Kreu > Studime orientale > Hyrje në Orientalizëm

Hyrje në Orientalizëm

Dr. Edward SAID

 

HYRJE NË ORIENTALIZËM*

Konfliktet e tmerrshme që i grumbullojnë njerëzit në rubrika gjoja unifikuese si “Amerika”, “Perëndimi” apo “Islami” duhen kundërshtuar, shkruan Edward Said.

————————————————————————-

Edward Said

Edward Said

Nëntë vjet më parë kam shkruar një pasthënie për librin “Orientalizmi” e cila, në përpjekje për të qartësuar atë që besoja se kisha e nuk e kisha thënë, theksonte jo vetëm diskutimet e shumta që ishin hapur që nga dalja e librit tim në vitin 1978, por edhe mënyrat në të cilat një vepër për pasqyrimin e “Orientit” kontribuoi në rritjen e keqinterpretimit. Që unë e gjej veten të ndihem më ironik se i irrituar pikërisht për këtë gjë sot është një shenjë se sa shumë mosha është ngjitur dalëngadalë tek unë. Vdekja tani kohët e fundit e dy intelektualëve, politikanëve dhe këshilltarëve të mi, Ikbal Ahmed dhe Ibrahim Ebu Lugod, solli dëshpërim dhe humbje, si edhe dorëheqje dhe një farë dëshire kokëforte për të vazhduar.

Në biografinë time Out of Place (Jashtë Vendit) (1999) kam përshkruar botët kontradiktore dhe të çuditshme në të cilat u formova, duke i siguruar vetes dhe lexuesve të mi një informacion të detajuar për bazat të cilat mendoj se më formuan në Palestinë, Egjipt dhe Liban. Por ky ishte një informacion shumë personal që frenonte fort prej gjithë atyre viteve të angazhimit tim politik që nisi pas luftës arabo-izraelite të vitit 1967.

“Orientalizmi” është një libër shumë i lidhur me dinamikën e trazuar të historisë bashkëkohore. Faqja e tij e parë hapet me një përshkrim të vitit 1975 të luftës civile libaneze që mbaroi në 1990, por dhuna dhe derdhja e shëmtuar e gjakut të njerëzve vazhdon deri edhe në këtë minutë. Ne patëm dështimin e procesit të paqes në Oslo, shpërthimin e dytë të Intifadës, dhe vuajtjet e tmerrshme të palestinezëve në ripushtimin e Bregut Perëndimor dhe Gazës. Fenomeni i bombave vetëvrasëse u shfaq me të gjithë dëmin e tij të tmerrshëm, sigurisht jo më i përflakur dhe më apokaliptik se ngjarjet e 11 shtatorit 2001 dhe pasojat e tyre në luftërat kundër Afganistanit dhe Irakut. Ndërsa shkruaj këto rreshta pushtimi i paligjshëm imperial i Irakut nga Britania dhe Shtetet e Bashkuara vazhdon. Pasojat e tij janë vërtet të tmerrshme për t’u menduar. Kjo është e gjitha pjesë e asaj që supozohet se është një përplasje qytetërimesh, e pafund, gjithmonë në luftë dhe e pandreqshme. Gjithsesi, unë nuk mendoj kështu.

Do doja të thosha se kuptimi i përgjithshëm i Lindjes së Mesme, arabëve dhe Islamit në Shtetet e Bashkuara është përmirësuar disi, por mjerisht, nuk është kështu. Për të gjitha llojet e arsyeve situata në Europë duket se është në mënyrë të konsiderueshme më e mirë. Në SHBA ngurtësimi i qëndrimeve, shtrëngimi i dorezës së përgjithësimit përçmues dhe klishesë triumfuese, dominimi i forcës së vrazhdë aleate me përbuzjen e thjeshtë për kundërshtarët dhe “të tjerët” ka gjetur një pajisje që lidhet me plaçkitjen dhe shkatërrimin e librarive dhe muzeumeve të Irakut. Ajo që udhëheqësit tanë dhe servilët e tyre duket se janë të paaftë të kuptojnë është se historia nuk mund të fshihet krejt si një tabelë shkrimi aq pastër sa “ne” të gdhendim të ardhmen tonë atje dhe të imponojmë format tona të jetës për këta popuj më të vegjël. Është krejt e zakonshme të dëgjosh zyrtarë të lartë në Uashington dhe gjetkë të flasin për ndryshimin e hartës së Lindjes së Mesme, sikur shoqëritë e lashta dhe njerëzit e panumërt të ishin tundur si grumbull kikirikësh në një poçe. Por kjo ka ndodhur shpesh me “Orientin”, dhe ky ndërtim gjysmë-mitik që nga pushtimi i Egjiptit nga Napoloni në fundin e shekullit të 18 është bërë dhe ri-bërë mjaft herë. Në proces mbetjet e panumërta të historisë, që përfshijnë histori të panumërta dhe një shumëllojshmëri trullosëse njerëzish, gjuhësh, përvojash dhe kulturash, të gjitha këto janë fshirë ose injoruar, janë hedhur në pirgun e rërës bashkë me thesaret e gjetura në fragmentet e pakuptimta që u morën nga Bagdadi.

Argumenti im është se historia është bërë nga burra e gra, tamam siç edhe mund të ç’bëhet dhe të rishkruhet, kështu që Lindja “jonë”, Orienti “ynë” të bëhet “i yni” në zotërim dhe drejtim. E unë kam shumë respekt për fuqitë dhe dhuntitë e njerëzve të këtij rajoni në përpjekje për vizionin e tyre të asaj që ata janë dhe duan të jenë. Ka pasur një sulm aq masiv dhe të llogaritur agresiv mbi shoqëritë bashkëkohore të arabëve dhe muslimanëve për prapambetjen e tyre, mungesën e demokracisë dhe abrogimin e të drejtave të grave saqë ne thjesht harrojmë se nocione të tilla si modernizmi, ndriçimi i mendjes dhe demokracia nuk janë në asnjë mënyrë koncepte të thjeshta dhe të pranuara që dikush i gjen ose jo si vezët e pashkëve në dhomën e ndenjes. Shkujdesja befasuese e publicistëve të pavlerë që flasin në emër të politikës së jashtme dhe që nuk kanë aspak njohuri për gjuhën që njerëzit flasin në të vërtetë ka sajuar një tablo të thatë gati për fuqinë amerikane që të ndërtojë një model surrogat të “demokracisë” së tregut të lirë. Ju nuk keni nevojë për arabët, për persët apo bile edhe francezët për të pontifikuar se si efekti domino i demokracisë është tamam ajo që bota arabe ka nevojë.

Por ka ndryshim midis njohurisë për popujt e tjerë dhe kohët e tjera që është rezultat i kuptimit, dhembshurisë, studimit të kujdesshëm dhe analizave për hatër të tyre, dhe njohurisë që është pjesë e një fushate të përgjithshme vetë-afirmuese. Ekziston, në fund të fundit, një ndryshim i thellë midis vullnetit për të kuptuar për qëllime bashkëjetese dhe të zgjerimit të horizontit, dhe dëshirës për të dominuar për qëllime kontrolli. Është sigurisht një nga katastrofat intelektuale të historisë që një luftë imperialiste e sajuar nga një grup i vogël zyrtarësh të pazgjedhur amerikan u zhvillua kundër një diktature të shkretuar të Botës së Tretë plotësisht në baza ideologjike duke pasur të bëjë me dominimin e botës, kontrollin e sigurisë, dhe burimet e pamjaftueshme, por e maskuar nga qëllimi i saj i vërtetë, të nxitur, dhe të arsyetuar nga orientalistët të cilët e tradhtuan profesionin e tyre si studiues.

Ndikimet më të mëdha në Pentagonin e Xhorxh W. Bushit dhe Këshillin Kombëtar të Sigurisë ishin njerëz si Bernard Lewis dhe Fuad Axhami, ekspertë për botën arabe dhe islame që i ndihmuan skifterët amerikanë që të mendojnë rreth një fenomeni të tillë absurd si mendja arabe dhe tatëpjetat islame prej shekujsh të cilat vetëm fuqia amerikane mund t’i prapësonte. Sot libraritë në Shtetet e Bashkuara janë mbushur me fjalime të gjata copë-copë me tituj ulëritës rreth Islamit dhe terrorit, Islamit të hapur, kërcënimit arab dhe rrezikut musliman, dhe të gjitha ato të shkruara nga debatues politikë që pretendojnë njohuri të dhëna për ta dhe të tjerë, nga ekspertë që mesa duket kanë depërtuar deri në zemër të këtyre njerëzve të çuditshëm orientalë. Shoqërues të kësaj ekspertize të tillë luftënxitëse ka qenë CNN dhe Fox, plus radio të panumërta evangjelike e të krahut të djathtë, tabloide (gazeta me format të vogël me lajme të koncentruara) të panumërta dhe bile edhe gazetaria e nivelit mesatar intelektual, të gjitha ato riciklonin të njëjtat sajesa të paverifikueshme dhe përgjithësime pa fund për të nxitur “Amerikën” kundër shejtanit të huaj.

Pa një domethënie të organizuar mirë që njerëzit atje nuk ishin si “ne” dhe nuk i vlerësojnë vlerat “tona” – thelbi i dogmës tradicionale orientaliste – s’do të kishte pasur luftë. Që nga e njëjta pari e studiuesve profesionistë të paguar dhe të rekrutuar nga zaptuesit holandezë të Malajzisë dhe Indonezisë, ushtritë britanike të Indisë, Mesopotamisë, Egjiptit, Afrikës Perëndimore, ushtritë franceze të Indokinës dhe Afrikës Veriore, erdhën këshilltarët amerikanë për Pentagonin dhe Shtëpinë e Bardhë, duke përdorur të njëjtat klishe, të njëjtat steriotipe të kërkuara, të njëjtat justifikime për forcën dhe dhunën (në fund të fundit, nga fillimi deri në fund, forca është e vetmja gjuhë që ata kuptojnë) në këtë rast ashtu si edhe në ato të mëparshmet. Këta njerëz hasen tani në Irak nga një ushtri e tërë kontraktuesish privatë dhe sipërmarrës të etur të cilëve u besohet gjithçka, nga shkrimi i teksteve të librave dhe kushtetutës deri në rimodelimin e jetës politike irakiane dhe industrisë së saj të naftës.

Çdo perandori, në fjalimin e saj zyrtar, ka thënë se nuk është si të tjerat, se rrethanat e saj janë të veçanta, se ajo ka një mision përparimi, civilizimi, që sjell rregull dhe demokraci, dhe se ajo e përdor forcën vetëm si mjetin e fundit. Dhe, akoma më me dëshpërim, ka gjithmonë një kor të intelektualëve të zellshëm që thonë fjalë qetësuese për perandori dashamirëse apo altruiste.

25 vjet pas botimit të librit tim “Orientalizmi” edhe një herë tjetër u ngrit pyetja nëse do të mbarojë ndonjëherë imperializmi modern, apo nëse ai ka vazhduar në Orient që me hyrjen e Napoleonit në Egjipt dy shekuj më parë. Arabëve dhe muslimanëve u është treguar se viktimologjia dhe strehimi në shkatërrimet e perandorisë është vetëm një mënyrë për të shmangur përgjegjësinë e tanishme. Ju keni dështuar, ju keni gabuar, thotë orientalisti modern. Ky sigurisht është gjithashtu kontributi i V S Naipaul në literaturë, që viktimat e perandorisë vajtojnë ndërsa vendi i tyre i hidhet qenve. Sa llogari e cekët e imponimit perandorak që është, sa pak ajo dëshiron të përballojë vargun e gjatë të viteve në të cilët perandoria vazhdon të punojë në rrugën e saj në jetët, le të themi, e palestinezëve apo kongolezëve, algjerianëve apo irakianëve. Mendoni linjën që nis me Napoleonin, vazhdon me lindjen e studimeve orientale dhe marrjen e Afrikës Veriore, dhe vazhdon me ndërmarrje të ngjashme në Vietnam, Egjipt, Palestinë dhe, gjatë gjithë shekullit 20 me betejën për naftën dhe kontrollin strategjik të Gjirit, në Irak, Siri, Palestinë dhe Afganistan. Pastaj mendoni për ngritjen e nacionalizmit antikolonial, gjatë periudhës së shkurtër të pavarësisë liberale, periudhën e grushteve ushtarake të shtetit, të kryengritjeve, luftërave civile, fanatizmit fetar, betejës irracionale dhe brutalitetit të paepur kundër tufës më të fundit të “vendasve”. Secila nga këto faza dhe periudha prodhon dijen e vet të shtrembëruar për të tjerët, secila prodhon imazhet e reduktuara të saj, polemikat e diskutueshme të saj.

Ideja ime për Orientalizmin është përdorimi i kritikës humaniste për të zhbllokuar fushat e betejës, për të prezantuar një rend më të gjatë mendimi dhe analize për të zëvendësuar shpërthimet e vrulleve polemizuese mendimndaluese që na burgosin. E kam quajtur “humanizëm” atë që përpiqem të bëj, fjalë që vazhdoj ta përdor me kokëfortësi me gjithë mospërdorimin përçmues të termit nga kritikë postmodernë të ndërlikuar. Me humanizëm unë nënkuptoj në radhë të parë përpjekjen për të tretur “prangat në mendje” të Blekut, kështu që të jetë e mundur që njeriu të përdorë mendjen në mënyrë historike dhe racionale për qëllimet e të kuptuarit pasqyrues. Për më tepër, humanizmi është mbështetur nga një arsye bashkëjetese me interpretuesit e tjerë dhe me shoqëritë e periudhat e tjera; e thënë shkoqur, prandaj, nuk ka asnjë humanist të izoluar.

Kjo do të thotë se çdo sferë është e lidhur me të tjerat, dhe se asgjë që vazhdon në botën tonë kurrë nuk ka qenë e izoluar dhe e papërzier nga ndonjë ndikim i jashtëm. Ne kemi nevojë të flasim për çështjet e padrejtësisë dhe vuajtjeve brenda një konteksti që është i vendosur gjerësisht në histori, kulturë, dhe realitetin socio-ekonomik. Roli ynë është të zgjerojmë fushën e diskutimit. Unë kam shpenzuar shumë nga jeta ime gjatë 35 viteve të shkuar duke dalë në mbrojtje të të drejtave të palestinezëve për vetëvendosje kombëtare, por jam përpjekur gjithmonë ta bëj këtë duke i kushtuar kujdes të plotë realitetit të popullit çifut dhe asaj që ata vuajtën nga persekutimi dhe gjenocidi. Gjëja më e lartë është se beteja për barazi në Palestinë/Izrael duhet të drejtohet drejt një qëllimi human, që është, bashkëjetesa, dhe jo shtypja apo mohimi i mëtejshëm. Jo rastësisht, po tregoj se orientalizmi dhe anti-semitizmi modern kanë të njëjtat rrënjë. Prandaj duket se është një nevojë vitale për intelektualët e pavarur që gjithmonë të sigurojnë modele alternative për të thjeshtëzuar dhe kufizuar bazën e dikujt në armiqësinë reciproke që ka dominuar në Lindjen e Mesme dhe gjetkë për kaq gjatë.

Si një humanist fusha e të cilit është letërsia jam mjaftueshëm i vjetër për të qenë i trajnuar 40 vjet më parë në fushën e letërsisë krahasuese, idetë udhëheqëse të së cilës shkojnë pas në Gjermani në fundin e shekullit 18 dhe fillimin e shekullit 19. Para se të përmend kontributin e lartë krijues të Giambattista Vico, filozofit dhe filologut neopolitan idetë e të cilit pararendën ato të mendimtarëve gjermanë si Herder dhe Wolf, të pasuar më vonë nga Gëte, Humboldt, Dilthi, Nitçe, Gadamer, dhe në fund filologët e mëdhenj romantikë të shekullit 20 si Erik Auerbach, Leo Spitzer dhe Ernst Robert Curtius.

Për njerëzit e rinj të gjeneratës që jetojmë ideja e filologjisë sugjeron një farë mendimi filologjik antikuar e të mykur, në fakt, kjo është tamam baza dhe më krijuesja e arteve interpretuese. Për mua kjo është ilustruar në mënyrën më të admirueshme në interesin e Gëtes ndaj Islamit në përgjithësi, dhe Hafizit në veçanti, një pasion gëlltitës që çoi në krijimin e Divanit West-…stlicher, e që ndikoi idetë e mëvonshme të Gëtes për Weltliteratur, studimin e të gjithë literaturave të botës si një simfoni e tërë që mund të kapet teorikisht duke ruajtur individualitet e secilës vepër pa humbur këndvështrimin e të gjithave të marra së bashku.

Ka një ironi të konsiderueshme në kuptimin se me këtë që paraqet bota e sotme globale bashkë në disa prej mënyrave për të cilat kam folur këtu, ne mund t’i jemi afruar llojit të standardizimit dhe homogjenizimit ku idetë e Gëtes ishin formuluar në mënyrë të veçantë për t’u parandaluar. Në një ese që ai e botoi në vitin 1951 të titulluar Philologie der Weltliteratur, Erich Auerbach pikërisht bëri këtë vërejtje në fillimin e periudhës së pasluftës, e cila ishte gjithashtu fillimi i Luftës së Ftohtë. Libri i tij i madh Mimesis, i botuar në Bernë në vitin 1946 por i shkruar kur Auerbach ishte në mërgim lufte duke mësuar gjuhët romane[1] në Stamboll, u mendua të ishte një testament i diversitetit dhe konkretizim i realitetit të paraqitur në literaturën perëndimore nga Homeri deri te Virginia Woolf; por duke lexuar esenë e vitit 1951 dikush ndjen se për Auerbach libri i madh që ai shkroi ishte një elegji[2] për periudhën që njerëzit mund të interpretonin tekstet në mënyrë filologjike, konkretisht, në mënyrë të ndjeshme dhe intuitive duke përdorur dituri dhe një zotërim të shkëlqyer të disa gjuhëve për të mbështetur llojin e kuptimit që Gëte mbrojti për kuptimin e tij të literaturës islame.

Njohja e mirë e gjuhëve dhe historisë ishte domosdoshmëri, por nuk ishte kurrë e mjaftueshme, disi më shumë se sa mbledhja mekanike e fakteve që do përbënte një metodë të përshtatshme për kapjen e asaj që një autor si Dante, p.sh., ishte në tërësi. Kërkesa kryesore për llojin e kuptimit filologjik që Auerbach dhe paraardhësit e tij merrnin dhe përpiqeshin të praktikonin ishte ajo se me simpati dhe subjektivizëm hynin në jetën e tekstit të shkruar duke e parë nga perspektiva e kohës së tij dhe e autorit të tij (einfühlung). Më shumë se ftohje dhe armiqësi ndaj një tjetër kohe dhe një kulture të ndryshme, filologjia siç është aplikuar në Weltliteratur përfshin një shpirt të thellë humanist pozicionuar me bujari dhe, nëse mund të përdor fjalën, mikpritje. Kështu mendja e interpretuesve bën vend për një Tjetër të huaj. Dhe kjo bërje krijuese e një vendi për vepra që përndryshe janë të huaja dhe të largëta është tipari më i rëndësishëm i misionit të interpretuesit.

E gjithë kjo siç duket ishte minuar dhe shkatërruar në Gjermani nga Nacional-Socializmi. Pas luftës, Auerbach shkroi me pikëllim, se standardizimi i ideve dhe specializimi gjithnjë e më i madh i njohurive gradualisht ngushtoi mundësitë për llojin e kërkesës hetuese dhe gjithnjë në kërkim të tipit të veprave filologjike që ai kishte paraqitur, dhe, mjerisht, ky është një fakt akoma më dëshpërues se që prej vdekjes së Auerbach në vitin 1957 ideja dhe praktika e kërkimit humanist u tkurr në shtrirje ashtu si edhe në të qenit qendror. Në vend të leximit në kuptimin e vërtetë të fjalës, studentët tanë sot shpesh shushaten nga fragmente njohurie që gjenden në internet dhe në mediat masive.

Akoma më keq, edukimi është kërcënuar nga ortodoksia nacionaliste dhe fetare, shpesh e përhapur nga mediat masive ndërsa ato fokusohen jo historikisht dhe në mënyrë të bujshme në luftrat elektronike në largësi që i japin shikuesit ndjenjën e saktësisë kirurgjikale, por që në fakt errësojnë vuajtjen e tmerrshme dhe shkatërrimin e prodhuar nga lufta moderne. Në demonizimin e një armiku të panjohur për të cilin etiketa “terrorist” shërben për qëllimin e përgjithshëm për t’i mbajtur njerëzit në tension e zemërim, imazhet e medias shkaktojnë shumë vëmendje dhe mund të shfrytëzohen në kohë krizash dhe pasigurie të llojit që periudha pas 11 shtatorit ka prodhuar.

Duke folur si një amerikan dhe si një arab i kërkoj çdo lexuesi të mos e nënvlerësojë llojin e pamjes së thjeshtëzuar të botës që relativisht një grusht civilësh elitë të Pentagonit kanë formuluar për politikën amerikane në të gjithë botët arabe dhe islame, një pamje në të cilën terrori, lufta parandaluese, dhe ndryshimi i njëanshëm i regjimit – i mbështetur nga buxheti ushtarak më i fryrë në histori – janë idetë kryesore të debatuara pafund dhe shumë thatë e varfër nga një media që e vë veten në rolin e prodhimin të të ashtuquajturve “ekspertë” që vlerësojnë linjën e përgjithshme të qeverisë. Reflektimi, debati, argumenti racional, parimi moral i bazuar në nocionin sekularist që qeniet njerëzore duhet të krijojnë historinë e tyre është zëvendësuar nga idetë abstrakte që festojnë përjashtimin amerikan apo perëndimor, denigrojnë lidhjen me kontekstin, dhe i referohen kulturave të tjera me përbuzje.

Ndoshta ju do të thoni se unë po bëj shumë kalime pa lidhje midis interpretimeve humaniste nga njëra anë dhe politikës së jashtme nga ana tjetër, dhe se një shoqëri teknologjike moderne e cila bashkë me fuqinë e pashembullt zotëron internetin dhe avionët luftarakë F-16 duhet që në fund të orientohet nga ekspertë tekniko-politikë të frikshëm si Donald Rumsfeld dhe Richard Perle. Por ajo që ka humbur në të vërtetë është ndjenja e dendësisë dhe ndërvarësisë së jetës njerëzore, e cila as nuk mund të reduktohet në një formulë e as nuk mund të fshihet si diçka pa vend.

Kjo është një anë e debatit global. Në vendet arabe dhe muslimane situata është thuajse më mirë. Ashtu siç ka argumentuar Roula Halaf, rajoni ka rrëshqitur në një anti-amerikanizëm të thjeshtë që tregon pak arsyetim se si Shtetet e Bashkuara janë me të vërtetë si shoqëri. Për shkak se qeveritë janë relativisht të pafuqishme për të ndikuar politikën amerikane ndaj tyre, ato i kthejnë energjitë nga shtypja e popullatave të tyre, me pasojë fyerjen, zemërimin dhe mallkimin jondihmues që nuk bën gjë për të hapur shoqëritë ku idetë laike për historinë dhe zhvillimin njerëzor kanë qenë të kapura nga dështimi dhe irritimi, ashtu si edhe nga një islamizëm i ndërtuar jashtë mësimit rutinë dhe fshirje e asaj që është perceptuar të jetë diçka tjetër, forma konkurruese të njohurisë sekulare. Zhdukja graduale e traditës së jashtëzakonshme të ixhtihadit islam apo e interpretimit personal ka qenë një nga fatkeqësitë më të mëdha të kohëve tona, me pasojë që mendimi kritik dhe përpjekja individuale me problemet e botës moderne të gjitha veçse janë zhdukur.

Kjo nuk do të thotë se bota kulturore është thjesht prapësuar nga njëra anë ndaj një neo-orientalizmi agresiv dhe nga ana tjetër ndaj refuzimit të përgjithshëm. Samiti Botëror i Kombeve të Bashkuara i vitit të kaluar në Johanesburg, me të gjitha kufizimet e tij, në fakt tregoi një zonë të gjerë të interesave të përbashkëta globale që sugjerojnë emergjencën e mirëpritur të një zgjedhjeje të re kolektive që i jep nocionit shpesh të lehtë të “një botë” një urgjencë të re. Në të gjithë këtë, megjithatë, ne duhet të pranojmë se askush nuk ka mundësi të njohë bashkimin kompleks të jashtëzakonshëm të botës sonë të globalizuar, përkundër realitetit se bota ka një ndërvarësi të vërtetë të pjesëve që nuk lë mundësi për izolim.

Konfliktet e tmerrshme që mbledhin njerëzit në gjoja rubrikat bashkuese si “Amerika”, “Perëndimi” apo “Islami” dhe sajojnë identitete kolektive për një numër të madh individësh që janë aktualisht krejt të ndryshëm, nuk mund të mbeten aq të fuqishëm sa janë, dhe duhen kundërshtuar. Ne akoma kemi në dispozicionin tonë aftësitë racionale interpretuese që janë trashëgim i edukimit human, jo si një mëshirë sentimentale që na kënaq për t’u kthyer te vlerat tradicionale ose klasike, por si një praktikë aktive të diskutimit racional shekullor botëror. Bota shekullore është bota e historisë të bërë nga qeniet njerëzore. Mendimi kritik nuk i nënshtrohet urdhrave për t’u bashkuar me radhët që marshojnë kundër një apo një tjetri armik të miratuar. Në vend të përplasjes së fabrikuar të civilizimeve ne kemi nevojë për t’u përqendruar në bashkëpunimin e ngadaltë të kulturave që përkojnë disi, huazojnë nga njëra tjetra, dhe jetojnë së bashku në mënyra shumë më interesante se sa mund të lejojë ndonjë mënyrë e shkurtër jo autentike e të kuptuarit. Por për këtë lloj perceptimi të gjerë ne kemi nevojë për kohë, durim dhe kërkim skeptik, të mbështetur nga besimi në komunitetet e interpretimit që janë të vështira për t’u mbajtur në një botë që kërkon veprim dhe reagim të menjëhershëm.

Humanizmi është përqendruar mbi veprimin e individualitetit njerëzor dhe intuitës subjektive, më tepër se në idetë e pranuara dhe autoritetin e miratuar. Teksti duhet të lexohet si tekste që janë prodhuar dhe kanë jetuar në një sferë historike në të gjitha llojet e asaj që unë i kam quajtur mënyrat e kësaj bote. Por kjo kurrsesi nuk e përjashton fuqinë, përkundrazi jam përpjekur të tregoj insinuatat, mbulimet e fuqisë qoftë edhe në studimet më të vështira.

Dhe në fund, më e rëndësishmja, humanizmi është e vetmja – do shkoj aq larg sa të them e fundit – rezistencë që ne kemi kundër praktikave dhe padrejtësive jonjerëzore që shpërfytyrojnë historinë njerëzore. Ne sot nxitemi nga fusha gjigante inkurajuese demokratike e hapësirës kompjuterike, e hapur për të gjithë përdoruesit në mënyra të pamenduara nga gjeneratat e mëparshme dhe as nga tiranët dhe ortodoksët. Protestat mbarë botërore para se lufta të fillonte në Irak nuk do të kishin qenë të mundura nëse nuk do të kishin ekzistuar komunitete alternative në mbarë botën, të informuar nga informacione alternative, dhe të njohur hollësisht me ambientin rrethues, të drejtat e njeriut dhe impulset liberale që na lidhin ne së bashku në këtë planet të vogël.

 

Përktheu nga anglishtja: Elton GJEÇI

/Orientalizmi Shqiptar/


* Ky artikull është botuar në revistën “URA”, nr. 3, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2009, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com

[1] Gjuhët romane – gjuhë indo-europiane të rrjedhura nga latinishtja, kryesisht frëngjishtja, spanjishtja, portugalishtja, italishtja, rumanishtja etj.

[2] Poemë vajtimi.

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: