Kontributi i medresistëve në zhvillimin e arsimit në trevat e Dibrës

Blerim LAZIMI

 

KONTRIBUTI I MEDRESISTËVE NË ZHVILLIMIN E ARSIMIT NË TREVAT E DIBRËS

Medresistët e vjetër

Medresistët e vjetër

Ngjarjet e shënuara në jetën e një kombi, janë të tilla, jo vetëm pse e kanë forcuar e kompaktësuar atë, por edhe sepse ndikimi frymëzues i tyre shtrihet tek brezat në kohë, në vite, në dekada e shekuj më pas. 34 vitet e përpjekjeve dhe luftës së rilindësve tanë mendjendritur, me fillesë platformën kombëtare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke u vitalizuar përmes dritës së diturisë në 7 marsin e shkollës së parë shqipe, kulmuan me ngjarjen më të madhe: shpalljen e Pavarësisë. Këto ngjarje u jetësuan nga shqiptarë të mëdhenj, nga njerëz me ideale të larta kombëtare e morale. Përkujtimi i tyre, më e pakta, është shprehje e njohjes së vlerave. Prandaj, ky përvjetor i 100-të i mëvetësisë së Shqipërisë, ndër të tjera, po shërben edhe si një moment reflektimi dhe ridimensionimi të vlerësimit të historisë sonë kombëtare dhe figurave që e ndërtuan atë.

Në nëntor të vitit 1993, në një simpozium shkencor për Dibrën, Haxhi Sulejman Efendi Rexhepi (kryetar i Meshihatit Islam të Maqedonisë) u drejtohej me këtë këshillë organizatorëve dhe pjesëmarrësve “… do të kisha shprehur dëshirën që në të ardhmen historianët do të nxjerrin në pah dhe do t’u japin vendin e merituar edhe fesë, roli i së cilës në të kaluarën pa të drejtë u minimizua posaçërisht kur bëhet fjalë për rolin e saj në mbrojtjen nga përpjekjet asimilatore të sllavëve dhe armiqve të tjerë.” Në vazhdim ai argumentoi: “… do t’ju kujtoj dy hoxhallarë dhe patriotë të famshëm… Ata janë Said Najdeni ose Hoxhë Voka dhe Haxhi Vehbi Dibra, që me veprimtarinë e tyre, lanë gjurmë të thella, duke gërshetuar në mënyrë të mrekullueshme dashurinë për fenë e kombin…” Me kënaqësi konstatojmë se ky aktivitet i sotëm ndoshta shënon një ndër hapat e parë e të rrallë që zyrtarisht organet shtetërore trajtojnë me seriozitetin e duhur rolin e fesë islame në çështjen kombëtare (siç kërkonte Haxhi Sulejman Efendi Rexhepit afro 20 vite më parë).

18 prilli i këti viti shënon 98 vjet nga hapja e shkollës së parë në qytetin e Peshkopisë, shënon 98 vjet të përpjekjeve të guximshme për t’i dhënë jetë mëvetësisë së sapolindur nëpërmjet arsimit. Me këtë rast, shprehim mirënjohjen e thellë ndaj të gjithë klerikëve myslimanë dibranë që punuan për çështjen kombëtare e për hapjen e mësimit në gjuhën shqipe dhe medresistëve arsimtarë që kontribuan në zhvillimin e arsimit në trevat e Dibrës në vitet 1960 – 2010.

Në historikun e arsimit dibran, metodikisht, mund të dallojmë kryesisht dy faza të angazhimit dhe kontributit të kuadrove fetare islamë, që vijnë harmonikisht njëra pas tjetrës. E para dhe më e rëndësishmja është periudha në të cilën hoxhallarët dhe shehlerët ishin nismëtarë dhe mbështetën fuqishëm lëvizjen kombëtare në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX. Kjo mbështetje u shtri mençurisht dhe me frymëzime të drejtpërdrejta kuranore në përhapjen e diturisë në përgjithësi dhe në të mësuarit e gjuhës shqipe, nëpërmjet hapjes së shkollave, si hap fillestar. Dr. Musa Kraja konstaton dhe thekson në studimin e tij: “Për periudhën e Rilindjes masa e mësuesve dibranë ka patur tre tipare themelore. Së pari, mësuesit dibranë kanë qenë veprimtarë shumë aktivë për çështjet sociale e sidomos për çështje kombëtare. Së dyti, në pjesën dërrmuese kanë qenë klerikë dhe mësues njëkohësisht. Së treti, ato më të shquarit janë marrë edhe me krijimin e abetareve shqipe e teksteve shkollore, me një theks të veçantë edukativ…”

Guri i parë i çmuar në gjerdanin e artë të arsimit dibran është veprimtari i shquar i Lëvizjes së Rilindjes sonë Kombëtare, Said Najdeni apo Hoxhë Voka siç e nderonte populli dibran. Të tjerë gurë të çmuar ishin:

Haki Sharofi – edukatori, që ndoshta sot i mungon arsimit tonë.

Hafiz Sherif Langu – i arsimuar për teologji në medresenë e Dibrës dhe më pas në Stamboll. Që në moshën 17 vjeçare, falë lidhjeve të ngushta me atdhetarët Seit Najdeni, Kadri Fishta e Shaqir Daci, me kurajo e guxim iu përvesh punës për përhapjen e shkollës shqipe.

Sherif Langu krahas punës së imamit në një lagje të qytetit aktivizohet në shpërndarjen e abetareve. Si kryetar i Këshillit Administrativ të Klubit “Bashkimi” zhvillon një aktivitet të dendur në radhët e zejtarëve, tregtarëve e fshatarëve për shkollën shqipe dhe në dobi të çështjes kombëtare. Ka qenë kryetari Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Nga ky post i lartë predikoi prosperitet e tolerancë mes besimeve fetare, dashuri, bashkim vëllazëror fetar e kombëtar dhe aspiroi gjithmonë për Shqipëri të vërtetë (etnike).

Hoxhë Hasan Moglica – i arsimuar për teologji me rezultate të shkëlqyera, për të cilin në Enciklopedinë Turke shkruhej: “Stambolli, nëpërmjet Hasan Moglicës, i ka dhënë arnautllëkut mësuesin e fesë Islame.”, trokiti në çdo portë të Gollobordës për të dërguar një djalë nga çdo familje për t’u arsimuar në Normalen e Elbasanit. Me shpenzimet e tij dhe me ndihmën e miqve solli nga Stambolli në thasë sheqeri 5000 abetare shqip, ndërsa shtëpinë e tij prej 28 dhomash në Moglicë e ktheu në një bibliotekë-shkollë. Është dekoruar nga Kuvendi Popullor si “Patriot dhe atdhetar i shquar”.

Sheh Sula i Zerqanit (Sulejman Shehu) – Në sajë të aftësive të tij të rralla intelektuale, Sulejman Shehu arriti të merrte dekoratën më të lartë që jepte Porta e Lartë në teologji dhe gradën major në ushtri. Mori pjesë si përfaqësues i Dibrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, si dhe në Kongresin e Manastirit. Më 10 maj 1910 nën drejtimn e tij u hap shkolla e parë shqipe në Zerqan.

Hafiz Ismet Dibra – drejtori i parë i Medresesë së Tiranës, shkollës që shumë shpejt bëri emër në arsimin kombëtar në vitet ’20 – ‘30.

Hafiz Sherif Palikuqi – krahas detyrave në institucionet fetare, kryente detyrën e mësuesit të gjuhës shqipe. Pas shpërnguljes nga represioni serb (1913-1914), kontributi i tij në arsim u shtri edhe në Tiranë, veçanërisht në Shëngjergj.

Hafiz Sabri Dibrani – përgatiti punimin “Një abetare shqip në dialektin dibran”.

Haxhi Faik Vildan Dibra – nga Rimnica e Rekës, i arsimuar për teologji në Stamboll, u angazhua në përdorimin e alfabetit latin për gjuhën shqipe, për hapjen e shkollave shqipe. Dha fetvanë: S’ka asnjë ndalim në pikëpamje fetare që gjuha shqipe të mësohet me alfabetin latin…”

Hafiz Maliq Tanushi – nga Tanusha e Rekës. I detyruar të mos shërbejë si hoxhë për shkak të represionit serb, ai shpërngulet në Stamboll, ku mundi të bëhet i pasur. Pasurinë e fituar në Stamboll, e vuri në shërbim të ndihmave për hapjen e klubeve dhe shkollave shqipe, ndihmonte mësuesit dhe nxënësit që vazhdonin kurset.

Hoxhë Ramadan Kola në Brezhdan

Hoxhë Budini në Selishtë

Hoxhë Bajram Buci në Lukan

Hafiz Zabit Kodra – Në qytetin e lindjes vazhdoi medresenë e mesme dhe e përfundoi me nota shumë të mira. Zabit Kodra i vazhdoi studimet e larta për filozofi në Stamboll të Turqisë. Studimet i mbaroi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1912. Ai gjatë këtyre viteve mësoi përmendësh Kuranin. Njihte katër gjuhë të huaja: arabisht, turqisht, persisht dhe frëngjisht. Njihte shumë mirë lexim dhe shkrim në gjuhën shqipe. Në vitin 1914, me vendim të qeverisë së asaj kohe, të shkruar në Fletoren Zyrtare të muajve qershor-korrik, emërohet mësues i shkollës fillore në komunën e Ostrenit, shkollë e cila duhej të ngrihej për herë të parë. Mësuesi i ri u tregua i gatshëm për të filluar punën e mësuesit në gjuhën shqipe, por kjo shkollë nuk u hap. Pas një viti u emërua mësues në shkollën e Muhurrit, e cila filloi së pari punën. Më tej shërbeu në shkollën e Brezhdanit, në Trojak e Sllovë (tek Elez Isufi) dhe në Peshkopi. Në bibliotekën e tij, që numëronte më shumë se 300 vëllime, gjeje, veç Kuranit e haditheve të profetit Muhammed (a.s.), edhe mjaft tituj librash filozofikë të shumë drejtimeve, libra letrarë dhe historikë. Atje gjeje volume të tëra në gjuhën arabe, turke, perse dhe frënge. Hafiz Zabit Kodra nuk u pajtua me regjimin komunist. Për qëndrimin indiferent kundrejt regjimit të ri, në vitet 1946-1947, e dënuan me 6 muaj burg.

Dr. Musa Kraja gjithashtu nënvizon edhe rolin e institucioneve fetare: “Vizioni i edukatorit në Dibrën e atyre viteve, ashtu si edhe sot, plotësohet edhe me veprimtarinë shumë të dobishme të institucioneve fetare, xhamive, teqeve e kishave shqiptare…” (argument për këtë është xhamia e qytetit të Peshkopisë (teqja në Pazar). Teqja e Baba Shabanit –u kthye në një nga bazat e fuqishme të çështjes kombëtare, të arsimit e gjuhës shqipe.)

Periudha e dytë, për shkak të rrethanave historike të krijuara, e shfaq indirekt kontributin e kuadrove në karrierë të fesë islame në arsimin dibran. Bëhet fjalë për grupin e medresistëve të arsimuar në Medresenë e Tiranës (qysh prej vitit 1923 deri në 1964). Pak ose aspak prej tyre mundën të ushtronin për pak kohë detyrën e predikuesit fetar. Vendosja e regjimit komunist kufizoi gradualisht, deri në eliminimin e plotë juridik, rolin e fesë në shoqërinë shqiptare. Brezat e medresistëve të arsimuar në Medresenë e Tiranës, në pamundësi për t’i shërbyer fesë, iu drejtuan profesioneve të ndryshme, apo niveleve të ndryshme të arsimimit. Janë 15 medresistë që punuan në shkollat e Dibrës dhe më gjerë. Liman Deshati, Femi Xhepa, Ramadan Hoxha, Halim Shehu, Hivzi Shehu, Muhamet Xhembulla, Ahmet Çaushi, Ali Hoxha, Hamit Hoxha, Habe Shehu, Maliq Ganija, Faik Shehu, Mahmut Xhembulla, Uke Shehu, Rahim Shehu. Pesë prej tyre kryen studimet e larta dhe u diplomuan në degët e mësuesisë.

Medresistët pëlqyen arsimin, sepse në medrese ata mësuan se të kërkosh dituritë është detyrë e domosdoshme, se dijetarët janë të nderuar tek Krijuesi, gjithashtu se është detyrë të mësosh vetë e atë çka di t’ua mësosh të tjerëve, se duke dhënë dije e shton atë. Ndjesitë e tyre për dije, punë, bashkëjetesë paqësore, dashuri e përgjegjshmëri ndaj atdheut, popullit e njerëzimit ishin dy herë më të mëdha se te të tjerët. Këto vlera të edukimit të medresistëve i njihte, në heshtje apo nën zë, edhe shoqëria. Pas një farë hezitimi të strukturave shtetërore, një pjesë e mirë e tyre u punësuan në arsim, pasi kryen arsimin e mesëm apo edhe të lartë pedagogjik.Një drejtues i lartë i arsimit do të ndërhynte kështu për marrjen në punë të kësaj katergorie: “Merrini, sepse ata janë gatuar për të qenë të ndërgjegjshëm, të urtë e të bindur dhe punëtorë e as nuk kanë nevojë për kontroll, prandaj i merrni!”Ai nuk gaboi, koha i dha të drejtë. Nuk kishte si ndodhte ndryshe, sepse gjurmët e veprës madhore të Haxhi Vebi Dibrës, Hoxhë Vokës (Seid Najdenit), Haki Sharofit, Hoxhë Muglicës, Ismet Dibrës, Sherif Langut, etj., tashmë ishin gdhendur në historinë tonë kombëtare e nuk mund të shuheshin nga “izmat”.

Të gjithë medresistët janë dalluar për angazhim të plotë në procesin mësimor, nuk kanë qenë as kundërshtues e as të pabindur. Kanë ndërtuar marrëdhënie të mira me kolegët, me nxënësit, me prindërit dhe me popullin në përgjithësi. Ku kanë punuar mësuesit medresistë, kujtime të mira kanë lënë. Në sytë e nxënësve dhe shoqërisë kanë qenë shembulli i mirë. Kanë qenë të thjeshtë dhe jeta e tyre ka qenë e ngopur me normat më të mira të moralit njerëzor.

Ky grup medresistësh, ndonëse i vogël krahasuar me numrin e arsimtarëve, nuk la pëllëmbë të tokës dibrane pa shkelur. Përmes sakrificash, provokimesh, lëvizjes në këmbë në rrugë të gjata, në shi e borë apo të nxehtë, kontributi dhe vlerat e tyre u njohën gjithandej, sa në Peshkopi, aq edhe në fshatrat e Sllovës, Selishtës, Kastriotit e Çidhnës, Reçit e Dardhës, Kalasë së Dodës, Maqellarës, Bulqizës edhe jashtë Dibrës. Ata shërbyen në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar: në fillore, 8-vjeçare e arsimin e mesëm. Halim Shehu, Hifzi Shehu, Muhamet Xhembulla, Ahmet Çaushi, Ali Hoxha dhe Mahmud Xhembulla, kanë ushtruar edhe detyra drejtuese në institucionet arsimore, si inspektor në Seksionin e Arsimit dhe Kulturës,anëtar ekipesh kontrolli, si dretor, apo zv/drejtor të shkollave ku kanë punuar. Halim Shehu e shtriu aktivitetin e tij edhe në fushën e mbledhjes së folklorit dhe të fakteve historike. Hivzi Shehu qe mësuesi i parë i shkollës Shumbat. Dhe më tej, puna e tyre e ndërgjegjshme, e palodhur dhe me rezultate të larta, është vlerësuar edhe me tituj të shumtë nderi nga Ministria e Arsimit, Kuvendi Popullor dhe Presidenti i Republikës. Halim Shehu “Mësuesi Dalluar”; Hifzi Shehu “Mësues i Dalluar”, medalja “Naim Frashëri”; Muhamet Xhembulla “Mësues i Dalluar”, medaljen “Naim Frashëri” dhe urdhri “Naim Frashëri” i klasit II dhe III; Ahmet Çaushi dy herë distinktivi “Mësues i dalluar” dhe medalja “Naim Frashëri”. Në vitet ’90, disa prej medresistëve patën fatin e caktuar nga Zoti që të angazhoheshin edhe në jetën fetare Islame.

Falë punës së tyre u hap dhe funksionoi medreseja e parë në qytetin e Peshkopisë. Në një nga shkollat tona, prej afro 5 vitesh, punon si mësues një nga nxënësit që ka dalë nga bankat e kësaj medreseje (Arben Pula mësues në shkollën 9-vjeçare “Sali Demiri” Fushë Alie, është në prag diplomimi për gjuhë angleze në Universitetin e Tetovës).

Edhe një fakt që nuk mund të lëmë pa përmendur, për nga simbolika që ai mbart edhe pse janë ngjarje që kanë ndodhur në diferencë kohore prej gjysmë shekulli, ato ngjajnë si dy pika uji me njëra tjetrën për nga parimet, apo standardi me të cilin i formëson feja Islame njerëzit. Në shkollën e hapur dhe që drejtohej nga Said Najdeni, përveç elementeve të para të shkrim-leximit me alfabetin e Stambollit, mësohej diçka edhe nga matematika, nga shkencat natyrore, mësime fetare, bisedohej për tema nga historia e kultura kombëtare etj. Ramadan Hoxha, apo Hoxha i Blliçes – i arsimuar për fenë Islame në Medresenë e Tiranës – në vitet e para pas çlirimit hapi një klasë me rreth 40 vetë, burra e gra, të rinj e të moshuar. Jepte mësim tre-katër orë në ditë, pa pagesë, për të gjithë moshat. U mësonte shkrim e këndim, aritmetikë, histori, dituri natyre etj., tamam ashtu siç bënte dhe siç këshillonte Hoxhë Voka (Seid Najdeni): “Sot, për neve asht bamë farz (detyrë), një orë e ma parë, t’i bijem mbrapa ditunisë-mendes, ta mësojmë bashkë me dituni të fesë, me këtë dituni, ditunij e fesë jeton; nuk asht kjo dituni kundra fesë, si e xhexhim (dëgjojmë) e si e shofim me sy të dhëmbshme pi disa njerëz të verburë. Kjo tufë njerëz quhen armikët të mëmëdhesë e të fesë.”Ajo që i bashkon dy hoxhallarët është parimi islam i arsimimit dhe edukimit, aq i dobishëm për institucionet tona arsimore. Ne, sot, duhet t’u themi faleminderit këtyre njerëzve të  çmuar, pasi qysh prej një shekulli, me idetë dhe punën e tyre i kanë vënë kapak mentaliteteve se feja dhe shkenca janë armiq të njëri-tjetrit.

Le t’i referohemi edhe një herë dr. Musa Krajës i cili na kujton: “Abetarja e gjuhës shqipe, e botuar në Sofje me alfabetin e Stambollit nga Seid Najdeni, ishte e pasur me fjalë e shprehje popullore, duke mbajtur e transmetuar tek lexuesi mençurinë e popullit, karakterin kombëtar e edukativ…” E njëjta frymë i përshkon edhe veprat tjera si “Fe-Rrëfenjësja e muslimanëve” e Hoxhë Vokës, “Edukata fetare e morale” e Haki Sharofit etj. Në këtë rrugë ecën dhe luftuan të parët tanë të shquar që i përkujtojmë sot. Pra, mësimi që vjen prej tyre për ne është se përparimi i një kombi varet nga edukimi ideor dhe ndjesor i individëve të atij kombi. Kjo do të thotë se arsimimi është tjetër gjë e, edukimi tjetër gjë. Shumica e njerëzve mund të bëhen arsimtarë, por janë të paktë ata që mund të bëhen me plot kuptimin e fjalës edukatorë. Në shkolla, të paktën po aq sa në mësimet e tjera, ne duhet të qëndrojmë mbi edukatën dhe kulturën kombëtare, në mënyrë që të përgatiten breza me shpirt e karakter të shëndoshë, të cilët do ta kthejnë vendin në parajsë. Lartësimi i kombit varet nga shpirti dhe vetëdija me të cilat ne do të mund t’i pajisim brezat e rinj, nga arsimi dhe edukata që ato do të marrin. Prandaj edhe sot kontributi i institucionit Islam do të jetë i mirëpritur në mbështetje të zgjidhjes së problematikave të arsimit në fushën e edukimit moral e kombëtar.

 

Botuar në revistën “Drita Islame”, Korrik 2012.

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: