Xhelaludin Rumiu në disa botime në gjuhën shqipe

Dr. Feti MEHDIU
(Prishtinë – Fakulteti Filologjik, dega e Orientalistikës)

 

XHELALUDIN RUMIU NË DISA BOTIME NË GJUHËN SHQIPE

Dr. Feti Mehdiu

Dr. Feti Mehdiu

Me rastin e shënimit të tetëqindvjetorit të lindjes së poetit të madh botëror i cili poezitë e veta i ka shkruar në gjuhën perse, e pashë të udhës që t’u hedh një sy disa botimeve në gjuhën shqipe të cilat i referohen Rumiut, si edhe t’i hedh një sy përkthimit të veprës Mesnevija-2, në gjuhën shqipe.

Qëllimi i këtij kontributi modest është të paraqes një pasqyrë të shkrimeve  për Xhelaluddin Rumiun si edhe përkthimeve në gjuhën shqipe të veprës së tij. Kuptohet se këtu janë marrë në shqyrtim botimet e realizuara deri në vitin 2007, por nuk janë përfshirë botimet e realizuara me rastin e 800 vjetorit të lindjes së Rumiut.[1] Botimeve të përmendura po u qasem me një vështrim kritik gjë që deri tash ka munguar te autorët dhe te përkthyesit shqiptarë.

Si rrjedhojë e atyre shkrimeve lexuesi shqiptarë ka përpara vetes një pasqyrë jo fort të qartë për  poetin me famë botërore Xhelaluddin Rumiun duke e trajtuar atë kryesisht si themelues të Shkollës filozofike islame Mevlevije.[2]

Xhelaluddin Rumiu në opinionin shqiptarë është i njohur si figurë letrare edhe si figurë fetare islame, por deri tash nga asnjëri aspekt nuk kemi ndonjë studim monografik të thelluar për këtë figurë madhore për letërsinë botërore, përkundra faktit se mund të jetë botuar ndonjë artikull rasti[3]. Sesioni shkencor: RUMIU NË BALLKAN, që mbahet me rastin e vitit të Rumiut, në rastin e 800 vjetorit të lindjes së tij, është i pari te shqiptarët ku Rumiu trajtohet nga aspekti multidisiplinarë në nivel shkencor.

Ka burime në të cilat del se Rumiu te shqiptarët paraqitet tek në fillim të shekullit 20 si themelues i shkollës filozofike islame – Mevlevije. Këtë të dhënë e gjejmë në veprën e dr.Shyqyri Hysit, i cili në mbështetje në veprën e Teki Selenicës, Shqipëria e ilustruar,[4] shkruan: “Ky sekt është sekt i degës sufite dhe si themelues njihet Xheladin[5] Rumi, i cili quhej edhe mjeshtri ynë Mevlana.” Ai këtu shton, gjithashtu, se “Për herë të parë në Shqipëri përmendet  në fillim të shekullit 20, në vitin 1907 në qytetin e Elbasanit”[6]

Megjithëse poezi të Rumiut janë përkthyer në gjuhën shqipe rreth viteve të tridhjeta të shekullit njëzet, këtu do të flasim për artikujt në të cilët jepen mendime e vlerësime për Rumiun dhe do t`i  prezantojmë sipas kronologjisë vijuese:

Baba Rexhepi, (1) Historia e letërsisë botërore,(2) Mesnevia – pjesa e dytë, (3)  Naim Tërnava, (4) Rumi dhe thesaret e letërsisë, (5) Jashar Rexhepagiq, (6)   Fjalori i feve, (7) Dr.Selçuk Erajdën, Tesavvufi dhe tarikatet, (8) Shyqyri Hysi, Histori e komuniteteve fetare shqiptare, (9), Fjalori i teologjisë, (Halit Muharemi) (10) Bajrush Ahmeti, Vështrim kulturoro-historik mbi formimin  dhe përhapjen e disa fraksioneve në historinë islame,(11).

Përveç këtyre botimeve të veçanta në gjuhën shqipe, lexuesi shqiptar  gjen të dhëna për Rumiun edhe në periodikë, si në revistën: Perla,(12)  Dituria Islame, (13) Paqja, (14), etj.

Autorët e përmendur shqiptarë kanë shkruar për Xhelaluddin Rumiun ose kanë përkthyer vargje të tij. Ky është një kontribut i lakmueshëm në shërbim të vënies së urave kulturore përmes letërsisë. Kjo veprimtari meriton përkrahjen e institucioneve kulturore e shkencore.

Mirëpo disa prej tyre nuk kanë qenë kritik sa duhet në zgjedhjen apo interpretimin  e burimeve që i kanë shfrytëzuar. Kam bindjen se është koha që figura e Rumit të prezantohet para lexuesit tonë me tëra vlerat reale si poet dhe sufi, pa i dhënë ngjyra mitike si shenjtorë (1) apo kualifikime tjera e krahasime që janë mbivlerësime të paqëndrueshme.[7]

Po sjellim disa vlerësime që i hasim në botimet e lartpërmendura, të cilat janë rezultat i imitimit të literaturës së huaj pa qasje kritike.

Baba Rexhepi për Rumiun thotë, ndër të tjera edhe si vijon: ”Njihet nga shenjtorët e mëdhenj… Është themelues i dogmës së tij mistike, e cila u shqua nga të tjerat me emrin e tij dhe u njoh me emrin Mevlevizëm.”(1)

Baba Rexhepi duke u mbështetur në një varg të poetit të njohur Xhami (1414-1492), me një përkthim të lirë, sipas mendimit tim ka bërë një rrëshqitje  më të rëndë. Ai shprehjen e Xhamiut “Nist Pejgamber ve li dared qitab”[8] e ka përkthyer në shqip: “Xhelaleddini nuk është profet, por ka libër të shenjtë si të Profetëvet”(1)

Historia e letërsisë botërore, te nëntitulli Kulminacioni i poezisë mistike – Rumiu, pas vlerësimit si poet i madh botëror shpreh edhe këtë mendim:” Ai veproi edhe në një plan – si organizator themelon një rend dervishësh, mevlevitë, i cili qendrën e vet e kishte në Konja dhe teqja e tij edhe sot e kësaj dite është qendër e haxhillëkut[9] të pjesëtarëve të këtij  rendi të dervishëve.” (2)

Edhe Naim Tërnava është shumë konfuz në shprehjen e tij. Megjithëse shprehja e tij përmban një dozë pasigurie sa i përket themelimit të shkollës Mevlevije,  ai prapëseprapë nuk është shprehur qartë se është apo nuk është Rumiu themelues i tarikatit – Shkollës Mevlevije. Ai shprehet: “Themelues i rendit mevlevinj mendohet të ketë qenë Xhelaluddin Rumiu…” Tërnava më poshtë vazhdon: “Mevlana Xhelaluddin Rumiu themeloi këtë ideologji, ndërsa Sulltan Veledi, duke trashëguar këtë ideologji në mënyrë të përpiktë, formoi  tarikatin.”(4)

Jashar Rexhepagiqi në veprën e tij (6) e zë në gojë  dy herë Rumiun.

Në rastin e parë lexojmë:”…pas vrasjes së djalit më të madh të Rumiut në vitin 1240, këtij i japin titullin e shehut. Shumë shpejt ky e themelon edhe rendin e dervishëve mevlevi”, dhe në vazhdim duke e mbivlerësuar veprën Methnevi – në origjinal Matnavi-në Puntorinë e bashkimit[10], të Rumiut shton se kjo vepër:”…gati ka marrë atributin e Kur`anit në persisht”.(6)

Në faqen 74, Rexhepagiqi duke folur për Mevlevinjët jep një sinjal i cili përputhet me mendimin, të cilin e gjejmë te M. Sherifi(15) i cili ka thënë në formë shumë të prerë e të qartë se Rumiu nuk është themelues i rendit Mevlevi. Rexhepagiqi shprehet me mëdyshje se :”Rumiu, si duket, përkundër vullnetit të tij, do të ndikojë për themelimin e tarikatit mevlevi të dervishëve. Rendi është themeluar me 1247.” Vlerësime të ngjashme gjenden në veprën   Sufizam.(16)

Fjalori i feve, (7) përveç konfirmimit si themelues i tarikatit, ku thuhet: “ Themelusi dhe piri i këtij tarikati ishte mistiku dhe poeti i madh mysliman Xhelaleddin Rumi…” ka prezantuar edhe një shprehje komprometuese dhe të paqëndrueshme shkencërisht. Pas kualifikimit si njeri i jashtëzakonshëm, shtohet dhe kjo: “Edhe më i famshëm u bë pas botimit të veprës së tij Mesnevi (në 6 libra), të cilën qysh herët e quajtën “Kur`ani në gjuhën persisht”.[11]

Në veprën Fjalori i teologjisë, (10) gjithashtu Rumiu paraqitet si themelues i tarikatit Mevlevijë. “Tarikati zuri fill në shekullin 13 në qytetin Konia (Turqi). Themeluesi dhe prijësi i tarikatit ishte mistiku dhe poeti i madh persian Xhelaledin Rumiu 1207-1273.”

Bajrush Ahmeti, (11) kur flet për Mevlevijët në pasusin e parë fillon:

“Ky tarikat mbështetet te poeti sufij, Xhelaluddin Muhamed R Ibn Muhamed Ibn Husein El-Belhi, i njohur me pseudonimin Er-Rumij dhe ka të bëjë me tokat e Rumit (El-Anadoll). Janë quajtur mevlevi për shkak të popullaritetit që arriti themeluesi i tij me nofkën Mevlana (zotëriu-mësuesi) Xhelaludin.” Edhe këtu gjejmë konstatimin me të cilin Methnevija mbiçmohet deri në kuran behlevi. Ahmeti, në njëfarë forme distancohet nga ai mbivlerësim, sepse ky vazhdon: “…iranianët e madhërojnë librin methnevi deri në pakufi, derisa e kanë emërtuar kuran behlevi d.m.th. Kur’ani persian”.(11)

Kështu si e ka lënë ky autor, përkundër faktit se Ahmeti thotë:”iranianët e madhërojnë deri në pakufi…”, për lexuesit që nuk janë thelluar në këto çështje  nuk është e qartë është ky vlerësim apo kontestim i vlerësimit paraprak.

Këtu ka qenë e nevojshme që autori, nëse nuk pajtohet me atë vlerësim ta shpreh mendimin e vet më qartë.

A. Hamiti në artikullin e tij shumë ambicioz: Mevlana Xhelaluddin Rumiu – jeta dhe veprat,  (13) e përsërit, njëlloj sikur të tjerët, mendimin se Rumiu është themelues i tarikatit Mevlevij me fjalë apo rend fjalësh pak më ndryshe: “ Ai, derisa ishte gjallë, mundi të vërente zhvillimin e tarikatit të tij, të quajtur Mevlevi” dhe shton: “Të cilin e kishin themeluar ithtarët e tij.[12] Hamiti, pa ndonjë qasje kritike në raport të Poezisë së Rumit dhe Kur anit – si libër i shenjt, plason teorinë se: “Mesnevija e tij (edhe veprat e tjera) janë një simbol i islamizmit madhështor, i pejgamberit dhe i këndvështrimit islam, saqë mund të thuhet se janë “Esenca dhe përmbledhja e Kur` anit”. (13)

Edhe shprehja se Rumiu: “…braktisi këtë dynja figurative dhe arriti – u bashkua- tek Zoti i tij që e donte shumë” nuk është në harmoni me katrenën e Rumiut, të cilën po e sjellim ashtu siç e ka përkthyer Hamiti:

Përderisa ta kem shpirtin, unë jam qole e Kur anit,

Unë jamë tokë (dhe) e këmbës së hasreti Muhamedit,

Nëse dikush nga fjala ime të paktën diçka transmeton,

Nga ai dhe fjala e tij lëndohem, neveritem.” (13)

Nga këto vargje shihet  sa i devotshëm ishte Rumiu dhe sa respekt kishte ndaj Kur’anit. Ai ishte rob, qole, i Kur’anit, kurse disa studiues, duke menduar se i bëjnë nderë dhe se e ngrisin personalitetin e poetit me famë botërore Rumiun, i japin vetes të drejtë që veprën e tij poetike ta krahasojnë me Kur anin,(6,7,) ta quajnë Kur’an persisht, (11) esencë e Kur’anit,(13) etj. Këto nuk i bëjnë nderë autorit të Methnevisë por as shkencës së letërsisë e të filozofisë.

Sheh Jahja, (3) i bën lexuesit shqiptarë shërbim shumë të vlefshëm kur i sjell në gjuhën shqipe vëllimin e dytë të Methnevisë së Rumiut.

Libri i ka 446 faqe dhe përmban dyvargëshet prej numrit 1-3810. Pas kësaj  vazhdojnë komentet nga faqja 271 e deri në fund. Në fillim jepet shënimi se  e ka përkthyer Shejh Jahja i teqes Madhe, i cili në fillim ka vënë edhe portretin e vet.[13]

Përkthyesi ka shkruar edhe një Parathënie, që vjen në fillim, në një faqe dhe shënon se e ka shkruar në Pranverë 1994.

Në parathënie  përkthyesi sqaron se si motivim për ta përkthyer këtë vepër në gjuhën shqipe ka qenë nevoja “…për përhapjen e diturisë islame…”(3).

Në këtë përkthim ka disa shmangie të imta kur e krahasojmë me burimin në boshnjakisht prej nga e ka përkthyer Shejh Jahja. Kjo mund të jetë temë shqyrtimi me ndonjë rast tjetër.

Do të përmendim shkurtimisht disa lëshime, të cilat janë si rezultat i ngutisë dhe i mungesës së një dore të dytë, redaktori ose lektori që do të ndihmonte që këto lëshime të evitohen. Përkthyesi në fillim, f. 1,(3) kur përballet me një ajet të Kur’anit, i cili është i përkthyer në gjuhën shqipe, në vend se të tregojë se cili është përkthyesi i këtij ajeti në shqip, ai ka shënuar se është përkthyer nga Besim Korkuti.[14]

Shejh Jahja nuk e ka ruajt formën poetike: distikun e  Rumiut ashtu siç e kemi te botimi boshnjakisht(17). Në disa vende ka edhe dështime semantike, si për shembull ai fjalën uciti, e cila, përveç kuptimit me mësu, e ka kuptimin edhe me lexu, me këndu, e ka përthyer me mësu:  mësoi Fatihan, në vend të e këndoi, ose e lexoi Fatihan, mësoi La havle,  në vend të këndoi la havle,[15] Përkthyesi këtu nuk jep shënime për Xhelaluddin Rumiun pasi që ky është libri i dytë, porse si duket libri i parë nuk është botuar.[16]

Unë do t’i kisha preferuar botuesit që në rast se realizohet  ndonjë ribotim i këtij përkthimi, le ta rishikojë ndonjë njohës më i mirë i gjuhës boshnjake dhe i gjuhës shqipe, në mënyrë që vepra e Rumiut t`i afrohet lexuesit shqiptarë ashtu si e meriton Rumiu.

Nga citimet e lartpërmendura shihet se shumica e këtyre botimeve[17] flasin për Rumin si themelues i tarikatit (Shkollës filozofike Islame) Mevlevije duke lënë nën hije vlerat artistike që ka poezia e tij. Ka, nëpër gazeta e revista, edhe vlerësime ku trajtohen vetëm vlerat artistike dhe lënë nën hije personalitetin e tij prej sufiu që është njëri nga prijatarët e superstrukturës islame.

Në dhjetor të vitit 2007 lexuesit shqiptarë i prezantohet një studim i Xhemal Qehajiqit,(16) në të cilin hidhet dritë mbi faktin se Rumiu nuk ishte themelues i tarikatit. Tarikatin Mevlevij e themeloi i biri i tij Sulltan Veledi, i cili ndërroi jetë në vitin 1312. Mendimet se Sulltan Veledi e themeloi  shkollën filozofike islame kanë shprehur shumë studiues të sufizmit,(17) por në gjuhën shqipe nuk janë reflektuar mendimet e tyre, deri në dhjetor të vitit 2007 kur në të përmuajshmen Paqja (18) botohet një kontribut me titullin Shkollat filozofike islame.

Qehajiqi duke u mbështetur në rezultatet e studiuesit të njohur Muhammed Sherif, autor i veprës A histori of Muslim Philosophy, II, Wisbaden, (15) dhe disa studjuesëve të tjerë shumë seriozë në këtë fushë, ka konstatuar: “Xhelauddin Rumiu nuk ka themeluar as që i ka shkuar mendja të themelojë shkollë të re filozofike,  edhe pse një gjë e tillë i vishet atij…” Sipas Qehajiqit tarikati mevlevij është themeluar pas vdekjes së Rumiut. Rumiu, siç shprehet Qehajiqi: “…kishte averzion ndaj imitimit dhe  nënshtrimit verbërisht jetës fetare. Për ironi të fatit ai u bë viktimë e asaj, kundër së cilës pati luftuar me ngulmë të madh” (14).[18]

Kjo lagje e studiuesve dhe e përkthyesëve shqiptarë duke imituar  mendimet e të tjerëve në formë seleksionuese Rumiun ia paraqesin opinionit shqiptarë si themelues i tarikatit Mevlevij. Kjo nuk del të jetë e saktë.[19]

E paraqesin edhe  si shenjtor(1) apo përdorin ndonjë epitet tjetër me të cilin nuk i bëhet nderë veprës së poetit.(1,2,6,7,).

Në botimet e deritashme, madje edhe te përkthimi i veprës  Mesnevija-2, në gjuhën shqipe nuk ka ardhur në shprehje kujdesi që e meriton vepra shumëdimensionale e Xhelaluddin Rumiut.

Me pasqyrimin e këtyre teksteve mendojmë se opinionit shqiptarë po i prezantohet në formë më të plotë figura e poetit Rumi si shkrimtarë me famë botërore, për rëndësinë e të cilit dëshmon edhe fakti që organizata botërore Unesko, duke vlerësuar lart artin poetik të Rumiut, vitin 2007 e ka shpallë vit të Xhelaluddin Rumiut.

Prezentimi i këtyre shkrimeve në gjuhën shqipe, shpresojmë se do të jetë ndihmesë edhe për studiuesit e tjerë[20] që të rimarrin në shqyrtim këto mendime të shprehura këtu dhe të kontribuojnë në njohjen e këtij  poeti pa e mistifikuar jetën dhe veprën e Rumiut.

Si përfundim mund të themi se u mbetet studiuesve objektivë të iranologjisë dhe të albanologjisë të thellohen më shumë në tekstet e kësaj natyre dhe të jenë më të kujdesshëm  në formulimet siç janë: Kur’an persisht, qendër e haxhillëk të pjesëtarëve të këtij rendi të dervishëve, libër të shenjtë si të profetëve, etj.[21] dhe të tërheqin një vijë dalluese ndërmjet shprehjeve poetike, fetare dhe shkencore e filozofike.

Vetëm kështu këto studime do të jenë në shërbim të shkencës dhe në funksion të kulturës letrare e gjithënjerëzore, ashtu siç shprehej Rumiu dhe me vetëm në këtë mënyrë  Xhelaluddin Rumiut me shokë të tjerë mund t`u sigurohet vendi që e meritojnë në tekstet për studimin  e letërsisë botërore.

Kjo do të jetë një ndihmë e madhe për studentët dhe studiuesit shqiptarë.

Prishtinë, shtator, 2007
————–
Referencat:

1 – Baba Rexhepi: Misticizma islame dhe bektashizma, 1970. Waldon Press, Inc., 216 West 18 Street, New York, N,Y. 10011. pp. 386.
2 – Historia e letërsisë botërore, 1., Prishtinë, 1987, botoi: Rilindja (f. 157, Letërsia persiane)
3 – Xhelaluddin Rumiu, Hazreti Mevlanaja Mesnevia (pjesa e dytë), Gjakovë, e përktheu Sheh Jahja, f. 446.
4 – Naim Tërnava, Fraksionet në Islam, Akaidi 4, Prishtinë 1997, f. 176.
5 – Rumi dhe thesaret e letërsisë, Tiranë, 1997, f. 76. Vargje, studime e komente mbi poetin e madh iranian, zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Tasim Aliaj.
6 – Jashar Rexhepagiq, Dervishët, Rendet dhe teqetë, Pejë, 1999,  Botoi Dukagjini
7 – Ekrem Murtezai, Fjalori i feve, Prishtinë 2000.
8 – Dr. Selçuk Erajdën, Tesavvufi dhe tarikatet, Tetovë 2001, f. 428.
9 – Shyqyri Hysi, Histori e komuniteteve fetare shqiptare, Tiranë 2006, f. 252.
10 – Halit Muharremi, Fjalori i teologjisë, Tiranë, 2006, f. 370.
11 – Bajrush Ahmeti, Vështrim kulturoro-historik mbi formimin  dhe përhapjen  e disa fraksioneve në historinë islame, Prishtinë, 2007, f. 368.
12 – Ali Ekber Zijai, Dhembja e fyellit e Xhelaleddin Rumiut, Perla, nr. 4, 1997, Tiranë.
13 – Abdullah Hamiti, Mevlana Xhelaluddin Rumiu – Jeta dhe veprat, Dituria Islame, nr. 203, Prishtinë, 2007, f. 38-41.
14 – Shkolla filozofike islame Mevlevije, (nga), Paqja, nr. 13, Prishtinë, 2007, f. 22 23, përktheu Feti Mehdiu.
15 – M. M. Sharif, Historija Islamske Filozofije, 2, Zagreb, 1988, pp. 556. (Qehajiqi ka shfrytëzuar botimin në gjuhën angleze).
16 – Sufizam, Beograd, 1981, f. 228.
17 – Dželaluddin Rumi, MESNEVIJA II, Sarajevo, 2002. Prijevod sa perzijskoga Fejzulah Hadžibajrić.
18 – Džemal Ćehajić, Derviški redovi u Jugoslovenskim zemljama, Sarajevo, 1986.


[1]  Me rastin e tetëqindvjetorit të lindjes së Xhelaleddin Rumiut, Fondacioni Sa di Shirazi në Tiranë ka botuar:  Poezi të zgjedhura nga Masnavi Ma navi, Tiranë, 2007, fq. 200;  Poezi të zgjedhura nga Divani Shamsi Tabrizi, Tiranë, 2007, fq. 126, të cilat nuk kanë qenë objekt i hulumtimit tonë. Në vitin 2002 është botuar edhe një vepër me poezi e Rumiut: Mbrëmë i pëshpërita një ylli, Tiranë, fq.308,  të cilën për fat të keq nuk e kam pas në dorë për këtë trajtim.
[2] Në literaturën shqiptare islame, por edhe në gjuhë të tjera, Mevlevijtë trajtohen si sekt, tarikat, rrymë fetare, etj., kurse unë mendoj se është shumë më drejt që këto të quhen Shkolla filozofike Islame. Më gjërësisht shih: Drita e jetës, nr. 76, 2005, Shkodër, f. 8-10.
[3] Studimi: Dhembja e fyellit e Xhelaluddin Rumiut, e Ali Ekber Zijait i botuar në Perla nr. 4, 1997, Tiranë, paraqet një qasje serioze lidhur me ndikimin e Rumiut në krijimtarinë e Naim Frashërit, por kjo paraqet  qasje vetëm nga një këndvështrim.
[4] Shih: Dr. Shyqyri Hysi, Histori e komuniteteve fetare shqiptare, Tiranë, 2006.
[5] Siç po shihet është një gabim teknik por unë e kam përshkruar besnikërisht.
[6] Po aty, f. 132. Mevlana Xh. Rumiu në hapësirat shqiptare është i pranishëm qysh në shekullin 15. përmes shkollës filozofike islame Mevlevije. Shih më gjerësisht: Džemal Ćehajić, Derviški redovi u Jugoslovenskim zemljama, Sarajevo, 1986, pp. 28.
[7] Për shembull krahasimi i Mesnevisë me Kur’anin, apo epiteti Kur ani në persisht; kualifikimi i Konjës si qendër e haxhillëkut… etj.
[8]  Kjo le të mbetet çështje e studjuesëve të letërsisë perse, sidomos njohësve të poetit Xhami, që të krahasojnë poezinë e tij  dhe në bashkëpunim me studiuesit shqiptarë  të vlerësojnë peshën që ka një përkthim sikur ky, i cili nuk është në harmoni me respektin që duhet pasur ndaj librave të shenjtë.
[9] Haxhillëku sipas burimeve islame, për tërë myslimanët, realizohet në Mekë dhe në Medinë. Ky është një obligim islam i saktësuar me Kur an dhe i sqaruar me hadith. Të fusish  Konjën si qendër të haxhillëkut nuk tingëllon si vlerësim serioz shkencor.
[10] Këto shprehje janë jashtë funksionit në kontekst, por megjithatë unë i lash si në origjinal.
[11] Në një botim sikur ky kualifikimi “Kur an në gjuhën persishte” sikur merr një tretman legal të krahasimit të poezisë së Rumiut me Kur anin, gjë që nuk mund të qëndrojë  sipas kritereve  e normave shkencore në studimet krahasimtare. Këtë konstatim,që e hasim në disa artikuj në gjuhën shqipe, mund ta kenë marrë, por jo të plotë, nga prof.Fehim Bajraktareviqi. Në botimin postmortum të veprës së Bajraktareviqit:Pregled istorije persijske književnosti, Beograd, 1979, qëndron një distancim në formë shumë të kulturuar i prof. Bajraktareviqit, të cilin studiuesit shqiptarë e kanë injoruar.
Aty thuhet:”Rumi je na istoku toliko popularan da su književni kritičari njegovu Meneviju nazvali Kur anom na persijskom, što je svakako veliko priznanje”.  Nënvizimi është i imi që do të thotë: “…kjo gjithsesi është vlerësim shumë i lartë.” E quajta këtë shprehje distancusese sepse prof. Fehim Bajraktareviqi, te i cili kam pas nderin dhe  fatin të dëgjoj letërsinë persiane, në prill të vitit 1968, duke  na  spieguar për poezinë e Rumiut, kur zuri në gojë shprehjen e kritikës letrare si “Kur an në persisht” shtoi: “što je previše, previše je – çka është tepër, tepër është”.
[12] Këtu na paraqiten dy mendime pak të ngatërruara. Nëse ai sa ishte gjallë mundi të vërente zhvillimin e tarikatit të tij, atëherë përse atë “ e kishin themeluar ithtarët e tij”?
[13] Portreti i përkthyesit këtu mendoj se e habit lexuesin. Në mungesë të portretit të autorit duhej të shkonte pa portret fare.
[14] Besim Korkuti është përkthyes i Kur anit në gjuhën boshnjake.
[15] Mesnevija, pjesa e dytë, f. 18.
[16] Prof. Jashar Rexhepagiqi (6, faqe 42.), e ka evidentuar edhe librin e parë, por nuk ka dhënë shënimet e nevojshme, si vendi dhe viti i botimit etj., që len të kuptohet se nuk e ka pas në dorë botimin e librit të parë.
[17] Përveç Selçuk Erajdën dhe Rumiu dhe Thesaret e letërsisë.
[18] Në burimet që kanë shfrytëzuar studiuesit shqiptarë shihet se i kanë pasë në dorë këto burime por medimin se Rumiu nuk kishte themelues i shkollës Mevlevije nuk e kanë përmendur.
[19] Ata që e trajtojnë si themelues të shkollës Mevlevite mbështeten në në titullin që kishte poeti :Mevlana. Vetëm kjo nuk mjafton për ta pranuar si themelues kur M.M.Sherifi thotë se Rumiu ishte një luftëtarë këmbëngulës kundër forimit të rrymave të reja.
[20] Këtu mendoj në studiuesit e iranlogjisë dhe të albanologjisë së bashku.
[21] Shprehje të këtilla në kohë dhe rrethana të caktuara specifike mbjellin huti dhe mund të kenë pasoja.
Advertisements
  1. orientalisti bujanovc
    28/06/2012 te 10:35

    Urime Profesor dhe faleminderit per kontributin tuaj te vazhdueshem qe po jepni ne leminë e orientalistikes. Ky gjest i juaj eshte pasqyre dhe duhet te jete shembull per ne orientalistet e rinj. Ju urojme fat, lumturi dhe shendet me shpresen dhe jam i bindur qe kontributi juaj nuk do te mungoje deri sa te jeni gjalle.

  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: