Letërsia e bejtexhinjve, tradita shqiptare me ngjyrime orientale

LETËRSIA E BEJTEXHINJVE, TRADITA SHQIPTARE ME NGJYRIME ORIENTALE

Lidhjet letrare shqiptare-arabeAjo nuk arriti kurrë të ngjitej në shkallën e një letërsie të mirëfilltë kombëtare, por i dha, gjithsesi, një impakt pozitiv jetës sociale e artistike në Shqipërinë e shekujve 17-18. Ajo mbartte, sigurisht, ngjyrime e ndikime osmane e orientale, perse e arabe, por fryma laike që ajo shpesh përcolli dhe aksesi që patën në të masat e gjera të popullit të thjeshtë, bënë që ajo të linte gjurmë në kulturën tonë kombëtare e të shërbente për t\‘u shtruar rrugën më pas shumë rilindasve në krijimtarinë e tyre.

Ndikimet nga tradita orientale e më konkretisht, ajo osmane, filluan të ndiheshin gjerësisht në shekullin XVIII në Shqipëri jo vetëm në mënyrën e sjelljes, administrimit, religjionit e marrëdhënieve ndër njerëz, por erdhi koha që ato të shtriheshin edhe më tej, duke kapur kështu edhe letërsinë (megjithëse deri në atë kohë shumë pak mund të flitej për një të tillë të mirëfilltë ndër shqiptarë). Kështu, në fillim të shekullit të lartpërmendur, në Shqipëri lindi dhe u zhvillua një rrymë letrare me tipare tepër origjinale për vendin tonë, rryma e bejtexhinjve (e cila e mori këtë emërtim nga fjala turke \‘bejte\‘, që do të thotë vjershë). Ajo u bë dukuri e rëndësishme dhe pati përhapje shumë të gjerë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, në Kosovë, por edhe në qendra më të vogla fetare e më pak në fshat. Rryma letrare e bejtexhinjve ishte produkt i disa kushteve të veçanta historike, i dy faktorëve të kundërt. Nga njëra anë ishte kërkesa për të shkruar shqipen si gjuhën e vendit, për ta përdorur edhe në praktikën fetare e për t\‘u çliruar nga ndikimet e kulturave të huaja. Kjo ishte më tepër prirje e shtresave që lidheshin me format e reja ekonomike, (tregtare e monetare). Nga ana tjetër, është shtimi i trysnisë ideologjike të pushtuesit. Nëpërmjet fesë dhe kulturës islame synohej të arrihej (pavarësisht se sot mund të ketë përqasje të ndryshme për këtë) nënshtrimi i shqiptarëve. Natyrisht, krijimtaria poetike e bejtexhinjve ruan ndikimin e poezisë e të kulturës orientale, por ajo është gjithsesi, pjesë e pandarë e kulturës së popullit tonë. Ajo është shprehje e shpirtit krijues dhe e talentit artistik të tij, që, në kushte të caktuara, fitoi kështu edhe tipare e dimensione të cilat përputheshin me to. Një element, i cili i ka dhënë më shumë një tendencë komprometuese kësaj rryme letrare apo këtij fenomeni, me siguri është fakti se bejtexhinjtë e shkruan shqipen me alfabet arab dhe përdorën një gjuhë “të mbytur” nga ndikimet e vërshimet e fjalëve persiane, turke e arabe, pra orientalizmat.

Dy fazat e epokës së bejtexhinjve

Letërsia e bejtexhinjve pati dy faza në zhvillimin e saj. Faza e parë shtrihet deri nga fundi i shekullit XVIII. Në veprat e kësaj faze më tepër gjeti shprehje fryma laike, kurse në veprat e fazës së dytë, që nis nga çereku i fundit i shekullit XVIII dhe tejkalon kufirin e shekullit XIX, mbizotëroi tema me karakter fetar. Në krijimet me tema laike, shumë poetë bejtexhinj, në frymën e poezive orientale, i kënduan dashurisë, bukurisë së natyrës e të gruas; lartësuan virtytin, punën, diturinë ose fshikulluan mburrjen e kotë për pasurinë e fisin, goditën ambicien, hipokrizinë etj. Të tillë ishin Nezim Frakulla, Sulejman Naibi, Muhamet Kyçyku etj. Parë nga ky aspekt, ky ishte një zhvillim i mirëfilltë, i cili u rrek të reformonte jetën e mentalitetin mbytës që ekzistonte në vilajetet shqiptare, pra gjithsesi në njërën ndër provincat osmane. Një hap i mëtejshëm u shënua me mjaft krijime të disa bejtexhinjve të tjerë, si: Hasan Zyko Kamberi, Zenel Bastari e ndonjë tjetër. Ata pasqyruan elemente e ngjarje të jetës bashkëkohore dhe shtruan një problematikë të mprehtë shoqërore.

“Erveheja” e Camit

Numri i autorëve të letërsisë shqiptare me alfabet arab është shumë i madh. Ata krijuan në qytete mjaft të zhvilluara për kohën, si në Berat, Elbasan, Shkodër, Gjakovë, Prishtinë, por edhe në vende më të vogla, si në Kolonjë, Frashër, Konispol e gjetkë.

Shumë i njohur u bë edhe Murat Kyçyku (Cami), përkthyes i ndonjë vepre fetare nga arabishtja dhe autor i disa tregimeve të gjata në vargje. Nga këto përmendim poemën “Erveheja”, me temë nga letërsitë orientale e me natyrë moralizuese. Me këto vepra Kyçyku i çeli rrugën poezisë me subjekt.

Edhe më tej, në Kosovë

Rryma letrare e bejtexhinjve e humbi peshën e saj në jetën kulturore qysh nga fillimi i shekullit XIX, por në disa mjedise, si në Kosovë, kjo traditë vijoi edhe më tej nga autorë të tillë si Maliq Rakoveci, Rexhep Voka etj.

Hasan Zyko Kamberi

Nga përfaqësuesit më të shquar të letërsisë shqipe me alfabet arab është Hasan Zyko Kamberi. Tematika që trajtoi ai në vjershat laike paraqet interes të veçantë, sepse i bëri jehonë gjendjes shpirtërore dhe pakënaqësisë së masave fshatare, mbi të cilat rëndonte pesha e vuajtjeve dhe shfrytëzimi i egër feudal. Për jetën e H.Z.Kamberit dihet pak. Ishte nga fshati Starje i Kolonjës. Siç del nga ndonjë vjershë e tij, ka kaluar një jetë të varfër e të vështirë. Më 1789 mori pjesë si mercenar në luftën turko-austriake mbi Danub. Në këtë fushatë jo vetëm që s\‘e rregulloi dot gjendjen ekonomike, por edhe vuajti shumë, siç do e tregojë në vjershën “Seferi humajun” (Lufta mbretërore). Vdiq në fillim të shekullit XIX. Nga krijimtaria e Hasan Zyko Kamberit njihen 50-60 vjersha lirike. Shkroi edhe poezi fetare. Por rëndësi të veçantë kanë poezitë e tij me temë laike. Më poshtë, dy vargje nga “Paraja”:

Kadiu, t\‘i rrëfesh paranë,
ters e vërtit sherihanë(6),
për para ç\‘e shet t\‘anë,
ia di kimenë parasë.

Dorëshkrime të pabotuara

Letërsia e bejtexhinjve konsiston në dorëshkrime në alfabet arab që kryesisht kanë mbetur të pabotuara. Vetë bejtexhinjtë nuk shkruanin me synimin që të botonin libra, por që t\‘i fiksonin në letër krijimet e tyre të destinuara për deklamim. Të shkruarit ishte praktikë mnemonike. Kontakti i kësaj letërsie me publikun kryhej në mjedise si teqe ose çajhane, ku mblidhej mileti të dëgjonte poetët të recitonin krijimet e tyre. Ky milet ishte zakonisht analfabet.

 

Marrë nga gazeta “Shqip”: http://www.gazeta-shqip.com/ndryshe/36df0a854ee350922fd13b5e2844eb29.html

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: