Kreu > Islami dhe Perëndimi > Islami dhe Perëndimi – Islami në Perëndim

Islami dhe Perëndimi – Islami në Perëndim

Dr. Murad Wilfried HOFMANN

 

ISLAMI DHE PERËNDIMI – ISLAMI NË PERËNDIM

Dr. Murad W. Hofmann

Dr. Murad W. Hofmann

I. Islami dhe Perëndimi

Ka disa njerëz që me sinqeritet besojnë se politeizmi sjell më shumë paqe dhe qëndrueshmëri sesa monoteizmi. Sipas logjikës së tyre politeizmi e lejon çdo fis apo komb që të ndjekë idhujt apo zotët e tyre të veçantë ndërkohë, sipas përkufizimit të saj, monoteizmi është universal dhe për këtë arsye detyrimisht i përhapur. I parë nga ky këndvështrim, Islami që nga fillimi i tij ka qenë një kërcënim për besimet e tjera në botë – dhe vazhdon të jetë – sepse ai është një besim universal par excellence. Nga pikëpamja islame çdo njeri që ia dorëzon veten e tij Zotit, Një dhe të Vetëm, është musliman, dhe vetëdorëzimi (el-Islam) është pikërisht qëndrimi i kërkuar nga njerëzimi. Në këtë kuptim – dhe vetëm në këtë kuptim – Islami është besimi i Vetë Zotit (inna al-din ‘ainda Allah al-Islam[1]).

Muslimanët e parë e realizuan këtë menjëherë, siç shfaqet në letrën thirrëse të Muhamedit (paqja qoftë mbi të) në vitin 628 e.s., duke i ftuar të gjitha fuqitë rreth Medinës të pranojnë Islamin.[2] Është e lehtë të kuptohet se përse këto iniciativa u konsideruan qesharake dhe të paarsyeshme nga perandori Herakli në Kostandinopojë dhe nga kolegu i tij Kisre në Ktesifon. A mund të konsiderohet ende si e paarsyeshme, në kohën tonë të arsimimit, kur muslimanët kërkojnë njohjen mbi qëndrime të barabarta? Me atë letër thirrëse filloi ndërkombëtarizimi i Islamit. Muslimanët nuk e copëtuan botën në rajone si dar al-magrib apo dar al-mashrik. Përkundrazi, duke e ditur se “Allahut i përket Lindja dhe Perëndimi”[3] ata e ndanë të gjithë botën vetëm në dy zona: bota e Islamit dhe pjesa tjetër.[4] Konceptualisht, kjo do të thotë se muslimanët që në fillim e konsideronin Islamin si një besim me qëllime botërore dhe mungesën e Islamit në pjesën tjetër të botës thjesht si një gjendje të përkohshme.

Në të vërtetë, ka patur pengesa të pashmangshme gjatë fazave të para të përhapjes së shpejtë dhe të gjerë të Islamit në Siri, Egjipt, Irak, dhe Iran. Muslimanët arabë u joshën të kërkonin privilegje mbi masën dërrmuese të të kthyerve (mavali), si brenda shoqërisë arabe që diskutohej “epërsia” e Kurejshëve ashtu edhe brenda Kurejshëve, që diskutohej “epërsia” e emigrantëve (al-muhaxhirun) mbi ndihmësit (al-ansar) apo të disa fiseve si Hashimitët apo Abasidët mbi Kurejshët. Në fakt, kufizimet për titullin jo-Kur’anor të halifit nga një anëtar i familjes më të madhe të profetit (paqja qoftë mbi të) vazhdoi deri në kohën kur Selimi I e mori këtë zyrë për turqit osmanë në shekullin e 16-të.

Nga këndvështrimi ynë, këto devijime vinin si pasojë e gjykimit racor apo fiseve (al-shu’ubijah) sesa si shqetësim mbi një dobësim të mundshëm të Islamit. Pushtuesit muslimanë ishin të vetëdijshëm mbi faktin që komuniteti i krishterë ishte ndarë në sekte të shumta, si p.sh. në Koptë, Nestorianë, Jakobitë, Donatistë, Gnostikë, dhe Arianë. Gjithashtu, ata ishin të vetëdijshëm se këto ndarje të brendshme kishin ardhur, për herë të fundit por jo më pak, nga përvetësimi i materialit heterodoks gjatë zgjerimit të krishterë. A mundet dikush të mos gjejë ndryshime doktrinore të pranishme në mendimin spekulativ të krishterë të, për shembull, elementëve neo-Platonikë, Manikeanë, Gnostikë apo Mazdaeanë?

Realisht, muslimanët e ngritën veten e tyre në të njëjtin telash si çifutët dhe të krishterët në kohën e tyre[5]: Në qoftë se ata u bënë shumë kufizues, Islami mund të qëndronte i pastër, por si një besim fisnor; në qoftë se ata, në anën tjetër, u shtrinë nëpër botë nëpërmjet asimilimit të popujve fqinj, Islami mund të bëhej i përbërë dhe spekulativ si krishtërimi nën ndikimin e njerëzve si Pali, Athanasius, Marsioni, Augustini, Dionis Areopagita etj. Në fund, muslimanët fituan duke mbrojtur universalitetin e besimit të tyre pa e dobësuar atë, dhe kjo për dy arsye kryesore:

Së pari, Kur’ani i ka detyryar ata që të shikojnë pluralizmin fetar jo vetëm nëpërmjet tolerimit, por edhe mbrojtjes së ”njerëzve të librit” (Al al-kitab) dhe praktikës së tyre fetare. Së dyti, intelektualët muslimanë të shkollave të mendimit Asherite dhe Hanbelite luftuan një betejë fituese ndaj hyrjes nëpërmjet Mu’tazilitëve të filozofisë greke dhe gnosticizmit neo-platonik në doktrinën islame. Ndikimi i mendimtarëve si al-Farabi dhe më vonë Ibn ’Arabi mbetën të kufizuara. Në fakt, pavarësisht nga mungesa e mjeteve disiplinore (si hierarkia papnore, dogma, inkuizicioni, dhe Gjykata Rota Romana në Katolicizëm) Islami ruajti thjeshtësinë e shfaqjes së doktrinës së tij, deri sa gabimisht u shfaq monolitik.

Për këtë shkak është e çuditshme që edhe sot dikush në botën e krishterë vazhdon t’i shmanget Islamit duke u shprehur se Allahu ishte një Zot i ndryshëm nga ai i të krishterëve. Kjo teori u shfaq në vitin 1996 në televizionin gjerman personalisht nga Dr. Peter Steinacker, president i kishës protestante të Hessen-Nassau në Darmstadt. Bazuar në interpretimin e tij vetjak të Kur’anit, ai e ktheu Allahun në një zot fisnor të arabëve (i cili, nga pikëpamja e të krishterëve monoteistë interpretohet që zoti i muslimanëve nuk është zot, por një idhull i thjeshtë).

Një veprim i tillë me prapavijë nuk do ta ngadalësojë përhapjen e gjerë botërore të Islamit në ditët tona. Islami mund të ketë qenë gjithnjë universal në qëllimin e tij: vetëm në kohën tonë, falë revolucionit të mjeteve të transportit dhe mjeteve të komunikimit, ndikimi i tij është me të vërtetë universal. Kur unë udhëtoja para 15 vjetësh ka pasur ende vende, si Islanda, ku nuk mund të gjeja një musliman të vetëm. Kjo nuk është më e mundur. Tani, kur organizohen takime të mëdha të muslimanëve – si Konferenca vjetore e Këshillit të Lartë Islam (Egjiptian) – ka përfaqësues nga komunitetet muslimane të çdo vendi, përfshirë këtu edhe Korenë, Moskën, Argjentinën, Bolivinë, Tailandën, dhe Suedinë. Kjo është ana pozitive, dhe ana e kundërt e fenomenit bashkëkohor të globalizimit ekonomik dhe teknologjik.

Normalisht, muslimanët vënë re vetëm rreziqet dhe dëmet e dukshme në kulturën e tyre të këtij procesi: MacDonaldizimi dhe Coca-colizimi i botës, duke kërcënuar të bëhen universalë. Sidoqoftë, ky de-territorizim i parë në qytetërimin perëndimor nuk është rrugë me një drejtim. Jo vetëm muslimanët kanë filluar të ndihen të huaj në vendet e tyre, por gjithashtu dhe shumë europianë kur ata u përballën me amerikanizimin dhe fluksin masiv të punëtorëve muslimanë dhe familjeve të tyre nga Afrika Veriore dhe nënkontinenti indian.[6] Nuk është e qartë nëse globalizimi do të zhdukë apo jo pjesën më të madhe të kulturës botërore. Në rast se ka të vërtetë në teoritë e Samuel Huntingtonit mbi përplasjen e qytetërimeve në të ardhmen[7], atëherë është i saktë vështrimi se kufinjtë e kulturave më të mëdha janë çuditërisht të qëndrueshme.[8] Në vitin 1996 në Riad, pasi kishte parë Arabinë Saudite, ai pranoi publikisht se ”mund të ketë modernizim pa perëndimin”, dhe ripohoi se teoria e tij është kryesisht mbrojtëse, si një përpjekje për të paralajmëruar botën perëndimore ndaj fqinjëve jugorë.

Se sa e përputhshme është teknologjia islame dhe perëndimore mund të shikohet shumë mirë në vetë Amerikën. Si mund të shpjegohet ndryshe që ka më shumë se 700 ekspertë muslimanë të kompjuterave vetëm në Silikon Valley, disa – nëqoftëse jo shumica e tyre – janë muslimanë shumë aktivë? Si mund të shpjegohet ndryshe thirrrja e pamasë e Islamit për amerikanët e të gjitha fushave të jetës, siç është dokumentuar në mënyrë aq të prekshme nga Steven Barboza?[9]

Si rezultat i globalizimit termat “perëndim” dhe “lindje” kanë filluar të mjegullohen: merrni shembull Izraelin, të vendosur në Lindjen e Mesme. Judaizmi është një besim me origjinë orientale, por Zionizmi është një dukuri më shumë perëndimore. Marrim Spanjën, një vend i cili para vitit 1492 ka qenë islame për 800 vjet – aq kohë sa ka Turqia deri tani. A ka qenë Spanja “lindore” atëherë, dhe a është “perëndimore” tani? Shikojmë besimin e krishterë. A është më pak lindor sesa Islami, me themelet e tij në Judaizëm, gnosticizmin helen dhe misticizmin persian, ndër të tjera?

Termat dar al-Islam dhe dar al-harb, gjithashtu, në realitetin e sotëm ndërkombëtar nuk kanë më kuptim.[10] Praktikimi i plotë i Islamit, a është me të vërtetë shumë më i lehtë (dhe më pak i rrezikshëm) në botën muslimane sesa në perëndim? Në të vërtetë, lindja dhe perëndimi tani janë aq të ndërthurura saqë këto terma tashmë shërbejnë vetëm për përshkrime gjeografike. Si islami ashtu dhe krishterimi, duke menduar në mënyrë globale, më parë e kanë fshehur sensin e njëjtë dhe të thellë të misionit; prandaj gjithnjë e më shumë nuk janë mbyllur në një luftë për epërsi, qoftë kjo në Tokën e Shenjtë, apo në Europën Qendrore (Vienë!). Si rezultat i kujtesës së tyre kolektive, shumica e muslimanëve akoma i konsiderojnë kundërshtimet aktuale ndërmjet Islamit dhe Perëndimit si një përballje ndërmjet Islamit dhe Krishterimit. Por ky këndvështrim është bërë gjithnjë e më pak i saktë, që në Kohën e Arsyes, kur në shekullin 18 filloi procesi i Iluminizmit.

Protagonistët e tij, si Dekarti, Hume, Volter, bashkëkohësi i tij Frederiku II, Mbreti i Prusisë, Kanti dhe Lesingu si deistë besonin në Zot. Por ata e kritikuan rëndë abuzimin e pushtetit siç dëshmohet në shekuj nga Kisha Katolike dhe Protestante. Ata dëshironin të çlironin botën e krishterë nga supersticionet dhe dogmat (si Triniteti) të cilën ata e vlerësonin si absurde, jo nga besimi në Zot siç është. Në fakt, Volteri i shkruan Frederikut më 27 korrik 1770: “Ateizmi asnjëherë nuk të çon në një gjë pozitive…”[11]

Siç e dinë të gjithë, procesi i “Iluminizmit” doli nga duart, deri një shekull më vonë, ku Friedrich Nietzsche – duke folur për Marksin, Engelsin, Darvinin dhe Frojdin gjithashtu, shpalli “vdekjen e Zotit”. Sigurisht, duke qenë se Allahu është al-hajj al-kajum[12] (i Pavdekshëm) Nietzsche nuk mund ta vristë Atë.[13] Por ishte e mundur të vrisje Zotin në zemrat e miliona europianëve dhe amerikanëve. Njeriu i emancipuar perëndimor jo vetëm që hoqi dorë nga kontrolli i Kishës; por për të Projekti i famshëm i Modernitetit do të thoshte të mos pranonte çdo lloj dominimi bazuar në çfarëdo vlerash, rregullash dhe normash absolute. Në këtë mënyrë modernizoi instiktet e tij, dëshirat, pasionet dhe arsyetimi i tij privat u bë masa e vetme e njeriut modern. Besimi u zhvendos në kategorinë e magjisë, supersticionit, dhe legjendave, madje edhe nëpërmjet astrologjisë.

Dhe pikërisht aty jemi ne tani.

II. Islami në Perëndim

Në kundërshtim me paraardhësit tanë muslimanë të cilët gjatë kryqëzatave duhet të luftonin kundër ushtarëve të cilët pjesërisht indoktrinoheshin dhe motivoheshin nga idetë e krishtera, nuk ka rëndësi se sa të prishur ishin, në kohët e sotme muslimanët përballën me ateizmin, agnosticizmin, materializmin e pagdhendur, hedonizmin, përdorimin e drogave dhe forma të tjera të konsumit – një gjendje që ka shumë pasoja të rëndësishme, për davetin (thirrjen) islam gjithashtu.

Nga këndvështimi im, është suksesi apo dështimi i ndikimit të davetit mbi të cilën varet perspektiva e tërë muslimanëve në perëndim. Kjo për arsye se muslimanët mund të tolerohen gjatë kohës në perëndim në qoftë se ata qëndrojnë modestë – më shumë  një element statik dhe folkflorist shumëngjyrësh sesa një ideologji e gjallë kumbuese në zgjerim. Për sa kohë që islami do të vazhdojë të rritet si një alternativë kulturore, nuk mund të pritet një tolerancë e tillë.

Nën këto kushte është thelbësore të analizohet saktë se si muslimanët mund të fitojnë besueshëm pranimin. Përsëri sipas këndvështrimit tim, ky akt mund të bëhet, megjithatë vetëm në qoftë se muslimanët ia dalin të bindin fqinjët që islami mund t’u ofrojë diçka për të cilën ka nevojë perëndimi për mbijetesën e tij si qytetërim.

Hapi i parë në këtë drejtim duhet të jetë një kritikë e ashpër për “Projektin Modern” të perëndimit mbi të cilin qëndron triumfues ndërtesa e perëndimit. Muslimanëve nuk duhet t’ju vijë turp nga qëndrimi kategorik që projekti i arritjes së paqes dhe prosperitetit të njerëzimit, bazuar në arsyetimin njerëzor, ka dështuar. Dhe ajo që e tregon një gjë të tillë janë dy Luftrat Botërore, përdorimi i armëve bërthamore dhe kimike, kampet e përqendrimit, Stalinizmi dhe holokausti nazist me zhdukjet masive të fermerëve, çifutëve, jevgjëve, të sëmurëve mendorë dhe kundërshtarëve politikë, aparteidi, spastrimet etnike, shkatërrrimi i mjedisit, shkatërrimi i familjes, “kultura“ e drogës etj. Duhet t’i tregohet njerëzve në perëndim me ‘Ali Masruin që asnjë nga këto akte çnjerëzore nuk ka ndodhur në botën islame.

Mbi këtë bazë, duhet të bëhet e mundur sugjerimi i konkluzionit që është e pamundur të rriten dhe të sigurohen virtytet publike apo private vetëm në sajë të arsyetimit human; kjo jo vetëm që të laicizojë shoqërinë duke funksionuar për shumë kohë; dhe shkenca natyrore e perëndimit – pavarësisht nga të gjitha sukseset e saj – është shumë larg shpjegimit të ekzistencës së kozmosit dhe të jetës ashtu siç ishte. Shkurtimisht, muslimanët duhet të tregojnë se shkencat natyrore dhe sociale janë ende të bazuara kryesisht në supozime ideologjike, pa ndonjë provë çfarëdo të mos-ekzistencës së Zotit.

Në këto kushte është e rëndësishme të mos e ndëshkojmë qytetërimin perëndimor rrëmujshëm dhe të pranojmë se një nga çuditë e tij është aftësia e tij rigjeneruese: Perëndimi është në gjendje të ndryshojë drejtim në mes të rrugës në rast se është e nevojshme, siç po ndodh aktualisht në SHBA me shqetësimin mbi pirjen e duhanit. Veçanërisht, muslimanët në perëndim – madje dhe përpara se t’u kërkohet – duhet të jenë në favor të bazave të demokracisë perëndimore shumëpartiake, parlamentare, duke përfshirë kontrollin mbi ndarjen e pushtetit, zgjedhjeve të lira, rregullave të ligjit, dhe garancisë së të drejtave bazë të njeriut, gjithashtu në favor të grave.

Në rast se ky kurs ndiqet sipas strategjisë islame të davetit, mund të përfitohet nga disa fenomene post-moderniste, si kritikat ekzistuese mbi industrializimin, simpatia për minoritetet e çdo lloji, dhe qëndrimet favorizuese ndaj kulturave të huaja. Ka të rinj të cilët mohojnë arsyetimin e vërtetë të skenës moderne, kërkojnë një kuptim më të thellë të jetës dhe mbrojnë të drejtat e kujtdo “ndryshe” të cilët bashkohen me çështjen islame, dhe kur ata tentojnë që të mos e pëlqejnë situatën globale, qëndrimi është individualist dhe xheloz për ”autonominë” e tyre.[14]

Do të ishte gabim të pretendohet se muslimanët mund ta fitojnë luftën e tyre vetëm në nivelin teorik dhe filozofik, sepse problemi nuk është aq njohës sa ç’është kulturor, dhe kjo kundër mjedisit të një materializmi të përhapur gjithkund. Shumica e perëndimorëve, besimtarë apo jo, duhet të pranojnë se huve Allahu ahad[15] ka më shumë kuptim se sa teoritë mbi mishërimin, trinitetin, gabimin e trashëguar apo shlyerjen e dikujt tjetër. Nga ana intelektuale, ata gjithashtu mund të pranojnë që është shumë e pamundur se Zoti – si shkak pa shkak i qenies njerëzore – nuk ekziston.[16] Dhe akoma kjo bindje (Zoti) mund të mbetet e pavend për të tillë njerëz për aq kohë sa ata qëndrojnë të gllabëruar nga hedonisti i tyre, neo-paganizmi dhe zakonet, duke përfshirë përdorimin e drogave (duke përfshirë alkoolin, cigaret, lundrimin në internet) dhe lirinë seksuale.

Si rrjedhim, muslimanët në perëndim duhet të jenë shumë më konkretë rreth kontributit të tyre për ri-lulëzimin e Amerikës.[17]

Në vijim paraqiten disa elementë konkretë të islamit të cilët muslimanët duhet t’i nënvizojnë:

1. Perëndimi, jo vetëm Amerika dhe Izraeli, po vuan shumë nga paragjykimet racore. Islami nuk ka qenë në gjendje ta çrrënjosë plotësisht racizmin, por nuk ka asnjë besim tjetër i cili ka bërë më shumë në luftimin e këtij mëkati.[18]

2. Në kontrast të plotë me urdhërin e Krishtit që “të duash fqinjin siç e do veten tënde” perëndimi vuan ftohtësinë e marrëdhënieve sociale. Ummeti (populli) islam është i njohur për ngohtësinë njerëzore e cila u mungon shpesh fëmijëve në perëndim.

3. Të rinjtë perëndimorë nuk i durojnë hierarkitë. Islami është pluralist dhe nuk njeh ndonjë kishë apo klerik që administron simbolet e shenjta. Muslimanët – duke e ditur se nuk mund të ketë “ndërmjetës“ – janë besimtarët më të emancipuar.

4. Perëndimi nuk do asgjë më shumë se racionalizmin. Islami është i lirë nga misteret (si “mëkati fillestar”, “mishërimi” dhe “triniteti”) dhe i pacenueshëm në logjikën e dogmës së tij të vetme – teuhidin (Zoti Një dhe i Vetëm).

5. Muslimanët, duke qenë të kthjellët nga ana strukturore, janë e vetmja shpresë për një mjedis të mbushur nga droga.

6. Muslimanët e rendisin familjen shumë më lartë sesa çdo institucion tjetër social. Ata e pranojnë seksin në jetën e tyre, si një mënyrë për t’i shërbyer Zotit, pa e demonitizuar atë në mënyrë puritane (si Pali dhe Augustini) dhe as duke u kënaqur me të pa limite dhe tabu, dhe pa e shenjtëruar martesën.

7. Ndërkohë për kundërshtimet rreth abortit, Islami e vendos jetën e nënës në një shkallë më të lartë sesa atë të fetusit.

8. Islami është mëshirues ndaj homoseksualëve të lindur por nuk e toleron propagandimin e homoseksualitetit si një mënyrë alternative të jetës.

9. Femrat në perëndim kërkojnë mbrojtje ndaj ekspozimit si objekt seksual. Motrat e tyre muslimane kërkojnë të mbrojnë dinjitetin e tyre, me më shumë efikasitet.

10. Sistemi ekonomik islam lidhur me prioritetin mbi pronën private është i imunizuar ndaj tundimeve socialiste. Por gjithashtu ndihmon në mbajtjen gjallë të ekonomisë kapitaliste duke këmbëngulur në përdorimin e kapitaleve ekskluzivisht në përfitim dhe mënyrat e ndarjes së humbjes. Kjo është shumë afër shpirtit sipërmarrës të sistemit ekomonik perëndimor sesa mentaliteti i rentës tipike të marrëveshjes dhe llogarive ruajtëse.

11. Njeriu perëndimor është i stresuar. Muslimanët nuk janë për shkak të “teknikës” së tyre të “zhytjes në mendime” rregullisht si p.sh. në salah (lutja e zakonshme), dhe relaksit të tyre dhe zakoneve të mençura ndaj “së ardhmes”. Ata nuk shkojnë tek psikiatri por kërkojnë vazhdimisht dialog me Zotin.

12. Njeriu perëndimor është mbi peshë dhe i vëtëdijshëm për kolesterolin. Çfarë diete dhe kontrolli më të mirë të peshës mund të ketë sesa agjërimi i caktuar gjatë një muaji?

Në përgjithësi, që një da’i (thirrës) musliman mund të përmbledhë një listë të plotë të çështjeve për të treguar ndryshimet e mëdha ndërmjet perëndimit dhe botës muslimane është fakti se perëndimi e mban gjallë aspektin sasior – të gjitha mënyrat për klasifikimin dhe dixhitalizimin e çdo gjëje – dhe më pas aspektin cilësor. Cilësia e jetës është një gjë e veçantë e islamit e cila mund të kumbojë.

Sigurisht, një njeri i sëmurë nuk duhet vetëm të pranojë që është i sëmurë por duhet të marrë dhe mjekimin e përshkruar për të. Kjo mund të ndodhë lehtësisht në modelin e krishterë të dialogut. Në fakt, të krishterët duhet të kuptojnë se ata janë në të njëjtën varkë me muslimanët, duke lundruar mbi një oqean të pafund të materializmit. Dialogu musliman – i krishterë duhet të vazhdojë me kujdes dhe me zgjuarsi, madje dhe kur është më pak i përshtatshëm me botën agnostike.

Kjo mund të kryhet në qoftë se muslimanët, të paktën në fillim, e theksojnë se të dyja besimet si të përbashkëta kanë:

1. Rrënjët e përbashkëta në traditën profetike çifute, duke kulmuar në bashkimin me babain e tyre shpirtëror Ibrahimin.

2. Monoteizmi i tyre në parim. (Kjo nënkupton se nocioni i trinitetit nuk duhet klasifikuar si politeizëm).

3. Respekti i tyre i përbashkët për Jezusin (a.s.) dhe nënën e tij.

4. Mënyra asketike e tyre e përbashkët e të shikuarit të botës dhe angazhimit social.

5. Mbrojtja e tyre e përbashkët e vlerave të familjes dhe foshnjave të palindura.

Në këtë kontekst do të ishte e pamatur të gëzonim mbi pengesat dogmatike të cilat krishtologjia në ditët e sotme po përballet në të gjitha kishat. Kjo është shenjë e mirë – ndoshta! – që shumë teologë të krishterë, ngadalë dhe në mëdyshje, ndjekur nga rangu dhe pasuesit, nuk do të besojnë akoma në natyrën hyjnore të Jezusit. Megjithatë, ne nuk duhet të ngrejmë rrezikun që rezultati final i tronditjes i shkaktuar nga revolucioni dogmatik mund të jetë braktisja masive nga besimi si i tillë. Individë si Hans Küng, John Hick, Gerd Lüderman dhe Paul Schwarzenau me çmitizimin e tyre të Jezusit sigurisht që nuk kanë si qëllim të shfuqisojnë besimin në Zot si i tillë, por kjo është saktësisht ajo çfarë ata mund të arrijnë. Muhamed Asadi e ka parashikuar këtë mekanizëm që në 1934 kur ai vuri re se Kisha me krishtologjinë e saj të ndrydhjes së mendjes në fund mund të jetë përgjegjëse për rritjen e ateizmit, së paku tek ata individë të cilët nuk kanë njohuri për konceptin islam të Zotit.[19]

Për kohën që jetojmë, dialogu kristian-musliman në perëndim mundet akoma të bie në dogmatizëm, një zonë plot me tabu dhe me çështje të panegociueshme nga të dyja anët. Sidoqoftë, sipas kritikës së Edward Saidit ndaj të metave të orientalizmit perëndimor[20], muslimanët duhet të krijojnë “oksidentalistët” e tyre për të qenë më mirë të përgatitur në angazhimin e shkëmbimeve të teologëve ekspertë me të krishterët.[21]

Atëherë, ky është roli vendimtar që islami mund të luajë në perëndim dhe për perëndimin në fillim të shekullit 21, të kujdeset që perëndimi të kuptojë se sa e rëndë është kriza e qytetërimit të tij. Mjerisht, deri tani duket se e gjithë shoqëria perëndimore nuk është e përgatitur për këtë ndryshim kursi. Ka shumë mundësi që do të ketë një seri përpjekjesh për ndërhyrje të mëtejshme.[22] Kur’ani, sidoqoftë, është i mbushur plot me shembuj të njerëzve të mëhershëm të cilët kanë dështuar në leximin e shenjave dhe në fund kanë rënë në tragjedi. Për këtë arsye, unë besoj që perëndimi do të bie në një shfrenim vetëshkatërrues, si viktimë e kontradiktave të brendshme, më e keqja ndër të cilat është hyjnizimi virtual i njeriut – në mos, po, në mos perëndimi ripranon Shenjtërimin, të Shenjtën, Realitetin e Jashtëzakonshëm, dhe përpiqet të jetojë përsëri sipas vlerave absolute dhe normave hyjnore siç i mësohet njerëzimit në Fjalët e Allahut, Kur’anin.

Ve Allahu ‘alam.[23]

 

Përktheu nga anglishtja: Erina MAÇI

Ky artikull është botuar në revistën “URA”, nr. 3, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2009, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com


1 Kur’ani 3:19
2 Për detaje shikoni Ibn Ishak, The life of Muhammad (Jeta e Muhamedit), përkthyer nga A. Guillaume, Oxford 1955, f. 652-659.
[3] Kur’ani 2:115
[4] al-dar al-Islam dhe al-dar al-harb, janë koncepte jo-Kur’anorë të zhvilluar gjatë Mesjetës.
[5] Karen Armstrong, A history of God (Një histori e Zotit), hedh shumë dritë mbi këto mekanizma.
[6] Mbi qëllimin dhe ndikimin e globalizimit shikoni Bryan Turner, Orientalism, Postmodernism & Globalism, Londër, 1994.
[7] “The Clash of Civilizations” (Përplasja e qytetërimeve), Foreing Affairs, Vol. 72, Nr. 3, Verë 1993.
[8] Kjo bën që përpjekja e Kemalistëve për të ndryshuar natyrën e shoqërisë turke në mënyrë shkencore është shumë interesante (dhe jorealiste).
[9] American Jihad (Xhihadi amerikan) – Islami pas Malcolm X, New York 1994
[10] Fat’hi Osman e përmbledh këtë kur shprehet se “ndarja e dar al-harb nga bota tjetër…, ishte historike dhe teorike”. Shih: Fat’hi Osman, Artikull i prezantuar në konferencën mbi Islamin dhe Modernizmin, Londër, 6 korrik 1996, f. 19-21.
[11] Shih: “Voltaire – Friedrich der Grosse” Zürich 1992.
[12] Kur’ani 2:255
[13] Në frazën e parë të “Die Fröhliche Wissenschaft” (1886), faqe 343, kur Nietzche ka komentuar se “Zoti ka vdekur” u bë ngjarja më e madhe bashkëkohore.
[14] Për postmodernizmin shih Akbar Ahmed, Postmodernism and Islam (Postmodernizmi dhe Islami), London 1992; E. Gellner, Postmodernism, reason and religion, London 1992.
[15] Kur’ani 112:1
[16] Teoria e mundshme për Zotin, e shprehur nga Richard Swinburn, The Existence of God (Qenia e Zotit), Oxford 1979.
[17] Kjo është një lojë fjalësh në veprën e famshme të Charles A. Reich “The Greening of America” (Lulëzimi i Amerikës), New York 1970.
[18] Kjo çështje është ngritur edhe nga Jeffrey Lang, “Even Angles Ask” (Edhe engjëjt pyesin), Beltsville, MD, USA, 1997.
[19] Islami në Udhëkryq, Lahore, 1934, f. 52.
[20] Edward Said, Orientalizmi, London 1978.
[21] E kam fjalën për shkëmbime më pak luftarake dhe agresive nga ato të cilat njihte Ahmed Didat.
[22] Daniel Bell nga Harvard në librin “The Cultural Contradictions of Capitalism” (Kundërshtimet Kulturore të Kapitalizmit), Londër 1976, ka përcaktuar saktësisht mjerimet e shoqërisë amerikane.
[23] “Vetëm Zoti e di”.
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: