Njëherë e një kohë në Andaluzi

Dr. Abdelatif CHARAFI

 

NJËHERË E NJË KOHË NË ANDALUZI

A ishte mbretërimi i myslimanëve një kolonizim i Gadishullit Iberik?

Alhambra-Granada-Spain

Ky artikull do të jetë si një udhëtim në kohë në një periudhë shumë të veçantë të historisë botërore: nga shekulli IX në shekullin XIII në Andaluzi dhe në mënyrë më specifike në Kordovë, ku jetuan një milion njerëz në qendrën m të madhe të Evropës, e cila ishte qendra kulturore e asaj periudhe. Atje nuk ekzitonte asnjë ndarje ndërmjet studimit rigoroz shkencor, urtësisë dhe besimit. As lindja nuk ishte endarë nga perëndimi, as myslimanët nga hebrenjtë apo të krishterët. Aty filloi dhe u rrit Rilindja evropiane.

Duke shqyrtuar trajektoren e Islamit në Andaluzi, objektivi ynë është të riprezantojmë afirmimin e vlerave absolute dhe universale të Islamit pa të cilin shoqëria jonë shpërbëhet.

Miti i pushtimit mysliman në Spanjë

Islami u çrrënjos nga Spanja më shumë se 500 vite më parë. Kjo ngjarje u festua në Expo 92 në Sevilje, gjatë të cilit organizatorët u përpoqën të na bëjnë të besojmë se Spanja u formua nga një luftë e vazhdueshme kundër Islamit që zgjati më shumë se shtatë shekuj. Por a ishte disfata e myslimanëve me 2 janar 1492 çlirim për spanjollët? A ishte mbretërimi i myslimanëve një kolonizim i Gadishullit Iberik?

Kur mëson për zgjerimin mysliman në Spanjë habitesh nga shpejtësia e tij, aspekti i tij përgjithësisht paqësor dhe komponenti qytetërues. Myslimanëve iu deshën më pak se tre vjet (nga viti 711 në vitin 714) dhe një betejë (ajo e Guadeletes, pranë Kadizit) për t’u përhapur në gjithë Spanjën. Ndryshe nga kjo, profetit Muhamed iu deshën 22 vjet (610-632) dhe 19 ekspedita ushtarake që Arabia ta pranonte Islamin. Ky ndryshim në kohë dhe përpjekje që Islami të përhapej në Arabi dhe Spanjë, ekziston për shkak të ngjasimeve teologjike si dhe arsyeve socio-kulturore-ekonomike që i tërhiqnin spanjollët.

Arabia paraislame ishte kryesisht politeiste dhe kishte disa komunitete të vogla hebraike dhe të krishtera. Aty Islami duhej të luftonte kundër një “bote pa ligj” në mënyrë që të mbizotëronte monoteizmi. Spanja paraislame ishte e krishtretë dhe kishte disa komunitete të rëndësishme hebraike. Sipas Roger Garaudy, ky ndryshim nuk shpjegon vetë shpejtësinë e zgjerimit por edhe llojin e tij.

W. Montgomery Watt thotë në “Historia e Spanjës islame”: “Shpesh ndodhte një keqkuptim se lufta e shenjtë do të thoshte se myslimanët u dhanë kundërshtarëve të tyre një zgjedhje “ndërmjet Islamit dhe shpatës”. Kjo ndodhi në disa raste, por vetëm kur kundërshtarët ishin politesitë dhe adhurues të idhujve. Për hebrenjtë, të krishterët dhe “ithtarët e Librit”, pra për monotesitët që u kishin ardhur shkrime të shenjta, ekzsitonte një mundësi e tretë, ata mund të bëheshin një “grup i mbrojtur”, t’u paguanin një taksë myslimanëve, por të gëzonin autonominë e brendshme.

Prandaj rasti i Spanjës nuk bën përjashtim dhe kjo ndodh për shkak të thelbit të Islamit.

Profeti Muhamed nuk pretendoi asnjëherë se krijoi një fe: “Ty nuk po të thuhet tjetër përveç asaj që u është thënë të dërguarve para teje” (41:43). Dhe “Ju (besimtarë) thuani: “Ne i besuam All-llahut, atë që na u shpall neve, atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve (të Jakubit që ishin të ndarë në dymbëdhjetë kabile), atë që i është dhënë Musait, Isait dhe atë që iu është dhënë nga Zoti i tyre pejgamberëve, ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre dhe ne vetëm atij i jemi bindur” (2:136).

Islami erdhi për të konfirmuar mesazhet e mëparshme, për t’i pastruar nga ndryshimet historike dhe për t’i plotësuar ato. Në Kuran thuhet: “Po, (fjala vjen), nëse je në dyshim për këtë që të zbritëm ty (për ngjarjet e pejgamberëve), atëherë pyeti ata që lexojnë librin para teje. Ty të erdhi nga Zoti yt e vërteta, pra, mos u bë prej atyre që dyshojnë” (10:94). Atëherë komuniteti mysliman u hap pa dallim për ata që besojnë në unitetin dhe transcendencën e Zotit.

Përveç kësaj, në Gadishullin Iberik kishte filluar një luftë ndërmjet të krishterëve pasues të doktrinës së trinisë, të cilët e pranuan trininë dhe Jezusin si Zot dhe të krishterëve arianë, të cilët nuk e konsideronin Jezusin si Zoti por si profet të frymëzuar nga Zoti. Këshilli i Nikeas i vitit 325, i mbledhur nga perandori Konstandin për të unifikuar perandorinë e tij ideologjikisht, vendosi dogmën e trinisë dhe dënoi mësimet e Ariusit të Aleksandrisë, i cili i refuzoi këto dogma. Konflikti shpërtheu në vitin 709, kur të krishterët, pasues së doktrinës së trinisë e shpallën Roderikun si mbretin e tyre. Kryepeshkopi i Seviljes e kushdërshtoi atë dhe banorët e Andaluzisë ekzistuese u revoltuan kundër regjimit të tij. Kur Roderiku pushtoi Andaluzinë, banorët e saj kërkuan ndihmë në jug. Gjenerali Tarik ibn Zijad kaloi në Algericas dhe u zhvillua një betejë në Guadalete, pranë Kadizit. Peshkopi i Seviljes si dhe ai i Toledos u bashkuan me ushtrinë myslimane.

Fshatarët po kalonin një periudhë shumë të vështirë, keqtrajtoheshin dhe ishin ulur në statusin e skllavit. Varfëria, korrupsioni, injoranca dhe paqëndrueshmëria mbizotëronin. Edhe ata që ishin të lirë e ndjenin se po u mohoheshin të drejtat. Kishte shumë pakënaqësi, prandaj shumë njerëz të zakonshëm i konsideruan myslimanët si çlirimtarë dhe i ndihmuan sa mundën. Hebrenjtë, të cilët ishin persekutuar për një kohë të gjatë nën sundimin Vizigot, hapën portat e shumë qyteteve. Të gjitha shtresat ishin shumë të kënaqura, saqë gjatë shekullit VIII nuk pati asnjë revoltë.

Është e vështirë të kuptohet, se si një ushtri e vogël e përshkoi gjithë Spanjën për më pak se tre vjet, duke pasur parasysh pushtimin ushtarak. Historiani Dozy e përshkruan këtë ngjarje në “Histoire des Musulmans d’Espagne”, si “një gjë të mirë për Spanjën” e cila shkaktoi një revolucion social të rëndësishëm, duke e çliruar shtetin nga zinxhirët prej të cilëve po vuante për shekuj të tërë. Taksat nuk krahasoheshin me ato të qeverive të mëparshme. Myslimanët futën reformat e tokës duke e marrë tokën nga të pasurit dhe duke e shpërndarë në mënyrë të barabartë mes bujkrobërve dhe skllevërve. Pronarët e rinj e punuan atë me zell. Tregtia u çlirua nga kufizimet dhe taksat e larta.

Shkrimtari i njohur Blasko Ibanez në “Dans l’ombre de la cathedrale” flet për një “ekspeditë qytetëruese” që vinte nga jugu dhe jo për një pushtim. Për Ibanezin nuk ishte një pushtim me armë, por një shoqëri e re, rrënjët e forta të së cilës po shtriheshin gjithkund. Duke përshkruar myslimanët pushtues ai thotë: “Parimi i lirisë së ndërgjegjes, themeli i madhështisë së kombeve, ishte i dashur për ta. Në qytetet ku udhëhiqnin, ata e pranuan kishën e të krishterëve dhe sinagogën e hebrenjve”.

Pra, historia e bën të qartë se legjenda e myslimanëve fanatikë, të cilët e përhapën Islamin me shpatë në Spanjë është një mit absurd. Zgjerimi i Islamit në Spanjë nuk ishte një pushtim ushtarak, por një çlirim.

Kuptimi i jetës në Andaluzi

Kuptimi i jetës dhe qëllimi i tij në Andaluzi në kohën e apogjesë islame, drejtonte çdo vepër të jetës së përditshme si dhe kërkimet shkencore dhe teknike. Gjigantët shpirtërorë si Ibn Rushdi (1126-1198) i njohur në perëndim si Averroes dhe Ibn Arabi (1165-1240), ose filozofi hebre Maimonides (1135-1204, janë disa prej atyre, të cilët e përçuan më së miri mesazhin e Andaluzisë. Kjo frymë gjendej pas progresit shkencor dhe teknik të atyre shekujve të artë.

Shkenca nuk ishte e ndarë nga urtësia dhe besimi dhe asgjë nuk e shpjegon këtë fakt më mirë se Ibn Rushdi kur ai shkruan: “Filozofia jonë nuk do të shërbente për asgjë nëse nuk do të ishte e mundur të lidheshin këto tre gjëra që jam munduar t’i bashkoj në “Harmoninë e shkencës dhe të fesë”:

Shkencën e themeluar mbi përvojën dhe logjikën, për të zbuluar arsyet.

Urtësinë, që pasqyron qëllimin e çdo kërkimi shkencor, në mënyrë që ta bëjë jetën tonë më të bukur.

Shpalljen, atë të Kuranit, ashtu si është vetëm nëpërmjet shpalljes, që ne të dimë qëllimet përfundimtare të jetës dhe historisë tonë.

Uniteti i traditës abrahamike dhe trajtimi kritik i filozofisë, shprehen me të njëjtën forcë në veprën e filozofit hebre Maimonides, i cili ishte bashkëkohës i Ibn Rushdit. Ai tha:

“Nëse për Ibn Rushdin, libri i shenjtë nuk është Tevrati, por Kurani, ne të dy jemi dakord për kontributet e arsyes dhe të shpalljes. Këto janë shfaqje të së njëjtës së vërtetë hyjnore. Ka vetëm një kontradiktë kur je besnik ndaj leximit të fjalëpërfjalshëm të shkrimeve të shenjta, harrimi i kuptimit të tyre të përjetshëm.

Islami merr një dimension të ri në Andaluzi me Ibn Arabin, i cili quhej Muhyi al-Din (ai që i jep jetë besimit). Ibn Arabit nuk i interesonte se çfarë thoshin njerëzit për besimin e tij, por se si mund t’i ndihmonte ai njerëzit me këtë besim. Ai thotë:

Zoti është unitet. Uniteti i dashurisë i atij që do dhe që duhet. Dashuria është dëshirë për bashkim. Çdo dashuri me vetëdije dhe pa vetëdije është dashuri për Zotin.

Jini dëshmitarë të kësaj pranie të Zotit brenda vetes tuaj, tek krijimi i Zotit, që s’resht asnjëherë. Vepra është shfaqja e jashtme e besimit. Islami i pranon të gjithë profetët si të dërguar të një Zoti. Mësoni të zbuloni tek secili farën e dëshirës për Zotin, edhe nëse besimi i tij është ndonjëherë i errët dhe ndonjëherë. Ndihmojeni të gjejë rrugën drejt Dritës së plotë.

Ibn Rushdi përpiqet të nxjerrë në pah mesazhin universal të Islamit, i errësuar nga traditat rajonale, kur ai e përcakton shoqërinë më të mirë si “Atë shoqëri ku çdo gruaje, çdo fëmije dhe çdo burri i jepen mjetet që të përdorë mundësitë që Zoti i ka dhënë”. Pushteti për ta krijuar atë “nuk do të jetë teokraci, si ajo e të krishterëve të Evropës, pushtet i tiranëve apo bashkëfajtorëve fetarë”. Kur e pyetën se cilat janë kushtet e kësaj shoqërie ai u përgjigj: “Një shoqëri do të jetë e lirë dhe Zoti do të jetë i kënaqur me të kur njeriu të mos veprojë nga frika ndaj një princi apo nga ferri dhe as nga dëshira për t’u shpërblyer nga një kurtizane apo nga parajsa dhe kur asnjeri të mos thotë: “Kjo është e imja”.

Islami në Andaluzi solli lindjen e një numri të madh gjigantësh shpirtërore, të cilët kanë treguar se njerëzimi nuk ka të ardhme pa vlerat e ngrohta dhe shpirtërore që vijnë nga besimi në transcendencën dhe njëshmërinë e Zotit. Personalitete si Ibn Massara i Kordovës (883-931), sipas të cilit njeriu ishte përgjegjës për historinë e tij; Ibn Hazmi i Kordovës (994-1064) i cili ishte pionieri i historisë krahasuese të fesë; Ibn Gabiroli i Malagës (1020-1070) vepra kryesore e të cilit ishte sinteza e besimit hebre dhe filozofia e Ibn Massaras; Ibn Bajja (1090-1139) me të cilin filozofia islame u prezantua në mënyrë sistematike në drejtimin e saj; Ibn Tufayl nga Kadizi (1100-1185) tema qendrore e të cilit ishte lidhja ndërmjet arsyes dhe besimit.

Të gjithë këta njerëz të dijes, urtësisë dhe besimit qëndrojnë si kujtime të së kaluarës së lavdishme kur Islami i vërtetë predikohej dhe praktikohej, kohë kur shembulli i mrekullueshëm i myslimanëve u dha atyre famë dhe respekt; kohë kur këta njerëz paqedashës u ngritën thjesht sepse kishte padrejtësi dhe luftuan në emër të Zotit me një forcë që bëri që një pakicë besimtarësh të fitonin kundër ushtrive të jobesimtarëve.

Stili i jetesës në Andaluzi

Andaluzia ishte unike për sa u përket arritjeve të prekshme në të gjitha sferat e jetës. Nxënies i kushtohej shumë rëndësi, e cila shënohej nga magjepsja pas shkencës, letërsisë arabe dhe diskursit filozofik mbi arsyen dhe besimin. Në botën e krijuar në tokën e Andaluzisë kishte pasuri tregtare, pasuri për sa i përket konsumit dhe prodhimtarisë e shkëmbimit. Kishte gjithashtu pasuri informacioni, falë bibliotekave të Kordovës dhe pasuri të të menduarit për kuptimin e jetës, për Zotin dhe gjërat materiale. Atje kishte dhe poetë, të cilët u këndonin të gjitha formave të pasurisë. Më poshtë do të flasim shkurtimisht për arritjet shkencore dhe teknike dhe do të japim një përshkrim më të detajuar për xhaminë e Kordovës si një prej shprehjeve monumentale të sundimit mysliman dhe ndërtimin që mishëronte imazhin e hegjemonisë myslimane në Andaluzi.

Arritjet teknike dhe shkencore

Kur flasim për zhvillimin shkencor në Andaluzi, nuk mund ta ndajmë atë nga kontributet e qytetërimeve të tjera të mëdha dhe as nga urtësia dhe besimi që frymëzoi të gjithë studiuesit në Andaluzi: shkenca është një sepse bota është një, bota është një sepse Zoti është Një. Ky parim i teuhidit drejtonte të gjitha aspektet e kërkimit shkencor në Andaluzi si dhe në vende të tjera të botës islame në kohën e lulëzimit të saj. Më poshtë vijojnë disa nga arritjet e kësaj filozofie të jetës.

Përpjekja e parë për të fluturuar u bë në Kordovë nga Ebu Abass el-Fernass. Al-Zahraui, lindur pranë Kordovës në vitin 936, ishte një prej kirurgëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Enciklopedia e tij e kirurgjisë u përdor si një libër standard referimi për këtë temë, në të gjitha universitetet e botës për më shumë se 500 vjet. Al-Zarqalli, lindur në Kordovë shpiku astrolabin: që ishte një instrument që përdorej për të matur largësinë e yjeve mbi horizont. Astrolabi bëri të mundur përcaktimin e pozicionit në hapësirë dhe orët e ditës, për të lundruar dhe që besimtari të falej në kohën e caktuar.

El-Idrisi, lindi në Ceuta në vitin 1099 dhe studioi në Kordovë, vizatoi harta për mbretin Roxher të Sicilisë, ku përdori metodën e projektimit për të kaluar nga forma sferike e tokës në planisferën që ishte shumë e ngjashme me atë që u përdor nga Merkatori katër shekuj më vonë.

Metodat bujqësore dhe të ujitjes së myslimanëve të Spanjës u zbuluan nga inxhinieri i madh italian Juanello Turriana, i cili shkoi në Andaluzi për të studiuar teknikat hidraulike dhe bujqësore të Spanjës myslimane të shekullit të XI që të zgjidhte problemet e shekullit të XVI në Itali.

Xhamia e madhe e Kordovës

Kordova i meriton titujt e saj si “nusja e qyteteve” dhe “thesari i shekullit të X”. Kordova ishte qyteti i fabrikave dhe i punishteve, që tërhoqi shumë dijetarë dhe prodhoi dijetarët e saj. Ai ishte qyteti i parë me drita nëpër rrugë në gjithë Evropën. Ai u bë i njohur si pishtari i nxënies dhe i qytetërimit në një kohë kur normanët kishin shkatërruar Parisin dhe Anglia ishte plaçkitur nga danezët dhe vikingët. Krenaria e saj ishte xhamia e saj e mrekullueshme, që është ndërtesa më e njohur e Spanjës pas pallatit Alhambra në Granada.

Themelet e xhamisë u ndërtuan nga Abd al-Rahmani I në vitin 785 në vendndodhjen e një kishte të vjetër kristiane. Që nga koha e pushtimit në vitin 711, kisha ishte përdorur nga myslimanët dhe nga të krishterët. Myslimanët e blenë kishën për shkak të rritjes së popullsisë në atë kohë dhe jo për shkak të mungesës së tolerancës fetare. Ajo u zgjerua ndërmjet viteve 832-848, pastaj në vitin 912 dhe kryesisht në vitin 961 nga al-Hakami II, me mihrabin e saj të mrekullueshëm. Në vitin 987 el-Mansuri dyfishoi hollin e faljes që u bë me 600 kolona. Në vitin 1236, pasi Kordova ra në duart e Ferdinandit III të Kastiljes, brenda saj u ndërtuan kishëza dhe në vitin 1523 në qendër të xhamisë u ndërtua një katedrale. Thuhet se Mbreti Çarlsi i V ka thënë pasi ka parë katedralen e re: “Po ta kisha ditur se çfarë ishte, nuk do të kisha lejuar të prekej e vjetra, sepse ju po bëni atë që ekziston në shumë vende të tjera dhe keni prishur atë që është unike në botë”. Ashtu si mund ta shohim sot, pavarësisht nga kundërshtimi i qeverisë spanjolle për projektin e UNESCO’s për ta zhvendosur katedralen ashtu si është pa përjashtuar as detajin më të vogël (si tempullin e Ebu Simbalit në Egjipt), Xhamia e Kordovës pasqyron akoma më së miri imazhin e artit mysliman.

Problemi praktik me të cilin u përball arkitekti i xhamisë së Kordovës për ndërtimin e një dhome të madhe për një komunitet të madh, ishte ngritja e çatisë së oratorit në një lartësi në përpjesëtim me zgjerimin e ndërtesës, në mënyrë që të mos ekzistonte ndjenja që kemi kur hyjmë në një parking nëntokësor. Shtyllat antike nuk ishin të mjaftueshme. Ishte e nevojshme që ato të shtoheshin dhe shembulli i Damaskut sugjeroi pasazhe në dy nivele. Por modeli i Kordovës ka një tipar të habitshëm: pasazhet e poshtme dhe të sipërme nuk janë pjesë e murit por ulen tek shtyllat dhe harqet e tyre pa ndërtim të ndërmjetëm. Harqet e sipërme që mbajnë çatinë, mbështeten në të njëjtat kolona ku mbështeten harqet e poshtme. Ky koncept, pa precedent në historinë e arkitekturës dhe unik në xhaminë e Kordovës është një sfidë reale për peshën dhe inercinë e gurëve.

Për të krijuar një tablo më të saktë për imazhin që shkakton kjo arkitekturë le të themi se vijat e lakuara të të dyja radhëve të harqeve ngrihen si gjethet e palmave të të njëjtit trung, që qëndron mbi një shtyllë relativisht të hollë, pa pasur ndjesinë se është shumë e rëndë për të. Harqet me format e tyre dhe ngjyrat e ndryshme, kanë një fuqi zgjeruese që largon çdo sugjerim peshe. Kjo shprehje me terma statikë të një realiteti që shkon përtej planit material, ekziston falë planit të harqeve. Harqet e ulëta zgjaten përtej formës së një gjysmërrethi, ndërsa harqet e sipërme janë më të hapura dhe gjysmërrethore.

Shumë arkeologë kanë sugjeruar se ky ndërtim i harqeve i përdorur nga arkitekti i Kordovës u frymëzua nga kanali romak në Merida. Megjithatë mes tyre ekziston një ndryshim rrënjësor. Arkitekti romak kishte respektuar logjikën e gravitetit, pjesa mbështetëse e ndërtesës duhet të jetë në përpjesëtim me peshën, pra harqet e sipërme duhet të jenë më të lehta sesa elementet mbështetëse. Për arkitektin e Kordovës dhe në përgjithësi për të gjithë arkitekturën islame, një rregull i tillë nuk funksionon. Po përse?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet të largohemi nga faktorët teknikë drejt shprehjes simbolike të hapësirës në faljen myslimane, që ishte faktori kryesor që e shqetësonte “mjeshtrin” e Kordovës. Qëllimi nuk ishte arritja e një vepre të madhe arkitekturore, por krijimi i një hapësire të përshtatshme për besimtarët. Kufijtë e hapësirës nuk luajnë asnjë rol; muret e hollit të faljes zhduken përtej serisë së pasazheve. Përsëritja e tyre (në xhaminë origjinale kishte rreth 900 prej tyre), të jepte përshtypjen e zgjerimit të pafund. Këtu hapësira nuk përcaktohet nga kufijtë e saj por nga lëvizja e pasazheve, nëse mund të përshkruhet si lëvizje. Ky zgjerim është i fuqishëm, por në realitet i palëvizshëm. Titus Burckhardt e përshkruan këtë si “art logjik, statik objektivisht por asnjëherë antropomorf”.

Për këtë mihrab të mrekullueshëm, që është kryevepra e artit të Kordovës, i detyrohemi el-Hakamit II, gjithashtu i detyrohemi dhe për kubetë që gjendet para saj, duke përfshirë themelet e tyre të pasazhet e gërshetuara.

Pjesa kryesore e këtij mihrabi, që është shumë i thellë, rrethohet në pjesën e sipërme nga një hark, që është si një vegim dhe burim drite, prej së cilës duket se zgjerohet vija e lakuar, si një kraharor që thith ajrin e pafundësisë. Sipas spiritualitetit më të lartë mysliman, bukuria është një prej “shenjave” që ndjell praninë hyjnore. Mbishkrimi mbi simfoninë e ngjyrave, me shkrim kufi, deklaron njëshmërinë e Zotit.

Xhamia e Kordovës është mishërimi i mesazhit universal islam

Dituria filozofike dhe shkencore e andaluzianëve shkoi përtej Pirenejve, për të ujitur kullotat e thata të jetës intelektuale evropiane. Studentët e Evropës perëndimore frekuentonin bibliotekat dhe universitetet e ngritura në myslimanët në Spanjë. Kjo ndryshoi mendjen evropiane dhe nuk është e tepërt të themi se qytetërimi perëndimor i detyrohet për ringjalljen e saj energjisë intelektuale të çliruar nga Islami. Kësaj periudhë rigjallërimi që filloi në Firence në Itali në shekullin e XVI, perëndimi i referohet si Rilindja. Ajo ishte rezultati direkt i një Rilindjeje tjetër evropiane që filloi në universitetin e Kordovës në Spanjë në shekullin e IX. Kjo e vërtetë e thellë e historisë tonë të përbashkët bëhet e qartë kur dimë si ta dëgjojmë muzikën e gurëve të Kordovës. Megjithatë ekziston një ndryshim rrënjësor mes dy “rilindjeve”; ajo që filloi në Kordovë bazohej mbi besim dhe ishte e vetëdijshme për universalitetin e hyjnores; ajo që filloi në Firence ishte kundër Zotit dhe projekti i saj thelbësor ishte shekullarizimi i të gjitha aspekteve të jetës.

Arsyet që çuan në zhdukjen e rilindjes së Kordovës që lindi nga Islami, mund të kuptohen më mirë duke iu referuar shkaqeve të suksesit të tij. Islami i detyrohej për suksesin e madh Kuranit dhe Sunetit të profetit Muhamed (a.s.). Forca aktive e sistemit u neutralizua sapo myslimanët filluan ta konsiderojnë Kuranin si një traktat mbi dogmat dhe sunetin thjesht si një sistem ligjesh pa ndonjë kuptim të gjallë. Në “Muqaddima”, Ibn Khalduni dënon metodat e edukimit të praktikuara nga disa prej fukahave të Andaluzisë duke thënë se në vend që ta ndihmonin nxënësin të kuptonte përmbajtjen e librit me të cilin po punonte, ata e detyruan atë ta mësonte përmendsh.

Shkolla maliki e mendimit mbizotëronte në Andaluzi deri në atë pikë, saqë asnjë medhheb tjetër nuk mësohej dhe të dije përmendësh “Muvattan” e Imam Malikut dhe komentet mjaftonte që një faqih të konsiderohej si dijetar i shquar. Mbyllja e derës së ixhtihadit (gjykimit të pavarur), që do të ishte dënuar nga vetë Maliku nëse do ta shihte një gjë të tillë, u nxit nga pjesa më e madhe e drejtuesve në Andaluzi, sepse nënkupton një bindje pa kushte të pushtetit të shpallur. Kjo çoi në një degjenerim intelektual dhe trajtimi i personave të shquar që përmendëm më lart e tregon këtë. Ibn Massara u detyrua të mërgonte. Ibn Hazmi u dëbua nga Majorka. Librat e Gazaliut u dogjën. Biblioteka universale e el-Hakamit II u hodh në lumë. Ibn Tufayl dhe Ibn Rushdi u dëbuan si dhe Ibn Arabi. Të gjitha këto nuk u kryen nga të krishterët por nga vetë myslimanët! Këto ishin shenjat se kjo strukturë e madhe e përfaqësuar nga Islami, kishte arritur në një etapë ku vitaliteti i brendshëm po thahej dhe një shpërthim i fuqishëm mund ta shkulte nga toka ku kishte jetuar për shekuj me radhë.

Çlirimtarët e hershëm në Spanjë kishin një mision që e bënte të pamundur që ata të ishin egoistë, mizorë apo jotolerantë. Në atë çast që kjo u humb nga pasardhësit e tyre, fryma e tyre e klanit e zëvendësoi unitetin e tyre të qëllimit. Njëherësh ekzsitonin deri në 12 dinasti. Ky ishte sinjal i dështimit. Shoqëria myslimane filloi të përfaqësonte një rend social dekadent, që nuk mund të kishte rritje dinamike dhe pa kapacitet për rezitencë efektive. Në këto rrethana, është e vështirë që një shoqëri t’i mbijetojë një kërcënimi serioz të jashtëm. Sundimi mysliman në gadishullin Iberik filloi të zmbrapsej për shkak të tradhtisë së disa princërve myslimanë, derisa Granada ra në duart e kryqtarëve me 2 janar 1492.

Kur mbreti i fundit i Granadës Abu Abdullah, shikoi Alhambrën për herë të fundit, sytë iu mbushën me lot. E ëma e tij i tha: “O Ebu Abdullah qaj si grua për një mbretëri që mund ta mbronit si burra”. Por historia jonë duhet të luajë një rol udhëzues dhe frymëzues dhe jo të jetë thjesht kujtim i së kaluarës. Ne nuk duhet ta lartësojmë të kaluarën dhe paraardhësit tanë, pavarësisht nga gabimet e tyre. Studimi ynë i historisë së Islamit duhet të jetë më objektiv dhe jo vetëm një justifikim i veprave të paraardhësve tanë.

Përfundim

Në duhet të sigurohemi se tragjedia e Andaluzisë nuk do të përsëritet. Për ta bërë këtë nuk duhet t’u drejtohemi fëmijëve tanë me “Njëherë e një kohë në Palestinë… Një herë e një kohë në Bosnje…” Në na nevojitet një Rilindje e vërtetë islame që të na shpjerë drejt Islamit të përjetshëm dhe universal. Tek një Islam që është një apel i vazhdueshëm për t’i rezistuar dhunës, sepse ai përjashton çdo nënshtrim përveç nënshtrimit ndaj Zotit dhe e quan njeriun të përgjegjshëm për përmbushjen e rendit hyjnor në tokë. Një Islam, parimet e të cilit me fjalët e Roger Garaudyt janë:

Në fushën ekonomike: Gjithçka i përket Zotit.
Në fushën politike: vetëm Zoti jep urdhra.
Në fushën kulturore: vetëm Allahu di.
Ne duhet t’i përgjigjemi kësaj thirrjeje pa imituar perëndimin dhe pa imituar të kaluarën.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: