Prof. Ali Mustafa El-Misrati – Herodoti i kulturës libiane dhe shqiptarët

PROF. ALI MUSTAFA EL-MISRATI – HERODOTI I KULTURËS LIBIANE DHE SHQIPTARËT[1]

Ali Mustafa El-Misrati

 

U lind mё 18.08.1926 nё Aleksandri, dhe emri i tij i plotë sikurse ai e përmend është: Ali Mustafa Ali Ahmed El Misrati. U rrit ndёrmjet Aleksandrisё dhe Kairos. Mësimet e tij tё para i mori nё shkollёn “El Xheladin” nё Bulak. Më pas vazhdoi shkollёn e lartё nё Universitetin e Ez`herit nё fakultetin e “Bazave Fetare” tё cilin e pёrfundoi nё vitin 1946. Gjithashtu arriti tё diplomohet nё shkollёn e lartё tё pedagogjisё nё fakultetin e “Gjuhёs arabe” po nё universitetin e Ez`herit nё vitin 1949. Mё pas punoi si mёsuses nё shkollёn egjiptiane tё koptёve nё Shibra.

Herën e fundit që u takova me të, dhe kjo gjatë pushimit prej gati një çerek ore në një seminar që u mbajt në Tripoli[2], mu dha rasti të bisedoja me të dhe ti jepja atij një biografi të shkurtër rreth jetës së tij në gjuhën shqipe që e kisha përgatitur prej disa muajsh, menjëherë me lëvizjet e tij të shpejta dhe të gjalla filloi të fliste dhe të më pyeste për shqiptarët. Natyrisht që u çudit kur unë i dhashë atë biografi të shkurtër që nuk i kalonte tetë faqe, megjithëse rreth nesh kishte dhe profesorë e studentë të tjerë pjesëmarrës në seminar, kur i mori në dorë ato fleta më tha: “A e ke përmendur që origjina e gjyshërve të mi është nga Shqipëria?”, unë iu përgjigja megjithëse unë e di një gjë të tillë sepse më keni njoftuar në takime të kaluara, por këtë nuk e kam gjetur të shkruar në asnjë burim që flet për jetën dhe veprën tuaj, për këtë arsye nuk e kam shkruar këtë që ju përmendni, atëherë duke buzëqeshur më tha: “Menjëherë shkruaje këtë që po dëgjon nga unë në biografinë time“, the thirri me zë të lartë që ta dëgjonin dhe disa të pranishëm që ishin aty pranë: “E dini ju që gjyshërit e mi kanë qenë shqiptarë“. Ishin këto fjalë që më shtynë ta rishkruaj biografinë e këtij gjeniu të letrave arabe për shkakun e vetëm që të përmend atë që ai më kërkoi, se origjina e familjes së tij rrjedh nga Shqipëria, dhe se gjyshërit e tij të parë kanë qenë shqiptarë që emigruan në viset arabe, dhe kjo është një dukuri tashmë e njohur në historinë arabe ashtu dhe në atë shqiptare. Jo vetëm në Libi gjejmë familje me origjinë shqiptare por thuajse në të gjithë vendet arabe si në Egjipt, Siri, Palestinë, etj.

Ai ka shkruar dhe vazhdon tё shkruajё nё fusha tё ndryshme por veçanёrisht aktiviteti i tij ёshtё pёrqёndruar nё histori, biografi, tregime, gazetari si dhe nё dorёshkrime nga trashёgimia kulturore.

Me shkrimin e tij me titull “Kёtu jam o atdheu im, kёtu jam“, titull i cili u bё kushtrim pёr rininё gjatё asaj periudhe tё historisё, ai nisi botimin e shkrimeve tё tij nё gazetёn “Tripoli Perёndimor” (Tarablus El Garb). Ishte ky artikulli i tij i parё qё u botua mё datё 13.03.1948, mё pas u botua shkrimi i tij me titull “Lamtumirё, mё pas kthehem” mё datё 14.04.1948.

U kthye pёr tu vendosur pёrfundimisht nё Libi mё datё 15.07.1949 periudhё nё tё cilёn botoi artikullin e tij me titull “Kthim”, gjithashtu gjatё kёsaj periudhe ai ka mbajtur shumё ligjёrata dhe aktivitete kulturore e politike tё cilat kishin si qёllim nxitjen dhe rritjen e ndёrgjegjes tek rinia qё tё pёrballen me ngjarejt qё ndoshnin asokohe nё Libi…

U antarёsua nё partinё “Kuvendi Kombёtar” pёr tё mbrojtur çёshtjen libiane, parti tё cilёn e kishte themeluar Beshir Es Sa`davi nё vitet `50-tё. Gjatё kёsaj periudhe ai u përndoq dhe u burgos. Mё datё 25.03.1954 u emёrua drejtor i radios “Tripoli Perёndimor”, gjithashtu punoi si kryeredaktor i revistёs “Kёtu Tripoli Perёndimor”, revistё e cila pёrfshinte fushёn e letёrsisё dhe artit. Mё 1960 deri mё 1964 u zgjodh anёtar i asamblesё parlamentare.

Nё vitin 1965 mori çmimin e parё me shkrimin e tij rreth folklorit libian nё konkursin e shkrimtarёve tё cilin e organizoi komisioni i lartё i arteve dhe letёrsisё. Mё pas ai u emёrua kryetar i kёtij komisioni. Nga viti 1959 deri mё 1966 ai ishte nga themeluesit dhe udhёheqёsit e Institutit libian tё mendimit. Më 07.02.1964 ishte botuesi i gazetёs javore “Populli” ku ishte dhe kryeredaktor i saj, gazetё e cila u ndalua botimi i saj disa herë. Nё vitin 1972 u zgjodh deputet i Tripolit nё parlamentin e unionit popullor. Mori dhe vazhdon akoma tё marrё pjesё si pёrfaqsues i Libisё nё seminare tё ndryshme rreth letёrsisё, kulturёs dhe politikës.

Nё vitin 1970 u nderua nё festёn e parё tё shkencёs pёr rolin dhe mundin e tij nё ringjalljen e trashёgimisё kulturore arabe.

Mori pjesё nё themelimin e disa qendrave dhe institueve kulturore arabe.

Fitoi çmimin “Fatih” nё letёrsi dhe arte nё vitin 1994 si nderim pёr aktivitetin e tij si shkrimtar.

Përveç shkrimeve të tij, programeve kulturore dhe serialeve radio-televizive ai ka botuar mё shumё se 55 libra.

 

Ndër librat e tij tё botuar pёrmendim:

1- Personalitet nga Tripoli, botuar nga Sht. Bot. Maxhi, 1955.
2- Panorama letrare nga Libia, Sht. Bot. Shtetёrore, 1956.
3- Poet nga Libia, Ibrahim El Usta Umer, Sht. Bot. Orient, 1960.
4- Nastradini nё Libi, Libraria Orient, 1957.
5- Gazeta libiane gjatё gjysmё shekulli, Libraria Orient, 1958.
6- Shoqёria libiane nёpёrmjet fjalёve tё urta popullore, Tripoli 1962.
7- Siçiliani Ibn Hamijdus, Sht. Bot. Njohuritё, 1963.
8- Vela e grisur, Sht. Bot. E librit arab, 1963.
9- Esed bin El Furat çliruesi i Sicilisё, Organizata e shkrimeve, 1964.
10- Njё grusht me dhé, Sht. Bot. El Gandur, 1964.
11- Ibn Galbun – Historiani i Libisё, Komisioni i lartё i letёrsisё, 1966.
12- Marrёdheёniet historike dhe shoqёrore ndёrmjet Libisё dhe Turqisё, 1968.
13- Mbledhja e injorantёve, Libraria e mendimit, 1972.
14- Era e Nisrinit, Libraria tregtare, 1963.
15- Historinaё nga Libia, Sht. Bot e shpejtё, 1977.
16- Shprehjet pupullore, domethёnie psikologjike dhe sociologjike, 1982.
17- Grimё prej xixёllonje, Sht. Bot. El Xhamahirije, 1992.
18- Dielli dhe sita, Sht. Bot. Dahvij, 1967.
19- Zogu i plagosur, Sht. Bot. El Xhamahirije, 1995.
20- Shembuj në hije, përkthime, Tripoli 1978.
21- Personalitetet e gazetarisё nё vendet arabe – vëll. VI, personalitet libiane, 1997.
22- Akoma xhaketa ёshtё e varur, tregime tё shkurtra, Kairo, 2005.
23- Seriozitet nё shaka dhe fantazi nё realitet, Tripoli, 2006.
24- Dervishi i tha djalit tё tij, Sirt, 2006.
25- Arka e mollёve, Sirt, 2006.

Punimet e tij janё pёrkthyer nё disa gjuhё tё ndryshme, si nё anglisht, frёngjisht, gjermanisht, italisht dhe nё gjuhёn kineze. Rreth Ali Misratit dhe shkrimeve të tij kanë shkruar shumë shkrimtarë, kritikë dhe akademikë arabë dhe të huaj. Ndёr to pёrmendim dekanin e letёrsisё arabe Taha Husejnin, Enis Mensurin, Mustafa Mahmudin, Muhammed Ferid, Ni`met Ahmed Fuad, Nikolla Zijade, Abdullah Es Siman, Ali Fehmi Khushejm, Muhammed Verith, Husejn Mu`nis, Ebu Kasim Keru, Enver El Xhundij, Muhammed Mahfudh nga Tunizia, Shiratof nga Rusia, Xhak Perik nga Franca, Arif nga Kina, Bakhman nga Gjermania, Abdul Kerim Xhermanos nga Hungaria, Rizintano nga Italia… e shumё letrarё e kritikё tё tjerë.

Për aktivitetin e tij, për frymën e re që ai ka futur në letërsinë dhe historinë libiane, për botimet dhe dorëshkrimet e pabotuara, për seminaret dhe koncertet letrare e kulturore që janë organizuar brenda Libisë dhe jashtë saj, për të gjitha këto dhe mjaft të tjera që nuk janë përmendur, e bёjnё atё ta quajmё “Herodotin e kulturёs libiane”, sikurse e quan me tё drejtё dhe dr. Abdullah Salim Mulejtan[3].

 

Çfarë thotë Ali Mustafa Misrati për veten e tij…[4]

 

Pasi përmend vendlindjen dhe vitet e shkollës të cilat i përmendëm në fillim të kësaj biogarife ai vazhdon e thotë:

Unë përshtatem me natyrën e studimeve dhe hulumtimeve, shkruaj artikuj dhe tregime që pasi i thur ato has shumë pengesa për ti botuar dhe t’ia paraqitur njerëzve, kjo për shkak të shkrimit tim të mallkuar, shkronjave të përdredhura, shprehjeve të dobëta si dhe gabimeve të shpërndara ndaj të cilave pena ime tregohet e pavëmendshme për ti korrigjuar dhe  përmirësuar. Pena ime gulçon dhe shfryn atëherë kur ajo shikon letrën, ajo vrapon kur vështron bojën, dhe rrëshqet atëherë kur unë e shtrëngoj me gishtat e mi. Kjo nuk do të thotë se unë me mendimin tim kam përfshirë gjithçka apo jam thelluar -Zoti më faltë -, kjo dëshmon se rrjedha e penës tek unë është përvojë e hidhur dhe mundim…

Shpejtësia gjatë shkrimit, nxitimi në ecje, shpejtësia gjatë të folurit, gjatë ushqimit, janë gjëra të cilat unë i vuaj, që më shqetësojnë vazhdimisht, dhe që më bëjnë konfuz dhe të hutuar. Nga këtu lëshimet që bën pena ime janë të shumta, po ashtu dhe gabimet drejtshkrimore. Nxitimi dhe të shpejtuarit mund të jenë të dobishme dhe të domosdoshme për të arritur shkallët e qytetërimit, mirëpo nxitimi në botën e artit, në strehën e poezisë, fushën e penës, dhe në hapësirën e letërsisë, në të gjitha këto të nxituarit është veti shumë e dëmshme, shkatërruese, është mallkim…

Përderisa shkrimi im është sikurse gjurmët e rosës në baltë, apo sikurse shenjat dhe shprehitë e hajmalive, e gjej veten më shumë duke mbajtur fjalime sesa duke shkruar, dhe kur flas ndihem  më mirë sesa kur shkruaj, të ligjëroj është më e lehtë për mua sesa të shkruaj, sepse kufijtë e të shkruarit janë shumë të vështira për mua, janë të mallkuara, kjo është një e metë të cilën mundohem vazhdimisht ta riparoj dhe një gabim që mundohem ta përmirësoj dhe ti jap kuptim, mirëpo me plot keqardhje mesa duket kjo është diçka e vështirë dhe e pamundur për mua. Gjithmonë unë jam i detyruar ti korrigjoj vetë shkrimet e mia sepse shkrimi im është i palexueshëm dhe i pakuptueshëm. .. gabimet dhe lëshimet e penës sime ndonjëherë arrijnë deri në marrëzi, mund të ketë prej tyre të dhimbshme, konfuze por dhe të çuditshme dhe origjinale…”.[5]

Stili i Misratit dallohet për spontanitetin dhe lehtësinë e tij. Në të shumtën e rasteve të bie në sy  mprehtësia dhe humori thumbues. Këtë stil ai nuk e shmang qoftë edhe në studimet, hulumtimet dhe tregimet e tij. Ai nuk është sikurse ata të diplomuar të Ez’herit të cilët përdorin një stil të vështirë për tu kuptuar  dhe mjaft  të paqartë. Ajo që e bën atë të veçantë janë shkrimet e tij të cilat prekin fusha të ndryshme të kulturës. Ai thotë:

“Mungesa e librit në bibliotekën arabe në Libi; ishte kjo ndjenë motiv i mjaftueshëm që shkrimet e mia të kenë këtë shumëllojshmëri. Me këtë unë kisha dëshirë të mbushja një pjesë sado të vogël të këtij boshllëku. Kështu unë fillova të shkruaj për personalitet libiane, historianët, u mora me studimin e dorëshkrimeve, gjithashtu fillova të shkruaj tregime dhe pjesë teatrale. Nuk e mohoj që unë e provova të shkruaj edhe poezi, mirëpo nuk është nga ajo poezi që ngrihet mbi këmbët e veta, mund ta quajmë poezi të gjymtuar… poezia ime nuk më pëlqen dhe nuk kam dëshirë t’ia paraqes atë lexuesve, kështu që e mbylla këtë drejtim dhe u dhashë pas fushave të tjera të letërsisë”.[6]

 

Për shqiptarët ai thotë:

Janë një popull i vjetër që kanë dhënë shumë, ka nxjerrë dijetarë e personalitete jo vetëm në lindje por dhe në perëndim, por në të njëjtën kohë është një popull që i është bërë shumë padrejtësi. Turqia shumë herë tregoi neglizhencë ndaj tyre, ndërsa arabët i harruan totalisht“.

Ai nuk harron të përmendë dijetarë me origjinë shqiptare që kanë bërë famë në botën arabe, të cilët i ka takuar gjatë udhëtimeve të tij të shumta. Ai thotë që shumë prej tyre i njeh personalisht dhe i ka shokë e mban kontakte me to. Ai përmend Sami Frashrin dhe Kamusin e Personaliteteve, libër të cilin ai ka shumë dëshirë ta përkthejë në gjuhën arabe, për Samiun i cili ka qenë edhe kryeredaktor i gazetës “Tarablus El Garb” gazeta e parë libiane, ai thotë: “Ai ka qenë me të vërtetë një dijetar i madh, ka qenë enciklopedi për kohën e tij, për fat të keq ka autorë arabë që janë bazuar totalisht në veprën e tij Kamus el A’lam, por që nuk e përmendin një gjë të tillë“.

Padyshim nuk mund të harrojë “burrin madhështor” siç e quan ai Muhamed Ali Pashën të cilin e përmend me një simpati të madhe, si dhe mjaft personalitete shqiptare për të cilët ai shpreson t’iu përkushtojë një ligjëratë për të treguar rolin e tyre në shërbim dhe përhapje të kulturës islame në botë, në të njëjtën kohë ai shpreh dëshirën e tij të madhe që një ditë shpreson ti realizohet për të vizituar “Tokën Shqiptare” siç e quan ai me gjuhën e tij.

 

Më tej ai thotë:

“Bisedat e mia nuk janë asgjë pa ndjenjën e humorit. Humori është i rrënjosur në personalitetin dhe karakterin tim. Të qeshurit është diçka e domosdoshme gjatë bisedave të mia, kjo ndoshta për shkakun ngaqë unë kam aftësi për të krijuar kushtet e përshtatshme për humor. Mund të ndodhë që humori tek unë të jetë shprehje ironike, kritikë e ashpër ose qëndrim ndaj diçkaje që nuk më pëlqen… kjo nuk mund të jetë çudi duke marrë parasysh vendin ku jam rritur në lagjen Bulak nga ku lind i gjithë humori egjiptian… në këtë lagje lindin dhe shpërndahen të qeshurat për tu bërë më pas përzierje e jetës dhe natyrës njerëzore në atë vend.

Gjithmonë më shikon duke vrapuar sikur jam duke ndjekur diçka që se kam arrirë, mbaj letra të cilat ndoshta nuk i mbush së shkruari, gjithmonë mbaj nën sqetull një libër që ndoshta nuk e përfundoj së lexuari, por mundet që librit ti grisen fletët nga leximi i shumë përsëritur. Mbaj me vete të holla të cilat shumë shpejt i shpenzoj. Të hollat në dorën time janë sikurse uji në pupël… përfundojnë shpejt… të tjerët më shohin bujar deri në qindarkën e fundit dhe shumë dorështrënguar deri në palcë përsa i përket bibliotekës sime apo pajisjeve të mia kulturore dhe artistike”.

Për shkrimet dhe aktivitetin e tij kulturor ai është nderuar me shumë çmime dhe tituj si në rangun e botës arabe ashtu dhe jashtë saj, por ai mendon se nderi më i madh që i është bërë është seminari shkencor me titull “Ali Mustafa El Misrati, letrar dhe dijetar” të cilën e organizoi Këshilli për Kulturën, ku ai tha:”Shpresoj që të jem letrar dhe dijetar në historinë e letërsisë arabe“.

 

/Orientalizmi Shqiptar/


[1] Përshtatur dhe përzgjedhur nga Roland Vishkurti, Tripoli, 08.02.2008, u botua në revistën shkencore “Edukata Islame”, viti XXXVII, nr. 86, Prishtinë 2008, f. 267–274.

[2] Është seminari shkencor me titull “Tripoli dhe roli i tij në përhapjen e kulturës arabe–islame”, mbajtur në Tripoli-Libi më 6–7 Shkurt 2008, ku ai u nderua me medaljen e arte nga Organizata Arabe për Edukimin, Kulturën, dhe Shkencën (ISESCO).
[3] Marrё nga fjalori i letrarёve dhe shkrimtarёve bashkёkohorё libianё, Abdullah Salim Mulejtan.
[4] Kjo është një paraqitje e karakterit të këtij gjeniu të letërsisë arabe, ku del në pah personaliteti i tij euforik dhe mjaft i gjallë, thjeshtësia dhe sinqeriteti janë diçka e pandarë nga personaliteti i këtij akademiku që tashmë i ka kaluar të 80–tat, kjo jo vetëm në shkrimet e tij, por dhe në jetën e tij të përditshme. Në shkrimet dhe artikujt e tij të ndryshëm ne hasim vazhdimisht shprehje që nxjerrin në pah anë nga personaliteti i tij… kjo që po përmendim është vetëm një përzgjedhje.
[5] Ali Mustafa El Misrati, Gabimet e penës, gazeta “Tripoli Perëndimor”, nr. 2862, viti X, datë 7 Dhjetor 1952, f. 2.
[6] El Misrati, shpirti dhe zemra, grup autorësh, Katër stinët, nr. 58, viti XII, 2–1992, f. 25-31.
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: