Shqiptarët e Egjiptit

Ylli SUBASHI

 

SHQIPTARËT E EGJIPTIT

Arnautët (shqiptarët) në Egjipt gjatë namazit

Elementin shqiptar në Egjipt e hasim që nga shek. i XVI e mbrapa. Prania e këtij elementi është e natyrave të ndryshme duke filluar prej elementit të tipit qeveritar, tipit ushtarak (mercenar), tipit social-mërgimtar dhe tipit politik. Në literaturën e vendeve arabe, por edhe të vendeve të ndryshme hasim vrojtime të ndryshme mbi këta tipa të elementit shqiptar në Egjipt, por rëndësi më të madhe i është kushtuar tipit të elementit të qeveritarëve shqiptarë duke inkuadruar këtu edhe dinastinë shqiptare të Mehmet Ali Pashës.

Qeverisja e Egjiptit me pashallarë të Stambollit filloi që në shek. e XVII. Në mesin e këtyre dallohet plejada e pashallarëve dhe valinjve shqiptarë. Prej tyre mund të përmendim Sinan Pasha Topojanin, valiu i parë i Egjiptit në vitin 1569. Gjurmët e Sinan Pashës sot në Egjipt përmenden me simpati, siç është ndërtimi në kohën e tij i një xhamie në Kajro dhe i një medreseje e i një tjetër xhamie në Aleksandri. Pas Sinan Pashës dhe konkretisht në vitet 1619-1622 në krye të Egjiptit erdhi një tjetër vali shqiptar, Merre Hysen Pasha nga Peja. Në vitet 1637-1640 përsëri në skenën qeveritare të Egjiptit del një shqiptar, Mehmet Pasha, i cili arrin deri në postin e vezirit.

Në vitin 1650 pushtetin qeveritar në Egjipt e merr valiu shqiptar Ahmet Pasha Torhonxhi, i cili më vonë bëhet vezir i madh i Egjiptit. Pas tij si vali vjen Ibrahim Pasha (1622-1633). Nga plejada e qeveritarëve shqiptarë, padyshim një vend të veçantë zë figura e Mehmet Ali Pashës (lindur në Kavallë në vitin 1769), i cili arriti të zhvillojë strategjinë e tij qeverisëse, duke krijuar një dinasti të tërë qeveritarësh shqiptarë që dolën nga ai. Nga shumë historianë me të drejtë ai është quajtur “Napoloni i Lindjes”. Në historinë egjiptiane Mehmet Ali Pasha ka një rol të veçantë, sepse po të mos ishte ai, Egjipti i sotëm me siguri do të dukej ndryshe. Mehmet Ali Pasha vdiq më 2 gusht 1849. Sundimi i dinastisë shqiptare të Mehmet Ali Pashës vazhdoi edhe në kohën e pasardhësve të tij. Po përmendim disa prej tyre. Ibrahim Pasha djali i Mehmet Ali Pashës (1809-1848) ministër i financave dhe luftëtar i madh. Abaz Pasha sundoi në Egjipt në vitet (1849-1854), Sahit Pasha sundoi në vitet (1854-1863), Ismail Pasha sundoi në vitet (1863-1879), Sahit Taufik Pasha sundoi në vitet (1879-1892) dhe Abas Pasha i II-të (1892-1914); Hysen Qamili (1914-1917) dhe Ahmet Fuadi (1917-1936).

Mbreti i fundit egjiptian në damarët e të cilit qarkulloi gjaku shqiptar ishte mbreti Faruk, thuhet se ishte mbreti më i dashur, ndërkaq shqiptarët që jetuan në Egjipt në kohën e tij kishin privilegje të veçanta. Prezenca e elementit shqiptar sikurse thamë edhe më lart ishte edhe e karakterit ushtarak e tipit mercenar; kjo lidhet me kontributin e shqiptarëve nën petkun ushtarak dhe civilizues të Perandorisë Osmane. Në këtë aspekt mund të përmendim Hysen bej Arnautin, Ahmed Arnautin, Mehmet Arnautin, etj. Viti 1787 mund të konsiderohet si vit i vërshimit të ushtarëve shqiptarë në krye të të cilëve ishte Ismail Pasha. Në literaturën egjiptiane nuk precizohet nëse ushtarët e ardhur u larguan ndonjëherë nga Egjipti, fakt ky që flet se Egjipti po popullarizohej me një element të ri etnik. Por ky element shqiptar në Egjipt për shumë kohë u përshkrua me rënie dhe ngritje që vareshin nga pozita dhe influenca politiko-ushtarake e atyre që vinin në pushtet. Në këtë kontekst është i pandarë edhe një vështrim mbi qeverisjen e vetë shqiptarëve, sepse të flasësh për prezencën e shqiptarëve në jetën politike të Egjiptit, patjetër do të duhet të shpjegohet edhe fenomeni i mercenarizmit ushtarak shqiptar në tokat e tjera arabe. Fillimi i embrionit të kolonisë shqiptare të Egjiptit u krijua pikërisht nga prurjet e ushtarëve shqiptarë, të cilët kishin ardhur si vullnetarë aty nga gjysma e dytë e shek. të XVIII për t’u ngjitur pastaj në hierarkinë e pushtetit ushtarako-politik të Egjiptit.

Kontributi i ushtarëve shqiptarë shkëlqen sidomos në luftën e parë për dëbimin e francezëve nga Egjipti në vitet (1798-1801). Këto vite mbase ishin vendimtare për dhënien e provimit historik të shqiptarëve para asaj kthese radikale të zhvillimit të brendshëm të Perandorisë Osmane. Për historinë politike të Egjiptit kjo kthesë do të reflektohet në masat reformatore që do të ndërmerrnin personalitetet shqiptare sikundër ishte Mehmet Ali Pasha, themeluesi i Egjiptit modern. Ishte e rëndësishme edhe dukuria e ambientimit të shqiptarëve në këtë zhvillim të jetës së Egjiptit dhe në rimëkëmbjen e strukturës së vjetër ekonomike e politike në vend, kjo rimëkëmbje u intensifikua sidomos pas largimit të francezëve. Këtu fillon edhe ringritja e Egjiptit, pikërisht me ardhjen e Mehmet Ali Pashës në krye të tij. Emërimi i tij si vali i Kajros (1805) dhe ambiciet e tij reformuese, arritën ta bëjnë edhe më tepër joshës Egjiptin për mijëra shqiptarë të viseve etnike të Shqipërisë. Kjo shpjegohet edhe me faktin se ngritja ushtarake e Mehmet Ali Pashës arriti të bëhej pikërisht në saje të mercenarëve ushtarakë shqiptarë, të cilët vullnetarisht i përgjigjeshin ftesës për të luftuar në vende të ndryshme të Afrikës apo Arabisë. Të dhënat historike dëshmojnë për një numër të madh ushtarësh shqiptarë, sikurse konfirmojnë edhe burimet e historianit arab Al Xhabarti, sipas të cilit gjatë viteve 1803-1828 në luftërat e Egjiptit, Arabisë Saudite dhe Sudanit u vranë rreth njëzet mijë ushtarë shqiptarë, kurse vetëm në një betejë në Al Safra (Arabi) u vranë 5000 ushtarë shqiptarë. Praninë e elementit shqiptar në Egjipt e shikojmë edhe në rrafshin social-ekonomik.

Pushtimi turk do t’i detyronte shumë shqiptarë të merrnin rrugët e mërgimit. Valët e migrimit të shqiptarëve për motive social-ekonomike shtoheshin në varësi të shkallës së represionit në atdhe, këto motive do të ndikojnë edhe tek ata shqiptarë që vendosën të shpërngulen drejt Egjiptit. Kjo masë e madhe shqiptarësh në kohën pak para ardhjes në pushtet të Mehmet Ali Pashës në Egjipt numëronte rreth 50 mijë shqiptarë. Për të ruajtur këtë kolektivitet shqiptar ai themeloi një lokalitet me emrin Zemalek, vend ky që ndodhet ne mes të dy rrjedhave të Nilit. Emri i këtij lokaliteti ishte pagëzuar sipas të njëjtit vend që ndodhej në juglindje të Shqipërisë (mundet të jetë Zemblaku i Korçës). Kolektiviteti nacional i shqiptarëve u ruajt edhe nëpër qendra të tjera si Zuzazik, Benisufej, Mansura etj. Por vala e shqiptarëve u intensifikua sidomos në kohën e krizës së Perandorisë Osmane ku një numër i madh shqiptarësh iu drejtuan vendeve të ndryshme si: Amerikë, Rumani, Egjipt etj. Në Egjipt ata arritën të jenë edhe bashkëkohës të zëdhënësve të ideve të Rilindjes Kombëtare, të cilët në Egjipt arritën të formojnë një koloni të tërë mërgimtarësh. Spektri social-kulturor i kësaj kolonie ishte i larmishëm, mirëpo dominonte shtresa e mërgimtarëve të cilët në Egjipt kishin shkuar për shkaqe thjesht materiale.

Kohështrirja e vendosjes së këtij tipi daton deri në rënien e mbretit Faruk, atëherë kur faktikisht mori fund prestigji dhe mëkëmbja social-ekonomike e shqiptarëve. Elementi i fundit i migrimit të shqiptarëve në Egjipt është elementi politik. Gjeneza e vendosjes së këtij elementi lidhet me procesin e përgatitjes së platformës politike të Rilindjes Kombëtare në prag të pavarësisë së shtetit shqiptar. Egjipti do të jetë prej qendrave kryesore ku do të përgatitet kjo formë, ndërsa mërgimtarët që u lidhën me idetë e lindjes në farë mënyre do të lidheshin edhe me vetë Egjiptin, siç ishin: Thimi Mitko, Jani Vreto, Duçi Çajupi, Filip Shiroka etj. Valët e shpërnguljes së shqiptarëve në drejtim të Egjiptit nuk pushuan deri në fillim të shekullit të XX-të. Sa nga gjendja e rëndë ekonomiko-politike në atdhe, sa nga predispozitat që kishte Egjipti në atë kohë, prezenca e shqiptarëve në vend të Lindjes së Afërme u shndërrua në një sferë të zakonshme. Kjo aq më tepër kur në pushtet ishin pjesëtarë të dinastisë shqiptare të Mehmet Ali Pashës, dinasti kjo që udhëhoqi Egjiptin për 147 vjet. Ardhja masive e shqiptarëve dhe zhvillimi e aktiviteti i pasur i rilindësve më pas do të krijojnë kondita për një atmosferë progresive në planin e organizimit të programit politik ushtarak të Rilindjes Kombëtare shqiptare.

Veprat letrare, gazetat që do të botoheshin si dhe formimi i lidhjeve dhe shoqatave të ndryshme të shqiptarëve në Egjipt, do ta rrisnin nivelin e jetës e cilësinë e kuptimit politik e social-kulturor. Duke filluar nga viti 1875 kur u themelua shoqëria e parë shqiptare në Egjipt “Vllazëria e parë” e deri në dy dekadat e para të shek. të XX-të, Kolonia shqiptare e Egjiptit do të zhvillohej në saje të emancipimit politik e kulturor, mendimit dhe veprimit të organizuar të shqiptarëve dhe pas pavarësisë së Shqipërisë. Kajroja dhe Aleksandria do të bëheshin qendra të rëndësishme të njerëzve të edukuar me frymën atdhetare të Rilindjes Kombëtare. Si rezultat i këtij organizimi në Aleksandri në vitin 1894 do të formohej një shoqëri e re me emrin “Vllazëria shqiptare”, kryetar i së cilës u zgjodh Milo Duçi. Pas kësaj në 1910 organizimi i shqiptarëve do të arrinte në një nivel më të lartë me themelimin e “Vëllazëria e shqiptarëve të Misirit-Bashkimi” me qendër në Aleksandri, e cila kishte degë në disa qytete të Egjiptit. Në vitin 1918 nga gjiri i kësaj shoqërie, respektivisht nga dega e saj e Kajros u themelua “Komiteti i Shqiptarëve të Misirit”.

Ky komitet një vit më vonë, do t’i dorëzojë një memorandum ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, në të cilin mbrohej dhe afirmohej çështja shqiptare. Po në atë vit në Kajro u themelua edhe një shoqëri e re “Vllazëria”, kryetar i së cilës u zgjodh Loni Kota. Në vitin 1920 u formua “Klubi i Shqiptarëve” në Kajro. Përveç aktivitetit shoqëror të shoqatave e bashkësive të shumta, Kolonia shqiptare e Egjiptit u dallua edhe për një numër të madh veprash letrare që ishin krenaria dhe progresi i kësaj kolonie. Pikërisht këto vepra do të hynin në fondin e letërsisë shqipe siç ishte “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos, botuar në vitin 1878 në Aleksandri. Kjo veprimtari botuese do të vazhdojë duke sjellë kapituj të rëndësishëm të begatisë shpirtërore të popullit shqiptar. Kështu në vitin 1892 Stefan Zurani do të botojë veprën kapitale “Historia e Shqipërisë”, ndërsa në 1902 Andon Zako Çajupi boton veprën “Baba Tomorri”, që do të lërë gjurmë të thella në krijimin intelektual e patriotik në komunitetin e shqiptarëve të Egjiptit. Çajupi ishte edhe autor i memorandumit të Kolonisë Shqiptare të Misirit, dërguar Konferencës së Paqes në vitin 1919. Po kështu Spiro Dine duke ecur në gjurmët e Thimi Mitkos mblodhi lëndë folkloriste të shqiptarëve të cilat i botoi në 1908 nën titullin “Valët e Detit”. Po në këtë fushë mund përmendim Loni Llogorin, i cili pati një veprimtari të gjerë në fushën e kulturës. Ai ishte autor i disa këngëve popullore, të cilat më vonë do të popullarizohen në radhët e rinisë shqiptare, siç ishin “Vemi, ah vemi”, “Drenovarja”, “Çelu, çelu”, etj. Nga Kolonia e Shqiptarëve të Egjiptit mund të përmendim edhe njërin nga personalitetet që njihej dhe gëzonte një reputacion të veçantë, Milo Duçin, njërin nga patriotët më aktiv të Rilindjes. Krahas veprimtarisë në fushën e kulturës e krijimtarisë në librat me tituj “Gjaku”, “E thëna”, etj., ai ishte themeluesi i gazetës së parë shqiptare në Egjipt në tetor të vitit 1900 me titull “Besa-besë” dhe i fletës së përmuajshme shqipe “Toska” në vitet 1901-1902. Ato u pasuan me vonë nga gazeta “Besa” (1904-1905) e drejtuar nga Thoma Avrami, “Shqipëria” (1906-1907), “Pellazgu” (1907) dhe “Sopata” (1910-1911) e drejtuar nga Jani Vruho në Fejum. Njëkohësisht me të në vitet (1910-1911) doli në Kajro edhe gazeta e përjavshme me tetë faqe “Shkreptima”, kryeredaktor i së cilës ishte Aleksandër Xhuvani. Gazeta e fundit që doli në Kajro ishte “Bisedimet” (1925-1926) drejtuar nga Milo Duçi.

Kjo veprimtari e pasur e Kolonisë Shqiptare të Egjiptit vazhdoi edhe më vonë. Lidhjet e saj me ngjarjet në atdhe ishin shumë aktive. Kjo u tregua sidomos me rastin e pushtimit fashist të Shqipërisë nga Italia më 7 prill 1939. Këtë akt pushtues shqiptarët e Egjiptit të udhëhequr nga idetë e Rilindjes Kombëtare e pritën me protesta dhe trakte të shpërndara në rrugët e Kajros e Aleksandrisë. Vlen për t’u përmendur me këtë rast qëndrimi burrëror dhe patriotik i përfaqësuesit të Legatës Shqiptare në Egjipt, Abdyl Sulës që nuk ua dorëzoi legatën italianëve, por qëndroi aty tërë kohës. Ky qëndrim i tij u çmua edhe nga qarqet zyrtare të Egjiptit. Aktiviteti patriotik i shqiptarëve të Egjiptit nuk do të pushojë deri në rënien e mbretit Faruk. Rezultatet e këtij aktiviteti i shohim edhe në themelimin e shoqërisë së fundit shqiptare me emrin “Bashkësia Shqiptare në Egjipt” në vitin 1929, funksionimi i së ndaloi vetëm atëherë kur Naseri përmbysi gjithçka që lidhej me shqiptarët.

Largimi i mbretit Faruk nga Egjipti në njëfarë mënyre do të jetë i kobshëm për shumë shqiptarë, të cilët do të detyrohen të marrin rrugët e botës duke u shpërngulur rreth 4000 familje shqiptare. Pas kësaj kolonia shqiptare e Egjiptit do të mbetet vetëm në kujtesën e pak shqiptarëve që mbetën aty për të ruajtur praninë e shqiptarëve në këtë vend të Afrikës.

Por respekti i vendasve dhe i qarqeve zyrtare egjiptiane edhe sot është evident për shqiptarët. Në shenjë të këtij respekti janë ngritur përmendore për Mehmet Ali Pashën (në Aleksandri) dhe Ibrahim Pashën (në Kajro). Ndërsa sot kur bëhet fjalë për pasardhësit e Kolonisë Shqiptare të Egjiptit përmenden personalitete me origjinë shqiptare si Azis Izet Pasha me origjinë nga Tirana dhe ambasador i Egjiptit në Angli në kohën e mbretit Faruk, Abedin Pasha që pas viteve ’40 ka qenë komandant xhandarmërie në Kajro. Po ashtu përmenden Haqif Qazimi nga Elbasani, njëri nga shqiptarët më aktiv në jetën ekonomike e tregtare të Kajros, Evangjeli Avrami nga Korça, që themeloi studion e filmit “Ahram” si dhe projektuesi e arkitekti i famshëm Qemal Butka, gjykatësi Mexhit Selmani, mjeku Dilaver Osmani etj.

Po kështu me respekt kujtohen studentët e parë shqiptarë të universitetit të Al-Az’harit në Kajro si Hysni Hoxha, Qerim Haxhiu, Vehbi Ismaili etj. Lista e shqiptarëve të dalluar në jetën publike të Egjiptit është e gjatë dhe vazhdon me Abdyl Azizin dhe Hasan Husman Kurtli, ushtarakë të dalluar; Ahmet Rami, poet dhe këngëtar, Ahmet Nemsheri poet, Ahmet Mazari, ylli i kinematografisë egjiptiane, Osman Kemal Arnauti diplomat etj. Të gjithë këta emra me gjak dhe ndërgjegje kanë trashëgimi shqiptare. Por për sa i përket ruajtjes së kësaj trashëgimie etnike e kulturore të shqiptarëve të Egjiptit, sot fatkeqësisht s’ekzistojnë dokumente të ruajtura nga vetë shqiptarët.

Komuniteti shqiptar në Egjipt ka ekzistuar dhe ekziston edhe sot e kësaj dite, por sot ndoshta si asnjëherë më parë ai po shkon drejt zhdukjes. Ndonëse tani nuk ka ndonjë aktivitet të organizuar të shqiptarëve të Egjiptit, megjithatë janë të vetëdijshëm për pasojat që sjell mosorganizimi.

Me keqardhje sot themi se shumë shpejt mund vijë dita kur do të duhet të komunikojmë me bashkëkombësit tanë në Egjipt me anë të gishtave, një përfundim ky i pamerituar për atë gjeneratë mërgimtarësh të cilët emrin shqiptar e ruajtën dhe e shqiptuan me krenari.

 

Marrë nga faqja: http://www.dritaislame.al/shqiptaret-e-egjiptit/

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: