Mësimet e Mevlanës për njeriun modern – 1

MËSIMET E MEVLANËS PËR NJERIUN MODERN – 1

Mevlana Xhelaleddin Rumi

Mevlana Xhelaleddin Rumi

Padyshim se Mevlana Xhelaledin Rumiu është një nga krenaritë e njerëzimit dhe njëri ndër mistikët e mëdhenj të botës islame. Kështu që kemi vendosur që në dy programe sadopak të dashur miq t’ju njohim më mësimet e Mevlanës dhe efektet që mund të kenë ato në jetën e njeriut të sotëm modern.

Xhelaledin Muhamed Belkhi, i njohur si Mevlana apo Molevi është mistik dhe poet iranian që i takon shekullit 7 hixhri kameri. Është i biri i Beha Veledit, dijetar dhe mistik i madh i krahinës së Belkhit. Mevlana u edukua dhe arsimua nga babai i tij. Me intensifikimin e sulmeve dhe kërcënimeve të mongolëve në Iranin e lashtë, shumë dijetarë dhe mistikë të mëdhenj iranianë u detyruan të braktisin vendin e tyre. Edhe Beha Veledi, babai i Mevlanës është njëri prej këtyre emigrantëve i cili bashkë me familjen e tij u nisë për të vizituar Shtëpinë e Zotit kaloi nga Shami dhe Hixhazi. Familja e Mevlanës pas qëndrimit në Nejshabur, Bagdad, Sham dhe Hixhaz, në fillim u vendos në qytetin Larende në Azinë Qendrore (Anadollin e sotëm në Turqi) dhe më pas përgjithmonë u vendosë në qytetin e Kon’jas.

Mevlana i cili kishte arritur të përfitojë nga dijet dhe njohuritë e babait të tij dhe dijetarëve të mëdhenj të asaj kohe, pas vdekjes së të atit u bë zëvendës i tij në medrese dhe xhami. Ligjëratat e tij të cilat bazoheshin në dijet të thella dhe në rrëfime mistike e poetike, kishin gjetur dashamirës të shumtë. Veprat ‘Mexhalisi Seb’a’ dhe ‘Fi Ma Fih’ në realitet janë përmbledhje e ligjëratave të Mevlanës. Gjithashtu nga Mevlana kemi edhe kryeveprat ‘Mesnevi Ma’nevi’ dhe ‘Divani Shems’. Mevlana ndërroi jetë më 5 Xhemadiul Aher, 673 h.k. në moshën 68 vjeçare në qytetin e Kon’jas.

Sot kemi një prirje të çuditshme drejt poezisë së Mevlanës në botë dhe kjo prirje nuk kufizohet vetëm në qendrat akademike dhe universitare. Sot në Evropë dhe Amerikë, Divani me poezi të Mevlanës është ndër librat më të lexuar. Interesimi i madh i perëndimorëve për poezinë e këtij poeti të madh mysliman ka bërë që Divani i tij të ribotohet disa herë. Arsyeja se pse Mevlana është bërë i dashur dhe i lexuar në mesin e popujve evropianë është jeta e tyre në suaza të rregullave të modernizmit. Tani duhet shtruar pyetjen se në kohën kur njerëzit modernë, si për nga aspekti mendor ashtu edhe në sjellje, ndjekin botën materiale, atëherë cilat janë ata elementë që kanë ndikuar që Mevlana të bëhet lexuesi më i kërkuar dhe i lexuar në perëndim? Poezia e Mevlanës është poezi e krijuar shumë në kohë shumë më të hershme dhe ajo është krijuar në një botë që dallon krejtësisht nga bota e sotme moderne. Atëherë cili është shkaku që njeriu i sotëm perëndimor është në kërkim të krijimtarisë poetike të Mevlanës?

Njëra prej karakteristikave të modernizmit është animi apo prirja kah shkenca. Filozofi gjerman, Jurgen Habermas thotë se modernizmi megjithëse përpiqet të luftojë ideologjinë, por ai shkencën e ka shndërruar në ideologji të veten. Prandaj dhe kriteret shkencore janë përcaktuese të çështjeve në jetë dhe shkenca është kriteri me të cilën llogariten vlerat. Por po ky sundim i egër i shkencës në të gjitha dimensionet e jetës së njeriut është bërë shkak i reagimit të tij kundër shkencës. Ky kundër reagim ka marrë forma të ndryshme në vete, si psh. animi i njeriut modern kah ato aspekte të jetës, të cilat modernizmi për shkak të shkencës, i ka refuzuar apo nuk i ka marrë asnjëherë si serioze. Kjo është dhe arsyeja se pse poezitë mistike të Mevlanës kanë gjetur lexues të shumtë në shoqëritë e industrializuara. Poezia e Mevlanës posedon botëkuptime dhe koncepte të rëndësishme të cilat mund t’i zgjidhin shumë probleme dhe preokupime njeriut të sotëm modern.

Në shoqërinë e sotme, shkenca, krijimin e marrëdhënieve mes njerëzve e sheh po ashtu sikur krijimin e marrëdhënieve të sendeve mes veti. Në një shoqëri të tillë, me rëndësi është mjeti të cilët i bashkon apo i takon ata me njeri tjetrin. Këto mjete gjithashtu janë prodhim i botës moderne dhe në këtë mënyrë lidhjet apo kontaktet e njerëzve janë mekanike. Por njeriu për arsye se posedon ndjenja dhe emocione të fshehta, nuk mund t’i pranojë këto mjete mekanike. Për atë dhe ai kërkon fusha të cilat e lirojnë atë nga një jetë e tillë. Njeriu i sotëm kërkon rrugë me anë të së cilave atë mund të përmirësojë dimensionet e tij në këtë epokë të industrializuar. Prandaj dhe prirja kah letërsia lindore përplot spiritualitet e sidomos poezitë e Mevlana Xhelaledin Rumiut, gjen një botëkuptim shumë të thellë.

Kur flitet mbi raportet mes njerëzve në epokën moderne, atëherë poezia e Mevlanës mund të analizohet në dy aspekte: e para, raporti i veprës (tekstit) me lexuesin, dhe e dyta, raporti i njeriut me njeriun.

Poezia e Mevlanës si tekst krijon marrëdhënie emocionale me lexuesin. Ky poet i madh mysliman, lexuesin e tij e konsideron një njeri i cili jeton në një botë larg nga materializmi dhe që kërkon të vërtetën. Kështu që ai me gjuhën e tij të butë e të ëmbël pranon çdo lexues nga të gjitha popujt, fetë dhe racat. Në anën tjetër, personazhet e poezisë së Mevlanës në mes vete kanë raporte emocionale dhe shpirtërore. Ajo që në këtë mes është përcaktuese është elementi që buron nga esenca e njeriut dhe shpirti i tij e jo në kritere apo botëkuptime shkencore. Në vështrimin e Mevlanës, i cili është vështrim i bazuar në fenë islame, ‘njeriu’ është krijesa më madhështore e Krijuesit në tokë. Ai raportet mes njerëzve i vështron në kuadër të kësaj kornize. Kjo çështje është problemi kryesor të cilën nuk i ka kushtuar fare rëndësi bota moderne dhe për të cilën është i etur njeriu perëndimor. Kjo çështje është edhe shkaku kryesor pse njeriu modern është në kërkim të poezisë së Mevlanës.

Njeriu nuk është krijesë njëdimensionale, por ai ka dimensionin fizik dhe atë shpirtëror apo metafizik. Në qoftë se njeriu arrin të arsimohet në aspektin fizik, kjo nuk do të thotë se ai ka arritur në shkallën e përsosmërisë. Padyshim se duhet t’i kushtojë rëndësi edhe aspektit shpirtëror. Për fat të keq, në epokën e sotme, janë prishur ekuilibrat mes fizikes dhe shpirtërores dhe kjo gjendje ka bërë që shumë njerëz të mos kenë një ekuilibër të personalitetit të tyre. Sot njeriu, sidomos në perëndim, i kushton rëndësi vetëm aspektit material dhe në këtë mënyrë nuk mund të sjellë lumturinë dhe qetësin në jetë. Në këtë mes, mesazhet dhe mësimet e Mevlanës kanë efekte të dukshme dhe njeriun modern e tërheqin drejt vetes.

Njëri ndër mesazhet dhe mësimet kryesore të Mevlanës për njeriun modern është ‘dashuria’ dhe ‘njohja’. Të gjithë komentuesit dhe studiuesit e Mevlanës janë të mendimit se 18 vargjet e parë të Mesvenisë së Mevlanës janë ajka e mësimeve dhe mesazheve të tij.

Pa dëgjo këtë fyell se si rënkon
Nga ndarja e tij na tregon
Kur më ndanë nga fyllishtja
Për mua qanë burra e gra
Dua një gjoks të përgjysmuar nga largësia
Që atij t’ia them dhimbjen e hallet e mia

Mevlana në këto vargje flet për veten e tij por nëpërmjet një fyelli i cili është ndarë nga fyllishtja dhe që jeton në largësi. Melodia e fyellit është një zjarrë të cilin duhen ta kenë të gjithë në gjoks dhe çdo kush që nuk e ka këtë zjarr në realitet ekzistenca e tij është hiç (asgjë). Zjarri që e ka fyelli është zjarri i dashurisë dhe vala që ndodhet në verë është valë e dashurisë. Sipas tij, personi që nuk shijon dashurinë ai është i provuar nga çdo send.

Gjendjen e të pjekurit nuk e kupton asnjë i papjekur
Atëherë fjala duhet të jetë e shkurtër, Veselam

Sipas Mevlanës, çdo njeri të cilin nuk e ka pjekur zjarri i dashurisë ai nuk do të jetë i aftë të kuptojë njohurinë (urtësinë hyjnore). Pas këtyre vargjeve të Mesnevisë, Mevlana shkallë – shkallë i njofton lexuesit e tij me gradat e dashurisë dhe njohjes.

Këputi zinxhirët, jeto i lirë o djalë
Deri kur do jesh rob i arit e rob i argjendit

Një mësim tjetër i Mevlanës i cili është tejet i vlefshëm për njeriun e sotëm është të qëndruarit larg nga mendjemadhësia dhe egoizmi. Mevlana gjatë tërë jetës dhe veprës së tij është munduar që njerëzve t’ia mësojë që sa më shumë të përpiqen të qëndrojnë larg mendjemadhësisë, krenarisë, egoizmit dhe vetpëlqimit. Ai njeriut dëshiron t’i thotë se megjithëse ti je krijesa më madhështore në tokë, por nuk duhet që ta shohësh vetëm veten tënde dhe gjithashtu veten ta konsiderosh si qendër të krijimit. Mendjemadhësia është nëna e fatkeqësive dhe poeti duke i shfrytëzuar të gjitha figurat poetike njeriut ia mëson devotshmërinë dhe robërinë. Robëri kjo e cila është e gërshetuar me dashuri dhe miqësi. Kështu që mësimi dhe mesazhi kryesor i Mevlanës është që njeriu të realitetin në këtë botë, e sipas tij, realiteti është Zoti dhe shprehja e robërisë së dashurisë ndaj Tij.

Sipas Mevlanës, kushti i parë i dashurisë është eliminimi i vesit të mendjemadhësisë dhe vetadhurimit:

Dashuria është sfiduese, dhe unë jam i sfiduari i dashurisë
Nga dashuria jam bërë i ëmbël si sheqeri
Para Teje jam si fleta e lisit, O Erë e fuqishme
Ku ta di unë se ku do të bie?

Marrë nga faqja: http://albanian.irib.ir/radioculture/arti/literatura-perse/poezi-persiane/item/77922-m%C3%ABsimet-e-mevlan%C3%ABs-p%C3%ABr-njeriun-modern-%E2%80%93-1

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: