Hyrje > Arnautët > A ka shtet amë për “arnautët” e Sirisë?

A ka shtet amë për “arnautët” e Sirisë?

Dr. Muhamed MUFAKU-ARNAUTI*

 

A KA SHTET AMË PËR “ARNAUTËT” E SIRISË?

Dr. Muhamed Mufaku (Arnauti)

Dr. Muhamed Mufaku (Arnauti)

Amman, 2 gusht – Ka 16 muaj që në Siri po zhvillohet një revoltë kundër regjimit totalitar të familjes Asad (Hafizi 1970-2000 dhe tani djali i tij Bashari 2000-2012), që po merr përmasa rajonale (për shkak të aleancës me Iranin e Hizbullahun në Liban) dhe më gjerë (me Rusinë). Për fat të keq opozita, ndonëse e madhe, nuk po bashkohet lehtë, ajo e brendshme është për zgjedhje politike, kurse ajo e jashtme për zgjedhje ushtarake. Deri tani dy qendrat më të mëdha në Siri (Damasku e Halepi) që përbëjnë gati gjysmën e popullsisë (23 milionë banorë) ishin nën kontroll të fortë të regjimit. Por në muajin e kaluar (qershori) pjesëtarët e “ushtrisë së lirë siriane” kanë depërtuar në disa lagje në periferi të Damaskut, kurse tani po zhvillohet ajo betejë që mund të jetë vendimtare: beteja për Halep.

Me rastin e luftimeve ne Damask pësuan keq edhe “arnautët” atje, pra shqiptarët shumica e të cilëve janë me origjinë prej Kosove, që kanë dy lagje me emrin e tyre në veri dhe në jug të Damaskut. Ushtria e regjimit në javën e fundit të qershorit e rrethoi lagjen në jug (Kadam) duke bombarduar atë që t’i nxisë banorët që të ikin kudo. Por ka pasur asi që nuk kanë pasur ku të shkonin, ndaj mbetën duke menduar se atje do të gjejnë shpëtim. Mirëpo, me bastisje shtëpi për shtëpi ushtarët hynë në  mënyrë brutale në një shtëpi dhe aty vranë tre veta të paarmatosur në një shtëpi (Munir Arnauti me origjinë prej Podujeve, Behlul Arnauti me orgjinë prej Kalishani dhe një tjetër vendës) dhe i nxjerrë në rrugë si “terrorist”.

Munir Arnauti, 55-vjeçar, që i ka kushërinjtë në Podujevë e Prishtinë dhe dajat në Vrellë të Istogut, mori numrin 22573 në regjistrin zyrtar “Dëshmorët e Sirisë” që gjendet në internet. Vëllai i tij Neziri, i tmerruar, vendos të shkoje të nesërmen me familje për në Kosovë, ku e ka edhe banesën, por ndalet në aeroportin e Stambollit, sepse me pasaportën e tij siriane ka nevojë për “vizë” kosovare. Ky rast i dhimbshëm aktualizoi fatin e arnautëve ose të shqiptarëve të Sirisë dhe qëndrimin shqiptaro-kosovar ndaj tyre.

Sipas një djaloshi me origjinë nga Vrella, emri i të cilit nuk mund të tregohet për arsye sigurie, i cili punon në qendrën siriane për gjendjen civile dhe më tregon se pas digjitalizimit të dokumenteve të gjendjes civile tani del se kemi më shumë se 7 mijë shqiptarë me mbiemrin “Arnaut” (shqiptarë të ardhur nga Kosova) në Siri. Duke marrë parasysh edhe shqiptarët e ardhur nga Shqipëria që nuk kanë mbiemrin “Arnaut”, mund të thuhet se në Siri kemi nja 10 mijë shqiptarë, shumica e të cilëve jetojnë në Damask dhe të tjerët janë të shpërndarë në Hama, Halep dhe në Latakije.

Shumica e shqiptareve të Sirisë kanë ardhur nga Kosova pas pushtimit të saj nga Serbia më 1912, e pas presioneve të mëdha në periudhën midis dy luftërave botërore, pra 1918-1939. Me fjalë të tjera, kemi tani në Siri tri-katër gjenerata të shqiptarëve, varësisht kur u bë shpërngulja e vendosja e tyre në Siri. Disa u ndalën një kohë në Turqi e disa u lindën në rrugë për në Siri.

Shqiptarët e Sirisë pësuan shumë, sepse nuk kanë pasur “shtet amë”që të interesohej për ta. Mbretëria e Jugosllavisë, sikurse Federata e Jugosllavisë deri më 1966, shikonin si të dëbonin më shumë shqiptarë jashtë atdheut. Nga ana tjetër, Shqipëria e Enver Hoxhës me ideologjinë e saj nuk kishte lidhje të mira me Sirinë, që shikohej si proruse. Vetëm prej 1974, kur u bë Kosova me kushtetutë, filloi të ndihej një lidhje me Kosovën si shtet amë, e sidomos me anë të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës e të Kulturës për të Huaj”. Mirëpo kjo lidhje nuk zgjati, sepse vetë Kosova u gjet në luftë për të mbrojtur vetveten deri më 1989 dhe më pas nën pushtimin e ri serb deri më 1999.

Po në të njëjtën kohë arnautët nuk gëzonin si pakicë e vogël ndonjë privilegj në Siri, por më shumë shikoheshin me rezervë pas 1999, sepse regjimi sirian kishte lidhje të mirë me Serbinë e Milosheviqit dhe me Rusinë. Më 2009 ishte një gëzim i madh ardhja e zëvendësministrit të Jashtëm të Shqipërisë në Damask, z.Edith Harxhi, që u prit me entuziazëm të madh nga arnautët dhe u premtoi shumë (bursa, vizita etj.). Por gëzimi më i madh ishte lajmi se do të hapej në Damask konsullatë nderi e Shqipërisë, që do të ishte “shtëpi e shqiptarëve të Sirisë”. Mirëpo në gusht 2010 erdhi vetë ministri i Jashtëm, Ilir Meta, për ta hapur konsullatën, për të cilën nuk mori vesh asnjë shqiptar i Damaskut, bile as tash nuk dinë ku është!

Tani me shpërthimin e luftimeve në Damask vërtet kemi një gjendje dramatike. Autoritetet siriane nuk po lëshojnë banorët që të largohen jashtë nga Jordania që është më afër (vetëm 100 km), kurse rruga për në Turqi kalon nga Halepi dhe ka rreziqe nëpër rrugë. Tani shumë shqiptarë të Damaskut kanë mbetur pa strehim, sepse shtëpitë e tyre janë shkatërruar dhe janë pa punë qe disa muaj për shkak të gjendjes së luftës.

Mu në këtë gjendje krize del vetëm myftiu i Kosovës për të kërkuar ndihmë “për shqiptarë të Sirisë”, kurse MPJ deklarohet me anë të zëvendësministrit Petrit Selimi se “nuk ka shqiptarë në zonat e luftimeve në Siri” (Koha.net 30.07.2012). Më tutje thuhet se “nuk ka asnjë shtetas kosovar që ndodhet në pjesët ku po zhvillohen luftimet”, kurse në fund thotë “ndërsa për ata që flitet që janë shqiptarë janë familje të vjetra muhaxhire nga Perandoria Osmane të cilët janë atje me shekuj”!

Në bazë të kësaj del se “arnautët” e Sirisë, ndonëse shumica e tyre kane emigruar nga Kosova pas përfundimit të sundimit osman më 1912, duhet të lidhen me Turqinë si trashëgimtare e Perandorisë Osmane. Kuptohet, Turqia e Erdoganit dhe e Davutoglut nuk ngurron të ndihmojë arnautët e Sirisë, por Turqia nuk mund të jetë shtet amë për ta.

Me këtë qëndrim të MPJ-së del sikurse Kosova u pavarësua dje, se nuk di për historinë e vet e për diasporën e vet nëpër botë. U bë mirë që MPJ e ka njohur opozitën siriane dhe ka premtuar me ndihmë, por do të ishte mirë që MPJ ta njohë pakicën arnaute në Siri pasi shumica e arnautëve janë me origjinë nga Kosova. Pasi që me zhdukjen e diasporës shqiptare në Egjipt pas grusht shtetit të Naserit më 1952, nuk kemi më koloni shqiptare pos në Siri, pra duhet të ruhet, sepse mund të jetë urë lidhëse midis Kosovës së re e Sirisë së re që po lind (pamje të këtoditshme nga Lagjja e arnautëve në Kadam).


* Autori, Muhamet Mufaku, historian kosovar me qëndrim në Amman, është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: