Gjendja arsimore-edukative në Kosovë në periudhën osmane dhe post-osmane

Prof. Dr. Feti MEHDIU – Prishtinë
Fakulteti i Filologjisë – Dega e Orientalistikës
(anëtar korrespondent i Akademisë Arabe të Shkencave në Damask)

 

GJENDJA ARSIMORE-EDUKATIVE NË KOSOVË NË PERIUDHËN OSMANE DHE POST-OSMANE*

Dr. Feti Mehdiu

Dr. Feti Mehdiu

Dy fjalë për Kosovën

Emri Kosovë, sidomos pas Luftës së vitit 1389 midis forcave luftarake të koalicionit të ushtrive ballkanike dhe forcave të Sulltan Muratit, është bërë i njohur për tërë opinionin shkencor dhe kulturor. Beteja e Kosovës e vitit 1389 është një nga ngjarjet më të rëndësishme për historinë e popullit shqiptar për shkak se kontakti që mori populli shqiptar me fenë islame ishte vendimtar për ta shpëtuar popullin shqiptar nga asimilimi i sllavëve të jugut.

Gjithashtu shqiptarët në këtë periudhë filluan për herë të parë në historinë e kulturës së tyre të shkruajnë gjuhën amtare. Pikërisht në vitin 1492 është shkruar dokumenti i parë në gjuhën shqipe i njohur me emrin Formula e Pagëzimit.

Kosova sot është një vend i vogël me 10.877 km katrorë, dhe gjendet në Ballkan – Evropa Juglindore. Këtu jetojnë shqiptarët, më shumë se 90%, dhe pakica të tjera: serbë, turq, etj.

98% e shqiptarëve që jetojnë në Kosovë i përkasin fesë islame, dhe vetëm 2% janë të krishterë të ritit romak – perëndimor. Deri në fillim të shekullit 20, në luftërat ballkanike – 1912, Kosova përbënte tërësinë e Arnautllëkut dhe ishte nën administrimin e Sulltanatit Osman[1], kurse pas luftërave ballkanike Vilajeti i Kosovës dhe pjesë të vilajeteve të tjera shqiptare, pushtohen nga Serbia dhe kështu vazhdon deri në vitin 1999.

Lufta e Parë Botërore Kosovën e la nën mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene, kurse Lufta e Dytë Botërore më 1941-1945, e la nën okupimin e Serbisë, e cila quhej Jugosllavi.

Kosova gjatë administrimit të Sulltanatit Osman ka pasur pozicione të ndryshme administrative politike e kulturore. Në shekullin e fundit Kosova ishte një vilajet me disa sanxhaqe. Kosova si vilajet, bashkë me tre vilajetet e tjera: Vilajeti i Manastirit, Vilajeti i Janinës dhe Vilajeti i Shkodrës, përbënin shtetin e quajtur Arnautlluk, i cili në gjysmën e dytë të shekullit 19 përfshinte një sipërfaqe prej 60.000 km.2 Popullsia e këtyre vilajeteve – shteteve – ka qenë me shumicë shqiptare me gjuhë të veçantë, gjuhë e cila rrjedh nga ilirishtja, histori dhe tradita të veçanta që dallohen nga popujt e tjerë, kurse me përkatësi fetare gjithashtu shumica i përkiste fesë islame. Një pakicë e tyre ishin të krishterë. Në Vilajetin e Kosovës ka jetuar edhe një numër simbolik i hebrenjve.

Edukimi i përgjithshëm dhe arsimimi islam në Kosovë

Gjatë periudhës së administrimit osman në Kosovë u ndërtuan shumë objekte arsimore-edukative, disa prej të cilave i kanë bërë ballë historisë deri sot. Njohuri të rëndësishme lidhur me këtë mund të gjenden në veprën e dr. Hasan Kaleshit: Najstariji vakufski dokumenti u Jugosllaviji na arapskom jeziku. Nga kjo vepër mësojmë se në qytetet Shkup dhe Shtip, të cilët në vitin 1900 kanë qenë pjesë e Vilajetit të Kosovës, kurse sot gjenden në Maqedoni, përveç shkollave të emërtuara sipas rangut që kishin: mejtep, medrese, ruzhdije, Idadije, ka pasur edhe shkolla speciale si darul-kurra dhe daru-l-hadith, kurse në Prizren kishte edhe Daru-l-mual-limin. Njëra nga dëshmitë është edhe përdorimi i emërtimit të institucioneve arsimore-edukative të cilat janë ruajtur dhe përdoren deri në ditët  e sotme, siç janë: Medrese, Mejtepi, Mualimi, Talebeja, Softa, etj.

Evlija Çelebiu në udhëpërshkrimin e tij jep të dhëna për disa qytete të Kosovës së sotme, në të cilat asokohe kishte medrese dhe dijetarë të respektuar.

Këtu do të sjellim një pasqyrë të zhvillimit të sistemit arsimor-edukativ duke u përqendruar në Kosovën e sotme, me vështrim të veçantë në edukimin dhe arsimin  fetar islam.

Arsimimi dhe edukimi islam në Kosovë fillon në fund të shekullit 14 dhe fillimi i shekullit 15, me themelimin e institucionit dhe të ndërtimit të xhamisë. Kjo dëshmohet në bazë të infrastrukturës përreth xhamive dhe me anë të terminologjisë, e cila është kryesisht me prejardhje arabe – si themel i fesë islame ngase Kur’ani Kerim është në gjuhën arabe – por edhe me ndërtimin e kësaj terminologjie me mjete të gjuhës turke-osmane ose perse. Është shumë e njohur se me ndërtimin e xhamisë vijnë edhe hamami, shadërvani, mejtepi, medreseja, abdesthaneja, gusulhaneja, dershaneja, muderrizi, mualimi, imami, muezini, talebeja, softa, qitapi, etj.

Në Kosovë, qysh nga shekulli 16 ka shënime të mjaftueshme për gjendjen e arsimimit dhe edukimit të popullatës. Kjo shihet më së miri nga Vakufnameja e Kukli Begut, nga e cila shihet se në vitin 1538 në Prizren, përveç imamëve, hatibëve, myezinëve kishte edhe mual-lim, myderrizë, katibu-l-huruf, kurse nëpër shkollat e Prizrenit, përveç lëndëve: shkrim-lexim, fikh, Kur’an, matematikë, etj., mësohej edhe Kur’ani përmendsh – që do të thotë kishte filluar kultivimi i hifzit.

Në fund të shekullit 19 dhe fillim të shekullit 20, në kazanë e Prizrenit kishte 30 shkolla fillore, medrese, rushdije, idadije, madje kishte edhe një Daru-l-mual-limin, kurse kazaja e Prishtinës kishte 16 shkolla fillore, nga të cilat në qytetin e Prishtinës punonin 8 sibjan mektebe, një shkollë Rushdije dhe dy medrese. Këto qytete kanë pasur edhe biblioteka mjaft të pasura me libra e dorëshkrime.

Në periudhën postosmane, Kosova deri në vitin 1999 ka përjetuar një kufizim të skajshëm sa i përket arsimit dhe edukimit islam. Në këtë periudhë, sidomos pas vitit 1945, u ndalua rreptësisht që në shkollat e Kosovës të flitet për çështjet fetare. Pas vitit 1950 Jugosllavia, formalisht ka dhënë pëlqimin që në disa xhami të organizohet  edukimi fetar, por kjo bëhej në numër shumë të kufizuar, prej 10, 20 apo 30 nxënës, ashtu që në tërë Kosovën këtë mësimin e ndiqte një numër shumë i vogël fëmijësh.

Ata që nuk i përmbaheshin këtij urdhëri, siç ndodhte në Gostivar e Tetovë, ndëshkoheshin nga organet e pushtetit komunist dhe nuk u lejohej ta ushtrojnë këtë veprimtari.

Medresetë e themeluara qysh në kohën e Sulltanatit Osman në Kosovë, si Medreseja e Madhe në Gjakovë, e themeluar në vitin 1748, Mehmet Pasha në Prizren, Medreseja Piri Nazir në Prishtinë, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, 1945-1948 u mbyllën nga sistemi i ri komunist.

*          *          *

Në territorin e Kosovës, sipas njohurive që disponojmë deri tash, deri në fund të shekullit 20 nuk ka pasur institucion arsimor-edukativ më të lartë se Medreseja – por ka pasur, sipas disa normave vendase, Medrese të Madhe, Medrese të Ulët dhe Medrese të Mesme. Medresja e Mesme vepron edhe sot në Prishtinë, që është e njohur si medreseja ALAUDDIN.

Në vazhdim, do të përmendim edhe disa të dhëna nga vakufnameja e Mahmud Pashë Rrotullës nga Prizreni, i cili në vakufnamen e tij kishte caktuar shpërblimet për tërë personelin i cili do të angazhohej në arsimimin dhe edukimin e fëmijëve. Sipas kësaj vakufnameje për mësimin e fëmijëve në mektep ai kishte caktuar shumën 140 grosh, kurse për myderrizin e medresesë së përmendur, haxhi Ali efendi, 1400 grosh.

Numri i shkollave dhe shtrirja nëpër qytetet e Kosovës, mund të shihet nga disa burime të ndryshme, si Salnamet ose Kamus al-Alam, i Shemsettin Sami Bej Frashërit etj.

Deri në fillim të shekullit 20 shkollat nuk ishin të ndara në shkolla fetare dhe laike siç janë edhe sot. Karakteri i shkollave mund të shihej nga numri i lëndëve që mësoheshin në ato shkolla. Po përmendim këtu shkollën shtetërore Idadije në Manastir, në të cilën, sipas sallnames së Vilajetit të Manastirit për vitin 1896, mësoheshin lëndët: filozofi, histori e përgjithshme, gjeometri, gjeografi, arabisht, persisht, turqisht, algjebër, histori natyre, frëngjisht, vizatim, gjuhë osmane, kaligrafi, ndihmë mjekësore, njohuri me besimin fetar.

Ndërkaq, ndërmjet dy luftërave botërore dhe pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë shkollat fetare vepronin të ndara nga shkollat laike dhe numri i tyre u reduktua tërësisht, dhe në Kosovë, pasi u mbyllën të gjitha shkollat fetare islame, në vitin 1951, në Prishtinë themelohet medreseja e përmendur Alauddin.

Pasi Allahu donte që në vitin 1951, në Prishtinë të fillojë punën medreseja Alauddin gjendja e arsimit islam deri diku u përmirësua. Në fillim mësimi zgjaste katër vjet dhe si medrese e ulët kuadrot këtu kualifikoheshin dhe aftësoheshin vetëm për të kryer detyrën e imamit. Në këtë medrese, përveçse nga Kosova, vinin nxënës edhe nga Maqedonia, Mali Zi dhe nga Sanxhaku. Këtu mësoheshin lëndët: Kur’an, akaid, gjuhë arabe, fikh, ahlak, histori islame, gjuhë turke, imamat, husnihat, imla arabisht, imla turqisht, kiraet arabisht, kiraet turqisht, që kishin një trajtim të lëndëve fetare si edhe lëndët që i quanin shkencore e shoqërore: gjuhë shqipe, gjuhë serbokroate, matematikë, histori, gjeografi, botanikë, vizatim, bukurshkrim, fiskulturë, fizikë, kimi, higjienë, paraushtarak, biologji, zoologji.

Nga kjo medrese, me këtë planprogram, deri në vitin 1963, dolën 115 nxënës, nga të cilët disa u bënë imamë e disa vazhduan shkollimin e mesëm në Sarajevë, e më vonë edhe në Prishtinë.

Që nga viti 1962/63, në Prishtinë, kjo medrese vazhdon punën si Medrese e mesme, e cila vazhdon punën edhe sot. Nga Medreseja e Mesme kanë dalë rreth  2000 kuadro me kualifikim të mesëm. Në fillim Medreseja e Mesme Alauddin ka qenë pesëvjeçare, kurse nga viti 1984 kthehet me sistem katërvjeçar si dhe shkollat e tjera në Kosovë. Sipas planprogramit të miratuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame në Prishtinë, këtu mësohen lëndët vijuese: Kur’an, tefsir, Hadith, Akaid, Fikh, Ahlak, Usuli fikh, Imamat, Filozofi Islame, gjuhë shqipe, gjuhë arabe, gjuhë turke, gjuhë angleze, histori, gjeografi, histori islame, biologji, pedagogji-logjikë, psikologji, mbrojtje popullore, informatikë, edukatë fizike, matematikë, kimi dhe fizikë.

Me këtë sistem të shkollimit në medresenë Alauddin, nxënësit vijnë pas kryerjes së shkollës së plotë fillore – d.m.th., pas tetëvjeçares. Këtu fitohet kualifikimi i mesëm, shkalla e pjekurisë, e cila në tërë rajonin e Ballkanit quhet maturë. Pas përfundimit të maturës një numër i madh i tyre vazhdojnë studimet nëpër universitete të ndryshme të vendit dhe jashtë vendit. Një numër i madh prej tyre kanë përfunduar studimet në universitetet e vendeve islame, si në Az’har, Bagdad, Medine, Rijad, Stamboll, Ankara, Jordani, Kuvajt, Tunizi dhe në kohën më të re edhe në Universitetet e Malajzisë.

Ata kanë arritur grada shkencore të magjistraturës dhe të doktoraturës në shkenca të ndryshme dhe kontribuojnë në fusha të ndryshme të shkencave: Islamistikë, Filologji, Shkenca juridike, etj.

Me kontributin e këtyre kuadrove më vonë, janë themeluar edhe medresetë jashtë Kosovës, në Shkup në vitin 1984 dhe në Jeni Pazar (Pazari i Ri) në vitin 1990.

Në Kosovë, Medreseja Alauddin pas vitit 1990, pas prishjes së sistemit komunist, ka themeluar degët e veta në Prizren (1992) dhe në Gjilan (1993), si edhe medresenë e femrave në Prishtinë dhe në Prizren. Vlen të theksohet se medreseja e femrave në Prizren është ndërtuar me donacione të bamirësve nga Turqia.

Në vitin 1992 në Prishtinë fillon punën Fakulteti i Studimeve Islame, intitucioni i parë për arsimimin e lartë islam në hapësirat shqiptare. Themeluesi i këtij institucioni të lartë arsimor-edukativ nga fusha e dijeve islame është Meshihati i Bashkësisë Islame të Kosovës. Studimet këtu i vazhdojnë kryesisht  ata që kanë kryer medresenë Alauddin, por mund të regjistrohen edhe kandidatë të cilët kanë kryer shkolla të tjera të mesme, nëse në provimin kualifikues arrijnë shkallën e njohurive të parapara nga rregullorja e Fakultetit.

Me gjithë faktin e demokratizimit të Ballkanit, ku bën pjesë edhe Kosova, çështja e arsimimit fetar ka mbetur akoma thembra e Akilit.

Edhe më tutje në sistemin shkollor nuk është lejuar arsimi fetar nëpër shkolla. Kjo ka vazhduar si në kohën e pushtetit komunist. Kjo do të thotë se ata që dëshirojnë të marrin njohuri për fenë duhet të organizohen nëpër xhami, ose të organizohen nga shoqata humanitare të jashtme, të ardhura në Kosovë pas përfundimit të luftës në vitin 1999. Kjo veprimtari zhvillohet në objekte private jo të përshtatshme për këtë qëllim dhe jashtë kujdesit e interesimit të organeve kompetente arsimore e fetare.

Në Kosovë arsimi dhe edukimi fetar nuk është pranuar në sistemin shkollor.

Vlen të përmendet fakti se në Parlamentin e Kosovës kjo çështje është vënë në rend dite për diskutim por nuk është zgjidhur për shkak të pasojave që ka lënë sistemi komunist tek ata që e përbëjnë Parlamentin e Kosovës. Duhet shpresuar se me përpjekje edhe më të mëdha e më të organizuara kjo çështje do të zgjidhet në të mirë të arsimit dhe edukimit fetar në shkollat e Kosovës.

Pas vitit 1999 falë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Forcave të Paktit Atlantikut të Veriut – Paktit NATO, Kosova administrohet nga UNMIK (United Nation Mission in Kosova), dhe pikërisht më 10 dhjetor 2007 pritet njohja ndërkombëtare e shtetit të Kosovës: Shtet i pavarur dhe Sovran, për të cilin akt ka nevojë dhe kërkon ndihmën e shteteve tuaja. Me ndihmën e Allahut, kur ju të ktheheni nga ky simpozium në vendet tuaja do të mbartni me vete këtë porosi dhe sigurisht përkrahja juaj nuk do të mungojë.

Stamboll, tetor 2007.

 

/Orientalizmi Shqiptar/

 

Ky artikull është botuar në revistën “URA”, nr. 3, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2009, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com

Burimet dhe literatura

Dr. Zija Kazixhi, Historia e arsimit islam, Tiranë, 2001.
Dr. Jashar Rexhepagiq, Zhvillimi i arsimit dhe i sistemit shkollor të kombësisë shqiptare në territorin e Jugosllavisë së sotme deri në vitin 1918, Prishtinë 1970.
Feti Mehdiu, Institucionet edukativo-arsimore islame në Kosovë dhe në Maqedoni (Educational-Islamic instiutions in Kosova and Macedonia), Perla nr. 1-4, Tiranë 2001.
Feti Mehdiu, Pasqyrë e shkurtër mbi veprimtarinë e medresesë Alauddin në Prishtinë, Edukata Islame, nr. 15-16, Prishtinë 1976.
Evlija Çelebi, Shqipëria para tre shekujsh, Tiranë, 2000.
Evlija Çelebi, Putopis, Sarajevo, 1973.
Glasnik VIS-a, nr. 1-3, 1959, Sarajevo, str. 57.
Hasan Kaleši, Prizren, Kao kulturni centar za vreme turskog perioda, Albanološka istraživanja, 1., Priština, 1962.
Hasan Kaleši, Najstraiji vakufski dokumenti u Jugoslaviji na arapskom jeziku, Priština, 1972.
Hasan Kaleši – Ismail Eren, Prizrenac Mahmud Paša Rotul, njegove zadužbine i vakufnama, Starine Kosova VI-VII, Pristina, 1973.
Sh. Sami Frashëri, Kamus al-Alam, I, 1889, Istanbul.
Manastir vilajeti mahsus salnamesi, 1314, Istanbul.
Feti Mehdiu, Institucionet arsimore në vilajetin e Manastirit… nga fundi i shekullit 19, Gjurmime Albanologjike, nr. 30, Prishtinë, 2003, (seria e shkencave historike).
Feti Mehdiu, Në shkolla nuk mësohet për Zotin, por fëmijët edukohen ashtu si e kërkon Zoti, Epoka e Re, Prishtinë, 17.6.2003.
Feti Mehdiu, Kërcënim – jo, mirëkuptim dhe drejtinterpretim po, Epoka e re, Prishtinë, 9-10 mars, 2004.
Sadik Mehmeti, Të dhëna arkivore për Medresenë e Piri Nazirit 1935, Vjetar, XXXI-XXXII, Prishtinë, 2004. (Arkivi i Kosovës)
Haki Kasumi, Shkollat fetare islame në Kosovë ndërmjet dy luftërave botërore, Gjurmime Albanologjike, nr. 12, Prishtinë, 1982, (seria e shkencave historike).
Osmanli arşiv belgelerinde KOSOVA VILAYETI, Istanbul, 2007.


* Ky tekst është prezantuar në vitin 2007 në Stamboll, në simpoziumin kushtuar arsimit dhe edukimit islam në Sulltanatin Osman.
[1] Në këtë artikull do të përdoret termi Sulltanati Osman në vend të Perandoria Osmane, për arsye se ky shtet nuk është udhëhequr nga perandorët por nga sulltanët.
Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: