fati i tyre do të ishte skëterë.

Rrënimi i familjes Tabaku

Familja e Tabakëve, por edhe vetë Dudka nuk e kishin menduar kurrë se për pasardhësit e tyre do të vinin ditët më të vështira të provuara ndonjëherë. Me fillimin e Luftës Nacionalçlirimtare 10 nipër dhe mbesa të Shaqir bej Tabakut do të merrnin pjesë për t’i sjellë lirinë vendit. Sabaedin Tabaku do të vdiste nga torturat e gjermanëve, por edhe nga kjo luftë ata do të mbeteshin të zhgënjyer. Refati, djali i Shaqir bej Tabakut do të dënohej dy herë radhazi nga regjimi komunist që sapo kishte ardhur në pushtet. Së pari u dënua sepse, sipas komunistëve, Tabakët nuk tregonin ku e kishin fshehur floririn dhe për herë të dytë u dënua për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor. Vdiq në burgun e Laçit. As sot e kësaj dite nuk dihet ku është varri i tij. Në atë kohë kishte qënë i martuar. La pas tre vajza jetime. E keqja nuk përfundoi këtu. Djali i vajzës së Shaqir bej Tabakut, u pushkatua pa asnjë lloj gjyqi në vitin 1943. U pushkatua sepse kishte patur pikëpamje perëndimore, sepse kishte qënë kundër bolshevikëve. Hakmarrja vijoi edhe në fisin e Dudkës, Hafëz Ali Korça, njeriu i disa shoqërive patriotike, autori i 23 botimeve letrare dhe shkencore, u burgos dhe u internua. Vdiq në internim në qytetin e Kavajës, në vitin 1957. Dhe e gjitha kjo vetëm sepse në vitin 1927 shprehu hapur mendimet e tij kundër bolshevizmit. Gjithë mendimet e tij i bëri të njohura përmes një botimi. Sot ai është qytetar nderi i qytetit të Kavajës, ndërsa Korça duket se që nga koha enveriane ka harrur fiset më të mëdha të qytetit, të cilët mbajtën gjallë jetën e tij. Bashkëshorti i Cetka Tabakut ose dhëndri i Shaqir bej Tabakut u burgos si shumë tabakë të tjerë. Që nga viti 1944 gjithë pasuria e tyre, floriri, banesat e gjithçka tjetër do t’u sekuestrohej. Megjithatë fisi tabaku do të linte pas një sërë intelektualësh si, Belul Efendi Korça, Nexhip Thëllimi, Muamer Liço Panariti, Xhevat Korça, Vehbi furxhiun, sot zëvëndëskryetar i përgjithshëm i Lëvizjes Shqiptare për Mirkuptim dhe Paqe, Osman Thëllimi, por që jeta e tyre do të kishtë peripeci nga më të shumtat, kështu e përfundon tregimin e tij të trishtuar, historiani dhe publicisti i njohur Neda Thëllimi.

Mbyllje

Çifti Tabaku, nuk arriti t’i shihte tmerret e komunistëve, nuk i panë burgosjet e fëmijve të tyre, por edhe të mbesave dhe të nipërve. Nuk i panë sekuestrimit dhe grabitjen e floririt, pasuri që e kishin vënë që nga gjysh-stërgjyshi. Megjithatë shumë kush në Korçë tregon se pas viteve 1944 në varret e qytetit të Korçës vazhdimisht dëgjohej një vajtim gruaje. Ata që kishin dëgjuar historinë e Dudkës, mendonin se ishin rënkimet e saj. Edhe pse e vdekur ajo ndjente atë çka po ndodhte me fëmijët e saj dhe me njerëzit që ishte rritur. Kishte shpresuar shumë te një Shqipëri e lirë, dhe te të gjithë ata që ishin përpjekur për të, por tashmë gjithë patriotët po arrestoheshin. Burgoseshin dhe internoheshin. Këtë fat pati dhe fisi Tabaku. Edhe e vdekur ajo ndjente se diçka e keqe e kishte zaptuar vendin e saj. Po ndodhte ajo që kishte shkruar në vitin 1927 Hafëz Ali Korça. A thua se edhe sot e kësaj dite, Dudka ndihet e qetë, kur rrugë dhe lagje të Korçës vazhdojnë të mbajnë emra persekutorësh dhe jo të atyre që e themeluan Korçën, që i dhanë jetë asaj. Askush nuk kujtohet për miqtë e Fan Nolit të madh. Dudka kishte lindur për t’i dhënë kësaj bote dashuri, por edhe sot e kësaj dite ajo vazhdon të jetë një rënkim.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: